Këta janë super-filmat që mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx

Këtë fundjavë, në Cineplexx mund t’i shikoni disa nga premierat më të fundit botërore.

Vikendi është kohë që më së miri kalohet duke shikuar filma, dhe ku t’i shikosh filmat më të rinjë dhe më mirë se në Cineplexx. Këtë vikend, në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren mund t’i shikoni 12 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 12:00 deri në ora 22:00 në kinemanë në Prishtinë, ndërsa në Prizren, kinemaja nis punën në 12:00 dhe qëndron hapur deri në ora 22:00.

Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx janë:


Tom and Jerry
Dy personazhet më të dashur të fëmijërisë tonë, rikthehen në një film i cili zbulon se si Tom dhe Jerry takohen dhe formojnë rivalitetin e tyre.


Monster Hunter

Kur nënkoloneli Artemis dhe ushtarët e saj besnikë transportohen në një botë të re, ata përfshihen në një betejë të dëshpëruar për mbijetesë kundër armiqve të stërmadh me fuqi të pabesueshme. Filmi është i bazuar në video lojën Capcom.


Ava

Një vrasëse bëhet shënjestër për vdekje nga organizata e saj e “black ops” pasi vuri në dyshim urdhrat dhe prishi protokollin.


Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen filmi aksion The Marksman, dramë/thrilleri The Little Things, super horror Come Play, romancat The Wedding Unplanner dhe After We Collided, ndërsa nga filmat familjarë po shfaqet Fantastic Return to Oz si dhe Pele No Tail.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 12:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu (e lidhni me këtë link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)./ KultPlus.com

Pak çaste para se Sabiha Kasimati të pushkatohej, të fundit dorë që shtrëngoi në këtë botë, ishte dora e Ditit

Diti Biçaku sapo i kishte mbushur 25 kur natën e 26 shkurtit të vitit 1951, e pa veten pas hekurave të burgut të Tiranës, midis grupit të të arrestuarve për bombën e Ambasadës ruse. Ishte një vajzë e re me ëndrrat e saj që do t’i burgoseshin përgjithmonë në kampet e tmerrshme të diktaturës komuniste. Një ndër momentet më të vështira do të mbetej ndarja me miken e saj të ditëve të vështira, intelektualen e shquar Sabiha Kasimati.

Pak çaste para se Sabiha të pushkatohej, të fundit dorë që shtrëngoi në këtë botë ishte dora e Ditit. Kur xhelatët komuniste erdhën për ta marrë, Sabiha tentoi të kundërshtonte, nuk donte të ndahej nga Diti se kishte frikë për të, kishte frikë ta linte vetëm.

Nuk e dinte pse Diti po qëndronte ende brenda hekurave të burgut të ftohtë e pse ajo po largohej prej andej. Sabiha ndoshta nuk e dinte se ky do të ishte takimi i fundit me të e se kurrë më nuk do ta shihte miken e saj të ngushtë. Sabiha nuk e dinte se duke lënë pas hekurave të burgut të ftohtë, miken e saj të ditëve të vështira, do të shkonte vetë drejt një fati edhe më të tmerrshëm, do të mbulohej në dheun e ftohtë pas plumbit që diktatura kishte rezervuar për të e fishnjen e saj në bark…

Është një ndër krimet më të tmerrshme të diktaturës komuniste vrasja e Sabiha Kasimatit. E ka rrëfyer Diti Biçaku atë natë të fundit të Sabihasë, në qelitë e ftohta të burgut të Tiranës dhe çastet e fundit të saj para se të shkonte drejt pushkatimit.

Në një intervistë dhënë disa vite më parë, Diti Biçaku rrëfen ditët në burgun e Tiranës dhe ndarjen me Sabiha Kasimatin, para se ajo të pushkatohej.

Ajo është një prej grave intelektuale që u burgosën gjatë regjimit komunist. Është një ndër ato gra që vuajti kalvarin e kampeve të tmerrshme të diktaturës komuniste. Ishte mike e Musine Kokalarit, Sabiha Kasmitatit, e të tjera gra intelektuale që u burgosën në fillimet e diktaturës komuniste.

Zonja Diti Biçaku Maliqi, ju jeni dëshmitarja e vetme okulare e arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve që pasuan me ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike. Si e kujtoni atë natë?

Ishte ora 12 e natës kur ra dera e shtëpisë sime. Ishin tre të Sigurimit, të cilët të armatosur hynë brenda. Erdhën dhe më pyetën: Kush je ti? – Unë jam Diti Biçaku, iu thashë. – Në emër të popullit je arrestuar! Më vunë hekurat. Bënë një kontroll të imët nja një orë e ca në shtëpi, por nuk gjetën asgjë. Ashtu e lidhur u hodha sytë prindërve që po qanin me lot. U thashë të mos kenë gajle se unë isha pa faj e se do kthehesha prapë. Në ato momente nuk e di, por Zoti më dha forcë. Dola bashkë me ata të Sigurimit, të cilët ishin tre veta; njëri më rrinte majtas, tjetri djathtas e i treti përpara. I fola njërit që kisha në krah: Ku po më çoni? – Mos fol! – më bërtiti.

Thatë se ishte ora 12 e natës. Ku ju çuan?

Drejt e në qendrën e qytetit, ku është Sahati. Pastaj na drejtuan te burgu i ri (kështu i thoshin atëherë). Por kur dolëm te sheshi “Skënderbe” ishte mizëria me të burgosur. Rrugët ishin të mbushura me plot të arrestuar e drejtimi i të gjithëve ishte drejt burgut të madh. Të gjithë të burgosurit shoqëroheshin me nga tre të Sigurimit dhe kështu ne nuk mund të kthenim kokën as majtas, as djathtas që të shihnim njëri-tjetrin. Te burgu i ri pritëm shumë sepse nuk mbaronte radha e të burgosurve. Unë nuk e di në isha e fundit apo e parafundit. Kur më erdhi radha hyra te dera e parë. Një kërcitje e tmerrshme nga pas. Pas saj ishte një tunel shumë i errët që ndriçohej nga një dritë e zbehtë. Kaluam derën e dytë dhe pastaj më futën në një birucë. Biruca ishte pus. Nuk kishte fare dritë. Më lanë aty dhe i vunë llozin derës. Unë nuk e dija ku isha. Në atë moment u ndez një fije shkrepëse në mes të 5-6 vetëve që ishin të gjitha gra. Mes tyre ishte dhe Sabiha Kasimati. Ishte ajo që ndezi fijen e shkrepëses. Kush je?- më tha, se nuk shihej mirë. – Jam Diti Biçaku, iu përgjigja. Në vend që të më thoshte “obobo”…se më kishin arrestuar, tha “o shyqyr”, ngaqë i doli një e njohur në atë tmerr. Unë, Sabiha Kasimatin e kam njohur që kur kam qenë në Elbasan.

Sa kohë ju mbajtën në qeli?

