Rina Lipa, ylli i ardhshëm i modës

Rina Lipa është duke vazhduar rrugëtimin për t’u ngritur si yll, njësoj sikur motra e saj, Dua, shkruan KultPlus.

Së fundmi, këngëtarja shqiptare ka shpërndarë një video të Rinës, për të cilën njofton se do të jetë në hapjen e GCDS-së, markës së njohur të modës italiane.

Rina Lipa ka qenë e përfshirë edhe më herët në ngjarjet e mëdha të modës. / KultPlus.com

Rita Ora publikon sekuencë nga prapaskena e albumit të saj

4 projektet muzikore të Rita Orës i kanë sjellur sukses në karrierën e saj, pas një periudhe të gjatë të pauzës skenike, shkruan KultPlus.

Mini albumi i këngëtares shqiptare erdhi nën bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës botërore, teksa kënga “Bang” mbeti më i veçanti për shkak të videoklipit me veshje kombëtare shqiptare.

Këtë rrugëtim muzikor, Ora e ka përmbledhur në një video të shkurtë, të cilën e ka publikuar në Instagram.

Ylli kosovar aty shfaq sekuenca nga përgatitjet e këngëve, teksa falenderon bashkëpunëtorët e saj.

Këngët e reja të Orës u mirëpritën nga publiku dhe shumë shpejt arritën renditje të rëndësishme muzikore. / KultPlus.com

Jahjaga: Sistemi i drejtësisë po dijka të funksionojë mrekullueshëm kur kryesit e vrasjeve janë gratë

Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka komentuar nëpërmjet një statusi në rrjete sociale vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj për dënimin me 18 vite burgim të gruas, e cila ka vrarë të dashurin e saj, shkruan KultPlus.

Jahjaga në këtë status është shprehur se kur gratë janë kryesit e krimeve, ato marrin dënimet e duhura, ndërkaq kjo nuk ndodh njësoj kur gratë janë viktima teksa kryesit e krimeve janë burrat.

KultPlus ua sjell të plotë statusin e Jahjagës:

Gjykata Themelore në Ferizaj paska dënuar sot një grua, e cila ka vrarë të dashurin e saj në vitin 2018, me 18 vite burgim.

Sistemi i drejtësisë, pra, po dijka të funksionojë par excellence kur kryesit e vrasjeve janë gratë.

Ndërsa, kur gratë janë viktima dhe vriten nga burrat e tyre, e tërë Kosova duhet të ngrihet në protestë për t’u bërë thirrje gjykatave që t’u shqiptojnë vrasësve dënimet e merituara.

Çfarë ironie e hidhur e një populli i cili është vrarë nga okupuesit e tij me shekuj të tërë.

Lirinë dhe pavarësinë e ndërtuam mbi premisat e barazisë, drejtësisë, dhe barazisë para drejtësisë! Nuk kemi bërë asgjë nëse shkas për devijimet nga këto vlera e parime bëhet gjinia! / KultPlus.com

Dukagjinçe

Poezi nga Azem Shkreli:

Po vinë argatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë
Po vini. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita
Po vinë. E poqën
Diellin e bakërt të bukës
Po vini. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj
Po vinë. Ditë argëtare
Grua që do t’ua mbash mend farën / KultPlus.com

‘Golden Globes’ vazhdon me magjinë e organizimit këtë të dielë

Edicioni i 79-të i ceremonisë “Golden Globes” do të zhvillohet të dielën në mungesën e tepihut të kuq kur bota po përjeton pandeminë, përcjell KultPlus.

Shfaqja do të vazhdojë pa darkat gala të lezetshme, një luzmë fotografësh dhe fustane dizajnerësh që lidhen me festimin e filmave më të mirë të vitit dhe shfaqjeve televizive.

Këtë vit, ngjarja do të zhvillohet nga dy vende, aktorët e humorit Tina Fey nga Nju Jorku dhe Amy Poehler nga Beverly Hills, California.

Ceremonia e së dielës do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin NBC. / KultPlus.com

“Arturo Ui”, shfaqja e natës së dytë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit

Mbrëmjen e djeshme në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, “K. Spahivogli” ka vijuar nata e dytë e “Festivalit  Mbarëkombëtar të Teatrit MOISIU ON”.

Në këtë mbrëmje të dytë, pjesë e konkurrimit ishte shfaqja me titull “Arturo Ui”, vepër e autorit  B.Brecht dhe me regji të Kiço Londos.

Një dramë alegorike, e shkruar me qëllim për të shkatërruar respektin e rrezikshëm që zakonisht ndihet për vrasësit e mëdhenj. Drama që Brecht paraqet tregon për një kohë që ishte në recesion: njerëzit janë duke vuajtur rritjen e vështirësisë në rrethana të përkeqësuara, krimi është në rritje, papunësia gjithashtu, dhuna ka shpërthyer në rrugë, drejtësia është e gjunjëzuar.

Shfaqja flet për heshtjen dhe bashkëfajësinë, për gjendjen e rëndë të krijuar, duke lejuar që një grusht kriminelësh të veshur me petkun e politikanit të vjedhin, të vrasin, dhe të kërcënojnë të ardhmen e njerëzve.

Në këtë shfaqje interpretuan artistët: Denis Kurushi, Fatjon Mici, Rezart Barjoti, Ergys Çekrezi, Erion Hinaj, Amir Hasanlliu, Elidon Alika, Dervish Biba, Erlin Visha, Roland Saro, Redian Mulla, Ina Morinaj, Oriana Cama, Xhuliano Briskaj, Endri Çela, Donald Shehu, Arjola Basho, Sara Jaupaj, Ilirda Bejleri, Kristjana Dodaj, Endri Hekurani.

Festivali vijon sot në mbrëmje me shfaqjen me titull “Zogu i zi”. /ata/ KultPlus.com

‘Edhe një herë o veç edhe një herë, të të takoj e veç një çast gëzimi ta jetoj me ty’ (VIDEO)

Armend Rexhepagiqi njihet për muzikën e tij të veçantë, tekstin me mesazh të thellë dhe zërin e tij të fuqishëm, shkruan KultPlus.

Një ndër këngët e pavedekshme të tij është “Edhe një here”, e cila është një ‘lutje’ dashurie.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngn “Edhe një herë”:

Ka shumë ditë që pikëllimi më mban

Si një sëmundje e rëndë

Që bar nuk ka e s`më lë të jetoj

Ka shumë ditë që rrugët përherë na janë ndarë

E ditët e mia netë e mija kot unë i harxhoj

A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje

O më beso se faj nuk kam që forca po më lë

Se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe endërrat për dashuri

Edhe një herë o veç edhe një herë

Këngët që i kujtoj të kam o kujt të ia dhuroj

Edhe një herë o veç edhe një herë

Gjakun o prap ta ndez

Veç një mengjes me ty ta pres

Edhe një herë o veç edhe një herë

Të të takoj e veç një çast

gëzimi ta jetoj me ty

Edhe përherë t’i mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri

Edhe një herë o mos të vdes pa t’pa, pa t’pa edhe një herë

Vetem edhe një herë

Diçka e rëndë sikur hyri në mua

Më shtrëngon e po dhemb

Ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri

Dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe endërrat për dashurinë

Edhe një herë o veç edhe një herë

Të të takoj e veç nje çast

gëzimi ta jetoj me ty

Edhe përherë t’i mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri

Edhe një herë o mos te vdes pa t’pa, pa t’pa edhe një herë

Vetëm edhe një herë… / KultPlus.com

Timo Flloko rrëfen pengun e tij jetësor: Vitet kur humbi kinemaja

Aktori i njohur, në një intervistë të gjatë për gazetën Exlibris ka treguar për jetën, vendlindjen, pasionin për poezinë, filmin, aktrimin dhe letërsinë. Timo Flloko, ka rrëfyer edhe pengun e tij më të madh, që është kinemaja… venitja e saj.

      “Pengu i madh, nëse mund ta them, janë vitet kur humbi kinemaja këtu dhe nuk pati produktivitet dhe vlera dramaturgjike. Humbi kinemaja, u shua në moshën e pjekurisë profesionale më të epërt, ku priten vepra të mëdha. I shikojmë filmat amerikanë ku kinemaja është industri, lëvizjet e aktorit nga roli në rol pa bërë ndonjë shenjë barazimi dhe krahasimi ata luajnë deri në shuarje të jetës. Ndërsa ne na u shua arti përpara se të mbarojë jeta. Kam bërë role, por jo në vazhdimësi. Sa shumë do ishin rolet e mia dhe të kolegëve të mi, nëse do funksiononte me prodhimtari kinemaja. Për fat edhe pse me pak filma në numër në vite, në tranzicionin e tejzgjatur, kinemaja nuk është shuar krejt, sepse janë realizuar disa filma të suksesshëm. Kjo më ka bërë, t’i afrohem teatrit më shumë”, – thekson ai.

Prej disa vitesh keni zgjedhur letërsinë si strehën tuaj. Së fundmi, lexuesi ka në dorë përmbledhjen tuaj me poezi “Trup e shpirt” nga botimet Onufri. A është kjo një notë proteste ndaj artit skenik dhe kinematografisë e cila noton ende në ujëra të vakëta apo një stad i nevojshëm, një përkushtim dhe konsolidim i letërsisë suaj, së cilës keni vendosur t’i dedikoheni në vazhdimësi duke e mbivendosur në krye të angazhimeve tuaja?

