Sot 96-vjetori i lindjes së shkrimtarit, gjuhëtarit dhe filologut, Martin Camaj

Martin Camaj është autori më i shquar postmodernist i letërsisë shqipe, studiues dhe gjuhëtar i njohur që gjithë jetën e kaloi në emigrim. Ai ka drejtuar katedrën e Albanologjisë në Mynih.

Martin Camaj lindi më 21 korrik 1925 në Temal të Mbishkodrës. Në Shkodër ka kenë nxënës i shkollës së jezuitëve italianë, Collegium Xaverianum. Pas shkollimit punoi mësues në fshatrat malësorë. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë dhe pas një kohe ishte i detyruar të jetonte në ilegalitet derisa ia arriti me arratisej në Jugosllavinë fqinje.

Prej 1949 deri më 1955 studioi për sllavistikë, romanistikë dhe albanologji në Beograd. Filloi të punonte disertacionin mbi Buzukun. Me ndihmën e ish mësuesve italianë u shpërngul në vitin 1956 në Romë ku e mbaroi, në vitin 1960, disertacionin. Prej vitit 1961 punoi pedagog albanologjie në universitetin e Mynihut; prej vitit 1971 deri në vitin 1990 si titullar i profesurës së albanologjisë të cilën ai e kishte themeluar.

Martin Camaj ka shkruar poezi, prozë dhe punime shkencore mbi shqipen dhe dialektologjinë shqiptare.

Dy vëllimet e para poetike e kanë parë dritën e botimit qysh në Beograd. Vepra letrare e Martin Camajt përfshin gjithsej nëntë vëllime poetike, tre romane dhe një vëllim me novela. Poezia e Martin Camajt u përkthye në gjuhët italiane, angleze dhe gjermane.

Martin Camaj ndërroi jetë në Mynih më 12 mars 1992. / KultPlus.com

Beyonce publikon listën e gjatë të këngëve që do të jenë pjesë e albumit “Renaissance” 

Ka disa jave që kur Beyonce njoftoi se do të lansoj në muajin korrik albumin e ri.

Fillimisht ajo zbuloi këngën kryesore nga albumi i saj i shtatë i shumëpritur.

 “Break My Soul” që është pjesë e albumit të saj të shtatë të incizuar në studio, “Renaissance” u pëlqye mjaft shumë nga publiku i cili po pret me padurim përbërjen tjetër të albumit.

Jemi pak më shumë se një javë larg publikimit të albumit dhe Beyonce ka vendosur që të zbuloi listën e këngëve që e përbëjnë këtë album të shumëpritur e që janë plot 16 këngë.

Albumi i plotë do të publikohet të premten e ardhshme, më 29 korrik.

Projekti i parë në listë shihet të jetë kënga “I’m That Girl” dhe më pas pasohet me “Cozy”, “Alien Superstar”, “Cuff It dhe Energy”.

“Break My Soul” është kënga e radhës, për të vazhduar tutje me “Church Girl”, “Plastic Off The Sofa”, “Virgo’s Groove”, “Move”, “Heated”, “Thique” dhe “All Up In Your Mind”.

Kënga e 14-të e albumit quhet “America Has A Problem” për të vazhduar me “Pure/Honey” dhe për ta mbyllur me “Summer Renaissance”.

“Me gjithë izolimin dhe padrejtësinë gjatë vitit të kaluar, mendoj se të gjithë jemi gati të arratisemi, të udhëtojmë, të duam dhe të qeshim sërish”, tha ajo vitin e kaluar për sa i përket albumit. / KultPlus.com

Loredana shfaqet në ‘billboardin’ e Times Square në New York

Një prej emrave më të përfolur në tregun e muzikës, këngëtarja shqiptaro-gjermane, Loredana, po vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Fama e saj ka përshirë një treg më të gjerë.

Suksesin e radhës, Loredana e shënoi duke u shfaqur në ‘billboardin’ gjigant të Time Square në New York.

Fotografia e saj në sheshin e qytetit amerikan u publikua nga Spotify dhe nuk vonoi dhe reperja e ka ripostuar në llogarinë e saj në Instagram.

Loredana është një prej artisteve që sjell më së shumti projekte gjatë vitit duke qenë kështu gjatë gjithë kohës nëpër top listat më të njohura.

Projekti i saj i fundit është bashkëpunimi me reperin shqiptar, Noizy “Heart attack” që është kthyer në një hit veror. / KultPlus.com

Drejtori i Muzeut të Krujës: 30 mijë turistë nga janari deri tani

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës pritën një numër të lartë lartë vizitorësh vendas e të huaj gjatë 2022.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në muajt janar-korrik muzeu pati një numër të lartë vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gati 7 muaj dy muzetë u vizituan nga 30 mijë vizitorë, 40% më shumë se në 2021-shin”.

Sipas tij, turistët e huaj janë polakë, spanjollë, izraelitë, francezë, amerikanë, egjiptianë, danezë, suedezë, etj.

“Këtë vit vihet re një rritje e konsiderueshme e turistëve spanjollë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, të cilët bashkë me polakët përbëjnë dhe numrin më të madh të turistëve të huaj, që kanë vizituar muzeun gjatë këtij viti”, shton Hafizi.

Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për  rikonstruksionin dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët”.

“Konkretisht punimet janë përqendruar në pikturën murale “Oda e nuses”, ku po vijohet me ndërhyrjet konsoliduese si edhe me pastrimin e saj nga kripërat, nxirjet etj”, tha Hafizi.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeu është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale./ atsh / KultPlus.com

OBSH vendos sot nëse lija e majmunëve përbën një emergjencë globale

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbledhë përsëri komitetin e saj të ekspertëve të lisë së majmunëve të enjten për të vendosur nëse përhapja aktuale përbën një emergjencë shëndetësore globale, alarmi më i lartë që mund shpallet.

Një takim i dytë i komitetit të urgjencës të OBSH-së për virusin do të mbahet për të shqyrtuar provat mbi situatën në përkeqësim, me afro 14,000 raste të raportuara nga më shumë se 70 vende.

Një rritje e infeksioneve nga lija e majmunëve është raportuar që nga fillimi i majit jashtë vendeve të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, ku sëmundja ka qenë prej kohësh endemike.

Më 23 qershor, OBSH mblodhi një komitet urgjent ekspertësh për të vendosur nëse lija e majmunëve përbën një të ashtuquajtur Emergjencë të Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar (PHEIC) – niveli më i lartë i alarmit të agjencisë shëndetësore të OKB-së.

Por shumica e këshilloi shefin e OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus se situata, në atë pikë, nuk e kishte arritur pragun.

Tani do të mbahet një takim i dytë, pasi numri i rasteve është rritur dhe është përhapur në gjashtë vende të tjera javën e kaluar.

Nëse komiteti këshillon Tedros se përhapja përbën një PHEIC, ai do të propozojë rekomandime të përkohshme se si të parandalohet dhe reduktohet më mirë përhapja e sëmundjes dhe të menaxhohet reagimi global i shëndetit publik. /abcnews.al / KultPlus.com

Gjërat që fëmijët i mbajnë mend nga prindërit

Faza e rritjes së fëmijëve, është më shumë se një provë e vështirë për prindërit.

1. Kur i keni bërë të ndihen të sigurt

Çdo fëmijë ka nevojë për mbrojtje, prandaj fëmijëve tuaj do t’i nguliten në memorie të gjitha ato herë kur keni luftuar përbindëshat që fshihen poshtë krevatit të tyre, ose kur i keni qëndruar pranë pas një ëndrre të keqe. Por do të mbajnë mend edhe ato raste kur temperamenti juaj ju ka shndërruar juve në ato përbindëshat që ata i ruhen aq shumë. Është normale që fëmijët t’iu shohin të tensionuar dhe nevrastenikë, ama qëllimi juaj kryesor duhet të jetë t’i bëni të ndihen të sigurt kur janë pranë jush.

2. Kur u keni kushtuar kohë

Fëmijët e lidhin ndjenjën e dashurisë me sasinë e vëmendjes që marrin. Ato ditë kur ju ndaloni atë që po bëni për t’u bërë pjesë e një çaji me vajzën tuaj, apo një loje me top me djalin, do të jenë kujtime të ngulitura thellë në memorien dhe zemrat e tyre kur të rriten. Gjeni kohën për të bërë gjëra të vogla me fëmijët tuaj, sepse në fund, do të jenë momentet më të rëndësishme.

3. Marrëdhënia juaj me partnerin

Fëmijët e formojnë këndvështrimin e tyre rreth dashurisë duke parë prindërit e tyre. Synoni të keni atë lloj marrëdhënieje, që t’i bëjë ata të presin me padurim martesën e tyre një ditë. Jepini fëmijëve sigurinë që vjen kur shohin mamin dhe babin në një marrëdhënie dashurie të përkushtuar me njëri-tjetrin.

4. Përgëzimet dhe kritikat tuaja

Zemra e një fëmije është si çimento e patharë, përshtypjet që krijojnë në fazat e hershme të jetës së tyre, do të ngurtësohen me kalimin e kohës. Ata do të krijojnë identitetin e tyre, aftësitë dhe ndjenjën e vetëbesimit, në varësi të fjalëve që ju i keni thënë gjatë fëmijërisë. Detyra e prindërve është të mësojnë dhe disiplinojnë, por edhe kur kritikoni, bëjeni me dashuri dhe inkurajim.

5. Traditat tuaja familjare

Fëmijët do të mbajnë mend ‘traditat’ që ju vendosni në familjen tuaj, qoftë një film në fundjavë, një vend drejt të cilit udhëtoni rregullisht, mënyra si festoni ditëlindjet ose eventet e tjera speciale. Krijoni qëllimisht disa traditat që dhe fëmijët tuaj do të donin t’ia kalonin fëmijëve të tyre një ditë. / KultPlus.com

Faza e rritjes së fëmijëve, është më shumë se një provë e vështirë për prindërit.

