Studim: Sa lexohet në kohë pandemie?!

Autore: Donika Bakiu

23 prilli i  njohur ndryshe si Dita Botërore e Librit dhe e Drejta e Autorit, ose Dita Ndërkombëtare e Librit, është një ngjarje vjetore e organizuar nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) për të promovuar leximin, botimin dhe të drejtat e autorit. Dita Botërore e Librit u shënua për herë të parë në 23 Prill 1995 dhe vazhdon të njihet në atë ditë.Shkëmbeni ide dhe frymëzim për librat më të mirë dhe aktivitetet e bazuara në libra për të gjitha moshat, fazat dhe cilësimet.

Prej muajit mars të  vitit 2020, Virusi Korona u përhap kudo,  më 14 mars 2020 publikuam një studim me sugjerime të librave që do të ishte mirë të lexohen: ‘’ Leximi në kohën e Virusit Korona’’ u jam falemnderuese të gjithë atyre që ndanë kohë të sugjerojnë libra.                              

Vitin e kaluar në  këtë  ditë  të  rëndësishme, ne vendosëm të bëjmë diçka tjetër nëpërmjet distancës një studim se: ’’Çfarë kanë lexuar më shumë në këtë kohë pra si ndikoj ky vet-izolim për leximin dhe cilat tituj ishin të preferuar’’.                                                                             

Për këtë  vit kemi studimin: ’’Sa lexohet në kohë pandemie’’, pra a është  rrit numri i lexuesve gjatë  kohës së  pandemisë  dhe cilat libra kanë  qenë  më të  preferuar.                        

Mos të  harrojmë  kurrë  se çdo njeri  duhet të ketë qasje në libra, duhet ta shijojmë leximin për kënaqësi si një zakon gjatë gjithë jetës.                                                                                  

Valdeta Abdullahi profesoreshë e gjuhës shqipe në Shkollën e Mesme të Tekstilit në Tetovë thotë: “Gabriel Garcí­a Márquez do të thoshte ” Kur fiton vesin e të lexuarit, atëherë ndërton për veten një varkë shpëtimi nga pothuajse të gjitha mjerimet e jetës”. Mendoj se libri është shpëtimi i shpirtit të njeriut, por nuk jam me atë kategori që thonë se pandemia, karantina ka shërbyer për t’u kthyer njerëzit te libri. Ata që nuk kanë qenë lexues vazhdimisht them kanë vazhduar të kenë prapë mundësinë për të bërë gjërat që nuk kanë pasur kohë t’i bëjnë. Unë për vete iu ktheva librave me shumë faqe, që kurrë nuk kisha mundësi t’i lexoja, pastaj veprën e plotë të Eskilit, Sofokliut, kisha nevojë një kthim në letërsinë antike, pasi nuk kisha pas mundësi t’i lexoja në tërësi.”

‘’Leximi asnjëherë s’do të dal prej mode. Ne shpesh i qasemi leximit sikur një fenomeni. Pothuajse kurrë s’diskutojmë a hamë bukë dhe kohëve të fundit nëse kemi ngrënë më shumë, ose ujë , ose ndonjë nevoj tjetër e cila është e patjetërsueshme për organizmin tonë për trurin tonë. Edhe leximi ta ngop trurin, truri ka uri për të, siç ka barku për bukën, ujin e shumë gjë tjera e që të gjitha në fund janë kërkesa dhe kënaqësi të trurit. Ai që në një moment është ndier bosh dhe i ka humb kuptimi i jetës jam e sigurt se ka shkuar te librat të kërkoj përgjigjen, ose ngushëllim. Përndryshe, për të tjerë njerëz as librat s’kanë nevoj, më besoni. Më mirë rrinë në pluhur, sesa në duart e dikujt që mendon se leximi është në modë dhe mezi pret që kjo modë të kaloj. Ata janë njerëzit e uritur. Si të tillë kurrë s’do të njohim lumturinë e thellë dhe qetësinë, urtësinë që ta japin ato.’’, thotë Xhemazije Rizvani profesoreshë e gjuhë dhe letërsisë shqipe.

Profesoresha Besa Kadriu, UEJL thotë” Ashtu siç shënohen eventet të cilat kanë shënuar një rëndësi të veçantë në epokën e njerëzimit, edhe Dita Botërore e Librit është nga datat e veçanta që na përkujton për vlerat dhe rëndësinë që libri ka. Më kujtohet një thënie e Goustav Flauber që thotë: “Mos lexoni siç bëjnë fëmijët për tu zbavitur, apo siç bëjnë ambiciozët për të mësuar. Jo, lexoni për të jetuar.” Apo dhe shumë studijues e filozof të mëdhenj të cilët librit e konsiderojnë në studimet e tyre, konceptin bazë. E pra, pesha dhë rëndësia e këtij burimi të pashtershëm të dijes. Nuk ka dyshim që është faktori kyç i ngritjes sonë intelektuale. Sot, në kushtet e pandemisë, në mungesë të socializimit të njerëzve dhe kujdesit që duhet patur për të mbrojtur distancën, Librat me tematikë sociale konsiderohen librat më të lexueshëm. Pa përjashtuar mundësinë e tematikave të sferave të tjera në shkencave humane- medicinës, spektrit ekonomik etj.’’                                                                                        

Elmedina Abdullahi – Përgjegjëse e bibliotekës “Max van der Stoel” UEJL thotë: “  Nëse krahasojmë lexueshmërinë gjegjësisht huazimet që ka pasur në bibliotekë  në vitin 2019 dhe 2020 dallohet që ka një rënie nga 28.5 % e cila është si rezultat i mbylljes së bibliotekave gjatë kohës së pandemisë por ka një informatë shumë të rëndësishme  që numrat e shfrytëzimit të burimeve elekronike janë në rritje. Në nëntor dhe dhjetor kur ka qenë qasja më e kufizuar në libra elektronik në muaj ka pasur përafërsisht nga 200 kërkime në databazat. Kurse nga janari kur kemi qasje ne një numer shumë më të madh të librave ektronik ky numër rritet në 780 që në shkurt do të  jetë  mbi 1900. Ka shumë interesim për libra në formë elektronike, të cilat janë vetëm në gjuhën angleze.”                                                     

Migena Arllati-ligjëruese e gjuhësisë në Universitetin e Gjakovës dhe  profesoreshë e gjuhës shqipe në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, Gjakovë  thotë‘’Ka kohë që kontribuoj në arsimin e mesëm dhe në arsimin e lartë në Kosovë. Vërej se është për të ardhur keq që, nga njëra anë shkenca dhe teknologjia përparojnë çdo ditë e më shumë, kurse lexueshmëria e librit nga ana tjetër nuk është në ditët e tij më të mira. Jetojmë në kohën kur libri nuk lexohet sa dikur, kur dituria nuk çmohet si dje, dhe kjo është një brengë e madhe për të cilën institucionet arsimore vertikale duhet të punojnë natë e ditë për ta ndërruar këtë pasqyrë. Edhe pse jetojmë në kohërat moderne nuk është e tepërt sërish e sërish t’iu referohemi rilindasve tanë që thonin: “Arsimimi / leximi është ndriçimi i syrit të mendjes”. Personalisht dhe profesionalisht mendoj se niveli i të lexuarit është rrëfyes i qartë i emancipimit të një vendi dhe e kulturës së tij. Përsa i përket rrethanave të pavaforshme të mënyrës së jetesës në pandemi, jam e sigurt se adhuruesit e librit kurrë nuk kanë pasur më shumë kohë në dispozicion të leximit sesa gjatë këtij viti pandemik. Megjithatë leximi i librit nuk është në trend pasi mjetet digjitale (smartfona, Ipad, platformat e rrjeteve sociale) kanë shtrirë ndikimin dhe kanë pushtuar vëmendjen e pothuajse të gjitha shtresave të shoqërisë. Të gjendur përballë këtij realiteti, libraritë kudo në botë janë detyruar t’u kthehen shërbimeve online nëpërmjet veprimeve në internet.Po ashtu duket se E-book apo libri elektronik gjithnjë e më tepër po zëvendëson atë të letrës (të printuar).Ndër librat më të preferuar gjatë kohës së pandemisë kanë qenë ato me temë nga izolimet a pandemitë në epoka të ndryshme, si: “Dekameroni” i Xh. Bokaçios, “Murtaja” e A. Kamy, “Dashuri në kohërat e kolerës” e G. G. Markez etj. Po ashtu, shumë të pëlqyer janë librat nga psikologjia, si dhe biografitë – shënimet mbi jetën private e publike të personaliteteve.Tituj të veçantë si librat më të kërkuar do të veçoja: “Të bëhesh” nga M. Obama, “Alkimisti” nga P. Coelho, “Një martesë amerikane” nga T. Jones, “Kukulla” nga I. Kadare, “Profeti” nga K. Gidran, “Vajza që le pas” nga J. Mojes, “Biri” nga F. Açka etj.’’ 

