Nga Ema Qazimi tek Kadri Roshi, emrat që janë rritur në jetimore…

Nga Albert Zholi

Një histori e panjohur më parë, që hedh dritë mbi një nga misionet humanitare në vendin tonë dhe që shtrihet në pesë etapa e periudha që nga fillesat e saj deri në ditët e sotme.

Nga veprimtaria bamirëse e Motrave besimtare Katolike Stigmatine, të mbështetura më pas edhe nga Kryqi i Kuq Amerikan e Kryqi i Kuq Shqiptar, deri te periudha e mbretërisë. Më pas, historia vazhdon me veprimtarinë e strehës vorfnore në periudhën e pushtimit italian dhe deri pas çlirimit, në periudhën e komunizmit, e deri në ditët tona, pas viteve ’90.

Një histori pak e njohur edhe nga historianë dhe specialistë të fushës, por edhe për publikun e gjerë. Një ngjarje që hedh dritë mbi përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të patriotëve dhe humanistëve, që në përpjekje me vështirësitë e kohës, ia dolën të merrnin në mbrojtje dhe të shpëtonin nga mjerimi e fataliteti ata fëmijë pa familje dhe pa përkrahje, fëmijët jetimë.

Fondi prej 960 fotosh të ekspozuara është siguruar nga Biblioteka e Kongresit Amerikan, Instituti Luces, Qendra Harta e Francës, Fototeka Marubi, AQSH, AQFSH, ATSH, Biblioteka Kombëtare, arkivat e familjeve të vjetra tiranase dhe ato të qendrave të shtëpive të fëmijëve.

Ka njerëz që në jetën e tyre nuk u kushtojnë vëmendje relikteve të vjetra, as që u shkon mendja se çdo kujtim familjar, apo çdo fotografi vjen koha që bëhet pjesë e historisë. Jo pak herë themi: “…si nuk bëmë një fotografi…!?”. Jo pak herë themi “…i kishim po si e humbëm….”. Ku mund ta gjej fëmijërinë time tani? Mirëpo, lumturisht gjenden edhe njerëz që gërmojnë e gjejnë relikte historike, që kanë të bëjnë me jetët njerëzore, i qëmtojnë ato me kujdes dhe ua afrojnë brezave të ardhshëm. Ekspozitën “100 vjet rrugëtim të humanizmit shqiptar” e pamë ditën kur u bë hapja e javës kushtuar fëmijëve jetimë në oborrin e Presidencës, por iu kthyem sërish, sepse aq të shumta ishin materialet fotografike e aq me vlerë, sa kureshtja të shtyn ta rishohësh, por edhe të ndalosh gjatë dhe të meditosh. Një punë e shkëlqyer dhe plot pasion e kuruar me kujdes nga z. Ilir Çumani, që njëkohësisht është edhe drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Historinë e kemi mësuar nëpër libra, na e kanë thënë mësuesit, por kur ndalon përpara disa pamjeve që t’i sjellin afër ngjarjet, atëherë të duket se historinë e ke prekur me dorë e je bërë edhe vetë pjesë e saj. Organizatorët e kësaj ekspozite, Instituti i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, e kanë titulluar në mënyrë sinjifikative “100 vjet rrugëtim i humanizmit shqiptar”.

Gjithçka ka filluar atëherë, kur Shqipëria kishte pak kohë që ishte pavarësuar, e u përjetua në fillim me dhimbje. Në trojet shqiptare bëhej luftë, shumë shtëpi u dogjën, shumë njerëz u vranë e shumë fëmijë mbetën pa prindër e pa përkujdesje. Shpesh ishin të detyruar të braktisnin shtëpitë e vatrat e tyre, për të gjetur bukë e strehë në krahina të tjera. Në stendat ku janë publikuar jo pak, por plot 960 foto të rralla, shkruhet për një ngjarje tragjike. Dy fëmijë jetimë kishin rrugëtuar për ditë e net drejt Tiranës e u gjetën nga xhandarët në gjendje të mjeruar, të uritur e pa strehë, u morën nga autoritetet në përkujdesje, por njëri nga fëmijët ishte dobë- suar aq shumë, sa vdiq. Rauf Fico, që ishte një nëpunës i lartë i shtetit shqiptar, kur e mori vesh këtë lajm tragjik, u pikëllua shumë dhe në bashkëpunim me bamirës si Myrtesim Këlliçi, Sheh Abdurrahman Dyri, Murat Toptani, Zyber Hallulli e të tjerë, organizuan dhe çelën jetimoren e parë shqiptare në vitin 1917.

Por për këtë kauzë humane do të kishte edhe bamirës të tjerë, si Hasan Vogli, Salih Vuçiterna e Sadik Numani. Emrat e këtyre bamirësve i gjen që në krye të ekspozitës. Për fat, janë ruajtur edhe fotografi të asaj kohe, e në një prej tyre se jetimorja u bë në shtëpinë e Harasanëve, në Tiranë. Gjendja ekonomike e popullsisë ishte shume e rëndë, nevojat ishin të mëdha, ndaj shteti i ri shqiptar, krahas jetimores, përveç ndihmës që jepte në ato kohë të vështira misioni i Kryqit të Kuq Amerikan, organizoi dhe Kryqin e Kuq Shqiptar, i cili ndihmonte shtresat e varfra. Drejtuesi i parë i KKSH ishte Dr. A. Sadetini, në vitet 1922-1924, e më pas Dr. Qemal Jusufati, 1924-1933.

Historia për ngritjen e institucioneve të bamirësisë zë fill edhe nga veprimtaria humanitare e Motrave Katolike Stigmatine, që ushtronin veprimtarinë e tyre bamirëse në zonën e Nënshkodrës, në veri të vendit, gjithashtu me Kryqin e Kuq Amerikan në vitet 1917-1924 (fotografi të dhuruara nga Libraria e Kongresit Amerikan), që dhanë një ndihmë të madhe për popullsinë shqiptare në kushtet e një mjerimi të përgjithshëm e shkatërrimi nga luftërat. Një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare, e mbetur jashtë shtetit të ri shqiptar e nën sundimin e fqinjëve, u përzunë nga vatrat e veta dhe u vendosën në Shqipëri. Nëpër stenda shihen foto të shumta ku Kryqi i Kuq ndante supë për të varfrit, jetimët, apo bënte kontrolle mjekësore, shihen në foto vajza në strehën vorfnore, në mensa, në klasa, ku mësonin të punonin në avlëmend.

