Kosova i bashkohet deklaratës së vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke njoftuar se Republika e Kosovës i është bashkuar deklaratës së përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën, ka thënë se më shumë se kurrë, bota demokratike duhet të flasë me një zë, drejt një qëllimi të përbashkët që është sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre.

Këto sipas tij, janë të domosdoshëme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej.

Postimi i plotë i Kurtit:

Republika e Kosovës i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën. Kjo Deklaratë shprehë mbështetjen e pa rezervë për përpjekjet e guximshme të Ukrainës për të mbrojtur institucionet e veta demokratike prej luftës ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë.

Duke iu bashkuar kësaj Deklarate, Republika e Kosovës rithekson se sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej.

DEKLARATË E BASHKIMIT ME DEKLARATËN E PËRBASHKËT TË VENDEVE TË G7 MBI MBËSHTETJEN PËR UKRAINËN

Pushtimi ilegal dhe i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Rusisë, mbetet një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Çmimi i shkaktuar deri tani, në jetë njerëzish, stagnim ekonomik dhe shkatërrim mjedisor, ka qenë katastrofal për popullin ukrainas.

Ne i përshëndesim ata për rezistencën e tyre të guximshme në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe paqen e stabilitetin botëror. Po ashtu u shprehim keqardhjen dhe ngushëllimet më të thella për humbjet dhe vuajtjet e tyre.

Pasojat e konfliktit kanë ndikuar edhe përtej kufijve të Ukrainës. Në përpjekje për të tërhequr vëmendje prej luftës së saj ilegale, Rusia po tenton të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, me ndihmën e aleatëve të saj kryesorë autokratikë në rajon.

Prej ditës së parë të konfliktit, Republika e Kosovës po qëndron krahas Ukrainës dhe popullit të saj, pa rezervë. Menjëherë e kemi dënuar pushtimin dhe u jemi bashkëngjitur sanksioneve të ShBA-së dhe BE-së kundër Rusisë. Kemi shprehur gjithashtu gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë nga konflikti dhe kemi mirëpritur në Kosovë 18 gazetarë ukrainas, duke iu ofruar një vend të sigurt ku mund të vazhdojnë misionin e tyre për t’ia thënë të vërtetën pushtetit.

Tani që lufta ilegale e Rusisë po zgjatë, duke hyrë thellë në vitin e saj të dytë, Republika e Kosovës, përmes kësaj letre, i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën. Tani më shumë se kurrë, bota demokratike duhet të flasë me një zë, drejt një qëllimi të përbashkët. Sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej. Prandaj, Republika e Kosovës mbetet e gatshme për t’u kontribuar përpjekjeve të parashikuara në Deklaratën e Përbashkët dhe mbështetë plotësisht synimet dhe vlerat e shpallura në të.

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës /KultPlus.com

77-vjetori i lindjes së Bill Clinton, mikut të shqiptarëve

Bill Clinton, i lindur William Jefferson Clinton më 19 gusht 1946, ishte një politikan amerikan që shërbeu si Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1993 deri në 2001, shkruan KultPlus.

Ai lindi në Hope, Arkansas. Clinton ishte i njohur për personalitetin e tij karizmatik, arritjet politike dhe polemikat gjatë kohës së tij në detyrë

Bill Clinton luajti një rol të rëndësishëm në konfliktin e Kosovës, i cili ndodhi në fund të viteve 1990. Konflikti përfshiu shqiptarët etnikë që kërkonin pavarësinë nga Serbia, gjë që çoi në një goditje brutale nga qeveria jugosllave nën presidentin Slobodan Millosheviç.

Situata u përshkallëzua në një krizë humanitare me abuzime të shumta të të drejtave të njeriut dhe zhvendosje të njerëzve.

Udhëheqja e Bill Klintonit ishte e rëndësishme në avokimin për ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar dhunën dhe për të mbrojtur popullsinë civile në Kosovë. /KultPlus.com

Kosova mposht Zvicrën në basketboll

Kosova ka shënuar fitore ndaj Zvicrës me rezultat 76-72, në kuadër të rrethit të të tretë parakualifikues për Eurobasket 2025.

Në tr çerekët e parë më të mirë ishin helvetikët, ndërsa dardanët ishin superiorë në të fundit duke triumfuar me nëntë pikë epërsi.

Kosova tani ka dy fitore e një humbje, kurse Zvicra tre humbje. Danimarka është në vendin e parë me dy fitore, ku vetëm vendi i parë i grupit kualifikohet tutje.

Dardanët ndeshjen e fundit në këtë rreth parakualifikues do ta zhvillojnë ndaj Danimarkës në Prizren, në sallën “Sezai Surroi”. /Klankosova.tv.

