“Festa e grurit”, promovim i produkteve dhe traditës myzeqare

Pojani në Fier, i përfshirë në programin “100 fshatrat”, u kthye mbrëmjen e djeshme në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare.

Festa e grurit mblodhi bashkë me qindra banorë, duke e kthyer Pojanin në epiqendër të festimeve dhe një vend atraktiv për vizitorët.

Me sloganin “Pusho shqip”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vlerësoi rëndbsinë e “Festës së grurit”, një festë tradicionale e Pojanit të Fierit.

“Vizitorët e Apolonisë shijuan dhe këtë festë që erdhi si ndërthurje e folklorit me demonstrimet e mekanikes bujqësore, me panairet e prodhimeve të grurit, bukës, duke kulmuar me gatimin e festës, të bibës në çerep”, tha Klosi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi fantastike atmosferën e krijuar në qytetin antik të Apolonisë.

“Festa e grurit në Myzeqe, një paradë e veshjeve, këngëve e valleve tradicionale, e bukurisë e mikpritjes myzeqare, mblodhi bashkë jo vetëm banorë të zonës, por priti edhe shumë miq, që shijuan për orë të tëra harmoninë mes natyrës dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore. Një mesazh i bukur për jetën dhe gëzimin e të qenurit së bashku”, tha Margariti.

Me qindra njerëz u bënë pjesë të kësaj feste bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.

Festa e grurit, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallën e ftohtë.

Festa e grurit është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor./atsh/ KultPlus.com

Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, monument kulture me vlera të veçanta kulturore e historike

Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Përmet, monument kulture i kategorisë së I-rë, është një objekt me vlera të veçanta, ndërtuar mes viteve 1789 dhe 1891.

Sipas Drejtorisë së Kulturës Kombëtare, Gjirokastër, kisha filloi së ndërtuari në 1789 dhe ndërtimet e zbukurimet mbaruan përfundimisht në 1891. Ajo u mbyll në 1967 dhe u rihap në 1991.

Restaurimi i fundit daton 2017. Hyrja për në kishë bëhet nga ana e perëndimit nëpërmjet një harkade e përbërë nga dy kollona guri.

Narteksi përbëhet prej dy katesh. Hipja për në katin e dytë bëhet nëpërmjet shkallëve të drunjta në krahun e majtë.

Hyrja për në naos bëhet nëpërmjet një dere në qendër të narteksit duke zbritur tre këmbë shkalle. Gjithashtu ka dhe një hyrje të dytë prej një dere në jug e cila lidhet me hajatin e hapur.

Naosi përbëhet nga katër kolona që lidhen midis tyre nga harqe me qemer dhe në qendër ngrihet kupola cilindrike e përbërë me katër dritare të ngushta. Nga të dyja faqet anësore veri –jug përbëhet nga nefe cilindrike me drejtim lindje- perëndim.

Naosi ndriçohet nga katër dritare të mëdha në faqet veriore dhe jugore ambienti i altarit ndahet nga naosi nëpërmjet ikonostasit të punuar me gdhendje në dru arre, me pas ndodhet apsida në formë gjysmë rrethore.

Këmbanorja është me dy hapësira mbuluar me harqe dhe me kolonë në mes, e cila ndodhet sipër në faqen ballore të hyrjes për në kishë.Në vitin 1967 u mbyll nga regjimi komunist dhe u rihap në korrik 1991.

Në datë 21 Nëntor, kjo kishë pret pelegrinët e luginës, që festojnë ditën e ‘Shën Mërisë së Bënjës’. /atsh/ KultPlus.com

Shfaqet premiera ‘Zanat e Luleve’, balerinat e vogla emocionuan të gjithë me lojën e tyre artistike

Xhemile Hysenaj

Fotografitë: Riard Bllaca

Sot, skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishte mikëpritëse e Zanave të vogla që me ngjyrat e bukura e lojën e tyre skenike i dhanë jetë tingujve të gërshetuar të muzikës klasike e asaj moderne. Premiera ”Zanat e Luleve” e realizuar nga Studio ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit, mboldhi fëmijët e moshave të ndryshme, të cilët shpirtin e tyre artistik e shpalosën përmes baletit, shkruan KultPlus.

Tingujt e kompozitorëve si Antonio Vivaldi, Tchaikovsky, Chopin etj, erdhën si të ishin punuar pikërisht për këta fëmijë, që dukej sikur trupat e tyre bashkëvepronin me secilën notë të shkruar nga ata . ”Zanat e Luleve” shfaqi secilën balerinë si një mishërim të luleve që rriteshin, zhvilloheshin e freskinë e tyre ia falnin botës.

