Vdes njeriu i famshëm i letrave britanike ”John le Carre”

Autori britanik David Cornwell, i njohur më mirë me pseudonimin e tij ”John le Carre”, ka vdekur në moshën 89 vjeç, konfirmoi agjenti i tij.

Shkrimtari u bë shumë i popullarizuar për romanet e tij thriller, të cilat prekën përvojat e tij reale të jetës si agjent gjatë Luftës së Ftohtë dhe romani i tij i tretë “Spiuni që hyri nga të ftohtit” e bëri atë një bestseller në të gjithë botën.

Agjenti i tij, Jonny Geller e përshkroi atë si “një gjigant të padiskutueshëm të letërsisë angleze. Ai përcaktoi epokën e Luftës së Ftohtë dhe pa frikë i foli të vërtetës pushtetit në dekadat në vijim”.

Geller tha se ai humbi “një mentor, një frymëzim dhe, mbi të gjitha, një mik. Ne nuk do ta shohim më atë”.

Cornwell vdiq pas një periudhe të shkurtër pneumonie. /atsh/ KultPlus.com

FILE – This Sept. 13, 2011, file photo shows British author John Le Carre at the UK film premiere of “Tinker Tailor Soldier Spy,” in London. John le Carre, the spy-turned-novelist whose elegant and intricate narratives defined the Cold War espionage thriller and brought acclaim to a genre critics had once ignored, has died. He was 89, Le Carre’s literary agency, Curtis Brown, said Sunday, Dec. 13, 2020 that he died in Cornwall, southwest England on Saturday. (AP Photo/Sang Tan, File)

Hakerët nga Serbia kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës

Një sulm kibernetik është bërë në ueb-faqet e institucioneve të Kosovës, para pak ditësh. Hakerë nga Serbia kanë tentuar të nxjerrin informata konfidenciale të Qeverisë së Kosovës. Këtë rast po e hetojnë edhe organet kompetente.

Ueb-faqet e institucioneve të Kosovës kanë qenë cak i një sulmi kibernetik, nga hakerë që dyshohet të jenë nga Serbia.

Këtë për Gazetën Express e kanë konfirmuar edhe nga zyra për informim e Qeverisë së Kosovës.

“Bazuar në auditimin e bërë nga sektori për siguri kibernetike në ASHI, sulmuesit kanë pasur cak ueb-faqet e institucioneve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Tutje, është bërë e ditur se hakerët që kanë sulmuar ueb-faqet e institucioneve të Kosovës nuk kanë arritur të nxjerrin asnjë informacion konfidencial të shtetit.

“Asnjë informacion i sistemeve të teknologjisë së informacionit nuk është nxjerrë jashtë përmes këtij sulmi kibernetik. Pra, të gjitha informatat e ruajtura në sistemet e TIK-ut brenda rrjetit kompjuterik shtetëror dhe Qendrës Shtetërore të të Dhënave janë të sigurta dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim nga ky sulm kibernetik”, ka deklaruar Qeveria.

Lidhur me këtë sulm kibernetik, tashmë Qeveria e Kosovës ka njoftuar edhe organet përgjegjëse.

“Po, kemi njoftuar organet kompetente, përkatësisht Departamentin për Krime Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Gazetën Express.

Kohë më parë, Kosova ka qenë e ekspozuar disa herë nga sulmet kibernetike, të cilat kryesisht kanë ardhur nga Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, por edhe nga Rusia. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore një institucion i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar sot Rregulloren për Kompetencat, Autorizimet dhe Procedurat e Inspektimit dhe të Ankesave të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore (ITK), në kuadër të plotësimit të infrastrukturës ligjore të këtij institucioni të trashëgimisë kulturore.

Rregullorja në fjalë përpos që përcakton kompetencat dhe autorizimit e Inspektoratit, ajo rregullon edhe të drejtën e ankimit në rast të vendimeve të caktuara të institucionit në fjalë. Ndër të tjera rregullorja përcakton përbërjen dhe funksionimin e Inspektoratit si shërbim përbrenda MKRS-së, kompetencat e drejtorit të ITK-së, detyrat dhe përgjegjësitë e inspektorëve të trashëgimisë, procedurat dhe veprimet e ITK-së në zonat e mbrojtura të aseteve, inicimin e procedurave të inspektimit, caktimin e inspektorit, vizitat inspektuese, procesverbalin e inspektimit, zbatimin e vendimit, të drejtën e ankimit dhe një varg çështjes tjera.

Me këtë rast ministrja Dumoshi, tha se që nga themelimin e këtij institucioni në vitin 2018, ka pasur mangësi të kornizës ligjore dhe me nënshkrimin e këtij akti normativ po definohen saktë kompetencat e ITK-së.

“Paqartësia e kompetencave ndërmjet institucioneve të trashëgimisë kulturore, Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive të Inspektoratit dhe të Urbanizmit në Komuna tash e tutje do të jenë të qarta pasi rregullorja që është nënshkruar i saktëson këto aspekte. Si ministre ndjehem mirë që një institucioni kaq të rëndësishëm si ITK-ja po ia plotësojmë rregullativën ligjore sepse në mungesë të ligjit sekondar ka pasur mungesë të kryerjes së inspektimeve në teren. Madje, me kjo rregullore do të mundësojë edhe një koordinim më të madh ndërinstitucional”, u shpreh ndër të tjera ministrja. 

Ministrja Dumoshi tha se si ministre gjatë mandatit do të angazhohet maksimalisht në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Te shkallët

Poezi nga Nerimane Kamberi

I shtyve me këmbë, me maje të këpucës
Kujtimet,
U rrokullisen deri poshtë shkallëve
Deri aty ku dikur putheshit.
U sollen si nje top bore
Qe rritet dhe rrafshon fshatin,
Si një top fëmijesh
Që kalon gardhin e oborrit
Gjatë lojës,
Vazhdon rrugën
Nëpër xhade
Deri te hekururdha
Apo ajo që ishte dikur
Se edhe ajo ka mbetur kujtim.
Nga lart shikon kujtimet që rrokullisen
Atje shihet rruga e gjatë, e pafund,
Mund të jenë Champs-Elysées
Mund të jenë..
Vetem pak imagjinate të duhet
Veç pak t’i mbyllesh sytë.
Por nuk donë t’i mbyllesh
Do t’i shohesh kujtimet derisa të përplasen diku,
te dyqani i rrobaqepëses apo i funeraleve
E tash kthen shpindën
E qetësuar.
Edhe ca metra të kanë mbetur deri në shtëpi. / KultPlus.com

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës për Pagarushën mbahet në Shkup, Jashari: Nuk ka ndonjë vend në Kosovë ku do të mund ta mbanim koncertin

Medina Pasoma

11 soliste dhe 50 instrumentistë të Filharmonisë së Kosovës do të marrin vendet e tyre në skenë për të nderuar figurën e madhe të Nexhmije Pagarushës. Mirëpo, nderimi për Bilbilin e Kosovës nuk do të ndodh në vendin e saj. Koncerti “Për Nexhin” më 19 dhjetor do të mbahet në Sallën e Filharmonisë së Shkupit në Maqedoninë e Veriut, shkruan KultPlus.

Pikërisht për të marrë detajet për këtë koncert dhe arsyet e zhvendosjes së saj në Shkup, e jo në ndonjë vend të Kosovës, prej ku edhe e merr buxhetin institucioni publik, Filharmonia e Kosovës, Baki Jashari në një intervistë për KultPlus ka treguar për këtë zhvendosje të koncertit nga Prishtina në Shkup.

Jashari shpjegoi se kësaj radhe kanë vendosur ta kujtojnë Nexhmije Pagarushën nëpërmjet koncertit përkujtimor, duke e përfunduar vitin me nderimin për të.

“Bazuar në rolin e saj të madh në muzikën burimore, tradicionale, popullore, mjeshtërisë që askush s’ka mundur t’ia tejkaloj interpretimeve të saja, faktit që ka qenë solo këngëtare dhe Bilbil i Kosovës,  për angazhimin e saj nëpër dekada, ne si Filharmoni e Kosovës e kemi konsideruar nder dhe obligim ta kujtojmë me një koncert e disa aktivitete”, tha Baki Jashari.

Në anën tjetër, Filharmonia e Kosovës është institucion publik shtetëror dhe si i tillë buxheti i saj rrjedh nga taksapaguesit kosovarë. E pavarësisht kësaj, premierën e koncertit “Për Nexhin” ata do ta japin në Maqedoninë e Veriut.

Arsyet pse do të dëgjohen meloditë e veprave artistike për Bilbilin e Kosovës në Shkup dhe jo në Prishtinë, Baki Jashari i ndau me KultPlus. Ai përmendi dy koncertet paraprake të Filharmonisë, në të cilën kishin pasur rastin që të testojnë strukturën ndërtuese të sallës në Shkup.

“Një ndër arsyet ka qenë akustika e mrekullueshme, meqë ajo sallë është pikërisht për Filharmoninë.  E dyta ka qenë hapësira, ku lejohet të përdoret 30% i kapacitetit prej 1000 ulëseve. Përmes hulumtimeve tona e kemi vlerësuar se atje do të kemi publik prej 240 personash”, sqaroi Jashari.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës pyetjes se nëse e kanë shqyrtuar mundësinë që ta organizojnë në një vend tjetër në Kosovë përveç Sallës së Kuqe në Prishtinë, Jashari ka treguar analizat që i kanë bërë si institucion, që i ka dërguar deri te ky vendim.

 “E kemi diskutuar brenda strukturave të Filharmonisë mirëpo, bazuar në formatin e orkestrës simfonike me 60 instrumentistë dhe 11 solistë, nuk ka ndonjë vend jo vetëm në Prishtinë, por askund në Kosovë as në vendet ku ne kemi qenë më parë, si në Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë”, ka thënë Jashari.

Tutje, ai theksoi se edhe stina e dimrit ka ndikuar që të merret ky vendim, sepse, sipas tij, nëse do të ishim në muajt me temperatura të larta,  koncerti do të mund të mbahej në një hapësirë të hapur.

“Ti mundesh të bësh një program të tillë me këngët e Nexhmije Pagarushws edhe me një orkestrinë të vogël, me një kuartet, me 4-5 njerëz (muzikantë) dhe në llogari që hapësira t’i dedikohet publikut. Por ja që këngët e këtij projekti janë të dizajnuara për orkestër simfonike. Për ta pasur atë mundësi do të duhej ndoshta ta bëjmë në Stadiumin e Qytetit. Ose sikur tw ishim nw muajt qershor e korrik,  ne nuk do ta diskutonim fare Shkupin”, u shpreh drejtori i Filharmonisë së Kosovës.

