Fragment nga “Harku i Triumfit”, Erich Maria Remarque

“Sa fort po ma përdorë këtë fjalë, mendoi Raviku, pa e çarë kokën fare, a thua se ka në dorë ndonjë enë të zbrazët. E mbush me diçka dhe ma quan dashuri. E me çfarë s’e kanë mbushur atë enë! Frikë nga vetmia, mbërthim pas një qënieje tjetër, vetbesim i tepruar, pasqyrim vezullues i fantazisë!

Po kush e di se ç’është në të vërtetë? A s’është ajo që i thashë që parë për punën e lidhjes dhe të plakjes, marrëzia e të gjitha marrëzive?

A s’ka ajo shumë më tepër të drejtë me atë moskokëçarjen e saj? Dhe unë ç’po rri këtu në këtë natë dimri, në mes të luftës që shkoi dhe luftës që po vjen, duke çarë dërrasa si një mësues filloreje? Përse po mbrohem, në vend që të zhytem, në këtë vorbull të vakët dhe qetësuese?”

– Erich Maria Remarchue, “Harku i Triumfit”

‘Respekti që meritoje ti, na bën të ndjehemi me turp’

Shkruan: Bajram Mjeku

Ra ky mort e u pamë Maestro

Në këto njëzet vitet e fundit Maestro, nuk të kemi përmendur kurrë. As e kam dëgjuar dikend të flas për Ty si jeton, me kend jeton dhe me çka mbijeton…
Dje kur mora vesh se ke ndërrua jetë dhe derisa secili provonte të marrë diçka nga opusi yt dhe dinjiteti yt, më është kujtuar ano thënia e vjetër sa vet njerëzimi; ra ky mort e u pamë.
Megjithëse edhe unë kam pi rrallë ndonjë kafe me Ty, nuk kam hapësirë për mburrje dhe aq më pak nga opusi Yt të marrë sado pak lavdi.
Respekti që meritoje ti, na bën të ndjehemi me turp. Ky është fati i shkrimtarit të mirë dhe njeriut të madh Maestro. Lamtumirë dhe të qoftë i lehtë nata e parë e varrit… / KultPlus.com

Mbyllen teatrot, muzetë dhe bibliotekat në Shqipëri

Pezullim i të gjitha aktiviteteve kulturore dhe mbyllja e muzeve dhe parqeve arkeologjike, në varësi të Ministrisë së Kulturës

Me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019, sipas urdhrit nr.132, datë 08.03.2020 të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Për mbylljen e aktiviteteve publike dhe jopublike dhe anullimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura”, duke parë interesin e vazhdueshëm të turistëve të huaj për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, por edhe numrin e madh të frekuentuesve të Bibliotekës Kombëtare, Ministria e Kulturës urdhëron:
-Pezullimin deri në datën 3 prill 2020, të të gjitha aktiviteteve kulturore, konferencave, këshillave kombëtare, dëgjesave publike, të parashikuara për t’u zhvilluar në institucionet e varësisë:
Teatri Kombëtar
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor
Teatri Kombëtar Eksperimental, “Kujtim Spahivogli”
Cirku Kombëtar
Qendra Kombëtare, Kulturore për Fëmijë
Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit
Biblioteka Kombëtare
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore

-Mbylljen deri në datën 3 prill 2020 të muzeve publikë në varësinë e Ministrisë së Kulturës
-Mbylljen deri në datën 3 prill 2020 të parqeve arkeologjike
-Pezullimin e shërbimit për përdoruesit dhe mbylljen e sallave të leximit në Bibliotekën Kombëtare
-Protokolli për kërkesa/ ankesa pranë Ministrisë së Kulturës do të funksionojë me orar të reduktuar.

Kërkojmë mirëkuptimin e institucioneve kulturore private: kinema e muze, t’i bashkohet masave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-2019./TCH / KultPlus.com

Pablo Neruda, një nga poetët më universal të letërsisë moderne botërore

Nobelisti Pablo Neruda, ky oaz i thellësive të deteve dhe i tingëllimave të kambanave, ka mbetur përjetësisht korife i këngës dhe i vjershërimit për dashurinë dhe dëshpërimin, për shpresën dhe trishtimin dhe për ëndrrën e flijimin. Emri i tij i vërtetë është Neftali Rejes Basulato. Për herë të parë emiri i tij i ri, që do ta shoqëronte tërë jetën , u shfaq në vitin 1920, i shkruar në ballinën e poemës së tij me titull “Hombre” (Burrë). Neruda u lind më 12 korrik të vitit 1904, në Parrol, qytezë në Kilin e Jugut. Studimet e larta i mbaroi në Santiago për frëngjisht.