Peticion për njohjen e Kosovës si shtet në Google

Platforma shqiptare “Dua.com” ka nisur peticionin për njohjen e Kosovës si shtet në Google. Iniciativa është mirëpritur nga publiku dhe ka arritur të marrë mijëra nënshkrime.

“Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk ka qasje të plotë në platforma globale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur pavarësinë e Kosovës prej vitit 2008, por jo dhe korporatat e mëdha të këtij shteti”, thuhet në komunikatën e “Dua.com”.

Kjo nismë kërkon njohjen e Kosovës në produktet e Google si Play Store, Youtube, Google Analytics dhe të tjera. Iniciatori Eduard Luta ka thënë se zhvillimi i një biznesi në Kosovë ka sfida, sikurse njohja e vendit nëpër platforma gjigande teknologjike.

“Përvoja ime në zhvillimin e bizneseve edhe në Zvicër, e ka vënë në pah se me sa probleme bazike ballafaqohen kompanitë ne Kosovë”, ka thënë Luta./ rtk/ KultPlus.com

Rregullat në autostradat e Serbisë, mërgimtarët të kenë kujdes

Diaspora e Kosovës shfrytëzon Serbinë për të ardhur në vendlindje.

Meqë rregullat kanë hyrë në fuqi, mërgimtarëve që kalojnë nëpër Serbi u bëhet thirrje të kenë kujdes.

Do të ketë matje të kohës që kalohet në një segment të rrugës mes dy punkteve ku bëhet pagesa dhe pagesa e dënimit për tejkalim të shpejtësisë behet menjëherë në punktin e pagesës për autostradë, përcjell albinfo.ch.

Shpejtësia e lejuar në autostradat e Serbisë është 130km/h dhe dënimet janë të ashpra.

Shkojnë nga 25 euro deri mbi 1000 euro ose 15-60 ditë burg, shkruajnë mediat serbe.

Këto janë rregullat të cilat duhet t’u përmbahen mërgimtarët.

Suboticë – Nish (423 km); 3 orë e 31 minuta,

Beograd – Nish (237 km): 1 orë e 58 minuta,

Beograd – Suboticë (190 km): 1 orë e 34 minuta,

Beograd – Shid (109 km): 54 minuta.

130 km/h është shpejtësia maksimale e lejuar në autostradat në Serb

120 km/h është shpejtësia maksimale e lejueshme në autostradat në Serbi me anë të shenjave

Dënohen 3,000 dinarë (25 euro) për shpejtësi nga 120 në 140 km/h

Dënohen prej 10,000 dinarë (85 euro) për shpejtësi nga 151 në 160 km/h

100,000 dinarë (845), 15 deri në 60 ditë burgim, 15 pika ndëshkuese dhe nëntë deri 12 muaj pa licencë është dënimi për tejkalimin nga 201 deri 220 km/h.albinfo.ch/ KultPlus.com

‘Wiki Loves Earth’ fton në garë fotografët për të vënë në pah bukuritë e Kosovës dhe Shqipërisë

Wikimedianët e Gjuhës Shqipe do të zhvillojnë garën “Wiki Loves Earth”, e cila njihet edhe si garë botërore e fotografisë, që për qëllim ka promovimin, krijimin dhe përmirësimin e përmbajtjes së Wikimedia-s me bukuritë e natyrës së Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe nxitjen e komunitetit për të vënë në pah vlerat e tyre, shkruan KultPlus.

Me këtë rast Wikimedian-ët e Gjuhës Shqipe kanë ftuar të gjithë  fotografët dhe të apasionuarit pas fotografisë dhe natyrës të marrin pjesë në këtë garë.

“Wiki Loves Earth Albania & Kosovo 2023 do t’u ofrojë fituesve një sërë çmimesh. 3 fitues për Kosovën dhe 3 fitues për Shqipërinë:

Vendi I – 200 euro; Vendi II – 150 euro; dhe Vendi III – 100 euro.

Kjo garë fotografie promovon krijimin dhe përmirësimin e përmbajtjes së Ëikimedia-s me bukuritë e natyrës së Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe nxit komunitetin të vënë në pah vlerën e tyre.

Fotografët kanë mundësi të shfaqin talentin dhe punën e tyre në Ëikipedia dhe jo vetëm. Pjesëmarrësit dhe entuziastët e natyrës duhet t’i ngarkojnë fotografitë në periudhën 1-31 korrik”, thuhet në njoftim.

Për më shumë informacion rreth garës, vizitoni lidhjen:

https://commons.wikimedia.org/wiki/Commons:Wiki_Loves_Earth_in_Albania_%26_Kosovo_2023

KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Erdoganin në gjuhën turke: Le të forcohet marrëdhënia mes Kosovës dhe Turqisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar homologun e saj turk, Recep Taip Erdogan për fitoren në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të Turqisë që ia mundëson atij mbajtjen e pushtetit për edhe pesë vjet.