Baki Jashari shtoi se po të bëhej koncerti në Kosovë, ata do të duhej të mendonin se kë ta “privilegjonin” për të pasur mundësinë e ndjekjes së koncertit, në një formacion prej 40-50 njerëzish në publik. Kurse për përbërjen e veprave të koncertit, Jashari ka shpjeguar më tej se me çfarë vepra do të prezantohet ky koncert.

“Ky koncert është konceptuar me 11 soliste gra dhe në program do të jenë perlat e muzikës tonë tradicionale, qytetare, të lehtë, popullore dhe në mesin e tyre edhe disa që pikërisht i ka kënduar Nexhmije Pagarusha si “Perëndeshë e bukurisë”, “Dashnor t’u bana”, “E kujtoj atë takim”, detajoi Jashari.

Ai theksoi se koncerti do të përcillet drejtpërdrejtë në rrjete sociale, teksa ka gjasa edhe të transmetohet në natën e Vitit të Ri nga ndonjë televizion vendor. Poashtu për shkak të masave anti-covid që priten të merren në Maqedoninë e Veriut, koncerti “Për Nexhin” i cili planifikohej të mbahej në ora 17:00, do të filloj në ora 15:00 në Sallën e Filharmonisë në Shkup.

Përgjatë koncertit i cili do të mbahet me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, do të interpretohen vepra nga Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono, Rauf Dhomi, nën orkestrimin e Valton Beqirit, Kreshnik Aliçkajt dhe Gridi Krajës.

Në anën tjetër, me zërat e tyre të pranishëm nën dirigjimin e Gridi Krajës do të jenë solistet Adelina Paloja – soprano, Ardita Ukaj – soprano, Arta Jashari – soprano, Besë Krasniqi – mexosoprano, Dea Hamdiu – alto, Diellza Sylejmani – alto, Elikonë Hysaj – mexosoprano, Ilvije Dragusha – Murtezaj – soprano,
Kaltrina Miftari – soprano, Selvije Marteti – Xhemshiti – soprano, Shkurtë Hykaj – soprano.

Ky koncert organizohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Shqipëri-Spanjë, nisin bashkëpunimet për trashëgimi kulturore dhe teknologji

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka mbajtur një takim me Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Elva Margariti është takuar me Marcos Alonso Alonso, të cilën ranë në konkludimin se e ardhmja e këtyre dy vendeve qëndron në Bashkimin Europian.

“Trashëgimia kulturore, digjitalizimi dhe komunikimi përmes gjuhës teknologjike janë disa nga fushat, ku interest tona puqen dhe do të na drejtojnë në projekte të përbashkëta”, ka shkruar Margariti në facebook.

Tutje ministrja ka theksuar se janë dakorduar që e ardhmja duhet të nis nga të rinjtë, në mënyrë që të ndjehen europianë. / KultPlus.com

Kulti i fjalës poetike

Violeta Allmuça

(Vëzhgim mbi vëllimin poetik të Sali Bashotës, “Në fillim ishte drita”)

          Pas disa botimeve të vlerësuara nga kritika letrare dhe lexuesi, këtë herë poeti tashmë i mirënjohur Sali Bashota na sjell përsëri një element hyjnor në këtë vëllim polivalent, dritën, e cila përbën tërësinë e kohës njerëzore si term për artin e poezisë. Të shprehur si përfytyrim artistik autori operon me vargjet lirike, nëpërmjet një shtresimi të veçantë filozofik. Ndoshta duke e adhuruar dhe konsideruar dritën si diçka hyjnore, ai mediton dhe përqendrohet mbi ndjenjat dhe emocionet pikërisht tek energjia e dritës, duke e përdorur këtë burim për të ndriçuar vargjet e tij. Jo rastësisht e ka përdorur një element tjetër ekzistencial (zjarrin) edhe në librin: “Rruzullimi i zjarrit”), me prozë poetike, po ashtu një vepër Unike në krijimtarinë e tij letrare. Poeti është i lirë të përjetësojë e afirmojë pafund në një vepër letrare bashkëkohësinë, pikëvështrimin dhe fjalën artistike.

Vëllimi poetik “Në fillim ishte drita” është ndarë në tre cikle të ndryshme: SI, NËSE, KUR. Mesa duket poeti i mbetet besnik traditës së kësaj paraqitjeje të poezisë së tij. Le të njihemi me poezinë: “Si pagjumësia e fjalës”. /Nuk dua të fle sonte pa të kujtuar ty/Duke i ujitur lulet në kopshtin e qiellit/E kam të vështirë t`i këpus kujtimet përsëri/ Në javën e parë të prillit/ Nuk dua sonte fare gjumë në sy/Jam bërë kopshtar që lulet i çel/ Kur në damarët e mi të kam ty/Klithma e dashurisë ndihet thellë/.

Të gjitha këto vargje metaforike i paraprijnë kultit të fjalës poetike dhe janë përshkuar  nga një shpirt i vetëm nëpërmjet të cilit krijuesi atribuon frymën e dashurisë. Pra çdo varg poetik është krijuar në shpirt, ku dëgjohet fryma e tij. Autori ka ecur përtej vargjeve derisa ka ndjerë klithmën e dashurisë. Muza e dashurisë nuk pyet për rastësinë por duke zgjedhur të priret me pasurimin e krijimit të çdo fjale poetike. Dhe ia arrin deri në shpirtin e fjalës hyjnore kur agu shkrihet në dritë. Ka ndodhur që pothuajse shumica e poezive me të cilat poeti ka shkrirë edhe vetveten të vijnë për lexuesin me adhurimin e fjalës së përzgjedhur. Të jesh poet i vlerave artistike dhe estetike duhet të frymëzohesh nga dashuria. Asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetojë pa dashuri. Poetët, jo se jo. Mesa shihet edhe në këtë poezi, derisa të jetë drita poeti Sali Bashota do të shkruajë vargje të larmishme dhe magjepsëse, si poezitë: “Si mosha e dashurisë”, “Si pritja e zemëruar”, “Si paraloja”, etj.

Në poezinë tjetër , “Si melankolia” krijuesi shkruan: /Nuk të shoh as në kopshtin me lule/Duke ujitur trëndafilët blu/Kumbon zëri yt kur u përkule/Si pulëbardhat e detit gjithashtu/Kjo poezi e harroi vapën e verës/Si akrepat e ndalur në orë/Çelësin e dyshimit mos ia vë derës/Letrat e dashurisë tani i shkruan me dorë/.

Qenia e poetit është e përshkruar gjithashtu në këto vargje dhe poezia ka esencën e vet, respektivisht qenësinë e tij poetike që shkrihet me qenien letrare artistike dhe estetike. Simboli i dritës ashtu si liria i ndihmon poetët t`i qasen dritës. Secili e pikturon dritën me ngjyrën shpirtërore. Në vetëdijen e poetit shfaqen vargje që lindin thellë në shpirt bashkë me relacionin semantik. Figuracioni letrar e zbulon fjalën në imagjinatën e krijimit të botës së brendshme shpirtërore artistike në kohë dhe hapësirë. Poeti mediton rreth dritës duke u bashkuar me qenien njerëzore dhe poezia nëpërmjet frymëzimit shpirtëror kthehet në materie.

Lexojmë poezinë emocionuese që lind në universin e imazheve. “Nëse zgjohen kujtimet e tretura”. /Zgjohen kujtimet e tretura/ Në shtegun e vet/Ngrihen dallgët e fjetura/Që as hija nuk i pret/ S`ka gjë më të bukur sa ta gdhend portretin tënd/ Në ashtin e shpirtit tim/Jeta pa vdekje tashmë aty ka zënë vend/ Deri në amshim/.

Forca e krijmit të kësaj poezie gjallon në forcën e vargut 1-3, 2-4 duke shprehur vetveten me zërin e vet dhe duke u shkrirë në zërin kujtesës njerëzore. Poeti bashkon dy zëra duke komunikuar artistikisht me të vërtetën e dritës artistike-poetike. Gjithashtu në këtë cikël lexojmë edhe poezi me metafora të rralla: “Nëse klith për secilën fjalë”, “Nëse mbaron prova e zjarrit”, “Nëse ngjallet vetmia”, “Nëse këndojnë zogjtë at ty” etj.  

Vijojmë me poezinë, “Kur heshtin zogjtë”. /Mjafton të vish e buzëqeshur/ Duke e shkundur qerpikun e zi/Edhe zogjtë tashmë kanë heshtur/Ashtu siç hesht nganjëherë ti/Mjafton ta përqafosh mëngjesin/Me mallin e përshëndetjes/Të dashuruarit gjithnjë presin/Lojën midis shkrumbit dhe etjes/Mjafton të jesh zgjuar/Deri në mesnatën e vonë/Me lulen e dashurisë në duar/Ashtu siç ëndërroje gjithmonë/.

Në këtë cikël lexojmë edhe poezitë: “Kur zgjohen engjëjt”, “Kur ti vjen në vjeshtë”, “Kur fiken qirinjtë”, e të tjera, ku mendimi lexuesit mbetet po aq i vlerësuar.

Në poezitë e vëllimit “Në fillim ishte drita”,  Sali Bashota është mjeshtër i fjalës për dashurinë sublime, me një lirikë sa shpirtërore po aq me nuanca erotike dhe ndjesi humane, ku përpos mesazhit poetik, figurave letrare, metaforave befasuese, simbolit, krahasimit dhe një strukturë gjuhësore letrare, plot lirizëm të hollë shpreh pasurinë e përjetimit artistik. Bashota duket sikur i largohet reales ndërkohë që zbulon më shumë botën e imazheve. Brendësia shpirtërore-metafizike e këtij poeti dallohet pikërisht për vlerat e përzgjedhjes së fjalës artistike që na sjell po ashtu edhe vlerat estetike të një vepre poetike. Krijuesit nuk kanë mision të qartësojnë motivin, por fjalën. Poezia nuk mund të jetojë pa dritë, as në hije. Në ciklet poetike: SI, NËSE, KUR shkrimtari i dashurisë Sali Bashota, priret nga krijuesi tipik modern për të zgjedhur artin e fjalës së përsosur. Ky burim magjik për ta ngritur fjalën e shkruar në kultin e saj i sjell leximit të librit një risi të re. Vetë poeti si idealist ka imunitetin e fjalës së vërtetë artistike. / KultPlus.com           

Jennifer Lopez frymëzohet nga i riu shqiptar, nis sfidën e re të vallëzimit

I riu shqiptar Ardit Nreca, një fans i zjarrtë i Jennifer Lopez, ka postuar një video në TikTok me sfidën #InTheMorningChallenge ku kërcente me këngën më të fundit të këngëtares me famë botërore.

Ky kërcim i Arditit i ka pëlqyer shumë JLo e cila e ka ndarë në faqen e saj në Instagram me 134 milionë ndjekës dhe në TikTok-un e saj.

Pastaj Arditi e postoi videokërcimin edhe në Instagram dhe Jennifer i komentoi në video duke shkruar: “E adhuroj këtë zemër!”.

