Korça, në hartën e udhëtarëve kuriozë për Shqipërinë

Në ditët kur të gjithë zgjedhin të pushojnë mes detit, rërës dhe argëtimeve të tjera, turistët e huaj nuk i mungojnë Shqipërisë.

Udhëtimet e tyre vijnë si një paketë eksplorimi të qyteteve shqiptare, elementet kulturore e historike, ndërsa mënyrat sesi ata organizohen janë individuale.

Një ditë në çdo qytet është mëse e mjaftueshme për turistët që të shohin atraksionet e vendit tonë. Korça mbetet një prej destinacioneve më të vizituara të Shqipërisë. Kryesisht turistët nga vende të ndryshme të Europës zgjedhin që të ndalen në qytetin juglindor për një natë dhe të vizitojnë “Pazarin e vjetër” apo edhe muzetë.

“Vijmë nga Franca dhe jemi shumë të befasuar, pasi është një vend shumë i këndshëm. Vizituam liqenin e Ohrit dhe pas Korçës do të vazhdojmë udhëtimin në jug të Shqipërisë. Kishim një libër guide, ku tregoheshin disa nga atraksionet e Shqipërisë, dhe vendosëm t’i vizitojmë. Unë jam së bashku me familjen dhe kemi një makinë kampingu ku flemë, ndërkohë që na pëlqen të shijojmë ushqimin shqiptar”, thotë një turiste franceze.

“Është hera e parë që vij këtu, u befasova. Më bëri shumë përshtypje dhe do të vij përsëri. Do përpiqem të shikoj vende të tjera, pasi është hera e parë që jam këtu. Sot do të jemi këtu, por herën tjetër do të shkojmë të shohim Tiranën, ose edhe qytete të tjera”, thotë një tjetër turiste, shkruan TCH, përcjell Albinfo.ch.

“Ne jemi nga Austria dhe po bëjmë një udhëtim 10-ditor në Shqipëri. Bëmë një ndalesë të shkurtër në liqenin e Ohrit në Pogradec. Është dita jonë e katërt në Shqipëri dhe unë kisha lexuar për Korçën, ndaj i kërkova guidës sonë që të na sillte këtu. Më pas do të shkojmë në Gjirokastër, e më tej edhe në 2-3 qytete të tjera. Preferojmë që të akomodohemi në hotele të vegjël, sepse neve na pëlqen të mësojmë më shumë për kulturën, historinë e Shqipërisë dhe është më mirë në hotele të vegjël sesa të mëdhenj”, thotë turisti austriak.

Korça po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke regjistruar shifra të larta turistësh jo vetëm në verë, por në të gjitha stinët.

Ne kemi kohë që nuk flasim

Poezi e shkruar nga Aleksander Pushkin.

Ne kemi kohë që nuk flasim,
Por s’jemi ndarë përgjithmonë.
Ne që të dy kërkojmë çastin,
Që të harrojmë zënkën tonë.

Ky zemërim prej fëmije,
Nuk më le një çast të qetë.
Nga malli i madh i dashurisë,
Ti lozonjare më vjen vetë.

Kur zemërohesh ti me mua,
Edhe më shume unë të dua.
Se dhe më tepër nga shikimi,
Te paska hije zemërimi.

Muzika e Mozartit, ndikuese në shëndetin e fëmijëve

Muzika e Mozartit ndikon në shëndetin e fëmijëve. Kjo gjë është vërtetuar nga mjekët e Spitalit Mbretëror në Edinburg.

Studimi i mjekëve u bazua në 45 fëmijë, të cilëve iu vendos që të dëgjonin për 5 minuta muzikën e kompozitorit austriak. Rezultatet treguan reduktim të ndjeshëm në frekuencën e shkarkimeve epileptike në tru gjatë kësaj kohe.

Pra thënë më thjeshtë, fëmijëve u reduktohet falë kësaj muzike rreziku i goditjeve epileptike në tru. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si muzika ka një efekt të tillë.

Një teori është se muzika e Mozart ka një model unik të ritmit që ndikon në aktivitetin e trurit./ dita

Lumturinë që i mungonte si fëmijë e plotësonte me ngjyrat e ndezura, artisti amerikan tash po zbukuron edhe Anibar

Gili Hoxhaj & Alberina Haxhijaj

Paqja është kryefjala e çdo fjalie me të cilën nis ditën. Kur flitet për paqen, edhe nëse flitet kundër luftës, kjo fjalë as në këtë kontekst nuk duhet të zë vend në fjalorin e tij. Ai thotë se energjia që reflektohet mes pamjeve e fjalëve, është thelbësore për ta parë botën. Gibran Isaias Lopez i cili profesionalisht njihet si Isais Crow, për të cilin thotë se është emër shpirtëror i tij, “Crow” që do të thotë “Zog”, thotë se është emri që ia ka vënë vetes në moshën 14 vjeçare, e ka përfaqësuar naivitetin e tij derisa ka vandalizuar rrugët. Crow është një artist i muraleve dhe autor librash që në mënyrë artistike ka zbrazur ngjyrat e tij në shumë vende të botës, duke përcjellë mesazhe të një shpirti shumëngjyrësh e në harmoni me jetën. Mjedisi ku është rritur, në El Paso në Texas, një vend në kufi me Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë se ka ndikuar mjaft shumë në mënyrën e tij për ta shprehur veten. Mjedisi i dhunshëm i ka shërbyer për ta kundërshtuar në çdo formë dhunën, e që më së shpeshti e bën përmes artit të tij.

Në punimet e tij dominojnë ngjyrat e ndezura, si reflektim i pozitivitetit e botës së tij të brendshme. Figura e gruas që sheh botën drejt në sy, është tejet e pranishme. Në shumë prej muraleve të tij janë të portretizuar sytë, të cilët qëndrojnë të veshur me ngjyrat e ndezura. Portretin e një familje të lumtur, nuk e ka gëzuar edhe në fëmijërinë e tij, por praninë e tij mund ta gjesh në shumë prej muraleve që ai ka punuar. Të bashkuar dhe të buzëqeshur, i japin një mesazh ndryshe botës, një mesazh ndryshe nga ajo çfarë artisti Crow ka përjetuar. Derisa flet duart dridhen në harmoni me fjalët, pauzat mes tyre shpërfaqen në sytë e mbyllur pasi që fjalët janë një komunikim i thellë ndjenjash.

Artisti amerikan që përmes muraleve reflekton paqen e dashurinë

Me ftesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Isais Crow ka qëndruar për disa ditë në Kosovë, derisa shumë të rinj nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë pasur mundësi të mësojnë nga përvoja e tij sa i përket muraleve. Po ashtu ai do të jetë pjesë e festivalit “Anibar”, ku do të pikturoj muralin e këtij festivali
Në një intervistë të realizuar për KultPlus, ai thotë se punimet e tij artistike janë reflektim i energjisë të cilën ai e merr dhe e jep. Vetën e sheh si një kanal e udhëzues i shpirtit të tij. I rritur në një familje ku babai ishte alkoolist, i dhunshëm me nënën e tij, e i dashur me fëmijët, ai shpesh ishte rrekur pas pyetjes se pse kjo po i ndodhte familjes së tij dhe për ku ka ikur dashuria. Derisa prindërit iu divorcuan, ai kishte një mënyrë për të shprehur gjithë tensionin që ndjente brenda, këtë e bëri duke hedhur sprej me ngjyra.

“Fillova që të pyes vetën se çfarë ka ndodhur me gjithë dashurinë që kishte babi im dhe perse ai ishte bërë i tillë. Ata u divorcuan më pas, dhe sot me kujtohet ajo kohë dhe njëjtë e pyes vetën se çfarë ka ndodhur. Dhuna pastaj për mu u bë diçka normale. Unë kam lindur në El Paso në Texas, një vend në kufi me Meksikën, kështu që unë kam jetuar në mes të dy vendeve. Në El Paso, Amerika po shkonte në luftë me Irakun, ndërsa në anën tjetër në Meksikë, afër nesh shumë gra filluan që të zhdukeshin. Pra kisha dhunë edhe brenda shtëpisë sime por edhe jashtë. Kështu që unë mendoja ku është dashuria, çfarë ka ndodhur? Derisa kjo ndodhte fillova që të vandalizojë rrugët më sprej me ngjyra, kjo ishte mënyra ime që të shprehja ndjenjat e mia dhe gjithë tensionin që ndjeja brenda”, tregon artisti amerikan.