Doc.dr Arta Selmani, profesoreshë e të drejtës familjare- Fakulteti juridik – UEJL: thotë: ‘’Konsideroj që është me rëndësi të theksoj se në fillimet e pandemisë, leximi u intesifikua në mesin e dashamirësve të librit, kjo vërehej nga propozimet e shumta që jepeshin për lexim në rrjetet sociale, në media si edhe në mjetet tjera të komunikimit. Mirëpo, sikurse tanimë ka filluar të bjer interesimi për leximin pikërisht për shkak të rikthimit të njerëzve në jetën normale dhe preokupimit të tyre me punët e përditëshme. Mirëpo, tek pjesa e popullatës që ka treguar interesim për lexim, vazhdon i njejti intenzitet. Përfundimet e mia se cilët janë librat më të lexuara brenda kësaj periudhe, i nxjerr nga rrethi i miqve të mi me të cilët vazhdimisht këmbejmë libra. Listën time do ta kisha filluar me të gjitha librat e të mrekullueshmes Elif Shafak: ‘’Dyzet rregullat e dashurisë’’, ‘’Bastardja e Stambollit’’, ‘’Nderi’’, ‘’Çiraku i arkitektit’’, ‘’Tri bijat e Evës’’, ‘’10 Minuta 38 Sekonda në këtë botë të çuditshme’’. Një nga autorët më të talentuar bashkëkohorë dhe më i lexuari është i ndjeri Carlos Luis Zafons. Hija e erës është vëllimi i parë i sagës Varreza e librave të harruara, pjeset tjera janë: Loja e engjellit; I burgosuri i qiellit; Labirinti i shpirtërave. Carlos Luiz Zafons ka arritur me veprat e tij të bëjë një gërshetimi të shkëlqyer të dashurisë, fantazisë, komploteve shtetërore, rrezikut dhe frikës por që në fund të sagës triumfon e vërteta. Sipas  Zafon: “Librat janë pasqyra ku ne shohim se kush jemi në të vërtetë.” Gjithsesi, nga po i njejti autorë një vend të veçantë në listën time ka edhe romani Marina.Historiani izraelit Yuval Noah Harari është autori i rradhës më i lexuari jo vetëm në mesin tonë por edhe në përmasa botërore.  Librat e tij që qarkullojnë nëpër duart tona janë: Sapiensi- një histori e shkurtër e njerëzimit; Homodeus- një histori e shkurtër e së nesërmes dhe 21 leksione për shekullin e 21. Gjithashtu më lejoni që në listën e romaneve më të lexuar ti vendos edhe novelat e Julia Navarros: Më thuaj kush jam; Qëllo tashmë jam i vdekur dhe Vëllazëria e pëlhurës së shenjtë. Jojo Mayes gjithashtu është një shkrimtare me famë botërore dhe shumë e lexuar në vitin 2020. Nga librat e Jojo Mayes më të lexuara numërohen: Kali valltar; Pas teje; Vallja e nuseve; Gjiri i argjendtë; Unë më parë se ti; Vajza që le pas. Këto libra gjithësesi janë edhe pjesë e Klubit të librit që kemi me miqët dhe kolegët e mi. Ndër librat inspirativ që na mësojnë se si ta duam jetën dhe si ti vlerësojmë të gjitha që kemi, janë veprat e Robin Sharmës: Murrgu që shiti Ferrarin e vet; Kush do të qajë kur të vdesësh?; Klubi 5 e mëngjesit. Me anë të veprave të tij ai ju mëson rrugën drejtë suksesit, çelësin e zotërimit të vetvetes, kujdesin e vazhdueshëm për mendjen, trupin dhe shpirtin tonë. Ndër të tjera ai nënvizon “Secili prej nesh ka potencialin për arritje të jashtëzakonëshme, lumturi dhe përplotësim të qëndrueshëm. Gjithçka duhet janë hapa të vegjël në drejtim të ëndrrave tona. Ashtu si Taxh Mahali, një jetë e mbushur me mrekulli ndërtohet çdo ditë, gur pas guri. Fitoret e vogla sjellin fitore të mëdha. Ndryshime dhe përmirësime të vogla dhe në rritje si ato që të sugjerova, do krijojnë zakone pozitive. Zakonet pozitive do të krijojnë rezultate. Dhe rezultatet do të frymëzojnë drejt një ndryshimi personal më të madh. Fillo të jetosh çdo ditë si të ishte e fundit. Duke filluar nga sot, mëso më shumë, qesh më shumë dhe bëj atë që vërtet dëshiron të bësh. Mos e moho fatin tënd. Çfarë ndodhet pas dhe para teje kanë pak vlerë krahasuar me cfarë që ndodhet brenda teje”- Murrgu që shiti Ferrarin e vet.Nuk ka libra të mirë dhe të këqinjë, të gjithë librat janë një mrrekulli, ata përmbajnë një shpirt me të cilin mvaret nga ju si lexues se si do ta krijoni lidhshmërinë, e kur krijohet kjo lidhshmëri storiet e tyre ju ndjekin në të gjitha momentet jetësore. “Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”- Ciceroni. Andaj nuk ka rëndësi çfarë lexoni, me rëndësi është që libri të ju ndjek në përditshmëri, kjo gjithësesi do të ju ndihmojë ta iluminoni shpirtin dhe mendjen tuaj.’’                                                                                                          ‘’Paraqitja e pandemisë ishte me të vërtetë një sfidë e madhe për njerëzimin. Ku si pasojë e kësaj, si masë mbrojtëse u paraqit izolimi/karantina, duke marrë parasysh se duhet të rijmë në shtëpi të izoluar, në mënyrë që të kalojmë kohën, njëra prej zgjidhjeve ishte leximi. Sipas mendimit tim, (duke u bazuar në atë cka kam vërejtur në media dhe në rrjetet sociale), interesimi për lexim u rit dukshëm, gati se të gjithë postonin librin e tyre të preferuar. Më së shumti që më kanë rënë në sy, kanë qenë librat e autorëve të njohur si Orhan Pamuk dhe Paolo Coelho dhe mos të harrojmë librin e famshëm “Dashuri në kohën e Kolerës” G.Markes.’’, thotë Ramadan Murtezani, student- aktivist.                                                     

‘’Fat në këtë fatkeqësi ishte fakti që lëvizjet tona ishin të kufizuara por koha jonë ishte e pakufizuar, prandaj si diçka përfituese e kishim kohën e lirë e të mjaftueshme, për ta shfrytëzuar edhe për lexim. Unë si shumë studentë të tjerë e kam shfrytëzuar këtë kohë duke shtuar leximin jashtë asaj profesionale apo universitare. Uroj që nga kjo pandemi të na mbetet të paktën ky ritëm i të lexuarit, që edhe pasi të lirohemi në lëvizje të gjejmë kohë për të lexuar sepse mirë kemi filluar dukshëm është rritur numri i lexuesve gjatë kohës së pandemisë. Gjatë izolimit më shumë se kurrë kemi nevojë të lexojmë libra socio-psikologjik, që të mbajmë në nivel disponimin dhe humorin sepse rreziku ishte i madh që njerëzit të kalojnë edhe në depresion. Pra ndër librat më të preferuara për mua ishin këta socio-psikologjik, ndërsa romanet me tematika satiristike e aventuristike. Kjo për të vetmen arsye për defokusim nga realiteti i trishtë nga kjo pandemi e brishtë.’’, thotë Abedin Ismaili, student në UEJL, Drejtimi Komunikim Ndërkombëtar. 

Gentina Abdiji , nxënëse në Gjimnazin ‘’Kiril Pejçinoviq‘’, Tetovë thotë:‘’Nga këndvështrimi im, libri gjithmonë do ngel shtresa më e veçantë e gjërave të shtrejta në jetë. Krahas miqve besnik që posedojmë, libri është uralidhëse e një shoqërie të shëndoshë. Një numër i madh i njerëzve me aq sa kam hasur, kanë zgjedhur për të përdorur metodën e të lexuarit, si një nga zgjidhjet më profitabile. Që rezulton në atë se numri i lexuesve është rritur më tepër se sa e kam menduar. Personalisht më pëlqen mënyra e të shkruarit, së Elif Shafakut dhe Paolo Koelho. Romanet që ngelen në preferencën time, të këtyre autorëve janë:  “Tri Bijat e Evës” – E.SH  ” Dyzet rregullat e dashurisë” – E.SH  ” Veronika vendos të vdes” – P.K  “Dorëshkrimi i gjetur në Akra” – P.K Dhe padyshim, librat të karakterit filozofik dhe psikologjik që do i’u sugjeroja gjithsecilit, për praktikim të mendimeve, ideve, njohurive dhe veprimeve në përditshmëri që kanë karakter filozofik dhe psikologjik, janë: ” Shkolla e rrugës ” – Tara West dhe ” Plani B” – Sheryl Sandberg & Adam Grant.’’                                                  

‘’Ajo që dua unë të ndaj me të tjerët, është jo libri që premtoj se do ndikojë në jetët e tyre, as ai që do shënojë gjurmë të vogla e të mëdha, e as ai që vë bast se: do të të ndryshojë jetën siç ma ndryshoi mua! – pooor, do jetë libër, do jenë libra që vijnë me sugjerim zemre, në dëshirë që edhe në të lartën por edhe kur të keni marrë tatëpjetën, të bëjnë shoqërinë, si miqtë më të mirë.Për adhuronjësit e librave policorë, që kyç kanë misterin dhe suspancën, sugjeroj gojë plot, autorin tim të preferuar = G.M  “Thirrja e Engjëllit” e “Vajza dhe nata” – pastaj mbretëreshën, personin me dhunti mbi të tjerët, A.CH / “Vrasje në Orient Ekspres” – A.J.F / “Gruaja në dritare” dhe L.J / “Vajza e humbur”.Për ata që preferojnë pak horror dhe thriller, nuk do anashkaloja kurrësesi, librin që e ka shuar plogështinë time = “Lartësitë e stuhishme”, “Vajza e humbur”, “Central Park” “Nuk duhet të fle” dhe “Binjakja e heshtur”.

Për njerëzit që lexojnë romancë të errët:”Xhejn Er”, “Lartësitë e stuhishme”, “Padurimi i zemrës”, Sagën (të preferuarën time) e Muzgut dhe nga mikja ime, Mirela Kanini, “Kilenti”.

