Letra më e bukur e dashurisë që Agron Tufa i dedikon gruas së tij

Vanushja ime e shtrenjtë, është një orë e pazakontë për të shkruar dhe, akoma më e pazakontë, për të shkruar një letër për ty. Rëndom, me shtimin e fëmijëve dhe rritjen e tyre, vendin e dikurshëm të letrave tona e zunë mesazhet operative në celular – lista monokolonë porosish për tranguj, domate, karota, bukë, ilaçe, pije e ushqime të tjera – të vetmet “pusulla dashurie”. Ora po i afrohet katrës së mëngjesit. Bëra kontrollin e zakonshëm në dy dhomat ku flenë fëmijët tanë: si gjithmonë, jorgani ka shkarë ose e kanë hedhur mënjanë. Qesin shqelma përgjumësh ata… se s’bën… Tërë shtëpia jonë, me pikëzimet e buta shumëngjyrëshe të dritave zbukuruese të festave të fundvitit kundërmon gjumë të thellë dhe ëndrra. Konturet e orendive, edhe ato të tulatura në përgjumje, ngjajnë si ndoca magë të përralltë. Është bash ora kur shfaqen ëndrrat “profetike”.

Temperatura ka zbritur në 12 gradë. Por kam ndezur oxhakun tashmë. I pastruar nga hiri, brenda xhamit të oxhakut përpëliten e kacafyten gjela flakësh të vrullshme. Shpejt nxehtësia do të thithet nga dhomat ku flini ju, temperatura do të ngrihet, ndërsa unë do të ruaj zjarrin, ta mbaj gjallë, derisa fëmijët të ngrihen si të pirë nga gjumi, me sytë plot sklepa. Tani që po të shkruaj, jashtë po bie sërish dëbora që pati nisur në mbrëmje. E vetmja, e rralla, dëbora e sivjetshme, qe si një shpërblim bujar për fëmijët, që na luteshin, na përgjëroheshin t’i çojmë në Dibër (sidomos Shendi) këto ditë të zgjatura e të detyruara pushimesh. Nesër i nxjerrim sërish “të dehen” me bardhësinë e butë, përpara se ajo të shkrijë. Vanushe e dashur, Teksa vërtitem si një shaman mes “perandorisë” sonë të vogël, të përpirë nga gjumi, ndiej se sa vështirë do ta kemi, sa gjatë, dhe sesa varet ajo prej nesh. E qetë dhe e shqetë, gazmore e problematike, çlodhëse e acaruese, shpërblyese e sizifiane, kjo “perandoria” jonë e vogël na i përpin, në fakt, na i thith e i shteron energjitë tona çdo ditë, por ama, dashurisht, mallëngjyeshëm, “me pambuk”. Epo, me sa duket, zemër, kjo është Jeta, me gjasë, e zhveshur nga metafora e për të cilën, dëgjova mbrëmë nga një film të thuhet një frazë patetike e kuazifilozofike: “Jeta është luftë dhe varet se cilin ke zgjedhur në krah për ta përballuar”.

Me siguri, ti do të kishe prishur buzët me tallje, por unë po abstragoj nga forma për hir të thelbit të saj të vërtetë. Sa për meditim. Të kujtohen kohët e para të lidhjes sonë? S’kishim asgjë, përpos vetes tonë. Nga tarraca e kafe-restorant “Begeja” (ka qenë pranverë e vitit 2002), duke kundruar panoramën që hapej, me një pyll të lartë e të dendur pallatesh, të thashë: – A s’të vjen çudi, Vanush, që nga këto mijëra e mijëra pallate, në asnjërin prej sosh nuk ka një apartament tonin? Dhe përgjigjja jote: – …Po nga gjithë ky lumë i pandërprerë makinash, atje poshtë, s’të duket çudi, që asnjëra s’është e jona? Tani i kemi të gjitha këto dhe kjo habi nuk është më aktuale.

Tani, të zhytur kokë e këmbë në një realitet tjetër, merremi jo me artin e habisë, por të harmonizimit të situatave, artin e kontrollit të tyre, ruajtjen e ekuilibrit të njëri-tjetrit në rrethrrotullimin marramendës të ditëve të ngarkuara me kundërgoditje. …Si atëherë kur ty të kosit lodhja e shembesh në divan. Si atëherë kur të gjej pasmesnate në studio, me kokën e fjetur, rrëzuar mbi tastierë. Si atëherë kur të gjej të dëshpëruar e të pafuqishme nga shkumëzimi i panënshtrueshëm i fëmijëve në orën e tyre të marrëzisë. Na duhet të përsosim një art, kryesisht fashitës, zbutës, shtensionues midis egove të brishta e lehtësisht të cenueshme të fëmijëve tanë. Të vegjlit janë kokëngjeshur, të egër, bishëza të vogla, të dashura, acaruese, të dhembshura.

Na duhet, veç të tjerash, të shpikim, të përftojmë përvjedhtazi edhe romantikën tonë. Le të vazhdojmë t’i dërgojmë njëri-tjetrit mesazhe të fshehta: “Ke mundësi me u përvjedhë, pa rënë në sy, sa për një takim 10 minutësh në kafe, poshtë pallatit?”. Dhe sigurisht, për 10 minuta, perandoria jonë e vogël nuk kanoset të shembet nga kryengritjet e rebelimet e brendshme. Atje, midis tyre, e dimë, nuk e sosim dot deri në fund asnjë fjali nga ndërhyrjet e shumta. E ke menduar? Kjo ka ndikuar, me sa duket, në stilistikën e komunikimit në shtëpinë tonë: e ke vënë re që te ne flitet me fjali të shkurtra, njërrokëshe, imperative? Na duhet të sajojmë truke të reja…

Habitem, Vanush, si fluturuan kështu 15 vite të jetës sonë familjare. Më duket si të ishte dje. Sikur ende nuk e kemin filluar atë më të madhen, kulmin, të qenët i ngopur me ty… dhe ti je po aq e mrekullueshme, po aq e freskët, po aq e bukur dhe shpirtërore, sa në njohjen tonë të parë, kur unë nuk ngopesha duke të parë, derisa thashë atë frazën profetike: “Ti ke fytyrën e nuses sime të ardhshme…!” Me ty ia vlen, Vanushe… me ty i dilet mbanë kudo dhe kurdo.

Agron Tufa 11 janar 2017

Sonte në “Rockuzine” grupi “Këpurdhat” nga Tetova

Grupi “Këpurdhat” nga Tetova do të bëjnë sonte promovimin e albumit të tyre më të ri, shkruan KultPlus.

