Koreografi Angelin Preljocaj sjellë premierë botërore shfaqjen ‘Trait d’Union’ në Tiranë

Më 4 tetor me fillim nga ora 20:00, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, do të shfaqet premiera botërore e baletit nga koreografi franko-shqiptar Angelin Preljocaj, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për premierën ndërkombëtare të krijimtarisë së re të Preljocajt, e cila mbahet ende ‘sekret’, e shoqëruar nga rimarrja e duo-s mashkullore të vitit 1989 ‘Un trait d’Union’. Një kërcim trup me trup ‘poetik dhe pasionant’ i shkruar mbi muzikën koncertore të J.S.Bach dhe i interpretuar nga Glenn Gloud.

Kjo premierë vjen me mbështetjen e bankës Société Générale Albanie, Kabinetit Boga & Associates dhe Teatroskop-it në kuadër të FranceDanse Orient-Express. Teatroskop është një program i krijuar nga Instituti Francez, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme. Biletat online që nga tani janë në dispozicion të audiencës ndërsa duke nis nga 27 shtator ato mund t’i gjeni edhe pranë Pallatit të Kongreseve./ KultPlus.com

Artisti Burhan Ahmeti, pjesë e dy projekteve të mëdha në Stamboll dhe në Kinë

Piktori dhe grafisti shqiptar Burhan Ahmeti po ecën mjaft mirë në karrierën e tij profesionale. Ai është ftuar nga Universitetin Yildiz Teknik në Stamboll që të udhëheqë punëtorinë e grafikës artistike me ngjyra në kuadër të projektit Engravist që ka nisur dje, më 5 shtator dhe përfundon më 9 shtator. Për këtë gjë dhe jo vetëm ka njoftuar për KultPlus vetë artisti Ahmeti, i cili poashtu do të marrë pjesë në një aktivitet goxha të rëndësishëm të grafikës artistike në Kinë.

Për të dy këto projekte të rëndësishme në karrierën e Ahmetit, KultPlus, sjellë një rrëfim interesant duke shpalos detaje nga të dy projektet, si atë të Stambollit ashtu edhe të Kinës.

“Nga data 5-9 shtator të këtij viti jam i ftuar në Universitetin Yildiz Teknik në Stamboll si udhëheqës i punëtorisë së grafikës artistike me ngjyra, në kuadër të projektit Engravist. Ky projekt përfshin 8 workshope që do udhëhiqen nga profesorë të grafikës me renome nga Turqia dhe Maqedonia, ku secili profesor do të demonstrojë teknika të caktuara të grafikës. Unë jam caktuar që ta udhëheq grupin me diku 16 studentë dhe disa profesorë, ku pritet që gjatë atyre ditëve të punojmë bashkë disa teknika të grafikës me ngjyra, me shtyp të thellë dhe të lartë. Çdo workshop do ketë nga 10-16 studentë apo profesorë tjerë të interesuar”, ka treguar artisti, duke vazhduar tutje të thotë që shpreson se me njohuritë dhe përvojën e tij profesionale sadopak do t’iu ndihmojë studentëve dhe kolegëve të tij në Stamboll, njëherësh edhe duke shkëmbyer eksperiencat e tyre.

Pas këtij workshopi, i cili ka nisyr dje në Stamboll, Burhan Ahmeti do të jetë pjesë e aktivitetit tjetër të grafikës artistike në Kinë. Bëhet fjalë për një rezidencë të artit në Guanlan.

“Do jenë pjesëmarrës grafistë nga 20 shtete të botës, ku duhet të realizohen dy grafika me nga 50 ekzemplarë për çdo grafikë, ku dyzet kopje do iu mbeten organizatorëve ndërsa dhjetë kopje të realizuara për ne si autorë të grafikëve. Pastaj është paraparë kornizimi i grafikëve si dhe organizimi i ekspozitës dhe bienales ndërkombëtare të grafikës me katalog”, tregoi për KultPlus artisti.

Burhan Ahmeti në këtë aktivitet do të qëndrojë diku rreth tri javë për shkak të angazhimeve të tij si profesor në Shkup dhe pikërisht për këtë gjë organizatorët e këtij aktiviteti në Kinë, i kanë bërë ftesë tjetër speciale për vitin e ardhshëm në po të njëjtën qendër./ KultPlus.com

Në vend të përshëndetjes…

Poezi e shkruar nga Azem Shkreli.

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej
vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe
mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të
ndezur. / KultPlus.com

Uk Lushi: Ipeshkvia e Kosovës duhet të kërkojë falje për trajtimin çnderues të flamujve

Publicisti Uk Lushi sot ka reaguar në rrjetet sociale pasi ka dalë lajmi dhe disa fotografi se gjatë shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, ditën e djeshme, disa flamuj janë trajtuar në mënyrë të ç`nderuar.

“Imzot Dodë Gjergji, në emër të Ipeshkvisë së Kosovës, dunet të kërkojë falje publike për trajtimin çnderues të flamujve tonë gjatë shugurimit të Katedrales së Shenjtëreshës Nënë Tereza në Prishtinë dje. Flamuri duhet nderuar duke u mbajtur nalt mbi tokë gjatë tërë kohës dhe kudo” ka shkruar Lushi në rrjetin social Facebook, derisa komente të tilla kanë ardhur edhe nga komentuesit e ndryshëm që kanë parë fotografitë ku flamujt shihen të fshehur.

Presidenti i Kosovës në fjalën e tij po përdorte terma patriotik duke kritikuar vendosjen e dy monitorëve përballë monumentit të Gjergj Kastriot Skëndërbeut, por si për ironi, prapa tij ndodheshin flamujt e Shqipërisë e Kosovës për toke, së paku në këtë fotografi poshtë. Në një qoshe, të hedhur në tokë pranë statujës së Nënës Terezë, qëndrojnë të hedhur dhe të zhburosur dy flamujt, ai i shtetit të Kosovës dhe ai i shqiptarëve. / KultPlus.com

Kosova e gatshme për CreativeEurope

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në një takim shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, me të cilën ka biseduar rreth çështjeve të interesit të përbashkët dhe bashkëpunimit të MKRS-së me këtë zyrë, sidomos në fushat që lidhen me kulturën.