Me librin “20 poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”, pa mbushur mirë moshën 20-vjeçare, ai nga qarqet letrare, filloi të konsiderohej si një nga poetët e rinj më premtues të kohës. Vrulli që kishte marrë, bëri që në vitin 1921, me poemën “Kënga e festës”, të nderohet me Çmimin e Parë. Gjatë udhëtimit mespërmes vendeve të Orientit, ai njihet dhe merr përgëzimin e njerëzve të mëdhenj të artit e letërsisë së kohës si: Garsia Lorka, Gerard Defo etj. Ne vitin 1934 Neruda emërohet konsull në Madrid. Kur ai jeton në kryeqytetin spanjoll, Madridi bombardohet nga trupat e Frankos. Refleksion i përjetimit të dhimbjeve të tmerrshme , që shkaktuan këto bombardime çnjerëzore , është dhe brendia e librit të tij “Spanja në zemër”. Me krijime të tilla disa vite më vonë, P. Neruda do të marrë Çmimin e Lartë Kombëtar për Letërsinë. Në vitin 1948 ai bëhet anëtar i Partisë Komuniste. Prandaj persekutohet e përndiqet, derisa e detyrojnë të largohet nga Kili, për të marrë rrugën drejt Francës, Meksikës… Në vitin 1954 rikthehet përsëri në Kili. Në moshën 60-vjeçare, ai boton 5 vëllimet e librit “Memorial i Ishullit të zi”. Ndërsa në dhjetor të vitit 1969 Pablo Neruda merr në Stokholm , nga dora e vetë mbretit Gustav Adolf VI çmimin “Nobel” për letërsinë. Ndërroi jetë, më 23 shtator të vitit 1973 në Santiago. Vdekja e tij kaloi në heshtje, aq sa shumë njerëz u ndaluan të bënin homazhe para trupit të tij. Autobiografia e tij u botua vetëm pas vdekjes. Kur Neruda nis startin e krijimtarisë së tij poetike, në mjediset krijuese letrare të Kilit, vazhdonte të përziheshin elementet e rrymave romantike tradicionale me ato moderniste e surealiste. Në fillimet e tij, si poet që vinte nga provinca, ai nuk mund t’i shmangej përshkrimit të mjedisit të natyrës. Mësuesit e tij të parë do të bëhen poetët e mëdhenj Dario dhe Tagara. Por shpejt Neruda do të shfaqte individualitetin e tij të papërsëritshëm, gjë që do të duket qartë në poezinë me titull“Kënga e festës”, me të cilin fitoi Çmimin e Parë në konkursin poetik të Santiagos (1921), sapo kishte mbushur 17 vjeç. Në poezitë e para të Nerudës shkrihen njeriu me natyrën dhe pasioni me trillin e ngjarjeve. Gruaja, bukuria dhe shpirti i saj i pastër, identifikohen me tokën dhe dimensionet e natyrës. Një nga kryeveprat e Nerudës është vëllimi poetik “Deti dhe kambana”, i cili është një gërshetim motivesh mes elementeve autobiografikë dhe fantazisë krijuese të autorit, të vendosura në kohë dhe mjedise të ndryshme, në çastet e fundit të jetës së tij. Brendia e këtyre poezive është një ndjesi e çuditshme, që lidh ngushtë e metaforikisht detin me kambanat. Në brendësi të detit dhe kambanave ai gjen sinoniminë e tyre të plotë poetike. Brenda tyre ai zbulon jetën dhe dashurinë, ëndrrat dhe lirinë, butësinë dhe egërsinë, bukurinë dhe shëmtinë, vdekjen dhe pathyeshmërinë. Në poezinë “Fund”, me të cilën e mbyll këtë vëllim, Neruda përshkruan motivin për të cilin luftoi, këndoi dhe sakrifikoi tërë jetën. Ai gjithë jetën kërkoi të ishte zëri i ndërgjegjes së popullit të tij, shpirti i atyre që u harruan në varfëri , i atyre që, siç shkruan dhe vetë , nuk mundën të kishin zë. Prandaj Neruda, për ta thuri mijëra këngë e vargje , me shpresën se jehona e kambanës, do të shkrihej me dallgët e detit, për ta bërë më të fuqishëm zërin e tyre. Ai që lidh më ngushtë poetikisht detin me kambanat është gjëmimi. Edhe pse gjëmimi i këtyre dy dukurive vjen nga drejtime të ndryshme natyrore dhe njerëzore, ato përçojnë herë gëzim e herë trishtim, herë shpresë e herë thirrje për flijim. Lidhjen mes kambanave dhe detit poeti e sheh si lidhje mes tokës dhe yjeve. Neruda veten e vendos në mes të tyre , gjë që e shpreh në vargje të tillë sa të thjeshtë, aq edhe të bukur:”Aty ku janë deti dhe këmbanat jam unë”. Deti dhe kambanat në poezitë e tij janë kthyer në simbol i pavdekësisë dhe pafundësisë. Për Nerudën këto dukuri nuk janë thjesht dy sinonime metaforike, por dhe vetë jeta. Lindja dhe vdekja, këto dukuri antonimike që riciklojnë jetën, janë të shkrira jo vetëm në shkumën e dallgëve kaltëroshe të detit, por dhe në tingëllimat, herë të ashpra e herë të ëmbla të kambanave. Në vargjet e Nerudës për kambanat ndien edhe dhimbjen edhe trishtimin që e kanë mbërthyer poetin në vitet e fundit të jetës. Prandaj, i mbetur në vetminë e tij të thellë shkruan: “S’më ka mbetur gjë tjetër veç detit”. Në oshtimën e detit dhe tingëllimat e kambanave ai gjen të djeshmen, të sotshmen dhe të ardhshmen. Në poezitë e tij , deti dhe kambanat flasin. Çdo kambanë dhe dallgë deti ka gjuhën e vetë të papërsëritshme. Përzierja e tingujve të tyre krijojnë simfoninë më të bukur të poezisë së jetës. Vitet e fundit ai, edhe pse ndjen vetminë e një “kambane të thyer “kurrë nuk gjunjëzohet, gjë që e shpreh metaforikisht në vargjet: “Kjo kambanë e thyer/do të këndojë pa pushim “. Për Nerudën, ata që kambanës së thyer i dhanë “gjelbërimin dhe lumturinë “, ishin “duart e ujit”. Në autobiografinë e tij imagjinare Neruda shkruan: “Jeta ime është jeta e poetit”. Shiu, deti, kambanat dhe dashuria janë kuarteti i simfonisë së tij poetike. Pikat e shiut, për t ë ishin si gishtërinjtë e duarve që prodhojnë tingujt e ëmbël të simfonisë poetike. Ishte deti që e bënte Nerudën të ndjeshëm ndaj dhimbjeve, ishte dashuria dhe lidhja me natyrën që zbutnin edhe kambanat, të cilat i bëjnë ato të këndojnë këngët më të bukura mbi dhe. Në poezitë e Nerudës gjallërojnë e rriten edhe deti edhe pishat, edhe errësira edhe drita, edhe urrejtja edhe dashuria, edhe vdekja edhe liria. Në shpirtin poetik të Nerudës ka hedhur rrënjë dashuria për natyrën dhe gjithë njerëzit , por veçanërisht për gruan , simbolin e bukurisë dhe brishtësisë. Binomi i tij i përjetshëm ishte dashuria dhe gruaja , të cilat e kishin emrin Matildë Urrutia. Dashurisë për gruan dhe bukuritë e saj të rralla Neruda i kushton librin e tij më të bukur poetik me titull “100 sonete dashurie”. E dashuria e tij e zemrës, ruan në gjirin e saj edhe diellin edhe hënën, edhe tokën edhe zemrën. Matilda për të ishte: “Det, ritëm e buçimë ndjenjash njerëzore”. Dashurinë e tij të përjetshme për gruan Neruda e shpreh nëpërmjet vargjeve: “Nëse do të rilindja përsëri do të doja të bija përsëri në dashuri me ty/sepse me ty fillon dhe mbaron e vërteta e jetës sime”, të cilët tingëllojnë si sentenca të bukura për besnikërinë. Për Nerudën dashuria është këngë e pëllumbeshë, është kuje e rrëke. Për zemrën e poetit mjafton gjoksi i saj, ndërsa për lirinë e të dashurës së tij mjaftojnë guximi dhe flatrat e saj. Prandaj i lutet të dashurës së tij: “puthmë, kafshomë , ndizmë…”. Për Nerudën dashuria nuk ka as lindje , as vdekje të përjetshme. Brenda dashurisë së Nerudës ka gurë dhe erë, gjethe dhe diell, oqean dhe kripë, koracë dhe kratere. Në poezinë “Nëse unë vdes” Neruda shkruan: “Nëse unë vdes dhe ti je gjallë/ kjo dashuri s’ka marrë fund/ ashtu si nuk pati lindje/as vdekje nuk ka/ajo është një lumë i gjallë/që ndërron vetëm shtratin e brigjet”. Neruda , nga kritika botërore është quajtur Homeri i shekullit të XX. Në poezitë e tij, shkruan Fatos Arapi , heroikja shkrihet me liriken, ndërsa simbolika me jetën. Me poezitë e tij, ai i thur ditirambet më të bukura për jetën, Atdheun dhe dashurinë. Burim frymëzimi për të janë bërë bukuritë e rralla të Kilit, vendlindjes së tij. Neruda ngazëllehet nga drithërimat e erës dhe blerimi i barit, nga shushurima e lumenjve dhe dallgët e detit dhe oqeaneve. Dashuria për natyrën është dashuria për Kilin. Poezia e tij është sa përshkruese aq dhe histori e gjallë e fatit të njerëzve të thjeshtë të Kilit dhe të gjithë Amerikës Latine. Për Nerudën “Atje ku liria u bie kambanave të kushtrimit, vjen dhe agimi i skuqur me gjakun e njerëzimit”. Në krijimtarinë e larmishme të Nerudës zënë vend të rëndësishëm edhe“Odat”, këngët heroike për personalitete të tilla të shquara si Lorka , Bolivari etj. Në krijimtarinë e Lorkës, Neruda sheh njerëz të veshur me “rrobat e agonisë”, “plugjet e vdekur dhe lulëkuqet e vyshkura”, nga“planete e harta të gjakosura”, nga vajza “të sakatuara me thika të helmuara”dhe nga “trëndafilat e urrejtjes”, që në vend të gonxheve aromatike , të dhurojnë hidhërimin e gjembave shpues.