Librat që bënë impaktin therës tek unë = “Sepse të dua”, “Njëmijë diej vezullues”, “Gjuetari i balonave”, “Ndihma”, “Zonja Bovari”, “Tri bijat e Evës”, “Dyzet rregullat e dashurisë”, “Binjakja e heshtur”, Saga e Muzgut, “Tabloja e mendjes” “Nga jeta në jetë, pse?!” dhe “Lartësitë e stuhishme”.Tek adhuronjësit e fantazisë = Sërish, “Saga e Muzgut”, “Ditari i vampirit”, “Friend Request” dhe “E kuqe Rubini”.E së fundmi, tek ajo më kryesorja (e një liste vërtet të gjatë e të dhimbshme, teksa përzgjedh se kë do paraqesësh) – sugjeroj t’i mbushni zemrat e juaja me fjalët e Kur’anit të lartëmadhëruar, siç jemi destinuar ta lexojmë, me shpresë që të gjeni rrugën e duhur e të doni veten’’, thotë Genta Abdiji nxënëse në Gjimnazin e Tetovës ‘’Kiril Pejçinoviq’’.                                                                                

‘’Sigurisht që mbyllja në shtëpi ndikoj që një numër i madh i qytetarëve t`i marrin dhe t`i shfletojnë librat nga sirtarët e tyre. Pandemia sipas të gjitha statistikave nga bibliotekat e qyteteve, librarit dhe hulumtimet tjera ka rritur numrin e lexueseve në vendin tonë por jo vetëm. Ndërkohë librat më të lexuar janë romanet aventureske më të preferuar, sepse vlerësohen se ata janë më të lehtë për tu lexuar dhe kuptuar. Kështu do të marrin kohë më pak por edhe do të ndikojnë që të largohet sado pak vëmendja nga situata e krijuar me virusin korona‘’, thotë gazetari  Zenel Miftari.                                                                                            

Zirafete Luta, punonjëse në Librarinë Albas- Tetovë thotë:”Puna me libra, përveç kënaqësisë që të fal, të jep mundësi të njihesh me persona të cilët e duan dhe e kanë pjesë të pandashme librin. Raportet shoqërore që kam krijuar me një pjesë të klientëve, kanë bërë që të njihem nga afër edhe me përvojat e tyre në lidhje me leximin. Duke qenë se punën si shitëse librash e kam ushtruar që para periudhës së Pandemisë, mund të them se kjo e fundit ka ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të lexuesëve në vendin tonë. Sidomos periudha e karantinës, bëri që një pjesë e madhe e njerëzve, ditët e izolimit t’i kalonin nën shoqërin e librave, ku shumica prej tyre, blerjen e librave e kanë vazhduar si një lloj tradite në jetën e tyre, edhe pas përfundimit të karantinës. E bukura e gjithë kësaj është që (mbase duke marrë si shembull prindërit e tyre ose anëtarët e tjerë më të mëdhenjë në familje) tashmë kemi edhe lexuesit e vegjël të cilët e duan dhe janë të flaktë për librin. Këto të fundit i kemi thuajse çdo ditë në hapësirat e librarisë, duke përzgjedhur librat e rradhës nga seritë e tyre të preferuara. Ndër librat më të shitur janë këto: 1. Klubi 5 – Robin Sharma 2. Dyzet rregullat e dashurisë- Elif Shafak 3. Rruga në të cilën rrallë shkohet – Scott Peck 4. Një histori e Zotit – Karen Armstrong 5. Sekreti – Rhonda Byrne 6. Intelegjenca emocionale – Daniel Goleman 7. Selfie -Will Storr 8. Muzeu i pafajësisë – Orhan Pamuk 9. Tatuisti i Aushvicit – Heather Morris 10. Fabrikimi i bindjes – E. Herman & N. Chomsky 11. Babai i pasur, babai i varfër – Robert Kiyosaki 12. Pylli Norvegjez – Haruki Murakami 13. Kush do të qaj kur të vdesësh? – Robin Sharma 14. Lepur, vrapo – John Updike 15. Becoming – Michelle Obama 16. Murgu që shiti ferrarin – Robin Sharma 17. Bijtë e gënjeshtrës – Scott Peck 18. Gjuetari i balonave – Khaled Hosseini 19. Sapiens – Y. N. Harari 20. Dashuria në kohërat e kolerës – Marquez. Kurse lista për lexuesit e vegjël është kjo: 1. Seria “Klasikët për të vegjël” 2. Seria “Klasikët për fëmijë” 3. Seria “Koni dhe Maksi” 4. Seria “Një familje e paparë 5. Seria “Një histori në 5-15 min” 6. Seria “Fabulat e Ezopit”. Dua të theksoj se përzgjedhja e “librave më të shitur” është paksa e vështirë; duke marrë parasysh larmishmërinë e kërkesave nga klientët, përfshirë zhanret dhe kategoritë e ndryshme, është e pamundur të përfshihen të gjithë librat që kërkohen vazhdimisht nga masa e gjerë e klientëve, në një listë kaq të shkurtër.’’                                              

 “Shprehja “Sa shumë libra dhe pak kohë “ sa herë që thuhet nga dashamirësit  e librit ngjallë në vetet e tyre një ndjesi keqardhjeje të pamundësisë për të lexuar dhe më shumë. Përkudër cdo lloj pasigurie, kaosi që na e solli pandemia, ajo na e dha gjënë më të çmuar, KOHËN. Më shumë kohë  për të bërë gjërat që ne i duam dhe na përmbushin shpirtërisht. E libri është pjesë e tyre. Ajo që mendoj unë është se kishim rritje të leximit nga personat të lexojnë vazhdimisht. Ato libra të cilat  ka  kohë që  kemi mendur t’i lexojmë, u erdhi rradha. Personalisht, vendosa të zgjedhi novela, libra që janë më relaksues, me histori të bukura dhe mesazhe në vete. Fillova t’i lexoj novelat nga autorja turke Elif Shafak, si “Bastardja e Stambollit”, “Tri bijat e Evës”, Çiraku i Arkitektit dhe së fundmi “Dyzet rregullat e Dashurisë”. Novela, me histori të veçanta të modernes  dhe tradicionales , dashurisë dhe urrejtjes dhe Stambollin me historinë dhe arkitekturën e tij frymëzuese për disa nga librat e saj. Nga ana tjetër librat të cilat janë në listën atyre më të  shiturave  më ngjallnin kureshtje shumë  dhe i lexoj çdoherë. Por të cilat jo cdoherë i përmbushin pritshmërisë,si “Ikigai”, “Arti i Brishtë i not giving a f*ck”, “Everything is f*cked”, dhe disa libra të tjerë si “Sundimtari”,Fenomeni i Artit” etj.“, thotë Semra Sadiki, studente në Fakultetin Juridik-IBU.                                                                                                                                     

Albërie Xhemaili– Studente në Master, Drejtimi Diplomaci, UEJL thotë: ‘’Në  periudhën e pandemisë  aktiviteti i lexuesit shqiptar është fokusuar drejtë informacionit digjital, dhe në një mënyrë ose në një tjetër që detyrimisht ndërroi kahjen e prioriteteve në lexim.Sot informacioni i vërtetë dhe i pavërtetë haset gjithkund sidomos në rrjete sociale.Ndonëse prodhohet me shpejtësi të lartë dhe përmbatje të shkurtëra, humbet  afinitetin e qytetarëve për të lexuar libra, dhe përmbajtje të gjata  të cilat trajtojnëçështje të ndryshme në mënyra  të ndryshme. Mendoj që niveli i lexuesve në periudhën e pandemisë ështërritur, sepse pandemia ka ndikuar në mbylljen e shumëaktiviteteve sociale. Ndonëse pandemia COVID 19 ka rezultuar me numra të mëdha vdekjesh, kjo ka sjellur frikë dhe interesim tek qytetarët pet të lexuar dhe për tu informuar edhe më tepër.Në anën tjetër kemi lexuesit aktiv të cilët kanë ditur ta shfrytëzojnë kohën e tyre gjatë pandemisë per leximin e veprave voluminoze, revistave shkencore, romaneve me tema të lira.Gjatë periudhës së pandemisë unë kam qenë pjesë e fushatës zgjedhore mbi Ambasadorët e Rinj Evropian dhe më është dashur që të fokusohem në librat që ndihmojnë fushatën dhe ndërtojnë aktivitetin tim politik.Këto libra janë: “Becoming” nga Michele Obama,”Madam Secretary”, Madeleine Albright, etj.’’                                                                                                                 

Nga Biblioteka “Koço Racin” , Tetovë thonë se titujt më të kërkuar kanë qenë këto: duke filluar me libra me përmbajtje psikologjike: ‘Arti i brishtë i not giving a fuck ‘’ Mark Manson,’’ 100 mënyra për të motivuar veten’’Steve Chandler,’’Kura e Shopenhauerit’’Irvin David Yalom, ’’Sekreti’’Rhonda Byrne. Nga Bestsellerët janë këto titujt: ’’7 zakonet e familjeve të suksesshme’’Stephen R. Covey,‘’Trembëdhjetë Arsye Pse’’ Jay Asher, ’’Sekreti më i madh’’ David Icke, 13ta e pafat e shkrimtarëve Patterson dhe Paetro.                                          

Nga librat me përmbajtje filozofike janë: ‘’Çfarë jeni duke bërë me jetën tuaj?’’ Jiddu Krishnamurti, ‘’Arti i të jetuarit’’Artur Shopenhauer, Rrugatë cilën rrallë shkohetScott Peck. Kurse romanet më të kërkuara janë: ‘’Shtëpia e shtrembër” Agatha Christie, ‘’Letra e Milenës’’Franz Kafka, “Të vrasësh zogun përqeshës” Harper Lee,’’ Çiraku i arkitektit’’ Elif Shafak, ‘’Gruaja midis nesh’’, shkruar nga Greer Hendricks dhe Sarah Pekkanen,’’ Vajza dhe nata’’ Guillaume Musso,‘’Në çdo frymëmarrje’’Nicholas Sparks,‘’Derisa dashuria të na ndajë’’Anna Premoli,‘’Vajza në tren’’ Paula Hawkins,’’Treni i fundit për Stamboll’’Ayse Kulin,‘’Babai i pasur , Babai i varfër’’ Robert T. Kiyosaki. / KultPlus.com

Shkrimtarja Ismete Selmanaj Leba vlerësohet me çmimin e rëndësishëm në Itali

Shkrimtarja shqiptare Ismete Selmanaj Leba e cila prej vitesh jeton në Itali ka fituar një tjetër çmim të rëndësishëm. Vetë shkrimtarja ka njoftuar se libri i saj “Dy herë të huaj” ka fituar çmimin “Targa di Finalista”  në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Qytetit Narrativ të Cefalu 2020.

“Të dashur miq, jam e lumtur të njoftoj se romani im “Dy herë të huaj” nga Shtëpia Botuse “Besa” fitoi çmimin “Targa Di Finalista” në edicionin e 6-të të Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë dhe Qytetit Narrativ të Cefalù 2020, në Seksionin e Rrëfimit të Redaktuar. Falënderime të përzemërta për Jurinë dhe Presidentin Antonio Barracato për këtë vlerësim”, shkruan shkrimtarja shqiptare në Facebook.

Autorja shqiptare Ismete Selmanaj Leba është vlerësuar me disa çmime në vitin 2020, përmendim çmimin “Ndërkombëtar për Paqen 2020”, si dhe me çmimin e tretë në ndarjen e çmimeve ndërkombëtare të “Inventa un Film”, festivali më i rëndësishëm mbi filmat me metrazh të shkurtër në Itali. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Pas vaksinimit 102-vjeçarja në Piana u këndon këngë arbëreshe infermierëve

102 vjeçarja ka udhëtuar nga Hora e Arbëreshëve për të kryer vaksinën anti-COVID. Maria Riolo është gruaja më e moshuar që është vaksinuar sot  në “Fiera del Meriterraneo”.

