Ribashkimi i shumëpritur për edicionin special të shout televiziv “Friends”, më në fund është bërë me datë të lansimit dhe triler të ri, pas vonesave të gjata të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Me titull “Friends: The Reunion”, ky projekt do të jetë në dispozicionin e fansave përmes platformës HBO Max, nga 27 maji i këtij viti. Ribashkimi u mundësua pasi e gjithë kasta e aktorëve të serialit origjinal, arritën të xhirojnë së bashku muajin e kaluar.
“Friends” është një prej serialeve më të suksesshme televizive, që u transmetua nga viti 1994 deri më 2004 si dhe i përfshinte mbi 200 episode. Shou i shtjellonte historitë e gjashtë miqve nga New Yorku, Ross dhe Monica Geller të cilët ishin vëlla e motër, Chandler Bing dhe Joey Tribbiani, të cilët jetonin bashkë në një apartament dhe Rachel Green dhe Phoebe Buffay.
Shou i ri 10 episodesh ka gjetur gjenerata të reja të adhuruesve falë ritransmetimeve nëpër televizione të ndryshme, dhe në platformën digjitale Netflix.
Të gjashtë aktorët e serialit, Matthew Perry, Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer, do të marrin pjesë në këtë projekt të ardhshëm.
Krahas tyre në role dytësore rikthehen aktorët, Maggie Wheeler, James Michael Tyler, Reese Witherspoon, Tom Selleck, Elliott Gould dhe Christina Pickles.
Ndër mysafirët e famshëm që do të kenë paraqitje të shkurtër në shoun, “Friends: The Reunion”, janë: David Beckham, Lady Gaga, grupi “BTS”, Cara Delevingne, Mindy Kaling, James Corden, Malala Yousafzai dhe Justin Bieber.
Një triler i shkurtër i këtij edicioni special është publikuar të enjten, ku shfaqen gjashtë aktorët e famshëm duke ecur përkrahë njëri-tjetrit, të shoqëruar nga tingujt e kolonës zanore ikone të shout, “I’ll Be There For You”.
Në nëntor të vitit të kaluar u bë i ditur lajmi se një ribashkim i plotë i ekipit të serisë së popullarizuar është në realizim e sipër, me qëllim të festimit të 25-vjetorit të publikimit të “Friends”. / KultPlus.com
Ylli i Mixed Martial Arts (MMA), Conor McGregor ishte sportisti më i paguar në botë në vitin 2020, me rreth 180 milionë dollarë të ardhura (rreth 149 milion euro), kryesisht nga aktivitetet e tij të biznesit, sipas revistës Forbes.
Sipas Forbes, McGregor ishte një nga katër atletët që fitoi më shumë se 100 milionë dollarë në 2020.
Lionel Messi vjen në vendin e dytë në listë me 130 milionë dollarë të ardhura (rreth 107 milionë euro), i ndjekur nga Cristiano Ronaldo (120 milion dollarë, rreth 99 milionë euro).
Qendërmbrojtësi amerikan i Dallas Cowboys, Dak Prescott përmbyll katërshen e parë, me të ardhura 107,5 milionë (89 milion euro), përpara yllit të Lakers LeBron James (96,5 milionë dollarë, rreth 79 milion euro) dhe brazilianit të PSG-së, Neymar (95 milionë dollarë, 78 milionë euro)./ atsh / KultPlus.com
Si shumë artist tjerë të botës, edhe artistët tanë, ndër vite i kanë kushtuar këngë nënave të tyre, duke shprehur dashurinë dhe mallin që kanë për to, shkruan KultPlus.
Njëra nga këto këngë është “Baladë për nënë”, interpretuar nga këngëtari i njohur nga Struga, Selami Kolonja.
KultPlus më poshtë ju sjell këngën dhe tekstin e saj.
Erdha nanë nga gurbeti për të parë o moj me sy,
ah i mjeri çfarë më gjeti kishe mbyllur ata sy,
ah i mjeri çfarë më gjeti kishe mbyllur ata sy…
M’dogji malli i fëmijërisë,
kisha kohë që s’të kisha parë,
Thash të gjej tek pragu i shpisë, por të gjeta moj në varr,
thash të gjej tek pragu i shpisë, por të gjeta moj në varr.
Nëna ime, nëna ime, se besoj se s’je më ti,
Ti po fle moj nën hije dhe do zgjohesh përsëri.
Nëna ime, nëna ime, se besoj se s’je më ti,
Ti po fle moj nën hije dhe do zgjohesh përsëri./ KultPlus.com
Muzetë në Greqi u rihapën për vizitorët të premten, ndërsa vendi nisi zyrtarisht sezonin turistik.
Muzeu i Akropolit, shtëpia e thesareve të gjetura në kështjellën antike dhe përreth saj, bashkë me muzetë e tjerë janë mbyllur që nga mesi i nëntorit, si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Zonat arkeologjike në ambient të hapur në gjithë Greqinë, përfshirë Akropolin, janë lejuar që të rihapen në muajin mars.
Vitin e kaluar numri i vizitorëve në Greqi ka rënë në 7.4 milionë ose 78.2 % më pak nga shifra rekorde prej 34 milionë sa ishte në vitin 2019 – sipas të dhënave zyrtare.
Greqia po shpreson të kthejë së paku gjysmën e numrit të vizitorëve sa kishte në vitin 2019.
Autoritetet atje janë zotuar që do ta përfundojnë vaksinimin e të gjithë popullsisë gjatë gjashtë javëve të ardhshme, derisa kanë hequr dorë nga kërkesa për testim për turistët që kanë marrë vaksina të prodhuara në Rusi dhe Kinë e të cilat nuk janë aprovuar për përdorim në vend./ KultPlus.com
Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, vdiq ditën e djeshme duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, qoftë personalisht apo përmes ekranit, përcjell KultPlus.
Gjatë ditës së sotme për të nderuar figurën e Bogujevcit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve ‘Shota’ ka organizuar një ceremoni komemorative, ku personalitete të shumë kanë bërë homazhe tek Teatri Kombëtar i Kosovës.
Ndërkaq fotografi nga këto homazhe ka publikuar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili njëkohësisht ka shkruar se vepra e Bogujevcit do të frymëzoj breza të tëra artistësh.
“Pusho i qetë Ismet Bogujevci. Vepra dhe personaliteti yt do të frymëzojnë breza artistësh, aktivistësh e atdhetarësh”, është shkrimi në Facebook i Ministrit./ KultPlus.com
Pusho i qetë Ismet Bogujevci. Vepra dhe personaliteti yt do të frymëzojnë breza artistësh, aktivistësh e atdhetarësh.
Një fshat po lufton për të gjetur një mësues, pavarësisht ofertës bujare të një apartamenti falas dhe një makine.
5 fëmijë midis moshës 10 dhe 8 janë duke kërkuar që aplikantët të paraqiten përpara, ose ata do të përballen me një udhëtim të gjatë me autobus për në një shkollë tjetër.