Me sa duket, ata që merreshin me jetimet kishin edhe vizionin e të ardhmes së këtyre fëmijëve, ndaj i përgatisnin për jetën. Një stendë e veçantë ishte me drejtuesit e jetimoreve nëpër vite, Shaufqet Muka, ishte drejtor jetimoreje në vitin 1930, Myzafer Xhaxhiu në vitet 1940- 1942 në Tiranë, Lame Xhama në vitet ’50 -’60 në Delvinë, Niko Ceci në Korçë, Persa Grabova në Shkodër, Evanthi Ciko në Tiranë, apo dhe Aneta Shuteriqi në Elbasan. Kjo e fundit, e nisi punën në përkujdesjen e fëmijëve jetimë parashkollorë, që kur ishte 17- vjeçare e deri sa doli në pension. Një jetë me përkushtim për fëmijët jetimë. Në disa stenda të mëdha ishin vendosur portretet e shumë personaliteteve të kulturës e artit apo fusha të tjera të jetës, të cilët janë rritur jetimë, por kanë qenë të suksesshëm në jetë dhe përbëjnë frymëzim e krenari për brezat e sotëm e të ardhëm. Spikatin mbi 50 personalitete të njohura, mes tyre dëshmorët Meta Hasa, Hydajet Lezha, Ali Demi, Manush Alimani, Kadri Roshi, Ibrahim Kodra, Qamil Grezda, Violeta Manushi, Bedri Dedja, Besim Levonja, Enver Dauti, Eno Koço, Shyqyri Sako, Ema Qazimi, Margarita Xhepa, Limoz Dizdari, Bedri Dedja, Nina Mula, Farudin Hoxha, Kiço Fotiadhi, Xhevahir Spahiu, Perikli Çuli, Fadil Zeqiri, Zoica Haxho, Astrit Kalenja, Bilal Xhaferri, Serafin Fanko, Margarita Xhepa, Jolanda Shala, Farudin Hoxha, Lek Sokoli, Vitore Sallaku, Kolec Traboini, Petraq Qafëzezi, Astrit Kalenja, Ilir Çumani, Mimika Luca, Bejkush Birçe, Jorgo Papingji, Lek Sokoli, e të tjerë.

(vazhdon). / KultPlus.com

Monumenti i Luigj Gurakuqit, në gjendje të tmerrshme (FOTO)

Monumenti i Luigj Gurakuqit është lënë pas dore.

Lajmin e japin vetë shkodranët, të cilët denoncojnë me foto gjendjen e shtatores së personalitetit Luigj Gurakuqi, një monument që duhet mirëmbajtur në çdo kohë, pasi është krenari, kujtesë e këtij vendi.

“Për Bashkinë apo institucionet e tjera, këto vepra shërbejnë vetëm për Ditën e Pavarësisë e nuk mendojnë që duhen respektu duke u kujdes për shtatoren e tyne me riparime apo ruajtje”, shprehet aktivisti Mirsad Basha ndërsa shton se monumentet mund të shërbejnë dhe si aktraksione turistike, në prezantimin e në qyteti në menyrën më të bukur.

Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925) qe veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat e deputet. Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lek Gruda. / KultPlus.com

Naxhie Deva, dama e Mitrovicës që kurrë nuk ka qenë e ndarë

Emri Naxhie Deva nuk është aspak i panjohur për ata që e duan artin e kulturën shqipe. Njihet si regjisorja e parë te ne, që veç aktrimit e regjisë, do të merret edhe me dramaturgji, lekturë teatri e me përkthime.

Në vitet 50-të të shekullit të kaluar, kur te ne luftoheshin ferexheja dhe prapambeturia ajo ngjitet në Teatrin e Mitrovicës, ku e krijon një ansambël djemsh e vajzash entuziastë, me të cilët, në vitin 1953, teatrin amator e shndërrojnë në teatër profesionist, shkruan KultPlus.

Deva flet në librin e Sanije Gashit – “Ecje nëpër kujtesë”, botuar në vitin 2012-të, kësisoj për Mitrovicën, qytetin e saj të lindjes:

Mitrovica, kurrë nuk ka qenë e ndarë, dëshiron patjetër të bëjë një shpjegim, ndërsa dëgjohet me vëmendje: qytet me lumenj, me 3 salla kinemaje, me fushë të tenisit, me hekurudhë që nga viti 1874, qytet i Minatorëve të Minierës Trepça.. nga Mitrovica janë edhe personalitetet, figurat e shquara të historisë sonë, si Nexhip Draga, apostull i arsimit kombëtar, Isë Boletini, tribun popullor. Që të dy bashkëpunëtorë të Hasan Prishtinës…

****
Populli ynë kurrë nuk ka qenë pushtues, por liridashës, çlirimtar. Përpjekjet për kryengritje të pakoordinuara, me peticione, nuk kanë pasur sukses. Për të ardhmen tonë kanë vendosur Fuqitë e Mëdha, fqinjët hegjemonistë dhe mos-uniteti ynë: interesi personal, klasor, partiak.

****

Eh, amatorët që i kam pasur unë, brezi i Mitrovicës kanë qenë të arsimuar, të gjithë më pastaj janë bërë drejtorë bankash, doktorë shkencash kanë vajtur në diplomaci… Edhe femrat kane qenë të ngritura, ka qenë grup që nuk kanë punuar për para as nuk kanë luftuar për role, kanë qenë entuziastë të disiplinuar…

E lindur në Mitrovicë më 1927, në një familje intelektualësh, u shkollua në Tiranë dhe me aktrim e regji filloi të angazhohet si shumë e re, së pari në Teatrin amator në Mitrovicë, si iniciatore e formimit të këtij teatri e pastaj edhe në Teatrin Kombëtar.

Ajo ishte regjisorja e parë shqiptare pasi kreu një kurs një vjeçar për regji gjatë viteve të pesëdhjeta si dhe magjistroi në shkencat filologjike në Prishtinë.

Deva luajti në dhjetra role kryesore e dytësore në dramën shqipe të Teatrit Kombëtar dhe së bashku me aktoret e para la gjurmë të pashlyer në krijimtarinë teatrore në këtë trevë. Ishte me vite përzgjedhëse dhe lektore e dramave në teatër dhe për angazhimin saj të shumë anshëm u shpërblye me mirënjohje e falënderime. / KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi takohet me ekipin e filmit ‘Martesa’ (FOTO)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi priti në takim, ekipin e filmit fitues “Martesa” të regjisores Blerta Zeqiri.

