Fadil Berisha dhuron fotografitë për Bekim Lumin

Aktivitetet për Bekim Lumin krahas Kosovës, po organizohen edhe në Amerikë. Atje do të mbahet një mbrëmje me muzikë shqiptare, në mënyrë që të kontribuohet në shërimin e regjisorit dhe profesorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje është iniciativë e artistëve dhe miqve të Bekim Lumit, shumica e të cilëve jetojnë dhe veprojnë në New York. Në mesin e tyre është edhe fotografi i njohur Fadil Berisha, i cili ka dhuruar si donacion disa nga fotografitë e tij.

Kjo mbrëmje do të mbledh disa artistë të shquar shqiptarë si Riad Ymeri, Ergin Oda, Lekë Salihu, Faton Macula, Kushtrim Hoxha, Donika Ukshini-Gjokaj, Lori Miho, Angelo Miho, Bekim Qela , Shpend Xani dhe Arens Leka, e emra të tjerë. Të gjithë të ardhurat e kësaj mbrëmje do të shkojnë në shërimin e regjisorit, Bekim Lumi.

Kjo mbrëmje do të filloi në orën 19:00, të hënën tjetër, në Scandinavia House, 58 Park Ave, New York. Tiketat do të mund të blihen në hyrje të derës kurse çmimi i tyre është 50 dollarë./ KultPlus.com

Vikena Kamenica dhe Stavros Salabasopolus, sonte me koncert dedikuar muzikës tradicionale greke dhe shqiptare

“Urat e muzikës tradicionale”, një koncert i dedikuar këngës dhe muzikës tradicionale greke dhe shqiptare vjen mbrëmjen e sotme për publikun. Koncerti në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë do të jetë nën interpretimin e dy artistëve të njohur, mezzo sopranos Vikena Kamenica dhe tenorit grek Stavros Salabasopoulos. Në koncert janë kompozimet më të njohura të autorëve shqiptarë dhe grekë, por nuk do të mungojnë dhe duetet mes dy artistëve.

Dy artistët mezzo sopranoja Vikena Kamenica dhe tenori grek Stavros Salabosolopulos do të performojnë këngë solo dhe në duete, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë greke. Koncerti do të sjellë emrat e njohur të kompozitorëve grekë, si Theodorakis, Hajidakis, etj, dhe të muzikës shqiptare, veprat muzikore e këngët shkruar nga Prenk Jakova, Avni Mula dhe Rexho Mulliqi, ekzekutuar nga Orkestra e TOB nën drejtimin e dirigjentit grek Eleftherios Kalkanis.

Një ditë para koncertit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme drejtoresha e TOB Zana Çela u shpreh se arti dhe kultura gjithmonë kanë gjetur të përbashkëta në trashëgiminë kulturore dhe artistike të dy popujve tanë.

“Përgjatë historisë arti dhe kultura kanë qenë kryesore për të realizuar gjithë misionin e zbulimit dhe rizbulimit të vlerave të fqinjësisë së mirë. Arti dhe kultura kanë gjetur gjithmonë të përbashkëta në trashëgiminë kulturore dhe artistike të dy popujve tanë, ashtu si kanë identifikuar dhe identitetin kulturor”, tha mes të tjerave drejtoresha Çela në fjalën e saj. Koncerti është organizuar nga Teatri i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Ambasadën Greke në Tiranë dhe biletat për koncertin e datës 15 janë shitur të gjitha.

“Janë shitur të gjithë biletat për koncertin në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Ju mirëpresim, me të njëjtin koncert në datë 16 mars në teatrin “Petro Marko” në Vlorë”, shkruhet në faqen e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Mezzo sopranoja e njohur Vikena Kamenica vlerëson shumë interpretimin në këtë koncert, që do të jetë në dy mbrëmje për publikun, në Tiranë dhe në qytetin Vlorës.

“Mbi të gjitha është kënaqësi e madhe ky bashkëpunim me dirigjentin dhe tenorin. Është shumë interesante përzgjedhja tenorit, sepse pothuajse është i të njëjtit stil këngëtari. Ne jemi këngëtarë, që bëjmë dhe formën klasike dhe atë të moderuar. Programi i zgjedhur është ky derbi dhe për artin, sepse janë dy kulturat tonë në një ballafaqim dhe gërshetim shumë të bukur. Janë autorë të njohur shqiptarë si Prenk Jakova, apo kënga “Moj e bukura Arbëri” nga Avni Mula”, u shpreh Kamenica për këtë koncert.

Por një ditë para zhvillimit të koncertit në Tiranë ajo theksoi se është një program që ka një ngjizje të bukur mes poezisë dhe muzikës.

“Ndjehem e kënaqur që janë shitur biletat për koncertin e parë, dhe presim se si do jetë në Vlorë. Program i gërshetuar bukur dhe i sjellë me dashuri, materiale ku ka një ngjizje të bukur të poezisë me muzikën, dhe mbi të gjitha kur flasim për ato bulëza që kanë krijuar artin shqiptar dhe atë grek. Materiale të bukura që i bashkëngjitet repertorit klasik, dhe them se do të jetë nga koncertet më të veçanta, jo vetëm të këtyre viteve, por të shumë viteve, pse jo të hapi rrugë të bashkëpunimit”, vijoi më tej mezzo sopranoja Vikena Kamenica, shkruan SotNews.