Por kjo nuk është e gjitha.

Pasi pa videon e Arditit, Jennifer çeli zyrtarisht sfidën e kërcimit, në Instagram dhe Tik-Tok, duke i bërë tag edhe të riut, nga i cili u frymëzua për sfidën.

“Faleminderit Mbretëreshë që po bën kërcimin tim! Kurrë s’mendoja se kjo ditë do të vinte!”-shkruan Arditi në Instagram. / KultPlus.com

Një linjë e munguar në Kosovë, “Duende” vjen me një stil unik dhe të guximshëm

Jeta Zymberi

Një stil i guximshëm i Kaltrina Hazirit i shkrirë nga talenti i disenjatores Labentinë Shala, sjell si rezultat një linjë të re veshjesh në Kosovë.

“Duende”, prezanton një harmoni të bukur midis ngjyrave të heshtura të tokës dhe prerjeve interesante, duke i dhënë kështu një kthesë veshjeve të përditshme, që duke i shtuar vetëm pak stil ato shndërrohen në veshje për çdo kohë, shkruan KultPlus.

Nën sloganin “Vish Duende! Bëhu i përjetshëm”, kjo linjë sjell vetëm një krijim për secilin model, andaj mundësia që ju të dukeni unik, është më e lartë përmes këtyre veshjeve.

Për këtë koleksion ku dominojnë krijimet e palltove dhe xhaketave, dyshja u frymëzua nga një gjendje e lartë emocionesh, shprehjeje, autenticiteti dhe ideja e krijimit të modës pa kohë dhe pa stinë.

Për Kaltrinën, krijuesen e kësaj linje, moda është mënyrë e shprehjes së identitetit dhe si e tillë ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e punës së saj, duke e ushqyer kështu te ajo dëshirën për të filluar edhe me krijime.

Ndërsa puna e saj për 4 vite si autore e emisionit të modës “Fashionista” i ka mundësuar një qasje më të thellë “brenda” fushës së dizajnit e cila padyshim ka rritur pasionin dhe përkushtimin.

“Të qenurit në dijeni për të rejat e modës dhe në vendin tonë, më ka bërë të shoh më qartë mangësitë dhe nevojat e tregut. Për më tepër, jam nisur nga vetja por edhe me mendimin e shumë miqve, pasi tek ne mungon një linjë “Ready to wear” e cila ofron veshje, për më tepër modele të cilat do të jenë të përshtatshme për çdo lloj fiziku, shumë të rehatshme dhe unike njëkohësisht”, është shprehu Kaltrina për KultPlus.

“Duende” vjen si një linjë me krijime unike të cilat janë lehtë të tranformueshme në stil, por për Kaltrinën emërtimi nuk ishte i lehtë. Duke dashur një emër që përveç veçantisë përcjellë edhe emocione pozitive dhe një emër që do ta përkufizonte më së miri mesazhin e linjës.

“Pjesa kur duhej të gjeja një emër për linjën, sigurisht se nuk ishte e lehtë. “Duende”, që si term do të thotë lirshëm të kesh shpirt, një gjendje të ngritur emocionesh, shprehjeje dhe vërtetësie. Në konceptin e artit spanjoll, është aftësia për të tërhequr të tjerët përmes magnetizmit dhe sharmit personal”, shpjegon kështu Kaltrina.

Duke parë emancipimin e rinisë tonë në sjelljet e tyre, botëkuptimin dhe sidomos mënyrën e të veshurit, tendencë kjo që nxitet nga dëshira e brezave të sotëm për të qenë sa më shumë unik, “Duende” padyshim është një linjë e munguar në vendin tonë.

“Për mua veshja nuk është thjesht fasadë, por lëkurë e dytë ku përtej asaj që shohim, çdokush prej nesh shfaq personalitetin nëpërmjet saj.”

Por, linja vjen falë kimisë së përbashkët në mes të Kaltërinës dhe disenjatores dhe “Duende” nuk do të nisej nëse ato nuk do e njihnin njëra tjetrën.

“Fillimisht u njoha me krijimet e disenjatores së re krejt të veçanta, me një frymë ndryshe dhe një stil origjinal. Thjesht, pash që Labentina ka një lidhje shumë të fortë me artin, dizajnin, format dhe ngjyrat. Kështu përfundova duke i bërë ftesë për bashkëpunim. Besimi i Labentinës më mbushi dhe menjëherë i dhamë drejtim punës sonë të përbashkët”, tregoi kështu Kaltrina për mënyrën e bashkëpunimit.

Disenjatorja Labentinë Shala e konsideron këtë linjë adekuate për gratë dhe vajzat në lëvizje, ato që mbi të gjitha guxojnë të eksperimentojnë dhe kanë sens të stilimit kreativ.

“Duende sjell plot freski e mënyra të reja prezantimi të veshjeve. E kemi nis me plotë inspirim dhe gjithçka ka vijuar me po të njëjtin entuziazëm. Për mua dhe Kaltrinën ka qenë shumë e rëndësishme konsiderata ndaj impaktit të industrisë së modës në ambient, andaj edhe mënyra jonë e krijimi është “slow fashion”, në një formë edhe si revoltë ndaj modës  modës së shpejtë ose “fast fashion””, thotë disenjatorja.

“Duende” u promovua përmes një video dhe një sesioni fotografik, të realizuar me mjeshtëri nga agjensioni kreativ “Tatamata”. Ju kujtojmë që koleksioni i parë i “Duende” tashmë është në shitje, dhe gjendet në dyqanin “Komono” në Prishtinë. / KultPlus.com

Në Serbi krijohen video-lojëra me krime lufte, një nga to paraqet vrasjen e Adem Jasharit

“Hyr në llogore, hyr në llogore. Ja ku e ke armikun, 200 metra larg teje, në shkurre (…)”, thotë një zë mashkulli, përderisa një ushtar i animuar i ik predhës virtuale.

“U vra. Snajperisti duket se po na sheh qartë nga ajo shkurre. Më mbuloni që të vrapoj dhe të hedh bombën”. Pas disa sekondash dëgjohet një shpërthim, por të shtënat vazhdojnë.

Kjo nuk është nga ndonjë film lufte, por bisedë e një grupi lojtarësh që po luanin një video-lojë, në të cilën një nga misionet është që pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska të parandalojnë forcat kroate të kryejnë operacionin ushtarak-policor “Stuhia”, i cili në jetën reale ndodhi në gusht të vitit 1995.

Sipas një hulumtimi nga Radio Evropa e Lirë (REL), në internet mund të gjenden disa video-lojëra në të cilat simulohen konfliktet ushtarake, që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e aty, si pjesë e misioneve, gjithashtu mund të “luhen’ edhe krimet e luftës.

Aktualisht, platforma më e famshme në Serbi është “Arma Srbija”, ku përdoruesit mblidhen për të luajtur njëkohësisht në kohë reale në internet.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën video-lojë, qitësi i parë, (First-personshooter – FPS), në të cilën lojtarët janë pjesë e një ushtrie të caktuar dhe luftojnë kundër robotëve kompjuterikë, që drejtojnë një ushtri rivale.

Ata publikojnë lojërat e tyre (lojtarë të video-lojërave) në platformën YouTube më të njëjtin emër, e cila ka rreth 2,400 ndjekës.

Kështu, më 23 tetor, u publikua një video e grupit me titull “Lufta aktuale: Operacioni Anti-terrorist në Rahovicë”. Lojtarët janë të veshur me uniforma të maskuara me shenjat e policisë serbe.

Loja zhvillohet në zonën e fshatit afër Preshevës, në jug të Serbisë dhe në përshkrimin e videos thuhet se operacioni, “pasoi provokimet e terroristëve shqiptarë pranë Rahovicës më 13 maj 2001”.

“Në atë ditë, nga drejtimi i rajonit Loki, në 6:10 të mëngjesit, u hap zjarr kundër këmbësorisë në një kodër mbi Rahovicë. Më vonë, në orën 7:00 të mëngjesit, nga drejtimi i fshatit Rahovicë, ekstremistët hapën zjarr ndaj pozicioneve të forcave të sigurisë”, thuhet në përshkrimin e misionit. Videoja ka rreth 900 shikime.

Presheva ndodhet në jug të Serbisë, dhe sipas regjistrimit të fundit, rreth 80 për qind e popullsisë janë shqiptarë. Operacioni “Rahovicë” në jetën reale ka ndodhur në maj të vitit 2001, kur forcat e armatosura jugosllave rrethuan fshatin etnikisht shqiptar Rahovicë, duke marr kontrollin mbi këtë fshat që kontrollohej nga pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Njëri nga misionet e “Arma Srbija” është edhe “Operacioni Jashari”, i cili simulon veprimin e policisë serbe në mars të vitit 1998, kur u vra njëri nga komandantët e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), Adem Jashari, së bashku me më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij.

“Detyra jonë është që të likuidojmë Adem Jasharin”, thuhet në përshkrimin e videos, e cila është publikuar në mars të vitit të kaluar dhe deri më tani, ka afro 85,000 shikime.

Në shkurt të vitit 2019, në këtë platformë u publikua edhe misioni tjetër, “Operacioni Reçak”. Në jetën reale, 45 civilë shqiptarë u vranë në operacionin e policisë serbe në janar të vitit 1999 në Reçak, ngjarje kjo që ishte një nga arsyet më të forta për bashkësinë ndërkombëtare për të filluar ndërhyrjen e NATO-s në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë më 24 mars 1999.

Në përshkrimin e operacionit në këtë video-lojë, maskara e Reçakut nuk përmendet fare.

“Sipas planit të operacionit, forcat e MUP-it (Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë) ishin të ndara në dy grupe. Grupi i parë kishte për detyrë të kapërcente llogoret mbi fshat dhe ta pushtonin atë, në mënyrë që të siguronin hyrjen dhe të bllokonin rrugën për tërheqjen e terroristëve. Ndërsa grupi i dytë do ta sulmonte vetë fshatin. I gjithë operacioni u mbështet nga njësia e brigadës 243 të mekanizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila mbante një pozicion në lindje të fshatit “, thuhet në përshkrimin e videos.

Detaji nga loja “Operacioni Reçak”: Polici serb qëndron pranë një anëtari të likuiduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Në të njëjtin kanal në YouTube mund të gjendet edhe grupi me emërtimin “Operacioni Srbobran 1992” ku simulohet lufta e pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës Sërpska në territorin e sotëm të Donji Vakuf (nga viti 1992 deri më 1995 ishte emëruar Srbobran) në Bosnje-Hercegovinë (BeH) kundër Ushtrisë së BeH. Kjo video është publikuar më 8 tetor dhe ka afërsisht 1,000 shikime.

