Sot vdiq regjisorja Burbuqe Berisha në moshën 51-vjeçare.
Për vdekjen e regjisores kanë reaguar figura të shumta publike, të cilën shprehën pikëllimin e ngushëllime për vdekjen e saj.
Ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook theksoi se regjisorja Berisha la pas vetes një krijimtari të pasur filmike e teatrore.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të ministrit Çeku.
Lajm i trishtë. Burbuqe Berisha iku para kohe. La pas një krijimtari të pasur filmike e teatrore. Ishte personalitet i veçantë i kulturës. Frymën e fundit e dha në Ministrinë e Kulturës. Kishte ardhur për punët përgatitore të koncertit të Operas, po e bënte regjinë e koncertit.
Ngushëllime familjes, komunitetit artistik dhe gjithë shoqërisë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Buqes. /KultPlus.com
Prishtina Vocal Fest mbrëmë ka ndarë çmimet e konkursit per kompozitorët e rinj për vepra korale, përcjell KultPlus.
Vlerësimi i këtyre veprave të kompozitorëve është bërë nga juria profesionale e përbërë nga: Baki Jashari, kompozitor dhe dirgjient; Edon Ramadani, dirigjent; si dhe nga Kushtrim Gashi, kompozitor dhe dirigjent.
Ndërkaq, çmimet e ndara janë si në vijim:
Çmimi i parë, 500.00€ – Ersan Januzi me veprën MBASE
Çmimi i dytë, 300.00€ – Fjolla Gashi me veprën ZGJIMI
Çmimi i tretë, 100.00€ – Leutrim Sahiti me veprën ATDHEU.
Festivali i Teatrove në qytetin e Ferizajit i cili tash e sa kohë është shndërruar në traditën më të njohur kulturore të këtij vendi, mbrëmë ka përfundur edhe edicionin e sivjetëm, me ç’rast u ndanë edhe çmimet për pjesëmarrësit në këtë Festival, përcjell KultPlus.
Ishte shfaqja ”Provo edhe një herë, Sam” me regji të Ilir Bokshi, shfaqje kjo nga Teatri ”Bekim Fehmiu” në Prizreni, e cila u shpall fituese e çmimit për shfaqjen më të mirë.
Më poshtë, gjeni listën e plotë të fituesëve të çmimeve të këtij festivali.
Çmimi i jurisë së gazetarëve: Ernest Malazogu.
Çmimet e jurisë profesionale: Kostumografia më e mirë: Mentor Berisha, Kosovo for Dummies, Teatri i Gjilanit.
Skenografia më e mirë: Petrit Bakalli, Provo edhe një herë, Sam, Teatri Bekim Fehmiu – Prizren.
Roli më i mirë epidosik: Vlora Dervishi, Farsë në Varvolth, Teatri Hadi Shehu – Gjakovë.
Roli më i mirë dytsorë – grua: Donikë Ahmeti, Bob Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht, Teatri Dodona – Prishtinë.
Roli më i mirë dytsorë – burrë: Tristan Halilaj, Brinat, Art Image, Teatri AAB – Faruk Begolli.
Roli më i mirë – burrë: Ernest Malazogu, Provo edhe një herë Sam, Teatri Bekim Fehmiu – Prizren.
Roli më i mirë – grua: Vjosa Abazi, Vizita e Zonjës Plakë, Teatri Adriana – Ferizaj.
Çmimi special i jurisë: Takime në burg. – Teatri Avdush Hasani – Podujevë.
Regjia më e mirë: Blertë Neziraj – Kosovo for Dummies, Teatri i Gjilanit.
Shfaqja më e mirë: Provo edhe një herë, Sam. Regjisor: Ilir Bokshi, Teatri Bekim Fehmiu – Prizren. / KultPlus.com
Bari më nuk është i gjelbër Drita merr arratinë Fundi i tunelit është fillim i tij
Kur dashuria vdes Flet kujtimi Ngjallet plogështia Humnera thërret Këmbët në ndyrësi sharrojnë
Kur dashuria vdes Ka vetëm unë Ego Mungon njeriu, tepron mbinjeriu Kur dashuria vdes Mungon gjithçka
Kur dashuria vdes Këngët janë të trishta Heshtje e zhurmë janë në sinkron Mendime vrastare unin përpijnë Valsi i lumturisë harrohet Ti vrapon pas saj Ajo ecën pas tij Rëra i mbulon hapat tuaj Forca lufton plagët e mia
Kur dashuria vdes Dimri shtrin pushtetin e tij Bën ftohtë Frynë veriu Mungon njeriu, tepron mbinjeriu
Kur dashuria vdes, Ka retorikë boshe Kush nuk flet pos natës As hëna nuk del Kambanat e kishës nuk bien Lutje nuk i bëhen Zotit Mëshira vdes
Kur dashuria vdes Fotografitë mbesin arkivave Qenia endet pa shpirt Njeriu më nuk është njeri Se dashuria vdes E është ajo që njeriun e lindi
Ti akoma nuk e di ç’do thotë Në purgator të rrish gatitu Ti njëmend nuk e di se Jetë e vdekje bëhen një Kur dashuria vdes
Në këtë shtet pa kujtesë Dashurinë e djeshme varrosim Të nesërme nuk ka jetojmë sot për sot Këtu, tani, mes nesh DASHURIA PO VDES!