Nuk e di, se nuk e kuptoje se kur ishte ditë e kur ishte natë. Ngaqë bënte shumë ftohtë u futa në dyshekun e Sabihasë dhe u mblodhëm të dyja për t’u ngrohur. Ajo ishte me temperaturë. Ndërkohë që po bisedonim kërciti dera. Erdhën ata të Sigurimit. U futën brenda dhe thirrën emrin e Sabiha Kasimatit. Sabihaja dridhej nga të ftohtit se ishte sëmurë. Unë hoqa pallton time të madhe dhe ia hodha në krah. Me atë pallto është pushkatuar. Doli Sabihaja. Pas pak erdhën dhe thirrën edhe emrin tim. Të dyjave bashkë na futën në një dhomë ku ishin dhe disa persona të tjerë. Ishin ata të hetuesisë. Na ulën në një tavolinë që ndriçohej nga një fener. Ishte Mehmet Shehu dhe ca që nuk i njihja atëherë, por tani i njoh. Mehmet Shehu përplaste dorën në tavolinë duke thënë: “Këto janë armike të popullit. Këto deshën të na përmbysnin pushtetin tonë popullor. Nuk duhet të kemi mëshirë për to, por t’u japim dënimin maksimal se e kemi fitu me gjak pushtetin popullor”. Në këtë moment unë dhe Sabihaja i shtrënguam dorën njëra-tjetrës dhe e kuptuam se ishim shumë në rrezik.

Çfarë ndodhi pas kësaj me ju dhe Sabihanë?

Pasi mbaruam aty na larguan nga dhoma. Pas pak dëgjuam zhurmën e një makine të madhe. Ajo makinë vinte gjithmonë aty e mbuluar. Edhe sot e kësaj dite zhurmën e makinës më duket se e dëgjoj. Erdhi makina te dera dhe i futën të gjithë të lidhur. As kokën s’e ngrinin dot. Ne nuk e mendonim kurrë se po i çonin për t’i pushkatuar, por mendonim se ata shpëtuan dhe po i lironin. Ne ishim të gjithë të pafajshëm. Erdhën dhe morën edhe Sabihanë që e hipën në atë makinë. Në atë moment ajo më tërhiqte që të shkoja me të. Unë doja të shkoja me Sabihanë, por një nga gardianët më tërhoqi dhe makina u nis. Me sa duket unë nuk isha në listë për t’u pushkatuar. Nuk e di si shpëtova, por në atë kohë pyesja o Zot, pse nuk shkova dhe unë me Sabihanë, sepse mendoja se atë e kishin liruar./ KultPlus.com

Një dasmë bamirësie për çiftin e pastrehë (FOTO)

Rosalyn Ferrer, 50 vjeç dhe Rommel Basco, 55 vjeç, nga provinca Pampanga në Filipine, jetojnë në një tendë të vogël me gjashtë fëmijët e tyre për më shumë se dy dekada.

Ata mbledhin mbetje plastike për të siguruar ushqimin. Dhe merak i çiftit pos një shtëpie më të mirë, ishte edhe një dasmë dhe ajo u bë më 13 shkurt dhe u quajt “dasmë bamirësie”.

Richard Strandz zotëron një sallon flokësh dhe u takua rastësisht me çiftin. Pasi dëgjoi historinë e tyre, ai bisedoi me miqtë e tij për t’i ofruar çiftit një paketë të plotë martese, transmeton KultPlus.

“Unë zbulova se ata të dy kanë jetuar së bashku për më shumë se dy dekada, por nuk kishin pasur mundësi të bëjnë një martesë të vogël. Unë u preka nga historia e tyre e dashurisë, kështu që kontaktova miqtë e mi që kishin një biznes dasmash dhe mendova t’i befasoja me një martesë bamirësie”, shprehet Strandz.

Për fotografitë magjepsëse të çiftit, Rosalynit iu dhurua një fustan i bardhë nusërie dhe Rommeli veshi një kostum klasik.

“Ne nuk kemi pasur kurrë para dhe përqendroheshim vetëm të nxirrnim ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë çdo ditë. Tani ndihem aq e bekuar për këtë që ka ndodhur. Unë jam shumë mirënjohëse”, shprehet Rosalyn.

Richardi dhe miqtë e tij do të paguajnë gjithashtu për ceremoninë martesore në kishë, për të cilën shpresojnë të mbahet më vonë këtë vit, pasi të kenë nxjerr letrat e tyre të martesës dhe pandemia të jetë zbutur. /a2news/ KultPlus.com

Janë përzgjedhë tetë aktorë rezident të Qendrës Kulturore “Artpolis”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka shpall rezultatet e konkursit për aktorë rezidentë të trupës së parë të pavarur artistike të përbërë nga aktorë dhe aktore, regjisore dhe koreograf.

Juria e përbërë nga Zana Hoxha – themeluese drejtoreshë e Artpolis dhe FEMART Festivalit, Robert Nuha, koreograf dhe Alzan Gashi, pianist dhe muzikant teatri, vlerësuan kandidatët për dans, teknikë zëri, improvizim dhe monolog.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se pas vlerësimit individual nga anëtarët e komisionit, aktorët e përzgjedhur për trupën e pavarur artistike të Artpolis janë: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi dhe  Zhaneta Xhemajli. /KultPlus.com

Projekti ‘’Gratë janë heroina’ hap thirrje për gratë, burrat e të cilave migruan gjatë viteve ’70 – 90′

“Gratë janë heroina” është projekti i cili po synon që në përmasa të mëdha të bëjë jehon në vendin tonë.

Ky projekt i cili tashmë është në fazën e parë të punës, ka hapur thirrje për gratë, burrat e të cilave u detyruan të migronin jashtë vendit nga vitet e 70-ta deri në vitet e 90-ta.

Do të intervistohen 50 gra nga vende të ndryshme të Kosovës të cilat do të tregojnë për jetën e tyre gjatë asaj periudhe. Përmes këtyre intervistave do të rrëfehet për vështirësitë që kanë hasur këto gra dhe në çfarë sfidash janë përballur ato në përkujdesjen e familjes pa prezencën e burrave.

Pasi të përfundojë intervistimi do të bëhet edhe realizimi i fotoportreteve të grave së bashku me një seri videosh të cilat do të përdoren për realizimin e një dokumentari që do të dëshmojë punën për këtë projekt.

Andaj të gjithë ju që njihni “gra heroina” që kanë kaluar këtë sfidë dhe mund të bëhen pjesë e projektit përmes rrëfimit të tyre, mund të lajmëroheni te Rina Statovci apo te Gaz Ejupi.  / KultPlus.com

Rikthim në traditë, me recetat dhe ritet e sofrës së moçme shqiptare: Bukë e kryp e zemër

Rikthimi tek rrënjët është pjesë e pandarë e secilit njeri, të gjithë herë pas here përpiqemi të rikthehemi pas qoftë edhe me kujtimet tona, ndërsa të tjerë përpiqen të shkojnë më tej, të hulumtojnë e të kërkojnë se cilat kanë qenë idetë, kultura, traditat, ritet madje edhe ushqimet që na përfaqësonin dikur e që me kalimin e kohës janë zbehur e deri zhdukur.

Eletra haxhiua ka hulumtuar pikërisht gastronominë shqiptare shkodrane e jo vetëm, për të rikthyer traditën që për shkak të kohës e modernizmit që përqafon çdo popull janë zbehur disi.

Në një intervistë në “Rreze Dielli” Elektra Haxhia Çapaliku rrëfen për një kohë tjetër, ndalet tek elementët tipik shqiptarë të kohës si mbrumja e bukës, harxhet, mullinjtë, sofra e dajlanet e peshkut.

Një libër me receta por jo vetëm, sjell në dimensione të ndryshme Shqipërinë të cilën e ka përmbledhur në një togfjalësh të thjeshtë “ Bukë e kryp e zemër” i cili I ka përfaqsuar gjithmonë shqiptarët.