Sigurisht nuk është protestë, edhe pse misioni i artit është ta përsosë botën dhe një nga mjetet është edhe protesta. “Trup e shpirt” është një përzgjedhje e dy librave të mi të mëparshëm ku janë përpunuar thuajse nëntëdhjetë përqind e poezive, si dhe poemat që janë në të, të cilat unë i çmoj. Sigurisht ka dhe poezi të reja.

Poezia për mua është një art sa i thellë, koncentrik, aq dhe përfaqësues dhe përgjithësues, pra thelbi i artit; poezinë pra e kam siç ju e keni cilësuar në mënyrë metaforike një strehë, mënyrë për ta mbushur jetën, për ta pasuruar, për ti dhënë profesionit tim primar, atij të aktorit frymëzimin, nuancat , ato ngjyra që poezia i ka të fuqishme. Pse jo dhe konsizitetin, thellësinë, shtrirjen dhe hapësirën.

-Keni lindur në Pejë, jeni rritur në Vlorë dhe jeni formuar në Tiranë. Nga skaji në skaj dhe më pas në qendër. Bërthama juaj antropologjike është e formuar me lëndë dhe elementë të trevave të ndryshme shqiptare. Pra një kulture, një karakter dhe bindje të ngjizura për shkak të këtyre zhvendosjeve të herë pas hershme në etapa vendimtare të jetës suaj. A është kjo zanafilla e një universialiteti në profilin tuaj artistik? Si kanë ndikuar këto zhvendosje në formimin tuaj?

Këto tre qytete kanë kushtëzuar natyrën time si njeri e si artist dhe pa dyshim që kanë ndikuar. Linda në një klimë kontinentale. Në Pejë bie shumë dëborë. Në Vlorë kalova fëmijërinë, pranë detit, shijova të gjitha aromat bukuritë e tij, thellësinë, kaltërsinë, mbrëmjet me yje, gjithçka të bukur, që më ka frymëzuar më vonë për motivet e mia. Në Tiranë studiova dhe u formova si artist, në kuptimin profesional. Gjyshi dhe babai kanë qenë nga Gjirokastra. Unë edhe pse nuk kam jetuar asnjë ditë si banor i atjeshëm, veçse në mënyrë artistike, apo ëndërrore, duke luajtur disa role përfshi këtu dhe atë të Çerçiz Topullit. Gjirokastra është një qytet ndër më të bukurit e trevave shqiptare.

Nga koha në kohë njeriu përfton përvoja emocionale nga më të ndryshmet dhe çfarë mbetet është ajo çfarë kujtesa e ruan me fanatizëm. Në jetën time, ka mbetur gjeografia e Pejës. Pas viteve ’90 kam shkuar atje disa herë dhe kam përjetuar emocionet e hershme të atyre viteve, pra për aq sa jetova deri në moshën tetë vjeçare, dhe më kanë mbetur gjithë ato kujtime, që njeriu i përfton në fëmijëri dhe nuk i harron kurrë. Në Vlorë siç e fola më lart, kurse Tirana pastaj i zgjeroi hapësirat. Qyteti i katërt ku kam jetuar gjatë është Los Angelesi, ku u vendosëm në vitin ’97 deri në vitin 2004; atje sot jeton ime bije, Linda me familjen e saj, qytet të cilin e vizitoj shpesh. Edhe Los Angelesi ndikoi, në një sens, sepse për artistin gjithmonë vlejnë lëvizjet e mëdha, ridimensionimet. Kam shkruar për Pejën një poezi në librin tim të parë, kam shkruar për Vlorën por në poemat e mija unë shkruaj për Parisin ku kam jetuar në kohë të ndryshme, dhe siç duket këto largësi më janë imponuar në një sens. Do doja të kisha shkruar një poemë për Tiranën a për Pejën por ja që nuk ka ndodhur. Ndonjëherë gjërat kanë fatin e vet, ndodhin ose nuk ndodhin.

-Jeni amalgamë e madhështisë me modestinë. E para e formësuar nga Timo artist, dhe e dyta nga Timo njeri dhe karakter. Si ja keni dalë t’i ndërlidhni bashkë dhe t’i përshfaqni në mënyrë strikte në momente të caktuara këto dy cilësi të rralla tek një personalitet i përmasave tuaja?

Nuk di ta dalloj këtë gjë, ndoshta kjo është një veti thjesht personale. Sigurisht e kam prirjen vetjake t’i respektoj të tjerët dhe të jem reflektiv ndaj punës që bëj. Mbase kjo është një arsye që më mban në fre, që të mos ndihem delir, gjë që e them tek “Rob i manive” ku e vendos veten midis dy skajeve, ndjesisë së madhështisë e thënë në thonjëza dhe asaj të inferioritetit sepse artisti ka up-set dhe doën-set, pra ngritje dhe ulje. Asnjë artist sado i madh, sado narcizist të jetë, sado egocentrist në momentet kur është me veten i di avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ndonjëherë mungesa e modestisë është formë e inferioritetit dhe unë në një farë mënyrë i jam kundërvënë këtij lloj inferioriteti, duke e parë në mënyrë racionale. Kam njohur shumë artistë të mëdhenj, aktorë të mëdhenj, dhe jo rrallë herë jam befasuar me modestinë dhe thjeshtësinë e tyre. E keqja siç duket qëndroka tek ndjesia e vogëlsisë. Nuk e quaj si virtyt tek unë aspak, por si diçka krejt normale. Kurse për artin na gjykojnë të tjerët pavarësisht asaj se çfarë mendojmë ne për veten tonë.

-Keni frymëzuar breza të shumtë artistësh drejtpërdrejtë me artin tuaj e gjithashtu keni formuar në mënyre akademike breza të shumtë studentësh Jeni ndër aktorët më të mëdhenj që ka pasur dhe ka ky vend dhe përtej kësaj në kompleks jeni një figurë që publiku e sheh rrallë në televizion apo mediume të tjera. Në një kohe kur kultura , arti dhe kryesisht media kanë më së shumti nevojë për figura si ju, keni zgjedhur daljet e pakta. Është një tërheqje me vetëdije si formë mos-përfshirje apo mendon se ndikimi i artistit varet nga ajo çfarë transmeton dhe shpërndan, nëpërmjet veprës dhe mesazheve të saj dhe jo në daljet dhe ligjërimet e drejtpërdrejta?

Mendoj se një artist e ka për obligim të shprehet në momente të caktuara, në jetën shoqërore dhe lëvizjet, ndryshimet dhe krizat që mund të pësojë shoqëria, sepse artisti është një person publik, një model në sytë e njerëzve dhe ka impaktin e vet në shoqëri. Në rastin tim jo se u shmangem daljeve në ekran por kanalet televizive janë aq të shumtë sa humb edhe sensi i daljes shpesh në këto programe. Shkruaj në shtyp e shfaqem në televizion me raste, kur kam një arsye për tu shprehur siç ka ndodhur, për sa më takon të shprehem si artist, misioni i parë i të cilit është arti, roli në rastin tim si aktor dhe, më pas ai civil sigurisht.

Në çdo rast kur e kam menduar të arsyeshme të dal në televizion, kam dalë si në për premierat e teatrit, të filmit, qoftë dhe kjo intervistë që po bëjmë bashkë ka si objekt librin, si arsye për të dale dhe jo për të mbushur hapësirën në ekranet e televizioneve. Edhe gazetarët që kërkojnë intervista, falë simpatisë që kanë ata për figurën e artistit, më vjen keq kur i lëndoj ndonjëherë duke u thënë që nuk do ta bëjmë intervistën ose do ta shtyjmë për një herë tjetër. Edhe unë e kam të vështirë t’ua kthej fjalën por detyrohem dhe ata më mirëkuptojnë.

Sa i përket brezave, artisti është frymëzues, siç kam unë që në fillesën time, që kur ëndërrova dhe mendova të bëhesha aktor. Unë nuk kisha ndonjë besim kushedi se mund të bëhesha aktor por ndonjëherë ndodhin rastësitë, pse jo mrekullitë, që kthehen në “destin” në jetën e njeriut, si pranimi im në shkollën e aktrimit. Kam kërkuar letërsi por nuk me doli, e kam dashur shumë letërsinë, e kam adhuruar madje. Kam lexuar shumë libra; në fëmijëri shkruaja poezi dhe periudhën e plazhit në Vlorë, kohën me shokët dhe detin e ndaja me të shkruarit dhe kjo më jepte frymëzim dhe kënaqësi.

Mendoj se ishte mirë që s’më doli për letërsi sepse do të kisha qenë një mësues gjuhe ose një autor i niveleve mesatare e thënë kjo jashtë modestisë. Gjykoj se jo se më mungon aftësia për të vështruar në emocionet njerëzore por këtu hyn dhe arti i aktorit, ku ndihem më mirë. Mbase kjo është arsyeja pse poezitë e mia konkretizohen në imazhe, figura sa herë të perceptueshme dhe pse jo të rëndomta, por jo hermetike. S’e kam për zemër poezinë që ia kalon shfaqjes në sy më shumë se ajsbergu, që shumë më tepër fshihet se ç’duhet. Një zhytje e skajshme e mbyt poezinë. Te Kadareja poezia ka transparencë të jashtëzakonshme.

