Ema Andrea sjell “Kryeveprat” e Dino Buzzatit, në COD

“Kryeveprat” e Dino Buzzatit, kanë zbritur në COD, në kuadër të ciklit “Lexime të Performuara”.  Aktorja e mirënjohur shqiptare, Ema Andrea performoi  në sallën “Forum” pjesë nga veprat letrare të shkrimtarit italian Dino Buzzati.

Bota që ofron Dino Buzzati, nëpërmjet librit “Kryeveprat”, është një botë magjike, e mistershme, mjaft tërheqëse për lexuesin, i cili mbërrin deri në fund të leximit me frymën pezull, në pritje për të njohur të vërtetën e vetme që kthen në anën tjetër të gjitha ato që deri në ato momente dukeshin të vërteta.

Aktorja përçoi një atmosferë surreale të librit në sallën “Forum”, ku pas dukjes së rrëfimit përrallor shfaqen edhe tematikat e rëndësishme me të cilat autori përballet.

Më herët, Ema Andrea ka sjellë në COD “Tri Gra” nga shkrimtari japonez, me famë botërore, Yasushi Inoue, por gjithashtu edhe copëza nga krijimtaria e shkrimtarëve me peshë si Marquez e Allende, duke e kthyer këtë sallë të Kryeministrisë, në një qendër të rëndësishme takimi letrar. / atsh / KultPlus.com

Arratisja e Arshi dhe Feime Pipës, kujtime të familjes shkodrane që u persekutua deri në rrënjë

Feime Pipa e arratisur së bashku me të vëllain Arshi Pipa, në një numër të revistës “Albanica” të pranverës së vitit 1991 në Nju Jork, ka botuar kujtime me episode mjerimi, brenge, persekutimi e torture që përjetoi familja e saj.

Udhëtimi i gjatë e i pashpresë për një strehë

Për pothuaj dy vjet ishim në zi për vdekjen e vëllait tonë, Myzaferit, dhe motrës, Bedit. Megjithatë, meqenëse po afronte dita e lëshimit nga burgu e Arshiut, filluam të ndjenim njëfarë lehtësimi.

Babai, që dergjej në shtrat prej katër vjetësh, me femorën të thyer, u gjallërua disi dhe filloi të na tregonte, mua dhe motrave, ngjarje të jetës se tij.

Nëna lau dhe hekurosi kostumin e Arshiut e i beri një kravatë të re. I duhej edhe një dyshek, por me mundësitë financiare që kishim, nuk mund t’ia blinim.

Ne, motrat, ndjeheshim më mirë, veçanërisht unë që, në mënyrë të fshehtë isha lidhur me Arshinë, gjë që vetëm nëna e dinte.

Ngushëlloheshim edhe pse, të paktën, tashti kishim një çati mbi kokë. Ishte një banesë primitive në periferi të Durresit, në fund të një rruge të gjatë të cilën shirat e dimrit e bënin të pakalueshme. Shtëpia kishte dy dhoma dhe një haur të vogël që e përdornim për kuzhinë. Ne e quanim atë “kështjella jonë e vogël”. E kishim gjetur pasi komunistët na kishin detyruar të shpërnguleshim tre herë brenda gjashtë muajve.

Banesa jonë e parë, e përkohshme ishte një apartament me dy dhoma. Ndërsa banonim aty, një anëtar partie, ish-student i Arshiut, u ngarkua ta takonte atë në burg. Kishte për detyrë të zbulonte nëse Arshiu, ndërkohë, kishte ndryshuar apo jo.

Arshiu i kishte thënë se s’kishte bërë asgjë për t’u penduar.

Shpejt, pas kësaj, Zyra e Strehimit na shpërnguli nga apartamenti që kishim, në një dhome të një ndërtese tjetër. Sapo e bëmë atë dhome të banueshme, duke e larë dhe lyer, Zyra e Strehimit na transferoi te një apartament tjetër me një dhome me të vogël e me të ndyrë se e mëparshmja.
“Për ku pas kësaj?” – pyetëm kur për të tretën here u detyruam të largoheshim.

“Këtë herë ju do të keni një banesë më vete, bile me pamje të këndshme. Nuk do të lëvizni më prej saj.”
Banesa e re ndodhej në zonën që quhej Stan, në zonën me të varfër të qytetit.
Shkova ta gjeja.

Gjatë rrugës, në kodër, dukeshin baraka e kasolle të rrënuara që pasonin njëra tjetrën, me oborre ballore ku ndereshin rrecka për t’u thare. Një plakë më tregoi se si shkohej tek shtëpia që kërkoja.
Eca përmes kaçubash e ferrash që mbulonin një rrugicë e arrita në një lëndinë mbushur me lule të egra. Në largësi, deti vezullonte. Panorama qe mahnitëse. Mendoja babanë në shtrat, me kokën të ngritur me jastëkë që sodiste detin përballë. Vendi do të kishte qenë fare i mirë edhe për Bedin.
Gjatë endjeve tona prej ciganësh, Bedi vdiq nga tuberkulozi, pa asnjë pranë nga familja, në një dhome të spitalit të Tiranës. Shoqja e saj e dhomës na tha se, para vdekjes, ndjehej e lumtur, pasi mendonte se së shpejti do ta merrnim në shtëpi.

Ishte një trillim i yni, për t’i lehtësuar asaj dhimbjen.

Shtëpia në lëndinë ishte rreth shtatë metra e gjatë dhe pesë metra e gjerë. Ishte e mbuluar me mbeturina fletësh alumini që kërcisnin, kur frynte erë. Dritare ishin dy vrima të zëna me dërrasa. Dera mbyllej me një copë tel. Brenda ishte e mbushur me kashtë të kalbur e bajga. Ishte përdorur më parë si stallë.

Atë natë asnjë prej nesh nuk fjeti. Të nesërmen, shkova në Zyrën e Strehimit për t’u thënë se nuk do të lëvizim nga banesa ku ndodheshim.

Njëri nga punonjësit me bërtiti “Çfarë prisni, vilë?! Është e vërtetë, shtëpia ka nevojë për riparime, por ju mund t’i bëni ato, ashtu siç bëtë edhe me banesat e tjera!”
“S’kemi mundësi të shndërrojmë stallën në shtëpi” – i u përgjigja, – por, edhe në qoftë se do të kishim, çezma është tepër larg, poshtë në luginë dhe kasollja nuk ka banjë, nuk ka korrent elektrik. Për më tepër, babai është i paralizuar. Si mund ta çojmë aty, ku s’ka rruge?”
“Me aeroplan, – u tall ai – lutuni Zotit t’ju ndihmojë”.

“Ne kemi probleme strehimi me njerëzit tanë – tha një nëpunës tjetër, – në qoftë se gjeni vetë një vend tjetër, ne nuk kundërshtojmë.”

Shanset për të gjetur shtëpinë tjetër ishin fare të pakta. Megjithatë, unë u lidha me Nuçin, një mik të familjes që na pat ndihmuar në shumë raste të vështira. Ai foli me Markun, një anëtar partie të cilin e njihja. Kishim bërë se bashku “punë vullnetare” në plazh. Marku, epileptik, ndërsa punonim një ditë me diell të fortë, pati një krizë epilepsie. Unë e ndihmova.

Marku na dha adresën e një familjeje që kishte një shtëpi me katër dhoma e një kuzhinë.

“Ata janë miq, – na shpjegoi, – por ju lutem, mos e përmendni emrin tim!”.
Shtëpia ishte e një shoferi kamioni që banonte aty me nënë plakë dhe me gruan pa fëmijë. Ishte njeri me zemër të butë.

Babai ndjehej i lehtësuar në dhomën e tij: me diell në dimër e me freski në verë. Aty celebruam fejesën e njerës prej motrave. Unë punoja në një fabrike makaronash. Po aty punonte, gjatë pushimeve të verës, Bukurushi, që do të martohej se shpejti. Deti, motra me e vogël, nganjëherë u jepte mësime privatë rusishteje shoqeve të saj të klasës. Por, ishte nëna që punonte më rënde. Përveçse që kujdesej për babanë, ajo gjente kohe për të bërë jorganë që i shiste një tregtar shëtitës. Kur fqinjët tanë kishin festa familjare, ajo u bënte ëmbëlsira. Ata e shpërblenin me qumësht, ushqim që gjendej me vështirësi. Qumështi dhe kosi ishin ushqimet kryesore për babanë. Ai nuk përdorte më protezat e dhëmbëve. Ato e vrisnin. Ushqimet më të mira i ruanim për babanë dhe për Arshinë.

Nuk mundëm kurrë të vendosnim një lule në varrin e vëllait tonë, Myzaferit. Ai u torturua për vdekje, përnjëherë pas arrestimit, në vitin 1946, në Degën e Sigurimit në Shkodër. Nuk dinim, dhe ende nuk dimë, vendin e varrit të tij.

Një ditë tregu, pasi do të blinim disa ushqime për Arshinë, mora një trastë në të cilën kisha futur një bluzë dhe kuletën me triskat e paret dhe u nisa për në dyqan. Në dyqan kishin mbetur vetëm marmelatë dhe djathë. Porosita nga dy kilogram prej të dyjave dhe nisa të kërkoja paret për të paguar. Kuleta nuk ndodhej në trastë. Si e çmendur, e boshatisa atë, kërkova në xhepat e bluzës, kuleta nuk ndodhej. U ktheva mbrapsht e kërkova disa here rreth dyqanit. Kur i humba shpresat, u nisa e dëshpëruar për në shtëpi, duke tërhequr zvarre këmbët nëpër shi. Përveç pareve që mezi i kishim kursyer, kuleta kishte dhe tri triska buke për tetorin që sapo kishte filluar.

