Veliaj: Koha të nisim Teatrin e ri të Metropolit pas atij Kombëtar

Një lajm i mirë jo vetëm për komunitetin e artistëve, por dhe për të gjithë qytetarët artdashës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bën të ditur se menjëherë pas ndërtimit të Teatrit Kombëtar, do të nisë puna dhe për Teatrin e ri të Metropolit.

Teksa uron drejtoreshën e re të Teatrit Metropol, kryebashkiaku Veliaj siguron se Tirana nuk ndalet dhe projekte të reja do të vijojnë.

“Faleminderit Jonida për 6 vite magjike të ringritjes së Teatrit të Metropolit – pa zhurmë e pa tam-tame, u kthye në energjinë e bukur të Tiranës sonë me punë e pasion! Suksese Armeles – koha të nisim dhe Teatrin e ri të Metropolit pas atij Kombëtar. Tirana nuk ndalet më”, shkruan Veliaj. / gazetamapo.al / KultPlus.com

‘Cinderella’ nga Studio e Baletit ‘Angels’, premierë në Teatrin Kombëtar

Studio e Baletit ”Angels” do të ketë premierën e shfaqjes ”Cinderlla” me 20 qershor të këtij viti, përcjell KultPlus.

”Cinderella” do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 18:00.

Koreografia e kësaj shfaqjeje është realizuar nga Vlora Prizreni dhe Isa Beg Gjocaj, me asistent Sead Vuniqin. Kurse muzika është nga Sergei Prokofiev, ndërkaq kostumet janë punuar nga Shpresa Lladrovci. / KultPlus.com

‘Totem dhe Tabu’, nëpërmjet komedisë solli tragjiken që vjen si rezultat i heshtjes kolektive

Suada Qorraj

Nën tingujt e muzikës, lëvizjeve të trupit por dhe fjalëve të thëna nga aktorët, shfaqja danse teatër, ‘Totem dhe Tabu’ shtjelloj në natën e mbrëmshme historitë prekëse të një realiteti të pandryshuar në kohë, por njëkohësisht dhe një aktualitet, rrugëtimi i së cilit gjendet brenda kornizave e heshtjes kolektive, shkruan KultPlus.

Pikërisht këto korniza individuale e kolektive, nëpërmjet komedisë sjellin tragjiken, të qeshurën që të bënë të reflektosh, por dhe të shikosh përtej asaj që shihet e thuhet në sipërfaqe.

‘Totem dhe Tabu’ ngrehë pikëpyetjet për shqetësimet e mëdha shoqërore, traumat, hipokrizinë e shoqërisë, por dhe ndikimin e pandemisë në po këtë shoqëri, ku pikërisht me lëvizjet e trupit, vallëzimin e aktorëve dhe ndërthurjen e këtyre lëvizjeve me monologjet e dialogjet, rrëfejnë homazhet për ata që humbën jetën nga ‘tabutë’ e shoqërisë, historitë që heshtën veç pse muret ku ato ndodhin nuk na takojnë ne. Por, ndonëse muret ku ato ndodhin janë të ndryshme prej atyre ku ne jetojmë, këto përjetime, sado të huaja, ndërtojnë përditshmërinë, realitetin por dhe të ardhmen tonë. E ky realitet mbi të cilin ndërtohet shfaqja ‘Totem dhe Tabu’ e koreografi Robert Nuha dhe e bazuar në dramaturgjinë e Zana Hoxhës, ngriti publikun në këmbë, me një duartrokitje disaminutëshe dhe emocione të shumëfishta.

Për koreografin Robert Nuha, procesi i realizimit të shfaqjes nuk ka qenë edhe aq i lehtë sepse trupa teatrale është krijuar tash e tre muaj e njëkohësisht puna e tyre është kufizuar edhe nga situata pandemike. Tutje ai ka thënë se secili nga ne duhet të ketë një kontribut sado të vogël që situata e dhunshme t’i flasim dhe t’i komunikojmë me të tjerët.

“Besoj që ne si shoqëri edhe si artistë duhet secili të ketë një kontribut sado të vogël që situatat, konfliktet ose mënyrën sesi ne i shohim gjërat të cilat janë të dhunshme për ne duhet t’i trajtojmë e t’i flasim, t’i komunikojmë tek të tjerët, me qëllim që shoqëria të hapet dhe të ndryshohen”, ka thënë Nuha për KultPlus.

‘Totem dhe Tabu’ për pothuajse 90 minuta erdhi në një mënyrë mjeshtërore nga trupa artistike e Artpolis me aktorët Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli dhe Blerta Gubetini.

Aktorja Donikë Ahmeti, në një prononcim për KultPlus ka theksuar se përgatitja për shfaqje ka qenë e lodhshme, me orare të stërzgjatura dhe punë fizike, por që në fund ka dhënë mesazhin e duhur tek publiku.

“Temat që kemi dashur të trajtojmë qëndrojnë mes të qeshurës dhe të qarës, nuk kemi dashur që temat e rënda t’i bëjmë shumë të rënda. Kjo nuk ka qenë veç një dramë, ka qenë gjithçka, por që në thelb është një dance teatër”, ka pohuar ajo. Ndërkaq Zana Hoxha e cila ka bërë dramaturgjinë e shfaqjes, shpreson që ‘Totem dhe Tabu’ të prek zemrat dhe mendjen e njerëzve sepse në vete ngërthen shumë mesazhe, por dhe reflektime të ndryshme./ KultPlus.com

Një vit nga shembja e Teatrit Kombëtar, një protestues bën tatuazh teatrin në dorën e tij

Janë bërë një vit që nga koha e shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në orët e para të mëngjesit, si sot para një viti, nisi shembjen e Teatrit Kombëtar, i konsideruar si pjesë e trashëgimisë kulturore europiane nga Forumi “Europa Nostra” dhe një nga 7 objektet e rrezikuara të marra në mbrojtje prej tij.

Qytetarë të Tiranës dhe artistë të shumtë protestuan ashpër kundër shembjes dhe u përplasen me forcat policore por gjithçka rezultoi pa efekt. Teatri u shemb e me shembjen e tij u thyen edhe shumë kujtime.

Sot, në një vjetorin e shembjes së Teatrit, një nga protestuesit ka vendosur të bëj tatuazh objektin e teatrit në dorën e tij.

Këtë fotografi e ka shpërndarë shkrimtarja Flutura Açka e cila tutje ka shkruar për dhimbjen që i ka shkaktuar ky rast.

Sipas Akçes për këtë rast duhet të japin llogari ata që urdhëruan shembjen sepse janë tallur me kodin më elementar të Europës, kujtesën.

Ky është statusi i plotë i Akçes:

Kisha besuar se pas majit të vitit 2018, në jetën time nuk do të gjendej më kurrë ndonjë arsye për lot. Por të gdhirët e 17 majit 2020, ishte tronditëse; të vetmit që nuk përloti ishin bishat me pushtet dhe puthadorët e tyre. Me Teatrin u shemb edhe një pjesë e rinisë së brezit tim, një pjesë plot shkëlqim e historisë së kulturës shqiptare, një pjesë e historisë së Tiranës.

Tiranët e asaj nate kanë emër të përveçëm:

Edi Rama, artisti që asfiksoi artin shqiptar për të qenë vetëm ai në qendër të tij.

Erjon Veliaj, politikani diabolik që shkatërroi kujtesën e Tiranës.

Sandër LLeshi, i cili e militarizoi aksionin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Kjo treshe një ditë duhet të japë llogari, pasi u soll me arrogancë me shqiptarët, u tall me kodin më elementar të Europës, kujtesën. Dhe kujtesa e njerëzimit fillon nga Teatri.