Ministri Gashi përgëzoi Zeqirin dhe ekipin e filmit “Martesa” për arritjet e tyre dhe suksesin e filmit, i cili ka triumfuar në festivalin prestigjioz PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival, me çmimin e kritikës ‘Fipresci Prize’ si dhe me çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition” në Gala mbrëmjen e organizuar në Tallinn të Estonisë.

Ai u shpreh se sukseset që po tregojnë artistët tanë jashtë kufijve të Kosovës, po ndihmojnë në krijimin e një imazhi të mirë për Kosovën, andaj këto rezultate janë motivi më i mirë për të vazhduar përkrahjen edhe më të madhe për punën dhe performancën e tyre. Ministri garantoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të rris përkrahjen edhe më tutje në realizimin e projekteve të tyre.

Ndërkaq, regjisorja e filmit, Blerta Zeqiri, falënderoi ministrin për pritjen e tij dhe përkrahjen e Ministrisë si dhe tha se puna e tyre nuk do të ndalet me kaq por do të punohet edhe më shumë në prurjen e sukseseve tjera me qëllim të promovimit të vlerave filmike të vendit tonë. / KultPlus.com

Piktorja 14 vjeçare Erlisa Çerkini shpërblehet me Mirënjohje për Qytetari Aktive

Gili Hoxhaj

Instituti Demokracia për Zhvillim ka mbajtur sot Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit, në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për Zhvillim: Promovimi i Vullnetarizmit dhe Qytetarisë Aktive në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Vullnetar i Vitit” e mori Silvar Hysenaj, i cili ushtron profesionin e tij përtej kohës së rregullt të punës si teknik medicinal, duke punuar si vullnetar edhe në ndërrime të dyta, vetëm që të jetë në shërbim të qytetarëve në raste emergjente.

Në mesin e shumë çmimeve që u dhuruan sot, piktorja 14 vjeçare Erlisa Çerkini u shpërblye me Mirënjohje për Qytetare Aktive nga Instituti Demokraci për Zhvillim. Ajo para pak javësh ka magjepsur publikun me ekspozitën e saj të parë personale, në kuadër të së cilës ka prezantuar rreth 30 punime, ky të ardhurat e dy prej tyre ka vendosur që t’i ndajë për bamirësi.

“Erlisa Çerkini pikturimin jo vetëm që e ka pasion dhe profesion, por edhe e dedikon për qëllim të mirë. Fitimet nga piktura e parë e shitur i dhuroi për Fshatin SOS, dhe këtë vazhdon ta bëjë edhe në ditët e sotme. Kontributi i saj sot vlerësohet me Mirënjohje për Qytetare Aktive”, u tha sot gjatë ndarjes së shpërblimeve.

“Fëmijët në SOS Fshat janë njëra nga kategoritë të cilat më prekin më së shumti andaj edhe ua kam dedikuar atyre paratë”, ishin fjalët e piktores së re me shpirt human e artistik.

Ajo më pas tregoi për KultPlus se ndihet tejet e emocionuar për këtë çmim, dhe se ky çmim e motivon edhe më shumë punën e saj të mëtutjeshme.

“Jam shumë e kënaqur qe me veprimin tim humanitar kam arritur të vlerësohem nga Instituti D4D. Ishte babi im, i cili më ka nominuar për këtë çmim ndërsa storja ime që paratë e fituara nga piktura ime e shitur t’ia dhuroj SOS fshatit, ju ka bërë shumë përshtypje komisionit. Ndihem shumë e nderuar që edhe pse në këtë moshë, kam arritur të kontribuoj në një kategori të njerëzve që më emocionojnë shumë, ky është një motiv qe unë të vazhdoj të jap edhe më shume nga veprat e mia”, tha piktorja Erlisa Çerkini.


Në këtë ceremoni çmimet u ndanë nga Ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell, i cili gjatë fjalës hyrëse në këtë ceremoni theksoi se vullnetarizmi është baza e një shoqërie demokratike.

“Vullnetarizmi është gjaku i një shoqërie demokratike. Çdo demokraci në botë ka nevojë për institucionet, zgjedhjet, parlamentet por më së shumti demokracia ka nevojë për qytetarët aktiv, për vullnetarë, për njerëzit të cilët nuk presin që dikush tjetër do t’i zgjedhë problemet të gjithëve por që mbajnë fatin në duart e tyre dhe bëjnë përpjekjet për ndryshim, bëjnë përmirësimet në shoqërinë e tyre”, ishin disa nga fjalët e fjalimit hyrës të Ambasadorit Ruairi O’Connell.

Qëllim i Çmimit për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit është promovimi i punës dhe angazhimit të vullnetarëve në Kosovë, aktivizmi dhe shërbimi i të cilëve ka bërë ndryshim të dukshëm në komunitetet e tyre./ KultPlus.com

Dëgjoni 22 këngët konkurruese në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar

Janë zbuluar sonte të gjitha këngët, titujt, kompozitorët e këngëtarët që do të jenë pjesëmarrës në Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

22 këngë do të jenë pjesë e këtij festivali. Më poshtë po e sjellim lisën por edhe këngët, të cilat këtë vit prezantohen paraprakisht, para se të këndohen me datë 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, shkruan KultPlus.

Dihet se kënga fituese do të prezantojë Shqipërinë në Eurovizionin e vitit 2018-të në Portugali.