Në jetën reale, disa njerëz janë paditur për këtë krim lufte dhe çështja është nën juridiksionin e Departamentit Special për Krime të Luftës, në kuadër të Prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës, organ ky që i akuzon të paditurit për vrasjen e 28 civilëve boshnjakë dhe kroatë.

Përveç misioneve që luhen në vendet e ish-Jugosllavisë, pjesëmarrësit e platformës po ashtu luajnë si pjesëtarë të ushtrive të tjera nga e gjithë bota – nga Afganistani deri në Filipine.

Njëra nga misionet ndërkombëtare e cila është publikuar, thirret “Vagner” që ka për lokacion Libinë. Në jetën reale, Vagner është një njësi paramilitare ruse dhe njëra nga misionet e saj të fundit, ishte në Libi.

Si duket loja?

Në lojën “Arma” lojtari vendoset në vetën e parë, që do të thotë se ai e ndjek lojën direkt përmes syve të personazhit që ai e drejton. Është i pajisur me armë të caktuara dhe është pjesë e një ekipi të përbashkët. Pjesëmarrësit komunikojnë më njëri-tjetrin përmes një mikrofoni. Ashtu si në jetën reale të policisë dhe ushtrisë, anëtarët renditen sipas gradave dhe njësitë kanë madje edhe komandantët e tyre.

Siç shpjegoi në komentin e tij njëri nga administratorët e ‘Arma Srbija’ në platformën YouTube, “loja funksionon nga dikush që bën një mision me një histori të vërtetë dhe ne e luajmë atë, por gjithmonë kundër inteligjencës artificiale”.

Çka është “Arma”?

“Arma” është një seri e video-lojërave taktiko-ushtarake, prodhuar nga “Bohemia Interactive” nga Çekia. Kompania u themelua më 1999 nga Marek dhe Ondrej Spanel dhe Slavomir Pavliçek, ndërkaq loja e parë “Operacioni Flashpoint: Kriza e Luftës së Ftoftë” u lansua më 2001. Kjo lojë ishte paraardhëse e zhanrit të “Arma”, që u publikua nga “Bohemia Interactive” pesë vjet më vonë.

Në pjesën e parë të “Arma: Armed Assult”, lojtari është pjesë e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat ndodhen në një ishull të imagjinuar në Oqeanin Atlantik, ku po zhvillohet një luftë civile midis komunistëve dhe monarkistëve.

Seria e fundit e “Arma 3” u botua më 2013.

Ndërkohë, loja ka pësuar modifikime të shumta (në zhargonin e lojtarëve, mod është termi që mundëson ndryshimin e karakteristikave të aplikacionit).

“Kjo do të thotë që përdoruesit mund të krijojnë skenarët e tyre duke përdorur përmbajtjen e lojës, por ata gjithashtu mund të shtojnë përmbajtje krejtësisht të re, duke filluar nga rrobat, armët, automjetet, strukturat, gjërat dekorative, rekuizitat dhe më shumë. Ata madje mund të modifikojnë edhe disa nga përbërësit themelorë të lojës, duke krijuar përvoja krejtësisht të ndryshme të lojës përmes platformës Arma”, thotë Land.

Sipas tij, këto modifikime mund të ndahen përmes platformës së Internetit Steam Workshop, e cila konsiderohet si mënyra më zyrtare e ndarjes së mod-eve, por edhe përmes faqeve të tjera.

“Publikimi i ‘Arma 3’ në 2013, vetëm në Steam Workshop, u nda në më shumë se 75,000 mod-a. Kjo përfshin projekte që synojnë rikrijimin e pothuajse të gjitha konflikteve të mëdha të armatosura në 80 vjetët e fundit”, spjegon Land.

Kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë nëse kompania është e njohur me modelet e bëra brenda komunitetit “Arma Srbija”, ai u përgjigj:

“Ne nuk jemi veçanërisht të njoftuar se ekziston një mod, i bazuar në konfliktet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, por nuk do të habiteshim nëse ekziston”.

Siç nënvizoi zyrtari për media i kompanisë Bohemia Interactive, kompania ofron bazën mbi të cilën përdoruesit krijojnë mod.

Pse krijuesit e lojërave ndryshojnë ngjarjet historike?

Kur u pyetën për të komentuar mbi misionet që simulojnë veprime reale të armatosura gjatë të cilave u kryen krime lufte, të tilla si Reçaku, në Bohemia Interactive thonë se “shumica e konflikteve të armatosura mbartin ndonjë kontraverzë”, duke shtuar se në vend që të glorifikojnë luftën, ata duan të tregojnë anën e saj të shëmtuar.

“Sa u përket mod-ave që kanë një mjedis historik të diskutueshëm, ne shohim se ato zakonisht krijohen nga përdoruesit që e ndiejnë dëshirën për të mësuar më shumë rreth ngjarjeve të caktuara historike. Ata që janë më shumë kuriozë duan ta provojnë se si ishte. Nëse është vërtet motivuese, atëherë ne mendojmë se video-lojërat mund të luajnë një rol shumë të fuqishëm në mënyrën se si mësojmë nga konfliktet e kaluara – duke plotësuar historitë e treguara në libra, filma dhe media të tjera”, thotë Land.

Megjithatë, ai shton se nëse një mod krijohet me idenë e përhapjes së urrejtjes ose nxitjen e dhunës, “atëherë ne e konsiderojmë atë shumë shqetësuese”.

“Në një rast të tillë, përmbajtja mbrohet përtej të drejtës së lirisë së shprehjes, sepse shkel të drejtat e të tjerëve. Nëse projekte të tilla të dyshimta ose të papërshtatshme bëhen përmes një platforme të moderuar siç është Steam Workshop, atëherë ne si përdorues, zakonisht do ta raportojmë atë, me kërkesë të qartë, për ta hequr atë”, thotë thotë Korneel vant Land.

Bohemia Interactive doli në qendër të vëmendjes së medias më 2015, pasi u zbulua se në atë platformë ishte një mod, që e bënte të mundur të luhej roli i një luftëtari të grupit ekstremist, Shteti Islamik, i cili vret perëndimorët.

Sipas raporteve të mediave, mod-i i tillë nuk ishte pjesë e lansimit zyrtar të programuesve çekë, dhe mbështetësit e Shtetit Islamik e përdorën atë për të rekrutuar fëmijë dhe për të radikalizuar të tjerët.

“Arma Srbija”

Sipas informatave në faqen zyrtare të Facebook-ut, “Arma Srbija Zajednica”, e cila ka më shumë se 5,000 ndjekës, mod-i nën emrin e Forcave të Armatosura Serbe është zhvilluar brenda Red Hammer Studios (RHS) për shumë vite. Sipas faqes zyrtare të RHS në Facebook, bëhet fjalë për një komunitet jo-fitimprurës që krijon përmbajtje për lojërat “Arma”.

Në prezantimin e tyre, “Arma Srbija” iu ofron përdoruesve të ardhshëm “lojëra të mëdha të përbashkëta, me bashkësitë e forta vëllazërore ruse, greke dhe të tjera”.

“Ajo që as serverët më të mirë, mod-at më të mirë, e as komunitetet më të mëdha botërore nuk mund të ofrojnë, është përvoja unike e luftës virtuale krah për krah me ushtarët serbë, organizimi i hekurt, përvoja shumëvjeçare dhe cilësia e lojës, me të cilën vetëm komuniteti ynë mund të krenohet”, thuhet në “Arma Srbija”.

Uebfaqja zyrtare e “Red Hammer Studios” ofron modë të re për lojën “Arma 3”, që e përmbajnë “Forcat e Armatosura Serbe të paraqitura realisht”.

Në të njëjtin vend, mund të merren ndaras edhe forcat e armatosura të Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pjesëmarrja në lojë

Siç mund të shihet në forumin “Arma Srbija”, në këtë platformë, janë regjistruar më shumë se 300 përdorues.

Sipas të dhënave të faqes në internet armasrbija.rs, për anëtarësim në këtë platformë, është e nevojshme që përdoruesi të jetë më i vjetër se 18 vjeç, që të posedojë kopjen origjinale të lojës “Arma 3” dhe të ketë kufje e mikrofon.

Nëse plotësohen kushtet, anëtarët e ardhshëm janë të detyruar të plotësojnë formularin me të dhëna personale (emri, mbiemri, viti i lindjes, vendi i banimit, adresa e postës elektronike), të shkarkojnë informacionin e duhur nga faqja specifike, të regjistrohen në forum dhe t’i nënshtrohen trajnimit në internet mbi bazat e lojës së kësaj platforme. Datat e trajnimit përditësohen rregullisht në forum.

Miratimi i administratorit kërkohet gjithashtu për t’u bashkuar me ekipin në të cilin do të luhet.

Kush luan dhe komenton në internet?

Dushan Vignjeviq, një 21-vjeçar nga Novi Sad, 15 vitet e fundit ka luajtur vazhdimisht video-lojëra. Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, megjithëse ka luajtur versionin bazë të “Arma”, deri më tani nuk ka tentuar të luajë mod-in serb të kësaj loje.

Ai thotë se ky mod i duket tepër serioz.

“E pashë se për çfarë bëhej fjalë. Këtu, njerëzit thjesht dëshirojnë të shohin uniformën e tyre në lojë. E pashë nga regjistrimet se është një lojë shumë serioze, një simulim lufte, siç është ‘Arma’”, thotë ai.

Në komentet në platformën YouTube, mund të lexohen kryesisht reagime pozitive ndaj përshkrimit realist të luftës dhe misionit.

“Shumë mirë, vetëm vazhdoni kështu, kjo duket si ngjarje e vërtetë”, ka shkruar komentuesi Sasavasa 1002.

Nga ana tjetër, komentuesi Slacy Marconi, ka një këndvështrim tjetër:

“Kam kaluar 15 muaj në luftë në Kosovë. Nuk është si kjo lojë”.

“Ai që e ka bërë këtë mision, mirë e ka bërë”, shkroi një përdorues nën emrin Serbian Forces, duke komentuar aksionin e policisë serbe kundër Adem Jasharit.

Një komentues i nënshkruar si magg0t92 ofroi ndihmën e tij për të përmirësuar misionin: “Nëse keni nevojë për ndonjë informacion, çfarëdo qoftë në lidhje me atë që ka ndodhur saktësisht, unë e di, sepse njësia ime ishte pikërisht atje dhe ajo e kreu atë aksion”, shkruan ai.

Personi i nënshkruar si alexandarjanjic te misioni i Reçakut shkruan: “Ishte më mirë drejtëpërdrejt nga atje 98/99″.

