93 vite më parë u miratua Kodit Civil

Më 1 prill të vitit 1929, u miratua njëri prej akteve juridike më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Kodi Civil.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se Kodi përbënte risi për terrenin normativ dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve ‘30.

Vetiu, legjislacioni shqiptar pati shëmbëlltyrën e të drejtave të huaja e veçanërisht të së drejtës franceze, italiane dhe deri diku të asaj gjermane e zvicerane.

Thënë këtë, përgjatë përpilimit, u huazuan dispozitat për barazinë e të gjithë qytetarëve, për emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe për lirinë e angazhimit në aktivitete ekonomike.

Hyrja në fuqi e këtij Kodi Civil e grupoi të drejtën civile shqiptare në llojin romano-gjermanik, duke e mëvetësuar nga e drejta otomane. Me ndryshimin e regjimit qeverisës në vend, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky legjislacion asokohe bashkëkohor, u shfuqizua.

Në dokument, paraqitet një telegram falenderimi që Ministria e Drejtësisë ia drejton Mbretit Zog, për vënien në zbatim të Kodit Civil. / KultPlus.com

Në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot ishte prezent në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë.

“Në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, shënuam Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, duke shpresuar se entuziazmin për lexim të cilin ma prezantuan këta fëmijë sot, do ta përcjellin tek të gjithë fëmijët e Prishtinës!”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. / KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Vjosa Fondacion nesër me Gala Mbrëmje për autizëm, pjesë e kësaj kauze edhe Inva Mula e Erza Muqolli

Më 2 prill, në ditën ndërkombëtare të autizmit, Vjosa Fondacion me seli në Finlandë organizon Gala Mbrëmjen Humanitare për Autizëm, mbrëmje kjo që do të mbahet në Vali Ranch, shkruan KultPlus.

Lulzim Behxheti, themelues i këtij fondacioni ka njoftuar për KultPlus se në këtë mbrëmje do të prezantohet ankandi i 1200 portreteve që janë realizuar nga vet Behxheti, ankand që edhe do të shënojë nismën e këtij fondacioni që ka për qëllim edhe ndërtimin e kampusit për adoleshentët me autizëm.

“Në këtë mbrëmje do të marrin pjesë shumë figura që u kam realizuar portretet e tyre gjatë periudhës së karantinës, duke përfshirë figurat më të mëdha të kombit shqiptar e deri te shumë kontribuues në kulturën e historinë shqiptare”, ka thënë Behxheti.

Ai ka njoftuar se në këtë mbrëmje, përpos paraqitjeve të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, do të paraqiten me performancë edhe sopranoja e famshme Inva Mula, ambasadorja e Vjosa Fondacion, Erza Muqolli, pianistja Lule Elezi, aktorja Vlora Merovci, Anna Krasniqi me një performancë muzikore dhe grupi i baletit Dancing House.

Kjo Gala Mbrëmje do të transmetohet live edhe nëpërmjet Radio Televizionit të Kosovës, kurse të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj mbrëmje, do të kenë mundësi që të kontribuojnë me blerjen e portreteve, mjete që do të shkojnë direkt në konton e Vjosa Fondacion.

Gala Mbrëmja do të mbahet më 2 prill, dhe fillon prej orës 19:00 deri në ora 23:00. / KultPlus.com

MKRS shpall thirrjen publike për mbështetje të OJQ-ve dhe Individëve në fushën e Artit dhe Trashëgimisë Kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall thirrjen publike për mbështetje të OJQ-ve dhe Individëve në fushën e Artit dhe Trashëgimisë Kulturore, duke sjellur risi në formatin e thirrjes dhe formën e aplikimit.Për herë të parë aplikimi për grante në Art dhe Trashëgimi Kulturore do të bëhet online, përmes platformës eKosova, duke siguruar efikasitet dhe transparencë të shtuar në menaxhimin e të mirave publike.

Për të ofruar mbështetje adekuate për skenën e pavarur kulturore, cikli i parë i thirrjes për vitin 2022 synon 5 kategori të mbështetjes:

Mbështetje për zhvillimin organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore;

Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore;

Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore;

Projektet e krijuesve të rinj;

Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Përmes thirrjes publike për grante në Art dhe Trashëgimi Kulturore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka për qëllim:

Promovimin e artit dhe trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore;

Nxitjen e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks tek fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara;

Fuqizimin e koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së akterëve të rinj që veprojnë në fushën e kulturës;

Promovimin e artit dhe trashëgimisë kulturore përmes zhvillimit të diplomacisë publike.

Thirrja do të jetë e hapur nga data 01.04.2022 deri më datën 22 prill 2022, në ora 23:59.Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet e përkushtuar në avancimin e shërbimeve për komunitetin artistik brenda dhe jashtë kufinjve të Republikës së Kosovës.

