Marko Caka me rol kryesor në njërin nga episodet e serialit të famshëm “Spies next door”

Marko Caka, aktori me prejardhje shqiptare i cili është duke ngjitur majat e karrierës së tij në Hollivud, tashmë ka nisë xhirimet në një rol protagonist në një episod në serialin “Spies next door”.

Lajmin për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë Caka, i cili ka treguar se seriali vjen nën regjinë e Erik Kirsten.

“Unë kam rolin e Boris, një ish agjent i KGB por që rekrutohet për shërbimin sekret të CIA-s. Ngjarjet e episodit janë të përqendruar në vitin 1982 në Virgjinia ku Boris, pasi ka braktisur familjen për t’i shërbyer shërbimit sekret të bllokut komunist, ai vendoset tw kthehet në familjen e tij por që ndiqet këmba-këmbës dhe helmohet nga spiunazhi sovjetik i KGB”, tha për KultPlus, Caka.

Episodi i serialit hulumtues do të shfaqet në fillim në kanalin kombëtar amerikan A&E gjatë verës së këtij viti. Ky film i viteve 80’ nga dinamika e ngjarjeve, ka një ngjashmëri me historinë e vrasjeve të fundit të ish agjenteve të KGB nga spiunët rus në kryeqytetin londinez.

“Boris është roli i parë protagonist i imi që shfaqet në televizionin amerikan dhe që premton për të ardhmen e karrierës sime në Industrinë e Filmit gjigant amerikan”, përfundoi për KultPlus, Marko Caka./ KultPlus.com

Javën tjetër vjen edicioni i dytë i “Shtigje poetike”

Klubi letrar “Metafora” që vepron në kuadër të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, do të organizojë edicionin e dytë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet letrar do të mbahet javën e ardhshme për nder të 21 marsit, Ditës Botërore të Poezisë.

Ngjarja do të mbahet më 21 mars (e mërkurë), duke filluar nga ora 18:00, në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë./ KultPlus.com

CHwB Kosova, sjellë debat publik dhe promovim libri për “Hapësirat e braktisura të Kosovës”

CHwB Kosova më 20 mars mban debatin publik “Hapësirat e braktisura të Kosovës” në Parkun Arkeologjik- Lapidariumi i Muzeut të Kosovës (përball Muzeut Kombëtar), duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Ndërtesat apo monumentet e ndryshme që i kanë rezistuar kohës janë reprezentime materiale kulturore të një shoqërie, të cilat përveç tjerash i shërbejnë vazhdimisht kujtesës kolektive, ofrojnë një narrativë të përbashkët për të kaluarën dhe i kontribuojnë identitetit kolektiv.
Gjatë vitit 2017, CHwB Kosova ka identifikuar 262 ndërtesa të pashfrytëzuara nëpër vende të ndryshme të Kosovës, të cilat janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje. Ato janë shtëpi tradicionale, salla të kulturës, ndërtesa industriale, kulla dhe përmbajtje të tjera ndërtimore të cilat dikur i shërbenin familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë. Fati, kuptimi dhe roli i tyre përcaktohet nga faktor të ndryshëm siç janë zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, luftërat, sistemi i ri politik, ndryshimi i sistemit vleror, interesat politike dhe ekonomike, neglizhenca shtetërore dhe e shoqërisë në përgjithësi.

Pse braktisen ndërtesat? A mund të ri-jetësohen këto hapësira që të ngjallin interes publik dhe të ofrojnë platformë për debat publik mbi kulturën e shoqërinë? Si janë procedurat administrative që duhen ndjekur nëse ka interes për shfrytëzimin e këtyre hapësirave? Si qëndron roli i institucioneve relevante dhe shoqërisë në mbrojtën e këtyre hapësirave? A mundet që këto ndërtesa të bëhen sërish pjesë e jetës urbane? Si qëndron ideologjia politike karshi këtyre ndërtesave?
Këto janë disa nga çështjet që do të trajtohen përgjatë debatit të cilin do ta pasurojnë panelistët e ftuar siç janë:

• Arbër Sadiki, arkitekt
• Linda Gusia, sociologe
• Rina Kika, Termokiss/avokate
• Shkëlzen Gashi, publicist
• Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, MKRS
• Yll Rugova, drejtor i Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës

Debati do të moderohet nga Eliza Hoxha.

Në kuadër të debatit, do të promovohet edhe libri “Hapësirat e braktisura të Kosovës- 50 tregime të një bote të harruar”, nga CHwB Kosova./ KultPlus.com

Kështu fliste Hawking për Zotin, jashtëtokësorët…

Për Zotin

Hawking pohonte se është ateist. Thoshte se shkenca ka ofruar “më shumë shpjegime bindëse” në lidhje me origjinën e universit.

“Them se “sikur ta dinim mendjen e Zotit” është njësoj si ta dinim se Zoti ekziston, por ai nuk ekziston. Unë jam ateist”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Thoshte: Nuk besoj në Parajsë ose në jetën e pasvdekjes. Ato janë përralla të atyre që i frikësohen territ”.

Mbi inteligjencën artificiale

Inteligjenca artificiale në një moment do të jetë aq e përparuar sa që në thelb do të jetë “formë e re e jetës, që do të jetë më efikase se njerëzit”.

“Druaj se inteligjenca artificiale do të zëvendësojë plotësisht njerizit. Ashtu siç njerëzit mund të krijojnë viruset kompjuterike, dikush do të krijojë inteligjencën artificiale që mund të replikohet”.

“Ndërsa ndikimi afatshkurtër i inteligjencës artificiale kufizohet nga personi që e kontrollon, pasojat afatgjata varen nga ajo se a do të mund ta kontrollojë fare “, thoshte.

Nëse ju thërrasin jashtëtokësorët, mos iu përgjigjni

Konsideronte se jashtëtokësorët inteligjentë mund të jenë të disponuar armiqësisht ndaj njerëzve, madje të synojnë kolonizimin e planetit të pasur me resurse, siç është Toka.