Shfaqja filloi nga Zanat e Vogla që performancën e tyre e realizuan nën tingujt e Secret Garden, ndërkaq u mbyll me këngën e bukur shqipe ”Me lule të bukura” të interpretuar nga Eliza Hoxha.

Balerinat ishin entuziaste dhe kjo gjë pasqyrohej në fytyrën e secilës prej tyre, e sidomos kur pas përfundimit të secilës performancë duartrokitjet nga audienca e stërmbushur me prindër krenarë, nuk ndaleshin. Mirëpo, e veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh ishin edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë e veçanërisht kur bëhet fjalë për fushat artistike.

Vjollca Llugiqi e cila ka 20-të vite që është bërë një me artin e bukur të baletit, nuk e ka pasur aspak të lehtë këtë rrugëtim. Ka realizuar diku rreth 60-të premiera dhe ndër to edhe shumë role kryesore. Llugiqi është ndër balerinat që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe tash e dhjetë vite, talentin e saj e ndan dhe ua mëson edhe fëmijëve të tjerë. Lumturia e madhe, ishte e paevitueshme nga ana e saj, e cila menjëherë pas shfaqjesh u vërshua me lule e përqafime të shumëta nga nxënësit e saj.

”Më kanë dhënë një emocion të papërshkruar, akoma jam në emocione, sidomos tash që të gjithë janë të lumtur dhe po vijnë drejt meje me urime e përqafime. E veçanërisht prindërit e këtyre fëmijëve që vërehet se janë emocionuar tej mase”, thekson Llugiqi për KultPlus.

Ishin lulet, ngjyrat e shumëllojshme e buzëqeshjet disa nga elementet që mbizotëruan sot në Teatrin Kombëtar. Me përqafime të shumëta, lot gëzimi e urime që nuk kurseheshin nga prindërit për mësuesen Llugiqi, u dëshmua edhe njëherë para publikut se baleti vazhdon të mbetet një nga artet më të veçanta skenike.

Më poshtë mund të gjeni listën e plotë të balerinave që performuan në shfaqjen ”Zanat e Luleve”.

Solistet e mëdha: Lea Hamza, Edita Zeka, Noela Selishta, Eda Isufi, Viktorija Simpson, Rita Gashi, Puhizë Nuhiu, Duesa Berisha, Arta Makovci, Margarita Berisha, Jeta Istrefaj, Dite Shala dhe Kanina Mulaj.

Solistet e vogla: Unika Surkishi, Amara Haliti, Ami Gojani, Etna Sherifi, Liza Rrahmani, Buna Azemi, Rejna Beqiri, Alea Dvorani, Reas Hertica, Anna Krasniqi, Ninna Krasniqi, Drea Zakuti, Nina Beha, Eda Godanci dhe Tiara Kamberi.

Lulet e Malit: Erina Bislimi, Livia Haxholli, Jora Braha, Valëza Maqedonci, Diella Maqedonci, Ambla Haliti, Toena Nushi, Bleta Pitarka, Bora Spahiu, Narta Axhanela, Elena Lipsckomb, Eda Sekirqaq, Morea Llapashtica, Erina Zeqiri dhe Uresa Fusha.

Zanat e Vogla: Iva Uja, Nina Rrahmani, Malbora Bullatovci, Una Ahmeti, Zoi Ajeti, Rita Ukymeri, Nisa Miftari, Hana Maqedonci, Jara Krasniqi, Morea Abdyli, Dora Begolli, Jana Ibrahimi dhe Anika Ismaili. / KultPlus.com

Gazeta franceze në vitin 1989: Reagimi i Kadaresë ndaj shkrimtarit serb mbi origjinën e shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja, Francë – 20 Qershor 2021

“Le Monde Diplomatique” ka botuar, në tetor të 1989, reagimin e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare ndaj shkrimtarit dhe politikanit serb Vuk Drashkoviç mbi origjinën e shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Origjina e shqiptarëve

Burimi : Le Monde Diplomatique, tetor 1989, f.2
Burimi : Le Monde Diplomatique, tetor 1989, f.2

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare jep disa detaje mbi origjinën e shqiptarëve pasi lexoi artikullin e z. Vuk Drashkoviç mbi “marrëdhëniet serbo-shqiptare”, i cili u botua në numrin tonë të prillit të kaluar :

Unë thjesht dua të ndalem në këtë fragment të z. Vuk Drashkoviç “Asnjë shkencëtar serioz në botë nuk e mbështet pohimin e nxjerrë nga Tirana dhe Prishtina (kryeqyteti i Kosovës) pa asnjë provë mbështetëse, sipas së cilës ilirët janë paraardhësit e shqiptarëve.”