Artistja u shpreh se në koncert janë autorë të së njëjtës periudhë, që kanë shkruar muzikë greke dhe shqiptare. “E njëjta periudhë kur janë shkruar veprat është zgjedhur si pjesë repertori. Janë vendosur në program vepra të të njëjtëve kompozitorë, të të njëjtit”, tha Kamenica./ KultPlus.com

Hamami i Qytetit, Xhamia dhe Çarshia, në pritje të restaurimit

Kryetari Shpend Ahmeti takoi drejtorin e TIKA-s për Kosovë, Hasan Burak Ceran, me të cilin diskutoi për projektet e përbashkëta që po realizohen në dobi të qytetarëve të Prishtinës, njoftohet nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Së shpejti do të nënshkruajmë edhe Memorandum Bashkëpunimi, ku do të zotohemi për ndërtimin e qendrës për Autizëm dhe Down Syndrome, si dhe për restaurimin e Hamamit të qytetit dhe Xhamisë së Çarshisë”, thuhet në këtë njoftim./KultPlus.com

Krijimet e Sara Shalës në ankand, për regjisorin Bekim Lumi

Artistët brenda dhe jashtë Kosovës, po vazhdojnë të organizojnë aktivitete në mënyrë që të mblidhen mjete financiare, për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi që tash e dy vite po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Edhe miqtë dhe artistët e Bekim Lumit në New York tashmë kanë filluar që përmes krijimeve dhe aktiviteteve të tyre, të kontribuojnë në shërimin e regjisorit Lumi. Në mesin e tyre është edhe dizajnerja Sara Shala, e cila ka vënë në shitje një nga krijimet e saj, që përmban 260 gur kubik zirkon që janë të vendosura në argjend dhe të veshura me ari të bardhë për më shumë shkëlqim./ KultPlus.com

Me temën “Thriller” nisë rrugëtimi i filmave francezë nëpër Kosovë

Alberina Haxhijaj

Në Kinemanë ABC është shfaqur, mbrëmë, filmi L’affaire SK1, nga FrançoisTellier. Shfaqja e këtij filmi është bërë në kuadër të Festivalit të filmit Frankofon që po zhvillohet në tërë Kosovën, ku tema e sivjetme është ” Thriller”, shkruan KultPlus.

Filmi “L’affaire SK1” sjellë përpjekjet e policisë dhe vendosmërinë e inspektori Franc Magne, për të kapur një vrasës serik. Në vitin 1991, Franck Magne, një inspektor i Quaides Orfèvres, është përgjegjës hetimi për vrasjen e një vajze. Shumë shpejt, ndodhin raste tjera të ngjashme. Magne shpejt e kupton se vrasjet janë vepër e një personi të njëjtë i cili nuk kishte të ndalur, deri në pikën e rrezikimit të jetës së tij familjare.

Shfaqja e filmave të tjerë do të vazhdojë edhe gjatë netëve në vazhdim në Prishtinë por edhe në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë, në kudër të edicionit të 18-të të “Javëve të Frankofonisë 2018” që do të zgjasë deri më 31 mars.

Valon Ibraj, Atashe për Kulturë në Ambasadën Franceze tregoi për KultPlus se realizimi i aktiviteteve edhe në qytete e tjera do të mundësoj që kultura frankofone të jetë sa më afër qytetarëve.

“Java e Filmit Frankofon ka filluar sonte dhe do të zgjasë deri më datën 23. Këtë vit e kemi temën të filmit thriller dhe policor. Ky ka qenë një vendim i stafit i cili e ka organizuar programin, që gjatë kësaj javë të servohen filma të këtij zhanri. Kjo është hera e parë që ka film të zhanrit thriller në ‘Javët e Frankofonisë’ dhe mendojmë që është një përzgjedhje e mirë dhe mendojmë që Franca ka mjaftë filma të tillë për t’ua ofruar qytetarëve”, u shpreh ai.
Liridona Ademaj, studente në Universitetin e Prishtinës tha për KultPlus se iniciativa të tilla për promovimin e gjuhëve të caktuara janë të rëndësisë së veçantë, e sidomos për studentët të cilët kanë nevojë edhe të njihen me kultura tjera siç është edhe ajo franceze. Më tej ajo tregoi që aktivitet e Frankofonisë i përcjell çdo vit sepse sipas saj temat që trajtohen dhe kultura franceze në përgjithësi, sjellin risi në vend.

“Zakonisht i përcjelli aktivitetet e përvjetshme të Frankofonisë sepse më pëlqen kultura franceze dhe temat që trajtohen gjatë javëve të saj. Por natyrisht edhe fryma e re artistike që sjellë Ambasada Franceze gjatë këtij muaji”, shtoi ajo.

Filmi “L’affaire SK1” i pëlqeu edhe studentes tjetër nga Universiteti i Prishtinës. Jetmira Lushi tregoi për KultPlus se i pëlqeu aspekti hulumtues brenda filmit.

“Ishte një film shumë i mirë. Në përgjithësi më pëlqejnë filmat që kanë si protagonist dikë që mëton të hulumtojë përtej asaj që shihet. Më e bukura pjesë ishte se pas një kohe të gjatë pata rastin të dëgjojë gjuhën frënge të cilën e vlerësoj si një nga gjuhët më të pasura në botë”, u shpreh ajo.