APLIKIMI

Shpallja e Thirrjes në web faqen e MKRS-së: https://mkrs-ks.org/…/Thirrja_publike_Kulture_dhe…

Për të aplikuar përmes platformës online, duhet të ndiqen këta hapa:Në platformën eKosova kliko: ekosova.rks-gov.net/, pastaj:- Menyja Kryesore, zgjedh: Shërbime- Nënkategoria: Grante dhe Subvencione, duke zgjedhur për cilin lloj të grantit do të aplikoni, zgjidhni si me poshtë:

– Aplikimi për grante dhe subvencione të MKRS për Individë- Aplikimi për grante dhe subvencione të MKRS për OJQ.

Në vazhdim të kësaj faqeje sipas kategorisë për grante (OJQ, Individë) gjeni “Formulari i Aplikimit”- Për të shkarkuar udhëzuesin për aplikim online për projekt-propozimet kulturore për 2022 për OJQ kliko këtu: https://mkrs-ks.org/repository/docs/Manual-ojq.pdf

– Për të shkarkuar udhëzuesin për aplikim online për projekt-propozimet kulturore për 2022 për Individë kliko këtu: https://mkrs-ks.org/repository/docs/Manual-individe.pdf

Për të shkarkuar udhëzimet për aplikuesit sa i përket procesit të pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimit, dhënies së fondeve, kohës dhe mënyrës së parashtrimit të ankesave, trajtimit të dokumenteve dhe kalendarit tregues të zbatimit të thirrjes, kliko këtu: – OJQ: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=14831

– Individë: https://www.mkrs-ks.org/…/Rregullore_per_subvencionimin… / KultPlus.com

Cineplexx Prizren sjell eventin Kids Festival me një super-ofertë për fëmijët tuaj

Cineplexx Prizren sjellë eventin Kids Festival për të gjithë fëmijët me një super-ofertë: një biletë, një Popcorn, një pije dhe një kupon 30 minuta në trampolinë tek Area 52 për vetëm 6€.

https://www.instagram.com/p/CbzzoZDKBRA/

Eventi fillon nga nesër deri me datën 10 prill ku fëmijët mund ta shikojnë premierën e filmit të fundit në Cineplexx, Sonic The Hedgehog 2 apo dy nga filmat e tjerë që po pëlqehen shumë nga fëmijët, Turning Red the Clifford The Big Red Dog dhe të përfitojnë nga oferta. Gjatë vikendit gjithashtu do të ketë aktivitete për fëmijë si Facepainting dhe Coloring Pages.

Ngjarja e filmit Sonic The Hedgehog 2 vazhdon ku Sonic pasi që u vendos në Green Hills, ai do të tregojë se e ka atë që duhet për të qenë një hero i vërtetë. Prova e tij vjen kur Dr. Robotnik kthehet me një partner të ri, Knuckles, të cilët po kërkojnë një emerald mistik që ka fuqinë të shkatërrojë qytetërimin. Sonic bashkohet me ndihmësin e tij, Tails, dhe së bashku ata nisin një udhëtim global për të gjetur emeraldin përpara se të bjerë në duart e gabuara.

Orarin e filmit mund ta gjeni këtu: https://www.cineplexx-ks.eu/movie/Sonic-the-Hedgehog-2/

Ngjarja e filmit Turning Red, nga Pixar dhe Disney flet për Mei Lee një vajzë 13-vjeçare e cila është e ndarë mes të qenit vajza e bindur e nënës së saj dhe njëkohësisht duke u përballuar me kaosin e rinisë së saj. Si të mos mjaftonte kjo, kur ajo emocionohet shumë, shndërrohet në një panda të kuqe gjigande.

Orarin e filmit mund ta gjeni këtu: https://www.cineplexx-ks.eu/movie/Turning-Red/

© 2021 Disney/Pixar. All Rights Reserved.

Ngjarja e filmit Clifford The Big Red Dog flet për Emily Elizabeth e cila takon një shpëtimtar kafshësh magjike, i cili i jep asaj një qenush të vogël të kuq, ajo kurrë nuk e priste që të zgjohej për të gjetur një qen gjigant në apartamentin e saj. Me nënën e saj larg për punë, Emily dhe xhaxhai i saj argëtues nisen në një aventurë.