(titulli i frymëzuar nga kënga e Armend Rexhepagiqit me po të njejtin titull) / Kultplus.com
Cineplexx organizon eventin Ladies Night me filmin Zgjoi këtë të enjte, më 28 tetor, në të dy kinematë, ku do të dhurohen shumë shpërblime në të gjitha sallat.
Për premierën e filmit vendor Zgjoi, Cineplexx organizon eventin “Ladies Night” në të dy kinematë, me shumë shpërblime nga brende të ndryshme. Biletat për këtë event tashmë kanë dalë në shitje, dhe ato mund ti bleni çdo ditë në të dy kinematë, nga ora 14:00, ose përmes aplikacionit Cineplexx KS. Interesimi i jashtëzakonshëm për filmin ka bërë që në kinemanë në Prishtinë, gjatë ditës së enjte, filmi të shfaqet në 20 orare, ndërsa në kinemanë në Prishtinë, filmi do të shfaqet në 11 orare.
Përveç shpërblimeve të ndryshme që do të dhurohen nëpër të gjitha sallat, për këtë film, të gjithë ata që blejnë bileta do të kenë mundësi të bëhen pjesë e lojës për një Iphone 13, të mundësuar nga Mobil Shop Mani.
Në eventin që do të mbahet në kinemanë në Prishtinë, do të dhurohen shumë shpërblime si:
2x Microblading në vlerë prej 200€ nga BROWS BY – Fjolla 4x Gift Cards në vlerë prej 100€ nga anaderm 3x Shatira nga Art n’flok 3x Zbardhime të dhëmbëve në vlerë 120€ nga Dent MEX 2x Syze Ray-Ban dhe #Vogue nga Optika Simon 3x Vathë në vlerë prej 73€ nga Oliver Weber Prishtinë 3x Gift Cards në vlerë prej 70€ nga Levi’s Kosova 3x Frizurë dhe Grim në vlerë prej 65€ nga Ándërr Atelie 3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Replay Kosovo 3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Guess Kosovo 3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Mango Kosovo 3x Çanta nga Carpisa kosovo 3x Lash Extensions nga Angel Studio Academy
Ndërsa në kinemanë në Prizren, do të dhurohen këto shpërblime: 3x Vathë në vlerë prej 73€ nga Oliver Weber Prishtinë 2x Depilime me laser komplet trupi në vlerë prej 89€ nga EsteMed Beauty Center 3x Frizurë dhe Grim në vlerë prej 65€ nga Anderr Atelie 3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga A&M Clothes 3x Lash Extensions nga Angel Studio Academy 2x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Flutra Shoes&Bags 20 Produkte Bioblas nga KOMOT Pharm
Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.
Biletat për këtë eventi mund t’i blini çdo ditë prej orës 14:00 në Cineplexx, ose përmes aplikacionit të cilin mund ta shkarkoni në APP Store ose në Playstore. Për më shumë rreth eventit, klikoni këtu mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se ka hapur konkursin për pozitën e Drejtorit/es në institucion e Baletit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.
Në njoftim përmendet se kategoria funksionale ka koeficientin 10.
Ndërkaq, për tu njoftuar për më shumë detaje në lidhje me konkursin, klikoni në linkun e bashkangjitur më poshtë. / KultPlus.com
Aktorja e njohur Roza Anagnosti, “Artiste e Merituar” feston sot 78 vjetorin e lindjes.
Teatri Kombëtar në Shqipëri uron aktoren e madhe Roza Anagnosti me rastin e ditëlindjes, transmeton KultPlus.
Anagnosti është aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyn në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963).
Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jonë” (H. Hakani, 1964). Në shtator 1964, ajo bëhet pjesë e trupës të Teatrit Kombëtar. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranë ku mund të përmendim: “Qielli i kuq”, “Mbreti Lir”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Vizita e inspektorit”, “Cuca e maleve”, “Toka jonë”, “Besa e madhe”, “Zonja nga qyteti” etj.
Roza Anagnosti u shndërrua në aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare.
Çifti Roza dhe Dhimitër Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi “Medalionin e Festivalit” të vitit 1977, “Mësonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall “Aktorja më e mirë” dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi ‘Medalionin’ e dytë. Anagnosti ka interpretuar edhe në filmat “Ndërgjegjia” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kërkon një motër” 1984, “Pranverë e hidhur” 1985, “Botë e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, etj. / KultPlus.com
Ka shumë mënyra për të shprehur dashurinë dhe po aq për ta kuptuar, se rreth teje tashmë është krijuar një realitet galaktik. Për ta kuptuar se tashmë, ju, ju jeni një proces transformimi, një hap në hovin e shtytjes së pafundësisë drejt të tjerë thellësive, matshmërinë e së cilës mund ta arrij vetëm një gjendje, një shikim, një prekje, një puthje, një kopulim, një… rikrijim brenda një shkrepëtime.
Duke thënë “unë të dua” është një prej atyre mënyrave se si ne gostitim atë çfarë brenda nesh është përfshirë në një stuhi.
Ndoshta duke e thënë dhe rithënë: “unë të dua”, gjithçka rreth dhe brenda nesh nuk mund të perceptojë dhe të rrok tjetër frymë në kapërthimin e etjes për t’iu dorëzuar një vullneti që e josh duke e përfshirë në një akt kremtimi, të denjë për besim.
