Historia e Flora Totos, parashutistes së parë shqiptare

Hedhja me parashutë, sot nuk është ndonjë ngjarje, por në vitet e 70 ishte aventurë, guxim e histori, posaçërisht për vajzat shqiptare.

Gati 50 vjet më parë, nga qielli zbriti parashutistja e parë shqiptare. Flora Toto Shqevi është e para parashutiste femër në Shqipëri. Ajo është një nga 5 femrat që për herë të parë u futën në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike e më pas pedagogia e parë femër në këtë Institut, gjithashtu dhe trajnerja e parë femër në gjimnastikë.
“Unë kisha ëndërr të bëhesha pilote, por meqë kjo gjë ishte e pamundur, të paktën arrita të fluturoja”, thotë Flora.

Ishte 22 vjeç kur solli këtë vendim. Sapo kishte mbaruar fakultetin dhe kishte filluar punën si pedagoge në Institut. Pas dy javë ushtrimesh, me një helikopter ushtarak nga një lartësi mbidetare prej 1000 metrash , ajo u hodh me parashutë për të zbritur në një fushë të vjetër të aviacionit. Kishte frikë t’ i tregojë familjes , ndaj këtë plan u përpoq ta mbaj sekret. Prindërve u kishte thënë qe do të kalonte një natë në Institutin e Fizkulturës për shkak të një aktiviteti të planifikuar herët në agim. Mirëpo rastësisht, i ati qe atë mëngjes ishte duke pritur në radhë për qumësht dëgjon njerëzit tek bisedonin qe sot, një grup vajzash do të hidhen me parashutë. Kështu ai e zbulon sekretin e të bijës. Kthen menjëherë në shtëpi, dhe i rrëfen të shoqes. Të dy nisën për të vendi i ngjarjes Instituti i Fizkulturës. Të shqetësuar e me lot në sy takojnë të bijën e cila tashmë kishte veshur uniformën e parashutistësh dhe nuk kthehej prapa.

Disa muaj më vonë Tefta Toro arrinë të bindë edhe tri shoqe tjera dhe kështu katër vajzat e para shqiptare hidhen me parashutë dhe zbresin në tokë pa ndonjë problem. Ishin këto Polikseni Gorishti, Drane Cara, Vezire Meta. Ishte kjo ngjarje e madhe dhe tejet emocionuese për këto të reja shqiptare.
Mbaj mend, rrëfen Toro qe secila prej nesh duhet paluar me kujdes të madh parashutën në çantë. Brenda, secila kishte edhe pasaportën dhe emrin e mbiemrin. Pas palosjes së parashutës vihej nënshkrimi qe do të thoshte qe secila merrnim përgjegjësinë për këtë veprim.

Flora Toto ishte edhe sportiste e dalluar dhe sekretare e Federatës Shqiptare të Gjimnastikës dhe Notit. Gjashtë vite me radhë kampione e Shqipërisë në gjimnastikë artistike. U angazhua gjithnjë për zhvillimin e parashutizmit dhe notit në Shqipëri. Në një intervistë dhënë Emira Isufajt, ajo flet për kushtet e vështir qe në atë kohë kishin notuesi shqiptarë. Ne ushtronim në ujin e detit, sepse nuk kishim pishinë të mbyllur. Ditëve të dimrit deti ishte i ftoftë, ndaj, një ditë trokitëm në zyrën e Mehmet Shehut për të kërkuar ngritjen ose adaptimin e një pishine për ushtrime dimërore. “Ikni nga këtu, na tha Mehmeti, sa ngrisë pishina për not, më mirë nderto një spital për të sëmurët”. Megjithëse u befasuan me reagimin e Mehmet Shehut, ky refuzim nuk e dekurajoi as largoi nga sporti e posaçërisht parashutizmi.

“Parashuta më shoqëroi gjithë jetën, thotë ajo. Edhe vjehrra krenohej duke thënë se nusja ime u hodh për herë të parë me parashutë.” / KultPlus.com

Sopranoja Inva Mula, me 7 tetor vjen në Prishtinë

Inva Mula, sopranoja shqiptare dhe krenaria e shqiptarëve, do të jetë folëse në TEDxPrishtina.

Ajo është e para folëse e zbuluar nga ekipi organizativ i ngjarjes që do të mbahet me 7 tetor në kryeqytet.

Mula do të përcjellë para publikut tregimin e suksesit por edhe vështirësive që ajo ka hasur, në një format si TED – ku folësit tregojnë rrugëtimin e tyre dhe i cili mund të inspirojë miliona njerëz në mbarë botën.

Inva Mula është e njohur për performancat e saj në La Boheme, Otello, Pagliacci, Faust dhe Carmen. Ajo është ndër shqiptaret më të njohura në botë dhe një zë që ka tronditur skenat më të mëdha operistike në glob, shkruan KultPlus.

Kësisoj, Prishtina me datë 7 tetor do ta ketë mundësinë dhe privilegjin ta dëgjojë për së afërmi një emër si Inva Mula. Mula, në vitin 1997, pati sukses kur këndoi në Rigoletton e Verdit, krahas emrave si Leo Nucci në Operën e Marsejës.

TEDxPrishtina pritet të zbulojë folësit tjerë të këtij edicioni ditëve në vazhdim. / KultPlus.com

Do t’i shtrydh të dy sytë

Poezi e shkruar nga Ali Asllani.

Un’ jam un’, saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!

Filmat pornografik nëpër korzot e Kosovës, ekspozita me posterat e viteve 80-të e 90-të (FOTO)

Arbër Selmani

Një romancë e vitit 1983, me aktorët Jerry Butler dhe Kelly Nichols, ato vite kishte një poster që për kinematë jugosllave ishte i përshtatshëm.
“In Love”, përkthyer si Prave Strasti, ka pllakatin ku figuron një vajzë në vetëkënaqësi brenda një goje sensuale. Një poster i tillë dikur ka qenë lirshëm i vendosur nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës.
Posterat e tillë të filmave që vinin në kinematë e Kosovës në vitet 80-të e 90-të që nga e premtja janë të ekspozuar në Soma Book Station. Ekspozita “Korzo” i sjellë këta postera, me ta edhe një realitet të pamohueshëm se dikur posterat pornografikë shiheshin kudo në Kosovë, edhe para syve të fëmijëve e prindërve që shëtitnin nëpër korzot e qytetit.

Baton Domi nga Soma Book Station tregon më shumë për këtë realitet të dikurshëm.

“I kemi sjellë këta postera origjinalë, por ka edhe më të rëndë në përmbajte. Ka shembull marrëdhënie seksuale të kafshëve me njerëz. Këto që janë ekspozuar në Soma janë më të buta dhe paraqesin realitetin e kinemave jugosllave që dikur ishin mbushur me filma pornografik, jo erotik” tregon Baton Domi.

“Kur je dalë asokohe me prindërit në qytet, ka pasë në shumë anë postera pornografik, të vendosur në qytet. Kjo ka ndodhur në Prishtinë, Pejë, Prizren e qytete tjera. Arsyeja pse i kemi ekspozuar është ta rikthejmë atë memorie kolektive që është e fshehun prej njerëzve, në të cilën kanë marrë pjesë sidomos meshkujt” tregon Batoni. Posterat e ekspozuar janë marrë nga Kino Lumbardhi në Prizren.


Pllakatet janë dukshëm një agresivitet i dikurshëm. Jo më pak i lënë anash është edhe posteri i filmit “Devojski iz taksija”, përkthimi jugosllav për filmin e njohur “Taxi Girls”, që i përket një kinemaje për të rriturit. Megjithatë, këta filma shiheshin edhe nga fëmijët.
“Kinematë me këta filma ta kanë ndërtuar imagjinatën në këtë aspekt, pasi në shkolla nuk kemi mësu edukim seksual. Nuk ke pasë të drejtë as me shoqe me folë mbi këtë punë. Këta filma, posterat e të cilëve janë në Soma, kanë ndikuar edhe në raportin femër- mashkull dhe kanë ndihmuar në frustrimin që ekziston edhe sot” tregon Domi.

Domi tregon se ky lloj i kinemasë dhe këta lloje posterash kudo në qytet kanë qenë edhe pjesë e një agjende për ta dislokuar vëmendjen e popullit mbi çështje tjera, si Lufta e Bosnjës shembull, dhe rënie e kompletit projektit Jugosllavi.

