“Kosova jo ‘o’.” nesër premierë në Prishtinë

Nesër më 17 janar vjen premiera e shfaqje “Kosova jo ‘o’.”, me regji të Ekrem Sopit, shkruan KultPlus.

Shfaqja sjellë kërkimin e dinjitetit, të dy shokëve që të dy rreth moshës 40-45 vjeçare. Njëri emigrant në Gjermani e tjetri në Kosovë. Balerina freskon ngjarjen me lojëra të ndryshme. Bekimi dhe Linda përmes dialogut sarkastik i rrëfehen gjeneralit te varri i tij, çka po ndodhë më “Kosova-n jo, o-n”…Bazuar në Kadare, Chekhov.

Kjo shfaqje vjen nën lojën e aktorëve Makfire Miftari, Besim Ajeti dhe Ekrem Sopi.

Shfaqja vjen premierë në Amfiteatrin e American School of Kosova në Prishtinë, nesër më 17 janar me fillim nga ora 19:30./ KultPlus.com

“Dodona” nesër sjellë premierën për fëmijë “Përgjithmonë Ujku”

Nesër më 22 dhjetor në teatrin Dodona, vjen premiera e shfaqjes për fëmijë “Përgjithmonë Ujku”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen bazuar ne tekstin e përrallës së autores Matter, ndërsa është përpunuar dhe përshtatur për skenë nga G.Pigor dhe I.Dragovoja.

Shfaqja vjen me regji të Ilir Dragovoja, skenografia dhe kostumet nga Theranda Sertollaj dhe I.Dragovoja ndërsa luajnë: Avni Hoti, Roza Berisha dhe Advi Azemi.

Shfaqja vjen nesër në teatrin Dodona me fillim nga ora 12:00 në sallën TQP Dodona./ KultPlus.com

Ilir Bokshi së shpejti sjellë premierën “Hollishit” (FOTO)

Bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones, së shpejti vjen shfaqja “Hollishit”, me regji të regjisorit Ilir Bokshi e producente Albulena Kryeziu, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje premierën do ta ketë në Teatrin Dodona në kryeqytet me ç’rast edhe hapet ky teatër pas renovimit, saktësisht “Skena e mbrëmjes”.

Shfaqja është një tragjikomedi për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.

Shfaqja jetësohet nga aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi, ndërsa pas skene ka një ekip në përbërje të: dramaturg-Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj, kostumografe-Albulena Borovci e producente Albulena Kryeziu.

“Hollishit” është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Drejtoria për Kulture e K.K. Prishtinës dhe teatri AAB “Faruk Begolli”./ KultPlus.com

“Natë misterioze” nga Ben Apolloni sonte premierë në teatër

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës sonte do të mirëpres një shfaqje të re dhe shumë të veçantë, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Natë misterioze” të autorit Ferdinand Hysi, e të cilën në skenë do ta sjellë regjisor nga Kosova Ben Apolloni.

Me role në këtë shfaqje paraqiten: Suela Bako, Xhejni Fama, Gjergj Doçi, Marvin Tafaj, Mimoza Marjanaku dhe Amos Muji Zaharia.

Shfaqja ka të bëjë me katër persona nga vende të ndryshme të botës të cilët takohen për herë të parë në një stacion treni dhe aty e kuptojnë se janë të ftuar nga i njëjti person dhe do të shkojnë në të njëjtën adresë. Në shtëpinë misterioze ku hyjnë, nuk i pret askush pos territ. Ngadalë fillon të ndriçohet shtëpia dhe historia e secilit personazh dhe dikur shfaqet edhe zonja e cila i ka ftuar në ditëlindjen e djalit të saj. Zonja, një grua e çmendur nga dhembja për humbjen e djalit i terrorizon katër mysafirët e ftuar duke u kërkuar organet e djalit të saj të vdekur në një aksident, organet e të cilit ajo e di se janë transplantuar në katër trupat e mysafirëve.

“Natë misterioze” shfaqet sonte nga ora 19:00, ndërsa repriza e parë vjen të mërkurën pra më 25 tetor./ KultPlus.com

Filmi ‘The Albanian Recruit’, premierë në TIFF

Film “The Albanian Recruit” është selektuar në festivalin Tirana International Film Festival pjesë e seleksionit Made in Albania, shkruan KultPlus.