Osmani përmes një deklarimi në Twitter ka thënë se mezi pret të punojë së bashku me Erdoganin.

”I shprehim urimet tona të përzemërta Presidentit Erdogan  në fitoren e sotme. Ndërsa ju vazhdoni ta udhëheqni Turqinë drejt sukseseve të reja, mezi pres të punojmë së bashku për të ndërtuar mbi bashkëpunimin tonë të shkëlqyer”, ka deklaruar Osmani teksa ka shkruar edhe në gjuhën turke.

Presidentja e Kosovës ka pasur disa vizita në Ankara ku është takuar me presidentin turk Erdogan.

Sipas të gjithave burimeve mediatike turke dhe perëndimore, Erdogan i ka fituar zgjedhjet – ky i fundit e ka shpallur fitoren kur janë mbetur më pak se 2 për qind të votave pa u numëruar. /Gazeta Express/KultPlus.com

Kurti: Në qershor mbledhja e radhës e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë

Në mes të muajit qershor, qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë do të bëhen sërish bashkë në një mbledhje të përbashkët. Kështu ka konfirmuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një bisede me gazetarë në margjina të konferencës “Diaspora Flet”.

Kohë më parë ishte thënë se mbledhja do të mbahet më 14 qershor në Gjakovë.

14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.

Ky do të jetë takimi i nëntë mes qeverive shqiptare të të dy shteteve, ndërsa që prej 11 janari 2014, kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim, janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje. Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve.

Kosova ndalon prodhimet kineze e ruse të telekomunikimit (VIDEO)

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është autoriteti që mbikëqyr rrjedhën e çdo tenderi publik.

E ky Komision, me ndryshimet e fundit në rregulloren e punës që bëri këto ditë, ndaloi miratimin e pajisjeve të telekomunikimit nga Kina e Rusia, raporton Klan Kosova.

Produktet e Dahua, Hikvision, Huawei, ZTE, Hytera dhe AO, u konsideruan se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.

Për njohësit e fushës, rrezikimi i sigurisë kombëtare mundësohet përmes mikroçipave.

Tanzer Abazi, ekspert i sigurisë kibernetike, tha se kamerat, telefonat e pajisjet e tilla të internetit, ofrohen me çmim më të lirë vetëm që të mund të spiunojnë. Përmes tyre, sipas ekspertëve, mund të cenohet edhe siguria në veri të Kosovës, e të përgjohen aksionet organeve të rendit.

Por sherri i pajisjeve ruso-kineze mund të jetë edhe më i madh.

Pajisjet me të cilat KRPP-ja rekomandoi operatorët që as të mos aplikojnë nëpër tenderë, Amerika dhe disa shtete të Bashkimit Evropian i larguan nga tregu kohë më parë. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës hyn në agjendë për ditën e hënë

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka hyrë në agjendën e këtij institucioni për ditën e hënë.

Sipas publikimit të agjendës së Komitetit të Ministrave, bëhet e ditur se pika 2.4 do të jetë për aplikimet për anëtarësim.

Në bazë të kësaj agjende, nuk bëhet e ditur se për anëtarësimin e cilit shtet bëhet fjalë, por dihet se diskutimi do të mbahet nga ora 14:30.

Kujtojmë se pikërisht është Komiteti i Ministrave prej edhe ku nis faza e parë e anëtarësimit të një shteti në KiE./klankosova/KultPlus.com

Council of Europe, Strasbourg

As pas liberalizimit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë

Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./rel/KultPlus.com

Eurodeputeti Waitz: Sot është ditë gëzimi për Kosovën, BE u vonua me vizat

Parlamenti Europian sot do të japë dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Para seancës, eurodeputeti austriak, Thomas Ëaitz, ka thënë se sot është një ditë e gëzuar për Kosovën, derisa ka kritikuar BE-në për vonesën në këtë proces.

“Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas vitesh bllokadë në Këshill, Parlamenti Europian më në fund do të miratojë sot liberalizimin e vizave për vendin më të ri në Europë. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është i vonuar”, ka thënë ai.

Waitz, i cili vjen nga Të Gjelbërit dhe mori mandatin pas dotëheqjes së Ulrike Lunacek, bashkë me të , kanë luftuar që ky hap të ndërmerret përfundimisht.

EP Plenary session – European Climate Law

Eurodeputeti austriak tha se Të Gjelbërit kanë qenë duke avokuar për vite dhe do të vazhdojnë që të mbështesin rrugën europiane të Kosovës.

Parlamenti Europian pritet që sot ta miratojë dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ora 12:00.