Ndërmjet ministres Dumoshi dhe shefes së BE-së,Natalia Apostolova, u bisedua për procesin e aplikimit të Kosovës në programin CreativeEurope, respektivisht për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Programet e BE-së: Erasmus +, Cosme, Evropa për Qytetarët dhe Evropa Krijuese.

Ministrja Dumoshi dhe shefja BE-së në Kosovë Apostolovau shprehën se ky është një hap i rëndësishëm për kulturën e Kosovës, meqë pjesëmarrja në Programin Evropa Krijuese dhe rëndësia e këtyre programeve për sektorin e kulturës dhe atë audioviziv është shumë e madhe.

Ministrja Dumoshi e falënderoi Apostoloven për përkrahjen e vazhdueshme që BE-ja i jep Kosovës në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, sportit dhe rinisë, dhe u shpreh se ky bashkëpunim është tejet i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës./ KultPlus.com

E bukura Penelope Cruz parakalon në Festivalin e Filmit në Venecia

Aktorja e njohur Penelope Cruz ka arritur në Festivalin e Filmit në Venecia.

Fituese e çmimit Oscar dhe një ndër femrat më të bukura që njeh kinematografia botërore, Penelope është pjesë e filmit “Loving Pablo” i cili u dha në këtë festival prestigjioz të filmit.

“Loving Pablo” ka në kastën e aktorëve Penelopen dhe Javier Bardemin – partnerin e saj edhe në jetën personale. Filmi, sic tregon edhe titulli, flet për jetën e Pablo Escobar – këtij personazhi të njohur në botën e karteleve të drogës. Escobar dashurohet në Virginia Vallejo, dhe këtu nis drama e vërtetë në filmin 123 minutësh.

Penelope ka parakaluar në tepihun e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia e shoqëruar nga ekipi i filmit, përfshirë këtu edhe regjisorin Fernando León de Aranoa, shkruan KultPlus.

Në film luajnë, krahas dyshes, edhe Peter Sarsgaard dhe Julieth Restrepo. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=NSDaVVqAm4o

Eneda Tarifa, anëtare e jurisë në Voice Kids Albania

Këngëtarja Eneda Tarifa këtë vit do ti bashkohet jurisë së spektaklit të zbulimit të talenteve të reja.

Eneda vjen për herë të parë si anëtare jurie në The Voice Kids Albania, e gatshme për të punuar e për t’u argëtuar me konkurrentët e vegjël.

Eneda është këngëtare e njohur shqiptare, pjesëmarrëse edhe në Eurovizion dhe një krijuese hitesh të njohura në Shqipëri. / KultPlus.com

Fituesi i Eurovisionit ndalon aktivitetin muzikor për shkak të shëndetit (VIDEO)

Fituesi i sivjetmë i festivalit evropian të muzikës Salvador Sobral, ka anuluar gjithë aktivitetin e tij muzikor pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Portugezi i cili u shpall fitues i festivalit duke ia sjellë Portugalisë fitoren e parë pas 50 viteve pjesëmarrje në Eurovision, ka bërë të ditur përmes një videomesazhi se ka anuluar tre koncerte dhe gjithë aktivitetin muzikor për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Nuk është më sekret për askënd se shëndeti im është i brishtë”, thotë Sobral në videon e tij të publikuar në Youtube.

“Unë kam një problem. Për fat të keq, ka ardhur koha që trupin tim t’ia jap shkencës dhe kështu më duhet të heq dorë nga jeta muzikore e koncerteve në përgjithësi”, shprehet këngëtari.

“Do të kthehem shpejt- sa shpejt nuk e di!”, thotë në fund të videomesazhit 27 vjeçari, përcjellë Magazina.al

Salvador Sobral, ishte përfolur edhe gjatë pjesëmarrjes në Eurovision se vuan nga problemet me zemrën dhe se është në pritje për një transplant, por që asnjëherë nuk u konfirmua kjo.

Ai ka kërkuar mirëkuptim nga mediat pasi për gjendjen e tij shëndetësore është spekuluar shumë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Të rinjtë, pjesa më potenciale e Kosovës

Në kuadër të Muajit të Rinisë, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi përfaqësuesit e strukturave dhe organizatave rinore në Kosovë, të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, të Qendrave të Rinisë, të Këshillave të Veprimit Rinor Lokal, dhe diskutoi me të rinjtë për fushën e rinisë në përgjithësi ku drejtpërsëdrejti u informua duke dëgjuar propozimet e tyre dhe shqetësimet me të cilat përballen të rinjtë e vendit tonë, përcjellë KultPlus.

Pjesë e diskutimeve të takimit, me theks, ishin manifestimet dhe aktivitetet që realizojnë të rinjtë anekënd Kosovës, dhe përkrahjen që MKRS-ja jep për ta, përmes programeve të ndërmarrësisë për punësim, mbështetja e aktiviteteve sportive me karakter jo-garues, përkrahja e aktiviteteve me qëllim të promovimit të vlerave kulturore Kosovës, qofshin ato tradicionale apo bashkëkohore, duke ftuar edhe të rinj të vendeve nga rajoni dhe vendet e tjera të Botës, për ta vizituar Kosovën si dhe organizimin e ngjarjeve në ditë të shënuara, si 12 gushti – Dita Ndërkombëtare e Rinisë, dhe aktivitetet e materialet që përkrahen në fushën e edukimit shëndetësor dhe sigurisë njerëzore.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rinia është pjesa më potenciale e vendit tonë dhe ne si institucion përpiqemi vazhdimisht që kjo pjesë elitare e shoqërisë të jetë pjesë aktive dhe kontributdhënëse në të gjitha fushat e zhvillimit të vend.