Mes emrave që shohim në këtë edicion janë edhe Xhesika Polo, Mariza Ikonomi, Redon Makashi, Voltan Prodani dhe emra tjerë.

https://www.youtube.com/watch?v=KJl9UPxNcdg&feature=youtu.be&list=PL0XoaVRW0j7ByvZHWOn7oFawxe4DIDCPt

Bojken Lako kthehet në këtë festival për herën e katërt, ndërsa Elton Deda vjen në festival pas pjesëmarrjes në vitin 2011-të, kur u rendit në vendin e dytë. Artemisa Mithi po e bën debutimin e saj në festival, ndërsa Eugent Bushpepa kthehet poashtu në festival pas disa vitesh mungesë. / KultPlus.com

AKULLTHYESIT – “Divorci” (Divorce)
Artemisa Mithi – “E dua botën” (I love the world)
Bojken Lako – “Sytë e shpirtit” (The eyes of the soul)
David & Genc Tukiqi – “Të pandarë” (Inseperable)
Denisa Gjezo – “Zemër ku je” (Dear heart, where you are)
Elton Deda – “Fjalët” – (Words)
Ergi Bregu-Latifllari – “Bum Bum”
Eugent Bushpepa “Mall” (Yearning)
Evans Rama – “Gjurmët” (Traces)
Inest Neziri – “Piedestal” – (Pedestal)
LORELA – “Pritem edhe pak” (Wait a little longer)
LYNX – “Vonë” (Late)
Manjola Nallbani – “I njejti qiell” (The same sky)
Mariza Ikonomi – “Unë” (Me)
NA & Festina Mezini – “Tjetër jetë” (Another life)
Orgesa Zaimi – “Ngrije zërin” (Speak up)
Redon Makashi – “Ekzistoj” (I exist)
Rezarta Samja & Luis Ejlli – “Ra një yll” (A star fell)
Stefi & Endri Prifti – “Mesazh” (Message)
Tahir Gjoci – “Orë e ndaluar” (Stopped clock)
Voltan Prodani – “Pse të desha” (Why would I love you?)
Xhesika Polo – “Përjetë” (Forever)

Barbara

Poezi e shkruar nga Jacques Prévert. (Shqipëroi Vasil Qesari)

Mos harro Barbara,
Binte shi atë ditë në Brest.
E ti e qeshur ecje,
E lehtë, e gëzuar, e bërë qull
Nën litarët e shiut …
Mos harro Barbara !
Shiu s’pushonte në Brest,
E ne u pamë në rrugën Siam.
Ti qeshje
E unë të buzëqesha.
Ty që nuk të njihja
Ti që nuk më njihje.
E mban mend,
Pa tjetër e mban mend atë ditë !
Një burrë nën’ një portë qe strehuar
Dhe thirri emrin tënd:
– Barbara !
E ti rende drejt tij nepër shi
Hareshëm, e qeshur, tërë lumturi
E në krahë ju hodhe …
Mos e harro këtë Barbara,

E mos u dëshpëro nëse të flas me ti
Kështu u flas të gjithë atyre që dua
Edhe kur i kam parë vetëm një herë.
Kështu u flas gjithë të dashuruarve,
Edhe pse s’i kam njohur kurrë !
Mbaje mend Barbara,
Mos e harro
Atë shi të butë e të lumtur
Mbi fytyrën tënde të bukur,
Në atë qytet të lumtur.
Atë shi mbi det,
Mbi mal,
Mbi anijen Ouessant.
Oh,Barbara,
Lufta është idiotësi !
Ku je, ku ndodhesh ti tani
Nenë këtë shi të metaltë
Prej zjarri,çeliku e gjaku ?
Ku është ai që në krahë
Të shtrëngonte plot dashuri
Është vrarë, zhdukur a është ende gjallë ?
Oh, Barbara
Bie pambarim shi në Brest
Siç binte atëherë,
Po s’është njëlloj,
Gjithçka ka ndryshuar
S’është shi kobi a dhimbje patreguar
S’është më as stuhi
Hekuri, çeliku e gjaku,
Por thjesht ca re të mbetura
Hequr zvarrë si lango rrugësh
Si zagarë që heqin shpirt
Përrenjve të Brestit
E që kalben larg
Larg, shumë larg,
Aty ku gjurmë
S’u mbetet më …

Foto të rralla të partizaneve në Shkodër (FOTO)

Ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme Kastriot Dervishi, në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar foto të vitit 1944, kur më 29 nëntor partizanët hynë e parakaluan në Shkodër.

Këto çaste përshkruhen në librin e At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, të cilat historiani i përcjell në postimin e tij.

Ky është publikimi i plotë:

“1944/Partizanet në Shkodër
Në librin e tij “Rrno për me tregue”, At Zef Pllumi përshkruan çastet kur partizanët hynë e parakaluan në Shkodër më 29 nëntor 1944, disa orë pasi ushtria pushtuese gjermane ishte larguar e qetë e pasulmuar nga askush. Pjesën e mëposhtme të At Zefit, kam dëshirë ta paraqes me një ilustrim në lidhje me partizanet, nxjerrë nga galeria e pafundme e fotove që kam nga këto ngjarje. At Zefit, teksa i janë shfaqur pamjet që po paraqes bashkëlidhur, shkruan në librin e tij:
“Ushtria partizane, e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si një ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Çka bante ma shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund të ishin ato femna me pushkë në krah?”./ KultPlus.com

Vdes romancieri i njohur francez Jean Ormesson

Romancieri Jean Ormesson vdiq pas një infarkti miokardi në shtëpinë e tij në Neuilly (periferi të Parisit) bëri të ditur e bija, botuesja Héloïse Ormesson.

”Ai shprehej shpesh se do të largohej pa mundur t’i thotë të gjitha dhe ishte pikërisht sot. Ai ka lënë pas një trashëgimi me libra të mrekullueshëm”, tha ajo.

I anëtarësuar në 1973 në Akademinë Franceze, redaktor dhe ish-drejtor i Figaros (1974-1977), ai mban autorsinë e 40 veprave.

Karriera e tij letrare kulmoi në 1971 me “Lavdia e perandorisë” e vlerësuar me çmimin e madh të Akademisë Franceze.

Në 2015, ai mori vlerësimin më të madh në mesin e shkrimtarëve francezë pasi veprat e tij do të publikoheshin në koleksionin “Plejada e Botimeve Gallimard”.

I lindur në Paris më 16 qershor 2016, djali i ambasadorit Jean Ormesson, ish-nxënës i Shkollës së Lartë Normale ku u diplomua për filozofi, nis karrierën e një zyrtari të lartë.

Pas anëtarësisë në delegacionet franceze dhe disa konferencave ndërkombëtare (1946-48), ai hyn në UNESCO, ku merr postin e sekretarit të përgjithshëm (1950-1992), më pas president i Këshillit Ndërkombëtar të filozofisë dhe shkencave njerëzore. Ai mori pjesë paralelisht në disa kabinete ministrore nga 1958 deri në 1965.

