Double LP i limituar i muzikës së TETRIS së shpejti do të promovohet në Kino Armatë

Double LP i limituar i muzikës së TETRIS nga Prishtina të cilën e incizuan mes 2009 – 2019 do të promovohet në Kino ARMATA më 17 korrik 2022 prej orës 19:00h.

TETRIS ishte grup i artistëve të bazuar në Prishtinë, që krijoi audio ambiente mbi fraza hipnotike të sintave të shumtë dhe basit të thellë. Line-up që ndryshoi tërë kohës nuk hezitoi të manipuloj analogisht gitaret e zhurmshme, piano klasike dhe ritme monotone, duke shtuar ngjyrë performancave të tyre të paparashikueshme dhe (shpesh) eksplozive.

SOUNDCLOUD: https://soundcloud.com/zjtlnj3nhxe9 / KultPlus.com

Tani asistente në Universitetin e Kembrixhit, Detina Zalli rrëfen tmerrin e largimit nga Shqipëria për në Angli në vitin 1999

Detina Zalli, e cila është asistente në Universitetin e Kembrixhit, së fundi ka dhënë një intervistë për gazetaren amerikane në Mbretërinë e Bashkuar, Trisha Goddard në të cilën ka rrëfyer tmerrin e largimit nga Shqipëria gjatë vitit në vitin 1999, kur Shqipëria po përjetonte Krizën Piramidale, transmeton KultPlus

Zalli, shpjegon se gjatë kësaj kohe në Shqipëri, të gjithë madje edhe fëmijët mbanin një armë me vete, e kjo e bënte shumë të vështirë jetesën.

“Ne kemi kaluar në kohë shumë të vështira në vitin 1997. Në atë kohë unë isha vetëm 9 vjeç dhe nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për Universitetin e Harvardit, të Kembrixhit apo të Oksfordit, as nuk e dija që ekzistojnë sepse shqetësimi i shpirtit tim ishte ta gjeja babanë tim të gjallë sepse frikësohesha që ai mund të jetë qëlluar rrugës për në shtëpi, kështu që kam dalë nga shtëpia fshehurazi në mes të natës, mes të plumbave dhe granatave vetëm për ta gjetur atë sepse siç thuhet “S’ka frikë më të madhe për një fëmijë sesa humbja e një prindi”, rrëfen Zalli, e cila më tutje shpjegon se edhe shokët që dikur lunate me ta, atë kohë mbanin armë me vete e që e pamundësonte qëndrimin me ta.

E gjithë kjo vështirësi, e kishte bërë familjen Zalli që ta mendojnë largimin nga Shqipëria përmes rrugëve ilegale.

“Fillimisht babai ynë ra në kontakt me një doktor në Shqipëri i cili e kishte siguruar babanë tim që ishte një rrugë që qonte njerëzit nga Shqipëria për në Britaninë e Madhe përmes airoplanit, pra ne duhet të paguanim 12,000 dollarë, të cilat ne nuk i kishim, e që babai im u detyrua t’i marrë hua nga 12 njerëz për pesë ditë e që ishte një detyrë shumë e vështirë dhe pasi ne i dhamë paratë, plani ndryshoi dramatikisht, ne mësuam që doktori ishte pjesë e një grupi mafioz dhe kur ne shkuam në aeroport për të udhëtuar për një Mbretërinë e Bashkuar na thanë që të shkojmë në shtëpi sepse s’ka një udhëtim të  tillë përderisa na i kishin drejtuar armët”, deklaron Zalli.

Ajo thotë se familja e saj u detyroua që të merrte rrugën për në Itali, në fillim ishte e planifikuar që të udhëtonin me anije të shpejta por më pas plani ndryshoi dhe ata udhëtuan me traget, e nga aty mund të shkonin për në Milan e Paris me tren.

“Ne fillimisht ishim në Paris dhe atje na thanë që rruga e vetme ishte të udhëtonim për në Bolonja dhe mënyra e vetme për të shkuar ishte përmes kamionëve. Ajo ishte si skenë filmi, ti duhej të ishe shumë i përgatitur për të udhëtuar me kamion. Të gjitha veprimet bëheshin gjatë natës, dhe të fshiheshe prapa pëlhurave të kamionit për t’I ikur policisë franceze. Ishte shumë e frikshme por ne duhej ta realizonim këtë udhëtim për të ikur sepse s’kishim zgjidhje tjetër, sepse ata na kishin marrë paratë dhe s’kishte mundësi kthimi.”, thotë Detina Zalli, duke rrëfyer tmerrin dhe frikën që kanë përjetuar gjatë asaj ikje.

Por, Zalli shpjegon që jeta e tyre ndryshoi komplet pasi  shkuan në Angli, sepse atje meqë ajo dhe motra e saj kanë pasur njohuri për gjuhën angleze ka qenë më e lehtë pavarësisht vështirësive që jeta prej refugjati ofron.

Më pas ajo tregon se për të siguruar jetesën e familjes së tyre ato janë veshur me taka për t’u dukur më të mëdhaja në mënyrë që të mund të punojnë.

E gjithë historinë e tyre, binjaket Zalli e kanë shfrytëzuar për të punuar më shumë, e çka e dëshmojnë edhe me arritjet që ato tani i posedojnë.