E sfilitur dhe krejtësisht e lagur, arrita aty ku rruga kryesore ndërpritej me rrugicën tonë. Befas pashë një send të zi në tokë që në fillim m’u duk si një cope gome. Ishte kuleta. Isha e sigurt se ishte kuleta ime, dhe sendet duhej të ndodheshin në të, pasi asnjë shqiptar, në atë kohe, nuk do të hidhte një kuletë boshe, sado e vjetër dhe e grisur që të ishte, por pata frike se shiu do të kishte prishur triskat dhe paret. Por, jo. Nëna i kishte mbështjellë ato në celofan. Më parë, si duket, kur unë kisha nxjerrë bluzën nga trasta për ta veshur, kuleta më kishte rënë. Që prej asaj kohe kishin kaluar tre ore. Njerëz, gomarë e mushka mund të kishin shkelur mbi të, por, për fat, s’e kishin venë re.

Në një pasdite nëntori të vitit 1947, kur unë me motrën time Bukurushin po ktheheshim për në shtëpi, pamë një xhip që ndaloi para Prokurorisë se Përgjithshme. Dy roje zbritën prei tij dhe hapen portën e të burgosurit. Prej saj doli vëllai ynë, Arshiu, me pizhame e pantofla. Gjatë daljes nga xhipi, ai ktheu kokën, na vështroi, dhe u fut në ndërtese.

Ne ngrimë. Arshinë e kishin nxjerrë nga infermieria. Pse? Ai duhej të lirohej pas tre muajsh.
Qëndruam para ndërtesës gjersa u err. Rrugët u boshatisën dhe dritat e rrugës u ndezën. Në këtë kohë dy roje dolën nga godina dhe na urdhëruan të largoheshim.
Babait nuk ia thamë. Në të tjerët jetuam në ankth, deri sa erdhi dita e takimit. Shkuam në burg, duke mos ditur ç’na priste. Kërkuam të takoheshim me Arshinë. Atij i thirrën emrin. Qe gjallë!
Myzafer Pipa (1914-1946)

Arshiu u gjykua për here të dytë. Gjatë gjykimit, mori vesh vdekjen e vëllait, Myzaferit. Na qortoi që nuk e kishim njoftuar. Nuk ia kishim thënë për të mos e munduar edhe më, ndërkohë që brengën e kishim mbytur brenda vetes tonë. Kur vizitonim Arshinë në burg, hiqnim rrobat e zisë dhe vishnim ato normale. Kur Arshiu na pyeste për Myzaferin, i thoshim se ishte mirë, duke mbajtur në zemrat tona pikëllimin.
Në korrik 1948, Arshiu u dërgua në kampin e punës se detyruar famëzi të Vloçishtit. Disa muaj më pas, në nëntor 1948, ai u dënua për herë të dytë me njëzet vjet dhe u transferua në kështjellën burg të Gjirokastrës.

Në vjeshtë të vitit 1949, regjimi shpërnguli nga Durrësi rreth njëzet familje të persekutuara dhe i vendosi në shtëpi boshe në plazh. Ne ishim, doemos, midis tyre. Kërkuam që babanë ta transportonin me autoambulancë.

Partia refuzoi. Pajtuam një karroce me kalë, i vetmi mjet transporti që mund të gjendesh.
Për here të parë në katër vjet, babai i veshur me kostum, u detyrua të qëndronte në këmbë. Në karrocë ai i mbante ato të shtrira para vetes. Ne, motrat, ndiqnim nga pas karrocën. Plazhi ishte rreth 5 kilometra larg nga shtëpia që lamë.

Meqenëse rruga ishte e keqe e me gropa, iu lutëm karrocierit të ecte më ngadalë, për të mos tronditur babanë. Por, ai donte të kthehej në Durrës para se të fillonte shiu e, prandaj, nuk na e plotësoi lutjen.

Në një çast babai u zbeh. Ndjente dhimbje. Karrocieri ndaloi karrocën. Nëna i mbështeti babait kokën në gjirin e saj. Kur arritëm në strehën e re, ishte bërë natë e binte shi.
Babai vdiq po atë natë nga një goditje në zemër. Për ta varrosur, na u desh të shisnim orën e tij të xhepit. Përktheu Ilir Hashorva.

Arshiu u lind në Shkodër në 28 korrik 1920. Ai ishte djalë i vetëm në krye të katër motrave. Vëllanë me të madh gjashtë vjet para tij, Muzaferin, e kishte të tillë nga babai. Kështu, ishte drita e syrit jo vetëm e prinderve, por edhe i motrave, të cilat gjithë jetën e kanë adhuruar. Por kjo nuk do të thotë aspak se në familjen Pipa, për Muzaferin nuk ishte po e njëjta gjë. Aty nuk bëhej asnjë dallim ndër dy djemtë e shtëpisë, si nga prindërit, ashtu edhe nga motrat. Ishte një familje me lidhje afektive shumë te theksuara, të pashlyeshme kurrë. Dhe kjo i detyrohet kryesisht nënës se tyre, zonjës së mrekullueshme Hatixhe, shkodrane e përkryer në të gjitha drejtimet, nënës së fortë, të dhemshur aq edhe të drejtë deri në shkallën e një modeli klasik.

Fëmi i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur, Arshiu ishte njëkohësisht edhe një “lojcak” i madh, si thonë në Shkodër, madjé edhe një “sherret”, domethënë që nuk linte dy gurë bashkë. Pavarësisht kësaj faktet tregojnë se ai që në klasën e parë e deri në mature dilte gjithnjë i pari i klasës!

Filloren e kreu tek shkolla e jezuitëve në Shkodrës, e në mos gaboj edhe në vitet e para të gjimnazit. Them vitet e para, sepse gjimnazet atëhere ishin me tetë e nëntë klasë, deri më vonë madjé, në kohën e regjimit komunist. Vërtetë ishin të paktë këto gjimnaze para luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por ishin të saktë. Ejo vetëm gjimnazet (ai i Shkodrës, Tiranës, Korçës etj.) por edhe shkollat e mesme profesionale, si Normalja e Elbasanit, Normalja e Tiranës (vetëm për vajza) dhe Shkolla Teknike Amerikane e Fullcit në Tiranë apo ajo e Kavajës.

Tek jezuitët, Arshiu mori bazat e kulturës klasike, me greqishten e vjetër e latinishten dhe për pasojë, kur shkoi të vazhdoje në Gjimnazin shtetënor të Shkodrës, që quhej atëherë Lice, si ai i Korçës dhe i Tiranës, kishte baza të forta për të dalë i pari edhe në dy gjuhët klasike që përmendëm më lart. Dhe këto dy gjuhë, ai s’i ndau gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lëna në dorëshkrim e dëshmojnë më së miri këtë fakt.

Gjatë kohës së arsimimit në shkollën e jezuitëve, ku jepnin mësim klerikë të shquar, i ati, duket për një lloj “ekuilibrimi” kulturash e futi që të ndjeki njëkohësisht edhe mejtepin, për të mësuar format e moralit islamik. Kështu Arshiu, deri në moshën e thyer, mbante mend akoma dhe i recitonte për bukuri shumë nga syret e Kuranit arabisht, për çudine dhe admirimin e miqve shkodranë të dhënë fort pas kësaj feje, por që arabishten nuk e dinin fare, as me shkrim e as me lexim!…

Në Burgun e Burrelit, Arshiu hapte sportelin e birucave dhe u hidhte shokëve të dënuar atje duhan, ndopak sheqer a ç’të kishte mundur të mbledhë, me rrezik që po ta shohin rojet, e fusnin dhe atë në birucë, mes dimrit, në çimento, vetëm me mbathje e kanotjere në trup, për një muaj rresht, megjithëse ai ishte i sëmurë.

Guximi i tij u konfirmua edhe gjatë momentit të arratisjes, kur ai çan kufinin, bashkë me të motrën Fehimen, me kobure në dorë, i vendosur të mos bijë në dorë i gjallë më tek rojet.
Me shokë Arshiu ishte, si me gjithë të tjerët i sjellur dhe shumë i dashur. Ai i ndihmonte ata vazhdimisht ne mësimet. Në albumin e familjes, mes të tjerave ka edhe një fotografi ku ai është bashkë me tre shokë të tij të klasës, para një tabele të zezë, në oborr në përgatitjen për provimet e maturës. Në tabelë, veç disa shprehjeve algjebrike, ka në një anë edhe një vjershe, me shkrimin e tij të njohur, vjershë që tregon bukur shpirtin e preokupuar të nxënësve para “torturës” së maturës:

me studime
e numra të shkreta.
kot na shkuen
të rijt e jeta…

Gjimnazi i kohës së tij, si dhe i kohës sime ndahej, mbas semimatures, në dy degë: Reale e klasike. Realja ishte e prirur më fort ndaj shkencave të natyrës, me preferim matematikën e fizikën. Klasikja ishte e prirun ndaj dijeve humanitare të gjuhëve. E Arshiu zgjodhi me dëshirë këtë të fundit. Duket që në moshë fare të re, ai e kishte përcaktuar rrugën e tij në jetë. Dhe kjo punë duket edhe nga dy fakte të tjerë. Gazeta “Cirka” e vitit 1936, kur Arshiu ishte dy vjet para maturës, kishte shpallur një konkurs poetik.

Në të mori pjesë edhe studenti i klasës së gjashtë të Gjimnazit shkodran, i degës klasike, Arshi Pipa. Vjersha e tij me titull “Në Lamën e Luftës” fitoi çmimin e tretë. Ishte një vjershë e gjatë me plot 26 strofa, secila gashtëvangëshe, herë me rimë e herë pa rimë. Vjersha kishte karakter epiko-lirik. Tema e saj ishte një lloj proteste e hapur kundër luftës, si një veprim mizor, që sjell vetëm vdekje. Pra, ishte tërthorazi një hymn për paqen, mirëkuptimin, vllazërimin e njerëzve e popujve. Kështu, humanizmi i shpirtit të tij nis e nxjerrë krye që në moshë fare të re, atë të një adolishenti gjimnazist.
Prova e tij e dytë e botuar në shtypin e kohës, këtë herë në lëmin e prozës, shifet tek tregimi me titull “Liqeni”, një tregim lirik, botuar tek “Vatra Shqiptare”, shtator-tetor 1941. Kjo prozë, sigurisht është shkruar në moshë fare të re, por u botua atëherë, siç tregon data, ndërkohë që autori i saj ishte tashmë pedagog në gjimnazin e Tiranës dhe jepte filozofi. Nuk e dimë me saktësi se kur poeti Arshi Pipa ka nisur të shkruajë poezi. Por një gjë është e sigurtë, që këtë punë ai e ka nisur që në bankat e gjimnazit të Shkodrës. Dhe këto poezi në shumicën e tyre do të mbushin më vonë faqet e librit të tij të parë, me titull “Lundertarë” botuar në Tiranë më 1944.

