Qeni

Tregim nga Ibrahim Berisha

I murrmë si një ujk, qeni humbi pasi la zinxhirët e këputur mbështetur për shtëpizën, të cilën ia kishin ndërtuar Boritë shpejt e shpejt në hyrje të oborrit kur ishte këlysh dhe rritej me qumësht të lopës. I murrmë, si ujk, mbas një viti ia shtoi sigurinë familjes muhaxhire nga Repa e Podjevës, e vendosur pesë muaj më parë në Stanoc të Vushtrrisë. Oborri nuk kishte shtrega kashte e as stogje sane, edhe pse vjeshta ishte afër dhe dimri hetohej nga gjethet që bëheshin më të kuqe.

Borive u humbi qeni i murrmë, si një ujk. I pari plaku Aziz, e pastaj edhe dy gratë, rejat, panë zinxhirët e këputur, mbetur si një gjarpër i vrarë, pa kokë, por vetëm me një bisht që të kujton ekzistencën e kahershme të kafshës së rrezikshme.

Qeni i murrmë, si ujk, familjes që erdhi dhe u vendos në një shtëpi të vjetër pa oborr të rrethuar blerë nga kolonistët hercegovas, me ca dërrasa të kalbura, duke qëndruar i lidhur, përveç se ua shtonte sigurinë, ua lehtësonte ankthin dhe vetminë e natës në vend të huaj. Boritëe dilnin natën dhe posa e shihnin qenin afër shtëpizës së ndërtuar me ca kashtë e drurë, e dinin se nuk kishte afër rreziqe.

E shikonin si një mburojë të familjes, në një shtëpi e vend të ri. Por, një natë, kur plaku i Borive shkoi ta luste kafshën më besnike me këlli e ujë, pa se asgjë nuk kishte afër shtëpizës dhe të mbuluar me pluhur e barishte, kishin mbetur vetëm zinxhirët e ndryshkur.

Qeni ka humbur, tha duke alarmuar djemtë, rejat, nipat e mbesat. Të parat dolën dy rejat. U rrah biseda se çfarë kishte mundur të ndodhë me qenin që ishte shembull i kujdesit ndaj shtëpisë dhe i besnikërisë ndaj anëtarëve të familjes Boria. Askush nuk mundi të thoshte ndonjë mendim të prerë lidhur me atë kafshë. U pajtuan se ai kishte disa ditë nuk lehte. Ditën dukej i plogësht dhe hante fare pak.

E ka parandier fundin, tha plaku i Borive, duke u dhënë leje djemëve, rejave e nipave që të shkonin të gjithë të flinin përpara se t’i zinte agimi me bisedën për qenin.

Puna e tij e pat, tha ai i pikëlluar.

Pas një jave, sikur u harrua qeni i murrmë, kafsha e kujdesshme e besnike. Në shtëpizën me kashtë e drurë u vendos një këlysh, i cili jepte parashenja të një kafshe, megjithëse në të parë shtëpiake, të egër dhe të rrezikshme.

Plaku i Borive do të shkonte në Repë për të bërë diç me kashtën dhe sanën, të cilën e la të shkretë në lamën e shtëpisë, atje në kodër të vogël, ku niste oborri i madh.

Plaku do të vonohej së paku tri ditë.

Pas pesë orë rrugë me kalë, ai në një natë të errët arriti në Repë. Shkoi drejt në odën e shtëpisë, ku kishin mbetur edhe ca rraqe, që mund t’i shërbenin ta kalonte natën. Në rrugë, për shkak të gjakut, kishte menduar të hynte në Repë natën dhe pa u vërejtur, të flinte në odën e tij pa drita, jo si një mysafir, por si një njeri eremit.

Më parë la kalin në ahur, e rehatoi, pastaj shkoi në odë. E futi çelësin në bravë dhe aty ndjeu erën, të cilën përkohësisht e kishte humbur dhe me të cilën ishte rritur e plakur. Shtroi pak kashtë dhe pak bar dhe fjeti deri pas mesnatës. Atëherë ndjeu një të lehur, që ia kujtoi zërin e qenit të tij të humbur. Doli jashtë, por e lehura i humbi, derisa hëna ishte plotësisht e shpaluar mbi katund.

Me kujdes, shkoi teposhtë, nga koritat e dhenve dhe pas gurit të kripës. U ul të shihte, se deri kur do të mbetej kaq e verdhë hëna dhe kaq i zi qielli i Repës.

Plaku i Borive herë pas herë bënte lutje dhe disi lehtësohej nga ngarkesa që ia kish shkaktuar këta muajt e fundit borxhi i gjakut që i erdhi në shtëpi. Kish menduar, por nuk mund të merrte vendim – ta falte gjakun, gjaku nuk falej, sepse ai nuk ishte ujë, ndërsa ta merrte gjakun, gjaku nuk merrej, pasi prapë, ai nuk ishte ujë.

Plaku mori vetë vendimin më të rëndë – të lëshonte shtëpinë dhe të ikte sa më larg, për të mos dhënë asnjë shkas të kthimit të krimit brenda familjes së Lokave, që kishin jetuar kaq afër, por që aq papritur u armiqësuan, sa as vdekje e katër plagë, nuk e zbutën afshin për krime të reja.

Plaku derisa po mendonte për fytyrën e djalit të vrarë, pak më poshtë, në arë, duke mos mundur ta ndajë shikimin nga hëna, përnjëherë, ndjeu të lagur në dorë. Ishte një gjuhë e gjatë, e cila me një tërheqje vertikale, i krijoi ngrohtësi.

Qeni, tha, duke dashur ta kapte me dorën tjetër për shpine. Por, nuk ishte qeni dhe asfare kafshe afër. Ishte lagështia e natës, ashtu ende e ngrohtë, që i ngjitej për pjesën e epërme të dorës, e ngjashme me një lëpirje gjuhëkafshe.

Kur po kthehej në odë, një duhmë e rëndë ngordhësire ia mbushi hundët. U mundua ta përcaktonte vendburimin, prej nga vinte ajo duhmë. Plaku i Borive shkoi nga njëra prej dy shtregave dhe, nëpër

dritë të hënës, në një gropë kashte, pa qenin e shtrirë. Gjuhën e kishte jashtë e sytë të hapur që i ndrinin në rrezet e hënës: trupin shtrirë, me një zgjatje harmonike të këmbëve, sikur të ishte përgatitur për fotografi.

E preku kujdesshwm dhe me ofshamwn e mërzisë mbushi zbrazëtinë e oborrit.

Biri im këtu në Repë do të të varros, tha. Në oborrin e shtëpisë sonë. / KultPlus.com

Distria Krasniqi, kampione evropiane

Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Evropianin e xhudos që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë, transmeton KultPlus.