Poetët kanë kënduar lavde dhe thurur kushtime krijuese për dashurinë. Pena dhe shpirti i tyre kanë mbrujtur mendime të shprehura përmes një solemniteti dehës fjalësh dhe frazash, muzikaliteti dhe ritmi, të tilla sa kanë arritur të trokasin fuqishëm në portat e ndjenjave, dhe duke i hapur ato, u kanë afruar atë çfarë vetëm një idil dashurie, i stolisur me yje e me ngjyra, me aroma e trajta, aq… sa të frymëzojnë breza të tërë.
Dashuria, i gjithë ai manifestim marramendës dhe ajo lojë dalldisëse fryme, ajri e shkrepëtima shikimesh, ka mbetur e brishtë dhe marrosëse, joshëse dhe adhuruese, e ëmbël dhe mahnitëse, si atëherë edhe sot.
Ne dashurojmë njësoj, sepse ndjejmë njësoj, edhe pse jeta cilësisht ka ndryshuar në fondament, edhe pse ne shihemi njëri me tjetrin disi ndryshe, kuptojmë njëri-tjetrin krejt tjetërsi. Por në të themeltën e përjetimit të dashurisë, ne kemi mbetur aq naiv dhe fëminor, lajkatar dhe të ndrojtur, të shkujdesur dhe të lajthitur, zjarrmëtar dhe drithërues, të tillë, të dashuruar.
Koha megjithë stuhitë e kijametshme, me të cilën ka bartur ndryshesa dhe zhvendosje, kataklizmo e përtëritje, shfarosje dhe riardhje transformuese, nuk ka mundur t’i heqi asnjë ashk të vetme pemës së dashurisë, frutave të saja që ndalimi i bën më të andshme dhe shijimi i bën më tunduese.
Ajo ka mbetur e tillë, e dlirë dhe e pastër, hojnore në drejtësinë e mosnënshtrimit të një vullneti të epërm. Ka mbetur e tillë kureshtare dhe e dhimbshme, lojcake dhe përfshirëse, adhuruese dhe magjepsëse, ka mbetur… me e fort se çdo besim që ka ardhur e fashitur në nevojën e njeriut për një pikëmbështetje.
Dashuria, ajo e kahershmja dhe e tashmja, di të jetë e bukur dhe trishtuese, e ëmbël dhe majahoshe, delikate dhe rikrijuese, ajo… i shemb të gjitha botët dhe i rizgjon nga gërmadhat e veta, si nga një hukamë, si nga një përplasje, si nga një shkrepëtim e dritshme, që vërshon në limfën e saj si llava në damarët e tokës. Pluskon në gjithçka dhe çdo gjë jetuese, pulson në ritmin e saj. Gjendet në të gjitha trajtat dhe gjendjet, pjesëmerr në të gjitha aktet alkimike, për të ribërë vetveten në atë formë që dëshirimi e thërret përmes çdo vlimi gjaku, gurrimi lëngjesh e stuhije fijezash të holla përçuese të energjisë së universit në dimensionin e një vezullimi.
Kjo është dashuria, ajo që na ka mësuar më mirë se ligjësitë e kënaqësisë, ato të dhimbjes. Portave të rënda të saj zvargen trokitje zemrash që thuhen, e shpirtrash që kaplohen nga makthi, e… pragjeve zvarrit hijet që i mikson me frymën e sendërgjon gjendjen, çastin, atë që kur guxojmë t’i bëjmë ndjenjat tona si rrugëkalim dhe dëshirën tonë si theror e kësaj shtërngate, që thërret nga qielli të gjithë zemërartat e anijeve të mbetura pa brigje.
Dashuria, ç’nuk është në një zemër e ç’mund të jetë në një shpirt, çmos është në një kurm që përpëlitet drojet dhe padurimit, për tu derdhur në vërshimin e saj, si në një gufim llave nga shtërzimi i kushtrimeve të botëve të mbetura, varr dhe prehër i botëve që i shklasiM përsipër.
Ti… zgjedh vet se ç’do të jesh në këtë gosti zjarri; tym, flakë, prush, apo… hiri i rikrijimit të botës në një çast, në një ngjizje, në një përjetësi që shndërrohet e nënshtrohet çdo pasioni, si dashurisë. / KultPlus.com
Letra e Lasgush Poradecit drejtuar drejtorit të zyrës së shtypit Mihal Sherko, në vitin 1931.