Me sa duket z. Vuk Drashkoviç duke besuar se njohja e botës fillon dhe mbaron në këtë vepër, injoron ose mbyll sytë për të mos parë, se shqiptarët, nën emrin e shqiptarëve, dhe një nga qytetet e tyre, Albanopolis, përmenden që në shekullin e dytë në shkrimet e Ptolemeut.

Aq më pak është i vetëdijshëm se autoritetet më të mëdha shkencore të botës kanë folur për autoktoninë dhe origjinën ilire të shqiptarëve. Unë do të citoja ndër të tjerët gjermanët Gottfried Leibniz (1705), Johann Thunmann (1774), Ritter von Xilander (1835), Franz Bopp (1850), Jakob Fallmerayer (1857), J. von Hahn (1870), Paul Kretschner (1896), Norbert Jokl (shek. XX), Maximilian Lambertz (shek. XX) etj., Për të vazhduar me anglezët William Leak dhe Stewart Mann, danezin Holger Pedersen, italianin Angelo Masci, austriakët G. Mayer, H. Olberg dhe R. Solta, francezin A. Ducellier dhe shumë të tjerë, për të arritur te kroatët Milan Sufflay (Shuflaj) dhe Radoslav Katiçiç dhe jugosllavi Aleksandër Stipceviç.

Por z. Drashkoviç pretendon (mendon) se ka zbuluar në Enciklopedinë Sovjetike një studiues azerbajxhanas, R. B. Gueiouchev, i cili mbështetet në një tezë të vjetër, në asnjë mënyrë shkencore, por letrare dhe fantazuese, e hedhur poshtë prej kohësh, sipas së cilës, meqenëse ekziston në Kaukaz një vend i quajtur AIbania, thuhet se shqiptarët janë prej andej. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-monde-diplomatique-1989-reagimi-i-shkrimtarit-te-madh-shqiptar-ismail-kadare-ndaj-shkrimtarit-dhe-politikanit-serb-vuk-drashkovic-mbi-origjinen-e-shqiptareve/?fbclid=IwAR2JGUy6r1hAwhQEZswYXkDpuNS1am-ORbFZIgkdP1FR5E9sVXDVIJ8Fc5A

Për herë të parë pas 90 vjetësh, një hebre bëhet pjesë e ushtrisë gjermane

Rabini Zsolt Balla ka fituar punën si shef i ushtrisë në Gjermani, duke u bërë kështu i pari hebre që merr këtë pozitë në këtë shtet, 90 vjet pasi Adolf Hitleri kishte dëbuar hebrenjtë nga forcat e armatosura, në vitin 1930.

Balla nuk e dinte fare se ishte hebre dhe po ashtu djali i një të mbijetuari të Holokaustit, derisa kishte mbushur 9 vjet. Ai tani po i bashkohet ushtrisë gjermane, nëntë dekada pasi nazistët kishin orkestruar Holokaustin.

Balla do të betohet në një sinagogë në Leipzig, në lindje të Gjermanisë të hënën që vjen. Zyrtarët shpresojnë se emërimi i tij do të nxjerrë në pah fytyrën e hapur dhe të larmishme të forcave të armatosura moderne të vendit.

Por kjo vjen në sfondin e një serie skandalesh ekstremiste të ekstremit të djathtë brenda ushtrisë dhe policisë gjermane në vitet e fundit dhe mes niveleve në rritje të antisemitizmit në të gjithë vendin.

Vitin e kaluar forca elitare e komandos ushtarake, e njohur si KSK, u shpërbë pjesërisht pasi një raport gjeti ekstremizmin e ekstremit të djathtë brenda radhëve të saj, megjithëse Ministri i Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer njoftoi të martën se njësia e reformuar do të vazhdojë, pavarësisht thirrjeve për shpërbërje.

Edhe një njësi e veçantë elitare e policisë së shtetit, e quajtur SEK, u shpërbë javën e kaluar pasi oficerët e saj pohuan se kishin lavdëruar nazistët në një grup bisedash në internet. /koha/ KultPlus.com

‘Kah pranvera’ nën interpretimin e Nexhmije Pagarushës dhe Jordan Nikolicit (VIDEO)

“Kah pranvera” është kënga të cilën e kanë interpretuar bashkë Nexhmije Pagarusha, Bilbili  i Kosovës dhe Jordan Nikolic, i cili përgjatë karrierës së tij ka kënduar këngë të vjetra serbe, shkruan KultPlus.

Në këtë këngë, të dy paraqiten në gjuhë shqipe dhe është një këngë e realizuar vetëm në audio.

Jordan Nikolic në vitin 1976 kishte përfaqësuar ish Jugosllavinë në Eurovizion. KultPlus ju sjellë këtë format të bashkëpunimit./ KultPlus.com  

Do të vij

Poezi e shkruar nga Drita Çomo

Do të jetë mëngjes dhe unë do të vij patjetër,
Pas avullit të xhamave ti më prit.
Do më ketë rënë pluhur mimozash në flokë,
Dhe pluhur dashurie në shpirt.