Një nga krijimet më të bukura të Nerudës është poema “Një këngë për Bolivarin”, e cila i kushtohet Simon Bolivarit , Heroit e luftëtarit të shquar për liri e pavarësi, i cili jetoi, punoi dhe luftoi në kolonitë spanjolle të Amerikës Latine, në vitet 1783-1930. Është kjo arsyeja që Nobelisti Neruda i drejtohet atij me vargjet më të bukura. “Ati ynë, që je në dhe, në ujë, në ajër/ka emrin tënd çdo gjë që ne kemi/ prej teje lulëzon ëmbëlsia e kallamit të sheqerit/ dhe kallaji Bolivar , ka shndritjen Bolivar… /Ti o At na ke lënë trashëgim lumenj, fusha, kambanare, bukën tonë të përditshme”. Nga brendia e pyetjeve retorike metaforike : “Ç’ngjyrë do të marrë trëndafili që rritëm pranë / Si do të jenë duart që hirin tënd prekin?”, buron mesazhi filozofik poetik. . ”I kuq bëhet trëndafili, kur dëgjon hapin e Bolivarit. Hija e tij i prin popujt e shtypur të botës drejtë shpresës. Bota e lirë lindi nga vështrimi i tij i kthjellët i Bolivarit. Është kjo arsyeja që zëri i tij ringrihet nga thellësitë e tokës duke thirrur. . ”Unë zgjohem një herë në njëqind vjet , kur populli im zgjohet.

Të shkruash për krijimtarinë poetike të Nerudës, është sa e lehtë, aq dhe e vështirë. Dimensionet e personalitetit të tij krijues dhe njerëzor , janë aq të mëdha, sa do duheshin faqe të tëra për ta trajtuar të plotë krijimtarinë, problematiken dhe stilin e papërsëritshëm të vjershërimit modern të tij. Ai ishte dhe mbeti artist i madh, gjeni i vjershërimit dhe i përdorimit të gjuhës së gjallë poetike. Neruda e pasuroi më tej semantikën dhe polivalencën e saj, duke e shtyrë natyrshëm drejt magjisë së metaforës dhe simbolikës shumëkuptimëshe. Poezia e tij kalon natyrshëm nga Surealizmi i errët, drejt realizmit të gjallë, me ngjyrime të thella popullore tepër të besueshme e të perceptueshme. Neruda, jo vetëm dje, por edhe sot e në të ardhshmen do të mbetet një nga poetët më universal të letërsisë moderne botërore. /KultPlus.com

Njerëzit që pëlqejnë të rrinë vetëm kanë personalitet më të fortë

Shoqërisë i pëlqen ti pikturojë njerëzit e vetmuar si të trishtuar. Por e vërteta është se këta njerëz janë shumë të lumtur duke qëndruar vetëm.

Dhe nuk është çudi të konsiderosh që të qenit vetëm i ndihmon ata të kenë personalitete më të forta, dhe le t’i jetojnë ata jetët sipas kushteve të tyre.

Nuk është gjithçka e keqe. Në fakt, është mjaft e mrekullueshme. Këtu janë 7 arsyet se përse është kështu:

1) Ata janë të pavarur

Nuk ka mungesë të mundësive për ti bërë gjërat siç do vetë, kur dëshiron të kalosh kohë vetëm. Ju dëshironi të udhëtoni nëpër botë? Pse jo!

Njerëzit e pavarur mësojnë të bëjnë më shumë për veten e tyre dhe nuk e ndiejnë nevojën të mbështeten te njerëzit e tjerë. Ata janë gjithashtu shumë më tepër pranues të dështimeve e tyre, gjë që u lejon atyre të mësojnë dhe të rriten.

2) Ata janë të sigurt në vetvete

Me pavarësinë vjen një nivel i caktuar i besimit. Njerëzit që kalojnë shumë kohë vetëm duhet të mësojnë të bëjnë gjëra të reja, të marrin detyra të reja dhe të arrijnë aftësi të reja për t’u siguruar që nuk u nevojitet ndihma e të tjerëve.

Ndërsa nuk kanë frikë të kërkojnë ndihmë, ata preferojnë ti bëjnë gjërat vetë dhe kjo u jep atyre besim të madh.

3) Në marrëdhënie ata janë magjepsës

Kur keni qenë në një lidhje për një kohë, ju harroni se si është të bëni gjëra për veten tuaj dhe vetëm për veten tuaj.

Beqarët ose ata që jetojnë vetëm nuk e kanë problem ta vendosin veten në rend të parë. Shumë keqkuptime mund të ndodhin midis një personi të vetëm dhe një personi në një marrëdhënie për shkak të shkëputjes që ndodh bazuar në përparësitë ose përparësitë e perceptuara.

4) Ata është e vështirë ti kënaqësh

Për shkak se njerëzit që duan të jenë vetëm, mund të bëjnë çfarë të dëshirojnë dhe të shkojnë kudo, ata kanë tendencë të kenë standarde më të larta kur bëhet fjalë për marrëdhëniet. Ata nuk kanë nevojë për dikë që ti rregullojë rubinetat që rrjedhin dhe të kositë barin. Ata duan dikë që mund të lidhet me ta në një nivel më të thellë.

Kjo është e vështirë për shumë njerëz të ngrihen në atë nivel.

5) Ata mund ta shohin botën të vetëm

Ata pëlqejnë të takojnë njerëz dhe të mësojnë për botën, pavarësisht nëse udhëtojnë apo jo me një shok. Për shkak se ata janë të sigurt dhe të aftë të mësojnë shpejt, njerëzit që kalojnë shumë kohë vetëm duan ta udhëtojnë tokën e vullnetit të tyre dhe nuk u duhet dikush tjetër që të kënaqen.

6) Ata janë mistrecë të mençur

Ndonjëherë njerëzit që kalojnë kohë vetëm janë shumë të zgjuar. Ata kanë shumë kohë për të marrë në konsideratë botën përreth tyre, për të zhvilluar këndvështrime të paanshme dhe mund ti japin sens situatave më mirë sesa të tjerët.

7) Ata janë të lirë

Ndërsa të kesh një burrë, grua, fëmijë, qen, hipotekë dhe pagesa të makinave është e shkëlqyeshme për disa njerëz, njerëzit që pëlqejnë të jenë të vetmuar preferojnë të vijnë dhe të shkojnë thjesht ashtu siç dëshirojnë vetë. Kjo krijon më shumë mundësi që ata të jenë edhe më të pavarur, të fitojnë më shumë besim dhe të mësojnë rreth botës përreth tyre. Dhe u pëlqen kështu./filozofia.al / KultPlus.com

Shpend Ahmeti tregon për masat e reja kundër koronavirusit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar për masat e reja që do të ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Një ditë më parë, ai njoftoi se do të mbyllet përkohësisht qendrat e qëndrimit ditor të të moshuarve në kryeqytet.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Komuna e Prishtinës do të vazhdojë masat parandaluese specifike kundër virusit Covid-19.

“Gjatë vikendit do të dezinfektohen më detajisht hapësirat e ndërtesave të Komunës së Prishtinës ku ka sportele dhe shumë punë me palë. Që nga nesër të gjithë punëtorët e sporteleve të Komunës së Prishtinës do të pajisen me maska, dorëza dhe dezinfektues. Që nga nesër shkollat dhe çerdhet furnizohen me material higjienik shtesë sipas nevojës deri në një vendim të radhës për çerdhet dhe shkollat”, ka shkruar Ahmeti.

Si masa tjera mbrojtëse, Ahmeti ka përmendur se do të pezullohen lejet për tubimet publike nëpër sheshet e Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës pezullon lejet për tubimet dhe evenimentet publike (promovime, tubime ne sheshe) ku pritet pjesëmarrja e më shumë se 50 personave. Këtu përfshihen aktivitetet që kërkojnë leje nga Komuna për të zhvilluar aktivitetin. Po ashtu njoftoheni se pezullohen takimet me palë në drejtoritë e urbanizmit dhe investimeve kapitale që nuk janë me urgjencë”, ka theksuar Ahmeti, derisa ka bërë të ditur se Komuna vazhdon me ofrimin e të gjitha shërbimeve.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës tashmë ka mbyllur përkohësisht qendrat e qëndrimit të të moshuarve, si masë parandaluese për përhapje të koronavirusit.