Film flet për të rinjtë e rekrutuar në grupe kriminale ndërsa filmi vjen me skenar e regji të Sunaj Raça.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Edon Mulaj, Don Raca, Bekim Mulaj, Sunaj Raça, Safete Rogova, Marko Caka, Veton Osmani…
Filmi në muajin mars pritet të shfaqen shfaq premierën amerikane në Kaliforni./ KultPlus.com

“Kësulat”, sjellë tregimin e realitetit të luftës në Kosovë nga një këndvështrim i baraspeshuar

Filmi “Kësulat” i cili vjen nën regjinë e Alan M. Trow është shfaqur sot premierë për herë të parë për mediat në ekranin e Kinemasë ABC. Para gazetarëve ky film shpalosi jetën e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove, shkruan KultPlus.

Filmi nis me pamjet e tymit dhe flakës në shtëpitë e djegura gjatë pranverës së vitit 1999, duke treguar më pas jetesën e banorëve shqiptar dhe atyre serb , para afrimit të luftës me shpejtësi. Në fokus të filmit paraqitet fqinjësia e një mjekut të fshatit, (Albanit) i cili mjekon edhe babin e sëmurë të fqinjit të tij serb (Draganit). Mirëpo ky raport i kushton atij me kërcënime të vazhdueshme, duke u trajtuar si tradhtar nga bashkëfshatarët, e veçmas nga Besniku, një anëtar aspirues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Filmin pason me ngjarjet pas pushtimit të menjëhershëm nga ushtria serbe, ku i gjithë fshati hidhet në panik dhe eksod masiv, ndërsa në mesin e tyre edhe Dr. Albani, i cili në anën tjetër përballet me rezistencën e babit të tij (Tefikut) për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të cilën thotë se kishte dhënë besën që nuk do ta braktis. Derisa fshati zbrazet, Tefiku dhe fqinji i tij serb dëshmojnë fqinjësinë e tyre duke ndihmuar njëri-tjetrin në momente të vështira, madje pas vdekjes së babit të fqinjit serb (Draganit), të dy e varrosin atë në dy rite të ndryshme fetare.

Për të sjellë të plotësuar ngjarjen e luftës, veçantia e këtij filmi vjen përmes gërshetimit të rrëfimeve reale brenda skenave të filmit edhe përjetimet e këtyre personazheve: Brahim Asllani dhe Rifat Ali Bilalli, nga zona e Drenicës dhe Nazim Shahin Veseli dhe Ujup Maliqi nga Zona e Podujevës. Ky gërshetim sipas skenaristit të filmit, Jim Tihofsit vjen për t’i ofruar shikuesit më afër realitetit dhe për t’i vendosur të gjitha tregimet brenda kontekstit të filmit.

Blerim Kaçiu në një konferencë për media të mbajtur sot pas shfaqjes së filmi, ku të pranishmit kishin mundësi të flasin më shumë rreth filmit, ai thotë se pika më e fortë e filmit është se sjellë baraspeshimin e të dy anëve.

“Veçantia e filmit është që nuk anon nga asnjëra anë, duke e lënë shikuesin të vendos se në cilën anë po shkon, filmi nuk e ka për qëllim orientimin nga njëra anë apo tjetra. Filmi e ka qëllimin vetëm tregimin e realitetit të luftës në Kosovë nga një këndvështrim më i baraspeshuar” , ka thënë Kaciu.

Në rolet kryesore në këtë film janë: Selman Jusufi, Bislim Muqaj, May-Linda Kosumovic, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Jimi Tihofsi, Meli Qena, Labinot Lajçi, Furtuna Aliu, Avni Abazi, Besfort Daka dhe Nuhi Matoshi.

Ismail Kasumi i cili në këtë film është paraqitur në rolin kryesor të mësuesit serb (Draganit) tregon për vështirësitë sa i përket përdorimit të gjuhës serbe.

“Unë e kam pasur më të lehtë për shkak se jam nga Maqedonia , mirëpo gjuha maqedonase ka shumë dallime me aksentin dhe gjuhen serbe, mirëpo fatmirësisht me ndihmën e disa kolegëve dhe disa shokëve dhe shoqeve serbe , të cilët më kanë ndihmuar në aspektin e realizimit të gjuhës dhe ndihmën e producentit Blerim Kaçiut e cili e flet mirë gjuhën serbe besoj që jam kam dalë mjaft mirë”, ka treguar Kasumi.

Duke filluar nga sonte, filmi do të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00.

