Studentja nga Serbia që pëlqen poezitë e Migjenit, Ali Podrimës dhe Jusuf Gërvallës (VIDEO)

Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare edhe këtë vit i janë përgjigjur me interesim studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët për dy javë rresht adresë kryesore e kanë Fakultetin Filologjik në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në mesin e tyre është edhe Natalija Nikolic e cila për të katërtin vit vjen për ta ndjekur Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ajo sapo ka përfunduar studimet në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Beograd ndërsa thotë se atje çdo vit regjistrohen nga 9-të deri në 15-të studentë që duan të mësojnë gjuhën shqipe. Nikolic thekson se gjatë qëndrimit në Kosovë, ajo ndihet si në shtëpi.

“Gjithnjë ndihem mirë këtu, ndihem si në shtëpi, nuk kam pasur kurrë asnjë problem, as me njerëzit e as rrugës”, tregon Nikolic për Radio Evropën e Lirë, përcjellë KultPlus.

Natalija Nikolic asnjëherë nuk kthehet pa blerë ndonjë libër në gjuhën shqipe ndërsa thotë se është e dashuruar në poezitë e autorëve të njohur shqiptarë.

“Më së shumti më pëlqen Migjeni, më pëlqen poezia e Ali Podrimës, Jusuf Gervallës”, shprehet ajo.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e gjashtë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Ndërsa në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nga viti 2000, seminari zhvillohet sërish në Prishtinë, përderisa sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com

Edmond Çali: Romani “Prilli i thyer”, zgjerim dhe një kopje e keqe e një kapitulli të librit “Dasma”

Gili Hoxhaj

Në Fakultetin Filologjik po vazhdon të mbahet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në kuadër të së cilës referoi edhe studiuesi Edmond Çali, shkruan KultPlus.

Ai prezantoi kumtesën e tij “Poezi dhe prozë. Përsëritja krijuese në letërsinë e realizmit socialist. Intertekstualiteti në dy vepra të Ismail Kadaresë: poema “Ëndërr industriale” dhe romani “Dasma””.

Ai thotë se tash e një kohë të gjatë është marrë me romanin “Dasma” të Kadaresë dhe gjatë kësaj kohë thotë se ka parë variantet dhe botimet e këtij romani, ku ka dalluar pesë botime, të vitit 1967, 1968, 1980, 2000 dhe 2008.

Çali shprehet se për këtë roman është marrë edhe me kritikën zyrtare të realizmit socialist, kritikën jashtë Shqipërisë, kritikën në Kosovë dhe kritikën pas vitit 1990.

“Jam munduar që të shikoj çdo ndihmesë që është dhënë për romanin dasma, e para punës për të parë vlerën e tij si roman pasi që vetë autori e ka nënvlerësuar, në një bisedë të shkurtër që e kam pasur me Kadarenë, ai vetë ka theksuar se nuk e mendon si një roman me vlerë romanin “Dasma” dhe unë për këtë jam pak dyshues, pasi që unë i jap më shumë vlerë se sa pjesa më e madhe e kritikës dhe jo vetëm për vlerën që ka romani në vetvete por edhe sa i përket rëndësisë që ky roman ka në sistemin letrarë të Kadaresë”, u shpreh Çali.

Lidhur me rëndësinë e kësaj vepre ai bazohet edhe në disa krahasime që i ka bërë me veprat e tjera të Kadaresë me “Dimrin e vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer” , me poemën “Ëndërr industriale”, “Autobiografia e popullit në vargje”. Në këto krahasime ai thekson se romanin “Dasma” e vlerëson më shumë se “Prillin e thyer”, për të cilin mendon se është vetëm zgjerim i romanit “Dasma”.

“Ky roman është i lidhur me veprën “Autobiografia e popullit në vargje meqenëse në romanin “Dasma”, kemi referimin e vazhdueshëm për legjendat. Me romanin “Prilli i thyer”, të cilin unë e mendoj as më shumë e as më pak se zgjerim dhe në një farë formë një kopje të keqe të një kapitulli të librit “Dasma”, ndoshta dikujt mund t’i vije hidhur kjo por është një temë të cilën Kadareja e ka trajtuar shumë më mirë dhe shumë më përpara, temë të cilën e kanë trajtuar edhe autorë të tjerë”, u shpreh tutje Çali.

Sa i përket botimeve, ai ka gjetur pesë botime të romanit në të cilat ndërhyrjet e autorit kanë të bëjnë me titullin, organizimin strukturor (sa i përket ndarjes së kapitujve, shtimit apo eliminimit të kapitujve), për lidhjet e tekstit me tekstin tjetër me poemën “Ëndërr industriale”, për lidhjen me veprat e tjera të Kadaresë në prozë dhe lidhjes me lidhjet e brendshme, për pikëvështrimin në letërsi ku eliminimi i disa pjesëve garanton një keqësim të tekstit.

Çali theksoi se botimi i parë i “Dasmës” që është një rishtypje e “Dasmës” por që është botimi i parë në formë libri është bërë nga “Rilindja” në Prishtinë dhe këtë nuk e përmend askush.

“Fillimisht është botuar vetëm një kapitull në gazetën “Drita” dhe botimin e parë në revistën “Nëntori”. Çfarë bën Rilindja e merr këtë kapitull të botuar në revistën “Nëntori”, e rregullon dhe e bën në një botim gjepi dhe që gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, nuk e përmend njeri dhe këto janë gjëra që i gabojnë edhe në kopërtinat e librave”, tha studiuesi Edmond Çali.

Ai tutje tha se meqë bibliografia tregon se vepra poema “Ëndërr industriale” është botuar në vitin 1961 kurse vepra “Dasma” në vitin 1961, ato kanë motive të përafërta ndërsa krahas lidhshmërisë se personazheve veçoi edhe praninë e fesë dhe të Kanunit. / KultPlus.com

Kur ndiheni të humbur, meditoni me këto fjalë të Nënës Terezë

Këto fjalë të mençura do t’ju bëjnë që të mos i përqëndroni vlerat tuaja në atë që bëni por në atë se kush jeni.

Nuk është një ndjenjë e pazakontë. Agjenda juaj është e mbushur dhe lista e gjërave që duhet t’i bëni është e pafundme ndërsa ju ndiheni sikur jetës suaj i mungon orientimi, qëllimi dhe nuk ndiheni i plotësuar.

Ju filloni të pyesni veten pse e gjithë puna që bëni nuk e arrin qëllimin që ju e mendonit se do ta arrinte.
Shën Teresa e Kalkutës i shkroi këto fjalë nga perspektiva e Jezusit për të na treguar se ku buron kuptimi i vërtetë i vlerave tona.

“Unë të njoh ty tërësisht, unë di gjithçka për ty. Kam numëruar shumë nga fijet e flokëve tua. Asgjë në jetën tënde nuk është e parëndësishme për mua. Të kam ndjekur ndër vite dhe gjithmonë të kam dashur. E di edhe problemin tënd më të vogël, i di nevojat dhe shqetësimet tua. Dhe po, i di dhe mëkatet tua. Por prapë ta them se të dua dhe jo për atë që ke bërë dhe për atë që nuk e ke bërë, të dua për atë që je, për bukurinë dhe dinjitetin që Ati im të dha ty duke të krijuar ty në imazhin e tij”. / KultPlus.com

Kënga e turpshme e Kosovës

Shkruan: Ndue Ukaj

Vitin e ardhshëm mbushen dy dekada, prej kur shqiptarët e Kosovës, jetojnë të lirë. Por, Kosova e lirë vazhdon të ketë probleme të panatyrshme, ndërkaq, populli i saj, vazhdon të këndojë këngën e thellë të dëshpërimit.

