San Marino feston medaljen e parë olimpike me fitoren e Alessandra Perillit

San Marino feston medaljen e parë olimpike me Alessandra Perilli. 33-vjeçarja ia doli të fitonte medaljen e bronztë në disiplinën e qitjes.

Me 34,000 njerëz është vendi me më pak banorë në mesin e të gjithë shteteve të IOC dhe Komitetit Olimpik Kombëtar. Në Lojërat Olimpike Londër 2012, Perilli arriti vendin e katërt, pa mundur të fitojë medalje.

“Më në fund shkoj në podium pas nëntë vitesh sakrificash dhe pas Londrës, ku isha e katërta dhe u ndjeva keq. Nuk e di nëse do të kisha mundur të prisja edhe tre vjet të tjera. Jam shumë e lumtur, por më vjen pak keq sepse kjo finale mund të kishte qenë edhe më e mirë.”

Perilli është nga Rimini dhe ka zgjedhur të përfaqësojë San Marinon për shkak të origjinës së nënës së saj. “Ende nuk e besoj. Shkova për të qëlluar dhe e vetmja gjë që mendova është: Nuk mund të përfundoj përsëri e katërta, nuk e meritoj. Unë me të vërtetë e doja këtë medalje”.

Dhe mesazhi i saj për San Marinon: “Çfarë ndryshon nga sot për sportin në San Marino? Se të rinjtë nuk duhet të heqin dorë, ata duhet ta besojnë atë. Motoja ime është kurrë mos thuaj kurrë.Tani në të ardhmen time është Parisi ”, shtoi sportistja. / KultPlus.com

Driton Kuka: Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë

Driton Kuka, trajneri i xhudistëve kosovarë ka njoftuar se me paraqitjen e Loriana Kuka edhe e kanë përfunduar garën në Lojërat Olimpike, gara që rezultuan shumë të arta, pasi që ekipi nga Kosova po kthehet me dy medalje të arta, përcjellë KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Samurajët Shqiptar …

Medaljet Olimpike për popullin Shqiptar së shpejti do zbarkojnë në trojet Shqiptare.

Xhudistët e ekipit tonë me sot i përfunduan garat në Lojëra Olimpike!

Dy Medalje të Arta!

Ende po më duket si ëndërr e mirë 5 garues e dy të arta!

Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Noren!

Ashtu siç ishte e arta e Majlindes.

Ekipi jemi ne që stërvisim, gëzohem e qajmë së bashku në fitore e humbje, aty qëndron forca jonë e madhe!

Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trenerit, por kjo krejt është shpaguar …

2 Olimpiada 3 Medalje të Arta!

Me dhjetra medalje Evropiane e Botërore!

Këta jemi ne!

I gëzofshim medaljet të gjithë ne, Shqiptarët kudo që jemi!

Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetra mijëra miqve.

Ata që kanë menduar që medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit, jeni mashtruar në llogari!

Spo flas më shumë për sojin e juaj se s’dua ta prish festën e madhe!

E kam thanë edhe më heret

Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë!

Kosova mbi të gjitha …/ KultPlus.com

Kuka: Ëndërr e imja gjithmonë ka qenë të shkoj në Olimpiadë, shpresoj të kthehem me medalje

Loriana Kuka e ka realizuar tashmë ëndrrën e saj. Xhudistja kosovare e ka pasur ëndërr fëmijërore pjesëmarrjen në Lojëra Olimpike dhe ajo e arriti këtë falë punës së madhe që e bëri në vitet e fundit, përcjellë KultPlus.

24 vjeçarja e fitoi normën olimpike dhe nesër në mëngjes, me kohën tonë lokale, do të debutojë në “Tokio 2020”.

Xhudistja e lindur dhe rritur në Zvicër, e cila sakrifikoi shumë duke ardhur për të jetuar dhe për të ushtruar në Kosovë, synon të fitojë medalje olimpike.

Qëllimi i kampiones evropiane U-23 dhe medalistes së bronztë në Kampionat Evropian dhe Botëror është që ta ngrisë në tre numrin e medaljeve të vendit tonë në këtë Olimpiadë, pas Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës.

