Mariupoli: Si u shndërrua në varrezë një qytet i begatshëm

Kujdes: Përmbajtja mund të jetë shqetësuese për disa shikues! 

Qyteti-port i Mariupolit ishte vendbanim i 400,000 personave, para pushtimit nga Rusia. Ai është rrethuar nga trupat ruse dhe po bombardohet vazhdimisht qe më shumë se 50 ditë.

Qyteti është shndërruar në gërmadha, teksa Rusia pohon se tani e ka në kontroll gati të plotë.

Mijëra civilë besohet të jenë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë të kenë mbetur të ngujuar në qytet. /REL/ KultPlus.com

‘Rob i saj jam prapë së prapi’

Poezi nga Nizar Qabbani

Kuçedra

Dashuria jote banon te kjo barkë tragjike
që ka hedhur spirancën në gjoksin tim.
Më sulmon pa reshtur e më plas shkëmbinjve,
si do mund t’i bëja ballë?
Si kuçedër do të më copëtojë
e unë sërish vazhdoj qëndresën.
Një ditë u orvata ta luftoj.
Munda t’i shkëputem dhe ndaj
rob i saj jam prapë së prapi.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Ku do të aplikojnë qytetarët për marrjen e shtesave prej 100 eurosh?

Qeveria e Kosovës është afër finalizimit të platformës online për aplikim për shtesat prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat dhe studentët.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë shpejt do të dalin me njoftimin dhe udhëzimet mbi procesin e aplikimit.

“Është çështje ditësh”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se edhe për shtesat prej 100 euro për studentët janë duke punuar në platformën ku do të mund të bëhet aplikimi.

Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj.

Nga kjo ndihmë, siç ka thënë Kurti, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se më 15 prill janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për pensionistët.

Ndërkaq, javën tjetër, sipas Qeverisë do të ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje dhe shtesat për punëtorët e sektorit publik.

Ndihma e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas një inflacioni të lartë që ka goditur vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021. / KultPlus.com

Ministrja Margariti kujton shkrimtarin e njohur Mitrush Kuteli

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ka kujtuar njërin prej shkrimtarëve më të njohur të gjuhës shqipe, Mitrush Kuteli, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Margariti ka ndarë edhe një thënie të poetit, i cili njihet si shkrimtarë, përkthyes, kritikë e lëvërues i pashoq i gjuhës shqipe.

“Thjeshtësia dhe natyrshmëria janë shumë herë veshja e vetme e një mendimi të thellë që mbetet brez pas brezi”, thënie nga Mitrush Kuteli.

22 Prilli shënon Ditën Botërore të Librit, andaj Ministrja ka kujtuar shumë shkrimtarë të njohur në këtë muaj. /KultPlus.com

‘Fan Noli është një njeri interesant, i kulturuar dhe i mirëinformuar, por edhe kokëfortë’

Bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Fan Nolit, publicist i shquar, veprimtar aktiv i “Vatrës”, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, i diplomuar për gazetari (1926), patriot i flaktë, antifashist e demokrat, analist në shtypin qendror amerikan, një nga autorët e librit “Përpjekja shqiptare në botën e vjetër e të re përgatitës dhe botues i veprës së Faik Konicës” Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” dhe “Albumi II” të Nolit, i pari biograf i tij. La me dorëshkrim disa vepra si “Historiku i historisë shqiptare të Masaccusetsit”, “Historia e Shqipërisë” dhe Dritaret (1936-1959) etj…

Në vitin 1993 kur shkova në SHBA për herë të parë pata rastin të njihesha me gruan e tij, zonjën Sarah Panariti, profesoreshë e Harvardit, e cila më dha informacione me shumë vlerë për jetën dhe trashëgiminë e tij shkencore –artistike, shkruan në “Dita” Nasho Jorgaqi. Gjithashtu falë fisnikërisë së saj më dhuroi atë pjesë të ditarit shumë vjeçar të Qerimit që shkruante për F. Nolin, që po i jepen për herë të parë lexuesit tonë. Janë mendime, mbresa dhe konstatime të Qerimit gjatë 33 viteve që hedhin dritë mbi jetën e Nolit nga pozita dashamirëse dhe realiteti, pa kursyer herë-herë dhe kritika.

Nga biografia që ai ka shkruar: “Noli: Princi i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare” po botojmë kapitullin “Noli, njeriu dhe karakteri i tij”

Qerim Panariti

NGA “DRITARET” (1936- 1959)

1936

21 janar — Pata një bisedë me F. Nolin. Ai është njeri interesant, i kulturuar dhe i mirinformuar, por rrëshqitës dhe inatçi.

20 prill – F, Noli refuzon të marrë pjesë në një banket për nder të tij, të cilin e sponsorizova unë. Arsyeja? Ska. Mendoj se është një sjellje fëminore.

17 maj – Shqiptaret bëjnë mbledhje vjetore në Shën Gjergj. Çfarë mbledhje? Një shtëpi vërtet e çmendur. F. Noli është fajtor për gjithçka. S’mund ta marrë dot me mend se ç’qëndron pas veprimeve të tij.

1937

22 qershor — Mora pjesë në koncertin e diplomimin në Konservatorin e Nju-Englandit ku F. N. iu dha diploma për kompozim. Hëngrëm drekën bashkë dhe biseduam gjithçka nën rrezet e Diellit për katër orë rresht.

30 qershor — I shkreti F. Noli. është ngatërruar keq me një artikull të botuar të hënën e kaluar në gazetën “Post” ku cilësohet si antimuhamedan.

3 shtator — Hëngra drekë me F. Nolin, Ai është një bashkëbisedues i këndshëm , dallohet për sensin e humorit dhe intelektin.

8 shtator — Isha në një koncert të WPA në Biblioteklën Publike të Bostonit, ku u ekzekutua një kompozim i Nolit, i titulluar “Lumi i Babilonisë. Noli ishte aty.

1938

21 qershor – Sot F. Noli mori titullin baçelor nga Konservatori i Nju Englandit.

19 korrik – Fan Noli është deri diku i pakënaqur, lidhur me një artikull timin për të ku unë e akuzoj për mosçuarjen deri në fund të Reformës Agrare propozuar prej tij.

1942

24 maj – Hëngra darkë me F. Nolin. E pagoi ai. Biseduam gjatë për Frontin e Bashkuar shqiptar. Ai ka një mendim të keq për Konicën, Çekrezin dhe Zogun. Por ai mendon se Fronti duhet të plotësohet. U bë një mbledhje e “Albanien Relief Fund”, por nuk erdhën shumë. Në mbrëmje une deklarova: “Jam përgjegjës për Frontin shqiptar”

30 maj – Në mbrëmje takova F. Nolin dhe biseduam për “Frontin e Bashkuar shqiptar”. Sikurse dhe unë, ai mendon se duhet të përpiqemi shumë për t’u organizuar. Ai mund të ketë ndonjë interes personal, kryesisht për të nxjerrë ca para nga Zogu.

13 qershor – F. Noli po bëhet shumë aktiv në Frontin e Bashkuar. Ai do të shkojë në Nju-Jork dhe Filadelfia. Sulmet e tij kundër Çekrezit janë shumë dërrmuese.

21 qershor – F. Noli shprehu qëndrimin e tij në favor të Frontit të Bashkuar me Zogun në krye dhe një qeveri mbretërore në mërgim. Ai është i nderuar, i qetë dhe në dukje fitimtar. Ai ishte kryetari i mbledhjes dhe kjo qe një nga mbledhjet më të mira shqiptare, në të cilën kam marrë pjesë ndonjëherë.

11 korrik – F. Noli më çoi fjalë të marr pjesë nesër mbasdite në një mbledhje midis “Vatrës” dhe grupit të Çekrezit për të themeluar Frontin e Bashkuar.

1943

23 shkurt – Fola në telefon me F. Nolin. Mund të filloj të shkruaj së shpejti te “Dielli”. Nëse jo, do të shkoj të punoj diku gjetkë.

5 mars – F. Noli praktikisht drejton “Diellin”. Po e godet Çekrezin.

16 mars – U pashë më Nolin dhe e falënderova për deklaratat e bëra në Nju-Jork para dy javësh lidhur me Frontin e Bashkuar.

26 maj – F. Noli mori një letër nga Zogu ku i kërkonte të shkonte në Uashington si përfaqësues i tij. Është e kotë të them se ai do të pranojë.

27 maj – Mora një letër nga Kosta Isak, me sugjerimin e Çekrezit për të arritur një marrëveshje me “Vatrën”, lidhur me Frontin e Bashkuar. Çekrezi ofron kushte për pranimin e Zogut si udhëheqës. Do t’i shkruaj Çekrezit nesër.

8 korrik – F. Noli është regjistruar në Universitetin e Bostonit për një punim pasuniversitar (Graduate) për Doktor në filozofi. (Ph. D.). Në moshën e tij ai akoma shkon në shkollë.

16 gusht – Sot F. Noli erdhi në zyrën e “Vatrës”. Ai ka marrë një letër nga OWI për të dhënë lajme për shqiptarët në Shqipëri në gjuhën shqipe.

11 shtator – Noli u nis për në Nju-Jork për të folur nesër në radio.

1944

30 shtator – F. Noli u kthye mbrëmë. Ai ishte në Nju-Jork, i thirrur nga zyra e I e Luftës për t’u folur shqiptarëve që të mbështesin ushtritë aleate. Ai ka pasues të shumtë që e ndjekin në Shqipëri dhe e shohin si udhëheqësin e tyre.

31 tetor – F. Noli është duke punuar për organizimin nga të gjitha kishat që të dërgojnë telegrame forcave aleate për njohjen e qeverisë shqiptare të Beratit.