Nga hedhja e ngjyrës ilegalisht në rrugë deri tek pranimi i ofertës nga departamenti amerikan

Dhuna e cila ishte e pranishme brenda mureve të shtëpisë së tij por edhe jashtë saj, e kishte nxitur që fillimisht në mënyrë ilegale të hedhë sprej në rrugë. Megjithatë babai kishte qenë i pari që e kishte inspiruar, ai tek i cili kishte hasur fillimisht të pikturuarit, i cili për shkak të mungesës së parave, këtë praktikë e kishte rralluar. Megjithëse në familje e kishte dhënë një shembull të njeriu të dhunshëm e që prania e tij shpesh mungonte, babai i Crow, kur kishte kuptuar për mënyrën ilegale me të cilën biri i tij po e shprehte vetën, i kishte dhënë një këshillë për të ndryshuar.

“Më vonë babi im e kuptoji që unë po ngjyrosja nëpër rrugë në mënyrë ilegale dhe erdhi në shtëpi duke më pyetur se çfarë po bën. Unë isha nervoz dhe i thash se gjithë këto po ndodhin dhe ti nuk je në shtëpi dhe ai më thotë se më kupton por kjo nuk ishte zgjidhje. Në fillim nuk e kuptova, mirëpo më vonë po. Babi im edhe pse ishte një i alkoolizuar, ai përsëri ishte pjesë e jetës sime dhe më udhëzonte apo vinte në shtëpi dhe më pyeste për vizatimet e mia apo për librat që kisha lexuar, pasi që kjo ishte një e mirë e tij, ai lexonte shumë: Kafkën, Niçen. Sipas tij të jesh më shumë i informuar ndikon që arti që bënë të jetë më shumëngjyrësh, më i avancuar. Ai ishte këmbëngulës që në vend të që vizatoj në mënyrë ilegale, unë duhet që të marrë leje në komunitete të ndryshme dhe kështu të bëj murale nëpër muret e tyre dhe kjo ishte pikërisht ajo që kam bërë”, tregoi për KultPlus artisti Crow.

Derisa kishte filluar që të marr leje për të krijuar murale e tij, shumë fëmijë e të rinj kishin kërkuar t’i bashkoheshin. Pikërisht tek ta, ka gjetur reflektimin e vetes.

“Ajo që kam parë në ta ishte një reflektim, ata ishin njëlloj si unë, nuk kishin se ku të shkonin, ishin konfuz dhe unë isha aty për ta, për t’ju treguar se kjo është në rregull dhe kështu mbanin masterklasa, pas shkollës në verë. Kështu që fillova që për këtë të investojë paratë e mija dhe fëmijët ishin çdo herë aty gati për të punuar së bashku”, shprehet tutje.

Pesë vite me vonë, puna e tij e kishte bindur Ambasadën amerikane në Costa Rica për ta telefonuar dhe për t’i kërkuar që t’i bashkohej njërit nga programet e tyre.

“Dhe kështu pastaj filloi rrugëtimi im nëpër vende të ndryshme”, shprehet artisti.

“Unë nuk jam këtu që të ndryshojë mendimet e njerëzve, mirëpo vetëm që të ju tregoj sesa të mrekullueshëm janë”

Sipas artistit e kaluara rri në errësirë, ndërsa ne të ardhmen shihet drita. Sipas tij. njeriu mund të rritet vetëm kur këto dy kontraste bashkohen dhe errësira kthehet në dritë.

“Kam kuptuar se kur ne përdorim kontraste, errësirën dhe dritën si mjete dhe kur përdorim errësirën duke e purifikuar në dritë, ne mund të rritemi. Shumë prej nesh ngecin vetëm në errësirë duke thënë se kjo më ka ndodhur dhe nuk ecin më përpara, mirëpo kjo nuk është qëllimi, qëllimi është që errësirën ta kthejmë në dritë. Të jetojmë përmes dashurisë duke vetreflektuar. Përmes vetreflektimit (introspektivës) unë lidhem me shpirtin tim, me universin, me Zotin, sido që mund ta quani dhe fillova që të shoh se unë jam ti, edhe ai, edhe ajo, pra jam çdonjëri, dhe e pash që të gjithë kemi shumë dashuri, shumë fuqi dhe shumë energji ”, thotë tutje Crow.

Kur ai pikturon në mure, duket sikur ai nuk derdh ngjyrat por shpirtin e tij, pasi që thotë se në mure është shpirti, apo sipas tij është vendi ku shpirtrat e ndryshëm komunikojnë mes vete. Jeta e vështirë e grave që e kanë rrethuar, e kanë bërë të kuptoj se ato e meritojnë të kundërtën, meritojnë çdo ditë t’u rikujtohet se sa të mrekullueshme janë. Sipas tij, shpirti i botës ka nevojë për shërim, ndërsa në formë retorike ngrit pyetjen se kush mund ta shërojë atë më mirë se gratë?

“Ata mund të duken sikur njerëz pasi që kështu i perceptoj unë por në fakt nuk kanë formë. Kur i shikoni puna e tyre është që të ju rikujtojnë sesa të fuqishëm dhe të mrekullueshëm të gjithë jeni dhe kjo është e njëjta gjë që po ju them juve, dhe kjo është arsyeja edhe pse dora ime po dridhet pasi që është shpirti im që po flet dhe po ndanë me ju gjithë këto. Unë mund të konsiderohem edhe një avokat i të drejtave të grave, sepse jam rritur nga katër gra, nëna ime dhe tri motrat e mia të cilat më kanë mësuar sesa të mrekullueshme janë. Besoj që gratë duhet që të jenë ato që e udhëheqin këtë botë, pasi që ne kemi nevojë për shërim dhe kush mund të shërojë më mirë se vet gratë, nënat tona”, flet në mënyrë të qetë artisti Crow, derisa lëviz duart në harmoni me fjalët, e pauzat i shpërfaq në sytë e mbyllur.

Ai ka shkruar gjithsej pesë libra, e është autor i shumë videove përmes të cilave shpërndan mesazhe frymëzuese. Ai thotë se çdokush ka energji të mjaftueshme sa të mund ta përdor atë në forma të ndryshme.

“Unë kam pesë libra, njëri prej tyre është një novelë, eshtë për jetën time të bazhkëdyzuar edhe me fiksion, është kryesisht për të kaluarën, duke u rritur si një fëmijë që ndjehet konfuz dhe i humbur por edhe duke mësuar për kontrastet që ka jeta dhe duke i përdorur ato për të rritur dhe duke u lidhur me rrënjët e mia, me paraardhësit, me shpirtin tim, me subkonshiencën time, pasi që në këtë mënyrë unë jam i udhëzuar”, tregon tutje Crow, ndërsa shton se libri i dytë ka të bëjë me punëtoritë dhe masterklasat që rrumbullaksojnë 15 vite të punës së tij, ndërsa libri i tretë është një libër me ngjyra, ndërsa të tjerët i ka në bashkautorësi me miken e tij, ndërsa libri flet pikërisht për shërimin, për të rinjtë që nuk kanë një rrugë të duhur për të ndjekur.

“Kur nuk ndjehem mirë nuk pikturoj pasi që energjia negative reflektohet”

Ai thotë se mesazhet që në mure janë shumë të rëndësishme për një shoqëri, pasi që përçojnë energji të përditshme tek njerëzit. Sikur fjalët edhe pikturimi për të janë reflektim i vetes dhe përçojnë energjinë e brendshme.
“Nëse nuk ndjehem mirë nuk pikturoj, pasi që gjithë energjia negative do të reflektohet. Pra nëse e shkruan fjalën “Luftë” sigurisht që ajo do lidhet me emocione negative, por nëse e shkruajmë në mur “Dashuri” apo “Paqe” ajo do reflektojë energji pozitive. Prandaj edhe kur shikoni muralet e mia do thoni wow ngjyra të ndezura, edhe pse ndoshta nuk do t’i kuptoni, do thoni se s’ka rëndësi, pasi që krijojnë ndjenja të mira”, shprehet tutje ai.
Mesazhi i tij për të gjithë artistët, veçmas ata të muraleve është që të kërkojnë brenda shpirtit të tyre dhe të mos jenë të lidhur vetëm me sipërfaqen.