Dy dekada për historinë e një populli dhe jetën e një njeriu janë shumë!

Të kujtojmë disa fakte, të cilat, mund dhe duhet të na shërbejnë për t’i kuptuar sjelljet dhe marrëzitë tona:
Lufta e Dytë Botërore përfundoi me 1945, ndërkaq, pa u bërë as një dekadë, popujt e Europës, ata që luftuan dhe shkaktuan tragjedinë e shekullit, u ulën me njëri-tjetrin dhe themeluan Unionin Europian. Ata i ulën flamujt e urrejtës dhe të mashtrimit dhe i ngritën flamujt e së ardhmes. Atëbotë, vendet që themeluan këtë organizatë, ishin të dërmuara dhe bartnin pasojat katastrofale të luftës, miliona viktima dhe ndodheshin në një atmosferë të zymtë. Por, ata nuk flisnin për ndjenja triumflasite primitive dhe për vlera të luftës. Ata flisnin për vlerat e lirisë. Ata nuk krijonin narracion politik për luftën, por shikonin kah e ardhmja, ashtu siç bëjnë gjithë politikanët e mençur dhe vizionarë.
Ku është Kosova dy dekada pas luftës?
E dërmuar si është më zi.
Dy dekada pas, më së shumti flitet për vlerat e luftës, ndërkaq, më së paku, për vlerat e lirisë dhe të politikës. Dhe harrojmë se lufta është bërë për t’i përvetësuar vlerat e lirisë dhe të politikës. Ne Kosovë, pak ose aspak nuk tregohet cilat janë vizionet për të nesërmen, por flitet për histori dhe madhështi të së kaluarës, përmes një narracioni që të krijon përshtypjen se lufta është bërë në një kontinent dhe jo në një territor të vogël, në të cilën, shumica prej nesh kemi qenë dëshmitarë.

Ky narracioni, për mua primitiv, ka etabluar një klasë politike shumë primitive dhe të paaftë. Në fakt, kjo klasë është ushqyer nga ky diskurs dhe ka shkaktuar drama të mëdha, dhe njëkohësisht ka shkretuar dhe zymtësuar fotografinë e shtetit të Kosovës.

A mund ta zbardhim këtë fotografi?Pa dyshim se po! Por, jo përmes së kaluarës dhe duke e ngjyrë kafshatën politike në të njëjtat tema politike, prej ku është etabluar këtë diskurs politik i Kosovës së sotme.
Fotografinë e Kosovës mund ta zbardhim, duke i ulë flamujt e urrejtës, ashtu siç bënë popujt e perëndimit pas LDB, dhe liderët e mençur të saj.

Kosovës i duhet një kontratë të re për të ardhmen e vendit!
Deri me sot, në vendin tonë është folë për gjithçka, por jo për cilësi të lirisë, të politikës, të qeverisjes, të arsimit, të kulturës, të ekonomisë…Pra, këto ide dhe vlera të tejkoshme, janë ngulfatë nga diskursi kolektivist i “vlerave të luftës” dhe “vlerave të veprimtarëve politik.”

Fotografia e vendit tonë sot është zymtë, ndërkaq, qytetarët e saj, janë më të dëshpëruar më shumë se kurrë. Prandaj, sot, të paktë janë ata që thonë: lum unë për vendin tim dhe lum unë për lirinë time. Në të kundërtën, çdo ditë, dëgjon një këngë të ankthshme të dëshpërimit, që të këputë shpirtin. Sepse, atyre u është trazuar e ardhmja, jo nga ndonjë forcë e jashtme, por nga paaftësia e klasës politike për të ecur përpara.

A mund ta ndryshojmë diçka?
Shkrimtari Azem Shkreli nuk arriti të përjetonte vetë lirinë, por ka lënë shumë vargje të mrekullishme. Ai ka shkruar një poezi të shkurtër, me titull ‘Këngë e turpshme.” Kjo poezi, duhet të rri si një pikturë e dhimbshme përballë syve të mërzitur të shqiptarëve.
“Sonte
Qava për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.”

Duke e parë retardimin dhe katandisjen e Kosovës, secili qytetar i ndërgjegjshëm, në vend se të qajë, duhet të mendojë çfarë mund të bëjë tjetër për Kosovën.
Pra, Kosovën nuk mund ta ndryshojmë më ofshama, duke qarë, duke trilluar e shpifur; atë mund ta ndryshojmë, me ide politike kreative, duke vepruar diçka tjetër për të.
E para punës, për të kaluar në një stad të ri, duhet ta mbyllim kapitullin e luftës dhe të paraluftës, dhe këto tema, duhet t’ju lemë njerëzve profesionistë, të cilët mund t’i gjykojnë nga perspektiva historike, letrare e filozofike.

Bota është duke ndryshuar. Perëndimi ecë me hapa marramendës përpara, ndërkaq, po ashtu, strategjitë dhe gjeostrategjitë po lëvizin.
Askush nuk ka kohë të na pret neve derisa të ngopemi me marrëzitë tona.
Kosova, nuk e ka luksin të merret pafundësisht me vlerat e luftës dhe as të paraluftës.
Kosova, duhet t’i krijojë vlerat e paqes, të lirisë dhe të përparimit, duke mësuar nga e kaluara.
Leksionin e kemi marrë!
Pra, na vendit tonë i duhet një pakti për të ardhmen, përndryshe, edhe dy dekada do të këndojmë këngën e turpshme.

“Mjeku bëhet kamerier, kamerieri këshilltar”

Këngëtari Naser Berisha ka publikuar sot projektin e tij më të ri të titulluar “Paradox”, shkruan KultPlus.

Ai ka trajtuar gjendjen aktuale në Kosovë, e paradoksin që sipas tij ekziston në këtë vend.

Një tekst që ka përmbledhur disa nga problemet e që i këndon realitetit të hidhur që po mbizotëron në vendin tonë.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë:

Paradox

Ditë me diell, dhe bie shi!
n`vendin tim gjysmë
diktaturë!

Shfletoj jetën që më se
njoh
As unë s’jam ai që kesh
dikur

Shikoj njer’zit, shoh
fantazma
Ndër gurëvarre marrin
thua,
Sorrat përmbi përmendore,
Dhe pastaj m’glacojnë dhe
mua!

Ref:
Mjeku bëhet kamerier,
kamerieri këshilltar,
arkitekti shet gazeta,
Kasapi bëhet gazetar!

Askush s’mirret me punë
t’veta!
më nuk ka mbet asnjë
çoban
gjithë ditën pijnë machiato,
bëjnë sefa e plan s`kanë
……
Një ftyrthat m`ofrohet pranë
s’më shikon dot, e thotë qe
cigare
Sa e njohur m’është kjo
f’tyrë,
Po ky më mësoi në
abetare!

