Ibrahim Rugova në një fotografi të vjetër me artistët shqiptarë (FOTO)

Një fotografi e vjetër për të cilën kërkohen më shumë informacione, duket se i sjell disa emra të njohur për shqiptarët.

Afër Ibrahim Rugovës – Presidentit Historik të Kosovës, janë artistët Adelina Ismaili, BB Poqi, Violeta Rexhepagiqi, Dukagjin Lipa dhe artistë të tjerë.

Fotografia është marrë nga Benet Kaçi, moderator i njohur dikur në Radio Televizionin e Kosovës, i cili edhe vetë është pjesë e fotografisë.

Në fotografi është edhe nëna e Adelina Ismailit, Genc Salihu e Sabri Fejzullahu, ndërsa ka shanse që fotografia daton që nga viti 1997. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave organizon takimin “Ismail Kadare, një disidencë letrare”

“Ismail Kadare, një disidencë letrare” do të jetë tema e veprimtarinë shkencore-promovuese që do të mbahet nga Akademia e Shkencave në ditëlindjen e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare.

Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2022, ora 11:00 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda” me pjesëmarrjen e studiuesit Jean-Paul Champseix, autor i librit Ismaïl Kadaré – une dissidence littéraire (nominuar për çmimin “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”), shqipëruar nga Irena Rambi e Bashkim Shehu.

Fjala e hapjes do të mbahet nga akad.Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave.

Veprimtaria do të drejtohet nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho e dr. Ylljet Aliçka. Në këtë aktivitet do të kumtojnë: studiuesi Jean-Paul Champseix, akad. Matteo Mandalà, Bashkim Shehu, Ilia Lëngu, Irena Rambi, Ilir Yzeiri. Pas kumtesave do të bëhet Shpallja e Vitit të akademizmit shqiptar nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.

Do të prezantohet ekspozita e botimeve të Ismail Kadaresë (një bashkëpunim midis Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Bibliotekës Kombëtare, Shtëpisë botuese “Onufri” dhe Shtëpisë botuese “Fan Noli”).

Veprimtaria do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike dhe online në linkun: https://us02web.zoom.us/j/89230235815…Meeting ID: 892 3023 5815Passcode: 889000 / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës ndan edhe 10 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Qeveria ka zhvilluar mbledhje elektronike ku ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Sipas njoftimit, këto mjete shkojnë për masën 3.7 – mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. / KultPlus.com

Më 26 janar mbahet protesta “Asnji cent ma shumë” kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë

Më 26 janar në Prishtinë mbahet protesta kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë duke filluar nga ora 12:00, përcjell KultPlus.

Me 28 janar 2021 Qeveria e Kosovës pritet ta miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% për të gjithë konsumatorët/et që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë 600 kWh.

Faqja e krijuar si një kauzë në rrjetin social Facebook, “KEDS t’i kthehet Kosovës” ka njoftuar për këtë protestë e cila nis tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë me dy kërkesa kryesore: Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja dhe Nacionalizimi i KEDS-it.

Më poshtë KultPlus ua sjell të plotë njoftimin e tyre:

Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit/ës prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro.

Përveç që i palogjikshëm, ky propozim do t’i pasurojë edhe më tej bizneset, në kurrizin tonë. Sipas propozimit, çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare. Kjo i bie se një familje mesatare në Kosovë që synim e ka jetesën apo edhe mbijetesën, paguan edhe për bizneset që synim e kanë qarkullimin e fitimin.

KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi. E gjithë kjo nga buxheti, edhe ashtu i dërrmuar, i qytetarëve/eve të Kosovës.

Këto shantazhe, ne qytetarët e këtij vendi nuk do i lejojmë kurrsesi. Në këto kushte, protesta mbetet e vetmja rrugë që ta parandalojmë barrën që mundohen të na ngarkojnë Qeveria e Kosovës përmes ZRrE-së e me KEDS-in.

