‘Popujt që e harrojnë të kaluarën e tyre, janë të mallkuar që ta përsërisin’

Jorge Agustín Nicolás Ruiz de Santayana y Borrás, i njohur në anglisht si George Santayana, ishte filozof, eseist, poet dhe romancier.

Me origjinë nga Spanja, Santayana u rrit dhe u shkollua në SH.B.A. nga mosha tetë vjeç dhe e identifikoi veten si një Amerikan, megjithëse ai gjithmonë mbante një pasaportë të vlefshme Spanjolle.  Në moshën 48 vjeç, Santayana la pozicionin e tij në Harvard dhe u kthye në Evropë përgjithmonë.

Edhe pse ateist, ai vlerësoi vlerat, praktikat dhe botëkuptimin katolik Spanjoll në të cilin u rrit. Santayana ishte një kritik kulturor me shtrirje të gjerë që përfshinte shumë disiplina. Ai u ndikua thellësisht nga jeta dhe mendimi i Spinozës; dhe, në shumë aspekte, ishte një Spinozist i devotshëm.

Santayana është e njohur gjerësisht për aforizmat, të tilla si:

“Popujt që e harrojnë të kaluarën e tyre, janë të mallkuar që ta përsërisin.”/ KultPlus.com

Rita Ora mahnitë me dukjen në gjysmëfinalen e ‘The Voice of Australia’ (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka pranuar shumë komente pozitive në lidhje me dukjen e saj të fundit në gjysmëfinalen e ”The Voice of Australia”, përcjell KultPlus.

Ajo ka ndarë disa fotografi në rrjete sociale, ndërsa ka prezantuar paraqitjen e saj unike dhe fustanin po ashtu mjaft interesant.

Me një nuancë të ngjyrës së vjollcë të lehtë e me flokët kaçurrela të kapura, Ora ka marrë gjithë vëmendjen.

“Unë nuk mund të besoj se jemi pothuajse në fund të The Voice Australia. Gjysmëfinalja me ekipin tim të mrekullueshëm #EkipiRita”. Kush mendoni se do të fitojë?”, është shprehur Ora në postimin e saj. / KultPlus.com

Fotografja që dokumentonte të pastrehët, gjen babain në mesin e tyre

Diana Kim, një fotografe dhe studente e drejtësisë ishte braktisur nga babai i saj kur ishte vetëm 5 vjeç, duke rezultuar në një jetë aspak të lehtë për fotografen.

Në vitin 2003 kur ajo kishte filluar të fotografonte të pastrehët nëpër rrugë si pjesë e një projekti të saj personal që e kishte nisur për t’i ndihmuar këta persona. 9 vite më vonë, në vitin 2012, përmes këtij projekti ajo kishte arritur të zbulonte babain e saj biologjik. Njeriu të cilin e mban mend se ia ktheu shpinën atëherë kur i nevojitej më së shumti, kishte mbetur pa shtëpi, i palarë, me rroba të pista dhe tejet i dobët fizikisht. Ai madje as nuk e njihte të bijën, shkruan NBC News, përcjell KultPlus,

I prekur nga skizofrenia, ai refuzonte të merrte trajtim mjekësor, të hante, të lahej apo të vishte rrobat që Kim ia blinte. Mirëpo, pak vite më vonë kur i ati kishte pësuar sulm në zemër, pas trajtimeve mjekësore ai ishte kthyer në gjendjen e mëparshme duke rezultuar kështu në rregullimin e raporteve me të bijën.

Tani Kim tregon se babai i saj është në gjendje të mirë dhe kanë raporte të mira me njëri-tjetrin. / KultPlus.com

Margariti: Nxorëm nga pluhuri i harresës Qendrën Historike të Vlorës

Qendra Historike e Vlorës është rijetëzuar duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktiv dhe tërheqës kulturor.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në Ditët e Trashëgimisë, solli në vëmendje sot shndërrimin rrënjësor të Qendrës Historike të Vlorës, e cila kishte humbur identitetin nën pluhurin e harresës.

Restaurimi i qendrës historike të qytetit të Vlorës, një investim prej 11 milionë eurosh, është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.

Ndaj veç ndërhyrjeve në godina janë kryer edhe punimet nëntokësore.Projekti përfshiu restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni. /atsh/ KultPlus.com

Desha

Poezi nga Ndoc Gjetja

Desha të hyj në zemrën tënde.
U kërrusa, u kërrusa
U bëra lëmsh sa një top
por prapë e dashur
Zemra jote nuk më nxuri dot.

Ndoshta dhe mund të hyja,
Por të them të vërtetën
I kërrusur s’mund të rrija
brenda teje gjithë jetën.

Zgjeroje zemrën ti!
Më tepër, më tepër
Dhe në qoftë se më nxë
do të hyj patjetër. / KultPlus.com

Këngëtari më me ndikim në histori, shtatë gjëra që nuk i keni ditur për Freddie Mercury-n

Freddie Mercury do të mbahet mend për gjurmët e mëdha që la në historinë e muzikës botërore, për vokalin e tij të fuqishëm dhe për energjinë e tij të mrekullueshme që shpaloste në skenë, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni disa fakte jo shumë të njohura për këngëtarin.

Bohemiian Rapsody- Një histori e shekullit rreth traumave të Freddie-t

Freddie e shkruajti këtë këngë në 1975 dhe në atë kohë “Bohemiian Rapsody” u konsiderua kënga më e gjatë e regjistruar ndonjëherë. Kënga zuri vend në albumin e katërt të grupit, A Night at the Opera. Mediat e huaja shkruanin në atë kohë që kënga në të vërtetë fliste për traumat që këngëtari kishte përjetuar në fëmijëri.

Festat deri në mëngjes me Princeshën Diana

Thuhej se princeshë Diana takohej me Freddien dhe ekipin e tij gjatë kohës kur kishte probleme martesore me princin Charles. Duke parë atë të trishtuar, Freddie i kishte thënë Dianës: “Eja e dashur, dil dhe argëtohu pak”. Pasi ishte e pamundur që Diana të vizitonte klubet e natës, Freddie ishte ai që i kishte sugjeruar që princesha të maskohej si burrë dhe të dilte në klubet për personat gay. Diana e pranoi idenë me entuziazëm, dhe u gëzua veçanërisht me “lirinë” që fitoi ngase mund të argëtohej si çdo person i zakonshëm.