Ndër të tjera, ministrja i informoi përfaqësuesit e të rinjve se Ministria është në proces të draftimit të “Strategjisë Kosovare dhe Planin e Veprimit për Rini 2018-2023” përmes të cilit parashihet të krijohet një sinergji e përbashkët ku do të rritet përkrahja edhe më tej për t’i arritur synimet e parapara që ndërlidhen me përmirësimin e pozitës së rinisë në jetën ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

Ministrja i inkurajoi strukturat dhe organizatat rinore që të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve në përgjithësi, sidomos për aplikim dhe sigurim të projekteve rajonale dhe europiane, siç është Zyra për Bashkëpunim Rinor Rajonal (RYCO).

Ndërkaq, përfaqësuesit e rinisë shprehën falënderimin dhe mirënjohjen për gatishmërinë e ministres Dumoshi dhe të stafit të MKRS-së për të rritur mbështetjen për rininë, duke i dëgjuar propozimet e tyre, me synim të hartimit dhe realizimit të një strategjie që e nxitë pjesëmarrjen e rinisë në jetën institucionale dhe vendimmarrëse të Kosovës.

Gjithashtu, përfaqësuesit e rinisë e vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm të MKRS-së me strukturat dhe organizatat rinore, duke përkrahur edhe edukimin jo-formal. / KultPlus.com

Marko Caka realizon ëndrrën, në sheshxhirim me De Niron, Al Pacinon e Joe Pesci

“Është ëndrra ime të luaj në një sheshxhirim me tre yjet dhe do të jetë një eksperiencë tre mujore që vetëm një herë të vjen në jetë. Aq më tepër si shqiptari i parë që luaj në rolin e mafiozit sicilian, në një film hollivudian me të gjithë yjet e Godfather-it”, ka thënë Marko Caka për KultPlus.

Më 18 shtator të këtij viti do të fillojnë xhirimet për aktorin shqiptar Marko Caka, i cili është pjesë kastës së filmit “The Irishman”, që po konsiderohet si filmi më i madh gangster- biografik i këtij mijëvjeçari, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht është po ky film i cili po ribashkon legjendat e filmit të famshëm “Godfather”, De Niro, Al Pacino e Joe Pesci.

Marko Caka ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i privilegjuar që ka marë rol në këtë film, duke specifikuar pikërisht rolin e tij me shumë skena që parashihet të përmbyllet brenda tre muajve xhirim.
“Është një rol me shume skena, pothuajse me tre muaj xhirime. Pra flasim për një film që deri tani ka një buxhet 100 milionë $ dhe një sfidë e madhe e produksionit Netflix me partnerët , Paramount e STX Entertainment dhe që kanë besimin e plotë në drejtimin e regjisë së Martin Scorseze, që do shfaqet në kinematë botërore nga mesi i vitit 2018”, ka shpjeguar Caka për KultPlus.

Ai ka thënë se deri në janar do të jetë me xhirime në këtë film, ku paraqitet në rolin e një mafiozi sicilian në grupin e Joe Pesci, që bëhen shumë të rrezikshëm për kohën, në Shtetet e Nju Jorkut dhe të Pensilvanisë, dhe që janë në opozitë me Rob De Niron, që luan Irishman Frank Sheeran.

“Është ëndrra ime të luaj në një sheshxhirim me tre yjet dhe do të jetë një eksperiencë tre mujore që vetëm një herë të vjen në jetë. Aq më tepër si shqiptari i parë që luaj në rolin e mafiozit sicilian, në një film hollivudian me të gjithë yjet e Godfather-it. Shpresoj që kjo eksperiencë të më ofrojë role protagonistike të këtij karakteri, në filmat e ardhshëm duke ditur që jam anëtar i Unionit të aktoreve SAG-AFTRA, dhe që janë më të favorizuarit e filmave hollivudiane për rolet e vogla”, ka thënë për fund Caka./ KultPlus.com

Festivali i Filmit Turk në Prizren sjellë 11 filma të suksesshëm

Edicioni i parë i Festivalit të Filmit Turk në Prizren nisë me 8 shtator dhe mbyllet më 15 shtator. Në këtë organizim do të shfaqen filmat e suksesshëm të kinemasë turke të viteve fundit, përcjellë KultPlus.

Në kuadër të festivalit gjithsejtë do të shfaqen 11 filma, derisa në cilësi të mysafirëve do të paraqiten edhe aktorët, regjisorët, skenaristët e brezit të vjetër dhe të ri nga Turqia.

Ediz Hun, Çağan Irmak, Yiğit Özşener janë vetëm disa nga emrat e njohur të kinematografisë turke që do të jenë prezent në edicionin e parë të Festivalit të Filmit Turk në Prizren.

Ediz Hun, aktori i famshëm dhe i respektuar i kinemasë turke do të jetë mysafir nderi në këtë festival, me ç’rast do të nderohet me çmimin e suksesit jetësor.

Audienca në Prizren do të ketë mundësinë që të bashkëbisedojë edhe me Çağan Irmak, regjisorin dhe skenaristin turk, serialet dhe fılmat e të cilit janë të njohura për audiencën në Kosovë, siç janë serialet: “Asmalı Konak”, “Çemberimde Gül Oya” dhe filmat: “Unutursam Fısılda”, “Dedemin İnsanları”, “Babam ve Oğlum”, “Mustafa Hakkında Herşey”, etj.

Në festival do të jetë i pranishëm edhe aktori i famshëm turk i serialeve dhe filmave Yiğit Özşener, të cilin audienca kosovare e njeh veçanërisht nga seriali “Ezel”.

Festivali i Filmit Turk organizohet nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë dhe në koordinim me partnerët tjerë, si: DokuFest, DokuKino, Kino Lumbardhi, Turkish Airlines, Ajans Press, 1000 Volt Post Production, etj.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë me këtë organizim kulturor dëshiron që të shpreh mirënjohjen për mikpritjen e shkëlqyeshme të Prizrenit ndaj të tjerëve, por edhe për të vlerësuar kulturën, artin dhe trashëgiminë e tij e sidomos angazhimin qytetar për mbrojtjen e vlerave kulturore. Magjia artistike e këtij “Qyteti të Artit” duhet të admirohet dhe promovohet.