Andaj, ju ftojmë që të mërkurën, duke filluar nga ora 12:00, të mlidhemi e ta kundërshtojmë e ta parandalojmë këtë padrejtësi të rradhës ndaj nesh. Protesta nisë tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore:

1.Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja;

  1. Nacionalizimi i KEDS-it / KultPlus.com

E nisa një pako duhan për Paris

Poezi nga Dije Demiri-Frangu

I mblodha si gurë të lashtë
foljet që dinë të rrëfejnë e të kallxojnë kujtime njerëzish
I mblodha disi me kujdes që rrëfimi të bëhej I bukur
E nisa rrëfeja para gjetheve të parkut në Prishtinë
Për brezin e humbur të shkrimtarëve
Gjethet më njifnin si trungun e tyre
dhe qanin bashkë me mua
unë qava si nga ndonjë pendesë e madhe
mora forcë e hodha pakon e duhanit në Paris
t’mos mblidhte më bishta cigaresh nëpër rrugica
Orveli
njeriu që jeta i kalonte si kërcim hardhuce
sa i madh ishte e kishte humbur si bubrrec në shkretëtirën jetës
shumë pimë duhan bashkë atë ditë
S’mund e shihja duke mbledhur bishta cigaresh në Paris
I hodha pakon e duhanit përmes ajrit përmes fjalëve
Sa kujtim të bukur bëra për vete
E gjethet vazhdonin të dridheshin nga rrëfimi im / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës ndan mbi 95 mijë euro për filmin “Zgjoi”

Qeveria e Kosovës ka ndarë 95,725 euro për filmin “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”, përcjell KultPlus.

Ndarja e kësaj shume u bë në mbledhjen e 55-të të mbajtur sot në mënyrë elektrike nga Qeveria e Kosovës.

Kërkesa ishte e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare për zbatimin e Masës 4.3 – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit.

“Me vendimin e aprovuar sot janë ndarë mjete financiare në shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars””, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit u fut në listën e ngushtë prej 15 filmave për të kaluar drejt çmimeve “Oscars”. / KultPlus.com

Promovohet libri “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të ligjit të përdorimit të gjuhëve të vitit 2019″

Dje në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u organizua promovimi i librit “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019”, të autorëve Ylber Sela, Jusuf Zejneli, Jeton Shasivari, Argëtim Saliu, Valbona Hajretin dhe Llazo Matovski, përcjell KultPlus.

Libri “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019” është botim i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që kanë lidhur Instituti Albanologjik dhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e Maqedonisë së Veriut.

Në aktivitetit e sotëm fjalë përshëndetëse mbajtën:
Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik – Prishtinë
Prof. dr. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës – Shkup
Prof. ass. dr. Arsim Sinani, drejtor i Institutit për Studime Sociale e Humanistike i Universitetit të Prishtinës.
Me këtë rast, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, z. Ylber Sela e bëri një prezantim të punës së këtij institucioni.
Për librin folën:
Prof. dr. Jusuf Zejneli, Universiteti i Tetovës
Prof. dr. Jeton Shasivari, Universiteti i Evropës Juglindore -Tetovë
Prof. asoc. dr. Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë të Institutit Albanologjik. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton masat e reja anti-COVID

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, për dallim që deri tash niste nga ora 00:00.

Po ashtu, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

*Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;

*Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

*Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;

Procesi mësimor do të zhvillohet siç është bërë deri tash.

Pensionistët vazhdojnë të jenë të liruar nga paraqitja e rregullt.

Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.

Ndalohet veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave. Ndalohet edhe mbajtja e pritjes për ngushëllim.

Gastronomisë i lejohet puna deri në orën 21:00. Muzika në lokalet e gastronomisë lejohet deri në orën 20:30.

Klikoni KËTU që të njoftoheni me masat që do të hyjnë në fuqi nga nesër. / KultPlus.com

Mbahet takimi “Tryeza e Sportit”, akterët e sportit diskutojnë për të ardhmen e sektorit

Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sportit në Republikën e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe akterët tjerë institucional e sportivë, po organizon sot dhe nesër “Tryezën e Sportit”, i cili është një takim diskutimi ku po marrin pjesë niveli më i lartë i komunitetit të sportit në vendin tonë dhe po mbahet në Brezovicë.