Pse nuk donte të dihej varri i tij?

Në testamentin e tij, Freddie në vullnetin e tij të fundit e detyroi ish-të fejuarën e tij Mary Austin që të kujdesej për hirin dhe kurrë të mos tregonte publikisht atë që kishte bërë me urnë. Në fillim të këtij viti, një pllakë u zbulua në Varrezat e ëest London: “Në kujtim të Farok Balsar. Unë gjithmonë do të jem me ju me dashurinë time. M”. Ende, askush nuk ka konfirmuar zyrtarisht se urna e muzikantit legjendar ndodhet poshtë pllakës.

Freddie nuk ka asnjë përmendore në Londër

Ndikimi i tij vihet ende në diskutim në publikun britanik. Konservatorët mohojnë rëndësinë e tij, kryesisht për shkak të zgjedhjeve private dhe mënyrës së jetesës. Edhe pse adhuruesit e tij janë përpjekur të ngrenë një monument në Londër për vite me radhë, kjo ende nuk ka ndodhur. Busti i tij përkujtimor ndodhet në Zvicër, në qytetin Montreux, i cili është bërë një vend pelegrinazhi për tifozët e Freddie dhe grupin Queen.

Koncerti për Guinness

Gjysmë viti pas vdekjes së Freddie, grupi organizoi një koncert në stadiumin ëembley të Londrës. Të gjitha të ardhurat shkuan për bamirësi për një organizatë në luftën kundër AIDS, Fondi “Mercury Phoenix”. Koncerti është në Librin e Rekordeve Guinness dhe konsiderohet të jetë koncerti më i madh bamirës rock ndonjëherë.

Ai ishte tejet i turpshëm

Edhe pse ai ishte i njohur për performancën e tij të egër dhe “skandaloze”, shumë njerëz që e njihnin Merkurin personalisht thonë që ai ishte shumë i turpshëm, kjo është një nga arsyet që ai rrallë paraqitej në intervista.

Para se të bëhej yll rocku, punonte në aeroport

Shumë kohë para se të bëhej një nga këngëtarët më ikonikë në historinë e muzikës, Freddie nxirrte jetesën duke punuar në aeroportin Heathroë të Londrës. / KultPlus.com

85-vjeçari nga Vlora që gdhend gurin dhe bën vegla muzikore

Në fshatin Vranisht të bashkisë Himarë i cili ndodhet rrëzë malit të çikës gjejmë gdhendeshin e gurit Selman Pazo.

Veçantia e tij është se edhe pse 85 vjeç mban gjallë një profesion unik, të përpunimit të gurit. Që fëmijë 85 vjeçari ka patur pasion gdhendjen lojërat e fëmijërisë.

Gjithë jetën me shumë durim e ka zbutur gurin. Ai çdo ditë ecën në rrëzë malit të Cikës për të marrë copa shkëmbi e më pas ti kthej në vegla muzikore. Për ne ai luan një melodi që e ka quajtur guri që këndon.

Për Selmanin dy cylat e dyjares i ngjajnë kullave binjake dhe kërkon qe kjo dhuratë simbolikë të covet në ambasadën amerikane në Shqipëri. Në dhomën e tij “muze” gjen një botë të vogël guri të kthyer në art ku çdo suvenir është punuar vetëm me duar.

Sipas Sejmen Gjokoli, specialist i trashëgimisë kulturore në Vlorë dhe i shoqatës Art craft ”, ky rast është i unik dhe në zhdukje. /tch/ KultPlus.com

Aktori i filmit Batman kërkon foto nga Kosova për projektin e tij

Aktori i njohur hollivudian, Joseph Gordon-Levitt, pak orë me parë ka publikuar një kërkesë në profilin e tij në Facebook nëpërmjet së cilës kërkon fotografi interesante nga Kosova.

Levitt nuk jep shpjegime por thotë se bëhet fjalë për një projekt të ri shumë intersant.

Ylli i njohur i filmave: “The Dark Knight Rises”, “Snowden”, “Don Jon”, “The Walk”, “Inception” dhe “The Trial of the Chicago 7”, në rrjetin social Facebook kërkon nga banorë të Kosovës dhe jo vetëm, fotografi nga lokacione të ndryshme.

Në krah fotos së realizuar në Kosovë ai shkruan:

Hey Kosova!  Jam duke kërkuar fotografi interesante të realizuara nga kudo në Kosovë për një projekt të ri. Kështu që gjeni një foto tuajën dhe dërgojeni në këtë Link. / KultPlus.com

Teatri “Hadi Shehu” do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar ‘SkupiFestival’

Teatri “Hadi Shehu” së shpejti do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar ‘SkupiFestival’ me shfaqjen e vetme nga Kosova “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqit si dhe me regji të Qendrim Rijani-t, përcjellë KultPlus.

Shfaqja nga Kosova do të hap festivalin me datë 07.09.2021 duke filluar nga ora 20:00.

KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:

Nuk ka vikend, nuk ka pushim.
Puna e madhe shpresojmë të reflektoj maksimalisht në ITF SkupiFestival ku do të kemi nderin ta hapim festivalin ndërkombëtar duke pëfaqësuar Teatrin/Qytetin dhe si e vetmja shfaqje nga Kosova edhe Shtetin, me datë 07.09.2021 në ora 20:00 me “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqit me regji të Qendrim Rijani-t.
Në foto gjysma e ekipes.
Të vaksinuar dhe të mbrojtur duke përdorur masat mbrojtëse. / KultPlus.com

Një ari ka zbritur në parkun e Gërmisë, apelohen qytetarët që të shmangin frekuentimin

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin frekuentimin në parkun e Gërmisë, pasi policia ka informuar për një ari që ka zbritur në atë zonë.