16 nëntor – F. Noli erdhi pas pak t’i hedhë një sy materialeve që solla nga Uashingtoni. Është material i mirë po të na kish arritur në kohë.

1945

21 maj – Sot F. Noli mori doktoratën.

27 korrik – Fare rastësisht mbasdite takova F. Nolin. Bëmë një shëtitje të gjatë. Është shumë i pakënaqur nga punët e kishës. Shqiptarët janë fëmijë të rritur. Ai kërkon të dalë në pension, të heqë dorë plotësisht nga kisha.

30 korrik – F. Noli ka shqetësime të ndryshme nga njerëzit e kishës. Është e vështirë të kesh të bësh me njerëz injorantë, sepse ata nuk i binden rregullave. Dhe nuk i binden shumicës.

22 shtator – F. N. ka një problem. Prifti do të ikë, por shqetësimi nuk mbaron.

20 nëntor- F. Nolit i janë paraqitur nderime nga shkrimtarë shqiptarë.

28 nëntor – Hëngra darkë me F. Nolin, me z. Messinger dhe Rev. Upson. Që të tre janë studiues të dëgjuar.

1946

2 janar- F. Noli ka shumë shqetësime me komunitetin e tij. Më vjen keq për të se është duke humbur kohë dhe po duron shumë kërcënime nga njerëz injorantë.

26 janar – Akoma më shumë shqetësime janë krijuar prej disa nga kishat e tij, veçanërisht me atë të Filadelfias…

Shqipëria ka bërë kërkesë në OKB.

14 mars – F. Noli ose unë do të na duhet të shkojmë në Uashington javën që vjen meqenëse na është kërkuar nga legata jugosllave për të dhenë një informacion të saktë, ku të kërkojmë pranimin e Shqipërisë në OKB më 25 të këtij muaji.

15 mars – Një delegacion prej 4 shqiptarësh nga Nju-Jorku erdhën sot për t’u takuar me Nolin dhe i kërkuan të merrte drejtimin e luftës kundër propagandës greke. Ai e pranoi këtë ofertë dhe do të shkojë në Uashington javën që vjen.

30 mars – Sot në mëngjes F. Noli erdhi në zyrë shpejt, me qëllim që të përgatisnim bashkë disa telegrame për gjithë senatorët e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë për kalimin e rezolutave… F. Noli më kërkoi të punoj si sekretar në “punën e tij të re’.

4 prill – Të tjera lajme të këqija për Shqipërinë. Anglia është tërhequr nga bisedimet për Shqipërinë. F. Nolin e duan dhe e urrejnë gjithandej. Për sytë e disave unë vij pas tij.

5 prill – Gjithë ditën kam qenë i zënë duke punuar me shpejtësi të madhe… Do bëj, veç punës sonë, gjithë korrespondencën e Nolit që është e konsiderueshme.

8 prill – Këtë mbasdite Noli u nis për në Nju-Jork. Sot u njoftua se Anglia ka hapur përsëri bisedimet me Shqipërinë.

12 prill – Noli u kthye nga Nju-Jorku ku ishte për t’u takuar nga delegacionet e OKB-së, por u takua vetëm me disa prej tyre. Do të kthehet prapë në Nju-Jork javën tjetër.

13 prill – F. Noli më paguan 10 dollarë për punën që bëj me këtë “kryqëzatë të re” që ka filluar ai. Anglishtja e F. Nolit nuk është shumë idiomatike dhe atij nuk i pëlqen ta korrigjojë.

15 prill – Përsëri F. Noli u nis për në Nju-Jork. I shkreti ai, po përpiqet shumë të arrijë diçka, po do të ndodhet para një kohe shumë të vështirë për aq sa SHBA do të jetë kundër Shqipërisë.

19 prill – F. Noli është takuar me kryetarët e delegacioneve të Anglisë, Hollandës, Polonisë. Ai raporton për rezultate të mira.

26 prill – F. Noli ndodhet akoma në Nju-Jork. Sipas raportit të tij del se është takuar me ambasadorin Gromiko.

13 maj – Nga të gjitha anët e SHBA po vijnë të holla për F. Nolin. Padyshim ai i di se si i nxjerr këto para nga shqiptarët. … Ai e meriton këtë, sepse ka dhënë gjithë jetën për Shqipërinë. Sa për dreq, është shumë koprac.

29 maj – F. Noli ka marrë disa informacione nga Hoxha, lidhur me delegacionet e panumërta.

1 qershor – Natën e kaluar F. Noli u kthye nga Nju-Jorku dhe këtë mbasdite bëmë një konferencë. Ai ka marrë 3 mesazhe nga Hoxha, të cilat na japin disa ide përfundimtare përsa i përket lidhjeve mes SHBA dhe Shqipërisë. Shqipëria, së pari, kërkon njohjen dhe pastaj të bisedojë rreth kushteve të pranueshme për të dyja palët.

5 qershor – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku dhe tha se Shqipëria është ftuar në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ne do të jemi në gjendje të marrim informacion të dorës së parë nga Shqipëria nëse do të lejohet të vijë një delegacion.

7 qershor – … Do të jem shumë i lumtur të takohem me ta.

13 korrik – F. Noli u kthye për pak kohë. Është pothuaj i pakënaqur nga delegacioni shqiptar. Po kështu jam edhe unë… Ata nuk dinë asgjë për situatën këtu dhe prapë duan të bëhen gjykatës dhe juri për situatën tonë.

I8 korrik – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku, deri nesër kërkon të përkthyer Kushtetutën shqiptare.

1947

18 maj – Unë dhe Sara shkuam në kishën shqiptare të Shën Gjergjit, ku F. Noli bëri shërbimin në gjuhën angleze. Ishte një gjë e gjatë dhe e mërzitshme. Atje kishte shumë personalitete: Dr. dhe zonja Coon, Rev. Dr. dhe zonja Messinger, prof. La Piana dhe shumë të tjerë.

22 maj – F. Nolit nuk i pëlqen mendimi im për disa kisha që unë i quaj “fashiste”. Une jam dakord me të. me disa përjashtime, por prapë kishat nuk e njohin rrezikun e fashizmit.

1948

6 shkurt – Pata një fërkim të vogël me F. Nolin. Javën e kaluar i kërkova atij të shkruajë diçka të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Ai s’ka bërë asgjë dhe kërkon parapagim nga “Vatra”. Në këtë mënyrë manifeston egoizmin e tij.

7 shkurt – Më në fund F. Noli ka shkruar një histori të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Sot u takova për pak kohë me të. Të dy u përpoqëm të ruajmë një politikë skrupuloze për të kompensuar fërkimin e djeshëm.

24 prill – U takova pak me F. Nolin dhe i dhashë një çek prej 1000 dollarësh për tekstin shqip të “Skënderbeut”.

1949

3 mars – U takova me Nolin për pak minuta. Duket sikur po plaket shpejt, megjithatë prapë shkruan libra. Përsëri po punon për Skënderbeun, një libër të cilin ne (“Vatra”) e kemi kontraktuar dhe që mendohet se do të jetë kryer qershorin e ardhshëm.

19 mars – Nuk di ç‘të bëj me “Skënderbeun”. Kemi akoma shumë kopje të mbetura që nuk shiten.

21 prill – F. Noli po bëhet çdo ditë e më tepër grindavec. Patëm një debat në telefon. Ai kërkonte sot 1000 dollarë për librin e tij “Skënderbeu”, të cilin ai ka shkruar dhe ia ka shitur vite më parë një organizate tjetër.

6 maj – U nisa për Nju-Jork me aeroplan… Mbasdite vonë F. Noli erdhi te “Prince Georg”, një koincidence… Delegatët na kishin për darkë.

3 qershor – Rev. Thimi Theodosi ishte i mërzitur këtë mëngjes…

22 qershor – Stefan Lasko u dorëzua prift të shtunën e kaluar.

25 dhjetor- U takova për pak kohë me Nolin te Miçeklët. Mendoj se ai diçka ka vendosur me vete. Nuk do të më habiste nëse ai do të favorizojë Dhimitër Trebickën kundër meje për “Diellin” në mbledhjen tonë të ardhshme në korrik.

1950

28 prill – “Skënderbeu” shkoi sot në shtyp. Shtypjen po e bën Crimson Printing Company.

3 shtator – Një peshkop grek u dorëzua sot në Stamboll për grupe të veçanta shqiptarësh në këtë vend, në kundërshtim me F. Nolin. Ai quhet Mark Lipa.

9 tetor-F. Noli është i sëmurë.

8 dhjetor – “Historia e Skënderbeut” erdhi sot. Është lidhur bukur dhe nuk duket i vogël.

17 dhjetor – Peshkop Mark Lipa ka dhënë një intervistë të shkurtër për gazetat e Bostonit. F. Noli është pak i frikësuar.

1951

8 shkurt – Peshkopi i ri shqiptar, me stil vetjak, Mark Lipa, ka shkaktuar një ndarje të tmerrshme në komunitetin më të madh shqiptar të Bostonit. Është deri diku e habitshme se si ata janë dhënë pas këtij njeriu të panjohur.

17 shkurt – Shqetësimet në mes qarqeve shqiptare të Bostonit do të arrijnë kulmin nesër. Mark Lipa u ligjërua sot në një kishë tjetër. Ai mund ta shfrytëzojë këtë për mirë.

22 shkurt – “Britan Post” ka botuar një intervistë të shkurtër, të cilën F. Noli ia dha reporterit të martën.

25 mars – Patëm mbledhjen e bordit të “Vatrës”. Me disa kundërshtime vendosëm të hapim një fushatë për të blerë një shtëpi për Nolin.