Distria është kampione evropiane në kategorinë deri 48 kilogramë. Distria në finale është dashur të përballet me ukrainasen Daria Bilodid. Por Bilodid hoqi dorë nga meçi për shkak të një lëndimi.

Bilodid është kampione e dyfishtë botërore dhe të dyfishtë evropiane. Distria kishte dy humbje në të kaluarën nga Bilodid.

Për Distrinë është titulli i parë evropian për seniorë. Ajo kishte një medalje të argjendtë nga viti 2018 dhe një të bronztë nga viti i kaluar.

Deri në finale, 25-vjeçarja kaloi italianen Francesca Giorda, izraeliten Shira Rishony dhe rusen Sabina Giliazova.

Distria është pretendente për medalje në Botëror e po ashtu në Lojëra Olimpike. Ajo është në një seri impresive. / KultPlus.com

Përkujtohet eksodi i shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998-1999

Eksodi i shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998-1999, është një nga ngjarjet më të rënda në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte rrjedhojë e zbatimit të projektit shovinist serb me emërtimin “PATKOI”.

Me këtë projekt, shteti serb synonte të kryente “pastrimin etnik” të popullsisë etnike shqiptare të Kosovës. Deri në mars të vitit 1999, mendohet se vetëm nga Rrafshi i Dukagjinit u zhvendosën rreth 90 mijë shqiptarë.

Në periudhën mars-qershor 1999, numri i përgjithshëm i shqiptarëve të shpërngulur me dhunë arriti në afro 1 milion vetë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve kaluan në Qafën e Morinit dhe në Qafën e Prushit.

Dëbimi i shqiptarëve të Kosovës i vitit 1999, përbën një nga eksodet më të rënda në historinë e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Me mikpritjen ndaj vëllezërve shqiptarë nga Kosova, populli shqiptar në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë, banorët e rretheve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës treguan edhe njëherë bujarinë dhe solidaritetin që i karakterizon. Ata dëshmuan para opinionit ndërkombëtar se shqiptarët janë një komb, pavarësisht kufijve politikë.

Kombi shqiptar do t’i mbetet mirënjohës SHBA për kontributin që dha për çështjen e Kosovës. Presidenti i SHBA i asaj kohe, Bill Klinton, përmes një mesazhi historik drejtuar popullit shqiptar të Kosovës në ditët e tyre më të vështira u shpreh: “Ju do të ktheheni në shtëpitë tuaja. Ju do të keni shkollat tuaja dhe do të ushtroni fenë tuaj. Ju do të zgjidhni udhëheqësit që dëshironi dhe do të vendosni vetë të ardhmen tuaj. Ju nuk do t’i paguani taksa Jugosllavisë. Ju nuk do t’i çoni djemtë tuaj ushtarë për Jugosllavinë. Ju do të keni si monedhë tuajën markën ose dollarin” . / KultPlus.com

Reagimi i 40 organizatave: Manastiri i Deçanit në rrezik, pasqyrim i rrejshëm i realitetit

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë reagojnë ndaj vendimit të “Europa Nostras”.

Pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë, me tendencë për ta paraqitur vendin si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit, është cilësuar përfshirja e tij në listën “7 monumentet më të rrezikuara të Evropës” për vitin 2021. Të premten, “Europa Nostras” i është adresuar reagimi i nënshkruar nga 40 organizata të shoqërisë civile të Kosovës.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, shprehim indinjatën e thellë edhe ndaj organizatës Future for Religious Heritage, ‘një organizatë laike, joprofitabile, e regjistruar në Belgjikë, e cila duke u bazuar në të dhëna të pavërteta dhe të paverifikuara ka nominuar Manastirin e Deçanit për përfshirjen në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”, shkruhet ndër të tjerash në këtë reagim. Është nismuar nga “Trashëgimia kulturore pa kufij”, e para organizatë vendore e cila reagoi qysh në dhjetor të vitit të kaluar, kur “Europa Nostra” publikoi listën preliminare me “12 Monumentet e Rrezikuara të Evropës” dhe paralajmëroi listën përfundimtare me 7 sosh, të publikuar të enjten e kaluar.

Sipas reagimit, të dhënat e prezantuara në dokumentin e nominimit janë nxjerrë kryesisht nga raporte të institucioneve të Serbisë, të cilat për qëllime politike tashmë është dëshmuar se prezantojnë rrejshëm realitetin e Kosovës.

“Është tepër shqetësuese se vlerësimi i këtij nominimi nga Paneli Këshilldhënës i Europa Nostra, i publikuar me datë 10 dhjetor 2020, është i bazuar në këto të dhëna të paverifikuara dhe të rreme. Në dokumentin e publikuar thuhet se Manastiri i Deçanit ka qenë cak ‘i një përpjekjeje të ISIS-it në vitin 2016’, që i referohet një incidenti me grafite të shkruara në përkrahje të ISIS-it, në një mur periferik, por që autorët nuk janë identifikuar asnjëherë. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë deri më tash nuk kanë të dhëna për një prezencë të organizatës ekstremiste ISIS në Kosovë dhe të asnjë aktiviteti të izoluar të kësaj organizate në Manastirin e Deçanit”, shkruhet në reagim.

Se “Europa Nostra” bazohej në dokumente të institucioneve serbe i ishte konfirmuar KOHËS edhe nga vetë përfaqësues të kësaj organizate qysh në fund të vitit të kaluar. Ishte bërë e ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për “Listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara” është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage” dhe se për bazë janë marrë raportet shtetërore të Serbisë, të cilat i përcillen UNESCO-s çdo vit. Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, shkruhej se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit, Ministria e Infrastrukturës s’hoqi dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan–Plavë. Në raportin e vitit 2020 ceket se ministri i Kulturës i Serbisë, në vitin 2018, për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty po ashtu ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit.

E, sipas reagimit të organizatave, të dhënat zyrtare përkundrazi “tregojnë që ambienti rreth Manastirit të Deçanit është i sigurt dhe paqësor dhe për vite me radhë nuk është raportuar për ndonjë incident me motive etnike ose fetare”.