“Reflektoni brenda vetës suaj që ta shikoni sesa të fuqishëm jeni, sa të mbrojtur jeni nga engjëjt, nga pasardhësit, nga çfarëdo që ju besoni. Ne jemi shpirtrat tanë, pra kërkoni brenda shpirtit tuaj, meditoni, bëni çfarëdo, po thjeshtë lidhuni me vetën tuaj të brendshme, pasi që kështu do keni mundësi që të shikoni përmes universit, përmes vetës suaj, jo përmes syve të të tjerëve apo përmes mediave e të tjerave”, përfundon ai./ KultPlus.com

Arkitektët e rinj kosovarë garojnë për çmimin People’s Choice Awards me “Pavijonin Kombëtar të Kosovës”

Një grup i arkitektëve të rinj nga Kosova kanë krijuar konceptin e Pavijonit Kombëtar të Kosovës për t’u bërë pjesë e garës “Imagine your national pavilion” të organizuar nga Archstorming për çmimin People’s Choice Awards.

Amir Zejnullahu, Denis Qerimi, Diellza Bucaliu, Labinot Mehmeti bashkuan forcat e tyre për të krijuar këtë pavijon, duke u munduar të zgjedhin mënyrën më kreative për të paraqitur një pasqyrë të historisë së Shqiptarëve e cila prek shumë sfera të jetës së tyre duke përfshirë : politikat, kulturën, traditën, gjuhën, dhe virtytet e këtij populli ndër shekuj.

Të kontaktuar nga Ndërtimi.info, arkitektët kanë treguar gjerësisht rreth idesë së tyre për pavijonin.

“Për të kuptuar thelbin e historisë së Shqiptarëve duhet shumë kohë. Duke qenë të pushtuar që nga periudha e Ilirëve e shekuj të tërë me revolta e luftë për liri, tregojnë që shqiptarët asnjëherë nuk u dorëzuan të mbrojnë atë që është e tyre. Ideja ka qenë që të paraqitet një gjeometri urbane që e krijon një koncept të historisë për një lexues që nuk di për historinë tonë. Pozicionimi i shtëpive në mënyrë jo të rregullt të harmonizuara në mes vete që rrethohen nga një mur i cili ka vetëm një hyrje në oborr, tregon për miqësinë, mirëpritjen dhe dashurinë e shqiptarit për njeri-tjetrin, shtylla e pjerrët si simbol i qëndrueshmërisë dhe rezistencës për ta ruajtur traditën, hapjet e shumta (vrimat në mur), urat lidhëse si simbol i lidhjes mes Shqiptarëve ndër shekuj, dhe kullat e gjata që janë “mysafirët” qe kanë qenë me shekuj në këto troje dhe janë akoma” kanë treguat arkitektët.

Materialet e përzgjedhura për krijimin e pavijonit janë bërë në raport me konceptin dhe traditën shqiptare: betoni, tulla dhe druri. Ideja për t’u bërë pjesë e kësaj gare kishte lindur nga vetë tema e konkursit që dizajni duhet të jetë një paraqitje didaktike, ku përmes projektit të shprehet më së miri ajo çka e përfaqëson vendin.

“Për të qenë sa më qartë dhe pa fjalë shumë: Mit’hat Frashëri shkruante se: Shqiptarët nuk kanë rrojtur kurrë për veten e tyre, dhe se ata kanë sakrifikuar edhe esencën e tyre të të jetuarit për “të tjerët”, ku talentin dhe vullnetin e tyre e kanë përfituar “të tjerët”. Ajo çka paraqitet ne dizajn nuk do të thotë që është një lidhje e drejtpërdrejtë me Arkitekturën vendore në aspektin e gjeometrisë, mirëpo më shumë një paraqitje figurative” shprehen arkitektët.

Synimi i tyre si pjesëmarrës është që të mësohet më shumë për shqiptarët.

“Është shkruar shumë pak për shqiptarët ndërsa mund të shkruhet shumë më shume. Kanë neglizhuar shume publicitetin, dhe ky ka qenë gabimi më i madh i tyre” thonë ata.

Archstorming, është një kompani e themeluar në shkurt të vitit të kaluar dhe qëllimi i saj nuk është vetëm të ekspozojë idetë arkitekturore dhe të gjejë zgjidhje për shumë probleme urbanistike, por edhe t’i përgjigjet kërkesave sociale dhe të përpiqet të krijojë një botë më të mirë.

Kompania përpiqet që të organizojë tre deri në pesë gara arkitekturore në vit, në mënyrë që njerëzit e interesuar të kenë mundësinë të tregojnë idetë e tyre në një mënyrë shumë vizuale dhe sintaksore, duke qenë sa më solide, inovative dhe të respektueshme me çështjen si ata munden.

Këtu mund ta gjeni linkun e votimit të projektit të arkitektëve Kosovarë, me kodin WEP0418061. Votimi do të qëndrojë i hapur deri më 15 gusht, ndërsa me 16 gusht do të bëhet përzgjedhja e fituesve:

https://www.archstorming.com/weppublic.html

Reportazh: Reflektimi i DokuFest-it në Prizren (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Të këndosh këngën “I’ll Be Your Mirror’, nga The Velvet Underground, së bashku me dhjetëra njerëz shumicën e të cilëve asnjëherë më parë nuk i ke takuar, por që i pranon ashtu siç janë, gjersa reflektoni së bashku për atë që jeni, kjo është fuqia e DokuFes-it dhe ajo që shënoi edhe hapjen e këtij edicionit të XVII.

“Unë jam pasqyra jote, reflekto çfarë ti je, në rast se nuk e di,
Unë do të jem era, shiu dhe perëndimi i dellit,
Drita e shtëpisë që të tregon se je në shtëpi”, janë fjalët që i kanë shqiptuar dhjetëra persona në ambient të hapur të Kino Lumbardhi, të premten.

E ftesës së festivalit “Eja, ashtu qysh je”, po i përgjigjen një numër i madh i vizitorëve. Në ekranin e vendosur nga festivali te Shatërvani, numri i vizitorëve shënoi 1 mijë e 300 mbrëmjen e kaluar, në ditën e dytë të festivalit.

Të gjithë ata kanë ardhur për të qenë pjesë e DokuFest-it dhe programit të tij të larmishëm ku do shfaqen më shumë se 250 filma. Përveç filmave, vizitorët do shijojnë shfaqjet, bisedat, ekspozitat dhe koncertet, do kënaqen me art por njëkohësisht edhe do reflektojnë përmes mediumeve të ndryshme mbi veten dhe ambientin.

Në një situatë kur thjeshtë të duhet të marrësh frymë dhe të reflektosh, sigurisht qyteti i Prizrenit është i duhur. Një qytet ku bota moderne dhe ajo antike gërshetohen shumë bukur me njëra tjetrën, qytet në të cilin mund ta gjejë veten çdo kush, falë laramanisë që ofron.

Fillimisht ajo që duhet të zgjedhësh është lartësia mbidetare në të cilën dëshiron që të qëndrosh dhe të reflektosh. Kështu në qoftë se dëshironi që të jeni 525 m. mbi nivelin e detit, duhet që të ngjiteni të Kalaja e Prizrenit, 15 minutave ecje në këmbë nëpër rrugicën që lidhë qytetin me Kalanë. Me të arritur, për shkak të ecjes, frymëmarrja juaj për disa sekonda mund të jetë më e thellë pasi që organizmi juaj do ketë nevojë për më shumë oksigjen, por ju, ka shumë gjasa të mos i kushtoni vëmendje pasi që pamja e qytetit, i cili reflekton si një pasqyrë drejt jush, do jetë e paharrueshme. Gjersa qëndroni të Kala, vend i cili është shndërruar në kinema do jeni po ashtu në vëmendjen e kalimtarëve në qytet të cilët në muret e kalasë lexojnë mbishkrimin “AS WE ARE”, pjesë e instalacionit të festivalit.