Distribuimi i këtij filmi është bërë në Kosovë dhe ky film do të shfaqet edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, nga e hëna në Prizren ndërsa me datë 24 tetor në Mitrovicë. Premiera në Angli vjen me datën 4 nëntor. / KultPlus.com

Filmi ‘Kësulat’ më 4 nëntor premierë në Londër

“Kësulat”, filmi i cili vjen nën regjinë e Alan M.Trow, pasqyrohet jeta e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove. Lufta e vitit 1999 bëhet shkas i ndarjes së tyre, shkruan KultPlus.

Producenti i filmit Blerim Kaciu ka treguar se ky film është realizuar në Kosovë, në komunën e Podujevës, në fshatrat Pollog dhe Dumnicë kurse postproduksioni është bërë në Angli me bashkëpunim mes ekipit shqiptar dhe atij anglez.

Skenaristi Jimi Tihofsi ka treguar se zanafilla e projektit daton rreth 14 vite më parë, por projekti nuk ka arritur të realizohet deri tash për shkak të mungesës së fondeve, të cilat ishin refuzuar dy herë nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Kasta e aktorëve përbëhet nga Selman Jusufi, Bislim Muçaj, Meli Qena, May-Linda Kosumoviç, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Labinot Raçi. Edhe skenaristi Tihovsi ka një rol.

Ngjarja zhvillohet në një fshat të Kosovës, afër kufirit me Serbinë

Premiera në Londër vjen më datë 4 nëntor në Princesse Ann Cinema, at BAFTA, 195 Piccadilly, London, Ora: 19:30. Ndërsa këtë të shtunë, “Kësulat” vjen premierë në Kinemanë ABC duke filluar nga ora 20:00 dhe do të vazhdojë të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00. / KultPlus.com

Filmi “S.M.A.R.T. Chase” premierë në Kino ABC

Aktori Orlando Bloom i njohur nga filma si: Troy, Pirates of Caribbean, Lord of the Rings, Kingdom of Heaven, etj, vjen me projektin më të ri filmik, përkatësisht me premierën e filmit “S.M.A.R.T. Chase”, film ky aksion, aventurë dhe krim.

Premiera e “S.M.A.R.T. Chase”, shfaqet më 12 tetor në ora 22:00, duke vazhduar çdo natë në të njëjtin termin.

Filmi i cili për regji ka Charles Martin, ka në qendër Deni Stratonit, njё agjenti privat sigurie tё shkatërruar, i jepet njё rast i rrallё pёr tё shoqëruar njё antikё tё çmuar kineze jashtë Shangait, por rrugёs i zihet pritё. Meqё e dashura e tij ёshtё nё rrezik, Deni duhet tё bashkёpunojё me anёtarёt e ekipit tё tij pёr sigurimin dhe menaxhimin pёr ta shpёtuar, teksa fillon tё pёrvijohet njё komplot i tmerrshёm.

Në rolet kryesore luajnë: Orlando Bloom, Simon Yam, Hannah Qinlivan, Lynn Hung, Leo Wu, Tom Price, etj. / KultPlus.com

‘La Traviata’ premierë në Bullgari, Besa Llugiqi me rol kryesor

Pas suksesit që pati me shfaqjen e Lucia di Lammermoor në Shtëpinë Operistike në Burgas, sopranoja kosovare Besa Llugiqi, së shpejti do ta jetësoj rolin kryesor të Violeta Valery në këtë teatër, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

‘La Traviata’ e Verdit, do të dirigjohet nga dirigjenti më i mirë bullgar Ivan Kojuharov, ndërsa Llugiqi në një prononcim për KultPlus, tregoi se është një kënaqësi e jashtëzakonshme për të që ta ketë këtë rol dhe të punoj me maestron Kojuharov.

“Për mua roli i Violetës është mjaft kompleks i gërshetuar me vështirësi teknike, një kryevepër e ndërtuar me mjaft dinamizëm, vuajtje, sakrificë e dashuri janë nuancat që e bëjnë dinamike këtë vepër dhe që publikun e mbajnë gjatë gjithë kohës në drithërima. Poashtu është kënaqësi e jashtëzakonshme që të bashkëpunoi me maestro Ivan Kojuharov, ku vite më parë kam dëgjuar një interpretim të ‘Traviatës’ që është dirigjuar nga ky mjeshtër dhe më ka lënë aq mbresa sa mezi prisja një bashkëpunim të tillë”, ka thënë për KultPlus Llugiqi.

