“ Sa të kënaqur ishim me ushqimin e pasdites, bërë nga buka, gjalpi dhe sheqeri”


Gianni Miniello

Ndonjëherë pyes veten: 
si ia doli brezi ynë 
të mbijetonte me ushqim
që përmbante laktoze?
Si ishim në gjendje të rriteshim
pa homogjenizues, shtesa ushqimore, 
hormone dhe multivitamina?
Si kemi jetuar
pa Cola zero, Red Bull,
aperitivë dhe long drinks,
nëse prisnim të dielën
për të pirë ujë të gazuar
me pluhura të tretura?
Si i kalonim
dimrat e ashpër 
me bukë e vaj e kripë
pa Nutella
dhe imunostimuluesit?
Sa të kënaqur ishim
me ushqimin e pasdites,
bërë nga buka, gjalpi dhe sheqeri,
pa përdorur shtrydhëset
e frutave dhe perimeve?
Si i kalonim
mbrëmjet e verës
me një thelë shalqi në rrugë,
pa dyndjen e happy hour?
Si e duronim
dënimin e një profesori,
dhe e përqafonim kur e takonim
pas shumë vitesh,
pa e sulmuar atë
me miratimin e prinderve?
Si kemi bërë
që jemi dashuruar me shokun e klasës
pa gjoksin e depiluar
dhe pa një fizik si bodybuilder?
Si kemi mundur
të bënim pa trajnerin personal,
pasi luanim vetëm futboll
në terrene të baltosura,
ndërsa shoqëruesi më i pafat
ishte gjyqtar?
Si mbijetuam
Me gjunjtë e bërë copë
dhe të dezinfektuar vetëm me pështymë,
pa përdorur antibiotikë
antiseptikë dhe mjekime?
Si ia bënim
që takoheshim me të dashurën
nëse nuk kishim celular
dhe SMS-të e vetme
ishin një shënim në ditar
dhe një puthje me rrezik?
Si pranonte të dilte me ne,
nëse shkonim ta merrnim në këmbë
duke e ditur se donim
t’i jepnim krahë?
Si mundeshim
të shkruanim poezi
dhe kompozonim këngë
pa përdorur një kompjuter?
Si ia dilnim xhanëm
të prisnim për një kohë të pafund
për të dhënë puthjen e parë?
E megjithatë,
brezi ynë
Nuk rrinte deri në mëngjes
por dinte të ëndërronte.
Sepse ushqimi më i shëndetshëm
që e ushqente atë,
ishte shpresa!/ KultPlus.com

Përurohet kolana ‘Thesar kombëtar’, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi

U mbajt sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi takimi përurues i kolanës “Thesar kombëtar” në 11 vëllime, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse.

Gjinushi përgëzoi shoqatën për veprimtarinë e saj të suksesshme atdhetare e kulturore dhe vlerësoi faktin që tashmë shqiptarët në Suedi kanë intelektualë, njerëz të ditur, shkrimtarë e studiues, që shkruajnë e botojnë vepra me cilësi. Kjo krijimtari është pjesë e trashëgimit dituror shqiptar.

“Thesari” juaj është dhe yni, prandaj e kemi mirëpritur këtë veprimtari dhe ky është vetëm fillimi. Ne synojmë organizimin e një veprimtarie të përbashkët me të gjitha shoqatat e krijuesve shqiptarë në mërgim.Ju jetoni atje ku e keni ndërtuar jetën larg atdheut, por me atdheun me vete: me gjuhën, traditat, kulturën e paraardhësve. Shumë mirë që keni dëshmuar dinjitet dhe jeni pranuar e respektuar në vendin mikpritës. Jam i sigurt se ju u përcillni brezave të rinj, bashkë me kodin gjenetik, edhe ADN-në e trashëgimit kombëtar. Kjo është arsyeja që ne e çmojmë si një qëndrim shumë pozitiv mospërfshirjen në politika kalimtare të njëanshme. Çështja kombëtare që ju e keni orientim themelor është e mjaftueshme si drejtim politik”, – tha Gjinushi.

Gjithashtu mbajti fjalën e tij përshëndetëse edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi.

Ambasadori Durmishi përveç vlerave letrare dhe estetike të kolanës “Thesar kombëtar”, çmoi edhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe në mërgim. Ai tha se këto punë po memorizohen në një institucion në adresën e duhur që është Akademia e Shkencave në Tiranë. Ambasadori i falënderoi autorët e veprës dhe tha se ju emigrantët keni qenë të vlefshëm dhe të dobishëm për atdheun, se keni afirmuar vlerat dhe atdheut dhe të kombit.

Veprimtaria u përshëndet dhe nga dr. Mimoza Hysi, drejtore e Drejtorisë së Botimeve për Diasporën dhe Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi.

Bedri Islami e vlerësoi veprën “Thesar shqiptar” si një kronikë të jetës së shqiptarëve mërgimtarë në Suedi e në vendet nordike, më vlerë njohëse dhe historike.

Jolanda Lila e vlerësoi librin “Thesar shqiptar” si tribunë të mendimit atdhetar dje e sot.

Fetah Bahtiri e vlerësoi veprën si një urë midis dy kulturave dhe foli për kontributin e albanologut, përkthyesit dhe mikut suedez të shqiptarëve Ullmar Qvick.

Viron Kona e vlerësoi kolanën “Thesar shqiptar” si tribunë krijimtarie letrare.

Akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademinë e Shkencave, me kumtesën “Kërkim dhe dije në periodikun “Thesar kombëtar” çmoi prurjet e këtij botimi, që do t’ju shërbejnë studiuesve si një informacion i rëndësishëm.