– Në periudhën post komuniste, arti rendi drejt subjekteve dhe tematikave të komunizmit por tashmë parë dhe gjykuar nga një sfond disident. Në këtë mori veprash letrare, skenike dhe figurative të cilat disi e tejkaluan hapësirën e vlefshme që i rezervohet një gjykimi të shëndoshë dhe objektiv të asaj periudhe të errët, ka një portret dhe një sfond të paharruar për publikun; Agroni, i cili pas rënies së sistemit, i sapodalë nga një burg politik, takon persekutorin e tij dhe nëpërmjet lojës brilante aktoriale, na jep krejt panoramën e një metamorfoze makabre të marrëdhënieve të post sistemit. Fjala është për rolin emblematik te filmi “Vdekja e kalit” me regji të Saimir Kumbaros. Për publikun, është pika kulmore e një aktori shqiptar por dihet se jo gjithmonë aktori dhe publiku kanë të njëjtën qasje. Po për Timon çfarë përfaqëson ai rol dhe ai mesazh qe dha ai film, parë nga gjykimi yt i brendshëm?

Vdekja e kalit bëri histori si filmi i parë në periudhën postkomuniste dhe filmi i parë antikomunist. Skenari i shkruar nga Nexhati Tafa, ishte interesant, dramatik. Regjisori Saimir Kumbaro më thotë, shiko, është një rol që do të pëlqejë, e di sa të shkon Timo. I them që do ta lexoj dhe vetëm pasi mbarova leximin i thashë vetes, uroj që Saimiri mos të ndërrojë mendje dhe t’ia japë dikujt tjetër këtë rol. Gjatë bisedës më pas ku i shpreha përshtypjet për skenarin dhe u vendos që rolin do e luaja unë, erdhi Niko Kanxheri dhe u bëmë një ekip shumë i mirë. Më pas dhe Fitim Makashi, Rajmonda Bulku që i dhanë një dimension të madh këtij filmi.

Filmit kurrë nuk i dihet. Filmi është një enigmë. Kur kemi bërë Lulëkuqet mbi mure me Agim Qirjaqin kemi thënë, ç’është ky film për fëmijë, dhe nuk e dinim fundin. Ndonjëherë nisesh për diçka të madhe dhe nuk del në nivelin artistik që janë pritshmëritë. Ndërsa Vdekja e kalit u kthye në një sukses imediat gjë që më ka ndodhur në pak raste, si dhe te shfaqja “Pamje nga ura” në teatër. Rëndësi të dorës së parë ka skenari. Kur e pyetën Hitchcook-un se cili është komponenti kryesor në një film, ai tha skenari.

Po pastaj i thanë? Skenari. Po pastaj? Sërish skenari tha. Ai ishte gjeni i kinemasë sepse roli behët kur ka skenar të mirë, kur ka dramacitet. Mendoni ti heqim Agronit momentet në burg apo ti heqësh finalen, pra këto janë momentet më dramatike, me peshë emocionale në film, që e lartësojnë lojën aktoriale dhe e anasjelltas. Pa recitimin e mësuesit të vargjeve të Nolit, te filmi Lulëkuqet mbi mure, pra nuk mbetet asgjë.

Aktorët shqiptarë ndihen në pozitë të vështirë krijuese me role të dobët në skenar, imagjinoni se sa mundësi dramaturgjike u krijohen aktorëve të mëdhenj në botë, si De Niro, Al Paçino, etj., në rolet e tyre me situata e ndodhi të jashtëzakonshme… Mua, (si dhe kolegëve të mi), më ka ndodhur që në role ku mund të jem munduar e investuar sa s’ka nuk e kam pasur suksesin e atyre roleve ku dramaturgjia më ka favorizuar. Agronin, sigurisht, e pëlqeva, drama e tij ishte ajo që duhej dhe në një sens ishte një homazh për të gjithë ato njerëz që vuajtën dhe u sakatuan nëpër burgjet e diktaturës komuniste.

Drama e Agronit ishte në një kuptim drama e shumë shqiptarëve, një fatalitet masiv. Nëse nuk e kishe të dënuarin në familje e hasje të komshiu, në mos aty e kishe në shkallë, në lagje a diku më tej, veç faktit se të gjithë shqiptarët nën diktaturë jetonin një izolim të skajshëm e privim të lirisë, si dënim kolektiv. Ky realitet dhe ky dramaticizëm kushtëzoi suksesin e këtij filmi dhe të rolit të Agronit si personazh. Vdekja e kalit mund të mos jetë një film i përkryer nga ana teknike, por nga ana emocionale është tronditës në çdo dimension. Në rastet kur kemi shkuar me regjisorin në festival edhe jashtë, njerëzit e kanë ndjerë këtë lloj emocioni dhe dilnin nga kinemaja të tronditur.

-Staturë serioze. E qeshur me zemër dhe ndryshime të befta mimike. Mandej portret i zymtë, ecje e ngadaltë, por biseda të vrullshme dhe zë kumbues. Po rrekem të bëj një analizë antropologjike të figurës suaj dhe më rezulton në tërësi një figure fisnike, një njeri i përulur dhe një artist i madh. Ky është Timo në lupën e një admiruesi, pra Timo që njohim në publik. Pyetja që pason është: Kush është Timo në errësirën e studios ku shkruan? A ka shndërrime të forta të qenies (shndërrime të brendshme sigurisht) apo nuk ekziston në juve metamorfoza e artistit në çaste vetmie krijuese dhe artistit në publik?

Po e nis me profesionin tim. Arti i aktorit është arti i transformimit, ndërkohë po e lidh me pyetjen e pare, që më bërë për natyrën time të ndryshme. Aktori nuk luan veten por karakterin e personazhit, dhe unë e kam për detyrë të ndryshoj nga njëri rol në tjetrin jo për efekt kapriçioje por për shkak të përmbajtjes së tyre, transformohem në një person që s’është vetja. Transformimi është artistik, një konvencion pra nuk mund të ndodhë kurrë që ti të transformohesh në rol dhe të harrosh se kush je në të vërtetë përndryshe arti do të kthehej në patologji. Edhe në dramat më të mëdha qoftë në teatër qoftë në film, krijimi artistik mbetet i tillë, një shkrirje artistike jo patologjike me rolin.

Siç thotë Aristoteli, arti është imitim. Ndërsa në procesin e punës me poezinë, gjërat lëvizin dhe besoj se asnjë gjë s’mund të jetë një frymëzim motamo marrë nga realiteti kur ti Liridon je vetë shkrimtar poet, krijues, tregimtar dhe e kupton këtë proces. Merr ngacmime nga një realitet, figurë, fjali, shprehje, nga një fenomen apo një përjetim i caktuar që të çon tek ngjizja e një ideje për ta krijuar si poezi, një mesazh filozofik dhe emocional në vargje. Një poezi mund të jetë katër vargje por duhet të përcjellë një varg-ide pa të cilin nuk do të shkruhej poezia, siç lexova së fundi në librin me poezi “Prilli hidhur”, “Dy Zogj”, të Bardhyl Londos:

“Dy zogj ndjekin njëri-tjetrin në qiellin e përvëluar nga etja.

Njëri është jeta, tjetri është vdekja…”

Poezia nuk kërkon mundin e prozës, që është një mund i madh. Poezia si proces është më pak e mundimshme dhe pse jo më e lehtë për të qenë e arrirë. Të vjen një varg e shkruan, pastaj i shton një tjetër pra është më “kapriçioze”, pa shumë e shumë faqe si romani, koncentrike. Veçse, në qoftë se je i zoti ta krijosh e kryen, se mund të rrish me vite dhe të mos mundesh ngase lypset talent, sigurisht. E adhuroj poezinë, dhe pse e them shpesh që nuk jam poet por adhurues i poezisë, jo për mungesë modestie apo se për atë që botoj nuk jam pretencioz dhe pse vetë pandeh se ky libër që sapo kam botuar, në mos i gjithi, të paktën 50 përqind a ca më pak ia vlen besoj, se s’mund të kapen aq lehtë majat. Momenti im privat është një moment hulumtues, frymëzues.

-Disa nga njerëzit që ju kanë njohur, janë shprehur se larg Timos aktor, njohim një filozof dhe një poet thellësisht mendimtar. A keni menduar ta bashkoni artin e fjalës me atë skenik në një produkt 100 përqind tuajin?

Më llaston fakti që më shohin si filozof (!), dhe pse nuk e kam menduar këtë gjë. Poezia është një art që përcjell mendime të thella, metafora, simbole, maksima të cilat ndonjëherë mbeten për gjithë jetën në mendjen e lexuesit. Synoj të vështroj në thellësi, kur atje më çon frymëzimi dhe i ndjell a më shfaqen figurat dhe mendimet. Tërhiqem pas esenciales, që ka një arsye për t’u trajtuar, kur ka një dramë, kontraste dhe, ndoshta, shfaqja e kontrasteve u jep dhe thellësinë atyre që unë shkruaj.


E kam dashur poezinë, e kam recituar. Më pëlqejnë poetët si Majakovski. Poema të tilla si “Re me pantollona” , “Flauti i shtyllës kurrizore”, të cilat janë dëshmi të një arti të madh, çdo kohë e kanë fuqinë e tyre. Sigurisht jam ndikuar dhe nga leximi i poetëve të mëdhenj që nga Whitman-i, Neruda, Ricosi, Seferis e deri tek Kadareja e Agolli. Jetojmë në një botë informacioni të rrufeshëm. Edhe pse për fat të keq sot lexohet më pak, dhe nëse nuk shkon i riu te libri, atij i ofrohet mundësia që me një klikim në Google të gjejë Letrën e Tatjanës drejtuar Onjeginit, të Pushkinit.