28 mars – Më shqetëson pak fakti se sa do të mbështetet fushata për t’i blerë një shtëpi Nolit. Është një punë e madhe dhe kërkon përpjekje të mëdha. Ndërkohë duhet bërë edhe puna e përditshme. Lajmet nga Ballkani janë shqetësuese dhe Shqipëria është në ballë.

29 mars – F. Noli është deri diku i kënaqur me fushatën time (të “Vatrës”). Megjithatë do të më duhet një shumë e madhe që të blejmë një shtëpi të përshtatshme sepse çmimet në të vërtetë, sikurse gjërat e tjera, janë shumë të larta. Kjo do të thotë një punë shumë e rëndë për mua.

6 prill – Fushata për F. Nolin pati një fillim të mirë natën e kaluar, kur zonjat e Kishës së Shën Gjergjit dhanë 1000 dollarë për fushatën.

18 prill – Kisha shqiptare e Shën Gjergjit dha natën e kaluar 1500 dollarë për fushatën e Nolit, filluar nga “Vatra” më 25 mars. Deri tani nuk kemi marrë asgjë nga ndonjë koloni e veçantë. Kjo më shqetëson pak, por çdo gjë lëviz me ngadalë në fillim.

22 prill – Crist Ellis u dorëzua prift…

27 prill – Me aq sa dimë ne, degët tona akoma nuk kanë filluar të lëvizin për të mbledhur para për fushatën e shtëpisë së Nolit.

28 prill – Po filloj të shqetësohem për fushatën e shtëpisë së Nolit. Gjërat lëvizin ngadalë.

20 maj – Mblodhëm gati 185 dollarë për fondin e shtëpisë së peshkop Nolit. Jam i gëzuar që fushata po ecën.

25 maj – Rreth orës 4 mbasdite, Sara dhe unë u nisëm për në Mançester. Fillova të mbledh…

5 qershor – Grindja midis shqiptarëve rreth peshkop M. Lipës ka arritur në një shkalle qesharake. Madje edhe gjykatësit edhe avokatët po hungërojnë nga qejfi.

19 qershor – Mora 200 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit. “Bashkimi” po llomotit shumë në gjithë Amerikën në mes shqiptarëve. Kjo gjë po më shqetëson shumë.

26 qershor – Fushata për Nolin po ecën shumë ngadalë. Ajo nuk i ka përmbushur shpresat e mia dhe unë jam shumë i dëshpëruar.

27 qershor – Po vijnë të holla nga të gjitha degët, ndërkohë që afrohet Kuvendi. Vetëm se është fakt se nuk po vijnë aq sa duhet për fondin e shtëpisë së Nolit.

7 korrik – Shumica e delegatëve kanë arritur. Disa prej tyre sollën të holla. Grupi i Nju-Jorkut solli 600 dollarë. Pastaj patëm një mbledhje të komitetit mbasdite. Rreth orës 2 u hap Kuvendi. Kryetar u zgjodh Marko Adams. Biseduam dhe diskutuam deri afër mesnatës. F. Noli erdhi, ose më mirë e sollën rreth orës 10. “Bashkimi” me “Shqipërinë e Lirë” ishte tema kryesore e diskutimit. F. Noli nuk u prononcua. Pothuaj të gjithë delegatët ishin për “Bashkimin”, por nuk dinë si ta arrijnë këtë. Në duart e mia do të kem një betejë të ashpër.

31 korrik – Korriku iku. Qe një muaj shumë i zënë me punë dhe i pakëndshëm. Kryesorët për shkak të një lëvizjeje për bashkim me një organizatë qesharake, e filluar 10 vjet përpara nga K. Çekrezi, gabimisht e quajtur “Shqipëria e Lirë”. Lëvizja që nga kuvendi ka humbur disa momente, por ideja vijon të mbetet. Ajo u fillua nga delegatët shqiptarë ne OKB me synimin për të shkatërruar “Vatrën” dhe për të dobësuar ndikimin e F. Nolit.

8 tetor – F. Noli u thirr sot në “COUNT” lidhur me bëmat e M. Lipës në kishat shqiptare ne Bostonin e Jugut. Por më thanë se Nolit nuk i bënë asnjë pyetje.

1952

13 mars – Peshkopi M. Lipa, agjent grek, po bën zhurmë të madhe. Ai po përdor komunizmin për t’i hutuar dhe frikësuar shqiptarët në këtë vend.

26 mars – Këtë mbasdite F. Noli u nis për në Çikago që të asistojë në shpëtimin e kishës shqiptare nga thonjtë e M. Lipës.

7 prill – Uorçesteri ka hapur një fushatë për shtëpinë e Nolit. Është mbledhur një shumë e konsiderueshme.

10 qershor – Sot mora nga Nju-Jorku 1088 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit.

30 nëntor – Nga dreka shkova në kishën shqiptare ku, mbas shërbesës fetare u bënë festime për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Unë kryesova mbledhjen edhe pse isha lënë jashtë nga banda e “Shqipërisë së Lirë”.

1955

14 shkurt – Nesër peshkop Noli shkon për pushime në Florida.

22 mars – Kalova pothuaj gjithë ditën në shtypshkronjë dhe nuk e di se si do të dalë gazeta. Ishte vetëm një njeri që punonte aty… Peshkop Noli më dërgoi sot një shportë me portokalle dhe qitro. Nuk e di se ç‘ka ndodhur me të!

17 qershor – Sonte kishim për darkë F. Nolin. Ai ka shqetësime me dhëmbët dhe për këtë shkak mund të hajë vetëm supë dhe disa ushqime të tjera të buta. Ai është një personalitet interesant.

1956

25 qershor – Kristo Thana do të jetë kryetari i banketit për F. Nolin. Muhamet Zeqari nga Detroiti do të jetë dollibashi. Një çift i mirë.

17 korrik – U takova shkurt me ‘Mjekrën”. Është shumë i zënë me rregullimin e “Dhiatës se re” në shqip.

3 shtator – Banketi për F. Nolin, për 50 vjetorin e ardhjes në këtë vend shkoi mirë. Morën pjesë rreth 450 të ftuar. Fjalimet ishin të gjata e te mërzitshme. F. Noli mori një shumë te konsiderueshme të hollash.

9 shtator – Pata një ditë shumë të ngarkuar duke u përpjekur të rregulloja llogaritë e banketit të F. Nolit. Është një rrëmujë e madhe. Duhet bërë shumë për te mbajtur çdo gjë në rregull.

22 shtator – F. Noli është interesuar të shkruajë një libër për Ali Pashën nëse “Vatra” do ta sponsorizojë.

12 tetor – “Balli” po më ngre nervat; shumë zhurmë për asgjë; shkruhen fjalë, fjalë, fjalë, asgjë tjetër veç fjalë boshe.

1957

8 maj – Peshkop Noli mbaroi hyrjen për librin e Konicës. Është e mirë.

4 tetor- “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore” arriti sot mbasdite. Duket i bukur. Jemi gati të tronditur… F. Noli, gjithashtu, është i kënaqur me të.

1958

8 maj – Për disa dite F. Noli ka qenë i sëmurë. Ai ka qenë nën kujdesin e dy mjekëve.

26 korrik – Sonte patëm F. Nolin për darkë.

13 nëntor – Punova me “Diellin” e vjetër në shkollën shqipe të së Dielës, qendër ku kemi vendosur koleksione të vjetra. Faqet janë dëmtuar. Unë lexova numrin e parë – 15 shkurt 1909. Më bëri përshtypje politika e “Diellit” për një Shqipëri të pavarur, shkruar hapur nga F. Noli. Kërkesat ndaj Turqisë përfshijnë katër vilajetet e mëdha.

1959

7 shkurt – Sot kishim për darkë F. Nolin. Ai është shumë interesant. Sara e pëlqen pa masë.

20 shkurt -Punova për një thirrje të cilën do ta firmosë F. Noli dhe ne do ta botojmë te “Dielli” si një fushatë për të holla lidhur me përvjetorin e artë (50 vjetorin) të “Diellit”.

16 prill – Mora një shportë me fruta nga Noli, dërguar nga Florida.

Qerim Panariti

NOLI: NJERIU DHE KARAKTERI I TIJ

Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë, Noli kujtoj se profesorit iu bë një padrejtësi dhe një -me-një organizoj një demonstrate të studentëve në favorë të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qershor, sipas zakonit.

Si person Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual.

Le të fillojmë pra, nga disa cilësira elementare. Noli ish person sekretive. Ish e pamundur për të që t’i hapte zëmrën njeriu pa rezervë. Këtë karakteristikë thuhet s’e gëzojnë pothuaj se të gjithë njerëzit e lartë nga mejtimet, që kanë fatin e keq të lindin në një sistem social të mbyllur si Turqia, një sistem i mbytur në errësirë dhe i rrethuar me spiunë dhe intriganë çpifarakë.

Si njeri i ndrojtur dhe suspekt, munt të thuhet se Noli kish me qindra miq, me mijëra admironjës, po s’kish asnjëckë konfidant, domethënë njeri që t’i hapte zëmrën një qint per qint; kurdoherë ish i rezervuar. Për këtë shkak ish e pamundur qe t’i hynte dot njeri në shpirtin dhe ndjenjën e tij.

Në Shqiptarët e Amerikës Noli e kish humbur besimin krejt “Të lenë”, thosh, “si gunën e vjetër.”

Në fshatarët e Shqipërisë kish një dashuri të madhe. Fshatari i thjeshtë, thosh Noli, gëzon akoma besnikërinë primitive kur të kupton që s’ke qellim t’a shfrytëzosh dhe te përfitosh nga ignoranca e tij, kurse Shqiptarin’ e Amerikës e ka korruptuar komercializma dhe beson se s’munt të bësh dot tregëti “me kryq në ballë”.