Derisa posterat ende gjenden në Soma Book Station në kryeqytet, aty ku edhe mund ti shihni dhe të njoftoheni më shumë me konceptin e kësaj ekspozite, e përfundojmë këtë bisedë me Domin, duke marrë edhe një tjetër anë të rëndësishme të ndikimit të këtyre pllakateve filmike në jetën e përditshme të qytetarëve që ishin ‘viktimë’ e tyre.

“Seksualizmi është prezantu në këtë mënyrë në kinema dhe kjo më pas ka ndihmu të bastardizohet akti seksual. Në fakt ne si fëmijë kemi mësuar shumë prej kinemasë në këtë aspekt, dhe kjo e ka degradu mënyrën e komunikimit mes gjinive dhe komunikimin në përgjithësi” tregon Domi.
Kinemaja e tillë supozohet se ka ekzistuar diku deri në vitin 1997, kur edhe situata në Kosovë u tensionua dhe më pas ndodhi lufta. / KultPlus.com

Muaji tetor mirëpret Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Sarandë Selimi

Tashmë është rezervuar data për nisjen e rrugëtimit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ky festival edhe pse sipas organizatorëve nuk mori mbështetjen e duhur nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, padyshim që do vazhdojë të mbahet duke e ditur rëndësinë e tij në Kosovë dhe duke e pasur parasysh se ky është një ndër festivalet më të vjetra në vend.

Atëherë kur ishte ndarë buxheti i MKRS-së, duke shpalosur projektet që do të përkrahen për vitin 2017-të, këtij festivali kjo ministri i dha vetëm 3 mijë euro, para këto që Fatmir Hyseni, i pati thënë MKRS-së, t’i mbajë për vete sepse nuk mjaftojnë në mbulim të festivalit.
KultPlus ka biseduar me drejtorin e Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj – Fatmir Hyseni, i cili njëherësh është edhe organizator i festivalit.
“Festivali i teatrove në këtë vit e ka edicionin e 47-të dhe fillon më 21 tetor. Është e vërtetë se MKRS ka ndarë vetëm 3 mijë euro për këtë vit, dhe mendoj se ky është një vendim i gabuar duke marrë parasysh rëndësinë e festivalit dhe peshën që ka në artin skenik jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare. Ne nga Ministria e Kulturës kemi kërkuar që ky Festival të jetë edhe pjesë e trashëgimisë shpirtërore, por përgjigje nuk kemi marrë. Kam deklaruar se ato 3 mijë euro Ministria mund ti mbajë për vete. Me këto mjete nuk mundesh as shpërblimet e Festivali ti mbulosh. Mirëpo, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj si çdo vit ka barrën kryesore buxhetore dhe me ndihmën edhe të sponsorit Raiffesen Bank besoj se do ja dalim që Festivali të vazhdojë më tutje”, tha fillimisht për KultPlus Hyseni, duke vazhduar tutje të tregojë se Festivali i Teatrove ka traditën e cila vazhdon rrugëtimin me një publik të shkëlqyeshëm, dhe pikërisht kjo i detyron organizatorët që ky festival të ketë përmbajtje cilësore nga gjitha trevat shqiptare.

“Besoj se këtë vit teatrot kanë bërë punë të mirë dhe Festivali varet kryesisht nga puna e po këtyre teatrove. Ne jemi në punë e sipër dhe po mundohemi që të kemi risi në Festival, me ndonjë punëtori të arteve skenike për të rinjtë, pasi që mbi 50 për qind e publikut është moshë e re”, pohoi Hyseni.

Sivjet në edicionin e 47-të të këtij festivali, do të prezantohen gjithsej shtatë shfaqje konkurruese dhe ndonjë shfaqje mysafire. Shfaqjet pjesëmarrëse sikurse edhe viteve të kaluara do të jenë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Hyseni tregon se ka shumë shfaqje të cilat janë duke i seleksionuar e të cilat njëherësh mund të shfaqjen në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj.

Krejt në fund të kësaj bisede, Fatmir Hyseni u shpreh jo fort i kënaqur me punën nëpër teatrot e qyteteve të Kosovës në përgjithësi, jo vetëm në Ferizaj. Ai tha se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione.

“Besoni se Teatri jo vetëm në Ferizaj, por edhe në Kosovë, është në gjendje mjaft të vështirë, duke e parë situatën ekonomike e politike në vend. Kur kësaj i shtohet edhe moszbatimi i Ligjit për teatrot, atëherë mund të themi se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione. Arti në Ferizaj ka më shumë iniciativa dhe bëhet punë më shumë se në shumë Komuna tjera, e kjo falë insistimit të krijuesve dhe vullnetit të tyre për të bërë art”, përfundoi Hyseni. / KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut


Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.


Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, ka thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Kujtim Gashi mori postin e ministrit të MKRS-së

Sot në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit, u bë pranim-dorëzimi i detyrës së ministrit të ri të zgjedhur të shtunën mbrëma nga Parlamenti i Republikës së Kosovës.

Kujtim Gashi, pranoi detyrën e ministrit të MKRS-së, nga Vlora Dumoshi tashmë ish udhëheqëse e detyrës së ministres në këtë institucion, shkruan KultPlus.

Përpos falënderimeve që kishin mes veti Dumoshi dhe Gashi, krejt tjetër çka u fol ishte se do të punohet shumë që kjo ministri me gjitha drejtoritë që ka do të zhvillohet edhe më tutje në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Rikujtojmë se Kujtim Gashi, deri më tani ishte kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit./ KultPlus.com

9/11 Dedication Film Festival, festivali që kujtoi për trembëdhjetë vjet viktimat e 11 shtatorit

Ishte themeluar në vitin 2003, pikërisht dy vite pas sulmeve terroriste në New York, me qëllim të mbështetjes së popullit amerikan, por edhe të nxjerrjes së talenteve të rinj, shkruan KultPlus.

Ky ishte festivali 9/11 Dedication Film Festuval, i cili për trembëdhjetë vjet solli mbi 100 filma të metrazhit të shkurtë në Kosovë, për tu bërë kështu një institucion në vete sa i përket realizimit të filmit.

Mirëpo, edhe pse konsiderohej si një ndër festivalet më të suksesshme në Kosovë, duke marë parasysh se përpos garës, në këtë festival edhe prodhohej, qysh nga viti 2016 ky festival ka ndalë rrugëtimin, si pasojë e mosmbështetjes nga ana e institucioneve.

Drejtori i këtij festivali Blerim Gjoci, në një intervistë më të hershme të dhënë për KultPlus pat thënë se ky festival ka pasur si mision që të forcojë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ju treguar që ne jemi popull mirënjohës, por misioni i tij më i shenjtë, sipas Gjocit ka qenë që t’i zbulojë talentet e rijnë, njerëzit që nuk kanë qenë të njohur por, që kanë pasur ide. Shterimi i buxhetit dhe largimi i Gjocit nga Kosova janë dy arsyet kryesore të shuarjes së këtij festivali./KultPlus.com

Këta janë dy fëmijët kosovarë që do të sfidohen në Festivalin për Fëmijë të RTSH-së

KultPlus ka raportuar ditë më herët për këngët që do të prezantohen në Festivalin për Fëmijë të RTSH-së, këngë që janë punuar nga kompozitori Florent Boshnjaku, kurse tekstet e këngëve janë shkruar nga Yll Limani, shkruan KultPlus.

Kompozitori i këtyre dy këngëve sapo ka plasuar në rrjete sociale edhe fotografinë me të dy fëmijët, duke i bashkëngjitë edhe këtë dedikim:

Me dy zemra te vogla , Jana Shala dhe Auron Ismaili do te marrin pjese ne festivalin e RTSh per femije (festival i cili dergon kengen fituese per ne Junior Eurosong ) po na mungon edhe Yll Limani i cili ka shkruar tekstet e bukura per te dy kenget . Suksese Jana dhe Auron./KultPlus.com

Përzgjidhen këngët për festivalin “Zambaku i Prizrenit 2017”

Juria e organizatorit të festivali “Zambaku i Prizrenit” në përbërje: Xhevdet Gashi, Besnik Krajku, Krist Lekaj dhe Osman Goranci (për tekst), ka përzgjedhur këngët që do të jenë pjesë e edicionit të 29-të të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, shkruan KultPlus.

Drejtori i Studio Helix, Istref Krasniqi njofton se pas organizimit të suksesshëm të edicionit të vitit të kaluar të “Zambakut të Prizrenit”, këtë vit interesimi i kompozitorëve për pjesëmarrje në edicionin e 29-të kanë qenë shumë i madh.