Tuneli i Llogorasë, Rama: Deri në fund të korrikut pritet të hapet më shumë se gjysma

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë po vijon me ritme të larta, ku deri në fund të korrikut pritet të hapet më shumë se gjysma.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna që po bëhet për ndërtimin e këtij tuneli.

“Mirëmëngjes dhe nga tuneli i Llogarasë, ku punohet me ritme të larta e ku falë formacionit të favorshëm gjeologjik, deri në fund të muajit do të jetë hapur më shumë se gjysma e segmentit, ju uroj një ditë të mbarë”, thekson Rama.

Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës.

Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bëjë që kjo rrugë të përshkohet për 7-10 minuta. / KultPlus.com

Kopja e “Chamber of Secrets” shitet për afro 4 mijë funte

Sally Champion, gruaja që bleu një libër të Harry Potter për 10,99 funte më shumë se 20 vjet më parë, tani e ka shitur atë për 3,750 funte.

Champion, e cila jeton në Edinburg, ka punuar për një organizatë bamirëse në Londër në vitet e 90-ta.

Autorja JK Rowling lexoi fragmente nga libri i saj i dytë i Harry Potter, në një ngjarje që Sally organizoi dhe nënshkroi një kopje për të.

Ajo i tha BBC Scotland se e kishte harruar atë derisa pa një të ngjashme të vlerësuar në televizion.

Tani ajo i është shitur një koleksionisti në veri të Anglisë dhe Sally po i jep të ardhurat e saj për bamirësi.

Në vitin 1998, Sally punonte për National Literacy Trust dhe organizoi një ngjarje në një librari për fëmijët nga komunitetet.

Harry Potter dhe The Chamber of Secrets sapo ishin botuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Rowling ishte aty për të lexuar fragmente nga ajo.

“Ajo ishte mjaft e lodhur sepse ishte zgjuar deri vonë pasi sapo kishte fituar çmimin e librit Smarties një natë më parë. Ajo ishte shumë e lehtë për të punuar me të – me të vërtetë e relaksuar. Ajo nuk ishte super e famshme në atë kohë, por momenti ishte tashmë duke u zhvilluar në librat për fëmijë rreth saj”, ka thënë Sally./21Media / KultPlus.com

Artistja e burgosur ruse: Shteti im është i etur për gjak

“Unë jam patologjikisht e paaftë që të tradhtoj ndërgjegjen time”, tha artistja dhe muzikantja nga Shën Petersburgu, Aleksandra Skochilenko, e cila dha një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga një qendër paraburgimi.

“Nuk kam shpresë. Komiteti i Hetimeve dhe kreu i tij, Aleksandr Bastrykin, personalisht më kanë zgjedhur mua që të vuaj ndëshkimin më të ashpër të mundshëm”, tha ajo për Realitetet e Veriut të REL-it.

Artistja 32-vjeçare që shpesh përdor vetëm emrin Sasha, u arrestua në prill pasi ajo ndryshoi pesë etiketa çmimesh në një dyqan me mesazhe kundër pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës. Ndaj saj është ngritur akuzë për shpërndarje të informacioneve “të rreme” lidhur me forcat e armatosura dhe mund të përballet deri me dhjetë vjet burgim.

“Shteti im është i etur për gjak”, tha ajo. “Përfshirë timin”.

Pavarësisht gjendjes së brishtë shëndetësore dhe natyrës jo të dhunshme të akuzës ndaj saj, Skochilenko e pranon se ka ndryshuar etiketat e çmimeve, por mohon se ka thënë diçka të rreme apo shpifëse. Ajo për më shumë se tre muaj gjendet në një qendër paraburgimi. Masa e paraburgimit i është zgjatur deri më 1 gusht dhe qëndrimi në paraburgim mund t’i zgjatet edhe më shumë.

Radio Evropa e Lirë pati mundësi që t’i dërgonte pyetje me shkrim Skolchilenkos për këtë intervistë dhe ajo ktheu përgjigjet me shkrim përmes avokatit të saj.

Duke përfshirë Skochilenkon, të paktën 73 persona në Rusi janë akuzuar në bazë të një ligji të ashpër të miratuar disa ditë pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt. Shumica e të pandehurve janë politikanë, gazetarë, priftërinj, aktivistë dhe madje edhe zyrtarë policorë. Më 8 korrik, ligjvënësi komunal i Moskës, Aleksei Gorinov, u dënua me shtatë vjet burgim, në bazë të këtij ligji.

Skochilenko tha se zyrtarët e burgut kanë ngurruar që të akomodojnë kufizimet e saj dietale për shkak se ajo ka intolerancë ndaj glutenit, pavarësisht presionit që kanë bërë aktivistët e shoqërisë civile dhe avokatët e saj, që burgu t’i mundësojë një dietë të përshtatshme për të.

“Në mënyrë të vazhdueshme kam dhimbje barku dhe nganjëherë vjelli kur jam duke ngrënë”, tha jo. “Imagjinoni të jetoni çdo ditë me simptomat e helmimit nga ushqimi. Kjo është jeta ime tani”.

Ajo po ashtu ka filluar që të ketë probleme me zemër, që kishte arritur t’i mbante nën kontroll qëkur ishte adoleshente.

“Në dy muajt e fundit kam dhimbje të zemrës”, tha ajo për REL-in. “Kohë pas kohe, shikimi më errësohet, kam probleme me frymëmarrje, shtrëngim gjoksi, marramendje dhe dhimbje në krahun e majtë”.

Ajo shtoi se shqetësohet se shoqja e saj e qelisë nuk do të mund të thërrasë për ndihmë nëse humbet ndjenjat gjatë natës ose që autoambulanca nuk do të arrijë në kohë për ta ndihmuar.

‘Rregulla të çuditshme’

Fillimisht, Skochilenko ishte vendosur në një qeli standarde me gjashtë të burgosur dhe një prej të burgosurave ishte një e “besuar”, e quajtur Yelena. Zyrtarisht, Yelena ishte përgjegjëse për të siguruar që qelia të mbahej e pastër, por në realitet, tha Skochilenko, detyra e saj ishte që t’ia bënte të mjerueshme jetën artistes.

“Para të gjithëve, ajo më tha se unë ‘kundërmoj’ dhe më detyroi që të laja të gjitha rrobat me dorë”, tha Skochilenko. “Ajo më shikoi gjatë gjithë kohës dhe më detyroi që ta pastroja tualetin me një sfungjer në vend të brushës”.

“Ka edhe rregulla të tjera të çuditshme që ajo shpikte, të tilla sikurse ju mund të mbani fshesën vetëm në një mënyrë të caktuar”, shtoi Skochilenko. “Ne na duhej ta pastronim komplet qelinë tri herë në ditë. Për pastrimin e çdo sipërfaqeje kishte një leckë të posaçme, dhe të gjitha leckat duhej të laheshin me dorë pasi pastronim qelinë…. [Yelena] nuk lejonte askënd që të hapte frigoriferin dhe na lejonte që të hanim vetëm në kohë të caktuara… Gjithë ditën ajo e linte televizorin e ndezur dhe shikonte filma lufte apo shikonte lajme për ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”.

Yelenës, sipas Skochilenkos, më vonë iu zbut dënimi dhe u dërgua në burgim shtëpiak.

Zyrtarët po ashtu duket se synojnë që të dëshmojnë se Skochilenko është e paaftë mendërisht. Një psikiatër i burgut, që e kontrolloi në qendrën e paraburgimit, erdhi në përfundim se Skochilenko ishte e aftë.

Pavarësisht kësaj, hetuesit insistuan që ajo të dërgohej në një spital psikiatrik për një vlerësim dyjavor. Një komitet “prej pesë doktorësh dhe një konsulent” po ashtu erdhën në përfundim se Skochilenko është e aftë dhe nuk ka nevojë për ilaçe psikotrope.

“Ndoshta ata vepruan kështu si një formë shtesë për të më bërë presion ose ndoshta ata thjesht duan të më turpërojnë sa më shumë që të munden”, tha Skochilenko. Pasi ajo u kthye nga spitali në burg, hetuesit i kërkuan që ajo t’i nënshtrohej edhe një vlerësimi tjetër psikiatrik në burg.

Sipas Skochilenko, konstatimi i paaftësisë mendore mund të përdoret për të justifikuar një trajtim të detyruar mjekimi. Ajo tha se një nga psikiatrit që e kontrolloi “vazhdoi të këmbëngulte që unë të shkoja në kishë”.

Skochilenko për një kohë të gjatë ka vuajtur – por, ka qenë duke u trajtuar – nga çrregullimi bipolar, që përfshin periudha të “depresionit paralizues”. Megjithatë, ajo tha se gjendja e saj nuk ishte një problem i posaçëm për të qëkur është arrestuar.

“Vitet e tëra që kam kaluar duke punuar në shëndetin tim mendor dhe edukimin, përfshirë konsultimet me doktorë, ilaçet, vite të terapisë psikike dhe pjesëmarrja nëpër seminare, kanë dëshmuar se janë efektive”, tha Skochilenko për REL-in. “Dhe unë kam pranuar mbështetje të madhe, gjë që më ka ndihmuar që ta përballoj” arrestimin.

Autoritetet janë “tmerrësisht të frikësuar”

Ajo tha se nuk pendohet që vendosi në etiketat e çmimeve informacione për luftën e Rusisë në Ukrainë, edhe pse “ato pesë etiketa vendosën fatin tim”.

“Një grup i tërë i policisë u krijua për të më gjetur dhe pas dhjetë ditësh ata më kapën”, tregoi ajo. “Sigurisht, unë kurrë nuk u fsheha”.

Ajo beson se Bastrykin dhe hetuesit e tjerë synojnë që ta ndëshkojnë atë sa më shumë që të munden sepse ata “janë tmerrësisht të frikësuar”.

