Përfaqësuesit e ekipit të Kosovës kanë parakaluar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike ‘Pekini 2022’, përcjell KultPlus.
Ekipi i Kosovës parakaloi e 54-ta nga 91 ekipe pjesëmarrëse.
Ekipi olimpik që parakaloi në ceremoninë hapëse përbëhet nga: Albin Tahiri, flamurmbajtës, Bujar Turjaka, shef i misionit, Jeton Beqiri, zyrtar ndërlidhës për Covid 19, Musa Selimi, anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut dhe Kushtrim Krasniqi, përgjegjës për media.
Ndërkaq, skitarja tjetër, Kiana Kryeziu, që ishte paraparë të mbante flamurin bashkë me skitarin Tahiri, nuk u lejua të marrë pjesë në ceremoni, sikurse trajneri Agim Pupovci i cili rezultoi pozitiv me Covid 19./ KultPlus.com
Paramount Pictures dhe Spyglass Media kanë shpallur zyrtarisht filmin ‘Scream 6’, përcjell KultPlus.
Xhirimet pritet të fillojnë këtë verë me skenar të James Vanderbilt dhe Guy Busick, siç raportohet nga The Hollywood Reporter. Matt Bettinelli-Olpin, një anëtar i treshes drejtuese të Radio Silence dhe Tyler Gillett do të kthehen për të drejtuar regjinë.
Venderbilt, një anëtar i kompanisë së prodhimit të Project X Entertainment, do të prodhojë Scream 6 së bashku me kolegët Paul Neinstein dhe William Sherak.
Producenti ekzekutiv do të jetë krijuesi i serialit, Kevin Williamson së bashku me Gary Barber nga Spyglass dhe Peter Oillataguerre, plus anëtarin e Radio Silence, Chad Villella.
Spyglass dhe Paramount thanë në një deklaratë: “Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për fansat në mbarë botën që e pritën me entuziazëm filmin tonë”.
“Ne mezi presim që audienca të shohë se çfarë kanë rezervuar Radio Silence, shkrimtarët Jamie dhe Guy dhe Project X për familjen tonë Woodsboro”. /KultPlus.com
Shtëpia britanike e ankandeve ”Sotheby’s” ka nxjerrë në ankand diamantin e zi më të madh në botë.
Diamanti i zi 555,55 karat i quajtur ”Enigma”, i cili ka nisur të ekspozohet në ”Sotheby’s” në Londër, do të jetë në ankand online në datat 3-9 shkurt.
Diamanti i zi, i cili mendohet të jetë formuar kur një asteroid me gurë të çmuar u përplas me Tokën 2,6 deri në 3,8 miliardë vjet më parë, dhe që përfshin osbornitin, mineral i gjendur në meteorite, do të gjejë pronarin e tij të ri më 10 shkurt.
”Enigma”, 800 karat, në formë të papërpunuar kur u ble nga pronari aktual në vitet 1990, mori formën e saj përfundimtare pas tre vitesh përpunimi.
E prerë në formë palme sipas frymëzimit nga Lindja e Mesme, ”Enigma” pritet të gjejë blerës për rreth 3-5 milionë sterlina.
Nikita Binani, specialiste e bizhuterive në ”Sotheby’s”, shprehu kënaqësinë për ofrimin e një diamanti të rrallë dhe që bie në sy.
Binani vuri në dukje se ”Enigma” u rendit si diamanti më i madh i zi me ngjyrë natyrale në botë nga Instituti i Gurëve të Çmuar i Amerikës (GIA) dhe hyri në librin e rekordeve ”Guinness” si ”diamanti më i madh i prerë në botë”./ KultPlus.com
Vertet jetoj ne kohe te zymta! Fjala e shtendosur eshte e çmendur. Nje balle i lëmuar tregon pandjeshmeri. Ai qe qesh ka gjasa te mos i kete arritur akoma lajmi i tmerrshem.
Ç’kohe jane keto, ne te cilat nje fjalim mbi pemet eshte pothuajse nje krim pasi nenkupton heshtjen mbi kaq shume krime. Ai aty qe po pershkon qetesisht rrugën ndoshta nuk eshte me i arritshem per miqte e tij qe vuajne.
Eshte e vertete: fitoj akoma buken e gojës por me besoni: eshte nje rast i rralle. Asgje nga çfare bej s’me jep te drejten te ngopem. Rastesisht me kane kursyer. (Kur te shuhet fati im jam i humbur.)
Me thone: „Ha e pi! Ji i kenaqur pasi ke!“ Por si mund te ha e pi, nëse ajo qe ha ia heq atyre qe kane uri dhe gota ime e ujit i mungon atyre qe vdesin atjeje? Por gjithsesi ha e pi.
Do me pelqente edhe te isha i urte. Ne librat e vjeter shkruajne çfare do te thote i urte: te rrish jashte telasheve te botes e te kalosh kohen e shkurter pa frike.
Edhe t’ia dalesh pa dhunen, te kthesh te keqen me te mire, te mos permbushesh deshirat vetjake, por te harrosh, kjo eshte quajtur urti. E gjithe kesaj nuk ia dal: vertet jetoj ne kohe te zymta!
Ju qe dilni nga batica ne te cilen ne jemi mbytur kujtoni, kur te flisni per dobesite tona edhe kohet e zymta te cilave ju u shpetuat.
Ecnim, duke nderruar me shpesh vendet sesa kepucet, permes luftrave te klasave, te dëshpëruar kur kishte vetem padrejtesi e asnje revolte.