“Kam bërë disa vite hulumtime shkencore, kam pasur rastin të punoj me shumë laureatë të çmimit Nobel, kam punuar në Universitetin e Harvardit, tani jam në Kembrixh, po ashtu jam themeluese e organizatës “Ëe speak Science”, po ashtu kam bërë shumë bashkëpunime në fushën e biologjisë”, thotë Zalli, e cila po ashtu thekson se bashkë me motrën e saj kanë hapur një qendër bamirësie për njerëzit që vuajnë nga kanceri e të cilën e kanë titulluar ‘Afërdita ime’.

Ndërkaq, historinë e tyre, Detina dhe Argita Zalli do ta publikojnë në librin ‘Good Morning, Hope’ I cili do të promovohet më 7 mars 2023 në Amerikë./ KultPlus.com

Më poshtë mund të shihni intervistën e plotë të Detina Zallit:

Vjollca Robelli-Mripa me performancë në festivalin prestigjioz “London Jazz Festival”, muzika shqipe do të jehojë për një audiencë botërore

Këngëtarja e njohur Vjollca Robelli-Mripa, ka njoftuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se do zë performojë në njërin nga festivalet më prestigjioze në botë, “EFG London Jazz Festival”, përcjell KultPlus.

Robelli-Mripa ka shkruar se ndjehet shumë e lumtur dhe se ky organizim vjen në 30 vjetorin e ‘London Jazz Festival’. Ndërkaq, ajo ka bërë të ditur se muzika shqipe do të jehojë për një audiencë të gjerë botërore.

Më poshtë gjeni statusin e saj të plotë:

Shume e lumtur t’ju njoftoj se AJO do te performoj ne festivalin prestigjious EFG London Jazz Festival

Organizimi I ketij eventi behet nga Arts Canteen ne bashkpunim me Grand Junction, ne 30 vjetorin e London Jazz festival.

Ne do te performojme ne naten e pare me daten 11 Nentor 2022 nga ora 8pm me muzike shqip per nje audience te gjere boterore.

Grand junction eshte nje venue spektakulare dhe ne po pergatitemi, shpresoj te ju shoh aty ..

Ketu mund te gjeni linkun e biletave:

/ KultPlus.com

Sot mbahet koncerti për Ditën Ndërkombëtare të Rock n’ Roll

Sot, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon koncert ku do të performojnë Florent Abrashi, Mitrovica Rock School dhe Nuclear Doom, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet në hapësirën e parkingut të vogël të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë, nga ora 19:00.

Ndër themeluesit e rrymës ishte dhe legjendari Elvis Presli (Presley), i cili u bë idhull i adoleshentëve dhe të rinjve.Stili i veshjes, manierat dhe lëvizjet e tij u bënë model imitimi.

Në fillim të viteve 1960, doli një stil i ri rokenrolli , pop-rock-u.

Dekada e fundit është konsideruar epoka e artë në zhvillimin e kulturës së rok-ut. / KultPlus.com

Intervista me Mufid Bej Libohovën, ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në lidhje me detyrat urgjente të qeverisë së tij

Nga Aurenc Bebja, Francë – 13 Korrik 2022

“La Dépêche Algérienne” ka botuar, të mërkurën e 17 shtatorit 1913, në ballinë, intervistën e Mufid Bej Libohovës dhënë asokohe gazetës austriake “Neue Freie Presse”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Projektet e Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 16 shtator.

Mufid Bej Libohova, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në një artikull të botuar nga “Neue Freie Presse”, përmbledh detyrat më urgjente të qeverisë shqiptare.

E para, tha ai, do të jetë formimi i qeverisë për të zëvendësuar qeverinë e përkohshme.

Problemi i hekurudhave dhe i komunikimeve është aktualisht objekt i studimeve të thelluara. Linja e parë e ndërtuar ndoshta do të jetë ajo e Vlorës, Beratit, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës, për të cilën tashmë është prezantuar një projekt austriak.

Z. Libohova më pas kritikon qëndrimin e Greqisë ndaj Shqipërisë. Ai beson se aleanca e Greqisë me shtetet sllave është e panatyrshme.

Në një të ardhme shumë të afërt, shton ai, Greqia do të ketë nevojë për miqësinë e Shqipërisë, e cila nuk do të ndjekë kurrë një politikë antibullgare.

Ministri thekson se Austro-Hungaria dhe Italia kanë një interes të madh që Shqipëria të jetë e fortë, domethënë të ketë një ushtri prej të paktën 100 mijë vetësh, detyra e të cilëve do të jetë, thotë ai, të parandalojnë valën sllave të arrijë në Adriatik.

https://www.darsiani.com/la-gazette/neue-freie-presse-1913-intervista-me-mufid-bej-libohoven-ministrin-e-puneve-te-jashtme-te-shqiperise-ne-lidhje-me-detyrat-urgjente-te-qeverise-se-tij/ / KultPlus.com

Mufid Bej Libohova (1876 – 1927)


Fondacioni Jahjaga lanson koleksionin “One in Three and All for One”, synohet fuqizimi ekonomik i grave

Fondacioni Jahjaga mbrëmë ka lansuar koleksionin e ri të veshjeve të brendit ”One in Three”, brend ky që është iniciativë e Fondacionit Jahjaga dhe ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes punës në fushën e rrobaqepësisë, shkruan KultPlus.

