“Ji i lumtur”, vogëlushi shkruan mesazhe zemre mbi ushqimin e pacientëve me Covid

Ndërsa vala e dytë e pandemisë Covid-19 vazhdon të rritet në Indi, një fotografi e një djali të vogël që shkruan mesazhe zemre në paketat e ushqimit të destinuar për pacientët me Covid-19 po bën xhiron në botës në internet.

Në foton virale vogëlushi shihet duke shkruar: “Ji i lumtur” mbi paketat e vakteve të përgatitura nga nëna e tij për pacientët pozitivë me Covid. “Ngrohtësi nga zemra. Shërbimi vjen në të gjitha madhësitë dhe çdo kontribut ka rëndësi. Ky djalë i vogël shkruan “ji i lumtur” në këto kuti ushqimesh që nëna e tij bën për pacientët, “shkroi përdoruesi i Twitter Advaita Kala, duke shpërndarë foton.

Që prej shpërndarjes në internet, postimi ka mbledhur mijëra pëlqime dhe shumë njerëz që e panë foton e lavdëruan djalin për gjestin e tij./a2/ KultPlus.com

Qytetarët drejt Serbisë për vaksina, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk janë përgjegjës

Derisa shumë qytetarë po marrin rrugën drejt Serbisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, për shkak që një gjë të tillë nuk po mund ta bëjnë në vend, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ata nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera. Po kjo ministri kritikohet për mossigurimin e vaksinave të mjaftueshme, në mënyrë që të gjithë qytetarët të vaksinohen në vend, përcjell KultPlus.

 “Në mungesë të vaksinave kundër koronavirusit, qytetarët e Kosovës po detyrohen t’i drejtohen institucioneve shëndetësore të shtetit serb për tu vaksinuar. Sot, mora dozën e dytë të vaksinës Pfizer në Preshevë”, kështu është shprehur sot Arta Neziri-Nuhiu, asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e AAK’së.

Ajo ka deklaruar se përveç se atje është vaksinuar thuajse e tërë popullsia, ata po mund të përzgjedhin edhe cilën vaksinë dëshiron ta marrësh.

Si Neziri-Nuhiu, Express ka mësuar se edhe shumë qytetarë tjerë po marrin rrugën për në Serbi, konkretisht në Rashkë e Novi Pazar, për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Për shkak që Qeveria e Kosovës e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë siguruar mjaftueshëm vaksina që edhe ata të vaksinohen, ata po vaksinohen në Serbi.

E kjo duket se nuk po e shqetëson Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri kanë thënë se nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera.

“MSh është përgjegjëse për vaksinimin e qytetarëve të saj në territorin e Republikës së Kosovës. MSh nuk është përgjegjëse për vaksinimin në vendet e tjera”, kanë thënë zëdhënës për media në këtë ministri për Express.

Nga MSH kanë deklaruar se fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në Prishtinë dhe vaksinimi i të moshuarve mbi 65 vjeç është lajm i mirë për qytetarët.

Sipas kësaj ministri, ky proces do të intensifikohet ditëve në vijim deri në arritjen e vaksinimit të 60 për qind të popullsisë.

“Fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në rajonin e Prishtinës dhe fillimi i vaksinimit me moshën 65 vjeç e lart është lajm i mirë për popullatën kosovare dhe në ditët në vijim ky proces do të intensifikohet deri në arritjen e objektivit për vaksinimin e 60% të popullatës”, është thënë nga MSH.

Ndërsa, Gazeta Express ka marrë vesh nga burime të veta se qytetarët po përdorin dokumente të vjetra, ato të Jugosllavisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19 në Serbi. E këtë po e bëjnë pa asnjë problem.

Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk po siguron vaksina për të gjithë qytetarët, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë fajësuar atë për vaksinimin e qytetarëve në Serbi.

Kujtojmë që qytetarë të shumtë nga Kosova, që nga fillimi i këtij viti kanë marrë rrugën për në Serbi për t’u vaksinuar kundër virusit COVID-19.

Disa prej tyre tashmë kanë filluar ta marrin edhe dozën e dytë atje./gazetaexpress/ KultPlus.com

Historia e dy vëllezërve që i ndau pandemia, festuan ditëlindjen te kufiri i dy shteteve

Për shkak të pandemisë, ata nuk mund të vizitojnë njëri-tjetrin. Dhe kjo është arsyeja pse, qoftë diell apo shi, dy binjakët suedezë, që janë 73-vjeçarë e gjejnë veten çdo të shtunë, secili në anën e vet të kufirit, në urën që lidh Norvegjinë dhe Suedinë.

Ola dhe Pontus Berglund marrin me vete karriget e ushqimin dhe vendosen secili nga vendi i tyre, i cili është i ndarë me një vijë të bardhë të hollë në asfalt.

“Nuk na lejohet të kalojmë kufirin. Unë duhet të qëndroj një metër në anën time dhe ai një metër në anën e tij”, shpjegon Ola ndërsa flamujt norvegjezë dhe suedezë të ngulur në kangjellat e urës valëviten nga era, transmeton KultPlus.

“Pra, ka dy metra distancë mes nesh”, tha ai. Dhe jo vetëm kaq. Në këmbët e tij ka një vijë të bardhë. Në njërën anë shkruhet “Norge”, në anën tjetër “Sverige”.

Ola jeton në Halden, në juglindje të Norvegjisë, ku shkoi me të dashurën shumë kohë më parë. Pontus është gjysmë ore me makinë në qytetin e largët suedez të Stromstad.