Mësuesi i mëparshëm në shkollën e fshatit Simplon, në kantonin Valais, po pensionohet pas 39 vjetësh, shkruajnë mediat zvicerane.
Kryetari i Bashkisë, Sebastian Arnold, thotë se ka pasur vetëm 7 aplikime – por asnjë nuk është i kualifikuar siç duhet ose nuk mund të fillojë shpejt.
Prindërit kanë filluar një fushatë PR me shpresën se dikush do të tundohet të shkojë në fshat.
Një nënë thotë se nëse fëmijët e saj duhet të shkojnë në një shkollë tjetër, ata do të ngriheshin shumë herët dhe do të jenë vonë në shtëpi – që do të thotë se do të luftojnë për të bërë detyrat e shtëpisë./ KultPlus.com
Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare amerikane e Shtetit.
Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 – “Zonja Sekretare”.
Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane.
Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas New York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale.
Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”,
Por si kaloi jeta e saj nga fëmijëria deri në shtigjet e politikës, mund ta mësoni më poshtë:
“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal
Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frengjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.
Familja e saj iku nga nazistët
Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist.
Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.
U shfaq në një film për refugjatë
Kur ishte në Angli, Albright u përzgjodh për t’u shfaqur në një film për fëmijët e refugjatëve të luftës. Si formë shpërblimi, ajo morri një arush prej pellushi.
Familja kthehej në Çekosllovaki herë pas here
Albright (e cila flet rrjedhshëm gjuhën çeke) do të kthehej në Çekosllovaki shumë herë si e rritur, duke përfshirë edhe tetorin e vitit 2003, kur ajo udhëtoi atje për të nisur autobiografinë e saj.
Megjithëse familja i ishte mirënjohëse që u kthye në vendin e lindjes, ajo nuk qëndroi atje shumë gjatë.
Familja e tyre nis një jetë të re në Denver
Pasi babai i saj mbërriti në SHBA, familja jetoi në Long Island duke pritur që t’i jepej azil politik. Pasi Josef siguroi punë si mësimdhënës në Universitetin e Denverit, familja u vendos në qytetin e tyre të ri dhe Albright filloi të studionte në Kolegjin Kent Denver, ku dhe themeloi Klubin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të shkollës.
Ishte tejet e sukseshme në Kolegj
Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin Wellesley, dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Në vitet para diplomimit, ajo u bë shtetase dhe u njoh me burrin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright, gjatë një pune praktike në Postën e Denverit. Në librin e saj, Albright kujton se ishte traditë që gratë në Wellesley të martoheshin në ditën e diplomimit. Përkundër kësaj, ajo priti tri ditë pas marrjes së diplomës për t’u martuar me Jozefin.
Nga një vend në tjetrin – një jetë në lëvizje
Albright u zhvendos disa herë për shkak të karrierës së Jozefit. Nga viti 1961, çifti jetoi në Rolla të Missourit dhe Çikago përpara se të jetonin në Long Island, ku edhe lindën binjakët e tyre, Alice dhe Anne.
Në vitin 1962 familja u zhvendos në Georgetown, ku Madeleine studioi marrëdhëniet ruse dhe ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.
Kur ata u kthyen në Long Island në vitin 1963, Albright vazhdoi studimet e saj në Universitetin e Kolumbias, ku dhe morri një certifikatë masteri, në vitin 1968 edhe një doktoraturë, e më pas lindi edhe vajza e saj e tretë.
Zhvendosja në Uashington i dha kahje karrierës së saj
Albright u përfshi më shumë në politikë kur familja e saj u rikthye në D.C në vitin 1968. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, ajo shërbeu si ndihmëse kryesore e senatorit Edmund S. Muskie, më pas ndihmëse e senatorit Zbigniew Brzezinski.
Ajo ndoqi hapat e të atit për shkollim akademik
Pasi martesa e saj 22-vjeçare përfundoi me divorc në vitin 1982, Albright u bashkua me Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown si profesoreshë e Shkencave Kërkimore në Çështjet Ndërkombëtare, ku ushtroi disa kurse universitare dhe pasdiplomike. Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoreshë e programit të Shërbimit të Gruas në Shërbimin e Jashtëm.
Si ambasadore e OKB-së bëri zgjedhje të vështira
Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Megjithëse ishte shpesh një nga gratë e pakta në Dhomë (dhe shumë herë, e vetmja), Albright nuk e la veten në heshtje; ajo e kuptoi se nëse vetëm vëzhgonte, dëgjonte dhe nuk do të fliste, do të thoshte se zëri i Shteteve të Bashkuara nuk do të dëgjohej.
Roli i saj historik si Sekretare Shteti
Ndërsa Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997.
Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA-ve”.
Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.
E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior
Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.
Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.
Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje
Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.
Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.
Gjithnjë ka patur një sens humori
Albright ka thënë se ajo ishte shumë serioze si fëmijë, por duke u rritur ka zhvilluar sens të jashtëzakonshëm humori.
Kështu, si diplomate, ajo ka ditur të reagojë edhe në situata të tensionuara. Për t’u argëtuar, zonja Albright madje ka marrë pjesë në show-in televiziv – Gilmore Girls.
Veshja e saj me stil dhe karficat me mesazhe
Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu.
Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.
Bizhuteritë e vajzës së adoptuar të Napoleon Bonapart-it janë shitur në ankand në vlerën 1.4 milion Euro.
Bizhuteritë që u ofruan të ndara, i përkisnin Stephanie de Beauharnais, siç bëri të ditur shtëpia e ankandeve Christie’s të mërkurën.
Fillimisht ishte përllogaritur, që çmimi i shitjes të arrinte deri në rreth 390.000 euro, por i kaloi pritshmëritë.
Nëntë bizhuteritë prej safirësh dhe diamantesh u nxorën në ankand me rastin e 200 vjetorit të vdekjes së perandorit francez.
Beauharnais e kishte marrë setin e bizhuterive, që përbëhet nga një kurorë, varëse dhe vëthë, si dhuratë me rastin e dasmës së saj me princin Karl von Baden.
“Kishte një kërkesë të lartë nga e gjithë bota”- tha organizuesi i ankandit Max Fawcett.
Përveç rëndësisë historike, bizhuteritë kanë shumë vlerë për shkak të ngjyrës blu natyrale./ KultPlus.com
E pakrahasueshme, për talentin dhe bukurinë! E njohur botërisht edhe për origjinën shqiptare.
Irene Papas (Leleku), artistja e famshme greke, që interpretoi edhe krah aktorit tjetër të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, e ka pohuar origjinën e saj të hershme, pikërisht në bisedat me “Uliksin” që vinte nga skaji tjetër i shkëputur i Shqipërisë – Kosova!
Çështjes i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi Aristidh Kola, në librin “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, botuar në Athinë më 1983. Vetë aktorja në një intervistë, e pyetur se përse ishte kaq ezmere, është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”.
Abaz Hoxha po ashtu, studiues i kinemasë, e ka përmendur origjinën e saj shqiptare, në librin “Shqiptarët në kinematografinë botërore”.
Irena Papa Leleku lindi në Athinë, më 3 shtator 1926.