Në ekzoplanetin Gliese 832c ndoshta ka jetë. “Një ditë do të marrim sinjale nga planeti si ky, por duhet të mendojmë mirë a t’i përgjigjemi. Takimi me ndonjë qytetërim të përparuar mund të jetë si takimi i Kolumbos me anasit e Amerikës. Ky nuk përfundoi mirë”.

“Njerëzit duhet të braktisin Tokën dhe të gjejnë shtëpi të re”, kishte deklaruar njëherë.

“Zgjerimi në gjithësi do të ndryshojë plotësisht ardhmërinë e njerëzimit. Shpresoj që qëllimi unik të bashkojë kombet konkurrente, në mënyrë që të përbalemi bashkërisht me sfidat që i kemi përpara…”

Njerëzimi, rreziku i vetvetes

Njerëzimit i kërcënohen një varg rreziqesh të cilat vetë i ka krijuar. Lufta bërthamore, ngrohja globale dhe viruset e krijuara gjenetikisht janë vetëm disa prej tyre.

“Nuk do të ndalemi së përparuari, as të kthejmë procesin e përparimit prapa, prandaj duhet t’i identifikojmë rreziqet dhe t’i kontrollojmë. Jam optimist, besoj se mund ta arrijmë këtë”.

Mbi eutanazinë vullnetare

Hawking nga mosha 18 vjeçare vuante nga sëmundja Lu Gerig (skleroza laterale amiotrofike – ALS) dhe kur mbushi 21 vjet i thanë se kishte edhe dy deri tri vjet jetë.

Ai kishte thënë se njerëzit ndonëse duhet ta kenë të drejtën t’i japin fund jetës kur dëshirojnë, kjo do të ishte gabim i madh. “Sado që jeta të dukej e keqe, gjithmonë ka diçka që mund ta bëni dhe të jeni i suksesshëm. Derisa ka jetë ka edhe shpresë”. Por kishte shtuarKur “nuk i lëmë kafshët të vuajnë, pse do t’i linim njerëzit?”./KultPlus.com

Pse në Elbasan “Dita e Verës” festohet në mars?

Muaji mars për çdo qytetar elbasanas mbart brenda saj festën e Ditës së Verës, e quajtur edhe festa e luleve.
Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.

Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë.

Etnologu Thanas Meksi thotë se “ festa është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës”. Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, citon “Koha jonë” studiuesin. “Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një cop gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”.

Ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre. Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatë dhe lojërat. Cast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “Bahçe bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.

“Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejtë se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “e mira” në konak e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin dhe këpusnin nga një tufë bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, çka nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre”, vijon etnologu Thanas Meksi.

Në mëngjes ishin djemtë ato që bënin derë (vizitë) tek të afërmit e tyre dhe kur dikush i thërriste në emër nuk duhet të përgjigjeshin me “e, e”, pasi nëmeshin me fyerjen “ Marrsh morrat e pleshtat”, por duhet të përgjigjeshin “ urdhëro”.

“Në mëngjes nëna na i lante sytë me ujin që ziente vezën, pasi nënkupton higjienë, pastërti, ashtu si është lëvorja e vezëve. E më pas, mëngjesin e 14 marsit kryhej rituali “kama e ditës së verës”, që do të thotë që vishen pantallonat e shkurtra të reja që i merrnin nga kanistra dhe fëmijët dilnim për vizita ku bëshim “kamë” ( të parët që hynim në derën e vizitorit) dhe me një sahan në dorë shkëmbenin dhurata e Ditës së Verës. Më e mira ishte që kamë të bënin djemtë, pasi thuhej se viti do të ishte i mbarë”, thotë Shpëtimi, një elbasanas i vjetër.

Por, Dita e Verës kishte edhe të veçantat e veta. Kur vinte dreka të gjithë elbasanllinjtë me torba të mbushura i drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “ Rrapi i Vojvodës”, “Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë dhe tek “Kodrina rreth Teqes”. Këtë ditë vajzat shikoheshin nga djemtë të cilët ishin në moshë për t’u martuar dhe mbas ditës së verës kryheshin shumë fejesa në qytet.

I gjithë vakti i drekës në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. “Në vitet e komunizmit festa pati një “ ndrydhje”, pasi nuk festohej si dikur, por prapë elbasanllinjtë gatuanin ballakumet, bënin kamë dhe drekonin në lëndina”, vazhdon Shpëtimi.

Sipas tij, në vitet pas demokracisë aktivitetet janë shtuar, organizohen karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, si edhe Dita Poetike, te cilat shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë para se dielli të perëndojë dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë./KultPlus.com

Festa e Luleve ka nisë në Elbasan, atmosferë vere në sheshet e këtij qyteti (VIDEO)

Sot po shënohet Dita e Verës, dhe vëmendja shkon në Elbasan, aty ku edhe ka nisë Festa e Luleve, shkruan KultPlus.

Rrugët dhe sheshet e këtij qyteti janë mbushë me qytetarë, ku po përcjellin nga afër parakalimet e organizatorëve.
Poashtu pritet të fillojë edhe koncerti që I dedikohet kësaj feste ku do të këndojnë këngëtarë të shumtë.

Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.
Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=S5FxN3nJv4g

Fahredin Spahija sonte sjellë ekspozitën “Përtej”

Fotografi kosovar, Fahredin Spahija do të sjellë ekspozitën personale të titulluar “Përtej”, shkruan KultPlus.

Fotografi Fahredin Spahija do të sjellë punimet e tij në ekspozitën që do të hapet të mërkurën në Galerinë “Monet”.

Ekspozita hapet sonte, më 21 mars duke filluar nga ora 20:00, për të qëndruar e hapur deri më 4 prill./KultPlus.com

14 marsi, datëlindja e Ajnshtajnit

Albert Ajnshtajn u lind në Ulmi të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.

Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.

Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndihej si i burgosur.

Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.

Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.

Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.