Filmat shfaqen me titra në gjuhën shqipe dhe janë të hapura për publikun pa pagesë.
Ceremonia solemne e hapjes së Festivalit mbahet të premten me 8 shtator 2017 nga ora 19:30 në Kino Lumbardhi. / KultPlus.com

Lyhet me të zezë ‘Nëna Terezë’ në Shkup (FOTO)

Persona të panjohur, me gjasë mbrëmë vonë, kanë lyer me ngjyrë muralin tek sheshi Skënderbeu në Shkup, ndërsa kanë njollos me të zezë pjesën ku është Nëna Terezë, lart në të majtë të muralit.

Dëmtimi i muralit është vërejtur sot në mëngjes, ndërsa rasti tanimë është paraqitur në polici e cila ka filluar hetimet. / KultPlus.com

Kënga e re e Taylor Swift mposht hitin “Despacito”

Kënga e re e Taylor Swift, “Look What You Made Me Do”, ka mposhtur hitin “Despacito” të Luis Fonsit dhe Daddy Yankeet.

“Desapcito” ishte e para në top listën e singllëve në SHBA për 16 javë reshtë, ndërsa tani në krye të kësaj liste është kënga e re e Swift.

“Look What You Made Me Do” është pritur shumë mirë nga publiku, ku për tre ditët e para ajo ka arritur mbi 100 milionë klikime ndërsa tani i ka mbi 231 milionë klikime.

Videoklipi i kësaj kënge të këngëtares 27 vjeçare thuhet se ka të fshehura disa mesazhe, si për Kanye Westin, Kim Kardashianin, Katy Perryn dhe ish të dashurin e saj Calvin Harris. / KultPlus.com

Mbishkrime me sprej në objektin e Ministrisë së Kulturës

Persona të panjohur kanë bërë mbishkrime me sprej në murin e objektit të Ministrisë së Kulturës që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Për këtë rast ende nuk ka të arrestuar, përderisa policia po merret me rastin.

Njoftimi i plotë i policisë:

Ndërsa në sheshin “Nëna Terezë”, Prishtinë, më 04.09.2017 në orën 23:52, ankuesi mashkull, shqiptar i Kosovës, ka raportuar se disa persona të panjohur, me sprej kanë bërë një mbishkrim në murin e objektit të Ministrisë së Kulturës. Rasti është duke u hetuar./ KultPlus.com

Gjon Mili, shqiptari i famshëm që fotografoi Pikason, Salvador Dali dhe yjet e Hollivudit

Gjon Mili, është padyshim një nga fotografët më të mëdhenj të Amerikës, që ka lënë gjurmë në historinë e fotografisë përmes punës së tij.

Gjon Mili mbahet mend për fotografitë që u ka bërë piktorëve të mëdhenj si Pablo Pikaso apo Salvador Dali.

Ai ka lindur në Korçë dhe fëmijërinë e ka kaluar në Rumani, duke ndjekur kolegji kombëtar në Bukuresht. Rreth vitit 1923, Mili emigroi drejt SHBA-ve.

Në 1939, Mili filloi të punojë si një fotograf. Gjatë viteve ai u njoh me shumë artistë të shquar në piktura dhe në artin kinematografikë të Hollivudit.

Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë.
Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski,

Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqitën punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit.

Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984. / KultPlus.com

Photographer Gjon Mili outside his office on Warner Bros. lot where he is directing film, Jammin’ the Blues. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)

Shtatorja e Bill Clinton-it, krijim i shëmtuar

Duket si imazh ofendues për gjithë neve, por edhe për botën, ngaqë aty ka defekte tejet elementare shkollore që kanë të bëjnë me matjen e trupit dhe të kompozimit. Është shtatore që i mungon baza artistike estetike, estetika është qëllimi kryesor i skulpturës. Kjo skulpturë është vetëm material i keqinterpretuar për nga dukja, por edhe nga brendësia, veçanërisht te pjesa e syve që aspak nuk ngjanë me të Clinton-it.

Ilir Muharremi

Është mirë të ekzistojnë shtatoret, por jo realizmi i tyre të jetë i mangët, karikaturë, fyes ose turp i dhimbshëm, sepse fëmijët tanë do të besojnë në imazhin bastardues të skulpturuar dobët nga artistët. Kujdes skulptorë, mos u tallni dhe mos krijoni pseudoskulptura, shtatore të zbehta, monumente nga figurat e merituara. Mos krijoni imazhe tredimensionale të turpshme, e nëse i krijoni siç ndodhi me shumë figura, atëherë ato duhet të ulërijnë, të lëshojnë britma, për ofendimet që po ju bëhen. Vet artistët duhet t’i shkulin, t’i çlirojnë nga turpet siç po ja bëjnë vetes dhe njerëzve që po i vështrojnë.

Sapo artisti fillon ta ndërton një monument ai mendon për hapësirën, kohën dhe historinë. Pastaj radhitet cilësia e lartë, përmasat e sakta, pastërtia, lëmimi i detajeve, punimi i thyerjeve nga koka gjerë te këmbët dhe shpirti ose karakteri identik me figurën të cilën skulptori pretendon ta paraqes. Skulptori është më i kufizuar se piktori, e këtë pak e dinë skulptorët tanë, sepse ata lirohen aq shumë dhe monumenti nuk i ngjan fare figurës reale.

