Shoqata “Thirrjet e Nënave” kërkojnë dorëheqjen e Driton Selmanajt

Para pak kohësh është publikuar përgjigjja që zyra e zv.kryeministrit Driton Selmanaj i ka kthyer Komisionit për Persona të Pagjetur, në kërkesën për raportim ku dëshmohet se ai ka deklaruar se tema e të pagjeturve është konsumuar.

Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” Nysrete Kumnova ka bërë thirrje që Selmanaj të jep dorëheqje dhe të largohet sa më parë nga qeveria.

“Jemi prek shumë sepse Dritoni besojë që jeton në Kosovë edhe ne të gjithë e kemi përjetuar luftën, dhe atij nuk e di sesi ju ka dok që kjo çështje është konsumuar kur edhe 1 një mijë e 600 janë veta ende të pagjetur mbahen në varreza të Serbisë. Për ne si familjarë edhe për mua si kryetare e Shoqatës ‘Thirrjet e Nënave’ si nënë unë kam bërë thirrje që ai duhet të jep dorëheqje dhe të largohet sa më parë nga qeveria, nuk ia vlen më”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkaq, sot në media është raportuar se pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt për çështjen e të pagjeturve, në internet ka nisur peticioni online për shkarkimin e tij. Peticioni i cili ka nisur mbrëmë, deri sot në mëngjes është nënshkruar nga gjithsej 1 mijë e 761 persona.

E pyetur për peticionin ndaj Selmanajt, Kumnova e cilësoi këtë veprim si të duhur pasi që qëndrimet e Selmanajt, sipas saj kanë qenë të padrejta dhe ofenduese.

“Qytetarët e kanë mendimin e vet dhe e vlerësojnë vet dhe besojë që nuk kanë bërë keq. Nuk jam e njoftuar për këtë gjë, por unë flas personalisht për familjet e mia dhe atë çfarë e kemi pasur e kemi thënë, tash edhe qytetarët i vlerësojnë qëndrimet e atij(Driton Selmanajt), kanë qenë të pa drejta dhe të pamatura dhe ofenduese për gjithë qytetarët që kanë dhënë jetën për gazepi”, ka theksuar Kumnova./ KultPlus.com

Ditën kur vodha orën e shokut mësuesi nuk më turpëroi, por më dha mësimin më të madh të jetës

Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.

– A më mbani mënd?

– Jo.

– Kam qenë nxënësi juaj.

– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?

-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.

-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?

-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.

I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.

-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.

Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:

-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.

-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?

-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!

Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtëra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.

Shqipëruar nga M. Sota

Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956./ KultPlus.com

Ilir Muharremi: Krijimtaria e artistit Jetullah Halitit është një teatër modern

Ilir Muharremi, kritik i artit

Mbrëmë në hapësirën e restaurantit “Apollonia” në periferi të qytetit të Gjilanit, u hap ekspozita personale në kuadër të 75 vjetorit të lindjes së artistit Jetullah Halitit-Etit. Ekspozita erdhi si retrospektivë ndonëse u prezantua edhe një punim për koronavirusin.

Krijimtaria e artistit Jetullah Halitit është një teatër modern me skena të absurdit të Joneskos dhe të Becketit, dhe ky absurd është i thellë dhe ne esencë ka një të vërtetë triumufse. Qëllimi është zhytja në thellësi, dhe ikja në sipërfaqe e ngjyrosur mu me atë thellësi.

Tri ngjyrat e Etit

Ngjyra më e preferuara e artistit Halitit, shkurt të cilin e thërrasin ETI, është e bardha, ngase kjo ngjyrë është tek veza, tek sinqeriteti, pafajësia, tek vellua e nuseve, tek gëzimi, hareja, tek plisi, tek qefini i Rugovasevë, dhe jo rastësisht Eti e gjen shpirtin e tij tek kjo ngjyrë. Kjo ngjyrë e pastër, pasqyron edhe pastërtinë, ose thënë më bukur fshinë brengat, vuajtjet, na liron nga energjia negative, andaj Eti më shumë e gjen sekretin e artit tek kjo ngjyrë mistike, kjo ngjyrë engjëllore e cila mban edhe aromë të engjëjve. Ndërkaq, ngjyra tjetër e cila shqetëson piktorin Eti është e kuqja, ngjyra e gjakut, e historisë, ngjyra e flamurit, vullkaneve të cilat kur shuhen krijojnë toka të reja, e në këto toka të reja artisti Eti zhytet i tëri pas sekreteve, dhe përmes brushës ai kërkon një zgjidhje ose na paralajmëron me një këshillë të lartë. Por, edhe e kaltërta ngritët si një betejë në pëlhurën e Etit, ajo nganjëherë është e ftohët, e thellë, e kthjellët, kufizuese e formave, një qiell pa kufi, por nuk ngulfatet nga ngjyrat e tjera. Të gjitha këto ngjyra si një ombrella ngritën në pentagramin e Etit, ato kanë tinguj dhe secili tingull nga një shkronjë në vete.