Pjesa është marrë nga libri: “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”, shkrimtari Uran Kalakulla. / Konica.al / KultPlus.com

Netflix humbi afro një milion abonentë

Pasi shijoi një periudhë të gjatë kohore si ‘mbreti i transmetimit’, Netflix po përballet më një luftë të ashpër për ta mbajtur kurorën.

Netflix humbi afro një milion abonentë midis prillit dhe korrikut.

Çfarë mund të ketë ndaluar rënien e mëtejshme të abonimeve?

Sezoni i ri i dramës së njohur “Stranger Things” mund të ketë qenë një sukses dhe mund të ketë ndaluar rënien e klientëve të Netflix.

Kompania raportoi humbjen e parë të abonentëve që nga viti 2011 në prill, lajm pas të cilit u reduktua edhe numri i punëtorëve të Netflix.

Është një ndryshim i fortë për Netflix-in, i cili gëzoi vite rritjeje të pandalshme.

Kompania po përballet gjithashtu me konkurrencë të ashpër nga Apple TV, HBO, Max, Amazon Prime dhe Disney+.

“Humbja e abonentëve të Netflix pritej, por mbetet pikë e dhimbshme për një kompani që varet tërësisht nga të ardhurat e abonimit nga konsumatorët”, ka thënë analisti Ross Benes.

Kompania ka njoftuar se do të nisë me reklama – një mënyrë ndoshta do t’ia rritë të ardhurat./ KultPlus.com

Vala e të nxehtit në Evropë, OKB paralajmëron vapë ekstreme

Pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore është pjekur në një valë rraskapitëse të të nxehtit, ndërsa zjarrfikësit janë përballur me zjarre të reja.

Mbretëria e Bashkuar, e njohur zakonisht për klimat më të buta, pa për herë të parë temperatura më shumë se 40 gradë celcius.

Gjermania ditën e saj më të nxehtë të vitit deri më tani, ndërsa në Portugalia u rrit numri i vdekjeve pas ditëve të nxehtësisë së tepërt.

Zjarret vdekjeprurëse kanë përfshirë kontinentin dhe Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (WMO) paralajmëroi se do të vinte edhe më keq.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

“Në të ardhmen këto lloj valë të nxehti do të jenë normale dhe ne do të shohim ekstreme edhe më të forta”, tha shefi i WMO Peterri Taalas.

Përveç temperaturave rekord në Britaninë e Madhe, disa shërbime zjarrfikëse deklaruan incidente të mëdha pas rritjes së zjarreve.

Në Francë, 64 zona të ndryshme regjistruan temperatura rekord të hënën dhe gati 37,000 njerëz duhej të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre.

Moti më i freskët tani është rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë.

Në Belgjikë, një zjarr shpërtheu në resortin belg De Haan, duke djegur disa automjete. Por pas vapës së egër, vendi tani po përgatitet për stuhi që mund të çojnë në 20-30 mm shi në disa rajone, raporton gazeta Le Soir.

Paralajmërimet e motit janë ende në fuqi në Gjermani, pasi vala e të nxehtit vazhdon të lëvizë në veri dhe lindje.

Të martën, vendi përjetoi ditën e tij më të nxehtë të vitit 2022. Shërbimi kombëtar i motit regjistroi 39.5C në qytetin perëndimor të Duisburgut. Holanda gjithashtu arriti të njëjtin nivel prej 39.5 gradë Celsius në Mastriht, thanë sinoptikanët.

Temperaturat në Portugali janë ulur ndjeshëm. Megjithatë, më shumë se 1000 vdekje të lidhura me valët e të nxehtit janë regjistruar që nga java e kaluar.

Zjarret janë bërë një pasojë e zakonshme e këtyre temperaturave ekstreme në të gjithë Evropën.

Spanja qendrore dhe veriperëndimore gjithashtu është shkatërruar nga zjarret.

Shërbimi i monitorimit Copernicus tha se emetimet totale të karbonit nga zjarret midis qershorit dhe korrikut janë më të lartat e vërejtura në Spanjë për periudhën që nga viti 2003.

Në Greqi, një zjarr i ndezur nga erërat e forta u përhap në rajonin malor të Penteli, pranë Athinës. Ai ka dëmtuar shtëpitë dhe ka bërë që autoritetet lokale të evakuojnë të paktën katër zona dhe një spital.

Sinoptikanët në Itali paralajmërojnë temperatura deri në 40-42 gradë Celsius mes të mërkurës dhe të premtes.

Disa zjarre janë raportuar tashmë në vend, dhe flakët që shpërthyen të hënën në mbrëmje në Toskanë ishin ende të furishme pasditen e së martës./A2CNN / KultPlus.com

139 vjet më parë nisi botimin “Fiamuri i Arbrit”

139 vjet më parë, pikërisht me 20 korrik të vitit 1883, nisi botimin “Fiamuri i Arbrit”.

Kjo revistë u botua në Koriliano-Kalabro nga 1883 deri më 20 gusht 1885 dhe në Kozencë nga 20 shtator 1885 deri më 15 nëntor 1887. Në këtë të përkohshme, u pasqyruan probleme mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar, mbi luftën për autonomi kombëtare, mbi përpjekjet e atdhetarëve në lidhje me zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.

“Fiamuri i Arbrit” ka rëndësi jo vetëm se ka hyrë në historinë e shtypit shqiptar si e përmuajshmja e parë letraro-politike, por sepse shprehu pikëpamjet politike të rilindasve.

E përmuajshme e De Radës, megjithë censurën, arriti të shtrihej tej Italisë, në Shqipëri, në Ballkan deri edhe në Amerikë.

Tri të përkohshmet e De Radës: “L’Albanese d’Italia” (l848), “La Bandiera Dell’Albania”(l883) dhe “Arbri i Rii” (l887) përbëjnë themelet e fletorarizmit arbëresh. / KultPlus.com

“Sot nis sprova e re”, Rama apel drejtësisë: Anëtarësimi në BE varet nga puna juaj

Gjatë fjalës së tij para kryeministrisë ku është ngritur flamuri i BE si simbolikë për nisjen e rrugëtimit evropian një ditë pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kryeministri Edi Rama i ka bërë një apel edhe drejtësisë.

Rama tha se puna e drejtësisë ndikon drejtpërdrejt në anëtarësimin e vendit në BE. Ndaj Rama kërkoi nga drejtësia e re që të jap kontributin e saj në këtë rrugëtim që të mos u mohojë gjeneratës së re të ardhmen evropiane.

“Dua tu them sot edhe përfaqësuesve të drejtësisë se shpejtësia e anëtarësimit në BE do të varet edhe nga puna e tyre. Mos ja mohoni fëmijëve tuaj Shqipërinë evropiane që meritojnë. Për sa kohë që unë jam këtu asnjë nuk do të ketë mburojë politike”, tha Rama.

“Thënë të gjitha këto më lejoni ta mbyll se jam shumë i vetëdijshëm që flamuri që do të ngremë solemnisht, barrën e vendos mbi qeverinë që unë drejtoj, të gjithë kanë kusuret dhe të metat e tyre, prandaj edhe më shumë se të gjithë të tjerët ne mund të jemi edhe problemi edhe zgjidhja. Na takon ne të jemi zgjidhja, pa harruar asnjë ditë se jemi ne që mbetemi problemi.

Shqipëria bëhet, ne shqiptarët e sotëm duhet dhe mund ta bëjmë Shqipërinë. Kjo kohë që na ra për hise mbi dheun tonë na dha një mundësi të artë që të tjerët nuk e patën, rrugëtimin në Bashkimin Evropian. I cili është një rrugëtim drejt lirisë dhe jo robërisë, drejt paqes jo drejt luftës. Ky është rrugëtimi i parë i historisë tonë që të bëjmë shtetin e parë që meritojnë fëmijët tanë.

I falenderoj sot të gjithë Shqiptarët që me besimin e tyre më bënë një pjesë kaq të rëndësishme të këtij udhëtimi. Ju kërkoj ndjesë për gabimet e mia, pasi asnjë prej tyre nuk është një gabim për të përfituar në kurriz të të tjerëve”, tha Rama. /Gazeta Express / KultPlus.com

‘Mijëra dashuri rendin në qiellin e ulët, takohen dhe ndahen si vetëtimat’

Poezi nga Frederik Rreshpja

Shiu i fundit

Trak-truk, shi i verbër si at i poetëve
Duke kërkuar kështjellat.

Mijëra dashuri rendin në qiellin e ulët,
Takohen dhe ndahen si vetëtimat.

Pikë-pikë bien shpirtrat dimërorë
Një këtu, një aty trëndafilat e vdekur.
Nëpër muzgun e ngjyer me ajër.

Dikur, djalë i ri dhe i lumtur, e pata kuptuar
Që tërë shirat e botës binin për mua.

Por tani, pas kaq vitesh, sigurisht,
Nuk ka asnjë kuptim që bie shi. / KultPlus.com

Dua Lipa tani është një nga artistet më të transmetuara në ‘Spotify’, dy albumet e saj shënojnë histori

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, po vazhdon të shënojë sukses pas suksesi në fushën në të cilën ajo e zotëron më së miri; muzika, shkruan KultPlus.

Ajo tani ka në rend të parë, të dy albumet më të transmetuara nga një artiste femër e të gjitha kohërave në Spotify, duke shënuar histori në këtë platformë.