Të Nd. Zotit Prof M. Sherko
Drejtor i “Zyrës së Shtypit”
Tiranë (Albania)
Graz, 11.10.1931
I nderuar Zoti Sherko,
Nuk munda t’Ju dërgoj nga Bàri poezinë e premtuar, me qënë që pó ditën e daljes nga vapori hymë në tren për këtej. Poezia është një variantë e fundit e “Valles së Luleve”, së shtypur për herën e parë në “Shqipëria e re” sot e nj’a tetë vjet përpara. Arti, ay i VËRTETI, është i RËNDË; sepse art i VËRTETË domethënë ay që del nga fundi i shpirtit t’onë me një sulm të FUQISHMË, – për t’u mveshur me roben e bukur artistike, po plot FUQI dhe kjo, të krijonjësit, domethënë me formën e VETËME të tij, e cila as ka qënë, as do të jetë, po vetëm NJË herë: vetëm NË MOMENTIN e krijimit të VËRTETË artistik realizohet, – dhe për t’u lënë trashëgim kultural, ashtu i, FUQISHMË, – i BUKUR dhe i VETËM siç është brezave të arthme të kombësisë dhe të njerëzimit. Për KËTË art, i dashur mik Zoti Sherko, mundohem unë t’i drejtoj sa më afër hapat e mija: është 1 ideal, i vlefshëm për çdo mundim. Prandaj s’turpërohem dyke shkruar “varianta”. Varianta, në kuptimin banal të saj, është – ç’më shumë se sa 1 banalitet? Varianta në kuptimin e rëndë të artit të vërtetë, është 1 MUNDIM i MATH PËR MË MIRË. – Pritni, Ju lutem nderimet e mija nga zemra.
Lasgush Poradeci
P.S.
Ç’bëtë me çështjen shkollore të t’im nipi? Me nder të math lutem të kini mirëesinë të m’i dërgoni bursat e muajve Shtator, Tetor ect 1931/ KultPlus.com
Këtë të premte, më datë 29 tetor në kishën katolike ”Shën Ndou” do të performoj Kori i Universitetit ”Haxhi Zeka”, përcjell KultPlus.
Performanca e Korit vjen në kuadër të Prishtina International Vocal Festival dhe nën dirigjimin e Hysen Nimanit, ndërkaq koncerti pritet të fillojë në orën 19:00.
Koncerti do të mbahet me numër të kufizuar të audiencës, duke respektuar kështu masat anti-covid. / KultPlus.com
Për herë të tretë Bundestagu gjerman do të drejtohet nga një grua. Ajo është Bärbel Bas politikania e SPD-së e cila mori 576 vota pro nga 724 vota të vlefshme, ndërsa 90 deputetë votuan kundër.
Bärbel Bas (lindur më 3 maj 1968) ajo ka qenë deputete e Bundestagut gjerman që nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe ka qenë nënkryetare e grupit parlamentar të SPD nga shtatori 2019 deri në tetor 2021. Ajo i përket të majtës parlamentare.
Bärbel Bas vjen nga një familje e madhe; ajo ka pesë vëllezër e motra. Nga viti 1994 deri në vitin 1997 ka punuar si praktikante në një kompani të sigurimeve shoqërore. Nga viti 2000 deri në vitin 2002 ka përfunduar trajnimin me kohë të pjesshme për t’u bërë administratore biznesi në sigurimet shëndetësore.
BAs u shpreh në fjalën e saj, se ky Bundestag është veçanërisht i ri dhe ky “është një shans për të gjithë”. Ajo kërkoi që politikanët të jenë më afër qytetarëve dhe një politikë më të besueshme.
Kjo seancë shënoi edhe fillimin e fundit të mandatit të kancelares Angela Merkel, pasi socialdemokratët, liberalët dhe ekologjistët tanimë kanë filluar negociatat për krijimin e koalicionit të ri qeveritar. / KultPlus.com
26.10.2021, Berlin: Bärbel Bas (SPD) spricht nach ihrer Wahl zur Bundestagspräsidentin bei der konstituierenden Sitzung des neuen Bundestags. Foto: Michael Kappeler/dpa +++ dpa-Bildfunk +++
Shoqata e intelektualëve ”Jakova” ka bërë të ditur se do të organizojë një tryezë tematike, ku do të trajtohet tema ”Si ta kultivojmë qartësinë intelektuale”, përcjell KultPlus.
Kjo tryezë do të mbahet me referues kryesor, Prim. Dr.Med Sc. Ali F. Ijlazi. Ndërsa, do të fillojë në orën 12:00, më 28 tetor të këtij viti.
Ky organizim do të zë vend në hapësirën e Pallatit të Kulturës ”Asim Vokshi”, në Gjakovë. / KultPlus.com
Komediani legjendar amerikan dhe satiristi politik, Mort Sahl, ka vdekur në moshën 94-vjeçare. Ai vdiq të martën në Mill Valley të Kalifornisë.
Komentet e tij shpotitëse i dhuruan përkrahës që nga vitet e pesëdhjeta dhe është vlerësuar si frymëzim për komedinë moderne të stilit “Stand-up”, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Materialet e tij për Luftën e Ftohtë vlerësohen si përcaktuese të standardit për komedi politike. I lindur në Montreal, Sahl ishte zhvendosur me familjen e vet në Los Angeles si fëmijë.
Sahl filloi të performonte në klubet e komedisë nëpër ShBA. Ishte udhëheqës i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve Grammy më 1959, ndërsa në vitin 1960 ishte në ballinën e revistës “Time”, transmeton tutje KultPlus.
Komedianit i pëlqente që të tallej me të gjitha palët, duke pyetur shpesh nëpër shfaqje: “A është ndokush këtu që nuk e kam fyer?”
Ai tallej edhe me politikanët e grupeve të ndryshme. “Liberalë janë ata njerëz që i bëjnë gjërat e duhura për arsye të gabuara në mënyrë që të ndihen mirë për dhjetë minuta”, thoshte Stahl. / KultPlus.com
Sot në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur takimi i parë i ngjarjeve ‘Ora e shkrimtarit’, organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, ku u përkujtua poeti, profesori dhe veprimtari, Latif Berisha, shkruan KultPlus.