Krejt ky bashkëpunim ashtu siç tregoi edhe vetë sopranoja erdhi pas suksesit që kishte shfaqja e Lucia di Lammermoor në këtë teatër, dhe menjëherë i pasoi ftesa për ‘Traviatën’.

“Sigurisht më gëzoi pa masë fakti që do të ngjitem në skenë me rolin tim të preferuar në drejtimin e Kojuharov, i cili është një prej dirigjentëve më të mirë që ka Bullgaria”, theksoi ajo për KultPlus.

‘La Traviata’, do të ngjitet në skenën e Shtëpisë operistike Burgas më 3 nëntor të këtij vitit./ KultPlus.com

KultPlus dhuron 6 bileta për premierën e filmit “Mother” në Cineplexx

Trilleri psikologjik nga Darren Aronofsky është pa dyshim filmi më i diskutueshëm prej “A Clockwork Orange” nga Stanley Kubrick. Me aktorë të mrekullueshëm si Jennifer Laërence, Javier Bardem (secili fitues i çmimit kryesor të Oscars), Michelle Pfeiffer dhe Domnhall Glesson, filmin “Mother!”, mund ta shihni si premierë me 28 shtator në Cineplexx.

Për këtë premierë, Cineplexx dhuron 6 bileta për lexuesit e KultPlus. Të gjithë ju që dëshironi të merrni një biletë falas për të shikuar filmin “Mother”, këtë mund ta bëni me vetëm tri veprime. Like faqen e KultPlus.com si dhe Like dhe Share shkrimin. Loja fillon nga tani dhe zgjatë deri nesër, datë 27 shtator në ora 21:00. Fituesit do të zgjedhën në mënyrë automatike.

Cineplexx, edhe për këtë film, ka organizuar ngjarjen “Premier Night”, ku të gjithë të pranishmit do të shoqërohen me pije falas.

Nga trailer-i i postuar në faqe të Cineplexx Events, duket se ky film pa dyshim do të jetë një ndër filmat më artistik të sezonës së vjeshtës në Cineplexx. / KultPlus.com

‘Mother’ në Cineplexx

Trilleri psikologjik nga Darren Aronofsky është pa dyshim filmi më i diskutueshëm prej “A Clockwork Orange” nga Stanley Kubrick. Me aktorë të mrekullueshëm si Jennifer Lawrence, Javier Bardem (secili fitues i çmimit kryesor të Oscars), Michelle Pfeiffer dhe Domnhall Glesson, filmin “mother!”, mund ta shihni si premierë me 28 shtator në Cineplexx.

Regjisori i filmave “Black Swan”, dhe “Requiem for a Dream”, Darren Aronofsky, në këtë film ka shtjelluar ngjarjen e një çifti. Marrëdhënia e këtij çifti (Jennifer Lawrence dhe Javier Bardem) vihet në dyshim kur mysafirët e paftuar arrijnë në shtëpinë e tyre, dhe pengojnë jetesën e tyre të qetë. Mirëpo Aronofsky, ka shpjeguar që ky film ka një tematikë më të thellë, dhe duhet shikuar me kujdes për t’u kuptuar.
Cineplexx, edhe për këtë film, ka organizuar ngjarjen “Premier Night”, ku të gjithë të pranishmit do të shoqërohen me pije falas.

Ndërsa për pikëçuditjen në emër të filmit, Aronofsky ka thënë që pasqyron frymën e filmit. “Lloji i filmit ka një pikëçuditje; në fund të filmit ekziston një pikëçuditje e madhe. Kështu që mendoj se titulli ishte pak më i mirë në këtë mënyrë. ”

Nga trailer-i i postuar në faqe të Cineplexx Events, duket se ky film pa dyshim do të jetë një ndër filmat më artistik të sezonës së vjeshtës në Cineplexx. Biletat për premierën e filmit në Cineplexx mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:15./ KultPlus.com

Mbrëmë në Tiranë u dha premiera e filmit “Bloodlans” (FOTO)

Pas premierës botërore në Glasgow, filmi i parë shqiptar i zhanrit horror “Bloodlans” erdhi mbrëmë premierë në Tiranë, shkruan KultPlus. Filmi me skenar dhe regji të Steven Kastrissios tashmë ka marrë edhe shpërblime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe çmimin për aktoren shqiptare Suela Bako, kurse pos saj, në këtë film me rolet e tyre kanë luajtur edhe aktorët: Gëzim Rudi, Emiljani Palali, Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Florist Bajgira, Ilire Vinca, Dritan Arbana… KultPlus ju sjellë disa fotografi nga premiera mbrëmë. /KultPlus.com

‘Oh, Oh, xhulia’ me regji të Besim Ugzmajlit nis sezonin në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Teatri i Qytetit ‘Adriana’ në Ferizaj, shumë shpejt pritet të nis sezonin me premierën ‘Oh, Oh, xhulia’.

