Eleni Foureira: Jam krenare që kam lindur në Shqipëri

Për një kohë shumë të gjatë, këngëtarja Eleni Foureira, mbajti të fshehtë origjinën e saj.

Në fillimet e saj ajo shprehej se ishte me origjinë latine, derisa më në fund pranoi të vërtetën që ka origjinë shqiptare.

Së fundmi e ftuar në një televizion grek, Eleni ka shpjeguar se përse është detyruar ta mbante të fshehtë origjinën, transmeton KultPlus.

Ajo ka treguar se kur ishte fëmijë nuk pranohej në shoqëri për shkak të origjinës dhe kishte frikë se nuk do i jepej kurrë mundësia për shkak të kësaj arsyeje.

”Kur je një fëmijë dhe nuk pranohesh nga shoqëria për shkak të origjinës, ndihesh e dobët dhe ke frikë se nuk do të jepet mundësia. Kur kuptova që njerëzit e donin Elenin, ndjeva fuqinë për ta thënë atë. Emri im i vërtetë është Entela Fureraj. Arrita në pikën kur kisha frika të thosha nga isha. Jo të gjithë më duan, por ndihem mirë dhe me këtë. Jam krenare që kam lindur në Shqipëri, por Greqia është atdheu im, unë e dua. Është vendi që une e dua”,tha Eleni.

Sakaq, këngëtarja e ka cilësuar Greqinë si vendlindjen e saj, ku dhe buka kishte shije tjetër.

”Greqia është e tërë jeta ime. Kjo është vendlindja ime. Buka kishte shije tjetër. Por e kisha të vështirë të kuptoja pse fëmijët na ngacmonin. Në shkollë kishte dy fëmijë të huaj nga Shqipëria. Shqiptarët nuk pranoheshin në atë kohë nga shoqëria”,  është shprehur Foureira. / KultPlus.com

Shëndeti mendor dhe emocional i fëmijëve i rrezikuar nga pandemia

Shëndeti mendor dhe emocional vazhdon të jetë diçka me të cilin shumë njerëz vazhdojnë të përballen gjatë pandemisë, dhe ky problem ka filluar të bëhet serioz dhe i pashmangshëm, edhe për fëmijët. Por ekspertët e kësaj fushe thonë se ekzistojnë gjëra të cilat prindërit mund t’i bëjnë për të ndihmuar.

Për pothuajse një vit, pandemia e koronavirusit i ka pushtuar tërësisht rutinat tona të përditshme, dhe ndërsa disa njerëz e kanë pasur të vështirë të përshtaten me realitetin e ri, adaptimi me këto ndryshime mund të jetë i vështirë për fëmijët.

Ekzistojnë dy gjëra që janë shumë të rëndësishme për fëmijët, ato janë struktura dhe socializimi, dhe përgjatë këtij viti ata i kanë humbur te dyja këto gjëra. Pavarësisht se është normale që fëmijët herë pas here të kenë probleme me disa gjëra, është më se e rëndësishme që prindërit të sigurohen për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Gjërat për të cilat duhet të jeni të vëmendshëm, janë ndryshimet në sjelljet apo personalitetet e fëmijëve.

Por t’i bësh fëmijët të shprehen dhe të flasin për ndjenjat e tyre, nuk është gjithmonë e lehtë, prandaj ekspertët ju këshillojnë të jeni të qëllimshëm në mënyrën si ua parashtroni pyetjet. Gjithashtu duhet të jeni të vëmendshëm ndaj shenjave joverbale, shikoni a janë të buzëqeshur kur flasin me ju, apo janë kryesisht në disponim të keq. Ata mund të thonë se gjithçka është në rregull, por sipas ekspertëve ju duhet të insistoni të flasin hapur me ju, si dhe të mos i gjykoni në ato që thonë.

Sipas mjekëve, është gjithashtu e rëndësishme që në rast se vëreni që fëmija juaj vuan nga depresioni apo ankthi, të kërkoni ndihmë profesionale për trajtimin e tyre tek këshilltarët shkollor ose profesionistët e shëndetit mendor.

Ndërsa në shtëpi, sugjeroheni që t’i inkurajoni fëmijët të flasin për gjëra pozitive nga jeta e tyre e përditshme, apo gjërat që mezi presin t’i bëjnë në një të ardhme të afërt. / KultPlus.com

Luan Hajra sjell këngën “Takimi i parë” (VIDEO)

“Takimi i parë” është kënga më e re e një ndër emrave kryesorë të muzikës popullore shqipe, Luan Hajra, shkruan KultPlus.

Hajra përmes zërit të tij unik vazhdon të tingëllojë në veshët e shumë dëgjuesve.

Kënga vjen e shoqëruar me një video ku Luani performon plot dashuri.

Me një karrierë të gjatë, Hajra edhe sot tingëllon për mrekulli. Për të gjithë ata që e duan muzikën e tij, këngëtari po vazhdon të jetë aktiv duke përmbushur dëshirat e shumë prej adhuruesve të tij. / KultPlus.com

Burri fton të pastrehët të jetojnë në oborrin e shtëpisë së tij

Në një nga oborret e një shtëpie në Utah janë ngritur kampe ku po jetojnë njerëz të pastrehë.