Ky institucionet i BE-së vazhdimisht ka përkrahur lëvizjen e lirë për kosovarët. /Express/ KultPlus.com

24 vjet nga Beteja e Koshares, thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, 24 vjet më parë në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike, ndihmë mjekësore, për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë./Gazeta Express/KultPlus.com

15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës

Sot janë bërë 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi./Klan/KultPlus.com

“Kosova” në anglisht – te avokati mbrojtës i Hagës

Drejtuesi i shtëpisë botuese amerikane “Jalifat Publishing”, Ramiz Tafilaj, kohë më parë pati një takimi me avokatin e njohur nga Anglia, Tobi Cadman, i specializuar për krimet e luftës dhe të drejtat e njeriut.

Me këtë rast, avokatit Cadman, i angazhuar në mbrojtjen e disa nga të akuzuarit nga Kosova në procesin gjyqësor në Hagë, tregoi interesim për librat “Kosova” në anglisht të historianit Jusuf Buxhovi. Me këtë rast, botuesi amerikan ia dhuroi librat avokatit.

Këtë informacion e ka ndarë sot me lexuesit e tij, historiani Jusuf Buxhovi. / KultPlus.com

Organizimi për turizëm i shtetit shqiptar, Kosova shfaqet në hartë si pjesë e Serbisë

Ministrja e Qeverisë së Edi Ramës, Belinda Balluku ka treguar dje se kanë bashkëorganizuar për herë të parë në Ballkan, Konventën ndërkombëtare të turizmit bashkë me Organizatën Botërore të Turizmit.

Megjithatë gjatë zhvillimit të këtij organizimi të mbajtur dje në Shqipëri, në ekranin e prezantimeve është shfaqur edhe harta e shtetit të Kosovës si pjesë e Serbisë.

Kjo ka ndodhur derisa në panelin e folësve ishte prezente edhe vetë ministrja shqiptare Belinda Balluku, derisa në organizim ishin një numër i konsiderueshëm i të pranishmëve./Express/ KultPlus.com

Kosova shpreh interesim për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mund të organizohen në Kosovë.

Në fakt, Komiteti Olimpik i Kosovës e ka shpallur kandidaturën e organizimit të kësaj gare prestigjioze pas shtatë vjetësh nga tash.

Afati i fundit për aplikim për Lojërat Mesdhetare për vitet 2027 dhe 2030 skadoi më 31 mars dhe me këtë rast, Portugalia kandidoi për Lojërat Mesdhetare në Plazh të vitit 2027, kurse Kosova tri vjet më pas.

Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) përmes uebfaqes së vetë zyrtare, përcjell “Gazeta Express”.

Sipas këtij të fundit, dy Komitetit Olimpike Kombëtare duhet ta dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në të dy vendet, në Portugali dhe në Kosovë.

E më pas, më 8 shtator në Heraklion, gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.

“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e mirëpret me kënaqësi të madhe interesimin e dy Komiteteve Olimpike, të cilët janë anëtarët më të rinj të familjes Mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e kësaj ngjarjeje, por edhe në përhapjen e idealeve dhe të vlerave të Lojërave në krejt pellgun e Mesdheut”, shkruan ICMG në uebfaqen e vetë zyrtare, e cila shton se kandidaturat e Kosovës dhe të Portugalisë do të shqyrtohen me kujdes nga ekspertët dhe më pas do të vendoset nëse i plotësojnë kriteret apo jo.

Pra, Prishtina mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze.

Kosova është treguar mjaft e suksesshme në pjesëmarrjet e saj në Lojërat Mesdhetare, mbi të gjitha në sportin e xhudos, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta. / KultPlus.com

Krejt Kosova i ka veç 35 inspektorë të punës

Përkundër paralajmërimeve për rritjen e numrit të tyre, aktualisht e gjithë Kosova ka vetëm 35 inspektorë të punës. Në Inspektoratin e Punës thonë se këtë vit planifikohet të rekrutohen inspektorë të rinj. Shtimin e numrit të inspektorëve e kërkojnë edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, që thonë se kjo është e domosdoshme.

Mbi 6300 (gjashtëmijë e treqind) është numri total i inspektimeve që ka realizuar Inspektorati i Punës gjatë gjithë vitit 2022. Nga këto inspektime, 860 u bënë pas ankesës së palëve. Përveç këtyre statistikave, në Raportin vjetor të punës së IP-së, thuhet se vitin e kaluar ishin vetëm 37 inspektorë të punës.

Numri i inspektorëve dhe inspektimeve do të mund të ishte më i madh nëse do të fillonin punën 17 inspektorë të rinj, për çka pati një konkurs.