Ne, njerëzit që e dashurojmë Teatrin dhe duam që të ruhet kultura e këtij kombi, ia kemi kujtuar publikisht me protestën tonë. Një ditë, një prokuror patriot duhet t’ia përsërisë ligjërisht kurrsesinë e shembjes së Teatrit, pavarësisht fuqisë që të jep pushteti. Sepse pushteti në demokraci nuk është pronë e jotja. Deri atë ditë ne do të vazhdojmë të luftojmë për Shqipërinë, historia e së cilës, edhe ajo politike, nuk nis me shpurën dalëboje të sotme, që nuk kanë fuqi më as t’i gëzohen “fitores” apo ta vënë atë së paku si buzëkuq për të fshehur ngjyrën meite prej vjellës së vjedhjes së tyre vjellëndjellëse. / KultPlus.com

Foto: Një protestues me tatuazhin e Teatrit Kombëtar

SHSTKK shpalos propozim rregulloren “Për angazhimin e aktorëve të Trupës Rezidente dhe aktorëve të jashtëm”

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shpalosur sot propozim rregulloren për angazhimin e aktorëve të Trupës Rezidente dhe aktorëve të jashtëm.

Sipas tyre, deri më tani është ushtruar qasje afrimative dhe diskriminuese nga menaxhmenti në aspektin e ndarjes së roleve, duke krijuar ambient jokonkurues brenda branshes së aktorëve dhe duke e cenuar kualitetin artistik të shfaqjeve, andaj SHSTKK pretendon ë sipas kësaj rregullore gjithçka të gjejë përmirësim.

Kjo është komunikata e plotë e SHSTKK ky shpalos rregulloren:

Propozim rregullorja “Për angazhimin e aktorëve të Trupës Rezidente dhe aktorëve të jashtëm”.

Duke marrë parasysh se Ligji Nr 04/L – 106 Për Teatrot, nuk e definon mënyrën e ndarjes së rolëve të aktorëve të Trupës Rezidente dhe aktorëve të jashtëm, si dhe as ndonjë akt nënligjor i cili derivon nga ky ligj, kjo çështje deri tani ka ngelur e pa definuar ligjerisht, duke i lënë hapësirë manovruese për veprim menaxhmentit dhe regjisorëve. Ky vakum ligjor, në vijimësi është keqpërdorur nga menaxhmenti dhe regjisorët, duke ju dhënë përparësi interesave të tyre private, në dëm të interesit artistik.

Si rezultat i këtij keqpërdorimi, është evidentuar se sistematikisht është ushtru qasje afrimative dhe diskriminuese nga menaxhmenti në aspektin e ndarjes së rolëve, duke krijuar ambient jokonkurues brenda branshes së aktorëve dhe duke e cenuar kualitetin artistik të shfaqjeve. Ky keqpërdorim është bërë edhe me i theksuar viteve të fundit, për shkak të angazhimit thuaja të vetëm një grupi të regjisorëve, duke mundësuar krijimin e lidhjes së shkurtë, në mes të menaxhmentit dhe këtyre regjisorëve, ku në vazhdimësi kanë dominuar interesat mesnike në dëm të interesit artistik dhe atij publik. Bazuar në këtë lidhje, është kriju mundesia e imponimit të aktorëve që kanë afrimitet me menaxhmentin tek regjisorët, si dhe angazhimin e aktorëve që kanë afrimitet me regjisorët, duke demtuar aktorët tjerë dhe konkurencën artistike. Mbështetur në këtë interaksion menaxhment – regjisorë, aktorët që nuk kanë afrimitet me menaxhmentin janë diskriminuar e në raste të caktuara edhe janë perjashtuar nga mundësia për angazhim. Si rezultat i gjithë këtij keqpërdorimi, akti normativ ( shumë i vonuar) për mënyrën e angazhimit të aktorëve të brëndëshëm dhe atyre të jashtëm, i cili ka mbeshtetje edhe në vendimin Nr 01/37-250/19 të Inspektoriatit të Punës dhe aktvendimit Cp. nr. 1550/20 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është i domosdoshëm të miratohet.

Kjo rregullore e cila do të përcaktonte saktësisht mënyrën dhe kriterët e angazhimit të aktorëve të ansamblit rezident dhe atyre të jashtëm, e cila do të ofronte mundësi të barabartë konkurence dhe përfaqësim kualitativ skenik, sipas analizës së bërë nga Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës duhet të përmbajë këto kritere dhe sanksione bazike:

1. Funksionalizimi dhe standartizimi i faqës elektronike promovuese dhe informuese të TKK-së (ku sëcili aktor përveç CV-së, do të kishte në hapësirën e tij promovuese të paktën tre fotografi dhe tre video prezentime, të cilat sukcesivisht do të freskohëshin).

2. Profilizimi i Aktorëve të Trupës Rezidente ( sëcilit aktor do t’i shënohet profili i tij skenik, i bazuar në CV-ja e tij).

3. Mënyra e angazhimit të aktorëve të Trupës Rezidente:

a) Nëse eventualisht një aktor do të ngelet brënda vitit i pa angazhuar, menaxhmenti do të obigohet të ketë proritet angazhimin e tij, duke e angazhuar në vitin pasues.

b) Të njejtit aktor, të mos i jepën dy herë radhazi role episodike, por të këtë mundësinë të luaj edhe në role të dyta, apo kryesore.

4. Tekstet e parapara për inskenim në Teatrin Kombëtar të Kosovës, t’i përgjigjën potencialit dhe profilit të Aktorëve të Trupës Rezidente.

5. Aktorët e Teatrit Kombëtar, të mos kenë mundësinë të inkuadrohën më shumë së në pesë role brënda vitit në TKK, për shkak të pamundësisë së kreativitetit të tyre në role.

6. Menaxhmenti i TKK-së të obligohet, që shfaqjet e repertorit të rregullt të TKK-së, t’i xhiroj më kamera profesionale dhe më pas këto shfaqje të xhiruara të arkivohën dhe të përdorën në rastet e njoftimit skenik të aktorëve me regjisorët, notimin e aktorëve të TR të TKK-së dhe verifikimin e angazhimeve nga komisioni verifikues.

7. Të paktën çdo dy vite të formohet një komision heterogjen profesional, kredibil, i pranueshëm dhe të notoi aktorët e TR të TKK-së, konform hapësirës së tyre skenike.

a). Aktorët e Trupës Rezidente që në dy evaluime sukcesive marrin notë të dobet, përjashtohën nga ansambli rezident.

b). Rezultati i notimit të aktorëve të jetë kriter i dytë percaktues pas kualifikimit, si kriter për gradim.

8. Regjisoret me rastin e angazhimit në shfaqje, të kenë prioritet aktorët e ansamblit rezident. Kur regjisori konsideron së për rolin e caktuar nuk gjendet aktori i caktuar brënda TR të TKK-së, detyrohet që të njoftoi më shkrim menaxhmentin (ky njoftim detyrimisht duhet të jetë i nënshkruar nga regjisori përkatës).

9. Menaxhmenti brënda afatit kohor prej tre ditësh kalendarike, nëse konsideron se kërkesa nuk është e arsyetuar, obligohet të i’a kthej përgjigjën negative regjisorit, duke i dhën sygjerimet për profilin e aktorit që gjindet brënda Trupës Rezidente. Në rast se menaxhmenti konsideron se kërkesa e regjisorit është e aresyeshme, brënda afatit kohor prej tre ditësh kalendarike, i’a kthen përgjegjën pozitive më shkrim regjisorit.