Ata janë binjakë identikë dhe gjithmonë takoheshin një herë në javë. Pandemia e ndaloi këtë dhe ata tani po takohen në urën e vjetër të Swinesund që lidh dy vendet.

Në urë, me dy metra distancë, ata festuan ditëlindjet e tyre të 73 në 20 prill.

“Kjo është shumë e pazakontë, por ne e shihnim njëri-tjetrin një herë në javë dhe nuk donim ta ndalonim atë këtë”, thotë Pontus nga pala suedeze. “Pandemia nuk na ndaloi dhe kjo është fitorja jonë”.

Megjithëse situata me virusin ka ndryshuar me kalimin e kohës, kufiri ka mbetur i mbyllur gjatë gjithë kohës. Kjo veçanërisht zemëron shumë norvegjezë që kanë vilë verore në Suedi, ku jeta është më e lirë. / KultPlus.com

Gastronomët paralajmërojnë protesta nëse nuk u zgjatet orari i punës

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po vazhdon të jetë e pakënaqur me moszgjatjen e orarit të punës e moslehtësimin e masave Anti-COVID.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka paralajmëruar protesta të ashpra.

Krejt kjo sipas një pronocimi të tij për EO, nëse institucionet nuk i konsultojnë për masat e reja, që siç thotë ai duhet të merren shumë shpejt për lirimin e sektorit të gastronomisë, transmeton KultPlus.

I pari i gastronomëve ka kujtuar se kanë mbajtur tri protesta, duke shtuar se nuk do t’i nënshtrohen as asnjë qeverie. / KultPlus.com

Për herë të parë, Shqipëria kalon 24 orë pa asnjë të infektuar me Covid-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka treguar se sapo kanë kaluar 24 orët e pata pa asnjë të sëmurë ne Covid-19, shkruan KultPlus.

”LAJM I BUKUR
Sapo kanë kaluar 24 ORËT E PARA pa asnjë të sëmurë me Covid të paraqitur në dyert e Spitalit Infektiv qysh nga marsi i vitit 2020
”, ka shkruar Rama.

Shqipëria është ndër vendet e Evropës që procesin e vaksinimit e ka zhvilluar shumë shpejt dhe deri më tani është bërë e ditur se janë vaksinuar mbi 500.000 persona. / KultPlus.com

Kurti: Javën e ardhshme vjen një kontigjent i 95 mijë vaksinave të premtuara nga BE-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se një pjesë prej 95 mijë vaksinave të premtuara nga BE do të vijnë javën e parë të muajit maj.

Kurti ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave që erdhën si ndihma është shpenzuar dhe Kosova nuk ka vaksina anti-Covid për momentin për të vaksinuar qytetarët. Kurti që po qëndron në Bruksel ka bërë të ditur se është takuar me kreun e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, dhe ka treguar se njëra prej temave që është diskutuar është edhe ndihma me vaksina.

“Kemi folur edhe për sigurimin e vaksinave. Ne jemi shteti i vetëm europian që nuk kemi marrë vaksina nga Kina dhe Rusia. Kontingjenti i parë që erdhi me ndihma nga Covax kishte 24 mijë vaksina. Ato kanë mbaruar. Tani folën me zonjën Von der Leyen e cila na premtoi edhe 95 mijë vaksina të cilat, një pjesë e tyre do të vijë javën e ardhshme”, tha ai.

Tutje ai tha se kjo do të ndihmojë shumë në sektorin e shëndetësisë, mirëpo edhe në ekonomi.

“Javën e ardhshme. Ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe shëndetësinë. Kështu do të kontribuohet edhe në zhvillimin sektorit publik, përvecse në sektorin e shëndetësisë”, shtoi ai./KultPlus.com

Raka: Vaksina rruga e vetme për t’u kthyer në normalitet

Në javën e imunizimit në botë, UNICEF ka organizuar një bashkëbisedim më epidemiologun Lul Raka, me të cilin u diskutua imunizimi me vaksinim të rregullt, dhe imunizimi nga COVID-19.

Vaksinat AstraZeneca të cilat u dhanë qytetarëve të Kosovës, sipas Lul Rakës pas 21 ditëve nga doza e parë të mbron 100% nga vdekja, ku edhe përmendi se qëllimi i vaksinimit është parandalimi i vdekjes, rihapja e shoqërisë dhe eliminimi i sëmundjes.

Ne këtë bashkëbisedim epidemiologu Lul Raka foli për rëndësinë e vaksinimit të rregullt tek fëmijët, vaksinim i cili për shkak të pandemisë është lënë anash duke e shtuar kështu rrezikun e shpërthimit të fruthit, paralizës së fëmijëve dhe lijës.

“Qëllimi i imunizimi me Covid-19 prej fillimit lajm i jashtëzakonshëm ka qenë sigurimi i vaksinës. Qëllimi kryesor ka qenë me ndal vdekjet. Unë thash që kategoria më e rrezikuar ka qenë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duke e ndalur vdekshmërinë, duke imunizu edhe për këtë arsyeje jo vetëm në Kosovë por edhe bota fokusin e ka pas tek imunizimi i të moshuarve mbi 65 vjeç[…]Vaksinat të cilat janë në përdorim në Kosovë është AstraZeneca për momentin, vetëm një dozë e AstraZeneca e cila merret pas 21 ditëve të mbron 100% nga vdekja[…]Qëllimi tjetër për vaksinim është edhe hapja e shoqërisë edhe e fundit është eliminimi i sëmundjes”, tha ai

Raka tha edhe se COVID-19 përpos vështirësive që ka shkaktuar në sistemin e shëndetësisë, problem ka shkaktuar edhe në vaksinimin e rregullt të fëmijëve, duke e shtuar kështu rrezikun për afër 20 sëmundje që mund të u ngjiten fëmijëve të pa imunizuar.

