Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Ibrahim Rugova, intelektuali, politikani, akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar, qysh në rinin e tij spikati me talentin e tij edhe në të shkruar, shkruan KultPlus.

Fryma e tij u ndje qysh herët, për të vazhduar rrugën pa ndalje, ku edhe sot ai mbetet një ndër figurat më të dashura për popullin shqiptar.

Kur ai ishte në moshën 18 vjeçare, dy poezi ju botuan në gazetën ‘Rilindja’.

“Le të rritet…”, është poezi e parë e botuar në Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ju sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Muzikanti Cormac Roth vdes në moshën 25-vjeçare

Cormac Roth, djali i aktorit anglez, Tim Roth vdiq në moshën 25-vjeçare, sipas People.

“Të dielën, më 16 tetor, ne humbëm djalin tonë, Cormac pas një beteje të guximshme me kancerin”, njoftoi familja Roth.

“Ai vdiq i qetë në krahët e familjes së tij që e donin dhe e adhuronin. Ai luftoi me një guxim të jashtëzakonshëm vitin e kaluar dhe e ruajti zgjuarsinë dhe humorin e tij deri në fund”, thuhet në një deklaratë të familjes.

“Një shpirt i butë që solli kaq shumë lumturi dhe shpresë për ata që e rrethonin. Hidhërimi rritet kur mendojmë për atë djalë të bukur që njohëm gjatë këtyre 25 viteve e 10 muajve”, sipas deklaratës.

Cormac u diplomua në Kolegjin Bennington në Vermont dhe ishte një muzikant jashtëzakonisht i talentuar.

Në një postim në Instagram në muajin korrik, Cormac njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer të fazës së tretë në nëntor të 2021.

“Më ka hequr gjysmën e dëgjimit, 60 kilogramë peshë, besimin tim dhe do të vazhdojë rrugën e tij vrastare, derisa unë të arrij ta ndaloj disi. Por, nuk më ka hequr vullnetin për të mbijetuar, apo dashurinë për të bërë muzikë. Nuk ma ka hequr ende”, shkroi Cormac në Instagram. / KultPlus.com

Njihuni me vendin që është shtuar me 40% banorë në dekadën e fundit

Popullsia e Tanzanisë është rritur me pothuajse 40% në 10 vjet, duke arritur në 61.7 milionë banorë, ka thënë presidenti i vendit, teksa thekson se kjo rritje e shpejtë e popullsisë është një barrë për shpërndarjen e burimeve.

Popullsia e vendit të Afrikës Lindore u rrit nga 44.9 milionë në më shumë se 60 milionë, një rritje mesatare vjetore prej 3.2 për qind, sipas shifrave të fundit të regjistrimit të publikuara nga Samia Suluhou Hassan nga kryeqyteti Dodoma.

“Një popullsi e tillë mund të mos jetë një problem i madh për një vend të madh si i yni, por është një barrë kur bëhet fjalë për ndarjen e burimeve dhe ofrimin e shërbimeve sociale,” shtoi presidenti.

“Ne kemi nevojë për strategji zhvillimi në mënyrë që të ofrojmë shërbime për njerëzit,” tha ai, duke vënë në dukje se popullsia e vendit pritet të arrijë në 151.2 milionë deri në vitin 2050.Sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në vitin 2019, Dar es Salaam është “një nga qytetet me rritje më të shpejtë në Afrikë dhe, me një normë rritjeje prej 6.5%, pritet të arrijë në 10 milionë banorë deri në vitin 2030”.

“Për shkak të kësaj rritjeje të shpejtë, qyteti përballet me probleme serioze të lëvizshmërisë, të cilat përkeqësohen nga rrjeti i papërshtatshëm rrugor”, thuhet në raport./abcnewes.al/ KultPlus.com

Poezia e Arbër Selmanit botohet në revistën amerikane “JAKE” në Boston

Poezia ‘Don’t You Dare Take My Keys’ e poetit Arbër Selamani është publikuar në magazinën “JAKE”, përcjell KultPlus.

Nga gjuha shqipe “Çelësat mos i merr asnjë, dhe largohu”, poezia është përkthyer nga Fadil Bajraj në gjuhën angleze.

Sipas shkrimtarit Selmani, magazina “JAKE” e ka folenë e vet në Boston, USA dhe botohet veç në formatin online.

https://jakethemag.com/dont-you-dare-take-my-keys/?fbclid=IwAR0BUAE5mSMj-6jrDI2SuaSSlCEt_iuCmIEtKnNtJfuPmwYf2TjFHEXmAhk / KultPlus.com

Komuna e Prizrenit njeh gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar

Shkruan: Fatmir Menekshe

U shkruajt Historia në Prizren!

emër të Rrjetit të OShC-ve për gjuhën rome, Nevo Konceptit dhe Këshillit të Evropës faleminderojmë Kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, kryesuesen znj. Antigona Bytyqi, kryesuesin e Komitetit për Komunitete, z. Ertan Simitçi, që proceduan këtë kërkesë dhe të gjithë Kuvendarët e Komunës së Prizrenit që votuan pro që Gjuha Rome të njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit!

Njëkohësisht faleminderoj edhe zyrtarët dhe pozitat e tjera që kontribuan në këtë qështje nga niveli qendror, njëra nga ata edhe Zv.Kryeministrja, znj. Emilija Redzepi.

Prizreni dëshmoi që është multietnik e i respekton të gjithë komunitetet pa dallim!

Unë pata fatin të jem Koordinatori i projektit ‘Promovimi i diversitetit dhe gjuhës rome në Komunën e Prizrenit’, implementuar nga Nevo Koncepti dhe mbështetur nga Këshilli i Evropës, dhe për këtë faleminderoj drejtorin Osman Osmani!

Faleminderim i veçant i takon edhe znj. Sakibe Jashari – menaxhere e programit Romacted, nga Keshilli i Evropës.

U realizua një ëndërr shumë vjeçare e intelektualëve të ndjerë: Nexhip Menekshe, Kujtim Paçaku, Ibrahim Elshani!

Faleminderoj edhe Daut Qulangjiun, Avdi Misinin, Bashkim Gashin, Naim Cahani, Linda Simitçiun, Elmedina Dorambarin, Naim Cahanin, Fisnik Mincin, Arben Shalan, Eroll Shabanin, Denur Paçakun e Hysni Qylangjin dhe Islam Elshanin që avokuan që nga themelimi i rrjetit për këtë çështje e besa disa janë edhe aktivistë 20 vjeçar për gjuhën e kulturën rome!

I faleminderoj edhe të gjitha OJQ-te rome dhe jorome që u mobilizuan për kërkesën e komunitetit rom. / KultPlus.com

Ana magjike e njeriut

Aurora borealis. Rrufeja sferike. Një yll kometë. Shiu pas një thatësire të gjatë. Gjahtarë që mendojnë se janë të padukshëm. Shërime me psalme “magjikë”. Një formulë në një sarkofag që ndihmon të vdekurin të zgjohet në botën e përtejme. Të gjitha situata që bëjnë pjesë në botën e magjisë, lindur si magjepsje, frikë, përpara të panjohurës dhe fenomeneve spektakolarë dhe në dukje mrekulli të natyrës, tentativë njerëzore për të ndryshuar forcat natyrore në fushë dhe të ardhmen e njerëzve. Një vizion sigurisht jo shkencor (edhe pse do të ketë një rol në lindjen e shkencës), por gjithësesi gjithmonë një mënyrë për të reaguar, për të mos iu nënshtruar në mënyrë pasive botës së jashtme.