“Kur një person është tmerrësisht i frikësuar, ai priret të shohë kërcënime të mëdha diku ku nuk ka asgjë”, tha ajo. “Unë peshoj 47 kilogramë, nuk di të shti me armë. Nuk mund të luftoj. Nganjëherë vuaj nga depresioni paralizues. Shëndeti im është i dobët. Edhe nën një stres të vogël, unë menjëherë kam simptoma. I dua njerëzit, fëmijët dhe kafshët. Unë jam një kandidate e keqe për organizimin e një rebelimi të armatosur. Por, frika është një gjë e paarsyeshme”.

“Sikurse të gjithë që ndiqen padrejtësisht në Rusi, unë nganjëherë frikësohem”, tha ajo. “Unë jam këtu dhe me gjasë do të vdes në burg për liri të shprehjes dhe pacifizëm”.

“Por, besimi im në liri të shprehjes dhe në humanizëm është më i fortë se frika ime”, përfundoi ajo./ REL / KultPlus.com

Kujtesë dhe përshpirtje, sot në përvjetorin e vdekjes së poetit të kushtrimeve lirike, Ali Podrimja

Nga Albert Vataj

Qysh prej 21 korrikut të vitit 2012, liriku Ali Podrimja do ti mungojë poezisë shqipe. Hapat e tij ndaluan kaq papritmas, sa nuk la kohë as të besonim vërtetë se ai nuk do të ishte më. Zemra dhe pena e këtij shpërthimi, janë thyer në syprinën e një pikëllimi e grishjen e një lamtumire të pakohë dhe zemërthyese. Gjurmët e kësaj ikje u shkruan nxitimthi mbi kujën e kushtruar që nga Franca, për të mbushur me oshëtimë vdekjeje dhe dhimbje ndarjeje, gjithkah flitet shqip e kungohet zashëm tafti gjëmues i poezisë së tij.

Lajmi i zhdukje dhe vdekja

Podrimja I’u dha një vdekjeje që la shumë mister. Poeti u njiftua nga familjarët dhe të afërmit i zhdukur, të cilët pohuan se kishin humbur kontaktet më të që prej 18 korrikut. Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve, ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë, Voix de la Méditerranée. Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

Duke u fikun të gjallët e Ali Podrimjes, asht shu zani i një poeti, ka shterrun shpërthimi i një yll, një yll që është me ne në muzgjet medituese të poetit, në amën e pambarueme për me jetu në çdo moment me kangën e shpirtit. Zani dhe pena, zemra dhe poezia e kësaj vullnese shpirtnore u kthyen në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir, ishin dhe mbeten deri në të mbramen frymë, tharmi i kangës që diti me e këndue edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrra e tij. Kushtroi me za shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dha krahët e atij zogu krahthyem e kungimi rënkues.

Ai iku si një poet i madh, si një penë e fuqishme, si një njeri që diti dhe mundi me e mbush jetën dhe gjithkënd përreth tij me energji pozitive. Ali Podrimja vdiq. Vdiq poeti. Ai u shua për të ndritur me kandë e me kushtrim, kahdo ku terri lëshon rraj, e flligsia dëbon dritën. Fjala dhe shpirti mbeten përmes vargjeve të tij, në mbamendjen e sejcilit që kungoi dëshirën për emocione të epërme.

Kur Vdes poeti

– mëton Dritero Agolli, zemra ta do të dëgjosh vetëm heshtje, të dëgjosh vetëm fëshfërimën e gjetheve, vetëm shushurimën e një përroi, vetëm cicërimën e një zogu. Kur vdes poeti, do të doje të heshtnin fanfarat e sukseseve përgjithësisht të gënjeshtërta, të mekeshin fjalët boshe të lëvdatave, të platitej zhurmëria e kotësisë. Kur vdes poeti, do të doje të mos kishte, së paku për një çast, marramenth makinash e manekinësh, pamje klithëse reklamash të zhveshura nga çdo gjë njerëzore, zukama kafenesh mes vdekjes së punës; të mos shihje mjedise të papastra, dorën e lypjes nëpër trotuare, dijen e librave lëshuar për shitje drejt e përdhe. Kur vdes poeti, do të doje të shihje lule e bar, drurë e hije, natyrë dhe prehje. Dhe do të doje që shpirti të zhytej në mendime për kuptimin e jetës, për vlerën e duarve të punës, për dritën e mendjes, për regëtimën e zemrës. Do të doje të bisedoje me shpirtin e poetit përmes gurgullimës së vargjeve dhe fëshfërimës së urtë të të thënave e të pathënave të tij. Dhe të ringrije në mendje atë botë ndjenjash e përjetimesh gjithfarësh të krijuar prej tij, ku ndihet fryma e bekuar e thjeshtësisë, kthjelltësisë, urtësisë. Kur vdes një poet, domethënë një njeri që na jep mesazhe njerëzore përmes poezisë, ajo që të lëndon më shumë është zhurmëria e pashije dhe në thelb blasfemuese që shoqëron krijuesin në shtegtimin e tij drejt strehës së fundit. Befas për atë, që ikën heshturazi e në vetmi, fillojnë e kujtohen plot bujë të gjitha kategoritë e parisë-elitë të vendit: zyrtarë të lartë të shtetit e artistë-politikanë, miq të mëdhenj të të ndjerit, kryeredaktorë gazetash. Rendin kush e kush më parë ta thonë fjalën e tyre me peshë, elitare, ta thonë botërisht, pavarësisht se në ato fjalë gjithçka mund të gjesh veç figurës së poetit jo. Të hidhëron kjo zhurmë në një kohë që vdekja kërkon heshtje nderuese. Të lëndon kjo prirje dyfytyrëshe për vetëdukje, ndërkohë që humbja e një shpirti mendimtar do të duhej të shoqërohej me mendime të thella, me një brengosje të brendshme dhe vlerësim realist, në daç edhe filozofik, por kurrsesi jo propagandistik, vlerësim që të përfshijë dhe paraqesë para lexuesve të çoroditur nga shtypi tregtar atë që kishte më të spikatur kjo dritë e mendimit dhe flakë e ndjenjës së zhveshur nga çdo interes vetjak. Të nervozon belulizmi i shpëlarë, bajat, mjeran, ky egoizëm i pakufi, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe që ia than çdo gjethe të gjelbër e çdo gonxhe. Ndërkohë veshi dëgjon e syri lexon vetëm fjalë, fjalë, fjalë. Nuk ka mënyrë më të shëmtuar për të vrarë kujtesën mbi poetin. Të gjendet këtu njëri ndër ato shumë shkaqe, për të cilat poeti u mbyll në veten e vet? Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë, E mbylla dhe derën që rrinte e hapur Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë, Që shtireshin ëngjëj të dashur, sos këtë ndarje me poetin, Agolli.

Poetika e tij

Ali Podrimja na kujton se e rrjeshtoi kumtin e tij për me çliru poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai konsumoi një përpjekje titane dhe vendosi parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.

Lindja dhe shndritja e yllit poetik

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Gjatë gjithë kandës së tij për me mëtu përmes vargut, metaforës, poezisë atë që shpirti i gufonte, ai e kjartësoi rrugën e tij të një krijuesi, të një poeti të madh. Nuk nguroi kurrnjiherë për me e thanë fjalën e vet, për me ken aty ku sofra e pozisë kishte shtruar zemrat dhe fjalët, shpirtin dhe metaforën. Tash që ai do të mungojë në sofrat e poezisë, kumti që nxuni me tharmin e shpirtit të paepun do të mylmejë në amshim thirrjet e urisë për liri, dashuri dhe devocion.

Krijimtaria e tij

Iku duke lënë pas një mal me këndime e kungime shpirti, prej të cilave veçojmë;

Thirrje, poezi, Jeta e Re, Prishtinë,1961 ; Naim Frashëri, Tiranë, 1972, zgjodhi Pandeli Koçi. Botimi i parë i këtij libri u bë karton.

Loja nën diell, tregime, Jeta e re, Prishtinë, 1967.

Dhimbë e bukur, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1967.

Sampo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1969; Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1980.

Hija e tokës, Bota e Re, Prishtinë, 1971.

Torzo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1971; Botimi i dytë, pasthënia Ibrahim Rugova, 1979.

Folja, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1973.

Credo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1976.

Poezi, lektyrë shkollore, Prishtinë, 1978, 1985.

Drejtpeshimi, poezi e zgjedhur, parathënia Ibrahim Rugova, Rilindja, Prishtinë, 1981.

Lum-lumi, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1982,1986,1990; Toena, Tiranë, 2003, botimi IV dhe V, parathënia dr. B. Kuçuku; Rozafa, Prishtinë, 2003 ; Libri Shkollor, Prishtinë, 2012.

Fundi i gëzuar, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1988.

Zari, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1990.

Në bisht të sorrës, poezi, Art-Pena, Prishtinë, 1994.

Buzëqeshja në kafaz, Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë, 1994 ; Dukagjini, Pejë, 1995.

Tkurrja e Atdheut, ese dhe të paharruarat, Konica 95, Tetovë, 1996; Toena, Tiranë, 2004.

Libri që nuk mbyllet, ese, Rilindja, Prishtinë, 1997.

Ishulli Albania, Rilindja, Prishtinë, 1998; poezi e zgjedhur, parathënia Visar Zhiti, Onufri, 2004 ; botimi plotësuar, AIKID, Prishtinë, 2006.

Burgu i hapur, Rilindja, Prishtinë, 1998.

Harakiri, ese, shënime nga esnafi dhe një miniroman, Rilindja, Prishtinë, 1999.

Dielli i zi, ese, Rilindja, Prishtinë, 2000.

Poema, Enti i Teksteve, Prishtinë, 1979, parathënia Hysni Hoxha.

Poezi, Naim Frashëri, Tiranë,1986, zgjodhën Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, parathënia D. Agolli.

Litari i ankthit, poezi e zgjedhur, parathënia Bashkim Kuçuku, Toena, Tiranë 2002.