“Problemet që i ka shkaktuar në fillim COVID-19, sidomos në fillim kur ka qenë frika dhe paniku në maksimum edhe në atë fazë por edhe më vonë edhe tash kanë pësu një gamë të gjerë të pacientëve të tjerë që vuajnë prej sëmundjeve të tjera. Nuk e kemi veç COVID-in, kur jemi tek sëmundjet vaksinë parandaluese, sëmundje që mund të ndalen me vaksinë këtu janë afër 20 sëmundje tilla të cilët shkaktohen jo vetëm prej viruseve por edhe prej baktereve shkaktohen për të cilat ka shërim dhe kjo bëhet përmes vaksinave, gjatë kësaj pandemie imunizimi i rregullt është godit shumë”, tha ai

Raka tha se fruthi është një prej sëmundjeve më ngjitëse, ku një person i infektuar mund t’i infektojë 16 deri 18 persona të pa imuniziuar. Andaj prindërit që nuk kanë arritur të kryejnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve të tyre mund të vazhdojnë vaksinimin duke u lajmëruar në QKMF-të më të afërt

“Edhe nëse ka vonesa (për vaksinim të rregullt) munden me mbërri prapë se prapë kalendarin duke u lajmërua në QKMF-të më të afërta[…]5-6 vitet e kaluara kemi pas shpërthime të fruthit jo vetëm në Kosovë po në krejt rajonin edhe ka ndodh pikërisht sepse nuk janë imunizu një pjesë e konsiderueshme e popullatës. Fruthi është një prej sëmundjeve ma ngjitëse nga të gjitha viruset. Mesatarisht një i sëmurë me COVID i infekton 2 deri në 3 persona të tjerë, te fruthi, një person i infektuar me fruth i infekton 16 deri 18 të tjerë të cilët nuk janë të imunizuar”, tha ai.

Për të u kthyer në normalitet, Raka tha se për shpëtimi i jetës së njerëzve, shmangia e shtretërve spitalorë, hapja e teatrove, stadiumeve dhe dasmave zgjidhja e vetme është vaksinimi

“Faktori më i rëndësishëm është imunizimi dhe mbrojtja e fëmijëve tanë. Vaksina është rruga e vetme e kthimit në normalitet e shpëtimit të jetës së njerëzve e shmangies së shtretërve spitalorë e kthimit në punë, në teatër, stadium, dasma po e përsëriti prapë andaj vaksinohuni”, ka theksuar Raka në bashkëbisedimin e organizuar nga UNICEF në javën e imunizimit në botë. / KultPlus.com

Koncert pa maska dhe distancë në Zelandën e Re, tubimi më i madh në botë pas Covid-19

Grupi i Zelandës së ‘Re Six60’ mbajti një koncert para 50,000 njerëzve në Auckland, ngjarja më e madhe e tillë në botë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.

Publiku nuk kishte maska ​​mbrojtëse dhe nuk kishte asnjë distancë shoqërore, raporton The Sun.

Grupi e përfundoi turneun e tyre të fundit me një koncert në Eden Park.

Zelanda e Re ka marrë vlerësime për përgjigjen e saj ndaj pandemisë dhe ka një nga nivelet më të ulëta të vdekshmërisë nga Covid-19.

Vetëm 2.601 raste të koronavirusit u regjistruan dhe 26 njerëz vdiqën. 

Aktualisht, vetëm 33 raste të Covid-19 janë aktive.

Përdorimi i maskave është i detyrueshëm vetëm në transportin publik dhe në avion, dhe masa e ruajtjes së distancës sociale nuk është në fuqi./ KultPlus.com

Image

Frika nga Covid19 do t’i ndalojë njerëzit të ri-integrohen në shoqëri

Shkencëtarët kanë shprehur shqetësimet se ankthi i mbetur si pasojë e koronavirusit do të ndikojë tek disa njerëz që të krijojnë zakone të rënda të cilat mund t’i pengojnë ata që të riintegrohen edhe pas kalimit të pandemisë.

Koncepti i “Sindromës së ankthit nga COVID” për herë të parë është teorizuar nga profesorët vitin e kaluar, kur Ana Nikčević, nga Universiteti i Kingstonit dhe Marcantonio Spada, nga Universiteti i Bankës Jugore të Londrës, kishin vërejtur se njerëzit ishin duke zhvilluar një grup të veçantë të tipareve në përgjigje të COVID-19, përcjell KultPlus.

Sipas tyre, sindromi i ankthit është i karakterizuar kryesisht nga kontrollimi i vazhdueshëm për ndonjë simptomë eventuale të COVID-19, evitimi i vendeve publike dhe pastrimi i vazhdueshëm i cili kthehet në obsesion.

Hulumtuesit kanë theksuar se këto shenja shqetësuese të sjelljes nuk do të kalojnë lehtë, madje as pasi virusi të jetë futur nën kontroll.