Këta njerëz i ka ftuar të jetojnë aty pronari i shtëpisë Darin Mann. Ai ka lënë njerëzit të ngrenë kampe në oborrin e vogël të shtëpisë së tij, të përdorin tualetin brenda shtëpisë.

“Qëllimi është që të destigmatizoj mënyrën se si njerëzit i shohin të pastrehët”, ka thënë Mann. “Çdo person meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ndihmohet kur ka nevojë”.

Rreth 15 njerëz banojnë aty. Mann i ka thënë CNN-it se banorët kanë ardhur aty pasi kampet tjera janë mbyllur.

“Ata më ndihmojnë të pastroj kopshtin. Ata e mbajnë të pastër kampin dhe po ndihmojnë të jenë shembull pozitiv i punës me njerëzit e pastrehë”, tha ai. / KultPlus.com

Bashkë me vaksinën, kosovarët do ta marrin edhe “pasaportën COVID-19”

Gjatë muajit shkurt, Kosova pritet të marrë 100 mijë vaksina nga skema e njohur si “COVAX”, e cila para disa ditësh dha vet njoftimin.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët kanë thënë se dozat e para pritet te shpërndahen në Kosovë në javët e fundit të muajit shkurt, pa treguar ndonjë datë të saktë.

Kontingjenti i parë do të përfshijë 100.800 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, ndërsa efikasiteti i saj kalon 90 përqindëshin dhe merret në dy doza.

Para disa jave, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë hartuar një plan të veprimit për vaksinimin kundër koronavirusit, që do të nisë së zbatuari kur të arrijnë vaksinat, e që përfshin kategorinë më të rrezikuar nga COVID-19, që janë persona mbi moshën 65 vjeç dhe punëtorët shëndetësorë.

Kosovarët me vaksinë marrin edhe “pasaportën COVID-19”

Shumë shtete në Evropë dhe botë janë duke parë “pasaportën COVID-19” si një mundësi për të kthyer normalitetin, e cila do ju jepet të gjithë atyre që marrin dy dozat e vaksinës, ndërsa së fundmi Shqipëria ka bërë të ditur se ka nisur lëshimin e këtyre dokumenteve për të gjithë ata që janë vaksinuar.

Edhe Kosova pritet që të bëjë të njejtën, ku bashkë me vaksinimin do të shpërndajnë edhe “pasaportën COVID-19”.

Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë për “Zërin” se edhe kosovarët do të pajisen me dëshmi të tilla pasi të marrin dy dozat e vaksinës.

“Sipas Planit të imunizimit kundër COVID-19, secili person që vaksinohet do të pajiset me kartonin apo qysh do që të quhet për të dëshmuar se i ka marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19”, kanë thënë për “Zërin” nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ditë më parë ka deklaruar se Kosova pritet t’i kthehet normalitetit gjatë kësaj vere, ndërsa vendi ynë është ndër të paktët në Evropë që nuk ka nisur akoma vaksinimin kundër COVID-19.

“Vaksina po vjen, prioritet i vaksinimit do të jetë personeli shëndetësor dhe shpresojmë së në qershor dhe korrik t’i kthehemi normalitetit në vend”, deklaroi Zemaj në fillim të muajit shkurt.

Kujtojmë se Kosova që nga marsi i vitit të kaluar ka regjistruar 62.548 raste pozitive me COVID-19 dhe 1526 raste të vdekjes. / KultPlus.com

Netflix e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, nis peticioni për ta ndryshuar

Fushata për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple e cila u përkrah nga shumë njerëz, ndër ta edhe nga yjet tona nëpër botë – nga Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjerë, pas 197,175 nënshkrimeve në platformën online “Change”, arriti qëllimin, shkruan KultPlus.

Tashmë një tjetër nismë ka filluar nga Sovran Hoti, student në Universitetin “Ukshin Hoti“ në Prizren.

Kësaj rashe kërkohet që Republika e Kosovës të njihet si shtet në Netflix.

Kjo nismë vjen pasi që Sovrani është përdorues i rregullt i Netflix dhe e ka vënë re se lokacioni i figuron Serbi. Kjo e ka ngacmuar Sovranin dhe ka filluar të hulumtojë më tepër rreth kësaj pune.

“Unë kam një kohë që e përdori Netflix dhe kur logohem në platformë lokacioni im figuron në Serbi. I pyeta edhe shokët dhe e njëjta gjë ishte edhe me ta. Kontaktova agjenten në Netflix dhe u mundova t’i shpjegoj se Kosova është shtet i pavarur dhe u kërkova ta hiqnin Serbinë si lokacion, por me sa duket ata nuk e kuptuan dhe as kishin dëgjuar për Kosovën, megjithatë thanë se do ta marrin parasysh”, tregon Sovrani rreth nismës së tij për të cilën pretendon të marrë jehonë e të tërheqë vëmendjen e Netflix për të arritur qëllimin.