Kurë në mendje

Magjia ka shërbyer shpesh herë, në mos për të shpjeguar apo kontrolluar natyrën, të paktën për të zbutur ankthin përballë fenomeneve socialë dhe natyrorë vështirësisht të menaxhueshëm dhe kuptueshëm. Eshtë një mënyrë për të parë. Eshtë një mënyrë për të parë realitetin e zakonshëm për të gjithë njerëzimin. “Edhe pse në shumë kultura vetë termi nuk ekziston”, shpjegon Profesor Attilio Mastrocinque, historian në universitetin e Udines, “aspektet magjikë janë të integruar zakonisht në ritet fetarë, në kurat shëruese të vendasve. Në themel mes vizionit magjik dhe atij fetar ka shumë afërsi. Jo më kot shpesh herë përcaktojmë si “magji” ritet dhe besimet në mrekullitë që karakterizojnë besimet e të tjerëve”.

Magjia ka patur për shumë kohë një funksion praktik. Në lashtësi ishte e bashkuar me shkencën. “Koncepti i magjisë, në sensin negativ, vjen nga grekët. Më pas u mor nga romakët, nga krishtërimi dhe nga iluminizmi francez”, shpjegon Mastrocinque. “Magjia” në fakt është një fjalë me origjinë greke: “mag-ët” ishin priftërinj persë të Zoroastros, ekspertë në parashikinmin e të ardhmes me anë të yjeve. Përveçse një mënyrë për të parë realitetin, magjia përgjatë historisë është konkretizuar në një pafundësi ritesh, praktikash, besimesh dhe metodash një pjesë e të cilave janë shumë të përhapura edhe sot. Sot magjia mund të jetë “e bardhë”, kur përdoret për t’i bërë mirë dikujt ose “e zezë”, nëse qëllimi është të dëmtojë. Eshtë tentativa për të transformuar gjërat dhe ngjarjet duke përdorur energji të supozuara, në forma të ndryshme. Magjia “e kontaktit” përdor ilaçe magjikë dhe filtra. Ajo e “mallkimit” përdor fjalë dhe formula. “Simpatikja” pamje dhe objekte (kukulla etj) që përfaqësojnë personin që duhet mbrojtur apo dëmtuar. Hyjnizimi është një tjetër formë e magjisë. Në fund është magjia e “ngjashmërisë”: imitohet një kafshë për të favorizuar gjahun.

Kafshë-shpirtëra

Ritualet magjikë kanë ekzistuar që mijëra vjet më parë. Përshembull, pikturat në mure të Lascaux në Francë apo të Altamiras në Spanjë shfaqin kafshë – shpirtëra të pikturuara nga shamanë në gjendje trance dhe më pas të riprodhuara po nga ata vetë për të nxitur gjahun. Në qytetërimet e parë, ishte e përhapur bindja magjike që përmes yjeve mund të parashikohej e ardhmja. E zhvilluan fillimisht Sumerët dhe më pas Babilonianët, ekspertë si persët. Gjithmonë në Mesopotami, përdoreshin varëse për të neutralizuar demonët dhe fjalë magjike për të kontrolluar shpirtërat. Magjistari, për t’u mbrojtur nga forcat negative, bënte një rreth brenda të cilit operonte.

Në Egjipt, magjia ishte e lidhur me botën e përtejme. Libri i të vdekurve që përmbledh përshkrimet e formulave të shkruajtura në sarkofagë dhe mure të varreve egjiptianë ishte quajtur fillimisht Fjalë magjike për daljen e shpirtit drejt dritës së plotë të ditës. Për egjiptianët, kur një varr ishte i mbyllur, figura dhe objekte si statuja shërbëtorësh, fshatarë, varka dhe karroca, bëheshin me shpirt. Në disa raste të afërmit hiqnin piktogramët e gjarpërinjve nga hieroglifet për të mos lejuar që ai që ishte në varr të dilte “i vdekur”.

Në luftë me arsyen

Edhe në Greqinë e lashtë ishte e përhapur magjia, por u zhvillua edhe një formë që i kundërvihej asaj. Për shembull Hipokrati, mjeku që jetoi në periudhën mes shekujve V dhe IV para Krishtit i kritikonte magjistarët sharlatanë. “Që në shekullin VI para Krishtit”, thotë Mastrocinque “zhvilloheshin procese penalë kundër grave që përdornin ilaçe magjikë për të manipuluar burrat e tyre”. Dyshimi se ka përdorur magjinë ekziston edhe për Jezusin. Në bazë të gjetjes së një dorëshkrimi të lashtë në malin Athos në Greqi, pastori protestant Smith Morton, autor i librit Jezusi Magjistar ka hedhur hipotezën që Mesia ka përdorur teknika të magjisë të përftuara nga sekti hebraik i Essenëve.

Procese politikë

Në Romë, në shekullin V para Krishtit kishte ligje kundër incantamenta-ve, formula që këndoheshin për të lehtësuar vjedhjet e grabitjet. Diktatori Lucio Cornelio Silla (shekulli II para Krishtit) nxorri një ligj kundër helmimeve. “Perandori August (shekulli I para Krishtit)”, thotë Mastrocinque “e ndaloi astrologjinë, e konsideruar praktikë që duhej zhdukur: parashikimi i të ardhmes interferonte me politikën. Ata që kapeshin, persekutoheshin”. Kishte dënime të skllevërve që akuzoheshin se i mbanin nën grusht padronët përmes praktikave magjike. Diokleciani, në vitin 285 nxorri një ligj kundër magjisë, përveç asaj agrare dhe mjekësore. Të krishterët gnostikë akuzoheshin sepse studionin Zoroastrën dhe orakujt persë. Pavarësisht represionit nuk pushuan lajmet për hyjnizime, talismanë, vrasje në distancë, statuja folëse etj.

Magjia u rikthye në modë në kulmin e Humanizmit, atëherë kur filozofi Marsilio Ficino përktheu Corpus Hermeticum të orakujve kaldaikë dhe të himneve orfikë, grup veprash që i atribuoheshin Zoroastrës, Orfeut dhe Hermes Trimegistos (figurë që bashkoi dijet e perëndisë greke Hermes me ato të atij egjiptian Toth).

Agrippa von Nettescheim, mjek, filozof dhe alkimist gjerman, Giovanni Battista della Porta dhe alkimisti Paracelso i konsideronin të afërta shkencën eksperimentuese dhe magjinë. Nxjerrja e floririt nga hekuri, manipulimi i materies ishin shpresat e asaj kohe. Edhe arabët e përhapën magjinë me vepra si Picatrix, e njohur që në shekullin XI. Por në shekullin XVII, para Iluminizmit, nisi edhe rënia e magjisë në botën perëndimore. /bota.al/ KultPlus.com

Florence Pugh planifikon të lansojë album muzikor

Ylli i filmit “Don’t Worry Darling”, Florence Pugh, po planifikon ta lansojë një album si solo artiste, raporton portali “Female”.

Ajo gjithmonë kishte menduar se do të përfundonte duke u bërë kantautore dhe jo aktore, dhe dikur i postonte video e saj duke kënduar në YouTube nën emrin, Flossie Rose, para se të shndërrohej në yll të Hollywoodit.

Duke folur për podcasting e njohur “This Cultural Life”, Pugh tha: “Më parë do të kisha vënë bast që do të bëhem kantautore, sesa aktore. Për mua, të qenit yll i kinematografisë ishte një ëndërr e largët. E dija që mund ta bëja, por nuk e dija se si të arrija deri në atë pikë. Ndërsa unë me kitarën time duke incizuar këngë dhe duke i postuar ato në YouTube, duke performuar në skenë dhe duke bërë koncerte, ishte një ëndërr shumë më e arritshme për mua. Prandaj, ky ishte plani im i karrierës. Por, pas një audicioni të vetëm për rol filmik, jeta imë ndryshoi plotësisht dhe vazhdon të ndryshojë nga dita në ditë”.

Aktorja 26-vjeçare ka shkruar këngë për filmin e saj të ardhshëm, i cili pritet të lansohet në mars të vitit 2023. Ajo shpreson që ato projekte muzikore t’i shndërrojë në albumin e saj të parë.

Sidoqoftë, ylli i filmit “Black Widow” e pranon se i duhet edhe ca kohë për ta ndërtuar vetëbesimin e saj, para se të performojë sërish si solo artiste.