Atmosfera mbrëmë në Vendum Lounge në Prishtinë nisi qysh në orën 19:00, atëherë dhe kur ambasadorë, pjesëmarrës nga bota e biznesit, showbizit dhe fytyra të shumta publike po mbushnin hapësirën dalëngadalë. Të mbledhur të gjithë për brendin “One in three”, emërtimi i së cilit ka për qëllim rritjen e vetëdijes për shkallën e dhunës me bazë në gjini, duke pasur parasysh që në nivel global, një në tre gra përjeton dhunë, të gjithë pjesëmarrësit bisedat e tyre i drejtonin rreth veshjeve të cilat në një kënd po qëndronin të kuruara deri në pikë të fundit.

Këtij koleksioni i janë bashkuar figura të ndryshme publike dhe aktivistë të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejtë në fuqizim ekonomik të grave, duke ofruar dizajne të veshjeve për këtë koleksion. Më pas, këto produkte janë qepur me shumë dashuri dhe përkushtim nga gratë e angazhuara në këtë projekt.

Ngjarja është shoqëruar nga fjalime prej ish-presidentes Atifete Jahjaga (Presidente e Republikës së Kosovës 2011-2016) dhe Carolin Ziadeh, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërkaq veshjet janë prezantuar nga individë të njohur për publikun të cilët kanë kontribuuar në koleksion duke i dizajnuar këto veshje.

“Ky projekt me brendin “Një në tre” është një kreacion i cili është punuar nga fillimi me shumë dashuri, me shumë pasion dhe për qëllim kryesor ka pasur fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave përmes punës së tyre të dorës dhe pavarësimin e tyre financiar. Fatkeqësisht, ne të gjithë e dimë që tregu i punës nuk është një hapësirë e barabartë për të gjithë, sidomos kur bëhet fjalë për vajzat dhe gratë. Pikërisht për këtë arsye, fondacioni Jahjaga vitin e kaluar ka lansuar këtë projekt me qëllimin e vetëm, pikësëpari që të shkëputet ky zinxhir i dhunës që po shtohet ndaj vajzave dhe grave të Kosovës”, thotë Jahjaga.

Sipas saj, para disa muajve, ky projekt ka filluar vetëm me një dyqan virtual me disa gra kreatore, me një vizion dhe pasion të jashtëzakonshëm për të punuar kreacione, por tani disa muaj më pas, po lansohet edhe linja e dytë.

“Ne e dimë që Kosova ka pasur dhe ka gra të zonja të cilat e kanë dëshmuar veten dhe po e dëshmojnë veten dita ditës, por ato gra nuk do të mund të kishin arritur këtu ku janë sot, pa kaluar një numër të madh të sfidave. Një në tre gra në botë është viktimë e dhunës fizike apo psikike përbrenda familjes. Mjafton vetëm një individ që të ngritë zërin apo të marrë një iniciativë për të vetëdijesuar shoqërinë. Ne që jemi mbledhur sot në këtë masë është një tregues i qartë që neve duhet të përçojmë një mesazh të rëndësishëm që dhuna nuk lejohet dhe të arrihet barazia mes nesh”, përfundon ajo.

Ndërkaq, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Carolin Ziadeh, ka thënë se është një privilegj që ajo ishte mbrëmë në mesin e tyre.

“Është privilegj të jem këtu sot. Ky projekt është një demonstrim i gjallë i një rruge të suksesshme drejt barazisë gjinore”, ka thënë ajo.

Kështu krejt në fund u prezantuan edhe veshjet e mahnitshme nga vetë figurat e pranishme që janë pjesë e këtij koleksioni.

Deri më tani, Fondacioni Jahjaga ka lansuar dy koleksione –One in three: Atifete Jahjaga dhe One in Three: Hope, duke ofruar mundësi pune për disa gra, dhe duke zgjeruar punën synojmë të punojmë më tutje drejt fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë financiare të grave.

Veshjet mund ti gjeni edhe online KËTU. / KultPlus.com

Nominimet për çmimet ‘Emmy 2022’

Në Los Angeles janë bërë të ditura nominimet për çmimet “Emmy Awards 2022”.

Seriali dramë komedi e zezë “Succession” u nominua për më së shumti çmime Emmy në ceremoninë e nominimeve që u bënë të ditura në Los Angeles. Ai u nominua për 25 sosh.

Por, kjo dramë satirike që paraqet të pasur dhe të pamëshirshëm, ka një rival në këtë garë. Fjala është për serialin “Squid Game” , që është seriali i parë në gjuhën jo angleze në garën për çmimin kryesor.

“Squid Games” u nominua për dramën më të mirë dhe për 13 çmime të tjera.

Seriali “Succession” edhe në Emmy-s 2020 u nderua në kategorinë për dramën më të mirë dhe tetë çmime të tjera.

Në mesin e të nominuarve të tjerë në këtë kategori janë edhe: “Better Call Saul”, “Euphoria”, “Ozark”, “Severance”, “Stranger Things” dhe “Yellowjackets”.

Në kategorinë për serialin më të mirë komedi janë: “Abbott Elementary”, “Barry”, “Curb Your Enthusiasm”, “Hacks”, “The Marvelous Mrs. Maisel”, “Only Murders in the Building”, “Ted Lasso” e “What We Do in the Shadows”.