Albert Ajnshtajn vdiq në moshën 76 vjeçare më 18 prill 1955 në SHBA./ KultPlus.com

Baladë qytetse

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla.

Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije… jo! – por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit’ e saj me kreni
shpërtheheshin n’aromë,
kur ish e njomë –
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qytetit tonë.

Fituesi i Oscar përmes personazhit të Stephen Hawking: Kemi humbur një mendje vërtetë të bukur

Eddie Redmayne, aktori që ka portretizuar karakterin e Stephen Hawking në filmin “Theory of Everything”, sot ka pasi që ka marrë lajmin për vdekjen e profesorit, ka ndarë disa fjalë nderimi për të, shkruan The Telegraph, përcjellë KultPlus.

Redmayne portretizoi shkencëtarin në filmin “Theory of Everything”, ai me këtë rol fitoi Oskarin për aktorin më të mirë. Aktori u takua me profesorin gjatë hulumtimit të rolit dhe në këtë periudhë , ai thotë se ka përjetuar momentet më të mira të jetës së tij.

“Kemi humbur një mendje të vërtetë të bukur, një shkencëtar të mahnitshëm dhe njeriun më qesharak që kam pasur kënaqësinë ta takoj”, është shprehur aktori i njohur Redmayne.

“Zemra dhe mendja ime janë me familjen e tij të jashtëzakonshme”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Fizikanti dhe shkencëtari i njohur Stephen Hawking, ka vdekur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij në Kembrixh. Humba e tij është pritur me pikëllim në mbarë botën./ KultPlus.com

Artistët për Bekim Lumi edhe në Ferizaj (FOTO)

Aktivitetet për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, tashmë përveç Prishtinës po mbahen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Një aktivitet i tillë po organizohet gjatë kësaj jave në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Shoqata e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi” në Ferizaj, këto ditë ka organizuar aktivitetin bamirës “Artistët për Artistin”, me qëllim ofrimin e ndihmës ndaj Regjisorit Bekim Lumi, i cili po përballet më sëmundjen e rëndë të kancerit tash e dy vite.

Të gjithë ata që duan të blejnë piktura, fotografi, libra dhe ëmbëlsira këtë mund ta bëjnë deri në fund të javës në Sheshin e Komunës së Ferizajit. Të ardhurat do të kontribuojnë në shërimin e regjisorit Lumi.
“Pasuroni dhe zbukuroni shtëpitë dhe ambientet tuaja, me çmime të lira dhe me qëllim shumë humanitar”, shkruhet në njoftimin e këtij aktiviteti.

Aktiviteti do të zgjasë deri ditën e Premte të kësaj jave, nga ora 12:00 deri në orën 18:00./ KultPlus.com

Dua anulon koncertet me Bruno Marsin (VIDEO)

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka anuluar disa koncerte që do t’i mbante me Bruno Marsin shkaku i problemeve me dhëmbët e pjekurisë.

Përmes një postimi në Facebook, Dua ka njoftuar se është dashur t’i heq dhëmbët me operacion, të cilin ia kanë këshilluar dentistët e saj.

“Më vjen keq që më duhet të anuloj disa nga koncertet me Brunon. Kam performuar me dhimbje të tmerrshme shkaku i dhëmbit të pjekurisë dhe siç më ka këshilluar dentisti, është dashur t’i heq menjëherë”, ka njoftuar Dua.

“E kam shijuar këtë turne dhe jam e pikëlluar, por shpresoj se do të rikthehem sa më shpejt që të jetë e mundur. Faleminderit për mirëkuptim”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Mbi 450 mijë lule do t’i shtohen Prishtinës (FOTO)

Tashmë edhe disa ditë na ndajnë nga ardhja e stinës së Pranverës. Kryeqyteti i Kosovës, veçse ka filluar të marrë ngjyrat e kësaj stine, shkruan KultPlus.


Kryetari i Prishtinës , Shpend Ahmeti sot ka njoftuar se ka filluar mbjellja sezonale në hapësirat e gjelbra të Prishtinës. Ai tutje ka treguar se gjatë këtij viti do të mbillen mbi 450 mijë lule, të cilat janë duke u kultivuar nga Ndërmarrja Publike “Hortikultura”.

KultPlus ju sjellë fotografitë e publikuara nga Kryetari, Shpend Ahmeti./ KultPlus.com

Dokumentari për Runikun e Petrit Halilajt shfaqet në Washington (VIDEO)

Kultplus ju sjellë artikull në të cilin artist Petrit Halilaj flet për artefaktet që mungojnë, imigrim, mungesën e lëvizjes së lirë shpendët dhe metaforën e tyre. Artisti mbi këto dhe shumëçka tjerë ka diskutuar nga Washingtoni për Zërin e Amerikës.

Artisti Petrit Halilaj ka filluar që t’i përveshet projektit të tij të radhës. Ai është duke qëndruar në Washington ku në Muzeun e Historisë së Natyrës është shfaqur një dokumentar për Kosovën.

Dokumentari është realizuar nga vetë artisti dhe në të flitet për Runikun, fshatin e Komunës së Skenderaj, nëntoka e të cilit përmban objekte arkeologjike të epokës së neolitit. Diçka që e ka nxitur imagjinatën e artistit Petrit Halitaj i cili është rritu në këtë fshat.

“Është një histori e cila vjen prej kohëve të lashta e që është shumë aktuale në jetën e përditshme edhe në identitetin e ri të shteti të ri tonë, Kosovës”, është shprehur Petrit Halilaj për kronikën e realizuar nga Zëri i Amerikës mbi punën e artistit.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe. Disa nga këto artefakte kanë qenë pikërisht nga Runiku të cilat qytetarët edhe sot i kujtojnë.

Kuratori nga Firenca Leonardo Bigazza ai i cili ka qenë në Runik me Petritin është shprehur se ajo që e ka çuditur ka qenë marrëdhënia që banorët kanë me objektet të cilat ata i gjejnë rastësisht.