E gjithashtu dime: edhe urrejtja kundrejt skamjes shtremberon pjeset e fytyres. Edhe terbimi per padrejtësitë e ben zerin te ashper. Ah, ne qe donim te pregatisnin truallin per miresjelljen, ne nuk mund te ishim te sjellshem.
Por ju, kur te arrije çasti qe njeriu te jete mik i njeriut, na kujtoni me miresi./ KultPlus.com
Bertolt Brecht in 1937. (Fred Stein/picture-alliance/dpa/Associated Press)
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 78-vjetori i Masakrës së 4 Shkurtit 1944, e cila do të mbahet mend si një nga masakrat më të rënda të ndodhura në kryeqytet.
Reprezalje e bastisje të befasishme të kryera nëpër shtëpitë dhe familjet e Tiranës nga pushtuesi nazist gjerman dhe bashkëpunëtorët e tij u kryen natën e 4 shkurtit 1944.
Dhuna e përgjakshme i kushtoi popullit të Tiranës rreth 84 të vrarë, si dhe arrestimin e mbi 300 të tjerëve.
Qëllimi i masakrës ishte të frikësohej populli e të detyrohej të hiqte dorë nga lufta e nisur, të sigurohej qetësia e rendi që kërkonte regjimi gjerman i pushtimit.
Organizatorë dhe drejtues të kësaj masakre ishin bashkëpunëtorët e pushtuesit gjerman Xhafer Deva, ministër i Brendshëm dhe Xhelal Staravecka, komandant i Xhandarmërisë së Tiranës. Masakra nuk arriti të ndalte luftën e qëndresën antifashiste të shqiptarëve./atsh/ KultPlus.com
Rita Ora ka njoftuar se ka nënshkruar një marrëveshje të re rekord me BMG, shkruan KultPlus.
Duke postuar në Instagram mbrëmjen e së enjtes, këngëtarja shqiptare njoftoi se ka shënuar një ‘kapitull të ri’ pasi siguroi një kontratë me agjencinë diskografike, klientët e së cilës përfshijnë Kylie Minogue, 5SOS, KSI dhe Run The Jewels.
“Jam e emocionuar të njoftoj se jam partnere me BMG!!! Nuk mund të isha më e lumtur që ata do të jenë familja ime për të ecur përpara”, ka shkruar Ora.
“Jam shumë e emocionuar për muzikën e re për të cilën kam punuar dhe mezi pres ta ndaj me të gjithë ju. Këtu është një kapitull i ri! Shihemi të gjithë së shpejti!”, ka vazhduar tutje ajo. /KultPlus.com
Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të një jetimeje të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.
Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.
Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.
Më poshtë mund të shihni letrën që ajo i shkroi gjyshes së saj, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.
2 SHKURT 2000
E dashura gjyshe. Herën e fundit kur të shkrova, isha e shtrirë në spital. Nejse, që atëherë gjërat janë përmirësuar. Ende më duhet të shkoj tek fizioterapeuti tërë kohën, ndonjëherë deri në pesë herë në javë, por të paktën në mbrëmje mund të shkoj në shtëpi.
Para pothuaj tre muajsh, pata një operacion të madh në krah. Të lutem mos u merakos për plagët e mia, sepse doktorët këtu kujdesen shumë për mua. Aq shumë, saqë jam kthyer në shkollë. Është kënaqësi të jem së bashku me moshatarët e mi. Plus, unë e vesh uniformën e shkollës që është shumë e lezetshme. Askush nga nxënësit në Kosovë nuk do t’i vishte, por këtu të gjithë vijnë në shkollë me funde ngjyrë hiri, pulovra dhe kollare ngjyrë vjollce.
Mësimet ma heqin mendjen nga ajo që ndodhi vitin e kaluar. Edhe pse mësoj vetëm shkencë, matematikë dhe tek-tuk ndonjë mësim arti, unë humb veten me detyrat që kam. Po ashtu, nxënësit dhe mësuesit sillen shumë mirë me mua, gjë që ma lehtëson jetën.
Më vjen çudi, se si sistemi shkollor këtu është ndryshe nga ai në Kosovë. Në vend që mësuesit të kenë sallën e arsimtarëve, ata kanë një dhomë në klasën time dhe atyre iu duhet të rrinë me ne.
Edhe pse po shërohem përbrenda, prapë se prapë ka gjëra që ma zenë rrugën. Unë nuk mund të shprehem siç duhet. Ka shumë raste kur nuk mund të shpreh mendimet e mia sepse nuk e flas gjuhën angleze aq mirë. Fakti i tillë po më çmend. Dua t’iu them njerëzve:”Unë nuk po tregoj veten time, unë nuk po shprehem ashtu siç synoj!”
Por nuk kam mundësi, kështu që ndjehem sikur të isha dikush tjetër. E urrej këtë gjendje. Unë kurrë nuk kam qenë aq e urtë në shtëpi, po këtu mësuaesit mendojnë se jam shumë e sjellshme. Sikur t’më njihnin! Më ka marrë shumë malli për ty dhe shtëpinë. Shpresoj të shihemi së shpejti. Me dashuri, Saranda./ KultPlus.com
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se aktiviteti kulturor “Colours of Albanians 2022” do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në këtë aktivitet do të ndahen 10 çmime dhe 10 fotot më të bukura që janë shpërndarë në rrjete sociale do të bëhen pjesë e broshurës që do të shpërndahet në të gjithë përfaqësitë diplomatike nëpër botë.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Pas 9 javëve të mbushura me plot & të bukura, juria e #ColoursofAlbanians2022 ka marrë kohën e saj për të seleksionuar postimet dhe për të zgjedhur fituesit.