Sovrani kërkon ndihmë që peticioni online i nisur nga ai me hashtag #NetflixaddKosovo të shpërndahet e të nënshkruhet sa më shumë që Netflix ta vërejë këtë nismë dhe të marrë vendimin që të njohë Kosovën si shtet.

Ky është linku ku mund të nënshkruani peticionin: https://www.change.org/p/netflix-add-kosovo-as-a-country-in-netflix?utm_content=cl_sharecopy_27279113_en-US%3A7&recruiter=921387685&utm_source=share_petition&utm_medium=copylink&utm_campaign=share_petition  / KultPlus.com

12 vjeçarja Helena Zengel nominohet për Golden Globe

Aktorja gjermane, 12-vjeçarja Helena Zengel është nominuar për Golden Globe për kthesën e saj përballë Tom Hanks në Western, News of the World.

Me këtë njohje për debutimin e saj në filmin amerikan, ajo bëhet një nga aktorët më të rinj të nominuar ndonjëherë nga Shoqata e Shtypit të Huaj Hollywood.

Ky sukses i vjen aktores pas Çmimit Gjerman të Filmit ku në moshën 11 vjeçare ajo u zgjedhë aktorja më e mirë. / KultPlus.com

Universal Pictures

Sot, për Ditën e Kinemasë në Cineplexx, çmimet e biletave duke filluar nga 2,80€

Në Cineplexx dita e martë shënon Ditën e Kinemasë, e cila është ditë e rezervuar për çmime më të ulëta të biletave, ku çmimet e tyre fillojnë nga 2,80€.

Dita e martë është dita që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave, duke filluar nga 2,80€ për filmat 2D, dhe 3,60€ për filmat 3D. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, sot mund t’i shikoni 8 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 15:00 deri në ora 19:00 në kinemë në Prishtinë, ndërsa deri në ora 21:30 në kinemanë në Prizren. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni sot me çmime të zbritura në Cineplexx janë:

1) The Little Things
Filmi flet për dy police që gjurmojnë një vrasës serial. Në film luajnë tre aktorë shumë të njohur, dhe fitues të çmimit Oskar, Denzel Washington, Jared Leto, si dhe Rami Malek.

2) The Marksman
Ylli i njohur Hollywood-ian Liam Nesson rikthehet në ekranet e mëdha me filmin The Marksman, që këtë të enjte arrin në Cineplexx si premierë e javës. Filmi nën regjinë e Robert Lorenz, dhe me aktorë të njohur si Liam Nesson dhe Kathryn Winnick, Theresa Luiz, flet për një një fermer në kufirin e Arizonës i cili bëhet mbrojtësi i një djali të ri meksikan i cili arratiset me dëshpërim nga vrasësit e kartelit që e kanë ndjekur atë në SH.B.A.

3) Come Away
Prindërit luftojnë për ta shpëtuar djalin e tyre kur një krijesë misterioze përdor pajisjet e tij elektronike për të hyrë në botën tonë.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen filmi Wonder Woman 1984, romanca After We Collided, komeditë The Stand In, 10 Days Without Mom, ndërsa nga filmat familjarë po shfaqet Fantastic Return to Oz.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 15:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu (e lidhni me këtë link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)

Vdiq bashkëthemeluesja e grupit “Supremes”, Mary Wilson

Mary Wilson, anëtarja themeluese e grupit “Supremes”, ka vdekur në shtëpinë e saj në Henderson të Nevadas. Ajo ishte 76-vjeçare.

Publicist i Wilsonit, Jay Schwartz, për revistën “Rolling Stone” e ka konfirmuar lajmin e vdekjes së këngëtares, nuk nuk e ka zbuluar shkaktarin e vdekjes.

Bendi i njohur i viteve ’60, “Supremes”, pjesë e së cilit ishin edhe këngëtaret Diana Ross dhe Florence Ballard, gjatë karrierës së tyre muzikore kanë realizuar këngë hite, si “Where Did Our Love Go”, “Baby Love”, “Come See About Me” dhe “Stop! In the Name of Love”.

Barry Gordy, themeluesi i studios incizuese që e menaxhoi karrierën grupit, “Motown Records”, i shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e artistes së talentuar.

“Jam i shikuar dhe i trishtuar me lajmin e vdekjes së anëtares së rëndësishme të familjes ‘Motown’, Mary Wilson, nga grupi ‘Supremes’. Ky bend gjithmonë ishte i dashur për kompaninë tonë. Mary bashkë me Diana Rossin dhe Florence Ballardin, u bë pjesë e studios sonë incizuese në fillim të viteve ’60. Pas lansimit të një sërë hitesh muzikore, paraqitjeve televizive dhe performancave ikonike nëpër klube të natës, ato i hapët dyert drejt suksesit jo vetëm për veten, por edhe për shumë artistë të tjerë të kompanisë sonë. Unë isha gjithmonë shumë krenar me Maryn. Ajo ishte një yll i merituar dhe përgjatë vjetëve vazhdoi të punojë shumë për ta ruajtur trashëgiminë e grupit ‘Supremes”. Mary Wilson ishte shumë e veçantë për mua. Ajo ishte divë e vërtetë dhe do të na mungojë vërtetë shumë”.