Kujtojmë se albumi ‘Future Nostalgia’ është po ashtu albumi më i transmetuar nga një artiste femër në historinë e platformës.

Janë bërë 2 vite që këngëtarja Dua Lipa ka lansuar albumin e saj “Future Nostalgia” dhe albumi po vazhdon që të thyejë rekorde të jashtëzakonshme. / KultPlus.com

(Photo by Antony Jones/Getty Images for Spotify)

Frederik Rreshpja, poeti që i këndoi gjëmishëm vetmisë, ngulmueshëm tragjizmit dhe trazueshëm dhimbjes

Nga Albert Vataj

Gjithçka në jetën e poetit lirik, Frederik Rreshpja, nisi si një psherëtimë e zëshme përkoreje në qytetin e Shkodrës 79-vite më parë, më 19 korrik 1940. Erdhi në jetë si një amanet dhe përfundoi si një anatemë.

I ngjizur me dashuri dhe forcë besimi katolik, kurmi i këtij njeriu do të ecte në të zakonshmen, deri kur një shkreptimë fatkeqe dashurie e goditi në zemër duke i thyer shpirtin.

Gjithçka në jetën e tij do të ndryshonte kur ai do të ishte ende i ri. Një zjarr dashurie që shpërtheu si një vullkan do të bëhej për këto vullnete të stuhishme ndjenjash të hyjshme, një ferr, ndoshta pikërisht ai për të cilin Dante mëton në “Komedinë Hyjnore”. Pati një trashëgimtar, të cilit nuk i’a ktheu asnjë Odiese. Lënda tragjike e jetësores që mëtoi, e ngjeshi këtë magmë, duke e ngurtësuar në humusin e fateve tragjike, në dëshmimin e ngjizur me dhimbje dhe trishtim.

Frederik Rreshpja erdhi për të mbetur një zë kushtrues në lirikë, një përjashtim në lëndën e ngjizjes, një vetvete e tallazuar trazimesh në jetë. Nuk kishte më fatkeq ndër ata që kanë rendur në kujtesën e kohës dhe në mirënjohjen e gjeneratave, se sa ai. Jetoi gjithnjë në tehun e rrezikut dhe kumtoi në poezi thelbin tragjik. Jetoi me dhimbjen dhe absurdin, gjithëçmosin, si në një marrëdhënie të vetme ekzistimi, deri në atëkohjen që nuk kishte gëzim që ta gazmonte atë shpirt të shterrur nga dritat dhe ngjyrat, e atë kurm të drobitur nga hekat dhe vetmia.

Në këtë botë të rrethuar me mure, ngado me mure, të lartë e të trashë, Frederiku ndërtoi atë liri heroike si një titan nën peshën e fatit tragjik. Gufimi i zemëratës dhe trazimit, është tashmë fjala, poezia, vargu, është gjithçka përbën përpjekjen e tij prej një spartani. Si pakkush tjetër u lëshua potershëm në honin e vetmisë si në një përballje, e nuk e ndali luftën përkundër asgjëje. Përmes çdo akti të ndeshjes ai hyn e del me një solemnitet sfidues.

Me kohën kundër dhe fatin thundër, në këtë kurm tragjik asgjë nuk reshti së provuari, së jetuari. Kësisoj, ngaherë nën qiellin kërcënues të fatit dhe vetmisë që e cytin si një zë nimfash, ai kacavirret me thonj e me dhëmbë për të mbërritur gjithnjë në një tokë të pashkelur. Ikën nga një detyresë Sizifi, për të përmbushur një tjetër. Gjithnjë mbi supet i rëndon një gurë i stërmadh që vetëm rritet. Në tokën që gjithnjë rrëshqet për nën këmbë ai është një Ante.

Vitet e një stine të ndëshkimi, mohimi, harrimi dhe mospërfillje do ta përndjekin këtë angështi njerëzore, këtë kurajo të tjetërllojtë të njeriut që ngrihej përmbi kohën, dhe e mësyn përplot mraz atë, si të vetmin armik që duke i thyer zemrën, ai i theu enën e fatit, copëzat e së cilës i shpojnë këmbët e çjerrin qiellin. Gjithqysh ai ishte këtu. Është ende këtu në mungim.

Pavarësisht nëse ai deshi, apo dikush u përpoq ta anatemonte duke e martirizuar, ai u bë ndër zërat më dëshmues të kohës. Ai rijetoi në vullnesën e çdo force, që mëson të ndërtojë vetveten, duke u përleshur gjithmonë dhe me gjithçka.

Në tehun e vetëtimava ai e ka mprehur mendimin, në tharmin e zemërimit të tokës, në llavën e vullkanit, ai ka ngjyrë penën, për të dëshmuar atë që i duhej brezit për të bërë atë që bënte më mirë, për të qenë poet. Ai është në zërin dhe zemrën e secilit prej nesh që jeton në vetminë e tij, që ndjen pulsin e e betejave të tij që janë edhe tonat. Ai la një testament dhe një shpirt. La një fat tragjik dhe një vetmi të përkorë, la tek ne të gjithë pak Frederik. / KultPlus.com

Në kuadër të muajit të kinematografisë kujtohet filmi “Apasionata”

 Në kuadër të muajit të kinematografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti, risjell në vëmendje filmin artistik shqiptar “Apasionata”.

Filmi, një prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, mban firmat e 2 regjisorëve, Kristaq Mitro e Ibrahim Mucaj. U shfaq për herë të parë për publikun, në vitin 1983, me skenar të Peçi Dados e Nexhati Tafës, me një kohëzgjatje prej 1 ore e 26 minutash.

Filmi ka në qendër historinë e dy të rinjve të dashuruar, Mirës dhe Arturit, të interpretuar nga Matilda Makoçi dhe Kastriot Çaushi. Dashuria e tyre do të hasë në kundërshtimin e babai të Arturit, Demostenit, i interpretuar mjeshtërisht nga Kadri Roshi.

Motivi kryesor i sonatës së famshme “Apasionata” të Ludvig Van Bethovenit, kthehet në lajtmotiv të dashurisë së Mirës, studente e pianos, dhe Arturit, student i pikturës, i cili nuk është vërtet i dhënë pas pikturës, por studion aty, i diktuar nga i ati. Filmi u pëlqye, pasi trajtonte një temë sociale e problematika të të rinjve. Skenari i tij ishte shkruar sipas tregimit me të njëjtin titull të Dritëro Agollit. / KultPlus.com

Sot është 82 vjetori i lindjes së poetit Frederik Rreshpja

Kushdo që ka lexuar lirikat e tij të trishtuara dhe është magjepsur prej fjalës poetike plot finesë e ndjeshmëri, nuk mund të mos ketë ndërmendur një çast rrugën e vështirë, plot peripeci dhe andrralla të jetës së tij. Në shoqërinë njerëzore, vuajtja, persekutimi, mjerimi skajshëm, goditje tw befta dhe mbrapshtia e fatit, janë po aq të vjetra sa dhe bota.

Por jeta e tallazuar dhe fati aq i trazuar i Reshpjes, marrin një domethënie të veçantë kur vihet në relacion me kohët kur krijoi, me artin e tij dhe poezinë margaritar që la pas, si trashëgimi të vyer në fondin e poezisë shqipe. Frederik Reshpja njoftoi ardhjen e tij premtuese në tempullin e letrave shqipe me vëllimin e parë poetik Rapsodi shqiptare në vitin 1968, ndërsa në vitin 1973 botoi librin e dytë me poezi Në këtë qytet. Më tej jeta e Reshpjes merr rrokullimën, burgoset nga regjimi komunist dhe librat e botuar i hiqen nga qarkullimi si “të papërshtatshëm” dhe “të dëmshëm për edukimin komunist të masave”. Pas një heshtje të gjatë, i harruar dhe mënjanuar , me fillimet e demokracisë, Reshpja plot vrull dhe shpresa përqafon jetën e re, përfshihet në debatet politike të kohës, fillon aktivitetin si gazetar, redaktor dhe rivendos lidhjet e këputura me poezinë e viteve të rinisë.

Në vitin 1994 boton vëllimin me titullin metaforik:Erdhi koha të vdes përsëri .Më pas boton vëllimin me titullin epitaf të jetës së tij-Në vetmi. Sakaq, krahas punës si gazetar dhe redaktor, e provon veten në një sipërmarrje, duke themeluar shtëpinë botuese dhe shtypshkronjën “Europa”. Por shumë shpejt, nga shkëlqimi përkohshëm,do të binte në mjerimin më të skajshëm. Një jetë endacaku rrugëve të Tiranës, me trupin e drobitur nga sëmundjet, i vetmuar, i shpërfillur, deri ditët e fundit të jetës së tij. Ç’ishte kjo jetë me kaq peripeci, nga vinte e ku e kishte burimin ai fat aq dorështrënguar, me një nga lirikët më brilant të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të? Ka një përgjigje dhe gjithçka duket se lidhet me artin e tij, me poezinë e tij të pazakontë dhe kohën kur krijoi. Fati ishte brendashkruar në artin e tij. Arti për Frederik Reshpjen nuk ishte thjesht vetëdija por edhe vetëqenia e tij. Reshpja ishte ”i mallkuar” me art dhe prej artit të tij. Në poezinë e tij Testament, Reshpja përcjell vetëdijen për artin si fat dhe mallkim: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!