Gjithsej do jenë 10 çmime: 1 çmim i parë për çdo temë dhe Çmimi i Diasporës.
Ndërkohë,10 fotot më të bukura nga secila temë do të bëhen pjesë e broshurës që do të shpërndahet në të gjithë përfaqësitë tona diplomatike nëpër .
Takohemi në eventin final, në 17 shkurt në Prishtinë.
Filmi kosovar me regji të Blerta Bashollit, ‘Zgjoi’, tashmë është bërë i qasshëm edhe në platformat online, përcjell KultPlus.
““Zgjoi” bëhet i qasshëm në platformat online Për momentin atë mund ta blini ose merrni me qira në “Vudu”, “Amazon Video”, “Kino Noë”, “iTunes” e të ngjashme To all our followers we have great news Currently “Hive” is available for rent or buy on Vudu, Amazon Video, Kino Now, iTunes etc.” – thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të ‘Zgjoi-t’./ KultPlus.com
Albin Tahiri do ta bartë i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Skitarja tjetër, Kiana Kryeziu, që ishte paraparë të mbante flamurin bashkë me skitarin Tahiri, nuk do të lejohet të marrë pjesë në ceremoni, sikurse trajneri Agim Pupovci.
Pupovci ka rezultuar pozitiv në njërin nga testet e përditshme për Covid 19 dhe përkundër se është asimptomatik dhe gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë, ai është duke ndjekur rregullat e karantinimit, edhe pse testet e fundit jane negative.
Sipas organizatorëve, Kryeziu, është konsideruar si kontakt i mundshëm me persona tjerë, për çka nuk i lejohet të marrë pjesë në ceremoni, edhe pse është duke stërvitur dhe rezultuar negativ në testet per Covid 19.
Krahas ekipit tonë Olimpik, shumë ekipe Olimpike do të jenë të përgjysmuara në ceremoninë hapëse shkaku i kontaktit te personave me personat tjerë./ KultPlus.com
Ibrahim Madhi, gjatë rrugëtimit të tij artistik u bë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të vendit, si Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe të Institutit të Lartë të Arteve duke qenë mbamëndje e pashlyeshme e memories së tyne, si një virtuoz që ka rrëmbyer ovacionet dhe afrinë e publikut, shqiptar dhe atij të huaj, duke qenë njëheras dhe ambasadori i vlerave shpirtërore shqiptare në skenat konceptore n vende të ndryshme të votës.
Violinisti i tingullit të bukur, elegant dhe shprehës, ka treguar individualitetin e tij të spikatur artistik në skenat e Shqipërise, Kosovës, Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. duke marrë vlerësime dhe duartokitje frenetike. Me përgjegjësi dhe kualitet të lartë artistik ka interpretuar pothuajse të gjithë repertorin violinistik shqiptar, duke i bërë premierën shumicës së tyre. Ai ka shumë or inçizime e regjistrime në studio apo direkt nga sallat e koncerteve me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit (Kinë), Radion e Gracit (Austri) etj., të cilat vazhdojnë të jenë në transmetim.a
Ibrahim Madhi është nderuar në vite me çmime dhe Mirënjohje të veçanta, si dhe i janë akorduar çmimet: Artist i Merituar në vitin 1976 dhe Artist i Popullit në vitin 1990.
Mungesa e tij ka pesë vite në mes. Por kurrsesi nuk ka të fundit kurrçka tjetër që e lidh me atë; violinist virtuoz, njeri të mirë, bashkëshort të dashur, prind të përkushtuar, profesor korrekt dhe mik të pashoq. /Albert Vataj / KultPlus.com
Dy vjet pas shpërthimit të Covid-19, Europa po shkon drejt fundit të pandemisë. Mesazhi shpresëdhënës vjen nga shefi i OBSH në Europë, Hans Kluge, sipas të cilit, Kontinenti i Vjetër mund të hyjë shpejt në një periudhë të gjatë qetësie falë nivelit të lartë të vaksinimit, variantit më pak agresiv Omicron dhe fundit të dimrit.
“Dua të riktheksoj pohimin e bërë javën e kaluar; se Europa po shkon drejt fundit të pandemisë. Jo për të thënë që gjithçka ka mbaruar por rajoni ka tani mundësinë unike për të kontrolluar transmetimin për shkak të tre elementeve kryesore. Pikë së pari kemi nivel të lartë vaksinimi dhe imuniteti natyral; së dyti, na favorizon ndryshimi i sezoneve, ndërsa jemi në fund të dimrit, dhe së treti na ndihmon agresiviteti më i ulët i variantit Omicron”, tha Kluge.
Kluge shtoi më tej se një solidaritet globale për vaksinën është i nevojshëm për të reduktuar më shumë kërcënimin e Covid-19. Rreth 12 milionë raste të reja me koronavirus u raportuan javën e kaluar, çka shënoi incidencën më të lartë 7-ditore qe prej shpërthimit të pandemisë. Megjithatë sipas OBSH, niveli i lartë i infektimeve nuk është reflektuar me rritje të shtrimeve në terapitë intensive dhe po ashtu numri i vdekjeve rreth rajonit ka filluar të stabilizohet.//A2CNN/ KultPlus.com
E njohur si dita ndërkombëtare e vetëdijesimit në agjendën globale të shëndetit, “Dita e Kancerit” është me 4 shkurt. Kjo ditë është bërë për të bashkuar njerëzit që të luftojnë kundër kancerit, dhe për të ndihmuar e për të shpëtuar miliona jetë nga vdekja e parandaluese duke rritur edukimin dhe vetëdijen dhe duke përfshirë njerëzit, komunitete dhe qeveritë për të marrë vendime të nevojshme.