Noli e shikonte jetën si komedi. Në një rast e pyeta sepse nuk gjen një zëvëndës për të shpëtuar nga andrrallat e përditme? M’u përgjiq shkurtazi: “Ç’e duan peshkopnë këta, kurse s’më degjojne mua, si munt të rrojnë në harmoni me tjetër peshkop?” .

Përgjigje komike, po tepër profetike.

Noli s’ish njeri materialist. Bënte një jetë të thjeshtë. Vishej dhe mbathej paq, po kurdoher thjeshtë. Banoj më tepër se 30 vjet në një apartment të vjetër dhe me mobila mos më keq.

Noli s’ish mikpritës si Faik Konitza. Po të dilnje jashtë me të ish e pamundur që të vinte dorën në xhept. Po t’a vizitonje në shtëpi s’të ofëronte asnjë kupë ujë.

Qëndrimi i Nolit në lidhje më mikpritësinë munt të justifikohet lehtë. Njeriu pothuaj se mbante shtëpinë hapur për vizitorët, miq dhe kundërshtarët. Po t’i priste të gjithë me gostira, duhet të ish miliuner. E vërteta është që Noli më 1940 bëri një jetë miserablile, mezi pikej për të përballur shpenzimet vetiake. Përveç kësaj, vizitorët i merrnin kohën më kot.

Për te shpëtuar nga monotonia e mysafirëve, Noli kish gjetur një formulë unike dhe interesante. Kur vizitorët kalonin masën e “miqësisë”, iu thosh: “M’u tha goja, munt të dalim këtu pranë të lagim gojën me një kafe?” Kur mbaronin kafenë Noli iu linte shëndet dhe kthehej në shtëpi.

Këtë taktikë fillova t’a përdor dhe unë, po s’korra dot sukses. Vizitorët pas kafesë, kthehëshin përsëri në zyrën e “Vatrës” bashkë me mua.

Në një rast pyeta Nolin se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë? M’u përgjigj me katër fjalë: “Me ka zënë shqipia”. Pastaj shtoj:

“Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brendshme, ka nevojë për njërës idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë.”

Noli s’ish egoist hakmarrës. Të lëftonte me mish dhe me shpirt kur cenohej interesi i përgjithmë i çështjes. Nga ana tjetër s’e kish për turp të të shtrëngonte dorën kur fitohej lufta.

Këtë karakteristikë admirable Noli e përdori kur erdhi Mark Lipa n’ Amerikë, më 1950, dhe disa nga shokët e vjetër defektuan dhe u hothne me renegatin. Noli së pari, u dëshpërua, por kur defektonjësit ia pinë lëngun Lipës dhe u kthyen në udhën e mbarë, Noli i priti me enthusiazmë dhe s’ua përmendi kurrë defektimin.

Në një rast pyeta Nolin se si shkonte me Lipistët dhe nëse parashikonte nonjë rrezik prej tyre? Ay m’u përgjigj pa hezituar, “Jo aspak”, dhe shtoj: “Këta janë bashkëluftëtarët tonë, tani që u kthyen në udhën e mbarë, duhet t’u falim gabimin, se të gjithë kemi bërë gabime nga koha në kohë, kështu pra, s’duhet t’i përdorim si kollonialë”.

Noli ish hamës i math, kur gëzonte shëndet dhe plot humor dhe shakara. Që më 1952 e kishim bërë zakon t’a ftonim Nolin për drekë dy herë në vit, në Qërshor dhe në Tetor, kur fillonin dhe kur nisin të mbaronin zarzavatet e baçës sonë. Në fillim hante vetëm zarzavate, po më vonë kur e kërcënuan doktorët se po të mos hante mish, i kish ditët të shkurtëra, filloj me dashje a padashje, të hajë mish.

Herën e fundit që e patmë për drekë ish më 11 Qershor, 1964. Në këtë rast gjellët vetëm i cënoj po s’i hëngri. Kjo na vuri në dyshim se Noli po i shkurtohëshin ditët.

* * *

Diku në fletët e shkruara kemi bërë fjalë se si Noli filloi luftën me Grekët në Edrene kur ish nentëmbëdhjetë vjet djalë, kur gjimnazi i vonoj t’i japë diplomën për shkak se mori anën e një profesori të pushuar nga puna. Që ahere dhe gjer sa mbylli sytë Noli urrente Grekët dhe Grekët urrenin Nolin.

Që posa u dorëzua prif, më 1908, Grekët filluan propagandën dhe anathemat për çkredituar Nolin përpara popullit Shqiptar. Çpifjet dhe kallëzimet kundër tij ishin aqë banale sa dhe primitive. E kallëzonin si anti-kanonik, si “apostate” (femohonjes) dhe klishera të tjera që s’kishin as anë as funt.

Noli i kapërceu të gjitha këto çpifje dhe triumfoj duke shpënë kishën Shqiptare autoqefale në Shqipëri.

S’bëjmë nonjë zbulim të ri po të thomi se Noli ish njeri i shekullit njëzet qe besonte me gjithë shpirt në lirin’ e mejtimit, të bazuar në shkencën dhe në historinë e mejtimeve të lira, dhe si person i tillë, ish e pamundur për të që të besonte në lindje virgjineshas, po nga ana tjatrë, Noli e besonte dhe e adhuronte Krishtin si profetin më të lartë që ka lindur bota përpara dhe pas Krishtit. Ritet Ortodokse i përformonte me dignitet dhe solemnitet, po nuk pranonte supërsticionet e klerikëve hipokritë medievalë që tallën me njerëzinë duke iu premtuar jetë të përtejme. Për Nolin theorira të tilla i kanë rrënjët në kohë të errëta që s’munt të gëlltitëshin dot prej një person me kulturë të gjerë si të Nolit.

Mbanj mënt një ditë pyeta Nolin sepse Krishterimi konsideron Krishtin si “Shpëtimtarin e botës?” Këtë pyetja ua kam bërë shumë klerikëve të dogmave të ndryshme të Krishterimit, po përgjigjen më te sqaruar ma dha Noli.

Mejtimi Nolian në lidhje me Krishtin (i parafrazuar) ish ky: Nga të gjithë profetët e shënuar të botës përpara dhe pas Krishtit, Jisui ësht’ i vetëmi profet që prokllamoj për herën e parë në historin’ e njerëzimit, njësi dhe egalitet në botë. Kjo ish një dekllaratë revolucionare në një kohë kur njerëzit bliheshin dhe shiteshin në pazart si kafshët. Krishti u mundua që të shpartallonte këtë sistem barbar. Për këtë shkak u kryqëzua prej kllasave që shfrytëzonin popullin me anë të fesë.

Pas mejtimit Nolian Krishti ish patriot Israelit që u mundua të çlironjë popullin e tij nga robëria Romane. Krishti inspiroj Nolin që t’i dedikonjë jetën çlirimit të popullit Shqiptar nga robëria Turke dhe Orthodoskët Shqiptarë nga errësira e Patrikanës.

Predikmet e Nolit ishin kurdoherë në baza sociale humanitariane që munt të karakterizohen me predikimet e pashtrëmbëruara të Krishtit. Karshi prallave sipërnaturale Noli munt të karakterizohet si agnostik, domethënë një person që as pohon as mohon ndodhjen mistike të forcave sipërnaturale. Kjo me pak fjalë, ish feja e Fan Stilian Nolit./ KultPlus.com

‘Nuk besojmë më tek progresi. A nuk është ndoshta ky një progres?’

Jorge Luis Borges

Borges është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XX. Ndonëse nuk e mori Çmimin Nobel në letërsi, vepra e tij arriti majat. Ai shquhet për erudicionin e jashtëzakonshëm, mjeshtrinë e rrëfimit dhe ndjeshmërinë e lartë ndaj çështjeve që prekin dhe kanë tëbëjnë me qeniet njerëzore.

‘Nuk besojmë më tek progresi. A nuk është ndoshta ky një progres?’ /KultPlus.com

‘Punëtorët të bashkuar kundër shtypjes’, më 1 maj protestohet për të drejtat e punëtorëve në Kosovë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të organizojnë protestë më 1 maj, me fillim nga ora 12:00, në Amfiteatrin në Sheshin “Zahir Pajaziti”, për të protestuar për të drejtat e punëtorëve në Kosovë, përcjell KultPlus.

Sipas tyre, klasa punëtore vazhdon të shtypet e të nëpërkëmbet e shpresa e vetme është rezistenca dhe organizimi.

Postimi i plotë:

“Këtë 1 maj, kthejmë vëmendjen tek gjendja e klasës punëtore në Kosovë e përtej, për ta denoncuar sistemin e dhunshëm në të cilën klasa punëtore vazhdon të shtypet e të nëpërkëmbet e kujtojmë se shpresa e vetme është rezistenca e organizimi”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kapitalizmi i egër në të cilën gjendemi është duke u ushqyer nga puna papaguar e të keq paguar, trupat e jetët e punëtoreve/ëve kudo. E në kohën e rritjes së çmimeve, sa për shkak të luftërave imperialiste e sa nga fryrja artificiale nga korporatat zhvatëse vendore e ndërkombëtare, punëtoret/ët vazhdojnë të jetojnë në me një këmbë në skaj të varfërisë, e me tjetrën në shtypje e shfrytëzim nga shefat e pronarët, të tejhuajsuar e tjetërsuar nga qenësia e vetë. Sidomos gratë punëtore, që në një anë iu mohohet kompensimi bazik për punët e shtëpisë me arsyetimin se është “ligj natyre”, e në anë tjetër përjashtohen sistematikisht nga tregu i punës, nëse arrijnë të punësohen ndonjëherë, përsëri duhet të ballafaqohen me eksploatim sistematik, pagesë më të ultë, ngacmime e abuzime seksuale.