“Një pasuri dhe një shërbim tjetër që i bëhet shoqërisë përmes këtij botimi është edhe mënyra sesi pasqyrohet historia shqiptare nga emigrantët. Është një zëdhënëse polifonike që nuk vë kufij, që s’ka përjashtime, që boton krijimtari, kritikë e debate që në një farë mënyre shpërfill ideologjitë dhe sheh çfarë është me dobi për shqiptarët”, tha akad. Shaban Sinani.

Osman Ahmetgjekaj u ndal në pasqyrimin e arsimit kombëtar në Suedi në faqet e tribunës “Thesar shqiptar” dhe foli për kontributin e çmuar të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ne Suedi./atsh/ KultPlus.com

Në ajrin e mbrëmjes

Poezi nga Pablo Neruda

Pemet e kopshtit
te amullta rrine ne ajrin e bute te mbremjes,
si te ishin piktura
mbi nje pelhure te holle;
nje zog i perhimet qe kolovitet
mbi degen e nje pjeshke ne lulezim,
keqyr mire se mos turbullon heshtimin
qofte edhe vetem nje klithme;
gjithcka eshte ne gjume,
dhe hena qe reflektohet ne ujin e liqenit,
eshte si nje barke imcake
ne mes te livadhit te ndricuar me ar./ KultPlus.com

Sfilata “Urban Sculptures”, artistët e rinj thyejnë kufijtë në veshje

Sheshi i Universitetit te Arteve, u kthye në një pasarelë të mirëfilltë mode. Krijimet më të mira të Atelierit Fashion & Tekstil u prezantuan për publikun. Drejtuesja e këtij atelieri artistja Najda Hamza thotë se fal mbështetjes së qendrës së artit Harabel ia dolëm që këta artistë të rinj të përballen me audiencën.

“Vendosëm që këto punime të prezantohen për dy arsye. Janë krijime të mira dhe të realizuara e nga ana tjetër është e domosdoshme që artistët e rinj të përballen me audiencën.”

Koncepti e fryma me të cilën mbarsën studentët në këtë ambiente është thyerja e kufijve. Kjo pasqyrohet edhe në sfilatën “Urban Sculptures”. Krijimet e realizuara janë inspiruar në forma e kohë  te ndryshme .

“Figura gjeometrike, transparencat , antikiteti, baroque. Rrënjët frymëzuar nga folklori.”

Hamza veçon dy koleksione.

Kjo sfilatë transmetoi thyerjen e tabuve  ku tashmë skulptura nuk ndërtohen veç prej materialeve te forta. /abcnews.al/ KultPlus.com

Bena, fshati malor i Elbasanit i mbushur me parqe bletësh

Fshati Benë, i Njësisë Administrative Labinoit Mal, zonë e thellë malore e pyllëzuar me gështenjat, të cilat njihen si më të mirat në vend, ka nisur edhe prodhimin e mjaltit të gështenjës.

Kjo zonë, njihet për mbarështimin e bletarisë, si edhe prodhimin e mjaltit të gështenjës, i cili është më speciali në vend.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka parë nga afër parkun e bletëve, si edhe prodhimin e mjaltit, duke bashkëbiseduar me fermerët, të cilët mbarështojnë bletë dhe prodhojnë mjaltin e gështenjës në këtë zonë të pyllëzuar.

Një nga fermerët, Qemali, i cili njihet si një ndër mbarështuesit e bletarisë si edhe prodhimin e mjaltit, ka folur edhe për vlerat e rralla kurative që ka mjalti i gështenjës, si edhe kërkesat të cilat sa vijnë dhe rriten për tregtimin e tij, në mbarë vendin, por jo vetëm.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Llatja premtoi se “do të bëjë të mundur që nëpërmjet subvencioneve që shteti ofron, të mundësojë edhe për këta fermerë fonde, me qëllim që të rrisë kushtet e tregtimit të mjaltit, si edhe vlerat kurative që ai ka në mbarë vendin”.

Madje kryebashkiaku ka deklaruar se bashkia e Elbasanit, vazhdon të mbështesë fermerët jo vetëm për të lehtësuar transportin e tyre në tregje por edhe duke ofruar mbështetje financiare nëpërmjet subvencioneve.

“Për këtë qëllim, do të ftoja edhe fermerët e zonës së Benës, në Labinotin Mal, që të aplikojnë me anë të Skenës Kombëtare, me qëllim që të vazhdojnë të prodhojnë këtë produkt shumë kurativ, pasi edhe me investimet e fundit që janë bërë në infrastrukturë, ata kanë mundësi që të tregtojnë mjaltin kudo”, tha Llatja.

Fshati Benë i Labinotit Mal, njihet për zonën e pyllëzuar dhe mbarështimin e bletës, vetë fermerët kanë krijuar parqe me koshere, ku janë më shumë se 1200 të tilla që ndodhen në këtë zonë të thellë malore të Elbasanit.

Vetëm për një vit, këta fermerë i japin Shqipërisë rreth 15.600 kg mjaltë gështenje që shquhet për vlerat e tij kurative./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Do të punojmë ngusht me partnerët tanë që gjatë presidencës çeke të përmbyllet çështja e vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë.

Në takim me ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së, Presidentja ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, në rajon dhe më gjerë, si dhe harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të vendit tonë me atë të BE-së.

Presidentja ka thënë se Kosova do të vazhdojë të punojë me partnerët evropian për procesin integrues të vendit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë gjatë presidencës çeke të BE-së në mënyrë që të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ta avancojmë rrugëtimin tonë evropian, e të forcojmë më tej sundimin e ligjit dhe demokracinë.”, ka thënë Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në Zagreb

Një tjetër medalje e argjendtë është shtuar në sirtarin e xhudistes Distria Krasniqi.