Do dalë dielli dhe do të jetë ngrohtë,
Avujt e ëndrrave do shkrijnë ngadalë.
Ne do të presim pranë tyre pa folur,
Gjersa të behen të qarta, të qarta si kristal.

Pastaj s’do ketë më as mëngjes, as botë,
Do jemi vetëm unë dhe ti.
Ti do më prekësh me gishta në flokë,
Në pluhur mimozash dhe dashurish. / KultPlus.com

20 qershori, Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve

Në ditën botërore të refugjatëve shumë prej tyre nuk kanë shpresa për kthimin e në atdheun e tyre të mëparshëm. Miliona familje kanë humbur shtëpitë e tyre gjatë konflikteve të dhunës dhe luftës.

Dita u krijua për herë të parë më 20 qershor 2001, në njohje të 50-vjetorit të Konventës së vitit 1951 në lidhje me statusin e refugjatëve.

Prandaj Asambleja e Përgjithshme vendosi që 20 qershori të festohet si Dita Botërore Refugjatëve. Çdo vit më 20 qershor të Kombeve të Bashkuara grupet qytetare të panumërta nëpër botë festojnë Ditën Botërore të Refugjatëve.

Dita Botërore e Refugjatëve është themeluar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.

Kjo ditë është një mundësi për të gjithë për të provuar, kuptuar dhe festuar larminë e pasur të komuniteteve të refugjatëve. Ngjarje të tilla si teatër, vallëzim, filma dhe muzikë synojnë të lejojnë organizatat e komunitetit të refugjatëve, organizatat vullnetare dhe ligjore, këshillat lokale dhe shkollat ​​të organizojnë ngjarje gjatë javës në mënyrë që të nderojnë kauzën.

Dita Botërore e Refugjatëve festohet gjithashtu përmes Javës Botërore të Refugjatëve dhe është krijuar për të siguruar një shans të rëndësishëm për azilkërkuesit dhe refugjatët që të shihen, dëgjohen dhe vlerësohen nga komuniteti ku ata jetojnë. / KultPlus.com

Bob Dylan paralajmëron koncertin e tij të parë online

“Shadow Kingdom” është titulli i koncertit të parë streaming i Bob Dylan, i cili do të transmetohet më 18 korrik në platformën Veeps, transmeton KultPlus.

Biletat për shfaqjen, e para e këngëtarit që nuk ka performuar LIVE që nga 8 dhjetori 2019 (data e performancës së tij të fundit para-pandemike në Anthem në Uashington), janë tashmë në shitje për 25 dollarë dhe LIVE do të mbetet në dispozicion për shikim për 48 orë.

LIVE apo i regjistruar?

Artisti, i cili më 19 qershor të vitit të kaluar publikoi albumin e tij të 39-të në studio “Rough and Rowdy ways” i paraprirë nga këngët “Murder Most Foul”, “I Contain Multunities” dhe “False Prophet”, do të propozojë këngët nga repertori i tij i gjerë – siç thuhet në një shënim për këtë ngjarje, por ende nuk është njoftuar nëse Dylan do të performojë drejtpërdrejt ose nëse një koncert i regjistruar posaçërisht do të transmetohet.

“Është një i madh për ne që të jemi në gjendje të punojmë me Bob Dylan dhe të jemi pjesë e një performance që do të hyjë në histori”, tha Joel Madden. Ne jemi entuziastë jo vetëm si profesionistë, por mbi të gjitha si fansa të mëdhenj të muzikës”. / KultPlus.com

Artistja që krijon skulptura kafshësh nga guacat e detit

Mbledhja e guacave dhe guralecëve është një prej hobive të artistes amerikan Anna Chan dhe vajzës së saj.

Ato të dyja jo vetëm që i mbledhin këto produkte kudo që kanë mundësi, por edhe krijojnë vepra arti prej tyre.

Chan është një dizajnere bizhuterie por si për shumë të tjerë, edhe puna e saj ishte zvogëluar gjatë mbylljes si pasojë e pandemisë me koronavirus. Për t’i kaluar këto ditë të vështira, ajo dhe vajza e saj 10-vjeçare kishin qëndruar për një kohë të gjatë në plazh, ku edhe filluan të mblidhnin guaca dhe të krijonin skulptura kafshësh prej tyre.

Chan ka thënë për “My Modern Met” se kjo punë i ka ndihmuar asaj dhe të bijës, për t’i kaluar më lehtë ditët sfiduese të mbylljes nga pandemia, transmeton KultPlus.