“Mungesa e institucioneve dhe e muzeut dhe ndjesia se objektet ashtu si shpendët fluturojnë dhe nuk kthehen më kanë lënë një hapësirë për imagjinatë. Prandaj njerëzit spekulojnë dhe krijojnë lloj-lloj mitesh diçka që është po ashtu e veçantë”, është shprehur kuratori.

Artisti Petrit Halilaj ka riprodhuar disa prej objekteve të humbura dhe i ka paraqitur ato në një formë artistike duke i bërë të ngjashme me shpendët që lëvizin apo takohen dhe dashurohen. Një mënyrë kjo e tij për të shprehur nostalgjinë për artefaktet të cilat nuk janë më në Runik.

Institutin Smithsonian sjellë njerëz nga gjithë bota për tu marrë më hulumtime mbi temat të cilat ndërthurin natyrën dhe trashëgimin kulturore. Një mundësi kjo të cilën ky institut ia ka dhënë edhe artistit nga Kosova.

“Ajo që është interesantë për dokumentarin e Petrit është se ai na jep historitë dhe rrëfimet që kanë mbet të varrosura nën këmbët e njerëzve dhe që shfaqën në kopshtet e tyre”, është shprehu antropologu Joshua A. Bell, drejtor i programit në Institutin Smithsonian.

Më e vështirë sipas artistit Petrit Halilaj është krijimi i një identiteti të ri ku të gjithë do të kenë vend. “Kultura për mua është një prej instrumenteve që mundemi me e kuptu se sa është e rëndësishme që të gjithë të jemi pjesë e një shoqërie. Jo vetëm një etni, një gjini apo një fe. Për fat të keq në historinë e kaluar institucionet jo gjithmonë kanë ditë më e përdorë potencialin që kultura ju jep njerëzve për me kuptu”, është shprehur ai.

“Në botë kam udhëtuar me qejf dhe më zor. Më zor janë kujtimet e viti 1998-1999 kur kam migruar si refugjatë në Shqipëri diçka që është pjesë e kujtimeve të mia. Si artist që kur kam filluar të studioj në këto 10-të vitet e fundit, migrimi dhe udhëtimi nëpër botë është esenciale dhe inspirim për mua për me e zhvillu aktivitetin tim dhe jetën time”, ka thënë Halilaj, duke theksuar se ajo që po kërkon në institutin Smithsonia është relacioni në mes zogjve emigrues dhe njerëzve. Tregimin sesi zogjtë nuk kanë vetëm një vend po ekzistojnë duke ju falënderuar mundësisë me fluturu edhe me kalu kontinente, dete e oqeane.

“Unë vijë prej Kosovës, një shtet që është akoma një prej shteteve të fundit në Evropë qytetarët e të cilit pa viza nuk mundëm me udhëtu në Evropë edhe liria për një jetë më të mirë, apo liria e lëvizjes është diçka që më preokupon jo vetëm mua por edhe krejt qytetarët e Kosovës”, përfundon Petrit Halilaj. /KultPlus.com

Ankand-ekspozitë shitëse për Bekim Lumin

Tashmë çdo ditë e më shumë po shtohen aktivitetet artistike, në mënyrë që të ndihmohet regjisori dhe profesori, Bekim Lumi që po përballet tash e dy vite me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të hapet ankand-ekspozita shitëse. Në këtë ekspozitë do të shiten piktura, skulptura, grafika ndërsa të gjitha të hollat do të shkojnë për shërimin e regjisorit Lumi.

Udhëheqës i këtij ankandi është aktori, Fatmir Spahiu. Kjo ankand-ekspozitë shitëse do të hapet sonte, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

“The Theory of Everything”, filmi që portretizon jetën e fizikanit Stephen Hawking

Sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë fizikanti i njohur botërisht Stephen Hawking. Ai ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare, në Kembrixh, shkruan KultPlus.

Vdekja e tij ka ngjallur një pikëllim të madh anë e kënd botës. Një mënyrë për ta kujtuar jetën e tij të jashtëzakonshme, është shikimi i filmit “The Theory of Everything”, i cili ka qenë i nominuar për Oscar, shkruan Cnet, përcjellë KultPlus.

Ky film biografik për Hawking, është realizuar në vitin 2014 dhe dokumenton jetën e Stephen Hawking para, gjatë dhe pas dignostifikimit me ALS – Sklerozen amiotrofike laterale, në moshën 21 vjeçare. Pas kësaj mjekët e kishin njoftuar se ai ka vetëm edhe dy vite jetë.

Ky film i prodhuar nga regjisori James Marsh, ka marrë shumë vlerësime të mira, e po ashtu edhe shumë çmime. Aktori Eddie Redmayne që kishte luajtur rolin e fizikanit Hawking, kishte fituar Oscarin, si aktori më i mirë./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Verës në Tiranë

Tirana pret sot Ditën e Verës. Përveç programit të ngjeshur të aktiviteteve argëtuese, Bashkia e Tiranës ka nisur përgatitjet për t’i dhënë qytetit një atmosferë pranverore dhe mbi të gjitha festive.

Kushdo që ka kaluar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me siguri i ka parë zbukurimet që janë vendosur përgjatë gjithë këtij segmenti. Siç shihet edhe nga fotot, veç zbukurimeve me lulet që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës, ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive.

Natyrisht që veç përgatitjeve të Bashkisë së Tiranës për këtë festë duket se ka menduar edhe natyra e cila me ngrohtësinë e këtyre ditëve ka sjellë në qytet më shumë ngjyra, gjelbërim dhe lule.

PROGRAMI DITA E VERËS – 14 MARS 2018
Ora 09:00 Muzikë me DJ tek Liqeni Artificial (hyrja e digës).
Ora 10:00 “Karnavalet në Tiranë”- Parada e fëmijëve të shkollave nga sheshi “Skënderbej” drejt Liqenit Artificial.