Wilson ishte pjesë e 12 hiteve të grupit “Supremes” të pozicionuara në maje të topliostave muzikore, nga viti 1964 deri më 1969. Ajo kishte qëndruar në vëmendjen e publikut deri në vitin 2019, duke u paraqitur në shoun televiziv “Dancing With the Stars”, si dhe duke e publikuar librin e saj të katërt “Supreme Glamour”.

Sipas “Variety”, Wilson e kishte publikuar një video në kanalin e saj në YouTube, vetëm dy ditë para vdekjes, me ç’rast i paralajmëroi fansa se ishte duke punuar me kompaninë “Universal Music”, për lansimin e disa materialeve muzikore, përfshirë këtu albumin e saj të palanjsuar më herët, “Red Hot”, të cilin e kishte incizuar në vitin 970 me producentin, Gus Dudgeon.

Varrimi i këngëtares së ndjerë do të jetë privat, për shkak të protokoleve dhe masave anti-COVID, por kah fundi i këtij viti do të organizohet një ceremoni përkujtimore e hapur për publikun e gjerë. / Koha.net / KultPlus.com

“Dashuro një burrë që të puth papritur”

Poezi nga Ilire Zajmi

Leksion

Dashuro një burrë që me mëngjes e kupton si ndihesh
në drekë me buzëgaz të pret e në mbrëmje s ‘harron kush je
dashuro një burrë që frymon për ty
je vegim i tij i parë e i fundit
dashuro një burrë që të puth papritur
një burrë të hareshëm që nuk e njeh trishtimin
dashuro një burrë që respekton lirinë tënde
vlerëson zgjedhjet e tua
dashuro një burrë që të pranon
ashtu siç je, e brishtë e guximshme unike
dashuro një burrë që e ka kuptuar
që gjithçka që e rrethon je ti
e nëse nuk e gjen atëherë dashuro jetën
se vlen të dashurosh çfarëdo burri. / KultPlus.com

KOMF: Mbani fëmijët larg aktiviteteve zgjedhore

KOMF apelon tek subjektet politike të cilat janë pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore.

Përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të fëmijës. Për më tepër, përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore gjatë kësaj periudhe, përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për shëndetin e tyre për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia.

KOMF bën me dije se përfshirja e fëmijëve në fushatë zgjedhore është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

KOMF i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të ndërmarrë masat bazuar në legjislacionin në fuqi, në rastet kur konstatohet përfshirja dhe shfrytëzimi i fëmijëve.

KOMF i bën thirrje prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i marrin fëmijët në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike dhe të vetëdijësojnë fëmijët për të mos e ndërprerë procesin mësimor për qëllime të pjesëmarrjes në aktivitetet e partive politike gjatë fushatës elektorale.

KOMF i bën thirrje mediave të cilat mbulojnë fushatën zgjedhore, që të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale, gjithmonë duke mbrojtur identitetin dhe integritetin e fëmijës. / KultPlus.com

“Synime”, ekspozita që shpalos kontributin e grave në fushën e artit pamor

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të arteve është hapur ekspozita më e re e titulluar “Synime”.

Kjo ekspozitë që vjen pas një kohe të gjatë shkëputje, ka për qëllim që të nxjerri në pah kontributin e grave shqiptare që kanë dhënë pikërisht në artin figurativ.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i artisteve që vijnë nga të gjitha trevat shqiptare të cilat gjithashtu përfaqësojnë breza të ndryshëm të artisteve gra. Përveç veprave bashkëkohore në këtë ekspozitë vijnë edhe vepra të cilat kanë qenë të mbuluara nga pluhuri i harresës.

Adela Demetja e cila është edhe kuratore e kësaj ekspozite shprehet se “në këtë ekspozitë për herë të parë vijnë rreth 40 vepra të artisteve gra në fushën e artit, në Shqipëri, Kosovë por edhe diasporë dhe një mbledhje e tillë e materialeve nuk është bërë kurrë deri më sot. Në këtë ekspozitë janë vepra nga të gjitha gjeneratat e artisteve gra, duke nisur që nga artistet e para të njohura në artin figurativ si Androniqi dhe Sofia Zenko në Shqipëri dhe Alie Vokshi në Kosovë dhe deri tek artiste të ditëve të sotme”.

Tematikat e sjella në këtë ekspozitë janë të ndryshme duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore dhe deri më sot, por ajo çka të bie në sy së tepërmi është faktori dominues në mentalitetin shqiptar, patriarkalizmi.

Vepra të tjera në këtë ekspozitë janë të emrave të njohur si Lumturie Blloshmi, Violeta Xhaferri, Lirie Buliqi, Merita Selimi, Diana Miziri, por kemi edhe artiste të reja të cilat përfaqësohen me krijimet e tyre si Bora Baboci, Flaka Haliti etj. Që në ditët e para të hapjes, kjo ekspozitë ka pasur mjaftë interes nga publiku dhe menjëherë sapo të përfundojë edhe koha e ekspozimit në Tiranë ajo do të shkoj për tu ekspozuar në Kosovë. / atsh / KultPlus.com

Vullkani i akullt, një spektakël natyror

Almaty është një rajon i Kazakistanit i cili në këtë stinë është i mbuluar nga bora dhe temperaturat e ulëta. Por kjo nuk i ka ndaluar mijëra njerëz të vizitojnë ‘vullkanin e akullit’.

