Në një të ardhme, mbase asnjëherë

Nga Endrit Krasniqi

E di se do e lexosh këtë poezi, mbase do jesh duke shfletuar rrafshe të bardha
në vendin ku jo çdo njeri përket,
kokën e rënduar do ta kesh, gishterinjtë e tu do zgjaten nga dora jote e vogël dhe do prekin magjinë e cila nuk i jepet për barrë çdokujt,
mbase do të ç’lodhesh,
ndoshta do tërbohesh nga gëzimi
apo nga iluzionet e asaj që dikur ke mundur të jesh
Por mos e mallko veten,
ndoshta kjo është arsyeja pse po e lexon këtë poezi.

Gjithçka do ketë ndryshuar, do jenë shkruar libra për gjërat që nuk kishin përgjigje,
gjatë procesit mbase është deshifruar gjithçka
Apo ndoshta çmenduria do ketë arritur kulminacionin ku çdo gjëje do i jepet përgjigje pa e shkruar,
do flasin për dashurinë, pasionin, jetën pa e shijuar atë.

E di se do e lexosh këtë poezi kur do jesh në urat apo tunelet e labirintit të quajtur kohë,
kur asgjë nuk do ta bëj zemrën tënde të rrahë fort
nuk do e bëj as kjo poezi.
Mbase copëzat e tij janë shpërndarë, hidhu në aventura në kërkim të asaj që mungon, të nevoitet
E vetëm ti mund ta gjeshë.

E di se do e lexosh këtë poezi në zyrën tënde
duke sharë mëngjeset pse janë të hershme
Duke pyetur veten pse perëndimet janë të bukura dhe pse shfaqen vonë, duke menduar arsyet pse s’ke takuar disa persona,
pse ke hequr shikimin nga ajo që ke dashur dikur, mbase akoma vazhdon,
t’i mendosh dhe njëherë arsyet pse s’ka njeri të t’pres në shtëpi
dhe pse shtëpia e jote nuk është tamam e definuar.

Derisa përkëdhel qenin tënd do kuptosh se disa gjëra dashurojmë pa arsye, dhe se nuk do t’i kuptosh asnjëherë fjalët që nuk u thanë
Ndoshta as çmendurinë time.
Në rubinetin e kuzhinës tënde do rrjedhë ujë,
do kuptosh se asgjë nuk kthehet si dikur,
por nuk do arrishë t‘i kuptosh arsyet e ikjes.

E di se do e lexosh këtë poezi duke menduar për personat që ke dashur, disa nga të cilet mbase vazhdon t’i dashurosh akoma,
por në vende sekrete sa vet universi do kishte vend dhe për të tjerë që hapsirë s’ju dhe,
mbase do jesh bërë pishman për udhëtimet që s’ke nisur, dashurinë që s’ke falur, vërenjtjen
që nuk lejove të ta heqin nga sytë
Duke u frikësuar se njerëzit shkatërrojnë gjërat e bukura.
Të mendosh akoma ashtu më tmerron dhe pse nuk të njohë
Ngase e di se je duke e lexuar këtë poezi.

Në parkun përballë do shafqen kujtimet si meteorët, nuk ke pse frikësohesh,
me siguri ke krijuar yjet e tu,
nga lumturia e tyre do harrosh gjithçka; premtimet që ke dhënë për bifurkacionin
së bashku me dizajnin e shtëpisë që do ndërtonit në hënë.
Kështjella e qelqit do jetë thyer
Ndoshta fillimi i saj fillin nuk e gjeti kurrë.

E di se do e lexosh këtë poezi ngase njerzit harrojnë
Ose bëjnë sikur, ti vazhdon t’i përseritësh gjërat e vogla që kanë kuptim për ty, mos u mbyll në kullla harrimi.

Kur rrugët nuk bashkojnë më mos mendoni se çdo gjë ka marrë fund,
do mësoheni pa njëri-tjetrin sikur dallëndyshet kur ua shkatërruam strofullat, ato gjetën shtëpi të re.
Fjala e nisur shpejt mund të vras gjithçka në sekonda, mund të ndërtoj dhe harqe bashkimi.

E di se do e lexosh këtë poezi
se s’do kesh gjë tjetër për të bërë ndoshta,
qielli nuk do jetë i purpurt më
Gjithçka do jetë e metalt sikur ky shi,
në qetësi do kërkosh të strehohesh diku
për t’ia mbyllur dyert botës së marrë
dhe gjërave që zotëroje dikur
Të cilat përfunduan duke të t’zotëruar ty.

Kur larg ëndrrave të jesh dhe ta kuptosh se ke bërë luftën e gabuar,
Dhe një herë gishterinjtë e tu nga dora jote e vogël do zgjaten për në raftin e ëndrrave
Unë e di; do jesh duke lexuar këtë poezi.

Nesër fillon Festivali HAPU

Festivali i artit në Hapësirë Publike ‘HAPU’, vjen me edicionin e tij të katërt duke vazhduar suksesshëm rrugëtimin e tij, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili fillon nesër, edhe këtë vit ka në qendër lëvizjen në hapësirat publike të qytetit të Prishtinës, duke vazhduar eksplorimin e tyre të pashterur në kërkim të pikave që promovojnë lëvizjen e përbashkët me qytetin.

Sipas drejtorit artistik të festivalit, Florent Mehmeti, me këto lëvizje publiku do të përjetoj së bashku eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit për kryeqytetin.