Kjo shfaqje me tekst të Ephraim Kishon në skenën e teatrit ‘Adriana’ do të jetësohet nën regjinë e regjisorit Besim Ugzmajli.

Provat për këtë shfaqje tashmë veç kanë filluar, ndërsa për KultPlus, regjisori Ugzmajli, dha disa detaje për tekstin.
“ ‘Oh, Oh, xhulia’, është një komedi-parodi si version alternativ i ‘Romeo dhe Zhulieta’ të William Shakespeare. Por në versionin e Ephraim Kishon, Romeo dhe Zhulieta i kanë shpëtuar vdekjes. Ephraim Kishon është një autor që jo vetëm që ka shkruar shumë skenarë dhe drama, por është i njohur edhe si regjisor i cili ishte nominuar për Oscar. Provat vetëm sa kanë filluar dhe shfaqja pritet të jepet pas datës 20 tetor”, tha për KultPlus Besim Ugzmajli.

Kjo shfaqje sjellë në rolet kryesore aktorët: Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Edona Berisha, Mevlan Saraçi dhe Milot Salihu./ KultPlus.com

Vepra ‘Silentium Est Pax’ e Memli Kelmendit, premierë në Francë

Vepra “Silentium Est Pax” e Memli Kelmendit më 16 shtator do të interpretohet në Les Musicales de Redon në Francë dhe do të interpretohet nga ansambli i mrekullueshëm Ensemble Sottovoce poashtu nga Franca.

“Kjo vepër është kompozuar muajin e kaluar dhe i dedikohet ansamblit “Sottovoce Ensemble” nga Franca. Nga performancat e tyre që kam dëgjuar, më ka pëlqyer jashtëzakonisht tingulli që kanë dhe sidomos repertuari përzgjedhur. Besoj që shumë shpejt do të kemi video incizimin nga koncerti që do të mbahet këtë javë”, tha Memli Kelmendi.

Në këtë mbrëmje do të interpretohen vepra nga kompozitorë të njohur botëror si Mozart, Byrd, Philips, Gjeilo, Bosc… për këtë ansambël kanë kompozuar kompozitorë të njohur si Nobuya Momta (Jaoponi), Florent Gauthier (Francë)…/ KultPlus.com

Nina Mula e Inva Mula sopranot shqiptare që mrekulluan me operën ‘Peshkatarët e Perlave’

Pas afro 53 vitesh rikthehet për herë të tretë opera ‘Peshkatarët e Perlave’ nga familja Mula.

Fillimisht në vitin 1964 sopranoja, Nina Mula (e ëma e Inva Mulës) interpretonte rolin e Lejlës në operën “Peshkatarët e Perlave” në TKOB, pikërisht më 7 mars, ku u vu në skenë me regji të Luigj Gurakuqit, dirigjim të Mustafa Krantjas dhe dekore e kostume të Shadan Toptanit, shkruan KultPlus.

Në vitin 1990-të, kjo vepër e mrekullueshme u vë sërish në skenë nga e bija e Nina Mulës. Është Inva Mula, tashmë një zë i njohur botëror që operën ‘Peshkatarët e Perlave’, e shkriu përmes zërit të saj. Ishte regjisor Nikolin Gurakuqi asokohe që ia besoi rolin kryesore Invës.