Listën e plotë të filmave që do të shfaqen në kuadër të “Festivalit të Filmit Frankofon” si dhe vendin e orën se kur do të shfaqen mund ta gjeni këtu:

http://www.kultplus.com/filmi/vijne-filmat-e-javes-se-filmit-frankofon-ne-disa-qytete-te-kosoves/ / KultPlus.com

Për Bekim Lumin, artistët dhuruan veprat e tyre ndërsa Veton Surroi 200 kopje të librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”

Alberina Haxhijaj

Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë, ka qenë e rrethuar me vepra artistike të realizuar nga artistë të ndryshme. Të gjitha këto vepra, të ekspozuara, më pas janë shitur përmes ankandit i cili është realizuar nga vet artistët. Të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve i janë dedikuar shërimit të regjisorit Bekim Lumi.

Aktivitet të tilla për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, janë duke u realizuar ditëve të fundit, në mënyra të ndryshme. Dikush më këngë, disa me poezi, të tjerë me shfaqje dhe disa me dhurimin e punimeve të tyre po ndihmojnë në mbledhjen e parave, për të ndihmuar në shpenzimet e shërimit të regjisorit, shkruan KultPlus.

Aktori Fatmir Spahiu i cili është edhe njëri prej artistëve që ka marrë këtë iniciativë, e që moderoi këtë ankand, u shpreh i lumtur që artistë kanë dhuruar punime e tyre për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi.

“Ky është vetëm njëri prej angazhimeve në vazhdën e aktiviteteve. Synimi jonë është që të mbërrijmë tragetin e paracaktuar. Kjo mbrëmje ishte më ndryshe sepse unë isha vetëm njëri nga ata që dhamë një kontribut të vogël kurse pamë shumë artistë që dhuruan veprën e tyre diçka që është shumë e vështirë, të dhurosh një punë, ide kreacion tëndin, një pjesë të shpirtit për një kauzë të tillë. Prandaj unë jam shumë i lumtur edhe për ata edhe për vetën që po mundemi me provu me i ndihmu një miku tonë i cili ka nevojë, sepse nesër secili nga ne mund të jetë në një pozitë të tillë”, tha ai për KultPlus.

Tutje ai theksoi se ky është një solidarizim i artistëve që nuk është parë më herët. “Kjo më entuziazmon pa masë sepse nuk e kam besuar që mundemi më u sensibilizu kështu. Të ju them sinqerisht, kam menduar që t’i bësh të gjithë këta njerëz bashkë për një kauzë të tillë është e pamundur por më ka dalë ndryshe dhe jam shumë i befasuar për të mirë”, theksoi ai.

Nga ky ankand i pikturave, skulptura, grafika dhe punimeve të tjera artistike e po ashtu nga shitja e librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, u grumbulluan 3 mijë e 600 euro për regjisorin Bekim Lumi. Autori i dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, Veton Surroi u shpreh sa ai ka dashur që të ndihmojë në këtë aktivitet pasi që regjisori Bekim Lumi është person i cili e meriton një kujdes të tillë.

“Libri sapo ka dalë nga shtypshkronja dhe kam vendosur që 200 kopje të ia dhurojë këtij aktivitetit për Bekim Lumin. Ka pasur simbolikën e vet pasi që është pjesë e një ambienti kulturor artistik i cili kontribuon dhe unë deshta që më këtë të kontribuojë. Kjo ndjenja e solidariteti që po krijohet është e mrekullueshme. Vet Bekimi si person e meriton këtë kujdes por fakti që po zgjohet solidariteti i artistëve ka domethënie shumë të madhe”, u shpreh ai për KultPlus.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./KultPlus.com

143 vite nga lindja e Faik Konicës

Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Rrjedh nga një familje e vjetër feudale.

Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike./ KultPlus.com

Dua Lipa e mahnitshme në shoun amerikan të Ellen DeGeneresit (Video)

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.Ajo gjatë ditës së sotme ka pohuar se ka anuluar paraqitjet në koncertit mbështetës të Bruno Marsit për arsye shëndetësore.

Por këngëtarja performoi në shoun televiziv “The Ellen Show”.

“Këtu do të perfomojë dy këngët e ardhshme një ndër këngëtaret që ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm këtë vit”, ka pohuar gjatë prezantimit Ellen DeGeneres.

Bukuroshja jonë ka kënduar para miliona teleshikuesve këngën që po i sjell suksese “IDGAF” gjersa kujtojmë se “New Rules”, i cili deri më tani është shikuar mbi një miliard herë në YouTube.

Theksojmë se Lipa tashmë ka paralajmëruar koncertin e radhës në kryeqytetin tonë të Prishtinës pas koncertit madhështor të Rita Orës.

Ndryshe, 22-vjeçarja është duke punuar në projekte të reja muzikore, që do t’i sjell gjatë muajve të ardhshëm. /Telegrafi/

Publikohen fotografi të rralla të ‘The Beatles’ në Amerikë

Më shumë se 350 fotografi të pa publikuara më parë të grupit The Beatles do të dalin në ankand në Liverpool.