Bashkëpunëtor që nga 1949 në disa gazeta, Paris-Match, Ouest-France, Nice Matin ai është zëvendëskryeredaktori (1952-71) i revistës filozofike ”Diogjen” përpara se të zgjidhej drejtor i përgjithshëm në 1976.

Kryetar i bordit drejtues të shoqërisë të menaxhimit të gazetës “Le Figaro” drejtor i kësaj së përditshme nga 1974 deri në 1976, dhe më pas drejtor i përgjithshëm deri në dorëheqjen e tij në qershor 1977.

Jean Ormesson publikoi në 1956 romanin e tij të parë “Dashuria është kënaqësi”. Në mesin e sukseseve të mëdha letrare, “Në kënaqësinë e Zotit” (1974) që do të përshtatej në televizionin. Duke vijuar më pas “Zoti, jeta ime, vepra ime”, (1981), “Jean zëmërak dhe Jean që qesh” (1984).

Me “Historinë e hebreut endacak” (1991), “Dogana e detit”, (1994) dhe “Thuajse asgjë për thuajse gjithçka” (1996), shkrimtari i cili mori çmimin Chateaubriand (1994) për tërësinë e veprës së tij, paraqet këndvështrimin e tij për botën, me anë të artin ku ai mundet të prekë çështje të mëdha me moskokëçarje./ KultPlus.com

“Unë jam pothuajse gjithmonë e vetmuar” letrat dëshpëruese të Greta Garbo që do të shiten për 20,000 funta

Jeta e rraskapitur e Greta Garbo, është shtrirë në një koleksion letrash të shkruar nga aktorja suedeze, e që janë përkthyer para se të dalin për shitje javën e ardhshme në Sotheby, shkruan The Telegraph, përcjellë KultPlus.

Garbo ishte një nga yjet më të suksesshëm të viteve 1930, ndërsa të ardhurat e saj tejkalonin bashkëkohësit e saj. Ajo fitonte rreth 3 milionë dollarë, që i bie 42 milionë dollarë në paratë e sotme.

Koleksioni i letrave të publikuara tregojnë se ajo ndihej tepër e vetmuar. Garbo e urrente motin e pandryshueshëm të Beverly Hills, dhe shfaqej e shqetësuar për suksesin e filmave të saj ndërsa ndihej e dëshpëruar për ngjarjet që po ndodhnin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dukej se ajo po jetonte një jetë gjithnjë e më të izoluar në Hollivud.

“Unë jam pothuajse gjithmonë e vetmuar dhe flas shumë shpesh me veten time, ndonjëherë vozis dhe shëtis në plazh dhe kjo është gjithmonë e mrekullueshme, por kjo është e gjitha…”, kishte shkruar ajo më 14 nëntor të vitit 1939, tek fliste për jetën e saj në Beverly Hills.

Revistat dhe gazetat e bënë edhe më të vështirë jetën e Garbo-s, siç kishte shkruar edhe ajo në njërën nga letrat: “Në krye të të gjitha absurditeteve të tjera, ata po më martojnë mua për të 759-ën herë”.

Aktorja Garbo, nuk u martua kurrë dhe nuk kishte fëmijë, ndërsa vdiq në vitin 1990 në Manhatan, duke ndërtuar një perandori të vogël të pronës përmes fitimeve të saj MGM.
Letrat e saj do të dalin në shitje në Sotheby, në Londër më 12 dhjetor dhe kapin një vlerë prej 15 mijë deri në 20 mijë funta./ KultPlus.com

“Reputation” i Taylor Swift mban pozitën e parë edhe pas tri javëve në Billboard

Taylor Swift e cila së fundmi ka publikuar albumin e saj të ri, “Reputation” po e mban vendin e parë në tabelën e Billboard për plot tri javë, përcjellë KultPlus.

Deri tani albumi i saj “Reputation” është shitur në 1.6 milion kopje. Këngëtarja Swift, këtë të premte ka lansuar albumin e saj edhe në të tjera platforma ku janë të përfshirë Spotify, Apple Music dhe Amazon.

Kjo mund t’i japë “Reputation” një sukses tjetër në tabelën e javës së ardhshme, ndërsa do të sfidohet nga albumi i ri i U2, “Songs of Experience”./ KultPlus.com

Kënga e famshme e Nexhmije Pagarushës, KultPlus sjellë edhe disa versione të kësaj (VIDEO)

“E Kujtoj Atë Takim” , është një nga këngët magjepsëse që fillimisht erdhi përmes zërit hyjnor të bilbilit kosovar, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

“E kujtoj atë takim , me lotët e dashurisë
Jetoj në atë përqafim , që ma dhurove ti”, është pjesë e refrenit që me plot muzikalitet e sjellë Nexhmije Pagarusha, ndërsa më pas u këndua për të satën herë nga këngëtarë e zëra të ndryshëm të muzikës shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=FZFQamDPNRE
KultPlus ju sjellë edhe pesë versione të kësaj kënge të kënduar nga: Aurela Gace, Yllka Kuqi, Esat Bicurri, Edona Llaloshi, po ashtu kjo këngë vjen edhe nën interpretimin e Eliza Hoxhës dhe Sinan Vllasaliut. /KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=ZGAAiaqu-4o

Nesër ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2016-të

Të mërkurën më 6 dhjetor më fillim nga ora 17:00, në sallën e Teatrit të Kukullave në Tiranë, ndahen Çmimet Letrare 2016-të, shkruan KultPlus.

Kjo do të jetë në kuadër të Takimit me Librin, ku nga 10 tituj të përzgjedhur si më të mirët për vitin 2016, nga juria letrare, për Përkthimin dhe për Krijimin Origjinal, dy nga ta do të dalin fitues.

Juria përbëhet nga: Primo Shllaku në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe Flutura Açka, Elsa Demo, Bajram Karabolli, Lisandri Kola./ KultPlus.com

Kaltrina Krasniqi me dokumentar për kitaristin Petrit Çeku (VIDEO)

Sapo është lansuar teaser i dokumentarit “Sarabande”, i punuar nga regjisorja Kaltrina Krasniqi, e që për fokus ka kitaristin e njohur shqiptar Petrit Çeku, shkruan KultPlus.

Vetë Kaltrina Krasniqi ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale për lansimin e këtij dokumentari, që sipas saj ka nisë qysh në vitin 2014. “Sot i gëzohem këtij fakti, sepse tri vjet mbas e kemi n’i film të cilin jom k’naqë tue e qëndisë”, ka shkruar Krasniqi.