Ajo ka thënë se gjithçka nisi si një lëvizje për të kaluar kohë mirëpo që po vazhdon edhe më tutje. / KultPlus.com

Bukuria natyrore e alpeve shqiptare

Alpet shqiptare me bukuritë e tyre natyrore tërheqin gjithnjë edhe më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë momentet e qetësisë, ujin dhe ajrin e pastër që i karakterizon ato.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga Alpet shqiptare, duke ftuar turistët vendas e të huaj që ti vizitojnë ato.

“Mirëmëngjes me ajrin e alpeve shqiptare”, shprehet Kryeministri Rama.

Një nga territoret më atraktive dhe më magjepse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, janë Alpet Shqiptare.

Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë madje edhe në botë.

Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat e kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.

Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit, etj shërbejnë si pika triangulacioni, duke ofruar një panoramë të ndryshme ,e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre.

Monumentet e shumta natyrore si kanioni i Shoshaj, i Valbonës, i Cemit, shpella e Dragobisë, e majës së Arapit, shpella e Rrathëve, shpella e Akullit, shpella e Haxhisë, shpella e Njerzëve të Lagur, burimi i Shoshaj, Valbonës, Okolit, Shtrazës, Kirit, Koprishtit, Vuklit etj ujëvara e Thethit, Grunasit, etj si dhe biomunumentet e shumta si ahishta e Gurra e Hasan Gashit, rrobulli në liqenin Ponarëve, bredhishta e Rragamit, pisha Flamur e qafës së Pejës, Habitati i Salamandrës, rrapi i Toplanës janë një tregues shumë domethënës për pasuritë e mëdha natyrore të kësaj zone në funksion të turizmit.

Kësaj i shtohet ekzistenca e zonave të mbrojtura si Parku kombëtar i Thethit, Parku kombëtar i Valbonës, të cilat janë një garanci për jetëgjatësinë e këtyre bukurive natyrore jo vetëm në të tashmen por edhe në të ardhmen.

Një potencial tjetër i çmuar i Alpeve shqiptare është pasuria kulturore, mikpritja dhe bujaria e madhe banorëve të zonës. Disa nga zonat më të njohura turistike të Alpeve janë Thethi, Razma, Valbona, Vermoshi,etj. Këtu duhet shtuar edhe lugina e Drinit me bukuri epike, ku një udhëtim me traget nga Fierza për në Koman do të linte përshtypje të paharrueshme edhe për vizitorët më indiferent. /atsh/ KultPlus.com

Festa e Qershisë në Berat, Klosi: Produktet tradicionale, ftesa më e mirë për turistët vendas dhe të huaj

Zona e Beratit konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Shqipëri për prodhimin e qershive.

Qytetarët e Beratit festuan dje “Festën e qershisë” me aktivitete të ndryshme, duke promovuar këtë produkt që konkurron në tregjet e vendit, por edhe jashtë tij.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, publikoi një album me fotografi nga kjo festë.

“Festa e Qershisë në Berat e bëri më të gëzueshme këtë ditë vere. Festat, gatimet dhe produktet tradicionale janë ftesa më e mirë për turistët vendas dhe të huaj”, – tha Klosi, transmeton KultPlus.

Fermerët beratas promovuan qershinë në stendat e vendosura në bulevardin e Beratit, ndërsa fëmijët dhe të rriturit shijuan aktivitetet e shumta. / KultPlus.com

Mbahet koncert i hapur i Filarmonisë në Austri

Me numrin e rasteve të Covid-19 që ka shkuar duke rënë, Orkestra Filarmonike e Vjenës ka luajtur koncertin e parë në ambient të hapur.

Numri i mysafirëve ishte kufizuar në 3 mijë, transmeton KultPlus.

Vizitorët është dashur të kenë me vete testin negativ për Covid-19, ose dokumentin e vaksinimit, para se të pranoheshin në hapësirën e koncertit.

Shumë prej biletave ishin të rezervuara për njerëzit që ishin në vijën e parë të frontit ndaj pandemisë – shumica punëtorë shëndetësorë dhe mësues.