Ndryshe nga planifikimet, jo të gjitha pozitat u plotësuan, tregon për Radio Kosovën kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

“Nga numri i kërkuar për shtimin e inspektorëve të punës, nga ajo që ne kemi bërë shpallje të konkursit, në korrik të vitit 2022, punën e kanë filluar vetëm 8 inspektorë. Pra, nuk është arritur të pranohen inspektorë të punës në numrin e kërkuar. Arsyeja është se nuk ka pasur kandidatë të interesuar, pra nuk kanë konkurruar. Por, ju njoftojmë se fazën e rekrutimeve të reja për inspektorë të punës do ta fillojmë shpejt, pasi ka mbetur që Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë i MPB t’i bëjë disa përgatitje”, tha ai.

Tutje, Nikçi tha se aktualisht janë 35 inspektorë të Punës. Ndërkohë, në Raportin e punës së IP-së për vitin 2022 thuhet se “janë planifikuar dhe buxhetuar 100 inspektorë të rinj të punës për vitin 2023”.

I shqetësuar me trajtimin e punëtorëve shprehet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai i tha Radio Kosovës se urgjentisht duhet rritur numri i inspektorëve, në mënyrë që shkeljet e të drejtave të punëtorëve të pakësohen.

“Neglizhenca, mospuna, por edhe numri i vogël i inspektorëve të punës, po bëjnë që gjithë këtë barrë mbi kurriz të tyre të bartin punëtorët e sektorit privat, të cilët trajtohen keq me paga, trajtohen keq me Ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Po ashtu edhe për sa i përket zbatimit të Ligjit të punës. Shteti, me këtë numër të inspektorëve, pronave të kompanive ua ka lanë duart e lira që të bëjnë gjithçka që dëshirojnë me punëtorët”, tha ai.

Për shtimin e  numrit të inspektorëve të punës  ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili më herët kishte thënë se gjatë mandatit të tij synon pesëfishimin e inspektorëve, me qëllim të garantimit të të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimit të kushteve të punës. / KultPlus.com

Historia 7 mijë vjet e vjetër e Kosovës përmes 3 artefakteve të ekspozuara në SHBA

Në Muzeun e Fieldit në Chicago, 3 artefakte të Kosovës po rrëfejnë historinë dhe kulturën tonë 7 mijë vjet të vjetër.

Reliefi i Kamenicës dhe dy figurinat terrakote të Bardhoshit janë pjesë e ekspozitës “Mbretërit e Parë të Evropës” së bashku me artefaktet e 11 vendeve të Evropës Juglindore.

Ky grumbullim i më shumë se 700 objekteve krahë për krahë nuk është shfaqur kurrë më parë si koleksion i përbashkët. Si i tillë po i ofron vizitorëve mundësi eksplorimi të historisë së ngritjeve në pushtet të mbretërve dhe mbretëreshave të para të Evropës së lashtë.

Ministria e Kulturës e ka mbështetur këtë prezantim të trashëgimisë sonë kulturore si dhe tërë procesin e pjesëmarrjes së Muzeut Kombëtar të Kosovës në këtë ekspozitë e cila do të zgjas deri më 28 janar 2024. / KultPlus.com

Njihuni me 10 destinacionet më të mira për 2023, mes tyre Shqipëria dhe Kosova

Me përfundimin e dimrit tani është koha më e mirë për të filluar një frymëzim udhëtimi. Pas vitesh kaosi nga Coronavirus, vendet më në fund po rihapin kufijtë e tyre, shkruan faqja entertainment-now.com.

Ja cilat janë sipas artikullit vendet më të mira për të udhëtuar në 2023.

1. Queenstown, Zelanda e Re

Queensland është një vendpushim mahnitës alpin buzë liqenit që nuk duhet humbur në Zelandën e Re. I vendosur afër fundit të ishullit jugor, ky qytet është perfekt gjatë gjithë vitit.

Me shumë bare akulli për t’u çlodhur dhe një plazh piktoresk për t’u ngrohur më pas, i rrethuar nga male, mund të kaloni lehtësisht disa ditë këtu.

Për fansat e Lord of the Rings, ka shumë vendndodhje filmash që mund t’i njihni nëse vazhdoni aventurën tuaj në rajonin e Otagos Qendrore, vetëm disa minuta nga Queenstown. Aty pranë, Arrowtown ofron rrugë mbresëlënëse çiklizmi dhe Glenorchy rurale ju jep mundësinë të provoni kalërimin në një mjedis të bukur të Tokës së Mesme.

Koha më e mirë për të vizituar: Gjatë muajve të verës së Zelandës së Re, dhjetor-mars.

2. Sevilje, Spanjë

Klima e Spanjës ju lejon të vizitoni pjesën më të madhe të vitit, kështu që për një pushim të shkurtër fundjave, pse të mos zgjidhni qytetin e zhurmshëm të Seviljes?

I famshëm për arkitekturën e tij Mudejar, një përzierje e stileve arkitekturore islame dhe katolike, ai ka karakteristika të panumërta historike dhe kulturore.