Më 24 mars në Liverpool do të hapet ankandi me 413 fotografi të grupit britanik The Beatles, ku 350 prej këtyre fotografive nuk janë parë më përpara. Siç raporton Shtëpia e Ankandi Omega, fotografitë janë realizuar nga fotografi Mike Mitchell në vitin 1964.

Anëtarët e grupit; John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr kanë dhënë koncertin e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 11 shkurt të vitit 1964 në Washington. Po në atë kohë fotografi Mitchell i cili ishte 18-të vjeçar arriti që të merrte akreditimin që të fotografonte nga afër anëtarët e grupit. Disa muaj më vonë, më 13 shtator, ai përcolli koncertin e tyre në Baltimore (Marylan, USA), nga ku u realizuan 413 fotografitë të cilat do të jenë në shitje.

“Ata kanë sjellë gjëra të reja në kontinentin tonë dhe ne dëshironim që të dinim më shumë se kush ishin ata. Kisha shkuar me idenë që të krijoja një portret të këngëtarëve dhe jo me idenë që të përcjellja koncertin”, është shprehur Mitchell në një video në Youtube ku jep më shumë detaje mbi fotografitë e tij.

Për dekada negativët e këtyre fotografive kanë mbetur nëpër kutia derisa avancimet në teknologji kanë mundësuar që këta negativë të fotografive të zhvillohen. Fotografitë janë bërë nën dritën e ambientit pasi që aparati i Mitchell nuk kishte pasur dritë të tij. Mirëpo tani pikërisht drita e cila ka ndikuar në mënyrën e paraqitjes së fotografive i ka bërë të veçanta ato.

Në vitin 2011,në New York, 46 fotografi të grupit Beatles ishin dalë në ankand dhe ishin shitur për 293 mijë e 878 euro. / KulPlus.com

Kujtohuni të shihni lart drejt yjeve, jo poshtë drejt këmbëve…

Stephen Hawking

Kujtohuni të shihni lart drejt yjeve, jo poshtë drejt këmbëve. Përpiquni t’i jepni kuptim asaj që shihni dhe habituni çfarë e bën universin të ekzistojë. Bëhuni kuriozë. Dhe sado e pashpresë mund t’ju duket jeta, gjithmonë ka diçka që mund ta kryeni dhe të mjeshtëroheni. Rëndësi ka të mos dorëzoheni.
Gjithashtu me rëndësi është ta shmangni zemërimin, pavarësisht sa e vështirë mund t’ju duket jeta, pasi do të humbni krejt shpresat nëse nuk mund të qeshni me veten dhe jetën në përgjithësi.
Unë e shoh trurin si një kompjuter që ndalon së funksionuari kur përbërësit e tij defektohen. Nuk ka parajsë apo jetë të përtejme për kompjutera që s’punojnë; kjo është një histori përrallash për njerëzit që kanë frikë nga errësira.

Grumbullohen sonte 3600 euro për regjisorin Bekim Lumi

Janë grumbulluar sonte 3600 euro nga ankandi i piktura dhe shitja e librave në një organizim artistik në Prishtinë.

Në ndihmë për regjisorin Bekim Lumi, sonte erdhi një organizim tjetër në maratonën e aktiviteteve humanitare, për të ndihmuar në shpenzimet e shërimit të regjisorit Bekim Lumi.

Në këtë ekspozitë u shitën piktura, skulptura, grafika ndërsa të gjitha të hollat do të shkojnë për shërimin e regjisorit Lumi. / KultPlus.com

Aktori Bekim Fehmiu, prapë një cigan në Francë

Filmi “Mbledhësit e puplave” me Bekim Fehmiun do të shfaqet në Francë.

Fillimi i muajit prill e sjellë filmin me aktorin legjendar shqiptar Bekim Fehmiu në Morteau në Francë.
Cinema l`Atlante në këtë qytet të Francës do ta shfaqë filmin në kuadër të Festivalit DIVERSITE.

“Mbledhësit e puplave” fitoi çmim në Festivalin e Kanës para 50-të vitesh ndërsa në role kryesore e ka aktorin shqiptar Bekim Fehmiu dhe aktoren Olivera Katarina.

Filmi është realizuar në vitin 1967 ndërsa zgjatë 94 minuta. Këngët kryesore në film i këndonte vetë aktorja Olivera Vuco, midis tyre edhe “Niska Banja”, “Djelem Djelem” dhe “Nu, nu”, shkruan KultPlus.

Në vitin 1967 filmi morri çmimin për filmin më të mirë të huaj në Finlandë, çmimin AURA që jepej nga Shoqata e Regjisorëve e Kritikëve të Filmit.

Në kuadër të Festivalit DIVERSITE do të shfaqen edhe filma të tjerë. / KultPlus.com

Është i gatshëm busti i Skënderbeut në Elbasan (VIDEO)

Në Labinot të Elbasanit tashmë ka përfunduar realizimi i bustit të Skënderbeut. Këtë bust, i cili është njëherësh edhe busti më i madh i heroit Skënderbeu në trojet shqiptare, e ka realizuar skulptori Fiqiri Kasa, shkruan KultPlus.