Me COVID-19 që ndikon në çdo aspekt të jetës dhe rezulton në përkeqësim të përhapur të shëndetit, ekziston një urgjencë kur bëhet fjalë për kujdesin mjekësor dhe sigurimin e mirëqenies fizike. Prandaj, është thelbësore që të jemi të vetëdijshëm për sëmundjen, shkaqet kryesore të mundshme të kancerit dhe kërcënimin e perceptuar për të bërë ndryshimet e nevojshme.
Çka e shkakton kancerin?
Shpesh përshkruhet si një betejë që dikush duhet të luftojë për të mbijetuar, rreziku nga kanceri është rritur shumë.
Me ndryshimet në jetën social-ekonomike që janë shfaqur ne glob, mënyra e jetesës dhe zakonet për dieta kanë bërë një ndryshim të madh. Pirja e duhanit, dieta me shumë yndyrë dhe kimikatet toksike janë disa shembuj që mund të jenë faktorë rreziku për disa kancere të të rriturve.
Ndërsa një faktor rreziku nuk është domosdoshmërish përgjegjës për sëmundjen, ai mund ta bëjë trupin më pak rezistent ndaj tij. Prandaj, është thelbësore të familjarizohesh me rreziqet dhe shkaktarët dhe të marrësh masat e duhura në përputhje me to.
Mënyra e shëndetshme e jetesës dhe kujdesi
Llojet më të zakonshme të kancereve, d.m.th., Oral, mushkëri dhe kolorektal, janë shkaktuar kryesisht nga konsumi i lartë i duhanit dhe shëndeti i dobët i përgjithshëm trupor duke e bërë edhe më të rëndësishme që duhet bërë ndryshime të vetëdijshme të jetesës që sigurojnë parandalimin në kohë. Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ulë rrezikun e llojeve të ndryshme të kancerit, duke përfshirë Kancerin e gjirit, prostatës, mushkërive, zorrës së trashë dhe veshkave.
Prandaj është e rëndësishme të përfshihen lloje të caktuara të ushqimit, veçanërisht perime kryesuese si brokoli, lakër, në dietë, ndërsa gjithashtu të ndaloni konsumin e duhanit dhe të mbeteni të vetëdijshëm për ruajtjen e shëndetit të mirë me Yoga dhe ushtrime të rregullta. Një kombinim kolektiv i këtyre është provuar të thyejë grupe të qelizave që kanë pësuar mutacion në përbërje biologjikisht aktive duke zvogëluar rrezikun e kancerit në një masë më të madhe.
Për më tepër, duhet bërë edhe një shqyrtim i rregullt mjekësor një përparësi që ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes, duke ndihmuar në rritjen e shanseve të trajtimit dhe shërimit.
E rëndësishme është edhe sigurimi i mbrojtjes së duhur financiare për kancer, sepse bazuar në llojet e kësaj sëmundje trajtimet për kancer kanë kosto të lartë. / KultPlus.com
I dashtun, Gjithë këtë kohë e kam mendjen tek ti. Më ka dalë gjumi qysh në orën 5.10 të mëngjesit nga një vetëtimë e tmerrshme dhe bubullimë që tronditi gjithë shtëpinë. Menjëherë më shkoi mëndja tek ti. Me se do të niset? Me motoçiklete asht gomarllëk ta mendoj, se s’ke luejtë mënc. Nga vetëtima neve na u dogj radioja, megjithëse nuk e kishim të ndezur. Gjithë këtë tersllëk shiu e ka prue ai Thimi i pllakave, po ti mos i thuej se na zemërohet burri i botës. Kot nuk të thashë që kur të rrinje, të më baje nji telegram sa të më hiqje merakun.
Ty pa të porositë, nuk të shkon mendja për asgja. Por duhet të kesh arritë mirë se nuk kam asnji parandjenjë të keqe në zemër. Unë sot, skam dalë hiç, korrigjova disa detyra e hartime dhe tashti po merrem me ty. Sa të due mor fishek, sa nuk di me ta tregue. Ma mirë që takohemi në krye dy tri javëve se kështu të paktën i kuptojmë ndjenjat tona. Ti më qorton se s’të kam shkrue letra, po as ti s’më ke shkrue ma shumë, barazi jemi.
Ti më pritnjë se po vi në Tiranë, edhe unë mendoja se po takohem me ty. Po tashti e kemi të qartë të dy, se për tri javë nuk do takohemi kështu që ti shkruajmë njëni – tjetrit pa justifikime të kota. Janë letrat e fundit e kupton, s’do kemi nevojë ma për letra, se do merremi vesh tue qenë pranë dhe jo nëpërmjet postierit shkodran e tiranas. Veç ndonjëherë kur të grindemi, do pajtohemi me anë letrash. Sot jemi më 20 prill edhe dy muaj e dy javë kanë mbete që të jemi të ndarë.
Edhe 3 herë nga dy tre ditë do të takohemi, mandej… e di vetë ti. Mendon për dasmë, mos mendo shumë me ardhë, dasmë pa mish dhe lekë nuk ka. Ti je fishek, s’mendon fare. Do të bashkohen të gjitha bashkë dhe s’do të dish nga t’ia fillon.