Në takimin ku u fol për jetën e veprimtarit Berisha, moderatori Binak Kelmendi, fjalën ia dha kushëririt të tij, shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berisha, i cili e nis fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për veprimtarinë e tij.
“Ai ngreh kokën e fjalës së shtypur në një qiell të dendur. Në fotot e tij, edhe në tekste shkollore që do të përfshihet nga vitet 1960, madje edhe shumë vite më vonë, shquhet fotoja, me ngjyrën e zezë, sikur ky njeri të kishte jetuar në kohë të lashta. Por nga fotografia kuptohet sa butësia po kaq edhe rezgnimi i tij. Ai sikur jeton me njërën dorë në degën e optimizmit dhe me tjetrën, në degën e pesimizmit. Cfarë thonë 30 vjersha për lexuesin e paktë, për shkak të anlafabetizmit masiv, për të parë si mendon dhe komunikon estetikisht shkrimtari i ri thuajse, nga modesita, ireal. Një libër që botohet në Prishtinë nga një i ri që vinte nga një familje pa traditën revolucionare të zakonshme të shumicës së shkrimtarëve të kohës, dhe nga një ambient tradicional rural, por ai i arsimuar maksimalisht për moshën dhe ambientin.” – thotë Berisha.
Ibrahim Berisha më pas analizon poezinë e tij, ‘Tufa’ e cila sipas Berishës jep një mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale.
“Për të gjetur këtë harmoni, prandaj kanga e tij do të jetë mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale. Është në poezinë e tij, bota, që e ai e ndjen dhe e transmenton vetëm si jehonë të largët, ambientale, po aq edhe emocionale, e shkrirë në detajet e pasura të natyrës së jetuar të tij dhe të njerëzve të tij. Edhe memorie sugjestive, edhe ëndërr ndëshkuese, po edhe mendim i pakryer qëllimshëm.”- shton më tutje Berisha.
Publicisti Berisha gjatë analizës së jetës dhe veprës së Latif Berishës, vë në pah edhe katër tematikat që e kanë karakterizuar atë, e që sipas tij janë Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria.
E fjalimin e tij në përkujtimin e Latif Berishës, Ibrahim Berisha e përmbylli me një maksimë të Horacit. “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të. Profesor Latif Berisha edhe jetoi edhe vdiq për atdheun. Domethënë vazdon të jetojë përherë në të”-përfundoi ai.
Në takimin ku u përkujtua profesori Latif Berisha, i cili u vlerësua edhe për kontributin në çështjet e atdheut, ishte i pranishëm edhe doktori i Letërsisë, Sali Bashota.
“Latif Berisha ishte njeri i letrave. Trazimet dhe shqetësimet e hershme shpirtërore, fillimisht i manifestoi përmes poezisë, kur më 1957 e botoi edhe vëllimin “Tufa”. Gjatë jetës së tij nuk botoi me libra me poezi. Veprimtarinë e tij e funksionalizoi me studimin letrar duke shkruar për autoret e traditës poetike shqipe: Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Hil Mosi, Ali Asllani etj., ndërsa projektet e tij shkencore të pambaruara mbeten epoka e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, si dhe krijimtaria letrare e arbëreshëve.” – tregon Bashota, shkruan KultPlus.
Duke folur më tutje, Bashota e cilëson vrasjen e tij në vitin 1999 nga serbët, një humbje të madhe për tërë kombin shqiptar.
“Portreti tij poetit e intelektualit mund të përplotësohet me visaret më të çmueshme që ka njeriu. Ai nuk urrente, nuk kishte zili, as nuk hidhërohej. Gëzohej për sukseset e të tjerëve dhe e admironte punën e vërtetë krijuese, talentin, dijen, përkushtimin. Latif Berisha me kohë e kishte formuar identitetin intelektual, si një krijues pasionuar, i cili punonte në fushën e letërsise, te kultures, por edhe për çështjen kombëtare. Kishte respekt dhe dashuri të madhe te njerëzit. Ai ishte veçante ne jetë dhe në vepër. Vrasja e tij me 24 mars 1999 nga serbët është humbje e madhe për letërsinë, kulturën shqiptare dhe tërë kombin.” – shton ai.
Profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në këtë fjalin nuk lë pa e përmendur dhe analizuar veprën e tij e sidomos vëllimin me poezi ‘Tufa’.
“Dialogu me veprën e Latif Berishës pas me shume se dyzet vjetësh të botimit të saj, i ngjan kujtimit, i cili ringjallet tashti në formë të dhembjes për njeriun dhe te dashurisë për poetin. Ky karakterizim ka të bëjë me “Tufën”, vëllim qe ndahet në tre cikle: “Vargje për lin”, “Mbresa katundi” dhe “Gjurmave të rinise”. Frymezimet e poetit mbeshteten në fatin njerezor, ambientin rural, temat intime. Ne pamjen e pare “Tufa” e Latif Berishës shtreson ide dhe imazhe qe funksionalizohen me vrullet dhe çastet e zgjimit të shpirtit krijues. Fati atdheut i ka ushqyer simbolet e enderrimit të tij poetik dhe teme themelore bëhet gjithsesi liria.” –shton më tutje Bashota.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, i cili foli para pjesëmarrësve për jetën dhe veprimtarinë e Latif Berishës, të cilin fillimisht e pati professor e më pas edhe bashkëpunëtor.