Ora 09:00-15:00 Tirana Open Air Show. Avion në sheshin “Skënderbej”. Red Bull në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Aeronautikës.

Ora 09:30-11:15 Fluturime nga Flota Kombëtare e Pilotëve, Kosovë-Shqipëri.

Ora 10:00 Varka dhe kanoe për argëtim si dhe sport të lirë të qytetarëve. Gjithashtu, demonstrime nga profesionistë të lundrimit te Liqeni Artificial.

Ora 10:30-14:30 Koncert tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (përballë Kryeministrisë). Këngëtarët: Arilena Ara, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa, Lorenc Hasrama, Fifi, Denisa Gjezo& Band. Argëtim, surpriza në zonën e dedikuar të rinjve.

11:00-00:00 Koncert “Summer on Pyramid”, tek sheshi përpara Piramidës. Dee Jay, Dj Aldo, DjSardi, Dj Mickey, Chriss V, VinVeli, Abel Dj.
Prej orës 11:00 dhe gjatë gjithë ditës te Parku i Liqenit Artificial

Përgjatë Digës – Panairi i Artizanëve

Këndi i piktorëve (rruga e 1000 selvive)

Oazi i lojërave për fëmijë (afër fushave multisportive)

Aktivitete sportive si Ping-pong, shah, volejball, basket, handball, harqe, kangoo etj…(para fushave multisportive dhe brenda tyre).

Këndi i fotografisë së pranverës
Libraria e Liqenit e hapur për fëmijët dhe të rinjtë

Këndi i barbekysë

Mbrapa këndit të forcës nr 1: Festival i kërcimit për fëmijë “Ne jemi Bota”. Më pas vazhdon Teatri i Kukullave për Fëmijë.

Tek Teatri Veror: Program klasik me të ftuar nga Shkolla e Baletit dhe Liceu Artistik.
Aktorë të Cirkut do të jenë në hapësira të ndryshme të parkut. Në Kopshtin Zoologjik do të ketë muzikë me DJ si dhe aktorë të Cirkut që do të performojnë për vizitorët e vegjël

Ora 12:00 Red Bull Race Air Shoë.
0ra:12:00-23:00 Koncert për të rinj te sheshi “Italia”. Këngëtarët: – G UP, – Fifi, – Anxhelo Koci, – Gent Fatali, -Fero

Ora 12:00-01:00 Street Party Telekom.
Rruga “Pjetër Bogdani”: Skena e vendosur tek Kino Bar (me pamje nga Whiskey Bar) me muzikë reggae, hip-hop, DnB, tech house, melodic house, electronic.

Rruga Brigada e VIII: Skena e vendosur në krah të Pepper Lounge me pamje nga Sky Tower me muzikë live Jazz, Funk dhe Rock.

Rruga Ibrahim Rrugova: Panair me produkte të ndryshme.

Ora 18:00 Koncert klasik. Amfiteatri te Akademia e Arteve
Këngëtarët: Kastriot Tusha (Tenor)

Ardita Meni ( Soprano)

Zana Frashëri (Soprano)

Evis Mula (Soprano)

Erand Kurani (Fizarmonikë)

Alma Strazimiri (Mezzo-soprano)

Sofika Kola (Soprano)

Aktorët e Teatrit Kombëtar kërkojnë rimodelim të projektit danez, kundër hapësirave për bizneset

Aktorët e Teatrit Kombëtar i qëndrojë idesë që nuk duhet shembur godina ekzistuese, kundërshtojnë kullat dhe pohojnë se me sa janë njohur me projektin është i paplotë për teatrin.

Pas prezantimit të projektit për teatrin e ri në kryeministri, një grup i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar u mblodhën për të diskutuar rreth tij. Por edhe pse menduan ta zhvillonin takimin në TK ata u mblodhën në TKE “Kujtim Spahivogli”, pasi sipas tyre drejtori nuk i lejoi. Artistët të cilët e kanë kundërshtuar shembjen e godinës së teatrit, pohojnë se janë të paqartë me projektin. Aktori Arben Derhemi pohon se gjithë prezantimit i projektit, që u bë në kryeministri nuk ka lidhej me Teatrin Kombëtar. “Zhvilluam një mbledhje për të diskutuar për projektin. Por pati urdhër nga drejtori që nuk u lejuam të hyjmë në godinën e TK. Dmth aty ku ne punojmë nuk lejohemi të hyjmë. Një projekt, i cili nuk ka lidhje me klasikun e Teatrit Kombëtar.

Na tregoi dje sesi dukej Reja nga Teatri Kombëtar, TK nga Reja, njerëz që do të pinin kafe në Teatrin Kombëtar, si do të hanin drekë në Teatrin Kombëtar, domethënë na paraqitën një projekt turistik”, thotë aktori Arben Derhemi. Artistët gjithashtu shprehen edhe kundër partneritetit publik privat, për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Aktori i Neritan Liçaj pohon se të gjitha qeveritë nuk kanë përfillur artistët, duke e trajtuar teatrin si pronë të tyre. “Po merrem me filozofinë PPP. Habitem pse në çdo gjë duhet përdorur kjo filozofi? Pse duhen futur në Butrint? Pse duhet prish teatri dhe ti jepet biznesit disa metra? Por ti nëse je shtet i fortë të paktën te kombëtarët duhet të ishe te TOB, stadiumi, TK, etj, sepse çuditërisht këta zotërinjtë e qeverisjes kanë komoditete shumë të mira për veten e tyre, por pse kur vjen puna te artit dhe kultura s’ka para?”, pohon aktori Liçaj. Më tej ai ngre shqetësimin për arrogancën e pushteteve. “Ajo që më shqetëson është arroganca e pushtetit, që vendos vetë, që bën çfarë i do qejfi sikur çdo gjë të jetë pronë e atij që ka marrë votat. Ne do të dalim me një tjetër qëndrim , kryeministri shantazhon, arrogant, jep ultimatume”, thotë Neritan Liçaj.