“Frika është normale. Të gjithë i frikësohen virusit sepse është i rrezikshëm. Mirëpo, pritjet e mija janë se pjesë të popullatës do të evitojnë ri-integrimin dhe do të kenë brenga të vazhdueshme si pasojë e virusit pavarësisht se do të jenë të vaksinuar”, ka thënë profesori Spada. / KultPlus.com

Harxhohen vaksinat në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar qytetarët në Komunën e Prishtinës se në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë nuk do të ketë vaksinime kundër COVID-19 gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët në vijim, meqë dozat e parapara për vaksinim në këtë qendër të vaksinimit, janë dhënë që të gjitha.

“Vaksinimi në këtë qendër do të fillojë kur të arrijnë doza të tjera, derisa në ato komuna (QKMF) ku ka ende doza të pa administruara, vaksinimi do të vazhdojë ditët në vijim, deri në dhënien e të gjitha dozave në dispozicion”, thuhet në njoftimin e MSH-së, përcjell KultPlus.

Deri tani, me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24.000 dozat e para të marra përmes mekanizimit COVAX në Kosovë. / KultPlus.com

Krerët e shtetit gjerman kujtojnë 80 mijë jetët e humbura gjatë pandemisë

Koronavirusi i ri vazhdon të përhapet me ritme shqetësuese, sipas OBSH-së, pasi ka shënuar mbi 3 milionë viktima në gjithë botën.

Të dielën, Gjermania u bë vendi i radhës që përkujtoi jetët e humbura nga Covid-19.

Krerët më të lartë të shtetit e nderuan kujtimin e 80 mijë prej tyre me një meshë kishtare.

Gati 20 mijë të tjerë iu shtuan listës me të infektuarit në Gjermani.

30 mijë bartës të tjerë u regjistruan në Francë në 24 orë, pak ditë pasi vendi kaloi pragun simbolik prej 100 mijë viktimash, bilancin më të rëndë në botë pas SHBA-së, Brazilit, Meksikës, Indisë, Britanisë, Rusisë dhe Italisë.

Italia njoftoi të dielën se ka vaksinuar 15 milionë persona me dozat kundër Covid-19, apo 25 për qind të popullatës, por është ende herët për të hequr kufizimet.

Një ditë më parë, punëtorë nga industria vendëse e spektaklit protestuan kundër masave.

2 mijë të infektuar dhe mbi 60 viktima më tepër konfirmoi të dielën edhe Greqia brenda ditës.

Autoritetet thanë se mbi 95 për qind ishin të sëmurë ose të moshave 70 vjeç e sipër.

Jashtë Evropës, India shënoi një rekord të ri prej 261 mijë infektimesh, aq sa Amerika Veriore dhe Jugore të marra së bashku në 24 orë.

Edhe vendet e Azisë Juglindore po raportojnë një shpërthim rastesh të reja, ndërsa varianti autokton i virusit po rrezikon Afrikën e Jugut.

Por teksa gjithë bota goditet nga vala e re e pandemisë, Izraeli bëri të dielën një hap tjetër për kthimin drejt normalitetit, duke e hequr detyrimin e deritanishëm për maskat në publik.

Më shumë se gjysma e izraelitëve janë vaksinuar kundër Covid-19 dhe situata epidemiologjike është përmirësuar ndjeshëm.

“Maskat na u bënë pjesë e jetës. Do shohim çfarë do ndodhë kur të gjithë t’i heqin, pas një apo dy muajsh. Tani për tani kam frikë,” thotë një qytetare nga Jerusalemi./ KultPlus.com

Shkon në 3 milionë shifra globale e viktimave të Covid-19

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sëmundja Covid-19 në mbarë botën të shtunën shkoi në mbi 3 milionë, pavarësisht fillimit të fushatës së vaksinimit në shumë vende muaj më parë.

Këto të dhëna janë të bazuara në bazën e të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara. Shifra e të vdekurve është sa numri i banorëve të kryeqytetit spanjoll, Madrid, shkruan Independent, transmeton KultPlus.

Sidoqoftë, shifra e vërtetë e viktimave besohet të jetë dukshëm më e lartë, sepse shumë raste mund të mos jenë regjistruar zyrtarisht në fazën e hershme të pandemisë së koronavirusit që fillimisht rrodhi nga Kina në fund të vitit 2019.

Shifra prej dy milionë të vdekurisht u arrit në janar të këtij viti, kur fushata e vaksinimit sapo kishte filluar në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Sot, vaksinimi ka nisur në më shumë se 190 shtete, ndonëse progresi për ta vënë nën kontroll dallon në pjesë të ndryshme të botës.

Përderisa vaksinimi në ShBA dhe në Britani ka filluar të ketë efekt dhe disa njerëz po kanë mundësi ta shijojnë jetën pas pandemisë, vendet tjera kanë mbetur prapa dhe po detyrohen të marrin masa të reja izolimi.

Shtetet si Brazili, India dhe Franca kanë marrë masa të reja kufizuese në kohën kur numri i pacientëve nëpër spitale po rritet përsëri nga e ashtuquajtura “valë e tretë” e pandemisë. / KultPlus.com

Me skanim të syrit do të kuptohet nëse jeni i infektuar me Covid19

Një kompani në qendër të Mynihut të Gjermanisë shpreson të filloj një epokë të re të testimit të koronavirusit me një skanim të syve që sipas kësaj kompanie, kërkon vetëm tre minuta për të identifikuar bartësit e sëmundjes dhe ka një normë goditje prej 95%, përcjell KultPlus.