Përtej rruge, një njollë
tjetër,
F’tyrë e njohur, dikur artist,
M’thot’: „S’jetohet më prej
artit,
F’mijt’ donë bukë, tash jam
taksist!“

Ref:
Mjeku bëhet kamerier,
kamerieri këshilltar,
arkitekti shet gazeta,
Kasapi bëhet gazetar!
Askush s’mirret me punë
t’veta!
më nuk ka mbet asnjë
çoban
gjithë ditën pijnë machiato,
bëjnë sefa e plan s‘kanë. / KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=1qN_OJBJB4E&feature=youtu.be

Bie numri i spektatorëve në Opera dhe Teatër

Edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, ashtu sikurse në tremujorin e parë të këtij viti, rezulton të ketë pasur më shumë shfaqje kulturore, por spektatorët që i kanë frekuentuar, kanë qenë më të paktë.

Për periudhën prill-qershor janë 8 % më pak, ata që kanë frekuentuar shfaqjet që institucionet e kulturës kanë ofruar në Tiranë.

Sipas INSTAT, shfaqjet e ofruara për publikun e Tiranës kanë qenë më të shumta në tremujorin e dytë të 2018-ës. 279 shfaqje krahasuar me 217 vënie skenike në tremujorin e dytë të 2017-ës.

Por pjesëmarrja mesatare në tremujorin e dytë të vitit 2018 është 178 spektatorë për shfaqje, duke pësuar një rënie me gati 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më shumë spektatorë rezulton të ketë humbur Teatri i Operas dhe Baletit, gati më shumë se 50% për shfaqje, i pasuar nga Teatri Kombëtar.

Ndërsa Teatri i Operas ka humbur 36 % të publikut dhe Teatri Kombëtar 30%, krejt e kundërta mund të thuhet për Teatrin Kombëtar Eksperimental, i cili ka thithur 34 % më shumë spektatorë në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Muzetë, kalatë dhe monumentet e tjera të kulturës sërish kanë shënuar ngritje me rreth 68 %, në pranverën e këtij vit, krahasuar me një vit më parë.

‘Kasetofoni jem’, hip hopi tjetër (VIDEO)

Pak kasetofona sot, por dikur kishte më shumë.

Madje, në kulturën e dikurshme edhe brenda muzikës hip hop, “Kasetofoni jem” u bo një hit.

Po e kujtojmë sot hitin e më shumë se dhjetë viteve – “Kasetofoni jem” një këngë që nuk guxon të jetë jashtë historisë së hip hopit të Kosovës.

Da Ligs dhe një numër i madh i artistëve si NR, MC KRESHA, LUMI B e Dj Blunt janë pjesë e videoklipit të këngës së njohur, refren që disa gjenerata në Kosovë nuk e harrojnë.

Po ju lëmë ta shihni videoklipin e këngës “Kasetofoni jem” – hit i një kohe tjetër. / KultPlus.com

Kam vdekur shtatë herë sot

Nga Artan Gjyzel Hasani

Kam vdekur shtatë herë sot

…por ti s’e di
askush s’di gjë për vdekjet e mia
shtatë sa mrekullitë…

ishte herët mëngjes
një zog që e gjeti të prishur strehën
më kujtoi foletë që dikur kisha
dhe u mbyta në filxhanin e kafesë…

ishte ora 8 kur ndodhi e dyta
i telefonova shtëpisë sime në Shqipëri
“Alo…mami…si je?”
pastaj u kujtova që aty nuk banon më askush
tymosa një cigare dhe vdiqa…

e treta do të ketë qenë në mesditë
kur ndërsa shihja veten në pasqyrë
sytë e tim eti më thanë
“nuk ia vlen, sado që të përpiqesh, biri im,
gjithnjë do të ndodhë diçka
dhe fundi do të të duket fillim…”

në 4 pasdite ndodhi e katërta
kur u ktheva nga puna për në shtëpi
kontrollova në kutinë postare
veç zarfa bankash, fatura dhe gjoba,
asnjë letër dashurie…

e pesta ndodhi në muzg
i tronditur nga buzëqeshja e tij
u përpoqa t’ia fshi lotin një kllouni
nuk munda, ndaj ia hoqa maskën
dhe isha unë ai…

tjetra si zakonisht në mbrëmje
kur të gjitha pemët e botës më duken mimoza
zgjata duart t’i përkëdhel, por ato nuk ishin
në atë orë unë gjithnjë bëhem pluhur
rërë në erë…
pjalm endacak…
vdekje aromatike…

me puthjen e jetës më ringjalli nata
për t’i varrosur gjashtë vdekjet nëpër vargje
ia lexova mungesës tënde
dhe kjo ishte e shtata… / KultPlus.com

Naser Berisha sjellë “Paradox” (VIDEO)

Këngëtari Naser Berisha ka publikuar projektin e tij më të ri “Paradox”.

Ai ka trajtuar gjendjen aktuale në Kosovë, e paradoksin që sipas tij ekziston në këtë vend, transmeton Koha.net.

Berisha rikthehet pas një kohe të gjatë në skenën muzikore, me një projekt krejtësisht ndryshe nga hitet që ka tashmë. “A më kujton” e “Do të doja”, janë dy këngët e tij më të njohura./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=1qN_OJBJB4E&feature=youtu.be

Këngëtarët që i qëndruan besnikë muzikës së tyre

Trendet dhe kërkesat e reja në skenën muzikore kanë bërë që shumë këngëtarë të dalin jashtë kornizave të tyre, duke iu përshtatur pikërisht asaj që kërkohet.

Ndryshimet e mëdha i shohim prej kohësh, dikush e ka gjetur vetën mirë e të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim të asaj që do t’i shndërronte në emra të kërkuar dhe mbi të gjitha të kishin përfitime nga ajo që bëjnë.

Megjithëkëtë, një pjesë e këngëtarëve të njohur kanë arritur t’i rezistojnë asaj që cilësohet komerciale, e cila në këtë fakt shumicës po i sjell shumë klikime, mbrëmje muzikore dhe si rrjedhojë shumë para. Një pjesë e atyre që kanë zgjedhur këtë drejtim nuk janë tërhequr nga skena por kanë vazhduar të jenë aktiv duke sjellë projekte muzikore në momente të caktuara, e veçmas duke marrë pjesë në festivale muzikore edhe pse nuk janë të shumta.

Eliza Hoxha është një prej këngëtareve, e cila nuk ka bërë kompromise me muzikën e saj. Ka sjellë këngë e videoklipe, ka marrë pjesë nëpër festivale, mirëpo gjithmonë duke ardhur me këngë të jashtëzakonshme, të cilat megjithëse jokomerciale, janë mirëpritur, dëgjuar e shumë prej tyre janë shndërruar në hite të mëdha. Këngëtarja e njohur nuk ka lënë anash as projekte videomuzikore, përmes të cilave ka prekur tema sociale dhe kauza të rëndësishme për shoqërinë tonë, siç ishte ai me titull “Për ata që s’janë”.

Këngët dhe klipet e saj janë të rralla sepse edhe Rosela Gjylbegu ka zgjedhur këtë rrugë. E nisi tek “Ethet e së premtes mbrëma”, ashtu siç kanë bërë shumë kolegë të saj, por gjithmonë i qëndroi besnike muzikës së saj. Rosela njihet sidomos për pjesëmarrjet nëpër festivale.