Po ashtu, ai ka theksuar se autobusët e Trafikut Urban do të dezinfektohen çdo ditë, duke filluar nga e mërkura. / KultPlus.com

Lot në parajsë

Nga: Eric Clapton
Shqipëroi: Bujar Meholli

A do ta dije emrin tim
nëse do të shiheshim në parajsë?
A do të ishim të njëjtë
nëse në parajsë do të shiheshim?

Më duhet të jem i fortë
dhe tutje të vazhdoj,
sepse e di që nuk i përkas
kësaj parajse.

A do të ma mbaje dorën
nëse do të shiheshim në parajsë?
A do të më ndihmoje të qëndroj
nëse në parajsë do të shiheshim?

Rrugën time do ta gjej
përmes natës dhe ditës
sepse e di që nuk mund të qëndroj
këtu në parajsë…

Koha mund t’ju rrëzojë
koha mund t’ju ulë në gjunjë
zemrën mund t’ua thyejë koha,
a e ke kërkuar këtë, të lutem?…

Përtej asaj dere
shtrihet paqja, jam i sigurt,
dhe e di se nuk do të ketë më
lot në parajsë…

Emrin tim a do ta dije
nëse në parajsë do të shiheshim?
I njëjti a do të ishe
nëse në parajsë do të të shihja?

I fortë më duhet të jem
dhe të vazhdoj
unë nuk i përkas parajsës,
këtu në parajsë, nuk mund të jem… /KultPlus.com

Tringë Smajli e Marie Çoba, gratë që emancipuan shoqërinë shqiptare

Muaji mars u kushtohet grave shqiptare, që me historitë e tyre të jashtëzakonshme në raport me kontekstin historik dhe social në të cilin kanë jetuar, janë nismëtare të një aktivizmi për barazi ku spikat idealizmi, virtytet e lufta për vlerësimin e rolit të gruas në shoqëri, shkruan Gazeta Shqiptare.

E fillojmë me Tringë Smajl Martini Ivezaj (1870-1917) e njohur ndryshe si Tringë Smalji apo Tringa e Grudës. Vajza e bajraktarit të Grudës me internimin e vdekjen e të atit, udhëheqës i forcave mbrojtëse të degës së Lidhjes së Prizrenit për Grudën, në Anadoll e pas vrasjes së dy vëllezërve vendos të mos martohet e t’i kushtojë jetën çështjes kombëtare.

Ndër personat më të besuar të Dedë Gjo Lulit u bashkua me kryengritësit në Betejën e Deçiçit, mori pjesë në Memorandumin e Greçës, duke vijuar aktivitetin patriotik edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Betejat e gjestet e saj heroike bënë jehonë edhe në shtypin ndërkombëtar, ku gazeta e revista të tilla si “New York Times”, “Le Petit Journal” e vlerësojnë si ndër femrat me influencë në Ballkan, duke e cilësuar si Zhan D’Ark shqiptare. Tringa na risillet edhe përmes kujtimeve të shkrimtares e studiueses britanike Edith Durham, gjatë udhëtimeve të saj në veriun e Shqipërisë.

E njohur për ndihmën e saj në emancipimin e grave, me dënimin e dhunës ndaj tyre, me kundërshtinë e fejesave në djep, është njëkohësisht ndër figurat femërore më emancipuese të kohës.

Për fisnikërinë dhe virtytet e saj, na rrëfen edhe At Gjergj Fishta në epopenë “Lahuta e Malcis”, në këngën kushtuar saj, “Tringa”.

Se për lila e karajfila,

Për zymyla e për bylbyla,

E për gurra nëpër curra:

P’ r ato hije nëpër vrrije,

P’ r ato flutra nëpër zalle

Pasha Orë e Shtozovalle,

Pasha t’ rijt e pasha verën,

Për sa bjeshkë e lule blerën.

Mâ fisnike ‘i vashë s’ e ké

Kah ndritë hâna e dielli zé!

Lufta e Koplikut (1920-1921) për mbrojtjen e zonës së Shkodrës kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave, e cila synonte të shkëpuste një pjesë të territoreve të veriut të Shqipërisë, shënoi angazhimin e qarqeve patriotike shqiptare në një qëndresë të organizuar, e cila çoi në thyerjen e trupave jugosllave. Në të ra në sy edhe kontributi i grave në asistencën ndaj të plagosurve, grumbullimin e ndihmave, ndihmesën ndaj familjeve të luftëtarëve e atyre të varfra. Në këtë fotografi të Kel Marubit, po ashtu veprimtar në luftë, e në krah të patriotëve Mustafa Kruja e Riza Dani, dallojmë Marie Çobën (1875-1954) – teksa i tregon fotografit edhe materialet e grumbulluara – intelektualen e parë shqiptare që ngriti çështjen e të drejtave të grave.

Në vitin 1920, së bashku me Habibe Bekteshin – në fotografi e veshur me të zeza e me shami të zezë – themeluan komitetin “Gruaja Shqiptare”, me qëllim grumbullimin e fondeve në ndihmë të ushtrisë shqiptare që po përballej me sulmet jugosllave në Koplik.

Në krah të tyre u aktivizuan shumë gra e vajza të cilat u bënë pjesë e rezistencës.

Ky komiteti, në vitin 1921, botoi revistën “Gruaja Shqiptare”, hapësira e parë e shtypit që mbulonte çështjet e grave, që trajtonte problematikat e gruas shqiptare, të drejtat e saj, respektimin e lirive, mbrojtjen e shëndetit, këshilla për nënën e fëmijën, arsimin e edukimin, përmirësimin e jetës dhe veshjeve të grave e tematika të tjerat të rëndësishme për kohën.

Marie Çoba u angazhua edhe në riplanifikimin të shoqatave të grave në nivel kombëtar.

Me ardhjen e regjimit komunist, i shoqi Ndoc Çoba, veprimtar politik, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës, Ministër i Financave (1920), kryetar i bashkisë së Shkodrës (27 gusht 1937-24 qershor 1939), pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, botues arrestohet dhe vdes në burg pas torturave.

Vetë Maria do të vdiste në Shkodër në dhjetor të vitit 1954. / KultPlus.com

Anulohet festivali i madh “Coachella”, për shkak të Koronavirusit

Shtyhet për një datë të pacaktuar festivali i famshëm Coachella.

Një nga festivalet më me influencë kohëve të fundit, që ka zgjuar një vëmendje të madhe dhe po bën që artistët të kërkojnë të performojnë aty është anuluar.

Kjo për shkak të shpërndarjes në masë të madhe të Coronavirusit në Evropë, e organizatorët kanë parë të udhës që ky festival të mos anulohet në tërësi, por të shtyhet për një datë të tjetër.

Madona dhe Milley ishin dy emrat e famshëm të botës muzikore që deri më tani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë festival. /KultPlus.com

Dumoshi: Sot pa Musa Ramadanin fjala shqipe është më e varfër, Prishtina më pak humane

Bujar Meholli

Shkrimtarët nuk vdesin, ata mbesin të përjetshëm me veprat e tyre për të qenë udhërrëfyes të brezave të rinj, shkruan KultPlus.