“Duke lëvizur do të takohemi, do të bashkë-krijojmë, bashkë-bisedojmë e bashkë-ndjejmë dhe do të bashkë-lëvizim. Lëvizja e qytetit do të na prodhojë imazhet e lëvizura të transformuar në një film që për rol kryesor ka banorët e këtij qyteti dhe vizitorët e shumtë në këtë kohë”, është shprehur ai.

Florent Mehmeti

HAPU këtë vit hapet në natën e parë me lëvizjet e “Liquid Loft” nga Austria, mjeshtërisht të koreografuara nga Chris Haring duke lëvizur kështu bashkë me publikun deri në oborrin e Muzeut të Kosovës dhe prej aty do të jehojnë në kokat tuaja shumë e shumë gjuhë nga kënde të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe gjuhën e regjistruar në Prishtinë, të asociuara me imazhet në lëvizje të krijuara me finesë nga Liquid Loft.

HAPU fillon nesër dhe vazhdon aktivitetin e tij deri më datë 24 korrik. /KultPlus.com

Reth programit: http://hapu.me/repository/docs/Hapu%204_Booklet_shqip_web.pdf

‘Hajde bac hajde’, komunikimi në delegacionin kosovar në Bruksel

Në prag të takimit me Federica Mogherinin, delegacioni kosovar që udhëtoi në Bruksel të martën realizoi një fotografi me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian.

Para se të zinin vendet për fotografinë e përbashkët, disa nga anëtarët e delegacionit kosovar ngurruan të dilnin në pjesën ku po qëndronte Mogherini. E në këtë situatë filloi një komunikim i pazakontë mes tyre; një komunikim jozyrtar me nofka.

Kryeparlamentari Kadri Veseli e ftonte Behgjet Pacollin që t’i bashkohej atij dhe Mogherinit në podium, teksa i drejtohej atij si “bac”.

“Hajde bac! Hajde bac hajde”, i thoshte Kadri Veseli, ministrit të Jashtëm Behgjet Pacollit në prani të Mogherinit, raporton Insajderi.

Ndërkaq, presidenti Thaçi i drejtohej delegacionit kosovar ku bën pjesë edhe ai vet, si: “Kosovo Family” dhe i ftonte ata për të realizuar një fotografi duke thënë: “Hajde Family”.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ishte fiksuar pas një simboli të flamurit kosovar që e mbante në uniformën e tij. Këtë simbol, ai ia tregoi fillimisht Mogherinit.

“Më lë që ta fokusoj flamurin e Kosovës”, i tha Haradinaj, Mogherinit. Derisa pas realizimit të fotografisë, Haradinaj tha se herën tjetër do ta merrte një flamur të vogël të Kosovës për ta mbajtur në duar.

I gjithë ky bashkëbisedim mes pjesëtarëve të delegacionit kosovar dhe Federica Mogherinit është inçizuar nga kamera e Zërit të Amerikës, pak para se të fillonte takimi mes dy palëve. / KultPlus.com

Inspektorati i Arsimit anulon rregulloren e Arteve

Inspektorati i Arsimit ka vendosur dje, më 17 korrik 2018, ta anulojë rregulloren për avancime në Fakultetin e Arteve dhe pjesërisht konkursin e Universitetit të Prishtinës (pjesën e Fakultetit të Arteve) për zgjedhjen e stafit akademik, njofton kumtesa nga Organizata për rritjen e cilësisë në arsim.

Ky vendim i Inspektoratit vjen pas rekomandimeve të dërguara nga Inspektorati i Arsimit për Universitetin e Prishtinës me datë 22 qershor 2018 ku kërkoheshin ndryshimet e përcaktuara në vendimin e tashëm. Për shkak të mosveprimit të Senatit të UP-së, rekomandimet janë lëshuar tashmë në formën e vendimit të përmendur, transmeton Koha.net.

Më 18 maj 2018, ORCA ka ushtruar kërkesën për inspektim te Inspektorati i Arsimit ku ka kërkuar anulimin e rregullores për avancimin e profesorëve në Fakultetin e Arteve të UP-së dhe rrjedhimisht anulimin e pjesshëm të konkursit për zgjedhjen e stafit akademik të UP-së.

ORCA i ka bërë këto kërkesa për faktin se rregullorja aktuale e Fakultetit të Arteve e miratuar në muajin prill, cënon rëndë cilësinë e mësimdhënies në UP duke mospërfillu ekzistencën e gradës “Doktor i Arteve”, duke e njohur vetëm gradën “Master i Arteve”, kësisoj duke pamundësuar konkurrencën e doktorëve të arteve dhe doktorantëve të arteve në këtë fakultet.

Miratimi i kësaj rregulloreje do ta rrezikonte të ardhmen e Fakultetit të Arteve për sa i përket akreditimit të programeve ku kërkohen doktorë të shkencave apo doktorë të arteve, dhe po ashtu do ta pamundësonte hapjen e programeve të doktoraturës së arteve në të ardhmen e rrjedhimisht prodhimin e kuadrove që do të mund t’i bartnin programet e këtij fakulteti sipas ligjeve në fuqi. /KultPlus.com

Me një fotografi satirike të John Cenës, Fatmir Spahiu thotë: Faleminderit për liberalizimin e fituar

Komisionari i BE-për për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, sot ka thënë se Kosova tanimë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Një lajm i tillë ka gëzuar të gjithë shqiptarët e Kosovës, të cilët ndjejnë se po i afrohen liberalizimit të vizave.

