“Farmer’s Blues” filmi me regji të Ibër Dearit është përzgjedhur që të jetë pjesë e festivalit të filmit Kosh Film Fest, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vet regjisori i filmit përderisa ka shkruar se ky është edhe nominimi i dhjetë për këtë film.
“Ky fundvit po na sjell edhe nje lajm tjeter te gezueshem per filmin tone. ‘Farmer’s Blues’ eshte perzgjedhur qe te jete pjese e festivalit “KOSH FILM FEST”. Njeherit ky eshte edhe festivali i 10 per filmin. Faleminderit gjitheve per përkrahjen”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se “Farmer’s Blues” është përzgjedhur edhe si filmi më i mirë i festivalit në Maqedoni, në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë, përkatësisht në festivalin ‘Beach Film Festival Ohrid që është mbajtur në muajin korrik. Gjithashtu ky film është përzgjedhur që të jetë pjesë e festivalit të filmit në Brazil Lobo Fest: Festival Internacional de Filmes në nëntor të këtij viti.
Muzika ishte pjesë e përditshme e jetës së tyre, e bashkë me muzikën ishte edhe gjyshi, ngase ai e dëgjonte atë çdo ditë e në çdo kohë. Por, është pikërisht muzika ajo që ndalet që në fillim të këtij filmi, ndalja e muzikës shënoj vdekjen e gjyshit. Kurse vdekja e gjyshit, e në të njëjtën kohë babait të Vedait, i solli familjes përballjen zinxhirore me borxhe. Filmi i metrazhit të shkurtër “The Farmer’s Blues” sjell raportin e një familjeje, babë e djalë, bashkë me rrethanat në të cilat i kishte përplasur jeta.
Muzika e Luan Hajrës e shoqëron fillimin dhe pikërisht kënga “Lulzoj fusha, lulzoj mali”, është ajo që shënon përfundimin e këtij filmi, që nuk ju deshën më shumë se katër ditë të përfundonte xhirimet, mu në Sllupçan, fshatin e Kumanovës./ KultPlus.com
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden do të vaksinohet të hënën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Jen Psaki, e zgjedhur nga Biden si zëdhënëse i Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, njoftoi në një konferencë për media se Biden dhe Kamala Harris, e zgjedhura zëvendëspresidente e SHBA-së, do të vaksinohen kundër COVID-19, transmeton Atsh, përcjellë KultPlus.
Duke deklaruar se Biden do të vaksinohet së bashku me bashkëshorten Jill Biden para kamerave të hënën, Psaki tha se Harris do të marrë vaksinën një javë më vonë, sipas protokollit.
Zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence dhe presidentja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi morën dje vaksinën kundër COVID-19./atsh/ KultPlus.com
Shfaqja arbëreshe me titull “Jeta” nga regjisori Demetrio Corino është transmetuar sot në mëngjes, në “Rai 3 Calabria”.
Shfaqja flet për historinë e një jete dhe, konkretisht, të historisë së zakonshme dhe të trishtuar të të lindurve në 1900, që iu desh t’u nënshtroheshin mizorive të dy luftërave dhe realiteteve katastrofike që pasuan njëra-tjetrën me tërbim në atë shekull dhe për të cilat të rinjtë e sotëm janë të vetëdijshëm (për fat të mirë) vetëm nga librat e historisë. Vepra u botua në 2006 me rastin e “pranverës së pakicave etnike” dhe menjëherë mori vlerësime të shumta nga shkrimtarët dhe studiuesit e kulturës arbëreshe.
Shfaqja bazohet në historinë e dy bashkëshortëve të moshuar, Isabella dhe Francesco, të cilët për 50 vjet martesë kujtojnë momentet më të rëndësishme të jetës së tyre: nga martesa, te festat dhe këngët me miqtë, lufta e parë dhe humbja e djali tyre, Jozefit. Në fund, lutja prekëse e Francis që, duke iu kthyer Zotit, e lut atë që ai dhe Isabella e tij të mund të fillojnë udhëtimin e tyre të fundit, i cili do t’i bashkojë ata me djalin e tyre të humbur.
Shfaqja është vënë në skenë nga aktorë joprofesionistë nga Shoqata “Il Sipario” me pjesëmarrjen e Adele Marino si Sisina (Isabella) dhe Vincenzo Barbati që luan Francescon; skena është plot me personazhe të tjerë narrativë duke përfshirë Rocco Gallucci, Adele Diodati, Tina Cacciolla dhe Massimo De Rosis. Këngët arbëreshe interpretohen nga zëri i shkëlqyeshëm i Emiliana Oriolo. Regjia teatrore është nga Demetrio Corino, ndërsa drejtimi televiziv nga Andrea Recchia.
Transmetimi i kësaj shfaqje vjen pas bashkëpunimit të ish-Presidentes të Fidapa të Cosenza, Anna Cerrigone, e cila bisedoi me përfaqësues të Rai 3./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka qenë e ftuar së fundmi në një rubrikë shumë interesante për “Wired”.
Ajo iu është përgjigjur pyetjeve më të shpeshta që fansat e saj parashtrojnë në Google për të. Dhe njëra ndër pyetjet ishte se “cila ka qenë kënga e saj e parë”.
Dua tregoi se kënga e saj e parë titullohet “New Love” dhe është publikuar në vitin 2015, kur ajo nisi karrierën e saj muzikore.