“Rockuzine” është vendi i zgjedhur i grupit “Këpurdhat,” të cilët do ta bëjmë promovimin e albumit të dytë të titulluar “n’trip”.

“Këpurdhat” është formuar në Tetovë në vitin 2013 dhe deri më tani përveç dy albumeve ,kanë fituar edhe dy çmime të veçuara ndërkombëtare si bandi indie/rock më i mirë.

“Këpurdhat” kanë qenë pjesë e shumë festivaleve në rajon, duke përfshirë edhe
EXIT Festival, Pivolend, Beer&Wine, Anibar, Green Fest etj.

“Rockuzine”, në Prishtinë ka njoftuar për KultPlus, se “Këpurdhat”, është bendi i radhës, pas “Urband band” që do të perfomojë para audiencës së këtij restauranti. Performanca e tyre fillon nga ora 21:00. / KultPlus.com

Alketa Xhafa-Mripa, folëse në TEDxTirana (Foto)

Alketa Xhafa-Mripa është një artiste bashkëkohore kosovare me banim në Londër, Britani e Madhe. Ajo ka përfunduar studimet në “Central Saint Martins” dhe Histori të Artit në “Tate Modern”, Londër.

E ardhur si studente në Londër, Alketa u kthye në refugjate kur shpërtheu lufta e Kosovës 1998-1999.

Që atëherë ajo ka shfaqur punën e saj në ekspozita në mbarë Evropën, duke përfshirë Berlinin, Londrën, Italinë, Portugalinë dhe Kosovën e saj të lindjes, ku ajo fitoi njohje më të gjerë për instalimin e saj artistik ‘Thinking of You’.

Arti i saj vjen nëpërmjet formave të ndryshme si filmave, instalacioneve, pikturave dhe fotografive, gjithnjë duke promovuar pavarësinë e gruas dhe duke kthyer vëmendjen në sjelljet redukcioniste të shoqërive shtypëse.

Në punën e saj të tanishme, të titulluar ‘Refugees Welcome’, Alketa kërkon të rikrijojë ndjenjën e mikpritjes që ajo vetë përjetoi si refugjate në Britani të Madhe.

Ndërkaq sot, që nga ora 17:30 ajo pritet të jetë pjesë e TEDxTirana2017, tek Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, ku do të marrë pjesë si folëse. / KultPlus.com

Ura e Vokopolës në rrethin e Beratit edhe si destinacion turistik

Ura e Vokopolës është ndërtuar mbi përroin e Çorogjafit dhe lidh Vokopolën me fshatin Tërpan.

Ura përbëhet nga harku kryesor segment rrethi dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.

Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët.
Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm. Në pjesën qëndrore më të lartë të urës, për sigurimin e kalimit të kalimtarëve është ndërtuar një parapet guri me gurë pllakë vendosur këlliç me kollona të ikastuara në qemer çdo 50 cm.

Qemeri është me dy rreshta dhe arrin trashësinë 125 cm, kalldrëmi i urës është ndërtuar me gurë pllakë të zinj.

Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit, dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. Degëzimi i cili lidhte Beratin me Tepelenën kalonte nëpër këto fshatra; Vokopolë-Çorgjaf –Rehovë -Qafa e Gllavës-Luftinjë-Memaliaj./ KultPlus.com

Kate Winslet nderohet me çmimin “Actor Inspiration Award”

Kate Winslet, është një inspirim për shumë njerëz dhe tani ka ardhur koha që ajo të nderohet për këtë gjë.

Fituesja Britanike e çmimit Oscar, do ta pranoj çmimin special “Actor Inspiration Award” të cilin e ndanë shoqata e aktorëve në Hollywood. Ky shpërblim ka për qëllim ta nderoj karrierën e saj disa vjeçare si dhe angazhimin e përshkushtuar të aktores në çështjet e bamirësisë.

Çmimi do ti ndahet Winslet-it më 9 nëntor, në qendrën e Artit Performues “Wallis Annenberg” në Beverly Hills. / KultPlus.com

Rihanna sjellë produkte të reja të kozmetikës

Qendra e kozmetikës nga Rihanna “Fenty”, ka sjellë produkte të reja të kozmetikës.

Gjatë ditës së sotme, Rihanna ka njoftuar se kanë dalë 40 lloje të nuancave të sherkut të cilat i japin shkëlqim fytyrës.

“Fenty Beauty është krijuar për të gjitha llojet e lëkurave, personaliteteve të grave, kulturave dhe racave”, ka shkruar Rihanna, duke shtuar se dëshiron t’i përfshijë të gjitha femrat në kozmetikën e saj. / KultPlus.com

E konfirmuar, Tina Turner po kthehet me projekt të ri

Në West End në Londër, në prill të vitit 2018 do të prezantohet premiera botërore e mjuziklit që është bazuar në jetën dhe hitet e këngëtares së famshme Tina Turner, shkruan KultPlus.

Ky konfirmim ka ardhë edhe nga faqja e saj zyrtare, ku ka treguar për emocionet e saj mbi këtë rikthim, e cila ka vlerësuar se për të është shumë e rëndësishme që të ndajë me audiencën, komplet rrëfimin e saj. Poashtu Tina Turner është shprehur të jetë shumë e lumtur për faktin se kjo ngjarje do të ndodhë pikërisht në Londër, në vendin që ka një rol shumë të rëndësishëm për vetë Tina Turner. “Premierë botërore e mjuziklit tim të ri”, ka shkruar Tina Turner. Shitja e biletave tashmë do të fillojë në muajin shtator.

Mjuzikli i Tina Turner do të nisë me mbrëmjen për shtypin më 17 prill, kurse mjuziklli do të prezantohet më 21 mars, kurse ky projekt është rezervuar fillimisht deri më 16 qershor./KultPlus.com

I fashitin ëndrrën se kishte “biografi të keqe”, Teatri Operas humbi një nga zërat e parë të tij

Zë, fuqi, dashuri, dëshirë, pasion e një shpirt i madh mëshirohen në vetëm një njeri, të madhen Marie Kraja, sopranon e madhe që ka dalë nga gjiri i këtij vendi të vogël.

Marie Kraja njihej për potencialin e pazakontë që kishte, por kjo nuk e ndaloi Sigurimin e Shtetit që ta largonte nga dashuria e saj, muzika, e ta përndiqte për shkak të biografisë së saj “të keqe”.

Megjithatë le të hedhim një sy se kush ka qenë në të vërtetë Marie Kraja dhe cilat kanë qenë veprimtaritë e saj dhe “krimi” që bëri me të cilin u dënuar përjetë. Si fillim Marie Kraja ka lindur më 24 shtator 1911 në Zarë të Dalmacisë dhe ka vdekur në Tiranë më 21 nëntor 1999.