Në parathënien e librit me proza poetike të Sharl Bodler “ Brengat e Parisit”, Ismail Kadare përsiat rreth poetëve simbolistë francezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të ashtuquajturit “artistë të mallkuar” , të mallkuar nga institucionet dhe opinioni kohës,jo vetëm për shkak të skandaleve dhe veseve por , sidomos e mbi të gjitha, për shkak të artit të tyre novator, i cili shënoi fillimet e modernitetit në poezinë europiane.Edhe Reshpja, antikonformist nga natyra, shpërfillës i konvencioneve dhe shtrëngesave ideologjike, ashtu si sivëllezërit e tij, poetët simbolistë, u perceptua prej institucioneve dhe të tjerëve si njeriu “skandaloz”. Përballë shpirtit skllav të shumëkujt dhe hipokrizisë si stil mbijetese, Reshpja me shpirtin bohem, shpalli kredon e tij : “ Unë kam lindur skandaloz dhe i lire” ! Shkrimtarët e mallkuar gradualisht u pranuan nga shoqëria dhe zunë vendin e merituar në tempujt dhe panteonet letrare kur , mallkimi i vjetër –thotë Kadare- befas u përtërit në trajtën më të zezë që mund të mendohej, në gjysmën e botës, në atë që quhej “perandoria komuniste”. Burgu, pushkatimi, internimi, persekucioni, ndalimi botimeve, lincimi, “qarkullimi në bazë për riedukim” dhe praktika të tjera të kontrollit dhe represionit, ranë si mallkim mbi poetët dhe krijuesit në Shqipërinë totalitare. Reshpja ishte një nga viktimat e këtij represioni. Në shkrimin Një prill për Fredin ( një homazh plot venerim për Reshpjen) ,ku sheston raportet e shtetit totalitar komunist me shkrimtarët , Kadare nënvizon se Reshpja u shfaq në letrat shqipe në një kohë të papërshtatshme: në kohën e parë,në diktaturë, u përball me egërsinë e shtetit, ndërsa në kohën e dytë, në demokraci, u përball me mospërfilljen. Të dyja kohët , përtej dallimit thelbësor të sistemeve politikë, kohët shoqërore pra, kishin të përbashkët mosdashurinë, klimën e ftohtë, mospërfilljen dhe egërsinë , të mjaftueshme për të thyer shpirtra të brishtë si Reshpja.

Në vitet e rinisë poezia e tij mbart një frymë optimizmi dhe patetizmi, si shprehje e iluzioneve të moshës dhe, njëherazi, si pasojë e kërkesave të ideologjisë së kohës,ku shkrimtarët dhe artistët ishin thirrur si pjesë e mekanizmave të inxhinierisë sociale për projektimin e utopisë komuniste. Me kalimin e viteve, si reflektim i peripecive të jetës dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme, poetika reshpiane dominohet nga nota trishtimi dhe melankonie.Ai që dikur në rini kishte ëndërruar të ishte si “një ylbermbi akuafortën e kohës vizatuar egër” me dhimbje konstaton : Qielli i djalërisë në sqep të një zogu U zhduk pas portës se ylbereve. Zhduket pas portës se ngjyrave djalëria Dhe mua trishtimi me mbulon Përmes poezive përjetohet ndjesia e një stine të përhershme shirash dhe duket sikur poeti futet në muzgun e perëndimit të shpresave. Poeti ndjehet i hedhur në një botë të huaj, motivet bëhen më të ftohta e boreale, peizazhet poetike më të trishta, me një hënë pikëllimi përmbi, si në gjithë ligjërimin e poezisë lirike popullore: Hëna e pikëlluar nëpër re Shkel mbi degët e shirave. Fshehur pas drurëve diku përgjon Vrasësi i vjetër, trishtimi. Eh, mundet që thika e trishtimit Diku përdhe ka për të më lënë, Fshehur nën një perëndim të thyer Fshehur nën shira hëne… Rënia e poetit është si në balada, vetmia e tij është kozmike: Dola nga guernika e kësaj nate I vrarë egërsisht, Kali i zi i pikëllimit ç’më rrezoi Dhe rashë si në balada; I vrarë nga një pranverë e kotë Braktisur nga bota e tërë. Cila “pranverë e kotë” e vrau poetin? “Pranvera mashtruese” e Tiranës e të ashtuquajturit liberalizëm në fillim të viteve 70-të apo ajo e iluzioneve të fillim viteve 90-të?Ndoshta të dyja…Përtej fatit personal, lexohet aludimi për zhgënjimin universal që sjell besimi në iluzionet utopike. Si në momentet e shkëlqimit, ashtu dhe në mjerim, Reshpja e shpërfilli jetën në skajshmëri.

Kjo neglizhencë apo mospërfillje ndaj jetës, përsëri vinte si “mallkim” prej artit. Reshpja ishte i ndërtuar prej materies së artit. Poezia ishte barra dhe kryqi prej të cilit nuk shpëtonte dot. I përhumbur nën peshën e kësaj barre, nën peshën e metafizikës së shpirtit, vetes tjetër fizike, njeriut empirik, i merreshin këmbët dhe “pesha e artit”bëhej pengesë në jetën plot kushtëzime, kurthe, detyrime, banalitete. Albatrosi i Bodlerit, si simbol për natyrën e dyfishtë të poetit: I bukur dhe madhështor në qiejt eternalë të poezisë / i ngathët , i zgërlaqur dhe krahëvarur në tokën e banalitetit dhe njëmendësisë , i shkon për shtat poetëve të klasit si Reshpja. Reshpja sfidoi kohën njerkë,fatin e mbrapshtë dhe ecjen e tij përmes botës së moskuptimit, e distiloi në përftesa poetike me imazhe impresioniste mbresëlënëse. Jetën prozaike të vetmisë dhe ekzistimit temporal, e konvertoi në poezi me frymë eternale. Kohës së jashtme,si jetë e pafat, i kundërvuri kohën e brendshme , metafizikën e shpirtit të mishëruar në artin delikat të poezisë. Përballë një bote të ashpër dhe të pashpresë, të egër dhe mospërfillëse, poeti projekton botën imagjinare ku kompeson humbjet dhe sublimon estetikisht dhimbjen. Poezia e Reshpjes është e shënjuar thellësisht prej fatit që përjetoi si individ. Por do të ishin njëlloj të mangëta në njëanshmërinë e tyre, si qasja e “zhytjes në tekst” sipas konceptit barthesian të “vdekjes së autorit”,ashtu dhe qasja sociologjizuese dhe biografike në analizën e poetikës reshpjiane. Reshpja iu largua tematikave himizuese të kombit, glorifikimit të historisë dhe patetizmit deklamativ, si shenja dominante në historinë e poezisë shqipe. Stili i tij poetik është qartësisht i dallueshëm në polifoninë e zërave poetikë të fillimeve të tranzicionit postkomunist. Poezitë e Reshpjes kanë një frymë thellësisht humane,lirizmi i tij mbart nota epike,motivet e dashurisë mbështillen me tisin e trishtimit, pikëllimi ka frymën e baladave ballkanike.

Poezitë e Reshpjes përgjithësisht janë të lakonike dhe falë përkujdesit për fjalën, hera herës ato përjetohen si forma të kulluara të bukurisë së gjuhës poetike. Duke rimarë teknikën e poezisë popullore, në poezitë si variacione rreth një motivi, përsëritja e figurave artistike përcjell rrekjen e palodhur të Mjeshtrit për të latuar formën me perfekte. Poezia e tij, sikurse ka vënë në dukje kritika, dallohet për muzikalitetin e brendshëm dhe simbolizmin tingullor. Por mbi të gjitha, poetika reshpiane dallohet për kombinimin e formës tingullimore me tablotë imazhiniste , për akuarelin e peizazheve të shpirtëzuara dhe pikturuara plot delikatesë dhe ekspresivitet: Një ujëvarë e vogël vetmon lart në mal dhe luan me ylberët. Mjegulla e hollë, ndanë dritares sime, qan me lot shiu. Përkundër qasjeve të reja avanguardiste në ligjërimin poetik të pasviteve 90- të, Reshpja shpërfaq në poezinë e tij , vizionin e një shpirti pagan parasokratik dhe perceptimin e një fëmije naiv të magjepsur prej natyrës .Falë kësaj optike antropomorfizuese,natyra shpirtëzohet dhe përmes saj projektohen estetikisht brengat, ndjesitë, gjendjet dhe drithërimat më të holla të unit poetik. Reshpja nuk ishte as misionar, sikurse thuhet në ndonjë shkrim analitik dhe as i inspiruar prej kauzave të mëdha. Poezia e tij reflekton shtjellat shpirtërore tepër personale. E megjithatë, pikërisht përmes përjetimeve tepër personale, rroken topikët e vetmisë, trishtimit dhe humbjes së dashurisë, si shqetësime universale ekzistenciale të njeriut postmodern Në këtë universpoetik të sunduar nga Perëndia e Humbjes, mes larmishmërisë së motiveve , spikatin dy figura–objekt adhurimi: ajo reale e Nënës, simbol i dhimbjes dhe dashurisë së pakushtëzuar, e vetmja Perëndi tek e cila beson dhe tjetra, Lora, me shumë gjasa funksionale, ikonë e dashurisë së pamundur, fantazma e së cilës shpërfaqet xixëlluese përmes mjegullës trishtuese që mbështjell poezitë më intime të autorit. Cikli poezive kushtuar imazheve të Lorës përshkohet nga një pikëllim i paskajshëm, ku adhurimi, lutja, obsesioni dhembërthimi pas kujtimit të saj, merr pëmasa orfeike. Lora, si simbol i dashurisë, është Euridikia e humbur, epiqendra e kozmosit dhe premisë e parandalimit të kaosit shpirtëror dhe natyror : Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit. Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave. Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty?Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët? Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! Me alkiminë e fjalës dhe brymë ëndrrash,mbi rendin material të kësaj bote të trishtë dhe rraskapitëse,Reshpja projektoi botën paralele imagjinative, universin e tij metafizik. Në këtë univers, kali i zi i pikëllimit , si shënja e kohës kur jetoi , transfigurohet në Pegason e frymës poetike që flatron për kah pakohësia. E gjithë poetika e Reshpjes është një arkitekturë kristalore, e ndërtuar me brishtësi dhe e mbushur me një frymë të epërme,delikate dhe qiellore, përballë banalitetit dhe vrazhdësisë tokësore. Kryemjeshtër i metaforave befasuese, këndonjës i vetmisë dhe pikëllimit universal, Reshpja ishte i ngjizur prej A(r) tit. o më kot nënës së tij i drejtohet :Ave ,Shën Mëria ime, nëna ime! * * * Në mbyllje të këtij shkrimi – rekuiem për një nga poetet lirikë më brilantë të poezisë shqipe, nuk mund të mos shprehim një lloj habie (jofilozofike) për heshtjen e kritikës dhe studimeve serioze rreth krijimtarisë së tij cilësore. Mospërfillja që përjetoi sa qe gjallë, mesa duket, parandjeu se do ta ndiqte edhe post mortum, prandaj në poezinë Për veten time shkruan: Mbi një piedestal heshtjeje, dergjet profili im që në lindjen e gurit. Por përtej kësaj mosvëmëndjeje, për Reshpjen nuk do të ketë njëLetelumharrese, por një prani të papengueshme në Letrat e poezisë shqip. Arti ishte “mallkimi” i tij i parathënë. Nëse koha e jetuar rrëzoi njeriun , arti ka forcën e ngritjes së poetit në piedestalin e pakohësisë. Ars longa,vita brevis! Sadedin Mezuraj / KultPlus.com

Kryeministri Kurti takoi pianisten Melisa Ibrahimi: Sukseset e tilla na rikujtojnë talentin dhe potencialin e rinisë sonë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në zyrën e tij pianisten Melisa Ibrahimi dhe profesoren e saj, Alberta Troni, përcjell KultPlus.