10. Menaxhmenti, në rast të kërkesës së arsyeshme të regjisorit për angazhimin e aktorit të caktuar të jashtëm, detyrohet të shpallë audicion publik, duke detajuar profilin e aktorit të kërkuar për rolin e caktuar.

11. Komisioni verifikues i angazhimve (dy nivelesh), i përbër nga artistë eminent vendorë dhe të huaj, çdo katër vite të analizoi mënyrën e angazhimit të aktorëve të Trupës Rezidente dhe aktorëve të jashtëm.

12. Nëse Komisioni Verifikues konstaton së janë bërë shkelje, ka egzistuar nderhyrje ose janë angazhuar aktorë me afrimitetet me menaxhmentin dhe konstaton rastin e nderhyrjes se menaxhmentit tek regjisori jashtë kriterëve të parapara në këtë rregullore, jep rekomandim që udhëheqësit artistik apo drejtorit të përgjithshëm t’i shkëputet kontrata e punës, kurse në rastet kur antarët e menaxhmentit kanë ndërhyrë, por ju ka skaduar mandati, jepen rekomandime për masa prapavepruese, përfshirë dhe denoncimin penal.

13. Nëse Komisioni Verifikues konstaton se gjatë angazhimit të aktorit të caktuar, regjisori ka pasë interes privat dhe jo interes artistik, regjisorit t’i ndalohet angazhimi në këtë teater në afatin prej dhjet vitesh.

14. Të parcaktohen kritere shtesë me rastet e momenteve që paraqesin konflikt të interesit gjatë angazhimit të aktorit/es në raport më menaxhmentin dhe regjisoret.

15. Të precizohet detajisht ndalimi i diskriminimit në angazhim dhe të përcaktohen sanksionet që duhet të merrën ndaj palës që ushtron diskriminim, nëse gjindet duke ushtruar diskriminim.

16. Të ndalohet rreptësisht gjuha denigruese, fyese, ofënduese dhe antipromovuese e menaxhmentit dhe antarëve të Këshillit Drejtues, kundër aktorëve të Trupës Rezidente dhe aktorëve të angazhuar, si dhe të parashikohën sanksionet përkatëse, në rast se kjo gjuhë përdoret.

17. Obligohet Teatri Kombëtar i Kosovës, të angazhoi aktorët pensionist (kontributdhënës në të kaluarën, në këtë institucion).

Secilit aktorë pensionit, që është në jetë dhe aktiv t’i jepet mundësia të angazhohet në shfaqjet e repertorit të rregullt, të paktën një her në dy vite.

Këto 17 pika janë propozu konform aktivitetit, kushteve dhe rrethanave, në të cilat gjendet dhe funksionon Teatri Kombëtar i Kosovës dhe të njejtat kritere mund të akomodohen për aplikim edhe në teatrot tjera publike të vendit. / KultPlus.com

Naser Shatrolli zgjidhet drejtor i Teatrit Kombëtar

Punonjësi i Ministrisë së Kulturës, Naser Shatorolli është zgjedhur drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këshilli Drejtues i Teatrit pasditen e së enjtes ka vendosur që Shatrolli ta merre drejtimin e institucionit pesë muaj pasi këtë pozitë e mbante si ushtrues detyre, transmeton KultPlus.

Pas intervistave të së mërkurës sipas vlerësimit të anëtarëve të këshillit, Shatrolli ka lënë prapa dy kandidatët tjerë, Kushtrim Sheremetin dhe Blerim Krasniqin.

Prej majit të vitit 2016, ai është zyrtar për biblioteka në Ministrinë e Kulturës./koha/ KultPlus.com

‘Pamje revolucioni’, shfaqja që flet për revolucionet e munguara dhe ato që presin të shpërthejnë

Xhemile Hysenaj

‘Pamje revolucioni’ erdhi mbrëmë në skenen e vogël të Teatrit Kombëtar, duke shpalosur para publikut se revolta jo gjithmonë është aq e pastër sa duket, se brenda vetes ngërthen edhe krisje e lëkundje që shpiejnë deri në thyerjen totale të revolucionit si ide. Kjo shfaqje, e cila erdhi pikërisht në 13 vjetorin e Pvarësisë së Kosovës, jo rastësisht e pati premierën pikërisht në këtë ditë, pasi historia e popullit tonë numëron shumë revolucione, që u manifestuan herë me luftë e herë me rezistencë, shkruan KultPlus.

‘Pamje revolucioni’ me tekst të Tino Caspanellonit e cila erdhi nën regjinë e Kaltrim Balajt, është epilogu i një revolucioni i cili ndodhë në hapësirë të padefinuar. Të bllokuar atje, tre revolucionarët e fundit provojnë në mënyrë të dëshpëruar për të mbajtur gjallë ëndrrën. Dhe kur realiteti nxiton ta arrijë ëndrrën, atëherë ‘kështjella magjepsëse’, fillon të bie, për të hequr dorë nga revolucionet dhe për të treguar brishtësinë e një utopie.

Tre të rinj, të magjepsur pas një ideali, stoik në revoltën e tyre, aq të sigurt në vendimt e tyre saqë askujt nuk do t’i shkonte mendja për ndonjë thyerje në mes. Mirëpo, si shpesh herë, ndodhi thyerja e kësaj revolte aq të fuqishme. Një revoltë që dështoi dhe nuk shkoi deri fund.

‘Pamje revolucioni’, siç tregon edhe regjisori Balaj, ka hasur në vështirësi gjatë realizimit duke pasur parasysh situatën pandemike. Madje ai tregon se vazhdimisht kanë pasur frikë për ndonjë infektim të mundshëm, por që nuk ka ndodhur.

‘Për mua ky tekst është një nga tekstet më aktuale, jo vetëm për ngjarjet dhe zhvillimet aktuale në Kosovë por edhe si tërësi. Ne historikisht, ndoshta edhe brenda familjes kemi revolta. Pasi revolta fillon nga ne. Çuditërisht revolucionet janë të tilla vetëm kur shpërthejnë duke përmbysur sisteme, ndërsa me kalimin e kohës ato sërish çuditërisht shndërrohen në sisteme’, ka theksuar regjisori për KultPlus.

Revolucioni që zë vend në këtë shfaqje, nuk përfundon. Brenda këtij revolucioni, të revoltuarit hasin në revoltën e njëri tjetrit.

‘Jo pa qëllim shfaqjes i është përshtatë skenografia dhe gjetjet të cilat konsistojnë në idenë që reevolucioni ose rruga drejt tij ka gjithmonë edhe shtrembërime brenda’, ka potencuar tutje Balaj për KultPlus.

“Pamje revolucioni”, flet për revolucione të munguara, revolucione të dështuara e për revolucione që presin të shpërthejnë. Çuditërisht revolucionet janë të tilla vetëm kur shpërthejnë duke përmbysur sisteme, ndërsa me kalimin e kohës ato sërish çuditërisht shndërrohen në sisteme. / KultPlus.com

Pezullohen procedurat e zgjedhjes së udhëheqësve të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtarr të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, kanë vendosur që të pezullojnë procedurat e rekrutimit për dy pozita udhëheqëse në Teatrin Kombëtar.

Ky vendim është marrë për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë dhe për ruajtjen e integritetit të procesit shkaku i parafushatës zgjedhore. /koha/ KultPlus.com

‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, si revoltë për mizoritë nëpër të cilat ka kaluar vendi jonë nëpër shekuj

Xhemile Hysenaj

Teatri Kombëtar i Kosovës, me një lojë të mahnitshme nga aktorët, mirëpriti një udhëtim teatror nëpër dramat e shkrimtarit të njohur, Beqir Musliu. Me motive të përmbledhura në katër dramat e tij, iu dha jehona një bote të shkuar kohë më parë, ku kalorës me kuaj prej druri kalëruan nëpër mite, legjenda e trauma tonat, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Erson Zymberit, para publikut u paraqit përmbledhja e Musliut me katër drama, teatrologjia ‘Shtrigani i Gjel-Hanit’.