Ritet e ndryshme që sot janë zbehur e deri zhdukur ajo i ka sjell në këtë libër, si shtrimi i një sofre:

“Unë e kam përshkruar pak a shumë aty, se si ishte kuzhina në shtëpitë e vjetra shkodran,e pa tavanë vinte direkt çatia dhe trarët, aty ishte oxhakum ku ndizej zjarri, dhe gatuhej  përvec se shërbente për ngrohje.  Nëpër trarët e tavanit, vareshin mishrat që ishin për tharje apo vargje qepësh. Dhe sofra që shërbente për të ngrënë shërbente njëkojësisht edhe për të gatuar” rrëfen ajo.

Ajo sjell rrëfime të një tjetër epoke, kohë kur ushqimi konsiderohej gëzimi I më I madh I festës, tregon për ushqimet që shërbeheshin në dasma e ritin e të thururit këngë për pilafin e japarakun:

“Duke ditur se në Shkodër jetojnë tre komunitete fetare, secili  ka ritet e veta dhe ushqimet që janë përdorur, kanë edhe dallimet e veta. Në rastin e dasmës duhet thënë që , varet edhe prej stinëve por duhet thënë që është përdorur mjaft mishi, sallatrat e stinës, dhe ajo që nuk ka munguar asnjëherë ak qenë pilafi me mish.Në pjesën e dasmave katolike i është kënduar edhe kënga në momentin që ka ardhur, që është shërbyer pilafi dhe kënga e japrakut. Të dyja këto kanë pasur këngë specifike” shprehet ajo.

Ëmbëlsira karakteristike e dasmave të asaj periudhë cilësohet Tespixhja:

“Dikur në Shkodër është përdorur tespixhja, është një ëmbëlsirë si tip sheqerpare, por unë nuk mund ta krahasojë, që është mjaft e tendosur, nuk është e fryrë por është e shërbetosur, ka shumë sasi gjalpi brenda dhe vezësh dhe prandaj është shumë e kushtueshme për tu gatuar, prandaj nuk gatuhej gjithmonë. por në Shkodër ishte ëmbëlsirë mjaft e përdoreshme dhe pastaj mbrapa vendin e saj e ka zënë bakllavaja, kadaifi etj” rrfëen ajo për gjetjet e punës kërkimore mbi gastronominë shqiptare. /shqiptarja/ KultPlus.com

‘As bukë, as brekë s’ju lanë, ju punoni e ata hanë’

Poezi nga Faik Konica

O të humbur shqiptarë
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhe ju hodhnë,
dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë,
prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorët t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu zemra shqiptare!

O shqipëtare barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
mrephni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

T’i frikësoni zuzarët
ç’i shuan shqipëtarët,

E ne vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni! / KultPlus.com

Shfaqja për fëmijë ‘Mik-Mik’ përsëri në teatrin ‘Dodona’

Në Teatrin “Dodona” po bëhen përgatitjet e shfaqjes për fëmijë  “Mik-Mik, e cila do të  shfaqet përsëri me datën 27.02.2021 dhe 28.02.2021, përcjell KultPlus.

Shfaqja është realizuar nën regjinë dhe skenarin e Kaltërim Balajt.

Në shfaqje do të luajnë Bashkim Ramadani dhe Rifat Smani,  ndërsa skenografia dhe kostumografia është  bërë  nga Vesa Bunjaku dhe muzika nga Memli Kelmendi.

Shfaqja “Mik-Mik”, flet për ujkun e  stepave, Kojoti, është shumë i uritur dhe dëshiron ta gjuajë zogun që vrapon, Mik-mik, përmes kurtheve dhe truqeve që Kojoti i shpikë, por fatkeqësisht për të, Mik-miku iu ikë pa problem kurtheve të Kojotit, ndërsa Kojoti bie në kurthet që i ka vendosur vetë.

Në këtë aventurë të ndjekjes dhe ikjes në mes tyre, ata e krijojnë një lloj miqësie dhe duket sikur nuk munden të rrinë pa njëri tjetrin. Kjo aventurë e re dhe e bukur për më të vegjlit, është me motive nga filmi i animuar “Roadrunner” dhe i dedikohet fëmijëve të moshave 3+. / KultPlus.com

366 filma në garë për ‘Oscar’

 Një total prej 366 filmash u kualifikuan për një nominim të mundshëm në kategorinë e Filmit më të Mirë për çmimin ”Oscar”, deklaroi Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

Këto përfshijnë “News of the World” me protagonistë Tom Hanks dhe Helena Zengel,  “Mank” të Herman J. Mankiewicz dhe dramën daneze “Druk”.

Ekzistojnë disa kërkesa për t’u kualifikuar për konkurrim në divizionin e lartë.

Filmat duhet të jenë më shumë se 40 minuta të gjatë dhe duhet të jenë shfaqur në një kinema në të paktën një nga gjashtë qytetet kryesore në SHBA para fundit të shkurtit.

Ndërsa kinematë janë mbyllur për shkak të pandemisë, Shoqata e Filmit Akademik me mbi 9 000 anëtarë ka bërë disa lëshime. / KultPlus.com

Momenti kur Rita Ora kishte mahnitur jurinë e ‘The Voice of Germany’ (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, para pesë vitesh kishte marrë pjesë në audicionet e fshehta në “The Voice of Germany”.

Në këtë emision, ajo kishte interpretuar këngën e saj “Your Song”, dhe juria ishte mahnitur nga zëri i saj.

Të gjithë anëtarët e jurisë kishin shtypur butonat dhe donin ta kishin në ekip. Por, diçka nuk kishte shkuar edhe aq mirë në këtë audicion.

Asnjë prej anëtarëve nuk e kishte njohur Orën, derisa ajo ishte prezantuar. Ata kishin menduar që është vetëm një konkurrente që i ngjasonte asaj. / KultPlus.com

Historia 2000-vjeçare e ushqimit më të famshëm italian

Italia, vendi i famshëm i artit të Rilindjes, Romës së lashtë, monumenteve të mrekullueshme, kolosëve të mëdhenj të kulturës, por edhe i një ushqimi të famshëm, picës.

Ngjyra, shija e aroma e bëjnë picën një nga gatimet më të dashura në botë. Nëse mendohet se pica filloi të përhapej si një fenomen global në shekullin XX, në fakt, ajo e bëri udhëtimin e parë përtej oqeanit, e më larg, para 2000 vjetësh.

Image

Rreth historikut dhe zanafillës së saj, studiuesit mendojnë se koncepti i përafërt me picën ka qenë i njohur që në kohën e grekëve të lashtë, por në një formë më të thjeshtë të saj, të quajtur “pissa” ose “pita”, çka në fakt mendohet të ketë ekzistuar në të gjithë Mesdheun.

Pra, “pissa” antike ishte bukë, herë e skuqur dhe herë e pjekur, ndoshta edhe me erëza mbi të.

Ushqimi u shfaq më pas si “pizza” rreth vitit 997 p.e.r.

Një dokument i gjetur në veri të Napolit tregon ndodhinë interesante se si një qiramarrës, premtoi t’i paguante pronarit të shtëpisë qiranë përmes mishit të derrit dhe picës. Ndërsa në shekullin XVIII, pica nisi të përhapej masivisht si një “ushqim rruge” dhe vizitorët në qytet filluan të flisnin për të. Mes njerëzve të famshëm të kohës, shkrimtarë, sundimtarë, kishte nga ata që e urrenin këtë ushqim dhe të tjerë që e donin shumë.