Lojërat si pasqyrë e shoqërisë

Heshtja ndaj mohimit të krimeve të luftës nga vitet 1990 ka qenë e pranishme për vite me radhë në forma të ndryshme artistike në Serbi, kështu që nuk është për t’u habitur që ajo është e pranishme në video-lojëra, tha për Radion Evropa e Lirë Maja Zhilliq, asistente e programit në Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Ajo thekson se është shumë më problematike që autoritetet në Serbi kanë injoruar krimet e luftës për dekada, pavarësisht vendimeve të shumta gjyqësore që flasin qartë për rolin e Serbisë në krimet e luftës në hapësirat e ish- Jugosllavisë.

“Nëse autoritetet i mohojnë kaq shumë krimet e luftës, nëse ajo periudhë e viteve 1990 nuk mësohet fare në shkolla, atëherë si do të munden të rinjtë në lojë të jenë në gjendje të dallojnë atë që ndodhi në Reçak, ose në një vend tjetër”, thotë Zhilliq.

Ajo thekson se lojërat në thelb nuk janë të këqija, por theksi është në përgjegjësinë e elitave politike.

“Unë personalisht sapo luajta ‘Call of Duty’ (video lojë me luftë) dhe shumë lojëra të tjera, dhe kjo nuk më bëri një person më të keq. Por, shqetësues është fakti që ekziston një mohim i gjuhës së urrejtjes që nuk është sanksionuar në hapësirën publike. Atëherë, si mund të presim që të sanksionohet në një lojë që nuk është aq e njohur në publik”.

Qëndrimi i autoriteteve në Serbi për krimet e luftës është kritikuar vazhdimisht në raportet mbi përparimin e vendit në integrimin evropian.

Raporti i fundit, i botuar në tetor 2020, thotë se qeveria në Serbi vazhdon të sigurojë hapësirë publike për të dënuarit si kriminelë lufte dhe lejon gjuhë urrejtjeje.

Foto nga arkivi – Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin dhe presidenti Aleksandar Vuciq

Serbia po kritikohet për mohimin e gjenocidit dhe sfidimin publik të verdikteve të gjykatës.

Gjithashtu, siç thuhet në të njëjtin raport, marrëveshja me Kosovën është urgjente dhe thelbësore për integrimin evropian.

“Kosovo sunrise“

Në të njëjtën kohë, në Serbi, një tjetër video-lojë me temën e Kosovës tërhoqi vëmendjen e lojtarëve. “Conflict 2012: Kosovo Sunrise” është një videolojë strategjike nga viti 2009. Siç tregoi vetë autori për gazetën “Politika”, koha e lojës u vendos në vitin 2012, kur në një moment pjesëtarë të “guerilave shqiptarë sulmuan forcat ndërkombëtare në Kosovë, dhe lojtari, si komandant i forcave serbe, vjen për të “zgjidhur konfliktin”.

Ai nënvizoi se loja nuk duhet të lidhet me luftën në Kosovë në vitet ’90-ta, duke shtuar se është “një lojë neutrale që siguron një fushë moderne beteje, ku fitorja qëndron në taktika dhe shkathtësi, e jo në cilën anë të llogores ndodhesh”.

Lufta virtuale për Kosovën edhe në platformat e tjera

Konfliktet në Kosovë nga historia moderne janë trajtuar edhe më herët në video – lojëra, por ato nuk janë aq të njohura. “Operation flashpoint”, një lojë e kompanisë të përmendur më herët, “Bohemia Interactive”, u publikua në fillim të viteve 2000 dhe mori mod-in e saj “Kthimi në Kosovë dhe Metohi” në dekadën e parë të shekullit 21.

Sipas përshkrimit të faqes moddb.com, ku mund të shkarkohen modifikime për lojëra të ndryshme, ngjarja e lojës “Kthimi në Kosovë” zhvillohet në fund të viteve 90’ta, “kur NATO sulmoi Jugosllavinë dhe forcat e UÇK-së filluan të sulmonin civilët serbë dhe ushtrinë në Kosovë”.

Sipas të dhënave nga e njëjta faqe interneti, ky mod ka pasur afër 4,500 shkarkime deri më tani.

“Qitës klasik ushtarak, me emërtime në serbisht, anglisht dhe shqip”. Me këto fjalë, një 33-vjeçar nga Novi Sadi, i cili dëshironte të mbetej anonim, përshkruan për Radion Evropa e Lirë, lojën “Kthimi në Kosovë”.

Ai thotë se e ka luajtur atë lojë rreth 15 vjet më parë, dhe ishte tërhequr nga modelet e ushtrisë serbe.

“Nëse e mbaj mend mirë, kjo ka ndodhur në dimër. Amerikanët gjoja e kuptuan se kishin bërë një gabim në Kosovë, kështu që tani, të bashkuar me ne, u nisën të kthejnë fshatrat dhe qytetet. Unë mendoj se e vetmja gjë që ishte e panevojshme ishte që ata futën disa nga këngët tona patriotike, për shembull, si hyjmë në kamion, në radio dëgjohen këto këngë”, thotë ai.

Sidoqoftë, përshtypja e tij, është se ngjarja e lojës nuk kishte dimension politik, por ishte bërë “nga këndi ynë”.

“Si për shembull, kur kemi lojëra kur amerikanët janë personazhet kryesore dhe ata hyjnë në Irak ose ndonjë vend tjetër dhe kryejnë detyrat e tyre atje. Kjo është përshtypja ime. Si një film aksion. Përveç atyre këngëve që ndonjëherë dëgjoheshin në automjete, nuk kishte ndonjë karakter politik apo kombëtar ”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Midis lirive dhe nxitjes së urrejtjes

Gjorgje Krivokapiq, bashkëthemelues i Fondacionit SHARE, një organizatë jofitimprurëse që monitoron gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në internet, i tha Radios Evropa e Lirë se video-lojërat, si një lloj arti bashkëkohor, kanë lirinë për të interpretuar ngjarje të caktuara, por brenda kufijve që nuk shkojnë përtej kornizës ligjore.

“Nëse dikush bën një mod për një video-lojë që jep një interpretim të një krimi lufte, sipas mendimit tim, kjo duhet të vëzhgohet me kujdes, njëjtë sikur nëse dikush boton një libër në të cilin jep një interpretim të po këtij krimi lufte. Nëse një interpretim i tillë është në kundërshtim me rregulloret ligjore pozitive, nëse bën thirrje për përhapje të urrejtjes racore ose fetare, atëherë një libër ose lojë e tillë duhet të ndalohet në mënyrë që të parandalohen veprime të tilla,” tha Krivokapiq.

Lojërat virtuale dhe dhuna e vërtetë

Më shumë se 2.5 miliardë njerëz në të gjithë botën luajnë lloje të ndryshme të video-lojërave, tha për Radion Evropa e Lirë, Linda Schlegel, një studente doktorature në Universitetin Goethe në Frankfurt, e cila hulumton për radikalizimin përmes internetit.

Sipas saj, video-lojërat tërheqin njerëzit, “sepse lojtarët harrojnë realitetet dhe i tërheqin ato në histori”.

“Shumë lojëra të qitjes (FPS) kanë histori interesante dhe u japin lojtarëve zgjedhje, për shembull, ata mund të lëvizin lirshëm nëpër harta sipas gjykimit të tyre dhe të zgjedhin vetë detyrat e tyre”, shpjegon Schlegel.

Ajo thotë se ekziston një debat i vazhdueshëm në lidhje me ndikimin e video-lojërave të dhunshme në shoqëri, porse nuk mund të tërhiqet paralele midis përmbajtjes së lojërave të tilla dhe dhunës në botën reale.

“Lojërat mund të ndryshojnë perceptimin e dhunës përmes normalizimit, dmth. ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjes së dhunshme mund të na bëjë më pak të ndjeshëm ndaj dhunës. Sidoqoftë, efektet e video-lojërave varen nga individi ”, thotë Linda Schlegel.

Komunitetet e lojërave, thotë Linda Schlegel, mund të jenë platforma të dobishme për ata që duan të rekrutojnë anëtarë të rinj në disa grupe ekstremiste.

“Në këtë rast, nuk do të ishte një lojë në vetvete, por një mjedis shoqëror që siguron një faktor rreziku në afrimin e të rinjve me organizatat militante”, thotë Schlegel.

Ajo shton se komuniteti i internetit gjithashtu mund të inkurajojë ata që janë të prirur për veprime të dhunshme, por ata janë pakicë”, thotë Schlegel.

“Shumë mund të jenë falënderues, por vetëm një pakicë e inspiruar nga video- loja, veçanërisht nga mjedisi shoqëror i përvojës së lojërave, do të tregojë ndryshime në sjellje në botën reale”, thotë Schlegelli, duke theksuar se është e gabuar të mbivlerësohet roli i video lojërave.

Çetnikët në lojën shoqërore

Nuk janë vetëm ngjarjet nga luftërat që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë, që kanë frymëzuar disa nga krijuesit e lojërave, por edhe ato nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Në tregun serb mund të blini lojën e bordit “Gjenerali Drazha” të emërtuar sipas udhëheqësit të lëvizjes çetnike nga Lufta e Dytë Botërore – Dragolub Drazha Mihailoviq. Në formën e saj, është e ngjashme me lojën popullore “Risk (rrezik”, në të cilën lojtarët drejtojnë ushtri të ndryshme dhe luftojnë me qëllimin të pushtimit të territoreve.

“Lojtari udhëheq Ushtrinë Jugosllave (çetnikët) dhe mund të luajë vetëm kundër kundërshtarit. Loja është në nivel strategjik, me përmbajtje politike dhe figura historike e ngjarje “, thuhet në faqen zyrtare në Facebook, e cila reklamon këtë lojë.

Përveç rrjeteve sociale, ajo reklamohet edhe në dyqanet online që kryesisht merren me shitjen e veshjeve dhe pajisjeve ushtarake.

“Përdoruesit tanë kryesorë janë Policia, Ministria e Brendshme, ushtria serbe, Ministria e Mbrojtjes, agjencitë e sigurisë, gjuetarët dhe individëve”, thuhet në përshkrimin e kësaj faqe.

Në atë faqe interneti, loja “Gjeneral Drazha” u prezantua me vërejtjen se “nuk bazohet në historinë e shkruar në periudhën nga 1945 deri në 1990”.

Autori i lojës është Andreja Vrazhaliq, i cili në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka luajtur lojëra popullore në tridhjetë vitet e fundit, dhe se filloi të ishte i interesuar për Mihailoviq, rreth një dekadë më parë.

Sipas Vrazhaliq, loja që ai shpiku është “historike, dhe nëse luan si Mihailoviq, je në një situatë shumë të vështirë”.

“Më duhet të pranoj se nuk do të ishte një sfidë për mua të krijoja dikë tjetër, qoftë edhe Titon (Josip Broz, udhëheqës i partizanëve) që do të ishte në krye të listës, por nuk është ndonjë argëtim që suksesi i lojtarit të varet nga ndihma e Perëndimit dhe Stalinit (Josif Stalin, udhëheqësi i BRSS). Loja të lejon të luash i vetëm si Mihailoviq, por gjithashtu mund të luani dy lojtarë: Tito kundër Drazhës “, thotë Vrazhaliq.