Rasti konkret i shtatores së Bill Clinton, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mik i ngushtë i shqiptarëve. Kjo shtatore e cila është punuar nga skulptori Izeir Mustafa peshon 900 kg e derdhur në bronz dhe është e gjatë 3 metra. Po ashtu bazamenti është 3 metra.
Gabimi i parë i shtatores është hapësira në të cilën u vendos ajo. Këtu duhet edhe të bashkëpunohet me arkitektë. Harmonia ndërmjet arkitekturës dhe skulpturës. Harmonia dhe skulptura nuk ndërhyjnë te njëra-tjetra, secila mbanë kuptimin dhe arsyen e vet, dhe e tëra jep përshtypjen se nuk mund të bëhen njëra pa tjetrën. Skulptorët thellohen vetëm në veprën e tyre, kurse syri i njerëzve vështron në total, e në total kjo nuk rri aty ku është, e rrethuar me ndërtesa 15 katëshe, të cilat e përpijnë shtatoren. Tereni duhet të jetë më i hapur me hapësirë të madhe pa ndërtesa. Ndërtesat e mëdha nëse e rrethojnë një shtatore ato e minimizojnë atë (devijojnë proporcionet, shëmtohet) edhe syri nuk e pranon. Rreziku është që shtatorja kalon në kiç, krijim i pashije i një stili tashmë ekzistues artistik. Është shije e keqe shumë komerciale.

Duket si imazh ofendues për gjithë neve, por edhe për botën, ngaqë aty ka defekte tejet elementare shkollore që kanë të bëjnë me matjen e trupit dhe të kompozimit. Është shtatore që i mungon baza artistike estetike, estetika është qëllimi kryesor i skulpturës. Kjo skulpturë është vetëm material i keqinterpretuar për nga dukja, por edhe nga brendësia, veçanërisht te pjesa e syve që aspak nuk ngjanë me të Clinton-it. Skulptori disi përpiqet t’i fryj rrathët rreth syve duke tentuar të gjej ngjashmërinë e kokërdhokëve, mirëpo skulptura i ka më të hapura, më të ekzagjeruara, derisa Clinton-i më të tërhequra. Shtatorja më shumë ngjanë me figurën e presidentit Hashim Thaçi se me Bill Clinton-in.
Sipërfaqja e shtatores nuk është dinamike, ngjyra duket si natyrale, linjat janë të holla diku edhe të trasha, varet prej lakimeve të kostumit dhe fytyrës. Fytyra duhet ende të punohet, të minimizohen elementet, të krijohet simetria më e përkryer, t’i iket fryrjeve të elementeve të fytyrës. Nëse rritet koka, normal edhe pjesët tjera, por duhet më shumë të saktësohen ato me figurën origjinale të Clinton-it.

Si duket artisti nuk i njeh mirë ligjet e optikës: nga poshtë-lartë figura rritet në tërësi jo vetëm ca gjymtyrë, sepse humbet dhe krijon disproporcion. Dorën e majtë e mbanë të ngritur në formë përshëndetje, ndërkohë që e djathta është e ulur poshtë dhe mban një mirënjohje të dhënë, që simbolizon titullin “Honoris Causa”, e cila i është ndarë atij nga Universiteti i Prishtinës. Ndërsa, serbët mendojnë se në dorën e djathtë mbanë librin në të cilin ka shënuar datën 24.3.1999, datë kjo e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. Si duket nga shteti fqinj interpretohet mbas dëshirave të sëmura të tyre. Shuplaka e dorës është tejet e madhe si dhe koka krahas me harmoninë e trupit. Tërë vepra ka mungesën e karakterit nën pasqyrimin e vërtetë të Clinton-it.

Në këtë skulpturë unë nuk shohë vërtetësi dhe interesim të vërtetë artistik, por një tendencë politike dhe nacionale e humane lavdëruese, rrahje shpine për një shoqëri të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Por, arti ka tjetër mision. Skulptura më parë ta shprehë gjestin, shprehjen e fytyrës origjinale e jo të zbrazët mbi të cilën vërshohen të gjitha shikimet e botës. Duhet të kemi kujdes kur bëhet fjalë për figura të famshme. P.sh në muzg dhe mbrëmje, kur lëshohen dritat artificiale mbi shtatoren ajo përhumbet dhe nuk ngjanë as me vetveten e as me Clinton-in, duhet të kemi kujdes ndaj hijeve kur depërtojnë mbi të, sepse menjëherë pason ndryshueshmëria.

Pjesët elementare të skulpturës janë: volumi, forma dhe hapësira. Pastaj, radhiten pjesët e tjera si vija, ngjyra dhe sipërfaqja. Për ta kurorëzuar tërë veprën, artisti duhet të ketë kujdes me kompozicionin, dritë-hijen, gdhendjen, modelimin… dhe ngjyrën. Sipërfaqja e shtatores konkretisht e skulpturës krijon lojën ndërmjet dritës dhe hijes, andaj gjithmonë i gjejmë të lakuara, lëmuara, jo të drejta, të ndrydhura… Të lëmuara siç e kemi në këtë rast shtatoren, krijojnë hije të lehta të buta, kurse në sipërfaqe të ashpra dhe drita është më e fortë, e ndjeshme, krijon kontrast të fuqishëm ndërmjet dritë-hijes, duke theksuar vrazhdësinë dhe vdekshmërinë e materialit. Shtatorja në fjalë ka shumë lëmime dhe krejt fokusohet në shkëlqimin prej ari sesa në karakterin origjinal. Figura e Clinton-it është ofenduar me këtë shtatore.

Nëse analizojmë pjesët e linjave të shtatores në fjalë, nxjerrim lidhjen ndërmjet hapësirës dhe vëllimit. Janë të pastra, të thjeshta, të thyera, të lakuara. Linjat shpesh këtu janë të vetëmjaftueshme duken sikur vizatim ose skicë. Skulpturat reale përbëhen vetëm nga linjat hapësinore që e rrethojnë tërë hapësirën, kjo më shumë referohet në artin klasik, por duhet t’i nxjerrim edhe në shtatoren e Clinton-it. Lartësia krahas me bazamentin është e devijuar nuk i ka proporcionet e sakta.
Skulpturat e mëdha nuk e kanë për detyrë të imitojnë, por të stilizojnë shprehjet domethënëse: trupin dhe qëndrimin. Normal duhet edhe t’i ngjajë, sepse bëhet fjalë për një emër. Skulptura është vepër artistike dhe nga skulptori më parë duhet ta kërkojmë veprën e pastaj anën patriotike dhe shoqërore. Diku gjejmë linja dekorative të lëmuara dhe gjest patetik që ndikon në sundimin politik të së shkuarës sonë. E mira e së mirës është se gjymtyrët nuk janë të fryra të trupit siç i bënin më herët artistët komunistë shqiptarë, vetëm kjo mund të vlerësohet, ndoshta se Akademizmi ynë qe më i lirë në ndërtim të skulpturave krahas me atë të Shqipërisë.