Ani pse kohëve të fundit nuk janë aktivë, në Kosovën e pasluftës grupet “Jericho” dhe “Troja” i kanë dhënë shumë rok-muzikës shqiptare. Pikërisht, janë këto dy grupe që i kanë rezistuar tregut të vrazhdë dhe asaj që vazhdimisht është kërkuar.

Kësaj liste nuk i mungon Rona Nishliu. Madje, këngëtarja tregoi më së miri se si me një këngë me vlera, me një mesazh dhe me një interpretim nga shpirti mund të shkëlqesh dhe të fitosh vëmendje edhe në një skenë siç është ajo e Festivalit Evropian “Eurovizion”, aty ku më shumë se kudo tjetër kërkohen këngët komerciale.


“Shtyje”, “Krejt andrrën” e “Këtu” janë disa nga këngët e kantautorit Genc Salihu, i cili gjithashtu ka arritur ta ruajë shumë mirë atë që ka kultivuar qysh herët.

Hashani, Shpat Deda e Mariza Ikonomi janë disa emra të tjerë, të cilët i kemi parë të mos eksperimentojnë shumë, por të vijnë në ujërat e tyre e që gjithsesi risitë nuk kanë munguar.

Këta ishin vetëm disa nga emrat që arritën t’iu rezistojnë ndryshimeve të mëdha, t’i qëndrojnë besnik stilit të tyre dhe të kultivojnë muzikën që e duan, edhe pse dikush më shumë e dikush më pak aktiv./KultPlus.com

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme…

Jorge Luis Borges

Sikur edhe njiherë të kisha mujt me jetue jeten teme,
unë do t’isha përpjekë që në jetën e re
me ba ma shumë gabime.
nuk kisha dashë me qenë aq i përsosun,
kisha dashë me qenë ma i qetë.

Kisha dashë me qenë edhe ma i çmendun se ç’isha,
shumë ma pak gjâna i kisha marrë kaq seriozisht.
Nuk do t’kisha rrnue kaq shnetshëm.

Do t’kisha rreziku ma shumë, do t’kisha udhëtu ma shumë,
ma shumë perëndime dielli kisha me vështrue,
ma shumë do t’isha ngjitur maleve, ma shumë do t’kisha notu lumenjve.

Kam qenë njâni prej atyne njerëzve t’mençun,
që çdo minutë të jetës e ka kalue frytshëm;
vërtet unë kam pasë edhe çaste të gëzimit,
por, sikur t’kisha mujt me u kthye prapa edhe njiherë,
do t’kisha ba përpjekje me shijue vetëm çaste t’mira.

Nëse ti ende nuk e din,
vetëm prej tyne përbahet jeta;
vetëm prej çasteve, mos e harro të tashmen!

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme,
prej fillimit të pranverës deri në fund të vjeshtës kisha me ec kambzbathun.
Po ashtu kisha me lozun ma shumë me fëmijë,
sikur jetën ta kisha para vetes.
Por, shikoni… i kam 85 vjet, jam plak dhe e di
se së shpejti kam me vdekë.

(Përktheu: Enver Robelli)

‘Ju s’keni fe, e keni bastarduar atë e ndaj feja ju ka flakur’

Nga Fatjon Gjinaj

Bashkëjetesa si fjalë në kontekste të ndryshme ka domethënie të ndryshme. Duke mos qenë qëllimi im zbërthimi i këtij termi në variante të përgjithshme por vetëm për rastin konkret kur artikulohet në kontekstin e përshkrimit si “aset” fetar, dua dhe mendoj të them (e pëderisa dua dhe mendoj edhe po e them), se ky term në rastin konkret është absurd. Është absurd për aq koha sa jo të gjithë bien dakort me diçka e cila është kthyer vendim i formës së prerë për të gjithë pa e ditur të gjithë (më saktë, shumica), se ku fillon dhe ku mbaron bashkëjetesa(?) Kush e shpiku atë(?) Për çfarë(?) A është e ligjshme(?) A është e lumtur ajo e mbi të gjitha a funksionon(?)

Po futem në temë, dhe me që tema duket krejt ndryshe nga ajo sa thashë deri tani po shpjegoj edhe se përse doja ta shmangja temën në hyrje të shkrimit.

E pranoj se nuk është shumë e zakonshme si temë dhe arsyeja është se ne shpesh si njerëz e sidomos si shoqëri (po flas për ne shqiptarët), duke dashur të dukemi gjithmonë si të jashtëzakonshëm harrojmë të zbresim me këmbë në tokë, t’i themi gjërat siç janë, dhe…. t’a marrë e mira të mos i paragjykojmë së paku ata që guxojnë të thonë një të vërtetë të zakonshme.

Çfarë ishe ti mysliman i nderuar përpara se të bëheshe mysliman? Po ti katolik përpara se të bëheshe kristjan? Po ti pagan përpara se të ishe pagan?

Epo, nëse nuk të bën përshtypje se ti je dikush që i ke ndryshuar fetë sa herë kanë ndryshuar stinët e motit; e nëse nuk të bën përshtypje që pardje i luteshe Gjarprit, dje Krishtit e sot Muhamedit, mos të të bëjë përshtypje as ajo që them unë për besimin tënd; për besimin tim dhe për besimin e të gjithëve ne. Thjeshtë ule kokën dhe më dëgjo e kur të pyes përgjigju.

Çfarë më thua për këtë palo femrën me vetëm dy dritat e syve të zbuluara e një copëz gojë që frekuenton lokalet e shtrenjta ku pihet alkool dhe drogë, pale cigare, i zgjat dorën e s’ta jep se ia ndalon feja e kur pa këmbyer dy fjalë vendos njërën këmbë mbi tjetrën, nxjerr paketën e cigareve “Winston”, nxjerr edhe çakmakun për t’i vënë flakën cigarës së varur në buzët e lyera all të kuqe?

Po për atë tjetrën me kryqin sa gjysma e vehdit në qafë gjysma e të cilit i futet midis gjinjve të zbuluar që duket sikur janë gati për të shpërthyer e bërë namin? Madje edhe në rrathët e vathëve i ka të varura dy kryqe që i prekin shpatullat e zhveshura(?)

Për cilën fé më flet ti kur burri i botës (që ma quan veten njeri të perëndisë, me mjekrrën deri tek rripi i pantallonave e brekët deri në gjú), thotë se Gjergji i Kastriotëve na qenka tradhëtar, se Nëna Terëzë një e përdalë, se mëmëdheu ynë na qenkërka arabia? Ai tjetri thotë – vrite vajzën e mos e jep në derë të besimit tjetër?

Për cilën fé më flet ti o i verbër kur ai palo prifti yt rreh foshnjën në pagzimore, ai tjetri abuzon seksualisht me të miturën e të miturin, ai tjetri abuzon me thesarin e kishës?

I cilës fé qenke ti o qyp i nëpërkëmbur, o dele e rruajtur e prerë lëkurësh kur ai Kryegjyshi yt i përbotshëm shkëlqesia e tij është lord e kaluar lordit nga pasuria e vënë?

Për cilën fé po më flet o qyrylyk kur ti beson atë që predikon kryekreu i besimit tënd që shtrohet në dreka e darka me politikanët e korruptuar, me të shkuar e të tashme kriminale, hajdutë të pasurisë kombëtare? Cila fé të frymëzoka ty o botë e mjerë njerëzore që rren gjithë ditën të tjerët, pendohesh, shkon për t’u rr’fy e t’rrejnë…?