Ai vlerëson se të gjitha lojërat tjera popullore janë të bazuara në histori edukative, “sepse ato u mundësojnë lojtarëve të jenë në botën reale dhe të kenë hulumtime të mëtejshme”.

“Unë mendoj se Lufta e Dytë Botërore është minimizuar, kryesisht për shkak të propagandës, e cila ndonjëherë shkon në falsifikim. Ishte një sfidë këtu për ta kthyer diçka të komplikuar në një lojë që duhet të jetë argëtuese, dhe shpresoj të kem sukses në këtë “, thotë Vrazhaliq, duke shtuar se ka pranuar reagime të ndryshme për lojën që ai e projektoi.

Kur u pyet nëse në lojë janë paraqitur krimet e luftës, Vrazhaliq tha se gjenocidi kundër serbëve që u mohua nga Shteti i Pavarur kuisling i Kroacisë (NDH) “ishte thelbi i Luftës së Dytë Botërore, dhe për këtë arsye duhet të jetë pjesë thelbësore e lojës”.

Dragoljub Drazha Mihailoviq, komandanti i Ushtrisë Mbretërore, u dënua me vdekje më 15 korrik 1946 për krime lufte.

Në maj 2015, Gjykata e Lartë në Beograd e anuloi atë vendim, me arsyetimin se gjykimi i Mihailoviçit ishte një proces politik-ideologjik i regjimit komunist. Sidoqoftë, gjykata vuri në dukje se nuk merrej me vërtetimin e fakteve nëse Mihailoviç ishte një kriminel lufte, por ekskluzivisht vetëm me procedurat gjyqësore.

Që video lojërat janë gjithnjë e më shumë në fokus, flet edhe historia e një video loje falas të krijuar nga rrjeti nacionalist ekstremit të djathtë gjerman Ein Prozent (Një Përqind).

Në të, lojtarët përpiqen të çlirojnë vendin e tyre duke vrarë antifashistë dhe duke u përplasur me kancelarën gjermane Angela Merkel dhe me filantropin, miliarderin amerikano-hungarez George Soros, të cilët paraqiten si armiq.

Siç është raportuar nga portali VICE më 21 shtator, lojtarët e lojës të quajtur “Heimat [Homeland] Defender: Rebellion” mund të vendosin të luajnë si një nga shumë njerëzit me ndikim nga skena e ekstremit të djathtë të zonës gjermanfolëse.

Siç spjegohet në të njëjtin raport, Ein Prozent është një rrjet nacionalist që është nën mbikëqyrjen e agjencisë së inteligjencës gjermane, si një grup i dyshuar ekstremist.

Organizata ndërkombëtare joqeveritare Projekti për Luftën kundër Ekstremizmit (CEP), e cila merret me luftën kundër kërcënimit në rritje të ideologjive ekstremiste, paralajmëroi në deklaratën e 16 shtatorit për video-lojërat që promovojnë besimin në dhunën e të djathtës ekstreme.

“Video-lojërat e krijuara nga grupe ekstremiste dhe individë që kërkojnë të përhapin ideologji të dhunshme janë sfida unike për ata që punojnë për të parandaluar luftën kundër radikalizmit. Kompanitë e teknologjisë dhe shpërndarësit duhet të kenë parasysh edhe fajin që bartin ne këtë rast”, tha CEP në një deklaratë.

Kjo organizatë vlerëson se grupet ekstremiste janë të vetëdijshme për potencialin e video-lojërave, për përhapjen e besimeve e tyre dhe se tregu i video-lojërave, vetëm në Shtetet e Bashkuara ka mbi 214 milionë lojtarë, e që do të thotë edhe miliarda dollarë përfitime për kompanitë. / Gazeta express/ KultPlus.com

Zbulohet mozaiku i figurës së heroit Agim Ramadani, vendoset në kazermën e FSK’së

Në dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, është zbuluar sot mozaiku i figurës së heroit të kombit, Agim Ramadani, në një ceremoni të veçantë në Regjimentin e forcave tokësore të FSK’së në Gjilan.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ndihet i lumtur që pas një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit, mozaiku me figurën e Agimit është zhvendosur në kazermën e FSK’së.

“Jam i nderuar që jam sot në shpalosjen e këtij punimi në këtë kazermë elitare. Këtu ndihesh i privilegjuar dhe sigurt për të gjitha pritjet që ne i kemi pasur për shtetin, institucionin  e në veçanti për pjesën ushtarake të Republikës sonë. Agimi ka zbarkuar prej një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit në kazermë, aty ku e ka vendin dhe ky aty ku figura e tij të rrezatojë çdo ditë si roje e paqes dhe si emër i cili  ushtarit i jep motiv e mesazh që liria është e shtrenjtë dhe për liri shkohet deri në sakrificë”, ka thënë Haziri.

Ai tha se kjo është njëra nga veprat që është punuar fal angazhimit personal të Muhamet Ajrullahut.

“Ne sot të gjallët na mbetet që ta kujtojmë, të gjunjëzohemi dhe ta respektojmë veprën e secilit. Kjo është njëra nga veprat që fal angazhimit personal të Muhamet Ajrullahut dhe punës së artistit. Kjo vepër i vije Gjilanit pas Abdullah Tahirit e para Kadri Zekës i cili që do të vendoset në vitin e ardhshëm”, shtoi Haziri.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se heronjtë tanë janë të pavdekshëm e dëshmon fuqishëm edhe kjo ngjarje.

“Vepra madhështore artistike e zbuluar sot e mozaikut me portretin e vëllait tim të armës dhe idealit, heroit të kombit, Agim Ramadani – Katana, e punuar në mënyrë të veçantë nga kreatori ynë Besart Gashi me mbështetjen e Muhamet Ajrullahut, e konfirmon fuqishëm faktin se dëshmorët janë të pavdekshëm”, tha ministri Quni.

Ndryshe, mozaiku me figurën e Agim Ramadanit është punuar me kapëse metali dhe ka hyrë në librin e rekordeve guinness. / Gazeta express/ KultPlus.com

Mark Kaftalli apo “Paganini” shqiptar përkujtohet në ditën e lindjes

Përkujtohet sot ditëlindja e Mark Kaftallit, një prej artistëve më të mëdhenj të vendit dhe një prej violinistëve më virtuozë.

Kaftalli lindi më 14 Dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës, qytet në të cilin ai mori edhe arsimimin bazë për violinë nën mbikëqyrjen e një tjetër fenomeni muzikor dhe i kompozicionit shqiptar si “Preng Jakova”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi gjatë viteve 1960 në Institutin e Lartë të Arteve.

Ai njihet gjithashtu si autori i 750 veprave muzikore nga të cilat 7 janë opereta të niveleve jashtëzakonisht profesionale. Rreth 400 krijime të tij i përkasin muzikës popullore qytetare dhe njihet si kompozitorët që ka krijuar më shumë vepra muzikore sa i takon traditës muzikore shkodrane. Gjithashtu pati një krijimtari të madhe për muzikën për fëmijë.

Ai u cilësua edhe si “Paganini” shqiptar për shkak të talentit të tij të rrallë.

Kaftalli vazhdoi punën për 30 vjet në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Gjithashtu ka dhënë mësim në Liceun Artistik të qytetit të Shkodrës.

Kaftalli gjatë karrierës së tij artistike është vlerësuar me shumë çmime dhe medalje ku do të veçonim Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe klasit të parë, Mirënjohje e qytetit të Shkodrës, vlerësim që iu akordua në vitin 2008.

Kaftalli u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare. Nga viti 1967 dhe deri në fund të jetës së tij ai ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. /atsh/ KultPlus.com

Aktorja shqiptare i vjen në ndihmë Shqipërisë, dhuron shtretër spitalorë, zjarrfikëse dhe autoambulanca

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler, e njohur për rolin e saj te “Mimoza Llastica” ka dhuruar 40 shtretër dhe orendi të tjera spitalore, autoambulancë, gjashtë furgona, dy zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Vetë aktorja u shpreh se ndihmat konsistojnë në krevate, komodina dhe inventarë të ndryshëm që do të përdoren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për situatën emergjente të COVID-19. Gjithashtu aktorja ka dhuruar edhe 1 autoambulancë, 1 autotransporter për persona me aftësi të kufizuara, 2 minibusë/ dhe 2 autotransporter, 50 laptopë, 2 zjarrfikëse të cilat do të përdoren gjatë emergjencave, shkruan shqiptarja.

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler tash e mbi 30 vjet jeton e punon në Zvicër dhe kjo nuk është hera e parë që ndihmon atdheun. / KultPlus.com

Finlanda qeveriset nga pesë parti, të gjitha të drejtuara nga gratë

Finlanda, një nga shtetet që shquhet për nga qetësia dhe mirëqenia e standardit të jetës, u komentua gjatë një vit më parë, kur 34-vjeçarja Sanna Marin u bë kryeministrja më e re në botë. Por kjo nuk ishte e vetmja gjë që tërhoqi vëmendjen: Finlanda qeveriset nga një qeveri koalicioni, e përbërë nga pesë parti, të gjitha të drejtuara nga gra. Pra, si është jeta në Finlandë, një vit pas udhëheqjes së grave?

Finlanda ”interesohet për atë që njerëzit e tjerë mendojnë”

Gratë mbeten shumë të papërfaqësuara në qeveritë në gjithë botën, në Finlandë, Marin është kryeministrja e katërt grua.

“Ne jemi një vend i vogël, kështu që jemi shumë të interesuar për atë që njerëzit e tjerë mendojnë për ne. Barazia është pjesë e identitetit të vendit, kështu që njerëzit ndoqën shumë atë që po bënte kjo qeveri”, tha Johanna Kantola, profesoreshë për studimet gjinore në Tampere University.

Marin vjen nga një familje e klasës punëtore dhe u zgjodh në këshillin e qytetit Tampere kur ishte 27 vjeç. Ajo u zgjodh për herë të parë në Parlamentin e Finlandës në vitin 2015. Marin ka një agjendë që përfshin politika progresive mbi barazinë gjinore dhe ndryshimin e klimës.

Por Covid-19 ka qenë një sfidë e re për pesë udhëheqëset e partive, të cilat janë edhe ministre në qeveri. Megjithatë përgjigjja ishte efikase.

Qeveria e Finlandës është vlerësuar për reagimin e saj të hershëm ndaj krizës së Covid-19. Finlanda mbylli shkollat dhe vendin më 16 mars me pak më shumë se 300 raste të regjistruara me virus.

Për shumë ekspertë, është pjesë e listës së vendeve që duket se kanë reaguar herët, pjesërisht për shkak të veprimeve të qarta dhe të hershme për të luftuar pandeminë.