Në moshën 6 vjeçare, familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë.

Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.

Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri më 1938 ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon si mësuese muzike në Institutin Nëna Mbretëreshë. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni.
Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para.

Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj.

Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.

E pavarësisht gjithçkaje, do vinte një moment që Maria nuk mund të vazhdonte më që të ishte aty, në majat e artit operistik, për shkaqe “të mëdha” të kohës. Një grup shkresash tepër rezervat të vitit 1951 zbulojnë fillesat e përplasjes së regjimit komunist me sopranon Marie Kraja dhe një varg artistësh të tjerë themelues të artit lirik e instrumental në Shqipëri, të cilët një nga një do t’i zhduknin nga skena e operas dhe baletit.

Artistja virtuoze vihet në kryq për t’u spastruar nga Filarmonia, për shkak të familjarëve të saj, biografia e hollësishme e të cilëve ishte hartuar nga drejtoritë e Sigurimit të Shtetit dhe regjimi i kishte shpallur armiq e bashkëpunëtor të nazizmit.

Edhe pse Marie Kraja sipas tyre kishte qenë thjeshtë indiferente dhe nuk e kishte simpatizuar Lëvizjen Nacional Çlirimtare e më vonë indiferente ndaj regjimit komunist dhe pa veprimtari armiqësore, sërish ishte një element që duhej spastruar.

Detyra për të hartuar biografitë e hollësishme për një listë të gjatë artistësh, i jepet Sigurimit të Tiranës nga kryetari i Komitetit të Arteve, Foto Stamo.

Sipas shkresës së 7 korrikut të 1951, me shënimin “Rezervat” që Foto Stamo i dërgon Sigurimit, njoftohet se, së afërmi me 17 korrik do të bëhej një mbledhje ku do të raportohej për të gjithë elementët e asaj liste, e cila kryesohej nga Marie Kraja.

Në shkresë Foto Stamo porositi që punonjësit e sigurimit të vijnë të përgatitur. Në listë përveç Marie Krajës rreshtohen emrat: Lek Tasi, Fatbardha Tatzati, Zef Gruda, Tonin Harapi, Haki Bejleri, Tonin Guraziu, Aleko Kareco, Mateo Guralumi, Nik Guralumi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Flora Kallajxhi, Vilhelm Konjari, etj…

Urdhri i dalë nga Komiteti Qendror i PPSH-së ishte që një pjesë e tyre të pushoheshin sapo të shihej e mundur, një pjesë që ishin të pazëvendësueshëm, të zëvendësoheshin pas 5 ose 7 vjetësh (duke nënkuptuar zbulimin dhe edukimin e një artisti të ri që mund ti zëvendësonte) dhe një pjesë e këtyre artistëve më të rinj në moshë, vendosen të mbahen nën survejim e të edukohen për t’u vënë në rrugë të mbarë.
Më poshtë do mund që të lexoni arsyet që janë dhënë për pushimin e Marie Krajës, duke vendosur një afat prej 7 vitesh deri në zëvendësimin e saj.

Pjesë nga dokumenti

Këtu poshtë po ju përshkruajmë elementin që mendojmë të pushohen, elementin që mendojmë të largojmë me zëvendësim dhe elementin që me punë edukative do të bëhen të vlefshëm.
Marie Ndue Kraja: Artiste lirike pushohet për mungesë garancije për këto arsye: gjatë okupacionit, gjithë familja e saj ka bashkëpunuar me armikun e kanë urryer luftën e popullit dhe kanë propaganduar kundra saj. Babai saje ka qenë bashkëpuntor i nazistave, vëllai ka qenë spiker në stacionin nazist në Gjermani. Në fund të vitit 1944 familja arratiset.
Qëndrimi i saj gjatë okupacionit ka qenë indiferent, nuk e ka simpatizuar lëvizjen NÇL. Ka punuar në Radio Tirana dhe ka dhënë koncert në Firenze, në Bari. Qëndrimi i sotshëm është indiferent nuk ka veprimtari armiqësore. Punën që i është ngarkuar e ka kryer, ka realizuar planin… (Marrë nga Shqiptarja.com) / KultPlus.com

Don Fatmir Koliqi propozon “Një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, që do të lidhte Prishtinën, Prizrenin, Letnicën e Shkupin

Don Fatmir Koliqi ka dhënë një intervistë për AgenSir në Itali, me rastin e shugurimit të Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë, i cili ka treguar edhe për gatishmërinë për pritjen e shtegtarëve nga e gjithë bota, përcjellë KultPlus.

Nga AgenSIR

Shenjtërorja e kushtuar Shën Nënë Terezës në Prishtinë do të jetë e gatshme t’i pranojë shtegtarët nga e gjithë bota: “Do të jemi të gatshëm t’i pranojmë shtegtarët me gëzim dhe me dashurinë e Nënë Terezës. Populli ynë njihet tashmë gjithandej për mikpritje” – shpjegon famullitari Don Fatmir Koliqi, për AgenSir, përcjellë KultPlus.

“Jemi duke i shqyrtuar – vazhdon të shpjegoj Don Fatmiri – modalitetet, përmbajtjen dhe veçoritë që do të mund t’i ofrojmë shtegtarëve. Për Kishën tonë nuk do të jetë e vështirë t’i ushqejmë besimtarët me përshpirtërinë e Nënë Terezës, sepse i përkasim të njëjtit gjak. Shtegtarët që do të na vijnë në Shenjtërore do të mund të njihen me rrënjët, familjen dhe kulturën e Nënë Terezës, ku ajo ka jetuar për 18 vite”.

Don Fatmiri ka idenë për të propozuar “një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, i cili do të kalonte prej Prishtinës, nëpër Katedralen e Prizrenit, vend i prindërve të Shenjtës, një vend historikisht i pasur me përshpirtëri, arkeologji të krishterë, me kulturë, me dialog ndërfetarë dhe ekumenizëm. Pastaj, ky rrugëtim do të kalonte te Shenjtërorja e Letnicës, ku Nënë Tereza kishte vendosur për t’u bërë misionare në shërbim të të varfërve, e do të përfundonte në Shkup, në vendin e lindjes së saj.
Kjo Shenjtërore në Kosovë, – vazhdon famullitari – do të ketë detyrë primare të dëshmojë ungjillin e Jezusit për “të jetuar si paraardhësit tanë, duke e dëshmuar bukurinë e fesë sonë”. Në “periudhat e vuajtjeve të mëdha”, gjatë okupimit otoman dhe komunizmit “Kisha jonë ka qenë shtyllë mbrojtëse për popullin tonë, në të gjitha kuptimet”. Sot kosovarët “janë në kërkim për t’i ri-gjetur rrënjët e tyre të krishtera, që të parët e tyre i kishin humbur gjatë shekujve. Do të jemi afër me ta në mënyrë të veçantë e do t’iu ndihmojmë ta ri-përqafojnë fenë e etërve të tyre. Nënë Tereza, bija e popullit tonë, do të jetë personi kyç në këtë ecje të fesë”. /KultPlus.com

Kujtohet shkencëtarja e parë shqiptare Sabiha Kasimati

Është përkujtuar sot shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati, në 105-vjetorin e lindjes. Në këtë përvjetor, familjarët e Kasimatit kanë marrë dosjen e saj të plotë nga Arkivi i Shtetit.