Të nominuara si aktoret më të mira në komedi u vlerësuan: Rachel Brosnahan për paraqitje në “The Marvelous Mrs. Maisel”,  Quinta Brunson për paraqitje në “Abbott Elementary”, Kaley Cuoco e të tjera.

Në kategorinë për aktorin më të mirë në seri komedi janë: Donald Glover për paraqitje në “Atlanta”,  Bill Hader, Jason Sudeikis  për paraqitje në “Ted Lasso” e të tjerë.

Ceremonia e çmimeve Emmy më parë dominohej nga rrjete të transmetimit dhe shërbime kabllore, por me shtimin e shërbimeve online ka ndryshuar balancimi i tyre, e madje edhe vlerësimi i vetë çmimeve. Kur jemi te kjo, seriali “Squid Game” i Netflix arriti sukses falë tregut global.

Drama “The Crown”, e cila dominoi me çmime në Emmy 2021, këtë vit nuk u përfshi fare në garën për çmim.

Ceremonia e shpërblimeve me çmimet Emmy do të mbahet me 12 shtator 2022, ndërkaq do të transmetohet në NBC./21Media/ KultPlus.com

Vetëm jeta s’mund të matet

– Poezi nga Ali Asllani

Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
S’di, i ziu, c’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
s’di, i mjeri c’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

Thonë paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, c’është hyrija, por hyrirat më të mira
s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se c’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mëkate

Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund te matet
veç me ditët qe kalova, ne prani te zotëris’ sate./ KultPlus.com

Nis realizimi i ‘Back to Black’, film biografik për jetën e këngëtares Amy Winehouse

Një film artistik për këngëtaren e ndjerë britanike Amy Winehouse është në krijim e sipër, me regjisorin e “Fifty Shades of Grey” Sam Taylor-Johnson, transmeton KultPlus.

I quajtur “Back to Black”, filmi paraqet jetën dhe muzikën e fitueses së gjashtë herë të çmimit Grammy, e cila vdiq nga helmimi nga alkooli në shtëpinë e saj në veri të Londrës më 23 korrik 2011.

Winehouse, e cila luftoi me problemet e alkoolit dhe drogës gjatë pjesës më të madhe të karrierës së saj, ishte 27 vjeç.

“Studiocanal është duke u përgatitur për të bërë Back to Black. Projekti po përparon me Sam Taylor-Johnson të bashkangjitur për të drejtuar filmin artistik mbi jetën dhe muzikën e Amy Winehouse,” tha Studiocanal, duke shtuar se një skenar ishte shkruar për filmin.

“Back to Black po bëhet me mbështetjen e plotë nga pasuria e Amy Winehouse.”./ KultPlus.com

Memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e Qendrës multifunksionale në Podujevë

Ministri Hajrulla Çeku dhe sekretari i MKRS, Bislim Bislimi pritën në takim kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi të shoqëruar nga drejtori i DKRS, Pajtim Balaj.

Bashkë nënshkruan Memorandum të bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i Qendrës multifunksionale në Podujevë” që do të implementohet gjatë viteve 2022/2023.

Për realizimin e këtij projekti MKRS-ja siguron mbështetje financiare në vlerë prej 1 milion Euro.

Ministri Çeku dhe kryetari Bulliqi u dakorduan që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komunën e Podujevës të përcjellin zbatimin e këtij memorandumi dhe të monitorojnë veprimet që duhet të ndërmerren në implementimin e obligimeve në mbarëvajtjen e punimeve, deri në momentin e realizimit të projektit./ KultPlus.com

Grupi finlandez ‘Pekka Pylkkanen No Unit’ performon në Tiranë

Të gjithë adhuruesit e muzikës jazz patën mundësinë të shijojnë performancën e jashtëzakonshme të bandës finlandeze Pekka Pylkkanen No Unit (Peka Pilkanen Nu Unit) në Tiranë.

Në këtë shfaqje muzikore morën pjesë personalitete nga fusha të ndryshme të artit, kulturës dhe politikës.

I pranishëm në aktivitetin e bandës finlandeze ishte dhe ambasadori I Finlandës në Shqipëri, Jari Gustaffson i cili vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera Finlandë-Shqipëri, si në diplomaci po ashtu dhe në kulturë.

“Jo vetëm marrëdhëniet politike apo diplomatike janë në një nivel të lartë bashkëpunimi, por edhe në aspektin kulturor gjithashtu. Siç e shihni, pas krahëve të mi është banda e mirënjohur e jazz-it Pekka Pylkkanen No Unit të cilët me artin dhe muzikën e tyre do të kontribuojnë në aktivitetet e “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Ju do të keni mundësinë të ndiqni bandën e jazz-it me një performancë këtu, sikurse dhe tek aktiviteti tjetër pranë Resë së Tiranës. Kjo është padyshim një nga shfaqjet e para finlandeze të këtij lloji që mbahet ndonjëherë në Tiranë”.

Shfaqja tjetër e bandës muzikore të jazz-it u zhvendos pranë Resë së Tiranës ku qytetarë të shumtë ndoqën performancat unike të finlandezëve.