Si mund t’a rregullosh ti botën kur ende nuk ke rregulluar veten? Si mund të më flasësh me adhurim për Jezu Krishtin kur unë e di fort mirë se ti je një Judë?

Ose të më flasësh me adhurim për Muhametin kur unë e di fort mirë se ti je një mujshisë?Cilit Zot ke b**** ti që t’i bësh avokatin kur unë mbase jam një i mjerë që e marr nëpër gojë kot? Cili Zot a profet të thotë ty t’a bësh këtë gjë o mjeran?

Po për ç’bashkëjetesë po flet kur ti sapo ke lexuar titullin e këtij shkrimi ke nisur të mendosh se si të më gjuash? Si do bashkëjetokemi ne të dy kur unë mendoj se Muhameti është i dërguari i Allahut dhe më perfekti nga të gjithë e se Jezu Krishti është një kokë-palarë; ose e kundërta, Jezusi është Mesia dhe Muhameti një tregtar hajdut?

Po ju nuk keni fé përderisa mohoni veten, familjen e mbi të gjitha kombin për shkak të mendjes suaj të errët. Ju nuk bashkëjetoni, sepse ju nuk jeni të lirë t’a bëni këtë gjë. Ju jeni të dënuar për të bërë dhe menduar ç’ju thonę të tjerët. Ju nuk bashkëjetoni, ju bashkëvuani dënimin që i keni dhënë vetës në vorbullën e mashtrimit të madh.

Ju s’keni fé, e keni bastarduar atë e ndaj feja ju ka flakur. Ju jeni barbar të besimit tuaj të marrë që mendoni se feja është një mjet. Si mund të doni ju Zotin kur nuk ju plas fare për Shqipërinë! Pse nuk ia kushtoni atdheut sakrificën që ia kushtoni fésë!? Se jeni dështakë ja përse! Nuk doni as njërën as tjetrën më shumë se vetën!

Pse shumë njerëz mendojnë se Elvisi është ende gjallë?

Elvis Presley, këngëtari legjendar dhe ylli i kinematografisë amerikane, i cili u bë i njohur si mbret i Rock’n’Rollit, vdiq nga një atak kardiak 41 vjet më parë.

Vdekja e tij më 16 gusht 1977, tronditi industrinë e muzikës dhe pikëlloi miliona fansa të tij në mbarë botën. Në ditët pas varrimit të tij u rritën spekulimet në mesin e një grupi të vogël skeptikësh, se Elvisi në fakt nuk kishte vdekur. Përkundër deklaratave të qarta të mjekëve se superylli 42-vjeçar kishte vdekur, skeptikët ishin të bindur se Elvisi e kishte falsifikuar vdekjen e tij për t’u fshehur.

Melissa Chan

Gjatë katër dekadave të fundit, adhuruesit në të gjithë Amerikën e Veriut kanë këmbëngulur se e kanë parë Presleyn në vende dhe kohë të ndryshme. Në vitin 1989, adhuruesit më të thekur e entuziastë të Elvisit krijuan madje “Shoqatën e Vëzhgimit të Elvisit” për të monitoruar këto pretendime.

Disa njerëz madje pretenduan se ai u shfaq në sfond në filmin e famshëm të vitit 1990, “Home Alone” (I vetëm në shtëpi).

Elvis Presley’s Complete 1953-1995 Recordings, A Boy From Tupelo is out July 28.

Presley nuk është figura e parë e famshme që kultura jonë populiste e nostalgjisë, ka qenë e paaftë të pranojë vdekjen e tij. Teoritë e konspiracionit janë shtuar pas vdekjeve të tjera të personazheve të profilit të lartë, nga vdekja e yllit të Hollivudit, James Dean, në një aksident automobilistik në vitin 1955, deri tek vdekja e Michael Jacksonit më 2009, teksa adhuruesit këmbëngulin se idhujt e tyre të famshëm duhet të jenë ende të gjallë.

Një nga teoritë më të mëdha se përse Presley mund të ketë inskenuar vdekjen e tij, është sepse ai duhej të shpëtonte nga mafia. Gail Brewer-Giorgio, autore e librit bestseller të vitit 1988 “A është Elvisi gjallë?”, kujton në një intervistë të kohëve të fundit për “Time” se si ajo konsultoi mijëra dokumente të FBI-së, për të ardhur në përfundim se Presley ishte një hero amerikan, i cili ishte i detyruar të hynte në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

“A e di unë nëse Elvisi është ende gjallë sot? Jo, unë nuk e di këtë. Por, di të them se ai nuk vdiq më 16 gusht 1977”.

Brewer-Giorgio, tanimë 78-vjeçe, tha se FBI-ja e kishte pranuar Presleyn si një agjent të fshehtë në vitin 1976, për ta ndihmuar agjencinë të depërtonte në një organizatë kriminale të quajtur “Vëllazëria”, e cila me sa duket përbëhej nga dhjetëra mafiozë. Ajo thotë se Presley e bëri këtë në mënyrë vullnetare, i nxitur nga dashuria e tij për Amerikën dhe respektin për FBI-në. Autorja theksoi se agjencia kishte kontaktuar me Presleyn, pasi një anëtar i “Vëllazërisë” po bënte negociata të hapura me të mbi shitjen e një avioni që zotëronte këngëtari. Por, kur Presli u gjet i kërcënuar, u fut në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, mendon Brewer-Giorgio, duke cituar atë që ajo tha se ishte dëshmi nga dokumentet dhe intervistat e FBI-së: “Elvisi e inskenoi vdekjen e tij, përndryshe do të vritej dhe për këtë nuk ka dyshime”.

FBI nuk bëri menjëherë ndonjë koment mbi pretendimet që Brewer-Giorgio përshkruan gjerësisht në librin e saj. Në fakt në më shumë se 760 dosje që agjencia federale ka publikuar në lidhje me këngëtarin ndërmjet viteve 1956 dhe 1980, nuk përmendet që Presley ka ndihmuar në ndonjë rast FBI-në. FBI nuk e hetoi kurrë Elvisin, por krijoi një dosje me emrin e tij pasi kishte qenë objektivi i disa përpjekjeve për grabitje, të hetuara pikërisht nga FBI. Dokumentet e bëra publike përshkruajnë rastet e gjobëvënies dhe ato gjithashtu tregojnë admirimin e Presleyt për FBI-në. Gjatë një vizite që Presley kreu në selinë e FBI-së në vitin 1971, muzikanti “foli pozitivisht” për agjencinë dhe nuk ofroi “në asnjë lloj mënyre” shërbimet e tij. Gjithashtu përmendet edhe aeroplani i Presleyt dhe një marrëveshje biznesi që përfshinte aeroplanin. Ekspertët thonë se dokumenti nuk përmban prova që sugjerojnë se Presley është gjallë.

“Këto dosje të FBI-së janë në dispozicion të publikut. Unë i kam ato. Nuk ka asgjë në to”, tha për “Time” Patrick Lacy, studiuesi cili shkroi librin “Elvisi i dekriptuar” që çmonton teoritë konspirative rreth vdekjes së këngëtarit. “Të gjitha dëshmitë flasin për një vdekje – provat mjekësore, raporti i dëshmitarit okular… Të realizoje insenimin e vdekjes së tij do të kishte kërkuar heshtjen dhe shërbimet e qindra, në mos mijëra njerëzve ndër vite”.