“Është një kënaqësi, kam marrë shumë falënderime dhe ndihem i privilegjuar që po e ndërtoj unë këtë vepër, shpresoj dhe dëshiroj që edhe në Kosovë të realizoj një vepër kaq të rëndësishme. Në Labinot të Elbasanit ku po ndërtohet Skënderbeu do të realizohen shumë vepra të tjera, ne e nisëm nga Skënderbeu, pikërisht sepse përkon me vitin e Skënderbeut”, pati thënë Fiqiri Kasa për KultPlus.

Shumica e skulpturave të cilat skulptori Fiqiri Kasa i realizon kanë lidhshmëri me trashëgiminë kulturore.

“Kryesisht bëj punime të veshjeve kombëtare, nga Medvegja, Prizreni, Gjakova e deri në Sarandë. Edhe njëra nga skulpturat e mia ‘Ushtari ilir’ ishte një ide e imja për të sjellë imazhe të historisë sonë kombëtare, pasi nga koha e Ilirisë nuk kemi shumë skulptura. Madje kam ideuar dhe ndërtuar edhe një amfiteatër dhe statujën e ‘Perëndeshës Afërditë’ në vendlindjen time, ku kam pasur edhe mbështetjen e bashkësisë”, është shprehur Kasa, për të cilin skulptura më e dashur mbetet ajo e Skënderbeut. / KultPlus.com

Tre libra për ta njohur më mirë Stephen Hawking

Ka ndërruar sot jetë Stephen Hawking, një prej mendjeve më të ndritura në botë, i lindur në Oxford në vitin 1942.

Bashkë me Roger Penrose ai tregoi se Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit konsideron se koha dhe hapësira kanë pasur pikënisjen në Big Bang ndërsa përfundojnë në vrimën e zezë. Hawking ka pranuar 12 diploma të fuqishme botërore ndërsa edhe ka shkruar disa libra gjatë jetës së tij, të cilët edhe sot lexohen për të kuptuar ideologjinë dhe pikëpamjet e tij.

Po i sjellim këtu tre libra të cilët mund ti lexoni nëse dëshironi të kuptoni më shumë për këtë fizikan dhe kozmolog të njohur. Disa prej librave mund ti gjeni edhe në gjuhën shqipe.

“A Brief History of Time”
Rreth 9 milion kopje të shitura të këtij libri të përkthyer në 40 gjuhë të botës tregojnë më shumë për rëndësinë dhe fuqinë e librit të botuar në vitin 1988. Libri është shkruar për fillestarët, për ata që nuk kanë njohuri për teoritë shkencore, ndërsa flet për universin, për kohën dhe për hapësirën, dhe për gravitetin si forcë . Në libër diskutohen relativiteti gjeneral dhe mekanika kuantike dhe për teorinë unifikuese, e cila përshkruan çdo gjë në hapësirë në mënyrë koherente. Hapësirat e zeza janë yjet që kanë kollapsuar në një pikë shumë të vogël.

“The Grand Design”
Si dhe kur nisi universi? Pse jetojmë? Pse jemi këtu në këtë botë? Cila është natyra e realitetit? Pse natyra na pranon dhe pse ligjet e saj janë kaq të pranuara nga ekzistenca jonë? Shkenca, apo Zoti? Pyetjet e shumta janë pjesë e këtij libri që konsiderohet si kryevepra e Hawking. Në libër, mes tjerash përshkruhet se si kozmosi nuk e ka vetëm një histori dhe ekzistencë, por se si çdo histori e mundshme e universit ekziston rastësisht. Një gjuhë brilante dhe shumë e thjeshtë e ka bashkuar Hawking dhe Mlodinow për të shkruar këtë libër.


“The Universe in a Nutshell”

Një mendimtar i denjë, Hawking në këtë libër ka përfshirë nocionet e librave të kaluar. Gati në secilin libër që ka shkruar, ai nuk ka lënë jashtë vrimat e zeza (black holes) apo gravitetin, apo mekanikën kuantike dhe Teorinë M. Në libër vjen edhe “Teoria e Gjithçkaje” – që shtrihet në zemër të universit. Në libër provohet të bashkohen Teoria e Ajnshtajnit dhe ajo e Feynman për të krijuar një teori e cila do të përshkruante gjithçka që ndodhë në kozmos. Libri është botuar në vitin 2001 ndërsa është vazhdimësi e librit të parë që propozuam sot.

I di vendet

Poezi e shkruar nga Sibel Halimi.

I di vendet kur vetes rrahë shpinën ia kam
Kur në gjunjë s`u përkula
I di vendet kur arratisur jam korridoreve
Kur tej më tej, nji dhimbje m`ka trandë
E vendin tjetërkujt ia kam lanë

I di vendet ku jam lemeritë
Kam vrapu si marathonomak
T`gëzohem mujtë s`kam
Por kumtin e lirisë dhanë e kam

I di çastet kur toka m`ka lëvizë nën kambë
E unë e kam rrëkëllye nji gotë
Jam sjellë, tue provue teorinë e Galileut

I di vendet
kur asht dashtë andrrat mi riandrru

E di vendin
kur kam dhanë shpirt tu shpjegu
se me kanë gru asht me u majtë fort për vete
se të jesh gru asht njësoj si me kanë burrë
peng të nji shoqnie te dy

I di vendet kur kam ec
E jam kthy se s`kam mbërri me ndje kurgja

I di vendet ku jam nis
E s`kam ditë mu kthy

Kur meta vet
Hera erdh furishëm
I thash dielli është mbi kryet tand
Unë s`jam emri yt
Vendet e tua s`janë ato
Këqyri pa bëza
Se diellin veç ashtu e sheh!