“Ngrohja globale” “Shkrirja e akullnajave” “Trekëndëshi i Bërmudës”

Ky cikël është një teatër avangardë, që prek majat e absurdit dhe në asnjë moment nuk të lë të qetë, të jesh pjesë e një finale reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek, Heraklitit, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”, domethënë, fitues na del ajri, dhe këtë frymë mistike, Eti dukshëm na e shfaq, nëpërmjet potezave të brushës që janë tejet shpërthyese dhe që nuk mund të lirohen nga e kuqja gjakatare, ose armikja e natyrës dhe humbësja e pa ngjyrës. Në disa pjesë të ngrohjes, e bardha ngrihet në këtë betejës si diçka shpëtuese, por prapë se prapë është kufizuar nga një e vërtetë e pandryshueshme, absolute në teorinë e vet magjike. Ndërkaq, tek “Shkrirja e akullnajave”, një vdekje më e bardhë, më qetësuese, më e lehtë, disi tinëzisht ngre optimizmin, duke e rrënuar teorinë e zezë të vdekjes me një zëvendësim gëzimi. Pikërisht këtu hasim në teorinë e filozofit Friedrih Nietzche, që thotë: “Përdore dhimbjen si një instrument gëzimi”, e këtë instrument gëzimi Eti, në formë simbolike e gjen tek e bardha, e cila nuk është aq e ashpër, por një vrasëse e buzëqeshur. Kjo ngjyrë e përdorur konfliktin kryesor e ka me të zezën, nga e skuqura e tepërt ka fituar një të zezë të përkryer.

Shpirtin e pastër të Etit nuk e lë të qetë edhe misteri më i madh në botë “Trekëndëshi i Bermudës” dhe këtë mister, ai e pasqyron si diçka të vërtetë, që ka raporte në këtë kohë.

Profondizmi

E tërë artin e tij, krijuesi Eti e përfundon me stilin e quajtur “Profondizmit”. Mesazhi i profondizmit është i thellë, i pa skajshëm, nuk mund t’ia gjesh fundin, sepse artisti nuk ia përcakton fillimin, dhe në esencë, ende nuk dihet pikënisja, që të vendoset finalja.

Postmodernia e Etit e quajtur “Profondizëm”, tentohet të trajtohet dhe të hulumtohet , njëkohësisht, nga disa kritikë të artit, shqiptarë dhe të huaj. Në këto tentativa, të cilat duhen përgëzuar, por edhe pranuar se janë fillesë, synohet zbërthimi i disa prej veprave më të arrira të Eti-t, duke gërshetuar analizën ideore konkrete, me tentativën për ta zbërthyer teorikisht. Në Profondizëm, nxirret në pah dominimi i brendësisë dhe i thellësisë së krijimit mbi formën e shfaqjes, përndryshe, të paraqitjes.

Postmodernia profondiste Eti-ane vështrohet nga disa pozicione a këndvështrime, që lidhen me tematikën, me poetikën, me metodën, kulturën, stilin dhe krahasimin. Studimi mbi këtë stil a rrymë, i cili, duam s’duam ne, është sipërfaqësor, tani për tani, ka marrë formën e piketave apo tezave për studime zbërthime , analiza, debate të thukta.

Artistët e vërtetë modernistë nuk e kanë të vështirë ta pranojnë postmodernen. Ata, përkundrazi, e pohojnë, e njohin dhe jo pak herë e afirmojnë si një realitet, duke e quajtur “piktura e së ardhmes”.

“Qofsh bekuar pikturë, pikturë gjuha ime, pikturë universale e shpirtit tim, jam i dashuruar në ty, më mbaj se të dua shumë dhe vetëm shumë”. Jetullah Haliti.

“Unë kurrë nuk kam hyrë në fizikë ose në trupat e astronautëve për t’u bërë një model. Por pas fluturimit tim të parë, u bë e qartë për mua që isha një. Dhe fillova të kuptoj rëndësinë e kësaj për njerëzit. Vajzat e reja duhet të shohin rolin modele në çfarëdo karriere që ata mund të zgjedhin, vetëm në mënyrë që ata të mund të imagjinojnë veten duke bërë atë punë një ditë. Ju nuk mund të jeni ajo që nuk mund ta shihni “.

Sally Ride, gruaja e parë amerikane në hapësirë . / KultPlus.com

Volteri: Kudo të dobëtit s’i shohin dot me sy të fuqishmit

Më 21 nëntor të vitit 1964 lindi shkrimtari francez, i cili njihet edhe si filozof Volteri, shkruan KultPlus.

Përderisa në shumë vende evropiane filozof cilësohet një profesor universitar apo një person që është specializuar në këtë fushë, shteti francez na dëshmon të kundërtën, duke e trajtuar si të tillë një shkrimtar.

François-Marie Arouet që më pas u quajt “Dë Volter” ose Volteri, ishte një shkrimtar që ndërhynte në debatin publik, nëpërmjet botimit të librave dhe artikujve për çështjet politike dhe morale.

Duke filluar nga viti 1704 ai shkroi vargjet e para dhe tragjedinë e tij të parë në moshën dymbëdhjetëvjeçare, e cila është e humbur.

Letrat filozofike, të shkruara në mërgim dhe të botuara më 1734 në Francë, u sekuestruan nga Parlamenti i Parisit, u dënuan si armike të fesë dhe të shtetit dhe u dogjën publikisht. 

Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi.  Vepra ‘’Kandidi’’ është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Wilhelm Leibnizit  mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë i tillë.