Antologji personale, Ora, Tiranë, 2002.

Kush do ta vrasë ujkun, Alba-Ass, Tiranë, 2002. Zgjedhjen dhe parathënien Ali Aliu.

Te guri i Prevezës, parathënia Bashkim Kuçuku, Arbëria, Tiranë, 2003.

Letra nga të vdekurit, ese dhe persiatje, Toena, Tiranë 2004.

Pikë e zezë në blu, poezi, Onufri, 2005.

Sfidë harrimit, ese, parathënia Bashkim Kuçuku, Onufri, Tiranë, 2006.

Gjumi i tokës, poezi e zgjedhur, Ideart, Tiranë, 2007.

Fundi i mitit, tregime, parathënia Sadik Bejko, Onufri, 2007.

Libri mbi të qenit, poezi e zgjedhur, Brezi 9, Tetovë, 2008 ; PEN Qendra, Prishtinë, 2009, parathënia Fatos Arapi;

Vepra 1-9, Vepra e plotë, parathënia Ali Aliu, ASHAK, Prishtinë, 2013.

Poezitë e tij janë përkthyer edhe në hebraisht, danisht, norvegjisht, holandisht, greqisht, çekisht, bullgarisht etj. Po ashtu janë botuar në revista si Poesis 93, Mediteran (Paris), Neue Sirene (Mynhen), Neue literatur (Ofefenbach), Literatur und kritik (Salzburg), Hid (Novi Sad), Slobodnost (Lubjanë), Impegnio 80 (Itali, Mazara del Vallo, Frapani), Literatura na swiecie (Varshavë), Život (Sarajevë), Nëntori dhe Letërsia shqipe (Tiranë), Književnost (Beograd) etj.
Për poezinë e tij kanë shkruar Hasan Mekuli, Vehap Shita, Ali Aliu. / KultPlus.com

10 portet më të bukura në Europë, mes tyre edhe një në Shqipëri

Shumë qytete dhe porte turistike në Evropë, në Mesdhe, por edhe në Evropën Veriore, janë pikënisja ideale për të zbuluar vende dhe brigje fantastike. Duke nisur nga Italia, Greqia, Kroacia, Shqipëria, Holanda e deri në Irlandë, këto janë 10 portet më të bukura në Europë.

Portofino, Liguria

Konsiderohet një nga portet më të bukura në botë, pranë të cilit ndodhen shtëpitë e vjetra të peshkatarëve, si dhe një nga shëtitoret më të famshme në Mesdhe. Lart portit, në kodrat e gjelbra Liguriane, gjenden edhe disa vila luksoze, ku të gjithë ëndërrojnë të kalojnë së paku njëherë në jetë pushimet e tyre verore. 

Ponza, Lazio

Të gjithë thonë se sapo mbërrijnë në këtë vend, magjepsen që në shikim të parë me shtëpitë ngjyrë pastel të këtij fshati unik. Duke u nisur nga Ponza, ke mundësinë të eksplorosh disa limane dhe plazhe me ujëra të kristalta. Zgjidhja ideale do të ishte një xhiro me varkë, për të vizituar pika turistike si Chiaia di Luna, Cala Felice, Cala Cecata, Cala Feola dhe shumë të tjera.  

Porti Cervo, Sardenjë

Është një nga vendet më në modë dhe më të vizituara sidomos nga të famshmit, manjatët dhe pronarët e jahteve luksoze. Mbi të gjitha, Sardenja është një vend me bukuri të rralla, me një det fantastik me ngjyra të jashtëzakonshme, si dhe një natyrë që kundërmon aromë lulesh dhe bimësh si rozmarina. Nga sheshi i vogël, përmes një ballkon të mrekullueshëm me pamje nga deti, mund të admironi panoramën e portit dhe arkitekturën klasike të Sardenjës.   

Porti Kornati, Biograd na Moru, Kroaci

Porti është i vendosur në arkipelagun magjepsës të ishujve Kornati. Arkipelagu është një nga vendet më të bukura dhe më të paprekura në bregdetin kroat, ndërsa ishujt shquhen për format e tyre dhe aftësinë të ndryshojnë ngjyrën në varësi të dritës së diellit. Deti ka gjithashtu ngjyra mahnitëse dhe është i rrethuar nga kurora të gjelbra pyjesh. 

Naxos, Ishujt Cyclades, Greqi

Ujërat e pastër dhe smerald të Egjeut, bimësia e pasur dhe ndërtesat tipike të bardha me pamje nga porti, e shndërrojnë Naxosin në një mrekulli të vërtetë. Në mes të verës kjo zonë, si gjithë Egjeu, mbushet me ngjyrat dhe aromat e lules së meltemit.

Sarandë, Shqipëri

Mes porteve të ndryshme të njohura në Europë, renditet dhe ai në Sarandë. Qyteti shqiptar konsiderohet si një vendpushim shumë i bukur bregdetar, që po tërheq një numër në rritje turistësh të huaj për detin e mrekullueshëm, si dhe çmimet e favorshme. Veç të tjerash, ofron shumë plazhe të bukura, site arkeologjike dhe monumente natyrore që gjenden shumë afër, si Syri i Kaltër.    

Bastia, Korsikë

Porti është pika kryesore e hyrjes për ata që arrijnë në Korsikë nga deti. I vendosur në verilindje të Korsikës, qyteti e ka marrë emrin nga kalaja e shekullit të katërmbëdhjetë. Qyteti ngrihet në pikën ku vargmali i Cap Corse i hap rrugën fushave të shumta. Natyra është e bukur dhe me kontraste të mëdha mes maleve dhe detit. 

Monte Carlo, Principata e Monakos

Sharmi dhe luksi marramendës i këtij vendi të bën të harrosh se ndodhesh në një nga pikat më të bukura në bregdetin jugor francez. Sigurisht, Monako është një qytet me ndërtesa të mëdha, por mjafton të largohesh disa kilometra për të zbuluar parqe, kopshte dhe vende nga ku mund të admirosh disa nga peizazhet më të famshme në botë.  

Volendam, Holandë

Rreth njëzet kilometra larg Amsterdamit, në drejtim verilindor, ndodhet qyteti Volendam. Vendi nuk shquhet shumë për ujërat e detit, por për atmosferën dhe arkitekturën e fshatit të peshkimit me shtëpitë tipike me ngjyra dhe çati të pjerrëta. Porti është një nga pikat kryesore për të eksploruar këtë pjesë magjepsëse të Holandës.   

Howth, Irlandë

Me farin dhe arkitekturën tipike, edhe Howth në Irlandë shquhet për pamjet e bukura dhe atmosferën tipike. Shumë pranë, ndodhen livadhe të gjelbra të pafundme që shtrihen buzë shkëmbinjve me pamje nga deti dhe karakterizojnë natyrën irlandeze.    

Portofino, Liguria
Ponza, Lazio
Porti Cervo, Sardenjë
Porti Kornati, Biograd na Moru, Kroaci
Naxos, Ishujt Cyclades, Greqi
Sarandë, Shqipëri
Bastia, Korsikë
Monte Carlo, Principata e Monakos
Volendam, Holandë
Howth, Irlandë

Laura dhe Petrarka, dashuri që nënshtroi me zjarrin e pasionit një zemër dhe ndërtoi një monument

Nga Albert Vataj

Të merituara do të ishin gjithëçfarë nderimi dhe mirënjohje për t’rrallin burrë që kultivoi një gjuhë, që hyjnizoi një ndjenjë dhe jetësoi modelin e tokësorit që preku apogjeun. T’pamatën ndjenjë që s’reshti së s’kalituri me daltën e pasionit një dashuri epike.

Dashuria marroke për Laureta de Noves, 336 sonetat-psalme hyjnizese të këtë marrëdhënie, kësaj dashurie që harbohej pengimesh e zjarresh pasionuese, i mëkoi amshimin “babait të Rilindjes Italiane”. Krejtçfarë sendërtoi këtë personalitet krejt të pazakontë, të dijes dhe kulturës, humanizmit dhe sharmit estetik, u kredh në gjunjët e kësaj dashurie platonike, e cila shkreptiu në mëngjesin e 6 prillit të vitit 1327 në Avinjon, ku ai behte i mirëpirtur në oborrin papal, pas studimeve të jurisprudencës që i kishte kryer në Monpelie dhe Bolonjë. Ishte ky shigjetim Kupidi që do të tejpërtejtë zemrën e tij dhe do të plazmonte shkëlqimin më të ambroztë të memories italiane, prej lirikave që ky shpirt pasionesh të stuhishme gatoi.

Po Laura kush është, ajo së cilës Petrarka i këndoi që nga çasti që e njohu, me rimat më të ëmbla dhe tinguj të panjohur. Letërsia që po lindte pas muzgun e Mesjetës i është mirënjohës këtij takimi, këtij akti sublim, të dashurisë me shikim të parë. Sikundër Beatriçe e Dantes, edhe Laura ishte një tjetër italiane e mrekullueshëm, së cilës i detyrohet aq shumë letërsia e atij vendi. Aq me shkëlqim e ëmbëlsi, ngjyra dhe pasion, kushtim e amshim iu këndua asaj gruaje, sa asokohja dhe e mëvonshmja, do ta kishte të pamundur ta besonin se ishte një person real. Mosbesuesit dhe të mëdyshtit thanë se Petrarka nuk bëri as më pak e as më shumë se atë që bënë piktorët e mëdhenj, para dhe pas tij, të cilët krijuan një përfytyrim idilik, të një gruaje të virtytshme, një kreaturë të kulluar, për të derdhur në të format magjepsëse frymëzimet e tyre. Kundërshtitë dhe dilemat, zelli për të hedhur dritë mbi të vërtetën çoi deri atje sa të hapej varri ku preheshin eshtrat e Laurës, dhe kjo ndodhi diku në shekullin e XVI. / KultPlus.com

Jasharaj: Nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat tona, në shtator do të ketë grevë të përgjithshme

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme, pasi që sipas tyre Qeveria Kurti nuk i ka përfillur kërkesat e sindikatave për dialog dhe se kjo qeveri nuk po i fton sindikatat për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave.

