Gashi: MKRS-ja do të jetë e hapur për një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile

Ministri Kujtim Gashi, ka takuar drejtuesit e Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv Albert Heta dhe anëtarët tjerë të bordit, profesori Fadil Hysaj, regjisori Fatos Berisha e Sali Shoshi nga CHwB.

Në takim u diskutua për situatën kulturore në vend dhe se si ajo të përmirësohet dhe aktivitetet kulturore brenda dhe jashtë vendit të prezantohen sa më mirë. Në lidhje me këtë, ministri Gashi ofroi gatishmërinë e plotë të tijën personale por edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të punuar bashkërisht ashtu që politikat kulturore dhe implementimi i tyre të jetë që kultura të ketë rolin dhe vendin e vet meritor në vend dhe në skenën kulturore ndërkombëtare. “Ministria do të jetë adresa e duhur për përkrahjen e kulturës dhe do të jetë një derë e hapur për bashkëpunim të mirëfilltë në të mirë të kulturës dhe mbështetje të vlerave”, tha ministri.

Ministri e vlerësoi punën që bëjnë institucionet dhe organizatat e pavarura kulturore, duke qenë një faktor i rëndësishëm që e mban gjallë kulturën në vendin tonë, e që në bashkëpunim edhe me institucionet nacionale, duke filluar me MKRS-në, e përmbushin mozaikun që kultura të jetë një tërësi./ KultPlus.com

Një rrëfim shqiptar në Festivalin e Filmit të Sllovenisë (FOTO)

Filmi i metrazhit të gjatë ‘A Dream’, me regji të regjisorit slloven Bostjan Slatensek, do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit në Slloveni, shkruan KultPlus.

‘A dream’ me skenar të Bostjan Slatensek e Aude Le Pape, ka gjysmën e kastës së aktorëve shqiptarë, gjysmën e ekipës së realizimit të filmit shqiptarë, e çka është më kryesorja trajton një temë shqiptare, të pasluftës së fundit në Kosovë.

Duke e trajtuar një temë mjaft interesante ‘A Dream’ apo ‘Ëndërr’, sjellë në kastën e aktorëve Aude Le Pape (Shpresa), Aleksandar Rajaković (Mark), May-Linda Kosumovic (Hana), Alketa Sylaj (Besa), Luan Jaha (Thomas).

Filmi tregon dy rrëfime dashurie. Rrëfimin e Markos, një ish-reporter i luftës i cili lëviz nga Lubjanë në Prishtinë për të punuar për një organizatë ndërkombëtare. Një mbrëmje në një bar, ai takon tre vajza: Shpresën, Besën dhe Hanën. Marko joshet nga Shpresa dhe gjithçka nis aty. Ndërkaq Hana dhe Besa kanë një marrëdhënie. Të dyja vajzat nuk kanë miratimin për këtë lidhje për arsye krejtësisht të ndryshme: Hana ka frikë nga përgjigjja e publikut, duke ditur se në shoqërinë patriarkale kosovare, një marrëdhënie mes dy vajzave është e pamundur.

Drejtor i Fotografisë në këtë film është Ibër Deari, muzika është bërë nga Vojko Sfiligoj dhe Bujar Berisha, kostumografia nga Leonora Mehmeti e producent Uroš Goričan. Kjo histori kosovare që jo rrallë herë e kemi dëgjuar do të shfaqet premierë të premten mbrëma në Festivalin e Filmit në Slloveni, i cili ka nis më 12 dhe zgjatë deri më 16 shtator. Filmi 112 minutësh do të tregoj këto dy rrëfime më 15 shtator me fillim nga ora 18:45. Ky është filmi i dytë i regjisorit, skenaristit e gazetarit Bostjan Slatensek./ KultPlus.com

Qëndrimi

Poem kosovar-kënga e parë e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Jam shqiptar
e kosovar;
zot e krenar,
zot e bujar
mbi këtë dhé,
q’e kam si fe,
e përmbi fé:
E kam vatan!
E kam atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë.
Ti shqa thërret,
ti shqa bërtet,
gjer lartë në retë
se jam barbar.
Jo, s’jam
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu
kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu
kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det
në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu
nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën
fushë
e malin
mal.
Unë jam këtu
e do të jem
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.

Publiku i Buenos Aires mrekullohet me paraqitjen e Ermonela Jahos e Saimir Pirgut, pesë minuta duartrokitje (VIDEO)

Mbrëmë është prezantuar shfaqja operistike “La Traviata”, ku rolet kryesore të kësaj shfaqjeje i janë besuar dy artistëve të mëdhenj shqiptarë: Ermonela Jahos e Saimir Pirgut, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho është shndërruar në rolin e Violetës në këtë shfaqje që është dhënë për publikun e Buenos Aires të Argjentinës, kurse Saimir Pirgu në atë të Alfredos, ku interpretimi i tyre ka bërë që publiku i Argjentinës të duartrokasë për pesë minuta në këmbë, për këta dy artistë shqiptarë dhe për pjesën tjetër të artistëve që kanë qenë pjesë e kësaj shfaqje.