“Unë kam qenë student i Latif Berishës, ai ka qenë një professor komplet, në kuptimin më të mirë të fjalës, për shumë vite kemi bashkëunuruar me të dhe Ibrahimin në LDK dhe unë për disa vite kam qenë i komanduar bashkë me Fatmir Sejdiun të punoj në degët e Skenderajit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe të Leposaviqit ku ai ka qenë kryetar i degës. Dhe ne kemi pasur situatën më komode ë Mitrovicë sepse ai ka qenë një njeri që e ka ruajtur unitetin, e ka ruajtur fuqinë e e veprimit. Dega e LDK-së në Mitrovicë,në mësin e shumë gjërave të tjera ka furnizuar edhe UÇK-në me ushqime dhe me furnizime të tjera që kanë pasë nevojë, dhe profesori Berisha ka qenë ideatori dhe njeriu kryesor që është marrë me organizime të kësaj natyre. Vrasja e tij më 24 mars dhe e Agim Hajrizit e ka një simbolikë për ndarjen e Mitrovicës sepse këta kanë qenë dy liderë shumë të rëndësishëm të Mitrovicës pa të cilët nuk do të mund të shpërbëej kompaktësia e Mitrovicës.” – thotë profesori Krasiniqi.
Për fund, fjalën e mori edhe vajza e tij, Fatmire Berisha, e cila rrëfeu momente nga jeta e shkrimtarit, dhe lidhjen e veçantë që ajo kishte me babanë e saj.
“Ora e Shkrimtarit, sikur më lidhi për një moment me një orë që e kemi ndoshta atë kemi të vetmen gjë që na ka mbetur prej Latifit, dhe më vjen mirë që dëgjova shumëçka që edhe unë si vajzë e tij në faza të ndryshme të jetës së tij dhe times i kam jetuar bashkë me të, ndoshta kjo është pak personale por unë fillimisht kam qenë student e fakultetit të mjekësisë mirëpo ajo lidhja e veçantë që e kam pasë me të më ka bërë të riorientohëm dhe të kthehem nga letërsia, dhe pa modesti e them që gjithmonë e kam pyetur vetën se a jam e vetëdijshme se çfarë njeriu kam afër vetes se vërtet qëndron ajo që e tha profesori Bashota, se ai ka qenë një njeri shumë shumë i veçantë. “-rrëfen ajo
Ajo ndan me të pranishmit edhe një rrëfim të përpjekjeve që ajo dhe profesori Berisha bënë për të fshehur dorëshkrimet e tij, që të mos digjeshin nga forcat serbe, e për të cilat dorëshkrime, vajza e tij Fatmirja thotë se i ka mbetur peng që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë.
“Ka qenë dy ditë para fillimit të bombardimeve, provuam unë bashkë me të dhe e hapëm një gropë, shtëpia jonë qëndron ende, në lagjen më promblematike të qytetit të Mitrovicës, aty ku kemi jetuar më tepër se 40 vite dhe provuam që t’i shmangim ato dorëshkrimet e tij dhe dolëm bashkë në oborr e hapëm një gropë të madhe në oborr dhe aty filluam t’i strehojmë, mirëpo ai e ka ditur shumë saktë çfarë do të ndodhë, e hapëm gropën, por shtëpia jonë ka qenë në mesin e fqinjve serb, e në mometin e fundit ai tha t’i lëmë aty ku janë, sepse po t’i vendosim këtu është si t’i vëmë në gojën e ujkut. “– thotë vajza e Latif Berishës e cila për fund thotë se më së shumti mërzitet që serbët i kanë djegur dorëshkrimet dhe bibliotëkën e tij, duke mos u mbetur asgjë si kujtim.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani./KultPlus.com
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar “Dardan Fest”, i cili ka në fokus urbanizimin dhe civilizimin, dy elementë të rëndësishëm mbi të cilët zhvillohet sot bota, nisi sot edicionin e dytë në Tiranë.
Në këtë festival që do të zhvillohet në sallën e re “Tonin Harapi” të Liceut Artistik nga 26-29 tetor do të shfaqen 100 filma dokumentarë nga Italia, Amerika, Irani, Serbia, Shqipëria etj.
Nata e parë e festivali u hap me shfaqjen e filmit “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini. Për realizimin e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
Ky film ka marrë çmimin për filmin më të mirë dhe regjinë më të mirë në Chauri Chaura International Film Festival, dhe çmimin për skenarin më të mirë në New York True Venture Festival (NYTVFF).
Në këtë film luajnë aktorët Jorida Sorra, Fatlume Bunjaku, Avni Dalipi, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla dhe të tjerë. Xhirimet e filmit artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini janë bërë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Rolin kryesor Viktorian në film e luan aktorja shqiptare Jorida Sorra, që në Gjermani gjithashtu është edhe pjesë e teatrit.
Gjatë natës së parë u shfaq edhe filmi “Shija e dërrit” me regji të Evis Lulja, i cili pasqyron përpjekjet e një familjeje për ta ballafaquar varfërinë.