Shtriga, kalorës të vdekur, zana mali, dasmorë, mbretër gjakatarë e shumë të tjerë, jehuan në skenën e teatrit. Aktorët si: Shengyl Ismaili, Ermal Sadiku, Majlinda Kasumoviq, Afrim Muçaj, Semira Latifi, Arta Selimi e Shpetim Kastrati, me një performancë përtej të jashtëzakonshmes, i dhanë frymë të paparë personazheve të dramave të Musliut. Tradita që vinte me të shkuarën dhe modernia që vinte me të tashmen, fuqishëm fliste për mizoritë nëpër të cilat ka kapërcyer populli jonë ndër vite.

I gjithë procesi i përgatitjes së shfaqjes ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ zgjati për pothuajse 35 ditë të plota. Ndërkaq, Zymberi për KultPlus theksoi se ndjehet jashtëzakonisht mirë për punën e realizuar me të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj shfaqjeje, si Jeton Nezirajn, Irena Popovic, Gjergj Prevazin, Bekim Korçën dhe Yllka Bradën.

‘Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme si regjisor, që tekstin e Beqir Musliut ta realizoj në teatër, e ku më mirë se në Teatrin Kombëtar me një kast të mrekullueshme të aktorëve dhe me kushte fenomenale. Ndjehem shumë i kënaqur dhe i plotësuar artistikisht’, është shprehur tutje Zymberi për KultPlus.

Shfaqja që përfundoi me duartrokitje e brohoritje që zgjatën për minuta të tërë, nuk kishte si të mos emociononte ata për të cilët edhe u dhanë të gjitha ato brohoritje.

‘Zakonisht me kolegë kaloj mirë, por kësaj radhe jemi marrë vesh shumë mirë me ta, ndoshta edhe nga energjia e regjisorit, ishte asisoj që gjatë gjithë kohës na ka trajtuar mirë. Mendoj se kemi bërë gjëra të bukura bashkë, duke e përcjellur kështu edhe tek publiku, pasi vërehej se ata e pranuan mjaft mirë shfaqjen’, ka potencuar Shpëtim Kastrati për KultPlus.

Ndërkaq, në anën tjetër, Shengyl Ismaili pas pothuajse një pauze dy vjeçare nga teatri, këtë vit u rikthye fuqishëm në skenë, duke dhënë një performancë që veç sa e forcoi artin e saj skenik.

‘Jam ndjerë shumë mirë, besoj që kemi arritur suksesin tonë. E adhuroj teatrin, teatri është vendi i vetëm që më bën të ndihem kjo që jam’, ka deklaruar Ismaili për KultPlus.

Tutje, regjisori për KultPlus ka treguar se kjo shfaqje do të jetë pjesë e reportuarit për një kohë të gjatë.

‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, një shfaqje që emocionoi gjithë publikun, erdhi si një revoltë, si një thirrje për mizorinë nëpër të cilën vendi jonë ka kaluar për shekuj të tërë. Një shfaqje kjo që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë, një kastë e mrekullueshme aktorësh nën regjinë e Zymberit, rrëmbeu zemrat e secilit individ që ndodhej në publik e të cilët bashkëjetuan në secilën ngjarje që zuri vend në skenën e Teatrit Kombëtar. / KultPlus.com

‘Kreolët e Ballkanit’, drama që shpërfaqë ballafaqimin dhe luftën e pranimit të vetvetes

Suada Qorraj

Dyert e Teatrit Kombëtar mbrëmë u hapën e pritën ‘Kreolët e Ballkanit’ për të parën herë për këtë vit. Përballja e identiteteve të dyfishta të atyre që dikur ishin fëmijë të martesave të përziera, erdhi para publikut si një ballafaqim me të kaluarën e dhimbshme. Ku pikërisht këta fëmijë, shpërfaqën udhëkryqet jetësore që dikur e ndoshta gjithmonë, fëmijët e tillë do të gjendeshin në mes dy udhëkryqeve, të qenurit heronjë apo tradhëtarë, shkruan KultPlus.

‘Kreolët e Ballkani’ drama që u shkrua në vitin 1989, dhjetë vite para se të fillonte konflikti në Kosovë, erdhi para publikut si një kujtesë historike e si një thirrje për të mos u harruar se çfarë populli i Kosovës kishte përjetuar përgjatë atyre viteve të kobshme.

Për një orë e gjysmë, aktorët Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri kanë interpretuar mbrëmë përballë një publiku më të shumtë në numër sesa që e kishin menudar.

Regjisori Enver Petrovci pas shfaqjes në një prononcim për KultPlus tha se është shumë i kënaqur që ndonëse në një perudhë pandemike shfaqja ka arritur që të ketë një publik të madh. Ai ka shtuar se premiera e kësaj shfaqje ishte e supozuar qe të bëhej në muajin nëntor, mirëpo deri në natën e mbrëmshme ishte shtyer tre herë.

‘Pas peripecive të gjata që i kemi pasur ne dhe krejt bota me këtë Covid, shfaqjen e kemi shtyer tre herë radhazi. Kjo shfaqje ka qenë në plan të ketë premierën në nëntorë. Mirëpo, ja që më në fund doli dhe jam shumë i lumtur edhe me pjesëmarrjen e publikut pasi kam pritur shumë më pak’, ka potencuar tutje Petrovci.

Sipas tij bukuria që mban në vete ‘Kreolët e Ballkanit’, ka të bëjë me faktin se edhe pse kjo dramë është shkruar në vitin 1989, çdo gjë doli që të jetë e vërtetë. Petrovci ndër të tjera tregoi se teksti si tërësi përgjatë gjithë këtyre viteve pati vetëm një ndryshim të vetëm, emri i personazhit nga Mallina në Maria.

“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe nuk e kam të vështirë aspak. Me babanë jemi edhe shokë, edhe baba e bijë”, ka potencuar Vanesa Petrovci, e cila në ‘Kreolët e Ballkanit’ erdhi në rolin e Marias.

Për aktorin Leonit Maloku të luaj në një shfaqje ku regjisor është profesori i tij, ka qenë një ëndërr e bërë realitet.

‘Eksperienca ime me profesorin ka qenë shumë e mirë, ka qenë ëndërr e imja që të luaj me profesorin apo të jem pjesë e një drame të shkruar apo drejtuar nga ai, kështuqë kjo ëndërr u bë më në fund realitet. Ndër të tjera, procesi ka shkuar mjaft mirë, kemi pasur ndërprerje deri sa kemi arritur që më në fund të luajme shfaqjen, mirëpo ky pushim na ka bërë mirë sepse jemi kthyer fuqishëm’, ka deklaruar tutje Maloku për KultPlus.

E pranishme në preimerën e parë për këtë vit në Teatrin Kombëtar ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi për të cilën ‘Kreolët e Ballkanit’ ishte një ndër shfaqjet përmes së cilës tregohej historia e dikurshme e martesave të përziera.

“Historia nuk duhet harruar asnjëherë dhe këto janë ndër format se si duhet ta tregojmë atë. Në këtë dramë për ndërgjegjen njerëzore u shpërfaqën edhe talentet e aktorëve të rinj që dhanë një interpretim fantastik”, theksoi Dumoshi për KultPlus.