“Më tej, arsyetimi i përzgjedhjes së Manastirit të Deçanit në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’ bazohet edhe në, siç thuhet, ‘rrezikun që vjen nga plani i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin’ e, siç thuhet, ‘autostradës’ ndërkombëtare që lidh Komunën e Deçanit me Komunën e Plavës (Mali i Zi). Organizata CHwB, Kosova përmes një letre të dërguar më datë 17 dhjetor 2020, e ka informuar Bordin e ‘Europa Nostra’ dhe Panelin Këshilldhënës se Qeveria e Kosovës dhe Autoritetet e Manastirit të Deçanit tashmë kanë arritur një ujdi që rruga ndërkombëtare do të ndërtohet jashtë hapësirës së Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Është për të ardhur keq që ky fakt nuk është marrë parasysh gjatë vlerësimit të nominimit”, shkruhet në reagim. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë i kanë shkruar “Europa Nostras” se janë të shokuara edhe me faktin që në deklaratën e publikuar nga Paneli Këshilldhënës, çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore përmendet në kontekst të, siç thuhet, “bisedimeve për normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

“Konsiderojmë që kjo fjali forcon tutje bindjen tonë se ‘Europa Nostra’ është duke i shërbyer Qeverisë së Serbisë, e cila ka për qëllim rikthimin e çështjes së trashëgimisë kulturore në tryezë të bisedimeve, me qëllime të hapura për ta ndarë trashëgiminë kulturore me status të ‘eksterritorialitetit’. Ne jemi të bindur se kjo tendencë është në kundërshtim me aspiratat e Kosovës për një shoqëri multi-etnike dhe demokratike”, vijon tutje reagimi. Për organizatat e nënshkruara, trashëgimia kulturore në Kosovë është trashëgimi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdo përpjekje për ta ndarë atë është e rrezikshme dhe është në kundërshtim me vlerat evropiane.

“Europa Nostras” i kërkohet ta rishikojë vendimin e vet, duke u bazuar në të dhënat të cilat lehtësisht mund të faktohen në terren. Po ashtu, i bëhet thirrje për një vizitë në Kosovë “për t’u takuar me të gjithë hisedarët dhe për t’i verifikuar të gjitha të dhënat konform kritereve të programit ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”.

“Kjo do ta bënte punën e ‘Europa Nostras’ kredibile dhe të besueshme për të gjithë. Derisa kjo të bëhet, ne, organizatat e shoqërisë civile, mbetemi të shqetësuara dhe të brengosura për efektet negative të vendimit të ‘Europa Nostra’, i cili në vete paraqet potencial për ta minuar procesin për ndërtim të besimit të ndërsjellë në mes të komuniteteve në Kosovë”, thuhet në fund të reagimit. / KultPlus.com

Elvana Gjata rikthehet me album të ri: ‘Çelu’ është dritë dhe shpresë për të jetuar

Pas një pauze të gjatë, Elvana Gjata sot publikon albumin e saj më të ri.

”Çelu” është emri i albumit të cilin Elvana Gjata e paralajmëroi sot nëpër rrjete sociale, duke e konsideruar një projekt që jep dritë e shpresë për të jetuar.

E di që të gjithë kemi kaluar kohë të vështira me veten, familjen dhe të afërmit tanë”, ka shkruar Gjata në statusin e saj.

Në vitin 2018 Gjata debutoi me albumin e saj akustik, i cili akoma vazhdon të dëgjohet nga adhuruesit e saj. ”Më fal”, ”Gjërat kanë ndryshuar”, ”Xheloz”, ”Veç një pikë” etj, ishin vetëm disa nga këngët e këtij albumi të cilat me tekst të Pirro Çakos e me vokalin e saj të fuqishëm do të mbesin gjatë në kujtesën e adhuruesëve të këngëtares.

Ndër të tjera, këngëtarja ka bërë të ditur se albumi do të publikohet sonte në orën 19:00. / KultPlus.com

Naser Berisha lanson këngën ‘Në të mirë e në të keq’ (VIDEO)

Artisti i këngëve të cilat janë kthyer në vulë të vlerave artistike, Naser Berisha, ka publikuar këngën e tij të re ‘Në të mirë e në të keq’, shkruan KultPlus.

Kënga i përket zhanrit Rock të muzikës dhe siç ka theksuar Berisha për KultPlus, është një kthim në gjenezën e albumit tij të parë.

Ndërkaq, muzika dhe teksti i këngës janë realizuar nga Zeqirja Bajrami.

Bashkangjitur gjeni videon e këngës. / KultPlus.com

Biznesi vendor APR ofron donacion për SOS Fshatin e Fëmijëve

APR – Asistencë e Përgjithshme Rrugore, ka ofruar asistencë rrugore të përgjithshme pa pagesë për një periudhe një vjeçare për nevojat e SOS Fshatrave, shkruan KultPlus.

Me këtë veprim, APR si biznes privat tregon një përgjegjësi për organizatat, e në këtë rast me SOS Fshatin e Fëmijëve.

Për këtë donacion kanë njoftuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve duke shprehur falënderimin e tyre dhe njëkohësisht duke treguar se kujdesi dhe mbrojtja e fëmijëve në nevojë do të ishte e pamundur pa përkrahjen e njerëzve vullnet mirë dhe bizneseve vendore.

“Puna në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë si dhe kujdesi dhe mbrojtja e fëmijëve në nevojë do të ishte e pamundur pa përkrahjen e njerëzve vullnet mirë dhe bizneseve vendore.

Miqtë tanë edhe përkundër sfidave ekonomike dhe pandemisë vazhdojnë të jenë përkrah nesh dhe fëmijëve tanë.

Kësaj radhe ishte biznesi vendor APR – Asistencë e Përgjithshme Rrugore i cili ka ofruar asistence rrugore të përgjithshme pa pagesë për një periudhe një vjeçare për nevojat e SOS Fshatrave.

”Me kaq shumë miqë të mirë, fëmijët tanë ndihen edhe më të sigurtë dhe më të fortë’‘, shkruan në faqen zyrtare të SOS fshatit. / KultPlus.com

Gjendet në Belgjikë statuja romake, e kishin vjedhur 10 vjet më parë në Itali

Dy oficerë italian ka gjetur një statujë të vjedhur romake në një dyqan antik belg, pothuajse një dekadë pas plaçkitjes nga një vend arkeologjik, sipas autoriteteve.

Statuja prej mermeri pa kokë e një “Togatus” nga shekulli i parë pasa Krishtit u vodh 10 vjet më parë nga një hajdut i paidentifikuar në sitin arkeologjik romak Villa Marini Dettina Park.

Statuja, me vlerë rreth 100,000 euro u sekuestrua dhe u kthye në Itali, thanë autoritetet.

Një hetim i bërë me bashkëpunimin e autoriteteve belge zbuloi trafikimin e paligjshëm të objekteve kulturore të drejtuara nga një biznesmen italian i cili përdori një pseudonim spanjoll dhe është referuar në Prokurorinë e Romës për marrjen e statujës së vjedhur dhe eksportimin e saj, thanë autoritetet. / KultPlus.com

OBSH-ja thotë se situata me COVID-19 është “shqetësuese”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se rastet me COVID-19 në të gjithë botën po vazhdojnë të rriten me një “shkallë shqetësuese”.

“Globalisht, numri i rasteve të reja në javë është gati dyfishuar gjatë dy muajve të fundit”, ka thënë për gazetarët drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shton se është “shumë i shqetësuar” për rritjen e rasteve me koronavirus në Papua Guinea e Re, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në “një epidemi shumë më të madhe”.