“Planifikoj ta vazhdojë raportin me producentët muzikorë dhe po ashtu të lansojë këngë. muzikë të re. Është diçka për të cilën kam qenë shumë e vetëdijshme, nga momenti kur karriera ime në aktrim I preki majat e suksesit. Më mungon muzika dhe më merr malli për të performuar. Por, për shkak se ka kohë të gjatë që nuk këndoj, më ka humbur paksa vetëbesimi si interpretuese. Dhe e di që nëse vazhdoj kështu, mungesa e vetëbesimit do të përkeqësohet, prandaj duhet ta sprovoj veten si solo artiste sa më shpejtë që është e mundur”.

Vitin e kaluar, Florence e siguroi zërin përcjellës në këngën e re të vëllait të saj Toby Sebastian, “Midnight”./koha/ KultPlus.com

Fotograifa: Associated Press

Mbahet Festivali i XVIII-të i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë

Në qytetin Malmö të Suedisë, pas dy vitesh pauzë për shkak të pandemisë, në praninë e shumë qytetarëve shqiptarë e suedezë, nën organizimin e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, u mbajt Festivali i XVIII-të i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë.

Në fjalën hyrëse të pranishmit në këtë Festival i përshëndetën, Sekretari organizativ i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, Z. Ahmet Bella dhe Kryebashkiakja e Komunës së Malmös, Znj. Carina Nilsson. Ajo u ndal te kontributi dhe integrimi i komunitetit shqiptar në Suedi, përkatësisht në Komunën e Malmös, si dhe foli për historikun e ndërtesës së Komunës dhe për fotografitë dhe pikturat të cilat ishin në sallë.

Prezantimin e poetëve dhe krijuesve muzikor të cilët konkuruan në këtë Festival, e bënë Qerim dhe Hanife Kryeziu.

Ekzekutimin në piano të veprave muzikore në këtë festival e bëri Pianistja e mirënjohur nga Kopenhagen Vigjilencë Islami.

Pjesëmarrës si konkurrues dhe mysafirë në këtë festival ishin bashkatdhetarët nga mërgata dhe trojet tona Shqiptare.

Në pjesën e dytë të festivalit, pas një pauze prej 20 minutash, organizatorët dhanë një darkë solemne për të gjithë pjesëmarrësit.

Më pas juria shpalli fituesit:

Shpërblimet për poezi:

Çmimi “Gani Xhafolli” iu nda, Sadije Aliti për poezinë “Çobanesha”.

Çmimi i parë e fitoi Sala Jashari, me poezinë e saj “Papritmas”.

Çmimi i dytë iu nda dy poetëve, Shpend Rukiqi dhe Imri Demisari.

Çmimin e tretë për poezi e fituan, Qerim Raci dhe Zyrafete Kryeziu-Manaj.

Shpërblimet për vepra më të mira muzikore:

Çmimin e parë e fitoi kompozitori, Ahmet Bella me krijimin e tij ” Ti moj Arberi”, interpretuar ne mënyrë dinjitoze nga Maria Herling.

Çmimi i dytë iu nda kompozitorit nga Kosova, Sami Piraj, me kompozimin e tij “Nostalgji “, kurse çmimin e tretë juria ja akordoi kompozitorit Gjon Gjevelekaj për krijimin “Bilibi në fluturim”.

Në pjesën përfundimtare programi vazhdoj me këngë e valle në shoqëri të grupit të Agron Miftarit.

Nga Bedri Bytyçi / KultPlus.com

“Gratë”, tema e shfaqjes më të re që vjen premierë në TKK

GRATË – është tema e shfaqjes së re e cila do të ketë premierën në dhjetor 2022 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Sot, regjisorja polako-britaneze, Nastazja Domaradzka, mbajti takime/audicione me aktoret e Trupes Rezidente të TKK-së per këtë projekt i cili është duke u shkruar nën përkujdesjen e Doruntina Bashës nga dramaturget e reja Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi dhe Ulpianë Maloku.

Një shfaqje e punuar totalisht nga gratë dhe e bazuar në ngjarje të vërteta të grave lidere të Kosovës. / KultPlus.com

“Engjëjt gri”, sukses në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”

Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, u vu në skenë drama “Engjëjt gri”, e shkruar nga Përparim Kabo, me regji të Gëzim Kames. Drama ka në qendër raportin e njeriut me veten në një shoqëri që ende nuk është shkëputur nga e kaluara diktatoriale, pasojat e së cilës janë të pranishme dhe diktojnë jetën e individit dhe krejt shoqërisë.

Ky ishte bashkëpunimi i parë mes Përparim Kabos, Gëzim Kames dhe teatrit të Durrësit.
“Vitet e fundit trupa “A. Moisiu” ka qenë aktive dhe ambienti këtu me të gjithë aksesorët ishte perfekt”, u shpreh autori i veprës. Edhe regjisori Kame ka mbetur i kënaqur nga përvoja e parë me teatrin e Durrësit.

“Engjëjt gri” u interpretuan nga aktorët Adelina Muça, Astrit Hasani, Arben Derhemi, Andia Xhunga, Suela Konjari dhe Amos Zaharia e Alesia Xhemalaj.

Engjëjt gri personifikojnë pasardhësit e pushtetarëve të djeshëm, përsëri në pushtet, që në përballje me pasojat që ftohet të reflektojnë dhe të largohen për t’i lënë vendin progresit, zhvillimit real demokratik./atsh/ KultPlus.com

Busti i Gjergj Kastriot Skënderbeut, në Kundisa të Sicilisë

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për arbëreshët njoftoi se busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu u vendos në sheshin e qytezës arbëreshe të Kundisës (Contessa Entellina), në provincën e Palermos, Sicili.

Në inaugurimin e veprës ishin të pranishëm kryetari i komunës së Kundisës, Leonardo Sfera, skulptori, artisti që realizoi monumentin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Vincenzo Muratore, kryetari i komunës së Pallacit (Palazzo Adriano) Nicolò Granà, të ftuar të tjerë të pranishëm dhe komuniteti i Kundisës.

Vendosja e bustit të Skënderbeut është një shenjë historike dhe kulturore për t’i lënë komunitetit të Kundisës një gjurmë akoma më të fortë të identitetit të tyre arbëresh që është vazhdimisht në kërkim të rrënjëve të tij. Në këtë mënyrë kryhet rigjenerimi kulturor dhe urban, përmes rivlerësimit artistik duke pasur sytë nga e kaluara historike për të ndërtuar një të ardhme më të sigurtë. / KultPlus.com

“Idhujt e violinës” së Shkodrës ekspozohen në New York

Ky grup figurinash prej balte të pjekur, pjesë e koleksionit të Muzeut Arkeologjik-Tiranë, është duke u shfaqur në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ekspozitën “Ritualet dhe kujtesa: Ballkani dhe më gjerë”, në Institute for the Study of the Ancient World.

Ekspozita zhvillohet në kuadër të projektit “First Kings of Europe” ku Instituti i Arkeologjisë përfaqësohet krahas 25 institucioneve të tjera nga 11 vende të ndryshme të Europës Juglindore.

Figurinat në trajtë violine, por me tipare antropomorfe, janë gjetur në varrin qendror të tumës 6 të Shtojit (Shkodër) dhe datojnë në periudhën e Bronzit të hershëm, ose rreth 4500 vjet më parë. Ato ishin pjesë e ritualeve të kohës dhe janë ndër përfaqësimet më të rëndësishme të artit figurativ të kësaj periudhe, në Shqipëri dhe Ballkan. / KultPlus.com

Duo Lesage në Skupi Kamer Fest

Festivali ndërkombëtar i muzikës klasike Skupi Kamer Fest, ka sjellur nga Franca në Shkup Duo Lesage.