Nuk e di nëse Clinton-i u dëshpërua me pamjen e shtatores, ngaqë shtatorja nuk është aspak e denjë për figurën e mikut tonë më të madh. Është dashur të shpallet konkurs publik dhe të ftohen skulptorët të konkurrojnë me boceta të krijuara si bazë. Kjo shtatore nuk i tejkalon as ato në shtetet komuniste. Në kohën tonë duhet të ketë paksa nuanca të postmodernitetit, e kjo shtatore është tipike soc-realiste duke mos e patetizuar në tërësi. Ata i vendosnin shtatoret si zbukurim e jo si revoltë ose si miqësi reale me përmasa të natyrshme. Çdo shtatore komuniste ka defekte anatomike, sepse më shumë i referohen historisë sesa artit. Shtatorja në fjalë ka edhe bazamentin e dështuar. Aty Clinton-i buzëqesh, thuajse tërë populli jonë është i zhytur në humor dhe komedi. Të largëta janë ato shtatore që duhet të buzëqeshin. Tentimi për ta imituar skulpturën reale, e kthen në shëmti figurën, nuk e di përse skulptori nuk ka punuar me asistentë ose sugjerues. Nuk kemi ne skulptorë si Mikelanxhelo ose Rodeni. Realizmi edhe pse është i tejkaluar, nëse punohen figurat e famshme historike duhet të respektohet me përmasa të sakta. Bëhet fjalë për vendosjen e tij në sheshe publike. Shpesh, shtatoret me figura të famshme cilësohen si pika reference dhe atraksioni nga turistët dhe njerëzit./KultPlus.com

Aktorja Drane Xhaj me monodramën “Vajza me kukull” sonte në Pejë

Aktorja Drane Xhaj, pasi përloti publikun në teatrin “Migjeni” në Shkodër me lojën e saj në monodramën “Vajza me kukull”, shkruar nga Fadil Kraja dhe vënë në skenë nga Agron Dizdari, ajo vjen në Pejë për të sjellë të njëjtat emocione, shkruan KultPlus.

Aksidentet tragjike në jetën e një vajze, që në adoleshencë përjeton ndarjen e prindërve, martesën e nënës, zhdukjen e babait dhe prezencën e njerkut në shtëpi, i cili më vonë do të ishte edhe shkatërruesi i jetës së saj, është tema e kësaj shfaqje e cila do të vijë nga loja e mrekullueshme e aktores Drane Xhaj.

Monodrama “Vajza me kukull” vjen sonte në Pejë në teatrin “Istref Begolli” nga ora 20:00.

Kjo shfaqja njëkohësisht hapë sezonin për pjesën e dytë të vitit në teatrin “Istref Begolli” në Pejë. / KultPlus.com

Vdes historiani Muhamet Tërnava

Kosova humbi njërin nga historianët me të mirë, profesorin Muhamet Tërnava i cili me punën dhe njohuritë e thella prej shkencëtari arriti t’i thyej tezat e akademikëve serbë rreth popullsisë së Kosovës gjatë periudhës mesjetare.

Vepra shkencore e profesor Tërnaves “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” mbetet bazament i fortë i argumentimit të vazhdimësisë së popullimit të territorit të Kosovës me popullsi shqiptare gjatë gjithë periudhës mesjetare. Për shkak të argumenteve dhe mbrojtjes së tezava në ketë vepër, regjimi serb e burgosi dhe e maltretoi në format me mizore në Burgun e Shkupit.

Profesor Tërnava i takon gjeneratës së artë të historianëve të Kosovës, të cilët punuan dhe vepruan në kushte të jashtëzakonshme.

Ligjëroi historinë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës me dekada, derisa nuk u burgos dhe u dënua për shkak të angazhimit në veprimtaritë patriotike. Për pasojë regjimi e largoi nga puna. Ndërkohë pati edhe probleme shëndetësore.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 16:20 në Lismir të Fushë Kosovës. / KultPlus.com

Robbie Williams në depresion për shkak të famës, anulon koncertet

Robbie Williams ka anuluar koncertet e tij të mbetura të turit evropian, pasi u godit nga një “sëmundje e mistershme”.

43 vjeçari, u detyrua të anulojë koncertet e tij në Shën Petersburg dhe në Moskë, si dhe është larguar nga ngjarja në “New Wave” në Sochi, raporton Daily Star.

Sipas këtyre raportimeve turi i tij “Heavy Entertainment Show” ka mbledhur më shumë se 1.1 milion fansa të tij gjatë kësaj vere.

Këto anulime të koncerteve ai thotë se i ka bërë pasi është keq për shëndetin e tij.

“Kjo punë vërtet është e keqe për shëndetin tim, do të më mbytë, përveç nëse e shoh në një mënyrë tjetër”, ka thënë ai.

Williams thotë se e tërë familja e tij është në depresion, e kjo për shkak të famës.

“Depresioni është në familjen time. Nuk e di nëse do të isha mentalisht i sëmurë pa famë. Nuk e di nëse do të ishte kaq e madhe apo kaq e fuqishme nëse s’do të kishte qenë fama”, thotë këngëtari.