“Papa Guinea e Re është një shembull i përsosur pse drejtësia e vaksinave është kaq e rëndësishme”, vijoi Tedros.

Ai thotë se disa vende që më parë kishin shmangur transmetimin tani janë duke parë rritje të mëdha të infeksioneve.

Tedros kritikoi së fundmi atë që ai e përshkroi si një “çekuilibër tronditës” në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit midis vendeve të pasura dhe të varfra. / KultPlus.com

Adrian Berisha uron aktoret Kasumovic e Çelaj për serialin në HBO: Prishtina është krenare me ju

Njihen si dy prej aktorëve më të mira në Kosovë, por Maylinda Kasumovic e Rozafa Çelaj po thyejnë kufijtë, kësaj radhe duke u bërë pjesë e një seriali ndërkombëtar, premiera e secilit vjen të dielën në HBO, shkruan KultPlus.

Dy aktoret kosovare do të luajnë në serinë ‘Welcome to Utmark’ që është shkruar nga skenaristi danez Kim Fupz Aakeson dhe është një seri tetë pjesëshe.

Për këtë sukses të tyrin ka reaguar edhe drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha i cili i ka përgëzuar vajzat për këtë sukses të madh.

Berisha njëherit është shprehur i bindur se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të suksesshëm jashtë Kosovës për dy aktoret tona.

“Maylinda dhe Rozafa e kane deshmu veten si aktore ne filmat vendor, por te qenit pjese e nje seriali nderkombetar, premiera e secilit do te jete kete te diele ne HBO, eshte nje lajm i

mrekullueshem per te gjithe ne. Shoqet tona i pergezoj per kete arritje dhe ju uroj nje rrugetim te gjate dhe te suksesshem edhe jashte Kosoves.

Prishtina eshte krenare me ju dhe ju jemi mirenjohes gjithmonë”, shkruan Berisha në rrjetin e tij social Facebook. / KultPlus.com

Letra e princit Philip drejtuar Dianës: Nuk mund ta imagjinoj dikë me logjikë të të lërë ty për Camillën

Princi Philip, i cili u nda nga jeta më 9 prill në moshën 99-vjeçare, ka pasur një marrëdhënie të veçantë me Princeshë Dianën, saqë kjo e fundit në letrat që shkëmbenin e quante “baba i dashur”.

Duka i Edinburgut është përpjekur shumë të shpëtonte martesën e Charlesit me Dianën.

Aso kohe, shtypi britanik shkruante se duke qenë se Diana kishte rrëmbyer zemrat e publikut, Charlesi ishte xheloz për këtë dhe nuk e ka ndihmuar aspak në depresionin pas lindjes dhe buliminë.

Në vend që ta ndihmonte, ai hidhej në krahët e Camillës (bashkëshortes së sotme). Nga ana tjetër, miqtë e Charlesit thoshin se Diana donte vetëm titullin mbretëror dhe se kishte një lidhje jashtëmartesore, informon abcnews.al.

Për të ndaluar këtë skandal mbretërore, Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Philip telefonojnë çiftin duke i kërkuar të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në Windsor Castle. Charlesi ishte i qetë, ndërsa princeshë Diana këmbëngulte për ndarje. Mbretëresha dhe burri i saj këshilluan çiftin të vazhdonin me një kompromis për të mirën e tyre dhe të të djemve të tyre.

Mbretëresha propozoi që të takohej përsëri të nesërmen, por Diana  preferoi të kthehej në Pallatin Kensington.  

Në këtë moment, princi Philip nisi t’i shkruante një seri letrash nuses së tij, për ta qetësuar.

Ai e qortoi për injorimin e takimit të dytë me mbretëreshën dhe përmes letrave u përpoq ta bënte të shihte gabimin e saj. Ai i shkroi hapur për “problemin Camilla”, dhe që nuk ishte kurrsesi dakord për lidhjen jashtëmartesore të djalit të tij.

Sapo mbërritën letrat e vjehrrit të saj, mbretëresha vrapoi për t’i hapur dhe për t’i lexuar me dy mikeshat e saj, Rosa Monkton, drejtoreshë në Tiffany në Londër dhe Lucia Flecca de Lima, gruaja e ambasadorit brazilian.

Lucia tha për atë periudhë: “Kur mbërritën letrat, hipëm në makinë dhe shkuam në ambasadë, u ulëm së bashku dhe lexuam çdo shkronjë”.

Në një nga letrat për nusen e tij, Duka i Edinburgut shkruante: “Nuk aprovojmë që asnjëri nga ju të ketë lidhje jashtëmartesore. Charles, në një pozicion të tillë, u tregua budalla duke rrezikuar gjithçka për Camillën. Ne kurrë nuk mund ta imagjinonim se do të të linte për të. Askush me logjikë nuk mund të të lërë ty për Camillën. Një gjë e tillë kurrë nuk ka kaluar në mendjet tona”.

Letrat e princit Philip drejtuar “Mbretëreshës së Zemrave” filluar nga qershori i vitit 1992 dhe vazhduan deri në dhjetor të atij viti. Duka i Edinburgut i shkruante nuses së tij çdo ditë dhe ajo i përgjigjej duke e quajtur atë “baba i dashur”. / KultPlus.com

Apolloni: E kujt është “Erveheja”?

Nga Ben Apolloni

E kujt është “Erveheja”?

Këto ditë kam parë në media e rrjete sociale një debat rreth autorësisë së dramës-shfaqjes “Erveheja”. Një debat që duket se ka marr fill nga mosnjohja e rregullave teatrore, por që mandej edhe i është fry zjarrit nga mediet që gjithashtu nuk kanë njohuritë minimale për artin teatror.

Ndjehem keq kur shoh debate, keqkuptime, deri edhe ofendime ndaj diçkaje apo dikujt që është vlerë për kulturën tonë. Prandaj edhe më duhet të shkruaj disa rreshta dhe të mundohem të sqaroj këtë dilemë.

Edhe në art e rrjedhimisht edhe në teatër, si një nga format e shprehjes artistike më të vjetra dhe të famshme në botë, ka disa rregulla. Një shfaqje teatrore realizohet duke u nisur nga një dramë, roman, tregim, kolumne, këngë, film, etj. dhe regjisori bashkë me ekipin e tij nga idetë që merr nga vepra të ndryshme të artit, krijon një vepër të re teatrore.

Por që të ndalemi te rasti për të cilin edhe po bëhet debati.

“Erveheja” është dramë e shkruar nga Ahmet Qirezi dhe e botuar. Nga drama e Ahmet Qirezit, regjisori Muharrem Qena ka krijuar shfaqjen “Erveheja”, të dhënë premierë në vitin 1966. Drama e shkruar është e Ahmet Qirezit, shfaqja e inskenuar në Teatrin Popullor Krahinor, është e Muharrem Qenës.