Apo një poezi të përkorë si “Kristal” të Kadaresë, e cila është e brishtë e si një kristal për dashurinë në vetvete. Sot është dinamizuar çdo gjë dhe ke mundësinë të lexosh dhe të kërkosh. Përsa i përket idesë për një produkt timin kohët e fundit realizuam një koncert poetik me Ndriçim Xhepën dhe Eva Alikajn. Shkoi mjaft mirë. Kam menduar që një pjesë të poezive të mija ti recitoj. Nuk kam dashur deri tani se janë të mijat dhe ngre krye ajo sindroma e modestisë. Por një ditë do të dal me një program poezish të mijat siç e kam bërë Majin e shkuar te E diela shqiptare, te Ardit Gjebrea ku recitova një pjesë të poezive të mija dhe teksteve që kam shkruar.

Aty recitova dhe poezinë për Covid-19 “Në emër të jetës” që është përfshirë në këtë libër. Ndërsa për skenar nuk kam menduar dhe pse mund të shkruaj nga përvoja e filmit prozë. Si profesor i aktrimit për shumë vite e njoh dramaturgjinë. Kam përkthyer drama dhe biografi. Por, nuk e di pse mbase kam mbetur “fanatik” në një sens, duke menduar se si aktor më tërheq servirja e “pjatës” më të përzgjedhur nga skenaristi profesionist. Nuk ka ndodhur të shkruaj skenar. Mbase është vonë të shkruaj një skenar, mbase jo, kurrë s’duhet thënë kurrë.

–Në poezitë tuaja vërehet një raport i ndërlikuar me jetën e përtejme dhe portën e kalimit nëpërmjet vdekjes. Hera herës ngjan sikur kërkoni të bindni dikë se ka jetë përtej dhe here- herë jepni imazhin e njeriut të pasigurt ku përtej bindjes së të tjerëve, kërkon të bindë veten, t’ia heqë frikët vetes. Cili është këndvështrimi juaj mbi këtë raport jetë- vdekje dhe cili është definicioni juaj për këtë proces? A i trembeni formës me të cilën vdekja vjen apo thjesht e perceptoni si kapërcim në një tjetër dimension?

Jam i pasigurt për veten. Ky është një mister që jo unë po askush nuk e ka zgjidhur ende. Nuk ka ardhur asnjë dëshmitar nga ajo botë që të na tregojë sesi është. Kam bërë një përkthim të librit “Shpirti” nga një psikiatër amerikan Brajan Ëaiss që shkruan mbi rimishërimin, pra kthimin e shpirtit në trupa të tjerë, libër i cili ka tërhequr vëmendjen.

E përktheva për mesazhin që përcillte, se ishte libër që mund t’i fashite ndjenjat tek njerëzit që humbasin dikë të shtrenjtë, apo të atyre në gjendje krize për shkak të sëmundjeve të rënda, pra një libër që jepte shpresë. Në poezitë e mija ka disa dimensione, ku jeta, vdekja, dashuria, shtegtimi… shfaqjet a përleshja mes tyre, janë të gjitha përpjekje për ta sfiduar përkohësinë. Tek e fundit nuk di t’i jap një definicion vdekjes. Di që vdekja është një proces natyral i vijimësisë së jetës, një transformim siç e thotë Stephen Haëking, vërtetë Zot nuk ka por ka energji dhe ne transformohemi nga kjo qenie dhe bëhemi pjesë e universit në formë të grimcëzuar, si pluhur. Por ama jemi pjesë e këtij universi. Kjo nuk është pak.

A e dija unë para se të lindja se çfarë ndodhte në shekujt e shkuar, qysh nga krijimi i jetës?! Kush e di vallë apo e ka ditur veçse kur erdhi në këtë botë…?! Duke jetuar, ne jetojmë dhe të shkuarën me ndjesinë si të kishim lindur që në vitin zero deri në pafundësi. Thjesht momenti tani që po flasim në të dy iku, mbaroi është momenti më i gjatë i botës që nga krijimi i saj, kështu që fenomeni i jetës dhe i vdekjes duhet parë në mënyrë të relativizuar. Dikush thotë që jeta është një skutë në oqeanin e pafundësisë.

Në idenë time vdekjen e gjykoj si një jetë tjetër, duke pranuar enigmën se ç’mund të jetë pas që askush s’e di. Besoj në fuqinë dhe misterin e krijimit të kësaj bote. Jam Hegelian në bindje dhe them që këtë botë e ka nisur diçka. Nuk jam besimtar motamo dhe pse i kam zili besimtarët që janë të shpëtuar dhe kanë parë me sytë e tyre një paqe të cilën ai që nuk beson nuk e ka. Është i bekuar ai që kthehet në besimtar dhe që beson në jetën e përtejme.

Krishti është figura që unë adhuroj por e adhuroj në një sens artistik përtej besimit. Kam shkruar një poezi për Krishtlindjet dhe e kam recituar në një edicion organizuar për lindjen e Krishtit dhe aty e trajtoj pak a shume këtë. Shën Pali thotë se fuqia përsoset në dobësi. Le ta marrim dobësinë njerëzore dhe përkohësinë e jetës si një dobësi, ku fuqia jonë formohet në të. Nuk mund të jap një definicion final dhe pse është një temë që nuk mund t’i shmangesh, është krahas jetës dhe dashurisë, një trinom.

-“Mjerë kush ia shpërfill fuqinë të pambrojturit” ky është një varg-maksimë, shkëputur nga poezia “Në emër të jetës” një poezi që shfaq krejt frikën dhe trishtimin e kohëve jo të zakonta pandemike. Një himn për njeriun, që kapërcen çdo pengesë. Njeriu i zakonshëm që përtej mundimeve të kësaj ekzistence, nuk epohet, nuk bie, nuk dorëzohet. A keni ndjerë këto kohë njëfarë apokalipsi të ngadaltë dhe të dhimbshëm të njerëzimit? A e menduat fundin si destin (fundin kolektiv të njerëzimit) kur gjithçka ishte ende në fillim, e panjohur dhe ne, të gjithë sëbashku, të pambrojtur?

Covid-19 është një fatalitet dhe katastrofë për njerëzimin por natyra e njeriut është e tillë që adoptohet me gjithçka. Siç pranojmë idenë që një ditë nuk do të jemi më, përndryshe po nuk e pranuam i bie të bëjmë vetëvrasje kolektive. Jemi mësuar të bashkëjetojmë duke e parë njeriun e afërt, mikun, shokun, të afërmin, mjekun që bën sakrificën më supreme, njeriun e shquar, njeriun e zakonshëm të iki nga kjo botë brenda një kohe krejt të shkurtër.

Si një lotari e zezë që i bie njeriut për t’ia marrë jetën. E shkrova poezinë “Në emër të jetës” për programin e Ardit Gjebreas ku u ftova të bëja një homazh. Ndodhi që pas disa muajsh e kalova dhe vetë Covidin por lehtë, me ankth, sigurisht e bezdi, apati e dobësi. Thjesht mendimi dhe pasiguria në vete gjatë atyre ditëve, si një sëmundje tinzare ishte një ekuacion me shumë të panjohura, një luftë me një armik të padukshëm që të vret në mënyrë të pabesë. Fatlum kush e kalon. Mund edhe të mos isha. Shtetet e mëdha janë izoluar, përkundër ne shqiptarëve ku ngjan sikur jeta vlen më pak se gjithçka.

Duhet të ndjekim rregullat dhe të besojmë se kur vjen e keqja është tepër vonë. Me këtë rast i bëj një homazh jetëve që janë shuar, dhe pse poezia titullohet “Në emër të jetës” dhe në një varg shprehem se “… me miliona e miliona jetë sikur të marrësh, nuk mund ta shuash kurrë njerëzimin”. Covid 19 më lidh dhe më një moment tragjik, humbjen e një miku dhe skulptori të madh Arben Bajo, i cili pesë ditë para se të vdiste punonte në studio portretin tim, dhe tani, pas ikjes tragjike të tij, e kam derdhur në bronz si një kujtim të përjetshëm.

Arben Bajon e kam njohur prej vitesh. Ishte pedagog në Akademinë Arteve. Nuk jam shprehur deri këtë çast pas humbjes së tij. Vdekja e tij tragjike më ra rëndë si plumb. Iku për më pak se dy javë… e paimagjinueshme. Një skulptor i madh. Një Roden shqiptar për nga finesa, fuqia e shprehjes, karakteret që ai ka krijuar në artin e tij. Jetoi shume pak, 52 vjeç. Mendo se sa kohë do të kishte.

Ishte në lartësinë e artit të skulptorëve më të mëdhenj shqiptarë që nga Paskali, Paço etj. Me aq sa e kuptoj unë artin figurativ mund të ishte po të jetonte, skulptori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Humba një mik të vërtetë. Kishte njohje më të madhe se unë për kinemanë. Më befasonte me emrat e aktorëve, të regjisorëve, me librat që lexonte. Ishte një figurë poliedrike, një djalë i rrallë dhe një shpirt i butë e i pakrahasueshëm. Përkulem me nderim përpara madhështisë së tij!

-Poezia juaj “Shkallë për në qiell” është një dyzim ku ndërthuren dy botë në kohë dhe hapësire krejtësisht të ndryshme të cilat bashkohen në një pike: kotësinë . Hapësira thuajse pa asnjë qëllim, që nuk të shpien askund pra një dimension bosh, në te shkuarën dhe në të ardhmen. . Jeni natyrë pesimiste apo një realist që zgjedh ta ballafaqojë shpirtin me të vërtetat e dhimbshme pa tragjizma?