Sipas informacioneve të para, ariu nuk është pjesë e “Parkut të Arinjëve”, prandaj Ahmeti thotë se ekziston mundësia që i njëjti të ketë ardhur përmes shtigjeve malore që lidhen me pjesën e Gollakut.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Apel për qytetarët!

Të nderuar qytetarë, ju bëjmë thirrje që t’i shmangeni frekuentimit të Parkut të Gërmisë, pasi para pak minutash kemi pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se është vërejtur një Ari.

Ariu nuk është pjesë e “Parkut të Arinjëve”, prandaj ekziston mundësia që i njëjti të ketë ardhur përmes shtigjeve malore që lidhen me pjesën e Gollakut.

Rojat e pyllit janë duke u munduar të lokalizojnë Ariun por deri në një njoftim tjetër  apelojmë të shmangni lëvizjet në Parkun e Gërmisë! / KultPlus.com

Nëna Terezë: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni, si do të ishte nëse Zoti do t’ju kërkonte para që ju fali sytë

Nga Thesaret e Nënë Terezës

“Shumë njerëz thonë: “Nënë Terezë, Ju i llastoni të varfrit, sepse u jepni gjithçka pa asnjë kundërshpërblim”.
Mirëpo, neve nuk na llaston më shumë, se sa Zoti vetë. Shikoni: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni. Si do të ishte, nëse Zoti Juve do t’ju kërkonte para, që Ai ju ka falur juve sytë. Ose, shikoni përjashta, se si ndriçon dielli. Si do të ishte, nëse Zoti do të na thoshte neve, ju duhet të punoni pesë orë, që të fitoni dy orë ndriçim të diellit.”/ KultPlus.com

Saul Bellow dhe krijimtaria turbulente e tij

Saul Bellow, lindur më 10 qershor 1915 në Quebec, Kanada, ishte romancier amerikan të cilin e karakterizonte njeriu modern urban i pakënaqur nga shoqëria, por jo i shkatërruar në shpirt, e ky karakterizim i personalitetit të tij i dha Çmimin Nobel për Letërsi më 1976.

I rritur në një familje hebraike dhe i rrjedhshëm në gjuhën Yiddish, që ndikoi në stilin e tij energjik anglez, ai ishte përfaqësues i shkrimtarëve hebrenj amerikanë, veprat e të cilëve u bënë qendrore në letërsinë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore.

Prindërit e Bellow emigruan më 1913 nga Rusia në Montreal. Kur ai ishte nëntë vjeç ata u transferuan në Chicago.

Ai ndoqi Universitetin Chicago dhe Universitetin Northwestern dhe më pas kombinoi shkrimin me një karrierë mësimore në universitete të ndryshme, përfshirë Universitetin Minnesota, Universitetin Princeton, Universitetin e New York, Bard College dhe Universitetin Boston.

Bellow fitoi një reputacion në mesin e një grupi të vogël lexuesish me dy romanet e tij të para, “Dangling Man”, një histori në formë ditari të një njeriu që pret të futet në ushtri dhe romani “The Victim”, një studim delikat i marrëdhënies midis një judeu dhe një hebrei, ku secili prej të cilëve bëhet viktimë e tjetrit.

“The Adventures of Augie March” , sollën një vlerësim më të gjerë dhe fituan një National Book Award. Kjo është një histori aventuriere e një të riu të varfër hebre nga Chicago, përparimi i tij ndonjëherë shumë komik në botën e shekullit të XX, dhe përpjekjet e tij për ta kuptuar atë.

Në këtë roman, Bellow përdori për herë të parë një stil të lirshëm, të errët në revoltën e vetëdijshme kundër preokupimit të shkrimtarëve të asaj kohe me përsosjen e formës së tij të shkrimit.

“Henderson the Rain King” vazhdoi qasjen picareske në përrallën e tij të një milioneri ekscentrik amerikan në një kërkim në Afrikë.

Ai gjithashtu shkroi një vëllim me tregime të shkurtra “Mosby’s Memoirs” dhe “To Jerusalem and Back” në lidhje me një udhëtim në Izrael.

Në romanet dhe novelat e tij të mëvonshme, “Herzog”, “Mr. Sammler’s Planet”, “Humboldt’s Gift”, “The Dean’s December”, “More Die of Heartbreak” , “A Theft”, “The Bellarosa Connection” dhe “The Actual”, Bellow arriti në venën e tij më karakteristike.

Heronjtë e këtyre veprave janë shpesh intelektualë hebrenj, monologët e brendshëm të të cilëve shkojnë nga sublime në absurde. Në të njëjtën kohë, bota e tyre përreth, e populluar nga realistë energjikë dhe të pakorrigjueshëm, vepron si korrigjues ndaj spekulimeve të tyre intelektuale.

Ky kombinim i sofistikimit kulturor dhe urtësisë së rrugëve e përbën origjinalitetin më të madh të Bellow.

Në “Ravelstein” ai paraqiti një version imagjinar të jetës së mësuesit dhe filozofit Allan Bloom. Pesë vjet pas vdekjes së Bellow, më shumë se 700 letra të tij, të redaktuara nga Benjamin Taylor, u botuan në “ Saul Bellow: Letters ”.

Autori vdiq më 5 prill 2005, në Brooklyn, Massachusetts. / cbc.al / KultPlus.com

Courtesy of University of Chicago Special Collections Research Center

“Final”, albumi i radhës i Enrique Iglesias

Albumi më i ri nga Enrique Iglesias i cili do të titullohet “Final” mund të jetë edhe albumi i fundit në karrierën e tij muzikore.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtari gjatë një bisede me Ricky Martin dhe Sebastian Yatra për të promovuar turneun e tyre të ardhshëm.

“Ky mund të jetë albumi im i fundit”, u ka thënë Iglesias kolegëve të tij gjatë bisedës për turneun i cili pritet të nis më 17 shtator.

“Kjo nuk është diçka që e kam menduar këta muajt e fundit. Jam në atë momentin e jetës apo në atë kapitull kur mendoj se është koha e duhur që të largohem dhe këtë ide e kam që prej vitit 2015”, ka thënë këngëtari latin.