Orarin e filmit mund ta gjeni këtu: https://www.cineplexx-ks.eu/movie/Clifford-the-Big-Red-Dog/

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00. / KultPlus.com

Dielli i një qielli tjetër

Poezi nga Xhevdet Bajraj:

Pas një nate
në tokën ku vazhdojnë të çelin lulet e fëmijërisë
ku vazhdojnë të kalben ëndrrat
mes lisave të përgjumur
fillojnë të zgjohen sorrat
dhe dielli i një qielli tjetër
(nën të cilin kuptohet
se ka shumë më tepër mënyra për të vrarë
sesa për të bërë dashuri)
Një burrë
derisa po kthehej në shtëpi
nga turni i natës
ndeshet në park
me një prostitutë lakuriq
të vdekur
që kishte të tatuazhuar në kërdhokull
emrin e një shqiptari nga Kosova
E gjora
nuk i kishte dy javë
që kishte dalë nga përralla / KultPlus.com

Uta Ibrahimi mbështetet nga MKRS, gati për t’u ngjitur në majën e pestë më të lartë në botë

Alpinistja më e suksesshme në histori të Kosovës, Uta Ibrahimi, është gati për ngjitjen e saj të radhës në majën “Makalu”, maja e pestë më e lartë në botë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ibrahimi ka shkruar se në këtë rrugëtim do ta ketë përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Postimi i saj i plotë:

“Para disa dite pata kenaqesine me e taku zv. Ministren e Sportit, znj. Daulina Osmani.
Biseduam per shume mundesi te bashkepunimeve ne te ardhmen, e gjithashtu e falemderova per perkrahjen e Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit per ngjitjen e radhes ne Makalu, si vazhdimesi e ekspeditave të ngjitjes në 14 Majat e Botes.
Maja Makalu eshte maja e pesta në botë, ndersa per mua do te jete e shtata ne radhen e 8000 metershave.
Shpresoj shume qe edhe kesaj here do ta valvoj flamurin e Kosoves ne maje te Botes, e te kthehem mire e te vazhdojme bashk drejt rrugetimin te ngjiteve te tjera ne 8000″.

Përpos takimit me MKRS-në, Ibrahimi këtë vit është takuar edhe me kryetarin e Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqin. /KultPlus.com

Nën sloganin ‘Ec me mua, çdo hap numrohet’, Shoqata Autizmi marshojnë për të shënuar Ditën Botërore të Autizmit

Shoqata “Autizmi” do të bëjë një marshim në sheshin “Skënderbeu” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”, për të shënuar 2 Prillin, Ditën Botërore të Autizmit, shkruan KultPlus.

“Nën patronatin e Presidentës së Republikës së Kosovës znj.Vjosa Osmani Sadriu dhe me moton “Ec me mua, çdo hap numrohet”, ftoheni të marshojmë së bashku për të shënuar 2 Prillin, Ditën Botërore të Autizmit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Për të ecur në përkrahje të fëmijëve me autizëm, do të ofrohen papuçe artistike unike të dizajnuara nga fëmijët me autizëm të Shoqatës Autizmi.

“Qëllimi i ecjes me papuçet e ngjyrosura nga fëmijët është që të bashkëndjejmë me ta si dhe t’i përkrahim ata në talentet dhe potencialet e tyre unike”, thotë Shoqata “Autizmi”.

Në këtë marsh do të bashkangjiten edhe dy organizatat që punojnë me personat me autizëm “Autizmi flet” dhe “Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë”. /KultPlus.com

Departamenti Amerikan i Shtetit kujton Madeleine Albright: Faleminderit zonja Sekretare

Ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84 vjeçare më 23 mars të këtij viti, shkruan KultPlus.

Roli i saj për gjatë gjithë viteve sa ishte në institucionet amerikane, dëshmoi se Albright luftonte për liri, pavarësi dhe demokraci mbi të gjitha.

Sekretari i shtetit, Antony Blinken, ka kujtuar Albright duke thënë se ai përfitoi nga mençuria dhe inkurajimi i saj.

“Duke kujtuar Madeleine Albright, Sekretaren e 64-të të Shtetit të SHBA-së, në Departamentin Amerikan të Shtetit, një institucion që ajo e donte. Ajo mentoroi një brez diplomatësh dhe ekspertësh të sigurisë kombëtare. Unë jam një nga shumë që përfitova nga mençuria dhe inkurajimi i saj. Faleminderit zonja Sekretare. ” – Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken.

Albright do të njihet shumë edhe për rolin që pati në ndaljen e Luftë së Kosovës. /KultPlus.com

Osmani bën homazhe në Lybeniq: U kemi borxh për tërë jetën, është obligim të kërkojmë drejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri bënë sot homazhe dhe vendosën kurorë me lule në 23 vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në Lybeniq të Pejës.

Presidentja Osmani tha se sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të Lybeniqit ka bërë që ne sot ta gëzojmë aspiratën tonë shekullore për liri.

“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se sot ka takuar shumë familjar që kanë humbur më të dashurit e tyre, e disa e kanë humbur gjithë familjen.