Drama ‘Kreolët e Ballkanit’ merret me kreolë- fëmijë të lindur nga martesa të përziera (raca). Ato rrallë janë adresuar në të gjithë botën e letërsisë. Gjatë ish Jugosllavisë, këta fëmijë – njerëz kërkoheshin për çdo punë dhe veçanërisht për poste të ndryshme të larta shtetërore. Ishte pikërisht sepse ata llogariteshin që gjatë lindjes, për të mos qenë nacionalistë.

I gjithë tregimi zhvillohet midis dy Krijuesve: Hekuran (Celik) dhe Inspektorit, që janë themeluesit e konfliktit. Kreatori i tretë është Maria, e cila është vajzë infantile dhe nuk e di se çfarë po ndodh përreth saj. Ajo lufton për të mbijetuar, dhe ndërkohë, ajo dashurohet me Hekuranin sepse ai është i vetmi që i jep ushqimin, dhe nuk ka tendencë ta dhunojë.

Drama ka të gjitha emocionet themelore njerëzore. Të tilla si dashuria, urrejtja, ambicia politike, hakmarrja, torturimi, besimi në Zot, dinjiteti dhe më shumë. / KultPlus.com

“Gruaja në Dritare”, një ndër projektet më të suksesshme të Teatrit Kombëtar rishfaqet online

Teatri Kombëtar ka shfaqur në online  dramën “Gruaja në Dritare”.

Për shkak të kushteve që na dikton pandemia që po kalojmë, pamundësisë për t’u shfaqur për një publik më të gjerë në skenën e teatrit , kjo vepër u shfaq në faqen zyrtare në rrjetet sociale të Teatrit Kombëtar.

Kjo shfaqe u transmetua për publikun artëdashës në orën 18. 00 dhe vepra mban autorësinë e shkrimtares së re nga Kosova Arta Arifi dhe me regji të regjisores tashmë të afirmuar sidomos në skenën e Teatrit Kombëtar, Rovena Lule. Kujtojmë se regjisorja Lule ka vendosur vepra të tjera të suksesshme me aktorët më të mirë të Teatrit. Madje edhe para se të mbylleshin institucionet teatrore për shkak të COVID-19, shfaqja e regjisores Rovena Lule ishte shfaqja e fundit që u dha për publikun e gjerë të teatrit, përfshirë këtu edhe shfaqjen “Galaksia” që është një ndër shfaqjet më të vlerësuara të teatrit. Kjo shfaqje është vlerësuar me shumë çmime si për regjinë, ashtu edhe për interpretimin e aktorëve, sidomos të protagonistes Olta Daku.

Shfaqja e transmetuar mbrëmjen e djeshme ka pasur një numër të konsiderueshëm ndjekësish. Në këtë shfaqje vlerësohen edhe kostumet dhe skenografia që mbajnë autorësinë e Berina Kokonës.

Shfaqja “Gruaja në Dritare” vjen në këtë skenë si një rivënie dhe si pjesë e repertorit të përzgjedhur të Teatrit Kombëtar pasi ajo është shfaqur edhe më herët në sezonet e kaluara artistike. Ajo është e përzgjedhur nga konkursi tashmë i kthyer në një traditë nga Teatri Kombëtar për leximin e dramës shqipe, një konkurs që zhvillohet çdo fillim sezoni të teatrit dhe vijnë të lexuara nga aktorët më të mirë të këtij institucioni. Vepra ka në fokus marrëdhëniet e brishta brenda familjes që herë pas here mund të kthehen edhe në tragjedi.

Vlen të theksohet se autorja Arta Arifi është një shkrimtare mjaftë e vlerësuar e dramës Shqipe. Tituj të tjerë të suksesshëm të saj janë si psh,  “Kohë pa ngjarje”, “Perlat e Marias”, “Aritmia” dhe shumë të tjera.

Gjithashtu në këtë shfaqje është vlerësuar shumë loja brilante e aktorëve si Olta Daku, Yllka Mujo, Karafil Shena, Neritan Licaj, Dritan Borici etj./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar shpalos arkivin historik

 Fundjava shenjoi festat më të rëndësishme kombëtare: Pavarësinë dhe Çlirimin e Shqipërisë

Teatri Kombëtar hapi në këtë përvjetor, arkivin historik me shfaqjet e vëna në skenë dekada më parë. Vepra të autorëve të njohur, sjellë në skenë nga regjisorë, si: Pirro Mani apo Arben Kumbaro dhe në role, aktorët e Teatrit Kombëtar. Ditën e Çlirimit ( 29 Nëntorin) teatri e kujtoi me shfaqje madhështore të arkivës, duke theksuar vijon se prej tyre, niset me dramën e njohur “Arturo Ui”.

“Të dashur miq, me rastin e Ditës së Çlirimit, do të kujtojmë së bashku, shfaqje madhështore nga arkiva historike e Teatrit Kombëtar. E nisim me dramën “Arturo Ui”, shkruar nga Bertold Brecht dhe regji nga i madhi Piro Mani. Premierë më 4 mars të 1971”, përshkruhet në faqen zyrtare të teatrit, ku janë publikuar dhe fotografitë me vepra vite më parë.

Një nga ngjarjet më të bujshme në historinë e teatrit shqiptar ishte vënia në skenën e ish-Teatrit Popullor e dramës “Arturo Ui”. Në origjinal titulli është më i gjatë: “Der aufhaltsame Aufstieg des Arturo Ui”, në përkthimin e shkëlqyer të Robert Shvarcit (1932-2003) si “Historia e një karriere që mund të frenohej”, vepër e autorit gjerman Bertold Brecht (1898-1956).

Me regji nga Piro Mani, skenograf në vepër ishte Agim Zajmi (1936-2013). E veçantë është se në rolin e Arturo Ui interpretonte i madhi Kadri Roshi (1924-2007). Po ashtu luanin plot kolosë të tjerë të skenës si Vilson Gjocaj, Ahmet Pasha, Lazër Filipi, Ndrek Shkjezi, Qenan Toro, Tomorr Guçe, Shkëlqim Basha, Pjetër Gjoka, Gjovalin Gjoka, Luan Qerimi,Pandi Siku, Fatos Haxhiraj, Prokop Mima, Ndrekë Luca, Xhemil Tagani, Antoneta Papapavli, Esma Agolli, Xhafer Xhafa, Avni Rada, Mhill Pali, Sulejman Pitarka, Avni Resuli, Sheri Mita, Lazër Vlashi, Sulejman Dibra, Avni Resuli, Reshat Arbana, Sandër Prosi, Roland Trebicka, Gjon Karma, Anastas Kristofori, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Mimika Luca dhe Hasan Fico.

Një tjetër dramë në arkivin e TK është dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Teatri shprehet se premiera e saj i takon vitit 1972. ““Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një dramë nga Ismail Kadare, nën regjinë e të madhit Piro Mani. Premiera 10 maj 1972”, bën me dije TK. Piro Mani lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967- 1992 ka qenë regjisor i Teatrit Kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale.

Një tjetër vepër nga Brecht

Shfaqja tjetër që ka dalë nga arkivi historik i Teatrit Kombëtar është një tjetër vepër e autorit Bertold Brecht, premierë në 1990. ““Frikë dhe mjerim në Rajhun e tretë”, një dramë shkruar nga Bertold Brecht, nën drejtimin regjisorit të mirënjohur Arben Kumbaro. Premiera 12 janar 1990”, shkruhet në statusin e TK në “Facebook”, ndërsa ka publikuara dhe foto nga vepra në skenën teatrore vite më parë në 1990.