Tutje, ai tha se kërkesat e tyre janë 100 euro shtesë në paga, duke shtuar se me 10 gusht do të mbajnë edhe një mbledhje e jashtëzakonshme me kryesinë e BSPK-së.

Në qoftëse nuk reflekton Qeveria edhe me 1 shtator, Jasharaj theksoi se në vend të nxënësve dhe ziles mësimdhënësit do të jenë në grevë.

“Të gjithë këto angazhime jemi duke i bërë në kuadër të BSPK ku jemi pjesë bashkë me federata tjera. Me 14 kishim takimin e jashtëzakonshëm të BSPK dhe analizuam situatën dhe fatkeqësisht erdhëm në përfundim se as angazhimi ynë i fundit dhe i vetmi që na kishte mbetur pas protestave dhe grevave nuk ka dhënë rezultat ngase qeveria nuk i është përgjigjur as ndërmjetësuesit me çka ka treguar se është kundër dialogut. Edhe në kuadër të BSPK në takimin e këshillit drejtues është marrë vendimi që me 10 gusht të mbahet edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së dhe ky rrugëtimi ynë fatkeqësisht në mungesë të dialogut po na tregon drejt grevave. Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor pra me 24 kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do të kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”.

“Në qoftëse me 24 dhe me 1 shtator qeveria nuk reflekton atëherë opinioni le ta dijë me 1 shtator startojmë me grevë ku në vend të nxënësve dhe ziles do të kemi mësimdhënës po jo në punë por në grevë dhe do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat tona. Vazhdimisht kemi insistuar që qerdhet të mos jenë pjesë e grevave për shkak se po tentohet një pjesë e qytetarëve tanë që nuk kanë faj dhe i kanë fëmijët në këto qerdhe mirëpo ata kanë insistuar dhe nuk mund ti largojmë nga greva. Sa i takon SBASHK-ut me 1 shtator do të kemi grevë në qerdhet e Kosovës në arsimin para universitar, në fillore e të mesme. Nëse zgjat greva deri me 1 tetor do ti kemi edhe Universitet në grevë”, tha Jasharaj./ KultPlus.com

Zemërimi jonë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças,
Atë durim të padurura të zemërimeve pa gas.
Tashi zë çel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy,
Edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty.

Kjo këng’ e fellë e heshtjes s’ate, vështrim’i derdhur gjithë përdhe,
Stolitë e hireve të tua ndaj shkon me turp si nuse e re,
Dhe kaqë mijë dashurira, kaq dhëmbshuri që s’thuhet dot,
M’a mbushin plot të mjerën zemër, vetëm me gas, vetëm me lot.

E pata pyetur vetëveten, me t’j-u përgjigjur vetvetiu-
Pse kaqë zi ti motra ime, pse kaqë vrerë unë i ziu:
Nuk paske qënë vrer e zi, po qënke vetëm dashuri,
Qënke një dritë fshehtësije plot bukuri! plot bukuri!

Dhe më pëlqen ah zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj’
Ndaj ri mendohem duke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?
Dhe ja! m’a fal çfardo mërije! dhe ja! t’a fal çfardo mëri!
Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri./ KultPlus.com

Filmi ‘Nope’, premierë në Los Angeles

Filmi i ri iJordan Peele, “Nope”, u shfaq premierës në Los Angeles ditë më parë.

Në këtë film me role paraqiten: Keke Palmer, Daniel Kaluuya e Steven Yeun. Ngjarja përqendrohet tek një fermë kuajsh ku ndodhin gjëra të çuditshme, e të cilat i nxisin ata të mendojnë rreth asaj nëse ekzistojnë mrekulli të këqija.

43 vjeçari Peele për media ka thënë se synon që “Nope” të ndiqet në ekran të madh. Sipas tij, ai paraqet disa imazhe të pazakonta, që nuk janë parë më parë në ndonjë film.

Ky regjisor më parë ka realizuar edhe dy filma të tjerë horror, që janë “Get Out” në vitin 2017 dhe “Us” në vitin 2019.

Filmi “Nope” ka nxitur reagime në mediet sociale nga ana e kritikëve dhe gazetarëve të filmit. Ata e quajnë filmin “spektakël të çuditshëm”.

Disa nga komentuesit janë të mahnitur me skenat në film, me ç’rast kanë thënë se ato janë një spektakël i vërtetë, diçka që nuk kanë parë në qiell në ndonjë film më parë.

Disa të tjerë e kanë quajtur të frikshëm, por njëkohësisht interesant.

Regjisori Peele njihet për krimim të filmave si ky, të cilët nxisin publikun që ta analizojnë thellë dhe të zbulojnë disa nga të vërtetat e errëta që ekzstojnë në njerëzim.

Filmi “Nope” do të shfaqet në kinematë amerikane nga data 22 korrik 2022./21Media/ KultPlus.com

Nuk gjej paqe

Poezi nga Francesko Petrarka

As lufte s’bej dhe askund s’gjej paqe’
dhe frike dhe shprese: kam zjarr dhe akullohem,
ne qiell nxitoj, ne toke prap rrezohem,
askend s’takoj dhe boten kam perqafe.

Ajo me futi ne burg,hapsan e laqe,
as nuk me mban,as nuk me le te iki,
dhe me largon dhe hallke me ve tek shpirti,
as rroj,as vdes,as dhimbjet s’kane cae.

Pa sy dhe shoh,pa gjuhe dhe nxjerr klithme,
kerkoj te vdes,therras qe te shpetoj,
perbuz vetveten,ju jap ju lumturine.

Mes lotesh qesh,ju jap ju dhembshurine,
dhe jet’,dhe vdekje i ve ne barazi,
po per keto,o grua,faj ke ti./ KultPlus.com

Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, arketip i jokonformistit

Nga Albert Vataj

Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimit demokratiek. Ai ishte shumë e shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmi njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.

Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920- Washington, 20 korrik 1997), ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.

Nga jeta

Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.

Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.

Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.

Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.

Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.

Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

Veprat

Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.

Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.

“Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).

Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme. /KultPlus.com

Dija e pushtetit apo pushteti i dijes?

Nga Jusuf Buxhovi

Nimon Pashës, i mbyllur në havlet, assesi t’i hiqeshin nga koka ato që ia kishte thënë në dhomën e kronikës, Mustafa Pasha, dymbëdhjetë vjet sadriazem nën dy sulltanë, rreth dijes së pushtetit dhe pushtetit të dijës. Kur ia kishte bërë me dije se nuk pranonte fronin perandorak, që po i ofrohej, ngaqë, si mendimtar dhe krijues, kishte vendosur të ndiqte pushtetin e dijës, gjyshi plak i kishte thënë:
“Qyprilinjtë e kanë fat dijen e pushtetit, pra të qenit në majën e fronit, nga çasti që kanë ikë nga kasabaja, ku si bashibozukë vrisnin për mos me u vra..”
Kur deshi t’i thoshte se çdo pushtet ishte vrarës, dhe se, pushteti i dijës e shpëtonte nga kjo, iu bë se gjyshi plak po i thoshte se gjithësesi do të përfundonte i vrarë, në mos nga perandoria që atyre ua kërkonte forcën dhe jo dijen, kjo do ta gjente nga zilija dhe smira e krijuesve vasalë dhe hyzmeçarëve të shumtë të pushtetit, të asaj turme të të padinjiteshmëve, që nuk durojnë madhështinë e krijijuesve dhe mendimtarëve të pavarur, jashtë çdo pushteti…
Nimon pasha, në atë gjendje gjithë dëshpërim oshëtiu:
“Më mirë i vrarë se vrasës… A nuk është ky fati i përhershëm i krijuesve?…”

(Shkëputje nga romani “Libri i të mallkuarve”, Rilindja, Prishtinë, 1986.)./KultPlus.com

‘Bëj dashuri me një tregtar për të cilën djeg aloe’

Poezi nga Jesús Munárriz

Për atë shkëlqim (Saikaku)

Unë jam një geisha-ë japoneze
e shekullit të tetëmbëdhjetë,
e re dhe e bukur.

Bëj dashuri me një tregtar
për të cilën djeg aloe,
ngroh sakè*
e luaj në shamisen*

e pastaj zbërthej korsenë
e trupit tim ngadalë,
duke i zgjidhur lidhkat
po ngadalë- ngadalë.

Oh ç’shkëlqim i hatashëm
në natë!

Në agim, ai do kërkojë letër
dhe furçë, unë do t’i përgatis bojën,
dhe me të ai do të skicojë shenja elegante.

E ajo Natë, do ta gjejë
shkëlqimin disa shekuj më vonë;
duke lexuar Saikaku-n.

Përktheu: Herman Çuka / KultPlus.com

Nesër hapet “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”, kuruar nga Hana Halilaj

Ekspozita “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës” kuruar nga Hana Halilaj vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës nesër, duke filluar nga ora 10:00, përcjell KultPlus.

E themeluar më 2 shkurt 1979, Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) është institucioni kulturor më i shquar në vend. Shqyrtimi i arkivave dhe historive të ekspozitave të galerisë është hap thelbësor për identifikimin e lëvizjeve të artit, praktikave artistike dhe të veprimtarëve e organizatave të ndryshme kulturore që kontribuan në historitë e artit të Kosovës. Fondet arkivore të GKK-së pasqyrojnë jo vetëm zhvillimet artistike dhe kulturore në vend dhe rajon por shërbejnë edhe si pikënisje për të rimenduar narrativat ekzistuese të fragmentuara, si dhe për të gjeneruar diskurse të reja historike.