Pa pasaportizimin s’ka emnim pune, prandaj më dërgo fjalë sa më shpejt çfarë duhen si dokumente për lutje dhe mos i lër pas dore. Prilli po mbaron, pra edhe për Xhelalin mos harro, gjej kohë të lirë, se nuk bëhet kiameti. E di se punë do të kesh shumë por ç’të bajsh. Sot një vjet për 1 maj do më shohësh tue parakalue edhe mue me nxanësit, do më tundësh dorën, mor fishek, do të shkruejsh ma me entuziazëm. Mjaft porosi të kam dhanë, mbes me shpresë se do ti kryesh o “portret i njeriut të madh”. A ta mban të shkojsh esëll me ble ato që donje ti merrje mbramë në atë dyqanin që pamë. Je një cikë i paturpshëm. Të fala kush të pyesi për mue Të puth fort, jo si tek gjyshja.
Parlamenti flamand i Belgjikës miratoi sot projektligjin që rrit dënimin me burg për abuzim me kafshët në 10 vjet dhe gjobën deri në 1.6 milionë euro.
Qeveria e rajonit flamand dëshiron që të rritet edhe më shumë dënimi me burg deri në 18 muaj dhe gjobë nga 16 mijë deri në 100 mijë euro në rast të keqtrajtimit të përsëritur pasi që ishte i paefektshëm më parë.
Me propozimin e pranuar nga parlamenti, personat që neglizhojnë ose keqtrajtojnë me dashje kafshët mund të gjobiten deri në 800 mijë euro dhe të dënohen me burgim deri në 5 vjet nëse kryejnë këto krime për herë të parë.
Nëse fajtorët kanë vepruar në këtë mënyrë në 5 vitet e fundit, gjoba mund të jetë deri në 1.6 milionë euro dhe dënimi me burg deri në 10 vjet.
Vendet e punës që konstatohet se kanë abuzuar me kafshë mund të mbyllen për periudha të caktuara ose për një kohë të pacaktuar.
Paratë e mbledhura nga gjobat do të përdoren për kujdesin dhe mbrojtjen e kafshëve apo kërkimin shkencor përmes fushatave ndërgjegjësuese të kafshëve. / KultPlus.com
Në korrik të vitit 1965, ata u lidhën në martesë. Më në fund ‘e kandisi’ta merrte në shtëpi shkodranen. Vetëm 10 ditë përpara dasme, Dritëro Agolli i shkruan të dashurës së zemrës.
Letra:
E dashur Sadije! Sa u ktheva nga Korça. S’më besohet se kanë mbetur edhe 10 ditë gjer në dasmë.
Unë këtej kam bërë të gjitha përpjekjet që të kalojmë mirë verën. Mua më dhanë një herë një fletë kampi për në Pogradec, po duhet të niseshim më datë 24 qershor, d.m.th. sot. Natyrisht që ishte një gjë që s’bëhej. Atëherë shokë e miq ndërhynë dhe ne do të shkojmë në Durrës më 9 korrik në shtëpinë e pushimit ose të Kryeministrisë, ose të Oficerëve.
Ti duhet të marrësh një vërtetim nga qendra jote e punës që je në punë. Bëje gati, se vij e marr të shtunën. Unë do vij të të marr me maqinë angazhe e vishu si të duash e si të jetë më mirë. Ti kujton se unë nuk kam qejf që ti të vishesh me të bardha? Këtë radhë më ka marrë malli shumë për ty. Po ti e ke patur fajin pasi nuk donje të të vinja unë në Shkodër meqë kishin mbetur kaq pak ditë nga martesa! Gjepura! Të shtunën do vi e ti do më presësh. Mbarove shkollën? Xhelali a erdhi? Unë jam i bindur që ty plazhi do të të pëlqejë. Në njëzetedy ditë apo një muaj do të bëhesh korb e zezë. Vetëm duhet të ruash lëkurën e hundës se mos mbetesh me lëkurë të ngrënë në hundë, dhe ti e di sa rëndësi ka hunda, sidomos për seksin e bukur! O hundë, e bekuar! Kam shkruar një cikël me vjersha për fëmijë dhe nesër botohet në “Mësuesi”.
Vjersha të tilla ti kurrë nuk ke lexuar. Për herë të parë shkruaj për fëmijë, siç duket, ti së shpejti do na skalitësh ndonjë azuratino! Tani në prag të dasmës ti nuk shkruan. Nuk vete në postë, siç mendoj unë. Kush e di sa e hutuar dhe e emocionuar je! Edhe unë i emocionuar jam, po meqë jam aq i afërt me ty dhe të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës.
Të dua shumë, shumë. Të puth fort Yti Dritëro 24.VI.1965
Mishërimi i pesimizmit dhe e romantizmit gjerman, Artur Shopenhauer njihet kryesisht për veprat “Bota si vullnet dhe përfaqësim”, “Metafizika e dashurisë”, “Baza e moralit”, “Si të sillemi me gratë” etj.
Arthur Schopenhauer lindi në Gdansk, më 22 shkurt 1788, si djali i një biznesmeni kozmopolit dhe një nëne që pëlqente letërsinë. Jetoi gjithnjë i pavarur, duke mos mbajtur asnjëherë një post akademik me pagesë.
“Pavarësia e mjeteve”, shprehej Shopenhauer, “është parakusht i pavarësisë së mendimit”.
Jetoi tridhjetë vjet i vetmuar, në murin e studios varur një portret të Kantit, kurse në tryezën e punës një statujë të Budës. Për kënaqësi lexonte The Times, i binte flautit dhe asistonte në operën e Frankfurtit.
Nocioni i vullnetit, pikëpamjet mbi motivimin apo dëshirat njerëzore, zënë vendin themelor në mendimin e tij: thelbi i ekzistencës, që përbën çdo gjë, një ide që do të ketë ndikim të thellë tek Friedrich Nietzsche. Nisur nga kjo pikëpamje, soditja estetike merr një kuptim të ri.