Një ngjarje e tillë është komentuar edhe nga figurat publike.

Ka qenë aktori Fatmir Spahiu, ai i cili ka vendosur të publikojë në rrjetin social Instagram një fotografi të përgjakur të mundësit të njohur, John Cena.

“Falemnderit krejtve për liberalizimin e fituar”, shkruan aktori në mbishkrimin e fotografisë.

Duket se me këtë ai ka vendosur të ironizojë me politikanët dhe situatën politike, pasi Kosovës i mbetet ende rrugë drejt liberalizimit.

Ky postim është shoqëruar me komente të shumta nga ndjekësit e tij. /KultPlus.com

‘HangoverFest’, Gjakova sjellë festivalin më të madh në ambient të hapur

Nga data 23 korrik deri më 4 gusht, do të mbahet festivali më i madh dhe më i gjatë në ambient të hapur, ‘Hangover Fest 2018’.

Festivali që synon të bëhet tradicional vjen kësaj radhe në formë spektakolare.

Me dhjetëra artistë vendorë e ndërkombëtarë, Hangover Club ka konfirmuar se Gjakova do të presë vizitorë nga rajoni dhe gjithë Kosova për 13 ditë.

Në njoftimin e Hangover Club në faqen zyrtare thuhet se ky është festivali më i madh në vend në ambient të hapur, të cilin po e sjell për herë të parë Gjakova.

Sipas burimeve mbrëmjen përmbyllëse të festivalit performon një DJ me renome ndërkombëtare, teksa edhe në netët tjera do të peformojnë emrat më të mëdhenj të skenës vendore.

“Open Air meets Freedom” është slogani i festivalit, ndërsa në ditët në vijim do të zbulohen edhe emrat të cilët do të performojnë në këtë festival /KultPlus.com


Martin Garrix, i emocionuar për koncertin në Prishtinë

DJ i mirënjohur holandez Martin Garrix është i emocionuar për koncertin që do ta mbajë në Kosovë.

Ylli i hitit “Animals” do të jetë njëri nga performuesit në festivalin e organizuar nga Dua Lipa “Sunny Hill Festival”, që do të mbahet në gusht.

Në “Instastory” ai ka postuar foton e tij që konfirmon pjesëmarrjen në “Sunny Hill Festival”, ndërsa ka shkruar, “shumë i emocionuar për këtë”.

Përveç Martin Garrixit në Prishtinë më 10, 11, dhe 12 gusht do të perfomojnë yjet e muzikës Action Bronson, Grace Carter, SG Leëis, Col3 Trane, Dafina Zeqiri e Stanaj. / KultPlus.com

Granit Xhaka ‘provokon’ prapë me shqiponjë (FOTO)

Futbollisti i njohur shqiptar, Granit Xhaka vazhdon të tregojë krenarinë e tij për prejardhjen shqiptare.

Performanca e futbollistit Xhaka së fundmi në kampionatin Botëror u vlerësua lartë, gjersa simboli i shqiponjës i bërë pas shënimit të golit kundër Serbisë, u kthye në senzacion.

Tani, simboli i shqiponjës është kthyer në trend dhe figurat publike tentojnë ta bëjnë kudo.

Ndërsa tani ai së bashku me bashkëshorten e tij Leonita, po kalojnë pushimet verore në ishullin luksoz Seychelles, në Afrikën Lindore.

Graniti dhe Leonita në fotografinë e fundit të hedhur në Instagram, shfaqen të ulur buzë detit, teksa me bashkimin e duarve të tyre bëjnë këtë simbol.

Fotografia në fjalë ka marrë mijëra pëlqime dhe komente nga ndjekësit e tyre të shumtë. /KultPlus.com

Dua Lipa promovon artistët shqiptarë që do të jenë pjesë e ‘Sunny Hill’ (FOTO)

Në datat 10, 11 dhe 12 gusht do të organizohet festivali i madh “Sunny Hill” në Prishtinë.

Për këtë festival do të vijë enkas nga Londra, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Ndërkohë, sot është konfirmuar se pjesë e tij do të jetë edhe DJ me famë botërore, Martin Garrix.

Në festival nuk do të mungojnë edhe shumë prej emrave shqiptarë, të cilët do të argëtojnë për tre netë rresht publikun shqiptar me këngë të ndryshme.

Ka qenë vet këngëtarja Lipa, e cila së fundmi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, ka promovuar të gjithë emrat që do të jenë pjesë e festivalit.

Në InstaStory, ajo iu ka kushtuar kujdes artistëve Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, DJ Gamble dhe Durim Xhema.

Ndërkohë, në fotografitë tjera, ajo gjithashtu promovon emra të tjerë si: Dafina Zeqiri, Albert Stanaj, Action Bronson, Grace Carter, SG Lewis, Col3trane e shumë të tjerë.

Të gjitha informacionet për festivalin Sunny Hill Festival (10, 11, 12 gusht) si dhe biletat me çmime promovuese mund t’i gjeni në web faqen zyrtare: SunnyHillFestival.com (Kliko Këtu) /KultPlus.com



Jo vetëm shiu nga Argjentina Ramosaj (VIDEO)

Një këngëtare e veçantë, Argjentina Ramosajn e kujtojmë prej shumë këngëve dhe melodive të veçanta të cilat ajo i ka sjellur ndër vite me zërin e saj të ëmbël.