Projekti i paplotë

Projekti i Teatrit Kombëtar është konceptuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels, por aktorët pohojnë se është i paplotë edhe pse vizualisht duket bukur. “Ai vizualisht duket i bukur, e pse jo? Te projekti i bukur, por i paplotë nuk pashë detaje si te opera që është i detajuar, si salla provash, dhomat e artistëve, etj. Tek ky projekt i TK u fol dhe për restorante, por nuk u fol shumë ku do jenë studiot e aktorëve. Kam parë dhe peticionin e shoqërisë civile dhe sigurisht që bashkohem. Ndalimin e menjëhershëm të planeve për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, planeve për grabitjen e tokës publike të zënë aktualisht nga teatri, hartimin e një plani serioz për të rimodeluar hapësirën e teatrit si investim publik, duke i ruajtur fizionominë urbanistike, duke ruajtur hapësirat e gjelbra aktualisht të përfshira në territorin e teatrit, duke siguruar një teatër kombëtar të vlefshëm për gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve”, thotë aktori Liçaj. Aktorja Anila Bisha, gjithashtu shprehet kundër projektit që është menduar për Teatrin Kombëtar, sipas saj ka shumë gjëra të paqarta për punën e artistëve, duke shtuar se trualli është i teatrit dhe jo për kulla. “Këtu arroganca ka marr tatëpjetën dhe nuk di se çdo të ndodhë, por ne duhet të rezistojmë fort. Ky është një truall i Teatrit Kombëtar, dhe jo një por dy mund të bëhen tek kjo hapësirë. Pse duhen bërë kullat? Duhet sensibilizuar gjithë populli, biznesi që të vijnë dhe të ndihmojnë dhe sponsorizojnë. Ne nuk duam të shembet teatri. Te takimi që u bë në kryeministri nuk ishte as kryetari i Sindikatës së Artistëve të TK, pjesa që e kanë kontestuar nuk ishin të ftuar në takim. Më vjen keq sepse dhe ata që ishin atje nuk patën mundësi për të folur, atje ishte vetëm një arrogancë”, pohon aktorja. Godina e teatrit sipas kreut të qeverisë do të shembet sepse është jashtë çdo lloj standarti, nuk mund të jetë teatër komune jo më teatri kombëtar. Sipas kryeministrit, investimi për Teatrin e ri Kombëtar do përfundojë brenda tre viteve dhe do të realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe sipërmarrjen private, shkruan SotNews./ KultPlus.com

Vdiq fizikani i njohur Stephen Hawking në moshën 76 vjeçare

Stephen Hawking, mendja e shkëlqyer e të cilit shkonte në kohë dhe në hapësirë edhe pse trupi i tij ishte paralizuar nga sëmundja, ka vdekur në moshën 76 vjeçare, tha një zëdhënës i familjes të mërkurën herët në mëngjes.

Fëmijët ë tij, Lucy, Roberti dhe Timi thanë në një deklaratë se “ai ishte një shkencëtar i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm, puna dhe trashëgimia e të cilit do të jetojë për shumë vjet”.

Fizikani më i njohur teorik i kohës së tij, Stephen Hawking ka shkruar kaq qartë për misteret e hapësirës, kohës dhe vrimave të zeza saqë libri i tij “Një histori e shkurtër e kohës” u bë një nga librat më të shitur ndërkombëtar, duke e bërë atë një prej të njerëzve më të famshëm të shkencës që prej Albert Einsteinit.

Zoti Hawking ishte një fizikan me ide të guximshme. Puna e tij ishte përqendruar në tejkalimin e hendekut mes teorisë së relativitetit të Albert Einsteinit – e cila shpjegon se si forca e rëndesës kontrollon lëvizjen në hapësirë të objekteve të mëdha si yjet dhe planetet – dhe teorisë së fizikës kuantike, e cila merret me vetitë e grimcave subatomike.

Stephen Hawking ishte pothuajse tërësisht i paralizuar nga skleroza anësore amiotrofike, një sëmundje nervore e pashërueshme. Ai përdorte karrige invalidësh dhe i duhej të flasë me ndihmën e një kompjuteri, transmeton voa. Kur ishte 65 vjeç, atij i dhuruan diçka të veçantë: një udhëtim në një avion që simulon mungesën e forcës së rëndesës, si në rastin e astronautëve në hapësirë.

“Ishte e mrekullueshme, dhe nuk pata asnjë problem. Mund të kisha vazhduar pa fund”, tha i atëbotë

Stephen Hawking e kishte trupin të paralizuar, por mendja e tij endej e lirë. Në vitin 2008, gjatë një ceremonie me rastin e 50 vjetorit të Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, ai bëri thirrje për fillimin e një epoke të re në eksplorimin e hapësirës prej njeriut, e krahasueshme, tha ai, me udhëtimet evropiane në “Botën e Re” më shumë se 500 vjet më parë./KultPlus.com

Këngë nga zemra dhe poezi për Bekim Lumin

Qendra Multimedia, sonte, ka mirëpritur adhuruesit e muzikës dhe poezisë, të cilët ishin mbledhur me një qëllim mjaftë fisnik para tyre, për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Mbrëmja filloi me poezinë “Të gjithë më duan” të shkruar nga Shpëtim Selmani, kurse u mbyll bukur nga zëri i Rona Nishliut, e cila solli këngën “Baresha”, e shoqëruar nga Ilir Bajri.

Alberina Haxhijaj

Rona Nishliu dhe Ilir Bajri dhanë një performancë të improvizuar, duke sjellë këngë mjaftë të njohura, por në një verzion të padëgjuar më parë e që erdhi pikërisht nga zemra, siç ata e ndjenin dhe për një person që e kanë shumë për zemër.