Në datën e lindjes së Volterit, KultPlus ju sjell një fragment nga vepra ‘’Kandidi’’:

–Ju duhet të keni djallin në bark, – tha Kandidi.
– Ai i fut hundët kaq shumë në punët e kësaj bote, – tha Martini, – sa nuk është çudi të jetë në trupin tim, ashtu siç mund të jetë kudo gjetkë, por une ja ku ju them se, duke hedhur sytë mbi këtë glob ose më mirë të themi mbi këtë rruazë, mendoj se zoti do t’ia ketë lënë në dorë ndonjë krijese keqbërëse, përjashtoj në këtë mes Eldoradon. Unë s’kam parë asnjë qytet që të mos ketë dëshiruar shkatërrimin e qytetit fqinj, asnjë familje që të mos ketë dashur të shfarosë ndonjë familje tjetër. Kudo të dobëtit s’i shohin dot me sy të fuqishmit, të cilëve u puthin këmbët, dhe të fuqishmit i trajtojnë ata si kope bagëtish që u marrin leshin dhe mishin. Një milion vrasës të organizuar në regjimente vrapojnë nga një cep i Evropës në tjetrin, ku vrasin dhe vjedhin me disiplinë për të fituar bukën e gojës, sepse për këta njerëz nuk ka zanat më të ndershëm; dhe në qytetet që duket se gëzojnë paqe, dhe ku lulëzojnë artet, njerëzit i brejnë nga brenda zilira, merake dhe shqetësime që janë më të këqija se të zezat që heq një qytet i rrethuar. Hidhërimet e fshehta janë shumë më të thella se fatkeqësitë shoqërore. Me një fjalë, kam parë dhe kam hequr kaq shumë, sa jam bërë manihean. / KultPlus.com

Filmi “Rruga” shpërblehet me çmim në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Bosnje dhe Hercegovinë

Filmi “Rruga” i regjisorit Besim Ugzmajlit është shpërblyer me çmimin “Bihlaf 2020’’ në Festivalin ndërkombëtar të Bosnje-Hercegovinës ‘’Looks Around’’, shkruan KultPlus.

Ky sukses i radhës vie pas çmimit “Best Human Rights” në New York True Venture Film Festival.

Flmi “Rruga” trajton temën e trafikimit me qenie njerëzore.

Në film luajnë Gresa Pallaska, Mal Noah Safqiu, Mevlan Saraçi, Milot Salihu dhe Sherif Bega. Lena dhe Genti janë personazhet kryesore të këtij filmi, këta të dy takohen në një situatë të pazakontë, por tregimi i tyre është më i ndryshëm sesa që duket në fillim, të dy këta, kanë përjetuar dhimbje të shkaktuar nga njerëzit e tjerë.

“Rruga” është prodhim i Figurina Film’s me producent, skenarist dhe regjisor Besim Ugzmajlin. / KultPlus.com

Rita Ora sonte i bashkohet konferencës virtuale “Diaspora flet”

Këngëtarja e njohur shqiptare, Rita Ora sonte do t’i bashkohet diskutimit në konferencën virtuale “Diaspora flet” me bashkëbisedues Erion Veliajn, shkruan KultPlus.

Në konferencën virtuale “Diaspora flet” do të bashkëbisedojnë sonte duke filluar nga ora 20:30 ylli shqiptar, Ora dhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, i cili e bëri të ditur këtë nëpërmjet rrjeteve të tij sociale.

“Surpriza jonë për të gjithë ju: @ritaora dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, @erionveliaj , sot në bashkëbisedim në përmbyllje të konferencës ‘Diaspora Flet 2020’. 🔥 E realizuar me shumë dashuri e përkushtim, ju ftojmë të na bashkoheni sot, prej 20:30 (CET)”, thuhet në njofitm.

Rita Ora ishte pritur në takim nga Erion Veliaj dy vite më parë në Tiranë, ku kishte ardhur për të mbajtur koncert.

Poashtu, dyshja kanë bashkëpunuar edhe për rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, meqë rast Rita shprehu gatishmërinë për t’ia ndërtuar shtëpinë një familje të prekur nga tërmeti./ KultPlus.com

Akt nga drama e jetës

Fjolla Hajrizaj

Qentë lehin natën

Kaq më mjafton të mendoj

Një poezie t’i jap jetë në natë

Qentë lehin natën e unë

Për kohën e pazakontë

Tek tuk për dhembjet e huqjet e mia

Për jetën e dalë binaresh

Për botën e çthurun krejt

Për vetminë e urinë e tyre mendoj

Mes vete mbase luajnë qentë

E unë përveç hallkave që më janë këputë

Për fatin e tyre në dimër mendoj

Për fatin e ndonjë njeriu që mund ta kenë gjah

Pagjumësia më lë çdo andërr në gjysmë

Por qentë lehin e veten dot nuk e ndihmoj

Mendoj, mendoj, mendoj

Pse në dramën e jetës gjithçka u prish?

Në vend të mrekullisë,

Me histori përbindëshash ngushëllohem

Ka më  keq se soji njeri veten e rrej

Nuk besoj e as nuk pres, thjesht lehin qentë

Në dramën e jetës gjithçka u prish! / KultPlus.com

Akademi shkencore në 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit

Me një Akademi shkencore, sot vazhduan aktivitetet e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Drejtori i Institutit, Skender Asani tha se jam shumë i nderuar që sot po ju drejtohem për t’ju dëshiruar mirëseardhje në Shtëpinë e Dytë të Alfabetit, pra në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

“Mund të jetë koincidencë, por bukuria qëndron pikërisht në këso koincidence. Alfabeti i shqipes, që u ndihmua aq shumë prej misionarëve amerikanë, u vulos më 22 nëntor 1908, ndërsa Instituti ynë u themelua pikërisht më 22 nëntor dhe tash është i vendosur në objektin e ish Ambasadës Amerikane në Shkup”, u shpreh Asani.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke uruar për Festën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, theksoi nevojën që në të gjitha institucionet të shtohet vëmendja dhe vetëdija ndaj përdorimit korrekt të gjuhës standarde shqipe.