Sabiha Kasimatit (1912-1951), biologë dhe punonjëse shkencore, lindi në Edrene (Adrianopol) të Turqisë Evropiane, në një familje nga Libohova. Më 1927 u kthye familjarisht në atdhe, u vendos në Korçë, dhe kreu Liceun Kombëtar. Punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në shkollën e mesme bujqësore amerikane të Kavajës (1931-1936).

Më 1936 filloi studimet e larta për biologji (dega e iktiologjisë) në Universitetin e Torinos. Më 1941 mbrojti doktoraturën dhe u kthye në atdhe. Punoi si mësuese e biologjisë në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë (1941-1945). Gjatë vitit 1945 qëndroi për kurim në Torino. U kthye në atdhe dhe filloi punën si kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve që me themelimin e tij (1946), ku u morr me studimin e peshqve të Shqipërisë. Botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi. Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951.

Javën e ardhshme, Muzeu Historik Kombëtar, në veprimtarinë periodike “Një pasdite në muze!” do t’ja kushtojë Sabiha Kasimatit, një nga femrat intelektuale më të shquara shqiptare, shkencëtare e nivelit të lartë, dhe jo vetëm. / KultPlus.com

Rita Ora reklamon të brendshmet e markës amerikane (FOTO)

Rita Ora ka kohë që nuk e kemi parë në ndonjë koncert, por kjo nuk do të thotë që nuk është e kërkuar.

Këngëtarja shqiptare po është e angazhuar edhe në reklamime të markave të ndryshme.

Ajo së fundi ka publikuar reklamën e radhës të cilën e ka bërë për markën e famshme të veshjeve të brendshme, “Tezenis”.

Rita duket tejet seksi dhe atraktive në veshjet e markës së njohur të të brendshmeve.

Ndryshe, Rita është duke punuar edhe në projekte të reja muzikore, të cilat do t’i publikon gjatë muajve të ardhshme. / KultPlus.com


Të dielën, sheshi i Buenos Aires do të kumbojë me zërin e Ermonela Jahos e Saimir Pirgut

Ermonela Jaho e Saimir Pirgu kanë shijuar ngohtësinë e publikut të Buenos Aires në Argjentinë, me rastin e prezantimit të premierës së shfaqjes operistike “La Traviata”, premierë që është dhënë më 12 shtator, por artistët shqiptarë nëpërmjet performancës së tyre artistike, emocionet e kësaj shfaqjeje do ti përcjellin përtej Shtëpisë Operistike të Buenos Aires, shkruan KultPlus.

Të dielën, atëherë kur edhe shënohet 160 vjetori i themelimit të Teatrit Colon, kjo shfaqje me protagonistë shqiptarë do të transmetohet direkt edhe në sheshin Vatikan të Buneso Aires.

Ndërkohë, pas dhënies së kësaj shfaqjeje direkt edhe në sheshin e Buenos Aires më 17 shtator do të ketë edhe një reprizë të radhës, atë të 19 shtatorit, shfaqje kjo që është duke u mirëpritë mjaftë shumë nga audienca argjentinase. /KultPlus.com

Mimoza H sjellë këngën “Well of Melodies” (VIDEO)

Një tjetër emër shqiptarë që po ngritet në skenën ndërkombëtare të muzikës është edhe kantautorja Mimoza H e cila jeton dhe vepron në Kanada, shkruan KultPlus.

Mimoza H, sapo ka lansuar edhe këngën e saj më të re të titulluar “Well of Melodies”, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë.

Kjo këngë vjen bashkë me një videoklip shumë interesant. Pritet të shihet suksesi i kësaj këngë në ditët në vazhdim.

Kujtojmë që këngëtarja shqiptare Mimoza H gjatë muajit gusht ka kënduar në një emision në radion e njohur kanadeze CIBIL, këngën e njohur shqipe “Dada do ta shes”. / KultPlus.com

Aktori Reshat Arbana feston sot 77 vjetorin e lindjes

Aktori i teatrit dhe filmit, Reshat Arbana, është një nga aktorët me popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963. Ai lindi më 15 shtator 1940 në Tiranë.

Ndër rolet më të spikatura në film Samiu tek “Fije që priten” 1976, Prefekti tek “Gjeneral gramafoni” 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje” 1979, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë” 1982, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë” 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas” 1985, Aliu tek “Binarët” 1987, Emili tek “Rikonstruksioni” 1988, Kuke Memini tek “Balada e Kurbinit” 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes në këmbë” 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës” 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.

Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën Streha e të harruarve.

Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”

Më 26 Nëntor 2011 në koncertin “Nëntori II” organizuar në kuadrin e javës së kulturës shqiptare me rastin e 99 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata shqiptare në Parma të Italisë “Scanderbeg” i dorëzoi çmimin [“Skënderbeu – Diaspora shqiptare në Itali”] zotit Reshat Arbana të akorduar në emër të 24 shoqatave dhe subjekteve në Itali me motivacionin:Për personalitetin e jashtëzakonshëm, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori, ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin dhe kulturën që e karakterizon përherë. Çmimi ju dorëzua nga përgjegjësi i organizimit të shoqatës “Scanderbeg Parma” zoti Durim Lika. / KultPlus.com

Gjok Beci, mirditori që krijoi kryeveprat e muzikës shqiptare

Dashuria për poezinë është e madhe tek ata njerëz që lindin me të në shpirt dhe ajo bëhet udhëtare e jetës së tyre. Një nga ata njerëz, lirikat e së cilit ruhen thellë në kujtesën tonë janë edhe ato të mirditorit Gjok Beci.

E kush mund t’i harrojë këto vargje të këngës të kënduar nga legjendarja Vaçe Zela “Rrjedh në këngë e ligjërime”:

E i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngës lugjeve i përcjell.
E i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt në agime
dhe naganti i shqiptarit zjarr flakëron!