Kapitali shpërndanë shtypjen por edhe privilegjin, në mënyrë të pabarabartë me qëllim që të krijoj çarje përbrenda klasës punëtore. Ndërkohë që punëtorët/et shtypën e shfrytëzohen, ata të komuniteteve rom, egjiptian e ashkali iu mohohet e drejta për të punuar e gëzuar të drejtat themelore. Personave LGBTI+ iu mohohen të drejtat bazike për të ekzistuar e punuar lirshëm, pa frikë e me dinjitet. Si kundërpërgjigje dhe nga frika nga fryma përparimtare, patriarkati kapitalist nxjerr racizmin e fashizmin, homofobinë e transfobinë, konservatizmin e fundamentalizmin, për ta shuar çdo tentativë të organizimit dhe solidaritetit të klasës punëtore që do t’ia rrezikonte makinerinë e nxjerrës profitit nga eksploatimi i fuqisë së lirë punëtore.

Këtë 1 maj, ne si Bllok Anti-Kapitalist iu bëjmë thirrje punëtoreve e punëtorëve brenda shtëpive, fabrikave e punishteve të ndërtimit, marketeve e zyrave, nga rruga deri tek hapësirat e pastrimit, student/ë e pensioniste/ë, të organizohemi, në solidaritet, e në kundërshtim të shtypjeve të shumëfishta dhe përgjigjeve të dobëta reformatore të cilat veç janë duke i ushqyer pabarazitë dhe na qesin hije syve nga problemet e thella. Kundërshtojmë çdo ndërmarrje që ka për qëllim mirëmbajtjen e kësaj status quo-je të dhunshme që i shërben të fortëve e të pasurve në kurriz të klasës punëtore. Këtë 1 maj, ne bashkohemi në e qëndrojmë bashkë kundër patriarkatit hetero-seksist, kapitalist, racist, ksenofob e transfob dhe ritheksojmë se ndryshimet rrënjësore e çlirimi i përket klasës punëtore”. /KultPlus.com

Pavijoni i Kosovës prezantohet nesër në Bienalen e Venedikut

Republika e Kosovës po merr pjesë për herë të pestë në Ekspozitën e 59-të Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia me ekspozitën madhore vetjake të Jakup Ferrit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se hapja e ekspozitës do të bëhet nesër në ora 16:30.

Pavijoni i Kosovës do të kurohet nga Inke Arns, dhe komisionere e pavijonit te RKS-së është Alisa Gojani-Berisha.

Ferri do të prezantohet me projektin “The Monumentality of the Everday”.

Jakup Ferri njihet si artist mjaft unik në punën e tij, i cili deri më tashti është prezantuar me ekspozita brenda dhe jashtë vendit.

Klikoni KËTU për më shumë informata./ KultPlus.com

Parlamenti Evropian përsërit thirrjen për liberalizim të vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian ka përsëritur thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe, në anën tjetër, edhe për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dyja këto vende të avancojnë drejt Bashkimit Evropian.

Këto thirrje janë përfshirë në tekstet e drafteve të raporteve për Kosovën dhe për Serbinë, të cilat i ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Në raport përsëritet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liberalizim vizash.

Ndërkaq, i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë raport thuhet se janë në dijeni për qëllimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE.

Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përshëndetet edhe përkushtimi për avancimin e reformave në kuadër të Agjendës së reformave evropiane, thuhet në këtë raport. Si dëshmi për këtë përmendet edhe fakti se Kosova ka avancuar për 17 pozita në indeksin e perceptimit të korrupsionit të organizatës Transparency International.

Gjithashtu, përmendet fakti se në Kosovë ekziston një mbështetje e madhe për integrim në BE gjatë vitit 2022.

“Por, nënvizojmë faktin se nuk ekziston një procedurë e shpejtë dhe se normalizimi i raporteve me Serbinë është i domosdoshëm për avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, thuhet në tekstin e draftit të raportit, për të cilin do të diskutohet të enjten në seancën e Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Edhe kësaj radhe përsëritet thirrja për 5 vendet e BE-së për ta njohur Kosovën.

“Shprehim keqardhje për faktin se 5 vende anëtare të BE-së akoma nuk e kanë njohur Kosovën dhe përsërisim thirrjen që ta bëjnë një gjë tillë”, thuhet në këtë tekst.

Përmes këtij raporti, Parlamenti Evropian shpreh mbështetjen e plotë për paralajmërimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në të njëjtën kohë u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione dhe me një Rezolutë të veçantë në Kuvend e ka dënuar këtë agresion.

Në tekst kritika Kosovës i janë drejtuar për gjendjen në Gjyqësor. Është shprehur shqetësim për shkak se Gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm nga ndërhyrjet politike. Në këtë drejtim është përshëndetur propozimi për reformën e Prokurorisë dhe është kërkuar që të merret parasysh mendimi i Komisionit të Venecias.

Parlamenti është në dijeni dhe për planin e Qeverisë për vetting të gjykatësve dhe prokurorëve dhe nënvizon se kjo duhet të mbetet vetëm si mundësi e fundit dhe të mos injorohen qëndrimet e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Është përshëndetur edhe përpjekja për depolitizimin dhe profesionalizimin e shërbyesve civilë.

Nga Qeveria e Kosovës është kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. “Jemi të shqetësuar se autoritetet akoma nuk e kanë zbatuar këtë vendim dhe në këtë mënyrë dëmton përkushtimin e Qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”, thuhet në tekst.

Parlamenti, sipas draftit të këtij raporti, shpreh keqardhje për suksesin e kufizuar të nismave për të përfshirë komunitetin serb të Kosovës në strukturat politike, sociale dhe ekonomike. Ndërkaq, rikujton se institucionalizimi dhe mësimi i gjuhëve zyrtare në Kosovë dhe qasja e barabartë në shërbime dhe informacione në gjuhët zyrtare, është esenciale.

Duke rikujtuar rolin e mediave si shtyllë të demokracisë, bëhet ftesë për mbrojtje të gazetarëve nga presionet politike dhe thuhet se gjuha fyese ndaj gazetarëve është e papranueshme.

Po ashtu, kërkohet që të ketë transparencë më të madhe të mediave, përfshirë edhe të pronësisë së tyre.

Është shprehur keqardhje edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë.

Ndërkaq, në tekstin e draftit të raportit për Serbinë shprehet keqardhje për faktin se ky shtet nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Në të njëjtin tekst u bëhet thirrje autoriteteve në Serbi që “të dëshmojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të përshtaten me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.

Në këtë tekst thuhet se deputetet janë “thellësisht të brengosur” për përhapjen e dezinformatave për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi dhe Komisionit Evropian që të mbështesin infrastrukturën për luftë kundër dezinformatave dhe kërcënimeve tjera hibride.

Parlamentarët evropian do t’i bëjnë ftesë Serbisë edhe të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe të ndërpresin retorikën nxitëse, e cila keqëson raportet me fqinjët dhe rrezikon stabilitetin rajonal dhe pajtimin.

Sikur në tekstin e draftit të raportit për Kosovën ashtu edhe në këtë për Serbinë rikujtohet se përparimi në rrugëtimin drejt BE-së është i lidhur me përparimin në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.

Nga të dyja palët kërkohet angazhim drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve që do të ishte kyç për përparimin e të dyja palëve në rrugëtimin e tyre evropian.

Për tekstet e këtyre dy drafteve do të diskutohet të enjten, ndërsa pastaj deputetët do të mund të propozojnë edhe amendamente. Më vonë në formën e Rezolutës së Parlamentit Evropian do të duhet të miratohen në një seancë plenare. Rezolutat e tilla kanë një rëndësi politike, sepse paraqesin qëndrimet e këtij institucioni të rëndësishëm në BE, por ato nuk kanë fuqi obliguese ndaj vendeve anëtare. /REL /KultPlus.com

Serbia nxjerr në shitje 17-katëshin “Albanija”, historia e pazakonshme e saj

Një pjesë e pallatit “Albanija”, rrokaqielli i parë i Beogradit, i ndërtuar në vitin 1939, i cili gjendet në zemër të kryeqytetit serb, ka dalë në shitje.

Televizioni shtetëror serb RTS shkruan se 381 metra katrorë e pallatit, e vlerësuar rreth 3,88 milionë euro, është tashmë në shitje. Tenderi është shpall në muajin janar të këtij viti.

Pallati “Albanija” është pjesë e bankës së falimetuar të Beogradit. Administratori i bankës, Mijo Stanarçeviç, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për shitje në masën 50% të vlerës së parashikuar, duke u bërë tejet tërheqëse për blerësit potencialë.

Ndonëse godina është shpallur pasuri kulturore në vitin 1984, ajo mund të vihet në funksion.

Historia e “Shqipërisë” në zemër të Beogradit

Pallati “Albanija” është rrokaqielli i parë i Beogradit, i ndërtuar në vitin 1939 në cepin e rrugës Kolarec dhe rrugës Knez Mihailo.

Ndërtesa u projektua fillimisht sipas projektit të bërë nga Branko Bon dhe Millan Grkaliç në vitin 1938. Përfundoi së ndërtuari në vitin 1939, sipas projektit të Milladin Prljeviq dhe inxhinierit të ndërtimit Gjorgje Lazareviq (Đorđe Lazarević). Për një kohë të gjatë ajo ishte ndërtesa më e lartë e qytetit, si dhe qendra kryesore e tij përkrah shëtitores Terazije – Slavija.

Pallati Shqipëria ka gjithsej 17 kate, 4 prej të cilave janë kate të nëndheshme. Pallati është 53 metra i gjatë dhe e gjithë ndërtesa ka një hapësirë prej 8000 m2. Në periudhën që u ndërtua, Pallati ishte ndërtesa më e lartë e Evropës juglindore.