“U kemi borxh për tërë jetën, por në të njëjtën kohë, është obligim i yni institucional që asnjëherë mos t’i ndalim përpjekjet tona për drejtësi. Në këtë masakër, sikurse edhe në çdo tjetër që regjimi gjenocidal i Serbisë ka kryer ndaj popullatës së pafajshme, civile në Kosovë, por edhe gjithë dëshmorët që kanë rënë, dëshmojnë se sa barbare ka qenë lufta e shtetit serb ndaj popullit të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo tha masakra e Lybeniqit është dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës që regjimi i Millosheviqit që kishte ndaj popullit të Kosovës. “Nuk duhet të ndalemi ditë pas dite dhe të punojmë pareshtur të gjithë bashkërisht, pa dallim, në mënyrë që gjaku i tyre mos të shkoj huq dhe në mënyrë që kryerësit e këtyre veprave makabre, kryerësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë”, përfundoi presidentja. /KultPlus.com

23 vjet nga masakra e Lybeniqit

Gjenocidi i kryer në Lybeniq të Pejës ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore-ushtarake dhe para-ushtarake serbe në Kosovë.

Gjenocidi i kryer në këtë vendbanim ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore, ushtarake e para ushtarake serbe në Kosovë.

Më 1 prill 1999 në Lubeniq të Pejës, njësitë paramilitare serbe në drejtimin e grupit “Çakejt”, rrethuan dhe me pas hynë në brendësi të fshatit. 

Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, ata i ndanë burrat nga gratë dhe me pas i ekzekutuan në mënyrat më çnjerëzore. / KultPlus.com

Pamje kur Dren Caka përpiqet të shpjegojë makthin dhe traumat e përjetuara nga masakra e Gjakovës si i vetmi i mbijetuar (VIDEO)

Sot janë bërë 23 vjet nga masakra në lagjen Qamili në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë. Mirëpo i mbijetuari i vetëm i kësaj masakre kishte qenë Dren Caka i cili kishte pasur vetëm 10 vjet në atë kohë.

Dren Caka është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara. Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave.

KultPlus ju sjell një video ku shfaqet Dren Caka pas shpëtimit të tij nga forcat serbe. Pasi ai ka rënë në duar të sigurta dhe ka marrë trajtimin e duhur, pasi ishte i lënduar në krah, ai mundohet të tregojë për tmerrin e përjetuar.  I pyetur rreth traumës që ka përjetuar, ai shihet teksa mbledh gjithë forcat e tij për të ju përgjigjur e mundohet të sjell të sakt atë që ka parë. / KultPlus.com

Jim Carrey deklaron se do të largohet nga aktrimi

Aktori Jim Carrey, i cili kohët e fundit tha se ishte ‘i mërzitur’ nga Will Smith që goditi Chris Rock në Oscar, tani ka zbuluar planet e tij të ardhshme të aktrimit dhe këmbëngul se ai është ‘mjaft serioz’, përcjell KultPlus.

60-vjeçari deklaroi për Access Hollywood se ai ‘ndoshta’ do të tërhiqet nga aktrimit, duke thënë: “Epo, unë po tërhiqem, jam mjaft serioz”.

Jim shpjegoi se i pëlqen të jetojë jetën e tij të qetë, duke bërë gjëra të rëndomta të cilat nuk kërkojnë shumë përkushtim dhe bëhen me dashuri të madhe.

Jim shtoi: “Më pëlqen shumë jeta ime e qetë, dhe me të vërtetë e dua jetën time shpirtërore dhe ndihem sikur kam kam bërë mjaft, jam mbushur nga puna”, tha Carrey.

Disa prej filmave të tij më të njohur jnaë: Dumb & Dumber, Yes Man, Batman Forever, Liar Liar etj. /KultPlus.com

1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10 vjeçare të vizave për shqiptarët në ShBA

1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10 vjeçare të vizave për shqiptarët të cilët marrin viza turistike dhe biznesi për në Shtetet e Bashkuara, përcjell KultPlus.

Ambasadorja, Yuri Kim, përshëndeti aplikanten e parë shqiptare të cilës edhe iu dha viza e parë amerikane e vlefshme për 10 vjet

Vizat turistike dhe të biznesit do të zgjaten nga 3 vjet në 10, pra, do të jenë të vlefshme për udhëtime deri në vitin 2032.

Vlefshmëria e vizave për 10 vjet u bë pikërisht në 100 vjetorin e miqësisë mes SHBA-së dhe Shqipërisë. /KultPlus.com

Rritet mbështetja për federatat sportive

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë nënshkruar memorandumet me Komitetin Olimpik të Kosovës, Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe me 36 federata sportive.

Shuma e përgjithshme e mbështetjes për Komitetin Olimpik, federatat e sportit dhe Komitetin Paralimpik vetëm përmes memorandumeve vjetore është mbi 3.7 milionë Euro.

Komiteti Olimpik i Kosovës është përkrahur me shumën prej 680 mijë euro, Komiteti Paralimpik me shumën prej 100 mijë euro.