Nën udhëheqjen artistike të Blerim Grubit dhe në bashkëpunim me Institutin francez në Shkup, do të interpretojë Celin Lesage në violinë dhe Eric Lesage në piano, përcjellë Klan M.

Koncerti do të mbahet në Muzeun e Luftës Maqedonase në Shkup në orën 19:30.

Hyrja është falas.

Céline dhe Éric formojnë një nga duet më të shquara të violinës dhe pianos në rajonin e Tuluzës. Partnere në jetë dhe në skenë që nga viti 1999, Céline jep mësim në Konservatorin e Toulouse, Éric jep mësim në Konservatorin Montauban.

Personaliteti i tyre joshëse pasqyrohet në programet e tyre, nga muzika klasike, sllave, cigane, xhaz. Ata ofrojnë koncerte me ritme virtuoze duke ndarë emocione dhe interpretime reale të frymëzuara nga mjeshtrat e mëdhenj klasikë.

Ata tashmë kanë interpretuar në katër anët e Francës dhe në Evropë, Itali, Spanjë, Zvicër dhe të mërkurën Maqedonia e Veriut hyn në listen e tyre të gjatë.

Të apasionuar pas muzikës së dhomës, ata krijuan ansamblin Café De Maurizi dhe kuartetin Olympe.

Ata kanë regjistruar tre albume: Tes Yeux Noirs Gipsy, Ballade Romantique, Un Violon Itinérant. Themelues të Festivalit Musique en Vignes du Frontonnais në vitin 2002, ata kanë punuar për të promovuar artistë të rinj nga rajoni Occitanie, për t’u ofruar atyre një skenë dhe për t’i lejuar ata të luajnë së bashku me artistë të njohur.

Ata organizuan më shumë se dyqind koncerte, duke ftuar personalitete të muzikës klasike të luanin përkrah tyre dhe u dhanë klasa Master studentëve të tyre në partneritet me konservatorët e tyre. /KlanMacedonia/ KultPlus.com

Festa e Halloween, si e kremtonin shqiptarët më parë këtë ditë

Çdo Tetor zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, marrin një tjetër pamje. Merimanga, skelete dhe kunguj vendosen në hapësira të ndryshme, detaje që lajmërojnë ardhjen e festës së Halloween-it më 31 Tetor.

Edhe në kulturën e lashtë të shqiptarëve, sot gati e panjohur për një masë të gjerë, të parët nderonin të vdekurit. Kungulli sigurisht nuk ishte simbolikë e këtij riti, por ishte ushqimi dhe pastrimi i varreve.

“Ne gjejmë edhe në traditën shqiptare që sot është nata e të shumtëve”, tha Olsi Lelaj, kërkues shkencor, Instituti i Antropologjisë.

“Përgjithësisht këto lloj festash kanë elementin pagan”, u shpreh Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave.

Ndërsa parada dhe maskimi frikshëm, për të cilën është i njohur Halloween, ngjason me karnavalet që janë mbajtur në Shqipëri qysh para regjimit komunist, siç ishin ato të Korçës, Shkodrës, dhe Tiranës edhe pse fare pak të njohura.

Rrënjët Halloween i ka lidhur me këtë arealin krishter”, tha Lelaj.

Kanë qenë traditat shqiptare në këtë drejtim, pavarësisht se brezi i ri normalisht është më i amerikanizuar”, u shpreh Bido.

Në zona dhe periudha të ndryshme, që lidheshin më së shumti me besimet e komuniteteve janë mbajtur ceremoni të ndryshme që ndryshe njihet si lidhja me botën e përtejme.

Por edhe pse e lashtë, vetëm tanimë kjo festë po përqafohet nga ta rinjtë, fëmijët dhe nxënësit që në këtë ditë shkojnë në shkolla të maskuar. Por shumë ka ndryshuar që nga fillesat e kësaj feste që tashmë bëhet në masë të gjerë vetëm për t’u argëtuar./Tv Klan/ KultPlus.com

Interesimi i Mediave për Kulturë

Nëse i hidhet një sy programeve vjetore të ministrive tona për kulturë, do të vërejmë se janë të përkrahur mijëra aktivitete kulturore të institucioneve nacionale, të produksioneve private, të ansambleve, të krijuesve, të artistëve të ndryshëm.

Thjesht, nuk ka ditë, nuk ka cep të trevave shqiptare ku nuk do të zhvillohet ndonjë aktivitet kulturor brenda ditës! Pa dyshim, ky numër kaq i madh i aktiviteteve nëpër programet vjetore edhe mund të dështojë, si pasojë e financimit të dobët, si pasojë e pasivizimit të pa arsyetuar i subjekteve juridike e fizike që merren me kulturë, art e krijimtari; si pasojë e mos-sigurimit të plus financave nga donatorë, si pasojë e rrethanave të paparashikuara.

Megjithatë, sërish ndodhin qindra e qindra aktivitete! Nga ana tjetër, opinioni i gjerë nuk ka mundësi të njoftohet me të gjitha këto aktivitet të përditshme, nuk është në gjendje që ta përcjellë dhe të informohet për jetën kulturore në trevat shqiptare. Fatkeqësisht, ndodhë që opinioni të mos informohet as për aktivitetet kulturore të institucioneve nacionale, sepse mungon interesimi i mas medias sonë për të qenë në të gjitha eventet profesionale apo amatore. Më e shumta, mund të publikohet ndonjë informacion se “do të mbahet” apo se “u mbajt” eventi! Për pasojë, na mungon pasqyra reale e jetës sonë kulturore, krijohet një opinion i shtrembëruar se ndër shqiptarët vetëm politika dhe, deri diku edhe sporti, zgjojnë interes kombëtar!

Ku është problemi? Pse informacioni mbi aktivitetet kulturore është aq i vakët, i thatë dhe i pakët? Ekziston një përshtypje e përgjithshme se ky problem shfaqet atëherë kur shkëputen raportet në mes pushtetit dhe mediave, atëherë kur pushteti nuk shpreh kurrfarë ndjeshmërie ndaj ngritjes profesionale të mediave nacionale, lokale e private! Pushteti duhet të insistojë tek çdo media për një balancë të përhershëm të programacionit apo të koncepteve redoktoriale të mediave të ndryshme. Licenca dhe leja për mediat të kushtëzohet edhe me hapësirën e merituar për kulturë, madje nën kulturë të mos llogariten fare këngët popullore të përmbledhura në çdo në kohëzgjatje prej dy-tri orëve. Hapësirat kulturore duhet të ngërthejnë aktivitete, probleme e trajtesa kulturore nga sfera të ndryshme të artit, të krijimtarisë, të gjuhësisë, antropologjisë etj.

Fare nuk duhet të pranohet justifikimi i mediave se kjo mungesë vjen si pasojë e mospasjes së kuadrit adekuat në ekipin gazetaresk. Kjo mungesë nuk mund të zgjasë me dekada, për më tepër kur në çdo qendër kemi universitete e fakultete të letërsisë, gjuhësisë, gazetarisë, kulturologjisë etj. Kuadri krijohet, ai duhet të angazhohet, atij duhet siguruar redaktor profesional, janë qindra profesorë e asistentë, janë qindra krijues e artistë, krijues të artit figurativ e të artit skenike. Është joseriozitet nga ana e medias që prej një gazetari të kërkojë që t’i mbulojë të gjitha fushat nga kultura, krijimtaria, arti. Në çdo media shqiptare duhet të funksionojë edhe redaksi e veçantë për kulturë, siç na janë stërmbushur për sport, përkatësisht për futboll dhe për jetën private të estradës.

Pra, qeveritë tona duhet të jenë më dorëshlirë dhe jo vetëm të kërkojnë programacion origjinal, madje të mos lejojë aktivitete të portaleve mediale, pa ofruar program për gjetjen dhe ngritjen e kuadrit profesional që do të merret me përcjelljen e aktiviteteve kulturore kombëtare. Nëpër agjencitë informative shtetërore të kërkohet me ngulm që të ketë redaksi e veçantë me dhjetëra gazetarë që do të jenë të specializuar për aktivitete kulturore si dhe për t’i shpërndarë gratis informacionet kulturore në çdo media e portal. E gjithë kjo, me ofertë reale nga ana e qeverisë për ta përkrahur financiarisht tërë këtë politikë kulturore të mediave shqiptare.