Me shaka ajo kujtoi se si kënga e parë në fëmijërinë e hershme që ajo ka krijuar vet, ka qenë një këngë për nënën e saj, Anesën.
“Kur isha katër vjeçe e shkrova një këngë për nënën, ishte në shqip dhe si një shaka”, ka thënë Dua.
Artistja shprehet se i gjithë teksti kishte si inspirim mamane e saj, që një ditë të bëhet si e ëma.
“Kur të rritem a mund ta vesh fustanin tënd, kur të rritem a mund të t’i mbath këpucët e tua”, kujton Dua tekstin e krijuar në atë kohë. Dua është autore e shumë këngëve të saj./ KultPlus.com
Dashamirësit e kinemasë në Filipine, të lodhur nga kufizimet e gjata nga Covid-19 kanë zgjedhur të shohin filma në ambjent të hapur, frymëzuar nga Venecia.
Gondolierët të veshur me uniforma drejtojnë dhe pozicionojnë secilën varkë në një kanal të jashtëm për të parë filma të gjatë, një mundësi për të vizituar kinemanë pas nëntë muajsh bllokimesh.
Kinematë filipine janë mbyllur që në mars, kur presidenti Rodrigo Duterte vendosi një nga mbylljet më të vështira dhe më të gjata në botë. Me më shumë se 456,000 infeksione të koronavirusit dhe 8,875 vdekje nga COVID-19, Filipinet janë vendi i Azisë Juglindore më i goditur pas Indonezisë.
Qeveria filloi hapjen graduale të ekonomisë në qershor, por shumica e bizneseve mbetën të mbyllura. Kinemaja-gondola dhe një teatër me makinë janë të vetmet mundësi për fansat e kinematografisë.
Në varkë mund të ulen dy deri në 10 persona dhe anijet janë disa metra larg. Çmimi është 500 pesos (10 dollarë), afërsisht paga minimale ditore në kryeqytet.
Vizitorët sjellin kufjet e tyre dhe dëgjojnë transmetime audio në një frekuencë radioje të disponueshme vetëm për ata që ndodhen në gondola.
Kinematë në shtete të ndryshme kanë shfrytëzuar ambjentet e hapura si një mundësi për të vazhduar biznesin në këtë periudhë të vështirë për bizneset si pasojë e pandemisë./ KultPlus.com
Një ndër muzetë e veçantë në Shqipëri është pikërisht Muzeu Kombëtar Etnografik në qytetin e Krujës.
Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij që 20 nëntor të vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” . Ky objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument kulture i kategorisë së I.
Toptanët që kanë qenë dhe pronarët e dikurshëm të objektit kanë qenë edhe sunduesit e zonës së Krujës dhe njihen si një nga familjet kryesore të vjetra dhe patriotike shqiptare.
Objektet e ekspozuara në këtë muze pasqyrojnë më së miri mentalitetin dhe shpirtin luftarakë dhe krijues të popullit tonë ndër shekuj në fushën e artizanatit, bujqësisë, blegtorisë etj. Këto artefakte dëshmojnë më së miri jetën e popullit tonë ndër shekuj dhe me kalimin e kohës ky muze vazhdon edhe sot të pasurohet me objekte të reja të gjetura që i përkasin periudhave të ndryshme.
Objektet të cilët janë vendosur në këtë muze përveçse përfaqësojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit, pjesa më e madhe e tyre janë objekte autentike edhe sot vazhdojnë të jenë funksionalë.
Ky muze është unik në llojin të tij në të gjithë rajonin e Ballkanit për nga stili që përfaqëson dhe është gjithashtu ka dhe cicëron, ç’ka e bën atë të aksesueshëm jo vetëm nga shqiptarët por dhe nga turistët e huaj./atsh/ KultPlus.com
Teatri Kombëtar ka shfaqur në online dramën “Gruaja në Dritare”.
Për shkak të kushteve që na dikton pandemia që po kalojmë, pamundësisë për t’u shfaqur për një publik më të gjerë në skenën e teatrit , kjo vepër u shfaq në faqen zyrtare në rrjetet sociale të Teatrit Kombëtar.
Kjo shfaqe u transmetua për publikun artëdashës në orën 18. 00 dhe vepra mban autorësinë e shkrimtares së re nga Kosova Arta Arifi dhe me regji të regjisores tashmë të afirmuar sidomos në skenën e Teatrit Kombëtar, Rovena Lule. Kujtojmë se regjisorja Lule ka vendosur vepra të tjera të suksesshme me aktorët më të mirë të Teatrit. Madje edhe para se të mbylleshin institucionet teatrore për shkak të COVID-19, shfaqja e regjisores Rovena Lule ishte shfaqja e fundit që u dha për publikun e gjerë të teatrit, përfshirë këtu edhe shfaqjen “Galaksia” që është një ndër shfaqjet më të vlerësuara të teatrit. Kjo shfaqje është vlerësuar me shumë çmime si për regjinë, ashtu edhe për interpretimin e aktorëve, sidomos të protagonistes Olta Daku.
Shfaqja e transmetuar mbrëmjen e djeshme ka pasur një numër të konsiderueshëm ndjekësish. Në këtë shfaqje vlerësohen edhe kostumet dhe skenografia që mbajnë autorësinë e Berina Kokonës.