Çdo dramë bënë jetë të dyfisht: letrare dhe skenike. Si vepër letrare e gjinisë së dramës, ajo shkruhet, publikohet dhe lexohet nga lexuesit e ndryshëm, në kohëra dhe vende të ndryshme. Drama e Ahmet Qirezit, mund të lexohet edhe sot.

Por drama e shkruar është veç një nga elementet përbërëse të shfaqjes, siç janë edhe aktrimi, muzika, skenografia, kostumografia, grimi, rekuizitat, ndriçimi, koreografia. E, të gjitha këto arte të veçanta, është regjisori ai që i merr dhe i sintetizon dhe krijon një vepër të re, një vepër teatrore që ne e quajmë SHFAQJE. Prandaj shfaqja quhet e regjisorit sepse është ai që i “grumbullon” të gjithë. Është Ai kapiteni i anijes. Ky është ligj në teatër të cilin e dinë të gjithë ata që merren me teatër, që ndjekin teatrin, që e duan teatrin. Nëse të gjitha artet që përfshihen në një shfaqje, ndahen veç e veç, ato kanë autorët e tyre të veçantë, por kur janë të përfshira në një shfaqje, ato janë në shërbim të vizionit të regjisorit që krijon shfaqjen. Pra, nëse do ta “coptonim” shfaqjen “Erveheja” të vitit 1966, aty kanë autorësi edhe autori i dramës, edhe kompozitori, edhe skenografi, etj. Por nëse e duam atë shfaqje të plotë, ashtu siç prezentohet një shfaqje teatrore, ajo mbanë autorësinë e Muharrem Qenës.

Pra drama “Erveheja” e Ahmet Qirezit, është e botuar dhe lexohet edhe sot. Edhe unë e kam një kopje dhe e kam lexuar. Majde ajo edhe sot inskenohet e me siguri do të inskenohet nga regjisorë tjerë, në të ardhmen dhe mund të flitet për vlerat e asaj drame. Kurse shfaqja “Erveheja” e Muharrem Qenës, nuk është më. Sepse shfaqjet teatrore e kanë jetën relativisht të shkurtër. Sado që të jetë e sukesshme një shfaqje teatri, ajo dikur do të vdes. E kësaj ligjësie nuk i ka shpëtuar as shfaqja e Muharrem Qenës, për të cilën unë kam dëgjuar, kam lexuar recensione e përshtypje të ndryshme, por nuk kam pas fatit ta shoh e as që do ta shoh ndonjëherë. Fatkeqësisht edhe një shfaqje, për të cilën thuhet se vendosi themelet e profesionalizmit në artin tonë teatror, ne nuk mund ta shohim e shijojmë më. E as të flasim për vlerat e saj, por që ata që e kanë parë, kanë shkruar e folur si për një vepër me vlera të larta teatrore.

Prandaj, debati për autorësinë e “Ervehesë” është debat i orientuar gabimisht. Është mirë të bëhen debate, por për debate të mirëfillta e të dobishme, duhet një kulturë, duhet njohuri mbi temën, që ky për autorësinë e “Ervehesë” nuk i ka.

Shpresoj që me këto sqarime që u mundova me i dhënë këtu në këtë tekst, të pushoje debati i kotë dhe të vazhdoje respekti për të gjithë artistet e dikurshëm, që krijuan art në kohëra shumë të vështira edhe për të jetuar. / KultPlus.com

Osmani i ridorëzon dekoratën “Urdhri Hero i Kosovës” familjes së heroit Agim Ramadani

Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot i është dorëzuar kopja e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ia kishte ndarë më 19 prill 2009, ndërsa ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu. Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual ka lejuar që ajo të ridorëzohet në raste të tilla, shkruan KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dekoratën “Urdhri Hero i Kosovës” ja ka dorëzuar sot bashkëshortes së Agim Ramadanit, duke vlerësuar lart figurën e heroit Ramadani.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ia dorëzuam kopjen e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e të cilën më 19 prill 2009 ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu. Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual lejon që ajo të ridorëzohet në raste të tilla.

Agim Ramadani është njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në betejën e Koshares e theu kufirin i cili i ndante shqiptarët dhe e krijoi shpresën për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Duke ia dorëzuar këtë dekoratë familjes së heroit Ramadani ne e ritreguam kujdesin e institucioneve të vendit ndaj atyre që me heroizmin e tyre na mundësuan ta preknim lirinë, por edhe ndaj familjeve të tyre. Ky kujdes do të jetë i vazhdueshëm. / KultPlus.com

Për fëmijët me autizëm, Selmani dhuron pjesën e parë të fitimeve nga libri i tij

Gazetari dhe poeti Arbër Selmani i ka dorëzuar dje Shoqatës ‘Autizmi’ në Prishtinë pjesën e parë të fitimeve prej shitjes së librit të tij ‘Kosova në 14 tregime kulturore’.

Njashtu siç edhe ka treguar nga fillimi i promovimit të librit, të gjitha shitjet e librit do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm dhe shoqatës në fjalë.

Në rrjetin social Facebook, Selmani ka treguar se e ka vizituar shoqatën ku edhe është takuar me fëmijët, e ka parë pak a shumë procesin e punës në këtë shoqatë, ndërsa edhe ka dhuruar shumën e parë si ndihmë prej shitjes së librit në tri javët e para të shitjes së tij.

“Ndihma ime edhe e secilit prej jush që e keni ble librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’, sot i shkoi fëmijëve me autizëm dhe Shoqatës Autizmi në Prishtinë, në formën e dashnisë edhe në formën e të hollave, me katër shifra. Sunita Kurti edhe ekipi sot e kanë pranu këtë ndihmë edhe m`shëtitën nëpër shoqatë. Bota ka nevojë për njerëz të mirë, sikur që fëmijët me autizëm kanë nevojë për neve edhe na kemi shumë nevojë për ta. Unë vazhdimisht do të takohem me Sunitën dhe do ta vizitoj shoqatën që fitimet prej shitjes së librit, edhe në të ardhmen, të shkojnë në vazhdimësi për mirëqenien edhe shërbimet e fëmijëve me autizëm. Një pikturë edhe një kartolinë e morra dhuratë, e unë i dhashë katër libra për librarinë brenda shoqatës. Çka me thonë: blejeni librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ se keni çka me lexu, edhe keni ku me ndihmu!” ka shkruar Selmani në Facebookun e tij personal.

Libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’ përmbanë 14 intervista gazetareske të cilat fokusohen në këta emra: Abdullah Konushevci, Xhevat Syla, Hana Cakuli, Mixha Ramë, Malda Susuri, Rifat Kukaj, Zake Prelvukaj, Lala Meredith Vula, Kenneth Andresen, Adelina Thaci, BB Poqi, Agim Qena, Luan Hajra, Naser Berisha.

 “Edhe javëve në vazhdim, dhe deri në shitjen totale të kopjeve të librit, të gjitha fitimet do të shkojnë për fëmijët me autizëm në Kosovë, meqë kjo kauzë i është veshur tanimë këtij libri dhe unë jam shumë i lumtur që po ndihmoj, bashkë me lexuesit e mi gjithandej, për një komunitet si fëmijët me autizëm” tregon Selmani për KultPlus.

Dy promovime të librit në fjalë kanë ndodhur në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa dy promovime tjera – një në Prizren e tjetri në Tiranë do të vijnë gjatë javëve në vazhdim.  / KultPlus.com

Gjobitet kryesindikalisti për organizimin e protestës ku u kërkua lirimi i mjekut Hoti

Kryetari i Sindikatës së Qendrës Kryesore Familjare të Podujevës, Sheqir Maliqi, është gjobitur me 200 euro për organizim të protestës në kohë pandemie nga Inspektorati Sanitar dhe 100 nga Policia e Kosovës.

Në mëngjesin e së premtes, punëtorët shëndetësorë protestuan kundër suspendimit dhe arrestimit të pulmologut Ibrahim Hoti, i cili kishte refuzuar t’u ofrojë shërbime dy personave pas orarit të punës.

Ata kanë marshuar edhe para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Podujevë.

Gjatë këtyre aktiviteteve, nuk janë ofruar shërbime shëndetësore. / Koha.net / KultPlus.com

Bebe Rexha publikon baladën “Sabotage”: Kjo këngë do të thotë bota për mua

Bebe Rexha, artistja shqiptare me famë botërore, ka sjell sot këngën e re të titulluar “Sabotage”, shkruan KultPlus.

Kjo këngë e zhanrit baladë është pjesë e albumit në ardhje, “Better Mistakes”.

Kënga është kompozuar dhe shkruar nga Bebe Rexha, Greg Kurstin, Jon Hume, Michael Matosic, dhe Michael Tighe.

Tematika e këngës shpaloset përmes një videoklipi i cili është shoqëruar me skena emocionale.

“Kjo këngë do të thotë absolut bota për mua. ‘Sabotage’ ka dalë tani, shpresoj të kënaqeni album Albumi im i ri ‘Better Mistaakes’ është gjithashtu i disponueshëm për para-porositje tani”, shkroi Rexha në Instagram. / KultPlus.com

Mjeku nga Podujeva shtrihet në emergjencë pas publikimit të videos

Pulomologut Ibrahim Hoti, i cili u dërgua mbrëmë në mbajtje, meqenëse në një video të publikuar në media shihet duke mos i ofruar ndihmë shëndetësore një qytetari, i është rënduar gjendja shëndetësore.

T7 raporton se i njëjti është duke marr tretman mjekësor në Emergjencën e Podujevës. Shkaku i rastit, ai është duke u përballur me tension të lartë dhe gjendje të rënduar psikike.

Ndërkohë, kolegët e tij janë duke protestuar dhe po kërkojnë lirimin e tij.

Ndryshe, pulmologu Ibrahim Hoti, dëgjohet në një video, teksa nuk iu ofron shërbime qytetarëve.

E tërë kjo me arsyetimin se tashmë është bërë ora 15:05 minuta, ndërsa ai kishte përfunduar orarin në ora 15:00.

Pas publikimit të kësaj videoje, ai është suspenduar nga puna dhe është dërguar në mbajtje. /Gazeta Express / KultPlus.com

Përqafimi në kohë pandemie fiton çmimin e fotografisë së vitit

Këto janë ditët ku shpallen fituesit e konkurseve më prestigjioze të fotografisë në botë.

Pas shpalljes së fituesve të Sony World Photografy, tashmë është radha e “World Press Photo of The Year”, çmimi që i jepet fotografive të shkrepura nga mediat ndërkombëtare.

Çmimi i parë iu dha një skene pozitive, edhe pse në një kontekst të vështirë si ai pandemik.

Është fotografja daneze Mads Nissen që ka kapur në San Paolo të Brazilit përqafimin e një infermiere me një zonjë të moshuar, falë një perdeje plastike që mundëson shmangien e infektimit, në një vend thellësisht të tronditur nga më shumë se 360 mijë viktima nga COVID-19.

Çmime të tjera u ndanë për kategori specifike, si fotolajm, mjedis, sport dhe portret. / KultPlus.com

Protestojnë mjekët në Podujevë për doktorin që se trajtoi pacientin, kërkojnë lirimin e tij

Punëtorët shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë protestuar kundër suspendimit dhe arrestimit të pulmologut Ibrahim Hoti, i cili kishte refuzuar t’u ofrojë shërbime dy të moshuarve pas orarit të punës.

Ata kanë filluar protestën para QKMF-së, ndërsa kanë marshuar fillimisht para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Podujevë.

Të njëjtit kërkojnë lirimin e pulmologut Ibrahim Hoti, pasi ai është arrestuar mbrëmë pasi kishte refuzuar të trajtoi një pacient duke përdorur edhe gjuhë të vrazhdë.

“Deri në lirimin e dr. Ibrahim Hoti. Nuk lëvizim nga kërkesa jonë”, ka shkruar njëri nga kolegët e Hotit në facebook.” / KultPlus.com

“Entre dos Aguas & Troy Game”, premiera e Baletit Kombëtar të Kosovës që shpërtheu pamëshirshëm

Era Berisha

Performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë jo vetëm që vërtetoi se trupa e baletit është një trupë që hapat, lëvizjet dhe kërcimet e pa para më parë, i sjellin si një trup i vetëm unik, por trupi i tyre shndërrohet në instrumentalin që dëgjohej, në një dukuri hyjnore që shkrihet tërësisht si një vullkan i zjarrtë që shpërthen atëherë kur nuk pritet nga askush dhe depërton furishëm në shpirtin dhe mendjen e secilit, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e parë për këtë vit të titulluar ”Entre Dos Aguas & Troy Game”, nën koreografinë e Robert North, i cili për shkak të kushteve pandemie nuk ka qenë i pranishëm në rrugëtimin e plotë të shfaqjes, por në vend të tij ishin dy asistentë dhe njëkohësisht koreografë: Lale Balkan dhe Julian Moss.

Në një ndriçim të zbehtë në sallën e Teatrit Kombëtar, të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre të distancuar. Teksa, në fytyrat e tyre shihej padurimi për premierën e cila solli një frymë ndryshe të pa identifikuar, nën qetësinë e publikut, ajo se çka dëgjohej ishin vetëm hapat e qetë të balerinëve që po bëheshin gati të dilnin në skenë.