Konkretisht, synohet që bashkërisht të gjithë akterët e sportit të krijojnë një platformë të përbashkët profesionale ku pritet të ndahen informacionet, përvojat, sfidat, idetë e reja dhe zhvillimi i mëtejmë në sportin e Kosovës. Në ditën e parë të tryezës u diskutua mbi gjendjen ekzistuese të sportit në Kosovë dhe për programin e qeverisë.

Në këtë tryezë të parë, morën pjesë Ministri Hajrulla Çeku, Ismet Krasniqi, Kryetar i KOK-ut, Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Musa Selimi, Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit nga Universiteti i Prishtinës, Ardian Gola, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sport, drejtuesit e përfaqësuesit e federatave sportive, përfaqësuesit e nivelit lokal në Kosovë, të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv dhe të Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive tjera negative në Sport si dhe përfaqësuesit e vet sportistëve.

Në hapje të tryezës, Ministri Çeku, tha se ky është takimi i parë i përbashkët që po mbahet në këtë format përfaqësimi të gjithë akterëve të përfshirë në sport, si një pikënisje për të diskutuar për gjendjen aktuale në këtë fushë,  ndërsa shtoi që këto diskutime do të shërbejnë për të ndërtuar vizionin për të ardhmen e sportit në vendin tonë.

Tutje, ministri theksoi se kjo tryezë e diskutimit  është fillimi i krijimit të një platforme zyrtare dhe profesionale të diskutimeve tona të përbashkëta. Ky lloj i tryezës do të zhvillohet minimalisht dy herë gjatë vitit.

Ministri paralajmëroi se ndër temat  që do të diskutohen në këtë tryezë dyditëshe janë:  Gjendja ekzistuese në sport, Politikat e zhvillimit të sportit; Plani Operacional Strategjik i Qeverisë për fushën e sportit, si dhe një projektin e ri “Baza e të dhënave të sportit në Kosovë” si një nismë e re që do të na ndihmojë shumë për zhvillimin e sportit. Po ashtu, ju ftojmë që të diskutojmë për dy shtyllat themelore të orientimin tonë qeveritar për sportin: Sporti për të gjithë dhe Sporti elitar, që ka të bëjë me rezultatet e sportit tonë në arenën ndërkombëtare; Parandalimi i Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport; dhe Infrastruktura Sportive.

Nga këto tema, të nxirren konluza dhe rekomandime që të jenë një orientim për një mobilizim të gjithëmbarshëm të gjithë akterëve të sportit, tha ministri. Çfarëdo strategjie që do të ndërtojmë për sportin, mos të shihet si një strategji e ministrisë për sportin por një strategji e sportit e shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se për dy ditë radhazi do të kemi mundësinë që bashkërisht të diskutojmë për sfidat me të cilat përballet sporti ynë.

“Këto ditë, Komiteti Olimpik i Kosovës, ka përfunduar procesin e vështirë dhe të mundimshëm të kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2022, ku sipas statistikave të nxjerra, del se gjatë vitit të kaluar, kemi pasur rreth 50 mijë sportistë aktivë, që i bie se vetëm rreth 3 për qind e popullsisë tonë merret me sport”, ka thënë kryetari Krasniqi, duke shtuar se ne duhet të punojmë që këtë përqindje ta rrisim.

Ndërsa në fjalën e tij, dekani Musa Selimi, tha se tryeza e këtillë është shumë e mirëpritur sepse po ndodh për herë të parë ku mblidhen të gjithë akterët e sportit për të diskutuar për këtë fushë.

“Duhet ta rrisim fondin e numrit të orëve të edukatës fizike në shkolla sepse me vetëm dy orë në javë, ne jemi të vetmit në Ballkan dhe Bashkimin Evropian që kemi kaq pak orë”, ka thënë mes tjerash Selimi.