Kjo nuk është hera e parë që Williams është përballur me depresionin në jetën e tij. / KultPlus.com

Ura e Prokopit në Himarë shpallet Monument Kulture i Kategorisë së Parë

Ura e Prokopit në Bashkinë Himarë, e shpallur së fundi Monument Kulture i Kategorisë së Parë, është një objekt me vlera monumentale dhe pjesë e historisë së zhvillimit dhe vazhdimësisë së ndërtimit të Qendrës Historike të Himarës.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, me urdhrin nr. 477, dt.14.07.2017, shpalli Monument Kulture të Kategorisë së Parë, “Urën e Prokopit” në Bashkinë Himarë. Propozimi për shpalljen e kësaj ure Monument Kulture u krye nga DRKK Vlorë dhe IMK, për vlerat arkitektonike që ajo mbart dhe duke e konsideruar atё pjesё tё natyrshme tё historisё dhe dinamikёs sё zhvillimit urbanistiko-arkitektonik tё Qendrёs Historike tё Himarёs.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me urdhrin nr. 477, dt.14.07.2017, shpalli Monument Kulture të Kategorisë së Parë, “Urën e Prokopit” në Bashkinë Himarë. Propozimi për shpalljen e kësaj ure Monument Kulture u krye nga DRKK Vlorë dhe IMK, për vlerat arkitektonike që ajo mbart dhe duke e konsideruar atё pjesё tё natyrshme tё historisё dhe dinamikёs sё zhvillimit urbanistiko-arkitektonik tё Qendrёs Historike tё Himarёs.

Ajo ndodhet në lindje të qendrës historike, në përroin që lidhte këtë qendër me lagjen përballë saj, ku ndodhet kisha e Shën Prokopit, nga e cila ka marrë emrin ura. Ura dhe kalldrëmi karakteristik, u ndërtuan në vitin 1878 nga himarjoti Vjero Kosta.

Ura është një ndërtim solid me një hark rreth 4 m të lartë. Këmbët e saj janë mbështetur në shkëmbinjtë anësor të përroit. Lartësia e përgjithshme është rreth 7 m dhe gjerësia e kalldrëmit 3.80 m.

DRKK Vlorë në kuadër të mbrojtjes, mirëmbajtjes, gjurmimit, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në zonën e Bregdetit të Himarës, vijon të eksplorojë vlerat monumentale të kësaj zone, duke propozuar dhënien e statusit Monument Kulture për objektet e kultit, ndërtimet me vlera të rralla inxhinierike dhe arkitektonike, si dhe rrënojat arkeologjike të zonës. / KultPlus.com

“Thriller” i Michael Jacksonit lansohet në 3D në festivalin e Venecias

Videoklipi i këngës historike “Thriller” është realizuar ngase pop ylli Michael Jackson atëkohë dëshironte të shfaqej si përbindësh. Kështu bëri të ditur regjisori dhe drejtori i produksionit prapa këtij projekti, John Landis, në festivalin e filmit në Venecie.

Landis gjendet në qytetin italian për ta prezantuar versionin 3D të këtij videoklipi, i realizuar 35 vjet pas lansimit të versionit origjinal.

“Thriller nuk ishte ideja gjeniale e askujt dhe nuk ishte ndonjë plan brilant i biznesit. Ishte thjesht një videoklip i realizuar me kërkesë të Michaelit, i cili atëkohë dëshironte të dukej si përbindësh.

Gjithçka që ka pësuar pastaj, zanafillën e kishte aty, dhe përfundoi duke u shndërruar në një projekt tejet të suksesshëm, për çka unë u befasova tej mase,” tha Landis, para gazetarëve të pranishëm në Venecie.

I pyetur për takimin e tij të parë me Michaelin, fëmija yll i shndërruar në Mbret të Muzikës, i cili e pushtoi botën me vallëzimin e tij, por vdiq papritur në vitin 2008 në moshën 50 vjeçare, Landis tha se ai ishte shumë i hareshëm dhe paksa çapkën, por se ndihet me fat që shumë shpejt Jackson ishte shndërruar në mik të afërt të familjes së tij, transmeton Express në KTV.

Landis, një regjisor amerikan i filmit, skenarist dhe producent muzikor, e kishte pranuar menjëherë rastin për ta sjellë versionin 3D të videoklipit “Thriller”, ngase ka dashur që edhe publiku dhe fansat e Michaelit ta përjetojnë këtë video në mënyrën që mbreti i popit ka dashur. Ai poashtu shtoi se Jackson gjithmonë e ka pasur në plan të sjellë këtë projekt në ekran të madh.

“Zhgënjimi im i vetëm është për faktin se Michael nuk është këtu me ne sot për ta parë këtë projekt, ngase jam i sigurt se do ta pëlqente shumë,” tha ndër të tjera Landis. / KultPlus.com

“Ofshamë” e Zake Prelvukaj mbërtheu edhe Galerinë Kombëtare të Kosovës (FOTO)

Një prezantim i mahnitshëm i këtyre pikturave nëpër muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, jo vetëm që e kënaqi publikun duke i parë, por edhe duke i ndjerë ato. Përmes syve mund të shihje secilën ‘Ofshamë’ të secilës vijë të krijuar nga Zake Prelvukaj.

Sarandë Selimi

E bardhë, e zezë, ngjyrë kafeje, e verdhë, e kuqe, krem, ngjyrë portokalli… Portret duke ulëritë, trup femre, dorë, mure, shtëpi… ‘Pa Mitrovicë nuk ka Kosovë’, ‘Rroftë Mitrovica’, ‘Stop Manifestimeve pa çlirimin e Mitrovicës’, ‘Mos e prek’, ‘Shpia e Zane’… ‘Art modern’, ‘Demokraci’, ‘Shoot’, ‘Madness’… e krejt kjo ‘OFSHAMË’.

Mbrëmja e së hënës në Galerinë Kombëtare të Kosovës solli këtë qasje përmes pikturave të artistes shqiptare Zake Prelvukaj. Kjo ekspozitë personale e Prelvukajt mblodhi rreth ‘Ofshamës’ shumë miq, artdashës e familjarë të artistes, për të cilën kryeqyteti kosovar ka pritë goxha gjatë që të vijë me një ekspozitë të tillë. Një prezantim i mahnitshëm i këtyre pikturave nëpër muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, jo vetëm që e kënaqi publikun duke i parë, por edhe duke i ndjerë ato. Përmes syve mund të shihje secilën ‘Ofshamë’ të secilës vijë të krijuar nga Zake Prelvukaj.