Koha më e mirë për të vizituar: Semana Santa (2 Prill 2023 – 8 Prill 2023), Javën e Shenjtë para Pashkëve, ose me Feria de Abril (23 Prill 2023 – 29 Prill 2023), javën e festivalit. Këtu mund të përjetoni traditat e Sevilianëve.

3. Mgarr, Maltë

Mgarr është një fshat rural i vendosur në një rajon të izoluar në veri të Maltës. Ka një bollëk tokash të pasura bujqësore dhe vreshtash dhe ofron restorante tradicionale lokale dhe pamje spektakolare.

Zbuloni gjirin e vogël të Gnejnës për ujërat e kristalta të bruzës dhe shëtitjet fantastike në shkëmb për të arritur në vendin e përsosur për perëndimin e diellit.

Koha më e mirë për të vizituar: Për të shmangur sezonin e pikut, shkoni nga prilli në qershor kur moti është i ngrohtë, por jo shumë i mbushur me njerëz.

4. Stamboll, Turqi

Stambolli është një qytet spektakolar plot me pika referimi dhe gjëra për të bërë, të cilat ju duhen të paktën tre ose katër ditë për t’i shijuar.

Monumentet më të famshme janë Hagia Sophia, shtëpia e sulltanëve osmanë: Pallati Topkapi, Xhamia Sulltanahmet dhe Pazari i Madh. Megjithatë, me mbi 2 500 vjet histori dhe tradita, nuk është e vështirë të besosh se lista e gjërave për të parë dhe bërë është praktikisht e pafundme dhe mund të kalosh lehtësisht një javë duke shijuar peizazhin.

Sigurohuni që të bëni një udhëtim në të paktën një pastiçeri ose ëmbëlsira, nuk do t’ju zhgënjejë!

Koha më e mirë për të vizituar: Muajt ​​më pak të mbushur me njerëz mars-maj ose shtator-nëntor.

5. Valbonë, Shqipëri

Vendi kryesisht i izoluar mesdhetar i Shqipërisë ka qenë i hapur për të huajt vetëm për disa dekada dhe është ende një enigmë për shumë njerëz sot.

Megjithatë, ky komb i bukur, i keqkuptuar, është shtëpia e shumë peizazheve të lë pa frymë, nga majat e thepisura dhe të larta që mund të rivalizojnë lehtësisht Alpet zvicerane, në brigjet e pacenuara dhe ishujt tërheqës.

Valbona është një mjedis i tillë spektakolar, një fshat piktoresk alpin në Shqipërinë veriore që ndodhet thellë në Bjeshkët e Nemuna mjaft kërcënuese.

I njohur më mirë si Alpet Shqiptare, ky rajon gjallërohet gjatë muajve të verës pasi është braktisur kryesisht gjatë dimrit.

Ka disa ecje të mrekullueshme brenda Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës, veçanërisht udhëtimi nga Valbona në Theth. Kjo është një domosdoshmëri! Për të arritur në Valbonë, mund të merrni edhe tragetin e liqenit të Komanit për pamje më të mahnitshme.

Koha më e mirë për të vizituar: Qershor-Shtator për motin më të ngrohtë.

6. Dahab, Egjipt

Qyteti i Dahabit në Detin e Kuq është vendi i përsosur për t’u çlodhur larg ngutjes dhe nxitimit të qyteteve kryesore egjiptiane si Kajro. Me mot të ngrohtë shumicën e vitit që rrallë bie nën 20°C gjatë ditës, Dahab është gjithmonë aty për t’ju mirëpritur me krahët e tij mikpritës.

Nëse ju pëlqejnë sportet ujore, atëherë ka një sërë opsionesh, nga snorkeling dhe zhytje në skuba deri te rrëshqitja në ajër dhe qift surfing. Shkëmbinjtë koralorë shumëngjyrësh do t’ju transportojnë në një botë krejtësisht të ndryshme.

Koha më e mirë për të vizituar: korrik-tetor, por temperaturat janë të ngrohta gjatë gjithë vitit.

7. Vjenë, Austri

Vjena, kryeqyteti i Austrisë, është një nga qytetet më të bukura, por shumë të nënvlerësuara në Evropë. Me pika referimi që datojnë disa shekuj, ju mund të gjeni shumë stile arkitekturore, nga Katedralja gotike e Shën Stefanit deri te pallati barok Schönbrunn.

Vjena është gjithashtu shtëpia e disa ndërtesave të çuditshme dhe unike si Hundertwasserhaus, një ndërtesë shumëngjyrëshe apartamentesh e projektuar nga artisti austriak Friedensreich Hundertwasser.

Është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për një fundjavë pune. Me kulturën magjepsëse të kafeneve, ju mund të kaloni orë të tëra duke punuar në një kafene tradicionale vjeneze me dekor elegant dhe filxhanë kafeje cilësore.