Përveç raportimeve se e kanë parë të gjallë, skeptikët flasin për ato që ata këmbëngulin se janë gabime nga familja Presley në intervistat e dhëna për mediat, dhe një emërtim dukshëm i gabuar në gurin e varrit të mbretit të rokut si dëshmi të falsifikimit të vdekjes së tij. Skeptikët thonë se emri i mesit i Presleyt është shkruar qëllimisht gabim – Aaron në vend të Aron – pasi vendosja e emrit të tij të vërtetë do të ishte tabu në kushtet kur ai ishte ende gjallë.

Por, çmontuesit e miteve thonë se Elvisi filloi të shkruante emrin e tij të mesëm Aaron në vend të Aron gjatë viteve të fundit të jetës. Ata gjithashtu thonë se Lisa Marie, vajza e këngëtarit, shmangu pyetjen e Larry Kingut gjatë një interviste të vitit 2003, kur ai e pyeti nëse ndjen ndonjëherë se po “komunikon” me babanë e saj.

Teoritë e konspiracionit shkaktojnë një dhimbje të panevojshme për familjen e Presleyt, tha Lacy, që e quan veten një “adhurues të madh të Elvisit”: “Unë po merrem me këtë çështje, pasi nuk kam asgjë më të mirë për të bërë. Besoj se njerëzit që thonë se Elvisi është ende gjallë, po i bëjnë një dëm të madh imazhit dhe familjes së tij… Imagjinoni të jetoni gjithë jetën mes deklaratave se babai juaj bëri të gjitha këto gjëra dhe se ai mashtroi adhuruesit. Vdekja e Elvisit lëndoi shumë njerëz. Dhe, ende lëndon. Ju duhet të pyesni se çfarë lloj personi do të ishte Elvisi për t’ia punuar këtë rreng adhuruesve të tij?”

Shumica dërrmuese e amerikanëve besojnë se Presley vdiq në të vërtetë në vitin 1977. Një sondazh i Gallupit i kryer në vitin 1997, gjeti se vetëm katër për qind e amerikanëve mendonin se Presley ishte gjallë, ndërsa 93 për qind e të anketuarve ishin të sigurt se ai ka vdekur. Megjithatë, Brewer-Giorgio mbetet e vendosur në qëndrimin e saj. Gruaja nga shteti i Xhorxhias, që tha se nuk ka asnjë album të Elvisit dhe se nuk zotëron asnjë kujtim për të, këmbëngul se gjetjet e saj bazohen në fakte dhe jo ndjesi.

“Unë e di që ai e ka bërë realisht këtë gjë”, tha ajo. “Bota duhet të dijë se Elvis Presley e vuri jetën e tij në rrezik. Mendoj se është e trishtueshme që ne nuk dimë gjithçka mbi Elvisin. Nëse unë nuk e bëj këtë për Elvisin, askush tjetër nuk do ta bëjë”. /Burimi: “Time”/Në shqip: Bota.al/ KultPlus.com

Me Fiça dhe Vespa para Muzeut të Jugosllavisë

Muzeu i Jugosllavisë në Beograd edhe këtë vit do të mbajë ngjarjen “Hanging out with Fiça and Vespa”.

Para Muzeut, për të shtatën herë, me datë 1 shtator të gjithë qytetarët e Serbisë që kanë njërën nga këto vetura të parakalojnë dhe të vijnë tek Muzeu i njohur.

Qëllimi i këtij organizimi është promovimi i trashëgimisë serbe, siç shkruhet në një komunikatë për media.

Fiça – ose më mirë Zastava 750, 600 dhe 850, nisi të prodhohej së pari në Kragujevac të Serbisë. Vespa në anën tjetër është veturë e prodhuar nga Franca.

Në organizim do të ketë muzikë të viteve 70-të e 80-të, kohë kur këto vetura ishin në lulëzimin e tyre edhe në Jugosllavi. / KultPlus.com

Këngëtari e dhuron rrogën e deputetit për Nexhmije Pagarushën

Ai është i njohur për një numër të madh të aksioneve humanitare anembanë trojeve shqiptare.

Si një shpirt filantropi, Labinot Tahiri nuk ka mundur të jetë indiferent rreth ngjarjes të fundit në qytetin e Suharekës.

Në fakt, në këtë të fundit pas reshjeve të mëdha atmosferike, shumë shtëpi janë shkatërruar dhe është bërë apel për ndihmë.

E këngëtari përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se do të ndajë rrogën e deputetit që e merr në Kuvendin e Kosovës që t’ua ndaj disa familjeve të Suharekës që e pësuan rëndë nga vërshimet në këtë zonë të Kosovës.

Por, me kaq nuk është ndalur pasi që rrogën e muajit të ardhshëm e ka ndarë për bilbilin e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushën.

“Të dashur qytetarë, sot dua të u’a uroj festen e Kurban Bajramit, dua dhe njëkohësisht, të ju njoftojë juve dhe banorët e qytetit të Suharekës, se për ngjarjen që ndodhi ditë me parë për shkak gjendjes se shiut, i cili tani ua ka bërë të pa mundur qytetarëve, ose banorëve të disa zonave që mos ta kenë mundësinë që ta përdorin ujin e Pijshëm! Unë po pres qê nesër të dërgoj si donacion dy kamionë me ujë të pijshëm afro 50 paleta të mëdha! Arsyeja është që të gjithë nga pak të solidarizohemi për njeri tjetrin. Kjo është dhuratë nga rroga ime e Deputetit! Pra këtë muaj, dua të ia kushtoj Suharekës? Rrogën tjetër dua që t’ia dhuroj Bilbilit dhe ikonës Shqiptare, Znj. ‘Nexhmie Pagarushes”, ka shkruar Labi në llogarinë personale në Instagram.

Ndryshe, këngëtari është duke punuar në projekte të ndryshme muzikore që do t’i sjell gjatë këtij viti. /KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmwRk0TBK0x/?taken-by=labinottahiriofficial

Gashi publikon këngën e re, bashkëpunim me French Montanën dhe DJ Snake

Reperi i njohur kosovar, Gashi, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Amerikë, ka publikuar së fundmi këngën e tij më të re.

“Creep on me” mban titullin kënga e tij e re, të cilën ai e sjell në bashkëpunim me reperin me renome botërore, Fench Montana, dhe DJ Snake.

Kënga është publikuar në YouTube vetëm në versionin audio, ndërsa pritet që së shpejti të vijë edhe me klip.

Gashi është shumë i pëlqyer nga publiku shqiptar, ndërsa vetëm pak ditë më parë ai ishte prezent në Kosovë, ku perfomroi në kuadër të festivalit “Sunny Hill”.

Gashi, Dj Snake dhe French Montana pritet ta sjellin së shpejti këngën e tyre të re “Creep on me” edhe me klip.

Ai ndezi atmosferën për të pranishmit, teksa u ndje i lumtur që pati rastin për herë të parë të perfomojë para fansave të vendit të vet.

Ndërkohë, French Montana, është reperi me famë ndërkombëtare, i cili i ka shumë qejf shqiptarët.

Në vitin 2017, Montana ishte pjesëmarrës në klipin “Four Sesons” të Dafina Zeqirit, ndërsa po atë vit, në shtator kishte publikuar një bashkëpunim me Era Istrefin, të titulluar “No I love Yous”.