Këngëtarja Rona Nishliu u shpreh për KultPlus se pavarësisht nga organizimet e ndryshme, të cilat janë në rrafshin e artistëve, ndihma institucionale është shumë e rëndësishme.
“Unë jam pjesë e një grupi të artistëve të cilët bashkërisht kemi organizuar një fushatë të tërë. Nuk e di nëse kjo mjafton ose jo, mirëpo ne po bëjmë përpjeke që përmes gofoundme.com/bekimlumi të sensibilizojmë të gjithë njerëzit të cilët kanë mundësi dhe kanë dëshirë që të kontribuojnë në shërimin e Bekimit”, u shpreh ajo, duke theksuar se procedurat mjekësore janë shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme për familjen.

“Jam befasuar me përgjigjen dhe solidarizimin e njerëzve, janë treguar shumë bujar dhe bashkëpunues. Më vjen shumë mirë që kanë bashkëndjerë dhe janë bërë ndoshta pjesë e kësaj rruge shumë të vështirë të Bekimit, dhe bashkë më të, të gjithë ne po mundohemi që ta luftojmë armikun e tij shumë të fortë”, është shprehur Nishliu.

Poezitë nga libri “Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit”, të cilat u lexuan gjatë kësaj nate janë të shkruara gjatë periudhës 2010-2017. Libri është i ndarë në tri pjesë, kurse pjesa e katërt përmban letra, të cilat Selmani ua ka kushtuar disa autorëve, personazheve fiktive dhe njerëzve të cilët ai e ka ndjerë se ka diçka për t’u thënë.

Shpëtim Selmani u shpreh për KultPlus se regjisorin Bekim Lumi e admiron për guximin dhe dashurinë që ka ndaj punës së tij dhe kontributin që i ka dhënë kulturës në Kosovë. Tutje ai tregoi se poezia për të është një hapësirë ku ai ndjehet si mbret, ku mund të përballet me të gjithë dhe çdo gjë, hapësirë ku ai ndjehet vetvetja.

“Libri është botuar në vitin 2017 kurse sot është promovuar. Libri me poezi ‘Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit’ është se unë konsideroj se periudha 2010-2017 ka qenë një lloj zhgënjimi, i cili na ka mbuluar të gjithëve, dhe poezia ka qenë evidente edhe të unë, pa dashur unë. Përveç poezisë, unë vetëm mundem të lufoj realitetin dhe të krijoj një hapësirë ku unë mundem të ndihem mirë, prandaj është edhe gjaku. Pra poezi është diçka brenda meje”, është shprehur ai, duke theksuar se poezia për të është edhe një lloj mjeti për mbijetesë, mirëpo pa e kuptuar akoma se pse apo si.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar, kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./KultPlus.com

Zbulohet lapsi i preferuar i Frida Kahlo, e përdori për vetullat e saj

Posa e mendoni artisten meksikane Frida Kahlo, ajo që menjëherë ju vjen në mëndje (përveç veprave të saj feministe të artit) është dhe imazhi i saj tashmë ikonik.

Megjithatë ajo çfarë e kryesonte atë janë vetullat e saj të veçanta, (monobrows) tradicionalisht të cilat mendohen si një tipar ‘’jo tërheqës’’ në kulturat moderne.

Ndërsa vetullat e saj duket se shkojnë kundër standardeve të bukurisë femërore, Kahlo zgjodhi të nxjerr në pah fytyrën e saj natyrale duke përdorur një laps të vetullave për të përmirësuar edhe më tej tiparin e saj përcaktues.
Por, ajo çfarë është zbuluar tani del të jetë se piktorja e njohur Frida, atë botë përdori një laps të syve të markës Revlon, njofton Klan Kosova.

Produkti tani legjendar i grimit është vendosur të dalë në ekran në paketimin e tij origjinal për herë të parë ndonjëherë në ekspozitën V & A, që i referohet artistes.

Ekspozita do të përfshijë më shumë se 200 sende të saj personale, duke përfshirë stoli, veshmbathje, këmbë proteza, blloqet e saj të zgjedhura Revlon (në hije të saj të preferuar ‘Everything’s Rosy’) dhe dosjen e saj të thonjve.

“Do ta përshkruaja stilin e Kahlo si personale, unike, hibride dhe bashkëkohore”, ka thënë, Claire Wilcox, bashkë-kuratorja e ekspozitës, njofton Klan Kosova.

13 vjeçari shqiptar mahnitë jurinë e The Voice Kids në Gjermani (VIDEO)

Është duke u mbajtur gara e madhe e The Voice Kids në Gjermani, dhe së fundi, jurinë e kësaj gare e ka mahnitë zëri i Besim Karpuzit, që vjen nga Drenica e Kosovës.

Ai ka fituar zemart e jurisë në audicionet e fshehura, kurse vetë juria e ka vlerësuar talentin shqiptar një këngëtar të vërtetë, duke ia vlerësuar zërin, por edhe qëndrimin e tij.
Për më shumë mund ta ndiqni performancën e Besimit, i cili tashmë vazhdon garën e mëtutjeshme./KultPlus.com


Ky është filmi i parë i animuar në shqip, i realizuar në vitin 1975

Viti 1975 shënoi një sukses të ri, u prodhua i pari film multiplikativ shqiptar (teknika e kartonave) “Zana dhe Miri” nga piktori Vlash Droboniku i cili mbasi kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, bëri një specializim të shkurtër në studion “Animafilm”në Bukuresht (Rumani).Filmi multiplikativ ishte një domosdoshmëri e kohës për të mbushur një boshllëk të ndijshëm për filmat për fëmijë, ndonëse tematika që trajtuan ata nuk ishte vetëm për botën fëminore; shkruan kritiku i kinemasë Abaz Hoxha.
Filmi multiplikativ mori një zhvillim të shpejtë, një vit më vonë, 1976, u prodhuan 4 filma. Ekipi krijues u zgjerua ndonse baza teknike ishte ende e dobët mbasi u përdorën aparatura të vjetra të cilat u adaptuan për këtë qëllim. Viti 1977 një hap cilësor, nga kartoni i animuar realizohet filmi i parë me vizatime “Zhgarravinat” me regjisor-piktor Bujar Kapexhiun.