“Organizimi i suksesshëm i edicionit të kaluar nga Studio Helix ia ka kthyer namin festivalit dhe këtë vit në adresën tonë kanë ardhur 25 këngë, nga të cilat juria ka përzgjedhur 15. Juria e ka përzgjedhur një këngë më shumë këtë vit, sepse tradicionalisht në festival paraqiten 14 këngë. E kemi bërë këtë përjashtim, sepse kompozimet që kanë arritur janë me vlera të mirëfillta të natyrës së festivalit”, shprehet Krasniqi.

“Edhe këngët që kanë mbetur jashtë edicionit të 29 kanë vlera, por juria ka përzgjedhur kompozimet më të mira” ka shtuar Krasniqi.

Image
Ai shprehet i bindur se festivalit “Zambaku i Prizrenit” po i kthehet rëndësia që e kishte, prandaj, edhe për faktin se vitin e ardhshëm është edicioni jubilar i 30, do t’i propozojë Kuvendit Komunal që “Zambaku i Prizrenit” të mbahet dy net.

Krasniqi njofton se edhe për festivalin “Fluturat” dhe Rrock live, kanë arritur kompozime të mirëfillta dhe janë përzgjedhur këngët.

Edicioni i 29-të i festivalit “Zambaku i Prizrenit”, edicioni i 19-të i festivalit Fluturat dhe Rrock live do të mbahet në fund të muajit shtator.

Këngët e përzgjedhura për edicionin e 29 të festivalit “Zambaku i Prizrenit”

Lum Halabaku me këngën “Shpresë”

Gjergj Kaçinari – “Shekëlqimi në bar”

“Besim Berisha – “Balada me numër X”

Tomor Berisha – “O Zambak lule në parajsë”

Arsim Kryeziu – “Vitet po kalojnë”

Menan Kiseri – “Kujtimet e rinisë”

Nexhat Rexha – “Trëndafilin unë e zgjodha”

Gazmend Kraja – “Zambaku e lulebora”

Ylli Kalaja – “Sytë e zi vetull gjilpanë”

Nexhat Macula – “ “Loti”

Ylli Ramzoti – “Peisazh pranveror”

Artan Bakija – “Elegji për dashurinë”

Shefqet Hoxha – ngën “Gradu ljubavi” (Qyteti i dashurisë)

Hysein Kazaz – “Ugurlar Olsun”

Edon Ramadani – “Violina e vjetër”

Cara Mund nga Dakota zgjidhet Miss Amerika 2018

23 vjeçja nga Dakota Cara Mund, kurorëzohet për herë të parë në histori Miss Amerika. Ajo u zgjodh Miss Amerika nga 51 femrat më të bukura në gjithë vendin.

Dakota kurrë nuk kishte pasur një fituese si Miss Amerika, ndërkaq mbrëmë pas katër netësh konkurrencë, Cara mori çmimin e parë, shkruan People.

Ato u vlerësuan nga sfilatat e tyre, nga veshja, stërvitjet, stilin e jetesës, talentin dhe kategoritë e intervistimit./ KultPlus.com

Tom Hanks në Kroaci, “Black Money Games” realizon xhirimet në ishullin Hvar

Filmi “Black Money Games”, që konsiderohet të jetë një ndër filmat që do të thyejnë arkat e shitjes do të fillojë xhirimet në pranverën e vitit 2018, shkruan KultPlus.
Dhe ky film do të xhirohet në Kroaci, përkatësisht në ishullin Hvar. Dubrovniku ishte lokacioni i përzgjedhur për këtë film, deri në momentin kur producentët vizituan ishullin Hvar.
Në këtë film rolin kryesor do ta luaj aktori i njohur botëror Tom Hanks, kurse filmi është me regji të Adam Wright.
Dhe ky nuk është një ndër filmat e paktë që janë duke zgjedhur për lokacion Kroacinë, sa i përket xhirimeve, filmat si: Game of Thrones, Star Wars, Robin Hood dhe Mamma Mia, janë filmat që një pjesë të xhirimeve kanë realizuar në rivierën kroate. /KultPlus.com

Aktori amerikan në sulmet e 11 shtatorit punoi si zjarrfikës, asnjë fotografi dhe intervistë për publicitet

“Shumë pak fotografi dhe asnjë intervistë nuk ekzistojnë, sepse ai i refuzoi ato. Ai nuk ishte aty për publicitet”, thuhet me këtë rast për veprën e aktorit amerikan, përcjellë KultPlus.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, më 11 shtator të vitit 2001, aktori i Hollivudit Steve Buscemi, i njohur për rolet e tij edhe në filmat e Tarantinos, iu rikthye punës së tij të parë, atë të zjarrfikësit në New York, shkruan The Independent, përcjellë KultPlus.

Me rastin e sulmit terrorist që ishte bërë në atë kohë në New York, aktori amerikan punoi mbi 12 orë si zjarrfikës, për të kërkuar të mbijetuarit në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Buscemi testin për zjarrfikës e kishte dhënë kur ishte 18 vjeç, dhe kishte punuar në këtë profesion gjatë viteve të 80-ta. Ai më pas la këtë shërbim për tu bërë aktor, por jo edhe angazhimin për këtë profesion, pasi që ai herë pas herë ka marrë pjesë me fjalimet e tij në tubimet e shërbimit të zjarrfikësve.

Dhe vetëm në vitin 2013, faqja zyrtare Brotherhood of Fire Facebook kishte publikuar një status për aktin e tij vetëmohues dhe guximin, duke shkruar edhe këtë status nën fotografinë e tij.
“Shumë njerëz e dinë se ai është një aktor dhe emri i tij është Steve Buscemi. Por vetëm disa e dinë se ai dikur ishte një guximtar i New York-ut”, është shkruar në këtë status.

Më pas bëhet e ditur se vëllai i aktorit punon si zjarrfikës në New York, dhe duke parë se ata kishin punuar mbi 12 orë pa pushuar, ai kishte veshur uniformën edhe i është përveshur punës.
“Shumë pak fotografi dhe asnjë intervistë nuk ekzistojnë, sepse ai i refuzoi ato. Ai nuk ishte aty për publicitet”, thuhet me këtë rast për veprën e aktorit amerikan./KultPlus.com

Anri Sala prezanton në Sidnei, si mesazh në shishe veprën e Mozartit

Anri Sala prezanton në edicionin e 33-të të “Kaldor Public Art Project” premierën e instalacionit “The last resort” (Resorti i fundit” (datë 13 tetor).

Instalacioni do të ekspozohet në kodrën “Observatory Hill” Sidnei të Australisë. “Kam dashur ta imagjinoj se si një udhëtim nëpër erë, valë, dhe ujë do të mundë të afektonte një kryevepër muzikore të periudhës së iluminizmit”, rrëfen Anri Sala teksa shpjegon instalacionin “The Last Resort” për mediet e huaja. Ai ngre pyetjet: “Çfarë do të bëhej me ‘Koncertin për klarinetë’ të Mozartit nëse do të fluturonte apo të dilte si një mesazh në shishe, derisa të lahej në breg pas një udhëtimi të gjatë”, shkruan albsprint.

Por, si është konceptuar “The last Resort”? Është konceptuar si një instalim i posaçëm për Projektet e Arteve Kaldor në një pavijon në natyrë, për një hapësirë me pamje nga porti i Sidneit. Kjo strukturë e hapur përmban 38 bateri të posaçme, që qëndrojnë pezull nga tavani në një pozicion të kthyer përmbys. Ansambli i baterive është një skulpturë që luan vetë. Secila nga bateritë është e krijuar enkas dhe përmban në brendësi dy altoparlantë: një altoparlant me shtrirje të ulët frekuencat e së cilës shkaktojnë dridhje në lëkurën e daulleve, duke nxitur një reagim tek shkopinjtë e daulleve, që krijojnë “rat-a-tat” karakteristike, dhe një altoparlantë me shtrirje të lartë dhe mesatare që luan fragmente muzikore. Bateritë që qëndrojnë pezull funksionojnë gjithashtu si shënjues i dukshëm i tingullit të këtij instalacioni.