Kështu, “Creep on me” bëhet bashkëpunimi i tij i dytë me një artist shqiptar, në këtë rast me artistin Gashi. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=umHq7Z1ka2Y

Dua Lipa feston ditëlindjen: E lumtur të jem e rrethuar nga njerëzit më të mirë

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa ka festuar sot ditëlindjen e saj të 23-të.

Në rrjete sociale ajo ka postuar disa foto të saj, ndërsa thotë se është shumë e lumtur që është e rrethuar nga njerëzit më të mirë, transmeton Koha.net.

Ajo nuk i ka harruar edhe fansat e saj, të cilët i ka falënderuar për urimet dhe për përkrahjen që i kanë dhënë.
https://www.instagram.com/p/BmxtStfF-hf/?taken-by=dualipa
“23, tashmë po më bën të ndjehem e brishtë. Faleminderit të gjithëve që ma keni bërë vitin tim kaq të veçantë. Fansat e mi, familjen, dhe shoqërinë. Jam me fat që kam përreth vetes njerëzit më të mirë. Ju dua dhe faleminderit për mesazhet e bukura. Do iu përgjigjem së shpejti, dhe vetëm më duhet të shtrihem në diell përderisa më pushon truri nga kokëdhimbja për shkak të përgatitjeve për sot”, ka shkruar Dua Lipa./KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmyA2idFeq3/?taken-by=dualipa
https://www.instagram.com/p/BmyA2idFeq3/?taken-by=dualipa

“Rana e Hedhur”, perla e Shëngjinit me plazhe të pastra dhe shëruese

Turizmi mbetet prioritet për Bashkinë e Lezhës dhe këtë verë bregdeti është çdo ditë e më i pastër.

Drejtoria e shërbimeve publike të Lezhës po vijon çdo ditë punën për pastrimin e plazhit publik te Rana e Hedhur.

Rana e Hedhur ndodhet fare pranë qytetit të Shëngjinit në veriperëndim të portit detar.

Vendasit e quajnë kështu sepse rrymat detare dhe era e kanë grumbulluar rërën në këtë gji të vogël detar në formë xhepi.

E veçanta është se ky grumbull rëre është i pastër dhe i veçuar nga plazhi i madh dhe është një plazh shkëmbor.

Ky plazh i vogël ka një shtrirje rreth 500 m i gjatë dhe rreth 100 m i gjerë.

Është një plazh me vlera kurative për shkak të pastërtisë së rërës dhe ambientit. Pushues të shumtë vendas dhe të huaj preferojnë të pushojnë aty.

Rruga që të çon drejt rërës së hedhur është një rrugë e kalueshme fal edhe bizneseve që kanë aktivitetin e tyre në këtë zonë./ata

Ndarja

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Trupi m’u nda nga shpirti pak e nga pak.
Tani të dy jetojmë me vete me ditë e me net,
Trupi djersitet, ecën në rrugë, ha në tryezë e prehet në shtrat,
Shpirti me ëndrrat, mendimet e dhimbjet flet…

Asgjë s’kuptoj qysh ndodhi me mua, qysh!
Kjo ndarja ime e trishtuar më tremb.
Kjo ndarja ime në dysh
Në palcë më dhemb.

Kitaristi kosovar që shkëlqeu në Ohër

Kitaristi virtuoz nga Kosova, Drilon Cocaj i ka dhuruar tinguj të bukur festivalit në Maqedoni “Ohrid Summer”, përcjell KutlPlus.

Drilon Cocaj perfomoi në këtë festival, në kishën e Shën Sofisë duke sjellë para të pranishmëve vepra nga epoka të ndryshme.

Cocaj u shpreh i lumtur që ka qenë pjesë e këtij festivalit.

“Kam sjellë një repertor me vepra të ndryshme e që ju përkasin epokave të ndryshme. Akustika në kishë ishte shumë e mirë, po e përmend këtë pasi që kjo ka shumë rëndësi kur luan me kitarë”, u shpreh ai.

Kjo ka qenë hera e parë që artisti ka marrë pjesë në këtë festival si artist pasi që këtë festival ai e kishte përcjellë disa herë.

“Është e rëndësishme që të ketë një ballkon në pjesën e sipërme të kishës pasi që nga aty unë kam dëgjuar yjet të cilat luanin në kuadër të këtij festival. Ishte më të vërtetë një nderë dhe kënaqësi që të performoj në këtë festival ku kanë performuar edhe emra të njohur si Maxim Vengerov, Ivo Pogorelic, Nikolay Luganski e të tjerë. Ky festival është i tillë që të gjithë duhet të krenohen më të jo vetëm Maqedonia por edhe regjioni”, u shpreh ai.

Drilon Cocaj ka luajtur në këtë koncert vepra të kompozitorëve si: Johan Sebastian Bach, Fernando Sor, Abel Carlevaro dhe Manuel Ponce.

Ai është fitues i garave “Ars Kosova” në Prishtinë si dhe numëron pjesëmarrje në koncerte të shumta në Shqipëri, Suedi, Mal të Zi, Gjermani si dhe në festivale të njohura në Kosovë por edhe jashtë vendin, si në festivalin “DAM”, “Re Music”, apo Festivalin e Chopin-it në Poloni./ KultPlus.com

Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe rëndësia e vendimeve të saj

Alberina Haxhijaj

Sot në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është diskutuar për Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Konsulta e Prishtinës ishte mbajtur më 27 dhe 28 prillit të vitit 1968, organizuar nga Institutin Albanologjik dhe katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e atëhershëm të Filologjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Në të kanë marrë pjesë rreth 150 intelektual të fushave të ndryshme si dhe kishte për qëllim që të merrte vendim në lidhje me fatin e gjuhës shqipe në Kosovë dhe në shtet tjera pjesë të Jugosllavisë së atëhershme. Pas mbajtjes së kësaj Konsulte u aprovuan përfundimet e nxjerra nga kjo Konsultë, ku u miratua vendimi që edhe shqiptarët e këtyre anëve të shkruanin e ta flisnin shqipen letrare kombëtare që flitej e shkruhej në Shqipëri. U vendos që deri në Kongresin e Drejtshkrimit të zbatohej projekti i 67-tës.

Studiuesja Shefkije Islamaj, ndau më të pranishmit në pika të detajuar historikun e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës si dhe sqaroi rëndësinë e kësaj Konsultë.

“Shqipja standarde do të vazhdojë që të mbetet gjuha e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Kosovës sepse duke pasur një gjuhë të përbashkët, identitet dhe histori të përbashkët gjuhësore, shqiptarët do të kenë edhe një të ardhme të përbashkët të përparuar e të qytetëruar. Ne sot ndodhemi në një fazë të re të historisë së kombit, prandaj edhe të shqipes standarde. Do ta kemi një gjuhë standarde sepse jemi një popull, sepse kemi një territor homogjen historik, kemi mite të përbashkëta, histori të përbashkët dhe ndjenjat të përbashkëta sepse kemi edhe kulturën e përbashkët”, u shpreh ajo.

Tutje ajo theksoi se vendimet që u morën pikërisht në këtë Konsultë dhe në Kongresin e Drejtshkrimit patën rëndësi për ruajtjen e gjuhës dhe standardizimin e saj.

