Presidentja Osmani ne Bruksel: Kosova është gati, ka ardhur koha për vendime të guximshme nga BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot gjendet në Bruksel ku po zhvillohet takimi mes liderëve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Presidentja Osmani në këtë takim mbajti një fjalim mjaft të rëndësishëm për vendin tonë të cilin KultPlus ju sjellë të plotë:

Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë,

Kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore. Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh.

Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur.

Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqëse integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej.

Lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për kontinentin tonë. Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu.

Ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, por në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999.

Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.

Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.

23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.

Të dashur kolegë,

Politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj është jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë.

Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën.

Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni.

Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë.

Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.

Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen.

Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje.

Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj.

Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!

Ju faleminderit! / KultPlus.com

Adhuruesit e muzikës kthehen tek ‘Glastonbury’ dhe Paul McCartney

Dhjetëra mijëra adhurues të muzikës hynë në Worthy Farm të mërkurën për t’u rikthyer pas tre viteve të Glastonburyt, festivalit të dashur të muzikës që do të prezantojë qindra artistë nga Billie Eilish deri tek Paul McCartney, transmeton KultPlus.

Skenat ngazëllyese vijnë si një lehtësim për një industri të muzikës live që luftoi për mbijetesë pasi COVID-19 zhduku të gjithë sezonin 2020 dhe një pjesë të madhe të vitit 2021, duke i detyruar ambientet të rimbursojnë biletat dhe të shkojnë pa asnjë të ardhur.

“Ne jemi të hapur,” u tha Michael Eavis, i cili themeloi Glastonbury 52 vjet më parë, turmave brohoritëse ndërsa i pari nga 200,000 argëtues hyri në fermën e tij në Anglinë jugperëndimore. “Absolutisht e mrekullueshme,” tha ai. “Më vjen mirë t’ju shoh të gjithëve.”

Ndërsa Glastonbury, festivali më i madh në botë i fushës së gjelbër, është rikthyer me bujë, duke luajtur me njerëzit që siguruan biletat e tyre në 2019-ën, shumë festivale më të vogla po luftojnë për të përballuar në një nga mjediset më të vështira ekonomike për dekada.

Shumë rrokullisnin biletat nga vitet e mëparshme, duke kufizuar mundësinë për të rritur çmimet për të reflektuar kostot në rritje.

Glastonbury është unik në shitje para se të shpallet ndonjë titull kryesor, duke pasur parasysh fuqinë e formacioneve të mëparshme me yje që variojnë nga Beyonce te David Bowie, Dolly Parton te Bruce Springsteen dhe Rolling Stones.

Ngjarjet rivale, të organizuara shpesh nga njerëz që e kapën defektin në Glastonbury, nuk mund të llogarisin në atë nivel angazhimi.

“Ne jemi shumë të kënaqur që jemi jashtë pyllit për sa i përket kufizimeve të COVID,” tha Paul Reed, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Festivaleve të Pavarura. “Megjithatë, nuk po rezulton të jetë një rikthim i madh për festivalet.”/ KultPlus.com

Pas ftesës së presidentes Osmani, nga “Sunny Hill” besojnë se shefat e BE-së dhe Macron do t’i bashkohen festivalit

Sot, në takimin me liderët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është pyetur nga shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, edhe për Dua Lipën, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani gjatë kësaj bisede të shkurtër që u zhvillua përpara samitit BE – Ballkani Perëndimor – gjatë realizimit të fotografisë bashkë me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidentin francez Emmanuel Macron, ka shfrytëzuar rastin që t’i ftojë ata të marrin pjesë në festivalin Sunny Hill që do të mbahet në Kosovë dhe Shqipëri.

Këtë video e ka shpërndarë edhe Alban Kastrati, përfaqësues i festivalit “Sunny Hill” i cili është shprehur optimist që shefat e mëdhenj të BE-së DHE PRESIDENTI I Francës, mund të vijnë në Sunny Hill pas ftesës së presidentes Osmani.

“Prej mbi 10,000 festivaleve ne Evrope, Komisioni Evropian na ka njoftuar se ka zgjedhe qe nje grup te madh te gazetareve evropian ta sjell ne Sunny Hill Festival ne Prishtine e Tirane. Ne kete edicion, ka gjasa qe na vijne edhe shefat me te medhenj te BE-se edhe Presidenti i Frances, Macron, me ftese te Vjosa Osmani.