Pianistja Ibrahimi dhe profesorja Troni kanë përfaqësuar Kosovën në shumë gara ndërkombëtare të pianistikës. Së fundmi, më 7 korrik, ato fituan vendin e tretë në garën ndërkombëtare për të rinj “Dinu Lipatti Roma 2022”, e organizuar me mbështetjen e Presidencës së Republikës së Italisë.

Kryeministri Kurti i uroi për sukseset e deritanishme. Ai i tha se sukseset e tilla na bëjnë të gjithëve krenarë, dhe në të njëjtën kohë na rikujtojnë talentin dhe potencialin e rinisë sonë, si edhe përgjegjësinë që institucionet shtetërore kanë në mbështetje të tyre.

Melisa Ibrahimi është fituese e 15 çmimeve të ndryshme në gara të pianistikës në Gjermani, Rusi, Britani të Madhe e Suedi.

Së fundmi, ajo ka fituar medaljen e bronztë në “International Music Competition for Youth DINU LIPATTI ROMA 2022”. / KultPlus.com

mu

Aktori William Baldwin: Dikur thuhej ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’, tani unë them ‘Faleminderit Zot dhe Kosova’ ngaqë tani ne jemi në një rrëmujë

Pas Gerard Depardieu e Sir Tony Robinson që tashmë kanë kryer xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, në Kosovë tashmë ka ardhur edhe aktori tjetër i kastës së këtij filmi William Baldwin, shkruan KultPlus.

Mbrëmë është mbajtur konferenca për media për ardhjen në Kosovë të aktorëve të njohur, William Baldwin dhe Maria Grazia Cucinotta.

Me këtë rast, aktori i njohur amerikan, William Baldwin i cili tashmë është në sheshxhirim për katër ditë, deklaroi për KultPlus se Kosova gjithmonë ka qenë në vëmendjen e tij edhe para se ai të bëhej aktor.

“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri sa kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka kujtuar edhe kohën kur disa kosovarë pas luftës kanë falënderuar Zotin dhe SHBA-të. Ndërsa, ai tani thotë se është koha që Kosova të bëjë të njëjtën pasi që sipas tij, SHBA tani ndodhet në një rrëmujë.

“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tani unë them: faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi ne ata të cilët janë në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, thotë Baldwin.

Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendorë siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli, etj. / KultPlus.com

Artisti Astrit Ismaili në procesin e provave për premierën e performancës në kuadër të ‘Manifesta 14 Prishtina’ (VIDEO)

Artisti kosovar, Astrit Ismaili do të bëjë hapjen e Manifesta 14 me një performancë premierë, përcjell KultPlus.

Astrit Ismaili do të prezantojë performancën premierë të LYNX në natën e hapjes së Manifesta 14 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Performanca do të jetë e hapur për të gjithë.

Ndërkaq, përmes një video, Manifesta 14 ka bërë të ditur se po zhvillohen provat për këtë performancë.

Dyert e Manifesta 14 hapen në orën 18.45 dhe shfaqja do të fillojë në orën 19.00.

Tutje, në orën 19.00 Manifesta 14 do të fillojë fjalimet e hapjes, për të vazhduar me një koncert live që feston shpirtin e qytetit.

Koncerti është falas dhe e hapur për publikun, ashtu si programi 100 ditor i Manifesta 14 Prishtinë. / KultPlus.com

Të enjten në BKK bashkohet krijimtaria piktorike e Farija Mehmetit dhe Bibliotekës RomaMoMa

Biblioteka RomaMoMA, Daniel Baker dhe Farija Mehmeti do të jenë pjesë në festivalin ‘Manifesta 14’, në këtë edicion përmes artit dhe punëve të tyre në fushën e kulturës, përcjell KultPlus.

Eventi pritet të mbahet të enjten duke filluar nga ora 17:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Krijuar në 2021 për të përkujtuar 50-vjetorin e Kongresit të Parë Botërorë të Romëve, Biblioteka RomaMoMa është dinamike dhe nomade duke përfshirë kontekste lokale kudo që udhëton.

E përbërë nga 150 libra artistike dhe kulturore mbi trashëgiminë letrare bashkëkohore rome, rritja e koleksionit të bibliotekës e pasqyron këtë trashëgimi të pasur rome, ndërkohë merr në pyetje kritike dhunën dhe shtypjen ndaj romëve në Evropë.

Qëndrimi i kësaj biblioteke, RomaMoMa, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shoqërohet nga Farije Mehmeti, një artiste e njohur për portretet shumëngjyrëshe të grave rome.

Brenda dhe përtej komunitetit, femrat luajnë një rol kritik në nxitjen e riprodhimit, shëndetit mendor dhe në përcjelljen e njohurive të lashta mbi praktikat shëruese, shpirtërore, natyrore dhe kozmos. Subjektet e Mehmetit janë të inspiruara nga heroinat në përditshmëri, ndonëse shpesh të pikturuara nga imagjinata e saj. Të fotografuara mbi sfondet vibrante dhe të veshura me pëlhura dhe bizhuteri tradicionale rome, vështrimi i femrave bie direkt tek shikuesi. Të forta dhe të sigurta në vetvete, ato nderojnë të shkuarën, ndërkohë fiksojnë vështrimin me vendosmëri drejt së ardhmes. Në këtë rast, biblioteka aktivizohet përmes Adjacent, një pajisje celulare konceptuar për RomaMoMa nga artisti Daniel Baker.

Me Roma Rajnin, ERIAC bashkon krijimtarinë piktorike të Farija Mehmetit dhe Bibliotekën RomaMoMa në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ekspozita përbëhet nga 39 portrete të paraqitura në një pjesë të bibliotekës si oazë, të theksuara nga drita natyrale që depërton nga dritarja e çatisë. Në këtë mjedis, Mehmeti shfaq një mozaik të shumanshëm të personazheve imagjinarë për të soditur dhe nderuar heroizmin e përditshëm dhe luftën për ekzistencë të grave të zakonshme rome. Duke shfaqur gra të fuqishme ngjyrë kafe që veshin pëlhura dhe bizhuteri tradicionale rome përballë sfondeve të gjalla, ajo shkel format tradicionale të përfaqësimit të njëanshëm të grave rome dhe rimerr momentin përcaktues të identitetit dhe tregimit të historisë të caktuar shumë shpesh nga jo-romët, si historikizuar dhe përjetësuar. nga kultura dominuese. Në përshkrimin e këtyre heronjve femra të përditshme, Mehmeti kultivon një ndjenjë për të kaluarën dhe një ndjenjë për të ardhmen. Këto portrete janë mjete për të kujtuar dhe zbuluar format e ndrydhura të njohurive rome mbi strategjitë për shëndetin riprodhues ose ruajtjen e shëndetit mendor dhe praktikat shëruese në përgjithësi, si dhe mençurinë rome mbi natyrën dhe kozmosin. Në kujtim dhe përvojën e mishëruar të këtyre të shkuarave, portretet shërbejnë edhe si kujtesë për të moshuarit e komunitetit që mbajnë dhe përcjellin këtë njohuri. Në fjalorin e saj vizual të gjallë dhe brilant, Farija Mehmeti mundëson kështu një vështrim në kohë duke nderuar të kaluarën dhe duke ofruar mënyra për të vazhduar të imagjinojmë ndërvarësinë dhe pandashmërinë e ekzistencës në komunitet, duke ofruar dyer për të krijuar të ardhme të reja. Me këtë rast, biblioteka aktivizohet përmes Adjacent, pajisjes celulare të njohurive të konceptuar për RomaMoMA nga artisti Daniel Baker.

Për më shumë informacion:

Ky projekt zbatohet në kuadër të projektit Manifesta 14 Prishtinë – Ballkani Perëndimor dhe është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. / KultPlus.com

Manifesta 14 shpalos programin e plotë

Vetëm tri ditë para hapjes së ‘Manifesta 14 Prishtina’, organizatorët kanë njoftuar publikun për programin e plotë. ‘Manifesta’ këtë edicion pritet të prezantoj 103 pjesëmarrës nga gjithsej 30 vende dhe 45 punë të reja në 25 hapësira të Prishtinës.

Programi është i ndarë në tri pikë vështrime, këtu përfshihen: skena e madhe e ngjarjeve, ndërhyrjet publike, shprehja e rezistencës përmes ‘Good as Hell’ dhe qendra për praktikë narrative.

Për të parë programin vizitoni: https://manifesta14.org/sq/events/ / KultPlus.com

Të shtunën promovohet libri “The Monumentality of the Everyday”

Të shtunën në Kino Armatë do të promovohet libri “The Monumentality of the Everyday” nga Jakup Ferri, përcjell KultPlus.