Image

Mbreti Burbon i Napolit, Ferdinand, thuhet se kishte ndërtuar një furrë me tulla në rezidencën e tij dhe ndonëse konsiderohej si një ushqim i të varfërve, ai e preferonte shumë. Histori shumë e njohur është ajo e mbretëreshës të Italisë, Margarita, që kur vizitoi Napolin më 1889, kërkoi të provonte specialitetin vendas. Asaj i ofruan tri lloje të ndryshme picash, ndër to njëra me domate, mocarela dhe borzilok. Mbretëresha mendohet se zgjodhi këtë, pasi i kujtoi asaj flamurin e Italisë, lindi kështu pica Margerita. Megjithatë, ishin emigrantët më të varfër të Italisë që e popullarizuan atë në të gjithë botën. Në fillim të shekullit XIX, pas emigrimit masiv nga jugu i Italisë në Shtetet e Bashkuara, sigurisht që emigrantët morën edhe recetat e tyre me vete.

Image

Në thelb, një picë e vërtetë napolitane bëhet me përbërës të thjeshtë: ujë, miell, kripë dhe maja, pa yndyra të shtuara ose sheqerna. Duhet të lihet për të paktën 12 orë dhe të gatuhet në një furrë me dru për 60- 90 sekonda. Por, ndryshime në recetën e saj ka pasur gjithmonë, edhe brenda Italisë, ku për shembull në Romë baza e brumit është më e hollë se ajo e Napolit. E në botë, ajo e ka kapërcyer recetën e saj origjinale italiane me përshtatje të reja dhe të çuditshme, nga picat me patate të skuqura e deri tek ajo me ananas në Havai. /a2news/ KultPlus.com

Image

Media franceze: Historia prekëse e kosovares, ish-kandidate për Miss Franca

Media franceze “Purepople” ka shkruar historinë e një vajze shqiptare, e ikur nga lufta e fundit në Kosovë gjatë vitit 1999, transmeton KultPlus.

Një ish-kandidate për Miss France, një refugjate lufte kosovare që ndau një histori prekëse të ikjes nga Kosova.

Kleofina shpërndau një postim mërzitës në Instagram disa ditë më parë. Ish-kandidatja për Miss France dhe “Pekin Express”, ku e kujtoj fëmijërinë së saj të kaluar në Kosovë para se të duhej detyrimisht të largohej nga vendi, në një kohë kohë lufte.

Ajo tashmë është një nga bukuroshet më të bukura dhe kërkuara në tregun e modelimit në Francë. Në vitin 2017, ajo përfaqësoi “Provence” dhe shpresonte të bëhej ambasadorja e re e Francës për vitin 2018. Sidoqoftë, të gjithë mund ta mos e dinë atë, por bukuroshja 26-vjeçare është lindur në Kosovë, më 23 korrik 1994, në Gjakovë të Kosovës. Por, si shumë familje, Kleofina u desh të linte tokat e saj amtare me familjen e saj me nxitim për shkak të luftës që shpërtheu në fund të viteve 1999. Me rastin e 13 vjetëve të pavarësisë së vendit, Kleofina ka dashur të ndajë historinë e saj me ndjekësit e saj në Instagram.

Për këtë rast, ish-kandidati i Pekinit Express zbuloi një foto, “një nga të paktat” që ka mundur të gjejë, që daton nga fëmijëria e saj në Kosovë, ku shfaqet së bashku me vëllain e saj të vogël Kresh. “1999 – Lufta në Kosovë. Një luftë e cila detyroi familjen time dhe unë të largoheshim nga vendi ynë brenda natës pa ditur nëse do të arrinim të dilnim të gjallë apo të ktheheshim një ditë”, tha ajo. filloi historinë e tij. Dhe, për të vazhduar: “Do të ishte një gënjeshtër të thuash,” Unë mbaj mend gjithçka “, por mbaj mend mjaft gjëra për të ditur se është një nga ndjenjat më të vështira që një njeri mund të durojë. E megjithatë ne ishim ndër ata me fat.” Në koha e largimit të madh, Kleofina nuk e bëri. Dhe në vend që të rritet në pakujdesi dhe pafajësi, zeshkania e bukur “ndihej në rrezik, tashmë shumë e pjekur dhe e brishtë”. Prandaj është në Francë që ajo gjeti strehë me familjen e saj, “një vend që na adoptoi, na shpëtoi dhe që na lejoi të rindërtojmë gjithçka nga zero”.

Kur jam në Francë, zemra ime është në Kosovë

Nëse largimi nga Kosova ishte një nga sprovat më të vështira të jetës së tij, ajo përsëri e lejoi atë të arrinte ëndrrat e tij më të egra. Sepse me të vërtetë, në Francë, Kleofina ka bërë emër për veten e saj duke u bërë Miss Provence për një vit, por edhe duke filluar projekte që i ishin dashur për zemrën e saj, siç ishte dalja në treg e albumit të saj të parë, në “ngulitja e shpirtit” , siç u besoi në rrjetet e saj sociale. Por Kleofina mbetet shumë e shënuar nga plagët e së kaluarës. “Unë jam me fat që këtë vend ta quaj vendi im. Por me mendje larg mendoj se një refugjat lufte nuk do të ndihet kurrë më në shtëpi askund më. Kur të jem në Francë, zemra ime është në Kosovë dhe kur jam në Kosovë zemra ime është në Francë”, është shprehur ajo.

Kloefina e përmbylli mesazhin e saj duke nderuar Kosovën për vitin e saj të 13-të të pavarësisë dhe duke u bërë thirrje përdoruesve të Internetit për këtë temë.

“Një pavarësi më shumë se e merituar, e cila ka kushtuar jetën e shumë njerëzve të pafajshëm… Shumë nuk e dinë ende se ku është gjeografikisht ky vend, por unë do të doja, nëse kjo është rasti edhe për ju, që të shkoni ta shikoni në Google Maps. mattersshtë shumë e rëndësishme për mua, sepse pa marrë parasysh se sa i pavarur e quan një vend vetë, ai duhet të jetë i pavarur edhe në sytë e të tjerëve. Shumë vende nuk e kanë njohur atë ende si të tillë, dhe se pavarësisht nga duke kaluar vite, përkundër masakrës … Kosova nuk është Jugosllavi, nuk është Serbi, është Kosovë; një vend i pavarur sot dhe përgjithmonë”.

Historia dhe dëshmia e saj preku shumë shoqërinë franceze, të cilët komentuan masivisht, në një mënyrë dashamirëse, dhe duke i dhënë mbështetjen e tyre të plotë. /albinfo/ KultPlus.com

SHATK me kërkesë për MKRS-në: Të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka publikuar një kërkesë ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik jo-legjitim të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni kërkesën e plotë të SHATK.

Kërkesë ndaj MKRS për ndalim të procesit të përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik jo-legjitim të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Datë: 26 shkurt 2021
Ref: K-02/21

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me shqetësim ka pranuar lajmin përmes mediave, se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik të këtij Institucioni përkundër faktit që ky proces në thelb bie ndesh me Ligjet në fuqi.

SHATK edhe asokohe kërkoi Anulimin e procesit për shkak se Ministria e Kulturës po hap konkurs për një pozitë që nuk ekziston, ndërkohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës duke u bazuar në po të njejtin konkurs po vazhdon me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik, pra për pozitën për të cilën nuk është hapur konkursi.