Në tetor mbushi 102 vjeç dhe këtë javë me shumë dëshirë ka kryer dozën e parë të vaksinës. Shumë e vendosur dhe me buzëqeshje pas injeksionit të vaksinës, Maria Riolo u ka kënduar disa këngë antike arbëreshe mjekësve të qendrës, të njëjtat që i pëlqen të këndojë kur ka dhimbje nyjesh. “Unë kurrë nuk ankohem – tha ajo pas vaksinës -, vaksinën nuk e ndjeva aspak”, tha ajo.

Prej muajsh nuk kishte dalë nga shtëpia dhe marrja e vaksinës Pfizer ishte një mundësi e mirë për të marrë edhe pak ajër.

“Për ne është një ditë e rëndësishme – shpjegon djali saj Vito Ciulla -. Ne pamë që personeli ishte shumë profesional. Për fat të mirë, nëna është mirë me shëndet, dhe vaksina do ta mbrojë më shumë atë.” / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Bebe Rexha iu kthehet në shqip ndjekësve: Në vend që ta ngrejmë njëri-tjetrin, ne e ulim njëri-tjetrin

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, është mjaft e drejtpërdrejtë me fansat e saj, e herë pas here u jep atyre edhe mesazhe shumë të rëndësishme. Një nga mesazhet që vazhdimisht ua dërgon ndjekësve përmes postimeve në rrjetet sociale, është që të duan veten e tyre, trupin e tyre, pasi askush nuk është perfekt.

Pak ditë më parë, ajo publikoi një video në “Instagram” ku shfaqej me bikini.

Këto pamje janë pritur mjaft mirë nga ndjekësit të cilat e kanë komplimentuar për guximin që ka. Por sigurisht ka edhe nga ata që e kanë kritikuar.

Videon në fjalë e ka publikuar edhe një faqe shqiptare në “Instagram”, ku komentet negative të tipit “e shpifur”, i kanë rënë menjëherë në sy Bebe Rexhës, e kjo e fundit i ka ndarë këto komente në “Instastory”-n e saj.

“Siç e dini unë jam shqiptare dhe jam krenare për kulturën time. Por ka diçka që nuk jam krenare për kulturën time”, shprehet këngëtarja shqiptare, e cila përkthen në anglisht disa nga komentet që fansat shqiptarë i kanë bërë.

Ajo shprehet se videon e ka publikuar për të treguar se askush nuk ka trup perfekt dhe se duhet ta duam atë ashtu siç është. Bebe shton se vajzat shqiptare do të ishin më të suksesshme nëse do të ndihmonin njëra-tjetrën, se sa ta ulnin atë.

“Në vend ta ngrejë njoni qetrin, ne e ulim njoni qetrin”, ka shkruar Bebe Rexha në shqip. / KultPlus.com

Kafe në lokal, por me filxhanin tënd

Në Mbretërinë e Bashkuar edhe në Itali, një numër në rritje i bareve po i bashkohen nismës revolucionare “Porta la Cup”(sillni filxhanin tuaj).

Kjo nismë është ndërmarë për shkak të COVID-19, midis kufizimeve të vendosura nga qeveritë në të gjithë botën për të provuar se përhapin infeksionin. Në përpjekje për të kufizuar përdorimin e gjerë të gotave të plastikës, të cilat nuk janë gjithmonë aq lehtë të riciklueshme, një vendas në Kent mori vendimin e guximshëm për t’u bërë një i ashtuquajtur bar “pa filxhan”, që do të shërbejë kafe ekskluzivisht për klientët që sjellin filxhanin e tyre në lokal.

Ky projekt mund të përfaqësojë një pikë kthese pozitive si për pronarët e lokaleve ashtu edhe për mjedisin. Baret që i përmbahen kësaj iniciative shpesh u ofrojnë klientëve të tyre një zbritje në çdo kafe, ose pije të nxehtë, dhe në disa raste një kafe falas.

Në Itali vetëm disa ditë më parë, disa banorë të zonës vendosën të ndiqnin këtë iniciativë, megjithatë, një fushatë aktive promovuese në nivelin kombëtar do të jetë e nevojshme për të kapërcyer pasiguritë e shumë njerëzve. / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale është përzgjedhur të jetë 23 prilli, si datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Në këtë datë të vitit 1616, kishin vdekur autorët Uilliam Shekspir nga Anglia dhe Miguel de Cervantes nga Spanja.

I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë “Don Kishoti”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit. / KultPlus.com

Don Kishoti dhe mullijt e erës

Fragment nga romani i Miguel de Servantesit ”Don Kishoti i Mançës”

Atje sipër, në një pllajë, ishin të shpërndarë tridhjet apo dyzet mullij me erë. Sapo i vuri re, Don Kishoti u kthye nga shërbëtori i tij dhe i tha:
– Fati po na ndihmon që të kryejmë punët tona më mirë se çdo ta dëshironim, sepse, ja miku im Sanço Pança, ku po na shfaqen përpara nja tridhjet apo pak më shumë gjigantë të shpërmasuar, me të cilët do të ndeshemi në një luftë të vërtetë, për t’i shërbyer perëndisë, duke shfarosur nga faqja e tokës këtë farë të keqe.

– Ç’gjigantë, mor zotëri? – pyet Sanço.
– Ata që shihen atje, larg, me gjymtyrë mjaft të gjata – e sqaron i zoti.
– Mor zotëri, ato që duken atje larg, nuk janë gjigantë, por mullij ere dhe ato që duken si duar, janë në fakt, krahët që duke u rrotulluar nga era, vënë në lëvizje gurët e mullirit.
– Siç po duket – përgjigjet Don Kishoti – ti nuk je shumë i dhënë pas aventurës: ata janë gjigantë, dhe nëse ti ke frikë mund dhe të tërhiqesh mënjanë e të fshihesh, ndërkohë që unë do të përfshihem në një betejë të furishme dhe të pabarabartë me ta.
Dhe, sapo tha këto fjalë, ai goditi me mamuze kalin e tij, Rosinantin, pa dëgjuar fare thirrjet e dëshpëruara të shërbëtorit të tij, Sanços, që përsëriste pa pushim se ato gjëra që ai po sulmonte, pa më të voglin dyshim ishin thjesht mullij me erë dhe jo gjigantë. Por ai ishte aq i thithur nga ideja se ata ishin gjigantë, saqë jo vetëm nuk dëgjonte më thirrjet e Sanços, por as nuk e pastroi më shikimin dhe kur ishte fare pranë tyre, por përkundrazi po ulëriste:
– Mos ja mbathni o frikacakë, o krijesa të poshtra, sepse ai që po ju sulmon është thjesht një kalorës i vetmuar.

Në këtë kohë filloi të fryjë pak erë dhe krahët e mëdhenj të mullijve filluan të rrotulloheshin ngadalë. Duke parë një gjë të tillë Don Kishoti thirri:
– Ju mund të lëvizni edhe më shumë krahë se ai gjiganti njëqindkrahësh (Briarée), por ju do të paguani për këtë.
Dhe duke thënë këto fjalë, e gjithë qenia e tij u pushtua nga kujtimi për damën e tij, Dulqinën, me dëshirën-kërkesë për t’i qenë pranë si shpëtimtare ndaj këtij rreziku të madh. Dhe, duke u mbuluar me mburojë dhe me ushtën gati për luftim, ai u turr përpara me një galop të Rosinantit, për të arritur tek mulliri i parë, në njërin krah të të cilit nguli shtizën e tij. Por në këtë kohë era filloi të fryjë me aq forcë, sa që e bëri ushtën copë-copë, duke përplasur përtokë dhe kalorësin e kalin e tij.
Sanço Pança, i shushatur mbi gomar, shpejtoi për të ndihmuar të zotin dhe kur ishte pranë tij, konstatoi se goditja kishte qenë aq e fortë sa zotëria akoma nuk po arrinte të lëvizte.

– Më ndihmoftë perëndia – tha Sanço – a nuk ju thashë që të kishit mendjen në atë që po bënit, sepse që ata nuk ishin veçse mullij me erë, asnjeri nuk mund ta mohojë, me përjashtim të atij që në kokë i fryn erë tjetër.
– Hesht, miku im Sanço – u përgjigj Don Kishoti – objektet e luftës janë shpesh sende në një shndërrim të vazhdueshëm. Prandaj, unë mendoj, madje kjo është vetë e vërteta, që ai dijetari Freston, që më vodhi kabinetin dhe librat e mi, i transformoi ato gjigantë në mullij, për të më hequr nga dora lavdinë, pas një fitoreje të sigurtë. E tillë është dhe armiqësia e tij e madhe ndaj meje. Por, në fund të fundit, këto marifete të ndyra nuk mund të triumfojnë kundër mirësisë së shpatës sime.
– Perëndia bëftë për ne sa mundet – u përgjigj Sanço Pança dhe e ndihmoi atë t’i hypte Rosinantit që ishte dhe ai i përplasur përdhe… / KultPlus.com

Vdes vokalisti kryesor i grupit ‘Bay City Rollers’, Les McKeown

Ka vdekur në moshën 65-vjeçare pop ylli skocez i cili ishte vokalisti kryesor i grupit “Bay City Rollers”, Les McKeown.

Ai ka vdekur të martën ndërkaq shkaqet e vdekjes nuk janë bërë ende të ditura.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar familja, përmes një shkrimi në faqen e grupit në Facebook, transmeton KultPlus.