Grupi finlandez Pekka Pylkkanen No Unit ndodhet në Tiranë si pjesë e aktiviteteve për “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Ky grup është një nga më të sukseshmit në Finlandë./Klan News/ KultPlus.com

Noli dhe amaneti i Konicës

Në dhjetor të vitit 1942, Faik Konica do të mbyllte sytë. Pak kohë para vdekjes, i shkruante Nolit: “Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë… (shkruar nga dora e Konicës, kjo duket boll e çuditshme, sepse njihet përplasja që Konica e Noli kanë pasur gjatë gjithë jetës së tyre)… Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”.

Më pas, për këtë amanet Noli i drejtohet Enver Hoxhës (me të cilin, ka pasur një letërkëmbim të gjatë, në vitet 1945-1946):

“Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij, me nderimet përkatëse, si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”.

Por Enver Hoxha, nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje.

Më tej, ai i ka shkruar Sejfulla Malëshovës:

“Bëj përpjekje për të ndjerin Faik, se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”.

As Malëshova, nuk i ktheu përgjigje.

Noli do të ikte nga kjo botë, me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin e mik-armikut të tij.

Eshtrat e Konicës u kthyen në atdhe, vetëm në maj 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. / KultPlus.com

Mirësevini në raftin e librave shqip, kështu shkruan sot ne faqen zyrtare të Bibliotekës Botërore në Stockholm

Mirësevini në raftin e librave shqip në www.varldensbibliotek.se. Kështu sot është shënuar në faqen zyrtare të Bibliotekës Botërore në Stockholm të Suedisë me rastin e prezantimit të tri librave të rinj në gjuhën shqipe, të cilët i janë shtuar edhe 150 titujve tjerë që kjo bibliotekë ka siguruar që më herët dhe lexuesi shqiptar sot ka mundësinë të huazoj dhe lexoj librin origjinal shqip në shtëpi, sepse këto libra të siguruar nga ana e Bibliotekës Botërore janë digjitalizua dhe lexuesi pa lodhje dhe mundim, mund ti lexoj.

Tani ka tre libra të rinj në bibliotekë– dy libra për të rritur dhe një për fëmijë. “Skënderaj i Skënderbeut” përbëhet nga tregime dhe ese historike. Do të lexoni dhe njiheni me kohën e kreshnikëve, sundimin osman, luftën në Kosovë në vitin 1389 dhe shumë më tepër për këto ngjarje historike dhe trimërit e princave shqiptar në këtë kohë! Libri përmban edhe skica të Kosovës mesjetare.

“Çou Rexho – çou djalo” është një roman i frymëzuar nga një këngë popullore shqiptare. Kënga është kënduar këtu e 150 vjet më parë nga rapsodi i njohur shqiptar Qamili i Vogël. Historia e këngës popullore është e ndërthurur me fatin tragjik të një të riu Rexhës. Rexha vdiq natën e tij të dasmës – por a ishte vërtet kjo vdekje një aksident? Mund të mësoni në leximin me kujdes të roamnit “Çou Rexho – çou djalo”.

“Babadimri nga Kosova” është një histori shumë e shkurtër e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve kur Babadimri nga Kosova viziton qytetin Borås në Suedi. Atje, Babadimri do të takojë fëmijët shqiptarë që jetojnë në Borås dhe do t’u shpërndajë dhurata për Vitin e Ri dhe Krishtlindje që ka sjellë nga Kosova. Libri në suedisht quhet “Tomten from Kosova”.

Lexojeni tani ose ruajeni derisa të vijë dimri!

Një punë domethënëse dhe me vlerë e Bibliotekës Botërore në Stockholm të Suedisë e punë të cilën duhet vlerësua dhe mbështetur sepse përmes saj lexuesi mund të gjej dhe ketë në përdorim për lexim literaturë sa më të ndryshme të të gjitha zhanreve të letërsisë shqiptare duke u nisur nga ajo për fëmijë, të rinj dhe të rritur, punë e cila nuk është realizua deri më sot në asnjë vend tjetër, pra Stockholm është pioner dhe ideator i kësaj pune madhore, e që mendojmë se edhe të tjerët duhet mësuar nga këta dhe vende tjera për të realizua këtë në mënyrë që lexuesi shqiptar atje ku ndodhet të ketë sa më pran librin në gjuhën e tij në një vend të huaj.

Në bibliotekë thonë se qëllim i tyre është që në raftet e tyre të ketë sa më shumë libra origjinal në shqip, sepse përkthimet për ta janë jo adekuate për një lexues këtu. Në raftet e kësaj Biblioteke sot lexuesi shqiptar mund të zgjedhë në mbi 150 tituj në shqip çka është një rezultat madhor i prezantimit të librit shqip në Skandinavi, e sot iu shtuan edhe tre tituj të ri të autorit shqiptar Sokol Demaku në banim në Suedi. Krejt kjo falë bashkëpunimit të Bibliotekës Botërore në Stockholm, shoqatës kulturore shqiptare në Borås të Suedisë Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni” si dhe Shtëpisë botuese nga Tirana ”Dituria”, por edhe angazhimit individual të autorëve shqiptar. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

‘Succession’ dhe ‘Squid Game’ do të përballen për çmimin kryesor në ‘Emmy’

“Succession”, seriali i HBO që flet për një mashtrues mediatik mongol dhe familjen e tij, mblodhi 25 nominime për Emmy të martën, duke përfshirë një për çmimin prestigjioz të dramës më të mirë, transmeton KultPlus.