Me një përkulje të thellë ka përshëndetur publikun Ermonela Jaho, dhe me emocione të njëjta është përshëndetë edhe Saimir Pirgu, të cilët emocionuan me këtë shfaqje që do të ketë reprizat e radhës më 15, 17 dhe 19 shtator.

Për më shumë emocionet mund tu ndiqni në videon më poshtë, video e cila është postuar nga Por Siempre Coloneros./KultPlus.com

Ansambli “Gjilani”, fitues i vendit të parë në Bullgari

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, është fitues i vendit të parë në Festivalin e të rinjve Ballkanik “Sandanski 2017”, Bullgari.

Ne këtë festival ndërkombëtar, “Gjilani” është paraqitur me këngë e valle tradicionale shqiptare.

Festivali i të rinjve Ballkanik, i cili mbahet në Sandanski-Bullgari, është një festival multi kulturor ku marrin pjesë shumë grupe të të gjitha zhanreve të muzikës dhe valëzimit.

“Në kategorinë e tradicionales, Ansambli ynë zuri vendin e parë në këtë garë, ku pjesëmarrës ishin të gjitha shtetet ballkanike”, thuhet në njoftimin për media të këtij Ansambli.

Me angazhimin maksimal të anëtarëve të këtij Ansambli dhe me punën e palodhshme të stafit udhëheqës, me mbështetjen e koreografes Arta Paspali, “arritëm që të triumfojmë sikur edhe në shumë festivale dhe evenimente tjera”.

“Këto ngjarje kulturore janë të mirëseardhura për rininë tonë, në veçanti, por dhe rininë e gjithë Ballkanit në përgjithësi, sepse bëjnë që të rinjtë tanë të shoqërohen me moshatarët e tyre, të njoftohen me kulturat e ndryshme në Ballkan dhe me gjerë”, theksohet në komunikatë.

“Vlen të theksohet se pjesëmarrja e Ansamblit “Gjilani” në këtë festival është mbështetur pjesërisht nga zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe i falënderohemi me këtë rast, njëkohësisht i bëjmë thirrje institucioneve që të shtohet vëmendja dhe mbështetja e Ansamblit “Gjilani” por dhe kulturës në përgjithësi, sepse vullneti i të rinjve po zbehet për t’i ruajtur dhe kultivuar vlerat tona kulturore”, ka thënë Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani”.

Në fund u tha se ky aktivitet është realizuar me punë të palodhshme nga Këshilli Artistik./KultPlus.com

Mitrush Kuteli, një shkollë e përhershme kundër batakçinjve

Shkruan Ndue Ukaj

Sot është ditëlindja e kolosit të letërsisë shqipe, Mitrush Kutelit, të cilin duhet ta kujtojmë dhe nderojmë me pietet e admirim të thellë.

Sepse, një popull që di t’i vlerësojë heronjtë e vetë të kulturës, atë vështirë e mbërthen plogështia, nuk bëhet preh e gjithfarë ideologjish e të vërtetash të shpifura politike, nuk ndjek udhën e batakçinjve, por të heronjve të vërtetë të dijes e të kulturës. Veprat e mëdha, siç është ajo e Mitrush Kutelit, janë pasuri kombëtare dhe ndihmojnë shëndetin e shoqërisë.

Pa dyshim, një popull që di t’i nderojë heronjtë e vërtetë të kulturës, ai qëndron stoik përballë të këqijave që e godasin dhe ka imunitet të mbrohet nga murtaja e gjuhës. Ai nuk lejon që para syve të tij të krijohen profetë të rremë, ashtu siç ngjet me ne.
Mitrush Kuteli është nga ata personalitete që kanë merita të jashtëzakonshme në formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare e kulturore.

Jeta dhe vepra e tij, janë një rrëfim që prek deri në palcë ndërgjegjen e njeriut.
Në momentet dridhmuese të jetës së tij, në testament drejtuar gruas Efterpit, ai shkroi: “Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.”

Pas kaq vitesh, ky profetizim i tij tingëllon tmerrues. Sepse letërsia shqipe vazhdon të jetë po kjo që na e përshkruan Kuteli.

Kuteli, ky mjeshtër i madh i rrëfimit, e gjeti rrugën e madhe të letërsisë dhe i dha kulturës shqiptare një vepër të pasur për jetë e mote. Një monument dije e arti, një vepër që na bën nder dhe na lartëson. Po, ai la një vepër që nuk mund ta trandin kohët, politikat e ideologjitë, sepse ajo ka fituar pakohësinë.
Kuteli, si pakkush, tregoi një dashuri krejtësisht të veçantë për atdheun. Testamenti i tij për fëmijët e tij është testament për secilin shqiptar që e do vendin e vet. Ai i porosit fëmijët që “ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”

Kuteli shkroi në mënyrë të veçantë edhe për Kosovën, për të cilën tregoi një dashuri të pashoq poetike.
E Kosova është e mbushur me gjithfarë përmendoresh e monumentesh, me vlerë e pa vlerë, me heronj të gjithfarshëm, por jo me heronj të kulturës. Kosova deri sot nuk i bëri një vend këtij kolosi, ashtu siç nuk u bëri vend dy personaliteteve shumë meritore, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.
Duke e nderuar dhe lartësuar Kutelin, ne e nderojmë dhe lartësojmë vetveten./ KultPlus.com

Nina Mula e Inva Mula sopranot shqiptare që mrekulluan me operën ‘Peshkatarët e Perlave’

Pas afro 53 vitesh rikthehet për herë të tretë opera ‘Peshkatarët e Perlave’ nga familja Mula.