Zëvendësministrja Daulina Osmani, prezantoi planin strategjik dhe operacional të Qeverisë së Kosovës për sektorin e sportit, i cili është hartuar mbi të gjeturat e raportit hulumtues që ka realizuar Departamenti i Sportit i MKRS-së, por që me kontributin e këtyre dy ditëve ky draft do të pasurohet edhe me idetë dhe kontributet e pjesëmarrësve të tryezës.

Klodeta Krasniqi, Shefe e Kabinetit të ministrit, prezantoi të gjeturat për gjendjen momentale në sportin e Kosovës, ku përfshihet infrastruktura momentale ligjore, forma e mbështetjes së aktiviteteve sportive, investimet në infrastrukturën fizike të sportit dhe menaxhimi i infrastrukturës sportive në Kosovë.

Ndërsa Masar Gjaka prezantoi projektin e Bazës së të Dhënave për sportin në Kosovë.

Tryeza do të vazhdojë punimet edhe nesër. / KultPlus.com

Studentët e Kolegjit Universum prezantuan punimet e tyre shkencore dhe artistike në Panairin e Inovacionit

Në kuadër të aktiviteteve studentore dhe prezantimit të punimeve shkencore dhe artistike të studentëve Kolegji Universum organizoi Panairin e Inovacionit, i cili kishte për qëllim prezantimin e punës akademike të zhvilluar gjatë këtij semestri nga departamentet e ndryshme brenda Kolegjit Universum.

Përmes projekteve të tyre studentët e Kolegjit Universum kanë krijuar paisje të cilat ndikojnë pozitivisht në mirëqenjen e komunitetit duke krijuar lehtësira në jetën reale të njerëzve.

Gjatë panairit studentët e departamentit të infermierisë treguan praktikat më moderne të trajtimit të situatave të ndryshme mjekësore dhe mënyren se si ato duhet të trajtohen. Studentët e Higjienës Dentare ofruan shërbime falas për të pjesëmarrësit.

Departamenti i Dizajnit të Modës shfaqi kreacionet e krijuara gjatë këtij semestri, ndërsa në të njëjtën kohë departamenti i shkencave kompjuterike prezantoj projektet reale të cilat i kanë shëndrruar në pasqyrë të punës që kryhet gjatë studimeve në Universum.

Ndërsa studentët e departamentit Biznes dhe Menaxhment dhanë këshilla se si duhet menaxhuar dhe krijuar një biznes.

Pra qëllimi më i rëndësishëm i Kolegjit Universum mbetet krijimi i kuadrove kualitative të cilët janë të gatshëm të i bashkangjiten tregut të punës qysh gjatë studimeve.

A dëshironi edhe ju të angazhoheni në projekte reale që nga viti i parë, TRANSFERO STUDIMET në Kolegjin Universum. Apliko këtu https://www.universum-ks.org/apliko/

Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal.  

Për më shumë informata rreth projekteve dhe aktiviteteve që angazhohen studentët që nga viti i parë në Kolegjin Universum ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.

(Shkrim i sponsorisuar nga Kolegji Universum).

Artisti Agim Salihu në seleksionin e ekspozitës ndërkombëtare të Olimpiadës Dimërore, Pekin 2022

Artisti Agim Salihu në seleksionin e ekspozitës ndërkombëtare të Olimpiadës Dimërore, Pekin 2022, përcjell KultPlus.

Me ftesën e kuratorit të ekspozitës, Zhao Jiachun, artisti Agim Salihu merr pjesë në ekspozitën ndërkombëtare me temën kushtuar Olimpiadës Dimërore, Pekin 2022. Në këtë ekspozitë ndërkombëtare të grafikës artistike, marrin pjesë 53 artistë nga 42 shtete.

Agim Salihu, në këtë ekspozitë e përfaqëson Republikën e Kosovës. Grafika e Salihut është realizuar në teknikën – Stoun Litography – Litografi, në Guanlan Printmaking Base, e cila është në kuadër të China Printmaking Museum në Shenzhen.