Mirëpo Iglesias ka bërë të ditur për fansat se fakti që albumi i radhës mund të jetë i fundit, nuk do të thotë që ai do ta përfundojë karrierën e tij muzikore.

Iglesias ka lansuar albumin e tij debutues në vitin 1995. Më vonë ai ka realizuar edhe një varg albumesh si “Escape” në vitin 2001, “Euphoria” në vitin 2010 dhe “Sex and Love” në vitin 2014. / KultPlus.com

Bregdeti shqiptar edhe në veprat e artistes austriake Hermi Kuerner

Natyra dhe arti, austriaken Hermi Kuerner e sjellin shpesh në Shqipëri, e cila tash e një kohë është artiste e punimeve me akuarel dhe pjesëmarrëse në shumë bienale të akuarelit nëpër botë, duke përfshirë edhe Shqipërinë, shkruan KultPlus.

Së fundi ajo po qëndron në bregdetin shqiptar, duke u inspiruar nga pamjet e bregdetit të Shqipërisë, përkatësisht me pamjet e Ranës së Hedhun.

Rrjeti IËS që është i shtrire në shumë shtete të botës, duke përfshirë edhe atë të Shqipëirsë dhe Kosovës, kanë bërë që austriaken Kuerner ta lidhin me Shqipërinë, e cila tashmë këtë vend po e shkrinë në veprat e saj, e që ekspozohen në vende të ndryshme të botës.

Kuerner ka thënë për KultPlus se bregdeti shqiptar ka një pamje të mahanitshme, e cila e inspiron për të sjell vepra të reja, por duke bartë me vete punimet nga vendi i lindjes së saj, Austria, e cila e sjell të njëjtën pamje në stinë të ndryshme, pamje që lexuesit e KultPlus mund ti shohin edhe brenda artikullit./ KultPlus.com

Talebanët fshijnë muralen ikonike të ArtLords

Një murale ikonike e realizuar në Kabul nga grupi i artistëve ArtLords pas marrëveshjes së Dohas është fshirë nga talebanët, njoftoi në Twitter një prej autorëve Omaid H. Sharifi, i cili ka lënë Afganistanin me familjen e tij këto ditët e fundit.

“Ata kanë filluar. Talebanët kanë filluar të pikturojnë mbi pikturat tona murale. Ata kanë filluar me atë murale historike që shënoi nënshkrimin e marrëveshjes së Dohas. Muralja e Baradar Khalilzad është zhdukur. Në vend të saj një shkrim bardh e zi që thotë “Mos i beso propagandës së armikut”, një citim nga Mullah Haibatullah”, shkroi artisti duke postuar një fotografi të veprës ashtu siç ishte pranë imazhit të murit pas kalimit të talebanëve.

Vepra, e cila u bë një nga imazhet simbolike të marrëveshjeve të shkurtit 2020, portretizoi të dërguarin special të Trump për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, duke i shtrirë dorën Mullah Abdul Ghani Baradar. / KultPlus.com

EPA/HEDAYATULLAH AMID

Me arkitekturë moderne dhe stil unik, merr formë xhamia e Ballies në Elbasan

Me një arkitekurë moderne, projekti i së cilës është vlerësuar në konkurse ndërkombëtare arkitekturore, Xhamia e Kohës në Elbasan, e njohur si xhamia e Ballies, po merr çdo ditë formën e saj të një xhevahiri kulturor dhe fetar.

E vendosur në qendër të qytetit Elbasan, falë edhe investimit në sheshin rrethues, i cili gjithashtu po shkon drejt përfundimit, ky objekt do të zbukurojë Elbasanin.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau sot foto nga ky projekt, i cili ka një stil unik ndërtimi dhe është konkurruese e xhamive moderne të ndërtuara në Evropë.

Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate në të cilat përveç vendit të faljes do të përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan.

Projekti i xhamisë i cili është investuar nga Ambasada e Kuvajtit është i harmonizuar me projektin e aprovuar të qendrës së Elbasanit dhe po ndërtohet në të njëjtin vend ku ka qenë xhamia shekullore e Ballies, e cila u prish në vitin 1967. / KultPlus.com

Restaurimi i teqesë së Kaninës, rilind monumenti i kategorisë së parë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje rilindjen e Teqesë së Kaninës, monument kulture i rëndësishëm, ndërsa shtatori është muaji i trashëgimisë.

Restaurimi i Teqesë dhe Tyrbjes së Kaninës, u realizua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në kuadër të projektit “MileSTONES III” të mundësuar nga programi Interreg IPA CBC Greece-Albania 2014-2020.

Është ndërhyrë në çatinë e teqesë, janë rregulluar të gjitha pjesët e dyerve dhe harqeve të dritareve, si dhe është kryer konsolidimi i brendshëm. Tek Tyrbja po punohet për plotësimin e kupolës dhe konsolidimin e saj.

Teqeja e Kaninës apo Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, ndodhet në qendrën e fshatit. Ndërtimi i saj lidhet me emrin e kryeadmiralit të flotës turke, Sinan Pashës, që u vendos në Vlorë dhe Kaninë në fillimet e shek. XVI, pasardhësit e tij janë pinjollët e familjes së famshme të Vlorajve.

Tyrbja e hershme e Sinan Pashës, e ngritur në fillim të shek. XVI pranë teqesë, tashmë nuk ekziston. Të dhëna me rëndësi për tyrben, teqenë dhe një skicë për të, gjenden në studimin e Eqerem bej Vlorës për kalanë e Kaninës. Në këtë teqe u varros dhe kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane, Ferid pashë Vlora.