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!

E i fortë po bien ai terr
dhe lahuta tingujt mi çon larg,
i përcjell.
E i forte po bjen ai terr,
partizanët nëpër mend mi sjell,
po mi sjell.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe krisma e shqiptarit rrjedh
brez më brez.

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!

Dikush thotë është poeti më i madh epik i kohës tonë; dikush tjetër thotë vjen pas Fishtës, për sa i përket shpirtit dhe fuqisë poetike të fjalës, etj. Ndërsa të gjithë e njohin Gjok Becin si poetin e madh të këngës në përgjithësi dhe të këngës popullore në veçanti.

Gjok Beci, i biri i Gjinit dhe i Marës, ka lindur më 30 korrik 1939, në Zajs të Selitës (Mirditë). Sot banon në Tiranë. Është babai i 5 fëmijëve. Karriera e tij ka nisur si mësues, në vitin 1955 në Mirditë, gazetar në Radio Gjirokastra, në vitet 1960-1967, për t’u kthyer përfundimisht përsëri në Mirditë duke kryer detyrën e Drejtorit të Bibliotekës Së Shtetit të këtij rrethi, Për vitet 1967-1974.

Në vitin 1974-1979, e dënojnë me largim nga veprimtaria administrative, duke e detyruar me “punë korrektonjëse”. Kështu, Gjok Beci, Për rreth pesë vjet me radhë u detyrua të bënte punë të rëndomta në Ndërmarrjen e Ndërtimit, Rrëshen.

Në vitet 1979-1985, Drejtor i Shtëpisë së Kulturës Rubik dhe nga vitin 1985 e deri në vitin 1992, ka kryer detyrën si Drejtor i Qendrës Së Kulturës, në Rrëshen.

N.q.s. ne themi se Mirdita ka pasur një Ansambël Folklorik me emër në Shqipëri e nëse themi se “Grupi i Burrave” të Mirditës ishte i nderuar me shumë çmime të para në festivalet folklorike kombëtare, gjithkush kujton se në themelet e sukseseve të tyre është kontributi i pazëvendësueshëm vepra e poetit dhe e “Udhëheqësit të vërtetë artistik”, Gjok Beci.

Ky personalitet, unik i Mirditës, por me një emër të madh në të gjithë vendin, krijues dhe realizues, në Ansamblin Folklorik “Mirdita”, për vitet 1967-2003, Gjok Beci është fort i njohur edhe si redaktor dhe pjesëmarrës në 18 festivale të Këngës në Radio-Televizion.

Natyrisht, ajo ç’ka e bëri Gjok Becin të veçantë nga artistët e tjerë, me vlerë të pakonkurrueshme, nuk ishte e fituar në shkolla e në kurse të ndryshme, por ishte dhuruar prej natyrës.

Talenti i jashtëzakonshëm poetik, ishte natyrale e ambientit gjenetik dhe kulturor të Mirditës – “Arbërisë së Mbetur”.

Me rastin e botimit, vëllimit poetik “Antologji e Shpirtit” e Gjok Becit, kritiku dhe studiuesi i njohur mirditas Ndue Dedaj, në vlerësimin që bën për poezitë e shkruajtura nga Gjok Beci, ndër të tjera shënon:

“…Kur lexuesi shfleton këtë libër, thuajse çdo këngë i bashkëshoqërohet një tingujt muzikorë si: “Një zambak i bardhë në gur “Rrjedh në këngë e ligjërime të kujton kadencën e lartë të këngës himn, të Mentor Xhemalit “Për ty Atdhe”, “Zëri im …Shqiptaria “Për liri s’të fal shqiptari”, “Si vendlindja, jo nuk ka”, “Dasma e Kanzber Loshit”, “Këngë për Nënë Terezën “, “Sa më mungon “, etj.

Siç shkruan shkrimtari ynë i njohur Dritëro Agolli, poeti Gjok Beci u bë i famshëm me vargjet e këngës për Mic Sokolin: “Xhamadani i Trimërisë”, që u këndua në festivalin folklorik të Gjirokastrës në vitin 1978.
Vargu i saj përmbyllës: “Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola “, në kontekstin historik shqiptaro-kosovar (përndryshe gjithëkombëtar), padyshim që rrezaton një simbolikë të veçantë, duke mbetur emblematik edhe në kohët më të vona.

Kjo ishte ajo që donim pa na mbërritur në duar ky libër, që në njëfarë mënyre e kishim pritur, ne që kishim vite që ishim bashkë me poetin, në kuptimin e përjetimeve të ngjashme, si nga e njëjta dhelindje, nga e njëjta ngricë, nga i njëjti vesim apo dritësim i bjeshkënajës tonë të pandërruar, asaj të Mirditës, ku e kishte gjetur herët muzën Doçi apo Fishta, Zarishti apo Mjeda”.

Gjok Beci është autori mbi 1000 teksteve të muzikuara dhe të interpretuara nga artistët më përfaqësues të hapësirës mbarë shqiptare nga vitet 1960 deri vitet 2000 e në vazhdim. Është autor libretesh për koncerte në shkallë lokale e kombëtare, në Shqipëri e në Kosovë.

Gjithsesi jemi të bindur se Gjok Beci ka dhënë shumë më tepër se sa ka marrë.
Gjet Ndoj në librin e tij “Antologji historike” e trajton më së miri këtë figurë.
“Ndërsa kur e pyeta Gjokë Becin se kur ishte ndjerë më i vlerësuar, ai më tha se: “Momentet më të pashlyeshme i kam jetuar në Kosovë n’at kohë entuziazmi të ditëve të para të pas çlirimit, më 30 Korrik 1999, kur gjithë stadiumi i Prishtinës, të dhjetëmijë njerëzit në shkallë e tridhjetë të tjerë në fushë më uruan në mes të entuziazmit, 60-vjetorin e lindjes sime…

Ndërsa po atë ditë (në darkë), në studion e RTV Kosovës, kur kishim shkuar me Arif Vladin, Ilir Shaqirin, Veli Radën, etj., dikush pyeti: “Kush nga ju është Gjokë Beci?” “Uni”, i thashë.
“A e ndjen veten se je pjesëtar i UEK-së?” “Të gjithë e kemi përcjellë me dhimbje dhe shqetësim fatin e luftëtarëve të lirisë”, iu përgjigja. Unë jam komandant i një Brigade të UEK-së dhe në një moment vendimtar luftimi me ushtrinë serbe, janë vrarë tre luftëtarë, duke kënduar këngën tuaj himn:
“Jam Kosova e shqiptarisë/ Njëqind Vjet po i thërras Lirisë”. Kështu ti je pjesë e frymëzimit heroik të luftës sonë të Shenjtë – përfundoi Komandanti, me mbiemrin Krasniqi.” / KultPlus.com

Valentina Bonizzi prezanton dy filma në Autostrada Biennale

Puna e Valentina Bonizzi, vajzës së lindur në Milano, po që jeton në mes të Tiranës dhe Glasgos, thekson çështjet e drejtësisë sociale, ndërkohë që zbulon potencialet e demokratizimit, që shtrihen në ri-definimin artistik të praktikave hartografike.