Disa ekzemplarë të grafikës së Agim Salihut do të koleksionohen në muzeume në Kine, dhe në koleksione të muzeumeve të artit bashkëkohor në vende të tjera.

Central Academy of Fine Arts in Beijing

Ekspozita është hapur në disa hapësira ekspozuese në: Art Museum Fine Art Academy Pekin, China Printmaking Museum Shenzhen. Më pas ekspozita do të hapet në Muzeun e Artit Bashkëkohor ‘Chingdao’, ku do të udhëtoj edhe në muzeume të tjerë.

Ekspozita me temën e Lojrave të Olimpiadës Dimërore, Pekin 2022, është mbështetur nga Komiteti Organizativ i Lojrave Olimpike Dimërore, Pekin 2022.

Qingdao Museum of Contemporary Art, China

Një koleksion i veprave të grafikave me temën e Olimpiadave Dimërore, shumë vite më parë, janë edhe në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, të artistëve: Henry Moore, Andy Warholl, Haward Hodkin, Piero Dorazio etj. / KultPlus.com

Agim Salihu

‘Sa do doja që valë të ftohta të vërshonin mbi mendjen time dhe bota të venitej porsi një gjeth i vdekur’

Poezi nga Ezra Pound

Françeska

Ti erdhe prej natës ku ishe kredhur
Dhe në duar mbaje lule,
Tani do dalësh prej një rrungaje njerëzish,
Prej një kaosi fjalësh rreth teje.

Unë që të kam parë mes gjërash parësore
U nxeha kur ta përmendën emrin
Në vende të rëndomta.
Sa do doja që valë të ftohta të vërshonin mbi mendjen time
Dhe bota të venitej porsi një gjeth i vdekur,
Ose si lule qumështorja dhe të flakej tej,
Që të mund të t’rigjej
Të vetme.

Përktheu nga anglishtja: Redi Sheqeri / KultPlus.com

Momenti kur presidenti Ibrahim Rugova njoftoi se vuante nga kanceri (VIDEO)

Sot bëhen 16 vite nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ishte larguar për pak kohë nga aktivitetet e përditshme si president i Kosovës. Nuk kishte paraqitje publike dhe nuk shfaqej në ekran.

Ibrahim Rugova po u mungonte shqiptarëve të Kosovës, por askush nuk e dinte arsyejen. Spekulimet nisin të qarkullojnë për sëmundjen e ish presidentit të Kosovës por asgjë nuk thuhej me saktësi të plotë.

Ishte vet presidenti ai që thirri një konferencë për shtyp dhe njoftoi se vuan nga kanceri në mushkri.

Në këtë video shihet momenti tejet prekës kur Rugova jep lajmin për sëmundjen që për shumë kë ishte goditje e madhe. / KultPlus.com

Organizata të Shoqërisë Civile, individë dhe aktivistë, pro rregullimit të martesës mes personave të seksit të njëjtë në Kodin Civil

Dje, më 20 janar 2022, mbi 60 organizata të shoqërisë civile, individë dhe aktiviste/ë i janë bashkangjitur procesit afatgjatë të avokimit për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Draft Kodin Civil.

Organizatat, individët dhe aktivistet/ët pjesëmarrës, në shenjë mbështetjeje të këtij procesi, dje nënshkruan letrën e cila ende po qarkullon për përkrahje dhe nënshkrime.

E njëjta, në ditët e ardhshme do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, Deputetëve dhe Komisioneve Parlamentare, për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Projekt Kodin Civil. Aktualisht, Draft Kodi Civil nuk i ka përfshirë kërkesat për përdorimin e gjuhës neutrale në rregullimin e martesës, duke vazhduar trajtimin përjashtues ndaj komunitetit LGBTIQ+.