Për më tepër, deklaratat e Lorianës mund t’i shikoni në videon e mëposhtme, të realizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës. / KultPlus.com

Briken Calja fantastik në stilin e shtytjes, një kg larg medaljes dhe historisë

Përfundon garimi i Briken Caljes në ‘Tokio 2020’. Peshëngritësi shqiptar zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke u renditur në vend të katërt në Olimpiadë.

31-vjeçari e mbylli me 151 kg të ngritura në stilin e shkëputjes në Lojërat Olimpike të Tokios. Vendi i shtatë për Caljen në shkëputje, teksa ka bërë shumë më mirë në stilin e shtytjes.

Calja çoi 184 kg në tentativën e parë, ndërsa dështoi në të dytën me 188 kg. Fantastike prova e tretë e peshëngritësit nga Elbasani, i cili ia doli të çojë 190 kg.

Sportisti e mbylli dygarëshin me 341 kg të ngritura, duke u renditur në vend të katërt në dygarësh. Vetëm 1 kg ishte Calja larg medaljes së bronztë. / KultPlus.com

Në pritje të medaljes së tretë, nesër është gara e xhudistes Loriana Kuka në Tokio 2020

Xhudistja Loriana Kuka, medaliste e bronztë e botës dhe Evropës, garon në kategorinë -78 kg, shkruan KultPlus.

Garat e xhudos nisin prej orës 04:00 me kohën tonë lokale, por Kuka raundin e parë e ka kaluar pa luftë dhe ajo nis garimin rreth orës 05:00. / KultPlus.com

Lojërat Olimpike: Komentatori grek pushohet nga puna për shkak të komenteve raciste

Foto: Kin Cheung

Një komentator sportiv në Greqi bëri komentim për një atlet të Koresë së Jugut në Lojërat Olimpike të Tokios që më vonë u cilësua si racist dhe për të u pushua nga puna, tha transmetuesi shtetëror i vendit të martën.

Televizioni ERT tha se kishte përfunduar bashkëpunimin me gazetarin veteran Dimosthenis Karmiris pas komenteve që bëri pasi atleti i Koresë së Jugut, Jeoung Young-sik mundi Panagiotis Gionis të Greqisë në pingpong, transmeton KultPlus.

I pyetur në lidhje me aftësitë e lojtarëve të pingpongut të Koresë së Jugut, Karmiris tha: “Sytë e tyre janë të ngushtë kështu që unë nuk mund ta kuptoj se si ata mund të shohin topin duke lëvizur para dhe mbrapa.”

Pak orë më pas, ai u pushua nga puna./ KultPlus.com

@Kin Cheung

Medalja e fundit e artë e Britanisë së Madhe thyen një rekord Olimpik 113-vjeçar

Sportistët e Britanisë së Madhe siguruan një tjetër medalje të artë në pishinën Olimpike me një fitore dominuese në stafetën 4×200 metra të stilit të lirë në not në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, përcjellë KultPlus.

Katërshja apo kuarteti i Britanisë së madhe në 200 metra i përbërë nga Tom Dean, Duncan Scott, James Guy dhe Matthew Richards fituan garën dhe arritën brenda 0,03 sekondave të rekordit botëror në një performancë mahnitëse.

Kuarteti britanik fitoi në gjashtë minuta 58.58 sekonda – 3.23 sekonda të qarta nga Komiteti Olimpik rus, ndërsa Australia fitoi medaljen e bronztë.

Britania e Madhe ishin favoritët që hynë në garë pasi u kualifikuan më shpejt dhe ata prodhuan atë që ish-olimpiku Mark Foster e përshkroi si një “demonstrim i një performance”.

Fitorja do të thotë që Dean bëhet notari i parë britanik që fiton dy medalje ari në të njëjtat Lojëra Olimpike që nga viti i largët 1908. / KultPlus.com

Asllani me Suedinë në çerekfinale të Lojërave Olimpike

Kosovare Asllani me përfaqësuesen e Suedisë në futboll ka arritur në çerekfinale të turneut olimpik në “Tokio 2020”.