Gjithashtu për artdashësit u shfaq edhe filmi “The last wave” i regjisorit maroken Mustapha Farmati.
Festivali “Dardan Fest” synon të drejtojë vëmendjen jo vetëm nga bota e kinematografisë, arkitekturës, a zhvillimit të cilitdo zhanri artistik, por së pari, të jetë një dritare mundësish që angazhon të rinjtë në krijime që i shërbejnë qytetërimit, kulturës e historisë./atsh/KultPlus.com
Të enjten, më 28 tetor do të shfaqet premiera e filmit të parë horror në Kosovë “Ditari”.
Premiera do të mbahet në qytetin e Prizrenit në kinemanë “Cinemarine” në Abi Qarshia me fillim nga ora 19:00, ku gjithashtu do të ketë edhe Q&A.
Filmi me titullin “Ditari” është filmi i parë ‘horror’ në Kosovë, që vjen si rezultat i një pune dhe përkushtimi katërvjeçar.
Me regji të Liridon Beqirit, filmi përshkruan historinë e disa të rinjve, të cilët një natë vendosin të dalin në kamping, në një shtëpi të braktisur dhe të pabanuar, por me një mister të tmerrshëm. Asnjëri nga personazhet nuk është në dijeni se kush dhe çfarë e ruan atë shtëpi.
I pari i këtij lloji në vendin tonë, “Ditari” pritet të jetë ndër filmat më të frikshëm në Ballkan./KultPlus.com
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbushur me grafite objektin e Gjykatës Themelore në Pejë, në shenjë proteste për aktgjykimin që e dënoi me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual në grup të një 15-vjeçareje. Në vazhdën e reagimeve që kanë ardhur nga të gjitha anët, edhe ky grup ka vendosur të shprehë pakënaqësinë e saj me këtë vendim.
“Kjo gjykatë është armike e vajzave”, “Këtu vajzat e gratë dhunohen për s’dytsh”, janë parullat që janë shkruar me ngjyrë të kuqe në muret e kësaj gjykate.
KMVF e ka vlerësuar si ky aktgjykim do të thotë se drejtësia është duke punuar kundër grave e në favor të dhunës.
“Ky vendim, i cili vjen pas 10 vitesh nga krimi, nuk mund të lexohet ndryshe veç se se si një akt tjetër i dhunës së institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave i cili nisë nga celula e familjes, për të marrë formën më të ashpër tek institucionet më të larta shtetërore.”
“Teksa shteti i Kosovës vazhdon të sillet e të veprojë kundër të gjitha ligjeve të cilat i ka nxjerrë vetë, ‘drejtësia’ është duke punuar kundër grave e në favor të dhunës e dominimit, duke amnistuar burrat kriminelë. Ndonëse Kodi Penal, sanksionon se dhunimi seksual është i dënueshëm me 5 deri në 20 vite burgim, Gjykata Themelore në Pejë, abuzon me diskrecionin e saj në kurriz të vajzave dhe grave.”/KultPlus.com
Adele ka shpallur datat për shfaqjet në Londër për vitin 2022, duke shënuar shfaqjet e saj të para live në Britaninë e Madhe që nga viti 2017.
Këngëtarja, 33 vjeçe, e ndau lajmin në Twitter dhe Instagram me një foto me emrin e saj dhe fjalët “Hyde Park London” dhe datat “1 dhe 2 korrik 2022”.
Ajo do të ngjitet në skenë si pjesë e festivalit BST Hyde Park të vitit të ardhshëm, që do të shfaqë gjithashtu performanca nga Sir Elton John, Duran Duran dhe Pearl Jam.
“Kënga e kthimit të Adele, “Easy On Me”, e lëshuar më 15 tetor, është në rrugën e duhur për të kryesuar listat e këngëve BM për të dytën javë radhazi”, tha kompania zyrtare e klasifikimeve.
Kënga është e para në albumin e saj “30”, që do të publikohet më 30 nëntor.
BST Hyde Park rikthehet pas një mungese dyvjeçare për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe do të zgjasë nga 24 qershori deri më 10 korrik 2022./KultPlus.com
PriFest ka shpallur datat për edicionin e vitit të ardhshëm dhe hap thirrjen për aplikim.
Edicioni i 14-të i PriFest do të kthehet në muajin e tij origjinal korrik dhe datat janë caktuar tashmë për javën e fundit, përkatësisht më 25-30 korrik 2022.
Thirrja për aplikime për Edicioni i 14-të do të hapet më 1 nëntor 2021, për të gjitha kategoritë./KultPlus.com
Pikërisht sot, në ditën kur filmi “Pa Vend” nga regjisori Samir Karahoda u nominua për filmin më të mirë evropian për këtë vit nga Akademia Evropiane e Filmit, në Ministrinë e Kulturës kanë marrë propozimin për shpalljen e filmit interes të veçantë shtetëror.
Në takim me grupin punues për kinematografi të përbërë nga Lum Çitaku (QKK), Ilir Gjocaj (KosovaFilm), Fatos Berisha (PriFest), Fatmir Spahiu (Aktor/Producent), Veton Nurkollari (DokuFest), Kaltrina Krasniqi (Shoqata e Producentëve), dhe Yll Uka (Shoqata e Producentëve), ministrit Çeku iu dorëzua zyrtarisht dokumenti që propozon shpalljen e Filmit Interes i Veçantë Shtetëror.