Gjenerata e parë e kontrabasit në Kosovë

KultPlus ju sjellë sonte një fotografi të vjetër në të cilën mund të shihet gjenerata e parë e kontrabasit në Kosovë .

Fotografia është realizuar gjatë prezantimit të tyre në kuadër të Orkestrës Simfonike të ish RTP-së, Radio Televizionit të Prishtinës.

Pjesë e formacionit ishin edhe Mendi Mengjiqi, Fraim Gashi dhe Uvill Ballata.

Kjo paraqitje e instrumentistëve të Kosovës në kuadër të Orkestrës Simfonike të RTP-së është konsideruar si diçka e veçantë, rast i rallë për kulturën dhe muzikën shqipe. / KultPlus.com

Të huajt e lindur në Kosovë janë më të lumtur se kosovarët

Finlanda është vendi më i lumtur në botë, sipas një hulumtimi vjetor të publikuar të mërkurën i cili e vë Burundin në vend të fundit për nga indeksi i lumturisë ndërsa gjen se amerikanët po bëhen gjithnjë e më të palumtur ani pse vendi i tyre po bëhet më i pasur.

Raporti i Lumturisë Botërore 2018 i Rrjetit për Zgjidhje të Qëndrueshme Zhvillimore të OKB-së (SDSN) ka renditur 156 vende në bazë të rezultateve të tyre për GDP-në për kokë banori, për mbështetjen sociale, jetëgjatësi të shëndetshme, liri sociale, bujari e mungesë korrupsioni.

Finlanda u ngrit nga vendi i pestë vitin e kaluar në të parin sivjet, duke e rrëzuar Norvegjinë. Top-10 e sivjetme, si gjithmonë e dominuar nga shtetet nordike, është si vijon: Finlanda, Norvegjia, Danimarka, Izraeli, Zvicra, Holanda, Kanadaja, Zelanda e Re, Suedia dhe Australia.

Në raport është përfshirë edhe Kosova ndërsa renditet kah mesi i listës, gjegjësisht në pozitën e 66-të.

Para Kosovës, nga rajoni është vetëm Sllovenia (51), kurse tjerat renditen pas Kosovës për nga lumturia.

Serbia renditet në pozitën e 78-të, Mali i Zi (81), Kroacia (82), Maqedonia (89), Bosnja e Hercegovina (93) kurse Shqipëria është e fundit në këtë listë për sa i përket lumturisë së shteteve të rajonit, gjegjësisht në pozitën e 112-të.

Vlen të theksohet se SHBA-ja ka shënuar rënie në indeksin e lumturisë, duke u renditur në pozitën e 18-të nga ajo 14 sa ishte më 2017. Britania është në të 19-in vend ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe në të 20-in.

Ndërsa, për herë të parë që kur ka nisur të bëjë matjet më 2012, raporti, i cili shfrytëzon një sërë organizatash zgjedhore, të dhënash zyrtare e metoda hulumtuese, ka renditur edhe lumturinë e migrantëve të lindur në vende të huaja në 117 shtete.

Finlanda edhe në këtë kategori u rendit e para, duke i dhënë vendit status të dyfishtë të artë statistikor.

Të lindurit e huaj më së paku të lumtur ishin në Siri, e cila ka shtatë vjet që është futur në luftë civile.

Ndërsa në Kosovë, vlen të potencohet se të huajt që kanë lindur në vendin tonë, janë më të lumtur sesa vendasit, duke u renditur në pozitën e 45-të, raporton Koha.net.

“Zbulimi më interesant i raportit është konsistenca e jashtëzakonshme midis lumturisë së migrantëve dhe vendasve”, thotë profesori John Helliwell nga Universiteti kanadez “British Columbia”.

“Ndonëse migrantët vijnë nga vende me nivele të ndryshme të lumturisë, vlerësimet e tyre të raportuara të jetës puqen me ato të banorëve tjerë në vendet e reja të tyre”, tha ai.

“Ata që lëvizin në vende më të lumtura përfitojnë, kurse ata që lëvizin në vende më pak të lumtura humbin”. / KultPlus.com

Gati me të rrahura, miratohet Ligji për Gjuhën Shqipe në Maqedoni

Me 64 vota pro dhe asnjë kundër, në Kuvendin e Maqedonisë u miratua Ligji për Gjuhët, në një seancë që zgjati shumë por pati edhe tension e dramë.

Deputetët e partisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski, VMRO-së, tentuan që të pengojnë sjelljen e këtij Ligji, por nuk arritën që të pengojnë që i njëjti të hidhet në votim.

Paraprakisht situata brenda kuvendit ishte e tensionuar përderisa kryeparlamentari hapi debat për ligjin e gjuhëve.

Nikolla Gruevski shkaktoi incident verbal ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Por, përplasja fizike mes tyre u evitua nga sigurimi i Kuvendit.