Shfaqja “Gruaja në Dritare” vjen në këtë skenë si një rivënie dhe si pjesë e repertorit të përzgjedhur të Teatrit Kombëtar pasi ajo është shfaqur edhe më herët në sezonet e kaluara artistike. Ajo është e përzgjedhur nga konkursi tashmë i kthyer në një traditë nga Teatri Kombëtar për leximin e dramës shqipe, një konkurs që zhvillohet çdo fillim sezoni të teatrit dhe vijnë të lexuara nga aktorët më të mirë të këtij institucioni. Vepra ka në fokus marrëdhëniet e brishta brenda familjes që herë pas here mund të kthehen edhe në tragjedi.
Vlen të theksohet se autorja Arta Arifi është një shkrimtare mjaftë e vlerësuar e dramës Shqipe. Tituj të tjerë të suksesshëm të saj janë si psh, “Kohë pa ngjarje”, “Perlat e Marias”, “Aritmia” dhe shumë të tjera.
Gjithashtu në këtë shfaqje është vlerësuar shumë loja brilante e aktorëve si Olta Daku, Yllka Mujo, Karafil Shena, Neritan Licaj, Dritan Borici etj./ KultPlus.com
Tablot me bukurinë e kombinimeve kaltër, verdhë dhe gjelbër tanimë jemi mësuar t’i shohim. Pamjet pitoreske nën magjinë e ngjyrave ka ditur t’i sjell piktori i njohur Van Gogh, shkruan KultPlus.
Sot në muzetë e mëdha të botës, muralet e shkollave, hapësirat publike dhe në veshmbathje të shumta zënë vend pikturat e tij. Mirëpo, si shumica e artistëve, ai nuk kishte pasur sukses në kohën sa ishte gjallë.
Siç ndodh rëndom me njerëzit të cilët kultivojnë art, edhe vlera e tij u ditë vetëm pas vdekjes së tij. Përderisa ai thelloi veten e tij në brusha duke realizuar 800 piktura, në kohën sa ende ishte gjallë arriti ta shes vetëm njërën prej tyre.
Për 50 dollarë atë picture e bleu motra e shokut të tij, e cila më shumë sesa vlerësim artistik, mendohet se e ka bërë për shkak që e ka dashuruar Gogh.
Por, edhe ai mbeti si një rrëfim suksesi në histori, duke dhënë mesazhin e mos ndaljes pavarësisht rrethanave dhe kushteve të kohës e shoqërisë.
Pavarësisht gjithë këtyre sfidave dhe problemeve tjera jetësore, Van Gogh pohonte se vetëm kështu ndjehej i lumtur.
“Gjëja e vetme që më bën të ndihem i lumtur në këtë jetë, është vetë piktura”, kishte thënë piktori i njohur. / KultPlus.com
Roli i diasporës në mbështetjen dhe promovimin e trevave shqiptare ka qenë përherë prezente nëpër vite. Tanimë aktivistë të shumë shoqatave dhe organizatave nga mërgata i ka bashkuar kultura, nën ombrellën e simbolikes “Tok”, shkruan KultPlus.
Shoqata “K” nga Vjena, “Ajo” nga Londra, “Marrja Zezë” nga Berlini, “URACult” nga Kölni, “Brezi Ynë” nga Zürichu, “ODA” nga Hamburgu dhe Germin nga Prishtina/Tirana u unifikian për të përçuar në vende të ndryshme të globit vlerat dhe kulturën e popullit shqiptar.
Të gjitha këto organizata e shoqata vendosën që të fillojnë rrugëtimin e tyre nën moton ”TOK me kulturën tonë”, i cili do të nis më 26 dhjetor virtualisht me muzikë e letërsi për të vazhduar më tutje.
“TOK është një iniciativë që synon ta prezentoj artin dhe kulurën shqiptare anembanë botës. Kjo iniciativë një ditë do të jetë një platformë kulturore ndërkombëtare”, shkruhet në njoftimin e këtij organizimi.
Aktiviteti i cili do të nis nga ora 19:00, do të jetë ombrellë e artistëve, profesionistëve e vullnetarëve të cilët e duan artin dhe kulturën.
Më poshtë po ju sjellim programin e plotë:
Hyrja – Inva Mula (Soprano)
Lexim – Jehona Jahaj (Poete) – Berlin
Veprat: KeinManifest dhe AlbanischeAbsolution
Pikë muzikorë – Vendim Thaçi (Kitarist) – Zürich
Veprat: Allemande, Milonga del Angel, Prélude no.4 dhe Hot Club Français
Pikë muzikorë dhe balet – Flaka Goranci (Mezzo Soprano), Enxhi Rroji (Pianiste), Laura Llozi (Violiniste), Margona Komani (Çelliste) dhe Eno Peçi (Koreograf dhe Balerin) – Vjenë
Veprat: Kur Më Vjen Burri Nga Stani, Asaman Trëndafili Çelës, Lule Borë, Muzg dhe The Basic Of All Life
Pikë muzikorë – AJO, Vjollca Robelli-Mripa (Kantautore), Aurel Qirjo (Violinë), Christian Prior – piano, Harry Greene – Electric Guitar – Londër
Veprat: Burrnesha, Besa, Ajo dhe Nëna
Lexim – Mario Caliva (Regjisor) – Hora Arbëreshëvet
Veprat: Qish
“Rrugëtimi i ynë i parë muzikor e letrar do të jetë virtual dhe do të na sjell në Tiranë, Zürich, Vjenë, Köln, Hamburg, Londër, Berlin e Prishtinë. Në të ardhmen ky udhëtim do të vazhdoj me ju dhe pranë jush, në Tetovë, Stockholm, New York, Ankara, Ulqin, Toronto, Shkodër, Romë, Zagreb, Athinë e Prizren e kudo që jeni”, thuhet tutje në njoftim.