Zbulimi i filozofisë indiane do të lë gjurmë të pashlyera në mendimin filozofik të autorit, si pasojë e leximit të “Upanishadëve” – tekste të shenjta që formojnë bazën e saj teorike.
“Siç dihet, filozofia ime mohon çdo përqasje që mund të bëhet midis jetës njerëzore dhe konceptit të ekzistencës së lumtur”, shprehej Schopenhauer.Thelbi i filozofisë së tij më vonë do të përshfaqej si një devizë e pesimizmit ngushëllues.
Schopenhauer njihet për mizantropinë e tij, pak më pak i njohur për dashurinë ndaj moralit. Ishte nga ata filozofë që inkurajoi njerëzit të tregojnë paralelisht egoizëm dhe mëshirë. Egoizmi kundër moralit, sensi i përbashkët ndaj moralit praktik.
Progreset mahnitëse në shkencë dhe teknologji bënë që shekulli XIX të ishte një shekull optimist. Prezantimi i Hegelit për historinë e Perëndimit si një Bildungsroman, historia e realizimit të “arsyes” në çështjet njerëzore kishte mbërthyer mendimin e epokës.
Megjithatë, Schopenhauerio ishte i vetmi filozof që deklaroi pesimizmin e tij, duke e konsideruar historinë e Hegelit si një trillim të pashpirt. Progresi, që ai trumbeton, është një mashtrim: jeta ishte, është dhe gjithmonë do të jetë vuajtje: “orvatjet e rrekshme për të shmangur vuajtjet nuk bëjnë tjetër veçse ndryshim forme”.
Sipas tij, larg nga krijimi i një Zoti të dëshiruar, apo i surrogatos së tij, të “arsyetimit” hegelian, bota është diçka që “nuk duhet të ekzistojë”.
I panjohur deri në dekadën e fundit, filozofi më i famshëm në Evropë vdiq në vitin 1860. Shkrimet e tij mbi estetikën, moralin dhe psikologjinë ushtruan ndikim të rëndësishëm mbi mendimtarët dhe artistët e shekullti XIX dhe XX.
Disa nga aforizmat e tij më të njohura:
“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e madhe e ka të sigurt”.
“Për njeriun e pajisur me inteligjencë, vetmia ofron dy avantazhe: para së gjithash të jetë vetëmeveten dhe, së dyti, të mos jetë me të tjerët”.
“Edhe për më jetëgjatët, jeta është shumë e shkurtër në lidhje me projektet e bëra”.
“Çfarë i bën filozofët? Guximi për të mos mbajtur asnjë pyetje në zemër”.
“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlen edhe për lavdinë”.
“Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt”. /KultPlus.com
“Shkodra nëpërmjet monumenteve të kulturës”, është konkursi i hapur që do t’u mundësojë fotografëve profesionistë dhe amatorë të qytetit të Shkodrës, të tregojnë përmes fotografive të monumenteve qarkun e Shkodrës.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali theksoi sot se qarku Shkodër ka plot 156 monumente kulture.
“Kemi vendosur që Shkodrën këtë herë ta tregojmë nëpërmjet fotografive të këtyre monumenteve. Fituesi do të marrë dhuratë një aparat fotografik FujiFilm X-A5 me lente XC 15 – 45 mundësuar nga Fujifilm Shqip. Nëse jeni fotograf profesionist ose amator nga Shkodra na shkruani për të marrë listën e monumenteve”, tha Bilali. / KultPlus.com
Ka nisur restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një monument i rëndësisë së veçantë. Pas përfundimit të punëve restauruese, monumenti do të jetësohet me funksione institucionale dhe komunitare.
Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të rajonit të Mitrovicës do të bëhen edhe disa ndërhyrje restauruese. Gjatë vitit 2022 do të ndërhyhet në Hamamin e Qytetit, xhaminë e djegur “Mulla Ilaz Broja” në Brojë të Skënderajt, xhaminë e Mazhiqit, përfshi projektet për revitializim të qytetit të vjetër të Trepçës dhe ekspozitën e përhershme në Kompleksin e kullave të Isë Boletinit.
Në kuadër të masave emergjente gjatë këtij muaji do të nisin ndërhyrjet me karakter shpëtimi në Xhaminë e Mazhiqit, Kishën Katolike Sase në Stantërg dhe Shtëpinë e Islam Shipollit, ndërsa grupi i dytë i ndërhyrjeve emergjente do të definohet javëve në vijim.
Muzeu i Qytetit dhe Muzeu i Kristaleve janë institucione të rëndësisë së veçantë për kulturën dhe trashëgiminë kulturore jo vetëm të Mitrovicës. Nga diskutimet me zyrtarët e muzeve u njoftua për sfidat aktuale dhe potencialin e madh zhvillimor të këtyre institucioneve. Ministria gjatë vitit 2022 do të zbatojë programin e investimeve në një numër të konsiderueshëm të muzeve në gjithë vendin.