Pika fillestare muzikore e “The last resort” është koncerti “Klarinetë” në A maxhor, K.622, i kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart në 1791, pak para vdekjes së tij. Vetëm disa vite më parë “Flota e Parë” kishte zbarkuar në Australi dhe në 18 Janar, 1788 mbërriti në Botany Bay. Zona ku do të vendoset instalacioni është një hapësirë rrethore në një kopsht publik në kodrën më të lartë me pamje nga Sidnei. Kjo zonë i përkiste Fort Phillip-it, e ndërtuar në vitin 1800 dhe emëruar pas Guvernatorit të parë të kolonisë.

Mendohet të këtë qenë një vend vëzhgimi për populli Aborigjen. Për këtë arsye është e lidhur me kontaktin e parë të dy kulturave, të cilat më parë nuk kanë qenë në dijeni për njëra-tjetrën. Bateritë e varura janë të animuara nga koncerti Klarinet i Mozartit, në një regjistrim që Sala e përshtatë sipas kushteve specifike. Secila nga tri lëvizjet e koncertit është alternuar në bazë të një rregulli të vetëvendosur nga artisti: nga tonalitetet e para qendrore (A, C e mprehta, dhe E) të cilat janë hequr, në të dytën të gjitha indikacionet origjinale të kohës u zëvendësuan nga përshkrimi ditor i erës nga Gazeta e James Bell e vitit 1839 , për kalimin e detit nga Londra në Australi, ndërsa në lëvizjen e tretë rendi kronologjik i të gjitha pjesëve ‘solo’ dhe ‘tutti’ u ndryshua. Muzikantët që luajnë pjesë individuale në rezultatet e riorganizuara janë regjistruar njëkohësisht me mikrofon të ndryshëm. Shpërndarja e pjesëve të regjistruara në bateri bazohet në formimin e një orkestre klasike tipike. Kështu asambleja e baterive do të vendoset në përputhje me formimin tipik të një orkestre.

Pjesët individuale në rezultatin e riorganizuar të Mozartit do të caktohen në bateritë përkatëse. “The Last Resort” transformon punën e famshme të Mozartit, duke përdorur strategji të vendosura nga Sala për të demonstruar ndryshimin, që mund të ketë pësuar gjatë rrugëtimit për në Australi. Duke përmbysur tiparet kryesore të koncertit, ndjenjën e gravitetit dhe ritmin, puna e artistit krijon perceptimin e një koncerti që ka udhëtuar në një distancë të gjatë, duke duruar valët e larta të detit, që sipas fjalëve të artistit e kanë “gërryer atë”, shkruan “Estherschipper”. Bateritë e varura pezull nga tavani personifikojnë vetë Australinë, duke kujtuar njëkohësisht edhe dhelprat indigjene të fluturimit të varur me kokë poshtë nga degët e shtrira të pemëve. “The Last Resort” trajton karakteristikat historike dhe kulturore të objekteve të kulturës (ndër të cilat Sala konsideron edhe veprat muzikore), duke u fokusuar në një periudhë kritike të ngjarjeve dhe arritjeve gjatë të cilave iluminizmi që përfshin idetë e progresit, blerjes racionale si dhe organizimin e dijeve ndërvepron në thelb me kolonializmin./KultPlus.com

Në SOS dasmë tradicionale, martojnë vajzën që është rritur aty (FOTO)

Të premten në SOS Fshatin e Fëmijëve ishte një festë e veçantë. Kjo familje e madhe në Kosovë, martoi njërën nga vajzat që janë pjesë e saj, shkruan KultPlus.

Për vajzën që u martua SOS Fshati, me miqtë e tij, u përkujdesën që kjo ditë të jetë dita më e bukur e kësaj vajze e padyshim edhe më e veçanta që vlerësohet të jetë tek të gjitha femrat. SOS Fshati, u kujdes që kjo vajzë të përcjelljet me adete e rite sikurse që një familje organizon për fëmijën e saj.

Vajza, mori dhurata nga më të ndryshmet. Asaj iu bë dhuratë edhe velloja apo fustani i nusërisë i kreatores Flutura Dedinja, poashtu këpucët i dhuroi një kompani e madhe në vend, edhe torta dhe plotë gjëra të tjera.

Më këtë rast SOS Fshati, sot ka bërë një lajmërim me disa fotografi nga kjo dasëm e mrekullueshme që është bërë. Po sjellim shkrimin e plotë të SOS Fshatit të Fëmijëve në Kosovë:

“SOS Fshati i Fëmijëve është familja më e madhe në Kosovë dhe për këtë, Ne stafi, jemi shumë krenarë dhe e ruajmë këtë titull me shumë xhelozi.
Të premten kishim festë në SOS Fshat. Përcollëm njërën nga vajzat tona. Ajo erdhi te ne si e vogël me motrat e vëllaun dhe tani u rrit e u bë për martesë. E si ndryshe ta përcjellim vajzën tonë, veq se me të gjitha adetet e ritet që një familje organizon për fëmiun e saj.
Ishte ditë me shumë emocione, lumturi e dashuri, por para së gjithash krenari që përcjellnim vajzën për një jetë të re bashkëshortore.
Si gjithmonë, i gjithë stafi i SOS Fshatit ishin shumë solidarë dhe të gatshëm për të organizuar një festë ashtu siq i ka hije një familje të madhe si SOS Fshati. Një falenderim i madh të gjithëve për përkushtimin dhe dhuratat që i përgaditën për vajzën tonë.
Një falenderim i veqantë shkon për Flutura Dedinja e cila me shumë kënaqësi dhuroi fustanin e nusërisë, Vjosa Dolcetto e cila përgaditi tortën e martesës, Gentli shoes dhe shumë e shumë të tjerëve të cilët me aq sa patën mundësi ndihmuan që vajza jonë të ketë një fillim të mbarë të kapitullit të ri të jetës së saj.
Paqin fat e ju priftë e mbara!”, kanë shkruar në rrjetin social Facebook, ku këtij shkrimi i kanë bashkëngjitur edhe disa fotografi nga ceremonia./ KultPlus.com

Xhevdet Xhafa me ekspozitë personale në Tiranë

Të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, do të hapet ekspozita personale e artistit kosovar me renome Xhevdet Xhafa, shkruan KultPlus.

Ekspozita e kuruar nga James Walsmley, është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor në mes të Ministrive të Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ajo është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë. Ekspozita personale e Xhevdet Xhafes shënon kështu bashkëpunimin në suaza të zbatimit të këtij kalendari të përbashkët kulturor në mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ekspozita është një sjellje në etapa të ndryshme të krijimtarisë së artistit, sjellë po ashtu punë të papara më herët në publik. Veprat e Xhevdet Xhafes, të cilat janë të përfshira në këtë ekspozitë e titulluar Autobiografia reflektojnë punë nga krijimtaria e tij nga vitet ’60-ta.

Ekspozita hapet më 14 shtator me fillim nga ora 19:30./ KultPlus.com

Gillespie, sjellin tetë këngë në albumin e ri ‘Diku, dikur…’

‘Diku, dikur…’ është albumi i tretë i Gillespie i cili përbëhet nga gjithsej 8 këngë, ku do të promovohen këtë të shtunë në Fushën e Basketbollit në lagjen Ulpiana, shkruan KultPlus.

Njoftimin për albumin e ri, Gillespie e kanë bërë nëpërmjet rrjetit social përmes së cilit kanë ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen një performance të gjallë.

“Të dashtun. Jemi afër publikimit të albumit tonë më të fundit. Më 16 shtator, kemi me performu në beton – inspirimin tonë më të madh, edhe afër komunitetit. Po ju ftojmë krejtve me na u bashku në nji performancë të gjallë, në Fushën e Basketit, Rr. Anton Pashku në lagjën Ulpiana, ku kemi me i performu kangt e albumit të ri, por edhe të dy albumeve të kalume”, kan njoftuar Gillespie.

Ky album është incizuar në Stucio C. Muzika, aranzhmani dhe tekstet janë të gjitha prodhim i Gillespie ndërsa producent i albumit është Dritëro Nikqi. Masterimi i albumit është bërë nga Michael Haves.

“Albumi, në formën që po del, vjen si produkt i ni bashkëpunimi me nji numër artistash edhe njerëz të vullnetit të mirë të qytetit tonë të lezeqëm. Muhamed Flugaj edhe Engjëll Sokoli, janë dy prej tyne, që nuk kan pritu me na ndëgju edhe me punu në kopërtinë, libërth edhe fotografi të albumit”, thuhet tutje në njoftim.