“Ftojmë të gjitha organizatat, individët dhe aktivistet/ët që punojnë dhe veprojnë për jetësimin e të drejtave të njeriut, pa përjashtime, që besojnë në parimet e barazisë, mosdiskriminimit, të drejtën për privatësi, të drejtën për krijimin e familjes, që t’i bashkohen organizatave dhe akzivisteve/ëve në përkrahje të letrës.”- thuhet në njoftimin e tyre./ KultPlus.com

Kur Ibrahim Rugova u shpall ‘Doktor Nderi’ në Francë (FOTO)

Në dhjetor të vitit 1996, ish-Presidenti Ibrahim Rugova ishte shpallur ”Doktor Nderi” (Honoris Causa) në Universitetin e Parisit VIII në Sorbonë të Francës.

Sekretari i Zyrës së Presidentit Rugova, Adnan Merovci, ka publikuar këto fotografi dhe ka treguar se prezent në këtë ngjarje ishin edhe Fadil Vokrri, Avni Spahiu, Daut Berisha dhe Alush Gashi, përcjell KultPlus.

“Më 1996, Presidenti RUGOVA u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë. Në këtë ngjarje me rëndësi prezent ishin edhe 4 njerëz të veçantë: Fadil VOKRRI, Avni SPAHIU, Daut BERISHA dhe Dr. Alush Gashi!”, ka shkruar Mervoci në Facebook. / KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës hapi punimet si sot 102 vjet më parë

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920.

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina./atsh/ KultPlus.com

Vaj për Brahim Rugovën

Shkruan Halil Matoshi

Vaj për Brahim Rugovën

Ditën qe mbylle sytë ti
Orët u ndalën nga acari
akrepat ngatrrue nuk diftonin ma kohën e Kosovës

U shtang qyteti
ngri në varganë të gjatë njerëzish
qe dojshin me manifestu forcë n’ligshtim

Ishte ni goditje gati ndëshkim hyjnor për ta
pamja jote e shtrime Brahim.

gratë u zbardhen n’Dukagjin
u errën burrat n’Llap e Gallap

dita u pushtue nga fuqia e nji të vdekuni
qyteti i ngrimë skejonte perdet
me pa boshin që sillte nata

masi Kosova ta bâni gjamën
pa nxjerr zâ si të ish fundi i botës

terri ra

ankthi mbështolli qytetin
zia mbushi sheshet
u zmbrapsën pritat u hoqen gishtat nga kambëza
u çaktivizuen bombat
kurthet fjalët e idhta
u kthyen në grykë

paqja funksionoi
për sa u mbajte përmi dhé
Orakull

shpagim nuk lype kurrë
po ma shumë dritë

me haqet e huqet tua
njerëzor u ngjite nalt
totem në besimet e tokës së dardhave./ KultPlus.com

Foto: Hazir Reka
Foto: Hazir Reka

Dua Lipa zbulon se po përgatitet për turneun e albumit ‘Future Nostalgia’ për vitin 2022

Pothuajse dy vjet më vonë se sa ishte planifikuar, turneu i saj “Future Nostalgia” do të nisë këtë vit më 9 shkurt në Miami.

Dhe, Dua Lipa ndau fotografi nga prapaskenat e provave në “Izod Center” në New Jersey në Instagram të mërkurën.

Këngëtarja, 26 vjeçe, tërhoqi vëmendjen me një bluzë rozë të ngushtë, me mëngë të gjata, të cilat e kombinoi me veshje sportive gri për vrapim.

Dua kishte me vete edhe një palë kufje teksa dukej se po regjistronte videoklipe.

Në një foto tjetër, krijuesja e hitit “Cold Heart” pozoi përpara një pasqyre gjigante të rrethuar nga shoqëria e saj e kërcimtarëve mbështetës në një stadium.

Dua shkroi në mbishkrimi e fotografisë: ‘bandat të gjithë këtueeeeee’ (sic).

Këngëtarja thuhet se do të marrë kamera në turneun e saj “Future Nostalgia” për t’u dhënë fansave një pamje të rrallë të jetës së saj.

Sipas “The Sun”, krijuesja e hiteve shpreson ta kthejë pamjen në një dokumentar, në mënyrë që fansat e saj të marrin një vështrim në stilin e jetës së saj.