Poezia “Shkallë për qiell” është një nga poezitë e mija më të dashura. Edhe pse në poema unë e trajtoj hapësirën gjithmonë, shtegtimi është një element që vërehet. Kërcimi në bosh është kërcim në hapësirë dhe në pafundësi, ajo që thoni ju por jo kotësia në kuptimin e vanitetit të rëndomtë. Për këtë poezi kam pasur një ngacmim nga monologu i pashait turk që ngjitet në shkallare tek romani “Kështjella” të Kadaresë; asnjëherë s’e di se ku të çojnë përfytyrimet…

Ai monolog ma solli në vështrim idenë e shkalleve. Kur shkrova poemën “Natë në Monparnas” në një moment më bënte digresion pra një lloj retrospektive poema “Llora” e Kadaresë. Si një gjeni Kadareja është një hapësirë ndikimi të cilës nuk mund t’i shpëtosh. “S’ka fillim as fund ky bosht, nis e sos kur ta mendosh”. Hapësira dhe koha kudo që të vendosesh janë njësoj të pafundme dhe, ti qëndron në mes të tyre nga shkaku i pafundësisë.

-“Sa herë i marr erë një luleje, druaj se pas shpine , thika më ngulet” Ky varg i shkëputur nga poezia “Rob i manive” vërteton atë çka keni shprehur në një dalje publike ku thoni se: “Poezitë janë vizione të errëta që i përshfaqen poetit si kumt për njerëzimin”. Parë nga situata globale qoftë si reflektim fizik por dhe shpirtëror, cila është frika juaj e madhe?

Errësira si ngjyrë pra e zeza është pjesë e natës dhe kontrastit me ditën. Ashtu është dhe ndjenja e errët në shpirtin e njeriut përkundër dritës që merr nga jeta dhe përditshmëria. Janë forca që lidhen me instinktet po të hymë në psikoanalizë. Në atë që ti ndonjëherë nuk e kupton pra janë reflekse të vetëmbrojtjes. Ky varg tani që po e analizojmë e kam menduar në atë kontrastin që në momentin tënd më të lumtur, e keqja mund të të godasë. Një formë paranoje apo ndjesie persekucioni. Duhet marrë në kompleksin e poezisë.

Nuk mund të përjashtohet nga artisti ky lloj asosacioni i vazhdueshëm i një bote që vjen në mënyrë jo koshiente nëpërmjet errësirës dhe mendimit me ngarkesë negative. Nuk jam pesimist dhe nuk e shoh botën me dylbitë e kthyera mbrapsht por jam objektiv. Nuk jam as optimist, i pranoj të kundërtat. Ndonjëherë duke synuar të përsosurën bën gabim të shumëfishtë sepse së pari vërteton se nuk je i përsosur dhe e dyta kupton se ajo nuk mbërrihet kurrë. Në një fragment filmi kam parë ku një personazh i thotë një tjetri: Nëse kërkon përsosjen do çmendesh. Davidi i Mikelanxhelos, edhe pse në skaj të përsosjes, ndoshta, edhe pse i përsosur; përjashtimi fuqizon rregullin. Jam i ndjeshëm mbase më shumë se të tjerët në një sens sepse jam në hullinë e poezisë dhe botës artistike krijuese por me vetitë e çdo njeriu në mënyrë të ndërsjellët.

-Vargjet tuaja janë udhëtime, përjetime nëpër kryeqytete botërore (Nju York, Paris, Vjenë) që kanë lënë gjurmë tek ju. Gjithashtu janë homazhe për figura të rëndësishme të artit botëror si Ajnshtajn, Van Gogh, Xhim Morrison. Kam një pyetje paksa intime. Si do të ishte një poezi dedikuar Timos në një qytet si Tirana. Pra një dedikim për një artist të madh që jeton dhe frymon po ashtu në një qytet të madh?

Më vjen keq dhe ndihem madje paksa xheloz se kam shkruar për Vienën dhe Parisin dhe s’kam shkruar për Tiranën. Ndonjëherë gjërat nuk dihen se si vijnë, mbase nga befasia kur has në një botë të re që nuk e ke njohur më parë. Mbresa dhe impresione të para që e trandin njeriun, kaotizmi herë herë, kontrastet, dramacitetet.

Qoftë dhe madhështia apo bukuria e gjërave. Kur kam parë Parisin jam mahnitur dhe më pas dashuruar me të. Ai ma solli në mënyrë të natyrshme për të poemën programatike “Natë në Montparnasse”. Sot zakonisht nuk shkruhen më poema dhe mua më vjen keq për këtë. Duhet të kthehet ajo kohë dhe ato vite kur shkruheshin poema pasi publiku e do poezinë dhe e ndjek me interes. Mbase nuk e lexon dhe aq por e dëgjon dhe e admiron kur është e recituar.

Pra edhe poemën “Natë në Montparnasse” të cilën besoj se lexuesi serioz mund ta lexojë me dëshirë. Do doja të lexoheshin pasi aty mund të të them vërtetë se jam pretendues. Nëse nuk do të ishin poemat, mund të them se nuk do kisha botuar asnjë poezi. Për veten nuk kam menduar kurrë të bëj një poezi edhe pse në çdo poezi timen jam unë pra që flas në vetën e parë. Mbase në poemën “Përtej jetës” që është më filozofike se të tjerat, qoftë dhe te “Takim me të dashurën Mari…” unë jam vetja por i zhvendosur në botë të tjera, iki dhe kthehem, jam dhe s’jam. Kurse te “Përtej jetës” ngjan si një kalvar, është jeta biologjike por edhe e njeriut e artistit në kohëra, edhe them që mire do qe të ishte një poemë për Tiranën por siç e thamë gjërat nuk komandohen. Varet sesi të vijnë.

-Dhjetëra role kinematografike, dhjetëra role në teatër, tre vepra poetike, keni marrë dhe rolin e përkthyesit nga letërsia e huaj . Jeta juaj artistike shumëdimensionale është një frymëzim për brezat e rinj. Pas kaq vitesh ndërtimi të këtij panteoni të rrallë vlerash artistike dhe njerëzore, a keni ju ende një peng?

Artisti ngaherë synon dhe kur synon dhe ëndërron do të thotë që ka diçka që e dëshiron. Mund ta quajmë peng mund ta quajmë dëshirë pse jo edhe pse ndonjë peng të adresuar nuk kam. Pengu i madh nëse mund ta them janë vitet kur humbi kinemaja këtu dhe nuk pati produktivitet dhe vlera dramaturgjike. Humbi kinemaja, u shua në moshën e pjekurisë profesionale më të epërt, ku priten vepra të mëdha.

I shikojmë filmat amerikanë ku kinemaja është industri, lëvizjet e aktorit nga roli në rol pa bërë ndonjë shenjë barazimi dhe krahasimi ata luajnë deri në shuarje të jetës. Ndërsa ne na u shua arti përpara se të mbarojë jeta. Kam bërë role por jo në kontiuinitet por sa shumë do ishin rolet e mija dhe të kolegëve të mi nëse do funksiononte me prodhimtari kinemaja. Për fat, edhe pse me pak filma në numër në vite në tranzicionin e tejzgjatur, kinemaja nuk është shuar krejt, sepse janë bërë disa filma të suksesshëm.

Kjo më ka bërë t’i afrohem teatrit më shumë. U ktheva nga Amerika e cila, pa odiseun e së cilës, nuk do kisha shkruar poezi, madje as nuk do të kisha luajtur role në teatër pasi unë isha pedagog dhe aktor kinemaje. Por Amerika t’i zmadhon hapësirat, te përgatit mentalisht, të ridimensionon kurajon për të provuar dhe guxuar. Dhe nuk pata një paradigmë kur erdha dhe mendova se nuk ka film, ok, do luaj teatër. Dhe e nisa me “Një stinë e mërzitshme në Olimp” të Kadaresë. Një diskurs që e vuri regjisori Gëzim Kame në skenë në vitin 2003. Pastaj bëmë një projekt tjetër me Ndriçim Xhepën “Për një fjalë goje” të Natali Saro, autore e romanit modern, me regjisor të Arben Kumbaros.

“Pamje nga ura” të Arthur Miler, me regjisor Albert Minga që ishte një sukses i madh. Vazhdova me “Shtrigat e Salemit” me regji të Spiro Dunit. Edhe ky një sukses dhe para dy vitesh me Equus-in nën regjinë e boshnjakut Dino Mustafiç. Kështu që iu dhashë teatrit sepse doja të plotësoja atë hapësirën bosh. Hapësirën e qiellit që i takoj, teatrit… / KultPlus.com

Pacientët që kanë kaluar Covid 19 rehabilitohen në një minierë kripe

Një minierë historike kripe, e njohur gjithashtu si një nga tërheqjet kryesore turistike të Polonisë, u ofron pacientëve që kanë vuajtur nga COVID-19 një mundësi për t’u rehabilituar në 135 metra nën tokë.

Resorti Shëndetësor i Minierës së Kripës “Wieliczka” siguron kujdes pulmonologjik, laringologjik dhe alergologjik për personat që luftojnë për të shpëtuar nga efektet e mbetura të virusit.

Një nga dhomat e saj strehon një sanatorium të specializuar, ku krijohet një mikroklimë unike falë qarkullimit në ajër të grimcave minerale që dalin nga kripa, një temperature e qëndrueshme rreth 13-14,5 gradë Celcius dhe lagështisë së lartë të ajrit.

“Ajri shërues ka një efekt pozitiv si në gjendjen shpirtërore, ashtu edhe në gjendjen e të gjithë trupit”, thonë mjekët.