Në vitin 2014 pranë Teqesë u varrosën eshtrat e Eqerem bej Vlorës. Teqeja e Kaninës u shpall Monument Kulture i Kategorisë I në vitin 2006. / KultPlus.com

Nëna Terezë: Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është për arsye se kemi harruar si të shohim Zotin në njëri – tjetrin

Trazirat e viteve të 90-ta në Shqipëri patën mbuluar mediet ndërkombëtare dhe patën prekur shumë njerëz. Mbi këto trazira pat reaguar edhe Nëna Terezë, reagim që e ka sjell Don Lush Gjergji. Ai për ndjekësit e tij ka sjellë reagimin e saj që ka publikuar më 28 prill të vitit 1997, përcjellë KultPlus.

Më poshtë e keni të plotë reagimin e atëhershëm të Nënës Terezë.

“Me dhimbje të madhe në zemrën time po dëgjoj se jetat po humbën, ndërsa njerëzit po lëndohen në këto trazira… Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është për arsye se kemi harruar si të shohim Zotin në njëri -tjetrin…” (28 prill 1997)./ KultPlus.com

Tre variantet e emblemës së Kastriotëve

Emblemën e Kastriotëve, përveç stilit që është i njohur ndër shqiptarët, haset edhe në një stil të dytë që është shumë pak i njohur.

Kjo emblemë është gjetur në miniaturë me ngjyra në një libër Uratash, i cili u punua për t’iu dhuruar Skënderbeut nga ana e Alfonsit V të Aragonës dhe të Napolit.Viti i punimit dhe i dhurimit të këtij libri lidhet me vitin 1451 kur në Gaeta (Mbretëria e Napolit), u nënshkrua një traktat aleance midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit. Fusha e stemës është e ndarë në ngjyrë të artë dhe të kaltër. Mbi pjesën që eshtë me ngjyrë të artë eshtë e vendosur një shqiponjë e zezë, dykrerëshe e kurorëzuar dhe krahëhapur.

Lart është vendosur një trekëndësh i kaltër me yll të artë, tetëcepësh. Mbi pjesën e kaltër është luani i artë i ngritur në dy këmbët e pasme, i cili mban lart një shpatë po të artë. Në këndin e djathtë-lartë, eshtë një zambak i argjendtë.Ky kombinim simbolesh me siguri se eshtë lidhur edhe me Topiajt, si Principatë më e hershme se Principata e Kastriotëve.

Këtë lloj steme të Kastriotit, ku shqiponja eshtë bashkë me luanin e Topiajve e hasim edhe mbi varrin e Konstantin Kastriotit, nipit të Skënderbeut, në varrezat e kishës Santa Maria La Nova në Napoli të skalitur në vitin 1500 nën kujdesin e gruas së Skënderbeut, Donika Kastrioti.Emblemën e gdhendur në dy anët e monumentit mortor e ka analizuar dhe botuar studiuesi italian, Padilione në vitin 1870 dhe më vonë arbëreshi Zef Skiroi në Palermo në vitin 1904.

Për këtë stemë e kishte fjalën edhe profesori i nderuar Pëllumb Xhufi e që futi huti të paparë tek historianët shqiptarë në Maqedoni.Varianti i dytë dhe i tretë janë realizime të së njëjtës përfaqësi. Stema heraldike e familjes Kastrioti nga viti 1568, siç e cilëson edhe historiani Jahja Drancolli, e cila është përdorur në dukatin Nocera të shtetit të Napolit…!

Ky variant gjendet edhe në Bibliotekën dixhitale – qendra e dixhitalizimit në Mynih nën titullin 1550-1555 Chastrioto (Gjergj Kastrioti Skenderbeu) Insignia Venetorum nobilium II (A -IP) – BOD Cod.icon. 272, [Sl] Itali, 1550-1555 [BSB-Hss Cod.icon. 272].

Marrë nga usaalbaniansociety / KultPlus.com

Arbëreshët e Argjentinës, gjuha si element që dallonte popullin shqiptar

Shqiptarët në Argjentinë përbëjnë një komunitet prej rreth 50 mijë banorësh. Shumica e shqiptarëve që mërguan në Argjentinë ishin arbëreshë nga Italia jugore, ndërsa rritja e mërgimeve shqiptare në Argjentinë ndodhi në fillim të shekullit 20, me mbërritjen e rreth 20,000–30,000 shqiptarëve.

Sot, përveç disa familjeve në Rosario dhe Córdoba, pothuajse të gjithë shqiptarët e Argjentinës jetojnë në Buenos Aires. Për çdo vit, më 29 nëntor, “Shoqëria Patriotike Shqiptare Skenderbeu” feston Ditën e Flamurit.

Sipas fesë, shumica e shqiptarëve në Argjentinë janë të krishterë, ndërsa një pakicë janë myslimanë.

Arbëreshët në Argjentinë janë të shumtë dhe kanë dhënë një kontribut të vyer në përcimin e vlerave. Edhe pse në një vend të largët arbëreshët flasin shqip.

Pjesa dërrmuese kanë arritur në Argjentinë me anije, bashkë me shumë shtetas italinë të cilët emigruan në këtë vend.

Në Italinë e jugut ka shumë shqiptarë arbëreshë, të cilët kanë ruajtur kulturën arbërore, të njëjtën kulturë e kanë marrë me vete edhe kur emigruan në Argjentinë.

Në Argjentinë, arbëreshët e quajnë veten dy herë mërgimtarë. “Farën e Skënderbeut ti sot trashëgo”, është ky vargu që i shoqëron shumë arbëreshë.

Arbëreshi nga Argjentina, Antonio Bellushi, në vitin 1990 ngriti zërin në Kuvendin e famshëm të të gjithë shqiptarëve në New York, për pavarësinë e Kosovës.

Arbëreshët zakonisht nuk flisnin italisht me njëri-tjetrin, por e bënin në një variant të gjuhësh shqipe të njohur si arbëreshe, një emër që u bë i njohur dhe me të cilin u identifikua i gjithë komuniteti arbëresh.

Natyrisht, nuk ishte vetëm gjuha elementi i vetëm që dallonte popullin me origjinë nga Shqipëria.

Edhe feja luante një rol të rëndësishëm duke konsideruar banorët si pjesë e besimit katolik por me rite greko-bizantine.