Teatri i qytetit të Mitrovicës vazhdon të funksionojë në kushte të vështira. Ministria e Kulturës ka mbështetur dy shfaqjet e këtij teatri në fund të vitit të kaluar, si pjesë e Programit të Ringjalljes. Megjithatë, sfidat edhe më tej janë të mëdha, veçanërisht ato infrastrukturore. Gjatë këtij viti janë planifikuar disa ndërhyrje renovuese në ndërtesat e institucioneve të kulturës, ndërsa teatrot e qyteteve do të trajtohen me prioritet.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, MKRS-ja vizitoi edhe Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Bibliotekën Komunale dhe Arkivin Ndër-komunal. Gjithashtu, si vazhdimësi e diskutimeve me komunitetin artistik për procesin e reformës kulturore, u mbajt takim me organizatat e skenës së pavarur kulturore të Mitrovicës. Së shpejti do të organizohet një diskutim të gjerë me komunitetin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, për të vazhduar me komunat e tjera të Kosovës, në përpjekje për të dëgjuar secilin dhe hartuar bashkërisht dokumentet e reformës në kulturë, nga koncept dokumenti deri te ligji unik dhe strategjia kombëtare për zhvillimin e kulturës.
Vizita në Mitrovicë u përmbyll me vizitën në Kullën e familjes Kadriu, e cila gjendet në lagjen Kroi i Vitakut. Brenda kullës qëndron e hapur për vizitorë galeria me ekspozitën e përhershme të pikturave të artistit të ndjerë Kadri Kadriu, të vrarë nga forcat serbe në mars të vitit 1999. Në hapësirën tjetër të galerisë, vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita e Hajriz Kadriut, e financuar nga Ministria e Kulturës, me motive nga arkeologjia dhe etnografia shqiptare. Hajrizi është nipi i piktorit të ndjerë Kadri Kadriu, djali i Ali Kadriut, i cili ka pritur dhe shoqëroi MKRS-në gjatë kësaj vizite, duke i paralajmëruar për ekspozitën e tij të skulpturës. / KultPlus.com
Muzikanti, poeti dhe sportisti i njohur kosovar, me banim në Madrid, kryeqytetin e Spanjës, Sylë Maxhera, pas disa botimesh të suksesshme në gjuhën shqipe, përkatësisht librave poetikë “Lulëzim i Orkidesë” dhe “Hyj nga dera”, tashmë botohet edhe në gjuhën spanjolle, me librin “Los Inocentes” (“Të pafajshmit”, në shqip).
Sylë Maxhera është një personazh poliedrik në skenën artistike midis Spanjës, ku ai banon dhe vepron e lëvron artin e tij prej shumë vitesh, dhe Kosovës, ku gjenden rrënjët dhe një pjesë thelbësore e frymëzimit të tij poetik e muzikor, teksa sakaq krijimtaria e tij pasurohet mëtejshëm me këngët e këtij artisti, që shpesh burojnë pikërisht nga poezitë e krijuara prej tij, dhe të shoqëruara me tinguj prekës muzikorë, të luajtura në kitarë sërish nga ky autor, (si kënga “Qaj për të”, e publikuar së fundi, në tetorin e vitit të shkuar, në Prishtinë).
“Los Inocentes”, pritet që mbas botimit, të promovohet në disa nga mjediset letrare të Madridit, dhe me gjasë, Sylë Maxhera, falë poezive, muzikës dhe artit të tij, do të shndërrohet në ambasador të mirëfilltë të Kosovës në botën kulturore e letrare spanjolle, duke ndërtuar ura të reja që lidhin kulturalisht Prishtinën dhe Madridin. / KultPlus.com
“Fan Noli poliedrik” titullohej konferenca shkencore e organizuar sot nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 140-vjetorit të lindjes së Nolit dhe të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në konferencë ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi dhe studiues, akademikë e profesorë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “Fan Noli është një prej mendjeve më të ndritura që ka nxjerrë historia shqiptare. Personalitete me formim enciklopedik dhe me gjurmë të pashlyera në dhjetëra fusha krijimtarie, veprimtarie dhe shërbimi, si ai i Fan Nolit, janë të papërsëritshëm dhe shfaqen në horizontet e kulturës dhe të mendimit kombëtar shumë rrallë”.
“Fan Noli është poet-tribun, që ka ngritur më këmbë popullin në kohë kthesash të mëdha; shkencëtar i shquar, të cilit i dukeshin të pamjaftueshme dy doktorata: një në historiografi e një tjetër në muzikologji; orator, që trondiste Asamblenë e Lidhjes së Kombeve në vitin 1924; poliglot, që mund t’u fliste popujve të Ballkanit e të Evropës, madje dhe të persëve të periudhës klasike në gjuhët e tyre dhe që në vitet e fundit të jetës iu kushtua mësimit të aramaishtes; përkthyes, për të cilin u tha me të drejtë se vetëm Fitzgerald-i mund t’i afrohej; meshtar, peshkop e kryepeshkop, figura kryesore dhe me rol vendimtar për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe i pari që mbajti një meshë shqip në pikëpamjen kronologjike”, tha Gjinushi
Akad. Gjinushi u shpreh se, “Fan Noli ishte kompozitor e muzikolog; më i lirë se një libertin, më i përkushtuar në besim se apostujt, aq sa i kishte caktuar vetes detyrë të përkthente ungjijtë nga aramaishtja, nga gjuha e Krishtit, me sloganin e mirënjohur të kthimit te burimi; lider shpirtëror i mërgatës shqiptare në Botën e Re, themelues i Vatrës dhe i Diellit; revolucionar në misionet qytetare dhe konservator në zgjedhjet kulturore e letrare; pa dyshim kryeministri më i kulturuar që ka nxjerrë ky vend që nga njohja e pavarësisë më 1920; Fan Noli është një figurë që do t’i bënte nder çdo populli, çdo gjuhe e çdo historie. Populli shqiptar ka qenë me fat që e ka birin e vet”.
Pas këtij vlerësimi, akad. Gjinushi vuri në dijeni se gjatë këtij viti Akademia e Shkencave do të organizojë një varg veprimtarish në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, që do të shpallet së afërmi.