SHATK thekson se:
Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës në Konkurs si : “Drejtor Artistik”.
Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik.
Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK.

SHATK kërkon qe në mënyrë urgjente Ministria e Kulturës ta ndalojë këtë proces, i cili bazohet në një konkurs jo-legjitim. Kërkojmë nga Ministrja e Kulturës znj. Vlora Dumoshi, që menjëherë të merr masa dhe ta ndalojë këtë proces të dëmshëm për Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Me respekt,
Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës:
Armend Smajli
Erson Zymberi
Faris Berisha
Kushtrim Koliqi
Rebeka Qena. / KultPlus.com

Fjalimi madhështor i Fishtës në Konferencën e Paqes: Pushtuesit nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë

Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.

Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.

Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.

Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.

Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë.

Por çka se, simbas teorisë uilsonjane (të presidentit amerikan) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete, përpos kombësisë, duhet të mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar?

Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrenë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni:

“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Botën mbarë në zi do ta mbështillte. – Të flegruem droje shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, stuhi bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo besa, por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbreda Greqisë kundra elementit turk.

Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar.

I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.

Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku , si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë

  1. a) barbarë,
  2. b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
  3. c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun…

Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe europjane, kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, – e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; – po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme?

Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato garanci që ka pasë kombi shqiptar.

Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.

Asht gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte lexohen këto fjalë: Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit: “… Il prezzo qualcuno accetta del’ucciso figlio o del fratello; e l’uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri vrasjen – fyerjen e parë.)

Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por “jo!” thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej faktoreve të jashtëm, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetetë! – se poezia popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.

Përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, – sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë qenë shtet më vete. Por edhe po e zamë se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin bash mbrenda kufijve të vet.

E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?

Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktoreve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue. E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë.

Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar.

U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj… E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.

E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.

Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.

Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “Histoire et descriptions de la Haute Albanie”, ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.“ Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.

Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë

  1. a) për nji pamvarësi politike;
  2. b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e pamvarësisë.Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me përgjakje arma e armikut. – Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skutë toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.

Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet.

Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.

Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë:

“Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar.

Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare.

Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit.

Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qindra e mijëra vëllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.

Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.

Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci – asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”

Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.

Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë që me 24 nandor 1880 thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë…” Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull!” / KultPlus.com

Sot është datëlindja e Adem Demaçit

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com

91-vjeçarja që shndërroi fshatin e saj në Galeri Arti (FOTO)

Arti gjithmonë ka mahnitur njerëzimin, pasi artisti ka ditur gjithmonë të shfaqë kreativitetin në mënyra të ndryshme e të veçanta, shkruan KultPlus.

Kohët e fundit, në rrjete sociale ka qarkulluar gjithandej arti i Agnes Kasparkovas, një 91-vjeçare çeke, e cila një fshat të vogël e ka shndërruar në Galeri Arti.

Kasparkova ka zgjedhur ngjyrën e kaltër për të zbukuruar muret e shtëpive të këtij fshati.

Më poshtë përmes fotove mund të shihni artin e 91-vjeçares. / KultPlus.com

Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare që u pushkatua nga regjimi komunist

Historia shqiptare numëron qindra gra të cilat lanë gjurmë të mëdha në fusha të ndryshme të shkencës, artit dhe jo vetëm. Shumë prej tyre ranë pre e regjimeve të ndryshme fashiste e komuniste, mirëpo veprat e tyre jetuan e vazhdojnë të jetojnë për të mos u harruar kurrë, shkruan KultPlus.

Ndër gratë që lanë gjurmë në fushën e shkencës, ishte edhe Sabiha Kasimati e cila ishte biologe. Kassimati u pushkatua pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike. Ajo u arrestua më 20 shkurt të vitit 1951 dhe u pushkatua dy ditë më pasë pa iu dhënë rasti as të dal para gjyqit. Ndërsa akuzohej se ishe kundër regjimit komunist dhe se mbante lidhje me armiqtë e vendit.

Sabiha e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabiha mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.

Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës.

Më 28 janar të vitin 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme.

Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948, mbledhja e radhës e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Sabiha Kasimati. Gjatë vitit 1950 në listën e “anëtarëve të rregullt” të Institutit nuk figuron emri i Sabiha Kasimatit.

Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955 nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakoëa, si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka. Në regjimin komunist përvetësimi i punës intelektuale ishte një fenomen që ndodhte. Sabiha dha kontributin e saj për shkencën shqiptare me punën për Muzeun e Shkencave dhe monografinë “Peshqit e Shqipërisë”.

Në 60 vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit. / KultPlus.com

Faqja zyrtare e Eurovisionit publikon fotografitë e Anxhela Peristerit me veshje kombëtare

Këngëtarja e njohur shqiptare, Anxhela Peristeri, do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në “Eurovision”.

“Karma” është kënga që është përzgjedhur fituese në Festivalin e RTSh-së dhjetorin e kaluar, dhe e cila do të jetë prezantuese e shtetit shqiptar në festivalin evropian.

Peristeri ka realizuar edhe disa fotografi me motive këngëtare, që do të bëjnë edhe më mirë prezantimin e këngës.

Faqja zyrtare e “Eurovision”-it në Instagram i ka publikuar këto fotografi të këngëtares shqiptare, duke i ndarë me ndjekësit e saj të shumtë.

“Shikoni këto fotografi mahnitëse të Anxhela Peristerit, ndërsa ajo u bën dedikime shqiptarëve në të gjithë botën”, kanë shkruar faqja zyrtare e “Eurovision”-it. / KultPlus.com

Shikoi filma me përmbajtje erotike, Kim Jong-un dënon adoleshentin

Regjimi i Koresë së Veriut po rrit kontrollin mbi popullsinë e vendit, në një ofensivë të nxitur nga një ligj shtypës i miratuar në fund të vitit të kaluar.

Rasti më i fundit që tregon qëllimin e valës së re të shtypjes nga diktatura Kim Jong-un ndodhi në fillim të këtij muaji, kur një adoleshent u internua në fshat së bashku me prindërit e tij pasi u kap duke parë filma me përmbajtje erotike në shtëpinë e tyre në Sinuiju, një qytet i rëndësishëm i vendosur në kufirin me Kinën.

Siç raportohet nga DailyNK, adoleshenti po shikonte një video pornografike natën vonë kur prindërit e tij nuk ishin në shtëpi.

Ai u kap gjatë një inspektimi të befasishëm nga një taks forcë e krijuar për të monitoruar sjelljen “devijante”.

Norma përcakton dënime nga 5 deri në 15 vjet punë në ndonjë vend, por në rastin e adoleshentit, dënimi ishte internimi i tij.

Ligji parashikon gjithashtu gjoba prej 100 deri në 200 dollarë amerikanë për një krim të shkaktuar nga “arsimimi i papërgjegjshëm” i të miturve dhe urdhëron që e gjithë familja të zhvendoset në fshat si ndëshkim. / KultPlus.com

Viktor Hygo, humanisti që skaliti me shkronja zjarri fatet tragjike të kohës

Nga Albert Vataj

Prologu

Krejtçka na lidh me Viktor Hygoin, këtë personalitet të njimendtë të letërsisë, është ajo afri delikate e një shpirti rrapëllitës, i një pene tragjike që predikoi humanizmin si fe e gjithëkohësisë. Akti i krijimit, u shugurua prej tij si shërbesa e perëndishme e romantizmit. Ai u lind më 26 shkurt të vitit 1802. Franca e stuhishme priste atë që do të prekte zenitin si poet, dramaturg, novelist, eseist, artist vizual, burrë shteti, Viktor Hygoin, deshtazi, aktivistin e zellshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut. Përpos të gjithash, ligjëruesin buzëhollë, poetin e patëdytë, vazhduesin e spikatun të romantizmit.