I lartë 13 metra ky, ky “vullkan” formohet mbi një burim nëntokësor, i cili nxjerr ujë por që ngrin menjëherë dhe ngre më tej kraterin.

Një vullkan më i vogël akulli ishte formuar në zonë dhe vitin e kaluar, por vendasit thonë se ky i këtij viti është i pari që spërkat vazhdimisht grimca uji nga hapja e sipërme që duket si tymi i dalë nga një vullkan i mbushur me llavë. / KultPlus.com

Nicky Jam dhe Romeo Santos sjellin këngën e re “Fan de Tus Fotos”

Yjet e muzikës latine, Nicky Jam dhe Romeo Santos, i kanë bashkuar forcat për realizimin e videoprojektit të ri muzikor, “Fan de Tus Fotos”.

Kënga i takon zhanrit ‘reggaeton’ dhe me tu publikuar në platformën muzikore YouTube, është pritur mirë nga fansat e dy këngëtarëve.

Kjo nuk është hera e parë që kjo dyshe po bashkëpunon. Në vitin 2017 së bashku me artistin Daddy Yankee, e lansuan këngën me titull “Bella Y Sensual” e cila u pozicionua në vendin e gjashtë të toplistës “Billboard” të këngëve më të mira Latine.

Në lajme tjera, në fillim të këtij viti, Nicky Jam e shënoi debutimin si prezantues i emisionit, me lansimin e shout të tij i cili përmban intervista të ndryshme dhe titullohet, “The Rockstar Shoë”. Ky emision transmetohet live në platformën YouTube.

Në episodin e parë Jam të ftuar e kishte mikun dhe kolegun e tij, superyllin kolumbian Maluma, ndërsa deri më sot ka realizuar intervista me artist të shquar latin, si El Alfa dhe Karol G.

Gjatë intervistës së fundit me këngëtaren e njohur dhe shumë të suksesshme, Karol G, Nicky e bëri publik lajmin e lansimit të albumit të ri muzikor, gjatë këtij viti.

“Jam shumë i lumtur. Mendoj se ky do të jetë albumi im më i mirë i realizuar deri më tani”, citohet të ketë thënë këngëtari i lindur në Massachusetts të Amerikës.

Nicky Jam e gëzon një karrierë të suksesshme në skenën e muzikës latine, me realizimin e hiteve të shumta. Deri më sot ai i ka lansuar 5 këngë të cila i numërojnë më shumë se 1 miliard klikime në YouTube, dhe shquhet për bashkëpunime të suksesshme me yje të ndryshëm të muzikës, përfshirë këtu këngëtaren kosovare, Era Istrefi. Kjo dyshe në bashkëpunim me aktorin Will Smith, e patën realizuar himnin e Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018, “Live It Up”.

Jam së fundmi është shndërruar edhe në aktor, duke luajtur role të vogla në projekte të mëdha hollywoodiane, si “XXX: Return of Xander Cage”, “Bad Boys for Life” dhe “Tom and Jerry”. / KultPlus.com

Ariana Grande fiton titullin e 20-të të Rekordeve Botërore Guinness

Ariana Grande po vazhdon të thyejë rekorde të njëpasnjëshme në karrierën e saj.

Veprimi i fundit i yllit botëror? Fitimi i titullit të saj të 20-të të Rekordeve Botërore Guinness.

Rekordet Botërore të Guinness javën e kaluar njoftuan se vlerësimi më i ri për Grande është ‘debutimi i shumicës prej këngëve të saj në Nr.1 në Billboard Hot 100”, me pesë të renditura në krye të top listave.

Ariana Grande (Foto: CBS News)

“Ajo që bëri të fitojë edhe një rekord të ri është si e vetmja artiste që e ka arritur këtë në histori”, thuhet në njoftim. “Triumfet e saj vijnë pas hapave mbresëlënës që ka bërë në industrinë e muzikës, të filluar qysh në adoleshencë”.

Disa nga titujt e tjerë të rëndësishëm të Rekordeve Botërore të Guinness së Grande përfshijnë:

Më e transmetuara në Spotify brenda një jave (artiste femër)

Artistja femër më e ndjekur në Spotify

Artistja që ka zënë pozitat e para në tabelë edhe në ShBA

Artistja me më së shumti (40) hyrje në tabela në ShBA

Artistja me këngët më të transmetuara në Spotify brenda një jave

Artistja femër me më së shumti abonues në YouTube

Artistja me albumin më të transmetuar brenda një jave në ShBA.