Ajo mund të mos ketë shumë këngë, por i ka krijuar dhe interpretuar me shpirtin e saj shpalosur.
Argjentina ka eksperimentuar me zhanre të ndryshme, dhe rrallë herë nuk ka goditur tek ata që e duan dhe e çmojnë pasaportën e saj muzikore.

Kënga “Shiu” mbetet një prej baladave më të mira të Argjentinës. E sjellë vite më parë, shoqëruar edhe me një videoklip simpatik, kënga tregon ikjen e një djali nga jeta dashurore e një çifti. Një tekst i lehtë shoqëruar gjithmonë me shi, kjo këngë është ideale për tu dëgjuar në këtë mot me shi.

Ndër këngët e para të Argjentinës, në mos e para, është “Shpirt i mbytur”. Kënga është e veçantë dhe ka një refren që lehtë mbetet në mendje. Gati 400 mijë klikime në Youtube e tregojnë vlerën që këngës ia atribuojnë fansat e saj. Madje, poshtë në komente shihet se njerëzit e dëgjojnë këngën edhe sot, disa vite pasi ajo është lansuar.

“Engjëjt për ne do të qajnë” i përket maratonës së këngëve të mahnitshme të Argjentinës. Argjentina, ndonëse jo gjithmonë shumë aktive në muzikë, përkujdeset që çdo këngë e saj të lërë gjurmë dhe të jetë një histori në vete, duke mos dalë në kompromis me antivlerën dhe duke arritur të krijojë gjithmonë diçka të mirë për vesh. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandumi për “Kujtesa e Kosovës: Histori Gojore – 100 Rrëfime nga 100 Pleq e Plaka”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku kanë nënshkruar memrondumin e bashkëpunimit për realizimin e projektit “Kujtesa e Kosovës: Histori Gojore – 100 Rrëfime nga 100 Pleq e Plaka”.

Projekti, “Kujtesa e Kosovës: Histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ka për qëllim mbledhjen, dokumentimin, publikimin dhe promovimin e historive gojore të personave të moshuar të Kosovës dhe që përmes trajnimit të formohet një model dhe një qendër informative dhe trajnuese për krijimin e një bashkëpunimi të fuqishëm për historinë gojore në mes të studentëve, stafit të Bibliotekës, hulumtuesve të rinj dhe përfaqësuesve joqeveritar.

Temat që trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar do të jenë tema mbi organizimin e jetës, zakonet, organizimin e fshatit, duke përfshirë këtu zakonet ekonomike e edhe marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu do të mblidhen historitë gojore të mbajtjes së fesë dhe tolerancës, artit dhe zejtarisë, martesave dhe të drejtave të grave në përgjithësi.

Në bazë të memorandumit MKRS-ja merr për obligim mbështetjen financiare të projektit në një vlerë prej 15 mijë euro. Ndërsa, BKK-ja është përgjegjëse për zbatimin e projektit në fjalë.

Ministri Gashi me këtë rast vlerësoi se me nënshkrimin e këtij dokumenti po mundësojmë konkretizimin e një projekti të rëndësishëm për të kaluarën dhe historinë tonë.

“Përkrahja e MKRS-së për projekte të cilat dokumentojnë dhe promovojnë jetën dhe zakonet e të së kaluarës së popullit të Kosovës është në kuadër të politikave që kemi marrë përsipër t’i avancojmë dhe është obligim i yni kundrejt qytetarëve”, tha mes tjerash ministri Gashi.

Ndërsa, drejtori Gajraku falënderoi ministrin Gashi për gatishmërinë e treguar për projektin në fjalë dhe për tërë mbështetjen që ai dhe ministria kanë për BKK-në.

Gajraku nënvizoi se projekti do t’i shërbejë shumë Bibliotekës për studimet e mëtejme dhe trajnimin e stafit dhe studiuesve pasionantë. / KultPlus.com

Isa Qosja fillon xhirimet e filmit të ri, një aktore e njohur në rolin kryesor (FOTO)

Regjisori i mirënjohur i Kosovës Isa Qosja kthehet në vendlindjen e tij për një arsye të veçantë, përcjellë KultPlus.

Një nga regjisorët më të shquar të Kosovës, Isa Qosja, po përgatit filmin e tij të ardhshëm me titullin “The Stroke”, i cili për herë të parë do të trajtë vendin e lindjes së tij, Malin e Zi. Filmi i fundit i Qosjes, “Tri Dritare dhe një Varje” (2014), kishte një qarkullim të gjerë në festivale ndërkombëtare ku gjithashtu është shpërblyer me çmime të shumta. Ai është mbrapa disa prej klasikëve të kinematografisë të Kosovës si “Proka” (1985), “Rojet e Mjegullës” (1988) dhe “Kukumi” (2005).

Sipas informacionit të parë në dispozicion, filmi do të xhirohet në vendlindjen e Qosjes, në Gusi, i cili është një qytet i vogël në veri-lindje të Malit të Zi , diçka që ka qenë një nga ëndrrat më të mëdha të regjisorit për të realizuar. Në rolin kryesor luan Arta Dobroshi, një nga aktoret më të famshme të Kosovës, e njohur për performancën e saj në “Lorna’s Silence” nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, dhe në “Three Worlds” nga Catherine Corsini. Pjesa tjetër e ekipit përfshin Arben Bajraktaraj dhe Mirush Kabashin. Gjithashtu, Qosja do të bashkëpunojë përsëri me Gökhan Tiryaki, kinematograf turk i mirënjohur ndërkombëtarisht dhe i vlerësuar me shumë çmime, i cili është veçanërisht i njohur për punën e tij në “Winter Sleep” nga Nuri Bilge Ceylan, fitues i çmimit Palme d’Or, dhe “Ivy” nga Tolga Karaçelik.