Kampionja jonë olimpike (-48 kg), Distria Krasniqi, fitoi medaljen e argjendtë në Grand Prixin e xhudos, që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ajo u ndal në finale nga kampionia olimpike (-52 kg), japonezja, Uta Abe, kategoria -52 kg.

Krasniqi deri në finale arriti duke shënuar katër fitore. / KultPlus.com

Në kuadër të Manifesta 14, së shpejti hapet ekspozita “Përtej” në Galerinë 17

Së shpejti hapet ekspozita “Përtej” në Galerinë 17, përcjell KultPlus.

“Edhe aty që mbleth e shin flori

Edhe ay q’e heth, e derth si shi,

Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:

Po kalben, myken nënë Dhe të zi.

Duke u munduar të imagjinojmë ditën e inaugurimit të ekspozitës Përtej në Beograd në një vit si 1997, do të mundemi që nga jashtë në oborr fillimisht të shquajmë muzikën eksperimentale që depërton nëpër ambientet e Qendrës për Dekontaminim Kulturor, me tingujt surrealë si vetë koha të cilën po e thërrasim në mendje. Atëherë këto vargje nga Rubairat e Omar Khajanit në mënyrë obsesive dhe njëkohësisht të padeshifrueshme mbijnë aty këtu në peizazhin akustik të punuar nga Ilir Bajri e bëhen, si shprehet ai vetë, “një metaforë e viteve të nëntëdhjeta në Kosovë ku ne, përditë vdisnim nga pak”.

Në të vërtetë veprat e katër artistëve jo vetëm përfaqësojnë kohën dhe gjendjen historike të Kosovës në kohë reale dhe madje duke e paraprirë atë, por shënojnë edhe një pikë ndarëse ku tejkalohen edhe format tradicionale të artit të deri atëhershëm.

Veprat në ekspozitë përbëhen nga parandjenja dhe ankthi i një dekade që materializohet përmes mediumeve bashkëkohore artistike. E ato vegime të turbullta do të plotësohen vetëm disa muaj mbas hapjes së ekspozitës me shpërthimin e luftës dhe sulmet kundër civilëve”, thuhet në njoftim.

Ekspozita do të hapet me 22 korrik, duke filluar nga ora 10:00.

Kontribuuesit/et në realizim të ekspozitës:

Kuratore: Blerta Hoçia, Fitore Isufi – Shukriu

Teknik: Skender Xhukolli

Video dhe montazha: Leart Rama

Prodhuar nga: Shtatëmbëdhjetë

Shënim:

PËRTEJ- Archiving Transition është ekspozitë dokumentuese një pjesë e së cilës është instaluar në Galerinë 17 dhe pjesa tjetër në Hotel Grand.

Materialet e ekspozitës:

Fotografitë nga konferenca e ekspozitës “Përtej“, në CZKD, Beograd (1997): Vesna Pavloviv

Fotografitë nga hapja e “Përtej/Beyond/Preko 20 years” (2017), organizuar nga CZKD dhe Kosovo 2.0: Srdjan Veljović

Materialet arkivore janë siguruar nga Arkivat publike në Prishtinë dhe Beograd. Po ashtu, nga arkivat personale të pjesëmarrësve në PËRTEJ – archiving transition.

Kjo ekspozitë është pjesë e programit të Manifesta 14 në Prishtinë.

Ky projekt implementohet nga Shtatëmbëdhjetë (17) si pjesë e “Strengthening Inclusive Victims’ Voices” që implementohet nga Integra, NSI, PAX dhe mbështetet nga BE-ja. Po ashtu mbështetet nga Swiss Cooperation Office në Kosovë. / KultPlus.com

Akreditohet Programi “Teknik Dentar” në Kolegjin Universum me vlerësimet më të larta

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka akredituar Programin Teknik Dentar në Kolegjin Universum me vlerësimet më të larta. Program ky mjaftë i kërkuar dhe që ofron bazë njohurish formuese teorike dhe praktike që mundësojnë një përgatitje të lartë profesionale studentëve. 

Përveq Programit Teknik Dentar, Kolegji Universum e ka te akredituar edhe programin Higjienë dhe Estetike Dentare, si profesioni më i ri në vend dhe Universum është institucioni i vetëm në Ballkanin Perëndimor që e ofron këtë program. Programi i referohet praktikës së mirëmbajtjes së higjienës orale, parandalimit dhe ekzaminimit të shenjave të mundshme për sëmundjet e ndryshme orale.

Studentët  e këtyre dy programeve praktikën laboratorike në Kolegjin Universum e kryejnë në laborator me paisjet më të avancuara dentare.

Disa arsye pse të studioni këto programe në Kolegjin Universum?

  • Profesion i njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht;
  • Mundësi bashkëpunimi me Stomatolog dhe Profesionistë Shëndetësor;
  • Pagë konkurruese;
  • Mundësi për vetë–punësim dhe avancim në karrierë;

Sipas hulumtimeve profesioni i higjienistit dhe teknikut dentar gjithmonë zë vend në “TOP 20” të profesioneve më të paguara. Për këtë, edhe paga prek një nga pikat më të larta ndër profesionet tjera.  

Regjistrimet kane filluar dhe vendet jane te limituara. Apliko ketu www.universum-ks.org/sq/apliko

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062

(Shkrim i sponsorisuar nga Kolegji Universum).