Artistja me më së shumti nominime në MTV EMA për ‘Bashkëpunimin më të mirë’

Artistja me këngët më të transmetuara në një javë në listat e Billboard

Artistja femër me më së shumti dëgjues në Spotify

Ariana Grande (Foto: Getty Images)

Albumi i gjashtë dhe më i fundit i Arianas, “Positions”, u publikua më 30 tetor 2020. Ky i fundit u rendit në vendin e parë në Billboard dhe qëndroi deri më 7 nëntor 2020.

Debutimet e tjera në vendin e parë të ikonës së muzikës pop përfshijnë: “thank u, next”, “7 rings”, “Stuck with U” dhe “Rain on Me”. /Telegrafi/ KultPlus.com

“Ma kanë hedhur fëmijën nga djepi”, rrëfimi emocionues për luftën (VIDEO)

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga lufta në Kosovë, rrëfimet e asaj kohe janë shumë të freskëta dhe mjaft emocionuese.

I tillë është edhe rrëfimi i një nëne e cila kishte ikur nga vatra e luftës diku në Kosovë me fëmijët e saj, ndërsa për media rrëfen tmerrin që ka kaluar gjatë rrugës.

Ajo dëgjohet duke rrëfyer se si ushtria serbe i kanë larguar me dhunë nga shtëpitë ndërsa fëmijët i kanë torturuar.

Për më shumë shikoni rrëfimin e kësaj nënë i cili është mjaft emocionues. / KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/rrefim-me-emocionues-per-luften-se-ky-nuk-keni-degjuar-asnjehere-mp4

https://video.gjirafa.com/rrefim-me-emocionues-per-luften-se-ky-nuk-keni-degjuar-asnjehere-mp4

Ekspertja e OKB’së: Kushte çnjerëzore në kampet e Sirisë

Në kampe të paraburgimit në verilindje të Sirisë ndodhen gra dhe fëmijë nga 57 shtete, tha të hënën, Fionnuala Ni Aolain, një eksperte e Kombeve të Bashkuara.

Ajo tha se ata po jetojnë në “kushte çnjerëzore” në kampet Al-Hol dhe Roj, që drejtohen nga forcat kurde dhe iu bëri thirrje shteteve të bëjnë riatdhesimin e menjëhershëm të tyre. Sipas saj në kampe janë mbi 64.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

“Shumë prej tyre po përjetojnë një sërë shqetësimesh në lidhje me të drejtat e njeriut. Shtetet duhet të veprojnë në mënyrën e duhur”, u tha ajo gazetarëve në Gjenevë, përmes video-lidhjes.

“Në shprehim shqetësimin se kushtet në këto kampe mund të arrijnë pragun e torturave, trajtimit çnjerëzor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha Ni Aolain.

Fionnuala Ni Aolain është Raportuese e Posaçme për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër terrorizmit në zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Ajo tha se thirrja e saj mbështetet edhe nga dhjetëra ekspertë tjerë të pavarur.

Zyrtarja e OKB-së tha se për këtë çështje u ka shkruar vendeve, përfshirë Australinë, Bangladeshin, Belgjikën, Britaninë, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Pakistanin, Rusinë, Zvicrën, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Duke u thirrur në shifrat nga qershori i vitit 2020, ajo tha se kampi Al Hol mban rreth 64,000 njerëz, nga të cilët më shumë se 80 për qind ishin gra dhe fëmijë. Rreth 48 për qind e personave në këtë kamp janë irakianë, 37 për qind janë sirianë dhe 15 për qind janë shtetas të vendeve të treta.

Të huajt janë familje të xhihadistëve të grupit militant të ashtuquajtur Shteti Islamik (IS), i cili vuri nën kontroll pjesë të Irakut dhe Sirisë më 2014, por u mposht në vitin 2019. Banorët irakianë dhe sirianë të kampit u larguan nga luftimet e mëvonshme midis IS dhe forcave kurde.

Ajo tha se shtetet nuk duhet të përdorin pandeminë si arsyetim për të mos riatdhesuar shtetasit, duke shtuar se disa vende tashmë e kishin bërë këtë me sukses./ AFP / KultPlus.com

‘Ansambli i vajzave të tunxhit’ do të performojë nesër në Kino Armata

Edicioni i pestë i “Kosova Brass Festival”, përmbyllë festivalin e sivjetëm me  një koncert me datë 9 shkurt. Në këtë mbrëmje do të prezantohet Ansambli i vajzave të tunxhit, shkruan KultPlus.

Mbrëmja e  radhës e “Kosova Brass Festival” do të mbahet me fillim nga ora 16:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të interpretoj Ansambli i vajzave të tunxhit.

Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – Trombonist dhe Avni Krasniqi – Trumpetist, ndërsa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.

Në Ansamblin e vajzave të tunxhit bëjnë pjesë 13 instrumentiste dhe një dirigjente.

Lirjona Sylejmani – Dirigjente

Leonora Gërbeshi – Trumpetë

Leona – Bytyqi – Trumpetë

Krenare Zariqi – Trumpetë

Jona Dizdari – Trumpetë

Anda Krelani – Trumpetë

Fitore Kutllovci – Trumpetë

Eriona Krasniqi – Trumpetë

Ardita Ibrahimi – Korno

Adea Mala – Korno

Edita Berisha – Trombon

Flakë Sejdiu – Trombon

Berta Gashi – Trombon

Besa Ahmeti – Tubë/ KultPlus.com

Pianistja franceze do të publikojë albumin e saj të gjashtë në moshën 106-vjeçare

Pianistja Colette Maze është 106-vjeçare dhe së shpejti do të publikojë një album të ri.