Vizat on the way”, ka shkruar Kastrati. / KultPlus.com

Kosova shënon ngritje në renditjen  e FIFA-s

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar ngritje në renditjen e re të FIFA-s.

Në përditësimin e fundit të bërë sot, Kosova tani gjendet në vendin e 106, shkruan Gazeta Express.

“Dardanët” kanë shënuar ngritje për një pozitë, duke e kaluar Qipron, kundërshtarin që e mposhtën në këtë muaj.

Kosova arriti dy fitore dhe dy humbje gjatë këtij muaji. “Dardanët” triumfuan ndaj Qipros dhe Irlandës Veriore, kurse u mposhtën dy herë nga Greqia./ KultPlus.com

Refugjatja ukrainase thotë se arti i saj tani është ‘plot jetë’

Një artiste dhe refugjate ukrainase tha se puna e saj ishte “plot frymëzim dhe jetë” që kur mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton KultPlus.

Maria, e cila studioi në Akademinë e Artit në Lviv, u largua nga Ukraina dy muaj më parë.

Puna e saj është paraqitur në një ekspozitë që fokusohet në artin e krijuar nga emigrantët dhe refugjatët në Kishën e Shën Palit në Bedford.

“Në Ukrainë, kam përdorur bojë vaji. Por pikërisht në këtë tokë mora frymëzim, gëzim dhe fuqi të veçantë për të pikturuar vepra të reja arti,” tha ajo.

“Kam marrë energji të veçantë të jetës në këtë tokë dhe doja ta shprehja atë përmes artit tim.

“Unë jam shumë mirënjohës për anglezët dhe tokën angleze. Zoti më ka dhënë energji të veçantë që të mund të krijoj piktura të reja këtu.

“Jam shumë e lumtur kur krijoj këtë art. Ata janë plot frymëzim dhe jetë.”./KultPlus.com

Presidentja Osmani në Bruksel pyetet nga shefja e BE-së edhe për Dua Lipën (VIDEO)

Sot, në takimin me liderët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Republikës së Kosovës pyetet nga shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, edhe për Dua Lipën, shkruan KultPlus.

Ursula: Si është Dua Lipa?

Osmani: Ajo është mjaft mirë dhe fatmirësisht ne do të ju kemi juve prezentë në kohën kur Sunny Hill Festival do të mbahet në Kosovë ku dhe ajo po krijon një “line-up” të artistëve.

Tutje, presidentja Osmani ju kthehet edhe dy burrave anash edhe i fton edhe ata ne festival.

Osmani: Ju jeni të gjithë të ftuar.

Presidentja Osmani ne videon e publikuar ne rrjete sociale ka shkruar gjithashtu se përkrahja e miqve tanë është vendimtare për ecjen tonë përpara në rrugën evropiane. / KultPlus.com

Gjykata dënon Naser Pajazitaj me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e ka dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-ës.

Akgjykimi ndaj Pajazitajt u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje në Gjykata Themelore në Ferizaj.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019./ KultPlus.com

Kurti: Xhevdet Bajraj do të rrojë gjithmonë, porsi një yll që nuk shuhet kurrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka përkujtuar poetin Xhevdet Bajraj, i cili vdiq dje pas një sëmundje të shkurtër, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Poeti më i madh i gjallë i Kosovës nuk rron më. Mbrëmë qielli i errët kishte një yll më shumë. Shkëlqimi midis nesh është xixa sipër nesh.

Teksa shkruaj me mall e dhembje, përkulem t’i lexoj titujt që qëndrojnë vertikalisht në bibliotekën time: Copa ime e qiellit, Vitet qe nuk e sollën pranverën, Lëngu i trëndafilave, Liria e tmerrit, Ca Kokrra Rrushi të Rahovecit, Vrasja e Mushkonjës, Kur qajnë hardhitë, Kafe me Nënën, Me Zemër në Qese Najloni, Burri që lozte me engjëj…

Xhevdet Bajraj do të rrojë gjithmonë, porsi një yll që nuk shuhet kurrë./ KultPlus.com

Presidentja e PE-së: Sot është dita kur Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e ka cilësuar si historike ditën e sotme ku po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Metsola tha se sot është dita kur duhet të nisin negociata për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve./Insajderi.org / KultPlus.com

Presidentja e PE-së: Sot është ditë historike, duhet t’i liberalizohen vizat Kosovës

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e ka cilësuar si historike ditën e sotme kur po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Duke folur në emër të eurodeputetëve, Metsola tha se liberalizimi i vizave për Kosovën dhe hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të ndodhin, raporton Gazeta Express.