Pra më 16 shtator me fillim nga ora 19:00, Gillespie do të sjellin albumin ‘Diku, dikur…’ në lagjen Ulpiana në Prishtinë./ KultPlus.com

Rebekah vjen në Prishtinë

Rebekah për momentin konsiderohet një ndër emrat më të kërkuar në skenën e muzikës elektronike si dhe është pjesë e Festivaleve më të mëdha botërore.

Eventi mbahet me 15 shtator ne teatrin ODA. Përpos Rebekah do te ketë DJ te njohur dhe artist vizuel rajonal dhe lokal: Rinia Rinia – Gostivar/ Zurich, Toton- Prishtinë, Vegim and Flekitza – Prishtinë si dhe VJ 1MAN.

Biletat kanë dalë në shitje që nga e mërkura në të gjitha qytetet e Kosovës dhe rajonit ku për detaje më të hollësishme vizitoni faqen e Facebook te Next Level.

Next Level për 11 vjet ka qenë pjesë e rëndësishme e skenës se muzikës elektronike duke sjellë shumë emra të njohur botërore siç janë: Marco Carola, Timo Maas, John Digweed, Danny Howells, Sister Bliss Faithless, Jody Wisternoff, Eelke Kleijn, Tom Novy, Circulation, Guy Gerber, Swayzak, Martinez, Aril Brikha live, Anthony Rother live, Terry Lee Brown Jr, Heidi, Oxia, Terry Francis, Nathan Coles, LTJ Bukem&MC Conrad, Tom Budden, Pascal FEOS, M.A.N.D.Y, Hisham Zahran, Anja Schneider ,Shapeshifters, Sylvain Armand, Joris Voorn, Alican, Djebali, Phonique, Silicone Soul, Alex Niggeman, Shonky, Hito, Bella Sarris, Emanuel Satie, Shlomi Aber, Steve Bug, Andrea Oliva, Luke Dzierzek, Desyn Masiello, Kolombo, Sabb, Charlotte de Witte, Stephan Hinz, etj.

“Rebekah vjen në kuadër të tourit “Fear Paralysis Album Tour” dhe do të performon Live Hybrid set. Jemi të kënaqur që kemi fut Prishtinën në listën e tourit të saj”, ka thënë Ardin Badivuku nga Next Level, shkruan Insajderi.com/ KultPlus.com

Kujtim Gashi sot merr detyrën e ministrit të MKRS-së

Sot më 11 shtator me fillim nga ora 14:30, bëhet ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kabinetin e ministres, përcjell KultPlus.

Ministrja Vlora Dumoshi do t’i dorëzojë zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Kujtim Gashi. Mediet do të marrin vetëm pamje nga kjo ceremoni./ KultPlus.com

Akademikët i shkruajnë letër kryeministrit Rama

9 anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga Italia, Kosova, Greqia, Holanda dhe Mali i Zi, iu drejtuan kryeministrit Edi Rama me një letër, ku i apelojnë atij që të mos e shpërbëjë strukturën aktuale të akademisë, pas deklaratave te tij publike qe pasuan zgjedhjet për kryetarin atje.

Eliminimi i këtij institucioni sipas 9 profesorëve, do të çonte në një pikë pa kthim që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Anëtarët e nderit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, thonë se shkrirja e akademisë, do të sillte krijimin e strukturave të tjera të cilat do të jenë në varësi tërësore nga politika, ashtu siç akademia, sipas tyre është ndodhur shpesh herë gjate viteve të tranzicionit.

9 akademikët në letrën drejtuar kryeministrit e përkrahin atë për idenë e reformimit të këtij institucioni, por sipas tyre, potenciali i nevojshëm për ta bërë këtë, ekziston aktualisht në Akademinë e Shkencave.

Sipas tyre detyra për rilindjen e Akademisë së Shkencave i takon kryeministrit ndërsa kolegët e tyre kanë detyrën e realizimit të reformimit të institucionit drejt standardeve moderne të kërkimit shkencor, shkruan GSH.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj Zoti Kryeministër

Ne, nënshkruesit e kësaj letre publike, në cilësinë e anëtarëve të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju drejtohemi me këtë apel të sinqertë, me qëllim që Ju të mos vijoni drejt shpërbërjes së institucionit në të cilin e kemi për krenari të jemi pjesë. Për më tepër Ju ftojmë të bëheni promotor i hapjes së një faze të re të dialogut me botën akademike, duke vazhduar në qëllimin përfundimtar të propozimit të një reforme të mundshme dhe rigoroze të sektorit delikat të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Edhe ne, nënshkruesit, ndajmë bindjen se pjesa më e madhe e kohës që ishte në dispozicion për të ndërmarrë një proces radikal reformues të Akademisë ka kaluar jo në mënyrë efikase, dhe se sot, ndoshta, është më se e nevojshme dhe e përshtatshme transformimii saj në një qendër kërkimore moderne dhe konkurruese ekselente.

Për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë individuale dhe kolektive, ne mendojmë se lëvizja drejt eliminimit të institucionit do të çojë në një pikë pa kthim, që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri. Kjo është ajo që ne themi, pa ushqyer supozimin se disponojmë zgjidhje përfundimtare dhe efektive, dhe pa pretenduar të zëvendësojmë pritshmëritë legjitime të programit të ri qeveritar që do të bëni. Por, ndonjëherë kurajoja për të qendruar dhe për të diskutuar mund të rezultojë më përmbushëse e ndoshta edhe më e dobishme, duke evituar të biem në gabime të pariparueshme si ato kur në të njëjtën kohë bashkë me ujërat e pista hedhim edhe foshnjen. Akademia e Shkencave, si institucionet e tjera publike shqiptare, ka përjetuar tranzicionin e gjatë dhe të pafund nga diktatura në demokraci, që ka tronditur shoqërinë shqiptare. Ju vetë e keni bërë të vetëdijshme atë, kur keni theksuar nevojën për të ngritur strukturat publike shqiptare, në radhë të parë universitetet, në një regjim normaliteti.

Formula Juaj “të bëjmë shtet” ishte më e pranuara, sa më të dukshme ishin mosfunksionimet burokratike, padrejtësitë sociale, format korruptive, që, në kompleksitetin e tyre, rrënojnë shoqërinë shqiptare dhe fshikullojnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Në vitet kur shqiptarëve u mohohej e drejta për t’u ndjerë “qytetarë europianë” shumë nga ne kanë qenë mbështetës aktivë të kërkesave të paraqitura në universitetet tona nga studentët e vendit Tuaj, të cilët, të dekurajuar nga kushtet e universiteteve shqiptare, synonin të studionin jashtë vendit. Ata ishin të rinj që linin shuma të konsiderueshme si “peng” për t’iu përmbajtur standardeve që i përulnin dhe i poshtëronin. Megjithatë, u arrit që shumë prej tyre të diplomohen, disa të vazhdojnë trajnimet e tyre shkencore jashtë shtetit dhe në disa raste edhe të rekrutohen në universitetet tona. Gjithë kjo ndodhi në sintoni dhe me mbështetjen e plotë të kolegëve tanë të shquar nga universitetet publike shqiptare dhe Akademia e Shkencave. Ka qenë një periudhë e gjatë tranzicioni që ende nuk ka mbaruar, por që, edhe falë ndërhyrjes Tuaj të vendosur reformuese prej disa vitesh, është karakterizuar nga një ndryshim i rëndësishëm i trendit.

Ne e gjejmë në universitetet, të cilat, ndërsa ende ankohen për hendekun me standardet evropiane (por ne i sigurojmë ata se kjo nuk është “primati” negativ ekskluziv i Shqipërisë). Megjithatë nuk mund të thuhet se janë në të njëjtin nivel me anarkinë e njëzet viteve të kaluara, ndërkohë që ka një burim optimizmi në rrugën e ndërmarrë nga universitetet shqiptare për të rindërtuar besimin tek familjet dhe studentët, duke iu bashkuar përpjekjeve të sinqerta të stafit akademik për realizimin e trajnimeve shkencore gjithnjë e më konkurruese.

Ne nuk e fshehim se xhepat e mëdhenj të rezistencës pasive pengojnë një përfundim të mirë të procesit reformues, por ky argument është fitimprurës vetëm për ata që nuk kanë kulturë qeveritare dhe i dorëzohen populizmit të zakonshëm: “sa më keq të shkojë, aq më mirë”. Sigurisht nuk është kjo tema më e përshtatshme për të trajtuar çështjen që në këto ditë ka shpërthyer në mënyrë mediale duke supozuar trajtat e një improvizimi dhe jo të një serie dramatike të vështirësisë institucionale që lëngonte prej kohësh dhe që akoma nuk ka gjetur zgjidhjet e duhura. Akademia e Shkencave ka vuajtur kërcënime politike, duke pësuar censurë të pashembullt, që, sipas nesh, përfshihet dhe ajo në faktorët që e kanë zvogëluar dhe sjellë në gjendjen komatike që ajo ndodhet sot.

