Distria Krasniqi shënon fitore në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”

Xhudistja kosovare Distria Krasniqi, duket se e ka nisur mbarë garimin në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020” duke mposhtur Chen Hao Lin të Taipeit Kinez me ippon, kategoria -48 kg, përcjellë KultPlus.

Xhudistja kosovare shënoi fitoren për më pak se 20 sekonda.

Krasniqi ka kaluar në gjysmë finale. / KultPlus.com

‘Jam kosovar, pra jam shqiptar, Zot e krenar’

Poezi nga Mitrush Kuteli

Kënga e parë: Qëndrimi

Jam kosovar
pra jam shqiptar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar
mbi këtë Dhe
q’e e kam si fe;

E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brezi,
që gjithëmon!

Ti shkja thërret,
ti shkja bërtet,-
gjer lart në retë;
se jam barbar.

Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
Isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!

Kënga e dytë: Durimi

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që vogëli.

Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulë-bardh e krye-lidh,
krye-lidh me një shami,
me tri shami;
për trimëri!

Jam eshtër-madh,
i vrazhdë jam
e bojalli-
jam’ plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
-Si s’ka njeri-
Për drejtësi
e për Liri!

Si gjithë Asimët
e gjith Qerimët
e Vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që vogëli;
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
dhe gllavnikët.

ma vranë,
Se urdhër dha Vojvodi
e Krali- vetë;
Të vritet.
Se ishte Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!

Dhe tokën që kisha nga Baba
nga Gjyshi
– rrënjë pas rrënje-
prej qindra vjet,
prej mijra vjet!
ma muarr. Ah!
ma muarr Vatanin
q’e desha si xhanin!

Ma muarr
me armë në duar,
– me gjak nëpër duar-
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shokë;
si sorrat!
për kërmë!

Oborrin ma muarr
gjer në shtëpi
dhe ngrehnë për vete shtëpi
në sytë e mi!

Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot;
mbeta pa dhe,
– bujk pa dhe,
bari pa kope-
këtu,
në dherin tim.

Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
……………………………
Po shpresa s’m’u vyshk! Durova,
durova,-
Sa nuk duron njeri,
as perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i Kombit tim.

Më dhanë armë të vras
vëllanë
sipas kanunit
të gjakut…,
Po s’desha!
Dhe në e bëra,
ma falni;
Se jam gjaknxehtë.

Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej!
Se vetëm andej
paska për ne
-Popull pa zot-
vend boll…

Po malli i Tokës s’më la,
po malli i Fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.

Dhe mbeta këtu,
i huaj,
– si qen!-
në vendin tim,
të Babës tim…

Mbeta raja,
ndënë raja
si për hata;

në uri
në qesëndi,
në skllavëri
të shkjaut të zi.

Më thanë të ik n’Allbani,
– Vatan i ri
i Kombit tim-
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.

Po dot nga toka s’u ndava,
Dhe mbeta të jem,
ku jam
e ku do të jem!

Më thanë të shkoj në sheher
të shkjaut të madh
me sharrën më krah,
me kryet përdhe,
jaban
e beter;
portë më portë
derë më derë
i mjerë
e zemër- sterrë;
për një kotherrë
bukë,

Po malli i Vendit s’më la
e mbeta këtu,
raja
ndënë raja
të ha
një bukë- zeher
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres!
një tjatër mëngjes.

E dit për dit,
e net pas net,
e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjash;
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!

Po prita
dhe prita
të vijë dhe për mua
dita!

Tani,
tani,
Liri!

Kënga e tretë: Sulmi

Ta shemba shkjah kufinë
që ngrite ti
në Vendin tim
e përmbi varr
të Babës tim.

Ta shemba
ta dogja;
me zjarrin e shpirtit
të vojtjes
dhe të urrejtjes.

Me zemërim
me vrull të madh,
e bubullim
që s’ka mbarim.

Se vjete ti më çave
më ndave
më vrave!
armik- lugat!
armik- xhelat!

Ti bëre azape:- s’u tremba,
Ti ngrite kufire me gjemba
fortesa ti ngrite;
t’i shemba!

Tani,
tani!
atje ku ti
o Mal i Zi!
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!

sot!
shkon,
e valon
parmenda!

T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t’u zhduk
si në ujë.

Ta shemba armik kufinë
-derë burgu-
dhe është tani
si ish!
-si do të jetë;-
përjetë;
Lëndinë!

Kënga e katërt: Ndërtimi

I bje arës mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të Babës tim,
të Birit tim;
sot e përpjet,
jetë pas jet!

Dhe ndje qysh flet
me zë të qet
im Atë vet
nga balta posht;

Të mbroni Dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam…

Të mbroni Dhenë
që e ushqe’
dhe sot si dje;
me kurmin tim…

Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot-
po kurrë lot!
as sot, as mot!….

Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!

Jam eshtër-madh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.

Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
më rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj….
Të pash të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.

Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot.
pa asnjë lot, pa asnjë lot.

Dhe prita sot të derdh një lot.

Kënga e pestë: Qëndrimi

Tani,
tani,
unë jam gati!
të vdes që sot-
se rroj përmot;
mbytyr me gjak
por jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!

Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e krej
kush gjak shqiptari ka në dej.

Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!

Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëhu gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi;
për Liri!
Për Shqipëri!

Tani
tani!
-O Mal i Zi-
ja un,
ja ti!
Po un- jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…

Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati-
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!

Se jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën – fushë
e malin mal.

Un jam këtu
e do të jem
– dem baba dem-
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!

1943. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Populli i Kosovës është krenar me ju

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani po merr pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, e cila edhe ka përshëndetë njëmbëdhjetë sportistët kosovarë që po marrin pjesë në këtë manifestim sportiv, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani ka reaguar në lidhje me këtë përfaqësim të Kosovës, e cila është shprehë se populli i Kosovës është krenarë me sportistët pjesëmarrës.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani.