Ishin raste të veçanta, njëjtë sikurse festat fetare, ku çdo fshat në mënyrë të pavarur kishte kishën e vet, shenjtërorin (priftin) e vet që ndërmjetësonte në mes të Zotit dhe besimtarëve kur ishte dita e Shën Dimitrit.

Këto elemente dhe shumë të tjerë faktuan që emigrantët e ardhur nga Italia nuk ishin italianë, por ishin arbëreshë, të cilët u vendosën në Lujan, Buenos Aires rreth vitit 1869.

Regjistri civil i vitit 1869, nuk ishte asgjë tjetër përveç se diçka që duhej plotësuar me dorë nga regjistruesit shtëpi për shtëpi.

Në të vërtetë, edhe pse identifikoheshin si italian, mbiemrat e tyre tregonin prejardhjen arbëreshe, e të cilët punonin tokat bujqësore në qarkun e Pestës, pjesë e cila më pas do të përbënte zonën më të madhe të banuar nga ta. Një predispozitë fillestare e cila u bë shumë më e dukshme në formularët e vitit 1895, kur u zhvillua regjistrimi i dytë kombëtar i popullsisë, në të cilin është rritur numri i arbëreshëve në qarkun numër 5.

Në lagje kishin arritur të krijonin hapësirën e tyre shoqërore, duke trilluar identitetin e tyre ata dhe arrinin ti ruanin elementet e tyre themelore që i përbënin, sikurse gjuha si dhe zakonet e tyre për të ndihmuar fqinjët. Për këtë, përpara pyetjes se cilat ishin arsyet që i quan ata në migrim, ata duhet të përgjigjeshin së pari për arsyet thelbësore.

Në këtë drejtim, mbipopullimi ekstrem i zonës, një tokë e varfër dhe e mbishfrytëzuar, e copëtuar deri në pafundësi, në atë mënyrë që nuk do të mund t’ju garantonte të gjithëve qasjen në burimet që të sigurojnë mbijetesën e tyre. Këto janë të dhëna jo të vogla për të cilat nuk duhet shumë për të kuptuar se si duhet ndikuar në vendimet e fëmijëve të tyre në rast të emigrimit. Por ky shpjegim është kusht i mjaftueshëm por nuk arrijnë ta kuptojnë se përse arbëreshët të Arbërisë kalabreze në vend që të shpërndahen nëpër botë, ata jo që nuk e bënë këtë, por arritën në Argjentinë, dhe jo në tërë Argjentinën por në Luján, dhe jo në të gjithë Luján, por në “Republikën e t ‘Pestit”.

Është i dukshëm dhe i pa mjaftueshme shpjegimi që emigrimet konsiderohen si bijë te kapitalizmit, me theks të veçantë në krizën evropiane, dhe në futjen e Argjentinës në tregun ndërkombëtar si prodhues i lëndëve të para.

Mund të thuhet se shqiptarët kanë emigruar që nga mesjeta, duke qenë migrimi pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit. Paraqitja e emigrimit si rrjedhojë e mjerimit, ku njerëzit ishin të obliguar të iknin nga varfëria, arritja e industrializimit dhe shkatërrimi i aktiviteteve tradicionale, në të kaluarën kishte një imazh anakronik, ose në rastin më të mirë ishte vetëm gjysma e historisë.

Ndër shqiptarët më të njohur në Argjentinë është Kryepeshkopi Aleksandër (Alejandro Greco), i cili është bërë zëri i shqiptarëve të Argjentinës.

Edhe shqiptari me famë botërore, Ernesto Sabato, ka prejardhje arbëreshe.

Nëna e tij Juana Maria Ferrari, rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Futbollisti argjentinas Matteo Pablo Musacchio, po ashtu ka prejardhje shqiptare. / KultPlus.com

Nisin shitjet e biletave për koncertin e Rita Orës në Kullën Eiffel

Këngëtarja e njohur shqiptare, Rita Ora, më datën 30 të këtij muaji do të realizojë një koncert nga maja më e lartë në Paris.

Rita do të ngjitet në Kullën Eiffel për të interpretuar live repertorin e saj të këngëve në një koncert virtual, biletat e së cilit kanë dalë tashmë në shitje.

30-vjeçarja e cila është mjaft aktive dhe e ndjekur në rrjetet sociale, ka promovuar vazhdimisht gjatë këtyre ditëve këtë koncert, duke i ftuar fansat të prenotojnë biletën e tyre.

Ajo ka realizuar edhe spotin reklamues të koncertit në kryeqytetin fancez, në të cilin shfaqet mjaft tërheqëse në një fustan të shkurtër ngjyrë blu.

Së fundmi, këngëtarja shqiptare ndau me ndjekësit e saj në Instagram disa fotografi me këtë paraqitje, duke rrëmbyer vëmendjen e ndjekësve me dukjen e saj glamuroze.

“Më pak se një muaj deri në kohën e spektaklit! Shkoni story-t e mija për bileta në filmin tim të performancës, Rita në Paris”, ka shkruar Ora në fotografitë e ndara me ndjekësit e saj. / KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e Nënë Terezës

Sot bëhen 24 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shën Nënë Tereza.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.

Këto janë shifrat e mesit të viteve të 80-ta, dhe deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Ajo ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë dhe janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të Lumën Nëna Terezë. / KultPlus.com

‘Polikarpi’, një nga komeditë e para arbëreshe dhe shqiptare

Santori, ky  pionier në fushën e dramaturgjisë arbëreshe (dhe shqiptare), për një kohë të gjatë është njohur vetëm  në saje të  dramës së parë të shkruar në prozë  në gjuhën shqipe. Po ai ka lëvruar llojet më të larmishme të dramaturgjisë, kështu mund të përkufizohet si themelues i tragjedisë në letërsinë e arbëreshëve të Italisë dhe tërë  letërsinë shqiptare me veprën në vargje.

“Neomenia”, i melodramës me disa krijime  të panjohura  për një kohë të gjatë si “Aleks Dukagjini”, “Sofia”, “Leukotea”, “Pjetër Shterori”, “Klementina” [………………] dhe gjithashtu  i komedisë  me dy  komeditë e mbetura  në dorëshkrim “Kallogrea karroqare” (“Vejusha koprace”) dhe “Polikarpi”.