Duke i prerë qendrat nevralgjike jetike, institutet historikë, të cilët përbënin motorin e vërtetë propulsiv të kërkimit shkencor gjatë periudhës komuniste, Akademia u katandis në një strukturë të thjeshtë honorifike me burime njerëzore të kufizuara e me pak stimuj, shpesh e akuzuar se ishte në “opozitë” dhe disa herë “bashkëudhëtare” e qeverive të ndryshme; duke iu nënshtruar akuzave dhe shpifjeve më të rënda , pa patur asnjë zë, të brendshëm ose të jashtëm, që të ngrihet për të kujtuar se kjo është e njëjta Akademi e Shkencave, që në periudhën më obskurantiste të historisë së Shqipërisë kishte përfaqësuar, në të mirë dhe të keq, një pikë referimi dinjitoze dhe të respektuar për albanologjinë ndërkombëtare, për të cilin asnjë studiues i huaj – ne të parët – nuk ia mohoi kurrë rolin e bashkëbiseduesit të privilegjuar. Ajo që ka ndodhur në më shumë se dy dekada ka qenë një sulm serioz ndaj lirisë së shkencës dhe së drejtës së shenjtë të kërkimit shkencor për t’u organizuar në përputhje me procedurat dhe standardet e miratuara në çdo pjesë të botës demokratike. Tentativat e sabotimit të funksionit primar, të diskreditimit të profilit profesional, të pikturimit si të një karikaturë e së shkuarës, të braktisjes në fatin e vet dhe madje deri në frikësimin e atyre që guxojnë të propozojnë përpjekje të ndrojtura për ta përshtatur atë me nivele më të pranueshme; për më tepër këtyre u janë shtuar forma të pashpjegueshme të imobilitetit, strategji konfuze që kurrë nuk u konsoliduan në projekte të vërteta dhe reale, teorema të tymosura të asimiluara nga leximi i nxituar i statuteve të të tjerëve që konsideroheshin si të përshtatshme për Shqipërinë, siç ishin ato të Anglisë, Francës ose Italisë, vende plotësisht ndryshe dhe që me të drejtë mburren me eksperienca të konsoliduara në këtë sektor. E gjitha kjo ndodhi pa hapur një diskutim të sinqertë edhe të zgjatur në kohë, për situatën aktuale dhe për shkaqet që e sollën atë, mbi hipotezën e një reforme të mundshme të përshtatshme për potencialin e një vendi në zhvillim si Shqipëria, dhe për të përmbushur njëkohësisht pritshmëritë për një specializim të lartë të gjeneratave të reja dhe për një vleftësim të avancuar të mallrave dhe burimeve ekonomike, mjedisore, kulturore dhe industriale të vendit. Me një fjalë, një projekt të vërtetë dhe të përshtatshëm i cili shikonte të ardhmen e Akademisë pa iu nënshtruar domosdoshmërisht polemikave të paqarta dhe debatit të kryer këto ditë nga filozofët e rinj me qëndrim gjakftohtë, nga të cilat Shqipëria duket se ka mrekullisht me shumicë pas rrëzimit të regjimit të vjetër.

Zoti Kryeministër,

Nuk Ju fshehim se eliminimi përfundimtar i Akademisë së Shkencave nga tabloja institucionale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor trondit ndërgjegjet tona për një arsye tjetër që mendojmë se është e nevojshme të ngrejmë: ajo krijon një mundësi shumë më të dëmshme nga sa mund të jetë në vetvete tentativa e shkrirjes, që është ajo e ndërtimit të strukturave alternative në varësi tërësore nga politika, nga stinët dhe humori i saj. Në botën e sotme shumë të globalizuar, është më e nevojshme të sigurohet autonomia e kërkimit shkencor, duke e bërë atë gjithnjë e më të lirë nga kushtëzimi i jashtëm i interesave të politikës, përfshirë dhe ato të industrisë. Në asnjë vend të botës nuk përndiqet shërbimi i shkencës, me përjashtim të vendeve nën diktaturë. Autonomia në mjediset e shkencës dhe promovimi shkencor është në fakt një nevojë thelbësore për të matur jo vetëm shkallën e demokratizimit të brendshëm të një vendi, por edhe për për të studiuar aftësinë e tyre për të identifikuar dhe zhvilluar, në një autonomi të përsosur dhe të vetëdijshme, bashkëpunime të frytshme dhe të qëndrueshme me institucionet ndërkombëtare akademike dhe universitare në bazë të interesave të përbashkëta kërkimore. Ndërhyrjet e jashtme mund të jenë shkak i ndryshimit të procedurave normale të protokollit dhe shpesh ndikojnë në bashkëndarjen e projekteve me interes reciprok të dyanshëm të partnerëve, për shkak të faktit se gjuhët e shkencës dhe politikës shpesh nuk takohen dhe nuk ndajnë të njëjtën gramatikë bazë. Duke ripërsëritur këtë parim universal, ne ripërtërijmë gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në çdo diskutim me kolegët tanë akademikë shqiptarë për të filluar stinën e re të rilindjes së Akademisë së Shkencave. Ne jemi plotësisht të bindur se aty ekziston potenciali, burimet dhe vullneti për të ringjallur fatet e institucionit prestigjioz që për vite me radhë i ka dhënë shkëlqim dhe orientim albanologjisë. Akademia nuk u ndërtua as nga godina dhe as nga pagat, por nga burrat bujarë, intelektualët e apasionuar, studiues eruditë me vlera të respektuar nga kolegët e tyre në botë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Kristo Frashëri, Jorgo Bulo, Stefanaq Pollo, Dhimitër Shuteriqi, Selaudin Betekshi, Petrit Gaçe, Petraq Pilika dhe eksponentët e tjerë të shumtë të brezit të parë të akademikëve, që ditën të disenjojnë një rol dhe një funksion për Akademinë “e tyre”, duke u ofruar brezave të ardhshëm me angazhimin e tyre një model të jetës dhe të shkencës, me respekt për kolegët dhe me pasion për kërkimin. Ndjekësve të tyre u takon detyrimi, pikërisht në këtë moment të vështirë dhe të papërsëritshëm që të imitojnë shembullin e tyre bujar.

Juve, Zoti Kryeministër, ju takon detyra të nisni “Rilindjen” e Akademisë, kolegëve tanë u takon ajo e realizimit, edhe me kontributin tonë të pa interes nëse do të na kërkohet.

Për sa më sipër, mbetemi në dispozicion kur dhe nëse Juve e shihni të nevojshme t’Ju takojmë personalisht për të ofruar bashkëpunimin tonë.

Ju falenderojmë për vëmendjen Tuaj.

Prof.
ALIU Ali Anëtar nderi Kosovë
ALTIMARI Francesco Anëtar nderi Itali
DJUROVIĆ Momir Anëtar nderi Mal i Zi
ISMAJLI Rexhep Anëtar nderi Kosovë
J. D. DRENTH Pieter Anëtar nderi Hollandë
JOCHALAS Titos Anëtar nderi Greqi
MANDALÀ Matteo Anëtar nderi Itali
PIERONI Andrea Anëtar nderi Itali
QOSJA Rexhep Anëtar nderi Kosovë

Vdes historiania amerikane Nancy Hatch Dupree

Nancy Hatch Dupree, një eksperte e njohur amerikane për historinë, artin dhe arkeologjinë e Afganistanit, vdiq të sot në moshën 90-vjeçare, e sëmurë, në një spital të Kabulit.

Dupree shkoi fillimisht në Afganistan në vitin 1962, si bashkëshortja e një diplomati amerikan dhe ia dedikoi pjesën tjetër të jetës grumbullimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore afgane në vendin e shkatërruar nga lufta.

Në vitin 2013, ajo themeloi Qendrën Afgane në Universitetin e Kabulit, instituti i parë i këtij lloji në Afganistan, që u mor me studimin e historisë, kulturës dhe shoqërisë afgane. Nancy Hatch Dupree ishte drejtoreshë e qendrës deri vonë.