Nder e krenari ta shoh parakalimin e 11 sportistëve të Republikës së Kosovës, të cilët po marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Tokio.

Populli i Kosovës është krenar me ju, beson në përgatitjen tuaj, suksesin tuaj dhe triumfin tuaj.

Sportistët tanë që prej shumë kohësh po e ngrisin lart flamurin e shtetit të Kosovës, po na ngjallin shpresën dhe krenarinë se garat në sport nuk njohin shtete të mëdha e të vogla, por njohin sportistë të përgatitur, që me shpirtin garues thyejnë rekorde dhe bëjnë histori.

Në krye me të artën tonë Majlinda Kelmendi, sportistëve tanë ju uroj sukses! Ata do ta bëjnë krenar veten dhe shtetin e Kosovës!

Ju priftë e mbara! Një popull i tërë është me ju. 🇽🇰./ KultPlus.com

Sot mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”

Sot hapen edhe zyrtarisht Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ku ekipi i Kosovës përfaqësohet nga 11 garues në sporte dhe disiplina të ndryshme.

“Tokio 2020” ka filluar para disa ditësh me disa sporte dhe disiplina, por sot do të hapet edhe zyrtarisht me ceremoni.

Lojërat Olimpike të këtij viti do të hapen me ceremoninë e cila zhvillohet në stadiumin olimpik të Tokios.

Ceremonia nis në ora 13:00 me kohën tonë lokale dhe në ora 20:00 me kohën lokale të nikoqirëve të Japonisë.

Ekipit olimpik të Kosovës në pjesën e parakalimit të ekipeve, do t’i prijnë bajraktarët, Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova.

Kosova do të prezantohet në “Tokio 2020” me plot 11 garues në sporte dhe disiplina të ndryshme. / KultPlus.com

Shqipëria do të parakalojë e 12-ta në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike

Shqipëria do të parakalojë në vendin e 12-të në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike, e cila do të nisë në orën 13:00 shqiptare. Në Rio 2016, kuqezinjtë ishin të katërtit, teksa zbritja më poshtë në paradë vjen bazuar në alfabetin japonez. Flamuri shqiptar do të shfaqet në stadiumin Olimpik të Tokios pas atij të Arubës dhe përpara Armenisë.

Sipas traditës, e para në Olimpiadë do të marshojë Greqia, e ndjekur nga ekipi i refugjatëve dhe atletët rusë që garojnë nën flamurin e komitetit olimpik, pas përjashtimit të vendit prej skandalit të dopingut.

Si vend organizator, Japonia del e fundit në paradë, ndërsa përpara tyre do të jenë Franca dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat do të mirëpresin Lojërat në Paris 2024 dhe Los Angelos 2028. Në ceremoninë hapëse në Tokio pritet të jenë të pranishëm mbi 11 mijë atletë nga 206 shtete të ndryshme./ KultPlus.com

Pandemia shqetëson Japoninë në prag të Lojërave Olimpike

Autoritetet japoneze janë shprehur të shqetësuara se variantet e reja të koronavirusit janë duke e gjeneruar valën e katërt të pandemisë në vend, teksa kanë mbetur vetëm edhe 109 ditë para fillimit të Lojërave Olimpike në Tokio.

Droja e shprehur e autoriteteve japoneze e reflekton rëndimin e gjendjes së pandemisë në prefekturën e Osakas, ku për shkak të rritjes së infektimeve synohet izolimi njëmujor, duke nisur nga e hëna.

Varianti britanik i koronavirusit ka mbërthyer rajonin e Osakës, duke u shpërndarë më shpejt dhe duke i rënduar kapacitetet e sistemit shëndetësor. Këshilltari kryesor qeveritar për pandeminë, Koji Wada, ka paralajmëruar se vala e katërt do të jetë më e madhja.

Deri më tani, Japonia ka shpallur dy herë gjendjen e jashtëzakonshme, gjatë pothuajse gjithë vitit të kaluar.

Aktualisht zyrtarët janë duke i përzgjedhur masat më të sakta, të cilat ua mundësojnë qeverive lokale kufizimin e kohës së punës për bizneset dhe të vendosin gjoba për moszbatimin e masave./ KultPlus.com

Flamuri i Kosovës në “Tarragona 2018” u hoq me ndërhyrjen e Qeverisë së Spanjës

Flamuri i Kosovës nuk figuron në sajtin zyrtar të Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahet në Spanjë.

Në fillim flamuri i Kosovës ishte prezent në sajt aty ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, megjithatë ai është larguar një ditë pasi xhudistet Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin rrëmbyer medaljet e arta.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani për Koha.net ka thënë se flamuri është tërhequr me ndërhyrje të Qeverisë së Spanjës, gjë që sipas tij ka marrë edhe mbështetjen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare – ICMG, si dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar – IOC.

“Ka ndërhyrë Qeveria e Spanjës dhe deri në një masë kanë gjetur mbështetjen në ICMG dhe KON. Tash për tash kaq mund të them. Tjerat i sqarojmë me kumtesë ose konferencë për shtyp”, ka thënë Hasani për Koha.net.

Për këtë çështje Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, por që deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tij. Që të dy, Gashi e Hasani aktualisht gjinden në “Tarragona” si pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra.
Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”.

Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, dhe në fillim nuk kishte dashur as të pranonte sportistët kosovarë, por pas presionit ndërkombëtar ishte zmbrapsur. Megjithatë, Spanja po vazhdon ta trajtojë si jo të barabartë Kosovën.

Kujtojmë gjithashtu se Kosova është e pranuar në ICMG dhe KON me të drejta të plota. / KultPlus.com