Shoqëria jonë po shteret në shpirt me do “përputhen” e “përqafen” me do “vëllai i madh” e “motra e vogël”, ndërkohë ka aq shumë nevojë të dëgjojë debat mbi baletin shqiptar, mbi muzikën klasike, mbi personalitetet tonë të shumtë nga lëmi i artit, krijimtarisë letrare dhe, përgjithësisht artistike. Me përjashtim të këndit “vitrina e librit”, kemi shumë pak hapësirë, apo fare, ku do të trajtoheshin probleme letrare, muzikore, muzeore, bibliotekare, arkivore, teatrale, folklorike, etnologjike etj. Mbi dukuritë dhe problemet e ndryshme kulturore duhet të flitet me kompetencë dhe profesionalizëm. Këtë interesim për kulturë dikush duhet ta ngjallë dhe ta kërkojë te mediat tona, institucionet kompetente shtetërore, duhet ta imponojnë si kush të parë për çdo media që dëshirojnë të funksionojnë si media nacionale, lokale, private në gjuhën shqipe. Është abuzim flagrant të përdoret shqipja vetëm për informim politik, futboll, për “përputhen” dhe jo për kulturë! Kuadri i redaksive kulturore të mediave tona, jo vetëm që do të informonte, por i ngritur në nivele profesionale, me kompetencë do të fliste për artin e krijimtarinë, duke ndikuar në ngritje të shijeve në të tjera nivele, duke e ndarë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara! Për shembull, në Kosovë, viteve ’80 të shekullit të kaluar, shitjen e librit brenda jave, apo shitjen brenda jave të audio-kasetave e diktonte recensioni profesional i krijuesit dhe kritikut letrar, Ramadan Musliu, përkatësisht i kompozitorit dhe kritikut muzikor, Sami Piraj, gazetarë të “Rilindjes”./HEJZA/ KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mbrëmë erdhi me një program premierë

Orkestra e FIlharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncertin e radhës me një program premierë për publikun e kryeqytetit.

Koncerti i së dielës, është hapur me premierën vendore të “Sinfonietës” së Kreshnik Aliçkajt, nën dirigjimin e Gregory Charette – i cili u rikthye pas më shumë se një viti për të dirigjuar orkestrën.

Një prej oboistëve më të dalluar të gjeneratës së tij, jug-koreani Seong Young Yun ka interpretuar një prej veprave të njohura të kompozitorit Wolfgand Amadeus Mozart, përkatësisht “Koncert për obo në C-dur”. E vepra e fundit, “Simfonia në e-mol” e amerikanes Amy Beach ka bërë që Prishtina të jetë nikoqire e një prej kompozimeve më kërkuese, por pak të interpretuara duke i prezantuar publikut një vepër që rrallë rikthehet në koncertet e muzikës klasike.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

“Shën Sava nuk ka qenë serb”


Jusuf Buxhovi

Ish ministri i kulturës së Serbisë Dragan Veselinov, këto ditë doli me një deklaratë në opinionin serb rreth falsifikimeve të historiografisë nga historianët serb nga radhët e Akademisë Serbe të Shkencave prej njëqind e sa vjetësh, duke manipuluar me dinastinë e Nemanjave dhe të ashtuquajturin shtet mesjetar serb në mesjetë që nuk ka ekzistuar fare. Mes tjerash, Veselinor në intervistën tha se “Shën Sava nuk ka qenë as serb i madh, as ka thënë ndonjëherë se është patriark apo kryepeshkop, kryepeshkop i të gjitha vendeve serbe, nuk ka thënë kurrë se është ortodoks. Gjithçka që thonë njerëzit që marrin pjesë në ndërtimin e kultit të “Shën Savës” ose e përdorin atë sot ose përpiqen të ndërtojnë mbi të.Shën Sava nuk është në thelb ajo që mësohet në shkolla, ai nuk krijoi arsim, nuk ndërtoi asnjë shkollë. apo te krijoje nje sistem shkollor,njerezit nuk e la te shkolluar as baba Stefan Nemanja.Ai nuk ka qene shkrimtar,nuk ka qene teolog.Ishte nacionalist i krishtere,i perkiste atij kombi ne Europe ”, shprehet ai në klipin e përmendur.

“Sava nuk ndërtoi asnjë shkollë, as nuk ndërtoi asnjë sistem shkollor, as ndonjë lloj arsimi. Arsimi është një term budist që filloi të përdoret në fund të shekullit të 18-të në rajonin tonë, veçanërisht në Vojvodinë. Sava Nuk e di as fjalën arsim. Nuk dinte as për metafizikë, as për teologji. Sava nuk krijoi shkolla, as sistem arsimor, as universitet, dhe nuk ka qenë kurrë në asnjë universitet dhe ka mbajtur një leksion aty”, shton ish-ministri Veselinov.

Si rëndom, deklarata e Veselinovit (në viedeo) u përcoll me reagime të shumta nacionaliste. Por, duhet thënë se Veselinovi nuk ka thënë tjetër pos atë që e thonë autorët e njohur nga mesjeta e tutje (Perandori Kantakuzin, Pohemije, madje edhe historiani Ruvarac se Nemanjajt ishin tribal, ndërsa Rasha dinasti tribale.

Këto dhe të dhëna të ngjashme janë paraqitur në librin “Dardania – antika dhe mesjeta” si dhe “Kosova – histori e shkurtër”.

https://www.b92.net/zivot/vesti.php?yyyy=2022&mm=10&dd=31&nav_id=2235740&fbclid=IwAR267Wlnb4nVcUb52l6kjrruX67DSwoad42LOX–mdHcwiCkxDF3MWeRmrU / KultPlus.com

Shutterstock

Akademiku Nazim Gruda zgjidhet në Komitetin e Bashkimit të Akademive Europiane

Akademiku Nazim Gruda është zgjedhur në Komitetin Drejtues të Bashkimit të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës.

Certifikata për zgjedhjen e akademikut Grudës në Komitetin Drejtues të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (UEAA), si vrojtues, është firmosur nga presidentja e Bashkimit të Akademive Europiane, bashkë me raportin nga asambleja e përgjithshme, ku përmendet zgjedhja e përfaqësuesit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Me statusin e vëzhguesit janë edhe akademitë e Spanjës, Portugalisë dhe Britanisë së Madhe.

Si presidente e UEAA-s u zgjodh akademikja Elena Horska nga Sllovakia dhe si zëvendëspresident akademikja Ioan Jelev nga Rumania.

Me këtë rast akademiku Gruda ka paraqitur propozimet për bashkëpunime për vitin 2023.

UEAA u themelua në vitin 1999 në Itali, ndërsa asambleja e parë u mblodh një vit më vonë. Bashkësia e objektivave dhe nevojës për shkëmbim e koordinim të UEAA janë në një linjë me strategjinë europiane për të ardhmen e kërkimit në Evropë (ERA), të tilla si rrjetëzimi i kapaciteteve ekzistuese, bashkërendimi e bashkëpunimi, kërkimi ndërdisiplinor, kërkimi në mbështetje të politikëbërjes së komunitetit në fushat ku ka pasiguri dhe rreziqe.

Si rezultat i përfaqësimit të akademikut Gruda edhe Akademia e Kosovës u bë para disa kohësh anëtare e UEAA./atsh/ KultPlus.com

Ekspozita mahnitëse “Forever is now”

Me pamjen e piramidave të Gizës së Egjiptit në sfond, 12 artistë bashkëkohorë ndërkombëtarë shfaqën veprat e tyre të artit. Ekspozita “Forever is Now”, u hap më 27 tetor dhe do të qëndrojë e hapur  deri në fund të muajit të ardhshëm. Ekspozita e artit organizohet nga Art D’Égypte, një platformë kulturore egjiptiane që promovon artin bashkëkohor në vendet e trashëgimisë.