“Ajri i minierës është pa ndotës dhe alergjenë”, tha dr. Anna Pelkoëska, një alergologe dhe nëndrejtoreshë për çështjet mjekësore në vendpushimin shëndetësor.

“Asnjë pastrues ajri nuk mund të sigurojë cilësinë e ajrit që kemi nën tokë”, shtoi ajo.

Seancat e terapisë mbahen çdo ditë, nga e hëna në të premte, dhe pacientët qëndrojnë në sanatoriumin nëntokësor ku janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të një mjeku, fizioterapisti dhe një infermiereje.

Trajtimet zgjidhen individualisht, në varësi të gjendjes shëndetësore të pacientit./ata/ KultPlus.com

Vepra e Pajtim Statovcit nominohet për çmimin letrar të Këshillit Nordik

Shkrimtari kosovar nga Finlanda, Pajtim Statovci me veprën e tij “Bolla” është nominuar për çmimin letrar të Këshillit Nordik, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Statovci nëpërmjet rrjeteve sociale, teksa ka treguar se është në mesin e 14 të nominuarve për vitin 2021.

“Novela ime e tretë është në mesin e 14 të nominuarëve për çmimin e letërsisë nga Këshilli Nordik për vitin 2021. Çfarë nderi. Faleminderit”, ka shkruar Statovci.

Çmimi i Letërsisë i Këshillit Nordik jepet për një vepër letrare të shkruar në një nga gjuhët e vendeve Nordike, që plotëson “standardet e larta letrare dhe artistike” dhe është krijuar më 1962.

Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990 ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare. Ai është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit. / KultPlus.com

Billie Eilish ka bërë gati albumin e ri gjatë karantinës

Billie Eilish ka bërë të ditur se ka arritur ta shfrytëzojë mirë kohën gjatë karantinës shkaku i COVID-19 duke ingjizuar një album të ri.

Gjatë një paraqitjeje në “The Late Show with Stephen Colbert”, këngëtarja 19 vjeçare ka dhënë njoftimin se këngët e saj më të reja janë gati të dalin në treg, shkruan People.

Billie Eilish është njëra prej këngëtareve më të përfolura në dy vjetët e fundit, duke marrë shumë vëmendje me këngët e saj të cilat janë shpërblyer edhe me çmime “Grammy”. / Koha/ KultPlus.com

Rregullat e të qenurit njeri që datojnë mijëra vite më parë

Sanskritja është një nga gjuhët më të vjetra të gjetura në Tokë.

Ky grup rregullash për të qënë një Njeri daton mijëra vite më parë, por që janë njësoj të vlefshme edhe sot e kësaj dite! Më poshtë teksti i përkthyer:

1. TI DO TE PAJISESH ME NJE TRUP.

Ti mund ta pëlqesh ose urresh atë, por ai do të jetë i yti gjatë gjithë kohës për këtë herë.

2. TI DO TE MESOSH LEKSIONE.

Ti je duke ndjekur me kohë të plotë një shkollë informale që quhet jetë. Çdo ditë në këtë shkollë, ti do të kesh mundësinë që të mësosh leksione të reja.  Ti mund ti pëlqesh leksionet që merr ose të mendosh që ato janë të kota dhe të pavlera.

3. NUK KA GABIME, VETEM LEKSIONE.

Rritja është një proces të provuari dhe gabuari, eksperimentimi. Eksperimentet “e dështuara” janë po aq pjesë e këtij procesi aq sa edhe eksperimenti që së fundmi “funksionon”.

4. NJE LEKSION DO TE PERSERITET PER AQ KOHE DERI SA AI TE MESOHET.

Një leksion do të të paraqitet në forma nga më të ndryshmet deri sa ti ta mësosh atë. Atëhere ti mund të kalosh në leksionin tjetër.

5. TE MESUARIT LEKSIONE NUK MBARON NDONJEHERE.

Nuk ka asnjë pjesë të jetës që nuk përmban leksione. Nëse je gjallë, atëhere ka akoma leksione që duhen mësuar.

6. “ATJE” NUK ESHTE ME MIRE SE “KETU”.

Kur “atje-ja” jote shndërrohet në “këtu”, ti thjesht ke gjetur një tjetër “atje” që përsëri, duket më mirë sesa “këtu”.

7. TE TJERET JANE THJESHT PASQYRIME TE TUAT.

Ti nuk mund të duash ose urresh diçka te një personi tjetër përveçse ajo reflekton diçka që ti do ose urren te vetja jote.

8. AJO ÇKA BEN TI ME JETEN TENDE VARET NGA TI.

Ti i ke të gjitha mjetet dhe burimet që të duhen; ajo çka bën ti me to varet nga ti. Zgjedhja është e jotja.

9. PERGJIGJET GJENDEN BRENDA TEJE.

Përgjigjet për pyetjet e jetës ndodhen brenda teje. Gjithçka që ty të nevojitet është të shikosh, të dëgjosh dhe të besosh. /bota/ KultPlus.com

‘Metamorfoza e një kryeqyteti’ e Ylljet Aliçkajt botohet në italisht

Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti”, i autorit Ylljet Aliccka është botuar në gjuhën italiane “Metamorfosi di una capitale”.

Libri është përkthyer nga , profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Itali. Ai është albanolog i mirënjohur, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi.

Romani i Alickës ka për objekt evolucionin shpirtëror, politik e shoqëror të intelektualëve të Tiranës nga vitet 70 deri më sot.

Shkrimtari dhe doktori i shkencave në Didaktikë, Ylljet Aliçka, është autor i disa botimeve në gjuhë shqipe dhe të huaj.

Lexuesi moshatar me autorin konstaton në romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”, se mbrapa personazheve janë njerëz realë, të cilët për imagjinatën e lexuesve që kanë jetuar vitet e diktaturës janë gati-gati të prekshëm si njerëz realë, i urrejnë, i përçmojnë apo i duan ata, varësisht nga eksperiencat jetësore personale.

Tregimi i ngjarjeve zhvillohet në sekuencën e tyre kohore, në një raport të ngushtë midis fenomenit artistik dhe procesit real në jetë, duke nxitur dhe duke mbajtur të fortë tek audienca dëshirën për të ditur se çfarë ndodh më pas. Lënda artistike e strukturuar në shtrirje kohore e gjeografike të jep imazhin e një sfere, qendra e së cilës gjendet kudo ku personazhet veprojnë e zhvillohen, ndërsa perimetri i saj nuk përcakton kufij asgjëkund.

Në kohën e Partisë në qendër, marrëzitë absurde institucionale dhe ndërnjerëzore në sistemin diktatorial nuk kishin kufij; të tilla u manifestuan edhe në kaosin e lirisë. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Depardieu akuzohet për përdhunim dhe keqtrajtim seksual

Aktori francez, Gerard Depardieu, është akuzuar për përdhunim dhe keqtrajtim seksual – kanë bërë të ditur burime të gjykatës për AFP.

Mbi 72-vjeçarin rëndon akuza se në vitin 2018 ka abuzuar seksualisht dhe e ka përdhunuar një aktore me moshë rreth të njëzetave.

Hetimet fillestare lidhur me këtë rast ishin hedhur poshtë për shkak të mungesës së fakteve.

Mirëpo, në verën e kaluar, kanë nisur sërish dhe janë grumbulluar fakte të mjaftueshme, ashtu që në dhjetor është ngritur padia gjyqësore.

Aktorja (deri më tani e paidentifikuar) e akuzon Depardieu se e ka përdhunuar dhe keqtrajtuar seksualisht dy herë në shtëpinë e tij në Paris në gusht të vitit 2018.

Avokati i aktorit ka thënë për AFP se ylli botëror i ekranit është i lirë, por me mbikëqyrje dhe se i hedh poshtë të gjitha akuzat.

Për më shumë, burimet thonë se ai është mik i familjes së aktores që e akuzon, avokatja e të cilës kërkon që të respektohet sfera private e klientes së saj. /Telegrafi / KultPlus.com

Dumoshi: MKRS-ja përkrahë vlera të artistëve si Rexhepagiqi e Boshnjaku

Me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mundësuar organizimi i koncertit të këngëtarit tonë të mirënjohur Armend Rexhepagiqit nën emërtimin “Edhe një herë”, të cilin e ka përgatitur kompozitori Florent Boshnjaku.

Koncerti do të mbahet të dielën në 20:45 në Klan Arena dhe siç ka paralajmëruar edhe kompozitori Boshnjaku, përgatitjet janë bërë gati të gjitha nga një ekip profesional për të sjellë një performancë të mrekullueshme, vlerëson ai.

Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, tha se projekte të këtilla nëpërmjet të cilave përçohen vlerat e mirëfillta, është kënaqësi dhe detyrim i institucionit që t’i përkrah.

“Dua të falënderoj këngëtarin Armend Rexhepagiqi, kompozitorin Florent Boshnjaku dhe tërë ekipin që po mundësojnë realizimin e këtij koncerti i cili është më se i nevojshëm për qytetarët si një lloj relaksimi dhe përmbushjeje artistike duke pasur parasysh pasojat që ka sjellë pandemia. Përmes këtyre vlerave të mirëfillta kulturore, përpos që i ruajmë ato, ne përpiqemi që t’i risjellim në kujtesë edhe për të ringjallur nostalgjinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke veçuar faktin se MKRS-ja gjithmonë është afër artistëve që kultivojnë vlerat e mirëfillta të Kosovës. / KultPlus.com

Mira Konçi dhe Ergin Oda, kauza që bashkoi artistët shqiptarë në New York

Artistja shqiptare Mira Konçi, e cila jeton dhe punon tashmë prej shumë vitesh në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë pjesë e koncertit “Vendi im”.