Në anën tjetër përgjatë Lumbadhit të Prizrenit, “Lumbardhi outdoor” dhe “Kino n’lum” janë bërë zgjedhje për shumë vizitorë, të cilët po përcjellin filmat. Veçanërisht në ‘Kino n’lum’ zhurma që krijon rrjedhja e lumit po gërshetohet me filmat të cilët janë duke u shfaqur aty. Rrjedha e lumit po krijon njëkohësisht edhe një freski, e për ata të cilët kjo nuk mjafton një pijë dhe disa grimëtësira për të ngrënë gjersa përcjellin filmat janë ideal.
Mirëpo kur dielli fillon që të perëndojë ajo që duhet që të bëni është që të vazhdoni tek Platoja “DokuKino”.

Perëndimi i diellit është një njoftim se aty shfaqja e filmave do të fillojë shumë shpejtë. Kështu kuadrot e filmave gërshetohen shumë bukur me ngjyrën e kuqërremtë, e të arit, të cilat fillojnë që të shfaqen në qiell. Një pamje e mrekullueshme për të marrë fryme thellë dhe reflektuar. E meqenëse qyteti është i rrethuar me xhamia të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane atëherë thirrja e ezanit do bëhet pjesë e filmit po ashtu.

Më të përfunduar filmi vëmendja e vizitorëve kthehet te Rruga e Çarshisë. Vendi i cili prezanton më së miri laramanin e qyteti dhe shijet e ndryshme të vizitorëve. Lokalet e shumta të vendosura në këtë rrugë janë çdo natë të stërmbushura nga vizitorët. Disa marrin miqtë dhe ndalojnë për një birrë, të tjerët për një kafe turke, e njohur për shijen e veçantë, e të tjerët të uritur shijojnë një byrek apo qebapët. Sigurisht që një fluks i tillë ndikon pozitivisht të prizrenasit të cilët kanë hapur dyqane të ndryshme, kafeteri e lokale.

Një e veçantë tjetër e vizitorëve të cilët bredhin rrugëve me kalldrëm të Prizrenit është se shumica e tyre janë vizitorët të huaj. Ndërsa një pjesë e tyre janë edhe filmbërës, aktorë, muzikantë, e artistë të ndryshëm të cilët janë të lidhur me kinematografinë dhe me festivalin. Disa vijnë për të prezantuar punën e tyre gjersa shpalose në festival, e të tjerët për ta shijuar atë që po prezantohet. Prandaj rrugëve të kalldrëmit arrin të takosh edhe artistët edhe nga Kosova.

Kur ora shënon 24:00 në qytetin e Prizrenit akoma nuk ka gjumë, kjo pasi që edhe jeta e natës është e pranishme përmes performancave të bendeve dhe artistë të ndryshëm të cilët perfomojnë në skenën “ANDRRA”. Vizitorët gjatë kësaj kohë drejtohen drejt “Marashit” ku shijojnë muzikë deri në orët e para të mëngjesit. Për të vazhduar përsëri një ditë tjetër reflektuese duke zbuluar prurjet e reja të këtij edicioni të DokuFestit.

Në mëngjes, trokitja e rrotave të valixhes, nëpër rrugët e kalldrëmit në kërkim të shtëpive për të qëndruar është zhurma paralajmëruese për vendasit se në lagjen e tyre po hyn edhe një vizitor i ri. Kështu mikpritës i-ja e shtëpisë, me një buzëqeshje në fytyrë i drejton mysafirët e saj në dhomën e tyre, të cilën e ka lëshuar për vizitorët e festivalit.

E veçanta e këtyre rrugëve këtë vit për dallim nga vitet e kaluar është se trungu i pemëve të vendosura gjatë rrugëve është mbështjell me punime dore të realizuara nga gratë e qyteti. Punimet këtë vit kanë zëvendësuar njoftimet e ndryshme të cilat më parë janë ngjitur nëpër pemë. Kështu përmes kësaj performance të titulluar “Drunjtë e pastër” është promovuar punë e grave të qytetit por njëkohësisht është vënë theksi mbi rëndësinë që ka ambienti.

Një veprim i tillë e ka bërë qytetin edhe më të dashur për vizitorët të cilët gjersa kalojnë rrugës i veshtojnë më kujdes edhe këto punime. Mirëpo, kjo është gërshetuar shumë bukur edhe me programin “Green Dox”, të festivalit.
Në këtë rrotacion i cili do zgjasë nëntë ditë aq sa zgjatë edhe festivali, 3-11 gusht, çdokush do mund të gjejë diçka të veçantë në Prizren. Mund të jetë diçka shumë e thjeshtë, ndoshta edhe një pikturë e Prizrenit të vjetër, e varur në murin e dhomës suaj, e ngjashme me timen në shtëpinë e zonjës Tyrkan Opoja. Pikturë të cilën një mik i familjes ia dhuroi bashkëshortit të saj të ndjerë, si shenjë respekti dhe falënderimi pasi që ishte pediatër i fëmijës së të tij.

Gjithçka mund të jetë nxitje për të reflektuar, për aq kohë sa ju jeni vetvetja, ashtu qysh jeni, kokëfortë, të guximshëm, të frikësuar, të sinqertë, krenarë, të thjeshtë, të komplikuar, të lirë, të mrekullueshëm…/KultPlus.com

‘Ku janë shqipet e mia?’ Mario Dedivanoviç dhe Bebe Rexha u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve

Makeup artisti me origjinë shqiptare Mario Dedivanoviç është takuar ditën e djeshme me këngëtaren shqiptare Bebe Rexha dhe kanë postuar një foto së bashku.

Dyshja i ka bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë dashuri.

Mario Dedivanoviç është një nga makeup artistët më të njohur në botë. Ai është me origjinë nga Shqipëria dhe prej vitesh punon përkrah ikonës së bukurisë, Kim Kardashian, të cilën e bëri edhe të fliste shqip.

Mirëpo ditën e djeshme ka pasur një takim me këngëtaren shqiptare Bebe Rexha. Dyshja kanë postuar një foto së bashku ku u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve.

“Ku janë shqipet e mia. Tregoni pak dashuri,”- shkruan Mario krahas fotos, ku ka vendosur edhe simbolin kombëtar me shqiponjën dykrenare.

Arineta Mula ngrit flamurin e Kosovës në majën më të lartë në Rusi

Alpinistja me origjinë nga Peja, Arineta Mula, ka arritur sot të ngjitet në majën më të lartë në Evropë,në majën Elbrus në Rusi, shkruan KultPlus.

Alpinistja Mula ka postuar një fotografi në Facebook, me flamurin e Kosovës në duar ku ka shkruar :

“Për Kosovën Tonë. Sot në mëngjes, ora 08:15, arrita ngjitjen e malit më të lartë ne Evropë, Elbrus 5642m. Falënderoj kryeministrin Ramush Haradinaj që më dorëzojë flamurin para nisjes që sot për herë të parë valojë në malin Elbrus”, shkruan Mula. / KultPlus.com

Xhevdet Xhafa, laureat i çmimit për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nesër do të organizojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e arteve pamore “Muslim Mulliqi”. Ky çmim ndahet për herë të parë nga MKRS, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore i ndahet Muslim Mulliqit – post mortem. Po ashtu, Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” i ndahet Akademik Xhevdet Xhafës. Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor i ndahet Fatmir Krypës.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet nesër në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, duke filluar nga ora 10:00./ KultPlus.com

“Në veri ma grabisin Kosovën serbët, në jug maqedonët, në perëndim malazezët…”

Vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli ka postuar sot një letër që shkrimtari i njohur Ali Podrimja i niste të atit të saj, me një shqetësim shumë të madh.

“Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi, ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë … E, unë ku të prehem? Shqipëria, mund të më ofrojë azil?”- i shkruan Podrimja, Agollit në një letër të vitit 2003.

Postimi

“ E, unë ku të prehem ?” – një shpirt i shqetësuar poeti atdhedashës, sa herë duhet ta ketë përsëritur këtë pyetje. E kur Kombi është në duart e bajraktarëve, pyetja është e thekshme, e dhimbshme.

Me kë mund të ndante këtë shqetësim i madhi Ali Podrimja, përveçse me të ngjashmin dhe “vëllain” e tij poet dhe atdhetar, Dritëroin.