Në lidhje me filmin e ri dhe rëndësinë e lokacionit, Qojsa deklaroi:

“Dua të shpreh qëndrimin tim për filmin “The Stroke” jo vetëm për faktin që ndryshon nga filmat e mi të mëhershëm “Kukumi”, “Tri dritare dhe një varje” etj, por edhe për faktin që pas shumë vitesh kthehem në vendlindje Gusi, Mal të Zi për t’a realizuar këtë projekt. Inspirimi im nuk është vetëm vendi ku kam lindur por janë njerëzit, ndodhitë dhe shkretëtira që kanë ata brenda shpirtit. Janë familjet e ndara në dysh: të vjetërit që jetojnë aty dhe të rinjtë që kanë emigruar në Amerikë. Kështu ngadalë dhe heshturazi shuhen familjet, qytetëzat, fshatrat. Jam i bindur që kjo temë do komunikojë emocionalisht me shumë njerëz që e njohin dhe e dinë shijen e hidhur të emigracionit”.

Filmi është prodhuar nga 4MM Productions dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Në lidhje me pritjet e drejtorit për filmin, ai shtoi gjithashtu “pres që ky film të merr vëmendje të merituar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare.” / KultPlus.com

Albin Kurti: Shqipëri e Kosovë të bashkohemi si konfederatë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, përsëriti në RTSH objektivin e tij politik për bashkimin kombëtar të shqiptareve, ndërsa tha se ky projekt nuk bie ndesh me atë të BE-së, përcjell Koha Jonë.

“Nuk jam fare kundër BE-së, përkundrazi. Jam një avokat i madh i BE-së dhe mendoj se BE duhet mbrojtur. Mendoj se paqja e qëndrueshme mban emrin e Bashkimit Evropian. Dhe në paqe të qëndrueshme kemi antifashizmin brenda. Por jam edhe avokat i shtetit të mirëqenies, i cili e kombinon rritjen ekonomike me drejtësinë sociale”- tha Kurti në emisionin “Përballë” të RTSH-së.

Ndonëse projekti i Vetvendosjes për bashkimin e shqiptarëve gjen pengesë në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk gezon as mbështetjen e ndërkombëtarëve, Albin Kurti e sheh edhe variantin që ai mund të ndodhë përpara mbërritjes në BE.

“Për një periudhë kalimtare le të bëhemi konfederatë apo federatë. Nuk do isha kundër një solucioni të tillë, por gjithsesi vetëm si një fazë kalimtare. Nëse ne hapat integrues drejt bashkimit I përshpejtojmë dhe I kemi më seriozë e më të sinqertë se deri tani, atëherë bashkimi ynë do të mund të ndodhë para Bashkimit Evropian”, – u shpreh Albin Kurti.

Për Albin Kurtin integrimi i 6-të vendeve te Ballkanit në BE duhet te jetë i njëkohshëm.

Përse nuk vjen?!

Poezi e shkruar nga Mikai Eminesku.

Shoh dallëndyshet që ikin larg,
Dhe gjethet që u zverdhën pak.
Mbi vreshta tutje bryma ra,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Eja në krahë të të mbaj,
Të t’admiroj e të vdes pastaj.
Dhe ta vë kokën që më dhëmb,
Mbi gjoksin tënd, mbi gjoksin tënd!

A të kujtohet koha vallë,
Kur të dy bridhnim në livadhe.
Kur unë të ngrija pupël në erë,
Me mijëra herë, me mijëra herë!

Në botë gjenden femra plot,
Që sytë i kanë zjarr e lot.
Të arta qofshin ato gra,
Si ti nuk ka, si ti nuk ka!

Ti dritë do sjellësh e kthjellim,
Në jetën time, shpirtin tim.
Ti mbi çdo yll ke bukuri,
E dashur moj, e shtrenjtë ti!

Vjeshta tani mbi fushat zverdh,
Rrafshnaltat i shkretoi përreth.
Po bien fletët ca nga ca,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

“Histori maje kulmi” nisi dekadën e parë të PriFest-it

Alberina Haxhijaj

“Histori maje kulmi”, me regji të Gazmend Nelës, ka qenë filmi i cili ka shënuar hapjen e edicionit të 10-të të PriFilm Fest. Sot, siç e do edhe tradita e këtij festivali është mbajtur edhe konferenca për media për të mësuar më shumë rreth filmit nga regjisori Gazmend Nela, skenaristi Arian Krasniqi si dhe aktori Xhevdet Doda.

Fatos Berisha nga PriFilm Fest u shpreh i lumtur që ky film ka bërë hapjen e edicionit të 10-të për faktin se është një film vendor dhe pikërisht ky edicion është i veçantë pasi që 11 filma nga Kosova do të jenë pjesë e tij.

https://www.facebook.com/Rooftopstoryfilm/videos/289692948187724/

Filmi mbrëmë ka pasur premierën në Kosovë pas premierës në Kanada në Festivalin e Filmit “Montreal World Film Festival”, ndërsa në PriFilm Fest ai është në garë në kategorinë e filmave ballkanik.