“Pa dyshim veprimtaria krijuese dhe shkencore e Fan Nolit, kontributet e tij për oksidentalizimin e kulturës dhe të qytetërimit shqiptar; meritat e tij për çlirimin e mendësisë shqiptare nga trashëgimia anadollake dhe nga sundimi i bejlurçinës, do të zënë vend kyç në evokimin e parahistorisë dhe të historisë së akademizmit në botën shqiptare, e bëjnë atë një akademi më vete”, tha akad. Gjinushi.
Akad. Gjinushi theksoi gjithashtu se “figura e Fan Nolit është nga ato figura të rralla që të vë në vështirësi që në momentin e parë; ç’meritë t’i veçohet në krye – ajo e kryengritësit emancipues, e demokratit qytetërues, e pasuruesit cilësor të thesarit kulturor-letrar shqiptar, e qeverisësit popullor, e mendimtarit origjinal, e polemistit sarkastik e thumbues, e sjellësit të Shekspirit, Ibsenit, Omar Khajamit, Servantesit dhe shumë të tjerëve në gjuhën shqipe, kontribuues i paranjësimit të saj; e priftit me zë baritoni, që i jepte shije kulture meshimit; e publicistit qesëndisës dhe promovuesit të historisë shqiptare në Botë, për të përmendur fare pak prej tyre. Dhe kjo është shenja e parë e një njeriu që e dominoi si qytetar gjysmën e parë të shekullit të 20-të; e dominoi si kryepeshkop gjysmën e dytë të tij dhe mbetet krijues me kurorë sot e mot”.
“Le të japim të gjithë kontributin tonë më të mirë që kjo figurë të dritësohet edhe më shumë në këtë përvjetor”, përfundoi akad. Gjinushi. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta i kërkoi Kryetares së Kuvendit Lindida Nikolla, kryetarëve të grupeve parlamentarë dhe deputetëve të Kuvendit për të bërë të mundur krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.
Në letrën e drejtuar Kuvendit, Meta, argumentoi se viti 2022 shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorin e rikthimit në atdhe të familjes mbretërore shqiptare.
“Kjo dekoratë do të jetë vlerësim dhe mirënjohje për Mbretëreshën Geraldinë, e cila e deshi Shqipërinë dhe iu përkushtua, gjatë gjithë jetës së saj, me dashuri e pasion. Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane. Jam i bindur që kjo dekoratë e lartë do të rrisë, njëkohësisht, ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, mbi rolin thelbësor e të pazëvendësueshëm të grave e vajzave shqiptare, për sakrificat, përkushtimin dhe dedikimin e tyre ndaj familjes dhe shtresave më në nevojë dhe për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë. Propozoj që Dekorata “Mbretëresha Geraldinë” t’u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, kryesisht grave dhe vajzave, kontributi dhe shërbimet e shquara të të cilave, lartësojnë rolin e kombit dhe të gruas shqiptare brenda dhe jashtë vendit, nën moton e Mbretëreshës Geraldinë “Detyrë dhe Dashuri”, shprehet Meta./ KultPlus.com
Një urë historike në Roterdam të Holandës do të çmontohet në mënyrë që të kalojë superjahti që është ndërtuar për miliarderin dhe themeluesin e Amazon, Jeff Bezos.
Jahti luksoz është ndërtuar nga firma holandeze Oceanco.
Ky mjet lundrimi është 127 metra i gjatë dhe shumë i lartë për të kaluar nën urën Koningshaven.
Një zëdhënës i kryebashkiakut të Roterdamit konfirmoi çmontimin e urës historike për të kaluar jahti, teksa theksoi se e gjithë fatura do të paguhet nga Bezos.
“Është e vetmja rrugë për në det”, tha zëdhënësi i kryebashkiakut. Agjencia e lajmeve AFP citoi zyrën e kryetarit të bashkisë së Roterdam të thoshte se vendet e punës që u krijuan për ndërtimin e superjahtit nxitën miratimin e këtij plani, duke u zotuar se ura do të rindërtohet në formën aktuale./ KultPlus.com
Fotografia “Shqiponja e detit bishtbardhë në fluturim” e fotografit shqiptar Ruzhdi Ibrahimi po bën për vete publikun zviceran. Ajo së fundmi është bërë pjesë e konkursit fotografik “SPC Photo Awards” në i cili do të zhvillohet në Zyrih nga data 10 deri më 19 mars.
Gjatë këtyre ditëve fotografë të shumtë amatorë dhe profesionistë do të ekspozojnë fotot e tyre më të mira në një galeri në Zyrih.
Të gjithë vizitorët mund të votojnë për fotot e tyre të preferuara gjatë ekspozitës 9-ditore.
Në fund të konkursi do të akordohen 5 çmime me vlerë deri në 1000 euro.
Ibrahimi, fotograf me bazë në Münchenstein, Switzerland në faqen e tij në rrjetin social Facebook ka ndarë dhe foto të tjera të shqiponjës.
“Sfondi në fotografinë e jetës së egër ka shpesh një rol vendimtar për vlerësimin e saj. Mirëpo kur realizojmë një shkrepje nuk kemi mundësi çdoherë të zgjedhim atë. Sfondi i bardhë apo i zi mundësojnë fokusimin e shikimit tek subjekti. Këtë fotografi ja kushtoj mikut tim të shtrenjtë Jetmir Troshani për angazhimin e tij intensiv e të palodhur në artin fotografik të jetës së egër” shkruan Ibrahimi. / KultPlus.com