Arafat Shabani, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, përgëzoi Institutin për zhvillimin e këtyre veprimarive, si shembull mjaft i mirë se si duhet të edukohen gjeneratat e reja në frymën e respektit ndaj ngjarjeve dhe figurave të rëndësishme kombëtare. Ai shfaqi shpresën që nga shtatori i ardhshëm, Abetarja e unifikuar të bëhet realitet në të gjitha shkollat e trevave shqiptare.

Ardit Bido, drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, theksoi se Kongresi i Manastirit është një ngjarje e madhe unifikuese kombëtare, dhe për të janë duke u zhvilluar një sërë manifestimesh edhe në Tiranë, Prishtinë, Preshevë, Ulqin e gjetiu. Ai u shpreh i lumtur që ITShKSh këto ditë e botoi përmbledhjen me dokumente të Parashqevi Qiriazit, të cilat ndodheshin në AQSH-Tiranë.

Ylber Sela, drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve, tha se të gjitha zhvillimet mua personalisht më bëjnë jashtëzakonisht krenar si shqiptar, por aq më tepër edhe si drejtor që kam fatin ta udhëheq Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, e cila çdo ditë e më tepër jep ndihmesën e vet në zbatimin zyrtar të kësaj gjuhe, e cila shkruhet pikërisht me ato shkronja që u zgjodhën si model në Kongresin e Alfabetit më 1908 në Manastir.

David Hosaflook, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, u ndal sidomos në çështjen e varrezave protestante, dhe veçanërisht lidhur me varrin e Gjerasim Qiriazit në Strumicë.

Studiuesi Xhevat Lloshi, paraqiti një kumtesë lidhur me problemet gjuhësore te shqiptarët në të shkruar, në kohën kur po brumosej Alfabeti i Gjuhës Shqipe.

Ditën e nesërme aktivitetet e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, kulmojnë me përkujtimin e Zonjës së Parët të Alfabetit – Parashqevi Qiriazi. Me atë rast, do të promovohet libri me dokumente “Ditari i Parashqevi Qiriazi”, si dhe filmi dokumentar për në UNESCO. /ITShKSh/ KultPlus.com

Billy Holly

Tregim nga Nerimane Kamberi

Duhej të mbërrinte te dera e pub-it para se Big Beni të tregonte orën 8. Duhej të mbërrinte, andaj ecte shpejt.

Qe sa ditë nuk mund të ngrihej nga krevati, i dhembte kryet, sikur të binin brenda të gjitha kambanat e katedrales, në një kakofoni e kompozuar për ta çmendur. I kishte mbushur xhepat e pizhameve me mëri dhe me mërzi dhe fundosej.

Ecte shpejt, pështyju në Temës, shikoj Parlamentin, prapë pështyju, dhe përnjëhere filloj të fishkëllej, nga gëzimi që kishte dalë pas shumë ditëve ndalimi. Mbrëmë mbretëresha i ishte drejtuar popullit nga kështjella ku strehohej, “God Save the Queen!”

Shpejtonte, pak edhe nga trishtimi, se nuk e shihte asnjë njeri në rrugë, autobusët e kuq ishin stopuar. Kur ai ishte shofer, i pëlqente të flas me udhëtarët, këtë merak vazhdonte ta ushqej mbrapa banakut me klientët rreth një kafe, në mëngjes, kur niseshin në punë, rreth një birre në mbrëmje, kur mbaronin punën.

E solli çelësin dhe hyri brenda . Sytë e tij dalluan banakun. Ndezi dritat, ndezi makinën e kafes, kërkoj shishet e birrës për t’i futur në frigorifer, do t’i nxirrte më vonë një nga një, e do t’i pije për të harruar që kishte ikur Xhoni dhe e kishte lënë vetëm në këtë kohe murtaje. Qëndronte drejtë mbrapa banakut, gati për t’i pritur me një përshëndetje të ngrohtë myshterinjtë e mëngjesit. “Morning, burrë, një kafe, si zakonisht?” e do të ndërronin ca fjalë, për punën, për jetën. Do ta pyesnin për të, Xhonin. Do t’i gënjente.

Tjetri do të vinte, e tjetri, …e në drekë do të shërbente Fish and Chips, më të mirët të Londrës; e në darkë do të mbushej salla, do të bllokohej hyrja në trotuare, e do të qeshnin me zë të lartë, do të bënin zhurmë, se kjo qetësi e mbyte, e do të shikonte nga banaku lumturinë e njerëzve, “jo, jo , në pub-in tim, në pub-in e Billy Holly-t nuk ka trishtim, nuk dua trishtim, vetëm lumturi, trishtimin lëreni në punë, në zyre, jashtë, hajde, jashtë, dua të ju shoh të lumtur.“

Një mjegull e dendur kishte rënë mbi qytet, por policët vërejtjen dritën në lokal, shtyjnë derën ngadalë, e njiheshin mirë këtë vend, vinin fundjavave kur nuk ishin në detyrë. U afruan te banaku. Në dysheme gjetën të shtrirë mikun e tyre, mikun e të gjithëve, Billy Hollyn. Kundërmonte erë birre. Buzëqeshi. Hapi një sy, kur dëgjoj zhurmën. Ngriti dorën, “Cheers. / KultPlus.com

Vdes ish-futbollisti dhe trajneri Nikolin Lorenci

Si pasojë e Covid 19, ka vdekur ish-futbollistit i njohur nga Lezha, Nikolin Lorenci.

Lorenci ishte i shtrirë në spitalin infektiv në Tiranë, por gjendja e tij iu përkeqësua dhe vdiq në mëngjesin e sotëm.