Për regjisorin Gazmend Nela rikthimi në PriFilm Fest pas 10 viteve është shumë i rëndësishëm për të. Kujtojmë se ai kishte marrë pjesë në këtë festival në edicionin e parë të festivalit.

“Pas 10 vite jam rikthyer përsëri në PriFilm Fest. Filmi është xhiruar në Prishtinë në qytetin ku kam lind e jam rritë. Në Kanadë ka pasur emocione mirëpo këtu ka qenë krejtësisht ndryshe pasi që emocionet ishin shumë më të forta”, u shpreh regjisori.
E veçantë e këtij filmi është se ai është bardh e zi. Diçka e cila sipas regjisorit është bërë në mënyrë që të largohet nga ngjyrat, nga realiteti, në mënyrë që filmi të mos krijojë përshtypjen e dokumentarit.

Konceptualisht filmi i ka dy veçanti sipas skenaristit Arian Krasniqi. 98% e filmi është xhiruar në ambient të hapur ku qyteti i Prishtinës ka shërbyer si skenografi e filmit. Pastaj, për më shumë se 1 orë sa zgjatë edhe filmi, paraqitet e gjithë ngjarja që ndodh brenda një ditë.

“Filmi është xhiruar për 30 ditë për të krijuar përshtypjen se ngjarja po ndodh brenda një dite”, theksoi skenaristi.

Ai u shpreh se së bashku me regjisorin mund të konsiderohen bashkautorë në skenar pasi që janë bashkuar rreth idesë për të treguar sipas tij një histori jo të zakonshme të Prishtinës në një rrëfim kinematografik.

“Ndjenja që ta jep vizaulizimi, momenti kur ti punën tënde në letër e sheh në ekran të madh është një ndjenë e papërshkrueshme. Kjo është magji e ekranit, magjia e filmit që të bënë të ndihesh i veçantë”, u shpreh skenaristi.

Filmi është një dramë psikologjike dhe flet për një profesor i cili e humb familjen e tij dhe në luftën për mbijetesë shndërrohet në një të pastrehë . Ai takohet pastaj me një vajzë e cila po ashtu e ka humbur fëmijën çfarë mund të konsiderohet edhe fillimi i dramës.

Aktor Xhevdet Doda, u shpreh shumë i lumtur që ka qenë pjesë e ekipit të filmit.

“E mira e këtij roli ka qenë që së bashku me regjisorin kam punuar gjatë gjithë kohës dhe kam pasur kohë të mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë rol. E kam ditur se çfarë kam dashur dhe kam vendosur disa pikë mbi të cilat kam dashur që ta ndërtoj rolin të cilat janë përkrahë edhe nga regjisori”, u shpreh aktori Doda.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Xhevdet Doda, Mona Mustafa, Art Lokaj, Ismet Azemi, Sylejman Lokaj, Safete Rugova, Florist Bajgora, Ermal Gerdovci, Defrim Salihu, Selatin Ademi e të tjerë. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Rooftop Story” u shfaqë mbrëmë në dy lokacione: tek Teatri Kombëtar i Kosovës dhe tek platoja në Sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet, njëlloj siç do të ndodhë edhe me filmat e tjerë.

Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest. / KultPlus.com

Deshifrohet papirusi misterioz (FOTO)

I quajtur papirusi i Baselit daton para 2000 vjetësh. Të gjitha studimet kanë përcaktuar si autor Galenon, mjekun më të famshmëm të historisë pas Hipokratit.

Deri më tani askush nuk kishte mundur ta deshifronte përmbajtjen e tij, por një kërkim i realizuar nga ekipi i universitetit të Standfordit arriti ta zgjidhte misterin.

Ata përdorën teknologjinë më të të avancuar dhe mundën të zbulojnë se papirusi ishte i formuar nga shumë të tjerë, të palosur njëri mbi tjetrin. Kur u ndanë u bë i mundur deshifrimi.

Më në fund, ashtu siç dyshohej bëhej fjalë për një tekst mjekësor që trajton të ashtuquajturën apne (mungesën e frymëmarrjes) histerike.

Kjo lejoi të konfirmohej se autori ishte Galeno, ose në mungesë të tij dikush që ka komentuar punën e tij.

Sipas shkencëtarëve bëhet fjalë për një zbulim interesant sepse shumica e papiruseve janë letra ose dokumente administrative, ndërsa nuk ka shumë që të përmbajnë tekste letrare ose shkencore.

Rikonstruktohet “Dora d’Istria”, Veliaj: Nuk paska kënaqësi më të madhe se të transformosh shkollën

Këtë shtator nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Dora d’Istria” do të kenë një ambient krejtësisht të ri. Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar ambientet e kësaj shkolle dhe ka shtuar sipërfaqen e ambienteve të reja që pritet të sjellë dhe ulje të numrit të nxënësve nëpër klasa duke rritur edhe cilësinë në mësimdhënie.

Lajmin e mirë e ka dhënë kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili përmes një postimi në twitter ka publikuar disa nga fotot e transformimit rrënjësor që ka pësuar shkolla “Dora d’Istria”, institucion në të cilin ka studiuar ai vetë dhe dy ministret, ajo e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.