Karriera e saj artistike, do të niste rrugëtimin qyshse e vogël, 10-vjeçare, si këngëtare dhe kërcimtare në variete.
U diplomua në Shkollën e Dramës të Teatrit Kombëtar të Athinës. Roli i parë në kinematografi do të ishte “Engjëjt e humbur” (1950). Kryesisht është shfaqur me rolet kryesore të heroinave në tragjeditë klasike greke – role që e tërhiqnin edhe falë pamjes së saj, si të ishte e lundur për rolet e tragjedive klasike. Debutoi me shumë sukses në kinematografinë botërore dhe veçanërisht në atë italiane, franceze dhe amerikane.
Për herë të parë u bë e njohur me interpretimin në filmin grek “Nekropolita” – “Qytet i vdekur”, më 1951. Menjëherë ra në sy të kineastëve italianë dhe lidhi një kontratë me kompaninë “Lux Film”, çfarë solli iterpretimin në shumë filma. Më pas, u angazhua në shumë filma amerikanë dhe bashkëprodhime italo-amerikane, anglo-amerikane, spanjollo-amerikane, greko-amerikane etj., duke u bërë kështu, një aktore shumë e kërkuar edhe ndërkombëtarisht.
Ka interpretuar në filma nga Amerika në Francë, nga Anglia në Itali, nën drejtimin e regjisorëve të njohur Robert Wise, Mihail Kakojanis, nga Jorgo Xhavella tek Elio Petri, Alberto Latuada dhe Françesko Rosi, nga Kosta Gavras te Ray Guerra,betj.
Irena Papa ka interpretuar rolet kryesore të heroinave të tragjedive, si atë të Elektrës, Klitimestrës, Penelopës, Antigonës, perandoreshës Teodora, Katerina e Aragonës, rolin e vejushës në filmin shumë të suksesëshëm “Zorba”, të gjyshes në filmin “Erendiras”, etj. Në vitin 1959, Irena ka interpretuar gjithashtu rolin e heroinës të revolucionit grek të 1821, arvanitases Laskarina Bubulina.
Ajo është ngjitur në piedestalin e yjeve të kinemasë botërore, me rolet e saj epike, falë mjeshtërisë aktoriale veshur me mantelin e hijeshisë së një portreti të skalitur bukurie femërore. Së bashku me Melina Mërkurin, artistet i kapërcyen kufijtë e atdheut të tyre, duke u shndërruar yjet e kinemasë botërore. Papas ka interpretuar përkrah aktorëve të njohur, si: Antoni Kuin, Zhan Maria Volonte, Bekim Fehmi, Marlon Brando, Katerinë Hepbërn, etj.
Mbi 80 role në kinema dhe ekran
Për interpretimet e shquara në kinema dhe teatër, Irena Papa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si: Aktorja më e mirë në interpretimin e rolit të Elektrës, në filmin me të njëjtin titull në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit zhvilluar në Selanik, 1962, si aktorja më e mirë nderuar nga Bashkimi i kritikëve të Filmit grek, 1962, si aktoria më e mirë në rolin e dytë në filmin “Z” nga New York Film Critics Circle, 1969; aktorja më e mirë në filmin “The Trojan Women”nga National Board of Rewiew, 1971; me çmimin Distinguished Achievement Award nga Hamptons International Film Festival (1993); me çmimin e karrierës për interpretim në Teatër, 1993 “ Flaiano” ;me çmimin e karrierës nga Madrid National Arts Institution, 2000; me çmimin e karrierës nga International Festival Women’s films, 2000; me titullin Doktor i Arteve dhe letrave nga Universiteti i Romës, 2001; me çmimin e karrierës Woman of Europe.
U nderua me titullin e nderit, si “Gruaja e Evropës”, një titull nderi grave që kanë dhënë kontribut të veçantë në civilizimin evropian.
Irena Papa u zbulua fillimisht nga regjisori i njohur Elia Kazan, ndërsa Federiko Fellini ishte një admirues i madh i veprës së saj. Irena ka qenë edhe një shoqe e dashur e aktores tjetër të madhe me njohje ndërkombëtare, Katherinë Hepburn, me të cilën ka interpretuar në filmin “The Trojan Women”(1971). Dikur aktorja shumë e njohur K.Hepburn, dy herë e nderuar me çmimin “Oscar”, ka deklaruar se: ”… Irena është një nga aktoret më të mira, në historinë e kinemasë.”. Një nga miqtë më të afërt të artistes, ka qenë edhe aktori i madh, Marlon Brando.
Sikurse edhe aktorja tjetër greke, e famshme në botë Melina Merkuri, ka regjistruar disa disqe që kanë marrë statusin e muzikës klasike greke dhe janë bërë shumë popullore, titulluar “Ode dhe rapsodi”, përmbajnë 15 këngë dhe himne tradicionale të Kishës Ortodokse greke, këngë nën arranxhimin e kompozitorit fitues i çmimit Oskar, Vangelis Papathanasi. Po ashtu, ka regjistruar edhe këngë të kompozuara nga Mikis Theodorakis./ KultPlus.com
Irene Papas në rolin e Bubulinës, film i vitit 1959
Procesi i vaksinimit të personave mbi moshën 65 vjeçare do të vazhdojë gjatë vikendit, por do të vaksinohen vetëm ata që do të thirren nga Ministria e Shëndetësisë, përcjell KultPlus.
Kjo ministri ka njoftuar se vaksinimi për komunën e Prishtinës do të vazhdojë në sallën “1 Tetori”, derisa në komunat e tjera të vendit do të bëhet në lokacionet e caktuara nga Drejtoritë Komunale për Shëndetësi.
Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19 e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar.
Vaksinimi në komuna gjatë dy ditëve të ardhshme do të bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.
Vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme deri në ora 17:00 me vaksinën kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë të Kosovës.
Kjo ministri ka njoftuar se gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen pritet ardhja edhe e kontigjenteve tjera të vaksinave.
Më poshtë është lista e qendrave aktuale të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.
Qytet-shteti antik i Spartës, mund të ketë rënë gati 2400 vjet më parë, por sot, 2000 njerëz ende flasin gjuhën e luftëtarëve të saj antikë.
Në fshatin malor, Pera Melana, në gadishullin jugor të Peloponezit, ka të ngjarë të dëgjoni, në kafenetë qendrore të fshatit, një gjuhë të pazakontë në bisedat mes pleqve. Folësit janë pasardhësit gjuhësorë të Spartës antike, një gjuhë 3000-vjeçare të quajtur Tsakonika.
Kjo gjuhë flitet shpesh në shtëpitë e banorëve të kësaj zone, megjithatë e ardhmja e saj mbetet e pasigurt. “Ne po e humbasim atë, nuk ka mësues që t’ua mësojë brezave të rinj”, tha për BBC, Thomais Kounia, e njohur si “perandoresha e Tsakonika”. “Unë jam përpjekur ta ruaj gjuhën për 40 vitet e fundit. Është detyra ime ta bëj këtë.”