Materialet që datojnë nga vitet 1960 e deri më sot–– katalogje, shtojca të shtypit, dokumente, letra, dorëshkrime, fotografi–– tregojnë historitë kolektive dhe individuale të anashkaluara të cilat gjenden në këtë arkiv. Një seri e punimeve në letër të artistes Violeta Xhaferi nga koleksioni i GKK-së janë të ekspozuara së bashku me shënime rreth zhvillimit të koleksionit. Këto materiale shoqërohen nga një rrëfim i ish-arkivistës së GKK-së Lirije Buliqi, e cila diskuton proceset e mundimshme që ende vazhdojnë të ndikojnë në arkivat e këtij institucioni.

Edhe pse arkivat akoma mbeten të pa indeksuara, kjo ekspozitë është një qasje e pjesshme në materialet arkivore me potencial për të rikonfiguruar, rishkruar dhe vënë në pyetje në mënyrë kritike historitë e artit të Kosovës brenda kontekstit lokal dhe global. / KultPlus.com

Zjarr dhe akull

Poezi nga Robert Frost

Ca thonë bota do marrë fund në zjarr
Në akull thonë të tjerë.
Prej shijes që dëshirës i kam marrë
Anoj nga ata që zgjedhin zjarr.

Ama, nëse lypet të fiket dy herë,
Them se mllefin e njoh mirë unë
Siç di se për të hedhur diç në erë
Akulli do bënte punë
Mjaftueshëm me vlerë.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

“Është kënaqësi të sodisësh kuqërrimin e agimit, pasqyrën e detit, llamburitjen e yjeve”

Nga Arshi Pipa

Domethënia e artit

Me përqafimin e njerëzimit, veprimi moral e ka kryer misionin e vet. Përtej kësaj pike ai nuk mund të shkojë. Në këtë drejtim, kufijtë janë mbyllur. Por, moraliteti nuk e shteron dinjitetin njerëzor. Dhe, kur njeriu pushon së vepruari, zbulon natyrën.

Ç’është natyra? Është mbretëria e ndjeshmërisë, është tërësia e gjithçkaje që është trup: është kafsha, bima, fushat e lumenjtë, pyjet e malet, e gjithë toka; por edhe qielli e yjet. A nuk është vetë njeriu një trup? A nuk i jeton ai, në vetë trupin e tij, aq të dashur për të, ngjarjet e vetë natyrës? Sapo të duket dallëndyshja e parë, ai do të hovi menjëherë nga gëzimi, një fije bari që mbin do ta mbushë me habi, furtuna e detit do t’ia trazojë shpirtin dhe perëndimi i qetë do t’i shkaktojë një melankoli të ëmbël e të vagët. Përpara natyrës njeriu zbulon botën e tij të ndjenjave, pra ndërgjegjen e menjëhershme të ndijimeve të tij: një gamë të ndryshueshme, të nuancuar, shumë të lëvizshme, të papërqendrueshme, që polarizohet në kënaqësi dhe vuajtje; e para rrit tonalitetet e të jetuarit, e dyta i dobëson ato.

Mirëpo, a s’ka qenë tashmë njeriu subjekt veprues në lidhje me natyrën? Po, por për të vepruar mbi të, domethënë për ta përdorur si një mjet për qëllimet e tij. Ai ka prerë pemën për të bërë dru, ka vrarë kafshën për t’u ushqyer me mishin e saj. Ka konsideruar çdo gjë që jeton, vetëm ne raport me të, gati sikur gjërat të ishin krijuar për përdorimin e tij ekskluziv: ka lënë pas dore të kërkuarit në to të një kuptimi të pavarur. Por, tashti që ai e sodit natyrën, kupton se ajo ka një vlerë të sajën: ai nuk mund të mos e vërejë këtë të vërtetë të thjeshtë, mjaft të dëgjojë atë që shfaqet në jetën e tij të ndjenjës. Pse shpirti i tij përmallohet thjesht duke soditur kafshët e bimët? Pse ai dashuron tek ata atë që është e bukur dhe urren atë që është e shëmtuar? A mund të ndiente ai kësisoj, sikur të mos e lidhte diçka me këto qenie, megjithëse të ndryshme me të? Nëse ato janë të ndryshme me të në disa drejtime, janë të ngjashme me të në disa të tjera: një Jetë e njëjtë rrjedh në të gjitha ato, një parim më i gjerë se mendimi, që përmbledh së bashku gjithçka që jeton. Kafsha dhe bima e shfaqin farefisninë e tyre, më shumë apo më pak të largët me njeriun, në jetën e bërë të ndërgjegjshme për vetveten, në formën e vet të drejtpërdrejtë të ndjenjës. Njeriu e ndien errtas që u detyrohet për diçka edhe atyre. Sigurisht, nuk është kjo ndjenja që kemi ndeshur në jetën morale: njeriu ka detyrim vetëm ndaj njerëzimit. Si subjekt moral, unë ndihem i detyruar të respektoj humanitetin e përbashkët që gjendet në çdo njeri. Si subjekt estetik, unë nuk ndiej detyrim ndaj asgjëje: ndihem vetëm i prirur të simpatizoj me jetën e çdo qenieje të gjallë. Vetëm solidariteti njerëzor është detyrë; solidariteti natyror është vetëm një nevojë sentimentale. Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon se ai është prodhim i evolucionit natyror, se kafsha e bima janë tashmë pjesë e tij, se një lidhje e pandashme e bashkon me ta dhe, nëpërmjet tyre, me natyrën e tërë.

Ndjenja e kulluar, pa problemet praktike, që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje. Derisa ne veprojmë, emocionet e shpirtit tonë janë pak a shumë të vrullshme. Këtu, përkundrazi, emocionet janë zbutur, nuk është më vala e shkumëzuar, është dridhja e saj. Kënaqësia këtu është e brishtë, fine, dhe po kështu është edhe dhimbja: gëzim në rastin e parë, melankoli në të dytin. Prandaj, gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë.

Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton. Është kënaqësi të sodisësh kuqërrimin e agimit, pasqyrën e detit, llamburitjen e yjeve. Gjithçka që bie nën pushtetin e ndijimit mund të jetë objekt soditje dhe do të shkaktojë tek unë gëzim ose melankoli. Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është perceptim i çinteresuar.

Nga qëndrimi soditës lind arti. Të ndiesh natyrën, të jetosh në komunikim me të, kjo nuk i mjafton njeriut. A nuk është dhe ai vetë natyrë në thellësinë e vet? Prandaj, ai do të shtyhet të imitojë atë që bën natyra, dhe jo vetëm ta imitojë, por ta vazhdojë e ta përkryejë: sepse ai është gjithnjë shpirt që qëndron mbi natyrën.

Çfarë bën natyra? Për të nuk mund të themi me të vërtetë se vepron, veprimi është aktivitet që zhvillohet kur ka qëllimshmëri, të cilat janë në përfytyrimin, në mendimin. Natyra nuk ka asnjë qëllimshmëri të vërtetë: çka jeton, kërkon vetëm të jetojë.

Natyra krijon: të krijuarit është forma e saj e veçantë e të vepruarit. Krijimi është, së fundi, organizimi i materies bruto në një individ nga ana e spontanitetit jetësor. Krijimi është formimi i formave, duke qenë se materia është një e dhënë fikse e një sasie energjie.

Forma individuale riprodhon formën e species. Individët janë vetëm variacione më shumë ose më pak të theksuara mbi temën e species. Dhe speciet janë ato që shkenca tashmë i ka klasifikuar. Natyra nuk ka pushuar së krijuari specie të reja: por ritmi i saj është ngadalësuar shumë në periudhën e tanishme, në krahasim me kohën kur specia nuk ishte fiksuar ende, kur nga njëra specie te tjetra tranzicioni ishte i vazhdueshëm e shumë i lëvizshëm. Pasi krijoi speciet e ndryshme të gjalla, Jeta duket sikur është lodhur, shterur. Tashti ajo kufizohet te rikrijimi i asaj që është krijuar më parë. Njësoj si artisti që ka shterur damarin e tij krijues dhe që në moshën e tij më të pjekur përsërit vetveten.

Por, evolucioni ka krijuar njeriun. Dhe ja, njeriu është spontaniteti që ka thyer rrethin. Përsa i përket njeriut, që është qenie shpirtërore, të krijuarit vazhdon: nuk është më përsëritja e asaj që është krijuar tashmë, është të krijuarit e formave gjithnjë e më të reja që pasurojnë jetën e shpirtit. Sigurisht, nuk është ai që do të krijojë forma të gjalla: njeriu s’është Zoti. Por ai mund të imitojë vazhdimin e jetës, duke i dhënë trajtë materies bruto. Mund të përvijojë linjat e lëvizjes së saj, duke i shoqëruar me një asortiment të pasur ngjyrash. Mund të bëjë më shumë: me anë të tingujve, mund t’ia japë vetë ritmin jetës, duke i kthyer modulimet e ndërgjegjes, dhe të asaj që qëndron poshtë saj, në melodi të ndjeshme. Mundet, më në fund, të përfaqësojë veprimin njerëzor në të gjithë varietetin e koklavitur të tij, duke e bërë të vetëdijshëm për veten me anë të lojës së ndjenjave dhe pasioneve.

Gjeniu artistik është shpirti që vepron si natyrë. Dhe ai është natyrë, sigurisht, përderisa i bën të vetat zhvillimet e saj. Por nuk është imitim vepra e tij, veçse pjesërisht. Madje, në pjesën më të madhe, është fryt i spontanitetit të vet. Duke e paraqitur natyrën, ai do ta transfigurojë, domethënë do ta ngrejë në dinjitet njerëzor. Bima që ai do të vizatojë, kafsha që ai do të plazmojë, do të jenë shprehje të përkryera të jetës, por do të jenë edhe diçka më tepër. Ai do t’u shtojë atyre diçka nga vetja…

…the gleam
The light that never was on sea or land
The consacration, and the Poet’s dream [1]

Nëse është e vërtetë se çdo gjë që jeton, dëshiron tejkalimin e vetvetes, duke pasur pothuajse një parandjenjë për formën superiore që është specia njerëzore, artisti do ta kapë këtë dëshirë dhe këtë përpjekje, duke theksuar në përfytyrimin e tij disa tipare, pikërisht ato që afrohen me të, si qenie shpirtërore që është. Kështu natyra, me anën e artistit, që e ka bërë si mish të vetin e si gjak të vetin, përmbush në një farë mënyre atë që vetë ajo s’ka mundur ta bëjë: lartësohet në njerëzoren.