Suedia të martën triumfoi 2:0 ndaj Zelandës së re, duke përfunduar në pozitën e parë në Grupin G me pikë maksimale, 9 sosh.
Anna Anvegaard (17’) dhe Madelen Janogy (29’) shënuan golat për Suedinë. Asllani në këtë ndeshje u aktivizua në minutën e 85-të.

Suedia në çerekfinale do të përballet me nikoqiren, Japoninë, që përfundoi e treta në Grupin E.

Në çerekfinale nga Grupi G arriti edhe kampionja olimpike SHBA-ja. SHBA-ja barazoi pa gola me Australinë sot. Në çerekfinale do të përballet me Holandën. Dy çiftet tjera çerekfinale janë Kanada – Brazil dhe Britani e Madhe – Australi. / KultPlus.com

Ambasada amerikane nderon Majlindën, Distrian dhe Norën: Gratë kosovare janë të forta, të vendosura dhe të qëndrueshme

Gjudistet kosovare, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova kanë fituare medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Kosova tani ka tre medalje të arta në Lojërat Olimpike përfshirë këtu edhe fitoren e xhudistes Majlinda Kelmendi,  në Lojërat Olimpike “Rio 2016”,  shkruan KultPlus.

Pas fitores së Krasniqit dhe Gjakovës ka reaguar edhe Ambasada amerikane e cila ka uruar xhudistet kosovare për këtë sukses.

Postimi i plotë i Ambasadës amerikane:

Urime Nora Gjakovës, medalja e tretë e artë e Kosovës 🥇 kampione olimpike e xhudos. Si Majlinda & Distria para saj, fitorja e Norës i tregon botës atë që tashmë e dimë: Gratë kosovare janë të forta, të vendosura dhe të qëndrueshme — të gatshme për ta çuar vendin e tyre në madhështi.

Tifozët përjetojnë emocionet e Lojërave Olimpike

Për herë të parë në Lojërat Olimpike në Tokio 2020, morën pjesë tifozët në garat e biçikletave malore në Izu, një qytet rreth dy orë larg Tokios.

Tifozët u ndaluan t’i përcillnin nga afër Lojërat Olimpike për shkak të parandalimit të shpërndarjes së koronavirusit, transmeton KultPlus.

Një numër i caktuar i tifozëve ishte i pranishëm për të parë garën në biçikleta malore.

Izu është një nga vendet e pakta ku tifozët lejohen të hyjnë për të parë garat. / KultPlus.com

IJF-ja pas triumfit të Nora Gjakovës: Vazhdon trendi legjendar për ekipin e vajzave kosovare

Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka uruar Nora Gjakovën pas triumfit në ‘’Tokyo 2020’’, ku arriti ta fitonte medaljen e artë, të dytën për Kosovë në këto Lojëra dhe të tretën në përgjithësi, transmeton KultPlus.

IJF-ja është krenuar me medaljet e fituara nga xhudistet tona.

‘’Nora Gjakova – kampione olimpike. Trendi legjendar vazhdon për ekipin e vajzave kosovare, pasi Nora Gjakova merr medaljen e tretë të artë të Kosovës në Lojërat Olimpike – të gjitha në xhudo!’’, ka shkruar IJF-ja në faqen zyrtare. / KultPlus.com

Kosova e dyta në tabelën e medaljeve në xhudo në ‘Tokio 2020’

Pas ditës së tretë të garave në xhudo në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Kosova zë vendin e dytë vetëm prapa nikoqires Japonisë.

Kosova i ka fituar dy medalje të arta, me Distria Krasniqin në kategorinë deri 48 kilogram dhe Nora Gjakovën në kategorinë deri 57 kilogram.

Nora Gjakova fitoi të artën sot, ndërsa Distria të shtunën.