Kurse në teaser-in e publikuar shihet Petrit Çeku në shtëpinë e tij të lindjes, i cili edhe tregon hapësirën të cilën e ka përdorë për ushtrimet në kitarë. Ndërkohë, nuk është bërë e ditur se ku do të prezantohet ky dokumentar./KultPlus.com

Atje

Poezi e shkruar nga Fahredin Shehu.

Kur shikimin e ngre kah format e bardha t’reve
atje e gjen ftyren teme t’ndriçume prej rrezeve t’diellit
nanë apo nuk jam… me petka filur e veshun
si në natën e nusnisë,
me livante floke t’lyme
me ftyrën si hana e plotë
e shikueme n’paqyre t’Venedikut
si atëhere kur krisnin pushkat
e krushqit kahre u bojshin
kush ma i pari e kalon udhkryqin
mes dy varrezash
njona e murtajes e tjetra e fëmijeve
t’vdekun prej fruthi

Sot kur unë ul shikimin dhe shoh barkun
toka tek ma ngreh
diqysh si po du me e knue kangën e mesditës
kur dielli edhe hijen ta humb
e beqarve i bjen t’fiktë
tue pa ikjen dath t’Zanës me krifën kaçurrele
t’përflakun
erandje mirre dhe vjollce tuj shpërnda gjithandej
si atëhere kur hana si Zot adhurohej
e paganët u lutshin shiu me ra
me kambana dhe leshterik,
me fletë shtogu dhe degza t’lakueshme
të shelgut vajtues mbështjellun

Nesër do t’shikohemi drejt n’sy
tue e pa rrenën e shoqi- shoit,
qysh ec si zhiva n’damarr t’plakun
me selmen t’helmuem qysh n’çikni
dhe ftyrat nuk do t’na skyqen prej marrës
sepse terrin e mbështollem n’rule
e lidhëm n’bohqe t’punueme
n’vekun e diellit
atje ku vena pihet e nuk t’i merr ment
ku dashninë e bojnë si frymëmarrjen
e nuk e emnojnë si na
atje ku fjalën e bojnë e nuk e thojnë…

Rrjeti Evropian i Përkthimeve Teatrale – Eurodram, hapë thirrjen për aplikim

Eurodram është rrjet Evropian i Përkthimit Teatror, i cili përdorë gjuhët evropiane, mediterane dhe ato të Azisë Qendrore. Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që tu bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve, që në masë të madhe mbetet e pa-botuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor.

Për vitin 2018 komitetet gjuhësore janë të ngarkuara që të përzgjedhin drama të përkthyera në shqip nga gjuhët tjera që janë pjesë e Eurodram-it. Dramat duhet të jenë përkthyer në këto dy vitet e fundit.

Aplikimet shpërndahen në mbi 300 lexues, dhe kalojnë në 24 komisione të gjuhës. Tekstet e dorëzuara lexohen nga komisionet, që selektojnë një përzgjedhje të dramave origjinale të shkruara ose të përkthyera në gjuhën e tyre (të shkruara fillimisht në gjuhët e tjera evropiane, aziatike dhe mesdhetare).

Veprat origjinale paraqiten pastaj tek përkthyesit në të gjithë Evropën me qëllim që ato të përkthehen dhe qarkullojnë në sa më shumë gjuhë të jetë e mundur. Përkthimet e dramave u promovohen profesionistëve të teatrit që punojnë në gjuhën e komitetit me qëllim të prodhimit ose publikimit. Shfaqjet e përzgjedhura,nxiten gjithashtu përmes leximeve, ngjarjeve dhe në internet.

Për garën e vitit 2018, Eurodram do të pranojë aplikimet e dramave origjinale bashkëkohore nga dramaturgët të cilët janë banorë ose qytetarë të zonës së gjerë evropiane.

Për të gjithë dramaturgët, shkrimtarët dhe krijuesit që duan të arrijnë një audiencë ndërkombëtare me shfaqjet e tyre, aplikimet e tyre duhet të dërgohen në komisionin përkatës të gjuhës që ata e përdorin.

http://sildav.org/component/content/article/288

Për më shumë informacion rreth kushteve mund të njoftoheni brenda këtij linku:

http://www.sildav.org/eurodram/presentation-a-mode-demploi

Afati i fundit për aplikim është më 31 dhjetor 2017 kurse rezultatet do të shpallen më 15 mars 2018./ KultPlus.com

Shitet për 6.5 milionë dollarë “Diamanti i Paqes” i Sierra Leones

“Diamanti i Paqes” prej 709 karatësh i cili është një nga diamantët e papërpunuar më të mëdhenj në botë që i përket Sierra Leones është shitur në vlerë prej 6.5 milionë dollarë.

Diamanti u nxor në një ankand të hapur në New York nga Qeveria e Sierra Leones me qëllim për të ndihmuar të varfrit në vend dhe për të zhvilluar projektet e zhvillimit. Diamanti është blerë nga Laurence Graff i cili është kreu i markës britanike të stolive Graff Diamonds.

Gjysma e të ardhurave nga diamanti do të përdoren veçanërisht për projekte të ujit të pijshëm, energjisë elektrike, arsimit dhe projekte të shëndetësisë në fshatin Koryardu në lindje të vendit që është fshati ku është gjetur diamanti.

Poashtu edhe në muajin maj diamanti i cili është i 14-ti në botë për nga madhësia u nxor në shitje në një ankand në New York por Qeveria e Sierra Leones nuk e kishte pranuar ofertën shitjen e tij për 7.8 milionë dollarë. Oferta në këtë ankand për “diamantin e paqes” ishte më e ulët se oferta e mëparshme.

“Diamanti i Paqes” u gjet në muajin mars nga prifti i krishterë, Emmanuel Momoh në fshatin Koryardu në rajonin Kono ku prifti ia dorëzoi qeverisë diamantin.

Në luftën civile në vitet 1990 në Sierra Leone, këto gurë të çmuar u përdorën për të blerë armë dhe u quajtën “Diamant të përgjakshëm”./ KultPlus.com

Poezitë e Fahredin Shehut, prezantohen në Trafika Europe

Fahredin Shehu, është poet i njohur kosovar i cili me poezitë e tij ka marrë pjesë në shumë ngjarje të ndryshme ndërkombëtare.