Kujtojmë që për dizajnin e pllakatës është përkujdesur Anyla Berisha, kurse krijimin e videos është duke e punuar Berat Hasani.
Festat e fundvitit kanë bërë që mërgimtarë të shumtë t’ia mësyjnë Kosovës për t’i kaluar këto festa me familjarët e tyre, shkruan Express.
Vetëm gjatë ditës së sotme, 41 fluturime do të realizohen nga Zvicra dhe Gjermania drejt Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeshefi i Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” për Kosovë, Petrit Selimi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“Sfida e jashtëzakonshme e pandemisë – turizmi i diasporës. 26 fluturime nga Zvicra vetëm sot për të arritur në Aeroportin e Prishtinës. 15 fluturime të tjera nga Gjermania. Ditëve në vijim: dhjetëra mijëra njerëz tjerë do të arrijnë në aeroportet e Shkupit ose Tiranës ose përmes veturave e autobusëve”, ka shkruar Selimi./Gazeta Express/ KultPlus.com
Në gazetën italiane “Avvenire” të datës 19 dhjetor 2015 është botuar për herë të parë një ninullë popullore, një këngë djepi, kënduar nga arbëreshët për Krishtlindje, shkëputur nga përmbledhjet “Siculo-arbëreshe” të Lionardo Vigo (1805-1888).
E sjellë nga dheu i shprishur, në dhe të huaj, pesë shekuj më parë, vijon të këndohet, për t’i ndjellur gjumin Foshnjës Hyjnore, që vjen.
Ninulla e botuar në gazetë shoqërohet me një shpjegim i shkurtër. E njeh lexuesin me arbëreshët e me këngët e bukura, që nënat arbëre i këndojnë këto ditë mbi djepin më të çuditshëm në botë: mbi grazhdin me kashtë, ku lind Zoti ynë.
“Të njohur edhe si shqiptarët e Italisë, shkruhet në Avvenire, arbëreshët janë pakicë etnolinguistike që, si ikën nga Shqipëria e pushtuar prej turko-otomanëve, ruajtën në rrjedhë shekujsh lidhjen e ngushtë me atmen, gjuhën, këngët e popullit të vet, të cilat i mbartën si thesare e i përcollën brez pas brezi. Ninulla si këto këndohen ende në këto ditë feste në disa vise të Molises, të Pulies, Kalabrisë, Bazilikatës, Sicilisë, ku mund të dëgjojmë një repertor shumë të pasur “Këndimesh për të ljert’ e Krishtit” U përpoqëm ta kthejmë ninullën, botuar arbërisht e italisht nga Avvenire, në gjuhën e sotme shqipe, duke u munduar t’ia ruajmë kuptimin që kishte kur ‘ljeu’ në dheun tonë, krejtësisht të kërshtërë, para se mbi të të dyndej dimri i madh i pushtimit osman. Por, natyrisht, pa mundur t’ia ruajmë bukurinë dhe freskinë e origjinalit, me autor gjeniun Popull.
Këngëtarja shqiptare me famë të gjerë në skenën muzikore, Anna Oxa ka reaguar pas shpifjeve se ajo është mbesa e diktatorit, shkruan KultPlus.
Anna, mbiemri i vërtetë i së cilës është Hoxha, nëpërmjet një postimi ku ka shpërndarë fotografinë e saj dhe të Kryeministrit Edi Rama bashkë me Ardit Gjebrean, ka shkruar në mbishkrim për shpifjen që iu është bërë nga disa medie italiane.
Artistja ka thënë se e vërteta e Anna-s fillon me shtetin shqiptar dhe vazhdon më tutje.
KultPlus ua sjell të plotë reagimine Anna Oxa:
“Shpifje, keqinformim I një pjese të shtypit Italian, e cila nuk e respekton të drejtën e qytetarit për informim.
“Iliriana, mbesa e diktatorit…” (?))
“Proces për veten time”… (?))
Presidenti i urdhërit të gazetarit nuk fshin emra e atyre që shpifin dhe emrat e kriminelëve nga lista…duke abuzuar me fuqinë e zbulimit.
Presidenti i urdhrit të gazetarit në Itali nuk fshin emrat nga lista, e atyre që shpifin dhe kriminelët … duke abuzuar me fuqinë e zbulimit.
Shpifja nuk është liri e shprehjes, e drejta e lajmit ka të bëjë me fakte objektive.
Anna Oxa me Kryeministrin e Shqipërisë.
E vërteta e Anna Oxa fillon me Shtetin e Shqipërisë dhe do të vazhdojë në vende të tjera” / KultPlus.com
Politikanët kurrë nuk e lënë hajninë për ditën e nesërme por vjedhin sot ditën e nesërme ia kanë lënë popullit E kanë kuptuar shejtanët bastardët e atdheut se fjalorit drejtshkrimor i mungon ajo pjesa ku shpjegohet se e nesërmja kurrë nuk vjen / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta vlerësoi artistin e shquar të muzikës shqiptare pas vdekjes, Milto Vako me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Dekorimi i muzikantit, dirigjentit dhe pedagogut të paharruar, u bë me motivacionin: “Në vlerësim të punës së përkushtuar si pedagog dhe kontributeve të çmuara në drejtimin me profesionalizëm për vite me radhe të Katedrës së Dirigjimit në Fakultetin e Muzikës.