Hapet konkursi vjetor për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2022

Qendra Kinematografike e Kosovës, me vendim të Këshillit Drejtues të datës 6 korrik2022, ka shpallur të hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2022. Përmes subvencionimit, QKK-ja këtë vit do të mbështesë projektet filmike në këto kategori:


- film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik dhe dokumentar


– film të shkurtër dhe të gjatë të animuar


– film debutues të metrazhit të gjatë artistik


- koroproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik


– postproduksion për film të metrazhit të gjatë artisitik, dhe


– zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.


Konkursi është i hapur nga data 15 korrik 2022, deri më 19 gusht 2022.

Ndërsa procedura e aplikimit bëhet online, përmes faqes zyrtare të QKK-së. Për më shumë detaje rreth konkursit, ju lutemi vizitoni KËTU. / KultPlus.com

BE-ja reagon ndaj njoftimit për hapjen e televizionit ‘Russia Today’ në Serbi

Bashkimi Evropian pret që Serbia të përmbahet nga intensifikimi i marrëdhënieve me Rusinë, tha Komisioni Evropian për Radion Evropa e Lirë, në lidhje me njoftimet jozyrtare në mediat serbe se Russia Today planifikon të hapë një stacion televiziv në Serbi.

Serbia pritet që të respektojë vendimet e Bashkimit Evropian, ndër të cilat është kufizimi i transmetimit të televizionit shtetëror rus, Russia Today (RT), thuhet në reagimin e 15 korrikut.

“RT është pjesë e instrumenteve të propagandës dhe dezinformimit rus me të cilat Kremlini monitoron agresionin e paligjshëm kundër Ukrainës dhe vrasjet e popullit ukrainas. Në këtë kontekst, ne presim që Serbia të përmbahet nga intensifikimi i marrëdhënieve me Rusinë, si një vend që shkel masivisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha Perer Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme.

Si pjesë e një pakete më të gjerë sanksionesh kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës në mars të këtij viti, Brukseli pezulloi transmetimin e mediave ruse Sputnik dhe RT/Russia Today.

Që nga marsi i vitit 2012, Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, dhe në përputhje me rrethanat, ka obligim të ndjekë vendimet e Brukselit për të përmbushur kushtet për anëtarësim.

Disa media në Serbi njoftuan më 14 korrik se RT planifikon të hapë një stacion televiziv në Serbi.

Russia Today nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it, nëse kjo është e vërtetë. /REL/ KultPlus.com

Rikthehet Teuta Kurti, risjell këngën e famshme “Margjelo” të Prenk Jakovës (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Teuta Kurti është rikthyer në muzikë me një projekt krejtësisht të veçantë, shkruan KultPlus.

Fjala është për këngën “Margjelo”, një ripërpunim i këngës së famshme të Prenk Jakovës.

Kjo këngë e vjetër shqipe e cila këndohet me shumë dashuri edhe sot nga të gjithë shqiptarët, kësaj radhe vjen në zhanrin TechHouse dhe tingëllon për mrekulli.

Kurti këtë projekt e sjell në bashkëpunim me Sill Music- Dj Producer. / KultPlus.com

Istrefi: Mendoni mirë nëse dëshironi të studioni apo jo

Një prej vështirësive më të mëdha me të cilat përballen nxënësit e shkollave të mesme ka të bëjë pikërisht me zgjedhjen e një fakulteti ose drejtimi të duhur, për të vazhduar rrugëtimin e tyre profesional, shkruan KultPlus.

Profesori, regjisori dhe aktori i njohur, Shkumbin Istrefi, përmes një postimi në “Facebook”, i ka dhënë disa këshilla nxënësve të cilët synojnë universitetin.

Postimi i plotë:

“Jemi ne kohen e provimeve pranuese ne Universitete. Une jam Profesor ne Fakultetin e Arteve. Nga perspektiva e sotme e imja, pas nje pervoje te konsiderueshme ne tregun artistik e poashtu edhe ne mesimdhenie, deshiroj te ndaj me te rinjte disa qendrime qe mund te jene edhe keshilla per te rinjte qe kane perfunduar shkollen e mesme. Sikur te kthehesha ne moshen 18 vjecare, sigurisht do te zgjidhja rruge tjeter, dhe jo kete qe kam zgjedhur. Megjithate, une jam gjetur mire. Kam krijuar mireqenie dhe emer ne profesionin tim. Keshillat e mia jane:

– Mendoni mire nese deshironi te studioni apo jo.

– Nese po, mendoni mire se cka deshironi te studioni, per cka keni prirje dhe cka iu intereson ne jete.

– Mendoni se cilat mund te jene profesionet qe mund te jene te kerkuara pasi qe ju te perfundoni studimet.

– Nese keni dilema, pushoni nje vit. Bota e praktikon vitin e pushimit pas shkolles se mesme. Quhet “gap year”. Ndoshta gjate atij viti iu kthjellen mendimet.

– Konsideroni profesione qe jane me perspektive dhe ka pune dhe shikoni shkolla profesionale (te zanatit) per aftesimin ne ato profesione.

Universiteti eshte kryesisht per ata qe deshirojne te orientohen ne ceshtje akademike dhe jo profesionale.

4 vjet jane shume per te zgjedhur drejtim te gabuar.

Diploma universitare, edhe pse ende eshte njelloj krenarie (sidomos per familjen), per mua dhe sigurisht per tregun (jo sektorin publik) eshte nje leter se ciles i ka humbur vlera dhe i humb ne vazhdimesi.