Teksa shpjegon veprën e tij artistike, artisti italian, Emilio Ferro shprehet: “Ju mund të ecni gjatë ditës ose gjatë natës me një vijë vërtetë të fortë drite që shkon në piramida dhe shkon pas saj, ju mund të ecni poshtë dhe të ndiqni dritën. Ky është një vend i mrekullueshëm.”

Këtë vit zhvillohet edicioni i dytë i ekspozitës. / Klan News / KultPlus.com

“Çka ka më të frikshme se plagjiatura”, ORCA shpërndan maska me “fytyrat e plagjiatorëve” për Halloween

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke e ndërlidhur me festën e Halloween-it.

Aktivistët e ORCA-s kanë shpërndarë maska me “fytyrat e frikshme të atyre që janë përreth plagjiaturës të përbashkuar”.

Sipas tyre Nuk ka gjë më të frikshme se kur plagjiatorët guxojnë të jenë në pozita udhëheqëse edhe pasi janë vërtetuar dyshimet për plagjiaturat e tyre.

Ky është postimi i plotë i ORCA-s:

ÇKA KA MË TË FRIKSHME SE PLAGJIATURA?

Sot për Halloween, na aktivistët e ORCA-s vendosëm të dalim e të shpërndajmë maska me fytyrat e frikshme të atyre që janë përreth plagjiaturës të përbashkuar. Nuk ka gjë më të frikshme se shkatërrimi i arsimit të një vendi që shumicën dërrmuese të popullsisë e ka më të re se mosha 35 vjeçare. Nuk ka gjë më të frikshme se kur plagjiatorët guxojnë të jenë në pozita udhëheqëse edhe pasi janë vërtetuar dyshimet për plagjiaturat e tyre. Nuk ka gjë më të frikshme se kur Qeveria nuk merr masa për t’i zhdukë nga jeta publike, por koketon me ta për interesa të ngushta.

Prandaj, sot, për Halloween ne do të shpërndajmë maska të frikshme me fytyrat e frikshme të arsimit të lartë, të Universitetit të Prishtinës, le ta dijnë të gjithë sa e frikshme është situata në të cilën ndodhemi si shoqëri e në të cilën ndodhet universiteti më i rëndësishëm i vendit tonë.

Plagjiatura nuk kalon! / KultPlus.com

20 ‘sekrete suksesi’ nga mendimtarët më të mëdhenj të historisë

Doni të viheni në punë? Provoni disa nga këto këshilla produktiviteti prej mendjeve më të ndritura dhe influencuese në botë.

1 – Si shumë prej nesh, Beethoven e fillonte ditën duke bërë kafe. Ai insistonte në përdorimin e 60 fasuleve për çdo filxhan.

2 – Benjamin Franklin flinte herët e zgjohej herët edhe në vitet e tij të fundit. Mëngjeset e tij konsistonin në lexim dhe shikim për rreth një orë brenda banjove me avull. Më pas vishej e shkonte në punë.

3 – Shumë shkrimtarë e artisë të famshëm siguroheshin të hanin mëngjes. Viktor Hygo preferonte vezët e ziera.

4 – Përpara se Frojdi të shkonte në zyrë, rruante mjekrën tek berberi i tij.

5 – Agatha Christie nuk kishte kurrë një tavolinë. Ajo shkroi 80 novela, 19 drama dhe një numër veprash të shumta kudo që ulej.

6 – Ernest Heminguej shkruante në këmbë.

7 – Thomas Volfe gjithashtu shkruante në këmbë duke përdorur frigoriferin e tij si tavolinë pasi ishte 2 metra i gjatë.

8 – Disa e përdorin Starbucks vetëm për të pirë kafe, ndërsa Rainbow Rovell, autor i novelës “Elanor and Park” e shkruajti të gjithë librat e tyre në këtë zinxhir kafenesh.

9 – Richard Wright i ka shkruar të gjithë veprat e tij në stolin e parkut Fort Greene në Bruklin.

10 – Maya Angelou është e paaftë të shkruajë në mjedise të bukura. Ajo preferon të punojë në dhoma hotelesh e motelesh.

11 – Frank Lloyd Wright nuk punonte dot në presion. Ai nuk mund të punonte nëse nuk e kishte dizajnin e tërë në kokën e tij.

12 – Truman Capote tha për Paris Review: “Nuk mund të mendoj nëse nuk rri shtrirë”. Të njëjtën gjë tha edhe Proust.

13 – Kur kompozitori Igor Stravinsky ndjehej i bllokuar, ai ulej me kokë poshtë për të qartësuar mendjen

14 – Woody Allen futet në dush shumë herë në ditë kur ka nevojë për ide.

15 – Pianisti klasik Glenn Gould agjëronte në ditët që regjistronte muzikë. Ai mendonte se e bënte mendjen e tij më të mprehtë.

16 – Poeti gjerman Friedrich Schiller insistonte se era e mollëve të kalbura në sirtarin e tavolinës stimulonte krijimtarinë e tij.

17 – Shpeshherë, mjafton të fokusohesh. Shkrimtari Jonathan Franzen punonte në kompjuter duke vendosur tapa në vesh.

18 – Stephen King shkruan çdo ditë të vitit me një qëllim për të arritur 2000 fjalë në ditë. I duhen 5 orë për ta bërë këtë.

19 – Duke filluar nga viti 1950, Vladimir Nabokov shkroi draftet e para për kartat e indeksit. Ai i korigjon paragrafët dhe kapitujt me një riorganizim të shpejtë.

20 – Kur Anthony Trollope përfundoi së shkruari një libër, ai filloi menjëherë një tjetër. / KultPlus.com

Mbyllet “Manifesta 14”, nga një vend ku mungoi infrastruktura e artit, Prishtina u bë qendra kulturore e Evropës dhe botës

Era Berisha

Një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina”, mbrëmë ka mbyllur perden e fundit. E organizuar çdo dy vjet në një qytet tjetër evropian, edicioni i 14-të i Manifestës gjeti hapjen në Prishtinë në muajin korrik, me ç’rast gjithsej 25 hapësira u bënë trendi më i fundit dhe më i ndjekuri në Kosovë. Brenda kësaj periudhe janë shënuar 800 mijë vizita në lokacionet e Manifestës, duke e bërë Prishtinën qendrën më të madhe kulturore në Evropë e jo vetëm, shkruan KultPlus.

Duke i tejkaluar prezantimet e Prishtinës në kuadër të makiatos apo periudhës së pasluftës, Prishtinën tashmë të gjithë e kanë njohur nga një këndvështrim tjetër. Qyteti u shndërrua në muzën e disa nga mediave më prestigjioze në botë por edhe atyre vendore. Përgjatë 100 ditëve, mbi 100 pjesëmarrës kanë ekspozuar artin e tyre dhe emocioni që është shpërfaqur nga puna e tyre, ka dalë përtej imagjinatës së njeriut. Kësisoj, është shfaqur puna artistike dhe kolektive e artit bashkëkohor, një punë kjo që padyshim e ka prekur nivelin botëror e që ka marrë vëmendjen e botës së artit ndërkombëtar.

Vizitorë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë pushtuar Prishtinën në masë të madhe. Vëmendja e tyre iu dedikua Manifestës, më konkretisht artistëve pjesëmarrës, nga të cilët ata vendorë qenë rreth 60 përqind (një përqindje më e lartë e artistëve vendas se në shumë bienale të tjera). Puna e tyre e pakrahasueshme iu është prezantuar botës së promovimit, andaj këta artistë kosovarë kanë dëshmuar që shpirti i tyre është i fundosur thellë në “oqeanin” e artit, dhe nuk ka rrugëdalje nga kjo.