“Bay City Rollers” ishin grup muzikor me popullaritet të shquar në vitet e 70-ta. Grupi përbëhej nga pesë djem, ndërkaq disa prej këngëve të tyre hite janë “Bye Bye Baby” dhe “Saturday Night”. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës solli koncertin ‘Frymë’, Jashari: Pandemia na ka ndalë frymën, ne dhuruam frymë përmes instrumenteve frymore

Era Berisha

Kulminacioni i kryeveprave madhështore nga kompozitorët botërorë dhe shqiptarë u jetësuan sonte nga talenti i mahnitshëm i instrumentistëve që frymuan së bashku në një frymëmarrje të vetme nën shoqërinë e melodive dhe tingujve, të cilat u ndezën nën vrazhdësinë e ëmbël të instrumenteve duke përmbledhur kështu një gamë perfekte të zgjedhur për koncertin e titulluar ‘Frymë’, që shtëpinë e gjeti në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Koncerti ‘Frymë’, që portretizoi literaturën muzikore të shkruar për ansamble të instrumenteve frymore të drunjta dhe të tunxhit nga periudha e klasicizmit deri tek muzika bashkëkohore, sot ka shpalosur talentin e mirënjohur të kuintetit frymor dhe kuintetit të tunxhit së Filharmonisë së Kosovës, në instrumentet e posaçme diversive qysh nga instrumentet e drunjta frymore si: flauta, obo, klarinetë, fagot dhe korno e deri tek instrumentet metalike si: trumbeta, tromboni dhe tuba që rezultuan në një ndërlidhje ku secila vepër ekzistoi në një frymë ndryshe nga tjetra.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi një qetësi ku dëgjoheshin vetëm hapat e shkundura e të lehta të kuintetit frymor të cilët nisën edhe ringjalljen e tyre e cila pasoi në një flakërim të instrumenteve të drunjtë frymore që në skenë u shndërruan në ‘trupa’ të dyta të instrumentistëve.

Atmosfera e ngrohtë në një mot të tillë që po shoqërohej me pikat e shiut të cilat binin në dritare, u gjallërua komplet me veprat e kompozitorëve më të famshëm të botës duke filluar nga: Mozart, Rossini, Donizetti, Chretien, Thuille, Rota, Kompanek dhe Ewazen, për të vazhduar me kompozitorët shqiptarë si: Esat Rizvanolli që ka përpunuar këngën ”N’mjedis t’ballit”, Valton Beqiri i cili këtë natë solli premierën e veprës ‘Hamsa’, të shkruar enkas për kuintetin e tunxhit dhe Meriton Ferizi i cili ka ripërpunuar posaçërisht veprën që sonte u performua nga kuinteti frymor me numrin më të madh të instrumenteve, e e cila është pagëzuar me titullin ‘Pak a shum ship’, që jehonën e tre këngëve shqipe folklorike , e la të tërësisht të zbathur nëpër shpirtin e çdo njërit.

Ky gërshetim mes 11 instrumentistëve që janë të ndarë në kuntetin frymor dhe kuintetin e tunxhit kanë ngërthyer temat më të popullarizuara nga muzika botërore e deri tek ajo me motive folklorike shqiptare, duke na prezantuar me një miks jo të zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës por duke krijuar një urë artistike nëpërmjet së cilës shpaloset llojllojshmëria e tingujve të pakrahasueshëm.

Kështu, krejt në fund koncerti i Ansamblit frymor të Filharmonisë së Kosovës, përmbylli këtë natë magjike me performancën e kuintetit të tunxhit nëpërmjet veprës ‘Killer Tango’ nga Kompanek, e cila me hijeshinë e saj madhështore depërtoi deri në shtresën e fundit të njeriut, deri në atë pikën ku vërehet kocka, duke çarë kështu komplet ndjenjat e mbyllura brenda në një rrotullim emocionesh mahnitëse.

Duartrokitjet e shumta, jo vetëm pas secilës vepër të interpretuar por edhe në fund të koncertit nuk munguan për asnjë sekondë të vetme, kurse në anën tjetër buzëqeshjet të cilat dalloheshin nga sytë e më të moshuarve e deri tek të rinjtë, ishin skulptura arti të vendosura përgjatë gjithë kësaj nate artistike.

Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të koncertit në një kohë të tillë, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Duke u bazuar në situatën pandemike, Filharmonia e Kosovës është detyruar ta ndërrojë komplet agjendën e saj. Publiku e njeh Filharmoninë në dy segmente: 1.orkestrën e madhe simfonike dhe 2. korin, si dhe kombinimet të cilat kanë arritur deri në mbi 120 performues në skenë, por kjo tashmë nuk është e mundur ku edhe kori që është njësia e dytë e Filharmonisë, muajve të fundit është prezantuar në ansamble pra në grupe më të vogla pikërisht për shkak të situatës”, tregon Jashari.

Sipas tij, domethënia e emrit të koncertit ‘Frymë’, vjen pikërisht nga pandemia e cila na e ka ndalur frymën dhe pikërisht është ky virus i cili sulmon frymëmarrjen, prandaj ata kanë dashur që publikut ti dhurojnë frymë përmes instrumenteve frymore.

Premiera e koncertit është cilësuar si një koncert jo i zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës, ku për Jasharin ishte një kombinim mjaft interesant i veprave që u prezantuan, ku secila nga to është premierë në zhanre të ndryshme duke përfshirë kompozitorë të ndryshëm.

“Ishte një laramani programore, një risi për publikun pra diçka që nuk është parë më herët, sepse siç dihet Filharmonia e Kosovës në plan programin e saj sezonal apo vjetor vazhdimisht me koncerte që kanë qenë një herë në muaj është prezantuar me kapacitetin e saj të plotë si orkestër simfonike dhe natyrisht kjo praktikë është tashmë prezente në të gjithë botën”, shpreh Jashari.

Tutje, ai ka folur edhe për masat e reja në këtë situatë pandemike ku gjithmonë ekziston rreziku.

“Kësaj radhe, në kemi qenë shumë strikt në zbatimin e rregullave dhe nuk kemi lejuar asnjë karrige më shumë sesa nevojitet, duke shfrytëzuar vetëm hapësirën e lejuar deri në më pak se 80 persona duke llogaritur 11 instrumentistët në skenë. Gjithashtu, ne kemi qenë nën kuotën e lejuar edhe pse kemi pas shumë kërkesa, e kemi mbyllur atëherë kur numri ka arrirë në 70”, shpalos Jashari.

Ndërsa, arsyeja se pse Filharmonia e Kosovës ka mbajtur tre koncertet e fundit në Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që gradualisht po zhvendosen nga Salla e Kuqe në Atelie, por që përsëri mbetet problem madhor jo vetëm për Filharmoninë dhe publikun por edhe për mbarë kulturën muzikore kosovare në Prishtinë, e tregon edhe vetë drejtori.

“Është e sata herë që po e mbajmë në Atelie, sepse akustika për muzikën klasike është shumë më e mirë sesa në Sallën e Kuqe dhe ka qenë shokuese kur 1 muaj më parë kemi zbuluar se vendosja e binave e ka dëmtuar aspektin akustik. Por kjo nuk është një sallë koncertale dhe publiku natyrisht që ka vështirësi në shikueshmëri dhe përjetim, mirëpo ne kemi vendosur që bina të mos vendoset, sepse dukshëm ka tingëlluar më mirë”, përfundon Jashari.

Po ashtu, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo periudhë ndikon tek instrumentistët, në një prononcim për KultPlus, i pranishëm ishte anëtari i kuintetit të tunxhit, Avni Krasniqi.

“Ideja për të realizuar erdhi bashkërisht me drejtorin e institucionit të Filharmonsië, e që është jo vetëm nevojë e kohës por edhe nevojë permanente për të pasur formacione të tilla që funksionojnë në kuadër të Filharmonsië së Kosovë, sepse siç e dimë jemi në një periudhë pandemie, prandaj puna normale na është pamundësuar për shkak të masave, sepse siç dihet Filharmonia ka një numër të konsiderueshëm të instrumentistëve ndërsa hapësira është shumë e vogël”, tregon Krasniqi.

Sipas tij, provat kanë shkuar shumë mirë e të cilat kanë zgjatur rreth një muaj dhe kanë pasur një program të ri është përzgjedhur për këtë koncert. Po ashtu, ata janë munduar që të zgjedhin veprat më të bukura duke bërë një përzierje të veprave të huaja dhe shqiptare.

Tutje ai ka folur rreth situatës pandemike e cila po ndikon tek secili instrumentist dhe jo vetëm.

“Si instrumentistë, për fatin e keq pandemia ka ndikuar tek secili nga ne por në këtë rast e kemi pasur një lehtësim sepse ansambli ynë është në një numër të vogël me 5 anëtarë dhe kemi pasur mundësi që të zhvillojmë provat, por që në përgjithësi ka ndikuar negativisht tek të gjithë muzicientët dhe artet tjera”, shpreh Krasniqi.

Përshtypjet e tij mbi këtë natë që u shijua jashtëzakonisht nga të pranishmit, ishin shumë të mira, jo vetëm për frymën e Filharmonisë por edhe për institucionet dhe skenën muzikore

“Ka qenë një mbrëmje shumë e rëndësishme për ne dhe tani u shndërrua në një natë të mrekullueshme edhe pse sonte kemi qenë dy ansamble por ne kemi luajtur si dy ansamble, duke u munduar që secili të përcjellë emocionin nga programi i tyre i cili ka integruar dy ansamble në një tërësi të mahnitshme”, përfundon Krasniqi.

Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021./ KultPlus.com

‘Me ekzistu është vetë kuptimi’ nga Sibel Halimi promovohet në Teatrin Oda

Nesër në Teatrin Oda promovohet ”Me ekzistu është vetë kuptimi”, libri i fundit i Sibel Halimit, shkruan KultPlus.

”Me ekzistu është vetë kuptimi” botohet në kuadër të aktiviteteve të organizuar nga Qendra Multimedia për të shënuar 23 prillin, Ditën Botërore të Librit.

Ndërkaq, promovimi i këtij libri pritet të fillojë në orën 18:00.

Vepra “Me ekzistu është vet kuptimi” është botuar nga Qendra Multimedia, projekti është mbështetur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut.

Sibel Halimi është sociologe dhe njëherit autore e librave poetik “Kopshti i mëkateve” dhe “Qenia nuk banon këtu” si dhe një sërë hulumtimesh në fushën e studimeve sociale dhe gjinore. / KultPlus.com

‘BRIT Awards’, ceremonia e parë me spektatorë pas një viti


Ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore “BRIT Awards” do të jetë ngjarja e parë më e madhe pas më shumë se një viti, e cila pritet që të ndajë 2.500 bileta falas për punëtorët kryesorë.

Në një njoftim të lëshuar të enjten është bërë e ditur se “BRIT” do të mbahet para më shumë se 4.000 spektatorëve në sallën “O2” në Londër, më 11 maj – gjashtë ditë para fazës së radhës të kufizimit të masave në Britaninë e Madhe.