Musa Ramadani ishte nga ata shkrimtar që arritën të përjetësohen në art. Ai futi për herë të parë poezinë eksperimentale, duke u motivuar nga postmodernizmi që në vendin tonë ishte ende i panjohur. Kjo lloj poezie ishte konkrete dhe e ikonizuar me shkronja, duke krijuar formën e saj.

Krijimtaria e Ramadanit është e pasur në shumë gjini, duke përfshirë poezinë, romanin, dramën, kritikën, publicistikën e humoreskat që i bënte në periodikët e kohës.

Ikja e tij la të pikëlluar shumë personalitetet të kulturës, të cilët u mblodhën sot për t’i bërë homazhet në nder të tij si dhe për ta mbajtur mbledhjen përkujtimore në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me çka iu dha lamtumira e fundit këtij kolosi të letrave shqipe, i cili tashmë është përjetësuar në art dhe do të jetë objekt për studiuesit e vjetër dhe të rinj.

Personalitetet të shumta nga bota e artit dhe kulturës u drejtuan kah holli i Teatrit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij njeriu që iu përkushtua artit me gjithë qenien.

Akademiku dhe profesori i letërsisë Sabri Hamiti, bëri një rikapitulim të biografisë dhe veprës së Musa Ramadanit gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, ai çmoi lart individualitetin e tij si dhe veprimtarinë letrare.

“Musa Ramadani kulturalisht mund të cilësohet si autor i Rilindjes, më pastaj rrezatimi i tij si njeri dhe shkrimtar zgjerohet në botën letrare shqiptare. Arti letrar dhe talenti i tij është provuar në një kryqëzim të letërsisë me muzikën dhe artet pamore”, theksoi Hamiti.

“Vepra e tij letrare në tërësinë e saj shfaq një botë individuale që trupëzohet me stilin e tij origjinal. Kjo duket në poezi, që në librin e parë ‘Mëkatet e Adamit’deri në librin e fundit ‘Mëkatet e Havës’ duke rrokur çështjen e njerëzimit nga filli deri në zbërthimet moderne duke kërkuar në përballjet mitologjike bashkëkohore duke kërkuar figurën e vet letrare. Ky është një rebelim tematik i sojit të vet i shfaqur si refuzim i klisheve pararendëse në gjirin e poezisë shqipe”, tha tutje ai.

“Në prozën romansore të tij, Musa Ramadani është në kërkim të formës së romanit në nivelin struktural dhe në nivelin e artikulimit artistik ku kryqëzohen nivelet stilistike të poezisë dhe dramës. Pra, në fillim është vetja e gjetur në art kurse në fund është riprovimi i gjetjes së vetes”, u shpreh Akademik Hamiti.

Se Musa Ramadani është një emër që do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm e tha edhe Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, e cila para të pranishmëve e ngriti lartë figurën e shkrimtarit Ramadani.

“Musa Ramadani ishte shkrimtar i madh dhe stilist i shkëlqyer, i cili i ka dhënë jetë kulturës së Kosovës. Ai krijoi shumë vepra të bukura letrare në shumë gjini duke ngrohur zemrat e lexuesve shqiptarë. Sot pa të, fjala shqipe është më e varfër, Prishtina më pak humane kurse komuniteti i letërsisë ndihet i pikëlluar nga ikja e tij”, tha ajo.

“Ramadani u përfshi në shumë antologji gjë që dëshmon peshën e veprimtarisë së tij. Sot kur po ndahemi fizikisht prej tij, fillon jetën e përjetshme vepra e tij letrare”, theksoi tutje Dumoshi duke treguar se Minstria e Kulturës do ta vlerësojë veprimtarinë e tij të cilën ajo e cilësoi si trashëgimi e pasur e historisë moderne të Kosovës.

Edhe studiuesi Agron Gashi zgjodhi fjalët më të mira për Ramadanin, të cilin e quajti artist të madh, të veçantë dhe mjeshtër të rrëfimit.

“Ai ishte dhe mbeti konsistent në veprime dhe i begatë në shkrime. E krahasuan me Kafkën dhe Borhesin, Xhojsin e Buxatin. Musa Ramadani jetën e bëri art, dashurinë dhe dhimbjen letërsi, ai ishte sharmi dhe eleganca e këtij brezi, duke qenë unik në kulturë dhe komunikim, dhe në artikulimin e ideve kërkues dhe eksperimentues i madh. Përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane”, tha Gashi.

“Letërsi, ngushëllime! Humbe njërin nga doajenët e fundit të letërsisë, njërin nga besnikët më të mëdhenj të artit”, u shpreh në fund të kësaj mbledhjeje e bija e Ramadanit, Arbnora Ramadani-Dragaj.

Ramadani do të mbetet padyshim përherë një emër i veçantë në fushën e letërsisë tonë, dhe veprimtaria e tij e pasur artistike do të jetë çdoherë në interesin e njerëzve të letërsisë dhe artit në përgjithësi. /KultPlus.com

QRTK në Prizren synon t’i rikthejë shkëlqimin shtëpisë së familjes Dukagjini dhe Muriqi

Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Dukagjini dhe familjes Muriqi në qytetin e Prizrenit.

Krahas historikut kjo shtëpi ka edhe një sërë vlerash ndërtimore dhe arkitektonike. Shtëpia e familjes Dukagjini dhe Muriqi është ndërtuar në shek. XIX, ndërkohë që në periudha të ndryshme janë kryer ndërhyrje restauruese. Ajo është një ndër ndërtimet më tipike në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit.

Duke u bazuar në stilin e ndërtimit dhe tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit mund të thuhet se objekti i përket shtëpive me sallë qendrore, kjo për arsye të rolit qendror të salloneve tek të dy katet. Sipas nevojave të pronarëve të shtëpisë, objekti është e ndarë në dy pjesë, dhe sot shfrytëzohet si shtëpia e familjes Dukagjini dhe shtëpia e familjes Muriqi. Shtëpia pas ndarjes ka humbur tipologjinë e saj origjinale por ende ruan vlerat artistike dhe arkitekturore të saj.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha thotë se “Hartimi i projektit restaurues për këtë shtëpi është një tjetër hap i rëndësishëm i politikave të Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje restauruese në shumë asete të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente”.

Projekti i restaurimit është hartuar nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe po mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, meqë rast synon t’i rikthejë shkëlqimin e munguar kësaj pasurie të trashëgimisë sonë kulturore. / KultPlus.com

Katër sfidat jetësore që ju forcojnë shumë

Të gjithë përballemi me përvoja të vështira në një pikë të jetës. Disa njerëz kanë pak më shumë fat dhe duket sikur gjithmonë marrin kartat fituese, ndërsa ju merrni një dorë të tmerrshme. Është e thjeshtë të fillosh të ndjehesh i hidhëruar ndaj njerëzve që duket se po i marrin të gjitha. E vërteta është se të gjithë janë duke luftuar me diçka.

Dallimi është se si secili individ del nga ajo situatë – a i mposht ata lufta, apo i bën ata më të fortë? Të gjithë kemi një zgjedhje në jetën tonë; ne mund të injorojmë përvojën dhe atë që ajo po përpiqet të na mësojë, ose mund ta përdorim atë për të ndihmuar veten tonë për tu bërë më i mirë dhe më i fortë.

Këtu janë disa shembuj të betejave që të gjithë kalojnë por që do t’ju bëjnë të kuptoni vlerën tuaj dhe të dini se si të kujdeseni për veten tuaj.

  1. Lënia e gjërave të shkojnë

Ndonjëherë lejimi i dikujt ose diçkaje të shkojë është gjëja më e vështirë për të bërë. Duket sikur copëton një pjesë tënden.

Edhe nëse mendimi për të jetuar pa dikë duket si gjëja e duhur për të bërë, sa herë që përpiqemi ta bëjmë atë, bëhet e pamundur.