Pas një brohoritje relaksuese të përbashkët nga balerinët, e cila erdhi prapa perdeve por të cilën tashmë jemi mësuar ta dëgjojmë, dritat humbën zbehjen e tyre duke zbritur në nivelin e errësirës që për një moment kaploi sallën dhe kështu perdja filloi të mbështjellët në vendin e saj për t’iu liruar balerinëve të shpalosin pjesën e parë të titulluar ‘Entre Dos Aguas’. E pikërisht si domethënia e saj që do të thotë në mesin e dy ujërave, balerinet vajza nisën hapat nën melodinë e tingujve latin, ku secila nga to kishte kostume të njëjta por me ngjyra të ndryshme se çka shtyu të formohet ideja se ato po kërcenin në një ritëm shumëngjyrësh.

Këtij ylberi latin, që filloi në një ritëm të butë e pothuajse të ngadaltë, surprizoi publikun kur në skenë iu bashkëngjiten edhe balerinët djem të cilët u ngritën nga karriget e tyre duke rritur intensitetin kur dy gjinitë u bashkuan, jo vetëm në një trup të vetëm por edhe në hapa dhe lëvizje të shpejta, për të cilat vështirë ti kapësh me sy por që është lehtësisht ta dashurosh punën madhështore të tyre në stilin flamengo.

Në një ndriçim sa në të kuqe e herë në të kaltër, tempoja e kërcimeve të shumta fizike në ajër kishin kapluar të gjithë sytë e buzëqeshur dhe adhurues të publikut. Po ashtu, në mesin e pjesës së parë herë pas here, nuk munguan as solot e balerinave që treguan një hijeshi të bukur me trupin e tyre duke ndjekur kështu tingujt instrumental spanjoll.

Me përfundimin e pjesës së parë, duartrokitjet dhe brohoritjet e vazhdueshme bënë që të gjithë balerinët të kthehen në skenë edhe një herë për të shijuar këtë moment të veçantë dhe mjaft inkurajues për pjesën e dytë që do të fillonte pas 5 minutave pauzë.

Teksa balerinët djem po bëheshin gati për pjesën e dytë të titulluar ‘Troy Game’, të pranishmit që as për një moment nuk iu ndahej vezullima në sytë e tyre, e shfrytëzuan rastin që të bisedonin me njëri-tjetrin për magjinë, identitetin, për energjinë që kapërceu nga ta e direkt mbi atmosferën e sallës dhe natyrisht për stilin e ri që pjesa e parë solli.

Ndërsa, kur pjesa e dytë nisi, ajo që e befasoi publikun ishin jo vetëm veshjet armatore por edhe fillimi pa asnjë melodi të vetme. Krejt se çka dëgjohej ishin të qeshurat dhe britmat e gjithsej tetë balerinëve të cilët nisën lojën e tyre për të shprehur talentin e secilit mashkull dhe fuqinë e tyre prej ‘burri’, duke e kthyer teknikën e tyre të lëvizjeve të shpejta në një formë të humorit.

Dinamika dhe harmonia e veçantë e lëvizjeve të tyre, e cila më vonë u shoqërua edhe me melodi, pasoi në një luftë të vërtetë të kërcimeve të fuqishme por që njëkohësisht ishin aq të bukura dhe aq të shpejta saqë vështirë të mbahen mend të gjitha nga audienca por që këtë talent balerinët e kanë të futur thellë brenda vetes duke treguar koncentrimin e tyre përderisa fokusi i tyre mbetet sjellja e magjisë unike që vetëm ata dinë ta sjellin në formën e tyre të mrekullueshme.

Dëshmi për këtë ishte edhe momenti kur secili në sallë u ngritë në këmbë dhe duartrokiti vazhdueshëm me një energji të jashtëzakonshme kur balerinët përfunduan aktin e fundit humoristik por tejet të suksesshëm.

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas një shfaqje të tillë, në një prononcim për KultPlus, asistenti Julian Moss i cili për herë të parë ishte në Kosovë për realizimin dhe finalizimin e kësaj premiere, e cilësoi këtë si një natë të mrekullueshme.

“Unë mendojë se ishte një natë tepër e mrekullueshme, trupa e baletit performoi në një mënyrë mjaft të mirë dhe shpresoj se audienca është kënaqur shumë gjithashtu. Ishte shumë e mirë sepse trupa e baletit ka përmbushur pritshmëritë e mia, por që gjëja më e rëndësishme është që publiku ta shijojë performancën dhe kur ata të largohen, të largohen duke u ndjerë se kanë parë diçka që është e mirë”, thotë Moss.

Sipas tij, është e këndshme që në një kohë të tillë pandemike, e cila është një kohë shumë e vështirë për të gjithë, ata kanë arritur të kenë një audiencë të vogël të cilët kanë parë një grup kërcimtarësh duke punuar vërtetë shumë dhe kjo për Moss është gjithmonë gjëja më e bukur sepse ai e dashuron teatrin prandaj duke parë trupën duke kërcyer dhe publikun duke e shijuar, nata për të ishte perfekte.

Ai tutje tregon se pikërisht koreografi i njohur Robert North ka lënë një mesazh për natën e mbrëmshme.

“Unë fola me të në telefon sot në mëngjes dhe ai tha: paçi fat dhe ‘break a leg’, që është një shprehje në botën e kërcimit. Por, edhe pse jo prezent, ai ishte këtu me shpirt”, shprehet Moss.

Duke rikujtuar intervistën e mëparshme për KultPlus ku ai është shprehur se ishte duke kërkuar për një diamant i cili është i vrazhdë por që është dashur ta lustrosh deri në shkëlqimin perfekt të tij, Moss pohon se pikërisht e gjithë trupa e baletit po shkëlqenin sonte dhe kjo është gjithmonë e mrekullueshme.

Ndërsa për të treguar më shumë për momentet e veçanta pas një shfaqje të tillë, për KultPlus, ka folur edhe balerini Fatmir Smani.

“Për neve performanca ishte e veçantë në disa aspekte e sidomos për shkak të pandemisë sepse duke pasur parasysh kushtet tona dhe se si është realizuar e gjitha kjo me kufizime dhe distancë, për të cilat jemi munduar ti respektojmë, por që megjithatë profesioni jonë nuk mund ti përballojë të gjitha gjërat sepse normalisht ka qenë rrezikshmëri për neve por që në fund e gjitha kjo ka një vlerë të madhe”, tregon Smani.

Ai tutje tregon se për të ishte një privilegj që luajti në këtë shfaqje e cila ka emër botëror dhe luhet nga trupat më të mëdha të baletit dhe e cila është përgatitur për një muaj e një javë me praninë e koreografëve fantastikë.