Në anën tjetër, Kosova ka dhënë më të mundurën e saj, për të organizuar e mbajtur një ngjarje të përmasave të tilla. Duke pasur parasysh që ardhja në Kosovë e një bienale të tillë që radhitet në mesin e pesë bienaleve më të fuqishme të artit pamor në botë, atëherë mund të themi që Kosova ka arritur t’i thyej limitet e veta.

Kujtojmë se me përfundimin e Manifestës, Ministria e Kulturës është duke ndërmarr hapat që të sigurohet një trashëgimi e prekshme dhe konkrete e Manifestës, gjë që do të finalizohet ditëve në vijim. Gjithashtu MKRS është angazhuar për të mbajtur të ekspozuara veprat e intervenimit artistik të Petrit Halilaj dhe Flaka Halitit deri në fund të vitit 2023. Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku pati bërë të ditur se ky është viti kur është iniciuar themelimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë dhe mendohet që projekti do të zgjasë deri më 2026.

Qe arkitekti italian Carlo Ratti ai që krijoi një vizion urban për Prishtinën, duke sugjeruar mënyra se si vendet e braktisura në të gjithë qytetin mund të ringjallen për përdorim publik. Bienalja ka përdorur këto vende si hapësira ekspozite: “Grand Hotel Prishtina”, “Sheshi Zahir Pajaziti”, “Kino Armata”, “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Fakulteti Filozofik – UP”, ”Galeria Kombëtare e Kosovës”, “Galeria e Fakultetit të Arteve – UP”, “Rruga 2 korriku” , “Çelësa punues”, “Gërmia departament store”, “Kino Rinia”, “Qendra për Praktikë Narrative”, “Sheshi Adem Jashari”, “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Hamami i Madh”, “Foundation 17 Gallery Space”, “Muzeu Etnologjik”, “Fabrika e Tullave”, “Green Corridor”, “Rilindja”, “Pallati i Rinisë dhe Sportit”, “Prishtina Observatory”, “The Flat”, “Partisan Martyr’s Cemetery Monument”, “Hertica School House”.

Konsiderohet që Bienalja këtë vit është përpjekur për të lënë një trashëgimi për artistët në Kosovë, duke përfshirë hapësirën e quajtur “Qendra për Praktikë Narrative”. Qendra përfshin një dhomë të errët fotografike dhe një punëtori të mbushur me mjete elektrike për t’i përdorur artistët. Autoritetet e qytetit të Prishtinës i kanë dhënë Manifestës ndërtesën për katër vjet dhe fondacioni që drejton bienalen po mbledh fonde për ta bërë atë një institucion të përhershëm.

Mbyllja zyrtare e “Manifesta 14 Prishtina” në Fabrikën e Tullave përkoi me disa fjalime si dhe me një performancë speciale nga grupi Saz’iso.

Drejtoresha e Manifesës, Hedwig Fijen ka falënderuar secilin person që ka qenë pjesë e 100 ditëve, duke përmendur se mbështetja e tyre është simbol i brezit të ri të fuqishëm të Kosovës.

“Pikërisht kur arritëm këtu në Prishtinë i premtova Kryetarit dhe Ministrit se do të ishte edicioni më i mirë ndonjëherë. E mbajtëm premtimin. Mendoj me gjithë zemër që e bëmë. Vetëkuptohet që ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë 109 partnerët dhe financuesit tanë. Por para së gjithash, le t’u japim një duartrokitje të ngrohtë sepse shumë prej tyre janë këtu. I jemi thellësisht mirënjohës të gjithë artistëve, ndërkombëtarë dhe kosovarë, për veprat inteligjente dhe brilante dhe për angazhimin e tyre. Tani, unë do të filloj me listën time të pabesueshme të gjatë të emrave të njerëzve që meritojnë njohjen, të cilët dhanë gjithë çka mundën për të ndërtuar këtë edicion të jashtëzakonshëm. Nuk ka audiencë, asnjë njoftim për shtyp, asnjë publikim, asnjë komunikim, pa këta njerëz”, ka thënë Fijen.

Sipas saj, stafi i tyre mbështetës, mbështetja e tyre e përkushtuar është simbol i brezit të ri të fuqishëm të Kosovës. Dhe, nuk do të kishte vepra arti, artistë, ekspozita, vende, asgjë, pa ekipin e tyre të prodhimit. E po ashtu, nuk do të kishte turne ndërmjetësuesish, asnjë program shkolle, asnjë hulumtim para-bienal, nuk do të kishte qytetarë, as nën-kulturë, pa ekipin e tyre të arsimit.

“Faleminderit të gjithëve për gjithçka që dhatë. Faleminderit, audiencave, sepse në fund të fundit, ne i bëjmë të gjitha për ju dhe jo për ne. Më shumë se 800 mijë panë se çfarë ndodhi në qytet. Një duartrokitje e madhe shkon për veten tuaj”, përfundon Fijen.

Ndërkaq, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ri-konfirmuar se Kosova ka kapacitetin për të organizuar një ngjarje kaq të madhe të artit ndërkombëtar.

“Faleminderit që jeni sonte këtu. Po e mbyllim një udhëtim të jashtëzakonshëm në të cilin shumë njerëz kanë kontribuar, e unë posaçërisht dua t’i shpreh falënderimet tona si Ministri për Hedwig the ekipin, për punën e tyre të mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë dua ta ri-konfirmoj këtë që tashmë është shumë e qartë. Kosova nuk e ka vetëm vullnetin por e ka edhe kapacitetin për të organizuar një ngjarje kaq të madhe të artit ndërkombëtar. Jemi shumë të sigurt që do të vazhdojmë edhe më tutje. Ne ia kemi dalë së bashku me institucionet, artistët, organizatorët, dhe të gjithë ju që keni kontribuar në një formë apo tjetër”, ka thënë Çeku.

Gjithashtu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka përmendur se trashëgimia e Manifestës, do të jetojë tutje, nëpërmjet ndërtesave, instalacioneve, Fabrikës së Tullave, bibliotekës “Hivzi Sulejmani” dhe “Green Corridor”.

“Është një ndjenjë fantastike për të qenë sonte këtu me të gjithë ju, për të përmbyllur një event aq fenomenal për kryeqytetin tonë, për vendin tonë. Kanë qenë me të vërtetë 100 ditë të mrekullueshme. Ishte me të vërtetë një ëndërr e realizuar, të shihja të gjithë qytetin si muze. Me Manifestën e kemi bërë këtë, por Prishtina përplot 100 ditë është transferuar në një qytet-muze të artit kontemporan. Kam premtuar më herët që trashëgimia do të vazhdojë. Trashëgimia e Manifestës do të jetojë tutje, dhe do të jetojë nëpërmjet ndërtesave, instalacioneve, “Tulltores”, bibliotekës “Hivzi Suljemani”. Po ashtu, do të jetojë nëpërmjet “Green Corridor” dhe ne patjetër që nuk do ta humbasin vrullin dhe do të vazhdojmë të krijojmë gjëra të bukura për qytetin tonë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ata janë të vetëdijshëm që ka shumë punë para tyre por kjo vetëm tregon që nëse njerëzit bashkohen, nuk do të ka çfarë t’i ndal ata për të transformuar kryeqytetin, e për ta bërë një kryeqytet me karakterin më unik në botë.

“E kemi edhe një numër të madh të gjërave që kanë ndodhur këtyre ditëve. Kemi mësuar se çka i duhet qytetit, çka dëshiron qyteti dhe çfarë dëshirojnë qytetarët e Prishtinës. Kjo nuk është lamtumirë. Kjo në fakt është fillimi i “Manifesta 14 foundation” që do të vazhdojë trashëgiminë në qytet. Andaj, të dashurohemi me Prishtinën. Le ta zbulojmë dhe t’i tregojmë botës historitë tona të suksesit”, përfundon ai.