Japonia pas tri ditëve të garave në xhudo zë vendin e parë me katër medalje të arta, një të argjendtë e një të bronztë. / KultPlus.com

Nora dhe Akil Gjakova nesër nga ora 04:00 nisin garën në Lojërat Olimpike

Nesër Nora e Akil Gjakova garojnë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” me fillim prej orës 4 pas mesnatës me kohën tonë lokale.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të Distria Krasniqit, e cila e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe xhudistes Majlinda Kelemendi e cila është ndalur në luftën e parë në garën e xhudos por që mbetet krenaria e Kosovës dhe kampione olimpike, dëshira për një tjetër medalje olimpike akoma mund të realizohet nga Nora dhe Akil Gjakova. / KultPlus.com

Eda Zeqiri, garuesja më e re shqiptare renditet në vendin e 22-të

Notarja nga Kosova, Eda Zeqiri, ka garuar sot në disiplinën 400 metra stil i lirë, në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, përcjellë KultPlus.

16 vjeçarja ka fituar baterinë e saj, duke përfunduar me kohë 4:38.02 minuta, kohë e pamjaftueshme për t’u kualifikuar në finale.

Në përgjithësi, Zeqiri zuri vendin e 22-të.

Eda është garuesja më e re e ekipit olimpik të Kosovës. / KultPlus.com

@Arber Mehmeti
@Arber Mehmeti

Majlinda Kelmendi nesër nga ora 04:00 nis garimin në Lojërat Olimpike

Nesër garon kampionia olimpike e ”Rio 2016”, Majlinda Kelmendi.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të Distria Krasniqit, e cila e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, një tjetër medalje olimpike mund të vijë nesër për Kosovën nga xhudistja Kelmendi.

Kelmendi do të garojë në kategorinë deri në 52 kilogramë, teksa garimin e nis nga ora 04:00 pas mesnate, me kohën tonë lokale.

Majlinda Kelmendi në raundin e parë do të takohet me hungarezen Reka Pupp. / KultPlus.com

Prishtina feston fitoren e Distria Krasniqit, KOK-u pret medalje edhe nga sportistët e tjerë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me departamentin e sportit dhe kulturës së Komunës së Prishtinës, kanë organizuar festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në nder të fitores së medaljes të artë të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”.

Musa Selimi anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se pas Majlinda Kelmendit, tanimë po shndrisin edhe sportistë tjerë kosovarë.

Ai tha se nga Tokio 2020 presin edhe medalje tjera, ndërsa uroi të gjithë shqiptarët për triumfin e Distria Krasniqit.

“Pas Majlindës po shndrisin edhe yjet tjerë. Po shndrit një yll i cili sot i dha botës një kampione të vërtetë. Shpresojmë të kthehemi me numër më të madh të medaljeve pas disa ditëve. Vlerat olimpike po shndërrisin në Kosovë, rinia jonë e shkëlqyeshme po demonstron që Kosova jonë e dashur ka yje, ka njerëz me zemër të madhe që po na përfaqësojnë denjësisht. Urime Prishtinë, urime Kosovë. Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha ai.

Edhe Fitim Rexhaj nga drejtoria e departamentit të kulturës nga Komuna e Prishtinës, tha se presin nga sportistët tjerë rezultate të njëjta si të Distria Krasniqit. Edhe ky uroi të gjithë shqiptarët për këtë fitore historike.

“Ne presim rezultate të mira edhe nga sportistët tjerë. Ndërsa ne i përkrahim të gjithë sportistët kosovarë pa dallim dhe urojmë që nesër edhe Majlinda të sjell një rezultat të ngjashëm dhe të na gëzojë e të na bëjë krenar. Urojmë Distrian për këtë rezultat dhe shpresojmë që edhe sportistët e tjerë të na gëzojnë kështu. Gëzuar për të gjithë”, tha ai.

Në këtë mbrëmje ku pjesëmarrja ishte e madhe u ekspozuan video nga garat e Distria Krasniqit në ”Tokio 2020”, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë të shumtë.

Më pas mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëve nga disa bende të njohura muzikore. / KultPlus.com

Sot organizohet festë në Prishtinë për fitoren e Distria Krasniqit

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokyo 2020, andaj për fitoren e saj do të festohet sonte në Prishtinë, përcjellë KultPlus.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka vendosur që të organizojë një festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga ora 20:00 në nder të fitores së medaljes së artë të Krasniqit.

Kjo festë do të organizohet në bashkëpunim me Departamentin e Sportit dhe të Kulturës së Komunës së Prishtinës.