Një burim i brendshëm i tha publikimit: “Ekipi i saj është kontaktuar nga kompani të ndryshme të cilat janë me të vërtetë të etur për të marrë një film koncert ose dokumentar me këngëtaren. Dua është e veçantë për atë që bën dhe nuk do të pajtohet me asgjë me të cilën nuk është e kënaqur. Por ajo ka nënshkruar që të ketë një kameraman në rrugë me të për të kapur gjithçka që shkon poshtë”./ KultPlus.com

Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Ibrahim Rugova, intelektuali, politikani, akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar, qysh në rinin e tij spikati me talentin e tij edhe në të shkruar, shkruan KultPlus.

Fryma e tij u ndje qysh herët, për të vazhduar rrugën pa ndalje, ku edhe sot ai mbetet një ndër figurat më të dashura për popullin shqiptar.

Kur ai ishte në moshën 18 vjeçare, dy poezi ju botuan në gazetën ‘Rilindja’.

“Le të rritet…”, është poezi e parë e botuar në Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ju sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Amaneti i fundit që Rugova e kishte lënë për shtetin e Kosovës

Sot shënohet 16 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Para se të vdiste, Rugova kishte lënë amanet, që Kosova të mos i prishë miqësitë me vendet e fuqishme në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që të kishte kujdes nga disa vende të tjera.

“E para gjithmonë ka qenë porosia e tij që të jetë një mirëkuptim-respektim dhe një orientim për të mbajtur gjithmonë miqësinë me vendet e fuqishme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në radhë të parë dhe pastaj këto të tjerat dhe me porosinë se për disa vende të kesh kujdes se marrin në thu edhe në tepihë, s’dua të përmend emrin për shkak të korrektësisë. Ashtu ishte shprehja e tij figurative”, kishte rrëfyert ish presidenti Fatmir Sejdiu për amanetin e fundit që e kishte lënë Rugova.

Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së Rugovës do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani.

Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe te varri i Rugovës: Bashkoi popullin shqiptar kundër Serbisë okupatore

Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova.

Osmani ka thënë se Rugova është arkitektet i pavarësisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Sot është 16 vjetori i shkuarjes në amshim të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, ideatorit të pavarësisë, presidentit historik Ibrahim Rugova. Bëri gjithçka për shtetin tonë, ai punoi në një kohë të vështirë për të gjithë popullin e Kosovës, dhe arriti ta bëjë bashkë popullin e Kosovës. Ai arriti të ndërtojë miqësi aq të mëdha. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por gëzojmë edhe miqësitë që i i ndërtoi presidenti Rugova”, deklaroi ajo.

Presidentja tha se kujtimi për Ibrahim Rugovën do të jetojë përgjithmonë në zemrat e qytetarëve.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti para mediave pohoi se Rugova ka dhënë kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore.

“Presidenti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore. Presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Dr.Ibrahim Rugova para se të ishte president ishte intelektual, njeri paqësor, humanist, dha kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore”, theksoi Kurti.

Ish presidenti Ibrahim Rugova kishte ndërruar jetë më 21 janar 2006, pas një sëmundje të rëndë. / KultPlus.com

Adele e përlotur njofton për anulimin e turneut, gjysma e stafit të infektuar me Covid 19

Një Adele e përlotur të enjten shtyu një seri koncertesh në Las Vegas që do të fillonin të premten, kjo pasi gjysma e stafit të saj ishin sëmurë me COVID-19 dhe pandemia ka shkaktuar vonesa në organizimin e turneut.

Super ylli britanik ishte planifikuar të fillonte një qëndrim tre mujor në hotelin “Caesars Palace”, në ato që do të ishin paraqitjet e saj të para live që nga viti 2017, shkruan Reuters.

“Ne kemi provuar absolutisht çdo gjë që mundemi për të nisur në kohë. Dhe që ajo të jetë mjaft e mirë për ju. Por ne jemi shkatërruar absolutisht nga vonesat e organizimit dhe COVID-19. Gjysma e ekipit tim janë të infektuar me COVID. Ata janë ende. Dhe ka qenë e pamundur të përfundosh përgatitjet për shfaqjen”, tha Adele e përlotur në një video të publikuar në Instagram.