Ky koncert do të zhvillohet më datë 26 shkurt 2021, për nder të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Qëllimi i koncertit është të përcjellë vlerat më të mira të muzikës tonë, ku do të prezantohen dhe disa nga këngët më të bukura shqiptare.

“E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e koncertit, sepse është për një kauzë shumë sensitive dhe domethënëse për ne shqiptarët. Unë do të këndoj disa këngë me pjesëmarrësit e tjerë dhe dy këngë solo, të cilat janë Zambaku i Prizrenit dhe Moj e Bukura Arbëri”, – tregon Mira Konçi.

“Unë idenë e kam biseduar me njerëz të rëndësishëm këtu të komunitetit shqiptar dhe doja ti jepja një kahe tjetër kësaj feste, të festohet në mënyrë dinjitoze, koncert solemn, me artistë të spikatur profesionistë dhe që kanë një karrierë të bukur dhe i takojnë një zhanri të rafinuar të muzikës. Qëllimi kyç kjo festë të niste në vitin 2018 e të vazhdojë tutje për tu zgjeruar, mos ti dedikohet vetëm publikut shqiptar po dhe një audience amerikane, në mënyrë që të njihet me milosin e pasur shqiptar”, thotë Ergin Oda. /Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Shtëpinë e restauruar të Fishtës, askush nuk mund ta vizitojë

Shtëpia e At Gjergj Fishtës u restaurua në tetor të vitit 2020, por për çështje administrimi, shtëpia e kolosit të letrave shqipe vijon që të jete e kyçur.

Të shumtë janë personat të cilët kane shfaqur interes ta vizitojnë ketë monument kulture, por janë kthyer mbrapsht. Kjo për studiuesin Frano Kulli nuk është aspak normale.

“Kjo shtëpi duhet të kthehet në vend peligrinazhi kulturore, duke ndjekur itenerarin fishtjan sikur e kishte premtuar Ministria e Kulturës”, ka thënë ai. “Ky monument kulture u restaurua fale donacioneve, pasi ishte degraduar dhe rrezikonte ekzistenca e saj”./tch/ KultPlus.com

Ekspozohen dokumentet origjinale të Musine Kokalarit

Dokumente origjinale që ruhen në Fondin Personal të Musine Kokalarit në Arkivin Qendror Shtetëror, u ekspozuan sot për herë të parë në një hapësirë publike.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zgjedh shënoi kështu Muajin e Kujtesës, duke kujtuar një ndër figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar, gruan e parë shkrimtare të vendit, të burgosur dhe të internuar si rrallë kush nga regjimi komunist.

E pranishme në aktivitet, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “m vjen mirë që muaji i kujtesës i shpallur nga Ministria e Kulturës po krijon rrathë të tillë kaq të rëndësishëm dhe që institucionet e tjera po nxjerrin prej fondeve të tyre gjëra me kaq rëndësi”.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtor i Arkivave theksoi se “Musineja frymëzon shumë, një atdhetare intelektuale qe nuk e ulte kokën përballë asgjëje. Dhe detyra jonë është që figura të tilla t’i sjellim tek qytetarët në këtë formë, sidomos tek të rinjtë në hapësira të tilla. Uroj që kjo ekspozitë me dorëshkrime të vjetra të kthehet në frymëzim”.

Studiuesja Persida Asllani është ndër ato studiuese që ke hedhur shumë dritë mbi jetën dhe veprën e Kokalarit.

“Ajo bëri bashkë shumë studiues dhe institucione disa vite më parë në Bibliotekën Kombëtare. Kënaqësi dhe surprizë që këtë shkurt kur mendonim se nuk do të mund të kishte më asgjë të re për Musinenë, erdhën këto akte të konferencës që u mbajt në Tiranë. Një libër me shumë vlerë…dhe për mua më shumë rëndësi sepse ka qenë një nga projektet që kam pasur më shumë për zemër”, tha Asllani.

E pranishme në këtë event publik në hapësirën e ekspozitave në Kalanë e Tiranës, stërmbesa e Kolarit, Linda Kokalari theksoi se “unë flas përherë me shumë emocion për me të veçantën e familjes sonë dhe është më e spikatura ndaj qëndresës së diktaturës. Por mënyra më e mirë për ta bërë të njohur është futja e figurës së saj në kurrikulat shkollore sepse duhet ta njohin që fëmijë”.

Krahas ekspozimit të dokumenteve origjinale, në Kalanë e Tiranës cilido qytetar do të mund të shohë edhe disa fotografi dhe dokumente të tjera të persekutimi të Kokalarit, ekspozitë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se “Kokalari është një nga figurat emblematike të vendit dhe me vjen mirë që jemi bashkë disa institucione për ta kujtuar përmes kësaj ekspozite në një hapësirë publike”.

Dokumentet origjinale të ekspozuara nga AQSH në Kalanë e Tiranës janë prej atyre shumë personale, pasaporta dhe dëftesa e nxënësit, në dorëshkrime të librit të saj “Jeta ime universitare”, temën e diplomës në La Sapienza mbi Naim Frashërin, dorëshkrim i një studimi për Ali Pashë Tepelenën dhe disa dhjetra këngë, legjenda të mbledhura ndër vite; përralla të shkruara prej vetë Kokalarit e deri në letërkëmbime e shënime të përditshmërisë. / atsh / KultPlus.com

Sipas shkencës, harresa është shenjë e inteligjencës së lartë

Të harruarit, shpeshherë, është lidhur me mungesë inteligjencën, sipas praktikës së përditshme.

Megjithatë një studim i kryer nga Universiteti i Torontos pretendon të kundërtën. Sipas tyre, memoria e fortë është një aset i mbivlerësuar, derisa harresa mund të jetë një përfitim inteligjence, transmeton KultPlus.

“Është e rëndësishme për trurin që të harrojë informacione jo-relevante dhe, në vend të kësaj, të fokusohet në vendime të rëndësishme”, potencoi profesori Blake Richland, kryesuesi i hulumtimit.

Profesori Richards dhe Paul Frankland propozuan që memorja të shfrytëzohet për të optimizuar vendimmarrjen duke ruajtur informacione të vlefshme dhe duke lënë gjërat e tjera të parëndësishme të kalojnë në harresë.

Ata thonë se ky aspekt i harresës është ndoshta një ndihmë për ne më shumë se një pengesë. / KultPlus.com

Shfaqja ‘La RREM’ e Kushtrim Koliqit rikthen në teatër figurën shumëdimensionale të Muharrem Qenës

Xhemile Hysenaj

Artisti i jashtëzakonshëm i teatrit, filmit e muzikës shqipe, Muharrem Qena po kthehet edhe njëherë në teatër, pikërisht në vendin ku la gjurmët më të fuqishme artistike. Me tekst të Arian Krasniqit e me regji të Kushtrim Koliqit, shfaqja ‘LA RREM’ që do të shpalosë personazhin e Muharrem Qenës, ka filluar me provat eksploruese tekstuale në kuadër të programit artistik të skenës së madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Drama është një dedikim për figurën e Muharrem Qenës si projektuesi i frymës moderne në teatër si aktor dhe regjisor si dhe në fushën e formulimeve dhe interpretimeve muzikore, ndërkaq, rolin e tij do ta luaj Ernest Malazogu.

Ka qenë vajza e Muharrem Qenës, Rebeka, ajo e cila së bashku me Kushtrim Koliqin, regjisorin e shfaqjes kanë vendosur që të merren më seriozisht me figurën e Qenës. Pasi siç ka treguar Koliqi për KultPlus, ai shpesh në biseda me komunitetit artistik ka deklaruar se figura të tilla artistike si ajo e Qenës, duhet të ringjallen në forma të ndryshme.

“Një nga arsyet që më shumë më ka shty me u marrë me Muharremin ka qenë fakti se tjerët nuk janë marrë sa duhet. Unë besoj se ai nuk e ka ende vendin meritor, ashtu siç është dashtë me pas”, ka theksuar Koliqi për KultPlus.

Koliqi ndër të tjera, ka treguar poashtu se fillimisht është punuar biografia e artistit, nga regjisorja tashmë e ndjerë Arzana Kraja dhe dramaturgu Arian Krasniqi, mirëpo që kjo monografi akoma nuk është botuar si pasojë e pengesave të shkaktuara nga situata pandemike.

“Është një presion i shtuar karshi shfaqjeve tjera, sepse për shkak të respektit individual që e kam për Muharrem Qenën e sidomos për kontributin e tij në skenën e teatrit është përgjegjësi e madhe të realizosh një shfaqje për të. Por besoj që ky presion është pozitiv sepse na shtynë drejt rezultateve më të mira për realizimin e shfaqjes”, thekson tutje Koliqi.

‘LA RREM’ nuk është një vepër autobiografike. Qëllimi i kësaj shfaqjeje është që të shpalosë kryesisht figurën e një artisti shumëdimensional siç ishte Qena, një artist jokonformist i cili kurrë nuk i është përkulur sistemit e as nuk i është lajkatuar por përkundrazi ka qenë një rebel i papërmirësueshëm duke mos pranuar asnjëherë të intervenohet në punën e tij artistike. Një artist tejet i talentuar, për të cilin Koliqi potencon se kishte lindur në kohë e vend të gabuar dhe kontributi i tij nuk ishte njohur aq sa është dashur t’i njihej.