Siç e pranoi vetë kjo artiste nga Parisi në një intervistë, ajo filloi të luante piano në moshën katër vjeç, në mënyrë që të gjente strehë në botën e krijimtarisë nga prindërit e rreptë.

Ajo më së shumti kënaqet duke luajtur kompozime nga Schumann, Chopin dhe Debussy dhe ajo i tha Reuters se “muzika është ushqimi i saj, për shpirtin, por edhe për zemrën”.

“Nëse ndaloj së luajturi, do të duhet të gjej një mënyrë tjetër për të kënaqur imagjinatën time. Ndoshta dikush ka nevojë për ëmbëlsira, por unë kam nevojë për një piano – gishtat e mi duhet të ndiejnë çelësat,” tha ajo.

Nga rruga, albumi i saj i gjashtë është regjistruar tashmë, por për shkak të pandemisë, ai nuk është publikuar ende./ KultPlus.com

Skandaloze, libri i shkollës së mesme: Shqiptarët kanë qenë maqedonas, kanë prejardhjen nga çerkezët, romët dhe turqit

Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë” e cila përdoret nga nxënësit e vitit të dytë të gjimnazit të reformuar ka përmbajtje skandaloze për shqiptarët dhe prejardhjen e tyre.

Brenda këtij libri shkollor i cili përçon dezinformata të thella për nxënësit e shkollave të mesme, kontestohet prejardhja e shqiptarëve, teksa aty portretizohen si popull që kanë rrjedhur nga vendet e tjera.

“Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit”, thuhet në faqen 99 të këtij libri.

Në anën tjetër, aty thuhet që shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780, teksa ardhja e tyre konsiderohet se është bërë nëpërmjet formave ç’njerëzore.

Në faqen 104 : “Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke”, thuhet në faqen 104 të librit “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë”.

Tutje, shqiptarët thuhet se janë okupatorë të Maqedonisë Perëndimore.

“Shqipëria okupatore e Maqedonisë Perëndimore”, thuhet në faqen 103.

Përmbajtjet e tilla dhe servimi i tyre te nxënësit përbën shtrembërim të dijes historike. / KultPlus.com

Diellza Gojani sjell ilustrimin e magjishëm të Mbretëreshës Teutë (FOTO)

Ilustratorja Diellza Gojani e njohur tashmë me emrin artistik “Diego”, po vazhdon të sjell punime nga më të ndryshmet, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe ajo është kujdesur që të sjell ilustrimin mjaft të bukur të mbretëreshës Teuta të Ilirëve.

https://twitter.com/diegothegirl/status/1358887001798369281

Artistja Diellza Gojani synon që përmes këtyre ilustrimeve t’i shtyjë njerëzit që të mësojnë për historinë e popullit shqiptar, të fokusuar te gratë./ KultPlus.com

Ora falenderon Sahitin për veshjet kombëtare: Në kohë për Pavarësinë e Kosovës (FOTO)

Këngëtarja e famshme shqiptare, Rita Ora ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të njoftuar opinionin publik për ‘dhuratën’ e saj ndaj Kosovës, shkruan KultPlus.

Kënga e saj në ardhje “Bang” është dedikim për Pavarësinë e Kosovës, teksa shfaqja e saj me veshje kombëtare të dizejnuara nga Valdrin Sahiti e bëjnë edhe më të veçantë pritjen.

“@valdrinsahitiofficial e ke dogjur, faleminderit shumë!! Në kohë për Pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Ora në storjen e saj në instagram, teksa ka shpërndarë postimin e Valdrin Sahitit.

“Bang” është në kuadër të 4 këngëve që Ora do t’i sjell për artdashësit e saj. / KultPlus.com

‘Kosova Brass Festival’ solli magjinë në skenën e Kino Armatës

Suada Qorraj

Në objektin e Kino Armatës në Prishtinë, pjesëmarrës të shumtë kishin filluar që ti zinin vendet në ulëset e tyre. Skena kishe fituar një hijeshi tjetër me praninë e gjashtë miqve, pjesëtarë të ansamblit të tunxhit ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ që dalë nga dalë me instrumentet e tyre i dhanë zë mureve të sallës, shkruan KultPlus.

Në një prezantim të shkurtër të bërë nga kornisti Ilir Kodhima u tha se disa nga veprat që u luajtën sonte do ti kushtoheshin mikut dhe profesorit të tyre tashmë të ndjerë, Andrea Canaj.

Nata e sotme e ‘Kosova Brass Festival’ filloi me këngën tradicionale amerikane ‘Just a closer walk’, për të vazhduar më pas edhe me ‘Yo Soy Maria’, ‘La vita e Bella’, ‘When I am Sixty four’, ‘Homage to Thonas Campion’ dhe Uptown Funk’, por nuk mungoi as muzika shqipe.