Ceremonia, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në ITV dhe do të drejtohet nga Jack Whitehall, do ta shënojë rikthimin në muzikën live, ndërkaq këngëtarja me prejardhje kosovare, e nominuar për çmime, Dua Lipa, u ka premtuar pjesëmarrësve se do të jetë “një natë për t’u mbajtur në mend”.

Ceremonia e mbyllur dhe transmetimi i drejtpërdrejtë do të jenë pjesë e Programit Shkencor të Qeverisë për Ngjarje dhe do të përdorë metoda të zgjeruara për të shqyrtuar se si mund të organizohen ngjarjet e ndryshme pa pasur nevojë për distancë sociale, pasi të gjitha kufizimet të hiqen më 21 qershor.

Në bashkëpunim me qeverinë për t’iu përmbajtur udhëzimeve të sigurisë, veprimi nënkupton se ceremonia e çmimeve “Brits” do të jetë ngjarja e parë muzikore e drejtpërdrejtë në “O2” në më shumë se një vit, me 4.000 bileta – vetëm një e pesta e kapacitetit prej 20.000 ulëseve.

“Brits” do të luajë rol të rëndësishëm në hapjen e rrugës për rikthimin e koncerteve live përderisa Mbretëria e Bashkuar po synon që t’i shfuqizojë masat e caktuara kundër pandemisë së koronavirusit.

Punëtorët kryesorë që kanë punuar pa ndalur gjatë pandemisë do të shpërblehen me gjithsej 2.500 bileta falas. Publikut nuk do t’u kërkohet që të mbajnë distancë ose të bartin maska në sallë, por do të ketë rregulla që duhet t’i zbatojnë gjersa udhëtojnë për te vendi dhe duhet t’u përmbahen rregullave të caktuara nga organizatorët e ngjarjes. Një ndër rregullat është që pjesëmarrësit duhet të kenë një test negativ që tregon se nuk janë të infektuar me koronavirus, po qe se duan të hyjnë në sallë.

Këngëtarët Dua Lipa, Arlo Parks dhe Celeste kryesojnë listën e më të nominuarve me gjithsej tri nominime.

Këngëtarët e tjerë që janë pjesë e nominimeve janë: AJ Tracey, Yungblud, Joel Corry, J Hus, Headie One dhe shumë të tjerë. Kurse nga grupet ndërkombëtare do të jenë: “BTS”, “Run the Jewels and Fontaines D.C”, “Foo Fighters”, si dhe këngëtaret Ariana Grande, Billie Eilish, Cardi B, Miley Cyrus dhe Taylor Swift. /koha/ KultPlus.com

Anulohet sezoni i pestë i serialit ‘La Casa de Papel’

Sezoni i pestë i serialit ‘La Casa de Papel’ nuk do të lansohet në maj siç ishte parashikuar.

Netflix ka lajmëruar se do të ketë disa ndryshime në datën e prezantimit të serialit në publik, transmeton KultPlus.

Ky sezon pritet të lansohet në korrik deri në dhjetor të vitit 2021, kështu që duhet të presim për ta parë.

Rikujtojmë se ky sezon do të jetë sezoni i fundit i serialit. / KultPlus.com

Antonio Stradivari, artisti që i dhuroi botës violinën e tingujve magjik

Antonio Stradivari, krijoi instrumentin që konsiderohen ende më i miri i bëra ndonjëherë. Stilet e reja të violinave dhe celulave që ai zhvilloi, ishin dhe mbeten të jashtëzakonshme, për cilësinë e tyre të shkëlqyeshme tonale dhe u bënë modeli bazë për të gjitha versionet moderne të instrumenteve.

Aq e përbotshme ishte fama e këtij zejtari italian, e këtij pinjolli që pasio traditën qindvjeçare të familjes, sa për violinat e tij u stisën mite dhe legjenda, u fabrikuan teori dhe vijojnë të shqyrtohen karakteristikat e veçanta të instrumenteve që krijoi ai. Bota ende nuk e ka zbërthyer misterin që i mban të papërsëritshëm tingujt magjik të violinave të Stradivarit.

Familja e prodhuesve të violinës

Nuk ka të dhëna për datëlindjen e saktë të Antonio Stradivarit, por bazuar në dokumentacionin e epokës së tij, i cili shoqëroi nënshkrimin në disa prej instrumenteve që ai krijoi në periudhën e vonë në jetën e tij, supozohet se ai ka lindur më 1644. Gjithashtu dihet fare pak për vitet e tij të rinisë. Ai ndoshta ka lindur në Kremona, Itali, qyteti ku familja e tij ishte vendosur për pesë shekuj, dhe ai ishte djali i Alessandro Stradivari. Kremona ishte një qytet që njihej për prodhuesit e saj të violinës për afro njëqind vjet. Mjeshtri kryesor i saj gjatë jetës së hershme të Stradivarit ishte Niccolo Amati, i cili përfaqësonte gjeneratën e tretë të familjes së tij, që kontribuoi në zhvillimin e stilit tradicional të violinës popullore.

Deri në vitin 1666, Stradivari ishte duke prodhuar instrumente në mënyrë të pavarur, gjithashtu vazhdonte të punonte në dyqanin e mentorit të tij (një këshilltar dhe udhëzues), angazhim të cilin ai me siguri e bëri deri në vdekjen e Amati më 1684. Para vitit 1680, Stradivari krijoi një larmi instrumentesh me tela, duke përfshirë kitarat, harpa, lute dhe mandolina. Ai vazhdoi të ndiqte modelin themelor të Amatit për violinat, por gjatë kësaj kohe ai filloi të eksperimentonte me përmirësime në ton dhe dizajn.

Familja Stradivari u zhvendos në një shtëpi të re me adresë: Piazza San Domenico, Nr.2, diku rreth vitit 1680, dhe ndërtesa do të shërbente si shtëpia e prodhuesit të violinës. Këtu ai u pjek në artin e tij dhe krijoi veprat më të mëdha, veçanërisht violinat që vendosin standardin për përsosmëri në botën e muzikës. Në vitet 1680 ai vazhdoi të zhvillojë stilin e tij, duke u larguar nga dizajni i Amatit për të krijuar një violinë më solide të bërë nga materiale dhe përfundime të reja. Instrumentet që rezultuan gjatë kësaj kohe, krijuan një tingull më të fuqishëm se violinat e mëparshëm, dhe muzikantë nga jashtë Kremones filluan të kërkojnë instrumente nga punëtoria e tij, ndërsa fama u rrit. Pas vdekjes së Amatit më 1684, Stradivari u konsiderua prodhuesi më i madh i violinës në qytet.

Megjithë suksesin e konsiderueshëm të Stradivarit me modelet e tij, ai vazhdoi të kërkojë mënyra për të përmirësuar violinat. Kësisoj arriti të gjente një ton më të thellë, më të plotë, i cili ishte mjaft i dallueshëm nga tingujt e lehta të prodhuesve të tjerë të instrumenteve në Kremona.

Gruaja e Stradivarit vdiq në 1698, dhe ajo u nderua me një funeral madhështor. Në verën e vitit të ardhshëm, zejtari u martua me gruan e tij të dytë, Antonia-Maria Zambelli. Ai kishte pesë fëmijë të tjerë nga kjo martesë, por asnjëri prej tyre nuk hyri kurrë në biznesin e bërjes së instrumenteve.

Vitet nga 1700 deri në 1720 ishin më të suksesshmit në karrierën e Stradivarit, dhe epoka shpesh quhej “periudha e artë” e zejtarit. Gjatë kësaj kohe ai përsosi dizajnin e tij të violinës dhe krijoi instrumentet më të mira. Jo vetëm që dizajni i tij ishte revolucionar, por materialet që ai përdori gjithashtu ndihmuan për të krijuar efektet e tij unike. Ai zgjodhi dru të shkëlqyera, të tilla si panje, për violinat e tij dhe zhvilloi llakun me ngjyrë portokalli në kafe, që u bë markë tregtare e punës së Antonio Stradivarit. Punimet e tij nga kjo periudhë ishin aq madhështore sa që disa violina të krijuara në këtë kohë kanë zhvilluar identitete dhe reputacione individuale. Disa nga më të njohurit përfshijnë violinën e vitit 1704 “Betts”, e cila ndodhet aktualisht në Bibliotekën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara; më 1715 u krijua violina “Alard”, i cili konsiderohet Strativarius më i mirë në ekzistencë; dhe “Mesia” i vitit 1716, një instrument që mjeshtri nuk e shiti kurrë dhe tani është në gjendjen më të mirë të ndonjë prej pjesëve të tij të mbijetuara.

Pas vitit 1720 Stradivari vazhdoi të prodhojë violina dhe instrumente të tjera me tela, por numri i sendeve u ul me vitet. Ndërsa puna e tij mbante një nivel të lartë cilësie, filloi të tregojë efektet e shikimit të dështuar dhe një dorë më pak të qëndrueshme. Stradivari vazhdoi të prodhonte instrumente më vete, deri në vdekjen e tij në moshën 93-vjeçare, më 18 dhjetor 1737.

Violinat e Stradivarit mbeten si disa nga instrumentet më të kërkuara në botë. Në maj të vitit 2000 një violinë Stradivari u shit në një ankand të New York City për 1.3 milion dollarë. Në shtator të po atij viti ekspertët u pushuan nga spekulimet, sepse një violinë e Stradivarit e paraqitur në ekspozitën e Muzeut Ashmoleon në Angli, rezultoi të ishte një falsifikim. Violina e punuar me dorë, 284-vjeçare e Antonio Stradivarit, konsiderohet më e vlefshmja në botë, dhe ajo kush afro 15 milion dollarë. /albertvataj/ KultPlus.com

Para se të dashuroja…

Poezi nga Pablo Neruda

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, –
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata. / KultPlus.com

Arbëreshët e Greqisë

Rrypina e ngushticës së Korintit tërhoqi atje, së bashku me shumë nga kombet e tjera, edhe shqiptarët e kolonive tona, që kishin shkuar atje dikush për të nxjerrë dhé, dikush si murator, dikush për të ngarkuar vagona o për të bërë tjetër gjë.