Ndërsa shuma e memorandumeve për federata është përcaktuar në bazë të koeficientit të KOK-ut nga kategorizimi i federatave dhe vlerësimit të kategorisë nga MKRS-ja. Koeficienti i pikës për federatat e kategorisë A është rritur në 2200 Euro, ndërsa për kategorinë B do të jetë 1500 Euro.

Federatat e kategorisë C janë vlerësuar me koeficient të pikës prej 1200 Euro, ndërsa për kategorinë D është rritur në 1000 Euro.

Të gjitha kategoritë kanë pasur rritje të shumës në krahasim me vitet paraprake. Përveç mbështetjes së federatave do të ketë edhe mbështetje të sportistëve, trajnerëve dhe shpresave olimpike në bazë të kategorizimit të KOK-ut. /KultPlus.com

‘Unë mendoj vetëm në ty, ndërsa jashtë po bije shi’

‘Fisnikët’, janë pop bendi shqiptar, që u formua në vitin 1980 gjatë kohës kur në Kosovë mbretëronte një atmosferë e volitshme për zhvillimin e rock-ut lokal.

Në këtë kohë ishte formësuar një traditë dhe ngjyrë autoktone në këtë stil të muzikës. Bendet ‘Gjurmët’, ‘Illirët’, ‘Minatori’ e të tjerë gjatë kësaj kohe mbretëronin në rock-pop skenën kosovare, kurse ‘Fisnikët’ e plotësuan këtë me stilin e tyre të ashtuquajtur akustik, ku përcjellja e këngëve bëhet me kitarë akustike.

Sot po sjellim këngën “Shiu” të grupit ‘Fisnikët’.

‘Shiu’ është një ndër këngët më të njohura të ‘Fisnikëve’, e cila ka një tekst jashtëzakonisht të këndshëm i cili vazhdon ende të jetë në memorien e adhuruesve të këtij grupi dhe jo vetëm.

Shiu
Përsëri po bije shi
pse nuk thërret pse bëhesh fmi
pse je ashtu e pa besë
kësaj s’i thonë dashuri

Çka do t’bëjsh sot në shtëpi
do t’flesh a do t’mësosh
do t’shikosh si bije shi
apo nënës t’i ndihmosh

Unë mendoj vetëm në ty
ndërsa jashtë po bije shi
unë të kërkoj vetëm ty
dhe dëgjoj këtë melodi….këtë melodi

Telefoni prore hesht
kot pres ti nuk thërret
unë s’kam faj që është vjeshtë
shi kur të bjen thonë bereqet

qdo gënjehesh kur më takosh
ke mësuar s’ke pas kohë
dikur do të më kërkosh
por atëhere do të jetë vonë./ KultPlus.com

Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion”, Artpolis sjellë edicionin jubilar të Festivalit FemArt

Evolucioni feminist vazhdon. Sivjet edhe më i gjerë e më i plotë. Artiste, aktiviste e feministe vendore dhe ndërkombëtare pikëtakohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon, FemArt.

FemArt 10, për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen.  Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezentimeve nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia e Franca. 

Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës.

Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën. Mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë. Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë.

Në këtë dhjetë vjetorë, për dhjetë ditë ejani të festojmë e rebelohemi, argëtohemi e inspirojmë, performojmë e bëjmë thirrje për barazi, drejtësi, fuqizim e njohje të kontributit të grave, artisteve e aktivisteve deri në revolucionin e radhës. /KultPlus.com

TKK njofton për anulimin e shfaqjes ‘La Beute du Geste’

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton se për arsye teknike trupa e shfaqjes ‘La Beaute du Geste’ nga Parisi nuk ka mundur të udhëtojë për Kosovë, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, TKK ka shkruar se shfaqja e paraparë më datë 1 prill, anulohet.

“Me keqardhje ju njoftojmë, që për arsye teknike trupa e shfaqjes “La BEAUTE DU GESTE”, nga Parisi nuk kanë mundur të udhetojnë për Kosovë. Andaj shfaqja e cila është paraparë të mbahët në skenën e Teatrit Kombëtar, është anuluar me datë 1 prill 2022 ora 19:00″, shkruhet në postimin e tyre.

Shfaqja “Kuartet” do të jetë premiera e vetme për këtë muaj, e cila do të jepet më 5 prill. /KultPlus.com

23 vjetori i masakrës në Gjakovë, historia e 10 vjeçarit që pa vdekjen e 21 familjarëve

Dren Caka është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara.

Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave.

Caka për këtë masakër kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës. Ai kishte treguar se ishte fshehur në një bodrum me nënë dhe tri motrat e tij. Ata ishin bashkuar me familje të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë, kurse burrat kishin qenë në kulmet e shtëpisë duke bërë roje.