Ejani dhe takoni ekipin e Pavijonit të Kosovës dhe merrni një kopje të librit “Monumentaliteti i Përditshmërisë” nga ekspozita e 59-të Nërkombëtare e Artit, në Bienalen e Venedikut, përfaqësuar nga artisti Jakup Ferri, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me komisionere Alisa Gojani-Berishën.

Ekspozita e kuruar nga Inke Arns është një instalim i veprave të Jakup Ferrit, si piktura, qëndisje dhe qilima, të cilat i gjeni të prezantuara në librin e ekspozitës të dizajnuar nga Diellza Veliqi dhe Lira Gjikolli.

Ngjarja fillon nga ora 12:00. / KultPlus.com

UP-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal

Me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit të dyanshëm në fushën e avancimit rajonal, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Marrëveshja e nënshkruar nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, vë në fokus aspektet dhe fushat e ndryshme të bashkëpunimit, si dhe koordinimin ndërinstitucional të aktiviteteve për arritje të objektivave të përbashkëta.

Bashkëpunimi i të dyja institucioneve, i bazuar në këtë marrëveshje, prioritizon promovimin e një rritjeje të balancuar socio-ekonomike rajonale në Kosovë, në përputhje me objektivat e UP-së dhe MZHR-së.

Marrëveshja parasheh edhe zbatimin e projekteve për zhvillim rajonal, përmes mekanizmave të ndryshëm, siç janë: trajnimet, grupet punuese, hulumtimet, seminaret, punëtoritë dhe vizita të përbashkëta studimore. / KultPlus.com

“Unë dhe Millosheviqi” sjell në Kosovë William Baldwin dhe Maria Grazia Cucinotta, yjet e kinematografisë ndërkombëtare 

Era Berisha

“Unë dhe Millosheviqi”, filmi i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Arben Kastratit me gjithë kastën e mrekullueshme të aktorëve të njohur si: Gerard Depardieu, Sir Tony Robinson, William Baldwin, Maria Grazia Cucinotta, Nathalie Boyer, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli e të tjerë, duket se po shkon drejt një rruge përpjetë, fundi i së cilës sinjalizon për një tjetër sukses të jashtëzakonshëm të kinematografisë kosovare, shkruan KultPlus.

Nën strofullën e dramës dhe komedisë, ngjarja e filmit që ndodh në Kosovë, në Serbi, në Holandë dhe në Francë, flet për një periudhë të pasluftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental. E gjithë motoja “Heroi i vendit tim, është kriminel për vendin tjetër” dhe anasjelltas, ka frymëzuar edhe krijimin e personazhit kryesor.

Ky personazh, një shqiptar nga Kosova në rrethana të caktuara takon Millosheviqin dhe këto takime mes tyre shpjegohen në versione të ndryshme. “Unë dhe Millosheviqi” shpalos superioritetin e këtij personazhi ndaj Millosheviqit, pasi që ai e sheh veten si një person që ka triumfuar. Por dëshmitarë të tjerë, takimin mes tyre e shohin krejtësisht ndryshe. Është një ngjarje e filmit që ndodh në vitin 2003, atëherë kur e gjithë popullata kolektivisht ishin të lirë dhe në atë kohë kur qarkullonin dëftime nga më të ndryshme, heroi i këtij filmit po ashtu ka një dëftim të tijin që konsiderohet të jetë sa tragjik, aq edhe komik.

Mbrëmë ishin fytyrat e shumta e të famshmëve nga industria e filmit, kulturës dhe politikës që ishin bërë së bashku për të festuar një rikthim të nevojshëm për vazhdimin e këtij filmi që po ngreh vëmendje të dallueshme tashmë edhe kur së fundmi dy aktorë të tjerë të njohur kanë arritur në Kosovë.

Pas aktorëve Gerard Depardieu dhe Sir Tony Robinson që tashmë kanë përfunduar xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi”, në Kosovë ka arritur aktori i famshëm që është pjesë kastës së këtij filmi, William Baldwin si dhe aktorja e njohur italiane Maria Grazia Cucinotta.

Fillimisht ishte regjisori dhe skenaristi i këtij filmit, Arben Kastrati ai i cili për KultPlus ka shpalosur detaje të mëtutjeshme që i përkasin këtij projekti filmik.

“Tema është e rëndomtë sepse jam munduar ta shkruaj me një thjeshtësi të kapshme dhe mu këtu ndoshta ka qëndruar sekreti i skenarit dhe pse i ka pëlqyer aktorëve të filmit. Kam pasur frikë se a do ta kuptojnë fillimisht dhe a do ta kuptojnë drejt skenarin e filmit sepse tema është universale, pra kemi lindjen dhe krijimin e një heroi aksidental. Por, filmi është kuptuar shumë qartë nga ta dhe personazhet e tyre, i kanë pëlqyer mjaft shumë, andaj dhe kanë vendosur të vinë por para së të vinë, ka qenë një problem i madh sepse nuk e kanë pasur idenë së ku ndodhet Kosova e pastaj kur kanë marrë informacione për Kosovën, nuk ka qenë shumë të hijshme dhe e kanë pasur njëfarë ndjenje të refuzimit për të ardhur dhe xhiruar në Kosovë. Unë pata qejf që ata të vinin këtu për dy arsye; një sepse ngjarja ndodh këtu dhe e dyta sepse kam dashur të bëjë diplomaci kulturore për këtë vend ngase këta janë njerëz që kanë autoritet të madh në gjithë botën”, thotë Kastrati.

Sipas tij, në fund të muajit maj, është xhiruar me aktorin anglez Sir Tony Robinson, dhe ai absolutisht pati refuzuar që të vijë në Kosovë për të xhiruar por pastaj pas plot telefonatash, Kastrati ka arritur që ta bind për të ardhur por kur ai erdhi, atij i ndërroi bindja dhe Kastrati thekson se tani mund të shihet se çfarë ai ka shkruar për Kosovën dhe mbi të gjitha, duke marrë parasysh se ai është një zë i fuqishëm në botë.  

“Kam dashur ta ndërtoj një personazh interesant dhe të ndërtoj lojëra rreth tij. Po besoj që kam arritur ta ndërtoj bukur, me vetë faktin që gjithë këta aktorë kanë ardhur dhe që ende aktorë më të mëdhenj do të vijnë në shtator për të xhiruar. Në mënyrë që filmi të distribuohet në Amerikë, duhet të përmbyllet njëfarë kërkese që lidhet me përqindjen e madhe e të folurit anglisht, në mënyrë që të shfaqet nëpër kinema. Kështu që, unë atë kërkesë jam ardhur për ta plotësuar dhe e kam tashmë një para-kontratë me dy distributor shumë të njohur evropianë dhe amerikanë si dhe me një platformë televizive, andaj po shpresoj që do të realizohet shumë shpejt”, thotë ai.

Po ashtu, Kastrati nuk la pa përmendur edhe mungesën e mbështetjes që ai e ka hasur në këtë film, e për të cilën kujtojmë se qysh në janar të vitit 2020, ai pati reaguar, duke shpjeguar se pse Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalonte xhirimet e filmit “Unë dhe Millosheviqi”.

“Për shkak të xhirimeve të filmit, është dashur që edhe vetë të merrem me parapërgatitjet të cilat janë shumë të dhimbshme, pa asnjë mbështetje, andaj ky proces është mjaft i dhimbshëm. Në anën tjetër, kur aktorët vinë këtu mendojnë që kushtet e punës janë të larta por nuk është e tillë, por që në fund të fundit ata kanë mirëkuptim dhe e shohin vetëm produktin final. Gjithashtu, aktorët janë shumë bashkëpunues të mirë dhe shumë të këndshëm”, shpalos Kastrati.

“Mbështetja e aktorit William Baldwin këto ditë, nuk ka të paguar. Ky njeri përpos mbështetjes në film, edhe në jetë më ka dhënë një mbështetje shumë të madhe. Ne jemi duke punuar së bashku edhe për dy projektet e radhës, të cilat po shpresoj që do t’i fillojmë vitin e ardhshëm, njëra pas tjetrës.”

Ndërkaq, është hera e parë që aktori i njohur ndërkombëtarisht, William Baldwin viziton Kosovën dhe ai tashmë do të jetë në sheshxhirim për katër ditë.

“Premisën e kësaj marrëdhënieje, të lidhur me historinë këtu me Millosheviqin, me atë që ndodhi në Bosnje dhe atë që ndodhi këtu në Kosovë, e ndoqa nga afër dhe thjesht mendova se historia që tregoi Arbeni me rrotullimin që ai e futi në histori, ishte shumë ‘vrasëse’, shumë tërheqëse, për të mos përmendur edhe kastin e mrekullueshëm. Unë kurrë nuk kam qenë në rajonin e Ballkanit më parë, por vetëm disa javë më parë për herë të parë kam qenë duke punuar në Beograd, tani duke punuar këtu në Kosovë dhe ne po shikojmë peizazhin veror nga këtu dhe dua të jem më shumë këtu”, thotë Baldwin për KultPlus.

Sipas tij, filmi përmban një histori shumë humane që ai beson se do t’ju prekë zemrën e njëkohësisht do të ju bëjë që të qeshni, gjithashtu.

“Mendoj se ajo që lidh të gjithë kastin është një vepër arti që krijoi regjisori. Mendoj se arsyeja kryesore pse të gjithë na tërhoqi materiali, është kasti i mrekullueshëm që është në këtë film. Është një cilësi unifikuese që paraqitet në temën e tregimit. Unë luaj si ish-kryeprokuror i Hagës dhe ne me Marinë punojmë së bashku sepse ajo në film po bën një profil psikologjik të personazhit që unë po përpiqem të ngre akuza dhe ky personazh bëhet së shpejti një figurë heroike bazuar në takimin e tij me Sllobodan Millosheviqin”, shpalos Baldwin.

Ai tutje ka përmendur edhe kohën kur NATO ka bërë ndërhyrje në Kosovë dhe për këtë ai mendon se ka kaluar pak kohë derisa SHBA-ja ka reaguar.