Rrokaqielli ka marrë emrin “Albanija” pasi më parë aty ndodhej një tavernë me emrin “Albanija”.
Taverna u shkatërrua në mesnatën e 17 tetorit 1936. Edhe pse Bashkia ndërpreu elektricitetin dhe furnizimin me ujë për ta bërë atë jofunksionale, klientët e saj të fundit u larguan nga taverna vetëm pasi zjarrfikësit filluan të çmontonin tjegullat nga tarraca.

Ndërtimi i ri filloi të vihej në zbatim më 16 korrik 1938 dhe zgjati deri më 20 tetor 1939. Ndërtesa u projektua sipas stilit modern serb, por kishte disa dekorime larg nga fasada, me qëllim për të riforcuar strukturën sipas metodës Deco. Më 1983 ndërtesa u cilësua si një aset kulturor i një rëndësie të madhe./Dita / KultPlus.com

Pas 30 vitesh rikthehet turneu historik i Ansamblit Kombëtar në trevat shqiptare

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë,  Ministrinë e Kulturës së Republikës së Kosovës, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe Drejtorit e Kulturës në komunat Prizren, Gjakovë, Gjilan, Lugina e Preshevës realizojnë turneun historik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë në datat:

21 Prill Konferenc shtypi ne Gjakovë. Ora 12;30

25 Prill 2022 në qytetin e  Prizrenit

26 Prill 2022 në qytetin e Gjakovës

27 Prill 2022 në qytetin e Gjilanit

28 Prill 2022 në  qytetin e Shkupit

Ky turne organizohet në kuadër të rijetëzimit, kujtesës dhe promovimit të trashëgimisë tonë kulturore,  brez pas brezi, për përcjelljen e vlerave më të mëdha artistike kombëtare që ruhen me fanatizëm nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ky turne është në zbatim të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë 2022.

Aktiviteti do të zhvillohet në ciklin e një turneu disa ditor në disa qytete të Kosovës si Prizren, Gjakovë, Gjilan, Lugina e Preshevës dhe Shkup në Maqedonisë e Veriut. Ky turne rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës duke na rikthyer kështu edhe njëher jehonën dhe suksesin e pa diskutueshëm të Ansamblit Kombëtar në mbarë trevat shqiptare.

Programi artistik do të bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si edhe në folklorin e pasur kombëtar. /KultPlus.com

‘Bucha’ mund të përsëritet edhe një herë, qyteti i Izyumit me mijëra qytetarë të bllokuar

Qyteti i Izyum – i njohur si porta e rajonit të Donbasit dhe Detit të Zi – po përjeton luftime të ashpra pasi rusët e përdorin atë si një stacion për të sulmuar qytetet në lindje, shkruan BBC, përcjell KultPlus..

Tani, ekziston frika se Izyum do të bëhet Bucha e ardhshme, vend ku Rusia akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile, duke përfshirë ekzekutime dhe tortura.

Izyum thuhet se ka përqendrimin më të lartë të trupave ruse në Ukrainë.

Qyteti strategjik, i vendosur 70 milje në jug-lindje të Kharkiv ra plotësisht në duart e rusëve më 1 prill.

Pothuajse 80% e ndërtesave të banimit të qytetit janë shkatërruar dhe linjat e trenave janë ndërprerë, thotë nënkryetari i bashkisë së qytetit.

Njerëzit që kanë arritur të largohen nga Izyum i thanë BBC-së se është në prag të një katastrofe humanitare. /KultPlus.com

Shqipëria e para në rajon për shërbimet digjitale

Nga e 33-ta, Shqipëria ngjitet në vendin e 17-të për shërbimet dixhitale dhe del e para në rajon.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot raportin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili e rendit Shqipërinë të parën në rajon në ofrimin e shërbimeve dixhitale.

Kryeministri Rama, po ashtu bëri të ditur se më 30 prill mbyllen sportelet e shërbimeve me dokumente.

“Nga e 33-ta Shqipëria ngjitet në vendin e 17-të për shërbimet digjitale dhe del e para në rajon. Më 30 prill mbyllim sportelet e shërbimeve me dokumente dhe i japim një shqelm vendimtar korrupsionit, radhëve, zvarritjeve për marrjen e një dokumenti shtetëror”, deklaroi Rama./ atsh/ KultPlus.com

Zyrtare: Edhe Kurti shkon në SHBA javën e ardhshme për ceremoninë e varrimit të Sekretares Albright

Kryeministri Albin Kurti pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në varrimin e Sekretares Albright. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, zyra e së cilës e ka konfirmuar shkuarjen, në Washington, D.C, pritet të udhëtojë edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti.

Kjo nuk është vizita që Kurti e ka paralajmëruar prej kohësh dhe, siç mëson Gazeta Express, Kryeministri do të shkojë në D.C në fillim të javës së ardhshme dhe do qëndrojë atje pak ditë.

Ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright do të mbahet të mërkurën, më 27 prill, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.

Pjesëmarrja në ceremoni është e mundur vetëm me ftesa, ndërsa ajo do të transmetohet direkt në platforma digjitale.  

Sipas njoftimit nga Presidenca, Vjosa Osmani merr pjesë në ceremoni me ftesë të familjes Albright.

“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, thuhej në konfirmimin e Presidencës.

Ndërsa, siç mëson Express, nuk ka ndryshuar asgjë rreth vizitës së paralajmëruar për në maj nga Kryeministri dhe ajo pritet të ndodhë. Kurti pati thënë se në SHBA, kur të shkojë në pranverë, do të qëndrojë më gjatë.

“Por nuk vjen në shprehje rishikimi i buxhetit në mes vit pa shkuar unë në ShBA, sepse po e shoh se ndoshta ju jeni më të interesuar se unë. Edhe unë jam i interesuar që të shkoj, edhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Edhe jo që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Do të më duhet të qëndrojë pak më shumë se zakonisht ashtu që edhe do të mund të ma bëni pyetjen “e kur do të ktheheni”, u kishte thënë Kurti gazetarëve. / Gazetën Express /KultPlus.com

Hapet votimi për çmimin “Evropiani i vitit 2022”

Zyra e Bashkimit Evropan në Kosovë ka bërë të ditur emrat që janë të nominuar si “Evropiani i Vitit 2022”, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë thirrje që të votoni një individ apo instuticion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të fundit.

“Për të vendosur votën tuaj, ju lutemi pëlqeni foton e të nominuar që dëshironi të mbështesni”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Të nominuar për këtë vit janë: “Behare Bajraktari – themelues i BB Green Kosova, Fahrije Hoti – themeluese e Kooperativës Bujqësore Krusha dhe filmi “Zgjoi”, Jovana Raosavljevic – Drejtoreshë Ekzekutive e Iniciativës së Re Sociale, Samir Karahoda – filmbërës, me filmin e tij “Pa Vend”, Sebahate Hajdini – Drejtoreshë ekzekutive e Down Syndrome Kosova”.

Sot ka filluar votimi, derisa do të përfundojë më 27 prill në ora 17:00. Për të votuar, klikoni këtu./KultPlus.com

Shkolla e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër, 3 dekada histori

Më 26 shtator 1990 për herë të parë në Zvicër u hap një shkollë për mësimin e gjuhës shqipe. Ishte një dëshirë e madhe dhe punë e palodhur e Selami Bajrami dhe Azem Sadullahu kryetar dhe sekretar i Këshillit Prindëror si dhe anëtarëve të këtij këshilli. Kjo shkollë u hap në një moment të vështirë, nuk ishte vetëm një akt patriotik por hapja e një shkolle jashtë suazës së Ambasadës së Jugosllavisë ishte  edhe një çështje politike që mund të kishte pasojat e saj.

Prandaj ky aktivitet në shërbim të shkollës shqipe ishte dhe është akt atdhetarie, të cilin akt e morën mbi supe veprimtarët e Këshillit prindëror të Kantonit të Glarus-it, në krye me kryetarin e saj Selami Bajrami dhe më 26 Shtator 1990 hapën edhe Shkollën e Parë shqipe, në Bilten, të kantonit të Glarus-it, që në fakt ishte edhe shkolla e parë në Zvicër.

Sot pas tridhjet vitesh dy pionerët e hapjes së shkollës tregojnë për historikun e saj, vështirësitë dhe arritjet.

Si ndiheni sot pas 30 vjetësh?

(Përgjigja është e thjeshtë ashtu siç ishte dhe është puna e tyre në shërbim të shkollës shqipe. E thjeshtë, e urtë, dëshirë dhe ideal). Ndajnë të njëjtin mendim: në bashkëpunim me anëtarët e Këshillit prindëror kemi kryer një obligim kombëtar ndaj fëmijëve tanë dhe ndaj të gjithë fëmijëve, që po lindin dhe po rritën në vend të huaj.

Ç`do të thotë të hapësh shkollë shqipe jashtë ombrellës së Ambasadës së Jugosllavisë, më 1990?

Selami Bajrami: Ishte një përpjekje që të konfrontonte me ligjet e shtetit, nën sundimin e të cilit, ishin të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi…

Azem Sadullahu: Ishte një përpjekje që kishte rrezikun politik, por mbi të gjitha dominonte vullneti, dëshira dhe ideali për t`u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga vargojt e politikës jugosllave.

A ishin pjekur kushtet për një gjë të tillë?

Selami Bajrami: Duke e njohur diskriminimin dhe kufizimin e të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetonim nën Jugosllavinë antishqiptare, ne që ishim në mërgim mendonim se kishte ardhur momenti të veprojmë.