Ata besonin se serbët, të cilët kishin nisur në një pjesë të Gjakovës, “po kërkonin vetëm burra dhe nuk do të sulmonin gratë dhe fëmijët”.

Rreth orës 2 të mëngjesit, nëna e Drenit kishte dëgjuar se disa policë ishin duke ardhur në shtëpinë e tyre ku dhe kishin thyer derën e bodrumit dhe kishin kërkuar gra dhe fëmijë në gjuhën serbe dhe shqiptare. Ata kishin nxjerrë nga bodrumi gratë dhe fëmijët që kishin qenë aty, disa kishin arritur të shpëtonin mirëpo Dreni me motrat dhe nënë e tij nuk kishin arritur të iknin nga bodrumi dhe kishin mbetur nën ruajtjen e tre policëve serbë.

Pesëmbëdhjetë vjeçarja, Flaka ishte viktima e parë e kësaj masakre, ajo ishte vrarë nga agresori serb me një plumb të një pushke automatike. Ajo ishte vajza e Hani Hoxhës. Babai i saj kishte dëshmuar lidhur me këtë masakër.

Flaka ishte vrarë derisa ishte duke përgatitur çaj. Pas saj ishte ekzekutuar edhe nëna e saj dhe të gjithë njerëzit që kishin qenë në dhomë me Flakën dhe nënën e saj.

Ndërkohë, policët kishin djegur shtëpinë ku kishin qenë gratë dhe fëmijët. Shtëpia filloi të mbushej me tym. Dren Caka kishte dëgjuar britmën e motrës së tij dyvjeçare, të bllokuar nën trupin e nënës së saj të vdekur, por nuk kishte mundur ta ndihmonte. Po ashtu edhe Dreni ishte qëlluar, ai kishte krahun e thyer. Dreni kishte lëvizur nga dhoma në dhomë, duke pretenduar se ai ishte i vdekur në çdo hapë që e bënte. Në fund ai ishte hedhur nga dritarja e shtëpisë së fqinjit ku kishin qenë duke qëndruar dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij. Derisa po ikte nga shtëpia në zjarr, Dren Cakën e kishin parë tre policë. Ata ishin duke qëndruar para shtëpisë, duke pirë duhan me një shprehje të ftohtë në fytyrë.

Kur arriti në shtëpinë e tij, Dren Caka kishte parë tezen e tij dhe i kishte kërkuar ndihmë, duke bërtitur se “të gjithë ishin të vdekur”. Ai i kishte thënë se e ka parë një ëndërr të keqe, mirëpo tezja i kishte besuar Drenit vetëm kur e kishte pa të plagosur.

Pas kësaj masakre, Dreni kishte shkuar në Shqipëri si refugjat së bashku me të afërmit tjerë të cilët i kishin mbijetuar masakrës së 1 dhe 2 prillit. Mirëpo babai i Drenit nuk kishte shkuar së bashku me të, ai kishte mbetur në Gjakovë, ndërsa ai kishte qëndruar për pesë muaj në Shqipëri.

Meqenëse dëshmitari kishte dëshmuar në një anglishte të rrjedhshme, ndonëse u rrit shumë larg nga Kosova, Dreni kishte dëshmuar dy herë në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, Dreni kishte dëshmuar si dëshmitar i mbrojtur.

Dreni tash është duke jetuar në Vankuver të Kanadasë së bashku me babain e tij Ali Cakën, ku dhe është i punësuar. Babai i tij është martuar sërish dhe ka një djalë, të quajtur Dennis, dhe Dreni ka bërë tatuazh në krahun e tij emrin e Denisit. / KultPlus.com

‘Ca pika shiu ranë mbi qelq…’

Poezi nga Ismail Kadare

Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.


1976./ KultPlus.com

Si u bë 1 prilli “Dita e Gënjeshtrave”

Dita e Gënjeshtrave – festohet me 1 Prill çdo vit – është festuar për disa shekuj nga kultura të ndryshme, megjithëse origjina e saj e saktë mbetet një mister.

Traditat e Ditës së Prillit përfshijnë mashtrime ose shaka praktike me të tjerët, shpesh duke bërtitur “Budallenjtë e Prillit!” në fund për të dhënë informacion mbi temën e shakasë.

Origjina e 1 Prillit

Kulturat e lashta, duke përfshirë ato të romakëve dhe hinduve, e festonin Ditën e Vitit të Ri në 1 Prill. Në kohët mesjetare, shumica e Evropës festonte 25 marsin si fillimin e vitit të ri. Kjo tezë daton në vitin 1582, kur Papa Gregori XIII urdhëroi një kalendar të ri (Kalendari Gregorian) për të zëvendësuar Kalendarin e vjetër Julian. Kalendari i ri vendosi që Dita e Vitit të Ri të festohet më 1 janar. Në atë vit, Franca miratoi kalendarin e reformuar dhe ndryshoi datën e Vitit të Ri për 1 Janar. Por shumë njerëz refuzuan të pranonin datën e re ose nuk mësuan me të dhe vazhduan të festonin Ditën e Vitit të Ri më 1 Prill, duke shkëmbyer dhurata ‘boshe’. Përfundimisht, kjo praktikë u përhap në të gjithë Evropën.