Shtoni një ëmbëlsirë tradicionale vjeneze, të tilla si një Sachertorte (tortë me çokollatë vjeneze), strudel me mollë ose Kaiserschmarrn (një petull i grirë), dhe do të dëshironi të qëndroni shumë më gjatë.

Koha më e mirë për të vizituar: prill-maj ose shtator-tetor për të shmangur turmat. Nëse nuk ju shqetësojnë turmat, vizitoni në dhjetor kur mund të shkoni në tregjet e shumta të Krishtlindjeve.

8. Bad Reichenhall, Gjermani

Shijoni këtë qytet të bukur dhe të çuditshëm tradicional, që ndodhet afër Salzburgut, Austri (në fakt është më afër Austrisë sesa qytetet e tjera gjermane). Me rreth 200 dyqane, furra buke dhe kafene, ka shumë për të bërë këtu.

Është gjithashtu brenda distancës në këmbë nga Austria (15 deri në 20 minuta në këmbë), kështu që ju mund të kaloni kufirin gjermano-austriak në këmbë.

Pranë Bad Reichenhall ndodhet liqeni Thumsee, një liqen i bukur ku mund të notosh gjatë muajve të verës.

Për pak pushim dhe rikuperim, kjo është një domosdoshmëri. Koha më e mirë për të vizituar: Qershor-Gusht.

9. Prishtinë, Kosovë

Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, vendi më i ri në Evropë dhe një nga kryeqytetet më të lezetshme dhe më të nënvlerësuara në gadishullin ballkanik.

Ajo që i mungon në bukuri, sigurisht që e plotëson në atmosferë, gjithnjë e mbushur me bare dhe kafene elegante. Ka gjithashtu shumë ndërtesa që pasqyrojnë stilin brutalist që ishte tepër popullor gjatë komunizmit.

Koha më e mirë për të vizituar: maj-shtator.

10. Parku Kombëtar i Rilës, Bullgari

Parku Kombëtar i Rilës është parku më i madh kombëtar në Bullgari dhe ka shumë për t’u ofruar turistëve që kënaqen me ecjen. Është ecja mahnitëse e Shtatë Liqeneve të Rilës prej 6,2 miljesh që zgjat tre deri në katër orë, ose mos u përpiqni të ecni në malin më të lartë të Ballkanit, majën Musala.

Në 2925 m, pamjet janë fenomenale dhe mund të shihni edhe macen e zemëruar (por të lezetshme!) duke gjykuar ecjen tuaj të lodhur pranë majës së malit. / atsh / KultPlus.com

Kryhet edhe një procedurë, LIBE voton pro heqjes së vizave për Kosovën

Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pro saj votuan 47 eurodeputetë dhe 8 kundër, raporton Gazeta Express.

LIBE kishte votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën edhe më 12 janar të këtij viti.

“Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”, kishte thënë ai.

Për liberalizimin e vizave do të votojë edhe Parlamenti Europian. Sipas një draft agjende votimi në PE do të ndodhë më 18 prill.

Sipas vendimit të institucioneve të BE-së, heqja e vizave për Kosovën do të zbatohej që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) do të hynte në fuqi në nëntor të këtij viti. Mirëpo ky shans është humbur meqë funksionalizimi i ETIAS është shtyrë për 2024-ën. Sidoqoftë, kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm nga 1 janari 2024.

Miratimin e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje e pati konsideruar vendim të rëndësishëm eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, që u caktua edhe raportues për vizat.

“Hapi tjetër do të jetë miratimi në Parlamentin Europian që pritet të ndodhë në prill. Nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes. Kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024. Kjo nënkupton që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”, kishte thënë ai për Express.

Pas hedhjes në votim edhe në PE, hapat e mbetur për këtë proces janë:

Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian

Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare

Liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar. / KultPlus.com

Bëhet publik raporti i lumturisë – ja ku renditet Kosova

Finlanda është sërish vendi më i lumtur në botë. Kjo sipas Raportit të Lumturisë Botërore, i cili ka disa kritere për të përcaktuar lumturinë e një vendi si mbështetja sociale, të ardhurat, shëndeti, liria, bujaria dhe mungesa e korrupsionit.

Ky website përdor të dhënat e sondazhit global për të raportuar se si njerëzit vlerësojnë jetën e tyre në më shumë se 150 vende në mbarë botën.

Për të gjashtën vit radhazi Finlanda kryeson listën, e ndjekur nga Danimarka, Islanda, Izraeli, Holanda, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Luksemburgu dhe Zelanda e Re.

Lituania është i vetmi vend i ri që renditet në njëzet vendet e para, por Afganistani dhe Libani i shkatërruar nga lufta mbeten dy nga vendet më të pakënaqura në sondazh. Ndërkohë, për sa i përket Shqipërisë, renditet në vendin e 83.