Edhe pse infeksionet janë rritur tani që është vala e dytë, udhëheqja e Marin vlerësohet si një ndër më të mirat.

Vala e dytë teston popullaritetin e qeverisë së Marin

Përkundër këtyre sukseseve të hershme, qeveria Marin tani përballet me kritika më të forta lidhur me përgjigjen e saj ndaj Covid-19. Finlanda është në mes të një vale të dytë të Covid-19 me qindra infeksione në ditë. Deri më tani, ka pasur më pak vdekje sesa gjatë valës së parë. Por të gjitha qeveritë po përballen me kritika në një kohë të jashtëzakonshme si pandemia.

Progresi mungon në disa fusha

Shumë ekspertë thonë se është e vështirë të gjykosh qeverinë aktuale sepse ato nuk kanë ecur përpara në shumë nga përparësitë e tyre. Disa vënë në dukje se qeveria duhet të ndryshojë politikat për njerëzit transgjinorë sepse nuk janë progresive. Qeveria ka thënë se është përkushtuar për ta ndryshuar atë.

Zgjedhjet e ardhshme të vendit nuk janë planifikuar deri në prill 2023, kështu që nëse Parlamenti nuk shpërndahet, qeveria do të vazhdojë të ketë kohën për të ndjekur agjendën e saj, por asgjë nuk është e sigurt në këtë situatë të ndërlikuar për shkak të pandemisë. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Hapet në Tiranë ekspozita “Heroes” e piktorit Agim Sulaj

Ekspozita “Heroes” vjen për publikun me disa prej punëve më të mira të piktorit të njohur Agim Sulaj.

Me një aktivitet të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës e fitues në konkurse të ndryshme në botë me punët e tij në karikaturë, artisti i njohur vazhdon traditën e tij me ekspozitën e dhjetorit në Shqipëri. Tre vite me parë ekspozita e tij te hotel “Plaza” quhej “Rrënjët”, këtë vit vjen me emrin “Heroes”. Piktori i njohur ka prezantuar 25 tablo në ekspozitën e tij.

Në një reagim piktori thotë se këtë herë ka dhe punë, që i dedikohen situatës së vështirë me pandeminë globale që po kalojmë, por ka dhe piktura të tjera me mbresa të pikturuara, si dhe tablo historike. ““Heroes” një dedikim situatës e vështirësive të krijuara nga covid-19 nëpërmjet një tabloje. Si dhe një zhytje me kujtime, mbresa të pikturuara e tablo historike. Por COVID-19 nuk e ndalon krijimtarinë”, thotë piktori i cili hapi ekspozitën e tij në datë 11 dhjetor për publikun, që mund të shikojnë punët e tij duke respektuar rregullat që janë vënë për shkak të pandemisë. Ekspozita “Heroes” është prezantimi i radhës së piktorit Agim Sulaj me publikun artdashës shqiptar. Sipas tij janë 25 punime, që përcjellin edhe mesazhe paqeje. “Nuk mund ta ndërprisja traditën e bukur të krijuar tashmë këto katër vjet me publikun e miqtë artdashës të Shqipërisë. Jeta e arti duhet eci e të prezantohet”, thotë piktori i njohur Agim Sulaj, për aktivitetin e tij me pikturën gjatë këtij viti mjaft të vështirë për shkak të pandemisë globale.

Ekspozita deri në shkurt 2021

Piktori për shkak të situatës me pandeminë nuk ka mundur të jetë vetë në Tiranë. Por punët e ekspozitës i ka dërguar dhe tashmë janë prezantuar në Tiranë. Piktori Agim Sulaj thotë se ekspozita do të qëndrojë deri nga mesi të muajit shkurt të vitit që vjen. Por dhe pse një vit i vështirë, piktori Agim Sulaj ka vijuar të jetë pjesëmarrës në konkurse të ndryshme, sipas tij duke marrë dhe vlerësime të reja. “Ky vit dhe pse shumë me vështirësi nuk e ka frenuar aktivitet in tim. Jam i kënaqur, që jetës sime artistike i kam dhënë emocione , çmime e vlerësime të reja”, thotë ai. Këtë herë në këtë ekspozitë të hapur në Tiranë, piktori thotë se përgjithësisht janë punime të reja në 25 tablotë e prezantuara. “Është një variant i ti i tablosë historike me kokën e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani, që ndodhet në Janinë në Muzeun e Aliut, me përmasa të mëdha. Kisha dëshirë ta bëja të madhe”, tregon ai. Gjatë një viti më parë piktori shqiptar me famë ndërkombëtare Agim Sulaj mori pjesë në konkurse të ndryshme në botë, ku është vlerësuar me çmime, por shprehej se për ekspozitën në Tiranë në muajin e fundit të vitit në dhjetor kishte kohë që e kishte menduar.

Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni” e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, etj. Agim Sulaj mes vlerësimeve që ka marrë ka fituar edhe “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”. I cilësuar si çmim “Oscar” për karikaturën, ky vlerësim vjen për artistin e njohur shqiptar në vijim të aktivitetit të tij. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin 583 artistë nga 63 vende të botës dhe 2750 punime të seleksionuara. /dp/ KultPlus.com

Dy vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, dy vjet më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi që ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një  ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”./ KultPlus.com

74-vjeçarja diplomohet në të njëjtën ditë me mbesën e saj

Asnjëherë nuk është vonë për të marrë diplomën e universitetit, dhe 75-vjeçarja Pat Ormond është dëshmi e gjallë e kësaj.

E moshuara mori një diplomë bachelor në antropologji, në të njëjtën ditë me mbesën e saj 22-vjeçare, Melody.

Ormond tregoi për CNN se braktisi universitetin 48 vite më parë, për t’iu përkushtuar familjes ndërsa pasi doli në pension vendosi të rikthehej në bankat e shkollës, për të përmbushur ëndrrën e saj të vjetër.

Ajo u regjistrua së bashku me mbesën e saj, morën disa herë mësime së bashku dhe u diplomuan në të njëjtën ditë.

“Të mësuarit nuk duhet të ndalojë kurrë”, tha e moshuara.

“Kjo është diçka që babai im më nguliti kur isha më i ri. Pavarësisht se çfarë bëni, të mësuarit nuk duhet të ndalojë kurrë.” / KultPlus.com

Pse u asgjësua vepra e Ali Hadrit nga komunistët maqedonas?

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, organet e rendit të ish Jugosllavisë në përgjithësi, e organet e rendit në Republikën Socialiste të Maqedonisë në veçanti, ndërmorën një sërë masash brutale ndaj shqiptarëve, edhe atë pothuaj në të gjitha sferat e jetës së tyre.

Në vitet që pasuan shqiptarët (në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë) ishin në shënjestër të kontrollit total, sa që u krijua përshtypje se policia sekrete hetonte edhe ajrin që ata thithnin.

Me urdhër të organeve komuniste, sidomos kultura dhe arsimi (të cunguara) shqip, iu nënshtruar rishqyrtimit të plotë, duke hartuar platforma, informata e konkluzione, ashtu siç u konvenonte atyre, duke i shpallur jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithçka që mbante atributin shqiptar, si element armiqësor, nacionalist e irredentist.

Duhet thënë se, atëbotë, policia maqedonase ishte më brutale se ajo federative e serbe. Në një dokument që gjendet në Arkivin shtetëror (të Maqedonisë së Veriut) e që ka të bëjë me konkluzionet e Dhomës shoqërore-politike të Kuvendit të RS të Maqedonisë, i miratuar në mbledhjen e mbajtur më 27 maj të vitit 1981, lidhur me shqyrtimin e Raportit të punës së Sekretariatit Republikan për Shkencë dhe Arsim, ndër të tjera thuhet se “Dhoma vë në dukje nevojën e rishikimit të plotë të të gjitha planeve, programeve dhe librave, përfshi edhe ato historike, nga këndvështrimi ideor dhe edukativ”, ndërkaq shkak i drejtpërdrejtë për miratimin e konkluzioneve ishte diskutimi që u zhvillua në trupat e Kuvendit të RS të Maqedonisë, në lidhje me “ngjarjet nacionaliste, irredentiste e kundërrevolucionare në KSA të Kosovës dhe në viset tjera të RSFJ”.

Në këtë mbledhje antishqiptare, siç bëhet e ditur në dokument, ndër të tjera do të bëhet fjalë edhe Dr. Ali Hadrin, përkatësisht librin e tij, “Kritikë historiografike”. Bëhej e ditur se libri ishte botuar në vitin 1973, në kuadër të botimeve të “Flakës së Vëllazërimit”.

Komunistët maqedonas kishin konstatuar se “në këtë libër autori Ali Hadri, duke i mbrojtur në tërësi qëndrimet e PKSh-së dhe të historiografisë shqiptare, bën kritikë të ashpër e joparimore ndaj historiografisë jugosllave, duke e vlerësuar atë si joshkencore dhe aspak objektive”, duke shtuar se “që para ngjarjeve nacionaliste dhe irredentiste, ky libër ka qenë lëndë e një kritike të ashpër që është publikuar edhe në shtypin ditor”.

Me këtë rast, bëhet e ditur në dokument, redaksia “Flaka e Vëllazërimit” në janar të vitit 1981 do ta tërheqë librin nga shitja dhe më vonë do të asgjësuan 390 ekzemplarët që kishin mbetur pa u shitur. Jo vetëm kaq, por përmes policisë sekrete, do të ndërmerren masa për asgjësimin e 1600 ekzemplarëve tjerë që gjendeshin nëpër biblioteka.

Pra, pothuaj 2000 ekzemplarë të librit të Hadrit, “Kritikë historiografike”, do të asgjësohen.Duke folur për Dr. Ali Hadrin, në këtë dokument vërejmë se komunistët maqedonas të asaj kohe, që kishin marrë edhe rolin e historianëve, kishin theksuar se “nëpër tubimet shkencore të historianëve jugosllavë, Dr. Ali Hadri kishte sulmuar historiografinë maqedonase si nacionaliste. Sipas tyre, “sulme të drejtpërdrejta i janë drejtuar librit “Historia e popullit maqedonas” për prezantimin aspak objektiv të së kaluarës së popullit shqiptar”, në të cilin libër shqiptarët prezantohesh edhe si “cubat shqiptarë, hajdutët shqiptarë” e ngjashëm. Kështu do të prezantohen edhe më vonë nga të njëjtit, por të maskuar me kostum demokratike, në “Enciklopedinë e Maqedonisë”, e botuar në vitin 2009. / KultPlus.com

“Bukuroshja e fjetur” e Kosovës, Ujëvara e Mirushës

Një ndër piezazhet spektakolare të Kosovës, që në dimër “fle” mes valëve të ngrira nga akulli e në verë zhurma e gurgullimës qetësuese të ujit.