Nikolin Lorenci ka lindur me 13 Dhjetor 1949 në Lezhë. Ai e ka veshur zyrtarisht fanellën e Besëlidhjes në maj të vitit 1965 në ndeshjen Butrinti- Besëlidhja dhe që nga ajo kohë e deri në fund të sezonit 1978-79 nuk i është ndarë fushës së blertë duke thyer  një rekord  si titullar, pasi  nuk ka munguar në asnjë ndeshje.

Nikolin Lorenci si futbollist  me fanellën e Besëlidhjes ka luajtur në 5 sezone. Pasi ka lënë futbollin si lojtar, ai më vonë ka shërbyer si trajner i Besëlidhjes, si shef i sportklubit dhe si drejtor sportiv në akademitë private te futbollit ne Lezhe, “Brians” dhe  “Porto”.

Më 4 dhjetor 2018 Këshilli bashkiak i Lezhës për kontributet e tij e shpalli “Qytetar Nderi” të Bashkisë. Më herët Nikolin Lorenci ka marrë dhe titullin “Mjeshtër Sporti”. / KultPlus.com

11 vjeçarëve që ju ndal loja në gjysmë, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë

11 vjeçarët Din dhe Arsim Paçarizi kanë qenë nxënës të klasës së tretë të shkollës së fshatit Dragobil të Malishevës.

Ishte 5 prilli 1989 dhe ata po luanin në fshat sikurse çdo ditë. Ishte ditë e mërkurë. Të nesërmen bëheshin fiks dy javë që Serbia me dhunë e tanke e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Dini dhe Arsimi akoma nuk e dinin se çfarë ishte as autonomia, as republika. Ata dinin të luanin, ndonëse e nuhatnin se diçka e jashtëzakonshme po ngjante në vendin e tyre. Atë të mërkurë, një konvoj ushtarak serb stacionohet në vendin e quajtur Golesh, në të dalë të fshatit të Dinit dhe Arsimit. Duke bërë “manovra”, zunë të shtinin në drejtim të Dragobilit.

Dy 11 vjeçarët vriten dhe i ngel në gjysmë loja. Faji i vetëm i tyre? Ishin shqiptarë. Dhe kushdo që ishte shqiptar nuk e meritonte as të luante, as të rritej, as të shkollohej. Serbia kishte vendosur që Dini dhe Arsimi nuk meritonin as të jetonin.

Kësisoj – një dhjetëvjeçar para Abrisë, Rezallës, Bellacërkës, Poklekut, Studimes, etj. – Serbia po e dëshmonte se ish në gjendje të luftonte me tanke kundër fëmijëve dhe foshnjave. E, Dini dhe Arsimi u bënë paralajmërimi që hasi në vesh të shurdhër të kancelarive botërore për atë çfarë do të bënte Serbia vite më pas.

31 vite më vonë, krimet serbe ndaj fëmijëve, grave dhe burrave shqiptarë vazhdojnë të jenë të pandëshkuara. Në vend të kriminelëve serbë po gjykohen luftëtarët shqiptarë, moshatarët e Dinit dhe Arsimit që vendosën të kapnin pushkët e lirisë për ta ndalur vrasjen e Dinëve dhe Arsimëve të tjerë.

Autor i tekstit: Fitim Salihu / KultPlus.com

“Diaspora Flet 2020” sonte me panel diskutimi për kulturën

Vazhdës së konferencave virtuale “Diaspora Flet 2020” sonte do t’i bashkohet edhe tema e gjendjes kulturore në diasporë, shkruan KultPlus.

Paneli i diskutimit i natës së sotme me temë ‘Rimendimi i Aktviteteve Kulturore në Diasporë’ do të nis nga ora 19:30 nën moderimin e Ali Salihut dhe me folës të cilët punojnë aktivisht për gjallërim të jetës kulturore.

Ermal Fehmi Vejsa, Jehonë Jahaj, Linda Arifi dhe Vjollca Robelli Mripa do të jenë ata që do të pasqyrojnë gjendjen e kulturës në vendet e ndryshme të diasporës.

Ata do të flasin për shoqatat, festivalet, natyrën e organizimeve, ndryshimet dhe bashkëpunimet që duhet të ndërrmerren si dhe mjaftueshmërinë e tyre për të mbuluar nevojat kulturore të atdhetarëve që gjendjen jashtë kufinjve shqiptarë.

Konferencat virtuale “Diaspora Flet 2020” janë të organizuara nga GERMIN dhe organizata e saj si-motër me qendër në SHBA ‘The Global Albanians Foundation’/ KultPlus.com

‘’Ëndrrat e Hamletit’’ vlerësohet si ‘’Monodrama më e mirë e festivalit’’ në Egjipt

Drama ‘’Ëndrrat e Hamletit’’ ka fituar çmimin kryesor ‘’Monodrama më e mirë e festivalit’’ në Festivalin Ndërkombëtar SITFY në Egjipt, shkruan KultPlus.

Në festivalin e mbajtur në Sharm El Sheikh të Egjiptit, drama e cila është e bazuar në veprën e Shekspirit “Hamleti, Princi i Danimarkës”, me tekst të shkruar nga Nina Mazur dhe regji e interpretim të Mentor Zymberaj arriti një sukses tejet të madh, duke rrëmbyer çmimin kryesor.

‘’’Ëndrrat e Hamletit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës. Premiera e kësaj shfaqje është dhënë më 31 mars të vitit 2018 në Teatrin ‘’Dodona’’. / KultPlus.com

Anton Berishaj: Sibel Halimi modelimin poetik e realizon mbi racionalitetin e sensuales dhe sensualitetin e racionales

Recension nga Anton Berishaj për veprën poetike ‘’Me ekzistu është vetë kuptimi’’ të autores Sibel Halimi.