“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve./ KultPlus.com

Rita Ora publikon këngën e re ‘Barricades’

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora, ka publikuar së fundmi këngën e saj të re me titull “Barricades”, e cila vjen si bashkëpunim me këngëtarin e huaj, Netsky, shkruan KultPlus.

Për një kohë të gjatë, Ora ka vazhduar që me ritmet e saj të dëshmojë talentin në muzikë dhe kësisoj suksesi të jetë gjithmonë i pranishëm kudo që ajo shkon.

Pra, ka kuptim të plotë që producenti belg Netsky ka rekrutuar Ritën për këngën e tij të re Barricades.

Këtu mund ta dëgjoni këngën e re. /KultPlus.com

Osmani tregon pritjet nga Samiti, gazetarët e pyesin “pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”

Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para se të nisë samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Ajo është pyetur se pse liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjigjja e Osmanit ishte se kjo është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet atyre derisa njerëzit nga e gjithë Europa dhe përreth saj lëvizin lirshëm derisa një vend me më pak se 2 milionë banorë mbahet i izoluar.

“Ne shpresojmë, megjithatë nuk dua që të rris pritshmëritë në këtë pikë, sepse më ky proces nuk është në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet vite më parë.  Është padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Osmani tha se për këtë çështje vendim pro ka dhënë Komisioni Europian dhe gjithashtu Parlamenti Europian, prandaj është koha që shtetet anëtare të dëgjojnë zërin e qytetarëve të tyre.

Cilat janë pritshmëritë e Osmanit para samiti?

“Jam këtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm në emër të njerëzve të Kosovës. Neve na duhet një zë i qartë nga Bashkimi Europian, na duhet një mesazh i bashkuar nga BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë po mbetet për faktorët malinj ata do ta përdorin. Kështu që, shpresojmë për një perspektivë të qartë nga të gjithë shtetet anëtare”.

Presidentja e Kosovës foli edhe për synimet e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

“I mbështesim Ukrainën, Moldavinë, sepse e meritojnë.  Njëjtë sikurse Kosova, edhe këto dy vende kanë treguar se përnjëmend qëndrojnë krah vlerave europiane dhe janë në gjendje të japin edhe jetën për t’iu bashkuar BE-së. Unë nuk shoh ndonjë të keqe për Ballkanin Perëndimor, nëse Ukraina dhe Moldavia ecin përpara, përkundrazi”, tha Osmani për gazetarët.

Në përmendjen e faktit se krijimi i hapësirës në Ballkanin Perëndimor lejon që faktorë të tjerë malinj ta përdorin atë, Osmani thotë se BE-ja duhet të jetë ofrojë një perspektivë të qartë ndaj rajonit dhe sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar se janë pro vlerave europiane. / Gazeta express/ KultPlus.com

8 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe kritikut të njohur, Ali Jasiqi

Shkrimtari Ali Jasiqi lindi në Jasiq të Junikut më 1937. Shkollën fillore në Junik e në Deçan. Shkollën Normale e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë kreu Fakultetin filologjik – gjuhë e letërsi shqipe, shkruan KultPlus.

Ka punuar gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistë për kulturë, art e letërsi “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare “Jeta e re”. Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në “Zani i rinisë” më 1957.

Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera“ të Mitrush Kutelit, botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), botuan nga “Rilindja” në vitin 1973, përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gunges dhe Bedri Hyses, ka përgatit disa numra tematik të revistës letrare “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtor etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. /KultPlus.com

Zelensky krahason sulmin rus me atë të Hitlerit

Volodymyr Zelenskyy, president i Ukrainës e ka krahasuar sulmin rus ndaj vendit të tij si sulmet e papritura të Hitlerit ndaj Bashkimit Sovjetik në vitin 1941.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur po vazhdon beteja për qytetin Severodonetsk dhe Lysychansk.

Forcat ruse pretendojnë se i kanë rrethuar ushtarët e Ukrainës në jug të qytetit.