Në disa intervista që ka dhënë gjatë viteve për Zërin e Amerikës, Dupree pati thënë se krijimi i Qendrës Afgane në Universitetin e Kabulit ishte frymëzuar nga puna dhe vizioni i Louis Dupree-së, një arkeolog dhe studiues i njohur i kulturës dhe historisë afgane, për të cilin ajo la burrin e saj diplomat.

Çifti u strehua në Pakistanin fqinj, pasi u dëbuan nga Afganistani në vitin 1978 nga qeveria e atëhershme afgane, e mbështetur nga sovjetikët, që dyshonin se Louis ishte spiun amerikan.

Pas vdekjes së të shoqit, në vitin 1989, Dupree e vazhdoi deri në fund të jetës misionin e saj për ruajtjen e historisë afgane./ KultPlus.com

Meshë falënderimi për Shën Terezën në Londër (FOTO)

Në Kishën e Apostujve të Shejt në Londër, sot është mbajtur Meshë e Falënderimit kushtuar Shën Nënë Terezës, në shenjë të njëzetë vjetorit të vdekjes dhe një vjetorit të shenjtërimit të saj, shkruan KultPlus.

Në këtë meshë ka marë pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci i cili edhe ka njoftuar për këtë ngjarje.

“Sot kisha nderin të marr pjesë në Meshën e Falënderimit kushtuar Shën Nënë Terezës, në përkujtim të 20 vjetorit të vdekjes si dhe një vjetorit të shenjtërimit të saj. Në meshë, e cila u mbajt në Kishën e Apostujve të Shejt në Londër, morën pjesë komuniteti katolik shqiptar në Britani të Madhe dhe Belgjikë. Mesha u kryesua nga Ipeshkvi i Katedrales së Southëark, Peter Smith. Një falënderim i veçantë i dedikohet Meshtarit të komunitetit katolik shqiptar, Atë Gary Walsh”, ka shkruar ai./KultPlus.com

Jepmu

Poezi e shkruar nga Donika Dabishevci.

Jepmu i tani,
i keq…

Shkujdesshëm
kam me t’fshi para
plandosun ke me u dergj,
shpirti ka me t’u shkri,
trupi kruspull
ka me t’psher’ti.

Ke me lshu kujën, ke me vajtu,
po kush s’ka me ta pa pikllimin,
kush s’ka m t’ngu,
kush s’ka me ia vu veshin lutjeve,
kush s’ka me ndi përgjërimin tand,
ke me plasë i vetëm
si murg i helmuem
si murg i zi.

Jepmu i tani,
i keq…
Përhant’ jam sonte,
e veç me fshikullu di.
Larg meje,
ose, jepmu qysh di ti!

Platoni: Qytetarë, më jepni 2 minuta t’ua sqaroj çfarë është Akademia…

Athinë, 2400 vite më parë. Është një vend kompakt: rreth 250,000 njerëz jetojnë këtu. Ka tualete të bukura, teatro, tempuj, tenda dyqanesh dhe gjimnaze. Arti po lulëzon dhe shkenca gjithashtu. Mund të zgjedhësh peshk shumë të mirë atje poshtë në port, në Pire. Është ngrohtë për më shumë se gjysmën e vitit.

Këtu është gjithashtu shtëpia e filozofit të parë të vërtetë – ka mundësi më të madhit-: Platonit.
I lindur në një familje të shquar dhe të pasur të qytetit, Platoni ia kushtoi jeten e tij një qëllimi: të ndihmonte njerëzit të arrinin një gjendje të cilës ai i vuri emrin:

εὐδαιμονία
Eudaimonia: kjo fjalë e veçantë por interesante greke është pak e vështirë për t’u përkthyer: ajo thuajse do të thotë “lumturi” por me të vërtetë i afrohet “përmbushjes”, sepse “lumturia” sugjeron shmangien e një trishtim të vazhdueshëm – ndërsa “përmbushja” është më në përputhje me periudhat e dhimbjes së madhe dhe të vuajtjes- e cila duket se është një pjesë e pashmangshme edhe e një jete të mirë.

Si propozoi Platoni t’i bënte njerëzit më të përmbushur? Në punën e tij qëndrojnë katër ide thelbësore:

Mendo më shumë
Platoni propozoi që jetët tona rezultojnë keq në pjesë të mëdha sepse ne pothuajse asnjëherë nuk i japim vetes kohë për të menduar mjaftueshëm me kujdes dhe logjikisht për planet tona. Dhe kështu ne përfundojmë me vlerat, karrierën dhe marrëdhëniet e gabuara. Platoni dëshironte të sillte rregull dhe qartësi në mendjet tona.
Ai vëzhgoi se sa ide tonat rrjedhin nga ajo që mendon turma, nga ajo çfarë Grekët e quajtën “doxa”, dhe ne do ta quanim “sens i përbashkët”. Dhe megjithatë në mënyrë të vazhdueshme, nëpër 36 libra që ai shkruajti, Platoni tregoi se ky sens i përbashkët përmbushej me shtrembërime, paragjykime dhe bestytni. Idetë popullore mbi dashurinë, famën, paranë apo mirësinë thjesht qëndrojnë në anën e përmbysur të arsyes.

Platoni gjithashtu vuri re sa krenarë ishin njerëzit që drejtoheshin nga instiktet apo pasionet e tyre (duke u hedhur në vendime të bazuara në asgjë më shumë sesa “si ata ndiheshin”), dhe ai e krahasoi këtë me të qënit i zvarritur në mënyrë të rrezikshme nga një grup kuajsh të egër me sytë e mbyllur.
Ndërsa Frojdi ishte i lumtur ta pranonte, se Platoni ishte shpikësi i terapisë, duke këmbëngulur që ne duhet të mësojmë t’ia paraqesim të gjitha mendimet dhe ndjenjat tona, arsyes. Sikurse Platoni në mënyrë të vazhdueshme shkroi, thelbi i filozofisë është:

γνῶθι σεαυτόν

“Njih veten.”

Duaj më me zgjuarsi
Platoni është një nga teoricienët më të mëdhenj të marrëdhënieve. Libri i tij, “Simpoziumi”, është një përpjekje për të shpjeguar se çfarë është dashuria në të vërtetë. Ai tregon historinë një feste në darkë të shtruar nga Agathon, një poet simpatik, i cili ftoi një grup miqsh përreth për të ngrënë, pirë, dhe folur për dashurinë.

Anselm Feuerbach, The Symposium, 1874
Të gjithë miqtë kanë pikëpamje të ndryshme mbi atë çfarë është dashuria. Platoni i jep mikut të tij të vjetër Sokratit – një nga personazhet kryesore në këtë dhe në të gjithë librat e tij – teorinë më të përdorshme dhe më interesante. Ajo vjen kështu: kur bie në dashuri, ajo çfarë po ndodh në të vërtetë është se ti ke parë në një tjetër person, disa cilësi të mira të cilat ti nuk i ke. Mbase është i qetë, kur ti acarohesh; ose është i vetë-disiplinuar, ndërsa ti nuk e përmban dot veten; ose është elokuent kur ti je gjuhë lidhur.

Fantazia themelore e dashurisë është se duke iu afruar këtij lloj personi, ti mund të bëhesh pak i ngjashëm me të. Mund të të ndihmojë të rritesh në potencialin tënd të plotë.
Në sytë e Platonit, dashuria është thelbi i një arsimimi të mirë: ti nuk do të mund ta duaje dikë me të vërtetë nëse nuk do të doje që të përmirësoheshe nga ai. Dashuria duhet të jetë ajo e dy njerëzve që përpiqen të jenë në rritje sëbashku – dhe që ndihmojnë njëri-tjetrin për këtë. Gjë që do të thotë se ke nevojë të jesh me personin tjetër i cili përmban një pjesë kyç të humbur të evolucionit tënd: virtytet që ti nuk i ke.

Kjo tingëllon tejet e çuditshme ditët e sotme kur ne priremi ta interpretojmë dashurinë si të gjetjen e një peson perfekt ashtu siç është. Në kulmin e argumentimeve, të dashuruarit ndonjëherë i thonë njëri tjetrit: “Nëse do më kishe dashur, nuk do të përpiqeshe të më ndyshoje.”
Platoni mendon diametralisht të kundërten. Ai do që ne të futemi në marrëdhënie në një mënyrë shumë më pak luftuese dhe krenare. Ne duhet të pranojmë se nuk jemi të kompletuar dhe t’i lejojmë të dashurit të na mësoje gjëra. Kjo do të thotë përkushtim për ta ndihmuar për t’u bërë një version më i mirë i vetes – dhe të durojmë pasazhet e stuhishme që kjo në mënyrë të pashmangshme përfshin – duke mos u bërë rezistencë gjithashtu përpjekjeve të personit për të na përmirësuar.