Ai do të përballet me thrillerin e Koresë së Jugut të Netflix Inc “Squid Game”, shfaqja e parë në gjuhën jo-angleze që është nominuar për një Emmy.

“Squid Game” tregon historinë e konkurrentëve të ngecur në para, të cilët konkurrojnë për çmime, ndonjëherë me pasoja fatale.

Hiti fantastiko-shkencor i Netflix “Stranger Things” dhe “Euphoria” i HBO-së, rreth adoleshentëve që lundrojnë në seks, drogë dhe media sociale, gjithashtu u nominuan për trofeun e dramës në çmimet më të larta të televizionit.

Seriali Feel-good “Ted Lasso” do të mbrojë titullin e tij si komedia më e mirë, një nga 20 nominimet e shfaqjes. Historia e peshkut jashtë ujit nga Apple TV+ (AAPL.O) do të konkurrojë kundër “Hacks”, “Only Murders in the Building” dhe “The Marvelous Mrs. Maisel”, ndër të tjera.

Ylli i “Lasso” Hannah Waddingham, e cila fitoi çmimin Emmy për aktoren dytësore vitin e kaluar, tha se ishte e tronditur nga nominimi i saj i dytë sepse mendoi: “Kam pasur momentin tim”.

“Është një moment paksa magjik për të gjithë ne”, tha ajo për kastin e spektaklit.

“The White Lotus” i HBO-së, që flet për pushuesit dhe stafin në një resort të mrekullueshëm buzë oqeanit, siguroi 20 nominime dhe shënoi një vend në fushën e serive më të mira të kufizuara.

Fituesit e çmimeve Emmy do të shpallen më 12 shtator.

CEO i Akademisë së Televizionit, Frank Scherma tha se grupi mori një numër rekord aplikimesh këtë vit, një shenjë se prodhimi po lulëzonte pas mbylljeve gjatë pandemisë COVID-19.

Shfaqjet televizive transmetuese dominuan nominimet, duke vazhduar një trend teksa audienca dynden drejt shikimit në internet. HBO dhe HBO Max morën gjithsej 140 nominime. Netflix shënoi 105./ KultPlus.com

Gazeta Blick: Ylli më i madh i Suedisë e ka emrin Kosovare

Gazeta zvicerane Blick, i ka kushtuar një artikull futbollistës të kombëtares së Suedisë, Kosovare Asllani.

Në artikull vihet në pah se Asllani e ka prejardhjen nga Kosova.

Ajo krahasohet edhe me futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave që ka pasur Suedia, Zlatan Ibrahimoviq.

“Blick” thotë se ylli më i madh i Suedisë e ka emrin Kosovare.

Ylli më i madh i Suedisë është Kosovare

Kujdes nga ky yll! Kosovare Asllani, rrënjët i ka në Ballkan.

Ajo është për çdo vajzë futbolldashëse në Suedi.

Suedezet janë ekip i klasit botëror.

Me futbollistet si : Jane Caroline Seger, Fridolina Rolfö dhe Stina Blackstenius.

Por, Kosovare Asllani është ylli më i madh i Suedisë.

Ajo shënon gola dhe vendos ndeshjet.

Ashtu sikurse në fitoren 1:0 kundër Holandës, kur ajo godet Nouwen-in dhe më pas mban ia asiston topin Anderssonit në mënyrë perfekte.

Jashtë, ajo është model për të gjitha vajzat që kanë migruar në Suedi.

Ajo ka lindur në Kristianstad një vit pasi prindërit e saj u larguan nga vendi i tyre me dy vëllezërit e motrat e saj dhe emigruan në Suedi në 1988.

Emri i saj Kosovare, është një kujtim për atdheun e prindërve të saj.

Zemra e saj i përket dyja vendeve

Fakti që Kosovarja fitoi medaljen e argjendtë olimpike me Suedinë 27 vjet më vonë – në Rio 2016, ku Kosova mori pjesë për herë të parë si shtet i pavarur – është një histori e bukur.

“Jam shumë krenar që luaj për Suedinë dhe e kam Kosovën në zemër. Kjo medalje nuk është vetëm për Suedinë, por edhe për Kosovën. Zemra ime i përket të dy vendeve”, – pati thënë ajo  për Fifa.com.

Ajo gjithashtu ka bërë tatuazh shqiponjën dykrenare.

Asllani është prej kohësh e preferuara e tifozëve në Suedi, shkruan Blick.ch përcjell Klankosova.tv.

Krahasimi me Ibrahimoviq

Kosovare Asllani krahasohet me yllin suedez të futbollit Zlatan Ibrahimoviq.

Asllani për këtë pati thënë se nuk dëshiron të krahasohet me të dhe me asnjë futbollistë, pasi nuk kanë ngjashmëri mes vete.

Ajo deri më tani ka arritur të shënojë 43 gola në 160 ndeshje./ KultPlus.com

Meta dekoron Agron Aliaj, me Titullin e lartë ‘Nderi i Kombit’

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, një nga pionierët e Teatrit të Operas dhe Baletit, artistin Agron Aliaj.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Meta thekson se Agron Aliaj hyri në historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit si pionier i parë i baletit kombëtar.