Azem Sadullahu: Ishte dëshirë e të gjithë prindërve njëherë e përgjithmonë të kemi shkollën tonë të pavarur, të cilën e formuam me djersën e mërgimtarëve shqiptarë të të gjitha fshatrave të kantonit të Glarus-it.

Nga jeni me prejardhje apo vendlindja?

(njëzëri) Ne jemi nga Kumanova, qytet që kanë zënë vend të gjitha politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Kishit ndihmesën e bashkatdhetarëve:

Selami Bajrami: Natyrisht që po.

Azem Sadullahu: Pa ndihmën dhe mbështetjen e tyre ishte e pamundshme të bëhej diçka.

Selami-Bajrami-dhe-Azem-Sadullahu-në-manifestimin-shkollor-në-Schëanden-më-1992-dhe-Logoja-e-Shkollës-së-Parë-Shqipe-në-Zvicër-“Hasan-Prishtina”

Kanë kaluar 30 vjet që kur është hapur shkolla e parë shqipe në Zvicër, si ju duket sot ky përvjetor?

Selami Bajrami: Shkolla shqipe në kantonin tonë ka pasur dy etapa të zhvillimit të suksesshëm. E para nga viti 1990-2001 dhe e dyta nga viti 2009-2018

Në fazën e parë ishin themeluesit e shkollës shqipe, të cilët bashkë me anëtarët tjerë: Jakup Sabedini, Prend Markaj, Muhamet Ramadani, Jahi Zeqiri dhe Naser Jusufi e organizuan mjaft mirë shkollën shqipe në Kantonin e Glarus-it

Azem Sadullahu: Dhe e dyta, pas një pauze gati 8-9 vjeçare, me ardhjen  mësuesit Vaxhid Sejdiu, i cili së bashku me mësuesit Qefsere Sejdiu dhe Endrit Mulaj, si dhe veprimtarët e  arsimit shqip Sahit Idrizi, Shaban Asani, Selami Bajrami, Afrim Ibishi, Afrim Rexhepi, Nexhat Hajdari, Emrush Hajdari, Musa Salihu, Avdyl Asani, Fuat Sherifi, Agim Hoxhaj në kantonin tonë filloi një epokë e re, e shkollës shqipe. Sa që shkollat: në Glarus, në Niederunen, në Netsal, në Bilten, në Näfels, në Mitlödi, në kantonin tonë përsëri u shndërruan në “çerdhe” të gjuhës shqipe.

Lista e anëtarëve të Këshillit të parë Prindëror, të shkollës së Parë shqipe “Hasan Prishtina” në Glarus

Si ishin atëherë përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Zvicër?

Selami Bajrami: Rrugëtimi natyrisht nuk ishte i lehtë, mjaft i vështirë, me pengesa të ndryshme. Kishim edhe pengesa nga Ambasada Jugosllave, e cila ndërhynte në Drejtorinë arsimore Zvicerane duke mos dashur të na japin objekte shkollore (klasa) për mësim. Por ia dolëm.

Azem Sadullahu: Pengesat ishin të natyrave të ndryshme, kishim edhe presion.

Si erdhi deri te themelimi apo hapja e Shkollë së Parë Shqipe në Zvicër?

Selami Bajrami: Siç thashë, dëshira dhe vullneti i madh që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë ta mësojnë gjuhën amtare. Por, edhe ndihma e institucioneve arsimore kantonale nuk ka munguar, më të zëshmit për hapjen e shkollës shqipe kanë qenë,  ministri i arsimit z. Fritz Weber, z. Luis Bügler, sekretar i arsimit dhe Maya Hauser, kordinatore e arsimit për vendas dhe të huaj.

Azem Sadullahu: Ky vullnet dhe kjo dëshirë ishte e të gjithëve.

Cilët ishin bashkëveprimtarët tuaj?

Selami Bajrami: Prindërit, ata na jepnin forcë që të punojmë pa pushim.

Azem Sadullahu: Në veçanti anëtarët e Këshillit: Selami Bajrami, Shaban Asani, Sakip Alili, Agim Zeqiri, Imer Murati, Rrahim Shehu, Nevzat Kamberi, Tahir Sadiku etj.

Cilët ishin mësuesit e parë?

Selami Bajrami: Fillimisht mësuese e parë ka qenë Drita Krasniqi, pastaj janë angazhuar Ylfete Zymberi, Ziharete Mazllëmi, Shenadije Berisha, Burbuqe Hasani, Hamit Krasniqi etj.

Azem Sadullahu: Pas disa përpjekjeve arritëm me përfaqësuesit e Arsimit në Prishtinë, të biem në kontakt me mësuesen Drita Krasniqin edhe ne si këshill prindëror e angazhuan në procesin mësimor, dhe i siguruam rrogën për dy muaj dhe banesën.

Në fillim sa klasa kishte dhe cilat ishin ato, ku ishin hapur?

Selami Bajrami: Fillimisht në Bilten dhe pastaj Niederurnen, Oberurnen, Näfels–Mollis dhe Rüti GL dhe në Schwanden.

Në rreshtin e fundit, (nga e majta) Jakup Sabedini, Selami Bajrami dhe mësuesja Dritë Krasniqi së bashku me nxënësit

Cili është dallimi në mes dikur dhe sot?

Selami Bajrami: Punohej më shumë, numri i veprimtarëve të arsimit shqip ishte shumë më i madh

Azem Sadullahu: Kemi pasur mbledhje, takime me prindër dhe angazhime të ndryshme të cilat e mbanin gjallë aktivitetin shkollor.

Si është tani gjendja  e shkollave shqipe në kantonin tuaj?

Selami Bajrami: Momentalisht numri i nxënësve është shumë i vogël, është dëshpëruese

Azem Sadullahu: Mendoj se LAPSH kohëve të fundit nuk është duke e kryer detyrën e saj si duhet.

Si është gjendja e shkollave shqipe në Zvicër?

Selami Bajrami: E pakënaqshme, veçanërisht në kuadër të LAPSH-it nuk kemi ndonjë aktivitet serioz në organizimin e shkollë shqipe. Kryesinë qendrore nuk e shohim fare në aktivitet për organizimin dhe hapjen e shkollave shqipe.

Azem Sadullahu: Me vite në kuadër të LAPSh kemi rënie të numrit të nxënësve, veçanërisht në 7-8 e fundit.

Çka do t`iu kishe preferuar prindërve shqiptarë në Zvicër?

Selami Bajrami: Nëse fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë nuk e ruajnë gjuhën amtare pasojat janë të rënda, gjuha amtare është e nevojshme si buka dhe uji

Azem Sadullahu:  T`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë sepse një gjë të tillë e preferojnë edhe ekspertët zviceranë, të cilët thonë se pa njohjen e gjuhës amtare shumë vështirë e kanë të mësojnë gjuhën e huaj.

Kohëve të fundit në portale të ndryshme lexohet se LAPSh feston 30 vjetorin, a është me të vërtetë 30 vjetori i LAPSh-it?

Selami Bajrami: Jo, LAPSh nuk i bën 30 vjet, por 25 sepse LAPSh është themeluar më 26 mars 1995 dhe të gjithë ata të cilët flasin kështu nuk i bëjnë nder.

 Azem Sadullahu:  30 vjet i bënë Shkolla Shqipe“Hasan Prishtina” në kantonin e Glarus-it. Ka fjalë se edhe Shkollën e parë shqipe, këtu në Glarus, e ka hap ky apo ajo, por e vërteta është një. Shkollën e Parë shqipe e kanë hap anëtarët e Këshillit Prindëror në krye me kryetarin, Selami Bajrami./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Dua Lipa rikthehet në Instagram, ndanë fotografi nga veshja e saj unike

Këngëtarja Dua Lipa është rikthyer në Instagram pas një pauze të shkurtër për të treguar stilin e saj të veçantë dhe mënyrën se si e ndjek modën çdo herë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Instagram”, Lipa postoi fotografi ku shihet edhe veshja e saj unike.

“Rrumbullakët këtu”, ka shkruar ajo, duke përfshirë edhe disa fotografi të tjera.

26 vjeçarja aktualisht po zhvillon turneun e saj të albumit “Future Nostalgia” nëpër Evropë. /KultPlus.com

‘Në një vijë me Visar Kryeziun’, sot hapet ekspozita në KultPlus Caffe Gallery

Visar Kryeziu i cili së fundi është bërë shumë i njohur me portretet me një vijë, do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo ekspozitë përfshin portretet e figurave më të rëndësishme të kulturës e historisë shqiptare, duke përfshirë: Mbretëreshën Teutë, Gjergj Kastriotin, Pjetër Bogdanin, Gjergj Fishtën, Pandeli Sotirin, Shote Galicën, Nënë Terezën, Marie Shllakun, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Anton Çettën, portrete këto që do të prezantohen me një vijë në kornizë, por edhe portrete në një vijë të realizuara në tel.

Ekspozita do të hapet sot duke filluar nga ora 20:00.

Të gjitha punimet që do të paraqiten në këtë ekspozitë do të jenë në shitje. Ndërkaq, kjo ngjarje është organizuar nga KultPlus më mbështetje nga MKRS. / KultPlus.com

‘Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër, shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër’

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!KultPlus.com

Ishte nominuar dikur për çmimin Nobel, fakte nga jeta e diktatorit të tmerrshëm Adolf Hitler

Adolf Hitler, një nga diktatorët më të këqinj ndonjëherë, mbase edhe më i keqi në tërë historinë njerëzore, ishte përgjegjës për 60 deri në 85 milion vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Emri i tij sjell konotacione të vrasjes, mjerimit, luftës, holokaustit dhe përpjekjes së shfarosjes së çifutëve dhe minoriteteve tjera. Pavarësisht se Hitleri ishte një nga njerëzit më të dokumentuar në historinë njerëzore, ende ka pak fakt të njohura për të. Sot janë bërë 133 vite që kur ai lindi, prandaj KultPlus iu sjellë këto fakte të padëgjuara rreth tij.