Fillimisht në vitin 1964 sopranoja, Nina Mula (e ëma e Inva Mulës) interpretonte rolin e Lejlës në operën “Peshkatarët e Perlave” në TKOB, pikërisht më 7 mars, ku u vu në skenë me regji të Luigj Gurakuqit, dirigjim të Mustafa Krantjas dhe dekore e kostume të Shadan Toptanit, shkruan KultPlus.

Në vitin 1990-të, kjo vepër e mrekullueshme u vë sërish në skenë nga e bija e Nina Mulës. Është Inva Mula, tashmë një zë i njohur botëror që operën ‘Peshkatarët e Perlave’, e shkriu përmes zërit të saj. Ishte regjisor Nikolin Gurakuqi asokohe që ia besoi rolin kryesore Invës.

E tash pas afro 53 vitesh, kjo operë kthehet me një premierë të tretë me radhë. Inva Mula është ajo që sjellë regjinë dhe rolin kryesor të ‘Peshkatarët e Perlave’ të kompozitorit Georges Bizet. Kësaj radhe kjo operë do të shfaqet në Pallatin e Kongreseve më 22 shtator e njëkohësisht edhe do të hapë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Kjo vepër tashmë ka një histori shqiptare e cila po bartet brez pas brezi dhe kësisoj përveç Inva Mulës do të interpretojnë edhe emra të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani…

Ajo është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë./ KultPlus.com

Jam Shkëputur

Poezi e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Jam shkëputur e kam ikur shumë herë
Nga vendi im për në vende të largët,
Për një mot, për shumë vjet, përgjithënjë…
Dhe jam kthyer rishtas e rishtas
Në çerdhen time,
Nën qiellin tonë të lehtë,
Në ajrin e tejdukshëm.

Se malli i madh më digjte
Më hiqte në plëngun tim
Te varret e gjyshërgjyshërve.

Por kësaj here – më falni,
Do ik e s’do kthehem më:
– Ku? ku?
Në vendin e heshtjes së përherèshmejetshme,
Ku s’ka dhimbje e ankthe,
Por gjumë harrese
dhe qetësi të katërciptë…

Fëmijë,
Mos bëni gjëmë,
Po ngazëllohi, se prehem
Pas netesh pa gjumë.
Tani pushuan të gjitha dhembjet
Dhe ankthet.

Jam mirë
Dhe qetë
I parafjetur
Përngaherë.

…U nginja nga të lehtët e qiellit,
Nga ajri i tejdukshëm
Dhe dua
Peshën e rëndë të dheut
Dhe mugëtirën e heshtjes.
Qofshi shëndoshë,
Të lumtur!

Dosja e Kadaresë shkakton debate, kërkohet publikimi

Publikimi i 101 dokumenteve të periudhës komuniste mbi Ismail Kadarenë, të klasifikuara si “tepër sekrete”, kanë përfshirë në një debat të fortë protagonistët dhe jo vetëm.

Të dhënat e panjohura nga Arkivat e Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, procesverbalet e mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike, kritikat, letrat…deri edhe akuza, spiunime apo denoncimet kundër shkrimtarit, përpiqen të zbardhin të vërtetat e raportit të regjimit me Ismail Kadarenë.

“Surpriza është pikërisht kjo. Nga këto dokumente vihet re që diktatura komuniste paska pasur një arkivol të hapur gjithmonë për Ismail Kadarenë”, u shpreh Henri Çili, transmeton Shqip.

Mes të gjitha dokumenteve, botuesi Henri Çili veçon dy.

“Shokuese kanë qenë dy dokumente të reja: dëshmia në gjyqin e Todi Lubonjës, e të birit të Fatos Lubonjës, si dhe dëshmia e Llambi Ziçishtit. Ismail Kadare ka qenë personazh qendror i këtyre gjyqeve dhe jashtëzakonisht i rrezikuar. Fatos Lubonja thotë që babai, pra armiku Todi Lubonja, vlerësonte vetëm Ismail Kadarenë ose librat e ndaluar i merrte te Kadareja”, shprehet më tej Çili.

Por këto fakte kanë shtuar oreksin e studiuesve, për të mësuar edhe më shumë mbi pozitën e Ismail Kadaresë gjatë viteve ’70-’80, sidomos në dritën e zhvillimeve dramatike që patën gjykimi dhe ndëshkimi i miqve të tij në politikën e kohës, ku spikasin proceset gjyqësore të liberalëve në kulturë, Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami, si dhe komplotistëve të Mehmet Shehut.

“E pamë të logjikshme që ta nisim këtë proces të hulumtimit të letërsisë duke marrë në qendër korpusin e një prej shkrimtarëve tanë më përfaqësues, siç është Ismail Kadare”, shprehet Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Studimore “Kadare”.