“Pjesë e një plejade të artë artistësh, që themeluan me pasion dhe sakrifica trupën e baletit shqiptar, mjeshtri i skenës Agron Aliaj hyri në historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit, jo vetëm si pionier i parë i baletit kombëtar, por edhe për figurën e rrallë artistike që krijoi dhe që do të mbetej model për koreografët e mëvonshëm”, shprehet ai.

Meta shton se për dekada me radhë, mjeshtëria e tij do të dallohej në çdo pjesë të veprave kombëtare dhe të huaja që u vunë në skenë dhe u duartrokitën nga artdashësit shqiptarë.

“Me mirënjohje për talentin e rrallë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në formimin dhe edukimin e brezave të rinj të artistëve, që sot interpretojnë krijimet e tij dhe krenohen për veprat e mrekullueshme që ka lënë trashëgim për artin dhe kulturën shqiptare, i akordova të paharruarit Agron Aliaj, Titullin e lartë “Nderi i Kombit”, thekson ai./atsh/ KultPlus.com

Murat Toptani, atdhetari që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke

Më 13 korrik kujtojmë ditën e lindjes së patriotit dhe firmëtarin e Pavarësisë Murat Toptani.

Murat Toptani ka lindur më 13 korrik 1867 në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Said Toptanit. Ai ka qenë patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor, skulptor si dhe mësues, që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke.

Gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja si, turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht.

Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, pati rastin të njihet me Asijen, vajzën e poetit komëtar Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa më vonë me pëlqimin e vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Më 1912 Murat Toptani ka qenë përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë. Murat Toptani njihet si dhe një nga pionerët e skulptures shqiptare, me realizmin e bustit të Skënderbeut. Ai vdiq në Tiranë në vitin 1918. / KultPlus.com

Shtegu Lëpushë-Theth, destinacioni i të pasionuarve pas natyrës

Shtegu Lëpushë-Theth, i cilësuar si magjia e alpeve shqiptare është kthyer në një ndër destinacionet më të preferuara të turistëve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga kalimi i turistëve në këtë shteg, që janë të pasionuar pas alpinizimit.

Ajo shprehet se ecja në shtigjet e shënjuara brenda zonave të mbrojtura është bërë prej sporteve më të dashura të natyrës dhe po aq promovuese të këtyre territoreve.

Turizmi Malor është një alternativë e shkëlqyer për të pasionuarit pas alpinizimit.

Thethi, Valbona e deri tek “Bjeshkët e Nemuna” në Shqipëri po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas e të huaj në të gjitha stinët e vitit. / atsh / KultPlus.com

Sot promovohet libri “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut”

Sot në Muzeun e Burgut të Prishtinës, ora 19:30, bëhet promovimi i librit “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” botuar nga Integra.

Ky aktivitet do të hapet me fjalë rasti nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku për të pasuar me debatin “E kaluara para së kaluarës” me panelistë Shkëlzen Gashi, Mrika Limani Myrtaj dhe Aurela Kadriu, me moderator Eraldin Fazliu. / KultPlus.com

Dy vëllezërit shqiptarë marrin pjesë në America’s Got Talent, lënë pa fjalë jurinë (VIDEO)

Dy vëllezër shqiptarë kanë marrë pjesë në America’s Got Talent dhe e kanë lënë pa fjalë jurinë me një performancë cirku.

Juria dhe publiku që po ndiqte performancën, mbetën gojëhapur nga interpretimi i tyre.

“Jemi të shokuar, jeni të mrekullueshëm”, kjo ishte ajo që juria tha pas performancës, shkruan gazeta express.

Vëllezërit Balla morën gjithë votat e jurisë, për të kaluar në fazën tjetër./ KultPlus.com

Përkujtohet në ditën e lindjes regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi

Gjergj Vlashi, shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes i autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. Ai konsiderohet si regjisori modernizues i estradës dhe një nga themeluesit e varietesë muzikore. Ai ishte personazh-kyç i tri periudhave të zhvillimit të artit të dramës dhe i teatrit shqiptar: para lufte, mbas saj, si dhe gjatë tranzicionit të pas viteve 1990.

Gjergj Vlashi lindi në qytetin antik të Durrësit me 13 korrik 1928, ku kreu dhe shkollën fillore dhe atë të mesme. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë” etj. Punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës të këtij qyteti. Kreu studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (1961).

Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste të Durrësit dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1992, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.

Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin.

Ka vënë në skenë mbi 120 shfaqje të teatrit dramatik dhe të varietesë. Ishte i prirë më fort nga burlesku, grotesku dhe satira politike, duke qenë elegant dhe i pastër në figurat e tij regjisoriale. Përdorte struktura e forma të larmishme shfaqjesh, me një lajtmotiv a “bosht” tematik, me një personazh qendror, me parapëlqimin e njërës prej formave a zhanreve letrare (siç qenë shfaqjet e ngritura kryesisht me poezinë, me tregimin humoristik, me përrallën, me anekdotën, me komedinë, me monologun etj.). Ka shkruar pjesë për teatrin e estradës, tregime, novela, romane, ese etj.; është marrë edhe me përkthime. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes me rreth 30 libra të publikuar me letërsi origjinale dhe me përkthime nga gjuhët gjermane, italiane, ruse, portugeze e spanjolle.