Perëndimi është zotuar se do ta furnizojë Ukrainën me armë të avancuara.

Lufta në lindje po vazhdon, ku Rusia ka pushtuar 20 për qind të territorit ukrainas. /Express / KultPlus.com

Dua Lipa përfundon në gjykatë

Dua Lipa është paditur pasi ka postuar një foto të shkrepur nga paparaci në Instagramin e saj. Kjo është hera e dytë që ndodh brenda një viti. Këtë herë, fotografi Robert Barbera, pretendon se këngëtarja ka shkelur të drejtat e autorit pasi postoi fotot që ai i bëri në korrik 2018.

“Pa leje ose autorizim nga paditësi, i pandehuri zgjodhi, kopjoi dhe shfaqi vullnetarisht secilën nga fotografitë e mbrojtura nga e drejta e autorit të paditësit,” thuhet në ankesë. Fotot në fjalë tregojnë Lipën e veshur me një pulovër të zezë që mban fjalën “HEROES” me shkronja të mëdha.

Ashtu si në padinë e mëparshme, e cila ishte nga një kompani e quajtur Integral Images, Barbera pretendon se Lipa përfitoi financiarisht duke postuar fotot e tij me të drejtë autori duke dëmtuar kështu tregun potencial për të. /abcnews.al / KultPlus.com

Dielli i një qielli tjetër

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Pas një nate
në tokën ku vazhdojnë të çelin lulet e fëmijërisë
ku vazhdojnë të kalben ëndrrat
mes lisave të përgjumur
fillojnë të zgjohen sorrat
dhe dielli i një qielli tjetër
(nën të cilin kuptohet
se ka shumë më tepër mënyra për të vrarë
sesa për të bërë dashuri)
Një burrë
derisa po kthehej në shtëpi
nga turni i natës
ndeshet në park
me një prostitutë lakuriq
të vdekur
që kishte të tatuazhuar në kërdhokull
emrin e një shqiptari nga Kosova
E gjora
nuk i kishte dy javë
që kishte dalë nga përralla / KultPlus.com

Festivali ndërkombëtar “Dea open air” në Tiranë, 39 filma në program

Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air”, me 39 filma të huaj dhe shqiptarë, do të zhvillohet në datat 23-28 qershor në Tiranë në edicionin e nëntë të tij, me një program të ndarë në pesë seksione.

Në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë përfshirë në program 39 filma nga 25 vende të botës, të ofruar në katër konkurrime dhe një program special, të cilët ndiqen dhe vlerësohen nga pesë juri profesioniste.

Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, “Dea” vjen këtë vit për herë të katërt edhe në Tiranë, për ta ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesioniste evropiane edhe me publikun, studentët dhe kineastët kryeqytetas.

Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars 2022.

Numri i aplikantëve të “Dea open air” ka ardhur në rritje nga viti në vit. Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit, si në edicionet paraardhëse, gjeografi ndërkontinentale.

Edicioni i nëntë i “Dea open air international film festival” zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, të cilët krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota./atsh/ KultPlus.com

Gazetarja Franziska Tschindele së shpejti prezanton librin mbi Shqipërinë

Me 24 qershor 2022 duke filluar nga ora 20:00 në “Rotefabrik” Cyrih përurohet libri i gazetares austriake Franziska Tschindele mbi Shqipërinë me titullin «SHQIPËRIA – NGA IZOLIMI NË TË ARDHMEN EVROPIANE».

Gazetarja Franziska Tschinderle e lindur më 1994 në Austri, jeton në Tiranë dhe punon e shkruan për shumë gazeta gjermano folëse, ndër të tjera, për revistën e lajmeve austriake “profil“, pastaj për “republika” dhe të majtës zvicerane “woz”, si korrespondente e Evropës Juglindore. Ajo ka hulumtuar për librin e saj të reportazhit për Shqipërinë që nga viti 2019. Në libër pasqyrohet historia e shtetit shqiptar përgjatë kohës së diktaturës e deri në ditët e sotme. Në këtë libër nuk mungojnë edhe historitë dhe përjetimet e mbledhura të jetës së njerëzve të ndryshëm.