Bertold Brecht ka lindur 10 shkurt 1898 në Augsburg të Gjermanisë. Ai ishte një praktikues gjerman i teatrit, dramaturg dhe poet. Brecht pati përvojat e tij të para teatrale në Mynih, duke luajtur si aktor, debutimi i tij u ndikua fuqishëm nga ekspresionizmi. Në vitin 1928 Bertold Brecht arrin një sukses të madh me “Opera për tre grosh”, ribërje e dramës popullore angleze të Shekullit XVIII e J. Gay (“Opera e lypësit”). Brecht është njohur dhe si një nga dramaturgët më me ndikim të shekullit XX. Ai themeloi teatrin e famshëm “Berliner Ensemble”. Bertold Brecht është autori i poezive të shumta që mund të konsiderohen ndër më të bukurat e lirikës gjermane të shekullit të njëzetë. Në dramat e tij më të famshme përmendim edhe ato me titull “Jeta e Galileut”, “Nënë Kurajo dhe Fëmijët e saj”, “Njeriu i mirë i Szechëan”, “Rrethi prej Shkumësi i Kaukazit”, etj. Në 14 gusht të vitit 1956 Bertold Brecht ndahet nga jeta./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Shqipërisë do të jetë nikoqir i dramës së Vedat Kokonës

Teatri Kombëtar i Shqipërisë do t’i hap dyert e saj për t’i mbështjellur publikun me emocionet që dinë të krijojnë leximet e dramave, shkruan KultPlus.

Në kuadër të Netëve të leximit të dramës shqipe, më 21 nëntor duke filluar nga ora 18:00 do të lexohet drama ‘’Hijet e Natës’’.

Përderisa kjo dramë është shkruar nga Vedat Kokona, përshtatjen e skenarit dhe kurimin e ka realizuar regjisori Hervin Culi.

Aktorët të cilët do t’i falin ndjeshmëri dramës do të jenë: Naun Shundi, Dritan Boriçi, Luli Bitri, Myzafer Zifla, Natasha Sela, Laert Vasili, Dori Caushi, Luli Hoxha, Besmir Bitraku, Enti Deçka, Donald Shehu, Xhoana Karaj.

Ky lexim i dramës do të përcjellet edhe në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar në Facebook./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Teatri Kombëtar, ndër institucionet më të rëndësishme të kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas konsolidimit të këshillit të ri, në përbërje të: Agron Shala, Besim Rexhaj, Ismet Azemi, Munish Hyseni, Mustafë Halili Samka Ferri dhe Feim Maliqaj – përfaqësues i MKRS-së.

Me anëtarët e Këshillit të Teatrit, Ministrja Dumoshi, diskutoi për mbarëvajtjen e punës dhe realizimin e repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, e cila është ndër sfidat e TKK-së pasi që shumë shfaqje premierë nuk kanë mundur të realizohen sipas planit të paraparë për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia.

 Gjithashtu, ministrja tha se për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të ri për zyrtarë publikë, i cili parasheh edhe ndryshimin e procedurave të rekrutimit, ka krijuar vonesa në hapjen e konkursit për zgjedhjen e drejtorit dhe udhëheqësit artistik të teatrit.

 “Bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme jemi duke punuar në hartimin e akteve nënligjore të cilat përcaktojnë kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së zyrtarëve publikë, e në këtë rast edhe të pozitave drejtuese të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sapo të miratohen këto akte nënligjore, ne menjëherë do ta shpallim konkursin për drejtor dhe udhëheqës artistik të teatrit dhe në këtë proces drejtpërsëdrejti jeni të përfshirë ju si anëtarë të Këshillit Drejtues”, u tha mes tjerash ministrja anëtarëve të KD të TKK-së.

 Ministrja Dumoshi tha se në interesin e saj dhe si prioritet në fushën e kulturës ka forcimin e institucioneve kombëtare të kulturës dhe se me Këshillin Drejtues të TKK-së pret një bashkëpunim konkret dhe dinamik me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe performancës së institucionit të teatrit.

 “Ne si MKRS, në vazhdimësi e kemi përkrahë teatrin dhe kemi investuar edhe në infrastrukturë. Ka edhe shumë për t’u punuar dhe ne në bazë të mundësive dhe kapaciteteve do të bëjmë më të mirën për teatrin. Forcimi i mëtejmë i institucionit të teatrit është një ndër objektivat e mia, sepse Teatri Kombëtar i Kosovës është një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë”, u shpreh ministrja.

 Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së, falënderuan ministren për takimin dhe gatishmërinë e treguar për bashkëpunim dhe për mbështetjen e pakursyer për teatrin. 

Në kuadër të kompetencave dhe hapësirës ligjore, KD i TKK-së do të bëjnë maksimumin që institucioni i teatrit të jetë në vendin e merituar në kulturën e Kosovës, ka thënë kryesuesi i KD i TKK-së, Agron Shala, i cili edhe e informoi ministren se tashmë veç e kanë mbajtur mbledhjen e parë ku kanë biseduar për prioritetet dhe sfidat që ka teatri.

Ndër të tjera, Këshilli Drejtues i TKK-së në kuadër të kompetencave ka mbikëqyrjen punës së teatrit; aprovon politikat afatgjata të zhvillimit të teatrit dhe politikën artistike; me propozim të drejtorit të përgjithshëm, miraton planin vjetor buxhetor të teatrit; me propozim të udhëheqësit artistik dhe në përputhje me buxhetin vjetor miraton programin artistik vjetor të teatrit; shqyrton dhe miraton raportin vjetor financiar të teatrit; harton dhe propozon statutin, rregulloret dhe aktet tjera nënligjore të teatrit, të cilat i miraton Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; interviston kandidatët dhe zgjedh drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik; inicion procedurën dhe shkarkon drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik. / KultPlus.com

Inskenim i ‘Lahuta e Malsisë’ në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ne fillim të muajit nëntor, me datën 6,7 dhe 8, “PM Theatre” do të ketë premierën e shfaqjes “Lahuta e Malsisë” në interpretim te Armend Balokut.

Shfaqjen do të mund ta përcillni tre netë rresht në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Duke pasur parasysh vëllimin e kësaj vepre, përgatitja e saj ka marr një kohe relativisht të gjatë që të jetësohet në skenë.

Pasi që “Lahuta e Malësisë” është një nga veprat më të veçanta shqiptare, e vlerësuar lartë edhe nga personalitete dhe albanolog të huaj, si një shkrim që e bëri zonjë në vete gjuhën shqipe, si producente e këtij projekti ju njoftoj, se me rastin e 80 vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Gjergj Fishta, nëpërmjet “Lahutës së Malsisë”, do të dëgjohet zëri i tij, përmes vargjeve që do t’i interpretojë Armend Baloku.

“PM Theatre” ndihet i ngazëllyer që vargjet e Fishtës edhe njëherë do të marrin frymë e do të jetojmë edhe ne bashkë me to, duke kujtuar shkrimtarin, si dhe të kaluarën tonë historike. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Teatri Kombëtar në Prishtinë vitin e kaluar shfaqi 118 shfaqje, u ndoqën nga 14.548 shikues

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Kulturës për vitin 2019.

Sipas njoftimit për opinionin, ky publikim ofron të dhëna statistikore lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filarmonisë, ansamblit dhe qendrës kulturore për fëmijë.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se në Teatrin Kombëtar në Prishtinë pati 118 shfaqje teatrale dhe repriza, ndërsa kishte 14. 548 shikues; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ishte 132 shfaqje teatrale dhe reprizë, me 12 673 shikues; në Teatrin “Oda” u realizuan 44 shfaqje teatrale dhe reprizë, me 15 013 shikues.

Në galeritë e arteve janë realizuar 28 ekspozita me 24 720 vizitorë.