Kjo do të kërkonte hapjen e dosjes së ndjekjes së Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit dhe proceseve politike ku është dëshmuar për shkrimtarin.

“Ne i kemi kërkuar autoritetit të dosjeve, në bazë të ligjit të ri si studiues, të shohim Kadarenë në proceset politike të viteve ’70-’80”, shton Çili.

E ndërsa hapja e dosjeve pritet t’u japë përgjigje shumë pikëpyetjeve, lidhur me të shkuarën komuniste të shqiptarëve, duket se mes tyre do të hapë jo pak debate në të ardhmen./ KultPlus.com

Sot shënohet 110-të vjetori i lindjes së shkrimtarit Mitrush Kuteli

Përkujtojmë sot 110-vjetorin e lindjes së mendimtarit dhe publicistit, shkrimtarit dhe përkthyesit, ekonomistit dhe atdhetarit, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), personalitet në historinë e letërsisë shqiptare, shkrimtar i klasit të parë, që e tejkaloi vdekjen dhe vazhdon të jetojë me veprën e tij, edhe pas ikjes fizike, në të gjithë trojet shqiptare, përcjell KultPlus.

Autori i “Hanet e karvanet”, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “I pasuri që ish i varfër fort”, “Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea”, “E madhe është gjëma e mëkatit” dhe bankieri i talentuar, jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare ne magjinë e liqenit të Pogradecit. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Nga viti 1924 ne Selanik kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit.

Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra. Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë.

Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin. Dhimitër Pasko u punësua në Bankën e Shtetit Shqiptar, si këshilltar në fushën e monedhës dhe më 16 maj 1947, pas 7 muaj hetuesi u dënua për agjitacion e propagandë me 5 vjet heqje lirie, ndërkohë që i humbet gjatë kësaj kohe vepra që kishte në shtyp përmbledhja me tregime “Dashuria e barbarit Artan”, “Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi”, një roman për burgun e Prishtinës, drama “Ura”, “Rrëfime me të gjallë e me të vdekur” dhe “Shënime ekonomike”.

Pas daljes nga burgu, strehë Kuteli pati përkthimin.

Një përkthyes i përsosur i Gogolit, Turgenjevit, Pushkinit, Gorkit, Tolstoit, Fadajevit, Shollohovit, poezi të Elyarit dhe Nerudës …Vitet që do të vijnë Kuteli i kthehet letërsisë deri më 4 maj 1967 kur ndahet nga jeta. Trashegimia letrare e Kutelit është e gjerë, e pasur dhe e fuqishme. Në të gjejmë, po të shprehemi me fjalët e autorit, “botën e vogël shqiptare, që pasqyron botën e madhe”. Është toka dhe qielli ynë, janë malet dhe fushat tona, ndrisin ditët dhe netët shqiptare, janë zërat e ngjyrat e tyre. Në këtë botë jeton e mbijeton njeriu shqiptar, të cilin shkrimtari e ka dhënë përmes rrëfimeve të tij me fizionomi e reliev të qartë shpirtëror e fizik.

Mitrush Kuteli dekorohet (Pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”./ KultPlus.com

Nis procesi i zhvendosjes së Ministrisë së Kulturës në Prizren

Një premtim i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që e kishte bërë gjatë një mbrëmjeje të fushatës elektorale në Prizren, ka mjaftuar që Ministria e Kulturës të nisë procesin e zhvendosjes së pjesshme në këtë qytet.

Ende pa vendim të Qeverisë, pa kurrfarë konsultash me institucionet qendrore të kulturës a ndonjë analize reale, kabineti i ministrit Kujtim Gashi është duke kërkuar objektin e ri në qytetin jugor.

Përderisa Ministria ende nuk e di se çfarë do të bëhet saktë në këtë drejtim, drejtuesit e institucioneve qendrore të kulturës këtë e shohin si veprim të gabuar. Ka prej tyre që konsiderojnë se bëhet fjalë për veprim të pastër politik.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, të martën ka thënë se tashmë është në konsultime me Komunën e Prizrenit sa i përket objektit ku do të vendoset një pjesë e MKRS-së.

Sipas tij, kjo pjesë e MKRS-së do ta ketë një objekt brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Ai ka renditur një sërë arsyesh për këtë hap, megjithëse ende nuk ka ndonjë arsyetim zyrtar të paraqitur para Qeverisë së Kosovës, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Posta e Kosovës vë në qarkullim pullën postare “Veshja popullore e Medvegjës”

Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin e pullës postare “Veshja popullore e Medvegjës”, përcjellë KultPlus.

Emisioni përmban dy pulla postare me vlera nominale: €2 dhe €1, blloku 2€ si dhe Zarfi i Ditës së Parë. / KultPlus.com


The Guardian: Liqeni i Ohrit, një nga 10 bukuritë e Evropës

“Nuk duhet të jeni buzë detit që të shijoni plazhet dhe sportet e ujit. Resortet buzë liqeneve ofrojnë gjithashtu plazhe, shëtitje me varkë, ngjitje në mal dhe pamje mahnitëse”.