Tsakonika nuk është e rëndësishme vetëm për identitetin dhe kulturën vendase, por është trashëgimia e vetme e vazhdueshme e spartanëve të lashtë. Gjithashtu, është gjuha më e vjetër e gjallë në Greqi – që paraprin greqishten e re me rreth 3100 vjet – dhe një nga gjuhët më të vjetra në Europë.
Tsakonika bazohet në gjuhën dorike që flitej nga spartanët e lashtë dhe është dialekti i vetëm i mbetur nga dega perëndimore dorike e gjuhëve helene. Në të kundërt, greqishtja rrjedh nga dialektet jonike dhe atike në degën lindore. Secila prej tyre përdor një alfabet të ngjashëm, por Tsakonika ka më shumë simbole fonetike dhe ndryshon në strukturë dhe shqiptim. Një frazë e famshme në këtë gjuhë është ajo nga Leonidhas I, të cilit komandanti persian i kërkoi të dorëzonte të gjitha armët ose të vdiste dhe Leonidhas iu përgjigj: “Ejani t’i merrni!”.
Rreth 5000 njerëz flisnin gjuhën Tsakonika deri në fund të viteve 1950, por kur greqishtja e re u bë gjuha kombëtare në 1976, ky numër u zvogëlua me më shumë se gjysma në dekadat e mëpasshme. Mësues të shumtë erdhën në atë zonë për t’ju mësuar banorëve greqishten e re dhe Tsakonika nisi të braktisej e madje të stigmatizohej si një “gjuhë fshatare”.
Historikisht, Tsakonika ka qenë jo e shkruar, për këtë arsye nuk ka dokumente e as letërsi të shkruar në këtë gjuhë. Jo më kot, fjala “lakonike” vjen nga Laconia, banorët e së cilës ishin të njohur për shkurtësinë verbale dhe përdorimin e togfjalëshave. Pra, ka relativisht pak fjalë tsakoniane – përllogariten nga 8000 deri në 10 000 të tilla.
Për të ruajtur gjuhën në vitin 1986, u botuan tre vëllime fjalorësh, por që prej asaj kohe asnjë përpjekje më shumë nuk është bërë për ta ruajtur atë. Tashmë, në epokën e teknologjisë, po punohet shumë që të kryhet digjitalizimi dhe ruajtja e saj, për t’u trashëguar edhe në brezat pasardhës./ KultPlus.com
Një grua që pretendon të ketë blerë biletën fituese në një short të Lotarisë në Kaliforni prej 26 milion dollarë thotë se e la atë në xhepin e pantallonave dhe e shkatërroi atë në lavanderi, raportojnë mediat amerikane.
Bileta fituese SuperLotto Plus u shit në një dyqan në periferi të Los Angeles të Norwalk në nëntor.
Gruaja, thuhet se u kap nga kamerat duke blerë një biletë në dyqan në atë kohë.
Por afati i caktuar për të kërkuar çmimin kaloi të enjten.
Një anëtar i stafit në dyqanin në Norwalk, Esperanza Hernandez, tha se një grua e kishte vizituar të Mërkurën duke pretenduar se ajo ishte fituesja, por se e kishte humbur biletën./ KultPlus.com
Në vitin 1910 një ushtar shqiptar në New York, pozonte për fotografin Augustus Sherman, si pjesë e një projekti ku ishin të përfshirë disa emigrant nga vende të ndryshme.
Insider shkruante për foton: “Kapelja që mban në kokë njihet si qeleshe, forma e të cilit përcaktohet kryesisht nga rajoni dhe merr dormën e kokës. Jeleku, i njohur si jelek ose xhamadan ishte zbukuruar me gërsheta të qëndisura prej mëndafshi ose pambuku, ngjyra dhe dekorimi i tij shënonte rajonin nga vinte përdoruesi dhe niveli i tyre shoqëror. Më shumë gjasa, ky ushtar është nga rajonet verilindore të Shqipërisë duke gjykuar nga prerja dhe ngjyra e veshjes së tij.”
Fotografi Augustus Frederick Sherman ka punuar në poste të larta klerikale në Ellis Island.
Ai ishte në vitin 1893 si nëpunës në Divizionin Ekzekutiv; dhe gjithmonë ju dhanë në pozicione më të larta, nga 1895 deri në 1925./ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka hapur konkursin për renovim artistik të Tunelit të Kurrizit, me qëllim që të hartohet zgjidhja urbane dhe arkitektonike për rigjenerimin e këtij tuneli në mënyrë që kjo hapësirë të shërbejë për ngjarje kulturore, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha i cili nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se Tuneli i Kurrizit në lagjen Dardania paraqet një nga asetet kulturore dhe ekonomike të cilin Komuna e Prishtinës do ta rivitalizoj në mënyrë që të rikthehet aktiviteti në këtë pjesë të qyteti, njëlloj sikurse përgjatë viteve të ’90-ta.
Data e fundit për aplikim në këtë konkurs është deri më 14 qershor në orën 14:00
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:
Hapet KONKURS per renovimin artistik te Tunelit te Kurrizit
Tuneli i Kurrizit ne lagjen Dardania, paraqet nje aset kulturor dhe ekonomik, te cilin Komuna e Prishtines do te revitalizoj ne menyre qe ta kthej atraktivitetin ne kete pjese te qytetit, ashtu si ishte gjate viteve 90’.
Qellimi kryesor i konkursit eshte hartimi i zgjidhjes urbane dhe arkitektonike per regjenerimin e Tunelit te Kurrizit nepermjet artit, ne menyre qe kjo hapesire te sherbeje per ngjarje te ndryshme kulturore.
Ju ftojme qe te aplikoni me projektet tuaja.
Ne linkun me poshte mund te njoftoheni me hollesisht rreth konkursit:
Ditë më parë është bërë e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar Teatrin Kombëtar të Kosovës që të zbatojë vendimin e Inspektoriatit të Punës të vitit 2019, ku sipas të cilit, i kërkohet Teatrit Kombëtar që çështjen e ndarjes së roleve për shfaqjet e tija ta rregullojë me një rregullore të brendshme, përcjell KultPlus.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është si në vijim;
Në përgjigje të kërkesë së SHSTKK-së, Gjykata Themelore në Prishtinës-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, aprovoi kërkesën e SHSTKK-së dhe caktoi masën përmbarimore ndaj Teatrit Kombëtar.“TKK-ja obligohet që çështjen e ndarjes së roleve ta rregullojë me rregullore të brendshme ose në formë amandamentimi ta plotësojë rregulloren ekzistuese, në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi. Ky aktvendim ka efekt sekuestrimi dhe nëse nuk veprohet sipas këtij aktvendimi, do të aplikohen dispozitat e neneve 15 dhe 16 të LPP-së”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kurse pas këtij vendimi ka reaguar Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës të cilët kanë shkruar se i gëzohen këtij aktvendimi. Sipas tyre një rregullore e tillë do të ia kufizoj menaxhmentit mundësinë e ndërhyrjes tek regjisorët në imponimin e ekipeve të aktorëve në shfaqje.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e tyre të plotë:
Gati rregullorja, për mënyrën e ndarjes së roleve për aktorët e Trupës Rezidente dhe aktorët e jashtëm.
Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, njofton të gjithë komunitetin artistik se pas shqetësimeve të akumuluara në vazhdimësi nga akorët për çështjen e ndarjes së roleve më të njofshëm, i gëzohet aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë , me anë të të cilit Teatri Kombëtar i Kosovës urdhërohet ta miratoi rregulloren për mënyrën e ndarjes se roleve, për aktorët e brendshëm dhe ata të jashtëm. Pas ndërhyrjeve sistematike të menaxhmentit tek regjisorët, në çështjen e ndarjes se roleve si dhe papërgjegjësisë së regjisorëve në kompletimin e ekipeve kreative të shfaqjeve, miratimi i rregullores se sipërpërmendur, tani më do të jetë një fakt i kryer.
Në mungesë të një rregulloreje të tillë, shkalla e keqpërdorimit dhe manipulimit në ndarjen e roleve ka arritur deri aty, sa janë qerasur më role shokët, dashnorët, familjarët e menaxhmentit dhe regjisorëve, janë paguar e shlyer borxhe, deri tek qerasja me role për vetën (për këtë të fundit, kemi dy raste të vërtetuara edhe nga Agjencia Kundër Korrupcion).
Keqpërdorimi në ndarjen e roleve, ka qenë evident në vazhdimësi në këtë teatër, por se viteve të fundit është shndërruar në rregull, prandaj ka lindur nevoja e domosdoshme për miratimin e një akti të tillë normativ, që e rregullon këtë procedurë.
Rregullorja si e tillë, nëpërmjet mekanizmave të saj sanksionues, do të ia kufizoi menaxhmentit mundësinë e ndërhyrjes tek regjisorët në imponimin e ekipeve aktoriale të shfaqjeve, si dhe kufizon vet regjisoret të angazhojnë aktorë bazuar në interesa private, në dëm të interesit artistik. Përkundrazi ky akt kaq i nevojshëm normativ, ju jep liri të plotë artistike regjisorëve, që të pa ndikuar nga menaxhmenti dhe nga interesat e tyre meskine, të përcaktojnë ekipet aktoriale në shfaqjet ku ata bëjnë regjinë.
Ky Aktvendim Përmbarimor nga Gjykata, është lajm i mirë për të gjithë komunitetin e aktorëve dhe artistëve skenik, por është lajm i “rënd” për të gjithë ata që e kanë shndërruar në pazar çështjen e ndarjes së roleve, duke e dëmtuar në vijimësi artistikisht dhe financiarisht Teatrin Kombëtar.
Të takosh Kadarenë është një ndjesi e çuditshme. Them e çuditshme, për të mos e kanalizuar vetëm në e fortë apo e bukur, e në fakt, përtej së bukurës, është emocion i fortë, në të cilin mbeten të gjitha nënndjesitë e tjera. Imagjino një argjentinas që ka takuar Sabaton, ose Borgesin, apo një i ri spanjoll që takon Javier Mariasin.
Dikush do të mendojë se çfarë fati, por parë nga një tjetër këndvështrim, dikush atje në Spanjë ose Argjentinë mund të mendojë se çfarë fati është të takosh Kadarenë, diku larg në Shqipëri.
Pra, hiperbolizimi në këtë rast është realitet, për faktin se nga Madridi në Buenos Aires dhe më pas në Tiranë, ekziston një lidhje e pazgjidhshme, madhështia e letërsisë. Dhe ta prekësh këtë madhështi e më pas të përballesh me të, është një eksperiencë e rrallë.
Ditën kur unë takova Kadarenë për herë të parë, fjalia me të cilën më erdhi në mendje të prezantohesha ishte: “Mjeshtër, unë ju njoh më mirë se ç’njihni ju veten”. Dhe kjo ishte befasia që më dha mundësinë të ulesha pranë tij dhe më pas të bisedoja për rreth dy orë me të. Mbase nga emocionet (sigurisht që emocionet), ose hutimi, unë harrova ta regjistroja atë bisedë (sigurisht me lejen e Kadaresë), siç e kisha planifikuar.
Por pse zgjodha t’i prezantohem në atë mënyrë një shkrimtari si Kadareja, paksa arrogant dhe i vështirë si karakter, cilësi këto të ndërtuara mbi marrëdhënien disavjeçare shkrimtar-lexues, kryesisht në vendin e tij.
Zgjodha këtë prezantim, për shkak se e kam lexuar Kadarenë në mënyrë studimore, duke u rrekur përherë të isha më së shumti një zbulues i qenies së tij dhe më pas i veprës së tij. Afeksioni im për shkrimtarët dhe jetën e tyre jashtë letërsisë lidhet domosdoshmërisht me admirimin për këtë të fundit, por me Kadarenë ndodh ndryshe.
Një shkrimtar i ri, krahas stilit të shkrimtarëve të mëdhenj, që shpesh dhe pothuajse gjithmonë kërkon t’ua përvetësojë, e intrigon, ose le të themi, e ndjell, dhe jeta e tyre personale, së paku me mua ndodh ky afeksion i çuditshëm me pjesën e padukshme të “ajsbergut” e për rrjedhojë, edhe Kadareja nuk i kishte shpëtuar këtij zbulimi. Kisha lexuar pothuajse gjithçka për jetën e tij private, marrëdhëniet me diktatorin, me shkrimtarët e tjerë, me lexuesin dhe zakonet e të shkruarit, dhe përtej “ndikimeve” të jashtme në formën e presioneve, shpirti im e kishte përthithur këtë shkrimtar ashtu siç kishte bërë me të tjerë emra të mëdhenj të letërsisë botërore.
Dhe kthehem sërish te siguria ime e të diturit gjithçka për mjeshtrin dhe takimi im me të. Disa ditë para se Kadareja të festonte 85-vjetorin, u njoftua një botim i ri, ku në qendër të tij ishte Kadareja vetë. Jo si studim, ku janë me qindra mbi mjeshtrin, si referencë apo analizë e botimeve, por si një rrëfim i sinqertë (e theksuar kjo) i Kadaresë dhënë Alda Bardhylit.
Një intervistë e gjatë, e shtrirë në vite. Sinqeriteti më shtyn të them se isha skeptik në fillim, duke paramenduar një përsëritje, ose në rastin tjetër, një rrëfim të rezervuar dhe jo të drejtpërdrejtë, ashtu siç Kadare e kishte refuzuar përgjatë gjithë jetës së tij të deritanishme.
Duke parashtruar tezën se shkrimtarit i flet vepra, e kisha fjetur mendjen se pas “Dialog me Alain Bosquet”, apo librave të tij eseistikë dhe deri diku autobiografikë, si “Mëngjeset në kafe Rostand”, “Ftesë në studio”, apo “Nga një dhjetor në tjetrin”, të mund të lexoja diçka të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë nga Kadareja, sepse vetë rrjedha e ngjarjeve dhe rrebesheve, nëpër të cilat Kadare ka rendur, ia kanë tretur dhe njëkohësisht ndaluar të drejtën për të qenë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë.