Okrestra luajti kryeveprat e Guiseppe Verdit, Bethovenit, Rachmaninov, Leonard Bernstein e të tjerë. / KultPlus.com

‘Të dua, më dëgjon’

Nga Odiseas Elitis
Përktheu Romeo Çollaku
Monograma (IV)


Është ende herët në këtë botë, më dëgjon
Nuk janë zbutur përbindëshat, më dëgjon
Gjaku im i humbur dhe thika, më dëgjon
E mprehtë
Porsi një dash që rend nëpër qiej
Dhe thyen bisqet e yjeve, më dëgjon
Jam unë, më dëgjon
Të dua, më dëgjon
Të mbart e të shpie e të vesh
Vellon e bardhë të Ofelisë, më dëgjon
Ku më lë, ku shkon dhe kush, më dëgjon

Sipër përmbytjeve të ka kapur dorën

Urthoret e stërmëdha dhe llavat vullkanike
Një ditë, më dëgjon
Do na mbulojnë dhe mijëra motet që vijnë
Do na kthejnë në gurëzime të shndritshëm, më dëgjon
Që të vezullijë mbi ta padhembshuria, më dëgjon
E njerëzve
Dhe partalle me mijëra të flakë përmbi ne

Në ujë një nga një, më dëgjon
Guralecët e mi të hidhur rri e numëroj, më dëgjon
Dhe është koha një kishë e madhe, më dëgjon
Ku dikur ikonat
E Shenjtorëve
Lotojnë me të vërtetë, më dëgjon
Kambanat hapin përpjetë, më dëgjon
Një shteg të thellë për të kaluar unë, më dëgjon
Më presin engjëj me qirinj e me psalme të përzishëm
Por s’më ka lenë mendja të shkoj, më dëgjon
O asnjë o të dy bashkë më dëgjon

Këtë lule vetëtime, më dëgjon
Dhe dashurie
Një herë e mirë ne e këputëm
Dhe gjasa s’ka të çelë tjetërsoj, më dëgjon
Në tjetër tokë, në tjetër yll, më dëgjon
Nuk është ajo baltë, nuk është ai ajër
Që kemi prekur ne, më dëgjon

Kopshtar asnjë kohëve të moçme s’ia doli

Prej gjithë këtyre dimrash e murlanesh, më dëgjon
Të shkundte lule, vetëm ne, më dëgjon
Mu në mes të detit,
Veç falë zellit të dashurisë, më dëgjon
Ngritëm një ishull të tërë, më dëgjon
Me shpella e me kepe e me hone të lulëzuar
Dëgjo, dëgjo
Kush u flet ujërave, kush qan – e dëgjon?
Kush kërkon gjysmën tjetër, kush thërret – e dëgjon?
Jam unë që thërras dhe unë jam që qaj, më dëgjon
Të dua, të dua, më dëgjon./ KultPlus.com

Filmi i animuar i Artur Muharremit merr çmimin e rëndësishëm në SHBA

Artur Muharremi, piktori dhe regjisori i filmit të animuar, është vlerësuar me çmimin “Excellence Special Mention” në “The Best Short Competition” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për filmin e tij “Exit”.

Ky çmimi është një ndër dhjetë çmimet të kompeticionit dhe juria çmon se “Exit” (Dalja) ishte e jashtëzakonshme, duke treguar thellësinë e profesionit dhe kreativitetin unik. 

Me një animacion tërheqës, një karakter gjithashtu tërheqës dhe metaforë të bollshme për jetën, “Exit” ndjek një laps brenda një fabrike. Lapsi fiton vetëdijen dhe shikon kudo për të gjetur daljen drejt lirisë së tij … por ndërsa ai endet në fabrikë dhe zbulon të vërtetat e tmerrshme të funksionimit dhe qëllimeve ndaj tij – ai shpejt e kupton se në të vërtetë nuk ka pasur kurrë një dalje (exit).

Arturi diplomohet për pikturë në degën e skenografisë në Akademinë e Arteve në Tiranë, dhe emërohet si regjisor-piktor pranë filmit të animuar në Kinostudion “Shqiperia e Re”.

Me një karrierë artistike shumë vjeçare brenda dhe jashtë vendit, ai është vlerësuar me çmime të shumta. Nga viti 2009 është i vendosur në Francë./ KultPlus.com

Alban Skenderaj dhe Elgit Doda publikojnë këngën ‘Parajsa ime 2’

Alban Skenderaj dhe Elgit Doda, kanë publikuar projektin e tyre të ri muzikor, të titulluar ‘Parajsa ime 2’, shkruan KultPlus.

Artistët në rrjete sociale kanë njoftuar se kjo është pjesa e dytë e kësaj kënge, sepse pjesa e parë është lansuar me 10 qershor të vitit që kemi lënë pas.

Kënga është e shoqëruar me vidoklip dhe njëkohësisht është e titruar në gjuhën angleze./ KultPlus.com

Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Seksuale në Konflikte: Duhet t’i sjellim kryesit para drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Seksuale në Konflikte, ka thënë se në këtë ditë kujtojmë të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë, shkruan KultPlus.

Osamani këtë e ka shkruar në një postim në Twitter, si dhe ka shtuar se kryersit duhet të sillen para drejtësisë.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, mendimet e mia janë me viktimat dhe të mbijetuarit nga Kosova dhe nga e gjithë bota.