Një shpjegim tjetër i origjinës së ditës së gënjeshtrave u dha nga Joseph Boskin, një profesor i historisë në Universitetin e Bostonit. Ai shpjegoi se praktika filloi gjatë mbretërimit të Kostandinit, kur një grup gjykatësish i treguan perandorit romak se ata mund të bënin një punë më të mirë për drejtimin e perandorisë. Konstandini, i kënaqur, lejoi që një djalë me emrin Kugel të ishte mbret për një ditë. Kugel kaloi një dekret duke bërë thirrje për absurditet gjatë asaj dite, dhe zakonet u bënë kështu një ngjarje vjetore. U deshën disa javë që të kuptohej se ata do të ishin viktima të një shakaje të datës 1 Prill. / KultPlus.com

Mbahet mbrëmja poetike për të drejtat e vajzave dhe grave në KultPlus Caffe Gallery

Dashuria për poezinë dhe pasioni për krijimet artistike të poetëve diversiv u shndërruan në dy shtyllat kryesore që kapërthyen mbrëmjen poetike për të drejtat e vajzave dhe grave, mbrëmje kjo që mbrëmë erdhi nën organizimin e Sekretariatit të Gruas Aktiviste të Lëvizjës Vetëvendosje, shkruan KultPlus.

Në ambientin e ngrohtë dhe komod të KultPlus Caffe Gallery, kjo mbrëmje erdhi si një dedikim për të drejtat e grave dhe betejës së tyre përgjatë viteve për të arritur synimet e paramenduara.

Po ashtu, kjo mbrëmje është realizuar në kuadër të aktiviteteve të Sekretarit të Gruas Aktiviste përgjatë muajit mars, aktivitete këto që janë shënuar për të drejtat e vajzave dhe grave. Dhe pikërisht ky muaj është përmbyllur me këtë mbrëmje poetike, që u shënua mbrëmë.

Ndërkohë në këtë mbrëmje poetike në panel të ftuara ishin: Majlinda Bregasi, Elvis Hoxha, Tinka Kurti, Hyrije Veliu-Jeta, Hatixhe Hoxha.

Ishte profesoresha dhe shkrimtarja Majlinda Bregasi ajo e cila moderoi këtë ngjarje, e që e nisi mbrëmjen me fokusin rreth barazisë shoqërore.

“Kam privilegjin që ta drejtoj këtë mbrëmje. Angazhimi për drejtësi e barazi shoqërore duhet të jetë i përhershëm, megjithatë marsi është muaji i grave që shënon një intensitet më të shtuar drejt sensibilizimit të kauzës së gruas. Sekretariati i Gruas Aktiviste në muajin e aktiviteteve të shumta, me këtë mbrëmje sot bënë përmbylljen e gjithë aktiviteteve të paramenduara. S’ka më bukur se të përmbyllen ky rrugëtim me një mbrëmje poetike, me pjesët e përzgjedhura të cilat i referohen të drejtave të grave, betejës së tyre të gjatë për t’i arritur”, thotë Bregasi.

Fillimisht, poezitë si: “Ninës ikonë” nga autori Krenar Zejno dhe “Një grua e pjekur” nga Renacer Humano, u interpretuan mahnitshëm nga aktorja Zhaneta Xhemajli. E së bashku me vargjet e poezisë, vend gjetën edhe meloditë e kitarës që përqafonin të pranishmit mrekullisht.

Pastaj, një fragment i shkurtër nga romani i fundit i autores Majlinda Bregasi i titulluar “Stina e pestë”, u shpalos para të pranishmëve nga vetë autorja e cila pastaj shpjegoi pak për përmbajtjen që ka romani, duke zgjuar interesin për të parë e lexuar akoma më shumë nga ai libër e ato fletë që thërrasin emrin e çdo lexuesi.

“Ne”, titullohej poezia e radhës që gjeti vendin e saj. Me autoren Tinka Kurti që qëndronte në panel, të pranishmit dëgjuan interpretimin e aktores Donikë Ahmeti që zgjoi një emocion të papërshkrueshëm tek të pranishmit. E kjo u dallua edhe kur vetë autorja mori fjalën pas interpretimit poetik.