SHKRIMI GRUENISHT APO ÉCRITURE FEMININE

Diskursi poetik i Sibel Halimit është një diskurs polivalent që në origjinën e vet duket sikur mbështetet dhe i rimodelon topikat themelore të écriture feminine dhe mbi një nga postulatet themelore të këtij shkrimi – se krijimtaria femërore buron nga trupi, se është një emanacion specifik i korporalitetit femëror:

          Trupi është dëshmia e vetme

          Ani  se të helmuar me ekzistencën e shpirtit e mendjes…

Ky “shkrim i trupit” në të vërtetë përfaqëson atë që Kristeva do ta quante chora semiotike apo thelbin e produktivitetit shenjëzues dhe kuptimor, si atributin më të rëndësishëm të tekstit letrar, pra edhe të poezisë së saj. Ky trup i gjallë n’lëvizje i tejkalon kufijtë e vet diskretë, sepse në procesin kreativ të krijimit (“nxjerrjes”) të lirisë shndërrohet në një entitet absolut:

                    Rrënjët

të mos më përcaktojnë pronësi

Do të ngre qoftë edhe dollinë e fundit

për postulatin tënd

të pa ba zá

Heshtur nën tokën tënde drithërima

lëvizjesh tektonike

drejt trupit tënd absolut

Te ky strofoid gjejmë tiparet themelore të diskursit dhe universit poetik të Halimit – jo vetëm rezonancat e këtij diskursi me diskursin post/feminist  (dhe konceptin e famshëm të shpronësimit të Judith Butler), por edhe erosin e veçantë të tekstualitetit të saj.

          Sibel Halimi modelimin poetik e realizon mbi racionalitetin e sensuales dhe sensualitetin e racionales dhe nga këtu subjektivizimi semiotik ‘femëror’ shkon përtej opozicionit binar të subjektit “femëror” dhe subjektit “mashkullor” – pra edhe përtej paradigmës feministe. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Nga alfabeti në drejtshkrim” në Tiranë

Në 48-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente që dalin nga fonde arkivore.

Ekspozita është hapur në Kalanë e Tiranës. Kongresi i Drejtshkrimit ishte rrjedhojë e një procesi të gjatë përpjekjesh për shqipen standarde. Për këtë arsye në panelet e kësaj ekspozite ekspozuar momente me rëndësi që nga Kongresi i Manastirit i cili mori vendimin e rëndësishëm që për shkrimin e shqipes të përdorej ky alfabet, që ne kemi edhe sot.

Studentët dhe qytetarët kanë mundësi të shohin nga afër disa ngjarje dhe personazhe me rëndësi jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe po për gjithë vendin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor. / dp/ KultPlus.com

Brezovica mbulohet nga bora

Temperaturat kanë filluar të bien dhe bora e parë është shfaqur në disa prej vendeve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Teksa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se mbi vendin tonë sot do të mbajë mot i ndryshueshëm, i vranët dhe me intervale me diell, vendet malore si Brezovica kanë marrë një pamje tjetër, duke u mbuluar nga bardhësia e borës

Sipas këtij Instituti temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriu me shpejtësi 1-6m/s. / KultPlus.com

36 vite nga vdekja e aktores Jolanda Shala, e cila çdo rol që i besoj e ‘qëndiste’

36 vite më parë vdiq aktorja Jolanda Shala në moshën 37 vjeçare, e cila shquhej për rolet e saj në teatrin e atëhershëm të Shkodrës, shkruan KultPlus.

Jolanda Shala ishte aktore e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Ajo morri pjesë në 60 shfaqje, duke jetësuar rreth 180 role.

E njohur edhe me nofkën ‘’Landi’’, kujtimi i saj mbetet i gjallë nëpërmjet premierave artistike si “Ballafaqimi”, “Nën tik-takun e orës”, “Shigjeta thumbuese”, “Laj e shplaj, qit në diell e thaj”, “Peshqeshi i fundit”, “Ngjyrat pranverore”, “Fundi i një komedije” dhe shumë të tjera.

Për artin e saj kishte shkruar edhe Xhahid Bushati në librin ‘’Teatri ‘’Migjeni’’, kujtesa e një qyteti’’, në të cilën shpjegonte gjerë e gjatë jetën, personalitetin dhe veprën e Jolanda Shalës.

‘’Çdo rol që i besohej kërkonte e këmbëngulte që atë figurë që krijonte ta plotësonte derisa të shfaqej si karakter i plotë. E qëndiste. Ishte e kujdesshme qoftë edhe për një përparëse të vogël që i duhej personazhit, pa le për garderobën e rëndë. “Duke parë natyrën e saj si aktore, – do të thoshte, në një bisedë vite më parë, regjisori Paulin Sekuj, – Jolanda punonte ngadalë e me kujdes. I kushtonte vëmendje detajit për të tipizuar më mirë personazhin e për të krijuar doemos situatën humoristike’’, kishte shkruar Bushati.

Kujtimi i Jolanda Shalës do të mbetet i përhershëm nëpërmjet artit. / KultPlus.com

“Dikur luaja me ndjenjën e saj, tash vuaj vet”

Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur.

Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.

Sot po e sjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. 