Disa nga veprat e saj i përgjigjen metodave shkencore të përcaktimit të shtetësisë, duke paraqitur me kujdes individin në historinë kolektive. Valentina punon me një shumëllojshmëri mediash si filmi, fotografia, arkivi, zëri, radioja dhe ndërhyrja performuese me muzikë dhe dialog.

Valentina në Bienalen e artit bashkëkohor, Autostrada Biennale në Prizren, po prezantohet me veprat: “Is it yours?” (A është i yti?) që gjendet në Stacion të Autobusëve dhe “Hartografët”, që shfaqet në Kala, përcjellë KultPlus.

“Unë do të prezantoj dy filma që janë të ndryshëm. “Is it yours” është një pjesë që e kam bërë në kufirin mes Jerusalemit dhe Bethlehem, ku ndodhet pika e kontrollit. Pra, është një film Brenda pikës së kontrollit, ndërsa “Cartographer” është film më i gjatë që është bërë mes jugut të Italisë dhe regjioni i Molise”. “Cartographers” ka të bëjë me mënyrën se si mund të ndihemi përgjegjës kolektivisht rreth kufijve të cilët ne i krijojmë ose duhet t’i pranojmë në një formë, kurse “Is it yours” është një pjesë që ka të bëjë më shumë me ndershmërinë, të lidhur prapë me përgjegjësinë”, ka treguar Valentina.

Tema e punës se Valentina Boniyyit, në një formë lidhet gjithmonë me drejtësinë sociale, hibridin dhe emigracionin dhe të dy punimet lidhen me këtë .

“Mesazhi për publikun është i ndryshëm, bazuar në vendin se ku janë të vendosur filmat. Këtu në Autostradën Biennale është shumë e veçantë sepse ndodhet në kornizën e të ardhmes së kufijve dhe këtu në Kosovë, mendoj se mesazhi i punës është i ndryshëm nga vendet tjera ku i kam shfaqur filmat, edhe pse “Is it yours” po ekspozohet për herë të parë. Është një punë e realizuar në vitin 2014, por për herë të parë po ekspozohet këtu”, ka vazhduar të tregoj tutje ajo.

Valentina ka theksuar se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për kontekstin se ku po mbahet Autostrada, në Prizren.

“Mendoj se është një temë shumë e rëndësishme që sjellë mençuri organizative. Është shumë mirë e menduar që të transformohen hapësirat publike në hapësira ekspozite. Pra, kjo është përshtypja ime e parë dhe besoj se duhet të shohim se si do t’i përgjigjet publiku kësaj”, është shprehur artistja. / KultPlus.com

Rock grupi “Gillespie” promovojnë albumin e ri

Albumi i tretë me radhë i cili do të përmbajë tetë këngë të reja, e rikthen në skenën muzikore grupin vendas “Gillespie”, me një koncert.

“Diku dikur” është titulli i albumit të cilin anëtarët e këtij grupi do ta promovojnë përmes këtij koncerti, i cili do të mbahet në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.

Për realizimin e albumit “Diku..dikur” që e kthen këtë grup pas një kohe të gjatë në skenën muzikore, grupi ka bashkëpunuar me një varg artistësh të zhanrit rok-alternativ.

“Të dashtun. Jemi afër publikimit të albumit tonë më të fundit. Më 16 shtator, kemi me performu në beton – inspirimin tonë më të madh, edhe afër komunitetit. Po ju ftojmë krejtve me na u bashku në nji performancë të gjallë, në Fushën e Basketit, Rr. Anton Pashku në lagjën Ulpiana, ku kemi me i performu kangt e albumit të ri, por edhe të dy albumeve të kalume. Menxi po presim me ju kthy performancave, e edhe me ju pa krejt juve që keni qenë edhe jeni afër skenës tonë të vogël alternative në kryeqytet:, kanë shkruar anëtarët e grupit në event.

Albumi është incizuar në Studio C. Muzika, aranzhmani dhe tekstet janë të gjitha prodhim i Gillespie deri sa producent në album është Dritero Nikqii. Masterimi i albumit është bërë prej Michael Haves.

Koncerti i promovimit të albumit të grupit “Gillespie”, fillon nga ora 19:00, në fushën e basketbollit të lagjes Ulpiana në Prishtinë. / KultPlus.com

Sonte në “Rockuzine”, rock bendi nga Tirana “Urban Band”

Sonte në “Rockuzine”, do të performojë rock bendi nga Tirana “Urban Band”, shkruan KultPlus.

“Urban Band”, është i njohur për performance shumë të suksesshme nëpër festival të ndryshme në Shqipëri e Kosovë, të cilët janë dalluar për një performancë me plot energji në skenë.

“Rockuzine”, në Prishtinë ka njoftuar për KultPlus, se “Urban Band”, është bendi i parë nga Shqipëria që do të perfomojë para audiencës së këtij restaurant. /KultPlus.com

Sislej Xhafa sërish godet, dërgon gurin e varrit në Paris (FOTO)

Artisti shqiptar që nëpërmjet veprave të tij artistike po dërgon mesazhe të fuqishme nëpër botë, nesër do të prezantohet edhe me një ekspozitë prestigjioze në Paris, shkruan KultPlus.

Në ekspozitën Continua Sphères Ensemble, që do të hapet nesër në Paris, ku do të prezantohen me vepra të ndryshme artistë nga shumë shtete të botës, Sislej Xhafa do të dërgojë një gur varri.

Vetë Sislej Xhafa ekskluzivisht për KultPlus ka shpjeguar se titulli i kësaj vepre është “Father”, ku shihet të jetë një gur varri dhe mbi të një dëgjuese e telefonit.