Në të njëjtën kohë, Tschinderle merret me Shqipërinë e sotme: me kushtet e punës në call center dhe miniera, me ndotjen e mjedisit, protestat e studentëve si dhe me opozitën e rrënuar në beteja fraksionale si dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Libri paraprak me titullin “Nëpër Shqipëri” i gazetares austriake, Franziska Tschinderle ka shërbyer gjithashtu si bazë në një diskutim online për Shqipërinë me deputetë të Parlamentit Evropian.

Mbrëmja përuruese e librit do të moderohet nga gazetari Enver Robelli, ekspert i Evropës Juglindore për Tages-Anzeiger. Robelli, i cili udhëton rregullisht në viset shqiptare, do të diskutojë me Tschinderle për zhvillimet aktuale në Shqipëri.

Ky përurim libri është i organizuar nga libraria “mille et deux feuilles

Prointegra.ch u rekomandon të gjithë shqiptaro-zviceranëve libërdashës dhe të interesuarve tjerë të regjionit dhe përtej tij të behën pjesë e mbrëmjes përuruese.

Vendi: Rotefabrik, Seestrasse 395, 8038 Zürich
HYRJA: CHF 15.00

Biletat mund të porositen në [email protected]. /diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Autorët e Qendrës Kulturore ”Migjeni” në festivalin “Tranås at the Fringe”

Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni” e cila nga viti 2007 me shumë sukses prezanton gjuhën, kulturën, traditën, librin, prozën dhe poezinë shqipe në Skandinavi përmes aktiviteteve që vet organizon si në Suedi por edhe ne vende tjera të Evropës ka arritur të jetë në majën e suksesit të prezantimit të kulturës shqiptare në botë.

Ajo vet është organizatore e Festivalit Ndërkombëtar ”Sofra poetike ne Borås” me pjesëmarrje të poeteve nga mbi 80 vende te botës.

Në qytezën e vogël në krahinën Småland Tranås këtu e gjashtë vite me radhë organizohet Festivali ndërkombetar ”Tranås at the Fringe” i poezisë, prozës, filmit, pikturës, muzikës, vallëzimit me pjesëmarrje të aktorë të ndryshëm nga të gjitha vendet e botës.

Ky festival organizohet çdo vit në javën e fundit të muajit qershor dhe fillimin e javës së parë të muajit korrik.

Vite me parë në ketë Festival kanë marrë pjesë vetëm dy poet dhe shkrimtar për tre vite me radhë nga Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni” ndërsa këtë vit pas pandemik QKSH Migjeni do të prezantohet me pesë poetë në Festivalin ” Tranås at the Fringe”.

Poetët shqiptar anëtar të Qendrës Kulturore Shqiptare Migjen: Rizah Sheqiri, Anxhela Ziso, Bahtir Latifi, Gladiolla Jorbus dhe Sokol Demaku, do performojnë në datë 8 korrik 2022 nga ora 16:00 deri në ora 17:30 në qytetin Jönkoping që është qendër e kulturës në regjionin  Smålnad, në Shtëpinë e letërsisë në Jönköping.

Ata do lexojnë poezitë e tyre në gjuhën shqipe por edhe ato në gjuhën suedeze, sepse këta poet janë të afirmuar edhe në poezinë suedeze këtu.

Në bisedë me organizatorët e këtij Festivali mësuam se: ”Tranås at the Fringe” u organizua për herë të parë në vitin 2014 dhe që atëherë është krijuar një rrjet i madh artistësh nga mbarë bota, dhe atë falë organizatorit të festivalit Colm O’Ciarnáin. Kjo bën të mundur organizimin e një ngjarjeje të madhe në një kohë relativisht të shkurtër, me pika programi që përfshijnë si shëtitje në qytet, poezi, film, vallëzim, pikturë, skulpturë, me artist vendorë  ashtu edhe artistë ndërkombëtarë.

Nga QKSH Migjeni thonë se kjo është një e arritur madheshtore për vet Qendrën por në anën tjetër edhe për letërsinë e sidomos për poezinë shqipe, sepse deri me tani në këtë drejtim është bërë shumë pak e me shumë të drejt dëgjuam fjalë mira nga organizatori i Festivalit ”Tranås at the Fringe” se QKSH Migjeni qenka një ambasador i poezisë shqipe në Suedi e më gjerë.