Ndërsa miqtë e tij nguteshin të emigronin, në fillim të viteve ’90, të bënin dokumente për të jetuar në një vend europian apo për të kërkuar pronat e grabitura, pas vitit 1992, për Gjergj Vlashin ishte koha për letërsi. Ai përktheu Kafkën, por edhe Saramangon shumë kohë përpara se vetëm ky i fundit të fitonte çmimin Nobel. Me shijen dhe nuhatjen për më të mirët e letërsisë, Vlashi me gjuhën e tij artistike na lë pas një thesar me vepra.

Gjergj Vlashi mban tituj dhe dekorata të larta si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2007 është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”.

U nda nga gjiri artistik me 4 tetor te vitit 2020.

Çmime të larta të bukës dhe artikujve tjerë esencialë, ministrja paralajmëron masa

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se në disa vende është shtrenjtuar buka, pavarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%”.

Hajdari tha se po e analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale, raporton Gazeta Express.

Ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj. “Kjo varet nga analizat që do të vijnë”, tha ministrja.

“Çmimet e grurit dhe miellit kanë rënë për 7%, bazuar në evidencën e Doganës”, tha ajo.

“Në realitet, gjersa ne jemi dëshmitarë të rritjes së çmimit të bukës në treg në disa vende, me këtë situatë ne në vazhdim të analizës që e ka sjellë grupi punues, ne shohim që kemi një dallim tepër të lartë”, tha ministrja.

Ajo iu bëri thirrje inspektorëve komunalë që “të jenë më të angazhuar”, ndërsa tha se “Ministria është shumë aktive edhe pas orarit të punës”.

Pas disa hulumtimeve që tha se u kryen edhe gjatë festës së Bajramit, ministrja Hajdari tha se konstatuan diçka.

“Marzha e artikujve esencialë, ndonëse tregu i lirë, ka dallim të lartë mes operatorëve ekonomikë”, tha ajo.

Te disa kompani, ministrja tha se “vërehet një tendencë për ta mirëkuptuar gjendjen me inflacion”, përderisa te disa kompani tjera, tha se “kjo tendencë po mungon”. / KultPlus.com

Nis restaurimi i kishës së Manastirit të Shën Kollit, Mesopotam

Specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kombëtare dhe Qendrës Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Post-Bizantine kanë filluar zbatimin e projektit “Punime restauruese në kishën e Manastirit të Shën Kollit, Mesopotam”.

Ky projekt realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Post-Bizantine.

Sektori i Kulturës Kombëtare Sarandë bën të ditur se “ky projekt ka në fokusin e tij: përdorimin e metodës analitike jo-destruktive (FTIR) për analizën e pigmenteve, e cila nuk është një metodë analitike shkatërruese. Përdoren pajisje in situ për të marrë një diagram dixhital të pigmenteve në kompjuter. Pas kësaj, do të dërgohet në një laborator të specializuar në Greqi për të identifikuar diagramin duke përdorur një bazë të dhënash të veçantë”.

Projekti ka në fokus edhe marrjen e mostrave të suvasë për analizën e vëzhgimit të stratigrafisë.

“Nga një zonë e dëmtuar e pikturave murale merret, një mostër rreth 2 cm. Numri i mostrave varet nga fazat e ndryshme të suvatimeve të evidentuara. Parashikohet se do të pesë deri në gjashtë mostra. Kryerjen e provave in situ në pjesë të përzgjedhura të pikturave murale me qëllim përcaktimin e metodologjisë dhe materialeve të konservimit. Për të përcaktuar se çfarë materialesh dhe procedurash do të propozohen për realizimin e projektit, nevojitet kryerja e disa sondazheve në pikturën murale që në këtë fazë fillestare të projektit. Këto sondazhe do të shërbejnë në fazën e përcaktimit të metodologjisë ekzakte për ndërhyrje në sit”, nënvizon Sektori i Kulturës Kombëtare Sarandë.

Manastiri i Mesopotamit në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetin antik të Finiqit konsiderohet si një nga monumentet e rralla të jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për ta vizituar atë.

Kisha e Shën Kollit ka ekzistuar në fillim si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha. Kjo Kishë mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku./atsh/ KultPlus.com

Shqipëria 27 vite anëtare e KiE-së, Nikolla, thirrje shteteve anëtare për pranimin e Kosovës 

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla kujtoi sot ditën e anëtarësimit me të drejta të plotë të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

Ajo thekson se Shqipëria për 27 vjet si anëtare me të të drejta të plota e Këshillit të Evropës, ka shënuar arritje të rëndësishme.

“Sot, 27 vjet nga pranimi i Shqipëria si anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës. Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme në konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut.  Reformat e rëndësishme që kemi ndërmarrë, sidomos reforma në sistemin e drejtësisë, po kontribuojnë në avancimin për zbatimin e këtyre standardeve”, kryeparlamentarja.

Po ashtu, Nikolla i bën thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Në këtë ditë të shënuar, Shqipëria u bën thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës  për pranimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme për mbrojtjen dhe zhvillimin e parimeve të lirisë dhe  demokracisë”, u shpreh Nikolla./ atsh / KultPlus.com