“Është kënaqësi e madhe edhe pse me 20% publik, për neve ka qenë si me qenë 200%”, potencon ai.

Sipas tij, performanca e tyre i ka tejkaluar pritshmëritë e publikut sepse në momentin kur e kanë kuptuar se publiku do të jetë vetëm 20%, ata kanë menduar se energjia do të jetë më e zbehtë por përkundrazi energjia ishte aq e madhe saqë të gjitha ulëset e zbrazëta janë përmbushur edhe me energjinë e atyre të cilët nuk ishin prezent.

Repriza e parë e shfaqjes ‘Entre Dos Aguas & Troy Game’, vjen sonte pastaj është menduar një pauzë e shkurtër sepse teatri do të filloj renovimin e shumëpritur. / KultPlus.com

Louis Vuitton hedh në treg çantën si aeroplan, kushton 39 mijë dollarë

Shtëpia e modës Louis Vuitton është kthyer në qendër të vëmendjes këtë javë pasi ka krijuar një koleksion çantash që është në formën e një aeroplani. Ky koleksion u prezantua në Paris në janar dhe tani del në dyqane.

Drejtori krijues i Louis Vuitton Virgil Abloh, i cili është gjithashtu themeluesi i markës Off-White, doli me një çantë në formën e një aeroplan që shitet me 39,000 dollarë.

Abloh njihet për eksperimentimet e tij. Vitin e kaluar ai krijoi një cantë të mbushur me arushë të vegjël. Abloh, megjithatë, nuk është i parë që doli me çanta në formë të çuditshme, një mënyrë që ndjekin shtëpitë e modës për të tërhequr vëmendjen më shumë sesa të bëjnë shitje.

Çanta “Hektor” e stilistit amerikan Thom Browne, e cila është në formën e një qeni, është kthyer në një trend dhe kushton nga 26.000 dollarë në 30.000 dollarë për ato që e duan me lëkurë krokodili. / KultPlus.com

Alban Nimani ripërpunon këngën “Vjollcat”, në kujtim të Violeta Rexhepagiqit (VIDEO)

Janë bërë sot plot një vit pa Violeta Rexhepagiqin, ikonën e muzikës dhe stilit. Ajo ishte një prej këngëtareve më të famshme të viteve 80-të e 90-të, një artiste avangarde dhe shumë e veçantë për nga stili i saj, shkruan KultPlus.

Sot, në kujtim të këngëtares, duke dashur të shpreh mirënjohje për kontributin e saj në skenën kulturore dhe alternative, këngëtari Alban Nimani ka sjellë të ripërpunuar këngën “Vjollcat”.

“Vjollca” është një ndër këngët më të mira që Violeta ka lënë pas vetes dhe sot kjo këngë dëgjohet me shumë dëshirë.

Ndërsa, në këtë ripërpunim & video modeste të këngës “Vjollcat”, kanë punuar: Alban Nimani, Lum Çitaku, Armend Smajli, Tristan Halilaj dhe Dardan Ibrahimi.

Për të dëgjuar këtë version të veçantë, KultPlus ju sjell videon në vazhdim.  / KultPlus.com

Një vit pa Violeta Rexhepagiqin, ikonën e muzikës dhe stilit

Kompozitorja, këngëtarja dhe gazetarja e njohur Violeta Rexhepagiqi, ishte një prej këngëtareve më të famshme të viteve 80-të e 90-të, një artiste avangarde dhe shumë e veçantë për nga stili i saj, shkruan KultPlus.

Violeta Rexhepagiqi u largua nga kjo botë më 16 prill të vitit të kaluar, por krijimtaria e saj dhe kontributi i madh që e ka dhënë në fushën e gazetarisë dhe informimit tek populli shqiptar për ngjarjet dhe torturat e burgosjet që ndodhnin në Kosovën e para luftës, nuk do të harrohen kurrë.

Violeta Rexhepagiqi u lind në Prishtinë me 16 Shkurt të vitit 1965.

Mësimet e para të përgjithshme i ndoqi në shkollën e qytetit “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë” filloj të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës“. Njëkohësisht, Violeta interpreton më se 40 këngë për fëmijë, dhe luanë zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Në ndërkohë, Violeta nga adhuruesit e vegjël adhurohet dhe shikohet si shembull i rebelimit artistik.

Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës moderne të kohës “Vivien” rreth vitit 1984. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqëson për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Që më parë Violeta, ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoj deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat e armatosura serbe. Gjatë kësaj kohe ajo përgatiti programin artistik me të cilin merr pjesë në festivalin e Radio Televizionit Jugosllav. Pas okupimit të RTP-së ajo mbeti e pa angazhuar deri pranoj ftesën si reportere lufte pranë disa agjencive dhe televizioneve të huaja, si “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Për këtë qëllim ajo raportoji nga shumë vatra të luftës. Gjatë udhëtimeve të saja, ajo pësoj një aksident në komunikacion dhe si pasojë për mëse dy vite e gjysmë nuk mund të lëvizte gjymtyrët e trupit.

Nga viti 1995 në bashkëpunim me produksionin muzikorë “Labia” bëri incizimin e një disku. Gjatë luftës në Kosovë, si pasojë e lëndimeve të saja nuk ishte në gjendje të raportonte në mënyrë aktive edhe pse kohën e luftës e kaloj në Prishtinë. Në ndërkohë (2010), Violeta punonte pranë Radio Televizionit publik të Kosovës “RTK”, shkruante tekste këngësh dhe kompozon për këngëtarë të vijës së saj artistike. Gjatë punës së saj në RTK, ka përgatitur disa emisione dokumentare, si “Loja e heshtjes”,” Azizia”, “Linda”, “Joliria në liri”, etj. Ajo punoni në RTK deri në fund të jetës dhe në kohë të lirë shkruante tekste dhe kompononte këngë për të tjerët. / KultPlus.com

Merret vendimi: Nga e hëna, të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar vazhdojnë mësimin pa kufizime

Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur sot se nga e hëna, më 19 prill, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të vazhdojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla.

“Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, IKSHPK-në e Ministrinë e Shëndetësisë kemi marrë vendim që nxënësit të rikthehen në objekte shkollore. Komunat dhe shkollat do të vendosin të punojnë sipas njërit nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë”, thotë Nagavci.

Tutje, ajo ka njoftuar se komunat kanë njoftuar se janë të gatshme të vazhdojnë procesin mësimor sipas këtij vendimi, ndërsa gjatë fundjavës do të vazhdohet me dezinfektimin e godinave shkollore dhe do të jenë gati për vazhdimin e mësimit me pjesëmarrje fizike të nxënësve.

“Ftoj nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë akterëve të përfshirë në shkollë, që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë”, apelon krejt në fund Nagavci. / KultPlus.com