Në kinemanë “ABC” janë shfaqur 52 filma, të gjithë të huaj, me një numër shikuesish prej 7 201; në kinemanë “Cineplexx” janë shfaqur 122 filma, prej tyre 8 filma vendorë dhe 114 filma të huaj, dhe numri i shikuesve ishte 382 445; në kinemanë “Doku-Kino dhe DokuFest” janë shfaqur 352 filma, prej tyre 30 filma vendorë dhe 322 të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 39 000; në kinemanë “Jusuf Gërvalla” janë shfaqur 128 filma, prej tyre 10 filma vendorë dhe 118 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 10 069.

Ndërkaq, përsa i përket fondit të librave në biblioteka, rezulton se janë 1 692 552 libra nëpër bilbioteka, kurse numri i lexuesve ishte 83 942.

Numri i muzeve dhe shtëpive muze ishte 79, ndërsa numri i vizitorëve ishte 99 630. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar hapë dyert për publikun me premierën e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës”

Jeta Zymberi

Ishte planifikuar të jepej premierë në pranverë e të mbush sallën plot, por situata e shkaktuar nga Covid-19 mbylli teatrin e kështu la pezull programin e planifikuar. Por në muajin qershor, shfaqja “Zgjimi i Pranverës” erdhi si premierë e mbyllur në Teatrin Kombëtar të Kosovë, shkruan KultPlus.

Masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë bëri që shfaqja të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik. Ndërsa publiku i gjerë nuk pati fatin ta shohë.

Por, kësaj pritje i erdhi fundi. Teatri Kombëtar i Kosovës hapë dyert për publikun pas një pauze disa mujore me premierën e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës” e cila vjen në bashkëpunim me Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet.

Më 5 tetor, në ora 20:00, shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” nga autori Frank Wedekind e me regji dhe adaptim të regjisores Zana Hoxha do të ja kthej gjallërinë teatrit edhe pse numri i ulëseve është i kufizuar.

Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjëve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjët tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati mirëpo solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë kosovare.

Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.

Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

Kujtojmë që para pak ditësh shfaqja “Zgjimi i Pranverës” u vlerësua si “Shfaqja më e mirë”, duke u shpërblyer me çmimin “Grand Prix”, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali.

Juria ka vlerësuar shfaqjen për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellur një “drejtim të ri” të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e “teatrit total”, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës./ KultPlus.com

Shembja e Teatrit Kombëtar, Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Metës për gjykim

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shqyrtojë ankimimin që Presidenti Ilir Meta i bëri vendimit të Këshillit të Ministrave, për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Kjo kërkesë është bërë më 14 maj, ndërkohë që shembja e godinës së Tetrit Kombëtar u bë 3 ditë më pas, më 17 maj.

Tashmë është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse kalimi në pronësi të Bashkisë i godinës së teatrit është i ligjshëm ose jo, e po ashtu edhe shembja e godinës që pati kundërshtime të forta, raporton abc.

Presidenti më parë, është shprehur se godina e teatrit është pasuri kombëtare dhe ndryshimi i pronësisë, sipas tij, ka qenë i paligjshëm.

Kjo është kërkesa e dytë që është çuar në Kushtetuese nga Presidenti Meta për teatrin kombëtar pas ligjit të posaçëm për shembjen e godinës.

Këto dy ankimime do të shqyrtohen në momentin që Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale.

Teatrot e Kosovës falënderojnë qytetarët për shoqërimin virtual gjatë kohës së pandemisë (VIDEO)

Gjatë kohës së pandemisë, për dy muaj rresht, teatrot e Kosovës ofruan shfaqje online për qytetarët, me qëllim që t’ua lehtësojnë kohën e izolimit, shkruan KultPlus.

Përmes një videoje në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës në facebook, ata kanë falënderuar qytetarët për shoqërimin gjatë kësaj kohe të vështirë.

“Për dy muaj pandërprerë gjatë pandemisë, teatrot e Kosovës ofruan shfaqje teatrore online për qytetarët e Kosovës, dhe jo vetëm.
Falenderojmë gjithë ata që duke shikuar shfaqjet, edhe pse virtualisht, ishin së bashku me aktorët dhe teatrot tona.
Falenderojmë të gjithë ata që me mesazhe dhe komente na përkrahën dhe na falenderuan.
Ne, Teatrot e Kosovës, gjatë këtyre dy muajve të vështirë përmbushëm detyrën dhe obligimin tonë ndaj publikut, me shpresë se u kemi bërë më të lehtë karantinën.
Njëkohësisht, bëjmë thirrje organeve kompetente, në veçanti IKSHP dhe Ministrive të Shëndetësisë dhe Kulturës, të bëjnë të mundur hapjen sa më të shpejtë të teatrove dhe kinemave të Kosovës duke përcaktuar protokollet përkatëse.
Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përgjithmonë”, shkruhet aty. /KultPlus.com

Gazeta franceze ‘Le Monde’: Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë, një akt barbar i qeverisë

Gazeta franceze “La Monde” i ka kushtuar një artikull rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në artikullin e tyre ata shkruajnë se ky është një akt barbar nga ana e qeverisë:

“Kryeministri shqiptar Edi Rama dërgoi policë dhe ndihmës të tjerë shtetërorë, për të shkatërruar një nga institucionet kryesore të vendit dhe nga ndërtesat e pakta të vjetra në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk lë rast pa nxjerrë në pah karrierën e tij si një artist vizual dhe shijet e tij si piktor. Kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, nga viti 2000 deri më 2011, ai u bë i njohur në botë, për shkak se ndërtesat e ndërtuara në kohën e komunizmit, i pikturoi me ngjyra të shndritshme. Kjo ishte një nga ata punë të tij në kohën që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, që e modernizuan disi kryeqytetin shqiptar.

Mirëpo, të dielën e datës 17 maj, po Edi Rama, por tashmë 55 vjeç, kryeministër që nga viti 2013, dërgoi policë dhe të tjerë persona për të rrënuar një nga godinat më të vjetra dhe më të vyera në qytet, Teatrin Kombëtar. Brenda në ndërtesë kishte një dyzinë artistësh, që kishin rezistuar në protesta për më shumë se dy vjet, por u larguan me forcë nga policia.

“Ata (policët) erdhën në orën 04:15 të mëngjesit. Ne ishim ende rreth 60 persona, kur ata filluan që të ngrenë bull-dorëzin kundër godinës së Teatrit Kombëtar”, thotë regjisori dhe aktori Edmond Budina, një nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Budina është ndër artistët, që rezistoi në protesta kundër prishjes së TK që nga viti 2018.

Ai dhe kolegë të tij u ngritën në protesta, për të kundërshtuar prishjen e godinës, e ndërtuar që në vitin 1940, në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë. Edhe një demonstrim spontan, ku morën pjesë liderë të opozitës, u shpërnda brutalisht.” / KultPlus.com

“Se shembi tërmeti, por pushteti”, këngëtarët nga Zvicra, këngë për Teatrin Kombëtar (VIDEO)

Marco e Dario Zappa janë muzikantë nga Zvicra, prej vitesh të pranishëm me koncertet e tyre në Shqipëri dhe në Ballkan.

Ata i kushtuan një këngë teatrit dhe shembjes së tij me një muzikë dhe tekst prekës, duke përdorur edhe fjalë shqip.

Kënga ka edhe pamje nga shkatërrimi i godinës së Teatrit. Aty shihet aksioni i policisë për të shembur godinën e TK-së.

Ndërsa, në video ka edhe parrulla në mbrojtje të Teatrit. “Nuk e bëri tërmeti, e bëri pushteti”. Ndër të tjera, Zappa shprehet se edhe “unë jam shqiptar”.