Ne duhet t’i sjellim kryesit para drejtësisë. Sipas fjalëve të MLK ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com

Kurti: Askush nuk është dënuar për dhunimet e luftës së fundit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Seksuale në Konflikte, ka theksuar faktin se askush nuk është dënuar për gratë dhe burrat e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ai nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se drejtësia për viktima është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjen dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt kujtojmë se askush nuk është dënuar për mijëra gra dhe burra të dhunuar në Kosovë nga forcat serbe në 1998-9.

Drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

Tri kosovare asambleiste në Finlandë

Tre kandidate me prejardhje nga Kosova kanë fituar në zgjedhjet komunale që u mbajtën me 13 qershor në Finlandë, përcjell KultPlus.

Brigita Krasniqi ka fituar në Tampere me 415 vota, përderisa ka treguar për Klan Kosova se pati përkrahje të madhe nga kosovarët që jetojnë në Finlandë.

Krahas kosovarëve, për Albana Mustafin, një tjetër asambleiste tashmë në Komunën e Kemit, nuk ka qenë e vështirë që të rrëmbejë edhe zemrat e finlandezëve, njofton Klan Kosova.

Në anën tjetër, Funda Demiri ka fituar për herë të dytë zgjedhjet në Komunën Vantaas, me 554 vota.

Përveç si kosovare, Brigita Krasniqi, Albana Mustafi, dhe Funda Demiri janë edhe shqiptaret e vetme fituese në zgjedhje, nga 16 sa ishin në listat zgjedhore./ KultPlus.com

Muze për një pjesë të ndjeshme të historisë kur gjermanët ishin refugjatë

Shumë kohë më parë, fati i miliona gjermanëve të dëbuar nga Europa Qendrore dhe Lindore në fund të Luftës së Dytë Botërore ka ngjallur polemika.

Një muze do të hapet në Berlin për të treguar historinë e tyre dhe për të qartësuar kujtimet.

“Si përfaqësohen migracionet e detyruara të përjetuara nga gjermanët, pa lënë asnjë dyshim për fajësimin tonë në gjenocidin e hebrenjve?, thekson Gundula Bavendamm, drejtoreshë e institucionit të ri, për të përshkruar sfidën e zbuluar nga ekipi ynë.

“Fondacioni për Mërgim, Dëbim dhe Pajtim” trajton një kapitull delikat në historinë gjermane, dëbimet e pakicave me origjinë gjermane që jetojnë në territoret e kthyera në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Bish-Bashkim Sovjetik, ose Rumani, pas disfatës së Rajhut Nazist në 1945

Historia dhe vuajtjet e këtyre popullatave fillimisht u errësuan nga tmerret e kryera nga nazistët, të cilat ndalonin konsiderimin e gjermanëve si viktima.

“Ndonjëherë duhen disa breza dhe konstelacionet e duhura politike për të parë të kaluarën”, thekson Bavendamm përpara hapjes së planifikuar të muzeut për publikun të mërkurën.

Në kërkimin e saj për një rrëfim të ekuilibruar, ekspozita i vendos këto dëbime në kontekstin e logjikës ekspansioniste të Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit dhe i konsideron ato në një kontekst global.

Fondacioni, në pjesën qendrore të Berlinit, ndodhet midis muzeut të ish-selisë së Gestapos dhe rrënojave të stacionit Anhalter, nga ku hebrenjtë u dërguan në kampin e përqendrimit të Theresienstadt, në Republikën Çeke.

Hyrja në hapësirën në katin e dytë, kushtuar eksodit të gjermanëve, mund të bëhet vetëm përmes një dhome të errët kushtuar Holokaustit.

Pastaj vijnë dëshmitë intime: vizitori zbulon karrocën e përdorur nga familja Ferger për t’u arratisur nga territori i Serbisë së sotme, një qëndisje të papërfunduar apo edhe një batanije, kaq shumë sende të braktisura gjatë këtyre nisjeve të nxituara.

Në çantën prej lëkure të një vajze të re ndodhet adresa e saj në qytetin Fraustadt, sot Wschowa në Poloni: Adolf Hitler Strasse 36.

“Ne nuk donim të bënim një inventar por të dinim historinë e secilit objekt, fatin e secilës familje”, shpjegon Gundula Bavendamm.

“Dëshmitë audio të familjeve të dëbuara ose pasardhësve të tyre shoqërojnë pothuajse secilën pjesë të paraqitur”, shton ajo.

Numri i këtyre personave të zhvendosur vlerësohet midis 12 dhe 14 milionë. Shumë i përkisnin komuniteteve gjermanofolëse të vendosura në Europën Lindore, midis Danubit dhe Volgas, që nga shekulli i XIII.