Kjo kërkesë ideale është edhe më e theksuar kur objekti i paraqitur është vetë njeriu. Piktori që pikturon një fytyrë, nuk kënaqet duke shprehur mbi telajo fizionominë e saj si një barazim të përkryer: piktura nuk është fotografi. Ai do të kërkojë të verë në dukje disa tipare, me anë të të cilëve mund të shkëlqejë më mirë forma individuale, që të japë qartë, gati të prekshëm, atë spiritualitet të ngulitur në të. Nuk ka artist që ta gjejë natyrën përsosmërisht të përshtatshme me kërkesat e tij: edhe te një Helenë, ai do të dijë të dallojë një defekt të vogël. Kjo kërkesë e thellë e artistit për ta korrigjuar e përmirësuar natyrën, është në fund të fundit një kërkesë morale. Është shpirti që e modelon natyrën sipas vetes, prejse e gjen të papërshtatshme, është tejkalimi i reales dhe pajtimi me idealen që është tek ai. Dhe, po të ndodhë ndonjëherë, shumë rrallë, që artisti të arrijë të marrë një qëndrim gati armiqësor ndaj natyrës (Leopardi, Vigny), le ta kuptojmë këtë si shenjë që ka një domethënieje më të lartë: nga dashuria e tepërt, e urrejmë, sepse ajo nuk i përgjigjet idealit tonë, idealit që krijojmë ne për të.

Arti arrin kështu, megjithëse me anë të ndjenjës, atë formë të veçantë universaliteti, që është e bukura artistike, superiore ndaj së bukurës natyrore. Ky është një universalitet më i gjerë se ai i arsyes, megjithëse ky i fundit më i stërholluar. Universaliteti i arsyes imponohet me detyrim; ai i ndjenjës vetëm sipas shijes: presupozon larushinë e temperamentit dhe të humorit, që e kushtëzojnë shijen. Çdokush do të jetë i prirur për ta quajtur të bukur atë që i pëlqen atij vetë. Por, nuk ndodh rrallë – dhe kjo ndodh më shumë për të bukurën natyrore, sesa për të bukurën artistike – që një lloj i së bukurës u pëlqen pothuajse të gjithëve. Dhe është ndoshta kjo arsyeja që shpjegon se përse arti klasik është më universal: sepse, nëse nga njëra anë u jep kënaqësi kërkesave ideale të njeriut, nga ana tjetër ai është më afër natyrës se çdo art tjetër.

Jo të gjithë njerëzit janë të gatshëm ta pranojnë të mirën me ndërmjetësinë e së cilës vepron arsyeja: për faktin e thjeshtë se ata nuk arsyetojnë gjithmonë. Por ata do të jenë gjithmonë të gatshëm ta pranojnë të bukurën, t’i bëjnë jehonë të menjëhershme, sepse është e bukura që e bën jetën, madje të gjithë natyrën, që u flet dhe i thërret, e ata s’mund të qëndrojnë të shurdhër ndaj thirrjes së jetës, sepse janë të gjallë.

Nga të gjitha aktivitetet shpirtërore, Arti është ai më i afërti me jetën, është më i përshtatshmi, pra, që t’ia zbulojë kësaj kuptimin. Dhe ja përse: derisa jeta vazhdon të jetë një sinol i trupit dhe i shpirtit, kulti i së bukurës do të përbëjë gëzimin më të lartë të njerëzimit, kurse priftërinjtë e saj, artistët, do të rrethohen nga dashuria e përgjithshme.

E mundur gati gjithmonë në planin etik, natyra e kërkon shpagimin e të drejtave të saj në planin estetik. Në planin etik shpirti e trupi rrallë ishin dakord: dhe duhej që ligji moral ta bindte natyrën kundërshtuese, kokëfortë, duke e shtypur dhe ndëshkuar: si një kalorës të cilit i duhet ta zbusë një kalë të egër, para se të mund ta përdorë. Në planin estetik, përkundrazi, ata janë aleatë. Atje ishte natyra që ngrihej në dinjitet të shpirtit, këtu është shpirti që tkurret duke u ribërë natyrë. Dhe ja, të dy shkojnë tashti si miq të mirë. Por duhej që shpirti ta zbuste më parë natyrën, duhej ta mundte, ta fitonte këtë Brunhilde, këtë Circe, duke rrezikuar të përçudnohej, të humbiste. Nga superiorja tek inferiorja: kjo është rruga e drejtë në selinë shpirtërore të vlerave. Me anë të natyrës, nuk do ta arrijmë kurrë shpirtin: përpjekjet e kota të natyralizmit janë provë e mjaftueshme. Duhet të nisemi nga subjekti – çdo nisje tjetër është e dënuar të mos ketë sukses – nga subjekti që vepron si sintezë e shpirtit dhe e natyrës, për të ndjekur zhvillimin e veprimit deri në maksimalen e shtrirjes dhe të vlerës së tij. Dhe, vetëm pasi të ketë arritur në këtë pikë, vlen të tërhiqet në vetvete, për të zbuluar një formë tjetër spiritualiteti, që të jetë si një vazhdim i tij. Në këtë kuptim, arti është plotësuesi i nevojshëm i moralit. Aty ku mbaron zotërimi i veprimit, aty fillon fuqia e krijimit.

Kështu, me anën e artit ne depërtojmë në zotërimin e gjerë të jetës, ku njeriu s’është veçse një specie mes specieve të tjera. Me anë të artit kemi kërkuar të gjejmë kuptimin e jetës në përgjithësi. Pengesat janë hapur në këtë anë: kemi provuar se jeta është një parim më përfshirës sesa arsyeja. Nëse kemi humbur në intensitet, kemi fituar në shtrirje. Arti plotëson moralitetin me atë që i mungon, një parfum thjeshtësie dhe natyrshmërie, një frymë që e bën fërgëlluese atë që është shumë e ngurtë dhe e rreptë në jetën morale. Natyralizmi, i mundur në planin etik, është plotësisht i justifikuar në art. E kundërshtuam më parë si të pamjaftueshëm dhe të papërshtatshëm. Por, tashti që kemi mësuar të zbulojmë me anën e artit një formë solidariteti më të gjerë, le të ndjekim rrymën natyraliste dhe të përpiqemi të kapim të vërtetat e saj.

[1] Wordsworth: “…shkëlqimin / Dritën që s’qe kurrë në tokë as në det / Shenjtërimin dhe ëndrrën e Poetit.” / KultPlus.com

Si u vendosën shqiptarët në Zelandën e Re

Shqiptarët e parë kanë mbërritur në Zelandën e Re, gjatë viteve 1950. Njëri prej tyre Petrit Alliu, rrëfen sesi nga Stambolli me vaporin “Goya” kanë mbërritur në Zelandë të Re  më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk dihet, por në atë vapor, sipas z. Alliut  ishin më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe të rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Secili prej të ardhurve ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja.

Aotearoa, siç e quajtën Zelandën e Re ardhësit e parë maorët, (shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha), ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katrorë, e përafërt me Britaninë e Madhe dhe Japoninë. Në strukturën etnike mbizotëron popullsia e ardhur evropiane. Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesorë: ishullit verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinore vullkanike e pasur me bimësi, lumenj, ujëra termalë, liqene, ujëvara dhe me vargmale e kodra. Vargmalet impozante me bukuri mahnitëse dhe vazhdimisht të mbuluara me borë janë Southern Alps (Alpet jugore) që shtrihen në Ishullin jugor. Maja më e lartë e këtyre maleve shkon deri në 3754 metra lartësi Mountain Cook. Zelanda shtrihet në një gjatësi prej 1500 km. nga veriu në jug. Ishulli verior karakterizohet me temperaturë më të butë dhe me popullsi më të dendur. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para sh. X – të. Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit e parë /Maori/, kur erdhën, gjetën parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenarë. Të ndodhur në mes të Paqësorit, ata jetuan me produktet e tokës, detit dhe të peshkimit.

Lundërtari holandez Abel Tasman Evropiani i parë në Aotearoa

Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglezë për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendësve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të veten Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e Madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet e tjera të Evropës, të Azisë…  Sot në ketë shtet me mbi 4 milionë banorë bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo-komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë të Re është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë e tjera shqiptare nëpër botë.

Emigrantet e parë shqiptarë në vaporin “Goya”, prill 1951. Në foto:Aqif Kaskin, Lulzim Pogoni, Qamil Hasani, Petrit Alliu, Halit Bajrami  Kamber Rrustemi (vlonjat, i vrarë nga UDB-eja  në Australi).

Emigrantet e parë shqiptarë në vaporin “Goya”, prill 1951. Në foto:Aqif Kaskin, Lulzim Pogoni, Qamil Hasani, Petrit Alliu, Halit Bajrami Kamber Rrustemi (vlonjat, i vrarë nga UDB-eja në Australi).

Shqiptarët në Ishullin e largët erdhën me vaporin “Goya”

Për emigrimin e shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Alliu, njëri nga emigrantët e parë në Zelandë. “Nga Stambolli me vaporin “Goya” kemi mbërritur në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe tė rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Po i përmend disa prej tyre: Fadil Kaceli, Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi, Halit Bajrami, (ish-ushtarak e punëtor i sigurimit që bashkë me Xhevdet Mustafën dhe Sabaudin Hazendarin më 24 shtator 1982 kishte zbarkuar si diversant në Divjakë (Shqipëri). Xhevdeti dhe Sabaudini vriten nga agjentet e Sigurimit Shqiptar, kurse Haliti vetëdorëzohet. Pas një qëndrimi në “burg” në Shqipëri kthehet në Zelandë të Re.