“Shuat një qiri që ndriconte qytetin. Përse?”, thuhet ndër të tjera në teksin e muzikës. Më tej, në tekst nënvizohet edhe se “dhuna e një pushteti të kujton të kaluarën”.

Teksti i këngës në origjinal (italisht):

(Sirene)  Intro. Clarinetto

L’avete lasciato pian, piano morire,

l’avete ridotto pian, piano

a un rudere

poi un sabato, la notte,

il colpo di grazia!

Incuranti di tutti quelli

che per ventisette mesi,

ogni sera, ogni notte

hanno creduto, in questo sogno,

il loro cuore che pulsava.   Perché?

La violenza di un potere

che ricorda il passato…

Se  beri termeti,  (Ciò che non ha fatto il terremoto,

E beri Pushteti! lo ha fatto lo stato!)

Avete spento una candela

che dava luce alla città

E ci chiediamo: perché?

Come era bello suonare

in questo splendido teatro,

sì, un po’ vecchio e trasandato,

ma vero, caldo e molto amato.

Avete distrutto una storia,

soffocando ogni speranza.

Perché?   Perché?   Perché?…

La violenza di un potere

che ricorda il passato…

Se  beri termeti,  (Ciò che non ha fatto il terremoto,

E beri Pushteti! lo ha fatto lo stato!)

Avete spento una candela

che dava luce alla città

E ci chiediamo: perché?

Violino SOLO

Une JamTeatri!         (Io sono il teatro!)

Une Jam Shqiptar, (Io sono Albanese!)

Avete spento una candela

che dava luce…

che dava luce alla città!

Corno SOLO   +  sirena

Perché? Perché? Perché?…

Clarinetto SOLO

L’avete lasciato pian, piano morire,

l’avete ridotto pian, piano a un rudere

poi un sabato, la notte,

polizia e bulldozer!

Incuranti di tutti quelli che…

ogni sera, ogni notte,

hanno creduto, in quel teatro,

in quel cuore che pulsava.

Avete spento una candela!

Avete spento una fiamma!

Che dava vita a tutti… noi!

(Sirene Corno)

Rama: Projekti origjinal i Teatrit do të ndërtohet diku tjetër, me funksion tjetër

Projekti origjinal i Teatrit Kombëtar, do të ndërtohet diku tjetër dhe do të ketë funksion tjetër.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama teksa iu drejtua nostalgjikëve të godinës së Teatrit Kombëtar, duke thënë se projekti origjinal do të ndërtohet diku tjetër.

Në fjalën e tij në Parlament ai deklaroi se godina e Teatrit Kombëtar nuk është fëmija i ligjshëm i autorit italian, por bastard i një marrëdhënie mes autorit dhe autores, “që ishte lufta fashiste që duhej ushqyer me para dhe grurin e mbjellë në parqet e Tiranës”.

Ai deklaroi se ishte vepër e mbretërisë, po, u nis, u ndërpre nga lufta dhe vepra për këtë arsye kurrë nuk u konsiderua as nga regjimi i vjetër as nga të gjitha ekspertizat si e denjë për t’u futur në listën e monumenteve.

“Kam një lajm të mirë por nuk do ua jap të plotë. Meqë godina nuk u ndërtua kurrë dhe meqë ka jo këta, se këta as duan ta dinë për godinën, por ka njerëz që më kanë bërë të reflektoj në këtë situatë për një mangësi për një mungesë boshllëk, apo lëndim. Ne do ta marrim projektin origjinal dhe do ua rikthejmë, jo aleancës për politikën me teatrin, jo artistëve dhe artistëve politikanë atje, por do ua rikthejmë fëmijëve, si pjesë e një programi më të madh, dhe përputhen gjërat dhe do ta kemi mes nesh, jo atyre dhe jo teatër, për më shumë do ta shikoni dhe atëherë do të shikojmë pelegrinazhin te ajo godina”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë bëri me dije se aty do të shkojnë vetëm fëmijët dhe mësuesit e tyre për t’u mësuar, vizitimin, aktrimin, muzikën dhe për t’u treguar se çfarë ka qenë Tirana më parë.

Rama ironizoi duke thënë se “Edhe këta kur të marrin vesh se është diku tjetër do të mërziten dhe do të thonë mjaft tani”. ai. /noa.al / KultPlus.com

Pamje të rralla të Teatrit Kombëtar, atëherë kur quhej “Savoy” (FOTO)

Studiuesi Aurel Plasari, ka sjelle detaje dhe foto interesante nga historia e Teatrit Kombëtar, godina e të cilit u shemb më 17 Maj. Pse duhet gënjyer- pyeti Plasari në një intervistë në emisionin “Opinion”, ku solli elementë të historisë së godinës, që u projektua që në vitin 1938, pikërisht për qëllime artistike dhe kulturore.

“Flitet për projektin e themelimit të rrethit italo- shqiptar “Skënderbeg” nga mbreti Zog në vitin 1938. Është krijuar një komision, një status dhe po hidhen përvijimet e projektit. Njoftimi i përurimit është në 31 Maj 1939. Vendimi thotë për të promovuar bashkëpunimin kulturor, artistik, shkencore etj, midis dy vendeve. Konceptimi ishte dy seksione.


Seksioni a iu kushtua kryesisht kinemasë, teatrit dhe muzikës. Ishte dhe seksioni shkencorë. Në seksionin shkencor u vendos Instituti i Studimeve Shqiptare, themelimi i studimeve albanologjike në Shqipëri, i trashëguar në ‘46 edhe nga institutet që u krijuan nga regjimi tjetër”, tregoi Plasari, ndërsa bëri me dije, se arkitekti Xhulio Berte në atë periudhë ishte vlerësuar për prirjen e tij futuriste.

Më tej, ndërsa sjell edhe imazhe krejt të veçanta të ambienteve të brendshme të teatrit, Plasari kujton edhe pllakat e mermerit në kombinim e ngjyrës së kuqe dhe të zezë.

“Seksioni i dytë ishte klubi i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, ka një zonë për kafe dhe një zonë ku lexohen gazetat. Në mes të dy godinave dhe në fund ishte një palestër bashkëkohore. Dyshemeja ka qenë me pllaka mermeri të kuqe dhe të zeza”, tregoi Plasari.

Në rrëfimin e tij, historiani mohoi faktin e artikuluar së fundi se teatrit i mungonte gardëroba, dukë bërë të ditur që ajo ndërtesë ka qenë e pajisur edhe me gardërobë. / KultPlus.com

Teatri nuk ka qenë në listën e monumenteve të kulturës, PD e hoqi nga lista në vitin 2007

Teatri Kombëtar i Shqipërisë nuk ka qenë në listën e monumenteve të kulturës.

Madje, në vitin 2007, ministri i Kulturës së qeverisë Basha asokohe, Bujar Leskaj, nuk e ka future as në listën e monumenteve të kulturës, kurse ekspertët e Institutit të Monumenteve të Kulturës atë vit e kanë cilësuar godinën e Teatrit si një “godinë pa vlera”.

Sipas këtij dokumenti, në listën e gjatë me 108 godina, janë përfshirë si monumente kulture edhe klinika mjekësore, ndërsa Teatri Kombëtar për kryeministrin Basha, zv. Kryeministrin Ilir Meta, si dhe për ministrin e asaj kohe Lulzim Basha, nuk meritonte të ishte në listën e monumenteve të kulturës.

Pra, nëse Teatri Kombëtar do të ishte future në listën e Monumenteve të Kulturës, sot objekti i tij nuk do të ishte shembur, ose nuk do të ishte shembur kaq lehtë aga autoritetet. / Gazeta Tema/ KultPlus.com