Disa anëtarë të këtyre pakicave mbështetën forcat pushtuese naziste, duke nxitur armiqësinë e popullatave të tjera, të përdorura për të justifikuar dëbimet e pasluftës./atsh/ KultPlus.com

Flori, Klajdi dhe Bruno publikojnë këngën e tyre të re (VIDEO)

Ardhja e verës po sjellë këngë e bashkëpunime të shumta. E tillë është edhe ‘Nina’, bashkëpunimi i sapo lansuar i Flori Mumajesit, Brunos dhe Klajdi Harunit, shkruan KultPlus.

Një këngë ritmike është sjellë aq bukur nga këngëtarët, për tekstin e së cilës është përkujdesur vetë këngëtari Flori Mumajesi.

Gjithashtu ata kanë shoqëruar këngën e tyre të re me videoklip.

Kujtojmë se Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni ishin pjesëmarrës me duetin ‘E para’ në Këngën Magike, kurse Bruno kishte garuar me këngën ‘Fiskim’, e cila ishte në bashkëpunim me Fifin. / KultPlus.com

‘Mos u dorëzo, sepse ke dashur jetën, e të dua’

Nga Mario Benedetti
Shqipëroi Erion Karabolli

Mos u dorëzo, ende ke kohë
t’ia dalësh mbanë e sërish të fillosh
frikën ta groposësh, hijet t’i pranosh,
ta zgjidhësh lakun, prapë të fluturosh.

Mos u dorëzo se kjo është jeta,
të vazhdosh udhëtimin,
ëndrrat pas t’i ndjekësh,
ta shpengosh kohën
të pastrosh rrënojat dhe të shohësh qiellin.

Mos u dorëzo, të lutem mos u lësho,
edhe pse djeg acari,
edhe pse kafshon tmerri,
edhe pse hesht era dhe fshihet dielli,
ka ende zjarr shpirti,
dhe ëndrra gjallë ngeli,
sepse jeta është e jotja e dëshirat janë të tuat,
sepse e ke dashur dhe sepse të dua.

Sepse, njëmend, ekziston vera dhe dashuria,
sepse koha plagët do t’i shëroj patjetër,
thyeji drynat e dyert çeli,
mos u mbyll, braktisi muret e vjetër.

Jetoje jetën dhe prano momentin,
rikthe buzëqeshjen, këndoje tekstin,
çliroje veten dhe duart jepi,
hapi krahët dhe rinis fluturimin
gëzoje jetën dhe pushtoje qiellin.

Mos u dorëzo të lutem mos u lësho
edhe pse djeg acari,
edhe pse kafshon tmerri,
edhe pse hesht era dhe fshihet dielli,
ka ende zjarr shpirti,
dhe ëndrra gjallë ngeli,

sepse çdo ditë duhet filluar,
sepse kjo është ora dhe ky momenti i çmuar
sepse nuk je vetëm
sepse unë të dua./ KultPlus.com

Artisti shqiptar me instalacion në Amerikë, pretendohet si një atraksion turistik

“Six feet distance” e ka quajtur projektin e tij artistik që u instalua në qytetin e Franconias në New Hampshire artisti, Elis Gjoni, i cili u përzgjodh për këtë krijim mes shumë aplikimeve. Një instalacion i cili do mbetet si atraksion artistiko-turistik për këtë qytet, përcjell KultPlus.

Artisti ka thënë se projekti artistik paraqet mënyrën e re të jetës kufizuese që solli pandemia. Sipas tij kjo është vepër e cila sjell një mesazh në formën vizuale.

 “Gjashtë këmbë, ose përndryshe mbani distancën! Bëhet fjalë për Covid 19 si mënyre e re e jetës disi kufizuese por e domosdoshme për të mbrojtur përhapjen e virusit. Në një mënyrë apo në një tjetër, jeta jonw ndryshoi duke e kufizuar përditshmërinë tonë. Shenjat dhe kufizimet erdhën si një rrymë e re për njerëzimin dhe në këtë zhvillim, me anë të këtij  instalacioni artistik dua të kujtoj saktësisht momentet kur jemi para vetes me një ndarje në mes që synon të krijojë të padukshmen por që në realitet ndalet dhe vendos distancë. Vetë puna është më shumë konceptuale sesa e prezantuar mirë, por e kuruar në detaje dhe e qëndrueshme për ambientet e jashtme. Unë u përpoqa të sjell një vepër të gatshme për të sjellë një mesazh në formë vizuale”, ka thënë artisit.

Projekti i artistit “Six feet distance”, organizohet nga shoqata “Franconia ArtWalk”.

Elis Gjoni është një artist i arteve pamore i diplomuar ne Akademinë e arteve në Tiranë për Multimedia. Aktualisht jeton në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com