“Mua më deshën pak sekonda që me marr veten nga interpretimi i aktores së shkëlqyeshme, Donikës. Falënderoj Sekretariatin e Gruas Aktiviste për organizimin e kësaj mbrëmjeje dhe të gjitha aktiviteteve përgjatë këtij muaji si dhe në vazhdimësi. Është kënaqësi që të jem këtu me ju. Poezia është shkruar në vitin 2017. Kam dhe disa poezi tjera të cilat nuk e di se a i përkasin saktësisht një periudhe por siç ndodh në fakt me shumëçka të veprimtarisë letrare, zanafillën mund ta ketë tek fëmijëria. Por për këtë poezi e di se mund ta them që nuk do të ekzistonte pa Lëvizjen Vetëvendosje”, thotë Kurti.

Ndërkaq, ishte dhe vetë aktorja Donikë Ahmeti ajo që tha edhe disa fjalë më shumë për poezinë “Ne”.

“Me të vërtetë kur po e lexoj, po e gjej veten shumë në këtë poezi. Për shkak se vargu thotë ‘Ne që nuk qajmë kollaj’, i mbajta lotët se është diçka që e ndjeva tepër. Secila grua shqiptare mund ta gjej veten në këtë poezi”, thotë Ahmeti.

Poezia “Grueja shqyptare” dhe “Baladë qytetse”, ishin dy poezitë e radhës që u intepretuan aq bukur nga dyshja e pranishme si: filozofi Elvis Hoxha dhe aktorja Donikë Ahmeti, të cilët zgjuan edhe një diskutim mjaft të gjerë mes të pranishmëve.

“Grueja shqyptare” është një poezi shumë e gjatë që në fakt një njëri si puna ime që nuk ka bërë kurrë aktrim, nuk do guxonte ta lexonte, por për njëlloj sakrifikimi mashkullor, do ta kërcënoj veten time por patjetër me ndihmën e Donikës që do të ndërhyj në ca momente që unë të rimarr frymë. Po ashtu në fakt, kjo poezi ka njëlloj sekreti fantastik. Poezia në Shqipëri i është akorduar Ndre Mjedës, ndërkaq në Kosovë i është akorduar Martin Camajt”, thotë Hoxha para se të fillonte me interpretimin.

Ndërkaq, poezinë “Baladë qytetse”, ai e cilëson si “një nga gratë e Migjenit”.

Gjithashtu, ishte edhe aktorja Donikë Ahmeti ajo që lexoi poezinë e radhës me titull “Shkëmbi i vajës”.

“Gruaja shqiptare ka pasur të drejtë me qenë krenare. Për këtë flet poezia. Kjo krenaria dhe shenjtërimi i figurës së nënës, ‘Lokja’, gjithmonë ka qenë tek ne, e adhuruar. Kjo nuk e anashkalon pjesën që gruaja gjithmonë në shoqërinë tonë ka qenë e diskriminuar, e shtypur, e përdorur në mënyrat më të këqija të mundshme”, thotë Ahmeti para se të vazhdojë me interpretimin.

Tutje, kushtuar heroinës Myrvete Maksutaj, u lexua edhe poezia “Këngë e kris”, autorja e së cilës është Hyrije Veliu-Jeta.

“Myrvetja ka qenë shoqja ime e luftës dhe para se me lexu këtë poezi do të doja të thosha se ajo ishte një vajzë shumë e re. Sapo kish mbush të njëzetat kur iu bashkua radhëve të UÇK-së, dhe me thënë të drejtën ajo nuk ishte e para. Por përveç atdhedashurisë që e mbante në zemër, ajo kishte edhe një plagë të thellë sepse shumë vite më herët, vëllain e saj e kishin vra në ushtrinë jugosllave. Ajo kishte ndjenjën e hakmarrjes. Unë këtë poezi për Myrveten e kam shkruar tri ditë pasi ajo ra dëshmore. Ajo ra dëshmore në Pejë dhe atë ditë ajo ishte nisur drejt spitalit të Pejës për të ndërmarrë një aksion për të shpëtuar shokun tonë që ishte i plagosur e i kapur nga ushtria serbe, por ajo qëllohet nga forcat serbe dhe bie dëshmore. Unë e përjetova shumë rëndë. Unë nuk jam poete por këtu kanë dalë ca fjalë zemre”, thotë Veliu-Jeta.

Kështu krejt në fund, me një përzierje të emocioneve të llojllojshme dhe tinguj muzikor, mbrëmja vazhdoi me interpretime nga më të ndryshmet që vetë publiku po sugjeronte.

E njëra nga to që erdhi me një lezet krejt ndryshe, ishte poezia “Me dashtë kur me e dashtë nuk duhet” me autor Bekim Lumi.

Përgjatë mbrëmjes po ashtu shpesh herë janë përsëritur disa nga poezitë e lartpërmendura, në mënyrë që ridëgjimi i tyre që dëshirohej nga publiku, të jehonte edhe përtej mureve të KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com