Po thom…thash…”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Podujeva do të bëhet me Qendër Multifunksionale në vlerë prej një milion euro

Podujeva do të bëhet me Qendër Multifunksionale, edhe një investim i MKRS për fuqizimin e të rinjve tanë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, bashkë me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi,nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i Qendrës multifunksionale në Podujevë”, që do të zbatohet gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Për realizimin e këtij projekti Ministria e Kulturës siguron mbështetje financiare në vlerë prej një milion Euro. / KultPlus.com

Çerçiz Topulli, simboli i ushtarit të panjohur i rënë në luftë për pavarësi

Çerçiz Topulli mund të ishte edhe simboli i ushtarit të panjohur i rënë në luftë për pavarësi. Nuk ka një të dytë në historinë e Shqipërisë që të mos e ketë hequr armën asnjëherë nga supi, por njëkohësisht të kishte një fund aq të trishtë, i vrarë pabesisht dhe, për më tepër, pa marrë famën dhe vlerësimin që i takonte.

I lidhur kokë e këmbë me zinxhirë nga ushtarët malazezë, mëngjesin e të shtunës së 17 korrikut 1915, ai e humbi betejën e fundit në jetë edhe pse u përlesh me ta si një luan. Ndërkohë që 15 njerëz me uniformë e qëllonin me plumba dhe e shponin me bajoneta në trup, Çerçiz Topulli u bë nga dëshmorët e parë të Shqipërisë. Vetëm pak minuta më parë i kishin vrarë para syve shokun e tij Mustafa Qulli, një gazetar i cili, ndryshe nga Çerçizi që pushkën e kishte simbolin e lirisë, mbante penën.

SKENA E KRIMIT

Çerçiz Topulli kishte bërë dhjetëra manovrime në jetën e vet ndaj atyre që kishin dashur ta kapnin dhe asgjësonin. Por mëngjesin e 17 korrikut 1915, për herë të parë dhe të fundit, ai dështoi.

Një skuadër ushtarësh malazezë u shfaqën në portën e shtëpisë ku qëndronte në Shkodër dhe, pa asnjë urdhër të shkruar e vunë në pranga. Bashkë me të u arrestua edhe miku i tij, Mustafa Qulli, një gazetar me emër në atë kohë në Shkodër.

Pa shumë sqarime ushtarët e huaj i lidhën të dy me zinxhirë në duar e këmbë dhe i dërguan në kazermë. Pas 10 ditësh qëndrimi në një dhomë në kushte skandaloze, ata të dy i hipën në një karrocë dhe u thanë se do t’i dërgonin në Cetinjë.

Sapo karvani bëri disa kilometra në Fushën e Shtoijt, ora shënonte 04.00 dhe sapo nisi të zbardhte, ushtarët i zbritën ata dhe pa një pa dy nisin t’i qëllojnë me armë. Mustafai vdiq në vend, ndërsa Çerçizi, ashtu i lidhur me zinxhirë, përleshet me ushtarët malazezë, por ata, duke qenë në numër të madh, arritën ta qëllonin për vdekje me plumba dhe duke i shpuar trupin me bajoneta.

Kur panë që të dy kishin dhënë shpirt, me shpejtësi hapën dy gropa jo shumë të thella, i futën brenda të dy trupat, i mbuluan me shkurre dhe drurë rrethanorë dhe u larguan.

SI U KRYE VRASJA

Vrasja e pabesë dhe e fshehtë e Çerçiz Topullit është shoqëruar dhe me rregullin se edhe krimi më i sofistikuar lë gjurmë. Edhe pse menduan se i fshinë gjurmët bashkë me varrosjen e kufomave, asnjë nga 15 vrasësit nuk e dinin se prapa shkurreve, një person i ndodhur aty rastësisht kishte parë të gjithë ngjarjen. Quhej Mahmut Golemi dhe rrëfimi tij gjashtë muaj pas ngjarjes është unikal:

“Natën e së premtes, (duke gdhirë e shtuna) natë Ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë.

Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kasha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”.

Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë”.

Krimi i organizuar u krye, më pas duhej vetëm fshehja e gjurmëve. Një veprim që ushtarët vrasës e bënë me shpejtësi dhe fshehtësi. Të paktën sipas tyre, hapën dy gropa dhe i hodhën brenda dy viktimat. U hodhën shkurre përspër. Dëshmitari Mahmut Golemi vijon rrëfimin:
“Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropes gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm”.

GREKËT NË VRASJE

Vrasja e Çerçiz Topullit tregoi edhe një herë aleancat sllavo-greke kundër shqiptarëve.
Sipas të dhënave, dëshmive dhe raporteve të kohës, rezulton se malazezët e vranë Çerçizin për llogari të grekëve. Ishte një hakmarrje për faktin që Çerçizi kishte vrarë peshkopin grek, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Spiro Kosturit, në Selanik, në vitin 1907. Kishin kohë që qarqet greke e kërkonin me qiri komitin shqiptar, i cili u vra nëpërmjet një intrige.

Po cilët ishin grekët që e porositën vrasjen te malazezët? Tre janë personat që ishin të implikuar në këtë vrasje: Alush Lohja, Spiro Tozhli, Mihalaki Kulumburi, të cilët kishin si qendër konsullatën greke në Shkodër. Tozhli ishte një tregtar në këtë zonë që mendohet se ka vënë në dispozicion paratë për vrasje. Dëshmia dhe deklarata e parë që vërteton këtë është e Kol Bjankut, sekretar i Kadastrës në Shkodër. Në një shkrim të numrit 18 të datës 9 qershor 1919 në gazetën “Kuvendi” ai shkroi:

“Tash, tuj mos mujtun m’u durumun prej varrës randë të zemrës s’eme, po i lajmëroj vllazënve qi në vjetin 1915 Mihalaki Kambuluri me dredhime t’veta bani fli (mbyti) dy ma t’ndershmit atdhetar, shpirtndritçmit Mustafa Qulli dhe Çerçiz Topulli qi sot Shqipnia i vajton”. Kjo dëshmi e tronditi rëndë opinionin. Në numrin e datës 16 korrik në gazetën “Kuvendi”, Mihalaki Kambuluri iu përgjigj Bjankut duke e cilësuar shpifje atë që ai shkruan.