“Ej @xhacka_olta & @GManastirliu – shiheni pak ish-shkollen tone 20 Vjetori – sot Dora D’Istria! Nuk paska kenaqesi me te madhe se te transformosh shkollen ku jemi rritur vete! Ish nxenes ne @BashkiaTirane & @AlbGov bashke per Tiranen qe duam”, shkruan Veliaj.

Dua Lipa do të këndojë kolonën zanore të “James Bond”

Tashmë është zyrtare: Dua Lipa do të këndojë kolonën zanore të filmit “James Bond”, në hapat e gjigandëve të muzikës botërore.

Shqiptarja 22-vjeçare sfidoi këto muaj Adelen, që e ka kënduar më herët kolonën zanore të “Skyfall” apo edhe Ed Sheeran, Jessie J dhe Paloma Faith. Zgjedhja për këngëtaren shqiptare, e cila po korr sukses në çdo fushë të “showbiz”-it, duket se ka qënë e vetë regjisorit të “James Bond”, Danny Boyle. Dhe suksesi për vazhdimin e sagës “James Bond” duket se është i garantuar, transmeton tch.

“Dua ishte pretendentja jonë kryesore që në fillim të projektit të radhës së agjentit 007, për të cilin deri më tani kemi punuar në titullin “Bond 25”, dedikuar prodhimit të 25 ndër vite të agjentit James Bond”, thotë Boyle, që duket se pas shumë spekulimeve ia ka besuar sërish britanikut Daniel Craig.

Edhe skenari është drejt fundit, thotë regjisori dhe Richard Curtis ka bërë një punë të mrekullueshme mbi të.

Kolona zanore e filmit “James Bond” ka luajtur një rol të madh gjatë prezantimit të tij dhe çdo film, që nga i pari në vitin 1962, ka patur këngën e tij. Për herë të parë kolonën zanore të James Bond “We have all the time in the World” e ka kënduar Louis Armstrong e pas tij me radhë emrat më të suksesshëm të muzikës botërore si Paul McCartney, Tom Jones, Nancy Sinatra, Adele, Madonna, Tina Turner, Duran Duran, Alicia Keys dhe Sam Smith, në filmin e fundit “Spectre”.

Libri me poezi i Lulzim Tafës vjen edhe në gjuhën maqedone

Njëra ndër shtëpitë më të njohura botuese në Maqedoni “Akademksi Peçat”, ka botuar një përmbledhje me poezi të zgjedhura të poetit të njohur kosovar, Lulzim Tafa, me titull “Dali ti imas bolka” (“Ti a ke dhembje”).

Në parathënien e librit, studiuesi maqedonas Hristo Petreski, e ka quajtur Lulzim Tafën një poet me stil dhe gjuhë të veçantë, duke ia tërhequr vëmendjen lexuesit maqedonas për poezinë, siç e quan ai, të ngrohtë që sjell Lulzim Tafa në poezinë e tij.

Lulzim Tafa është i pranishëm në letërsinë shqipe për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke qenë njëri ndër poetët më të përkthyer shqiptar në botë. Poezitë e tij janë përfshirë edhe në disa antologji botërore dhe është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare për letërsi.

Krahas botimeve në shumë vende të botës, viteve të fundit është botuar edhe në vendet e ish Jugosllavisë, si në Sarajevë e Podgoricë, dhe është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit por edhe nga kritika letrare. Madje, dy shkrimtarët më të mëdhenj të vendeve të tyre, Jevrem Bërkoviq në Mal të Zi dhe Abdullah Sidran në Bosnjë e Hercegovinë, nuk kanë ngurruar ta cilësojnë Lulzim Tafën, njërin ndër poetët më të mirë të Ballkanit./ KultPlus.com

Daft Punk Official Tribute Show hapin festivalin BeerFest Kosova 8

Më 25 korrik deri më 29 korrik në Prishtinë vjen edicioni i tetë i BeerFest Kosova, shkruan KultPlus.

Për herë të parë në Kosovë, në këtë edicion të BeerFest, do të vijë grupi DAFT PUNK Official Tribute Show, të cilët njëkohësisht do ta bëjnë edhe hapjen e festivalit. Daft Punk, janë duo që sjellin muzikë elektronike ndërsa janë fitues të çmimeve të ndryshme e po ashtu edhe çmimeve Grammy.

Ndërkohë, në BeerFest, përpos pijeve me çmime promovuese do të performojnë edhe këngëtarë e grupe të tjera vendore. Ndër ta janë NR, Genta Ismaili, Genc Prelvukaj, e të tjerë.

BeerFest Kosova, mbahet te Parkingun i Pallatit të Rinisë dhe nisë me fillim nga ora 17:00./ KultPlus.com

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë”

Dritëro Agolli ishte një poet e shkrimtar i madh që shpesh në veprimtarinë e tij artistike e politike ka prekur edhe çështjen e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë, por ka Shqipëri këtej Drinit dhe Shqipëri përtej Drinit”, thoshte Agolli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në datëlindjen e 85-të të shkrimtarit Agolli, i ka dorëzuar atij dekoratën e Pavarësisë së Kosovës, për kontributin e çmuar që ka dhënë, në ditët më të vështira të Shqipërisë së andej Drinit, siç e quante Agolli Kosovën./ KultPlus.com

Kontenjerët që shëmtojnë objektin e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë

Shkruan: Gazmend Badivuku

Janë shumë faktorë që ndikojnë në zhvillimin e bizneseve në qytetet kosovare, duke fillu nga lokacioni, infrastruktura, parkingu, energjia, deri te ambienti dhe pastërtia.