Mbrëmja në Fabrikën e Tullave vazhdoi me një performancë speciale nga bendi “Saz’iso”, që solli tingujt e jugut të Shqipërisë mu në mesin e Prishtinës. Instrumentet diversive në skenë kanë shënuar fundin e një ngjarje kulturore, teksa kanë jehuar nëpër çdo shpirt të pranishëm.

Të rrethuar nga prezenca e dritës së hënës, zjarri gjigand që shërbente për ngrohtësi, reflektorë të ndryshëm që dhanë hijeshi, muzika shqiptare krejtësisht e rrallë, ushqimi i llojllojshëm e pija, të pranishmit kanë qenë dëshmitarë të një rrugëtimi që zor se harrohet dot. Me “Manifesta 14” është rishkruar e ardhmja e kryeqytetit.

Artistët pjesëmarrës në “Manifesta 14 Prishtina”: Abazi/Greville/Pinchuk, Larry Achiampong, Astronomy Club of Kosova, Bora Baboçi, Celine Baumann, Elona Beqiraj, Valentina Bonizzi, Anna Bromley, Luz Broto, Lee Bul, Lua Coderch, Daniel Gustav Cramer dhe Haris Epaminonda, Ilir Dalipi, Yael Davids me Andre van Bergen, Cevdet Erek, ETEA, Jakup Ferri, Foundation 17, Lek M.Gjeloshi, Nuria Guell, Driton Hajredini, Artan Hajrullahu, Laureta Hajrullahu, Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Lawrence Abu Hamdan, Haveit Collective, Roni Horn, Fahrija Hoti dhe gratë e Krushës së Madhe, Majlinda Hoxha, ICA-Sofia, Astrit Ismaili, Fitore Isufi Shukriu – Koja, Hristina Ivanoska, Emily Jacir, Jelena Juresa, Genc Kadriu, Alevtina Kakhidze, Sejla Kameric, Antoneta Kastrati me Casey Cooper Johnson, Doruntina Kastrati, Kino Armata, Genti Korini, Argjirë Krasniqi, Edona Kryeziu, Katalin Ladik, Luljeta Lleshanaku, Nimon Lokaj, Jumana Manna, Brilant Milazimi, Hana Miletic, Ivan Moudov, Alekta Xhafa Mripa, Alban Muja, Sami Mustafa, Silvi Naçi, Natasha Nedelkova, New Grand (Blerta Hashani, Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi, Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi, Ermir Zhinipotoku), Tuan Andrew Nguyen, Thao Nguyen Phan, Vigan Nimani, Christian Nyampeta, Off Season, Adrian Paci, Susan Philipsz dhe Radio International Collective, Marubi National Museum of Photography, Marta Popivoda, PykëPresje, Sahej Rahal, Lala Rascic, Carlo Ratti Associati, raumlaborberlin, re.act.feminism, Alicja Rogalska, RomaMoMa me Farija Mehmetin, Ugo Rondinone, Nusret Salihamixhiqi, Secondary Archive, Sekhmet Institute, Selma Selman, Driton Selmani, Dineo Seshee Bopape, Abi Shehu, Chiharu Shiota, Igor Simic, Uyra Sodoma, Speculative Tourism, Beth Stephens dhe Annie Sprinkle, Mette Sterre, StoryLab, Kolektivi the names comes last, tamtam, Miryana Todorova, Vangjush Vellahu, Alije Vokshi, Werker Collective, Sislej Xhafa, Yll Xhaferi, Miki Yui, Driant Zeneli, Hana Zeqa, Lulzim Zeqiri, Dardan Zhegrova.  / KultPlus.com

Filmi shqiptar i regjisorit Gentian Koçi me distributor ndërkombëtar

Variety, një nga revistat më të njohura amerikane, e përqendruar në aktivitetin artistik e kulturor, ka shkruar së fundmi për filmin e regjisorit shqiptar Gentin Koçi, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.

Filmi po bën bujë ende pa pasur premierën e tij botërore e cila do të ndodhë së shpejti në Festivalin Ndërkombëtar të Tallinn-it. Sipas Variety, filmi i Gentian Koçit do të ketë distributor kompaninë M-Appeal, kompania e shitjeve me seli në Berlin.

Lajmi konfirmohet nga vetë kompania M-Appeal e cila në faqen e saj online shkruan se “janë të lumtur me blerjen e re”.

Maren Kroymann, drejtoresha menaxhuese e M-Appeal, ka deklaruar se në M-Appeal dëshirojnë filma që na bëjnë të kuptojmë më mirë botën nga këndvështrime të ndryshme.

“Kjo dramë e drejtuar nga narrativa sjell publikun në universin intim të binjakëve që nuk dëgjojnë, Agimi dhe Gëzimi. Është një film pothuajse pa dialog të folur, por që shpreh fuqishëm se komunikimi dhe dashuria nuk kanë nevojë për fjalë”, është shprehur Kroymann.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është kandidatura zyrtare e Shqipërisë për çmimet Oscars. Regjisori e përshkruan filmin si një dramë ekzistenciale. Filmi rrëfen lidhjen e fuqishme të 2 vëllezërve binjakë, të shurdhët, të cilët mësojnë se bashkë me dëgjimin do të humbasin edhe shikimin.

Aktorët kanë studiuar 6 muaj për të mësuar gjuhën e shenjave. / KultPlus.com

Këtë Halloween, Cineplexx sjell event të veçantë me çmim biletash vetëm 3€

Cineplexx do të jetë një destinacion fantatstik për ditën e Halloween. Me një çmim special të biletave (3,00€), dekorime të frikshme në korridor dhe cosplay, kinemaja do të jetë vend perfekt për fansat e filmave horror dhe festës së Halloween në përgjithësi.

Këta janë 4 filmat të cilët do të mund ti shihni sot në Cineplexx për Halloween me çmim special:

Prey for the Devil
Kisha Katolike Romake lufton një rritje globale të zotërimeve demonike duke rihapur shkollat ​​për të trajnuar priftërinjtë për të kryer ekzorcizëm. Megjithëse murgeshat janë të ndaluara të kryejnë këtë ritual, një profesor i njeh dhuntitë e motrës Ann dhe pranon ta stërvitë atë. E futur në vijën e parë shpirtërore, ajo së shpejti e gjen veten në një betejë për shpirtin e një vajze të re, e cila është pushtuar nga i njëjti demon që torturoi nënën e saj vite më parë.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Michael Myers (aka The Shape) in HALLOWEEN ENDS, directed by David Gordon Green

Halloween Ends
Katër vite pas takimit të saj të fundit me vrasësin e maskuar Michael Myers, Laurie Strode po jeton me mbesën e saj dhe po përpiqet ta harroj atë. Myers nuk është parë që atëherë, dhe Laurie më në fund vendos të çlirohet nga tërbimi dhe frika dhe të përqafojë jetën. Megjithatë, kur një i ri akuzohet për vrasjen e një djali që ai po kujdesej për të, ndez një kaskadë dhune dhe terrori që e detyron Laurie të përballet me të keqen që nuk mund ta kontrollojë.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Smile
Pasi që dëshmoi një incident të çuditshëm, traumatik i cili përfshin një paciente, Dr. Rose Cotter fillon të përjetojë dukuri të frikshme që ajo nuk mund t’i shpjegojë. Rose duhet të përballet me të kaluarën e saj shqetësuese në mënyrë që të mbijetojë dhe t’i shpëtojë realitetit të saj të ri të frikshëm.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Kthetrat e Shqiponjës
Kaosi pas rënies të komunizmit i ka hapur dyert një lufte të përgjakshme civile. Matia, vetëm një adoleshent, ngacmohet nga shokët e tij. Në përpjekje për të shpëtuar, ai fshihet brenda një bunkeri të braktisur. Në atë ndërtesë drithëruese, Matia do të jetë i pari që do të zbulojë diçka të frikshme dhe të paimagjinueshme që do të ndryshojë gjithë jetën e tij.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:30.