Disa kaluan nga një vend në një tjetër e, pothuaj, të gjithë vajtën në Athinë. Nga ata që janë kthyer prej andej, mësuam që në Atikë flasin shqip, që në një pjesë të madhe të Greqisë ndër fshatra të vegjël banojnë shqiptarë, kurse ndër qytete banojnë helenë. Dhe këtë e la të shkruar edhe Hahni o sepse i kishte parë, o sepse ia kishin thënë.

Tregojnë, gjithashtu, ata që qëndruan në Korfuz, se nga dy brigjet që janë pranë luginës, e cila arrin deri në ranishten ku është ngritur qyteti, njëra është plot me helenë, ndërsa tjetra ka shqiptarë. Këta bashkatdhetarë që zënë kaqë hapësirë të Heladhës, nuk vërshuan këtu kur ra Skënderbeu; gjithë ata fisnikë shqiptarë ikën në vende të largëta nga Turqia, sepse Greqia vetë ishte atëherë nën turkun, e pushtuar nga Muhameti II, ndër ata muaj që Skënderbeu qëndroi në Itali.

Po historitë e Mesjetës, a nuk shërbejnë për të kujtuar përhapjen e popullit tonë tutje nëpër Heladhë, e deri në Hidër e Poros? Por në kohën e Skënderbeut, qytetet Koronë, Modonë e Napoli të Moresë, ishin pothuajse shqiptare, siç dëshmojnë rapsoditë, që kanë lindur aty. Mjaft familje arbëreshe, që erdhën prej andej qëndrojnë në mes nesh. Kjo përzierje popujsh, që gjeti njerëz të shkuar prej këndej atje, ishte qysh prej kohëve të Platonit, i cili flet për këtë gjë. Dhe tash duket qartë se kjo gjendje mbeti edhe mbas ardhjes së helenëve, që zunë vendbanimet e mbajtura prej pellazgëve qëmoti, gjë për të cilën flasin deri gurët e asaj kohe. Dhe, meqenëse mandej shkrimtarët nuk i shënuan qartë popujt grekë sipas këtij ndryshimi racash, kemi një pështjellim të madh në mendjet tona. Në këtë mënyrë s’kemi gjë tjetër veçse emra fisesh që luftonin mes tyre ose bënin paqë e marrëveshje, në vend që [shkrimtarët] të njihnin shkakun e thellë të ndasive dhe të aleancave, që do të kish qenë drita sqaruese e asaj bote. Shkaku ishte, ndoshta, te popullsia e ndryshme, në të cilën e jona – sikurse e pandeh Benloew – ishte vendasem ndër ishujt e Egjeut e në brigjet e Azisë.

10 prill 1885 (Përshtatje në gjuhën e sotme nga dialekti arbëresh)

Marrë nga “Jeronim De Rada, Vepra historike dhe filologjike”, përkthyer prej italishtes, pajisur me një studim hyrës  dhe me shënime e komente plotësuese nga Prof. dr. Jup Kastrati, botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Tetë filmat e nominuar si më të mirët në ‘Oscars’ për vitin 2021 (VIDEO)

Viti që lamë pas i gjeti kinematë kryesisht të mbyllura dhe shumë filma i shtyen datat e tyre të lansimit për shkak të pandemisë, ndër ta kishte shumë filma të rinj që bënë jehonë tek shikuesit, ndezën biseda dhe morën vëmendjen e votuesve të Oskarit.

Tetë filmat e nominuar për fotografinë më të mirë në ceremoninë e Oskarëve të së dielës pasqyrojnë gamën e larmishme të filmave të njohur këtë sezon çmimesh, duke trajtuar tema të rëndësishme dhe në kohë të tilla si raca, sulmet seksuale, imigracioni dhe lidhjet familjare, shkruan WWD, transmeton KultPlus.

Më poshtë gjeni tetë filmat më të përfolur që tashmë janë nominuar për ‘Oscar’.

The Father

Një burrë, teksa demenca i përkeqësohet, dyshon te familja dhe vetja dhe refuzon ndihmën duke humbur kontrollin mbi realitetin.

Judas and the Black Messiah

Historia e vërtetë e vrasjes së kryetarit të Partisë Black Panther, aktivistit Fred Hampton, pasi dikush bëhet pjesë e lëvizjes me urdhër të FBI-së.

Mank

Skenaristi i alkoolizuar Herman J. Mankiewicz përpiqet të përfundojë skenarin për “Citizen Kan.

 Minari

Një familje koreane që lëviz në Arkansas në kërkim të ëndrrës amerikane.

Nomadland

Pasi humb gjithçka, një grua vendos të jetojë si nomade.

Promising Young Woman.

Asgjë në jetën e Cassie-t nuk është ashtu si duket.

Sound of Metal

Drama e një bateristi heavy metal që humbet papritur dëgjimin.

The Trial of the Chicago 7

Filmi bazohet te gjyqi famëkeq i vitit 1969 për shtatë të pandehur të akuzuar nga qeveria federale për komplot dhe më shumë. / KultPlus.com

Dokumentari i Britney Spears lansohet në Maj

Pritjes së gjatë për dokumentarit e këngëtares së famshme amerikane Britney Spears, po i vjen fundit. BBC ka njoftuar se në fillim të majit të këtij viti do të lansohet dokumentari mbi jetën e këngëtares së Pop-it, përcjell KultPlus.

Dokumentari i ri, i titulluar The Battle for Britney: Fans, Cash and Conservatorship, do të dalë në BBC iPlayer të shtunën më 1 maj.

Gazetari i BBC, Mobeen Azhar ka qenë në vendlindjen e Spears për të takuar njerëz që janë të përfshirë në betejat e gjata gjyqësore përreth Britney. Azhar gjithashtu ka intervistuar edhe njerëz të afërm të Spears, përfshirë ish-koreografin e saj dhe bashkë-yllin e “X Factor”, Brian Friedman, grimeren e saj, Billy Brasfield, avokaten Lisa MacCarley dhe blogerin e famshëm Perez Hilton.

Vetë këngëtarja iu përgjigj një pjese që u lansua në shkurt duket thënë: Unë nuk e shikova dokumentarin, por nga ajo që pashë kam qarë për dy javë. Unë ende qaj ndonjëherë. / KultPlus.com

Vdes historiani i njohur francez, Marc Ferro

istoriani francez, Marc Ferro, specialisti i njohur për çështjet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë, por gjithashtu dhe për luftërat e shekullit XX, kolonizimin dhe kinemanë, vdiq sot në moshën 96-vjeçare, njoftoi familja e tij, transmeton KultPlus.

Historian me reputacion ndërkombëtar, ish-figurë e stacionit franko-gjerman ”Arte”, në të cilin ai prezantoi për 12 vjet “Histori paralele”, emision në të cilin ai e përçoi historinë tek publiku i gjerë.

Ai publikoi vitin e kaluar veprën e 65-të “Hyrje në jetë”, për fatin e personaliteteve të mëdha.

Nga një baba italo-grek dhe nënë ukrainase, ai u lind në Paris më 24 dhjetor 1924.

Studimet e tij për historinë, një pasion që ai kultivoi që nga fëmijëria e tij, u ndërprenë nga lufta. / KultPlus.com

Sot ditëlindja e Ibrahim Kodrës, piktori shqiptar që la pas vetes rreth 6 mijë vepra

Ibrahim Shaban Kodra ka qenë piktor shqiptar, i konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht.

Ibrahim Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. QSPA shkruan se pas një karriere të gjatë artistike, Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

“Në formimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos ka pasur shumë ndikim, sidomos pas miqësisë që lindi mes tyre në Romë më 1948, e cila ra në sy deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që shkruanin për Pikason, e përshkruanin edhe Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë”.

Në moshë shumë të re, kur ishte vetëm 20 vjeç u largua me një bursë studimi drejt Romës.

Ndër të shumtat vizita dhe periudha jetese në vende të ndryshme të botës, dallohet periudha në të cilën jetoi në disa fshatra arbëreshe në Jug të Italisë, ku me artin e tij përjetësoi shtëpitë tipike arbëreshe, të komunës së Citivas, të cilat nëpërmjet artit të Kodrës u bënë të njohura botërisht si: “Le case Kodra” (Shtëpitë Kodra)”, shkruan QSPA. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur ishte 20 vjeç (1938) dhe largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Piktori Ibrahim Kodra ekspozon veprat e tij në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, Kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta.

Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik. /sot/ KultPlus.com

Gjetjet arkeologjike ndriçojnë të panjohurat midis qytetërimeve Maya dhe Teotihuacan

jë zbulim i fundit arkeologjik në qytetin e lashtë majan, Tikal, në Guatemalë, mund të hedhë dritë në lidhje të reja mes qytetërimeve Maya dhe Teotihuacan. Sipas një raporti të “National Geographic”, studiuesit në Tikal kanë zbuluar një kompleks ndërtimor që pasqyron stilin arkitektonik të qytetit antik të Teotihuacanit, i cili gjendej afër Mexico Cityt, rreth 800 milje (1 287 kilometra) larg Tikalit.

“National Geographic” njofton se struktura, që përfshin një piramidë dhe një oborr të mbyllur, besohet të jetë një kopje e zvogëluar e fortesës në Teotihuacan, transmeton KultPlus.

“Ne e dinim që Teotihuacanët kishin të paktën një prani dhe ndikim në Tikal dhe zonat e afërta majane para vitit 378”, ka thënë Edwin Román-Ramírez, drejtor i Projektit Arkeologjik të Tikalit Jugor, kërkimi i të cilit ka sjellë dëshmi për sende teotihuacane, si armë dhe varreza në Tikal, bën me dije publikimi. “Por nuk qe e qartë nëse majat vetëm po imitonin aspekte nga mbretëria më e fortë e rajonit. Tash ka dëshmi që lidhja ishte shumë më shumë sesa kaq”.

“Ajo që kemi gjetur sugjeron që për më shumë se një shekull njerëzit që ishin të paktën të familjarizuar me kulturën dhe traditat teotihuacane jetonin atje në koloninë e tyre, një sektor i veçantë në identitet që praktikonte fenë e Teotihuacanit”, ka shtuar Román-Ramírez .