Ligji për Gjuhët është një premtim elektoral i kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe koalicionit qeverisës në të cilin bëjnë pjesë edhe partitë shqiptare. / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja për tarifat rreth shfrytëzimit të muzikës

Pas afër 5 viteve të negociatave mes Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK dhe mediave, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është nënshkruar sot marrëveshja për tarifat e përgjithshme që duhet të paguajnë mediet, përkatësisht televizionet dhe radiot, për shfrytëzimin e muzikës si lëndë e mbrojtur me të drejtat e autorit.

Katër kanalet e Radio Televizionit të Kosovës do të paguaj shumën vjetore prej 30 mijë euro tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë të shfrytëzojë muzikën për transmetim. Televizionet me frekuencë kombëtare do të paguajnë nga 6000 euro në vit tarifë, televizionet regjionale 1200 euro tarifë vjetore, TV-të lokale 600 euro, kanalet kabllore muzikore 2400 euro, kanalet tjera kabllore 1800 euro, radiot nacionale 3600 euro, ato regjionale 720 euro, radiot lokale 480 euro, TV-të dhe radiot me fuqi të ulët do të paguajnë 240, respektivisht 180 euro.

Në bazë të marrëveshjes, këto shuma do t’i paguhen shoqatës APIK, e cila përfaqëson repertorin vendor dhe të huaj i cili shfrytëzohet në territorin e Republikës së Kosovës. Mediat obligohen që të aplikojnë për marrjen e lejes në shoqatë. Materialet mund të shfrytëzohen vetëm në bazë të licencës për transmetim të cilët ato i posedojnë nga Komisioni i Pavarur për Media. Çdo tejkalim i kompetencës apo transmetim jashtë licencës do të jetë subjekt i shkeljes së të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta. Ministri Kujtim Gashi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje po krijohet një sistem i ri edhe për autorët e këngëve edhe për producentët e tyre. “Nënshkrimi i marrëveshjes për Tarifat e Përgjithshme për shumat e kompensimit që duhet të paguajnë mediat, përkatësisht televizionet dhe radiot, për shfrytëzimin e muzikës si lëndë e mbrojtur me të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, është hap historik për vendin në kuadër të krijimit të një sistemi funksional të së drejtës së autorit, ku autorët, producentët dhe performuesit në bazë të kësaj marrëveshje do të kompensohen për shfrytëzimin e veprave të tyre nga ana e mediave”, ka thënë ministri Gashi.

Ministri e ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes dhe e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme pasur parasysh rëndësinë e mbrojtjes së kreativitet dhe kompensimin e autorëve për punë e tyre që që bëjnë.

“Unë si Ministër, nga fillimi i mandatit kam takuar përfaqësuesit e Shoqatave dhe kam kërkuar që sa më parë të arrihen marrëveshje për tarifat e përgjithshme për shfrytëzimin e të drejtës së autorit, dhe sot e përshëndes arritjen e kësaj marrëveshje për fushën e muzikës dhe kërkoj që të vazhdohet me arritjen e marrëveshjeve për tarifat e përgjithshme me shfrytëzues tjerë të drejtave të autorit”, u shpreh ndër të tjera ministri. Florent Boshnjaku, nga Shoqata për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit, shprehu bindjen se marrëveshja do të ndikojë në zhvillimin e tregut muzikor.

“Mendoj se është dite e madhe për gjithë vendin, sepse nga sot të gjithë jemi palë përfituese të këtij procesi edhe mediumet të cilat e kanë dhënë energjinë e vet dhe mediumet të cilat në baza ditore ndihmojnë që puna e artistëve, krijuesve interpretivë, producentëve, të shfaqet, pra është një interes i përgjithshëm i dyanshëm. Mendoj që fillimi i këtij procesi do të hap shumë rrugë të tregut muzikor për zhvillimin e mediumeve që të krijohet një sistem sa më i mirë dhe më profesional i punës të cilën në e bëjmë”, ka thënë Boshnjaku.

Ndërkaq, Fazli Veliu, përfaqësues i Institutit të Mediave të Kosovës, tha se shpreson që mediat do ta respektojnë marrëveshjen. / KultPlus.com

“Shko pastro pas saj, njollat që i la ajo në qiellin tonë” (VIDEO)

Një baladë e fuqishme e Rona Nishliut nuk shkon lehtë në harrim.

Edhe pse një këngëtare me jo shumë këngë, Rona Nishliu që prej fillimeve të saj ka ditur të krijojë këngë që nuk harrohen dhe që veçohen.

“Shko pastro pas saj”, shembull, është një prej atyre këngëve të cilat ka goditur mirë në zemrat e fansave. Një baladë që më pas kthehet në pikën kulmore diku nga mesi i këngës, kjo këngë me një tekst të fuqishëm tregon për një dashuri ku hyn personi i tretë, shkruan KultPlus.

Rona i pati realizuar këngës edhe videoklipin, njashtu kreativ dhe interesant.

“Shko pastro pas saj” është një prej këngëve të njohura të Ronës, krahas edhe këngëve si “Suus” apo “Shenja” dhe këngëve tjera që Rona i publikon jo shumë shpesh por gjithmonë e kujdesshme me stilin e saj dhe me emocionin që e përçon me anë të këngëve.