Ju ndjeni presion në gjoks dhe madje filloni të qani. Kuptoni që është e natyrshme. Nuk je të vetmit. Ka ndodhur edhe më parë, dhe do të ndodhë përsëri.

Pasi ta lini më në fund atë person, pa marrë parasysh sa e vështirë është, ju dilni më të fortë. Ju e kuptoni që keni qenë mjaft të fortë për të lënë të shkoni, dhe ju do të jeni në gjendje ta bëni përsëri nëse është e nevojshme. E kupton që me mbylljen e një dere, u hap një tjetër.

  1. Marrëdhëniet toksike

Kalimi përmes një marrëdhënie toksike mund të jetë përvoja më e mirë që mund të keni, por pse?

Sepse pa marrë parasysh sa e vështirë ishte të dilnit gjallë e shëndoshë nga ajo, pasojat e saj do t’ju detyrojnë të hidhni një vështrim se çfarë roli keni luajtur në atë marrëdhënie, si silleni dhe cilin shteg do ta zgjedhni në të ardhmen.

Ju sigurisht nuk do të jeni të gatshëm t’i përsërisni të gjitha këto përsëri dhe do të jeni më të zgjuar kur zgjedhni partnerin tuaj të ardhshëm.

Do të keni mundësi ti njihni pjesët që duhet të ndryshohen dhe ato që duhet të shërohen para se të provoni përsëri. Ajo marrëdhënie që dështoi në mënyrë të mjerueshme dhe ju bëri të kaloni kaq shumë mërzi, rezulton të jetë një përvojë mjaft e vlefshme në fund të fundit.

  1. Ta lësh punën

Jo të gjithë kanë fatin të gjejnë punën e përsosur menjëherë pas mbarimit të kolegjit. Shumica e njerëzve janë të detyruar të punojnë në diçka që ata shohin si rraskapitëse, të mërzitshme ose zhgënjyese.

Disa njerëz mendojnë se nuk janë mjaftueshëm të mirë për diçka më të mirë dhe kështu qëndrojnë në atë mjedis mbytës dhe thjesht përzihen me të tjerët. Të tjerët thjesht do ta lënë punën.

A do të thotë kjo që ata janë larguar? Humbësit? Jo, aspak.

Braktisja e një pune që ju urreni mund të jetë vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë, edhe nëse nuk duket si më racionalja në atë moment.

E vërteta është se duke u larguar në të vërtetë i jepni vetes një nxitje besimi, një motiv shtesë. Pse? Sepse ju jeni duke thënë, “E dini çfarë? Unë meritoj më mirë.”

Është nxitja për të marrë përgjegjësi për mirëqenien tuaj dhe të lini diçka që ju bën të vlene më pak nga sa vleni në të vërtetë. Vetëm sigurohuni që të keni një plan për të mbijetuar financiarisht derisa të gjeni diçka që ju përshtatet më mirë.

  1. Përballja me një tragjedi

Ka gjëra në jetë që ne thjesht nuk mund t’i kontrollojmë dhe kjo është ndoshta pjesa më e keqe. Shoku i menjëhershëm i humbjes së një të dashuri ose përballja me sëmundje në familje mund të na shkatërrojë, veçanërisht nëse nuk kemi tjetër kënd përveç nesh që të na mbështesë.

Ndërsa kërkon kohë për të kuptuar se ku jeni aktualisht në jetë, dhe si të vazhdoni të jetoni pa dikë ose diçka, në fund të fundit do të mësoni se si të kuptoni dhe të merreni me situata në të cilat nuk keni kontroll, dhe do të përdorni aftësitë për gjëra të tjera edhe në jetë./filozofia.al / KultPlus.com

Lady Gaga po arrin suksese të kënaqshme me këngën “Stupid Love”

Kënga e fundit e Lady Gagas, “Stupid Love” ia ka fituar këngëtares një tjetër debutim të suksesshëm në top dhjetëshen e toplistave muzikore, afërsisht nënte vjet pas mega hitit të saj “The Edge of Glory”.

Kënga ritmike e pop yllit Gaga menjëherë pas lansimit, u pozicionua në vendin e pestë të toplistave muzikore në Britani të Madhe, duke u bërë kënga e trembëdhjetë me radhë e këngëtares që e shënon një sukses të tillë, transmeton Koha.

Po ashtu, “Stupid Love” ka arritur të pozicionohet në vendin e pestë edhe në toplistën “Billboard” të 100 këngëve më të mira në Amerikë, ku Lady Gaga i numëron gjithsej 16 hite të cilat e kanë gëzuar këtë sukses.

I xhiruar me iPhone, videoklipi i ri i këngëtares së talentuar i lansuar më 28 shkurt, e sjell atë me shumë energji duke kënduar e vallëzuar në shkretëtirë, por në një ambient ku dukshëm dominon ngjyra rozë.

“Stupid Love” që është pjesë e albumit të gjashtë të Gagas, “Chromatica”, gjithashtu ka arritur të pozicionohet në vendin e parë të toplistës globale të platformës “iTunes”.

Albumi i ri i këngëtares planifikohet të lansohet për publikun e gjerë, më 10 prill. /KultPlus.com

Sejat Jakupi së shpejti sjellë këngë të re, ia kushton atyre që luftojnë kundër kancerit

Sejat Jakupi është njëri ndër këngëtarët më të shquar shqiptar.

Ngjyra e zërit të tij është unike, ai ka arritur që të përcjellë shumë gjenerata si njëri nga këngëtarët më të mirë të rokut dhe funky-t në hapësirat shqiptare.

Karriera e tij është e lidhur me grupin “Telex”, me të cilin bashkëpunoi për tri decenie. Përvçese solist, Sejati, është edhe kitarist dhe kompozitor.

Së fundmi ai ka punuar në këngën e re solo, e cila do të vijë pas një periudhe të vështirë të cilën ai e kalojë.

Kënga titullohet “Dashuria vetëm mbetë”, dhe është e para video e Sejatit si solo-artist.

Kjo këngë, ka ritëm të ngadalshëm, melankolik dhe i është kushtuar të gjithë atyre që luftojnë kundër kancerit.

Videoklipi i këngës është inçizuar në Holandë. /KultPlus.com

Platforma “Poetet shqiptare” një dritare e hapur për krijimtarinë letrare të grave

Jeta Zymberi

Me një angazhim vullnetar, poetja Vlora Konushevci për t’i dalë në krahë poeteve shqiptare, zgjodhi datën 8 Mars për të lansuar platformë online të poeteve shqiptare, shkruan KultPlus.

“Poetet shqiptare” është platformë online kushtuar krijimtarisë letrare të grave si rrjedhojë e mungesës së diversitetit në peizazhin letrar të hapësirës shqiptare.

Pabarazia gjinore është e theksuar edhe në fushën e botimeve, ndaj kjo platformë do të shërbejë për publikim online të krijimtarisë letrare të grave shqiptare.

Platforma përbëhet nga disa rubrika si: Muzat, Bulëzat dhe Yllëzat. Sipas bagazhit që ka poetja ashtu edhe ndahen në rubrika.

Në këtë platformë, aktualisht janë të përfshira 55 poete. Natyrisht, kjo në vazhdimësi do të plotësohet me autore të reja. Secila nga to janë të prezantuarave nga 4 poezi dhe nga një biografi të shkurtër.

Poetet  që janë përfshirë në këtë platformë, po ndihen të nderuara që tashmë ju është krijuar kjo hapësirë e munguar deri më tani.

Ndërsa themeluesja e kësaj platforme, Vlora Konushevci ka treguar për KultPlus se platforma është konceptuar si një përgjigje ndaj qasjes tradicionale në kontekstin kulturor kosovar, sipas të cilës hapësira e botimeve në njëfarë mënyrë i favorizon burrat.