Kështu e përshkruan britanikja “The Guardian” në një artikull pamjen rreth liqeneve duke listuar 10 qytetet dhe fshatrat më të bukur në Evropë buzë liqeneve. Dhe në vend të parë është Liqeni i Ohrit dhe banimet rreth tij. Ohri, liqeni më i thellë dhe më i vjetër në Evropë.

“I ndodhur në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ky liqen është një nga më të thellët në Evropë.

Vizitorët mund të zgjedhin të bëjnë dhe zhytje apo eksplorime në ujë, ngjyrat e të cilit janë herë blu e herë jeshile, -shkruan ‘The Guardian’. /KultPlus.com

Baresha

Vargje të shkëputura nga poezia “Baresha”, e gjetur dorëshkrim në një fletore të dramaturgut, shkrimtarit Hasan Dajaku.

Randë asht më mbajtë
peshën e zemrës së
thyeme,

Pesha e tokës besoj asht
ma e lehtë,
Shpirti randohet tepër,
lajthit… dëshiron t’mos jetë!
Kështu mendon e rënduar
n’kujtime Syzana
Bareshë!…

Të bukura kanë qenë ato
mote t’kaluara, t’fëminisë,
Me andrra e thura t’ardhmen e lumnueshme,
Jetën e qendisa me plot
lule, si këto tash n’këtë rizë,
Vallë, ç’të baj kur jeta s’mi
fali, ishin të andrrueshme.

Qyqja këndon mbi shkamb,
Baresha vrahet n’kujtime….
Lulet e bardha t’pranverës
sime…

Jeta vijë e gjatë me shtigje
e humnera,
Koprrace asht, lumninë
shpesh nuk e falë,
Kanga e vajit gufon
në zemra të shterruna,
Njerëzit gdhendin n’to pa
ditë zjarrin që djeg i valë.

Prej qiellit kah toka si rrufe
vërsulet nji korb i zi,
Qyqja e tmerruar ndal
kangën, struket poshtë në
vërri,
Zogjtë pushojnë së
kënduari, shikojnë plot
habi,
Nga zemra e vërrinit jehon
kanga e fyellit të ri.

Kokëulur ec Syzana, si lule
e vrame prej bryme,
E randë, e madhe mbi kokë
i peshon nji peshë,
Fytyrën të mbështjellë e
mban në nji kornizë
shamije,

“Anëve më shique s’asht
mirë, bota qesh!”

Vjollcë e mbetun n’vetmi
prej kohës e lanë n’harresë,
Lule e fikun n’errësi, dafinë e thame
pa vesë,
Drandafile e vyshkun, herët
e ndarë prej dijes,
” – Çikë e shtëpisë së
ndershme je, i thonë,
shkolla nuk të ka hijë!”

O diell i zjarrtë, jetë e kësaj
toke,
Gjallëri i jep çdo gjëje kur ti
ngroh, buzëqesh,
Buzët e kësaj drandofileje
që u fikën ndër mote,
Si shëron të shohim duke
qesh’.

Petrit Halilaj çon Okarinën e Runikut në New Museum në Amerikë

Një ekspozitë e artistit Petrit Halilaj do të hapet nesër në një prej institucioneve artistike më prestigjioze në Nju Jork.

Bëhet fjalë për New Museum, ku Halilaj nga data 26 shtator do të ekspozojë projektin e tij më të ri që ka pikënisje Runikun, qytetin ku ai ka lindur dhe një pjesë me vendbanimet më të hershme neolitike, ku një pjesë e mirë e artefakteve janë gjetur gjatë gërmimeve, shkruan KultPlus.

Mes tyre është edhe Okarina e Runikut, e cila paraqet një trashëgimi të palejueshme për Kosovën pasi është pjesë e koleksionit të objekteve që mbahen nga Qeveria Serbe.

Halilaj, siç përshkruhet në konceptin e ekspozitës, do ti japë formë trashëgimisë e cila ekziston vetëm në imagjinatën e njerëzve.

Halilaj para pak muajsh ka marrë Mirënjohje Speciale në Bienalen e Venecias, në kuadër të ekspozitës Viva Arte Viva. Puna e tij gjithmonë është si provokim artistik për tema të ndryshme, midis tyre edhe një Muze i Natyrës në Kosovë.

Ekspozita në New Museum në Nju Jork ka për kuratore Helga Christoffersen. Kjo ekspozitë vërteton edhe një herë sa i rëndësishëm është artisti Halilaj dhe me sa hapa të fuqishëm po ecë drejt galerive dhe muzeve më prestigjiozë në botë. / KultPlus.com

Ben Apolloni me shfaqjen ‘Natë misterioze’ në teatrin ‘Aleksandër Moisiu’

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës kësaj radhe do të mirëpres një shfaqje të re dhe shumë të veçantë, provat për të cilën tashmë veç kanë filluar, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Natë misterioze” të autorit Ferdinand Hysi, e të cilën në skenë do ta sjellë regjisor nga Kosova Ben Apolloni.

Drama, rrëfen për një takim misterioz të katër personazheve që nuk e dinë se kush janë dhe janë në kërkim të identitetit. E kjo i bën që të shkojnë në një vend misterioz, në një shtëpi misterioze dhe të takohen me personazhe tjerë, që janë shumë misterioz. Se a do të zgjidhen gjithë këto mistere të një nate, mbetet të shihet në premierë.