– I dashur Dritëro , Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën sërbët, në jug maqedonët, në Perêndim malazezët…

Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …

E, unë ku të prehem ? Shqipëria, mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e kombit . Nuk di ç’të bëj ?…

Të qafon yt vëlla,

Ali Podrimja

26 shkurt 2003 , Ulpianë

Filmi “Kiem Holijanda” reflektimi i DukFestit që vë në pah lidhjen vëllazërore, pornografinë dhe migrimin

Alberina Haxhijaj – Prizren

Në platonë e DokuKino-së, ka ardhur mbrëmë premiera kombëtare e filmit “Kiem Holijanda”, shkruan KultPlus.

Qindra qytetarë të cilët janë duke e vizituar Prizrenin këto ditë, po shijojnë edhe programin e larmishëm që po sjell DokuFesti. Në mesin e tyre pati edhe të tillë të cilët mbrëmjen e 4 gushtit, vendosën që të shikojnë filmin “Kiem Holijanda”.

Filmi sjellë historinë e dy vëllezërve, personazhe këto të cilat vijnë përmes dy aktorëve Andi dhe Florist Bajgora, me regji nga Sarah Veltmeyer.

Andi shet shishe me qumësht në fshat, për të ndihmuar familjen e tij. Mirëpo ai po kursen disa nga fitimet e tij dhe nuk po i ndanë me familjen në mënyrë që të blejë një telefon për veten e tij.

Në anën tjetër vëllai i tij, Floristi, të gjitha fitimet i ndanë më familjen pasi që ai tashmë i ka siguruar të hollat që i nevojiten për t’u larguar nga shtëpia.

Filmi së fundmi është paraqitur edhe në Berlinale ku para publikut u shpërblye me “Ariun e Kristaltë” në Berlinale”. Mirëpo për aktoren Arbnesha Grabovci Nixha, e cila në film vjen si nëna e dy vëllezërve, emocionet më të fuqishme i përjetuan në DokuFest.

“Çdo herë kam qenë skeptike dhe çdo herë eci në tokë dhe nuk ëndërroj shumë pasi që çdo herë jam më kritike për projektin apo filmin. Mirëpo, sonte mu krijua një besim më i madh kur i pash edhe filmat tjerë. Më të vërtet kemi bërë një punë të mirë sidomos dy djem e mi në rol”, u shpreh ajo.

Bashkëpunimi me produksionin holandez ajo e konsideroi shumë të suksesshëm edhe pse kishte qenë mjaft skeptike në fillim.

“Provat i kemi mbajtur si në çdo film tjetër ndërsa vendet për xhirim i ka vendosur regjisorja. Regjisorja është shumë e re dhe të them të drejtën njëherë derisa kam fituar besim në punën e saj, më ka marrë pak kohë. Ajo që është e veçantë e këtij filmi është që përveç produksionit nga Holanda të gjitha të tjerat kanë qenë nga Kosova”, tregoi ajo për KultPlus.

E lumtur me suksesin që ka shënuar filmi deri tani aktorja zbuloi se janë duke pritur akoma lajme të mira për rrugëtimin e mëtutjeshëm të këtij filmi.

E kur flitet për filmat ku vëllezërit Bajgora luajnë së bashku dhe për bashkëpunimin e tyre ajo që theksohet nga ata janë fjalët “Kuptohemi në ajër”. Sigurisht lidhja e fuqishme që kanë si vëllezërit, e që reflekton edhe në film, e bënë gjithë procesin shumë më të lehtë.

“Është shumë lehtë më improvizu edhe me lujt, me qenë skena sa më reale pasi që kuptohemi shumë mirë. Janë disa kontakte që i kemi zhvilluar gjatë jetës sonë. Gjithmonë e përmirësojmë njëri-tjetrin, ia dojmë të mirën njëri-tjetrit prandaj mendoj që gjithmonë sa herë që luajmë bashkë e dimë që ka me dal shumë mirë”, tregon Andi për KultPlus i cili tematikën e filmit e konsideron mjaft të ndjeshme për publikun shqiptar.

Në film Andi zbulon një kartë të një ylli holandez pornografie në dhomën e tyre të gjumit dhe opsesionet që të kontaktojë me të. Ai është aq i fiksuar me të dhe me blerjen e telefonit që ta kontaktojë sa nuk e vëren se kjo është dita e fundit së bashku me vëllain e tij.

Kjo deri në momentin kur Andi përballet në oborr me Floristin të cilin para derës po e pret një makinë që ta dërgojë në Holandë. Me një rrëfim shumë intrigues, regjisorja vë në pah lidhjen e fuqishme në mes të vëllezërve dhe rrugët e tyre të ndryshme që udhëhiqen nga ndjenja të fuqishme.

“Filmi është pak temë prekëse për shqiptarët por që besoj që është e nevojshme me u përmend dhe me qenë pjesë e kinematografisë tonë. Ndoshta pikërisht kjo edhe ka qenë arsyeja që më ka bërë ta pranoj rolin në film, duke mos anashkaluar faktin që do luaja së bashku me vëllanë dhe me një ekip shumë të mirë”, thotë ai.

Në anën tjetër Florist Bajgora tregoi për KultPlus se ajo që i ka shtuar erëza të veçanta këtij projekti ka qenë loja së bashku me profesoreshën e tij, aktoren Arbresha Grabovci Nixha.

“Është ndjenjë ndryshe të luash me aktorë të mëdhenj e krejt tjetër të luash me një profesor. Është ndryshe kur e dinë që dikush që të ka mësua ty, që ti e donë edhe që në një formë i ke përcjellë hapat e saj, do jetë së bashku me ty në film. Është e veçantë pasi që çdo ditë i thua profesoreshe edhe pastaj ditën tjetër je duke luajtur në film së bashku me të, kjo e bënë edhe më të veçantë, këtë projekt”, u shpreh ai.

Tutje ai theksoi se janë të lumtur që po rikthehen përsëri në DokuDest. Festival i cili përgjatë 17 edicioneve ka mirëpritur rreth pesë filma ku Floristi ka qenë pjesë e tyre dhe 3 filma me Andin, në kastën e aktorëve.

Në film përveç Andi Bajgora, Florist Bajgora dhe Arbresha Grabovci Nixha, luajnë edhe Xhylsyme Thaci, Shpetim Kastrati dhe Rexhep Llugiqi. /KultPlus.com

Të rinjtë nga shumë vende të botës po vijnë në Prishtinë për Sunny Hill Festival (FOTO)

Festivali i parë ndërkombëtar i muzikës që do të mbahet në Prishtinë më 10,11 dhe 12 gusht, ka krijuar interesim të jashtëzakonshëm tek audiencat nga shtatë kontinente të botës.

Një hartë nga vizitat e faqes së Sunny Hill Festival e shfaq audiencën ndërkombëtare prej nga vijnë vizitat dhe trafiku në faqen e festivalit, e që sipas pamjeve në foto i bie që interesimi vjen nga shumica e vendeve të botës.

Interesim të jashtëzakonshëm për pjesëmarrje në festival nuk ka pasur vetëm nga fansat e muzikës së Dua Lipës, Action Bronson, Gashit apo Martin Garrix, meqë sipas përfaqësuesve të Sunny Hill Festival, interesim të madh ka pasur edhe nga shumë artistë të huaj të cilët kanë kërkuar që atyre t’i bëhet një vend për të pertformuar në festivalin e madh të muzikës që do të ndodhë në Prishtinë.

“Ne kemi pranuar me dhjetëra kërkesa nga artistë amerikan të muzikës rap dhe hip hop, nga DJ të shumtë që vijnë nga Irlanda, Italia, Anglia dhe shumë e shumë vende të tjera të botës. Mirëpo, ne tashmë i kemi mbi 40 artistë që do të performojnë në festival, dhe nuk kemi pasur mundësi që të kemi aq shumë artistë, aq sa ka pasur kërkesë për të ardhur në Prishtinë” ka thënë Alban Kastrati, nga ekipi organizativ i Sunny Hill.

Përveç artistëve të huaj që kanë bërë plane të vijnë në Prishtinë, interesim të njëjtë kanë edhe mediat e ndryshme ndërkombëtare të cilët duan ta përcjellin festivalin nga afër dhe të raportojnë drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.