Me mirënjohje ndaj personalitetit të shquar, i cili me pasion e këmbëngulje përmbushi me sukses realizimin e shumë veprimtarive muzikore nën drejtimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, duke u vlerësuar jo vetëm nga artdashësit, por edhe duke merituar çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit e kulturës në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se “Profesor Milto Vako është një nga emrat e nderuar në artin shqiptar. Aktiviteti artistik i tij zgjati gjatë gjithë jetës së tij, deri në momentin e ndarjes nga jeta, vetëm rreth 1 muaj më parë.
Aktiviteti artistik i dirigjentit të njohur nisi dekada më parë, kur i sapo kthyer nga Moska emërohet pranë Ansamblit Kombëtar, si udhëheqës artistik dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit”.
“Në vitin 62’, profesor Vako bashkë me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë dhe themeluan Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Si drejtues i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, profesor Vako arriti suksese, të cilat kanë mbetur në memorien e publikut edhe sot, ku do të veçoja fitimin e ‘Gjerdanit të Artë’ në Francë. Ndërkohë, si mjeshtër kori i Teatrit të Operas e Baletit përgatiti me profesionalizëm korin e TOB-it në vepra si ‘Mrika’, ‘Heroina’, ‘Skënderbeu’, etj”, – tha Meta.
Njëkohësisht, vijoi Meta, profesor Vako është autor i shumë përpunimeve e krijimeve origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese të shquara në fondin e literaturës klasike korale shqiptare.
“Por, jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për profesor Vakon. Në 1973 ai dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë sepse për regjimin e kohës, kishte përgatitur një shfaqje me pikëpamje shumë moderne dhe liberale. Por regjimi nuk u mjaftua vetëm me internimin e tij, por pas 2 vitesh internim në kushte jashtëzakonisht të vështira, arrestohet dhe dënohet me 7 vite burg për agjitacion e propagandë. Pas përfundimit të dënimit, profesori i Ferdinand Dedës, Gjon Simonit, Zana Shuteriqit e dhjetëra e dhjetëra studentëve të tjerë, punon si hidraulik në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Ai kurrë nuk shau njeri për padrejtësinë e madhe që ju bë, por vazhdoi punën e tij deri në vitin 1991, kur u rikthye si pedagog dhe shef i katedrës së kantos dhe dirigjimit në Akademinë e Arteve”, nënvizoi Meta.
Krue i shtetit u shpreh se “Profesor Vako vazhdoi të punojë edhe pas daljes në pension me dashuri e përkushtim, duke themeluar dhe drejtuar Koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Studentët i jepnin forcë dhe dëshirë për të jetuar jetën dhe njëkohësisht e bënin krenar për aktivitetin e tyre kudo nëpër botë. Arti, të cilit i kushtoi gjithë jetën, ishte pasioni i tij madh”.
Për gjithë kontributin e shquar si pedagog dhe personalitet i shquar i fushës së muzikës, Meta e vlerësoi Profesor Milto Vako me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. /ata/ KultPlus.com
“Le Monde illustré” ka botuar, me 7 janar 1911,në faqen n°328, një shkrim në lidhje me ndihmën që gjenerali Ricciotti Garibaldi dëshironte t’u ofronte asokohe kryengritësve shqiptarë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Ricciotti Garibaldi dhe lëvizja shqiptare
“Gjenerali Ricciotti Garibaldi sapo ka formuar një grup vullnetarësh me të cilët ka vendosur — duke ndjekur traditën e familjes së tij — për të shkuar dhe për t’u ofruar ndihmë kryengritësve shqiptarë.
Ne e dimë që Shqipëria është aktualisht në mes të një kryengritjeje kundër qeverisë së Kostandinopojës; madje duket, përkundër qetësimeve zyrtare, se kryengritësit kanë arritur suksese të rëndësishme kundër trupave të rregullta, në çdo rast ato mbahen nën kontroll dhe paqësimi që na u njoftua si i afërt para disa muajsh ende nuk është një çështje e mbyllur”. / KultPlus.com
Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm.
I tillë shfaqet edhe Dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vjeshtën e vitit 2000. Nuk do të arrijë 17 Shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë të drejtën që e ka fituar të zerë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.
Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.
Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vijnë nga bindjet majtiste, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.
Shikuar nga këndvështrimi historik këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.
Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencës shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.
Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht do të ndërmarrin fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpëlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër nacionale e Beogradit, e cila deri në vitet gjashtëdhjetë ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.
Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjetë e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankiviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.
Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, siç ishte ajo e ngritjes së Kosovës në Republikë, e artikuluar në demonstrat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kontekstet e zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, por si pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duheshin hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të kalonin edhe në ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale, që ishin të drejta dhe në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.
Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë që do të dalë në shesh me Memorandumin e Akademisë serbe të vitit 1986, do të shtrohet domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike, e cila do të mbështetej mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.
Dhe marrja me politikë duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, me postulatet civilizuese mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.
Sigurisht, këtij përcaktimi që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethet e luftës së ftohtë.
Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.
Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralelë nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.
Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm, dhe njëherësh do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.
Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.
Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.
Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, por një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.
Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte me dëgjueshmëri të madhe që të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.
Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!
Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditur fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.
Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…
Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në Dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në Maj të vitit 1999, të cilat janë domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.
Me këtë rast duhet përkujtuar se nga largimi im si pjesëmarrës aktiv në polikë, por assesi si pjesë e koncepteve kreative të filozofisë së saj – dhe kjo do të ndodhë pas mbajtjes së Kuvendit të parë të LDK-së në maj të vitit 1991, pra atëherë kur do të arrihet shkëputja historike me komunizmin dhe pas 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 në Kaçanik do të aprovohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës me çka u krijuan kushtet për shkëputje edhe nga Jugosllavia, e me këtë do të jetë mbyllur faza më e rëndësishme e konstituimit të Lëvizjes sonë shtetformuese si subjekt i pakapërcyeshëm – me Ibrahim Rugovën do të kem vetëm një takim, kur ai do të marrë pjesë në promovimin e pjesës së dytë të romanit tim “Prapë vdekja” dhe aty do të ndërrojmë disa fjalë për krijimtarinë.
Si herën e parë, dhe si herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.
Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se prapambetjet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis Lindjes dhe Perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindore e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.
Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve së Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.
Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani dhe si rëndom, ishte “në kompetencë” të mbikëqyrjes së degës së LDK-së në këtë vend, edhe pse në Bon Qeveria e Kosovës në ekzil kishte “selinë”, por nga disa mospajtime flitej se raportet midis presidentit dhe kryeministrit nuk ishin të mira. Meqë, i rrija larg asaj që quhej skenë politike e Kosovës dhe ngatërresave të saj, dhe për vizitat e liderëve shqiptarë në Gjermani, informoja vetëm kur ata priteshin zyrtarisht nga institucionet dhe politika gjermane, nuk kisha ndonjë interes që të sillesha ndryshe as këtë herë, sado që ndjeja nevojë për ndonjë muhabet intelektual me Rugovën.
Por, ditën që do të përfundojnë marrëveshjet e Dejtonit dhe isha si shumë i përqendruar të dija sa më shumë për to, meqë ishte më se e qartë se pas tyre do t’i vinte radha edhe Kosovës, me anën e një telefonate nga Ministria e Jashtme Gjermane, ftohesha nga Drejtori për Çështje të Ballkanit, zoti Hase për një bisedë të shkurtër. Zoti Hase, me të cilin njiheshim prej më shumë se dy vitesh, do të më njoftojë se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel dhe, nga ai çast, si tha, për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës do të jetë mysafir i qeverisë gjermane dhe do të vendoset në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane, pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pasi ma dha kumtesën për shtyp rreth pritjes së liderit shqiptar nga ana e Kinkelit, e cila përfshinte disa rreshta, më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte Ministria e Jashtme.
Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, pra kur isha larguar dhe personalisht ia kisha shpjeguar arsyet, paralajmërimet e të cilave nga ana ime i kishte pasur që më parë por mendonte se do ta ndërroj mendjen, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Urova që aty të ketë më shumë atmosferë intelektuale nga ajo e pritshmja politike. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, do ta takoj Rugovën, të qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe do të vijë edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.
Darka do të kalojë në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante, ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja”, që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.
Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohtas me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vlejtur, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.
“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.
Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.
Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si Ministri i Jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga 2 Korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë Ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga Ministri i Jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa koniukturave nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.
Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos t’ia bëja me dije se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.
“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.
Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në Prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe ai thuajse i mahnitur kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…
Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet disponimi dhe do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit dhe kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:
“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në Perëndim dhe jo në Lindje”.
Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në Maj të vitit 1999 në Bon, do të fillojë ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh kur ndodhej në rezidencën e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.
Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në taracën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete, por edhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë, po edhe nga vendet përreth dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.
Ky takim, megjithatë, ishte tjetër fare nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me preokupimin jetik që të mbeteshim në atë të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga ringjallja ideologjike e vetëdijes totalitare.
Kisha përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i përngjan paranojës.
“I druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e Beogradit.
“Nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj…”
Çfarë t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.
Prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?
Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte mahnitur siç ka mahnitur gjithë botën.
“Ku ka më mirë se të vdesësh në Paris”, fola pak si me shaka.
“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”
Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdesësh edhe në Dublin. Pse jo?…
“Në Dublin është madhështi të vdesësh, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin… Nuk e dua…”
“Kush do ta donte…?” – ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.
Pak më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.
“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”
Kur po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, më ishin vënë pas dhe po më ndiqnin nga të gjitha anët…
(Shhkëputuje nga libri “Kthesa historike” 1 Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë), 2008. / KultPlus.com
Pas disa muajsh stërvitjeje të lodhshme, kampionia e ngjitjes Angela “Angy” Eiter ka tejkaluar sfidën e vështirë të ngjitjes në malet gurore të Tyrolit në Austri.
Ajo është ngjitur me sukses në malet “Madame Ching”, që janë emërtuar sipas pirates së shekullit 19.
Eiter beson se është gruaja e parë që ka pushtuar këtë majë të rrezikshme.
Dhe, për më tepër, këtë e ka bërë me 100 lëvizje.
Ajo ka hapur një shteg të ri dhe ka arritur të kalojë edhe gurët më të lëvizshëm të këtij mali. /Koha/ KultPlus.com
Në më pak se dy javë, tetë motra katolike vdiqën nga Covid-19 në një shtëpi pensioni në Wisconsin këtë muaj, shkruan The New York Times, përcjell KultPlus.