Në galerinë e veprës, përcjellim kjartësisht si figurë qendrore njeriun e mitizuar në Sizif. Ngarëndi për të rrëmuar mes rrënojave të kohës, e për të ç’burgosur së andejmi Golgotën e mundimshme të njeriut që gjen tek sekush, për ta vendosur atë gjithnjë mes rrëfimtarëve ngadhnjyes dhe përjetuesve fatkeq. Tipat, karakteret, figurat, episodet, etapat, datimet dhe rëndiet historike, janë jo vetëm lënda e parë e asaj përmendore shtatlartë, por edhe brumi i një doktrine që me romantizmin dhe me emrin e Viktor Hygoit, kërkuan dhe përftuan përjetësinë.

Edhe sot ndërsa matim kohën tone, në këtë turravrap të çmendur përnga zdiseku, përgjojmë pa shumë qëmtesë, praninë mes nesh të personazheve që skaliti mendja, zemra dhe pena e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shkullit XIX, këtij dishepulli të njimendtë të romantizmit. Në këtë 214-vjetor të lindjes së Viktor Hygoit, pakkush ka mbetur jashtë asaj bote ngjethëse që sendërtoi ai me landën e një vullkani. Kurrkush nuk bitisi atë realitet cingëritës, atë univers ku hovte një mllef dhe si një llavë flatëron gjithëkohësinë e gjëmimeve të brenshme të çdo shpirti. E gjithë kjo për t’i dhënë përmasat e qiellit vullnesës për të drejtë dhe liri, dinjitet dhe dashuri. Vepra, personazhet dhe trillet e një ngulmi reagues, u bënë udhërrëfyes të rëndjes së gjatë të një kreature letrare të tjetërqyshtë, që do ta ngjiste shumë shpejt të zotin e saj në fronin e famës.

Gjithëkjo ka në thelb njeriun, atë brenda dhe jashtë nesh, atë më fatkeqin në kohësinë e vet. Hygo e trajton njeriun në një mënyrë të tjetërsojtë nga sa e kishin mëtuar dhë qenë rrekur mbamëndjet kohore letrare të deatëhershme. Veçmas kur gjen shteg dhe depërton në brendinë e tij të mistershme, mëdyshjet që ka njeriu rreth zgjedhjeve në jetë, konfliktin që gjallon në vetëdije, dhe metamorfoza që e përndjek në të gjithë hapat në të gjallë.

Ai sheh anën vlertë të qënies, qëllimshëm për të nxjerrë që andej të virtytshmin. Nuk resht së lartësuar i shpirtin dhe dhimbjen, ndërgjegjes i jep kahje hyjnore duke e naltësuar dhehimnizuar këtë krijesë si gjithnjë të njëmendtë në mirësi. Sipas shkrimtaritnjeri mund të bëhet i madh, i urtë, i dobishëm për shoqërinë, pavarësisht sesika qenë ai më parë. Ai depërton më në thellësi, ndoshta shumë më shumë sekishte mbërritur tjetërkush më heret.

Lindja dhe rritja e një miti

Viktor Marie Hygo u lind në provincën Besanccon më 26 shkurt 1802 në Francë. Ai ishte i biri i Leopold-Sigisberg, një gjeneral i ushtrisë së Napoleonit dhe u inkurajua nga e ëma, Sofia Trebuchet, në kultivimin e talentit të tij letrar pranë oborrit të Burbonëve në Francë. Në moshën 18-vjeçare u bë i njohur dhe i rëndësishëm falë fitores në një konkurs kombëtar poezie dhe emri i tij tashmë u shënua në qarqet intelektuale franceze të kohës. Kjo famë e menjëhershme i siguroi atij mbështetjen nga familja mbretërore, për shumë vargje të krijuara prej tij në raste zyrtare. Në moshën 23-vjeçare hyn në Legjionin e Nderit. Ndërkohë, në vitin 1926 nxjerr për botim vëllimin poetik “Ode e balada”, në të cilat për herë të parë del në pah përjetimi mbi figurën e Napoleon Bonapartit dhe në mjedisin teatral drama “Kromuell” në 1927-ën, është vepra që e shquan atë drejt romantizmit.

Me parathënien e kësaj drame, Hygo propozon ndarjen nga norma klasiciste e harmonisë Kohë dhe Vend dhe mbështet me forcë dykuptimësinë historike në aksionin skenik. Kjo parathënie kthehet në një lloj manifesti letrar për francezët e kohës dhe deklarata e tij shquhet për ngjyrat dhe bindjet e tij të thella romantike. Në vitin 1823, teksa ishte martuar me Adele Foucher, martesë nga e cila pati katër fëmijë, por që pas njohjes dhe marrëdhënies dashurore me Juliette Drouet, mikesha e tij për 50 vjet me radhë, të cilës i ka kushtuar një epistolar të panumërt ndjenjash, ai ndahet përfundimisht prej gruas së tij. Në vitin 1830 u prezantua për herë të parë vepra teatrale “Hernani”, i cili provokoi një mosmarrëveshje, që solli ndërprerjen e ridhënies së shfaqjes në sallën e Komedisë Franceze. Një vit më vonë u publikua në shtyp vepra “Notre-Dame de Paris” (“Katedralja e Parisit”), e cila bën që nga ky moment shkrimtari i madh t‘i kushtohet teatrit romantik. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi shumë nga dramat e tij historike si “Mbreti dëfrehet” (1832), “Lukrecia Borgia” (1833), “Engjëlli tiran i Padovas” (1835), “Rui Blas” (1838) etj. Vdekja e vajzës së tij, Léopoldine, dhe mossuksesi i dramës “I Burgravi”, i cili e bëri të heqë dorë përfundimisht nga teatri, ndërprenë për një periudhë dhjetëvjeçare aktivitetin e tij letrar.

Pavdeksimi i personazheve

Viktor Hygo krijoi novela dhe poema, të cilat përfshinin çështje të epërme dhe vorbulluese, ato politike dhe filozofike të historisë së asokohëshmes. I trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, dritëpamësi dhe fondament. Ai shtjellon me një stilistikë aspak të mërzitshme edhe pse shpesh ndalet në detaje që dlirin dyshimin në trill dhe mishërojnë çdo çast me shkëlqimin e vet të ngrysët dhe trishtimin pikëllues. Gjithmonë në këtë lojë ligjëruese, ka ndopak andje dhe hir për tu përfshirë, gjithëpoaq ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajtonme aq mjeshteri Viktor Hygoi. Mjafton vetem një sentencë që ka fuqinë e një bërthame shpërthimi brendie, që të ngas me forcën dhe magjinë e një Circe dhe të përfshijë në vorbullën e përjetimit.