Kësisoj sot në Trafika Europe Corner II.5 janë prezantuar tri poezi të poetit Shehu, të cilat janë të përkthyera nga vetë ai.

“Dragoi”, “Ana kristale e kohës” dhe “Atje”, janë poezitë që janë publikuar në gjuhën angleze në Trafik Europe Corner, ndërsa bashkë me poezi është publikuar edhe një biografi e shkurtër e poetit kosovar.

Në këtë link mund të lexoni poezitë e Fahredin Shehut në Trafika Europe: http://www.eurolitnetwork.com/kosovan-poet-fahredin-shehu-in-trafika-europe-corner-ii-5-by-andrew-singer/ / KultPlus.com

“Festivali i Filmit Ndërkombëtar i Kosovës dhe Metohisë”, mbahet për herë të tretë në Graçanicë

Festivali mbahet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në Republikën e Serbisë, në partneritet me Qendrën Kulturore në Graçanicë, festival i cili do të prezantojë vetëm filmat serb, shkruan KultPlus.

Është edicioni i tretë sivjet dhe Gracanica është gati për hapjen e këtij edicioni të festivalit, të cilën tashmë e tre vite e kanë emëruar “Festivali i Filmit Ndërkombëtar i Kosovës dhe Metohisë”, shkruan KultPlus.

Sipas medieve serbe, ky festival që organizohet nga Forumi i Evropës, do të nisë më 13 dhe do të mbyllet më 15 dhjetor.

Festivali mbahet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në Republikën e Serbisë, në partneritet me Qendrën Kulturore në Gracanicë, festival i cili do të prezantojë vetëm filmat serb.
Bëhet e ditur se në këtë festival do të prezantohet filmi i nominuar për Oscar “Rekvijem za gospodu J”, me regji të Bijana Vuletic, sikurse edhe filmi tjetër i Emir Kusturicës “Na mlecnom putu”, ku luan edhe e famshmja Monica Belluci, komedia “Stado”, pastaj filmat “Igla ispod paraga”, “Biser Bojane”, Books of Knjige”…/KultPlus.com

Rita Ora me stil të veçantë gjatë performancës në Fashion Awards 2017 (FOTO)

Rita Ora, mbrëmë mori vëmendjen e të pranishmëve gjatë parakalimit në tapetin e kuq me një fustan metalik, ndërsa në skenë u ngjit e veshur me veshje të leopardit duke fascinuar publikun me dukjen dhe performancën e saj, përcjell KultPlus.

Këngëtarja shqiptare, mbrëmë erdhi me një kombinim mes të verdhës dhe të zezës, teksa veshur mbante një xhaketë të gjatë dhe streçe në formë leopardi, derisa gjatë gjithë pertformancës mban në duar një daulle të bardhë. Po ashtu me flokët e saj të lëshuara mbi supe, e me bizhuteritë i shton edhe më shumë elegancë stilit të saj.

Rita gjatë kësaj mbrëmje shihet nën shoqërimin e një kori, i cili veshur me të zeza e përqendron të gjithë vëmendjen tek dukja e Ritës.

“Fashion Awards”, është ceremoni që mbahet çdo vit në Britani të Madhe që nga viti 1989 ku marrin pjesë individë e biznese britanike e ndërkombëtare me ndikim në industrinë e modës./ KultPlus.com

“New Rules” e Dua Lipës – kënga më e mirë e vitit 2017

Prestigjiozja amerikane “Time” e ka përzgjedhur këngën “New Rules” të Dua Lipës si këngën më të mirë të vitit 2017.

“New Rules” e Lipës e lansuar në korrik deri tani ka 745 milionë klikime vetëm në YouTube, ndërsa suksesi i saj e ka shpallur Dua Lipën si femrën më të dëgjuar në Britani të Madhe sivjet.

“Asnjë vit nuk ka pasur nevojë për ‘rregulla të reja’ (New Rules) si 2017-a, dhe e lindura në Kosovë dhe e rritur në Londër i renditi ato në një hit viral që ngulitet në kokë”, ka shkruar “Time” si përshkrim të kësaj kënge.

Top dhjetëshja e “Time” është si në vijim:

10. Kelsea Ballerini, “Legends”

9. JAY-Z, “Story of O.J.”

8. Selena Gomez, “Bad Liar”

7. Cardi B, “Bodak Yellow”

6. Portugal, The Man, “Feel It Still”

5. King Krüle, “Biscuit Town”

4. Frank Ocean, “Chanel”

3. Luis Fonsi & Daddy Yankee, “Despacito”

2. St. Vincent, “New York”

1. Dua Lipa, “New Rules”

Dua Lipa e para në “Spotify”, lë prapa Beyoncen dhe Rihannan

Këngëtarja e shqiptare Dua Lipa, ka lënë prapa emra të mëdhenj si Beyonce dhe Taylor Swift, duke u bërë këngëtarja më e dëgjuar në platformën britanike Spotify, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Hitet e suksesshme të yllit të pop-it përfshijnë “New Rules”,e cila është dëgjuar për 464 milionë herë në mbarë botën. Kurse hiti i saj “Scared To Be Lonely”, është dëgjuar gjithsej 453 milionë herë në këtë platformë.

KultPlus ju përcjellë listën e pesë femrave më të dëgjuara në “Spotify”, në Britaninë e madhe:
1.Dua Lipa
2.Rihanna
3. Ariana Grande
4. Taylor Swift
5. Beyonce

Iniciohet shpëtimi i veprave të Çavdarbashës

Pesë vjet pas alarmimit se veprat e skulptorit Agim Çavdarbasha po shkatërrohen, Ministria e Kulturës e ka bërë hapin e parë konkret për t’iu përgjigjur thirrjes për konservimin e tyre.

Bëhet fjalë për ato që zënë vend në galerinë-muze të tij.

Në Projektligjin e buxhetit për vitin 2018, ky institucion tek kategoria e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore ka paraparë 50 mijë euro për projektin e konservimit, shkruan sot “Koha Ditore”. Por, megjithatë, veprat të cilat ndodhen në oborrin e galerisë-muze në Çagllavicë − për të cilat familja shpeshherë ka alarmuar se ndodhen në prag të shkatërrimit − të paktën edhe sivjet do t’u ekspozohen reshjeve atmosferike.