“Ne tashmë kemi akredituar shumë media për Sunny Hill Festival. Kemi shumicën e mediave kosovare, dhjetëra media të rajonit, por edhe mediume të huaja të cilat do të jenë gjatë gjithë festivalit në Prishtinë. Është arritje e jashtëzakonshme për një festival i cili është vetëm në edicionin e parë të tij. Është interesim përtej secilës pritje që ne kemi pasur në fillim” ka vazhduar më tej Kastrati.

Përveç Dua Lipës, Action Bronson, Martin Garrix, Stanaj dhe Gashit, në Sunny Hill Festival do të performojnë edhe Col3trane, Grace Carter, SG Lewis, Bondax, si dhe artistët më të mirë të skenës si Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Oda, Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Dren Abazi, Gipsy Groove, Offchestra, Gamblemania, Kachinari, MTNJ, Alban Muja, Oda Haliti, Secret 47, Rrrron, Ylli Megi, Gon & Sonik, Kidda, Art Haliti dhe shumë e shumë emra të tjerë.

Biletat për Sunny Hill Festival mund të blihen online, nga e gjithë bota në www.sunnyhillfestival.com, në Shqipëri në gjitha pikat e Easy Pay, në rrjetin e shitjes Ria / Vllesa Co në gjithë Kosovën, si dhe në pikat fizike të shitjes të festivalit sikurse ajo në sheshin Zahir Pajaziti, në Albi Mall dhe shumë vende tjera publike. Çmimet e biletave për tre ditë të festivalit fillojnë prej 40 euro, ose me mesataren ditore prej 13.3 eurove. / KultPlus.com

Saranda, “perla” e jugut tërheq vëmendjen e turistëve nordikë

Rreth 80 mijë turistë vizituan Sarandën nga rrugët detare në 2 muaj (qershor-korrik) 2018-

Saranda, një nga perlat e bregdetit shqiptar sa vjen edhe frekuentohet më tepër nga turistët vendas dhe të huaj.

Të mahnitur nga bukuritë që të ofron qyteti me një vijë bregdetare për t’u pasur zili, Saranda ofron gjithçka për një pushues, plazh të pastër dhe cilësor, akomodim si dhe një larmi vendesh për t’u vizituar, ku një prej tyre është edhe Kalaja e Lëkurësit me pamjen përrallore që të ofron.

Zëdhënësi i bashkisë së Sarandës, Thoma Nika, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare theksoi ne në qytetin bregdetar vetëm në 2 muajt e këtij viti (qershor-korrik) nga rrugët detare kanë ardhur rreth 80 mijë turistë të huaj.

“Saranda është duke jetuar ditët e bumit turistik dhe kjo është lehtësisht e dallueshme në këto ditë të para të gushtit por e krahasueshme dhe e ngjashme ka qenë situate në muajin korrik. Ajo që nuk duhet lënë pa thënë është që sivjet ka një frekuentim të shtuar nga turistët e huaj në qytetin e Sarandës, e cila vërehet nëpërmjet shoqërive turistike apo nëpërmjet lëvizjeve që vet turistët kanë bërë zbulime për Sarandën nëpërmjet parablerjeve që kanë bërë me sistemin “booking”. Vetëm nga rrugët detare kanë hyrë rreth 34 mijë në muajin qershor dhe rreth 45 mijë në muajin korrik, që është një shifër goxha e madhe krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 14% sipas raportit detar”, theksoi Nika.

Duke folur për turizmin si një nga karakteristikat kryesore për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe zonës përreth, Nika shprehet se në qytetin e Sarandës ka një dominim nga turistët Nordikë, të cilëve u pëlqen të vizitojnë “perlën” e jugut, Sarandën.

“Është një dukuri 6-7 vjeçare që turistët nga vendet Skandinave e kanë të programuar ardhjen në Sarandë dhe në harkun kohorë të 7 viteve numri i turistëve të këtij rajoni ka shkuar nga 1 mijë që ishte në vitin e parë në 10 mijë sivjet.

Kjo është shifër e konfirmuar pasi ka një parablerje të rezervimeve në hotele.

Janë 14 hotele të Sarandës të preferuara dhe të përzgjedhura prej tyre të cilat janë të rezervuar nga ata. Lëvizja e turistëve Nordik është në mënyrë të tillë që ata vijnë çdo javë nga 100 turistë dhe akomodohen në këto hotele dhe turi i javës paraardhëse ua lë vendin atyre të javës pasardhëse dhe ky është lloji i turizmit “back to back”./ KultPlus.com

ETNO FEST, një manifestim mbresëlënës në Kukaj

Shkruan Mal Berisha.

ETNO – FESTI, një manifestim i jashtëzakonshëm kulturor, mbrëmë ekspozoi edicionin e tij të 8 – të.

Në një mjedis krejtësisht rural, midis bjeshkëve rreth 1000 m lartësi, në një gjelbërim fantastik, performuan artistë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria si dhe arbëreshë të Kalabrisë – Itali. Artisti i njohur Fadil Hysa dhe bashkëpunëtorët e tij, familjarët dhe miqtë ishin kujdesur për një regji të menduar deri në detaje.

Nata e Parë ishte NATA E GJERGJIT

• Pak histori: Në vitin 1978, Ansamabli i njohur Kosovar “Kastriotët” e Ferizajve të ftuar nga Shtëpia e Kulturës në Krujë bënë një turne jashtëzakonisht të suksesshëm në Shqipëri. Ata shfaqën në amfiteatrin veror të Krujës dhe në sallat e Pallateve të Kulturës në Borizanë e Laç, disa nga shfaqjet me emocionale të jetës së tyre artistike. Mikpritës ishin veç tjerësh edhe artisti i ri i athershëm krutanë, Mehmet Llubani. Mbrëmë, z Llubani, tani një etnograf, kompozitor, studjues i kulturës popullore, veçanërisht asaj krutane, në krye të “Grupit të Pleqve të Krujës” themeluar nga krutani tjetër Fadil Taga, në vitin 1957 interpretoi për spektatorët e shumtë të Etno – Festit, në Kosovë ku kishte edhe drejtues të “Kastriotëve” të Ferizajt të asaj kohe. Shfaqja dhe pritja që iu bë atyre ishte mbresëlënëse.

• Emocionet e pjesmarrësve i shtuan Grupi arbëresh i Kalabrisë, “Kreshnikët e Lirisë”, të cilët sollën nostalgjinë e kohës së Skënderbeut të cilën vetëm ata dinë ta sjellin. Vallet e bukura, këngët e ëmbla dhe malli për atdheun mbushën minutat plot emocion që të pranishmit përjetuan.
• Ekspozitat në të gjitha mjediset e festivalit nuk lenin asnjë çast të “lire”. Ekspozita e gazetarit dhe fotografit Rexhep Rifati me shtatoret e Skënderbeut, Odat e Vjetra Shqiptare me peshë historike, ekspozitë e kombinuar me temë Skënderbeun nga shumë autorë tjerë ndër ta edhe heroi i luftës Agim Ramadani, ekspozita në filigramë e anglezes Elizabeth Gowing dhe më pas instlacionet figurative të artistit Agron Blakçori, krijuan një mjedis në të cilin pjesmarrësit jetuan më shumë në historinë e kombit tonë sesa në të tashmën dixhitale. Nga do të hidhje sytë gjëndeshe në mes të kostumeve të bukura, veglave të punës, kulturës materiale tradicionale shqiptare… Të jetoje ato çaste nën hijën e pemëve, molla dhe dardha që po shqyeheshin nga frutat, pranë vegjeve që prodhojnë zhgunin dhe pëlhurën e veshjeve tona popullore, ishte një kënaqësi që rrallë e gjen në ditët tona.

• E tërë kjo u shoqërua nga prezantimi – “Skënderbeu dhe Ne” të studjuesit, historianit dhe shkrimtarit të njohur Jusuf Buxhovi si dhe nga Dr. Kushtrim Jakupi, dhe loja në piano e Rahmi Ymerit.
• Flija dhe gjellët tradicionale kosovare ishin pjesë e etnosit të Etno – Festës.

• Etno – Fest përbën një veprimtari jashtë mase të rëndësishme për ruajtjen e vlerave tona tradicionale kombëtare, të cilat epoka e re e modernizimit po i bjerr gjithnjë e më shumë. Popuj që janë në pararojën e progresit nuk e harrojnë traditën e tyre. Le të mendojmë për një çast Zvicrën dhe njerëzit e saj. Në aeroportet e atij vendi dhe kudo tjetër ndesh jetën tradicionale, baritore, prej nga ata nuk shkëputen as sot.