Ky ishte një film mjaft i suksesëshëm i cili u nderua me Kupën e Festivalit të Dytë të Filmit Shqiptar për gjininë e tij më 1977 dhe me çmimin e Parë në Festivalin e Tretë të Filmit Ballkanik në Stamboll (Turqi); duke shënuar kështu edhe të parin çmim për filmat shqiptarë në Festivalet Ndërkombëtare të Filmave.

Teknikat e filmit multiplikativ kombinohen midis tyre, lëvizjet bëhen më ekspresive, me shprehje më të qarta karakteresh, me një ndërtim më origjinal në dramaturgji e me kërkesa të veçanta të stileve grafike për seicilin krijues. Më 1979 regjisori Esat Musliu, piktori Astrit Tota dhe operatori Faruk Basha prodhuan të parin film me kuklla “Vajza me pata”, teknikë që u pasua më vonë në një sëri filmash të Vlash Drobonikut. U rritën kuadrot dhe brenda pak viteve prodhimi i filmave të kësaj gjinie u rrit shumë shpejt. “Në fillim të viteve ‘80 prodhoheshin çdo vit 12 filma multiplikativë të teknikave të ndryshme.

Kjo rritje ishte rezultat i punës këmbëngulëse të krijuesve të këtij sektori. Këta filma u mirëpritën nga spektatorët e moshave të ndryshme, por veçanërisht nga të vegjëlit”; thotë Hoxha. Tipari dallues i tyre ishte karakteri kombëtar në subjekt,skenografi, psikologji. Ata transmetuan tek spektatori i vogël një moral të shëndoshë dhënë nëpërmjet të një humori bindës e të kuptueshëm por që nxiste fantazinë e tyre.

Baza teknike u rrit gradualisht duke kaluar në atelie më të modernizuara që dhanë mundësi për xhirime më të komplikuara dhe teknika më të avancuara. U krijua një bërthamë e konsiderushme krijuesish të gjithë profileve-skenaristë, regjisorë, piktorë, operatorë, multiplikatorë, kompozitorë etj të talentuar që e ngritën sektorin e tyre në lartësi përherë më të mëdha duke realizuar shumë filma cilësorë që u mirëpritën në publikun shqiptar dhe të huaj.

Duhet theksuar se filmi vizatimor iu shmang që në fillimet e tij politizimeve dhe diktatit ideologjik, ndoshta edhe vetë nga natyra e tij ku sundonte lufta midis së mirës dhe të keqes që përfaqësojnë një nga normat bazë të moralit të përgjithëshëm njerëzor sikurse u mbështetën edhe në përrallat popullore.

Ndërsa themeluesit e filmit vizatimor u bënë Vlash Droboniku e Bujar Kapexhiu, mbas tyre vijuan një plejadë e tërë piktorësh dhe regjisorësh të suksesëshëm si Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Gazmend Leka, Artur Muharremi, Esperanca Konomi, Majlinda Agolli, Artur Dauti, Robert Qafëzezi, Artan Maku, Sokol Xhahysa, Gjin Varfi, Stefan Taçi, etj si dhe një ansambël i tërë piktorësh ekzekutues dhe multiplikatorësh si Natasha Vodica, Diana Hoxha, Beti Kumi, Suzana Thaçi, Alma Bengu, Ana Arapi, Suzana Varvarica, Elefteri Milla,…. etj.

Një kontribut të rëndësishëm në xhirimin e filmave për fëmijë dhanë kinooperatorët Tomi Vaso, Diana Diamanti, Jovan Kondakçi, Beqir Vaqari,Vangjush Valla, Sonja Mamaqi, etj. Në këtë mënyrë xhirimi i filmave vizatimorë filloi të konsolidohesh dhe të rritej nga viti në vit duke u bërë e mundur që deri në vitin 1995 të ishin realizuar mbi 160 tituj filmash vizatimorë të teknikave të ndryshme./gazeta shqip

‘The New Body’ nga Astrit Ismaili sonte në Digital Spring Festival

Artisti nga Kosova Astrit Ismaili, do të prezantohet sonte në “Digital Spring Festival” me projektin tij të titulluar “The New Body” në ARGEkultur në Salzburg, shkruan KultPlus.

Artisti në kë projekt krijon një trup që shkon përtej kapaciteti të tij natyral dhe është i hapur për mënyra të tjera- një trup që tejkalon funksionin e tij të zakonshëm si vend për negocimin e çështjeve të tilla si raca, etnicitetit, gjinisë, gjuhës dhe politikës së klasës.

Projekti ka për qëllim të sfidojë kapacitetet dhe kufizimet e paracaktuara, fizike dhe mendore të trupit, duke ndryshuar elementët ekzistuese dhe duke shtuar elemente të reja. Kështu që tingujt të cilët lëshohen gjatë lëvizjeve mendohen që të shfaqen si pjesë të brendshme të trupit. Tinguj këto të cilat janë të ndryshëm varësisht nga lëvizjet.

Duke e ndarë trupin me tinguj, artisti trajton paragjykimet e supozuara dhe mundëson që të kapërcehet nga pikëpamja tradicionale në perspektiva të reja.

“The New Body” do të prezantohet me performancën që do të jetë live nga artisti dhe pastaj me video të cilat do të projektohen si holograme për të dhënë ndjesinë e prezencës së artistit gjatë ekspozitës.=
Performanca do të jetë më 13 mars dhe 14 mars, në ora 19:30. Istalacioni më 17 mars dhe 18 mars 18:30. Ndërsa më pas ky projekt do të vazhdojë më 23 mars në Brisfelden në Zvicër.

Astrit Ismaili ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Arteve të bukura në Prishtinë. Më pas ai vijoi studimet master në Universitetin e Arteve të Amsterdamit, në programin e DasArts Master of Theatre. Në artin e tij bëhen bashkë disa mediume si fotografia, muzika, dhe video-performanca. /KultPlus.com