Semic RF ka zhvilluar aplikacionin e skanimit me kolegë në Shtetet e Bashkuara dhe në pritje të miratimit të rregullatorit, shpreson të fillojë ta nxjerrë atje deri në fund të muajit tjetër, thotë drejtori i saj menaxhues, Wolfgang Gruber.

Aplikacioni përdor një foto të syrit të bërë me një smartphone dhe identifikon virusin me anë të një inflamacioni simptomatik të quajtur “syri rozë”.

“Ne arritëm të izolonim COVID-19 nga mbi dy milion hije të ndryshme rozë,” i tha Gruber Reuters.

Ai thotë se aplikacioni, tashmë i testuar në mbi 70,000 individë, mund të përpunojë deri në një milion skanime në sekondë dhe mundësinë për të zgjeruar më tej atë kapacitet – potencialisht lejimin e turmave të kthehen në ngjarje të frekuentimit masiv si koncerte dhe ndeshje futbolli.

Aplikacioni fillimisht është në shënjestër të kompanive dhe përdoruesve komercialë, me një kosto prej 480 euro (570 dollarë) në muaj, me një planifikim të mëvonshëm për individët. / KultPlus.com

Mick Jagger e Dave Grohl lansojnë këngë dedikuar pandemisë së COVID-19 (VIDEO)

Derisa Mick Jagger bashkë me bendin Rolling Stones ishin duke punuar në albumin ri dedikuar shpresës për një pjesë më të mirë të dekadës, anëtari i bendit Foo Fighters, Dave Grohl preferoi të punojë paksa më shpejtë.

Ai ndikoi në Jagger-in që të realizojë këngë të re. Dhe befasia është kjo, realizuan këngë dedikuar pandemisë së COVID-19. Kënga e tyre titullohet “Eazy Sleazy”, përcjell KultPlus.

Këngën e intepretojnë vetëm ata të dy, Jagger si vokalisti kryesor dhe me kitarë, e Grohl thuajse kudo, me vokal e instrumente të tjera muzikore./ KultPlus.com

Spanja nis sezonin veror, maska do të mbahet edhe brenda në ujë

Spanja e ka nisur sezonin veror për këtë vit, ndonëse e goditur më fortë se kurrë në sektorin jetik të saj, turizmin.

Fillimi i pranverës riktheu temperaturat e larta me mot të ngrohtë, mjaftueshëm sa për të shijuar detin, kryesisht në fundjavë. Por nëse vitet e shkuara, Spanja priste turistët e para që në muajin mars, kryesisht pushuesit britanikë, pandemia koronavirus, duket se ka lënë pasojat e saj nga një vit më parë.

Bregdeti i Majorkës është bosh, shumë larg pamjes së zakonshme me turistë, zhurmë, festa e jahte luksoze në portet e tij.

Zakonisht, në muajin prill, janë thuajse 2 milionë britanikë e 1.4 milionë turistë gjermanë, që vizitojnë ishujt e Majorkas por as gjysma e tyre nuk kanë udhëtuar këtë vit drejt Spanjës, pavarësisht heqjes së karantinës së detyruar gjatë udhëtimit nga një shtet në tjetrin.

Numri i vizitorëve të huaj në Spanjë ra në 19 milionë në total gjatë vitit 2020, niveli më i ulët që nga viti 1969, ndërsa kontributi i kësaj industrie në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit kapërceu në 4%, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i të dhënave, shumë larg 12% kontribut në vitin 2019.

Bashkë me rënien e numrit të turistëve, edhe të ardhurat në buxhet nga turizmi ranë ndjeshëm në krahasim me një vit më parë. Por ekspertët e ekonomisë kanë një parashikim edhe më negativ për këtë vit, kur thonë se 2021 pritet të jetë shumë më keq se viti i shkuar. Duke qenë një nga vendet e BE më të vizituar vitet e fundit, Spanja ka vuajtur më shumë se çdo vend tjetër pasojat e pandemisë, bashkë me të edhe Franca.

Agjencitë turistike flasin për një kërkesë të lartë për paketa turistike drejt Spanjës në tremujorin e tretë të këtij viti, pra për periudhën korrik-shtator e deri në fund të vitit por sipas ekspertëve, kaq nuk mjafton për të kompensuar humbjet për më shumë se një vit.

Por këtë vit, duket se edhe argëtimi në plazh do të ketë disa limite. Me rritjen e numrit të rasteve të reja ditore, ministri spanjoll i Shëndetësisë tha se maska mbrojtëse, nga 1 prilli, do të mbahet nga çdo qytetar, edhe në plazh, jo vetëm në ambient publik, por edhe brenda në ujë, kur noton, vendim ky që ka ngjallur kritika dhe panik.

Sipas legjislacionit, tashmë në fuqi, maskat mbrojtëse janë detyruese për çdo të rritur në ambiente të hapura, në plazhe, pishina apo shëtitore buzë bregut të detit. Edhe në rërë, pushuesit duhet të respektojnë distancën sociale, duke qëndruar 1.5 metër larg njëri-tjetrit.

Për disa, kjo masë është e tepërt, për të tjerë e duhura.

Laura Santacana: “Duhet t’i durojmë gjërat deri në një pikë të caktuar. A duhet të jemi të kujdesshëm? Po. Por kjo është e tepërt. E kemi të pamundur të bëjmë një jetë normale”

Patxi Beloki: “Mendoj se gjithçka bëhet për të ndihmuar në këtë situatë, është gjë e mirë. Maskat në plazh apo në ambiente të tjera publike, janë mirë. Duhet të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së koronavirusit”.