• Dhe krejt në fund, takova edhe Adashin tim, bukuroshin Mal Ahmetaj, nipi i shkrimtarit të madh Jusuf Buxhovi, me të cilin bëmë një foto që do të na e kujtojë këtë mbrëmje për shumë kohë.
Falemnderit Familja Hysa dhe tërë bashkëpunëtorët për mundësinë që na dhatë të përjetojmë çaste kaq të këndshme!

Janë prerë 10 drunjë të njomë në Bregun e Diellit, reagon Shpend Ahmeti (FOTO)

10 drunj të njomë të mbjellur në Bregun e Diellit në Prishtinë, janë prerë sot me sëpatë, shkruan KultPlus.

Një gjë të e ka treguar nëpërmjet rrjetit social Facebook kryetari i Komunës së Prishhtinës Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se kjo gjë që ka ndodhur është marre.

“Dikush i ka pre mbreme mbi 10 drunj të njomë në B. të Diellit me sëpatë. Nuk mundem assesi me kuptu pse dikush e bën këtë. Marre!”

Ai po ashtu ka lutur qytetarët që të lajmërojnë policinë kur vërejnë diçka të tillë.

“Lus qytetarët ta thërrasin menjëherë policinë kur vërejnë diçka të tillë ose komunën në 080012233”, ka shkruar Ahmeti./ KultPlus.com

The Guardian shkruan për yjet shqiptare, nga Sunny Hill e deri tek tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë

Prestigjiozja The Guardian, sot i ka kushtuar një shkrim mjaft të gjerë yjeve kosovare që po mahnitin botën, përcjell KultPlus.

Gjithçka nisin me babanë e Dua Lipës, Dukagjin Lipa i cili tash është në përfundim të përgatitjeve të fundit për festivalin Sunny Hill i cili do të sjellë në Kosovë yjet botërore duke përfshi këtu edhe vetë Dua Lipën.

The Guardian në këtë shkrim, nuk lë pa përmend edhe Rita Orën, Era Istrefin, Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën.

“Me suksesin muzikor të këngëtareve si dhe me dhunti të futbollistëve me origjinë kosovare si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri gjatë Kupës së Botës, përceptimi ndërkombëtar i vendit po fillon të ndryshojë”, shkruan The Guardian.

The Guardian shkruan edhe për tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë në lidhje me kornizën e re për zonat me shumicë serbe që Prishtina duhet t’i bëjë.

“Familja Lipa shpreson që, për pak kohë, festivali të ndryshojë agjendën e lajmeve rreth Kosovës”, shkruan The Guardian. Ky është linku ku mund të lexoni shkrimin e plotë./ KultPlus.com

U shfaq premiera kombëtare e “Gardhi”-t, solli një familje kosovare brenda 15 minutash

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë u dha premiera kombëtare e filmit “Gardhi” me regji nga Lendita Zeqiraj, në kuadër të edicionit të 17-të të Festivalit DokuFest, shkruan KultPlus.

Genti (Arti Lokaj), është personazhi i parë që shohim në filmin e regjisores Lendita Zeqiraj, ai me një shkop në dorë i bie përqark gardhit të shtëpisë së tij. Brenda po qëndrojnë gratë e familjes ndërsa jashtë nëna e tij dhe tezja duke përgatitur fli.

Shfaqja e moshatarit të tij Xenit, të dera e shtëpisë së tij së bashku me qenin Aaj, bënë që Genti t’ia shpreh dëshirën për të pasur një qenush edhe anëtareve të familjes së tij që janë mbledhur në shtëpi. Kjo sjellë argumente në mes të të rriturve. Por, pas një mosmiratimi të shpejtë ky diskutim ndërron komplet kahje.

Ajo që shohim më pas është një përplasje në mes të gjeneratave, konflikt në mes të traditave, besimeve dhe mënyrave të reja të jetesës. Përplasje kjo e cila përmes grave që janë pjesë e filmit reflektojnë problemet në shoqëri dhe mentalitetin.

Kështu publikut në kuadër të DokuFest-it, iu shfaq edhe një film i cili e luan më së miri rolin e temës së sivjetshëm, atë të reflektimit.

“Jam shume e lumtur që për herë të parë e pash reagimin shqip-folës, dhe u kënaqa më të vërtet shumë. E falënderoj DokuFest-in për krejt punën që e bënë gati që dy dekada. Filmat çdo herë kur i kemi punuar e kemi ditur që këtu do të jetë vendi ku do bëhet premiera kombëtare”, u shpreh regjisorja Zeqiraj.

Filmi ka mjaft ngjashmëri për nga forma e realizimit me filmin e mëparshëm të regjisores, “Ballkoni”. Këtu mund të theksojmë se edhe ky film është realizuar me një kuadër. Sipas regjisores kjo vjen si arsye që ajo për filma e saj zakonisht zgjedh vetëm një moment të caktuar.

“Zakonisht zgjedh një moment të veçantë të jetës. Ai moment normal që përzgjidhet qëllimisht dhe është i imagjinuar. Pra, janë 15 minuta të jetës në një familje kosovare. Nëse ky moment zgjatë dhe është i pandërprerë atëherë pse kemi nevojë që ta ndërpresim, çdo herë nëse mundemi me e bo pa ndërprerje, në mënyrë që të jetë sa më i vërtetë”, u shpreh ajo.

Një detaj tjetër i veçantë i këtij filmi është sigurisht gardhi i shtëpisë. Një gardh i cili është i mbyllur por përsëri kalohet nga Genti. Ai i mbetur në mes të dëshirës për të adoptuar një qen, mosvëmendjes nga nëna e tij dhe një debati aspak të këndshëm në familje, kërcen gardhin dhe i bashkohet mikut të tij Xenit. Kështu Genti së bashku me Xenin dhe qenushin e tij Aaj, nisën për të kërkuar një qen edhe për Gentin.

“Gardhi sigurisht e ka një simbolikë. E dimë që gardhi është kufizues dhe nuk bon me dal përtej tij. Pra mënyra pse e kam zgjedh gardhin por edhe vet formati i filmit 4:3, që është më i ngushtë ndoshta shpreh edhe mentalitetin e ngushtë të njerëzve që nuk janë të hapur. Pra del ndoshta edhe si një lloj kritike që përfshinë edhe shumë shtresa tjera e fenomene dhe mendoj që të gjithë mund të gjejnë një mesazh aty”, sqaroi regjisorja.

Pjesë e këtij filmi janë aktorët: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina.

Për aktoren Ilire Vinca dhënia e premierës në Kosovës ishte një emocion i veçantë krahasua me parapremierën në Paris dhe premierën në kuadër të festivalit Palm Springs, ku triumfoi si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR.

“Është kënaqësi me e pa sallën plotë pasi që si artistë çdo herë kemi dëshirë me e pa reagimin e publikut. Ishte kënaqësi e rrallë sonte me i pa reagimet e juaja, me të cila mu krijua përshtypja që edhe i dhatë vulë gjithë asaj që ne jemi munduar që ta krijojmë. Prandaj, ju faleminderit shumë që i ndatë emocionet me ne”, u shpreh ajo.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Haradinaj: Vdekja e Lokajt humbje për kulturën tonë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen Lokaj me humbjen e aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar, Sylejman Lokajt.

Haradinaj është shprehur se vdekja e Lokajt është humbje për teatrin dhe kulturën shqiptare. “Më pikëlloi ndarja nga jeta e aktorit, Sylejman Lokaj.

Lokaj i takon brezit të aktorëve që njihen si themeltarë të artit skenik të Kosovës. Ikja e tij është humbje për teatrin, filmin, regjinë dhe kulturën tonë në përgjithësi.

Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të artistëve”, ka shkruar Haradinaj në facebook. Dje në moshën 85 vjeçare ka vdekur aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Sylejman Lokaj.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur faqja e teatrit të Gjakovës, e cila ka njoftuar se të dielën do të mbahet një mbledhje komemorative në teatrin “Hadi Shehu”./ KultPlus.com

Ilir Meta shijon ajrin e ujin në Bjeshkët e Rugovës

Presidenti shqiptar Ilir Meta, s’ka të ndalur. Viziton vendet turistike shqiptare nga Thethi e deri ne Rugova.