“Vepra është punuar prej graniti”, ka thënë Xhafa në lidhje me këtë pjesëmarrje. Drejtor artistik i kësaj ekspozite është Jose Manuel Goncalves, kurse hapja e kësaj ekspozite për gazetarë është sot, prej orës 15:00, kurse ajo për publikun do të bëhet të shtunën, në ora 14:00. /KultPlus.com

Ermal Meta ft Jarabe de Polo sjellin këngën “Voodoo Love” (VIDEO)

Këngëtari shqiptar Ermal Meta që tashmë ka shënuar një famë të madhe në Itali dhe jo vetëm ka lansuar këngën e tij bashkë më Jarabe de Palo, që i flet dashurisë më plot ndjesi, shkruan KultPlus.

Kjo këngë edhe pse e lansuar para 12 orëve tashmë duket të jetë një këngë mjaftë e pëlqyer nga fansat, pasi që, përpos që është klikuar shumë, kjo këngë është shpërndarë shumë herë nëpër rrjete sociale./KultPlus.com

“Autobiografia” e Xhevdet Xhafës nëpërmjet fotografisë (FOTO)

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Tiranës është hapur ekspozita personale e artistit shqiptar Xhevdet Xhafa, ekspozitë kjo që shënon edhe bashkëpunimin kulturor në mes Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan KultPlus.


Ekspozita është kuruar nga James Walmsley, kurse veprat në teknikën mikse janë një pasqyrim i jetës së piktorit, dhe përfaqësojnë ndjenjat dhe qëndrimet e tij veçanërisht mbi çështje sociale dhe politike të kombit shqiptar.


Kjo ekspozitë do të rri e hapur deri më 18 tetor, kurse lexuesit e KultPlus mund të shohin nga afër pamje nga hapja e kësaj ekspozite./KultPlus.com

Fisnik Ismaili në TEDx Tirana

Organizatorët e TEDx Tiarana kanë zbuluar folësin e radhës në “Naked Fisnik Ismaili”, ngjarje kjo që do të mbahet këtë të shtunë, shkruan KultPlus.

Poashtu për këtë event, TEDxTirana ka njoftuar ndjekësit edhe me biografinë e Fisnik Ismailit, ku kanë shpjeguar se Fisnik Ismaili ka lindur në Prishtinë, dhe ka jetuar në Londër për 12 vite ku dhe mbaroi studimet Bachelor në Multimedia. Ne vitin 2005, Fisniku u kthye në Kosovë dhe Shqipëri ku themeloi agjencitë publicitare Karrota dhe Ogilvy Albania. Aktualisht ai shërben mandatin e dytë si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës.

Ish luftëtar në UÇK, Fisniku po ashtu njihet si autor i shumë veprave kreative dhe satirës politike në Kosovë, si dhe është ideatori i Monumentit të Pavarësisë, NEËBORN, për të cilin fitoi çmimin më prestigjoz në botë për dizajn, Luanin e Artë në Cannes, dhe gjashte çmime të tjera ndërkombëtare. Ligjërues në Multimedia, rishtaz ka përfunduar studimet Master në Corporate Communications and Public Affairs në U.K./KultPlus.com

Mes arkeologjisë dhe bunkerëve, aspektet magjepsëse dhe kontradiktore të Shqipërisë

Ky vend ballkanik u shfaq në skenën e turizmit gjatë viteve të fundit, pas një periudhe të gjatë në errësirë ku e la regjimi. Por mesa duket, vetëm në vitin 2017 italianët e kanë zbuluar atë përfundimisht. Numrat tregojnë një boom të vogël. Le të zbulojmë bashkë sekretet e tij.

Shkruan: CINZIA LUCCHELLI

Vite më parë ata që udhëtonin në gadishullin ballkanik duhet të anashkalonin Shqipërinë në mënyrë që të vazhdonin rrugën e tyre. Sot, në këtë vend i cili ka lënë pas krahëve një regjim komunist 46-vjeçar që e izoloi nga pjesa tjetër e botës, zbulojmë një destinacion turistik. Afërsia, deti në të cilin pasqyrohet ai i Puljas, dhe kostot e përmbajtura të jetesës, nga janari deri në korrik 2017, kanë bindur 182 mijë italianë, 56% më shumë se vitin e kaluar, që të kalojnë pushimet në Vendin e Shqiponjave. Plazhet e Jugut, ai i Sarandës sidomos, janë ato që parapëlqehen më shumë dhe mbipopullohen gjatë pikut të sezonit të verës. Po ashtu, pjesë e itinerareve të vizitorëve janë dhe vendi arkeologjik i Butrintit dhe qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit, të cilat ruajnë dhe tregojnë të kaluarën. Ndërsa Veriu është më pak i eksploruar, por dhuron peisazhe natyrore të mahnitshme, të cilët për momentin i kanë shpëtuar dorës modernizuese që po ndryshon pamjen e Shqipërisë.

Rrugët për të mbërritur në këtë zonë malore, duke u nisur nga Durrësi ose nga Vlora nëse vini me traget nga Italia, nga Tirana nëse udhëtoni me avion, sa vijnë dhe vështirësohen. Nuk ka korsi të shpejta, asfalti ndërpritet në segmente të gjata, bordurat, ashtu sikurse ndriçimi, janë opsionale. Nuk dihet se çfarë të pret pas çdo kthese. Aty këtu dallohen bunkerë, trashëgimi e të kaluarës. Por distancat nuk janë të gjata dhe Shkodra, kryeqendra e Veriut, është vetëm pak më shumë se dy orë nga kryeqyteti. Shkodra gjendet pranë liqenit me të njëjtin emër që vendi bashkëndan me Malin e Zi.

Jo shumë larg qendrës ndodhet muzeu historik, i cili gjatë regjimit shërbente si burg. Aty ruhen ende disa qeli dhe dhoma e torturave. Në çdo qytet kishte 23 vende të tilla për 24 mijë banorë. Përgjatë shëtitores kryesore, një tjetër copëz nga historia: muzeu kombëtar i fotografisë Marubi. Pietro Marubi, nga Piacenza, u largua nga Italia sepse ishte i përfshirë në vrasjen e Dukës së Parmës, Karlo III i Burbonëve. Sapo erdhi në Shkodër hapi një studio fotografie. Ishte viti 1856 dhe fotografia ishte në hapat e para të saj. Shpejt studio e tij u bë pikë referimi për ata që mund t’ia lejonin vetes të bënin një fotografi.
Arti i Pietros u trashëgua në gjenerata deri kur, në vitin 1970, familja u detyrua t’i dhuronte qeverisë arkivin e pafund. Në verë qyteti gjallërohet, kafenetë janë plot e përplot, biçikletat kalojnë si shigjeta nëpër rrugë. Nuk mungojnë restorantet dhe vendet ku mund të kalosh natën, me çmime që i përshtaten çdo xhepi. Mes restoranetev të shumtë dallohen Vila Bekteshi (për supën me vezë dhe limon) dhe Elita (për mishin e marinuar dhe të pjekur në hell për 12 orë), por nëse doni të konsumoni një drekë shqiptare autentike, shkoni në një mëngjezore, siç quhen disa lokale të vegjël dhe të thjeshtë me pak tavolina ku shërbehen si për mëngjes ashtu edhe për drekë, pjata të shijshme me bazë mishi dhe orizi të shoqëruara me sallatë. Ndërsa natën mund ta kaloni në bujtinën mikpritëse Bulldgog Hostel & Club, e cila menaxhohet nga një çift italo-shqiptar.