Kjo ekspozitë u hap me fjalët e drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës Arta Aganit, e cila menjëherë ia kaloi fjalën ministres në detyrë në MKRS, Vlora Dushmoshit. Dumoshi, tha që është e nderuar të marrë pjesë në ekspozitën e mikes së saj, e cila përveç pikturës dhe talentit të saj, veçori specifike, sipas Dumoshit është edhe gjuha e malësisë të cilën ajo e flet. “Vetë kjo ekspozitë me titullin ‘Ofshamë’ e tregon një rrugëtim të popullit tonë dhe këtë më së miri e shpreh Zakja”, tha Dumoshi.

Ndërsa një katalog më i veçantë se nëpër ekspozita të tjera ishte ky për ekspozitën e Zake Prelvukajt. Në këtë katalog një shkrim të veçantë kishte bërë Shkëlzen Maliqi, me ç’rast lexoi pak pjesë nga ai shkrim.

“Artet bashkëkohore lirinë dhe kuptimin e kërkojnë para së gjithash te vetvetja e jo nënshtrimet e detyrimeve sociale, politike, religjioze… edhe në raste kur këto detyrime duken plotësisht të arsyeshme, ose për më shumë, si vlera sublimë, imponuese, të shenjta. Nga ana tjetër, kuptohet se nga artisti nuk mund të pritet që ai, si qenie sociale dhe politike që është, të shkëputet plotësisht nga jeta dhe zotimet sociale, të cilat në kohërat e krizave dhe të mbijetesës bëhen pothuajse të pashmangshme”, theksoi Maliqi, i cili vazhdoi tutje të thotë se Zake Prelvukaj shprehet plotësisht e vetëdijshme për këtë situatë ekzistenciale të artit.

“Në një bashkëbisedim me sinqeritetin më të madh ajo më kishte thënë: “Në vitet 90-ta, kur unë seriozisht pata filluar të merresha me art, krijimtaria ime motivohej jo vetëm nga dëshira dhe dashuria për artin, por edhe nga revolta””, pohoi Maliqi.

Pasi të pranishmit që ishin në një numër të madh shikuan e shijuan këtë ekspozitë, KultPlus foli me kritikun e artit Ilir Muharremi. Ai tha se Zakja konsiderohet si artiste e guximshme, mirëpo, sipas tij, koha ka ndryshuar, pasi që atëherë sistemi dhe femrat pak merreshin me art, kurse sot merren shumë.

“Motivet nuk qenë më të ndryshme nga ato që i kemi parë të Zakja, si për shembull: Demokracia tani trageti në mesin e këmbëve të femrës. Tashmë janë tejkaluar këto, nuk janë më atraktive, sepse femra është avancuar, duhet të avancohet dhe artistja të jetë përpara kohës së sotme e jo të jetoj me të kaluarën. E veçanta e ekspozitës ishte realizimi i punimeve në stilin e Zakës, herë abstrakt e herë ekspresiv abstrakt, sidomos portretet e shpërqendruara që ma kujtonin Dr. Zhivagon. Por edhe motivi nga lufta e fundit, mbishkrimet. Ka formën, vijën dhe ngjyrën por edhe kompozicionin. Është art i ndërdies, nuk i jep rëndësi veç figurës, por tërë kompozicionit. Ka përjetime individuale, ulërimë, ulërimë e munkut piktorit, klithma por nuk ka krijim të ri mbi sistemet, mbetet me të kaluarën e sistemeve”, u shpreh Muharremi i cili përfundoi të thotë se e sheh më shumë si art individual.

E vetë protagonistja kryesore e kësaj ngjarje, artistja Zake Prelvukaj, iu tha të pranishmëve se e kanë nderuar në rrugëtimin e saj jo të lehtë. Ajo tha se stacioni i saj ishte Prishtina e këndshme dhe e mira, ishte shtëpia e saj e cila gjithmonë u mor me art.

“Mora një rrugë që nuk e dija se ku të qet e ku do të shkoj, mirëpo ajo rrugë ishte më i rëndësishmi në jetën time, në atelienë në të cilën u rrita, studiova, krijova. Këto rrugë nuk duhet t’i shikojmë si të vështira, se njerëzit thonë që ndoshta nuk të shpërblehet puna, por unë për të gjithë ju them se puna shpërblehet dhe kjo puna ime është puna juaj, puna juaj është puna ime dhe në çdo”, u shpreh artistja e cila pas këtij fjalimi morri shumë duartrokitje e pastaj edhe shumë urime.
‘Ofshamë’ e Zake Prelvukajt do të qëndroj e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 5 tetor të këtij viti./ KultPlus.com

Një baba

Poezi e shkruar nga Alma Papamihali.

Një baba, s’është thjesht një baba,
Por dera e një shtëpie të hapur.
Vazhdimësi shkruar në ballë,
Mbi flok’, përkëdhelje e zgjatur.

Një baba, s’është thjesht një baba,
Por fjalë me peshë të artë,
Ky emër që s’njeh të këmbyer,
I vetmi çelës i saktë…

Një baba është krahu në trup,
Kujdesi në njeri shndërruar,
Mendimi që s’flet por të ndjek,
Mirësi, njëher’ në jetë dhuruar.

Dy artistë shqiptarë do të tundin Argjentinën

Janë duke u realizuar provat e fundit të shfaqjes “La Traviata” në Buenos Aires, shfaqje kjo që në të njëjtën skenë do të prezantojë dy ndër artistët më të fuqishëm në skenat prestigjioze ndërkombëtare, Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje operistike e Verdit që do të prezantohet në Shtëpinë Operistike në Buenos Aires më 12 shtator, do të vijë me rolet kryesore pikërisht nëpërmjet artistëve shqiptarë, ku Ermonela Jaho do të paraqitet në rolin e Violetës, kurse Saimir Pirgu në atë të Alfredos. Kjo shfaqje më pas do të ketë edhe reprizat më 15, 17 dhe 19 shtator.

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu janë dy nga artistët shqiptarë, të cilët janë prezantuar në skena të mëdha prestigjioze të botës./KultPlus.com