“Ky raport duhet ndryshuar. Shoqërisë kosovare i duhet një ridefinim i marrëdhënieve ndërgjinore. Ajo duhet ta njohë më shumë anën shpirtërore të grave, duke mos i konceptuar ato si objekt, por si subjekt përmbajtësor. Gratë kanë çfarë t`i ofrojnë kontekstit kulturor tonit, ndaj e vetmja që duhet është ta kenë hapësirën për veprim. Kjo platformë është në këtë frymë. Është një dritare e hapur ku secila nga krijueset, pavarësisht moshës e ka mundësinë të prezantohet me krijimtarinë e vet. Puna e secilës i nënshtrohet vlerësimit të publikut, i cili ka mundësi pastaj të lexojë poezitë e grave e vajzave krijuese”, ka thënë Konushevci për KultPlus duke treguar tutje se kjo do të ndihmojë edhe në njohjen më esenciale të botës së grave e vajzave kosovare.

“Sa më shumë që i njohim vlerat e grave e vajzave do ta kemi një shoqëri më konkurrente ku barazia gjinore nënkupton edhe përpjekjen për rritjen e nivelit kulturor.”

Krijimtaria e poeteve shqiptare, tashmë mund të gjendet online (www.poetetshqiptare.com) , e qasshme për të gjithë, përmbledhur në një vend, në një adresë. 

Platforma për poetet shqiptare mirëpret paraqitjet nga gratë krijuese, qofshin ato me përvojë apo në fillet e karrierës. Kjo platformë ka për qëllim të shërbej si strehë e vargjeve të tyre. / KultPlus.com

Vlora Konushevci

Muzeu Arkeologjik i Butrintit ftesë për tur virtual

Edhe pse nuk mund të udhëtojmë si do të dëshironim, sidomos këto ditë të përhapjes së koronavirusit dhe kur rekomandohet kufizimi i lëvizjeve të panevojshme, kultura vjen pranë jush nëpërmjet teknologjisë.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti fton në një tur virtual brenda Muzeut Arkeologjik të Butrintit. “Teknologjia na sjell në brendësi të Muzeut Arkeologjik të Butrintit, duke na prezantuar me shtatoren misterioze, ku paraqitet figura e një gruaje. Kjo skulpturë prej mermeri, e realizuar në teknikën e skalitjes, i përket artit romak të shekullit II para Krishtit – IV pas Krishtit”, shprehet Margariti.

Shtatorja origjinale që ndodhet në këtë muze, paraqet një grua me qëndrim në këmbë, me gjurin e djathtë paksa të thyer. Mbi rrobën që mbulon trupin, ka një pelerinë që kalon në supin e majtë. Përdridhet rreth belit dhe përfundon në anën e majtë të trupit, ku krijon disa pala që shkojnë deri pak poshtë gjurit.

Edhe pse shtatores i mungojnë koka, krahët dhe këmbët, figura rrëfen vlera historike dhe mjeshtërore duke na bërë të imagjinojmë se si ka qenë jeta në të shkuarën. / KultPlus.com

Dialogu i plisave

Nga: Musa Ramadani

Fragment nga libri “Satana ma vodhi gurin e urtisë”

Plisi i madh… shtatëdhjetë e shtatë shtigje ditë e natë.
Plisi i vogël: pse nuk më kanë blerë në Panagjyrin e Vogël të Gjilanit, bile nuk do të vdisja me mallin e kurbetçarit..!
Plisi i madh: kanë mundur edhe mua të më gjenin në Panagjyrin e Madh të Gjilanit, po krejt njësoj është: njërin në Gjilan, tjetrin në Prishtinë, të tretin në Gjakovë, një tjetër në Prizren, të pestin në Shkodër, të gjashtin në Stamboll… e mua, ja, si ta thashë edhe më parë – në Selanik.
Plisi i vogël: a e ke pasur ndonjëherë kështu ngushtë?
Plisi i madh: po si jo, veç ma ngushtë se tash s’ka ku shkon!
Plisi i vogël: ah, sikur ta kisha martinën me vete!
Plisi i madh: more, veç duart t’i kisha çlirë boll!
Plisi i vogël: sikur të na shihte, bile, njeri, të na dëgjonte kush.
Plisi i madh: na sheh qielli, na dëgjon mali, ka dëshmitarë, ka.
Plisi i vogël: të lumtë, po ti i jepke zemër edhe gurit…!
Plisi i vogël: mos po na vrasin?
Plisi i madh: na vrasin, vallahi!
Plisi i vogël: mos po na presin?
Plisi i madh: na presin, bilahi!
Plisi i vogël: mos po na djegin?
Plisi i madh: epo, le të na djegin!
Plisi i vogël: mirë e ke – sall mos të na poshtërojnë!
Plisi i madh: a e di ti atë këngën?…
Plisi i vogël: … cilën?…
Plisi i madh: nuk ia di fillimin…
Plisi i vogël: … thuaja mbarimin…
Plisi i madh: … “Jam shqiptar kosovali…”

1987, botuar nga “Rilindja” /KultPlus.com

“Bad Guy” nga Billie Eilish, kënga më e mirë e vitit 2019

Kënga e yllit të muzikës Billie Eilish, “Bad Guy”, e cila vjen e veçantë në stil dhe bënë shaka me perceptimet e gabuara, është emëruar kënga më e mirë globale e vitit 2019 nga industria e muzikës.

“Bad Guy”, që është kënga e pestë e këngëtares 18-vjeçare e lansuar në kuadër të albumit debutues “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?”, u shndërrua në hit anembanë botës si dhe ishte kënga më e dëgjuar gjatë vitit që e lamë pas, transmeton Koha.

Në videoklipin zyrtarë të këngës, i cili i numëron rreth 810 milionë klikime në YouTube, këngëtarja po ashtu është treguar inovative duke sjellë skena të papara më herët në videoprojektet e këngëtarëve të rinj, dhe duka ia zgjuar edhe më shumë kuriozitetin publikut për t’i ndjekë dhe pëlqyer projektet e saj.

Federata Ndërkombëtare e Industrisë Fonografike e cila e përfaqëson industrinë e muzikës, ka bërë të ditur se kënga “Bad Guy” u pozicionua në maje të toplistës digjitale me 19.5 milionë shkarkime, duke e mundur kështu hitin e reperit Lil Nas X, “Old Town Road” që u rendit i dytë në listë me 18.4 milionë shkarkime.

“Billie Eilish e ka pushtuar botën si stuhi, me zërin e saj të jashtëzakonshëm dhe unik. Ajo po ashtu është një artiste e cila në tekstet e këngëve të saj, i adresohet çështjeve të rëndësishme për shoqërinë, siç është shëndeti mendor dhe fansat e saj anembanë botës lidhen me muzikën dhe eksperiencat e saj,” thuhej në deklaratën e lëshuar nga shefi ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Industrisë Fonografike, Frances Moore.

Muajin e kaluar u bë e ditur se Eilish do ta interpretonte kolonën zanore të filmit të ardhshëm me agjentin e famshëm James Bond, “No Time to Die”, premiera e së cilit është shtyrë për muajin nëntor për shkak të panikut të krijuar rreth koronavirusit. /KultPlus.com

Sot i jepet lamtumira shkrimtarit të shquar shqiptar Musa Ramadani

Shkrimtari e dramaturgu shqiptar, Musa Ramadani, ka vdekur dje në moshën 76-vjeçare.

Homazhet për nderë të jetës dhe veprës së tij do të mbahen sot (e mërkurë) në hollin e Teatrit Kombëtar duke filluar prej orës 10:30 deri në 12:00.