“Njerëzit kanë me i kuptuar përmasat e një artisti si Qena nëpërmjet rrugëtimit të tij jetësor dhe sfidat që ai i ka pasur përgjatë këtij rrugëtimi. Një artist i cili nuk e gjen veten në vendin ku jeton. Poashtu ata do të shohin se cila është kostoja e të qenit një artist i tillë”, deklaron Koliqi për KultPlus.

Ndër të tjera, Koliqi me adhurimin më të madh për figurën dhe artin e Qenës, e quan këtë të fundit një njeri revolucionar.

Për Arian Krasniqin, tekstshkruesin e kësaj drame, realizimi i një personazhi kaq kompleks si Muharrem Qena, nuk ka qenë aspak e lehtë. Duke pasur parasysh natyrën e tij prej këngëtari, dramaturgu, aktori e regjisori, veçsa e ka shtuar përgjegjësinë e Krasniqit karshi këtij personazhi.

“Qena ka qenë i veçantë në jetën artistike të vendit tonë dhe një shfaqje dedikuar atij mendoj se është më e pakta që mund të bëjmë ne, brezi i ri, si shenjë mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij”, ka potencuar Krasniqi për KultPlus.

Krasniqi ndër të tjera ka theksuar se duke pasur parasysh faktin që është bashkautor i librit monografik mbi jetën dhe veprën e Muharrem Qenës, ai veçse ka pasur një bazë që të konceptojë dhe projektojë edhe veprën dramaturgjike që tashmë ka filluar të jetësohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Unë ndjehem i nderuar që jam ftuar nga Teatri Kombëtar për t’u angazhuar si autor i këtij teksti dramaturgjik dhe mendoj se ekipi me në krye regjisorin Kushtrim Koliqi do të arrijë të realizojë një shfaqje të suksesshme, dhe gjithsesi meritore, si dedikim për artistin e madh Muharrem Qena”, ka deklaruar tutje Krasniqi për KultPlus.

Pjesë tjetër e ekipit të shfaqjes janë edhe Trimor Dhomi, kompozitor; Yllka Brada, kostumografe; Mentor Berisha, skenograf; Florian Çanga, video projeksion; Kreshnike Osmani, asistent regjisore; Bajram Mehmetaj, inspicient. Ndërkaq përveç Ernest Malaozgut, aktorët tjerë pjesëmarrës në këtë shfaqje do të jenë: Shengyl Ismaili, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Armend Baloku, Bujar Ahmeti dhe Flaka Latifi.

Kastën e aktorëve të shfaqjes e përbëjnë emra të përzgjedhur enkas nga regjisori i shfaqjes qoftë nga trupa rezidente e Teatrit poashtu dhe nga pjesa e jashtme, të cilët janë krijues të skenës së artit. Në kuadër të shfaqjes është dhe një bend muzikor fakti që pjesa teatrore qëndron mes formatit muzikor dhe atij dramatik.

Premiera e shfaqjes është para-planifikuar për pjesën e parë të muajit prillit. / KultPlus.com

Rita Ora në përkrahje të Komunitetit LGBTI, do të këndojë në paradën e tyre në Australi

Në Australi, më 6 mars të këtij viti, do të organizohet parada e Komunitetit LGBTI.

Këngëtarja kryesuese e listave ndërkombëtare, Rita Ora, do të jetë ajo që do të interpretojë në paradën e komunitetit LGBTI në Asutrali, shkruan ‘TV Black Box’, transmeton KultPlus.

Interpretuesja e hiteve botërore “Anywhere” dhe “Big”, do të performojë live së bashku me emra të tjerë të njohur të muzikës.

Ndërkohë, vitin që lamë pas, ajo që këndoi në paradën e komunitetit LGBTI në Australi, ishte një shqiptare tjetër me famë botërore, Dua Lipa.

Si Rita, ashtu edhe Dua njihen si suportuese të komunitetit LGBTI, dhe  gjithmonë  i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’i mbështetur njerëzit e këtij komuniteti. / KultPlus.com

Bideni shfuqizon vendimin e Trumpit për ndalesa ndaj imigrantëve

Presidenti amerikan Joe Biden ka përmbysur një vendim të ish-presidentit Donald Trump, për të bllokuar aplikuesit e lejeve të qëndrimit (green card), që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Trumpi pati bërë këtë ndalesë vitin e kaluar, duke thënë se është e nevojshme që të mbrohen punëtorët amerikanë në kohën e papunësisë së lartë, të nxitur nga koronavirusi.

Kjo ndalesë ishte planifikuar të zgjaste deri në fund të vitit 2020, mirëpo Trumpi e zgjati atë deri në fund të marsit, në ditët e fundit sa ishte në pushtet.

Shumica e vizave të imigrantëve janë bllokuar me këtë urdhër, bazuar në deklaratat e avokatëve për imigrim.

Imigrantët nuk kanë mundur të marrin familjarët e tyre, përveç nëse ata kanë qenë shtetas amerikanë, që kanë aplikuar për viza për bashkëshortët apo fëmijët nën moshën 21-vjeçare.

Imigrantët me viza puna po ashtu nuk kanë mundur të shkojnë në SHBA gjatë kësaj kohe, përveç nëse kanë pasur aftësi në fushën e kujdesit shëndetësor dhe profesione të tilla të ngjashme.

Sipas vendimit të ri, të 24 shkurtit, Bideni ka pezulluar këto vendime, duke thënë se mbyllja e dyerve për imigrantët e ligjshëm “nuk është në interes të Shteteve të Bashkuara”.

Ai ka kundërshtuar pretendimet e Trumpit se imigrantët mund të dëmtojnë tregun e punës, duke thënë se urdhrat u kanë pamundësuar familjeve që të bashkohen, si dhe kanë dëmtuar bizneset amerikane.

Bideni, demokrat, është zotuar për të kthyer mbrapsht një mori politikash të Trumpit për imigrim.

Ai më parë ka hedhur poshtë vendimin e Trumpit për t’iu ndaluar hyrjen banorëve të shteteve me shumicë myslimane. \ REL / KultPlus.com

“Kroi i fshatit tonë”, nën interpretimin e veçantë të Shpresa Gashit (VIDEO)

Është padyshim një nga këngëtaret që ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare me një karrierë muzikore 45-vjeqare, shkruan KultPlus.

E lindur në një familje në të cilën janë kultivuar vlerat e artit dhe muzikës, Shpresa i ka trashëguar ato duke i sjellë para publikut me një mjeshtëri artistike të jashtëzakonshme.

Ishte një nga vajzat e pakta shqiptare që në vitet e 70-ta kishte kryer studimet në Akademinë e  Muzikës në Zagreb të Kroacisë më pas fillon punën në televizionin e Prishtinës, duke qenë çdo herë aktive në muzikë.

Shpresa ishte një nga emrat e rrallë  të muzikës shqiptare që në ish-jugosllavi në festivalin e Opatisë  përfaqësoi Kosovën me këngë për në Eurovizion, ajo u shpërblye dy herë me çmimin e këngëtares me karrierë të suksesshme në Shqipëri si dhe çmimin “Mbretëresha Teuta” të cilin e marrin vetëm emra të mëdhenj të skenës së artit shqiptarë.

Me sharmin dhe elegancën  e saj dhe me një zë të mrekullueshëm, Shpresa ka ditur të bëjë gjithmonë publikun për vete, ajo ka një trashëgimi të pasur me shumë këngë.

E pyetur nëpër shumë intervista se cila është kënga e saj e preferuar, Shpresa ka thënë: Këngën që e ka më së shumti për zemër është ‘’Ballada për Drenicën” të cilën e ka kënduar në Akordet e Kosovës gjatë viteve 1988-1989.

KultPlus sot ju sjell një nga interpretimet e këngëtares, këngën “Kroi i fshatit tonë” të cilin përmes origjinalitetit, timbrit dhe një zëri të veçantë, Shpresa e sjell në mënyrë unike. / KultPlus.com

Çfarë ka ndryshuar në jetën e të moshuarve gjatë pandemisë?

Ndikimi që kanë pasur kufizimet tek të moshuarit ka luajtur një rol pengues në jetën e tyre normale për shkak edhe të brishtësisë fizike të tyre, sipas studimeve të fundit.

Nevoja për të zvogëluar ndërveprimet shoqërore ka zvogëluar në mënyrë dramatike hapësirën e jetesës të shumë të moshuarve, me një ndikim negativ jo vetëm në gjendjen e funksionimit fizik të tyre, por edhe në gjendjen shpirtërore dhe ndonjëherë edhe në performancën njohëse.

Izolimi në shtëpi ka çuar në një ulje të ndjeshme të nivelit të aktivitetit fizik me pasoja negative, veçanërisht në ata që vuajnë nga osteoporoza, artroza, sëmundjet neurologjike si Parkinsoni, diabeti si dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Nga një këndvështrim psikologjik, të moshuarit mund të kenë një perceptim më të mprehtë për mungesën e perspektivës për të ardhmen.

Mosmarrja pjesë në ditëlindjen e një anëtari të familjes apo pamundësia për të dalë jashtë shtëpisë ka një efekt të fortë psikologjik te ata.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja janë kontaktet e pakta, izolimi dhe frika e infektimit, çka ka shkaktuar tek ata ndjesinë e bezdisshme edhe për kurimin e sëmundjeve të tjera./ atsh / KultPlus.com

A mother stands with her daughter, visiting senior parents but observing social distancing with a glass door between them. The granddaughter puts her hand up to the glass, the grandmother doing the same. A small connection in a time of separation during the Covid-19 pandemic.