Ai sot në rrjetin e tij social “Facebook” ka postuar foto në Bjeshkët e Rugovës.

Ja postimi i tij i plotë:

Të dashur miq, nga Bjeshkët përrallore të Rugovës, mes pishave të larta e livadheve mahnitëse, aty ku ajri i pastër dhe uji i kristaltë i burimeve malore të mbushin me energji, ju uroj të gjithëve një të dielë të mbarë./ KultPlus.com

Brenda Muzeut të parë të Jezusit në Izrael

Më shumë se 100 vjet pas hapjes së tij, muzeu “Terra Sancta” është rihapur në Jerusalem, me eksponate të reja dhe moderne, që i rrëfejnë jetën dhe periudhën në të cilën jetoi Jezusi.

Është mbase befasuese që kjo paraqet herën e parë që një Muze izraelit ka ndërmarrë një ekspozitë moderne për jetën në Tokën e Shenjtë, në Jerusalemin e periudhës së Tempullit të dytë, shkruan sot Koha Ditore. Muzeu, që ishte hapur për herë të parë më 1902, ka një vendndodhje fantastike.

Ai është vendosur brenda Kishës Françeskane të Fshikullimit, në cepin lindor të Qytetit të Vjetër, shumë afër Portës së Luanit.Në bazë të traditës së krishterë, ky vend është quajtur ashtu, pasi që thuhet se pikërisht aty ushtarët romakë e kishin fshikulluar Jezusin. Është kjo vendndalja e dytë në Via Dolorosa, shtegun që besohet ta ketë marrë Jezusi derisa po e bartte kryqin në vendin e kryqëzimit të tij./ KultPlus.com

Kadare, ndër dhjetë autorët e rekomanduar nga gazeta angleze

Revista angleze “Calvert Journal” ka botuar listën e dhjetë shkrimtarëve që rekomandohen për tu lexuar e që vijnë nga Ballkani.

Me ndarjen e Jugosllavisë, siç shkruan Hannah Weber për CJ, u shkaktua lëvizje edhe në identitetin e Ballkanit, por kjo sidoqoftë ka ndihmuar në lulëzimin e një letërsie bashkëkohore në këtë anë të kontinentit evropian.

Ajo ka rekomanduar dhjetë autorë nga Ballkani që duhet lexuar, duke nisur nga elegjitë për Kosovën deri te mitet pagane ballkanike. Kësaj liste nuk i mungon shkrimtari Ismail Kadare, dhe sidomos libri “Tri këngë zie për Kosovën”.

Krahas Kadaresë, në listë janë edhe Dubravka Ugresic nga Kroacia, Ioana Parvulescu nga Rumania, Miroslav Penkov nga Bullgaria e Herta Muller nga Rumania, mes të tjerëve, shkruan KultPlus. i Kadaresë përbëhet nga tri tregime: Lufta e vjetër, Zonja e madhe dhe Lutje mbretërore. Të tria këto tregime bëjnë fjalë për betejën e Kosovës më 1389./ KultPlus.com

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Në Gjilan mbahet edicioni i parë i festivali Angros

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me “Balkan Union”, këtë vit prezantojnë festivalin veror “ANGROS” i cili po mbahet me 3, 4 dhe 5 gusht 2018.

Organizatorët kanë thënë se emri i këtij festivali “Angros” ishte emri i lumit Morava në antikitet.

“Ky festival është një iniciativë e nxitur nga nevoja për aktivitete rekreative dhe edukative gjatë muajve të verës kur qyteti i Gjilanit ka ardhjen e qytetarëve të saj nga diaspora, pastaj kthimi i studentëve nëpër shtëpitë e tyre dhe mysafirë të ndryshëm që japin një gjallëri të madhe dhe dinamikë jetës në Gjilan”, kanë thënë përgjegjësit nga festivali Angros.

Këtë vit mbahet edicioni i parë dhe ka një program mjaft të pasur me grupe të ndryshme muzikore dhe DJ, kuzhinë tradicionale dhe aktivitete e lojëra tjera interesante për vizitorët.

Si një ndër ngjarjet më të mëdha në qytet, festivali është kujdesur për të gjitha detajet në mënyrë që vizitorët të kenë rehati dhe siguri – ndërsa shijojnë aktivitetet dhe produktet më të mira të vendit.

Në aspektin kulturor festivali “Angros”, është kujdesur që të pasqyroj autenticitetin dhe atributet unike të qytetit – përfshi edhe artistë të ndryshëm të vendit me prezantime dhe veprat e tyre.

Kjo mënyrë e ekspozimit të vlerave të qytetit përballë bashkatdhetarëve dhe në bashkëpunim me rininë gjilanase siguron që vlerat tona të promovohen edhe tek diaspora dhe kështu të kontribuojmë në bashkëpunim artistik e kulturor edhe me potencialin tonë në Evropë.

Hapja e festivalit gjatë ditës së djeshme kishte në vete ekspozitën, pastaj zumba dance, bende të ndryshme muzikore nga Gjilani, Kosova e Shqipëria.

Dita e sotme është përcjellë me ushqime tradicionale, pastaj organizimi i punëtorisë në fushën e Artit dhe riciklimit, në fushën e fotografisë, pastaj stand up comedy nga aktori Avni Shkodra, Tanju Şerif, Dagg X base, Lilac, Leke dhe Toton nga Kosova.

Ndërsa, dita e nesërme 5 gusht pos tjerash ka edhe yoga, ushqimi tradicional, vazhdimi i punës së punëtorive, poezi dhe përmbyllja e festivalit./ KultPlus.com

Diamantët blu morën ngjyrë nga oqeanet e lashtë

Diamantet blu, si i famshmi “Hope” që i përkiste mbretëreshës Maria Antuanet, janë ngjyrosur nga oqeanet e lashtë dhe janë një provë më shumë e mekanizmit gjigant të riciklimit të kores së tokës, sipas një studimi të botuar në revistën “Nature” të kryer nga grupi i shkencëtarëve të koordinuar nga Evan Smith, i Institutit Gjeologjik të Amerikës, si dhe nga Fabrizio Nestola i universitetitit të Padovas.

Këta xhevahire ngjyrosen nga një element i pranishëm në ujin e oqeaneve, që quhet boro, që bie në thellësi ku edhe krijohen këto diamante, transmeton ata.

Analizat e mineraleve të bllokuar në diamantet blu, me prejardhje nga Afrika, India, Amerika e Jugut dhe Borneo, kanë zgjatur dy vite dhe tregojnë se xhevahiret janë krijuar në gurë të ekspozuar në kushte ekstreme presioni dhe temperature, si ato që gjendjen në thellësi mes 410 dhe më shumë se 660 kilometra, ose mes kufirit të mantelit të sipërm dhe atij të poshtëm, që janë shtresat mes kores dhe bërthamës së tokës.

Ndërsa shumica e diamanteve të tjerë krijohet në thellësi mes 150-200 kilometra.

Sipas hipotezës së studiuesve, boroja i oqeaneve antikë është futur në gurë që quhen gjarpërues. Më pas këta gurë dërgohen në thellësi nga lëvizjet e pllakave të tokës dhe aty lëshojnë ujin që marrin me vete.

Pjesa më e madhe e ujit ngjitet drejt sipërfaqes së tokës, por një fraksion i vogël mbetet i bllokuar në minerale të tjera të cilat transportohen në thellësi edhe më të mëdha, ku në një farë pike lëshojnë një lëng që përmban boron e oqeaneve antike dhe elemente të tjera.

Nëse mes këtyre elementëve ka mjaftueshëm karbon, elementi nga i cili bëhen diamantet, krijohen xhevahire blu, sepse boroja zëvendëson disa prej atomeve të karbonit.

Pra diamantet luajnë një rol thelbësor në të kuptuarin se si Toka është transformuar në kohë dhe janë një provë më shumë e riciklimit të kores në mantelin e tokës.

Madje tregojnë gjithashtu se mineralet e pasur me uji futen më në thellësi të mantelit të tokës nga se mendohej deri tani dhe kjo tregon se ekziston riciklimi i ujit edhe në thellësitë e Tokës./ KultPlus.com