Në plazhin La Concha, ku shumë banorë shijojnë çdo ditë motin e ngrohtë, sërfisti Jose Aquavivas thotë se maska edhe në plazh, ndihmon në frenimin e përhapjes së Covid-19, edhe pse maska në ujë është bezdisëse. 

Jose Aquavivas: “E di që po bëjmë një përpjekje për të shpëtuar sezonin veror dhe në një kohë kaq të mirë të San Sebastian, mendoj se legjislacioni i ri na mbron sepse është e qartë që të gjithë do vijnë në plazh. Por është pak e bezdisshme sepse nuk mund të hysh në det me maskë, kjo ishte një nga pak liritë që na kishte mbetur. Tani duhet të shqetësohemi se mos marrim gjobë”.

Iban Alonso: “Mendoj se është mirë. Në fund të ditës, është njësoj si të shkosh në një bar. Nëse nuk shkon për të ngrënë, duhet të mbash maskën, njësoj do të jetë edhe kur të notosh. S’ka asgjë ta mbash maskën”.

Jon Ander: “Mendoj se mbajtja e maskës në plazh është njësoj si ta mbash kur ecën në rrugë. Nuk të bezdis aq shumë. Është njësoj si në rrugë. Mendoj se është masë e nevojshme pasi rastet po rriten shumë”.

Vetë agjencitë turistike thonë se masat e reja në fuqi janë kërcënim për këtë sezon veror, pas humbjeve të regjistruara në një vit pandemik. Ata shpresojnë që këto masa të jenë të përkohshme e të mos frenojnë turistët e huaj të vizitojnë Spanjën këtë vit./ KultPlus.com

Rreth 60 mijë punëtorë e humbën vendin e punës gjatë pandemisë

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se në Kosovë, si shkak i pandemisë, rreth 60 mijë persona kanë humbur vendin e punës. Ndërsa, kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se masat e reja të ndërmarra nga Qeveria do të ndikojnë që të ketë humbje deri në 70 milionë euro.

Madje, ai thotë se duhet një analizë e thellë sa i përket mbylljes sepse duhet ditur se si të mbështetet sektori privat.

“Vetë fakti që kemi rreth 60 mijë punëtorë të papunë, dhe vetë fakti që do të ketë rënie të qarkullimit qoftë në gastronomi qoftë në hotele besoj që janë indikatorët kyç që dhënë hapësirë për shqetësim”, tha Gërxhaliu për Ekonomia Online, transmeton KultPlus.

“Në këtë drejtim besoj që duhet një analizë dhe kur të kemi mbyllje duhet të dimë se si të mbështetet sektori privat se vetëm mbyllja nuk është zgjidhje. Në Kosovë nuk kemi problem vetëm me të infektuar, problem është kush i monitoron të infektuarit, si përcillen ata të cilët e bartin infektimit te të tjerët. Prandaj duhet një data bazë e mirëfilltë duhet një monitorim”.

Përderisa kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se masat e reja të ndërmarra nga Qeveria do të ndikojnë që të ketë humbje deri në 70 milionë euro.

“Nëse marrim statistikat e vitit të kaluar ne kemi humbje mbi 1 miliard euro. Nëse flasim për mbylljen që është bërë diku 70 milionë do të kemi humbje për mbyllje dy javore, për të cilat Qeveria e Kosovës ka marrë vendim. Edhe për punëtorët ka qenë e paraparë që të përfitojnë, por ky përfitim nuk ka shkuar në llogarinë  e punëtorëve. Krejt kjo po bëhet me dëme në të gjitha fushat e punëtorëve të sektorit privat dhe faturën përfundimtarë po e paguajmë ne”, tha Azemi.

Qeveria e Kosovës e ka ndarë pakon emergjente, pakon për rimëkëmbje ekonomike, por megjithatë te punëtorët e sektorëve privat shumë pak ka qenë e ndikueshme, sepse mjetet nuk kanë shkuar në fondin e tyre. Edhe tani mendojmë që para se të bëhej mbyllja nga Qeveria është dashtë që paraprakisht të stimulohen punëtorët dhe kompanitë dhe pastaj të merret vendim. Këto humbje do të na kushtojmë ne dhe punëtorëve”.

Sipas vendimit të Qeverisë nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre. Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat. Po ashtu, do t’u ndalohet veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë. / KultPlus.com

Vitia: Vaksina AstraZeneca nuk ka pasur efekte anësore tek asnjë i vaksinuar në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se të vaksinuarit në Kosovë nuk kanë pasur asnjë efekt anësor deri më tani.

Gjatë konferencën për medie në Qendrën e Vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, Vitia tha se deri më tani ekipa emergjente nuk kanë pasur raste të ankesave nga personat të cilët janë vaksinuar, përcjell KultPlus.

“Te të gjithë qytetarët dhe personeli shëndetësor, vaksina nuk ka pasur asnjë efekt anësor apo efekt të padëshirueshëm që do të mobilizonte epiken mjekësore emergjente. Ata kanë pasur më së paku punë, që është lajm i mirë pasi vaksina deri më tani te askush nuk ka pasur efekte anësore”, theksoi Vitia.