Të gjitha këto vepra me përjashtim të  “Emirës” që  u botua  pjesërisht në “Fjamurin  e Arbërit” të De Radës, kishin  mbetur dorëshkrim dhe u zbuluan gradualisht falë zellit të studiuesve arbëreshë që bashkëpunuan aktivisht  edhe  me kolegët  shqiptarë. Ata  gërmuan në minierën e pasur dhe të pashfrytëzuar të dorëshkrimeve, Françesk Anton Santorit. Dy komeditë e panjohura  të këtij  autori tepër  pjellor  arbëresh  pati mirësinë të m’i  vinte  në dispozicion studiuesi Belmonte.

Komedinë “Kallogrea karroqare” që ka shumë gjasa të jetë e para komedi arbëreshe dhe shqiptare dhe ka vlera të padiskutueshme estetike, ndonëse e papërfunduar, e kemi trajtuar në një tjetër shkrim dhe konkretisht në një kumtesë të  mbajtur  në Konferencën Ndërkombëtare “Franqisk A.Santori” dhe  trashëgimia gjuhësore e letrare shqipe”, e mbajtur me rastin e 200-vjetorit të lindjes së autorit.

“Polikarpi” është një komedi  satirike që  e ka  të dukshëm elementin autobiografik. Autori e ka vendosur në vendlindjen e vet, në Picilje (Santa Caterina Albanese). Santori e sheh aty veten në optikën aspak  përkëdhelëse të bashkëfshatarëve, i satirizon ata dhe veset e tyre, duke mos lënë mënjanë  humorin  me vetveten. Ai s’del konkretisht si personazh veprues, po vizatohet përmes dialogëve të të tjerëve.

Një nga personazhet e kësaj komedie është prifti  Belvin (armik personal i Santorit) i cili e vetëdemaskon veten duke shprehur lakminë për para dhe vesin e pijes që e karakterizojnë, vese këto që bien në kontrast me vetëpërmbajtjen dhe thjeshtësinë që duhet të dallonin në parim një  klerik, po pasqyrojnë realitetin shoqëror të fshatit ku shumica  e klerikëve  ishin të tillë.

Autori i largohet këtu atij idealizimi të  klerikëve  që te “Emira” shprehej te figura e  Motëmadhit, njeri  me virtyte  të larta.

Belvini  vetërrëfehet përmes  dialogut duke  treguar  kështu  edhe mungesë  zgjuarsie. Ai as  nuk orvatet  të mbulojë  vetveten me  një tis  hipokrit morali  fetar si bënte përkundrazi vejusha  në komedinë  omonime. Ai shprehet kështu: “Një  mesh nëng të ndën/ njeri. Petëkat së japin gjë …/ Mos  pafça allmonu një gjips litri ver  ditën/ ndihem si ji dekur… (S’të kërkojnë meshë/ Tokat  s’të  japin gjë; / Po s’pata gjysmë litri  verë të pi  ditën, ndihem si i vdekur).

Në këtë komedi Santori shpreh aftësitë e veta si vëzhgues  të realitetit që e  çojnë nga romantizmi, një romantizëm i stuhishëm, i afërt me romantizmin kalabrez te realizmi, një  realizëm të ngjashëm me verizmin italian, i cili përfshinte  edhe  elemente  të natyralizmit, të një  fotografimi  tepër besnik  të realitetit.

Ky autor zbulohet  te “Polikarpi” edhe si psikolog që depërton  me mprehtësi në shpirtin njerëzor dhe di  ta pasqyrojë atë  jo vetëm përmes patosit  dramatik ose tragjik që i ofronte  realiteti i kohës, po edhe  përmes  një  patosi komiko-satirik duke e pasuruar letërsinë arbëreshe  dhe shqiptare për herë të parë  me përmasën e humorit, të vështrimit  të të metave  dhe veseve  njerëzore përmes lentes  zmadhuese të  komizmit!

Ky komizëm  në komedinë  në fjalë përqendrohet te karakteret, njëri prej  të cilëve  është  vetë  autori, personazh mungues, po që jeton  përmes  perceptimit të personazheve të tjerë. Kjo komedi ka një shije moliereske (le të  kujtojmë se si  vetë  Molieri  bën ironi me veten  dhe alergjinë e vet  ndaj mjekëve  te “I sëmuri imagjinar” nëpërmjet thënieve  të protagonistit, Argantit, njeri  narçizist  dhe me një  kujdes të  tepruar  ndaj vetes  që shpik  njëmijë sëmundje  imagjinare nga frika dhe  egoizmi i tepruar.

Ky personazh që është  bërë skllav i  mjekëve, shfaq  armiqësi ndaj vetë autorit duke  folur  për të  me tallje dhe nënvleftësim. Në mënyrë  analoge,  bashkëfshatarët e quajnë Santorin  njeri pa vlerë  dhe të paditur që, sipas tyre, pretendon  më kot  nëpërmjet disa shkrimeve “të  kopjuara andej – këtej” për mendimin e tyre, të luajë  rolin e  një njeriu  të përgatitur  dhe të  talentuar, prandaj  ai quhet  prej tyre me llagapin “gomar”. Njëkohësisht, ata  duke bërë  aluzion  për aventurat e tij me vajzat  që s’i përshtaten  një kleriku, e quajnë “cjap”.

Këtu Santori, përveç  qëndrimit satirik ndaj  bashkëfshatarëve që e gjykojnë  atë me  rreptësi  të tepruar pa qëndruar  aspak më lart nga morali, ka edhe një  qëndrim ironik ndaj vetes. Vlerësimit të rreptë dhe të pamëshirshëm të bashkëfshatarëve  të paditur dhe  ziliqarë (jo  më kot,  njëri prej tyre, sipas  zakonit  të autorit për t’i individualizuar personazhet sipas emrit  quhet Cilosëri – Zilitari). Santori i kundërvë  vlerësimin plot respekt  e dashamirësi  ndaj tij  të Dora d’Istrias dhe krijon efekte  komike  duke ia  kundërvënë famën e saj të madhe  paditurisë së  ndonjë  bashkëfshatari që duke  mos ia  njohur emrin, e gjykon  si po aq  të paaftë  dhe të  paditur  se sa njeriu që ajo vlerëson (pra, ai vetë).