Për formësimin e një botëkuptimi letrar, përvoja me kryeveprat e shkrimtarit të madh, “Njeriu qëqesh”, “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”, është kryekëput një ndikesë për nga përfundimet dalldisëse, të cilat lënë në gjurmëne kohës dhe në përcjelljen kundruese, gjurmë që drithërojnë. Gjithsesi këto tre vepra, dhe jo vetëm, ishin njëkohësisht dhe pasaporta ndërkombëtare e Hygoit. Mbeten sakaq emblematike për galerinë e shkrimtarit. Njëherash janë realitete letrare që paraprijnë në yshtjen e stuhishme drejt kreut këtë penë. Kohësia e këtyre veprave mëtoi në sentimentet e një qëmtese kushtruese. Pas personazhevetë skalitur me daltën e këtij dimensioni të gjithmonshëm letrar, asohere kur u botuan spariherë, u bënë yshtje e netëve pagjumë. Në të sotmen e përgjithkohë, mbeten të jashtëzakonshëm. Kuazimodo, Guinpleni dhe Gavroshi janë të përjetime që e bashkëshoqërojnë njeriun atëkohë e sot. Kumti i tyre ishte, është dhe mbetet në kohësinë e gjithë shtresime shoqërore, një shkundje nga themelet, një ndërmëndje që udhëton dhe jeton me elemnetin thelbësor të jetësores, njeriun, asohere, tash e në të përgjithmonshmen. Manteli që veshi këto personazhe është reja e zezë që noton edhe në qiejt modern, duke gërmushur me nervin e hakërrisë paqen e rrejshme sociale, patosin dhe shtrirjen jargavitëse ndjesore.

Viktor Hygo diti dhe ia doli t’i ikte modeleve të pështira dhe melankolike që mëkoi shpirtin kumtues të asokohjes së tekstshkruesve. Nuk hezitoi të hidhej në rrapëllimën e kohës, të përballet fyta-fytas me peripecitë, me jetësoren gjithnjë në zgrip të personazheve, për ti shndrruar ato hove në shkëndija të qenësishme të ndryshesave epokale historike.

Kreatura shkrimore dhe padyshim thellësisht ndjesore, arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika tek tragjedia, nga zakonet tek satira politike, nga romani historik e social tek themelimi i një doktrine, duke ngjallur kësisoj një lloj njëmendësie të patjetërt evropiane.

Në kacarritjet drejt apogjeut të shkrimtarit, nga shumësia e faqeve që mëtojnë atë dhe veprën lexojmë se: Më 1827 do të merrte jetë një prej regëtimeve tekstshkruese të allasojta. Në këtë sprovë Hygoi orvatet të shtjellojë dramën historike për teatrin Kromuell, vepër e cila u konsiderua si manifestimi i teorive të reja romantike. Më 1843 mbytet e bija Leopoldinë dhe bashkëshorti i saj, lajm me të cilin shkrimtari u njoh nëpërmjet gazetës Siecle (Shekulli). Kjo humbje dhe rrëzimi me “I Burgravi”-n 1845, zymëtia që do ta mbanin qiellin e tij letrar për dhjetë vjet në natë ferri. Më 1848 Hygo e sheh veten si deputet në Asamblenë Konstitutive. Grushti i shtetit më1851 do të kurorëzonte në pushtet Napoleonin e III duke e vënë këtë në një pozitë duale. Lekundjet në politikë dhe qëmtesat oponente, nga njëra anë, reagimet që mbartnin zemëratë për regjimin, nga kahu tjetër, e detyruan të arratiset në ishullin Guernsey, ku jetoi me vragën e mërgimtarit 15 vjet. Këto vite i dhanë Hygoit statusin e babait të atdheut në mërgim. Sakaq kyçet një etapë me kontraste të forta për tu hapur një tjetër, e cila merret meformësimin e figurës së tij mitike, si poet dhe në të mëvonshmen, dorzania në traditën historike letrare. Sakaq është në fillesat e saj rëndia drejt famës, e cila ndiqet kronologjikisht me satirën “Napoleoni i vogël”, (1852),”Ndëshkimet” (1853) në vargje, për të vijuar me ndikesat humanitare te “Mendimet” (1856) dhe me ” Legjenda e shekujve”. Në këtë Viktor Hygo përshkoi mespërmes historinë e njerëzimit nga gjeneza deri në shekullin e XIX, trepjesësh që u mundësua për publikun, respektivisht(1859-1877-1883).

Në këtë të gjallë të tij përplot vrull letrar dhe kumte veshpërthyese do të merrni jetë kryeveprat e përbotshme “Të mjerët”(1862), “Punëtorët e detit” (1866), dhe “Njeriu që qesh”(1863). Këto kapërthime në lartësitë e krijimit do të përziheshin me një radhë fatesh të kobta që i krisën zemrën.

Romantizmi, rrymë letrarë që ushqeu me vetveten, Hygoi, ishte një lëvizje komplekse shpirtërore dhe kulturore që prodhoi një rinovim të thellë në letërsi, në art dhe në mendim, në politike dhe në zakone. Ishte në kryeherën e vet, një vullnesë për të ndryshuar, një rrjeshtim i zëshëm për të dëshmuar dhe për të mëtuar vetvetes dhe botës, kjartazi, gjithëkohësisë, të drejtën për të rendur gjithnjë përpara, për njeriun, brenda, thellë brendatijë. Romantizmi u zhvillua nga ai mutacion i shijeve dhe i ndjeshmërisë që u verifikua në Evropë në fund të shekullit të XVII, erdhi si domosdo dhe dishepull.

Mes poeteve të rinj të përfshire në rrymën e romantizmit spikaste Viktor Hygo, që atëherë ishte 25 vjeç. Në publikimet e tija lirike,diçka rreth 50 mije vargje, manifestohet Hygoi i rinisë dhe i theksimit të romantizmit, idhull i gjeneratës së re në vargjet shpreh brendësinë eshpirtit. Kumti i Hygoit shfaqet në mënyrën e trajtimit të materialit historik konkret. Ai bëhet mbrojtës i madh i të drejtave të njerëzve dhe shpreh “revoltëne shpirtit” për shtypjen e padurueshme të popullit të thjeshte. Hygoi kjo ajkë e këtij sistemi vlerash përfaqëson një sinteze fatesh të shekullit XIX. Krejt në mënyrë të beftë do ta shihte veten në shtjellën e “militantëve romantikë”, të cilët grupohen për ti dhënë shpirt drejtësisë, revolucionit.

Epilogu

Ai ishte dhe mbeti përjetuesi dhe kumtuesi më i pashoq i personazheve emblematike, jetëve dhe fateve të përgjithmonshme. Ata ishin në kohën e tij, në të atyren, në tonën, dhe ne do ti lejojmë të jenë të gjithkujt, jo vetëm si portrete, si personazhe, si ai, ata, ato që kemi njohur, nga Guimplen te Gavroshi, nga Kuazimodo te Tribuleti, nga Dea te Ursusi, nga Esmeralta te Xhoziana. Kuazimodot janë dukshëm në tashmën moderne teksa mëtojnë deri në plotësinë e personazhit që Hygoi e vendosi në shumëkohësi. Kjo ndoshta jo dhe aq nga ndonjë yshtje prej orakulli se sa një përkim ojnak që realitetet mveshin në të tashmen e tyne në gjithëkohësi. Përplotëson vetëvetja e epokës hygoiane, me Gavroshin që spërkat dhe njollos shkëlqimin mondan të qendrave urbane dhe ngrihet në kultin e periferisë, nën këmbët e vërshimit të një botë që ka në filozofinë e vet bërjen e maskave dhë çjerrjen e fytyrave, në një farë qasje prej Guimpleni.