Teksa shfletoja këtë rrëfim, pyetje pas pyetje nisa të kuptoj thelbin, dhe pas çdo përgjigjeje tentoja të evidentoja shkarjen e Kadaresë drejt një “falsiteti” të imponuar nga statura e shkrimtarit të madh, por në të vërtetë u përballa me një rrëfim të brishtë, të sinqertë dhe pa drojë të një njeriu jo lojcak, që rri stoik para gazetares e për rrjedhojë, para një publiku të dyzuar mes dashurisë dhe kundërshtisë (nuk ka urrejtje në këtë mes, shkrimtari mund të ndjellë vetëm xhelozi, por aspak urrejtje) që druaj e kupton, drojë kjo të cilën dhe Kadareja mund ta ketë.
Aty gjen fillesat e Kadaresë, romanet e botuara, ato të ndaluara dhe më pas sërish të lejuara, marrëdhënien me Enver Hoxhën, me Lidhjen e Shkrimtarëve, me Helenën dhe me çdo grua që kaloi qoftë dhe një herë në jetën e tij. Aty gjen vizitën në Kosovë, Parisin, parë nga syri tragjik i një shkrimtari, që vinte nga një realitet i tillë. Miqësitë me Drago Siliqin, me Azem Shkrelin dhe veçoritë e tyre dhe të krejt atyre që Kadareja i çmonte si miq të ngushtë (dhe sërish me një lloj krenarie dhe pezmi, i thosha vetes se dhe ti, mbase në një tjetër kohë, do të kishe qenë një shok i çmuar i Kadaresë).
Dhe teksa lexon, vë re edhe pyetjet analitike, ato personale, por edhe ato të hidhurat, ku Kadareja reagon jo pa emocion si: “A e keni përdorur librin për t’u afruar me Enver Hoxhën?” ose “A mos jeni tepër maskilist në letërsinë tuaj?”. Dhe s’ka aspak qasje intimiduese në këtë intervistë, siç natyrshëm nuk duhet të ketë, por as qasje konformiste, siç prapë nuk duhet të ketë.
Po pse ky rrëfim dhe çdo rrëfim i Kadaresë ngjall reagime dhe krijon zhurmë në opinion dhe përtej kësaj zhurme gjithçka merr trajtën e deformimit, kur analiza dhe vetëpërmbajtja ndaj një gjeniu të këtij kalibri duhet të jetë e natyrshme.
Dhe kur them vetëpërmbajtje nuk kam parasysh mosreagim, por një vetëpërmbajtje të kontrolluar nga faktet dhe rrethanat, në të cilat Kadare, përkundër tyre, arriti të shkruajë atë lloj letërsie magjike, të cilën ia la trashëgimi botës. Dhe sërish bie në kurthin e polemikave banale të kamotshme, të cilat dashje pa dashje, krejt natyrshëm, shoqërojnë jetën e gjenive, prej se bota u krijua e deri më sot.
Në një tezë të shkruar diku dhe të shtjelluar më vonë, theksoj se ngjarjet e kobshme të një vendi të vogël si ky yni, lidhen me mallkimet e shkrimtarëve dhe poetëve fatkëqij, të cilët u vranë padrejtësisht. Por mes kësaj dhimbjeje dhe tragjedie kombëtare, ekziston dhe një tjetër “parim” për përjetësinë, ku për vetë faktin se ata tashmë janë të vrarë, opinioni zhurmëbërës e cilëson si kriter të monumentalizimit.
Dhe përjetësia si kumt, sipas tyre, është destinacion vetëm për të vdekurit. Por fati luan me njeriun dhe pa asnjë dyshim, as njëra palë dhe as tjetra, nuk i shpëtojnë vetvetes. Fati deshi që përkundër çdo rrethane kundërshtuese dhe kobndjellëse, në mesin e një shteti që vuante diktaturën më të egër në Europë, një shkrimtar “i çmendur” deri në gjenialitet, të sfidonte çdo ligësi dhe të shkruante ato vepra magjike.
Pavarësisht situatës ekonomikë apo shoqërore, letërsia është ajo që i barazon kombet e nëse bota do të udhëhiqej në sajë të emrave dhe cilësisë së shkrimtarëve, pa dyshim sot do të ishim përkrah shteteve më të mëdha në botë, e kjo falë Kadaresë.
Ky rrëfim i tij është një gur tjetër i gdhendur në muret e brendshme të kështjellës së Kadaresë, një dëshmi e epopesë kadarejane, e cila përmban destinin e paracaktuar, rendjen drejt përjetësisë.. /panorama.al/KultPlus.com
Një mesazh në shishe, që dyshohet se mund të jetë shkruar disa orë përpara përmbytjes së Titanikut, po hetohet nga shkencëtarët për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një mashtrim, apo kemi të bëjnë me një artifakt nga tragjedia historike.
Një letër që mbante datën 13 Prill 1912, me emrin e 12-vjeçares franceze, Mathilde Lefebvre, u gjet në brigjet e Kanadasë, më shumë se 100 vjet pas përmbytjes së Titanikut.
“Po e hedh këtë shishe në det, në mes të Atlantikut. Pritet që të arrijmë në New York për pak ditë. Nëse dikush e gjen këtë letër, njoftoni familjen Lefebvre në Liévin”, shkruhej në gjuhën frënge.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, ajo po udhëtonte drejt New York City me të ëmën Marie, për t’u bashkuar me babain dhe vëllezërit e motrat. Ky bashkim nuk ndodhi kurrë. Mathilde dhe nëna e saj nuk u panë më kurrë. Sipas raportimeve, ato vdiqën së bashku me 1 500 personat e tjerë, kur anija goditi ajsbergun, më 14 Prill.
Një grup kërkuesish po hetojnë autenticitetin e kësaj letre në Université du Québec à Rimouski.
“Shishja mund të jetë artifakti i parë i Titanikut, i gjetur në brigjet amerikane”, tha historiani Maxime Gohier.
Ekspertët thonë se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë të dhënë që të sugjerojë se letra është sajesë. Letra u gjet në rërë nga një familje në Bay of Fundy në 2017-n. Ajo u bë publike nga akademikët të cilët apeluan këdo që kishte informacion për Titanikun, apo për vajzën që kishte shkruar mesazhin.
Akademikët besojnë se letra i përket asaj periudhe, por ata kanë frikë mos është mashtrim pasi dikush mund ta ketë shkruar pak kohë pas tragjedisë për të tërhequr vëmendje.
Ajo që duket se i bën ekspertët skeptikë është fakti se shkrimi në letër nuk përputhet me atë që mësonin në atë kohë nxënësit në shkollat franceze. Emri i vajzës që shkroi letrën u zbulua të ishte e bija e Franck Lefebvre, i cili ishte minator në veri të Francës dhe u largua drejt Amerikës për të provuar fatin e tij.