Republika e Kosovës po përfaqësohet në gjithë botën përmes kinematografisë. Regjisorët kosovarë, me sukseset e vazhdueshme në festivalet të rëndësishme ndërkombëtare po bëjnë histori. Entuziazmi dhe puna e palodhshme e komunitetit filmbërës që ka sjellë këto arritje të jashtëzakonshme po vlerësohen lartë nga juritë dhe akademitë e shteteve me traditë në kinematografi.
Shpallja e Filmit Interes i Veçantë Shtetëror ka për qëllim që t’i mobilizoj kapacitetet shtetërore për t’i dhënë filmit kosovar mbështetjen që e meriton. Dokument i propozuar përshkruan në vija të trasha hapat e nevojshëm që duhen ndërmarrë Qeveria dhe institucionet për ta bërë kinematografinë fushë me interes të veçantë shtetëror./KultPlus.com
Rrugëtimi ndërkombëtar i filmave të regjisores Xhanfise Keko vazhdon nëpër botë, po ashtu edhe nderimi për individualitetin dhe personalitetin artistik të saj.
Pas “Danish Film Institut” dhe “Wiena Film Museum”, të cilët në vitet 2018 dhe 2019 i shfaqën disa nga filmat më të njohur e të vlerësuar të saj, në vitin 2021 është Roma që nderon regjisoren shqiptare.
“Festa e kinemasë në Romë”, çatia e dy festivaleve tashmë të mirënjohura jo vetëm në Itali “Festivali i Romës” dhe “Alice nella citta” u zhvillua nga data 14 – 24 tetor 2021.
Në këtë event të madh ndërkombëtar ku u shfaqën mbi 170 filma nga e gjithë bota dhe morën pjesë yje të kinemasë botërore si Quentin Tarantino, Tim Burton, Alfonso Cuaron e Johnny Depp, nuk mbeti jashtë vëmendjes as regjisorja shqiptare Xhanfise Keko.
“Alice nella città”, një festival që i kushtohet tërësisht gjeneratës së re, nga viti 2003 kur u krijua ka patur gjithmonë si objektiv parësor atë të konfigurimit të vetes si një ngjarje e konceptuar dhe ndërtuar për një auditor të ri.
Në të njëjtën kohë, ai u është drejtuar të gjitha kategorive dhe moshave të spektatorëve për të krijuar një hapësirë të rëndësishme në panoramën e ngjarjeve ndërkombëtare të filmit.
Së fundi duhet thënë se “Alice nella città” synon të vëzhgojë dhe të ofrojë në programin e saj filma të përzgjedhur nga gjithë bota, filma që lejojnë publikun të krahasojë dhe diskutojë vazhdimisht mbi teknikat, temat dhe gjuhët e kinemasë bashkëkohore.
Kjo është arsyeja që në konferencën për shtyp të organizatorëve, drejtori artistik i Festivalit, Gianluca Giannelli kur prezantoi homazhin dedikuar regjisores shqiptare, tha se, “për sa u përket homazheve, do t’i bëjmë një nderim të rëndësishëm regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Ka qenë e vetmja regjisore në Shqipërinë komuniste, një regjisore grua pak e njohur për publikun e gjerë, por e cila ka krijuar një filmografi të rëndësishme për sa i përket pikërisht rrëfimeve me fëmijë. I transformoi në instrumente edhe për të shpalosur shoqërinë ku jetohej në ato kohë, duke u dhënë edhe një rol politik nëpërmjet të cilit tregonte se nuk donte të qëndronte e mbyllur në kafaz. Për ne ky ishte një tjetër prej atyre mesazheve që donim ta përcillnim me anë të përzgjedhjes sonë”.
Gjatë ditëve të festivalit, në nderim të kontributit në kinematografi dhe personalitetit artistik të regjisores shqiptare Xhanfise Keko, në 20 tetor u shfaqën dy filma, “Beni ecën vetë” dhe “Mimoza llastica” në versione të remasterizuara, të cilët u mirëpritën nga të pranishmit.
Po ashtu, mbresëlënës ishte dhe prezantimi para publikut të huaj i aktoreve të vogla të filmit “Mimoza llastica” – Zhaklina Dhimojani, Teuta Doçi e Ema Shteto. Kjo ndodhi pas 48 vitesh në “Casa del Cinema” në Vila Borgese, në zemër të Romës./atsh/KultPlus.com
Pse kthehem përsëri te këto fletë? I dashur, mos më pyesje më mirë, S’kam ç’them, me të vërtetë, po kam dëshirë Ta mbash në dorë letrën time, vetë.
Meqë s’vij dot, kjo letër le të jetë Prej zemrës sime ç’është me e dlirë, Gëzim, rënkim e shpresë e dëshirë; Gjithçka që s’pat fillim e fund e s’do ketë.
Sot dëshiroja fort mos të ta thoja Se në dëshira, ëndrra dhe mendime Besnikja zemër kthen e vje te ti.
Kështu dikur qëndroja e të shikoja Dhe s’flisja dot. Ç’të thoshte goja ime? E gjitha isha si në mrekulli./KultPlus.com