Shtatë personazhet e kësaj drame do t’i sjellin në skenë aktorët: Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Xhejni Fama, Amos Muji Zaharia, Gjergj Doçi, Marvin Tafaj dhe Ervin Doko.

Për datën e premierës ende nuk është vendosur, por KultPlus do të ju njoftoj me kohë. / KultPlus.com

10 librat më të lexuar nga të rinjtë shqiptarë

Në bazë të një ankete të realizuar nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, ne ju njohim me 10 librat më të lexuar nga të rinjtë shqiptarë. Sa prej tyre keni lexuar ju dhe a mendoni se këta libra e meritojnë të jenë në këtë listë, e vlerësoni vetë, përcjellë KultPlus.

Në bazë të anketës 10 librat më të lexuar nga të rinjtë shqiptarë janë:

1. Gjuetari i balonave – Khaled Hosseini
2. Harry Potter – J. K. Rowling
3. I huaji – Albert Camus
4. Alkumisti – Paolo Coelho
5. Kodi i da Vinçit – Dan Broën
6. Princesha – Jena Sasson
7. Harku triumfit – Erich Maria Remarque
8. 1000 diej vezullues – Khaled Hosseini
9. Kur qau Niçja – Irvin D. Yalom
10. Lufta dhe Paqja – Leo Tlstoy. / KultPlus.com

Argjentina sonte merr frymë shqip me Ermonela Jahon dhe Saimir Pirgun

Sonte Argjentina do të frymojë më shqip se asnjëherë.

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu do të ngjiten në skenë për shfaqjen “La Traviata”.

Kjo shfaqje operistike e Verdit që do të prezantohet në Shtëpinë Operistike në Buenos Aires sonte, vjen me rolet kryesore pikërisht nëpërmjet artistëve shqiptarë, ku Ermonela Jaho do të paraqitet në rolin e Violetës, kurse Saimir Pirgu në atë të Alfredos. Kjo shfaqje më pas do të ketë edhe reprizat më 15, 17 dhe 19 shtator.

Artistëve do tu bashkohet në skenë edhe Fabian Veloz në rolin e Germontit. Biletat për shfaqje shiten duke filluar nga 140 dollarë.

Koncerti i datës 17 shtator do të transmetohet edhe drejtpërdrejt në www.teatrocolon.org.ar / KultPlus.com

Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe…

Poezi nga Refik Durbas.

Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe,
Do të vije, unë do të lija cigaren,
Në vend të pullave të nikotinës,
Do më rridhte në vena shiu
Dhe vetëvrasja e plakjes,
Dhe vera e kaluar e rinisë…

Fëmijët do të luanin kukafshehti me shiun,
Do të zbukuronin rrugët me të qeshura,
Një harabel me flatra argjendi
Do të bëhej loja e fëmijëve…
Dhe unë do të isha balona e harabelave.

Gjiri yt i kthjellët si ylberi
Do të rrethonte netët e mia,
Në ballë do ta puthja errësirën
Ulërimën tënde më të gjatë se e gjata
Në qerpikët e zinj ngecur
Frikën dhe aromën tënde…

Ah! Zjarri i prekjes tënde
Si uji që ka ngrirë në acar,
Dëshira për t’u bërë jorgani yt,
Digje majën e flokut më të hollë
Me buzët e puthjes, prekjes, nuhatjes,
Do të të puthja…

Me krahët e erës do të përqafoja
Trupin tënd që i rri i vogël trupit tim…
Ti nuk erdhe, vjeshta erdhi herët
Hija ime nga pragu i dritareve
I ra pas dashurisë tënde të zezë…
Dhe zemra i ra pas trishtimit, dëshpërimit…

Tani pres të kthehesh
Siç më ka marrë malli të ikësh…
Që të më ushqesh
Me pasionin e dashurisë tënde në errësirë
Të më mbytësh me uraganin tënd të zi
Të më harrosh në errësirën tënde të zezë.

Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe…

Aktori Ralph Fiennes bëhet shtetas i Serbisë

Serbët po vazhdojnë të veprojnë në të mirë të diplomacisë së tyre kulturore.

Kësaj radhe, shteti serb i ka dhënë shtetësinë aktorit të njohur Ralph Fiennes. Aktori britanik i njohur për rolet e tij në “Grand Budapest Hotel”, “Skyfall” e “Spectre”, mes tjerash, tanimë është shtetas i Serbisë.

Ai e ka pranuar shtetësinë në një ceremoni ku ka qenë e pranishme edhe Ana Brnabic – kryeministre serbe që nga qershori i këtij viti, shkruan KultPlus.

Aktori momentalisht po xhiron në Beograd, për filmin kushtuar valltarit legjendar Rudolf Nureyev.
Aktori ka qenë i pranishëm edhe në inaugurimin më herët këtë vit të Presidentit serb Aleksandar Vuqiq. / KultPlus.com

‘Tradhti me letra’ pjesë e ‘BBB Short Film Festival’ në Bruksel

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Tradhti me letra’ i regjisorit Valmir Tertini do të shfaqet në edicionin e 8-të në ‘BBB Short Film Festival 2017’, shkruan KultPlus.