Ai gjeti një punë në një minierë në Iowa, ku po jetonte së bashku me 4 fëmijët e tij. Më pas thirri bashkëshorten bashkë me 4 fëmijët e tjerë të vegjël, përfshirë Mathilde-n që t’i bashkoheshin. Megjithatë, ekspertët thonë se informacioni për familjen nuk është i mjaftueshëm për të dalë në konkluzionin se letra u hodha nga Titaniku. Sipas të dhënave që disponohen, në Titanik kishte një pasagjere që quhej Mathilde Lefebvre./tvklan.al/ KultPlus.com
TUNE-IN: A message in a bottle may have made its way from the Titanic to a university in Quebec.@EvanLSolomon speaks with Nicolas Beaudry, a history and archeology professor who is currently studying the letter.
Duka i Sussex duket se kritikon mënyrën e rritjes së tij nga Princi Charles, duke diskutuar mbi “dhimbjen dhe vuajtjet gjenetike” në familjen mbretërore dhe duke theksuar se ai donte të “thyej ciklin” për fëmijët e tij, shkruan The Guardian.
Duke diskutuar fëmijërinë e tij, Harry tha: Nuk ka faj. Unë nuk mendoj se duhet të tregojmë gishtin ose të fajësojmë askënd, por sigurisht kur bëhet fjalë për prindërit, nëse kam përjetuar një formë të dhimbjes ose vuajtjes për shkak të dhimbjes ose vuajtjes që mbase babai im ose prindërit e mi kishin pësuar. Do të sigurohem që do ta thyej atë cikël në mënyrë që të mos e kaloj, në thelb, transmeton lajmi.net.
“Ashtë shumë dhimbje dhe vuajtje gjenetike që kalon gjithsesi kështu që ne si prindër duhet të bëjmë më shumë që të mundemi për të provuar dhe thënë: ‘Ju e dini çfarë, që më ndodhi, unë do të sigurohem që jo’ të ndodhë me ty. ‘”
Ai tha se në të 20-tat e tij, ai e kuptoi se nuk e donte “punën” mbretërore, pasi kishte parë atë që i bëri nënës së tij, Princeshës Diana.
Ai tha se ishte detyruar të “buzëqeshë dhe ta durojë atë”, por shtoi: “Unë kam parë pas perdes, kam parë modelin e biznesit, unë e di se si funksionon ky operacion dhe si funksionon. Nuk dua të jem pjesë e kësaj.
“Është një përzierje e të qenit në The Truman Show dhe të qenit në kopshtin zoologjik.”
Truman Show është një film satirik i vitit 1998 me protagonist Jim Carrey, ku personazhi kryesor bëhet i vetëdijshëm se ai është fshehurazi ylli i shfaqjes televizive të hitit ndërkombëtar. /KultPlus.com
Studentët e Kolegjit Universum të Departamentit Shkenca Kompjuterike në kuadër të inkubatorit teknologjik dhe lëndes “Zhvillim i Aplikacioneve Mobile” me Prof. Berat Ujkani kanë krijuar aplikacion mobil për Testin e Maturës Shtetërore.
Tani të gjithë maturantët kanë mundësinë të përgatiten për testin e maturës përmes këtij aplikacioni mobil i cili përmban kuize dhe pyetje të ndryshme që përfshijnë materialet që maturantët kanë mësuar gjatë shkollës së mesme.
Fal planprogramit dhe angazhimit të profesorëve studentët e Kolegjit Universum gjatë gjithë vitit angazhohen në projekte reale dhe krijojnë prototipe të ndryshme përmes paisjeve harduerike sipas metodës “Learning by Doing” dhe informatave “State of the Art in Technology“. Përmes projekteve të tyre ata po krijojnë paisje dhe aplikacione të cilat ndikojnë pozitivisht në mirëqenjen e komunitetit duke krijuar lehtësira në jetën reale të njerëzve. Projekte te tjera që kanë krijuar studentët tanë janë dora robotike, smart home, smart stick for blind people, alarm systems dhe shumë paisje të tjera.
Shikoni disa pamje nga aplikacioni.
Për më shumë informata rreth projekteve dhe aktiviteteve që angazhohen studentët që nga viti i parë në Kolegjin Universum ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Valët e para të emigrimit nga Shqipëria kanë arritur në Australi në vitet 1920-1930. Këta kanë qenë përgjithësisht grupe të vogla, shumica të ardhur nga Shqipëria e jugut, kryesisht nga zona e Korçës dhe u vendosën në qytezën Shepparton e në qytezat e Maribës; u punësuan në bujqësi, në kultivimin e duhanit dhe të kallamit të sheqerit. Këta emigrantë të parë, sollën më pas edhe familjet e tyre.
Vala e dytë e emigrimit ndodhi në fund të luftës së dytë botërore. Këta ishin kryesisht refugjatë, të cilët donin të iknin nga komunizmi. Shumica e personave të ardhur nga ish-Jugosllavia mundën të tërhiqnin familjet e tyre, por kjo nuk ndodhi me shqiptarët e ardhur nga Shqipëria. Emigrimi i shqiptarëve nga Shqipëria pothuajse përfundoi në atë kohë, me mbylljen e kufijve.
Vala tjetër e emigrimit filloi në vitet 1960. Këta ishin shqiptarë të ardhur nga ish-Jugosllavia. Shumica e tyre erdhi nga Maqedonia, por një pjesë erdhi edhe nga Kosova dhe Mali i Zi. Ata erdhën kryesish për arsye ekonomike, si dhe për ti shpëtuar sistemit represiv të Rankoviçit.
Vala tjetër e emigrimit është nga Kosova, në vitet 1990, pas ndryshimit të statusit të Kosovës nga regjimi i Millosheviçit.
Ka edhe shqiptarë nga Shqipëria që kanë ardhur në numër të vogël duke filluar nga vitet 90, dhe vazhdojnë të vijnë.
Gjithashtu në vitin 1999 erdhën dhe rreth 3000 shqiptarë nga Kosova, por shumica e tyre u kthyen me përfundimin e luftës. Rreth 300 prej tyre kanë mbetur dhe janë integruar në Australi.
Referuar Censusit Autralian të kryer nga “Australian Bureau of Statistics”, në vitet 2011 & 2016, në Australi rezultojnë të rregjistruar 13.141 shqiptarë që jetojnë në këtë vend, prej të cilëve 2396 janë shqiptarë të lindur në Shqipëri. Sipas rezultateve zyrtare, nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Australi ka përafërsisht 8000 persona që flasin shqip, dhe që janë të shpërndarë si më poshtë vijon:
Victoria : 6000 New South Wales: 810 Queensland: 420 South Australia: 340 West Australia: 255 Zona të tjera: 200
Por komuniteti shqiptar në Australi mendon se ky numër nuk është i saktë sepse shumë nga shqiptarët nuk i kanë plotësuar formularët e censusit në rregull, apo nuk kanë marrë pjesë fare. Gjithashtu ky numër nuk përfshin ata që janë me origjinë shqiptare, por që nuk flasin shqip.