Por shfajësimi të lë me gojë hapur teksa ai implikon Fejzi Alizotin:
“Fejzi Bej Alizoti i njef fort mirë shkaktarët e njimnendshëm t’ asaj vrasje, sikur ai vetë shumë herësh m’a pat diftue ktu në Shkodër, kur shifeshim ditë për ditë e rrinim bashkë…”.

Se sa e vërtetë është që Alizoti të kishte dijeni, kjo nuk është vërtetuar, por pas kaq vjetësh një dëshmi e shkruar vlen sa një mijë prova.
Ndërkohë ndryshonte arsyeja dhe rrethanat për eliminimin e gazetarit Mustafa Qulli. Të dhënat tregojnë se ai u vra si austrofil dhe kjo ndihej hapur në shkrimet e tij në gazetën “Populli” që botohej në Shkodër, në të cilën ai ishte drejtor. Kjo kishte sjellë zemërimin e malazezëve, por sidomos të serbëve dhe, nga situata e krijuar, ishte një rast që, duke e bërë bashkë me Mustafanë Çerçizin, të eliminonin njëherësh dy shqiptarë që luftonin me penë dhe me pushkë.

KATËR VARRIME

Eshtrat e Çerçiz Topullit nuk gjetën prehje kollaj. Katër herë nëntoka shqiptare ka pranuar trupin e tij të vdekur si të ishte një reagim. Varrimi i parë u krye nga malazezët, të cilët pasi e vranë, ende me gjak të ngrohtë e futën në dhe. Varrimi i dytë u krye më 27 nëntor të vitit 1936, në Gjirokastër, në një ceremoni shtetërore, ndërkohë që më 14 shtator 1936 në Shkodër ishte kryer zhvarrimi dhe kjo u shoqërua me një ceremoni përcjelljeje që ka mbetur në histori, sepse kjo ishte edhe dalja e parë publike e Enver Hoxhës me një fjalim që ai mbajti në ballkonin e bashkisë së qytetit.

Në vitin 1945 u krye varrimi i tretë, duke i vendosur eshtrat në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër. Në vitet ’70-të eshtrat u vendosën në kodrën e qytetit të Gjirokastrës bashkë me varret e Bajo Topullit, Koto Hoxhit dhe Pandeli Sotirit të shoqëruara me një memorial.

Shkëputur nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, me autor Roland Qafokun. / KultPlus.com

Gjirokastra 17 vite në UNESCO, Margariti: Jo vetëm thesar yni, por i gjithë botës

Qyteti i Gjirokastrës, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj, sot feston 17-vjetorin e hyrjes në UNESCO.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga qyteti i gurtë si ishte dhe si është transformuar pas ndërhyrjeve restauruese në banesat karakteristike dhe rrugët turistike të tij.

“U mbushën 17 vjet qëkurse Gjirokastra, ky muze i gjallë nën qiell të hapur nuk është më vetëm thesar yni, por i gjithë botës. Në vitin 2005 u bë pjesë e listës së trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe dita-ditës, falë vëmendjes së qeverisë, investimeve nga buxheti i shtetit dhe me donatorë, në rrugë, në muze, pazar, objekte kulti, po del në dritë si një zonjë e madhe”, thekson Margariti.

Gjirokastra u pranua në UNESCO në korrik të 2005-ës përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.

Çdo fundjavë Gjirokastra mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt 14-19.

Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Ajo ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj./ atsh / KultPlus.com

Flaka Loxha eliminohet në raundin e tretë

Flaka Loxha është eliminuar në raundin e tretë në Grand Prix në Zagreb, shkruan KultPlus.

Pas një lufte me mjaft intensitet nga të dyja xhudistet, në fund doli fituese Ichinkhorloo Munkhstedev.

Loxha fitoi në dy raundet e kaluara, por nuk arriti që të kualifikohet në çerekfinale.

Në anën tjetër, Kosova veçse ka siguruar një medalje në këtë Grand Prix, pasi Distria Krasniqi është kualifikuar në finale, ku do të ndeshet me Uta Abe. /KultPlus.com

Jeta e Amy Winehouse në një film, regjisori në kërkim të aktores që do të portretizojë artisten

Një film artistik për këngëtaren britanike Amy Winehouse do të realizohet së shpejti. Regjisori i “Fifty Shades of Grey” Sam Taylor-Johnson është ai që po merret me biografinë, prodhimin dhe shpërndarjen më pas nëpër kinematë botërore.

I quajtur “Back to Black”, filmi do të tregojë jetën dhe muzikën e fitueses së gjashtë herë të çmimit Grammy, e cila vdiq nga mbidoza dhe alkooli në shtëpinë e saj në veri të Londrës më 23 Korrik 2011. Winehouse, luftoi me problemet e alkoolit dhe drogës gjatë pjesës më të madhe të karrierës.

“Back to Black po bëhet me mbështetjen e plotë nga pasuria e Amy Winehouse. Regjisori britanik Taylor-Johnson është i njohur për regjinë e filmit të parë ‘Fifty Shades of Grey’, një përshtatje nga trilogjia e librave hit, drama ‘A Million Little Pieces’ si dhe episodet për serialet televizive ‘Gypsy’ dhe ‘Solos”.