Në një interpretim të jashtëzakonshëm nga ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ solli përballë publikut prishtinas ‘Tre këngë shqiptare’ si dhe ‘Të lutem falmi sytë’, aranzhimi i së cilës ishte bërë nga kompozitori Avni Krasniqi.

Në një intervistë për KultPlus kornisti i ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’, Ilir Kokdhima tha se është çdo herë kënaqësi që të marrin pjesë në këtë festival, si dhe është nderë që të interpretojnë përballë publikut prishtinas.

“Ka qenë hera e dytë që marrim pjesë në ‘Prishtina Brass Festival’ sepse herën e parë kemi marrë pjesë në edicionin e parë të këtij festivali duke bërë hapjen, kështu që për ne është gjithmonë kënaqësi, është nderë që të jemi përpara publikut prishtinas”, ka thënë ai.

Tutje Kodhima shtoi se publiku pjesëmarrës në natën e sotme i kishte kaluar parashikimet e tyre madje ai ishte ndjerë mjaft mirë për faktin që publiku mbizotërohej nga një moshë e re, sepse sipas tij kjo do të thotë që ata e duan artin dhe duan ti ikin problemeve të përditshmërisë nëpërmjet tij.

Pas ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ radha  për të pushtuar skenën së bashku më gjashtë miqtë, i erdhi Ansamblit Mbarkombëtar të Tunxhit. Prishtina Brass Festivalit këtë vit i ishte bashkuar edhe dirigjenti Gridi Kraja.

Secili interpretim që në minutat e parë e deri tek ata të fundit u përcoll me duartrokitje të mëdha nga publiku pjesëmarrës.

Ky festival tash e pesë vite sa dhe ekziston organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi dhe Avni Krasniqi.

Në një prononcim për KultPlus Betim Krasniqi tha se planet për këtë edicionin ishin ndryshe, sepse përfshinin koncerte më të mëdha e të ftuar të shumtë.

“Planet i kishim që të organizojmë disa koncerte më të mëdha, me të ftuar nga jashtë por pandemia i ndërpreu ato. Me djemtë e Albanian Brass Quintet & Percussion’, dhe ata na ndihmuan shumë në organizimin e sivjetmë”, pohoi ai.

Edicioni i sivjetmë i ‘Kosova Brass Festival’, rrugëtimin e kishte filluar ndryshe nga vitet e tjera sepse festivali i parë ishte mbajtur në qytetin e Drenasit për të vazhduar me pas edhe në Prishtinë.

Krasniqi ka shtuar se viteve të ardhshme synojnë që ‘Kosova Brass Festival’ ta dërgojnë edhe në qytete tjera të Kosovës, por pse jo edhe më gjerë.

Koncerti që filloi në Drenas do të ketë natën e tij të fundit nesër, në kryeqytet ku do mbajnë koncert Ansambli i Vajzave të Tunxhit të cilat ishin të pranishme edhe natën e sotme të koncertit.

Në një intervistë për KultPlus Lirjona Sylejmani , dirigjentja e këtij ansambli tha se është hera e parë që bëjnë një bashkëpunim të tillë dhe pret që kjo do ti pëlqej publikut.

“Nesër e kemi koncertin e parë me Ansamblin e Vajzave të Tunxhit ku jemi pjesë e Kosova Brass Festivalit. Është një koncert premierë dhe është hera e parë që bashkëpunojmë që të gjitha vajzat bashkë. Mendoj që karakteristikë e jona është që jemi të gjitha vajza. Një ansambël i tillë aq sa kemi dëgjuar ne, nuk ka as në rajon kështu që po shpresoj që publiku ka me u nda i kënaqur edhe shpresoj që nuk kemi me u ndalë, kemi me vazhduar edhe në qytete tjerat të Kosovës”, deklaroi dirigjentja.

Koncerti përmbyllës do të mbahet nesër me fillim në orën 16:00 në ambientet e Kino Armatës në Prishtinë.

Ky festival realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com

Dashuria e përhershme e Rita Orës për Kosovën, kur kërcente mrekullueshëm Shotën (VIDEO)

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora ka pasur përherë një lidhje të veçantë me Kosovën, shkruan KultPlus.

Së fundmi, ajo ndau me artdashësit e saj sekuenca nga kënga e saj në ardhje, e cila vie si një dhuratë për Pavarësinë e Kosovës, teksa Ora na shfaqet me veshjet kombëtare të dizejnuara nga Valdrin Sahiti.

Mirëpo, Ora qyshmoti e kishte bërë me dije dashurinë për vendin prej ku kishte prejardhjen. Këtë ajo e dëshmoi që nga publikimi i këngës ‘Shine Ya Light’ me videoklip nëpër rrugët e Kosovës.

Ndërkaq një moment tejet i veçantë që ka ngelur në memorien e çdo shqiptari mbetet kërcimi fantastik i vallës së Shotës nga Rita në Pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësimi me dinjitet i kulturës dhe traditave shqiptare nga artistët tonë në mërgim ta bën të besojmë se ata janë ambasadorët më të mirë. / KultPlus.com