Akademia përkujtimore do të mbahet në ora 12:00 po në Teatrin Kombëtar, derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Musa Ramadani, shkrimtar, eseist, dramaturg, kritik arti dhe gazetar. Lindi në Gjilan, dhe shkollimin fillor e kreu në Prizren, Gjilan e Viti. Më pas në Gjilan kreu shkollimin e mesëm ndërsa në Prizren mbaroi Shkollën e Lartë Pedagogjike. Nga viti 1965, punoi si gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”.

Shkrimet e para letrare i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i rinisë”. Dorëshkrimin “Neurosis” të refuzuar nga “Rilindja” e botoi vetë në vitin 1973. Libri u vlerësuar avangardist dhe prijës i poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës.

Gjatë viteve ’70 në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë, fitoi dy çmimet e para. Botoi këto vepra poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969), “Thirravaje” (1971), “Neurosis” (1973), “Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990) dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010). /KultPlus.com

Futbollistja shqiptare në mesin e 10-të grave më të fuqishme në Suedi

Kosovare Asllani, futbollistja e njohur shqiptare është zgjedhur në mesin e 10-të grave më të fuqishme në Suedi.

Në një artikull të publikuar në faqen zyrtare të shtetit suedez, vlerësohet kontributi i Asllanit në ndeshjet e kategorisë së femrave në Botërorin e 2019-ës. Gjatë vitit të kaluar, 30-vjeçarja ishte edhe në mesin e të nominuarave për çmimin e “Topit të artë”.

Futbollistja shqiptare shënoi tre gola të rëndësishëm gjatë Kupës së Botës. Një në ndeshjen fituese kundër Kilit, një tjetër në ndeshjen fituese kundër Tajlandës dhe një e treta në ndeshjen bronzi kundër Anglisë.

Për shumë vite, Suedia ka pasur një nga skuadrat më të mira në botë kur bëhet fjalë për futbollin e grave. Fitimi i bronzit në Kupën e Botës 2019 bëri që mbështetja për ekipin të rritet në mënyrë dramatike dhe më në fund u tha se Asllani është një nga meritoret më të mdha në njohjen që meritojnë me të vërtetë. /Albinfo.ch. / KultPlus.com

Këshilla mikut tim

Poezi nga Musa Ramadani

KËSHILLA MIKUT TIM

Mik
Shtëpitë tona si gota cakrrohen
Gjerdhe as dyer përmes s’kmi bërë

Dielli
Udhën deri te ne kur e gjen
Gëzim kuj më tepër i bjen
Ty apo mua ?

Mik
Livadhet tona si dashnorë puthen
Gurë a mexhde askund s’ kemi vënë

Shiu
Sixhim teposhtë kur ligron
N’cilin më shumë fryt lëshon:

N’tëndin apo timin?

Atëbotë
Kujtohu mirë lum miku im
Përse prore më bën të druaj?

Se për dallim o dredhim
Koha kaherë ka kaluar!

/KultPlus.com

Epikuri: Mos tento të dukesh i mençur para të tjerëve

“Pasuria nuk qëndron në posedime të mëdha por në nevoja të vogla.”

“Ekziston vetëm një rrugë për tek lumturia dhe kjo është të pushojm së brengosuri për gjërat të cilat janë përtej forcës ose vullnetit tonë.”

“Çelësi është të shoqëroheni vetëm me ata njerëz të cilët ju lartësojnë juve, prezenca e të cilëve i bënë thirrje më të mirës brenda teje.”

“Secili person që është i aftë për të ju nevrikosur bëhet zotëruesi i juaj; ai mund të ju zemëroj vetëm atëherë kur ju e lejoni veten të shqetësoni nga ai.”

“Liria është i vetmi qëllim në jetë që i’a vlenë. Ajo fitohet duke i shpërfillur gjërat të cilat qëndrojn përtej kontrollit tonë.”

“Vetëm të edukuarit janë të lirë.”

“Është e pamundur për një njeri të mësoj diçka që ai mendon se tashmë e di.”

“I mençur është ai që nuk brengoset për gjërat që nuk i ka, por i shijon atë të cilat i ka.”

“Mos tento të dukesh i mençur para të tjerëve.”

“Mendjet e vogla i fajësojn të tjerët. Njerëzit mesatarë e fajësojnë veten, ndërsa të mençurit gjithë fajësimin e shohin si budallallëk.”

“Asnjë person s’mund të jetë i lirë përderisa nuk është zotërues i vetes.”

– Epictetus

Sot vrava një burrë

Poezi nga Ilnisa Agolli

Në ballkonin përbri shoh gjithnjë të njejtin burrë
Ai nuk punon kurrë dhe ka gjithë jetën me kollë një tingull i padurueshëm si modeli flokëve

Në ballkonin përbri sa herë dëgjoj kollën e çuditshme
burrit që gruan ia shoh rrallë unë pi tre cigare rrjesht
Sot, lëvizjeve të përsëritura i’u shtua një mizë
Po, pashë një mizë ndërsa i afrohej

Ti nuk mundesh të kuptosh këngën e një mize
As nga kati katërt
As kur bie shi, doja t’i thoja
Këngën e një mize e kupton veç miza brenda gojës gojës tënde
Aty, në katin e katërt ndërsa gruaja bën dush
Çudi e madhe, Askush nuk e kupton orgazmën e një mize
Si një dashnore ajo po hyn vjedhurazi në shtëinë e këtij burri në mesin e bajameve të tij në atë vend të ngrohtë ku vërshojnë sekrecionet dhe përplasen dhëmballëve si deti shkëmbinjëve

Ti nuk mund të kuptosh këngën e një mize në mesin e një burimi ku pështyma është kryengritëse si kënaqësia dhe vuajtja përmbysëse si dhëmballët që të mungojnë

Oh, sa bukur këndon miza në fytin e fqinjit tim të shkretë që i fryhen sytë papritur dhe më pas bota ndalet
Por… ja po e shoh, ai as që e ndjen këtë çast sublim Është kaq i gjorë saqë nuk i pushon kurrë kolla
Edhe pasi vdes


Ç’trishtim të vërtitesh vetëm në shtëpi dhe mos kuptosh asgjë
Ja, ai po mbyll dritaren e besdisi prania ime që e vëreu Iku, u fsheh pas murit dhe unë mendova ç’fatkeqësi të mos jesh mizë

Iinisa Agolli


Dumoshi: Vdekja e shkrimtarit të shquar Musa Ramadani është pikëllim e dhimbje për Kosovën

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit të njohur kosovar Musa Ramadani, ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen, e cila ka vlerësuar se vdekja e Ramadanit është pikëllim e dhimbje për Kosovën.

KultPlus sjell më poshtë telegramin e plotë të ministres Dumoshi.

Telegram ngushëllimi

Kosova do ta kujtojë me respekt dhe nderim veprën e Musa Ramadanit

E nderuara familje e Musa Ramadanit,
Të nderuar kolegë shkrimtarë,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e familjarit tuaj, shkrimtarit tonë të çmuar, Musa Ramadanit.

Vdekja e shkrimtarit të shquar Musa Ramadani është pikëllim e dhimbje për Kosovën, është humbje për fjalën e bukur shqipe, për kolegët, shkrimtarët, dhe në përgjithësi për kulturën shqiptare.

Musa Ramadani është poet, prozator, eseist dhe përkthyes i brezit modern të Kosovës dhe si i tillë mbetet figurë shumë e rëndësishme e kulturës letrare shqiptare.

Veprimtaria e tij letrare mbetet trashëgimi e pasur e historisë së Kosovës, dhe si i tillë do të vlerësohet brez pas brezi.

Kosova do ta kujtojë me respekt dhe nderim veprën letrare të Ramadanit.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com