Ujëvara e Mirushes, “bukuroshja e fjetur” e Kosovës në fshatin Llapçevë të Malishevës është një destinacion turistik që nuk duhet humbur. Destinacioni ndodhet vetëm një orë larg Prishtinës.

Ajo është pjesë e parkut natyror me rëndësi të veçantë e sipas IUCN, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”.

Kanioni i Mirushës është një ndër zonat më interesante të natyrës së Kosovës. Lumi Mirusha në pjesën e poshtme të rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i lumit Mirushë. Në këtë pjesë të kanionit janë 16 ujëvara me liqene që e përbëjnë pjesën më atraktive të kanionit.

Në mars të vitit 2014 Kuvendi i Kosovës ka aprovuar Planin Hapësinore për zonën e mbrojtur “Ujëvarat e Mirushes”, të hartuar nga Instituti për Planifikim Hapësinor. Qëllimi kryesor i Planit është të ndikojë në ndalimin e zhvillimeve të paplanifikuara që dëmtojnë zonën, të bëjë ridefinimin e vijës kufitare të zonës dhe të orientojë planifikimin e investimeve dhe zhvillimeve të ardhshme që duhet të realizohen sipas planit në këtë zonë të mbrojtur.

Ujëvarat e Mirushës veçohen për vlerat unike të trashëgimisë natyrore, kombëtare dhe kulturore. /dp/ KultPlus.com

“Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë”

Poezi nga Petrit Ruka

“Gruaja”

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë: e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.
Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë!

Pastaj jemi përqafuar, “e po unë isha në gjumë”

Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,

Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.
Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë, kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as OKB-ja s’ka parë.
Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar! / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës në koncertin e fundvitit kujton Nexhmije Pagarushën

Koncerti i fundvitit nga Filharmonia e Kosovës do të jetë dedikuar bilbilit kosovar që e bëri tok shpirtin me muzikën, Nexhmije Pagarushën, shkruan KultPlus.

“Në kujtim të Nexhit” është emri i koncertit të së shtunës më 19 dhjetor, përgjatë së cilës përmes artit do të lartësohet Pagarusha. Mirëpo, për shkak të hapësirës së duhur të interpretimit, Filharmonia e Kosovës do të detyrohet që koncertin në Sallën e Filharmonisë Maqedonase në Shkup, duke filluar nga ora 17:00.

Përgjatë koncertit i cili do të mbahet me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, do të interpretohen vepra nga Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono, Rauf Dhomi, nën orkestrimin e Valton Beqirit, Kreshnik Aliçkajt dhe Gridi Krajës.

Në anën tjetër, me zërat e tyre të pranishëm nën dirigjimin e Gridi Krajës do të jenë solistet Adelina Paloja – soprano, Ardita Ukaj – soprano, Arta Jashari – soprano,
Besë Krasniqi – mexosoprano, Dea Hamdiu – alto, Diellza Sylejmani – alto,
Elikonë Hysaj – mexosoprano, Ilvije Dragusha – Murtezaj – soprano,
Kaltrina Miftari – soprano, Selvije Marteti – Xhemshiti – soprano, Shkurtë Hykaj – soprano.

Ky koncert organizohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Kosova renditet e pesta në Festivalin Ndërkombëtar të Fizarmonikës nëpërmjet Shkumbin Miftarit

Për të parën herë, Shkumbin Miftari ngriti Kosovën në Festivalin më të madh botëror në instrumentin e Fizarmonikës, Trophée Mondial De L’accordéon, shkruan KultPlus.

Madje, Miftari nuk mbeti vetëm me pjesëmarrje. Në mesin e 750 konkurrentëve nga të gjitha vendet e botës, ai nëpërmjet performancës së tij arriti të listohet në top 5shen për Kupën Botërore të Fizarmonikës.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Shkumbini, i cili ka shpërndarë listën e publikuar nga Festivali i cili kishte një juri profesionale prej 110 antarësh.

Shkumbin Miftar është një shembull tjetër i përfaqësimit të denjë të vendit përmes artit. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=GlXx69LsqWE&ab_channel=ShkumbinMiftariAccordion

Sot është Dita Ndërkombëtare e Violinës, risjellim tingujt e Bareshës nga Shkëlzen Doli

Kur nëpër botë sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Violinës, KultPlus ka vendosur nga të gjitha veprat shqiptare të përzgjedh njërën.

Kënga e cila është kthyer në vulë identitare dhe burim shpirtëror të popullit tonë, “Baresha” e bilbilit kosovar Nexhmije Pagarusha ka ardhur në versione të ndryshme. Në mesin e shumë interpretuesve, ne po e veçojmë performancën e Shkëlzen Dolit me violinën e tij, i cili ndjell emocione te dëgjuesit.

Eleganca e interpretimit dhe bukuria e këtij kompozimi ia shtojnë vlerën punës së Dolit.

Kjo performancë është realizuar vite më parë nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Mirsad Tahiri: Kosova është model edhe për vendet e tjera të rajonit, komunitetet kanë shumë mundësi

Erdona Krasniqi

“Në shoqërinë kosovare racizmi ekziston, por edhe nuk ekziston. Tek një pjesë e njerëzve ekziston, sepse nuk kanë shoqëri me komunitetet joshumicë. Të gjithë ata që kanë pasur paragjykime dhe kanë pasur mundësi të shoqërohen me një pjesëtar të komuniteteve joshumicë, i tërheqin ato paragjykime. Unë bëj thirrje që të respektohen komunitetet ashtu siç janë, pa dallime racë dhe gjuhë”, shprehet gazetari Mirsad Tahiri, i cili vjen nga komuniteti ashkali.

Mirsad Tahiri është me profesion gazetar dhe punon në Radio Kosova, si moderator në emisionin Zëri i Ashkalive, emision ky që ka startuar në vitin 2016. Tahiri po ashtu ka punuar në të kaluarën në TV Llapi, ku pritet të rikthehet përsëri me emisione të cilat do të ndihmojnë komunitetit ashkali.

Ai shprehet i lumtur që ka arritur të ushtrojë profesionin të cilin e ka dashur qysh nga fëmijëria.

 “Çka kisha përmend më shumë tek fëmijëria ime është se kam qenë shumë i interesuar tek informacioni, ta marr informacionin dhe ta bartë tek qytetari. Duke falënderuar Zotin dhe familjen time kam arritur atë që kam dashur në jetë”, thotë Tahiri.

Ai ka shtuar se fëmijëria e tij nuk ka qenë e vështirë dhe nuk ka pasur sfida ashtu si të tjerët që janë nga komunitetet joshumicë. Shkollimi i tij ka qenë ashtu si i të gjithë fëmijëve të tjerë nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Tahiri falënderon të gjithë mësimdhënësit e tij që nga shkolla fillore, e deri në universitet që e kanë përkrahur shumë dhe asnjëherë nuk është ndjerë i diskriminuar.

“Ata që më mbështetën në karrierën time kanë qenë prindërit, dua të falënderoj po ashtu drejtorin e ish Radio Vizionit në Komunën e Podujevës, Fazli Veliu, të cilin sot e kam koleg. Ai ka ndihmuar komunitetin ashkalli për të nxjerr kuadro të reja në drejtimin e gazetarisë. Ai ka qenë shtyrësi kryesor në këtë aspekt, për të arritur suksesin në këtë nivel. Çka është interesante deri më tani nuk kemi parë shumë interesim edhe tek vet komuniteti ashkali për këtë drejtim, është një numër shumë i vogël. Shpresoj që në të ardhmen të ketë më shumë të interesuar në drejtimin e gazetarisë. Unë jam gjenerata e tretë në familje në këtë profesion”, shton Tahiri.

Sa i përket racizmit Mirsadi thotë se racizmi ekziston fillon prej Institucioneve të Kosovës. Është një 10% që duhet të respektohet nga këto institucione dhe aty ai sheh se nuk respektohet tek komuniteti ashkali.

“Nëse shohim statistikat e kuptoj se sa është numri i të punësuarve nga komuniteti ashkali në Kosovë. Ka shumë pak të punësuar në administratë qendrore dhe lokale dhe ky është racizmi. Në duhet të luftojmë racizmin nga brenda, jo nga jashtë. Racizmi duhet të luftohet së pari brenda institucioneve e pastaj jashtë tyre. Për shembull Zyrat për Kthim dhe Komunitete në nivelin lokal, brenda tyre nuk ka të punësuar nga këto komunitete. Unë bëj thirrje që të respektohen komunitetet ashtu siç janë, pa dallime racë dhe gjuhë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri shprehet se ai vet nuk mund të thotë se është ballafaquar me racizëm sepse Komuna e Podujevës dhe të rinjtë të Komunitetit Ashkali në këtë komunë janë model për komunat e tjera dhe se kjo Komunë është model për faktin se nuk ka diskriminim, nuk ka racizëm. Në këtë komunë  ka bashkëpunim të ndërsjellët.

“Unë nuk jam ballafaquar me këtë dukuri, por e di që shumica e të rinjve të komuniteteve joshumicë ballafaqohen. Nxënësit e komunitetit ashkalli janë të ulur në bankat e para, duke falënderuar organizatat e ndryshme joqeveritare, nxënësit pajisen me bursa si mundësi për të ndjekur mësimet. Martesat e hershme po ashtu kemi arrit t’i ndalim dhe në Komunën e Podujevës, ka rënë numri i këtyre martesave. Po ashtu bëj thirrje që fëmijët e komuniteteve joshumicë të ndihmohen, veçanërisht në këtë kohë pandemie të pajisen me teknologji, si mundësi për të ndjekur mësimet. Çfarë mund të them se për përfaqësimin e komunitet ashkali në komunën e Podujevës duhet të punohet më shumë në unitet dhe të veprohet më shumë”, shton tutje Tahiri.

Mirsad Tahiri thotë se Kosova,  krahasuar me vendet tjera të rajonit, iu ofron më së shumti mundësi komuniteteve joshumicë, por sa po shfrytëzohen mundësitë nga vetë komunitetet dhe përfaqësuesit e tyre. Sipas tij, Kosova është model edhe për vendet e tjera të rajonit.

Ai po ashtu ka kërkuar nga komunitet joshumicë që të bëjnë më shumë përpjekje për t’i shfrytëzuar të mirat që Kosova ofron. Ndaj Tahiri bën thirrje që këto të mira të shfrytëzohen sa më shumë.

Si përfundim gazetari Mirsad Tahiri ka një mesazh për të gjithë:

“Mesazhi im për të gjithë është që përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë të punojnë më shumë çështjen e arsimit, punësimit, integrimit të komunitetit ashkali, dhe problemet me të cilat ballafaqohet ky komunitet të eliminohen njëherë e përgjithmonë. Si dhe shoqëria civile të jetë bashkëpunuese me qytetarin në projekte të ndryshme”, ka përfunduar ai. (Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)KultPlus.com