Ndryshe nga pararëndës dhe passhkues, ai nuk ishte tragjik, thjeshtë jeta tek-tuk e çukiste me rrufe kreshtën e tij të fatit, përzhitje të cilat ai nuk i fshehu, përkundrazi i bëri limfë përmbajtësore të veprës. Viktor Hygo mbylli sytë më 22 mars 1885 në shtëpinë e tij në Paris. Trupi i tij uv endos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë më shumë se dy milionë persona të ardhur nga çdo cep i Francës. Ishte dhe mbeti për shumë kohë një ceremoni lamtumire madhështore, si e meritonte Viktor Hygoi. Iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i përgjithmonshëm. / KultPlus.com

Ava Max publikon videoklipin e këngës së fundit (VIDEO)

Ava Max ka publikuar videoklipin e këngës “My head and my heart”, shkruan KultPlus.

E shfaqur me stilin e saj të veçantë të flokëve dhe me veshje ngjyrë të zezë dhe të kuqe, Max ka sjellur për fansat e saj videoklipin e këngës, e cila ishte publikuar më parë.

“My head and heart” ishte publikuar në versionin audio para 3 muajsh. / KultPlus.com

Emina Çunmulaj e bën me shtëpi një familje: Njerëzimi është fuqia jonë

Modelja shqiptare, Emina Çunmulaj është e njohur për zemërgjerësinë dhe bamirësinë e saj, shkruan KultPlus.

Së fundmi, ajo ka shpërndarë në rrjete sociale një video, në të cilën shihet se Çunmulaj në bashkëpunim me fonacionin “Fundjavë ndryshe” e kanë bërë një familje me shtëpi.

“Zemra ime është e plotë kur shoh dhe e di që edhe një familje tjetër do të flejë në një vend të sigurt. Çdo fëmijë kudo në botë meriton një shtëpi të sigurt dhe të rehatshme”, ka shkruar Çunmulaj.

Tutje ajo ka falenderuar bashkëpunëtorët e saj, teksa në video shihet jetesa e mëparshme e familjes dhe pamje nga shtëpia e re.

“Njerëzimi është fuqia jonë më e fortë”, ka thënë modelja.

Për fund, ajo ka bërë thirrje për bashkim në këtë iniciativë. / KultPlus.com

Aktoret e famshme që nuk harrohen kurrë

Aktorët përveç veçantisë së interpretimit artistik secili në mënyrën e vet, krijojnë edhe një lidhje emocionale për periudha të ndryshme kohore me publikun, duke lënë kështu gjurmë në mendjet e tyre.

1.Audrey Hepburn

Hepburn është një aktore britanike. E njohur si ikonë e filmit dhe modës, ajo u rendit nga Instituti Amerikan i Filmit si legjenda e tretë më e madhe e ekranit në mesin e aktoreve nga Epoka e Artë e Hollywood-it dhe u fut në Listën për veshjen më të mirë ndërkombëtare. Aktorja është e njohur për filmat e saj “Breakfast at Tiffany’s”, “Sabrina”, etj. Audrey Hepburn ka vdekur në moshën 64 vjeçare në vitin 1993.

2. Merly Streep

Mary Louise “Meryl” Streep është një aktore dhe këngëtare amerikane. Shpesh e përshkruar si “aktorja më e mirë e brezit të saj”, Streep është veçanërisht e njohur për shkathtësinë dhe thekset e saj. Aktorja është e njohur për filmat e saj “Devil wears Prada”, “Mamma Mia”, “Julie&Julia”, “The Post” etj.

Aktorja është fituese e shumë çmimeve, ndër to “Best Actress Academy Awards 2004” dhe e “Golden Globes 2017”.

3.Sophia Loren

Sofia Villani Scicolone Dame Grand Cross OMRI, e njohur profesionalisht si Sophia Loren është një aktore italiane. Ajo u emërua nga Instituti Amerikan i Filmit si ylli i 21-të më i madh i Kinemasë klasike të Hollywood-it.  Loren ka fituar pesë çmime Golden Globes, një çmim në Grammy Awards, etj.

Ajo është e njohur për filmat e saj “Two Women”, “Marriage Italyan Style”, “Yesterday, Today and Tomorrow”, etj.

4. Julie Andrews

Dame Julie Andrews DBE është një aktore, këngëtare dhe autore angleze. Me një karrierë që shtrihet në shtatë dekada, ajo ka qenë marrëse e disa vlerësimeve, duke përfshirë një Çmim të Filmit të Akademisë Britanike, një Çmim të Akademisë, dy Çmime Emmy dhe tre Çmime Grammy.

Aktorja njihet për filmat e saj “The Princess Diaries”, “The Sound of Music”, “Victor/Victoria” etj.

5.Brigitte Bardot

Brigitte Anne-Marie Bardot, shpesh e përmendur me inicialet e saj BB, është një aktiviste franceze për të drejtat e kafshëve dhe ish-aktore dhe këngëtare. E famshme për portretizimin e personave të emancipuar me stilet e jetës hedoniste, ajo ishte aktiviste për të drejtat e njeriut.

BB është e njohur për filmat “And God created Woman”, “Contempt”, “Viva Maria” etj. /op/ KultPlus.com

134 vite nga lindja e albanologut austriak, Norbert Jokl

Norbert Jokl, albanolog austriak me prejardhje hebreje, gjuhëtar dhe mik i madh i shqiptarëve lindi 134 vite më parë, më 25 shkurt 1887. Jokl njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë.

Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave. Kalvari i Joklit zë fill në maj të vitit 1938, atëherë kur nacionalistët e ekstremit të djathtë nazist nisën ta persekutonin e t’i mohonin të drejtat profesionale.

Jokl u përpoq të gjente një punë jashtë vendit, por kjo ishte gjithashtu e kotë. Shansi i tij i fundit ishte një pozicion bibliotekar që u krijua për të në Shqipëri me një pagë mujore prej 600 frangash shqiptare.

Prifti françeskan dhe shkrimtari kombëtar shqiptar, Gjergj Fishta, ndërhyri përmes një letre, të datës 23 shtator 1939 dërguar Francesco Jacomoni, nën-regjent në Shqipëri, për të kërkuar që Italia të ndërhynte me Rajhun e Tretë në mënyrë që të lejonte transferimin e Jokl në Shqipëri.

Vetë Jokl dëshironte të emigronte në Shqipëri. Sidoqoftë, as përpjekjet e Gjergj Fishtës, as ato të Carlo Tagliavini, një profesor i Universitetit të Padovës, dhe as thirrja e Galeazzo Ciano, Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, nuk ia dolën ta marin lejen e nevojshme që Jokl të emigrojë në Shqipëri.

Në një nga kërkesat e tij, ai gjithashtu kërkoi leje për të marrë bibliotekën e tij, por u kundërshtua nga Dean Christian, i cili ishte shumë i interesuar të mbante koleksionin e gjerë të Jokl në Universitet. Biblioteka e Jokl gjithashtu përmbante veprën e tij jetësore dhe shtesat e shkruara me dorë të fjalorit shqip nga Gustav Meyer.

Pas një pune të zellshme dhe të pandërprerë botoi veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Ëortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj.

Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Gustav Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.

Fundi i jetës së tij ishte tragjik. Ai u arrestua nga Gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij. Si datë e vdekjes së Norbert Jokl konsiderohet 6 maji i vitit 1942. / KultPlus.com