“Për të shënuar këtë fitore ju ftojmë sonte nga ora 20:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku KOK-u në bashkëpunim me Departamentin e Sportit dhe Kulturës së komunës së Prishtinës, do të organizojë një festë për të shënuar medaljen e Artë e që është pjesë e aktivitetit të Festivalit Tokyo 2020”, thuhet në njoftimin e KOK-ut”, thuhet nga Komiteti Olimpik.

Xhudistja kosovare sot arriti të sigurojë medaljen e dytë olimpikë në histori të Kosovës, pas asaj që e fitoi Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike “Rio de Janeiro” 2016. / KultPlus.com

Ilir Meta pas triumfit të Krasniqit: Urime Distrias, më të mirës së botës

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të artën. Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të artën në vitin 2016, përcjellë KultPlus.

Krasniqin e ka uruar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Meta e ka quajtur Distrian më të mirën e botës pasi fitoi medalien e artë. Ndërsa, ai ka përgëzuar edhe Driton Kukën, trajnerin e Kosovës në xhudo dhe të gjithë ekipin që sipas tij asnjëherë nuk zhgënjen.

Ai në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar katër fotografi të Distrias dhe ekipit, duke e uruar atë teksa është shprehur i lumtur për fitoren e saj. / KultPlus.com

Edi Rama reagon pas triumfit të Krasniqit: Luaneshë, Bravo

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të artën, përcjellë KultPlus.

Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të artën në vitin 2016.

Krasniqin e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama e ka quajtur Distria Krasniqin luaneshë pasi fitoi medalien e artë.

Ai në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar dy fotografi të Distrias, duke e uruar atë teksa është shprehur i lumtur për fitoren e saj. / KultPlus.com

Rita Ora për fitoren e Distria Krasniqit: Kosova lë gjurmë në Tokio 2020

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të Artën.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, i është gëzuar fitores së Distrias.

Ajo ka thënë se Kosova la gjurmë në lojërat olimpike ‘Tokio 2020’ duke fituar medaljen e artë.

“Urime Distria Krasniqi, Kosova lë gjurmë në ‘Tokio 2020’, Distria Krasniqi fiton medaljen e artë olimpike”, shkroi këngëtarja. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti për Krasniqin: Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh, me zemer jam me ju në Tokio

Pas fitores së Krasniqit në gjysmëfinale ku xhudistja kosovare mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, tani ajo ka arritur të fitojë medaljen e Artë, raporton KultPlus.

Krasniqi fitoi në finale kundër japonezes Funa Tonaki.

Për fitoren e Krasniqit ka shkruar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook, është shprehur falenderues për ekipin nga Kosova, që siç ka theksuar ai, po e bëjnë krenar secilin prej nesh.

”DISTRIA E ARTË
Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë.
Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”
, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Distria Krasniqi mes lotësh: Jam shumë e lumtur, është medalje për vendin tim e për familjen

Distria Krasniqi e ka rrëmbyer medalje e artë në “Tokio 2020”.

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të Artën.

Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të Artën në vitin 2016.

Pas triumfit, Distria është deklaruar për RTK-në, transmeton kultPlus.

“Po ndihem shumë mirë, jam shumë e lumtur. Është medalje për vendin, për familjen, për gjithë ata që më kanë mbështetur. Ka qenë një luftë shumë e vështirë kundër japonezes, sepse Japonia e ka xhudon më të mirë në botë. “Është fillimi, jam ende e re, pretendoi të marrë pjesë edhe në tri Olimpiada, do të vazhdoj të punoj”, ka theksuar Krasniqi. / KultPlus.com

Distria Krasniqi fitoi medaljen Olimpike, arrin në finale në ‘Tokio 2020’

Pas fitores së Krasniqit për më pak se 20 sekonda në çerekfinale, duke e mposhtur Chen Hao Lin të Taipeit Kinez me ippon, në kategorinë -48 kg, xhudistja në gjysmëfinale mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, shkruan KultPlus.

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës duke u kualifikuar në finale ku ajo do të ndeshet për medaljen e Artë me japonezen Funa Tonaki. / KultPlus.com

@Kosovo Olympic Committee