“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, thotë ai.

“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tani them: faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi ne ata të cilët janë në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni.”

Ndërsa, aktorja e njohur italaine Maria Grazia Cucinotta për KultPlus shpjegoi procesin e punës me aktorin William Baldwin.

“Ne jemi duke punuar së bashku dhe më pëlqen shumë sepse William është shumë i dobishëm pasi ne xhirojmë në anglisht që nuk është gjuha ime. Sigurisht mendoj se kur futesh vërtet në personazh, është një moment kur bënë punë jashtë dhe veprimit dhe ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me veten, por me ndarjen e emocioneve, ndjenjave dhe mendimeve”, thotë ajo.

Sipas saj, lufta në Kosovë për të është e lehtë për t’u mbajtur mend sepse vendet tona janë kaq afër.

“Ne jemi shumë afër dhe ishte kudo në lajme, kështu që kishim kaq shumë njerëz që vinin edhe në Itali. Kur një rajon është kaq afër, ka ekzistuar gjithmonë ajo frika se diçka e tillë mund të ndodhë edhe me ne. Jam shumë e lumtur tani që gjithçka po rilind dhe është një ndjenjë e këndshme të jem këtu. Filmi është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar atë që është tani, ky vend”, thotë Grazia Cucinotta.

“Tani e di të vërtetën time, e di realitetin.”

Shqipe Kamberi, producente e këtij filmi artistik të metrazhit të gjatë ka thënë për KultPlus se për momentin, filmi është duke u xhiruar në Prishtinë, pastaj do të rikthehen sërish në Gjirokastër për xhirime të tjera si dhe pjesa e fundit do të jetë në Holandë.

“Bëhet fjalë për një rrëfim të pasluftës në Kosovë për një njeri i cili aksidentalisht bëhet hero, pra për heroin aksidental. Skenari i mirë bën bashkë emra të mëdhenj, pra Arbeni nuk e ka pasur të vështirë t’i bind këta yje. Disa prej tyre e kanë xhiruar filmin, disa prej tyre janë ende në xhirime dhe disa nga ta do të xhirojnë më vonë, pra ata janë intriguar nga skenari i mirë dhe një pjesë e filmit veçse është mbaruar në Tiranë dhe në Gjirokastër me aktorin francez Gerard Depardieu. Ato filmime i kemi bërë para tri viteve dhe për shkak të pandemisë është dashur të ndërpriten sepse ka pasur shumë paqartësi se si do të bëhet puna. Mirëpo tash kanë rifilluar në maj të këtij viti me aktorin Sir Tony Robinson, një aktor i madh anglez dhe tash për momentin na ka ardhur një yll hollivudian William Baldwin si dhe një yll tjetër italian siç është Maria Grazia Cucinotta. Ata janë këtu në Prishtinë dhe jemi duke bërë xhirime tash e disa ditë për të vazhduar tutje me yje të tjerë, duke shpalosur kështu edhe detaje të tjera në vazhdim e sipër”, shpalos Kamberi.

Sipas saj, qëllimi kryesor është që filmi të dalë bukur dhe mirë ashtu siç është parashikuar edhe nga regjisori dhe skenaristi, Arben Kastrati.

“Unë besoj që e kemi brumin shumë të mirë dhe kemi një kastë fenomenale andaj po besoj që yje më të mëdhenj të kinematografisë ndërkombëtare nuk kanë shkelur në Kosovë më herët e sidomos në një projekt filmik. Pra, pritshmëritë tona është që filmi të del mirë dhe pastaj të ec edhe nëpër festivale në mënyrë që edhe t’i hap rrugë Kosovës sepse është e dëshmuar tashmë që Kosova prodhon filma të mirë”, përfundon ajo.

“Unë dhe Millosheviqi” pritet të mbarojë dikur rreth stinës së vjeshtës. Ndërkaq, postproduksioni do të vazhdojë në muajin nëntor, e krejt në fund do të vijë edhe radha e festivaleve, me shpresën për shumë suksese të njëpasnjëshme që potencialisht do t’i arrijë ky film. / KultPlus.com

BE: Gjysma e Evropës në rrezik nga thatësira

Qendra e Përbashkët Kërkimore e Bashkimit Evropian  paralajmëroi se 44 për qind e territorit të Evropës kërcënohet nga thatësira.

Sipas raportit të korrikut të përgatitur nga Qendra e Përbashkët Kërkimore, duke përfshirë Britaninë e Madhe, 44 për qind e tokave të BE-së janë në nivel “paralajmërimi” dhe 9,0 për qind në nivel “alarmi” të thatësirës.

Italia është një nga vendet më të prekura nga nxehtësia ekstreme.

Thatësira më e madhe vërehet në pellgun e lumit Po në veri të vendit.

Shkalla e shfrytëzimit të rezervave ujore në Spanjë u mat gjithashtu të jetë 31 për qind më e ulët se mesatarja e 10 viteve të fundit.

Është përcaktuar se uji i përdorur për prodhimin e energjisë hidroelektrike në Portugali është ulur me 50 për qind në shtatë vitet e fundit.

Vapa ekstreme ndikon negativisht në rendimentet bujqësore, veçanërisht në Francë, Rumani, Spanjë, Portugali dhe Itali.

Ndërsa për muajt në vijim bëhen parashikime negative të motit, kjo situatë rrezikon furnizimin me ujë.

Megjithëse strategjitë për zbutjen e thatësirës janë jashtëzakonisht të rëndësishme për momentin, rekomandohet t’i kushtohet vëmendje trajtimit të shkakut rrënjësor të problemit, ndryshimeve klimatike dhe ndërprerjes së ciklit të ujit.

Valë të nxehtit vërehen edhe në veri.

Ndërkohë që vendet e Evropës Jugore prej ditësh po përballen me të nxehtin ekstrem dhe zjarret në pyje, temperaturat e ajrit po prekin edhe vendet si Belgjika, Gjermania dhe Anglia, veçanërisht nga dita e sotme.

Në këto vende janë marrë paralajmërime dhe masa të ndryshme, ku parashikohen temperatura deri në 40 gradë Celsius apo edhe më shumë./atsh/ KultPlus.com

Publikohet lista e ekipit të Kosovës për Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj

Ekipi i Kosovës për të rinj do të marrë pjesë në Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF) Banska Bystrica, që prej 24-30 korrik 2022 mbahet në qytetin Banska Bystrica të Sllovakisë.

Ekipi kosovar përbëhet prej 13 sportistëve të shtatë sporteve të ndryshme. Atletika prin me tre garues, xhudo, noti, tenisi dhe badminton kanë nga dy, ndërsa çiklizmi dhe gjimnastika artistike nga një.

Në EYOF marrin pjesë sportistë të moshës 15-18 vjeç. Banska Bystrica 2022 është dashur të mbahej në verën e vitit të kaluar, por u shty për një vit shkaku i pandemisë Covid 19 dhe shtyerjes së Lojërave Olimpike Tokyo 2020.

Krahas ekipit, në EYOF, Kosovën e përfaqëson edhe tenistja dhe gjyqtarja, Blearta Ukëhaxhaj, e cila do të jetë në cilësinë e ambasadores së re olimpike, e pëzgjedhur nga programi për Ambasadorët e Rinj Olimpik të Evropës (EYOA).

Për Kosovën, EYOF-i i tanishëm veror është i katërti, pas përfaqësimit në Tbilisi 2015, Gyor 2017 dhe Baku 2019.

Deri më tani, Kosova ka vetëm një medalje të fituar në EYOF, me atletin Muhamet Ramadani në Baku 2019, i cili kishte fituar të artën në hedhjen e gjyles. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, Rama: BE është ëndrra dhe sfida jonë

Në Bruksel u mbajt sot Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që shënon hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Konferencë u shpreh se, “është e vështirë të besohet se kjo po ndodh. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Megjithatë të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje.

“Ju e dini të gjithë shumë mirë që në Shqipëri nuk jemi dakord pothuajse për gjithçka. Por ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian. Është ëndrra jonë, sfida jonë, misioni ynë. Është fati ynë”, tha Rama.

“Për shekuj na është dashur të jetojmë nën perandori dhe regji që nuk i kemi zgjedhur. Këtë herë është ndryshe. Evropa është e para herë që për ne të gjithë të kishim një zgjidhje të lirë dhe zgjodhëm t’i japim gjithçka Evropës. E bëmë, sepse besojmë në këtë hapësirë lirie, paqeje dhe sigurie, ku bëjnë pjesë fëmijët dhe nipërit tanë. Por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit për përkatësinë në rajonin tonë. Një mënyrë që shkëputet njëherë e përgjithmonë me të kaluarën”, theksoi Rama.

“Evropa, me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i 4 lirive të BE-së, gjithashtu”, shtoi Rama.

“Duke filluar nga sot bisedimet e anëtarësimit nuk e bën ëndrrën tonë realitet, por e bën realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit. Të gjithë e dimë se rruga jonë për të qenë këtu sot nuk ka qenë e lehtë. Vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, mes punës së palodhur, vlerësimeve, pritshmërive, premtimeve të pambajtura dhe rinisjeve të mundimshme. Një histori e rrokullisjes së gurit në një kodër dhe rënies. E përpjekjes për të arritur majën dhe kthyer poshtë herë pas here, si në “Mitin e Sizifit”. Por ne vazhduam të ecnim përsëri dhe përsëri, duke mos e humbur besimin tonë, edhe kur u përballëm me dhimbjen e fundit të shuplakës së padrejtë në fytyrë”, tha Rama./ atsh / KultPlus.com

Rita Ora koncert në Tiranë

Shumë shpejt Tirana do të mikpres një nga këngëtaret më të famshme në nivel ndërkombëtar.

Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit, në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, ka postuar ne rrjetet sociale lajmin se në datë 6 shtator, në Tiranë, do të ketë një koncert të Rita Orës.

Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.

Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.

Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator./ KultPlus.com