Sipas të dhënave të mbledhura nga organizata të ndryshme të komunitetit shqiptar në Australi, dhe që mendohet se është shifër më e saktë se shifra zyrtare, ka rreth 20.000 shqiptarë (këtu përfshihen personat që kanë lindur jashtë si edhe fëmijët e tyre të lindur në Australi). Këta shqiptarë janë me origjinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Shumica e tyre, rreth 8000 jetojnë në Viktoria, Melburn dhe janë me prejardhje nga trevat shqiptare të Maqedonisë: fshatrat e liqenit të Prespës dhe rrethi i Manastirit.
Shqiptarët në Australi përgjithësisht janë të integruar ne jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin status juridik si të gjitha pakicat e tjera etnike që jetojnë e punojnë atje.
Në Victoria ka 4 shkolla të gjuhës shqipe; në zonat Dandenong, Heidleberg, Sunshine dhe Altona.
Shteti australian financon mësimin plotësues të gjuhës shqipe (një herë në javë prej klasës së parë fillore deri në klasën e 12-të), por kjo mundësi nga shqiptarët është shfrytëzuar shumë pak. Kjo gjë ka ndodhur pwr shkak se nuk është arritur numri i mjaftueshëm i nxënësve dhe interesi i treguar nga shqiptarët për këtë mësim plotësues shpresohet të rritet në nivelin që kërkohet. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, vdiq ditën e djeshme duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, qoftë personalisht apo përmes ekranit.
Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, kanë organizuar sot një ceremoni komemorative ku edhe po bëhen homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.
I pranishëm për homazhe ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili në deklarimin para mediave pas homazheve, shpalosi dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.
Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.
“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, rikujtoi kryeministri Kurti.
Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.
“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, tha kryeministri Kurti. / KultPlus.com
Kanë përfunduar aktivitetet e takimit të dytë të gjeneratës së dytë të pjesëmarrësve në kampin ndërkulturor “HOW DO I SEE YOU” që është projekt i përbashkët i DokuFest dhe Free Zone.
Ky projekt i financuar nga zyra e Bashkimit Europian, ka për qëllim krijimin e mundësive për shkëmbime ndërkulturore mes të rinjve të Kosovës dhe Serbisë përmes një programi edukues dhe gjithëpërfshirës për ti pasqyruar mendimet e tyre përmes krijimit të portreteve audiovizuale në të cilat ata do të kenë mundësi t’i shprehin pikëpamjet për bashkëmoshatarët e tyre.
Aktivitetet e projektit, përveç tjerash nxisin krijimin e narracioneve që trajtojnë çështjet ndërkulturore me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Serbi dhe Kosovë përmes një hapësire ku shkëmbehen idetë dhe ku respektohet mendimi ndryshe, e që është i bazuar në respekt të ndërsjellë. Përmes aktiviteteve të projektit të rinjtë kanë mundësinë ta njohin njëri tjetrin përmes artit dhe kulturës në një hapësirë të lirë nga gjuha e urrejtjes dhe paragjykimeve të ndërsjella.
“Edhe pse transformimi digjital ka lehtësuar qasjen në të dhëna dhe informacione duke përshpejtuar komunikimin me audiencat e targetuara, njëkohësisht përmes teknologjive të reja, ajo sfidon gazetarinë profesionale në mënyrë të vazhdueshme përmes të ashtuquajturave fake-news duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe duke ndërtuar lajme të rreme përplot paragjykime e stereotipizime për njëri tjetrin, shpesh duke përdorur fakte të paketuara në narracion etnocentrik”, tha Eroll Bilibani udhëheqës i DokuLab, departamentit edukativ të DokuFest duke shtuar “ideja për këtë projekt ka qenë e konceptuar një kohë të gjatë, por ja që tani na u dha mundësia, përmes mbështetjes së BE-së për të krijuar mundësi për të rinjë nga të dy shtetet të krijojnë kundër narrativa vizavi etnocentrizmit dhe nacionalizmit në rritje që vazhdimisht promovohet dhe shpërndahet nga platformat joetike të mediave që pastaj gjejnë vend tek rrjetet sociale të individëve të papërgjegjshëm”.
Zbatimi i projektit nisi në mesin e muajit Mars 2020, por situata dhe rrethanat me pandeminë penguan disa nga aktivitetet e projektit. Megjithatë, bashkë me partnerët e projektit vazhduam me zbatimin e aktiviteteve të cilat ishin të mundshme të realizohen përmes hapësirës virtuale që na mundësoi t’i organizojmë aktivitetet. Pavarësisht situatës së krijuar, grupi i parë i pjesëmarrësve nga Kosova dhe Serbia, arritën që të krijojnë portretet e para audiovizuale për njeri-tjetrin.
Grupi i dytë i të rinjëve u konsolidua në muajin prill 2021, dhe deri në muajin maj krijuan portrete audiovizuale pas takimeve individuale që u fasilituan nga partnerët e projektit.
“Këtë të martë dhe të mërkurë ne organizuam takime virtuale ku të rinjëve iu dha hapësirë për ti shfaqur portretet e njeri tjetrit, duke u bazuar në eksperiencën e takimeve individuale me njeri tjetrin” tha Zana Arapi-Xheladini menaxhere e projektit dhe shtoi “respekti i ndërsjellë i pjesëmarrësve gjatë këtyre takimeve mund të jetë si model i komunikimit mes shteteve të rajonit, pa gjuhë të urrejtjes dhe me respekt për mendim ndryshe”.
Projekti parasheh edhe një tubim fizik të të dy grupeve të pjesëmarrësve për të krijuar punime artistike në formë portretesh audiovizuale që do të ekspozohen në edicionin jubilar të DokuFest në Prizren nga 6 deri më 14 gusht 2021, si dhe gjatë edicionit të 17’të të Free Zone në nëntor të këtij viti në Beograd. / KultPlus.com
Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka arritur sot marrëveshje me Unionin e Turizmit të Kosovës- UTK për rritjen e bashkëpunimit në përmirësimin e gjendjes në sektorin e Turizmit në Komunën e Prishtinës, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur, drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Adrian Berisha, i cili tutje ka njoftuar se në takim me Baki Hotin janë dakorduar në koordinimin dhe bashkëpunimin e aktiviteteve të ndërsjella, si në hartimin e politikave, strategjive zhvillimore dhe aktiviteteve turistike.
Gjithashtu, Berisha ka treguar se në bashkëpunim me shoqata e gastronomëve, përmes kësaj marrëveshje do t’i certifikojnë me SAVE Travel rreth 50 biznese që ndërlidhen me turizmin, duke përfshirë trafikun urban, kafiteritë, agjensionet e turizmit, hotelet, etj.
“Kjo marrëveshje është përpjekje për një ndikim pozitiv në mjedis, shoqëri dhe ekonomi.
Bashke për një turizëm sa më të zhvilluar”, shkruan Berisha. / KultPlus.com