Vitia tha se vaksina është e sigurt dhe ftoi të gjithë qytetarët mbi moshën 80-vjeçare që të lajmërohen dhe të vaksinohen. / KultPlus.com

Të martuar prej 70-të vitesh, çifti që u nda nga covidi ritakohen pas një viti (VIDEO)

Në 72 vite martesë, vetëm covidi arriti t’i ndajë. Por pas 1 viti larg nga njëri tjetri dhe në gjendje kritike për jetën, Xhon dhe Kei ribashkohen.

94-vjeçari John Doyle nuk i kursen fjalët e bukura për të dashurën e tij të zemrës, Kei. Dhe çifti i martuar prej 72 vitesh, nuk e kursen kohën kur nxiton të rrëmbejë një puthje.

Si ndihesh që e takove?, pyesim Kei. “Mrekullisht. Do doja të isha më afër me të”, përgjigjet ajo. “Është magjike, vërtetë. Nuk e di më sa kohë ka kaluar”, shton John.

Covidi i ka mbajtur një vit të ndarë nga njëri tjetri. Të dy u sëmurën por i mbijetuan virusit. Gjatë 1 viti janë takuar për së largu por për dy të dashuruarit, aq nuk mjaftoi. E kanë ndjerë mungesën e njëri-tjetrit.

Edhe pse prej dekadash bashkë, gjatë pandemisë ata përjetuan stuhi të vërteta. Çifti i 90-vjeçarëve humbën të afërm e miq nga virusi vdekjeprurës. Vajza e tyre Jackie u nda nga jeta dhjetorin e shkuar.

 “Ata thanë se ajo kishte nevoja speciale por unë them se ajo ishte speciale”, thotë John. Por në kohëra të mira e të këqija, në sëmundje e shëndet, Xhon dhe Kei, kanë qenë aty për njëri tjetrin, gjithnjë. “E duam njëri tjetrin”, thonë, “sekreti është fati. Ne kemi qenë me fat”. /a2/ KultPlus.com

Kurti: Duhet marrë masa të shpejta për të ulur numrin e të infektuarve, vaksinimi të fillojë menjëherë

Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e mbajtur në nder të arritjes së kontigjencës së parë të 24 mijë vaksinave “Astra Zeneca” në Kosovë të sjella nga Aleanca Gavi COVAX, ka deklaruar se duhet të ndërmerren masa të shpejta për parandalim të të infektuarve.

“Masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që të parandalojnë numrin e infektimeve. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë. Qeveria jonë, që ju keni zgjedhë, po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojë sa më shumë vaksina”, ka deklaruar ai.

Ai ka shprehur falënderim ndaj SHBA’së dhe BE’së për kontigjentin e siguruar të vaksinave “Astra Zeneca”, teksa ka thënë se Kosovës i duhet solidaritet nga të gjithë.

“Prandaj, më lejoni të falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për një proces të barabartë të vaksinimit. Vendi ynë është i  vogël edhe i varfër, andaj ka nevojë për solidaritet nga të gjithë, sidomos nga SHBA dhe BE, të cilët janë donatorët kryesor të aleancës COVAX”, ka thënë tutje i pari i ekzekutivit./express/ KultPlus.com

“Doja t’ia dëgjoja fjalët e fundit”, historia e burrit që u arrestua pak momente para se t’i vdiste gruaja

Një 70-vjeçar është arrestuar në Cape Toën të Afrikës së Jugut pasi kishte insistuar ta vizitonte gruan e tij, pak momente para se ajo të vdiste, e infektuar me koronavirus.

Gruaja ishte infektuar dhe më pas e shëruar mirëpo mjekët kishin deklaruar se kishte ujë në mushkëri dhe duhej përfundimisht të shtrihej në spital. Për shkak të COVID-19, ekipet mjekësore nuk lejonin vizita në spitale. Tembo ishte nisur me veturë drejt spitalit duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar, derisa zyrtarët e policisë rrugore e kishin ndaluar dhe më pas shoqëruar në stacion policor.

“Unë insistova të shkoja në spital por doktorët më thanë që kur të shkoja atje do ishte tepër vonë”, ka treguar burri.

Ai thotë iu lut policisë që ta lironin për të shkuar në spital dhe se “mund ta arrestonin më vonë”, mirëpo ata nuk e kishin përfillur kërkesën e tij.

“Thjesht doja të dëgjoja fjalët e saj të fundit”, ka deklaruar ai.

Ai i kaloi tri orë në stacionin policor të Manenbergut ndërsa më pas ishte liruar, në pamundësi për ta vizituar gruan në momentet e vdekjes.

“Ajo ishte zhdukur”, bërtiti ai derisa po tregonte historinë.

“Jam copëtuar. Unë e di që njerëzit vazhdimisht më thonë të jem i fortë, por si mund të jesh i tillë kur humet dikë me të cilin ke ndarë 36 vjet”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Si në kohët e vjetra, rikthehen koncertet në Barcelonë

Normaliteti po troket ose është drejt asaj rruge. Mbi 5 mijë persona morën pjesë në një koncert mbrëmjen e së shtunës për të rikthyer edhe njëherë kohët që na mungojnë prej thuajse dy vitesh.

Të testuar kundër koronavirusit dhe me maska, por mbrëmja ishte sërish magjike. Muzika e bukur dhe brohorimat pushtuan Barcelonën. Koncerti u organizua në formën e një eksperimenti dhe përpara 5000 të pranishmëve në pallatin Sant Lordi ishte grupi muzikor “Lord of Lesbian”.