Në anën tjetër Shkumbin Munishi u shpreh kjo Konsultë iu dha fund dy proceseve paralele që po ndodhnin njëkohësisht në Kosovë dhe në Shqipëri e që mund të kishin rezultate të ndryshme në standardizimin e gjuhës shqipe, e që bazë kishin dy dialektet e gjuhës shqipe.

“Në rastin e Konsultës shihet qartë që edhe në procesin e përzgjedhjes edhe në procesin e dekodifikimit rolin kryesor e kanë luajtur institucionet dhe ekspertët të cilët kanë marrë vendim që të braktisin bazën dialektore mbi të cilën ishte formuar shqipja në Kosovë dhe në trevat e tjera të ish-Jugosllavisë që pas Luftës së Dytë Botërore, duke e vendosur procesin e standartizimit të shqipes mbi një rrugë tjetër”, u shpreh ai.

Sipas tij ky ka qenë edhe veprimi kryesor që ka mundësuar formimin e një gjuhë të përbashkët standarde për gjithë kombin shqiptarë dhe ka ndikuar drejtpërdrejtë në formësimin e unitetit kombëtar shqiptar.

Konsulta Gjuhësore e Prishtinës konsiderohet padyshim një ndër ngjarjet kryesore drejt standardizimit të gjuhës shqipe./ KultPlus.com

Historia e fotografisë ku nusja qan e tmerruar

Dasmat shqiptare para viteve 90-të nuk kanë qenë aspak të zakonshme. Michel Setboun hyn tek ata fotografë të huaj që kanë patur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit për ti fokusuar në aparatin fotografik.

Prej vitesh ato kanë ngjallur kureshtjen e çdo vizitori në ekspozitat e Setboun. Tashmë këto foto ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shihen në ekspozitën “Fundi. Fillimi.”.

Shqipëria 1981-1991” që vijon të qëndrojë e hapur në COD. Në fund të viteve 80-të një prej këtyre fotove është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Nëse e sheh me kujdes nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare. Shqipëria e regjimit komunist.

Durrësi përbënte një nga destinacionet kryesore turistike të asaj kohe për shqiptarët dhe vizitorët evropiane. Amerikanëve, rusëve dhe kinezëve nuk iu lejohej të vizitonin vendin. Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore. Simbolet e fundit të komunizmit shkatërrohen një nga një. Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë. Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar një copë mishi.

Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri. Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve. Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator./ KultPlus.com

Tirana në një incizim të rrallë (VIDEO)

Më poshtë mund të shihni një video ku tregohen pamje të Shqipërisë, përkatësisht të kryeqytetit, Tiranës gjatë viti 1930.

Kjo video është postuar në Albanina Vintage Photography, people, cities, culture and history./ KultPlus.com

Nën tingujt e këngës: “Veç për hatër t’ashiknis” e kompozuar nga Prof. Muharrem Gurra, kwnduar nga Mondi Dantes.

“Nëse dëshiron të mbash një sekret, duhet ta fshehësh atë edhe nga vetja jote”

Nëse je një fans i George Orwell t’i do të shijosh patjetër fjalitë e tij të mençura. Dhe ne shpresojmë t’i shijosh shumë.

Këtu janë 22 fragmente mençurie nga romanet e George Orwell:

“Ai që kontrollon të shkuarën, kontrollon edhe të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën”. – 1984

“E shkuara është diçka e çuditshme. Ajo është me ty bashkë gjithmonë. Supozoj se nuk kalon asnjë orë pa menduar për gjërat që kanë ndodhur dhjetë apo njëzet vjet më parë dhe sërish në shumicën e kohës nuk bëhet fjalë për realitetin, thjesht për një numër faktesh që ti ke mësuar, si gjëra të nxjerra nga një libër historie”. – George Orwell Dalja Jashtë për Ajër, Coming Up For Air

“Në disa raste unë mendoj se ne të gjithë jemi kufoma. Vetëm se kalbemi në këmbë”. – Mbaje Aspidistrën duke Fluturuar, Keep “The Aspidistra Flying”

“Nëse dëshiron të mbash një sekret, duhet ta fshehësh atë edhe nga vetja jote”. – 1984

“Njeriu është krijesa e vetme që konsumon pa prodhuar” – Ferma e Kafshëve

“Ndoshta një njeri me të vërtetë vdes kur truri i tij ndalon, kur ai humbet fuqitë për të thithur ide të reja”. – Dalja Jashtë për Ajër, Coming Up For Air

“Është një nga tragjeditë e gjysmë të arsimuarve, që ata zhvillohen vonë, kur sakaq janë angazhuar në një rrugë të gabuar në jetë”. – Ditët Burmeze, Burmese Days

“Librat më të mirë… janë ata që u thonë atë çfarë ju sakaq dini”. – 1984

“Është një gjë misterioze, humbja e besimit, aq misterioze sa vetë besimi”. – Vajza e Priftit, A Clergyman’s Daughter

“Njeriu si shërben interesit të asnjë krijese tjetër, veç vetes së tij”. – Ferma e Kafshëve

“Lufta është Paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është fuqi”. – 1984

“Një njeri duhet të ndryshojë sistemin ose nuk ndryshon asgjë”. – Mbaje Aspidistrën duke Fluturuar, Keep The Aspidistra Flying

“Zilia është një gjë e tmerrshme. Është ndryshe nga të gjitha llojet e tjera të vuajtjes për shkak se nuk ka maskim për të, nuk ka ngritje në tragjedi. Ajo është më shumë sesa thjesht e dhimbshme, është e neveritshme”. – Ditët Burmeze, Burmese Days

“Mendo për jetën ashtu si ajo është me të vërtetë, mendo për detajet e jetës dhe pastaj mendo nëse nuk ka kuptim tek ajo, nuk ka qëllim, nuk ka objektiv përveç varrit. Natyrisht vetëm budallenjtë apo ata që gënjejnë veten, apo ata jeta e të cilëve ka qenë jashtëzakonisht me fat, mund ta përballin këtë mendim pa u drithëruar?” – Vajza e Priftit, A Clergyman’s Daughter

“Gjurma dalluese e një njeriu është dora, instrumenti me të cilën ai bën të gjitha të pabërat” – Ferma e Kafshëve

“Zgjedhja e njerëzimit qëndron mes lirisë dhe lumturisë dhe për pjesën më të madhe të njerëzimit, lumturia është më e mirë”. – 1984

“Një tërmet është kaq shumë qejf kur ka kaluar”. – Ditët Burmeze, Burmese Days

“… mund të marrësh çdo gjë në këtë botë, nëse në mënyrë të sinqertë nuk e do atë.” – Mbaje Aspidistrën duke Fluturuar, Keep The Aspidistra Flying

“Ne nuk është se thjeshtë i shkatërrojmë armiqtë tanë; ne i ndryshojmë ata”. – 1984

“Bukuria është e pakuptimtë, derisa ajo të ndahet me të tjerët”. – Ditët Burmeze, Burmese Days

“Varfëria është era e keqe shpirtërore”. – Mbaje Aspidistrën duke Fluturuar, Keep The Aspidistra Flying

“…qëllimi i nisjes së luftës është gjithmonë të arrish në një pozicion më të mirë, nga i cili të nisësh një luftë tjetër”. – 1984./ KultPlus.com