Mbizotëronte një qetësi
Në atë nate gjithçka pushonte
Kisha shumë nevojë për të
E në ato çaste më mungonte

Në këto rrugët pa njeri
Ku asgjë nuk ekzistonte
Mu kujtua ajo vajzë
Zëri i saj kur me thonte:
“Të dua shumë
Mos më lër vetëm
Kam shume frikë të rri pa ty
Është botë e egër”

Dhe pastaj me përqafonte
Dhe pas vetes më pushtonte
E ndjeja dorën e saj
Gjithë trupin me përshkonte
Hej një botë tjetër na priste me pas
I kam ndër mend
Lotet e saj
Dashuronte si e çmendur… si e marrë

Nuk mundem ta imagjinoj
Se ty te kam humbur vërtet
Dikur unë luaja me ndjenjën e saj
E sonte vuaj vete
Me duket se asnjëherë
S’do dashuroj me kaq fort
E janë kujtimet qe me shkatërrojnë

Nuk mundem ta imagjinoj
Se ty te kam humbur vërtetë
Dikur unë luaja me ndjenjën e saj
Tani e vuaj vete…
Tani e vuaj vete… /KultPlus.com

Çfarë qëndron pas fotos më të famshme në Internet

Të gjithë mund ta mbajnë mend këtë foto që u bë meme për shumë ngjarje.

Që nga viti 2005, ky imazh  është bërë një nga më të njohurit në internet.

Emri i vërtetë i “Disaster Girl” është Zoe Roth, një 20 vjeçare nga Liqeni Tahoe në bregun lindor të SHBA dhe ajo ka folur se çfarë qëndron pas asaj fotoje.

“Unë isha 5 vjeç dhe po shikonim televizor me familjen, ishte një ditë normale kur filluan sirenat e zjarrfikësve dhe kur dolëm jashtë pamë tymin e madh që kishte përfshirë një shtëpi dy blloqe larg nesh”, tha Roth.

Zoe tregon se ata shkuan për ta parë nga afër, por askush nuk po bënte asgjë.

“Babi im sapo kishte blerë një aparat fotografik, ne u afruam dhe menduam se ishte një zjarr i vërtetë, por pastaj pamë që zjarrfikësit nuk po bënin asgjë dhe kuptuam se shtëpia iu ishte dhënë atyre për një test. Unë nuk e dija se ishte një zjarr eksperimental dhe mbaj mend po shikoja përreth për të kuptuar çfarë po ndodh. Babai im po fotografonte të gjithë ngjarjen dhe pastaj tha, ‘Është radha jote për të buzëqeshur’, kjo ishte arsyeja pse unë qesha, kjo ishte mënyra se si unë buzëqeshja atëherë”, tregon 20 vjeçarja.

Në nëntor 2007, Dave, babai i saj hyri në një konkurs të drejtuar nga një revistë fotografike, ku fitoi./tch/ KultPlus.com

Tri gra të Kosovës nominohen në New York, promovojnë Kosovën

Zana Hoxha, Ilire Vinca e Burbuqe Berisha janë nominuar në “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit), shkruan KultPlus.

Për këtë arritje ka njoftuar regjisorja e njohur Zana Hoxha, e cila bashkë me dy koleget tjera do të jenë të pranishme në këtë ceremoni. Përderisa Hoxha dhe Berisha janë nominuar për herë të parë në këtë ngjarje të madhe të teatrit, Ilire Vinca një nominim të tillë ka pas edhe para disa viteve.

KultPlus ju sjell të plotë statusin e Zana Hoxhës.

Së bashku me Aktoren Ilire Vinca dhe regjisoren Burbuqe Berisha unë jam renditur në mesin e 27 grave të 18 vendeve të botës si të nominuara për çmimin prestigjioz që njeh kontributin e grave në botën e teatrit. Ilirja për herë të dytë ndërsa unë dhe Buqja për të parën, e kemi futur Kosovën në hartën e shteteve, ku gratë ia dalin të jenë profesioniste të zonja, edukuese përmes artit e edhe frymëzuese për gjeneratat e reja.

Të tria jemi pjesë e listës së të nominuarave për “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit)./ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi i del në mbrojtje Saranda Bogujevcit: Edhe vet jam lënduar nga fjalimet e deputetëve

Vasfije Krasniqi Goodman përmes një shkrimi në twitter i doli në mbrojtje deputetes së VV’së, Saranda Bogujevcit, që thotë se u ofendua nga deklaratat e zv. kryeminsitrit të Kosovës, Driton Selmanaj.

Krasniqi Goodman thotë se edhe vet është lënduar nga fjalimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Krasniqi-Goodman Ajo tha se kjo kategori e shoqërisë është lënduar edhe nga fjalimet e deputetëve nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. 03/09/2020  E njëjta gjë, kategori e ndryshme”, shkruan Krasniqi Goodman.

Saranda Bogujevci është e mbijetuara gjatë masakrës së familjes Bogujevci në Podujevë gjaë lutës së fundit në Kosovë.

Bogujevci gjatë ditës së djeshme është ofenduar nga deklarata e Driton Selmanaj në emisonin Pressing./ KultPlus.com

Filmi “Vulë” me regji nga Valmir Tertini, fiton dy çmime në “Chauri Chaura International Film Festival”

Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini ka marrë çmimin për filmin më të mirë dhe regjinë më të mirë në  Chauri Chaura International Film Festival, shkruan KultPlus.

Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.

Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë. Ndërkaq gjatë muajit korrik të këtij viti “Vulë” shënoi edhe premierën e tij evropiane në festivalit të njohur italian BCT. Gjithashtu ky film ka marrë edhe çmimin për skenarin më të mirë në New York True Venture Festival (NYTVFF)/ KultPlus.com

Ndryshon lista, ja kush është njeriu i tretë më i pasur në botë

Elon Musk është bërë njeriu i tretë më i pasur në botë duke kapërcyer kështu themeluesin e Facebook, Mark Zuckerberg.