Rëndësia e bukurisë
Të gjithë – pak a shumë – i pëlqejnë gjërat e bukura. Por ne priremi t’i mendojmë si misterioze paksa në fuqinë e tyre mbi ne dhe, në një skemë më të madhe, jo tejet të rëndësishme.
Por Platoni propozoi se me të vërtetë ka shumë rëndësi se çfarë lloj shtëpish apo tempujsh, qypash apo skulpturash ke rreth teje.

Portret i Safos
Askush përpara Platonit nuk e kishte bërë pyetjen kyçe: përse ne i pëlqejmë gjërat e bukura? Ai gjeti një arsye mbreslënëse: ne njohim në to një pjesë të “së mirës”.
Ka shumë gjëra të bukura që synojmë të bëhemi: të mirë, të butë, harmonikë, të balancuar, paqësor, të fortë, dinjitozë. Këto janë cilësitë e njerëzve. Por këto janë gjithashtu dhe cilësitë e objekteve. Ne ndihemi në lëvizje dhe të ngazëllyer kur ne gjejmë në objekte cilësitë për të cilat kemi nevojë por na mungojnë në jetë.

Objektet e bukura aty për aty kanë një funksion vërtet të rëndësishëm. Ata na ftojnë të evulojmë në drejtimin e tyre, të bëhemi siç janë ato. Bukuria mund të edukojë shpirtrat tanë.
Kjo ndjek që shëmtia është një çështje e rëndësishme po ashtu, sepse paraqet karakteristika të rrezikshme dhe të dëmtuara përballë nesh. Na inkurajon të bëhemi si ajo: të ashpër, kaotikë, të çuditshëm. E bën shumë më të vështirë të qënit i zgjuar, i dashur dhe i qetë.

Platoni e shikon artin si terapeutik: është detyra e poetëve dhe piktorëve (dhe në ditët e sotme e romancierëve, prodhuesve televizivë dhe dizenjuesve) të na ndihmojnë të jetojmë jetë të mira.
Platoni besonte në çensurën e arteve. Nuk është paradoksi që duket. Nëse artistët mund të na ndihmojnë të jetojmë mirë, ata munden, për fat të keq, në të njëjtën mënyrë të na japin prestigj dhe magji për qëndrimet dhe idetë e padobishme. Thjesht të qënit artist nuk garanton se fuqia e artit do të përdoret me mençuri.

Kjo është aryeja përse Platoni besonte se artistët duhet të punonin nën komandën e filizofëve, të cilët do t’u jepnin idetë e duhura dhe do t’u kërkonin t’i bënin këto ide bindëse dhe popullore. Arti ishte një lloj prapagande – ose reklamimi – i të mirës.

Ndryshimi i shoqërisë
Platoni kaloi shumë kohë duke menduar se si qeveria dhe shoqëria duhet të jenë ideale. Ai ishte mendimtari i parë utopik në botë.

Edgar Degas, Spartanët e rinj duke u ushtruar, 1860
Në këtë, ai u frymëzua nga rivali i madh i Athinës: Sparta. Kjo ishte një makineri me madhësinë e një qyteti për të nxjerrë ushtarë të mëdhenj. Çdo gjë që bënë Spartanët – si i rrisnin fëmijët e tyre, si organizohej ekonomia e tyre, kë admironin, si bënin seks, çfarë hanin – i ishte përshtatur atij qëllimi të vetëm. Dhe Sparta ishte tejet e suksesshme, nga një pikëpamje ushtarake.

Por ky nuk ishte shqetësimi i Platonit. Ai donte të dinte: si do të përmirësohej një shoqëri duke mos prodhuar fuqi ushtarake por eudaimonia? Si mund t’i ndihmonte njerëzit në mënyrë të besueshme drejt përmbushjes?

Në librin e tij, “Republika”, Platoni identifikon një numër ndryshimesh që duhet të bëhen:

Ne kemi nevojë për heronj të rinj
Shoqëria e Athinës fokusohej shumë në pasuri, si aristokrati Alcibiades dhe sportistët e famshëm, si boksieri Milo i Croton. Platoni nuk ishte i impresionuar: ka me të vërtetë rëndësi se kë admirojmë, sepse të famshmit ndikojnë në paraqitjen tonë, idetë dhe sjelljet. Dhe heronjtë e këqinj u japin shkëlqim të metave të karakterit.
Ata për aty Platoni donte t’i jepte Athinës të famshëm të rinj, duke zëvendësuar aktualët me njerëz idealisht të mençur dhe të mirë që ai i quajti Kujdestarët (Modelet): modele për zhvillimin e mirë të çdokujt. Këto njerëz do të dalloheshin nga veprimet në shërbim të popullatës, modestia dhe zakonet e thjeshta, mospëlqimi i të qënit në qendër të vëmendjes dhe përvoja e tyre e gjërë. Ata do të ishin njerëzit më të nderuar dhe admiruar në shoqëri.

Ne kemi nevojë për çensurë
Sot çensura na shqetëson. Por Platoni ishte i shqetësuar për llojet e gabuara të lirisë: Athina ishte e lirë për të gjithë, edhe për opinion-shitësit më të këqinj. Nocione të çmendura fetare në dukje të ëmbla, por të rrezikshme, nxitën entuziazmin masiv dhe e çuan Athinën në qeverisje katastrofike dhe luftëra të gabuara (si një sulm fatal në Spartë).

Fjalimi në furneralin e Perikliut
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj një stuhie të zërave konfuzë ishte – mendoi Platoni – vërtet e dëmshme për ne, kështu ai donte të limitonte aktivitetet e oratorëve në publik dhe të predikuesve të rrezikshëm. Sot ai do të kishte qënë shumë dyshues mbi fuqinë e mediave.

Edukim më i mirë
Platoni besonte te arsim në mënyrë pasionante, por donte të rifokusonte planprogramin. Gjëja parësore që duhet të mësojmë nuk është vetëm matematika apo drejtshkrimi, por si të jemi të mirë: ne duhet të mësojmë për kurajon, vetë-kontrollin, arsyeshmërinë, pavarësinë dhe qetësinë.

Akademia e Platonit
Për ta vënë këtë në praktikë, Plato themeloi një shkollë të quajtur “AKADEMIA” në Athinë, e cila lulëzoi për rreth 400 vite. Aty shkoje për të mësuar asgjë më pak sesa si të jetosh dhe të vdesësh mirë. Është interesante dhe jo pak e trishtueshme se si institucionet akademike moderne e kanë nxjerrë jashtë ligjit këtë ambicie. Nëse një student do të shfaqej sot në Universitetin e Oksfordit apo Havardit duke kërkuar të mësohet se si të jetojë, profesorët do të thërrisnin policinë – ose azilin e të çmendurve.

Familjet më të mira të fëmijërisë përpiqen më së miri
Dhe ndonjëherë fëmijët qëllojnë me fat. Prindërit e tyre janë të balancuar mirë, mësues të mirë, tejet të pjekur dhe të zgjuar. Por shumë shpesh prindërit transmetojnë konfuzionet dhe dështimet tek fëmijët e tyre.

Të rinj minoan në boks (1500 PES)
Platoni mendonte se t’i rrisësh mirë fëmijët ishte një nga aftësitë më të veshtira (dhe më të nevojshme). Atij i vinte shumë keq për fëmijët që rriteshin në mjediset e gabuara familjare. Kështu ai propozoi që shumë fëmijë do të ishin në fakt më mirë nëse do ta merrnin vizionin e jetës jo nga prindërit e tyre por nga kujdestarët e mençur, të paguar për ta nga shteti. Ai propozoi se një pjesë e madhe e gjeneratës së ardhshme do të rritej nga njerëz më të kualifikuar sesa vetë prindërit e tyre.

Përfundim
Idetë e Platonit mbeten thellësisht provokative dhe interesante. Çfarë i bashkon ata është ambicja dhe idealizmi i tyre. Ai donte që filozofia të ishte një mjet për të na ndihmuar për të ndryshuar botën. Ne duhet të vazhdojmë të frymëzohemi nga shembulli i tij.(Shkruan Konica.al)/ KultPlus.com