Vdiq në Auckland, me gjasë në vitin 2007), Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina, Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati nga Vlora, Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjerė/ nga Petrela, Kamber Rustemi /i vrarë nga UDB-ja në Australi, nga Vlora/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K. Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria, Nazmi Mehmeti nga Gostivari dhe të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z. Alliu. “Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja”.

Auckland, 1954. Shaqir Seferi, Shaban Kryeziu, Fadil Kaceli
e Petrit Alliu

Në vaporin “Goya” përveç shqiptarëve kishte edhe rumunë, bullgarë, sllovenë e boshnjakë. Së pari na vendosen në Pahitua, qytezë afër Wellingtonit. Pas 6 javëve na shpërndanë gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit. Me punë krijuam kushte të mira për të jetuar. Besoj se edhe para nesh ka pasur shqiptarë në Zelandë të Re. Kur erdhëm takuam një femër shqiptare e ardhur nga Egjipti e cila fliste mirë shqipen. Çka u bë me të më vonë nuk di. Flitej edhe për  tri gra shqiptare tjera nga Llogoraja e Vlorës të vendosura këtu para nesh, pastaj për shqiptarët nga Australia të cilët kishin ardhur për të kërkuar flori në lumenjtë e këtushëm, por ata nuk kanë qëndruar gjatë në Zelandë të Re. Sidoqoftë, ne ishim emigrantët e parë politikë shqiptarë, me numër kaq të madh, të vendosur në ketë Ishull të largët. Këtu ne formuam Lidhjen Qytetare të Shqiptareve në Zelandë të Re. Kryetari i Lidhjes Mazhar Krasniqi dhe të gjithë ne të tjerët i përqendruam forcat në ruajtjen e traditave, gjuhës… mbajtjen e lidhjeve, qëndrimeve në sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të Kosovës me mërgatat simotra shqiptare në Australi, në Amerikë e gjetiu. Tuboheshim gjatë vikendeve, festave dhe kurrë nuk harruam prej nga kishim ardhur, kurrë nuk i humbëm shpresat se një ditë do ta thyejë qafen diktatura e kuqe. Me rastin e festes se Flamurit takoheshim në shtëpinë e njërit prej nesh dhe festonim familjarisht, para flamurit kuq e zi këndonim himnin, dëgjonim muzikë shqipe evokonim të kaluarën… Sot edhe fëmijët tanë në këtë vend të bukur me demokraci të vërtetë kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë komfort standardit të shoqërisë zelandeze”. Sipas Petrit Alliut, i lindur në Tirane 1930, i arratisur në vitin 1948, se pari në Turqi e pastaj në Zelande të Re, personalitet i respektuar dhe emër i njohur i futbollit zelandez në vitet 1952-1956. Rreth viteve ‘70, ‘80 të shekullit të kaluar pati ardhje në mënyrë individuale, kurse pas vitit 1990 për shkak të ndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri, u rrit paksa numri i atyre që vinin në Zelandë të Re. Vala e dytë, kjo e fundit, e imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të dhunshme, gjenocidit në Kosovë, në pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Në aeroportin e Aucklandit del i gjithë komuniteti shqiptar, i madh e i vogël, shumë zelandezë e të tjerë, në krye me kryeministren e atëhershme të Qeverisë së Zelandës, Jenny Shipley me bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të opozitës për t’u uruar mirëseardhje refugjatëve nga Kosova.

Refugjatët e rinj të ’99-s

Ardhjet vazhduan gjatë tërë vitit 1999. Duhet përmendur se në mesin e refugjatëve pati edhe personalitete të shquara të kulturës e shkencës shqiptare: Akademik Enver Gjerqeku, shkrimtari Rexhep Hoxha, Dr. Hysen Ukmata etj. Të ardhurit /me përjashtim të katër familjeve të ardhura në vitin 2000/ kishin lidhje farefisnore me shqiptarët zelandezë. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese. Pas një jave qëndrimi në kampin Mangere mirëpriten në familjet shqiptare për të kaluar pastaj në shtëpi, banesa të tyre të marra me qira. Që të gjithë vendosen në Auckland, paralagjet: Orakei, Mission Bay, Pakuranga, Medolbank, Sten Jons, Kohimarama, Glendowie, Panmure, Onahunga, St. Heliers, Mt. Welligton, Buckland Beach, Epsom etj. Shqiptarët në qytetin e porsaardhur në mënyrë të organizuar filluan me kurse të gjuhës angleze, për të vazhduar pastaj me rikualifikime për profesione të ndryshme. Një numër prej tyre pas një viti me vetëdëshirë u kthyen në Kosovë. Struktura kualifikuese e mërgimtarëve shqiptarë është e lartë. Të rinjtë vazhdojnë shkollimin në shkollat përkatëse, filloristët janë të shpërndarë nëpër shkollat ku i kanë të vendosura familjet, kurse gjimnazistët  i ndjekin mësimet gati që të gjithë në shkollën e mesme  “Selwyn College”.

Selwyn College, 2000. Çikat e Kosovës: Nita, Marigona, Majlinda, Alma, Kaltrina, Blerta, Rina e Ardita në këmbë.

Që të gjithë vendosen në qytetin e madh të Auckland-it. Falë sjelljeve me kulturë, punës me korrektësi, shqiptarët, këtu në Zelandë, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të mirë. Si kudo në botë edhe këtu shqiptarët po tregohen punëtorë të aftë e të zgjuar, sidomos në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Të ardhurit në vitin 1951 ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova. Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët, që kanë ndjekur lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve, del se në Zelandë të Re duhet të jenë diku 400 deri 500 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për imigrimet e vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e  Auckland-it. Shqiptarët përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishëm të qytetit multikulturor. Vendi i preferuar për shqiptarët është paralagja Mission Bay. Nё Mission Bay zhvillojnë veprimtari hoteliere me shumë sukses: Muharrem Muharremi – Mema, Xhelal Jashari e Bajram Jusufi. Restorantet e tyre dallohen për specialitetet ushqimore, shërbimet me kohë, pastërti e rregull. Nё këtë paralagje të mrekullueshme të qytetit më të madh nё Zelandë tё Re ёshtё i njohur salloni për rregullimin e flokëve për meshkuj dhe femra që mban firmën e floktarit nga Prishtina Agim Agollit, “Gimmy’s Hair Desing”. Pronari i kompanisë për prodhimin e akullores Tair Tairi e ka zgjeruar veprimtarinë e vet, duke hapur këto ditë në Mission Bay ëmbëltore sipas yrnekut të ëmbëltoreve në Prishtinë e Shkup. Në grupin e shqiptarëve që kanë gjetur suksesin përmes restoranteve është  edhe afaristi Abdullah Bashota me restorantin e tij të njohur “Red Elephant” si dhe të rinjtë Sokol Krasniqi e Astrit Jolla me restorantin “Safran” në një nga lagjet më luksoze të qytetit në Newmarket. Duhet thënë se pjesa dërmuese e punëtorëve në restorantet e përmendura janë shqiptarë. Salih Salihu me të bijtë Albanin, Agronin e Drilonin për një kohë të shkurtër  ka arritur të bëhet model tipik i biznesmenit të suksesshëm. Grupit të biznesmenëve duhet shtuar edhe emrat e Burim Xharrës, Ismet Selimit, Ideal Huskajt, Burim Prekazit, Agron Hasanit, Drin Muratit, Sharr Brezartit etj., të cilët kanë bizneset e tyre. Një numër tjetër punojnë në tregti, administratë, ndërtimtari, mjekësi etj. Me ketë rast nuk duhet harruar të rinjtë shqiptarë, që i kanë kryer studimet dhe ata që pritet t’i kryejnë në Universitetet e qytetit të Auckland-it, të cilët  brenda pak vitesh do të jenë yjet e punës intelektuale dhe të biznesit në ketë vend të zhvilluar.

Në “Nero Cafe”, Auckland, nëntor 2009. Foto: Hysen Zeqiri. Kafeneja  ndodhet në pjesën qendrore të Aucklandit nga tarraca e së cilës shihet Ishulli  Rangitoto i njohur në botë për formën  e tij unike. Në tarracën e kafenes, shqiptaro-zelandezët takohen dhe bisedojnë: për hallet, mallin për vendlindjen, ndodhitë në Kosovë, Shqipëri.., rrahin gjoks, këmbejnë romuze me të qeshur. Pijet  për ta nuk kanë funksion parësor sepse ata vijnë këtu ekskluzivisht për t’i qarë hallet njëri – tjetrit, ndërruar cigaret, larguar mërzitjen, kaluar kohën dhe për të debatuar tema të ndryshme.

Si gjithkund në botë edhe Mërgata shqiptare këtu në shtetin me histori e përvojë të shumanshme për sa i përket tolerancës e mirëkuptimit ndëretnik e kulturor po ballafaqohet me problemin e ruajtës së gjuhës dhe të identitetit kombëtar. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë. Bashkësia shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se sigurimi i një lokali të përhershëm ku do të zhvillonin aktivitete, hapin klasa për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe të kulturës, historisë dhe gjithë çka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët është më se e nevojshme.

Kjo mund të arrihet fare lehtë, kur kemi parasysh potencialin e madh intelektual që kanë shqiptarët këtu: mësues, profesorë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, arkitekt, farmacistë, dentistë…,  pastaj Zelanda e Re është vend i përzemërt, që të ofron mundësi të mëdha realizimi nëse ke vullnet dhe dashuri për veten dhe për Kombin tënd.

*Marrë nga libri “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha”, Auckland, 2010 të autorit Sabit Abdyli / KultPlus.com

Auckland, 1954. Shaqir Seferi, Shaban Kryeziu, Fadil Kaceli e Petrit Alliu