Ishte mendimi që edhe Festivali ”Sofra poetike” të jetë pjesë e ” Tranås at the Fringe”, por këtë vit kushtet nuk e kishin mundësuar këtë pasi është menjëhere pas pandemisë, ndërsa të dy organizatorët ” Tranås at the Fringe” dhe QKSH Migjeni shprehin gatishmërinë që vitin e ardhshëm edhe ”Sofra poetike” të jetë pjesë e ” Tranås at the Fringe” gjatë një dite.

Nga Sokol Demaku/ KultPlus.com

“Kinemaja shëtitëse” në Berat

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit po vijon nismën për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.

Programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.

Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror.

Pas shfaqjeve të suksesshme në Kukës, kinemaja shëtitëse nisi mbrëmjen e 21 qershorit, ndalesën 3-ditore në qytetin e Beratit, me shfaqjen e filmit “Vdekja e kalit”. Në shfaqjen e filmit ishin të pranishëm edhe një pjesë e krijuesve si dhe aktorëve protagonistë.

Të pranishmit mundën të dëgjonin edhe mbresat e kujtimet nga regjisori i filmit, Saimir Kumbaro, aktorët kryesorë Timo Flloko e Rajmonda Bulku, në praninë e drejtoreshës së AQSHF, Marinela Ndria.

Edhe sot “Kinemaja shëtitëse” do të projektojë një tjetër film në Berat, për të vazhduar më tej, misionin e saj në të tjera qytete./atsh/ KultPlus.com

‘FemArt’ nesër përmbyll edicionin me shfaqjen e baletit “Luxuria”

Në kuadër të festivalit ‘FemArt’ nesër prezantohet edhe shfaqja speciale e baletit “Luxuria” me regji të David Gutiérrez Molina, përcjell KultPlus.

Shfaqja e cila do të luhet në Tetarin Kombëtar të Kosovës do të fillojë nga ora 21:30, dhe njëkohësisht do ta përmbyllë këtë edicion të festivalit.

PREZANTIM SPECIAL: FLAMENKO BALETI “LUXURIA”/ SPANJË
Ora: 21:30 – 23:00
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë
Regjisor/Kërcimtar: David Gutiérrez Molina
Regjisore/Kërcimtare: Paula Sánchez Reyes
Kitarë: Jordi Centeno Alfaro
Bateri: Alberto Garrido Lopez
Saksofon: Rafael Palomares Soriano
Këngëtar: Joel Luque Muñoz
Kërcimtaret/ët: Alicia Reyes Gambin, Andrea Amaya Berge, Maria Bardolet Garcia, Alba Soto Díaz, Estefanía Victoria, Maiz Rubio.
Ndriçimi: Daniel Pecellín Vilar
Zërimi: Marcos Prieto Cervera
Menaxher: Jaime Trancoso González
Ilustrimi: Dima Nachawi
Dizajni: Arbër Matoshi

“Luxurîa”, me regji të David Gutiérrez Molina, është një shfaqje e cila ka gjithçka; nga seksi tek skandali, deri tek tronditja totale dhe e paprecedentë, dhe kombinimi i vallëzimit tradicional, atij modern dhe bashkëkohor i flamenkos e bën atë pa dyshim një nga prodhimet e reja më tërheqëse. Sinteza magjepsëse e stileve muzikore, që është kombinim midis muzikës klasike, xhazit dhe flamenkos konvencionale nënkupton që në skenë krijohet një ambient i bukur, lirik dhe megjithatë tragjik, dhe i mbushur me konflikte. / KultPlus.com

Parqet arkeologjike të Shqipërisë, më i vizituari Apolonia, lë pas Butrintin

Teksa në vend vlon debati për parkun Arkeologjik të Butrintit i cili do të menaxhohet nga një fondacion në një model që po zhvillohet për herë të parë në vend, statistikat e këtij viti tregojnë se interesi më i madh mbetet nga vizitorët është për një tjetër park.

Ministria e Turizmit dhe Kulturës publikoi statistikat e fundit që i takojnë periudhës janar-prill ku rezulton se në këtë 4-mujor të parë të vitit Apolonia mbetet parku më i vizituar. Sigurisht shifrat duke pasur parasysh që përfshihen muajt e dimrit dhe pranverës tregojnë për një interes ende modest të vizitorëve në numra.

Kështu lidhur me parkun arkeologjik të Butrintit numri i vizitorëve ka qenë në 3895 vizitorë vendas dhe të huaj.