E tash pas afro 53 vitesh, kjo operë kthehet me një premierë të tretë me radhë. Inva Mula është ajo që sjellë regjinë dhe rolin kryesor të ‘Peshkatarët e Perlave’ të kompozitorit Georges Bizet. Kësaj radhe kjo operë do të shfaqet në Pallatin e Kongreseve më 22 shtator e njëkohësisht edhe do të hapë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Kjo vepër tashmë ka një histori shqiptare e cila po bartet brez pas brezi dhe kësisoj përveç Inva Mulës do të interpretojnë edhe emra të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani…

Ajo është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë./ KultPlus.com

‘Një film i premtuar’ me premierë në vjeshtë

Filmi artistik “Një film i premtuar”, që sjell varfërinë e Shqipërisë në vitet ’90 ka bërë bashkë skenaristin e regjisorin Petrit Ruka dhe kompozitorin e njohur Aleksandër Lalo. Janë dy autorë të njohur, që po punojnë për këtë film, i cili pritet të jetë premierë në vjeshtë, kjo dhe sipas kontratave që kanë me Qendrën Kombëtare të Filmit.

Një projekt filmik, i cili ka mbaruar xhirimet në Bënjë të Përmeti dhe sjell këtë herë në vëmendje një tjetër histori për publikun. Regjisori tregon se filmi merr ngjyra trishtuese për një ëndërr që është shumë e vështirë të realizohet në ato vite. Ndërsa kompozitori i njohur Aleksandër Lalo e vlerëson jo pak këtë bashkëpunim këtë herë me regjisorin Petrit Ruka në filmin me titull “Një film i premtuar”.

“Muzika është mbi filmin dhe sigurisht që unë e vlerësoj shumë Perit Rukën. E kam parë filmin dhe mua personalisht më duket një film jashtëzakonisht interesant. Një film i xhiruar shumë mirë dhe thjeshtë në Bënjë të Përmetit. Një film që ka një fabul interesante”, pohon kompozitori Aleksandër Lalo.

Por emrin e tij në muzikë e mbajnë disa nga prodhimet më të suksesshme të kinemasë shqiptare. Kompozitori tregon se rikthehet si autor muzike në film, që pas dokumentarit “Kadare”.

“Unë kam shkruar muzikë filmash ndër vite. Por me këtë bashkëpunim për të cilin jemi duke biseduar me Petrit Rukën unë rikthehem, që pas dokumentarit mbi Ismail Kadarenë me regji nga Pirro Milkani, që titullohej “Kadare”. Por mua më pëlqejnë shumë dhe filmat artistikë dhe besoj që me Petrit Rukën do të bëjmë diçka të mirë”, pohon kompozitori Lalo, një nga emrat më të vlerësuar dhe të suksesshëm në muzikën e filmave shqiptarë.

Regjisori Petrit Ruka pohon se pas xhirimit të filmit tashmë ka
mbaruar pjesa më e madhe e punës, në përpjekje për të gjetur dhe financime të tjera për të përfunduar të gjithë këtë projekt.

“Në vjeshtë filmi pritet të jetë premierë, pasi kemi dhe kontratën me Qendrën Kombëtare të Filmit dhe ju e dini që ajo zbatohet. Por do të shohim se si do të vijojmë punët për të vendosur përfundimisht”, bën me dije regjisori Petrit Ruka per Sotnews.

Filmi dhe financimi

Si skenarist dhe regjisor Petrit Ruka ka realizuar ndër vite më shumë se 30 vepra kinematografike. Këtë herë filmi i tij më i fundit me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë sjell Shqipërinë në vitet ’90 kur sapo ishte ndërruar sistemi. Jetesa në Shqipërinë e atyre viteve nuk ishte e lehtë dhe emigrimi ishte i madh. Ngjarjet në film janë vendosur në një fshat, ku disa fëmijë kërkojnë të shikojnë një film të vërtetë. Ata mundohen shumë, por për këtë i ndihmon një italian, roli i të cilit luhet nga aktori i njohur Karafil Shena. Regjisori Ruka tregon se ky ka qenë një projekt i menduar që para shumë vitesh, por vetëm tani pas financimit të QKK u bë i mundur realizimi i tij. Por edhe pse filmi ka mbaruar xhirimet që janë zhvilluar në Bënjë të Përmetit, problemi që shqetëson autorin e filmit është buxheti. Ai tregon se ky është një problem që i vendos jo në pak vështirësi regjisorët në filma. “Filmi është me buxhet nga Qendra Kombëtare Kinematografike, por ju e dini se si janë problemet me kinemanë, buxhetet e pakta të vënë në vështirësi për realizimin e filmit. Por dhe në QKK e dinë këtë situatë, por gjithçka varet nga buxheti”, pohon mes të tjerave regjisori Petrit Ruka, ku veprën më të fundit të tij në kinema publiku do të mund ta gjejë gjatë ditëve të vjeshtës. / KultPlus.com