Këtë vit Balkans Beyond Borders (BBB), së bashku me Inter Alia, sjellin filma të Ballkanit nga brezi i ri i filmave ballkanikë dhe fryma ballkanike në zemër të Evropës, në Bruksel.

Filmat e shkurtër nga Sllovenia në Greqi dhe nga Shqipëria në Turqi do të prezantohen në “Art Base” për tre net, 13 deri më 15 tetor, data këto sa do të zgjasë festivali.

“Tradhti me letra”, flet për Meritën e cila ka pranuar që Azemi, burri i saj të martohet me një grua gjermane sa për t’i bërë letrat. Merita dhe Azemi kanë një vajzë. Pas katër viteve, Ana gruaja e Azemit insiston të vijë në Kosovë për të parë se ku ka jetuar burri i saj. Azemi, Meriten e prezanton si motrën e tij kurse gocën si mbesë të tij. Atë natë, të gjithë flenë, ndërsa Merita nis të qaj te pragu i derës, përballë dhomës së Azemit dhe Annës. Merita aty ndjenë tradhtinë e hapur.

Ky film i regjisorit kosovar, ka temën e njëjtë me atë të festivalit. Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Albulena Kryeziu, Alexandra Waluk, Fisnik Zeqiri, Granit Shala, Molikë Maxhuni dhe Nexhip Nexhipi.

Filmi që zgjat rreth 19 minuta, deri më tani ka fituar 9 çmime. / KultPlus.com

Kur Tolstoi ndahet nga gruaja, një letër e sinqertë për Sofinë

Leon Tolstoi nuk mendonte asnjëherë se ishte i aftë të braktiste një grua. Kur Sofia Andrejevna hyri në jetën e tij, ai e kuptoi se ajo shumë shpejt do të bëhej e pazëvendësueshme. Pasioni i saj për shkrimin bëri që dashuria e tyre të kalonte në dimensione të tjera njerëzore, pa të cilat shkrimtari mendonte se nuk mund të jetonte më. Sofia ishte njeriu që ai i besonte dorëshkrimet, ajo që hidhte në makinën e shkrimit mendimet e tij.Romani voluminoz “Lufta dhe Paqja” u hodh në letër nga ajo.

“Shumë shpesh gjatë jetës sime,kur po kopjoja vendet veçanërisht ato poetike dhe të mrekullueshme në veprat e burrit tim, qaja jo vetëm ngaqë prekesha, por edhe nga kënaqësia artistike që përjetoja bashkë me autorin”, do të shkruante ajo në kujtime. Ajo nuk ishte vetëm gruaja, apo dashnorja por dhe njeriu që mbante ekonominë e familjes, duke i dhënë një siguri shkrimtarit që të vazhdonte të shkruante i qetë.

Pas një martese të suksesshme 48 vjeçare me 18 fëmijë, shkrimtari ndjente se do donte të arratisej qoftë disa orë për tëqene vetëm. Krizat nervore të cilat Sofia nisi të jetonte nisën ta shqetësonin, aq sa dëshira që një mëngjes të zgjohej pa të filloi dhe u bë e zakonshme.

Por Tolstoi nuk pati guximin që një ditë ta mbyllte derën e apartamentit ku jetonte me të dhe të ikte, rrugicë apo apartament tjetër. Këtë vendim shkrimtari do ta merrte vetëm pak kohë para se të ndërronte jetë, duke menduar se “nuk është asnjëherë vonë për të bërë atë që do”. Ishte 82 vjeç, kur një tetor kur shirat sapo kishin filluar mbylli përgjithmonë derën e apartamentit, për të mos u kthyer më kurrë.

Në tryezë do të linte një letër ku i shkruante së shoqes:

“Jam nisur… Nisja ime do të të lëndojë. Me keqardhje, por përpiqu të besosh e të më kuptosh, nuk mund të veproja ndryshe. Situata ime më është bërë e padurueshme, me vetëdijen se sa peshon jeta (midis të pasurve… të mjerëve) e përsëri vazhdoj të jetoj në kushtet kriminale të një luksi të shfrenuar në mes të mizerjes së gjithë atyre që i rrinë përqark.

Bëj vetëm atë që bëjnë pleqtë, mijëra pleq, njerëz pranë vdekjes… (shkojnë më larg se kushtet e gjendjes së tyre shpirtërore ua lejojnë) e po iki. Pothuajse gjithmonë ata shkojnë nëpër manastire, edhe unë do ta bëja, po të besoja në atë çka manastiret besojnë. Duke mos i besuar, po iki thjesht në vetmi… Më është e domosdoshme të jem vetëm. Të lutem të më kuptosh e të besosh se nuk mund të sillem ndryshe.