Kjo ngjarje rrit më tepër shpresat e organizatorëve dhe të publikut që eventet e mëdha do të kthehen për të shpëtuar sezonin turistik që po troket. Spektakli u monitorua nga një ekip mjekësh dhe gjatë tij nuk u shënua ndonjë incident. Personave me probleme kardiake dhe atyre që kishin pasur kontakte me një të infektuar me koronavirus në javët e fundit iu kërkua të mos marrin pjesë.

Ata që kishin blerë biletat iu nënshtruan testit të shpejtë kundër koronavirusit mëngjesin e së shtunës. Kush rezultoi negativ, mori një kod në celular që bëri aktive biletat. Çmimi i biletave ishte nga 23-28 euro dhe brenda tij ishin përfshirë testi antiCovid dhe maska e cilësisë së lartë që duhej mbajtur gjatë gjithë eventit./a2/ KultPlus.com

Durmishi: Jemi bërë ‘vrasës’ të njëri tjetrit, jemi dalldisur dhe nuk e di a po e vërejmë këtë

Nga Luan Durmishi

Në ditët e fundit të Covid 19, në trupin tim, kuptova saktësisht se virusi është shumë i rrezikshëm ! Përtej këtij vrasësi të padukshëm që po mer jetëra njerëzish, kuptova se edhe ne jemi bërë “vrasës” të pavetëdijshëm të njëri tjetrit !

Të nënës dhe babait, të motrës dhe vëllaut, të shokut dhe shoqes etj… ! Jemi dalldisur dhe nuk e dijë a po e vërejmë këtë ? Qeveritë në të gjitha anët e globit, kur po kanë zgjedhje, po e humbin toruan dhe si të “çmendur ” po vrapojnë pas turmave dhe kështu po bëhemi të gjithë “vrasës” të njërit t’jetrit, e nuk po di a po e kuptojmë këtë apo nuk po duam t’a kuptojmë ! Ata pastaj po kthehen në humanitet, e ne në vazhdim dalldisjeje !

Virusi po vazhdon të vret, e dhimbjet veq po shtohen, kurse frika nga ky virus tek ne si duket ende është shumë largë.
Ju lutem respektoni masat që pasojat dhe dhimbjet të jenë sa më afatëshkurta. / KultPlus.com

‘Maska më e mençur në botë’ do të bëhet realitet (VIDEO)

Gjatë muajit janar në ngjarjen CES 2021 për teknologji, kompania Razer ka prezantuar projektin e quajtur “Hazel”, “maskën më të mençur në botë”.

Kujtojmë se projekti “Hazel” është një maskë e mençur e cila vjen me veçori mbrojtëse e dizajnuar për të mbajtur gjërat e këqija në ajër jashtë trupit tonë. Kjo maskë në prezantim ishte më shumë si koncept ndërsa tani Razer me të vërtetë dëshiron ta bëjë realitet.

Kjo maskë, synon të përmirësojë zërin e përdoruesve – për të hequr pengesat që po ua bëjnë maskat aktuale. Dizajni përfshin një ventilator të vogël për freskim të ajrit. Po ashtu, maska përbëhet nga plastika transparente duke e bërë më të lehtë edhe leximin e buzëve.

Duke folur për “Yahoo Finance UK”, kreu i Razerit, Min-Liang Tan ka thënë se kompania është plotësisht e përgatitur që t’i bëjë këto maska realitet dhe se së shpejti do të hyjnë në prodhim, shkruan ubergizmo. Fillimisht, maska është krijuar për të qenë alternativë e qëndrueshme ndaj maskave që përdoren aktualisht për mbrojtje nga koronavirusi, transmeton KultPlus.

Gjithashtu, Tan thotë se Razer ka vendosur që të zgjidhë çështjen e maskave dhe qëndrueshmërisë së tyre duke realizuar projektin “Hazel”.

Ende nuk dihet se kur do të jetë në dispozicion për shitje maska e Razerit ose sa mund të kushtojë. / KultPlus.com

Holanda eksperimenton me një festival me shumë njerëz në kohë pandemie

Një festival muzikor është duke u mbajtur në Holandë pavarësisht se gati e tërë bota po mban masa të rrepta të mbylljes për shkak të COVID-19.

Ky festival po zhvillohet në formë të eksperimentit me qëllim që të shikohet nëse ka ndonjë mundësi që këto organizime të mëdha të rinisin dhe të mbahen pa ndikuar në përhapjen e virusit, raporton BBC, transmeton KultPlus. Pjesëmarrësit në këtë koncert ishin të gjithë pa maska dhe nuk mbahej distanca sociale. I gjithë festivali po zhvillohet sikur të mos ekzistonte virusi.

Disa prej pjesëmarrësve janë shprehur të entuziazmuar që kanë mundur të marrin pjesë sërish në një ngjarje muzikore me shumë njerëz.

Kujtojmë se shumë vende të botës nuk kanë liruar masat, madje i kanë shtrënguar ato për të parandaluar një valë të tretë të infektimeve me koronavirus, pavarësisht se tashmë shumë prej këtyre vendeve janë duke vaksinuar popullatën e tyre.

Vetëm në Evropë, që nga fillimi i pandemisë kanë vdekur mbi 1 milion njerëz duke u bërë kështu rajoni i parë që e kalon këtë shifër të të vdekurve nga COVID-19. / KultPlus.com