Musk është themeluesi, CEO CTO, teksa po punon për të revolucionarizuar transportin si në tokë, përmes prodhuesit të makinave elektrike ‘Tesla’ në hapësirë, përmes prodhuesit të raketave Space X.

Të ardhurat nga prodhimi i makinave elektrike, kanë bërë që Musk të bashkohet me indeksin prestigjioz S&P 500 të kompanive më të mëdha të listuar në SHBA.

Fitimi ishte marramendës dhe çmimi i aksionit u rrit deri në 12% në 460 $, duke e vlerësuar Tesla-n me 320 miliardë £. Pas arritjes, Musk e dërgoi pasurinë personale në vlerën e 82 miliardë paund.

Tashmë për Indeksin e Miliarderëve të Bloomberg, Musk ndodhet në vendin e 3 duke u cilësuar si një nga njerëzit më të pasur në botë. Miliarderi i lindur në Afrikën e Jugut zotëron një 20 për qind të aksioneve në Tesla. Kjo e zhvendos 49-vjeçarin në vendin e tretë, mbi pasurinë e Zuckerbergut prej 80 miliardë £./ KultPlus.com

Shqiptari që transmetoi programin e parë shqip në radion norvegjeze

Imri Trena është themelues dhe kryeredaktor i Radiostacionit “Zëri i Arbërit”. Është arsimtar i shkollës shqipe në Oslo, që prej vitit 2000. Gjithashtu shqiptari Trena është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar shumë vepra. Në vitin 1999 migroi në Norvegji, ku jeton dhe punon, por tregon se kurrë nuk e ka bërë gjumin e qetë në Norvegji, sepse zemra e tij rreh në çdo sekond për Shqiptarinë.

“Kur kemi ardhur na kanë pritur shumë mirë, kemi qenë 350 shqiptarë dhe jemi trajtuar shumë mirë, jam shumë falenderues, por sigurisht malli për atdheun është i madh dhe besoj të gjithë i kemi ato vuajtjet e njëjta. Mua nuk mund të ma zëvëndësojë Shqipërinë, Kosovën asnjë vend në botë. Që nga momenti që kam ardh kurrë nuk e kam bërë të qetë në dhe të huaj.”

Në një intervistë për televizionin “Albse” Imri Trena tregon se dashurinë për median e ka kultivuar që nga koha kur jetonte në Kosovë.

“Që kur jetoja në Kosovë e kam dashur shumë median dhe kam bashkëpunuar me radio Ferizaj, Radio Gjilan dhe Radio Vat, kjo ishte e vetmja mundësi komunikimi në kohën e luftës që dëgjohej më shumë në anën tonë. Ishte një radio modeste, por emisionin e lajmeve në orën 18:00 e kishte mjaft cilësorë. Kam kontribuar në Radio Vat deri në momentin kur u ndërpre sinjali edhe në atë zonë.

Trena tregon se pse u angazhua për të qenë pjesë e medias edhe kur emigroi në Norvegji.

“Zëri i Arbrit” gjenerata ime e di se çfarë do të thotë terri informativ, nuk kishte gjë më të keqe se të mbetesh në errësirë pa informacion, kishte shumë desinformata. Dëshira ime atje për të qenë para mikrofonit nuk u realizua dhe sapo erdha këtu mendova çfarë të bëj. Mora vesh se ekziston një shkollë shqipe dhe menjëherë shkova në vitin 2000. Më pas kontaktova me një radio këtu dhe i kërkova një orë transmetim. Ata u habitën dhe më pyetën se cili është qëllimi i programit. Përgatitëm një material me ato pak kushte që mundësuam, me ndihmën e disa miqve e shokëve. Programi i parë ishte 55 minuta dhe e ruaj si program, është transmetuar një këngë “Shpirti i Arbrit”, një hapësirë e shkurtër dedikuar fëmijëve, si dhe një rubrikë me fjalë të urta popullore, rubrikë e cila sot është ndër më të dëgjuarat, në fund e mbyllëm me një numër humori. Kur ata panë programin mbetën të mahnitur dhe e transmetuan në korrik 2001. Kur u transmetua për herë të parë moderatori tha këto fjalë: “Tani fillon premiera botërore, një program në gjuhën shqipe” për ne ishte një emocion shumë i madh. Vitin e parë me një orë, vitin e dytë, dy orë dhe në vitin e pesë hapsira arriti 7 orë program çdo të premte. Me kalimin e kohës shfrytëzimin e audiencës e paguanim sigurisht. Tani ai radiostacion është mbyllur. Sfidat në të cilat ka kaluar “Zëri i Arbrit” janë të shumta, por një që mburrem është se mund të them që gjithçka ka qenë burim i buxhetit familjarë. kam sakrifikuar gjithçka për të dhënë aq sa kam mundur për këtë medium. Kur nuk e harroj datën 25 qershor kur e morëm lejen për të transmetuar programin dhe i thash se ky radiostacion e ka emrin qemoti “Zëri i Arbrit” dhe unë mburrem me këtë emërr kaq kuptim plotë.”

Disa nga vepra e Imri Trena janë: “Buzëqeshja e tretur”, 1996, “Plagë në zemër”, 1998, “Shtegtim i shqipeve”, 1999, “Prapa grilave”, 2001, “Kosova ime e madhe”, 2002, “Andej është Kosova”, 2004, “Rruga e hidhur”, 2007, “Aromë manushaqeje”, 2008, “Zgjidhma gjuhën dashuri”, 2010, “Mall i pashuar”, 2012, “Migrimet e para të shqiptarëve në Norvegji”, 2012, “Rruga për Vlorë”, 2013 etj../ Albse/ KultPlus.com