Të gjitha këto kushte paraqesin riskun dhe brengat e bizneseve që janë aktive në veprimtari si dhe projekteve të reja që do nisin në të ardhmën. Fatkeqësisht edhe bizneset në qytetin e minatorëve, Mitrovicë, ballafaqohen me probleme të ngjajshme si qytetet tjera kosovare.

Ka kohë që në qendër të Mitrovicës pranë Hamamit të qytetit, i cili daton nga viti i largët 1860 dhe gëzon statusin ‘Objekt i Trashëgimisë së Kulturës’ dhe është nën mbrojtjen e institucionieve përkatëse janë të vendosur ca kontejnerët për mbeturina. Këto kontejnerë e shëmtojnë këtë ambient ku gjendet ndërtesa e hamamit që është i vetmi i këti lloji në qytet.

Kjo godinë aktualisht bën pjesë në top atrakcionin turistik për qytetarët mitrovicas si dhe vizitorëve të ndryshëm dhe mërgimtarëve që këto ditë vere i kalojnë në qytetin e tyre. Me fillimin e pushimeve verore ky vend është një nga më të frekuentuarit por për fat të keq kundërmimi nga kontejnerët, mbeturinat dhe qent’ endacak janë bërë kërcënim serioz për shetitorët dhe bizneset që veprojnë afër. I mbetet kompetentëve që objektet që kosiderohen ‘Trashëgimi’ të mirëmbahen dhe dëshmojmë qytetari dhe kulturë, këtë e meritojnë qytetarët dhe Mitrovica.

Anri Sala “mori kontrollin” në Shkollën Verore si Shkollë

Alberina Haxhijaj

“Take Over” është vepra e Anri Salës të cilën artisti e ka realizuar në vitin 2017, por që akoma vazhdon të ketë vëmendjen e publikut. Pikërisht “Take Over” tërhoqi edhe vëmendjen e qytetarëve në Prishtinë të cilët u mblodhën mbrëmë në Klubin e Boksit, për të diskutuar së bashku me artistin, shkruan KultPlus.

Artisti shqiptar Anri Shala, i cili është bërë i njohur në botën e artit bashkëkohorë dhe është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ka ardhur edhe në Kosovë për të zbuluar më shumë rreth punës së tij. I ftuar nga Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ai u paraqit në kuadër të Shkollës Verore si Shkollë.

Publiku i cili ishte i shumtë duke përfshirë këtu edhe vetë pjesëmarrësit e Shkollës Verore si Shkollë patën rastin që të shohin veprën e artistit “Take Over” si dhe të diskutojnë më shumë për të.

Take Over (2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma, i cili trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

Pikënisjet konceptuale të “Take Over” janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Vepra këto të cilat sipas artistit në një mënyrë ishin të lidhura që nga fillimin dhe që e plotësojnë njëra-tjetrën shumë mirë.

“Herën e parë e dëgjoni pianistin duke luajtur ‘La Marseillaise’ ndërsa pianoja luan ‘Internationale’ dhe mundohet që ta marrë kontrollin ndërsa në pjesën e dyte është e kundërta. Sigurisht që kur këta dy filma luhen së bashku si një i vetëm i dëgjoni gjatë gjithë kohës të dy këngët dhe jo si këtu njëherë njërën dhe njëherë tjetrën”, sqaron ai duke treguar se njëkohësish ishte i interesuar edhe për lidhjen në mes të makinerisë dhe njeriut.

Kujtojmë se për të kompozuar këtë punë artisti ka bashkëpunuar me dy muzikantë për të bërë aranzhimin e këtyre dy këngëve.

“Është edhe pjesa ku pianisti mundohet që të marrë kontrollin dhe ta bëjë pianon që të luajë sipas tij, por pianoja nuk pranon pra është një si lojë ping-pong”, tregon artisti duke shtuar se i mbetet publikut për të vendosur se cili sipas tyre është fitues, pasi që kjo më shumë sipas tij është një lojë ndjekje.

Anri Sala për veprën “Take Over” ka punuar qe vet tingulli të përcaktojë filmimin pasi që ndryshimi i fokusit të kamerës në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

“Gjithë historinë e cila fshihet prapa llojshmërive të këtyre dy veprave sigurisht që nuk kam mundur ta shpalos mirëpo ky film hap një derë për këtë diskutim”, shprehet artisti i cili beson që shpesh herë nuk ka të bëjë vetëm më atë që thua por më kuptim që ka ajo që thua duke përfshirë këtu edhe kuptimin politik që mund të ketë.

Pikërisht këtu artisti zbulon edhe elementet e punës së tij që janë tingujt por edhe gjuha dhe konteksti që kanë fjalët, duke treguar sesi i ka integruar këto elemente në punët e tij të mëparshme.

“Ajo që është shumë e dukshme në punën time është dëshira për të kombinuar dy gjëra të pamundura, kontrollin por edhe lirin në të njëjtën kohë”, theksoi artisti.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat u shfaqen njëri pas tjetrit./ KultPlus.com

Fillon largimi i tendave pa leje në Prishtinë

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka filluar aksioni për largimin e tendave pa leje nëpër të gjithë komunën e Prishtinës.


“Tendat dhe zgjerimet pa leje nuk do të tolerohen”, shkruhet në njoftimin e Ahmetit në Facebook./ KultPlus.com