Sot, po e sjellim këtë baladë për ta rikthyer emocionin e saj. / KultPlus.com

Në një spital psikiatrik

Poezi e shkruar nga ILNISA AGOLLI

I lypte dashuri natës
dhe lyhej si prostitutë
Ndonjëherë, e harronte emrin
cigaret poshtë kroskotit dhe getat i griseshin gjithmonë shkallëve prej unazës që në fakt;
nuk i pëlqente shumë.
Ditët i humbte kofshëve si burrat
pa ndierë asgjë
Si rolet që nuk luajti kurrë
dhe ndonjëherë harronte të vishte mbathje.
Pasdite flinte me gojë hapur
jargët, ca lot dhe djersë
e zgjonin të palumtur
si dikur në shtratin martesor.

Ndonjëherë ishte e gëzuar
Hante biskota,
pastaj më kërkonte një shkrepëse dhe dilte në oborr
Më thoshte s’e po shkonte në kishë
s’e do të ndizte një qiri për Shekspirin.
Por, ajo nuk e kuptoi kurrë se Romeo ishte një idiot
që harronte emrin në stacion
dhe Zhulieta një kurvë e lumtur
që epshin si thonjtë ,mbase,
në ndonjë dhomë teatri lëmon!
– dëshmoi infermierja ndërsa
aktores i mbuluan trupin lakuriq.
Ishte mbytyr me geta dhe
nga duart i kishin rënë tre biskota
I pëlqenin ato me fiq

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”

Ciceroni, Mark Tul Ciceron, ishte historian dhe filozof i Romës antike i lindur pranë Aripinit. Studioi në Romë për drejtësinë dhe retorikën, ndërsa shquhet si një nga oratorët më të shquar, shkruan KultPlus.

Njohuritë e tija në artin e oratorisë (gojëtarisë) dhe të filozofisë ai i plotësoi veçanërisht pas një udhëtimi që kishte bërë në Greqi. Fjalimet e tija janë çmuar si fjalë bindëse, si të forcës tërheqëse të fjalës. Nga këto fjalime të Ciceronit mund të kuptohen dhe të njihen më mirë rrethanat dhe jeta e tij. Ciceroni shkroi disa vepra si: “De oratore” (Mbi oratorinë), “De republika” (Mbi shtetin), “De amicitia” (Mbi miqësinë), “De setnecutute” (Mbi pleqërinë).

Gjuha që përdor Ciceroni në veprat e tija është e zgjedhur dhe e përpunuar me stilin e tij të qartë dhe të bukur, ai mendimet i ilustron me figura tërheqëse gjuhësore. KultPlus sot ju sjellë një thënie të zgjedhur lidhur me rëndësinë e madhe të leximit dhe praninë e librave në jetën e njeriut.

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”, kishte thënë historiani dhe filozofi i njohur Ciceroni./ KultPlus.com

Hapet thirrja për aplikim në KO:SH Film Fest 2018

KO:SH Film Fest apo Korça Internatational Short Film Festival, është një festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër, i cili zhvillohet nga data 17-21 Korrik në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus.

KO:SH Film Fest, këtë vit do të zëvendësojë First Step Film Festival, festivalin ndërkombëtar të filmit të studentor, i cili organizohej që prej vitit 2010 në Tiranë. Arsyeja e shndërrimit të festivalit në një festival i filmit të shkurtër dhe zhvendosja në Korçë ka ndodhur për shumë arsye.

“Korça ka ende funksionale, një ndër kinematë e para që janë ndërtuar ne Shqipëri, Kinema “Majestik”. Gjon Mili, fotografi i famshëm Shqiptaro-Amerikan ka lindur ne Korçë, dhe shumë shpejt do të kemi dhe muzeun dedikuar tij, si dhe shumë arsye të tjera”, shkruhet në njoftimin e festivalit KO:SH.

Përgjatë 5 ditëve të festivalit do të shfaqen 60 deri në 100 filma të shkurtër ndërkombëtar e kombëtar. Do jenë 3 kategori në konkurs, Film Artistik, Dokumentar dhe Animacion. Do të këtë tre kategori kryesore dhe 10 çmime që do të ndahen. Kateforia e filmave ndërkombëtar, kategoria e filmave të studentëve dhe kategoria e filmave kombëtar nga Shqipëria,Kosova dhe Maqedonia.

Në këtë festival do të jenë edhe 10 shpërblime si: Best Film, Best Fiction, Best Documentary, Best Animation, Best Student Film, Best Editing, Best Cinematography, First Step Aëard, Best National Film dhe Audience Aëard. Filmat e kategorise kombetare nuk do të jenë në garë vetëm për çmimin “Filmi më i mire Kombëtar” , por për të gjitha çmimet (sipas kategorisë përkatese).

Filmat do te shfaqen në sallën e teatrit te ri-konstruktuar “Andon Zako Çajupi” dhe sallën e kinema “Majestic”. Ndërkohë çdo mbrëmje filmat do të shfaqen në sheshin historik të qytetit, në sheshin e Pazarit të Korçës. Përveç shfaqjeve të filmave do të organizohen dhe disa punëtori, ligjërata dhe aktivitete të tjera për të pasur një numër sa më te madh të personave që do të përfshihen . Çdo mbrëmje, në një nga rrugicat e pazarit të qytetit, do të organizohen after- party për të gjithë pjesëmarrësit dhe vizitorët.

Aplikimi për kategorinë kombëtare është pa pagesë . Thirrja është e hapur deri më 15 Prill./ KultPlus.com