Hitleri duhej të jetonte në strehimore për të pastrehët për një kohë: Si shumë austriakë, edhe Hitleri filloi të tërhiqej nga idetë nacionaliste gjermane që nga mosha e re. Babai i tij vdiq kur ai ishte 14 vjeç, dhe më pas performance e Hitlerit në shkollë ra. 2 vite më vonë ai ndërroi shkollën dhe u regjistrua në një shkollë në Austrinë e Epërme.Nëna e tij vdiq nga kanceri I gjirit në moshën 47 vjeç. Ndërsa në moshën 18-19 vjeç, ai u refuzua nga Akademia e Arteve të Bukura, pasi u shpall  i papërshtatshëm për pikturë. Hitleri nisi të shiste piktura, por për shkak të mungesës së cilësisë dhe burimeve, ai dështoi. Ai vazhdonte të lëvizte nga një vend në tjetrin, pasi kursimet e tij gradualisht zvogëloheshin dhe stili i jetës u përkeqësua. Gjysëm i uritur dhe i ngrirë, i duhej të jetonte në strehimore në Vjenë, por pas 3 vitesh ai mori trashëgiminë e babait të tij dhe u transferua në Mynih.

Hitleri u verbua përkohësisht të paktën një herë nga sulmi me gaz: Gjatë sulmit në kampin e tij me 15 tetor 1918, gjaatë Luftës së Dytë Botërore u verbua përkohësisht dhe u shtrua në spital. Gjatë kohës sa ishte atje, ai mësoi për humbjen e Gjermanisë dhe armëpushimin me Britaninë e Francën. Thuhet se kur dëgjoi një lajm kaq të tmerrshëm për gjermanët, pësoi verbërim të përkohshë.

Vuante nga sëmundja e Parkinsonit: Studiuesit kanë sugjeruar që Hitleri vuante nga një numër sëmundjesh, përfshiirë edhe sëmundjen e Parkinsonit. Disa e përshkruanin atë si një psikopat neurotic. Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim degjenerues i sistemit nervor qendror, që ndikon në lëvizjen, kujtesë, në të menduarit dhe sjelljet e pacientit.

Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp përqendrimi: Shumica e 11 milion hebrenjve, dhe pakicave të tjera të vrarë gjatë Holokaustit nga forcat naziste të Hitlerit, u vranë në 1200 kampe të përqendrimit nazist. Kampi i parë u krijua në Gjermani me 1933, ato u ndërtuan për të mbajtur dhe torturuar organizatorët e sindikatave dhe kundërshtarët politikë. Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp të tillë, edhe pse këto kampe ishin të ndërtuara në lindje. Kjo distancë që mbajti Hitleri mes vetes dhe vendit të vrasjes, ka nxitur pretendimet e bëra nga mbështetësist neo-nazistë se Hitleri nuk ishte përgjegjës për atë që po ndodhte.

Hitleri dëshironte të bëhej prift kur ishte fëmijë: Ai lindi nga një nënë katolike dhe një baba antiklerik. Kur ishte 8 vjeç, ai këndonte në korin e kishave dhe mori mësime për të kënduar që të përmirësonte vokalin e tij. Ai madje aspironte të behej prift.

Hitleri merrte kokainë dhe koktej drogash në mënyrë të rregullt: Ai përdori një inhalator për të marrë rregullisht kokainë, për të ndihmuar problemet e fytit dhe sinusit, nga të cilat vuante. Gjithashtu përdori pikat e syve të përziera me 10% kokainë. Mjeku i Hitlerit, Dr Theodore Morel ishte përgjegjës për përshkrimin e këtyre ilaçeve dhe hetuesit amerikanë deshën ta dinin nëse  Morell, ishte një agjent i dyfishtë që përpiqej ta dëmtonte shëndetin e tij.

Hitleri u nominua për çmimin Nobel për paqe në 1939: Stalini dhe Hitleri, të dy personazhet u nominuuan për çmimin Nobel për paqe. Por nominimi i Hitlerit supozohej të ishte një ironi dhe shaka. Një anëtar i parlamentit suedez nominoi atë, me synimin që të kritikonte qeverinë suedeze. Kjo gjë nuk u prit mirë dhe ai u detyrua të tërhiqte këtë nominim.

Hitleri hoqi një pjesë të mustaqeve të tij, pasi ato gati e vranë atë: Mustaqet e Hitlerit nnuk ishin gjithmonë ashtu si duken. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte mustaqe të plota. Por gjatë sulmeve me gaz, Hitleri nuk mund të hiqte maskën e tij të frymëmarrjes nga fytyra e tij për shkak të mustaqeve, kështu ai pothuajse vdiq për shkak të pranisë së gazit. Si rezultat, mbikëqyrësit e Hitlerit urdhëruan atë të hiqte mustaqet e tij, për të lehtësuar veshjen e maskave të gazit.

Si përfundim, veprat e Hitlerit ishin aq shkatërruese, saqë emri i tij mbetet padyshim i njohur dhe i përçmuar nëpër botë edhe disa vite më vonë./gazetametro.net/ KultPlus.com

Për herë të parë pas një dekade bie numri i përdoruesve të Netflix

Kompania e njohur filmike, Netflix, ka raportuar se numri i përdoruesve të tyre ka rënë për herë të parë në më shumë se një dekadë, shkruan BBC, përcjell KultPlus.

Kjo kompani raportoi për humbje të më shumë se 200 mijë anëtarëve në tre muajt e parë të vitit 2022.

Rëniet erdhën pasi firma ngriti çmimet në tregjet kryesore, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që u tërhoq nga Rusia.

Një raportim i ri tregon se çmimet e Netflix mund të bien, e për këtë do të ndikonte përfshirja e reklamave përpara fillimit të ndonjë filmi. /KultPlus.com

141 vjet nga rënia e luftëtarit të shquar, Mic Sokoli

Mic Sokoli kishte lindur në vitin 1839 në Fang të Bujanit, Tropojë dhe ra në vitin 1881. Ishte luftëtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit.

Mic Sokoli rrjedh nga një familje patriotësh. Udhëhoqi njësi të mëdha luftarake të Lidhjes në shumë beteja dhe u shqua për strategji, gatishmëri dhe trimëri.

Mori pjesë aktive në luftimet e Shkupit, Prizrenit, Ferizajt, Gjilan, në Gjakovë kundër Mehmet Ali Pashës, u dallua në betejën e Nokshiqit kundër agresorëve malazezë, luftoi në Plavë e Guci, në Hot, Grudë, Tuz.

Pastaj në rrafshin e Kosovës në betejën e madhe të Shtimes, të Carralevës dhe së fundmi në atë të Slivovës, ku dhe ra heroikisht.

Në betejën e Slivovës në afërsi të Shtimes, në (prill 1881) kundër forcave osmane të Dervish Pashës kreu një akt trimërie të rrallë, duke i vënë gjoksin topit të armikut dhe ra heroikisht në fushën e betejës duke frymëzuar të gjithë luftëtarët e tjerë të vazhdojnë luftën me trimëri e krenari.

Mici ra heroikisht në moshën 42 vjeçare, duke lënë pas gruan dhe 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Më shumë se një shekull më pas, po një nip i tij e vazhdoi aty ku e la Mici, aty ku e ndërpreu Lidhja Shqiptare.

Ai kishte trashëguar nga gjenet e Micit trimërinë dhe shkathtësinë ushtarake.

Nipi i Mic Sokolit, ra dëshmor duke luftuar për bashkim kombëtar dhe quhet Tahir Sinani.

Shumë ngjarje dhe luftëtarë të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përjetësuan përmes epikës historike, mirëpo vendin e parë e zë Mic Sokoli, prijësi i Krasniqes, biri i Sokol Ramës nga Malësia e Madhe.

Heroizmi i pashoq i Micit u kthye në legjendë dhe këngët për të jehuan nëpër vite duke mbërritur deri tek ne./KultPlus.com

Kolegji Universum organizon Panairin e Karrierës në qytetin e Ferizajt me mbi 35 kompani vendore

Kolegji Universum organizon Panairin e Karrierës në qytetin e Ferizajt. Pjesëmarrës në Panair do të jenë mbi 35 kompani vendore, organizata dhe institucione publike.

Ky event përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme ndërveprimi në mes Kolegjit Universum, kompanive, organizatave dhe institucioneve publike. Qëllimi i organizimit të këtij Panairi është që të krijohen mundësi rrjetëzimi dhe kontakte direkte në mes të studentëve dhe punëdhënësve të tyre potencial. E poashtu të bëhet promovimi i punës/produkteve të këtyre kompanive dhe institucioneve para të pranishmëve në panair.

Panairi do të jetë i hapur për të gjithë të interesuarit. Përveç studentëve të Kolegjit Universum, pjesëmarrës do të jenë edhe nxënës të shkollave të mesme bashkë me drejtorë dhe përfaqësues nga institucionet shtetërore.

Panairi do të mbahet me 21 Prill nga ora 11:00-14:00 në Kampusin e Kolegjit Universum në Ferizaj.

Për më shumë informata rreth Panairit apo pjesëmarrjes kontaktoni në [email protected] apo  +383 44 725 675. / KultPlus.com

Freedom House publikon raportin për nivelin e demokracisë në Kosovë

Në raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.

Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.

Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.

Nga vendet e rajonit gjendja është përkeqësuar në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, situata është e pandryshuar në krahasim me vitin e kaluar. /VOA/ KultPlus.com