Shkodra është porta hyrëse për në dy vende magjepëse. Njëri prej tyre është Thethi, fshat malor që ndodhet në një luginë të gjatë dhe të ngushtë rreth 900 metra mbi nivelin e detit dhe e rrethuar nga maja që kapin 2500 metrat. Pikat e referimit janë kisha me varrezat e vogla, shkolla dyngjyrëshe jeshile me të kaltër, si edhe kulla ku – sipas Kanunit, kodit arkaik të Veriut të Shqipërisë – ngujoheshin personat e përfshirë në gjakmarrje. Udhëtimi deri aty është aventurë më vete: duhen të paktën tre orë të mira përgjatë një rruge që, në segmentin e fundit, i ngjitet malores, e pashtruar dhe pa bordura, mes pyjesh ahu e pishe. Duhet një fuoristradë. Shumë agjenci të zonës dhe hotele organizojnë udhëtimin dhe qëndrimin. Kur mbërrin, të duket sikur gjendesh në Aplet e Italisë: shtëpi të ulëta me çati të e pjerrëta, nëpër shtigje viça, derrkuca dhe dhi, uji që gurgullon mes gurëve.
Duke ecur për tre orë përgjatë rrjedhës së ujit në dalje të fshatit, mbërrijmë tek Syri i kaltër, një burim i ftohtë ku ka turistë që gjejnë kurajon të zhyten. Ecja kërkon angazhim, por mund t’i kërkoni ndihmë ndonjë shoferi që të shkurtoni rrugën. Më afër, rreth 30 minuta nga Thethi, ndodhet ujëvara e Grunasit. Është thuajse detyrim ta kalosh natën në fshat. Shumë prej banorëve i kanë përshtatur banesat e tyre për të pritur vizitorët. Dhomat janë të thjeshta dhe drita elektrike është ndonjëherë aq e zbehtë saqë të duhet të presësh ditën për të lexuar.

“Paketa”, që ndër të tjera është shumë ekonomike, përfshin darkën me prodhime të zonës (pulë, oriz, kastraveca, domate, djathë të bardhë), ndërsa për mëngjes vezë të skuqura, qumësht të sapo mjelë, bukë dhe gjalpë të bërë vetë, si edhe reçel i trashë me copa frutash. Ata që janë më të stërvitur mund ta provojnë veten në eskursione të tjera, si p.sh. nisja nga Thethi për të mbërritur në Valbonë përmes maleve përgjatë një rruge të banuar nga arinj, shqiponja dhe ujqër. Duhen rreth 6 orë. Kush e ka kaluar natën në çadër tregon se si në mëngjes e kanë përshëndetur dy të vegjël ariu që luanin me njëri-tjetrin. Kështu që është më mirë të mos ngrini çadra.

Ka një vend tjetër të paprekur në Veri që ende nuk i trembet çimentos që po mbyt plazhet e Jugut. Ashtu sikurse për në Theth, edhe rruga për këtu, rreth një orë e gjysëm nga Shkodra, nuk është shumë inkurajuese por pamja që të shfaqet para syve kur, duke dalë nga tuneli mbërrin nërrin në portin e vogël të Komanit, e shpërblen gjithë lodhjen e një rruge të mundimshme dhe pa sinjalizim. Nga këtu nisen çdo ditë në orën 9 dy tragete të vegjël (njëri Berisha dhe tjetri Rozafa) që përshkojnë për tre orë lumin Drin deri në Fierzë.

Nëse doni të imbarkoni edhe makinën, duhet të mbërrini aty shumë herët sepse, edhe nëse prenotoni me telefon, nuk e keni vendin të garantuar nëse vonoheni. Që të siguroheni, mund të shkoni në Koman një natë përpara dhe të kaloni natën në hotelin e vogël pranë portit. Pamja është skenografike, të mbush sytë: uji, dy tragetet, hoteli dhe, në të djathtë, diga madhështore. Po, sepse vendi gjendet pranë një hidrocentrali.

Tragetet grumbullojnë makina, furgonë të vegjël dhe gomone, sa duket e pabesueshme, duke i ngecur njëri pas tjetrit dhe duke shfrytëzuar çdo centimetër të lirë. Atëherë nisen, jo gjithnjë në orar, dhe kthehen 4 orë pas nisjes. Shpejtësia e lundrimit është perfekte për të soditur panoramën. Kalohet përmes malesh me gjelbërim të harlisur dhe të paprekur. Jeshile ngjyra e lumit, jeshile panorama që rrethon. Ulur në tarracën e tragetit, përkëdhelesh nga dielli dhe era, ndërsa trageti kalon pranë gjijsh dhe ishujsh për të mbërritur në Fierzë ku gjëja e parë që të bie në sy është një anije e rrënuar dhe e ndryshkur. Prej këtu, kufiri me Kosovën është vetëm një orë larg.
Një mundësi e mirë për të nisur një tjetër udhëtim./KultPlus.com

“Parfume” nga Annella (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Annella, që jeton tash e shumë vite në Danimarkë, pas lansimit të disa këngëve të saja që po synojnë tregun botëror, sot ka lansuar edhe këngën më të re “Parfume”, shkruan KultPlus.

Kjo këngëtare që është pjesë e labelit Wooden Hat Records në USA, më herët pat lansuar këngën “Red Stilettos”

Për këngën “Parfume”, ajo ka falënderuar stafin e saj, duke e vlerësuar të mrekullueshëm, kurse për këtë projekt që është i shoqëruar edhe me videoklip dhe me në stil tejet të veçantë ka shkruar se ka punuar si e çmendur për të krijuar këtë këngë dhe këtë video.

Annella është pjesë e labelit Wooden Hat Records në USA. Ajo është një vajzë me prejardhje nga Peja, por e lindur në Zvicër, e që tani jeton në Danimarkë, vendin në të cilin edhe filloi karrierën si këngëtare. Annella karakterizohet për stilin e muzikës që bënë dhe paraqitjen e saj./KultPlus.com