Para Shqipërisë janë vendet fqinje si Mali i zi, Greqia, por edhe Kosova e cila renditet në vendin e 34 shumë pranë Italisë dhe Spanjës. Ndërsa Maqedonia e Veriut renditet është e pozicionuar në vendin e 87. / KultPlus.com

Liria në botë: Kosova ndër vendet me përmirësimet më të mëdha

Në raportin më të ri të organizatës Freedom House për lirinë në botë, Kosova renditet e treta në listë për përmirësimet e bëra në këtë fushë.

Edhe pse mbetet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, Kosova vlerësohet me plus 4 pikë për përmirësimin e të drejtave politike dhe të lirive civile.

Raporti i publikuar më 9 mars vë në dukje se përmirësimet më të mëdha gjatë vitit 2022 janë bërë në Kolumbi, e cila vlerësohet me +6 pikë.

Pas saj renditet Sllovenia me +5 pikë, pasojnë Kosova, Kenia dhe San Marino me nga +4 pikë.

Në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina.

Freedom House vlerësoi 210 vende dhe territore në gjithë botën, prej të cilave 84 vende janë të lira, ashtu si edhe një territor, 54 vende dhe katër territore janë pjesërisht të lira dhe 57 vende dhe 10 territore janë jo të lira.

Burkina Faso, me dy grushtshtete në vitin 2022, pësoi rënien më të madhe të pikëve. Ajo humbi 23 pikë në shkallën 100-pikëshe të raportit, e ndjekur nga Ukraina, e cila humbi 11 pikë si rezultat i pushtimit rus.

Rënie pësuan edhe Tunizia, Nikaragua, Guinea, El Salvadori, Hungaria dhe Rusia.
“Hendeku midis numrit të vendeve që regjistruan përmirësime të përgjithshme në të drejtat politike dhe liritë civile dhe atyre që regjistruan rënie të përgjithshme në vitin 2022, ishte më i ngushti që ka qenë ndonjëherë në 17 vjetët e fundit”, thuhet në raport.

Përmirësime bënë 34 vende, ndërsa rënie shënuan 35.

Sipas raportit, përmirësimet, mes tjerash, u nxitën nga zgjedhjet më konkurruese, si dhe nga heqja e kufizimeve që lidheshin me pandeminë e koronavirusit dhe që ndikuan në mënyrë joproporcionale lirinë e grumbullimit dhe lirinë e lëvizjes.

Pengesat më serioze për lirinë dhe demokracinë, sipas raportit, ishin rezultat i luftërave, grushtshteteve dhe sulmeve ndaj institucioneve demokratike nga pushtetarët joliberalë.

“Regjimi autoritar i Rusisë nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, në përpjekje për të shuar përparimin demokratik të atij vendi, të arritur me vështirësi”, thuhet në raport.

Sipas tij, “grushtshtetet dhe përpjekjet e tjera për t’i minuar qeveritë përfaqësuese, destabilizuan Burkina Fason, Tunizinë, Perunë dhe Brazilin”.

Freedom House kujton se regjimi taliban i Afganistanit i ndaloi vajzat të arsimoheshin, në mes të një krize të vazhdueshme ekonomike dhe humanitare.

“Qeveritë dhe fuqitë okupuese përdorën dhunë dhe mjete të tjera për të shkatërruar kulturat dhe për të ndryshuar përbërjen etnike të popullsive në 21 vende dhe territore, përfshirë Ukrainën, Etiopinë dhe Mianmarin”, thekson raporti i organizatës me seli në Nju Jork.

Aty thuhet se viti 2022 solli pak a shumë të njëjtën gjë në lidhje me lirinë e mediave, e cila u vu nën presion në së paku 157 vende dhe territore.

Liria e shprehjes personale, sipas raportit, pësoi gjithashtu, për shkak të shkeljeve të privatësisë, ngacmimeve dhe frikësimeve.

Megjithatë, bota është dukshëm më e lirë sot sesa ishte 50 vjet më parë, thekson Freedom House.

Në vitin 1973, kujton organizata, 44 nga 148 vende u vlerësuan si të lira. Sot, sipas saj, 84 nga 195 vende e kanë atë status – plus një territor.

“Protestat e vazhdueshme kundër represionit në Iran, Kubë, Kinë dhe vende të tjera autoritare sugjerojnë se dëshira e njerëzve për liri është e guximshme dhe se asnjë pengesë nuk duhet të konsiderohet si e përhershme”, thuhet në raport.

Nga 57 vendet që u cilësuan si jo të lira, në fund të listës janë: Sudani Jugor, Siria, Turkmenistani, Eritrea dhe Koreja e Veriut. / Gazeta Sinjali / KultPlus.com