Nevojë për trajtim kanë edhe veprat prej druri që ndodhen brenda galerisë, e të cilat janë dëmtuar nga një lloj insekti. Fondacioni që mban emrin e skulptorit të ndjerë disa herë kishte bërë kërkesë në MKRS për ndihmë financiare.

Për të parën herë kërkesë për shpëtimin e krijimtarisë së Çavdarbashës, Sebahate Çavdarbasha, udhëheqëse e “Fondacionit Çavdarbasha”, e kishte bërë më 2013, kur ministër i Kulturës ishte Memli Krasniqi. E në shtator të vitit 2015, ajo e kishte dërguar projektpropozimin në MKRS, për të kërkuar ndihmë financiare për konservimin e skulpturave.

Dhe kishte kërkuar takim me ministrin e Kulturës, asokohe Kujtim Shala, por s’kishte marrë asnjëherë përgjigje. E tek në vitin që vjen MKRS planifikon t’i përgjigjet kërkesës së familjes, që disa herë e ka përsëritur alarmin se veprimtaria e skulptorit të njohur rrezikon të zhduket krejtësisht nëse nuk shpëtohet./ KultPlus.com

“Urban Culture Festival”, kushtuar atyre që i sollën Tiranës ngjyrat që ajo gëzon sot

Vjen edicioni i parë i një eventi kushtuar atyre që kanë shënuar historinë e kulturës urbane, rebelëve, etaloneve të artit dhe revoltës sociale. Disi për t’i kujtuar këtij qyteti që gjithmonë ka pasur një traditë për sa i përket kontroversialitetit dhe për të rikthyer ata të cilët kanë hedhur hapat e parë drejt një kulture të mirëfilltë underground për të cilën tashmë ndoshta jo të të gjithë janë të vetëdijshëm.

Telekom Electronic Beats me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës sjellin në zemër të qytetit, përgjatë dy ditëve, një program dedikuar tërësisht performuesve dhe kulturës urbane. Idea lindi nga vetë fakti që Tirana nuk ka pasur kurrë një festival kushtuar kësaj kulture, e cila në vetvete gjithmonë ka përvetësuar dhe përfaqësuar aspekte të ndryshme të kësaj mënyre jetese nga një perspektivë lokale e mandej globale. Përgjatë dy dekadave të fundit, Tirana ka kaluar përmes shumë eventeve historike të frymëzuara nga lëvizjet e ndryshme muzikore dhe kulturore urbane, evente të cilat tashmë janë pjesë jo vetëm e historisë, por e vetë identitetit të saj. Nga house-i i hershëm apo kasetat me muzikë rock, tek festat e improvizuara dhe sulmet e policisë e deri tek trip-hop-i i fundit të viteve ’90 dhe background-et elektronike që i kanë dhënë jetë e ngjyrë qiellit të qytetit gjatë verës apo festave në magazina gjatë dimrit, apo nga hip-hop-i në dancehall, drum’n’bass e shumë të tjera… Tirana i ka parë e dëgjuar të gjitha! Prapa gjithë kësaj lëvizjeje, hera-herës të shkëputur dhe jo të vazhdueshme, qëndrojnë përpjekjet e shumë individëve të cilët dhanë kontributin e tyre për ta përfshirë Tiranën në lëvizjen globale të kulturës urbane.

Ky aktivitet synon të tregojë këtë histori dhe të festojë bashkë me ata të cilët ndihen të lidhur me kulturën urbane dhe përpiqen ta promovojnë atë.

ÇFARË DO GJENI NË URBAN CULTURE FESTIVAL? Nata e parë, në datën 8 dhjetor do sjellë në ambientet e Minus 1 [parkingu u Sheshit Skënderbej] legjendarët Asian Dub Foundation Sound System nga UK dhe NR Urban Roots, pionerët e muzikës rap/hip-hop nga Kosova. Lokacioni i cili rezultoi një sukses i vërtetë dhe origjinal në mbrëmjen e 22 shtatorit do rikthehet, dhe këtë herë në skenën e tij underground do ngjiten emra të cilët jo thjesht kanë qenë pjesë e momenteve vendimtare të ndryshimeve urbane globale dhe lokale, por kanë dhënë kontributin e tyre artistikisht në zhvillimin e kësaj kulture. Në ditën e saj të të dytë, 9 dhjetor, Urban Culture Festival do zhvendoset tek ikona e kësaj kulture: Piramida, me një program ditor i cili nis në orët e para të ditës me grafitti, skating, break dance, open mic, shfaqjen e imazheve në retrospektivë dhe mbi të gjitha, diskutimeve të cilat së bashku me këto aktivitete do krijojnë tablonë e parë të historikut të jetës urbane në Tiranë, dhe diskutimit të hapur mbi zhvillimin e mëtejshëm të saj. Mbrëmja e dytë rezervon një tjetër tribut ndaj zanafillës së jetës së natës që shijojmë tashmë në qytet, pasi do sjellë në skenë për të performuar me pllaka vinile [Vinyls] emrat të cilët kanë krijuar shtyllën mbi të cilën ngrihet kultura e muzikës [dhe jo vetëm] urbane në Tiranë. Gjithçka do vijë në kohë reale jo vetëm për pjesmarrësit dhe vizitorët, por edhe për të gjithë ata të cilët do duan ta ndjekin zhvillimin e këtij aktiviteti hap-pas-hapi falë transmetieve LIVE në rrjetet sociale.

Për informacione të mëtejshme, programi i detajuar të dyja ditëve ndodhet më poshtë:

8 Dhjetor – Parkimi i Sheshit Skënderbej 21:00 – 22:00 Erblin Bajko (AL) 22:00 – 23:00 The Funky Villainz (IT/AL) 23:00 – 24:00 NR (Urban Roots/ KS) 00:00 – 01:30 ASIAN DUB FOUNDATION (UK) 01:30 – 03:00 Draft (IT) 9 Dhjetor – Piramida

Daily Activities 11:00 – 13:00 Graffiti Live Action 11:00 – 13:00 BreakDance/ Skating/ Open Mic – Music by Positive Cuts 13:00 – 14:00 Talks 14:00 – 15:00 Screenings 18:00 – 19:00 Talks 19:00 – 21:00 Screening Music Program- OLD SCHOOL ELECTRONIC PARTY (VINYL ONLY) 21:00 – 22:00 MINIMIM 22:00 – 23:00 BESA M. 23:00 – 00:30 LEO CIKO 00:30 – IVI ABAZI./ KultPlus.com