E konsideruar si një nga këngëtaret më të talentuara të brezit të saj me hite përfshirë “Rehab” dhe “Back to Black”, vdekja e parakohshme e Winehouse tronditi botën e muzikës. Për të janë realizuar disa dokumentarë, më i fundit i rrëfyer nga nëna e saj dhe i transmetuar në “BBC” të Britanisë në vitin 2021 për të shënuar 10 vjet nga vdekja e këngëtares.

Një dokumentar i vitit 2015 “AMY” për Winehouse i dha regjisorit Asif Kapadia një Oskar, megjithëse në atë kohë babai i këngëtares Mitch Winehouse e quajti atë mashtrues dhe tha se familja ishte shkëputur nga filmi. “Deadline” raportoi se kërkimi për aktoren që do të portretizojë artisten në film do të fillojë në javët e ardhshme. / KultPlus.com

Tradita vazhdon, Distria Krasniqi i siguron Kosovës edhe një medalje tjetër

Distria Krasniqi po vazhdon që t’i sigurojë Kosovës medalje nëpër garat të cilat po merr pjesë, shkruan KultPlus.

Distria Krasniqi ka kaluar në finale të Grand Prix në Zagreb, duke arritur që me shumë vështirësi të fitojë në përballje me xhudisten Gefen Primo.

Edhe pse gjatë gjithë takimit Primo u mundua që t’i bëjë ballë Krasniqit, një gjë e tillë nuk e lejoi xhudistja nga Kosova.

Flaka Loxha po vazhdon në raundin e tretë, derisa Laura Fazliu ndeshet nesër. /KultPlus.com

ORCA dorëzon ankesë, kërkon përjashtimin nga Universiteti të profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati

Sot ORCA ka dorëzuar ankesën për Senatin e Universitetit të Prishtinës (si shkalla e parë ankimuese) mbi vendimin e Këshillit të Etikës (të datës 16.06.2022) për plagjiaturën e profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA kërkon që dy profesorëve të ju hiqet titulli akademik, sipas tyre i fituar përmes plagjiaturës, si dhe të përjashtohen nga universiteti.

KultPlus ju sjell reagimin e ORCA-s:

Vendimi i Këshillit të Etikës thotë që dy profesorët kanë bërë shkelje të rëndë të të drejtës së autorit dhe etikës në publikimet shkencore, si dhe kanë shkelur standardet e ndershmërisë intelektuale. Për këto shkelje të rënda, Këshilli i Etikës ka propozuar masa qesharake.

Dy profesorëve i është dhënë vendimi që: artikulli i plagjiarizuar nuk konsiderohet më punim i botuar nga autori dhe nuk mund të shfrytëzohet për avancim akademik. E për profesor Dugollin kanë vendosur që t’i ndalohet mentorimi i temave të diplomës në nivelet master dhe doktoratë për 2 vite, e profesor Kastratit t’i ndalohet mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vite.

Vendimi ia ndalon profesorëve shfrytëzimin e punimit (tashmë plagjiat) për avancim akademik. Kjo masë është nul dhe si e tillë nuk mund të konsumohet. Profesorët tashmë e kanë shfrytëzuar këtë punim për avancim akademik, dhe për më tepër profesor Dugolli veçse e ka titullin më të lartë akademik dhe kontratën e përjetshme me universitetin.

Vendimi po ashtu referohet mbi Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik, ku thuhet që mund të merret masa “mohim i përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një (1) vit vijues” pasi që shkelja është kategorizuar si e rëndë.

Vendimi i marrë nga Këshilli i Etikës është i pabazuar, ngase masa specifikon elementin e mohimit të përfshirjes në të gjitha nivelet: “për një (1) vit”. Vendimi specifikon “mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet” dhe si kohështrirje “tre vite”. Këshilli i Etikës duke mos pasur mundësi t’i ikte kategorizimit si shkelje e rëndë , ka vendosur të caktojë masën më të lehtë të mundshme nga ky kategorizim, por gjoja duke e “përforcuar” masën e dhënë duke e zgjatur kohën e masës ndëshkimore pa bazë juridike.

Vendimi për mos mentorimin e temave të diplomës për kohë të caktuar nuk është proporcional, si rrjedhojë nuk preventon përsëritjen e veprimit nga anëtarë të tjerë të stafit akademik, përkundrazi është ftesë masive për plagjiaturë. Sipas parimit të përfitimit më të madh secili anëtar i stafit akademik në universitete publike do ta “sakrifikonte” mentorimin e diplomave për tre vite në këmbim të një titulli më të lartë akademik të fituar përmes plagjiaturës.

Plagjiatura është shkelja më e rëndë akademike. Në të gjitha vendet e botës dhe institucionet kredibile të tyre, plagjiatura përbën fundin e tolerancës disiplinore. Raste të ndryshme në botë, sidomos në vendet e BE-së, të njerëzve me pushtet si ministra a zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror, kanë përfunduar me largimin e tyre nga jeta publike dhe heqjen e titujve e gradave shkencore të përfituara nga plagjiatura.

Prof. Ass. Ardian Kastrati veçse është dënuar me datën 07.06.2021 nga Këshilli i Etikës, me rastin e ofendimit publik të Presidentes të Republikës, Vjosa Osmani. Këshilli i Etikës mes tre masave të vendosura ka përfshirë edhe: mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet për dy vite.