Kompleksi i sapozbuluar, i cili u analizua duke përdorur teknologjinë “LiDAR” (Light Detection and Ranging), e tejkalon vitin 378, gjatë të cilit pati një pushtim teotihuakan dhe marrje e Tikalit. Shumë nga detajet që lidhen me këtë pushtim të papritur janë të panjohura, por kërkimet e vazhdueshme përqendrohen që të hedhin dritë mbi marrëdhëniet midis dy qytetërimeve. /artnews/ KultPlus.com

Action Bronson publikon librin e tretë: Ishte e dhimbshme të lexoja ato që kam shkruar por më ndihmuan të ndryshoj përgjithmonë

Reperi shqiptar me famë botërore, Action Bronson ka botuar librin e tij të tretë me radhë që mban titullin ”F*ck It, I’ll Start Tomorror: A True Story” që në shqip i bie ”Në djall, do ia filloj nesër: Një histori e vërtetë”, përcjell KultPlus.

Ai është autor edhe i dy librave si: “Stoned Beyond Belief (2019)” dhe “F*ck, That’s Delicious: An Annotated Guide to Eating Well (2017)”.

Siç ka bërë të ditur Amazon, në këtë libër flitet për luftën me peshën, varësinë ndaj ushqimit dhe udhëtimin drejt vetë-pranimit. Poashtu, Amazon thekson se Bronson ka trajtuar në librin e tij të gjitha ato që i ka mësuar në dekadën e kaluar duke tentuar kështu të ndihmojë të tjerët që të ndihmojnë veten.

Action po ashtu do të ndajë udhëtimin e tij për të gjetur besim, për të mbajtur larg ndjenjat negative, të qëndrojë i arsyeshëm, të qetësohet dhe të mos shikojë në pasqyrë duke shpresuar të shohë askënd përveç vetes, përcjell tutje KultPlus.

“Sigurohuni që ta merrni tani. Ky është një parathënie për rrugën aktuale të jetës në të cilën ndodhem. Ishte e dhimbshme të lexoja ato që kam shkruar por më ndihmon të ndryshoj përgjithmonë”, shkroi Bronson në postimin e shpërndarë në rrjete sociale. / KultPlus.com

Televizioni boshnjak e shfaq flamurin e Kosovës, reagime të ashpra në Beograd

Flamuri i Kosovës është shfaqur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit të ri “Global” në televizionin boshnjak “BN”.

Flamuri i shtetit të Kosovës u shfaq në ekran pranë flamujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

BN TV u vu në qendër të vëmendjes së mediave serbe, të cilat e cilësuan skandal atë që ndodhi.

Për këtë pati edhe disa reagime tjera, në të cilat ky televizion cilësohej si antiserb dhe bëhej thirrje për bojkotimin e tij.

Në fund të marsit, në të njëjtin emision në BN TV, Kosova u shfaq e ndarë nga Serbia.

Më parë, televizioni i drejtuar nga gazetari Marko Jeremiq e kishte shfaqur hartën e Sanxhakut me vija të theksuara të kuqe duke e ndarë atë nga Serbia dhe Mali i Zi.

BN TV është pjesë e kompanisë së rrjetit televiziv RTV BN e cila u themelua në 5 maj 1998. Ky televizion transmeton kryesisht në gjuhën serbe duke përdorur alfabetin cirilik. /Express/ KultPlus.com

“Fushat e Lulediellit” në qendër të Prishtinës, projekti i ri nga artistja ikonike Agnes Denes



 

Edicioni i tretë i Autostrada Biennale zyrtarisht po e fillon rrugëtimin e tij në Kosovë.

Agnes Denes, një grua e jashtëzakonshme dhe një artiste feministe ikonike nga New York, e ka konceptuar punën e saj të re në Prishtinë, titulluar “Fushat e Lulediellit 2021”. Prej sot ka nisur në kryeqytet mbjellja e farave të lulediellit në mënyrë që të rriten dhe të krijojnë një fushë mahnitëse luledielli, e cila do të jetë e gatshme për hapjen e edicionit të tretë të Autostrada Biennale, në verën e këtij viti. 
 
Do të duhet kohë që këto fara të lulëzojnë, ndërsa Prishtina kësisoj do të mbajë mbi supe një vepër arti që të lë pa frymë, pikërisht te Platoja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. 
 
“Luledielli është bimë e lumtur” tregon artistja Agnes Denes. “Për kinezët, luledielli simbolizon fatin e mirë ndërsa për popullin Incas në Amerikë, luledielli mbahet si Zoti i Diellit”. Krahas bukurisë dhe energjisë pozitive, për artisten është me rëndësi edhe fakti se si këto fara luledielli e pasurojnë tokën ku mbillen dhe vijnë ngadalë në jetë. Mbjellja e tyre kthen sytë kah vëmendje që duhet të tregojmë për tokën, sepse ‘e gjithë jeta varet nga kjo shtresë e hollë që e rrethon globin’. Nga studioja e saj në New York, artistja dërgon një mesazh të mbështetjes për Prishtinën. “Kur gjërat rriten, lulëzojnë, dhe jeta po i shprehë transformimet dhe sekretet e saj. Shiko, dëgjo, merr pjesë. Të gjithë mund të jemi si luledielli, të rritemi, të ushqehemi, të pajisim të tjerët me pasurinë tonë, të kthehemi kah Dielli, e të reflektojmë për nxehtësinë e Diellit drejtuar të gjitha krijesave të gjalla”.
 
Jo rastësisht, dita e parë e plantacionit dhe mbjelljes për “Fushat e Lulediellit 2021” përkon me Ditën e Tokës, në 22 prill, një datë që shënohet vit për vit që prej vitit 1970 dhe risjellë në vëmendje nevojën për ta ruajtur mjedisin ku jetojmë e marrim frymë. Aktivistë mjedisorë, studentë dhe fëmijë nga Prishtina u bashkuan me ekipin për të mbjellur farat e lulediellit, duke u bërë kësisoj agjentë të rëndësishëm në këtë prodhim artistik dhe duke përqafuar njërin prej objektivave të edicionit të sivjetmë: rolin jetik të artit brenda shoqërisë dhe ftesën drejtuar publikut që të bashkëkrijojnë dhe zotërojnë punët artistike.

“Në Manifestone saj të vitit 1969, Agnes Denes potencoi se dëshironte ta braktiste studion e saj të punës dhe të hynte në botën e shqetësimeve globale, ‘për të komunikuar të pakomunikueshmen, për të vizualizuar të padukshmen, për të mos pranuar kufizimet të cilat shoqëria i ka pranuar’. Përgjatë jetës e karrierës së saj, ajo ka imagjinuar dhe iniciuar eksperimente vizionare mjedisore të bashkëjetesës përmes artit. Ne jemi shumë të nderuar që një artiste me forcë të madhe artistike si Denes ka pranuar ftesën tonë modeste dhe ka propozuar një vepër të re artistike ku luledielli intervenon në jetën e përditshme në qendër të Prishtinës dhe Prizrenit – me fjalët e vetë artistes – një gjest ky që sheh kah realiteti por të lejon të ëndërrosh” – tregojnë kuratoret e edicionit të tretë të Autostrada Biennale, Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza. 
 
Puna e kompletuar do të prezantohet me 1 korrik 2021, kur edhe do të fillojë edicioni i tretë i Autostrada Biennale në Prishtinë. Fushat e Lulediellit 2021 nga Agnes Denes prezantohet në partneritet me Manifesta 14 Prishtina. / KultPlus.com

Luciano Ventrone, italiani i famshëm i pikturës hiperrealiste

Këto nuk janë fotografi, janë piktura. Këto nuk janë thjeshtë piktura hiperrealiste, por shprehje e forcës për të interpretuar me të njëjtin puls dhe shpirt, çastin që orvatet të mëtojë realen përmes një mjeshtërie të mahnitshme, përmes atyre penelatave të holla, delikate dhe të gjalla, të cilat janë vetë ai vullnet i lartë që i krijon, i mëkon duke u përpjekur të ofrojë përkimet e njerëzores me shenjtërinë e asaj energjie qiellore krijimi që bën gjithçkanë për të qenë ajo çfarë ne e pranojmë si shpërblim.

“Piktura nuk ka të bëjë me paraqitjen e thjeshtë të një sendi, por me ngjyrën dhe dritën e tij”, thotë Luciano Ventrone dhe është kjo qasje, me të cilën ai u tregon njerëzve se arti nuk pretendon të imitojë natyrën, por t’i japë zë asaj pëshpëritje që dëgjojmë ne teksa biem në kurthin e ngjyrave, të dritës dhe të bukurës që na deh me joshje.

Ai vijon se “Subjekti nuk mund të shihet siç është por si një element abstrakt,”, dhe si i tillë ai ta përshkojë nëpërnmjet një meditimi, të tillë që i jep shkas artistit të lejojë përshkueshmërinë e dritës që sheh objektin, që ta zotërojë deri në caqet e shpirtërores së krijimit përmes ngjyrës.

Luciano Ventrone vlerësohet nga institucioni italian i artit, muzetë, kuratorët dhe kritikët si një nga eksponentët kryesorë të zhanrit të tij dhe festohet gjerësisht si piktori më i mirë hiper-realist italian dhe pasardhësi i pikturës metafizike.

Ai zhytej në pothuajse të gjitha rrymat dhe stilet artistike, si një mjet për të ushqyer dhe zhvilluar gjuhën e tij artistike. Ventrone mori ndikimin e tij nga Caravaggio, dhe Giorgio Morandi, dhe ishte një student i drejtpërdrejtë i Giuseppe Capogrossi. Qasja e tij e vetmuar dhe thirrja artistike i atribuohet kësaj disipline jashtëzakonisht rigoroze dhe hollësisë në studimin e tij të ngjyrës dhe formës. Vizatimet e tij jetësore u botuan në librin Akademik Anatomia e Njeriut – sistemi nervor qendror, nga Prof Gastone Lambertini. Duke jetuar në Itali midis brigjeve të Detit Mesdhe, artisti kalonte dymbëdhjetë orë në ditë në studion e tij duke punuar në kompozimet.

Pika e kthesës në karrierën e artit të Ventrone ishte kur Frederico Zeri, studiuesi i madh i artit, trokiti në derën e studios së tij në 1983. Ventrone kishte ekspozuar tashmë në galerinë më prestigjioze të artit në Londër, Wildenstein, dhe pas vizitës së Zeri, ai u prezantua në Tokio si më i miri. Me mbështetjen e historianëve dhe kritikëve më të frytshëm të artit, Achille Bonito Oliva dhe Edward Lucie-Smith, Ventrone u vendos si një artist bashkëkohor i rëndësishëm i brezit të tij. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com