Duke thënë se ndjente keqardhje plot tetë herë në një mesazh 92 sekondash, veçanërisht për njerëzit që kishin udhëtuar në Las Vegas për shfaqjen, Adele tha se vonesat e penguan atë të përsoste shfaqjen sipas standardeve të saj dhe ajo premtoi se do të riplanifikonte mbajtjen e turneut.

“Unë do të përfundoj shfaqjen time dhe do ta çoj atje ku duhet të jetë”, tha ajo.

Koncertet do të organizoheshin për të promovuar albumin e saj të fundit “30”, i cili u rendit i pari në top listat e 30 shteteve të ndryshme në nëntor. Ndërkohë: Celine Dion, Katy Perry, Carrie Underwood, Usher, Barry Manilow dhe Shania Twain janë ndër këngëtarët kryesorë që kanë planifikuar kohët e fundit data të shumta koncertesh në Las Vegas./KultPlus.com

Homazhe në acar, pamje nga nderimet për Ibrahim Rugovën para 16 vjetësh (FOTO)

Sot shënohet 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, shumë qytetarë patën pritur me orë të tëra për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Ibrahim Rugovës, edhe përkundër temperaturave tejet të ulëta që kishin shkuar deri në -15 gradë Celsius.

Në varrimin e Ibrahim Rugovës kishin marrë pjesë me dhjetëra burrështetas, nga shtetet më të fuqishme në botë, duke e konsideruar këtë, si lamtumirën më të madhe në rajon./ KultPlus.com

Dhjetë kërkesat urgjente që Ibrahim Rugova ia kishte bërë Perëndimit në vitin 1993 (Dokument)

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 1993 ia kishte bërë dhjetë kërkesa urgjente shteteve perëndimore për ta zgjidhur problemin e Kosovës, që në atë kohë ishte futur në një krizë të thellë politike.

Një dokument i bërë viral tashmë, Rugova kishte përmendur se Kosova është në krizë për shkak të disa arsyeve, ku ka përmendur se tensione janë rritur për shkak të 30 mijë ushtarë serbë dhe 25 mijë policë patrullojnë në Kosovë.

Si arsye që e thellon krizën, Rugova ka listuar edhe faktin se serbët lokalë janë të armatosur. Pastaj, thotë se forcat paramilitare të Arkanit ia mësyjnë fshatrave shqiptarë për të bërë punë të pista.

Ndër të tjera thuhet se pasi Millosheviqi “kreu” punën e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të drejtohet kah Kosova.

Rrjedhimisht, Rugova përmes 10 kërkesave urgjente u tregoi shteteve të perëndimit se çfarë duhet bërë.

Vendosjen e një numri të konsiderueshëm forcash të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë.

Vendosjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së.

Vendosjen e misioneve të jashtme (ndërkombëtare) në Kosovë.

Rritjen e zonës “të mos fluturohet” përmbi Kosovë.

Të ndalet pastrimi etnik nga Serbia në Kosovë.

Të çarmatosen strukturat paramilitare serbe, të vendoset artileria e rëndë nën kontrollin ndërkombëtar.

Të rihapet aeroporti i Prishtinës për fluturimin e ndihmave humanitare.

Të ndalet kolonizimi i Kosovës nga Serbia.

Të lejohet që lirshëm Kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të mbajnë mbledhje.

Të përjashtohet Kosova nga sanksionet ndërkombëtare që i janë vendosur Serbisë dhe Malit të Zi.

Pesë vjet më vonë në Kosovë krisi lufta. Faktori ndërkombëtar luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës, bashkë me UÇK-në si organizatë ushtarake e lindur nga populli kryengritës.

Pas qershorit të vitit 1999, Kosova u shpall zonë e administruar nga OKB-ja deri më 2008, kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës./ KultPlus.com