Ato ishin arsimtare, mësese të muzikës dhe linguiste, të cilat shërbenin pa ndalur për pjesën e shoqërisë që vuante nga varfëria.
Shtëpia ku ato qëndronin ishte shndërruar në një residence për gratë e moshuara, teksa e para nga tetë motrat vdiq më 9 dhjetor. Të tjerat pasuan të marten, të premtën e kështu me radhë tha zëdhënsja e kësaj shtëpie, Trudy Hamilton.
Mosha e tyre varionte nga 91 deri në 88 vjeç.
“Ishte mjaft tronditëse për një kohë të shkurtër. Biografitë e tyre të plota nuk ishin në dispozicion menjëherë, ndërsa administratorët po përpiqeshin të merreshin me humbjen e zymtë të kaq shumë njerëzve që vdisnin në një periudhë kaq të shkurtër kohore”, tha Hamilton.
Tutje ajo theksoi se ekspertët thonë se të moshuarit janë më të prekshëm nga virusi.
“Motrat jetuan bashkërisht, ashtu si banorët që jetonin në shtëpi pleqsh, të cilat janë goditur veçanërisht nga pandemia”, shtoi Hamilton. /The New York Times/ KultPlus.com
Shefi i zyrës rajonale të OBSH’së për Evropën u ka bërë apel të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi për Krishtlindje duke insistuar se nuk ia vlen të rrezikohen dhe të infektohen me Covid-19.
Në një deklaratë të Hans Kluge, thuhet:
“Ka një dallim mes asaj që ju lejohet të bëni nga autoritetet dhe asaj që duhet të bëni. Ne kemi edhe disa muaj të tjerë sakrifice përpara dhe mund të sillemi tani në një mënyrë që do të na bëjë krenarë të gjithëve. Kur të kthejmë kokën prapa për të kujtuar këto kohë të paprecedenta, unë shpresoj që të gjithë të ndjejmë se kemi vepruar me shpirtin e humanizmit për të mbrojtur ata që kanë më shumë nevojë”.
Kluge thotë se shkatërrimi i shkaktuar nga pandemia ka goditur rëndë komunitetet në Evropë duke paralajmëruar veçanërisht për pasojat te shëndeti mendor. Covid-19 ka detyruar familje dhe komunitete të ndahen, ka falimentuar biznese dhe ka privuar njerëzit nga mundësitë që një vit më parë dukeshin të sigurta.
Nga ankthi për prekjen nga virusi, pasojat psikologjike të izolimeve dhe vetizolimi e deri tek pasojat e papunësisë, shqetësimet financiare dhe përjashtimi social, pasojat shëndetësore të kësaj pandemie do të jenë afatgjata dhe do të shkojnë shumë larg. Ajo që ka rezultuar – thotë ai – është një krizë në rritje e shëndetit mendor në Evropë. / gazetaexpress/ KultPlus.com
Përderisa është duke gëzuar suksese të shumta, edhe interesimi për intervista me Dua Lipën është rritur, shkruan KultPlus.
Kështu ylli i muzikës pop është duke u shfaqur nëpër medie të ndryshme, duke shpalosur gjëra të reja.
Së fundmi, Lipa ka qenë e pranishme në “Web’s Most Searched Questions”, përgjatë së cilës ajo u përgjigj për pyetjet që iu bëheshin më së shumti nga fansat.
Një nder temat e prekura ishte edhe relacioni me Bebe Rexhën dhe Action Bronson, të cilët kanë prejardhje shqiptare.
Lipa në këtë pyetje u përgjigj me një ngrohtësi.
“Jemi shqiptarë, në këtë mënyrë më duket se të gjithë shqiptarët e quajnë njëri tjetrit kushëri apo diçka e tillë. Nuk jemi të afërme, por flasim shqip dhe jam krenare që jam e atilë”, u shpreh ajo për Beben.
Në anën tjetër për Bronson ajo shkoj edhe përtej kësaj, duke thënë se e konsideron si vëlla të saj.
“E shoh si vëllanë tim, po ashtu ai më rekomandon restorantet më të mira ndonjëherë”, përfundoi Dua. / KultPlus.com
Betejën e brendisë së njeriut mes kujtimeve të cilat rrojnë në mendje dhe përpjekjen e tyre për kalim në pluhurin e harresës, autori Suad Arilla i ka vendosur nëpërmjet lapsit në letër. Shkrimtari i ri ka sjellur librin e tij të parë me një titull simbolik “Libri i kujtimeve dhe i harresës”, shkruan KultPlus.
Arilla kishte mbushur fletët e tij për një periudhë të gjatë, gjithnjë duke ëndërruar që një ditë këto fletë të bashkoheshin në një vepër të kompletuar. Sukseset që arriti duke qenë konkurrues në “Libri i Karantinës’’ dhe fitues i çmimit për autorët e rinj në kuadër të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit e bën që këto përpjekje të tij të takojnë realitetin.
“Libri i kujtimeve dhe i harresës” nga juria e përzgjedhur nga QKLL u vlerësua si një roman që përcjell te lexuesi luftën e brendshme të personazheve, andaj KultPlus realizoi një intervistë me autorin i cili kishte shpalosur me fjalën e tij dimensione të ndryshme të protagonistëve.