Gjatë janar-prill 2022 Zyra e Administrimit dhe Koordinimit Butrint ka vijuar punën për krijimin e kushteve në pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj. Njëkohësisht veprimtaria e këtij institucioni është përqendruar dhe në mirëmbajtjen, pastrimin dhe monitorimin e monumenteve.

Kryesisht gjatë kësaj periudhe janë realizuar 3 veprimtari në zërin: Ruajtja dhe mirëmbajtja e monumenteve të kulturës. Përsa u përket aktiviteteve mbi ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore janë realizuar 3 të tillë” nënvizon Ministria.

Ndërkohë Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Apoloni – Bylis  që është institucioni i cili administron dy parqet arkeologjike Apoloni dhe Bylis ka raportuar se këto dy parqe arkeologjikë janë vizituar nga 6,398 vizitorë, përkatësisht nga 5,473 vizitorë Apollonia dhe 925 Bylisi.

“Gjatë periudhës Janar – Prill 2022 ka vijuar rregullisht puna për pastrimin dhe monitorimin e monumenteve në administrim të parkut. Karakteri i punimeve është i lidhur me mirëmbajtjen e monumenteve dhe ambienteve rreth tyre, si dhe pastrimi dhe evakuimi i mbeturinave jashtë Parkut arkeologjik.

Kanë vijuar pastrimet periodike nga vegjetacioni në monumentet e të dy parqeve” thuhet në dokumentin e ministrisë i cili raporton edhe mbi investimet e mundshme apo punimet e zakonshme që përkufizojnë aktivitetin e administratës në këto parqe.

I njëjti dokument rendit edhe vizitat në muze ku kryesimin për nga numri i vizitorëve e kanë Muzetë Kombëtarë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Etnografik, Krujë ndjekur nga Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeu i Artit Mesjetar, Arsimit dhe Arkeologjik, Korçë dhe  Marubi në Shkodër./Monitor/ KultPlus.com

Libri ’48 piano’ nga Arbër Selmani do të promovohet edhe në Tiranë

Të hënën libri më i ri me poezi nga shkrimtari Arbër Selmani do të promovohet në hapësirën e BERK në Tiranë, përcjell KultPlus.

Libri “48 piano” u promovua edhe në Prishtinë në Kino Armata. Ky libër është dedikim i Selmanit për babain e tij si dhe përmban edhe njërën prej poezive më të dashura të autorit.

‘…kur vdiq baba,
krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë
morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend
i mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova…

…kur vdiq baba,
u ula buzë lumit të lotëve të mi
dhe qava…’

Njoftimi i plotë:

BERK ju fton përzemërsisht në promovimin e librit ‘48 piano’ të autorit Arbër Selmani, në date 27 qershor, prej orës 19:00, në hapësirën e BERK.

Në ngjarje do të ketë bashkëbisedim mes autorit dhe përkthyeses Aida Baro.

Arbër Selmani është poet e gazetar nga Prishtina. Libri ‘48 piano’ përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Ky është libri i katërt i autorit. Arbër Selmani është fitues i çmimit të parë për poezi në festivalin ‘Tirana Gate 2021’, ndërsa është përkthyer në gjuhën angleze, serbokroate, turke, sllovene, frënge, gjermane dhe italiane.

Në mesin e shkrimeve në libër është edhe poezia ‘Kur vdiq baba’, një himn i dashurisë dhe vuajtjes, por edhe shkrime tjera si ‘Zoti shëron’, ‘M’i sillni 48 piano’, ‘E kam vendosur burrin në shitje’, ‘Kirillin e vranë’ dhe ‘Nanën e laj me shumë kujdes’.

Libri është botuar në Prishtinë ku edhe u promovua javën e parë të qershorit, ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Abigeila Voshtina emërohet Drejtoreshë e Përgjithshme e TKOBAP

Këshilli i Ministrave emëroi sot Abigeila Voshtinën, në detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga kjo detyrë të drejtoreshës aktuale të TKOBAP, Zana Çela, të cilën e mbante që nga gushti i vitit 2016.

Po ashtu me një tjetër vendim, Këshilli i Ministrave liroi nga detyra Elvis Koçin, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Në vend të tij u emërua Iris Ago, e cila prej muajit dhjetor 2021 mbante pozicionin e Këshilltares në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë./atsh/ KultPlus.com