Kjo i bjen që Këshilli i Etikës është i bindur që mohimi i përfshirjes në mentorim është masë e lehtë ndëshkimore dhe si rrjedhojë ORCA konkludon që masa e shqiptuar në rastin e plagjiaturës, që konsiderohet shkelja më e rëndë akademike, është joproporcionale me shkeljen e konstatuar.

ORCA kërkon që konform me rregulloren për masa disiplinore në UP, Senati i Universitetit të Prishtinës të marr masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”, dhe në të kundërtën minimalisht duhet të ja u tërheqin titujt akademikë të marrë përmes plagjiaturës konform me masën “ulje në thirrje akademike”. / KultPlus.com

Margariti: Asnjë shkelje ligji në marrëveshjen për Butrintin, po hidhet baltë për të bërë politikë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në Kuvend se në rastin e Butrintit nuk po japim asnjë gjë me koncesion, nuk po shesim dhe nuk po dhurojmë asnjë gjë, por po ftojmë palë të tjera që të menaxhojmë së bashku një të mirë në emër të shtetit.

Gjatë diskutimit në Kuvend të dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, Margariti tha se “është e turpshme ajo që dëgjojmë nga opozita vetëm për të bërë politikë”.

Sipas saj, “çështja e Butrintit është kthyer në çështje të një politike shterpë, ndërsa opozita dhe mazhoranca duhej të kishin qenë bashkë kur flitet për kulturën dhe trashëgiminë kulturore”.

Margariti tha se po hidhet baltë për të bërë opozitë.

“Kishim sigurinë se Presidenti në ikje do të këndonte edhe këngën e fundit të mjellmës.
Hamendësojnë jo vetëm ngritje të kullave, por filluam të dëgjojmë për kazino dhe diskoteka”, tha ajo.

Margariti shtoi se “ne kemi një pasuri kombëtare që duhet ta mbrojmë, rigjallërojmë dhe rivitalizojmë dhe t’i kthejmë dinjitetin”.

“Ne propozojmë mënyrën më të mirë të administrimit për të rimëkëmbur Butrintin. Ne ftojmë sektorin privat që të jetë pjesë e kësaj sfide. Nuk kemi shpikur ndonjë gjë që nuk e kemi dëgjuar më parë. Këto bota i ka krijuar vite më parë”, tha ajo.

Margariti shtoi se “nëse nuk funksionon ne kemi ngritur çdo mekanizëm për të ekuilibruar çdo ndërhyrje në çdo moment nëse pikat e kësaj marrëveshje shkelen”.

“Privati është një fondacion i nderuar që kishte krijuar shumë projekte të mira si me ne dhe me opozitën dhe e ka bërë këtë sepse ka parë përtej politikës. Ne nuk kemi frikë nga bashkëpunimi me privatin, ndërsa pretendimet e presidentin për shkelje të ligjeve janë akoma më absurde. Nuk ka asnjë shkelje dhe asnjë kundërshti në ligjin e 2018-ës për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, tha ajo. / atsh / KultPlus.com

IKSHPK alarmon qytetarët: Vaksinohuni dhe bartni maskat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), po vazhdon thirrjet për vaksinim dhe bartjes të maskës ndaj COVID-19, shkruan KultPlus.

Postimet e vazhdueshme në llogarinë zyrtare të tyre po vazhdojnë, derisa IKSHPK njofton se sot nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.

Njoftimi i plotë të IKSHPK-së:

Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe  vaksinohuni!

Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim.

Fatmirësisht sot nuk është raportuar  asnjë rast i vdekjeve nga kjo sëmundje!

Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar.

IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.

Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç;

Me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë.

MSh dhe IKSHPK  rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të  vaksininohen kundër COVID-19. /KultPlus.com

Kongresi Amerikan miraton rezolutën për rastin e vëllezërve Bytyqi – i kujton Vuçiqit premtimin e dhënë për zbardhjen e vrasjeve

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së ka miratuar një rezolutë për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit.

Tre vëllezërit Bytyqi janë vrarë pas luftës së vitit 1999 nga forcat serbe dhe askush deri më tani nuk ka dal para organeve të drejtësisë.

“Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë edhe Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur të zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarë që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte”, thuhet në rezolutën e Kongresit amerikan.

“Progresi në zgjidhjen e këtij rasti apo anasjelltas, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”, shkruan më tutje.

Rezoluta gjithashtu kujton edhe premtimin e bërë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se do të nxjerrin para drejtësisë vrasësit e vëllezërve me shtetësi amerikane.

Në dokument shkruan se autoritetet serbe edhe pse hetuan, ato kurrë nuk i akuzuan individët që ishin pjesë e zinxhirit komandues të Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me këtë krim, duke përfshirë ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Vlajko Stojilkoviq, Ndihmës Ministrin dhe Shefin e Departamentit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjordjeviq dhe komandanti i kampit të stërvitjes operacionale, Goran “Guri” Radosavljeviq. /Telegrafi/ /KultPlus.com

Shkëlqen Distria Krasniqi, kualifikohet në gjysmëfinale

Distria Krasniqi po shkëlqen në Grand Prix të Zagrebit, duke arritur kualifikimin në gjysmëfinale, shkruan KultPlus.

Kampionia Olimpike dëshmoi shkronjat e arta në shpinë, duke e mposhtur xhudisten nga Mongolia, Khorloodoi Bishrelt.

Krasniqi do të përballet në gjysmëfinale me izraeliten Gefen Primo.

Flaka Loxha do të përballet në raundin e tretë me xhudisten nga Monlogia, Ichinkhorloo Munkhtsedev, ndërsa Laura Fazliu do të ndeshet nesër. /KultPlus.com