Që nga takimi i parë i fletës me lapsin e deri te botimi, të gjitha këto procese deri në dritëdaljen e veprës, Suadit i kishin marrë 3 vite, teksa periudhën e pandemisë e kishte shfrytëzuar për redaktimin e “Libri i kujtimeve dhe i harresës”.
“Umberto Eco shprehej shpesh se shkrimtarët nguten të shkruajnë dhe botojnë libra sa më shpesh, madje edhe për çdo vit; kur ajo që sugjeron ai është të shijuarit e procesit të shkrimit dhe ripunimit të një libri, si diçka thuajse intime”, shprehet autori Arilla.
Romani ka 3 linja rrëfimi, përderisa sipas tij pjesa më e rëndësishme është ndikimi që ka e shkuara dhe kujtimet në përditshmërinë e personazheve.
“Kujtimet ose e shkuara jonë në tërësi janë ato çfarë na personifikojnë totalisht neve si njerëz. Në asnjë rast, ne nuk mund të jemi njerëzit e sotshëm pa marrë parasysh kush ishim dje. Mirëpo kujtimet, të mira apo të këqia qofshin, jo vetëm që mbesin pas në jetën tonë, por herë pas here kthehen dhe ndikojnë ditët tona. Ndaj ne jemi të “bekuar” me harresën, që ditë pas ditë, të kemi shansin të zgjohemi e të ndihemi njerëz të rinj”, vlerëson Suad Arilla.
Pikërisht këto botëkuptime të tij mes këtyre dy koncepteve e shtyen që t’i linte vend në titullin e veprës. Ndërkaq ai ka edhe përtej kësaj për emërtimin.
“Emri “libri” në titull, vjen si rrezultat i rrëfyesit të romanit, sepse aty pretendoj se kam bërë një “lojë” të bukur për lexuesin”, thotë shkrimtari.
Personazhi kryesor i veprës “Libri i kujtimeve dhe i harresës” është Golemi, për të cilin autori thotë se nuk ka antagonist, por herë pas here është vetë heroi pozitiv dhe negativ.
“Golemi, ndeshet në jetën e tij me shumëçka dhe kupton që është i paaftë, e ka të pamundur, është gjetur i papërgatitur për t’ia dalë mbanë, po aq sa jeta e tij shpesh herë kushtëzohet nga rrethana tjera që s’janë në dorën e tij”, sqaron Arilla.
Mirëpo, pavarësisht ndikuesve të jashtëm, shkrimtari ka dashur që vëmendjen e rrëfimit ta dërgoj drejt të brendshmes.
“Me gjithë sa jam përpjekur, jo vetëm me Golemin, por edhe me personazhet e tjerë, kam dashur të paraqes se ajo që ndodh jashtë nesh nganjëherë është shumë më e vogël se ajo që ndodh brenda nesh, në shpirtin tonë. Ajo që më intereson mua është të di ose të shpreh se si bota e jashtme ndikon tek ne apo reagimet tona të brendshme ndaj botës së jashtme.”, thotë autori.
Tutje, ai thekson se për të nuk është e rëndësishme se kush janë këto personazhe, aspekti vizuel i tyre, jeta që e çojnë dhe vendi ku frymojnë. Por, ajo që Arillës ia ngacmon vëmendjen është thellimi në një botë më të gjerë se kaq.
“Për mua ka shumë rëndësi që të shpreh botën e padukshme njerëzore, atë që ndodhet brenda lëkurës së secilit prej nesh, që nuk shihet as lexohet, mirëpo ne mund ta dallojmë vetëm nëpërmjet shpërthimeve të herë pas hershme”, shprehet Suad Arilla.
Autori i veprës “Libri i kujtimeve dhe i harresës” sqaron se ai shpreson se fokusi i të shkruarit të tij do të vazhdon të jetë në betejat e brendshme.
“Më intereson të di si ndihen njerëzit kur dikush largohet, kur dikush vdes, kur dikush rebelohet, kur dikush pendohet”, thekson ai.
Ndërkaq në pyetjen e vlerësimeve nga lexuesit ai tregohet modest, duke thënë se libri duhet të ‘shëtit’ ende në shumë diskutime e klube lexuesish për t’u përgjigjur.
“Publiku mund të reagojë menjëherë, pas 6 muajsh apo pas 10 vitesh nëse libri e bën rrugën e vet. Unë do shpresoja shumë vetëm që lexuesi shqiptar të mund të kthente kokën nga autorët vendas që po bëjnë letërsi të mirë dhe të mos i neglizhojnë”, shpreh dëshirën e tij Suad Arilla.
Në anën tjetër, ai beson se të gjitha temat e mundshme që mund të shkruhen si libër, janë konsumuar prej kohësh.
“Unë kam vendosur që për të sjellë diçka origjinale në letërsi ta bëj në dy mënyra: duke eksperimentuar me zhanret dhe format e rrëfimit. Kështu e nisa që me romanin e parë. Qasja ime do vazhdojë të jetë e lidhur me përplasjet në botën e brendshme njerëzore dhe eksplorimi i saj, të vendosura në një konteks social që përbën shqetësim për kohën dhe vendin ku jetojmë”, thotë Arilla.
Në fund, ai vlerëson se pavarësisht se preferon të mos kapet për detaje të kohës e vendeve, sërish letërsia që ai e bën nëpërmjet shkrimit nuk e shmang dot realitetin ku jetoj. / KultPlus.com