Gjendja ime në këtë shtëpi është e pa tolerueshme. Të lutem, mos më kërko e mos hajde tek unë, as po e more vesh se ku ndodhem. Lamtumirë (shoqëruesja e 48 viteve të jetës sime…) e unë të falënderoj për 48 vitet e një jete të ndershme të kaluar me mua, për kujdesin ndaj meje e fëmijëve (të lutem pranoje këtë situatë ku të shtyn nisja ime e mos më kujto për keq…). Të lutem, falmi tërë gabimet që kam bërë ndaj teje e unë do të fal të tuat, të lutem pranoje këtë situatë të re, rrjedhë e largimit tim nga shtëpia e mos ki ndjenja të këqija ndaj meje, ashtu siç unë nuk kam për ty. Se do të më nisësh ndonjë lajm, bëje me anë të Sasës (e bija), ajo e di se ku ndodhem e më ka premtuar se nuk do t’i tregojë askujt”.

Më në fund Tolstoi ishte i lirë. Janë pafund letrat e dashurisë që ai shkroi gjatë jetës për të, por ashtu siç shkroi dhe në librat që la pas “një dashuri në jetë asnjëherë nuk mjafton”. Diku ai shprehet se “Në emër të cilës dashuria duhet të veprojë dhe si duhet të veproj? Cilën dashuri duhet të sakrifikoj për tjetrën?”.

‘Asgjë Sikur Dielli’ do të performojë në “The night of the rising stars”

Këshilli Amerikan për Edukim Ndërkombëtar organizon mbrëmjen për ngritje të fondeve të bursës KAEF (Fondit Kosovaro Amerikan për Edukim ) të quajtur ‘The Night of the Rising Stars’ (Mbrëmja e yjeve në ngritje), shkruan KultPlus.

Kështu, më datë 15 shtator, në ambientet idilike të muzeut etnologjik në Prishtinë, duke nisur nga ora 19:00, do të mbahet një gala mbrëmje me qëllim të mirë, ku grupi i mirënjohur kosovar ‘Asgjë Sikur Dielli’ do të jetë mysafir i veçantë dhe do t’i performojnë hitet e tyre për mysafirët e mbrëmjes.

“The Night of The Rising Stars” do të jetë ngjarje bamirësie me qëllim të përkrahjes së të rinjve të talentuar Kosovarë përmes bursës për programe master – KAEF.
Njëherësh, kjo mbrëmje synon që t’i festojë të arriturat e Kosovës në fushën e edukimit dhe t’i falënderojë donatorët që përmes përkrahjes së tyre e bëjnë të mundur jetëgjatësinë e kësaj burse prestigjioze.

Në realizimin e kësaj mbrëmjeje kanë kontribuar: Limak Kosova, Recura Financials, KOSTT, Raiffeisen Bank, BPB, Roche, Cacttus, Muzeu i Kosovës, Korporata Rugovë, Finesë, Stone Castle, Meridian Corporation, Restorani Tiffany, Gagi Print, AVC, Amël, Hotel Nartel dhe Rrota.

Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) ofron bursa për studime master në disa prej universiteteve më të mira amerikane. KAEF është burim i rëndësishëm për studentët e talentuar Kosovarë që të fitojnë dituri shtesë dhe të njihen me mundësi të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më sot, KAEF ka ndarë 92 bursa që nga viti 2005 për një grup të rinjsh të talentuar nga Kosova.

Biletat për gala mbrëmjen mund të blihen tek zyret e Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar, Rr. Fehmi Agani, no. 46/3, 10000 Prishtinë, Kosovë, për 30 Euro apo edhe në Tartine Grande. Numri i biletave është i limituar. Të gjitha përfitimet nga shitja e biletave do të kontribuojnë në fondin e bursës KAEF. / KultPlus.com

Pse të besosh në Zot? Përgjigjet Kierkegaard

Një prej filozofëve danezë më të njohur, e i cili konsiderohet edhe si themelues i ekzistencializmit bashkëkohor, Soren Kierkegaard (1813-1855), përgjigjet në pyetjen pse ti besosh Zotit?

Sipas tij, njeriu mund të jetë vetvetja vetëm para Zotit.

“Njeriu vjen në jetë me gjithçka, i pajisur me jetë materiale dhe me shpirt. Gjithçka na është dhënë që mendja jonë të pasurohet sa më tepër që është e mundur. E vërtetë, supozohet që do të vuajmë, por në asnjë moment unë nuk e kam humbur shpresën. Fuqishëm i kam bërë ballë jetës” tregon Kierkegaard.

***

France Culture po e transmeton një dokumentar radiofonik ku tregohet më shumë mbi këtë diskutim. Kierkegaard thotë se si i vogël i është bindur gjithçkaje, por asnjëherë idesë që të mos jetë një zog i lirë.

“I kam kërkuar kohë më parë Zotit të më japë zellin dhe durimin e nevojshëm që unë ta kryej detyrën të cilën ai vetë ma ka dhuruar. Unë arsyetoj nga ekzistenca, jo përreth ekzistencës. Duhet ta kërkojmë Zotin, por ndonjëherë mëkati ynë na pengon që ta bëjmë këtë” pohon filozofi, shkruan KultPlus.

***

Kierkegaard e ka thënë moti se ekzistenca e Zotit nuk mund të vërtetohet. Ai gjithmonë e ka potencuar se Zoti është përtej nesh, njëjtë edhe ekzistenca e tij. Ai thotë se megjithatë, vendimi më i mirë në jetë është të jetojmë të mbështetur tek Zoti. / KultPlus.com