Autori gjen rast këtu  për ta lartësuar emrin e kësaj  princeshe shqiptare  të famshme përmes thënieve  të intelektualëve të shquar evropianë për të: të  parën Zonj të Europs, atë çë gjith  shkruaj tart/ allaman, frangjiz, glereq e itallir e vun/ për urtëri mbi Modhamen Stall, atë  çë thon/ se s’ka  nj’etër  grua të e përgjas ndë sa  gjëllinjën  sod ditë … (të  parën Zonjë të Europës, atë që tërë  shkrimtarët gjermanë, francezë, grekë dhe italianë e vunë/ për  urtësi më lart se Madam de  Stal; atë  për të cilën thonë se s’ka  grua tjetër  t’i përngjajë  ndër ata  që jetojnë  sot).

“Polikarpi” njihet  përmes një dorëshkrimi prej vetëm  tri faqesh. Nuk dihet nëse autori nuk ka arritur  dot ta  përfundonte veprën ose nëse  dorëshkrimi i saj  ka humbur.

Kjo komedi, tok me  binjaken e saj “Kallogrea  karroqare” (binjake nga lloji se nuk u dihet  viti i  saktë në të cilin  janë shkruar, sipas të gjitha gjasave në vitet e pjekurisë së autorit – 60-70 të shekullit XIX), ndonëse e paplotë, dëshmon  për aftësinë e autorit arbëresh  për të lëvruar  llojin e komedisë së karaktereve.

Pra, ndonëse çan në një “tokë të  virgjër” Santori  shfaq vlera estetike në vizatimin e karaktereve dhe në humorin e mprehtë që është i afërt me humorin e “satirave” dhe “rrëfimeve satirike”, të zbuluara dhe të analizuara më parë nga studiuesit, të cilave edhe ne u kemi  kushtuar  një shkrim të veçantë.

Është për të ardhur keq që ky autor, nismëtar  dhe tepër pjellor në aq fusha, të mos ketë arritur as  t’i shfaqë, as të paktën, t’i botojë komeditë e veta në mënyrë që  të ballafaqohej me bashkësinë e vet  arbëreshe  dhe me  kritikën e kohës, meqenëse, si  komediograf, i ka  prirë  shumë  në kohë Çajupit që për  një kohë  të gjatë është quajtur si komediografi i parë  shqiptar.

Santori, pra, ka qenë, në  vijë  kronologjike, komediografi i parë shqiptar dhe, për më  tepër, një  komediograf i  talentuar./ KultPlus.com

Shkencëtarët zbulojnë sekretin e rezistencës së blloqeve të gurit të Stonehenge

Analiza e parë gjithëpërfshirëse shkencore e blloqeve prej guri impozant në Stonehenge zbuloi sekretin e rezistencës së madhe ndaj motit

Shkencëtarët studiuan mostrat kryesore nga një prej sarseni, Guri 58, të marra gjatë punës konservuese në vitet ’50 të shekullit të kaluar, transmeton KultPlus.

Ai bllok është mbajtur në Shtetet e Bashkuara për dekada dhe është kthyer në Britani në vitin 2018 për analiza shtesë.

Sarseni është janë ndërtuar nga të ashtuquajturit “silkrit” që u formua gradualisht brenda disa metrash nga sipërfaqja e tokës si rezultat i ujërave nëntokësorë që qarkullojnë nëpër sedimentet e nëndheshme.

Silkriti është tokë e ngurtësuar (rezistente ndaj thërrmimit) që formohet kur dyoksidi i silikonit të shkrirë çimenton sipërfaqen e tokës, rërës dhe zhavorrit.

Rezultatet e hulumtimit treguan se thelbi përbëhet kryesisht nga kokrra kuarci me madhësinë e rërës së çimentuar fort me kristale kuarci të kryqëzuar.

Kuarci jashtëzakonisht rezistent, i qëndrueshëm dhe afatgjatë nuk shpërbëhet ose gërryhet edhe kur ekspozohet ndaj kushteve atmosferike për mijëra vjet.

“Kjo shpjegon rezistencën e gurëve ndaj ndikimeve atmosferike dhe pse është një material ideal për ndërtimin e monumenteve,” tha gjeomorfologu David Nash nga Universiteti i Brighton, i cili drejtoi kërkimin e botuar në revistën PloS ONE, transmeton tutje KultPlus.

Guri i analizuar 58 është shtatë metra i lartë, me dy metra të tjerë të varrosur në tokë, dhe pjesa e sipërme peshon rreth 24 tonë.

Modeli kryesor është në formën e një shkopi guri 2.5 centimetra të gjerë dhe rreth një metër të gjatë, ngjyrë bezhë që është më e lehtë se pjesa e jashtme gri e hapur e megalitit.

Metoda e studimit u krye duke përdorur metoda kërkimore, skanimin CT, rrezet e Rëntgenit, analizat mikroskopike dhe shumë analiza teknike të gjeokimisë.

“Mostra e përdorur, tash për tash është guri më i analizuar pas gurëve të Marsit,” tha Nash.

Arkeologët mendojnë që gurët pingul janë ngritur rreth viteve 2500 p.e.s dhe 2000 p.e.s megjithese stomi dhe brazda rrethpërshkuese, të cilat përbëjnë fazën më të hershme të përmendores, datojnë rreth viteve 3100 p.e.s. Gurët kanë një peshë rreth 13 ton secili dhe janë transportuar për disa kilometra.

Vendndodhja dhe rrethinat bëjnë pjesë në listën e UNESCOs të Objekteve të Trashëgimisë Botërore që nga viti 1986, si edhe ndodhet nën mbrojtjen e Scheduled Ancient Monument. / KultPlus.com