Rita Ora shkon në Bullgari pas shkeljes së rregullave të karantinës në Britani të Madhe

Ylli i hitit “Anywhere”, Rita Ora, ka ikur nga Britania e Madhe duke udhëtuar drejt Bullgarisë, kjo pasi është kritikuar jashtë mase nga publiku i gjerë për shkak të shkeljes së rregullave të karantinës.

Këngëtarja me prejardhje kosovare u bë kryelajm në Angli pasi e mblodhi një grup të miqve të saj në një restorant në Londër, për ta festuar ditëlindjen e saj të 30-të. Ky veprim i Orës ishte në kundërshtim me rregullat e karantinës në vend, të caktuara nga qeveria prandaj edhe pranoi kritika të shumta publike nga mediat dhe njerëzit e thjeshtë në rrjetet sociale.

Me vendimin e saj të fundit për të ikur në Bullgari ku do të qëndrojë për pjesën e mbetur të vitit, këngëtarja simpatike duket se shpreson të largohet për ca kohë nga qendra e vëmendjes së publikut.

“Rita po ndjehet shumë keq për gabimin që e ka bërë me rastin e ditëlindjes, por megjithatë ka vendosur ta angazhojë veten me punë dhe kështu ta largojë mendjen nga situate e fundit. Pjesën më të madhe të vitit ajo e ka kaluar duke punuar në muzikën e saj, dhe tani po shpreson të rikthehet me këngë të reja në fillim të vitit 2021, përfshirë këtu edhe videoklipin e fundit i cili për momentin është duke u xhiruar në Bullgari. Ajo nuk dëshiron të jetë në Londër në këtë koha, prandaj e ka rezervuar një pushim relaksuar për festat e fundvitit, me shpresë se në janar do të mund ta fillojë vitin e freskën. Largimi për të reflektuar mbi gjithçka që ka ndodhur së fundmi, është shumë me rëndësi për të”, citohet të ketë thënë një burim i afërt i këngëtares për gazetën “The Sun”.

Rita Ora ishte gjobitur me një shumë prej 10 mijë funtesh për shkeljen e rregullave të karantinës, muajin e kaluar.

Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja kishte deklaruar se është penduar për këtë veprim, dhe i vjen keq që i ka vënë në rrezik jetët e personave të tjerë.

“Përshëndetje të gjithëve, unë e kam organizuar një ndejë të vogël me miqtë e mi, për ta festuar ditëlindjen e 30-të. Ishte një vendim i momentit dhe i gabuar, prandaj më vjen shumë keq që i kam thyer rregullat e karantinës. Po ashtu e kuptoj se ky veprim i ka vënë në rrezik jetët e njerëzve tjerë. Tani e kuptoj sa veprim i papërgjegjshëm ishte, dhe marrë përgjegjësi të plotë për këtë. Në veçanti më vjen turp kur e di personalisht, se sa shumë njerëz po punojnë me shumë mund për ta luftuar këtë sëmundje të tmerrshme, dhe jam e vetëdijshme për sakrificat që njerëzit dhe bizneset e ndryshme janë dashur t’i bëjnë për shkak të sigurisë sonë. Edhe pse e di që kjo nuk e rregullon gabimin tim, megjithatë dua të kërkojë falje të sinqerta”, kishte deklaruar Ora./ KultPlus.com

Nisin provat e Festivalit të Këngës, kësaj radhe mbahet në shesh

Festivalin e 59-të të Këngës nuk e ndal as nga pandemia Covid 19. Ndonëse, në mungesë të orkestrës së RTSH, 26 këngëtarët në garë dhe organizatorët kanë nisur provat në skenografinë e realizuar, si rrallëherë në ambiente të hapura tek “Kolonat”. Regjisori Pali Kuke e cilëson këtë festival të veçantë, sepse kjo muzikë është për jetën.

“Është një festival shumë special, mund të titullohej festivali që s’do bëhej, i murtajës edhe i pandemisë, që ka ngrirë të gjithë botën. Të gjithë jemi prekur nga të afërmit tanë që luftuan edhe humbën jetën nga kjo murtajë. Të rezistosh, të luftosh për të  bërë festival sjell muzikë për dashurinë për jetën. Ky është lajtmotivi i një qëndrese të madhe tek të gjithë njerëzit, këngëtarët edhe të gjithë të tjerët, që punojnë për këtë produkt artistik”, tregon Kuke.

Kuke tregon se ky festival në zemër të qytetit vjen për të përcjell një mesazh të fortë të gjithë njerëzve që u është dashur të përballen me këtë situatë të vështirë të krijuar për shkak të pandemisë Covid 19.

 “Tek të gjithë ndihet dashuria që do ta bëjmë. Artistët kanë kaluar provat natën dhe janë përballë me lagështirën, sepse duan që të mos çedojë asgjë. Po ecim mirë. Festivali hapi krahët edhe doli në zemër të qytetit, doli nga skena, luksi edhe që është rezauruar. Aty mbase do kthehemi, por do që t’i flas qytetit që t’i kthehet jetës normale, duke përballuar këtë qenie mostër, që me grepat e tmerrshëm u ngul edhe solli vdekjen gjithkund. Kjo është e gjithë arsyeja përse po bëjmë festivalin”, thotë Kuke.  

Festivali do të regjistrohet në datë 16-17 dhe 18 dhjetor 2020, ndërsa do të transmetohet për publikun në ditën e fundit të këtij viti. /Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Kristo Luarasi dhe shtypshkronja e parë për botime shqip në Bullgari

Një ndër patriotët e shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe asaj të pas shpalljes së Pavarësisë, të cilët gjithë jetën e tyre e vunë në shërbim të çështjes kombëtare duke mos kursyer asgjë për të mirën e Shqipërisë, padyshim që është dhe Kristo Luarasi.

Pasi shërbeu disa kohë si mësues i gjuhës shqipe në fshatrat e krahinës së tij, emigroi në Bukuresht dhe më pas në Sofje të Bullgarisë, ku hapi të parën shtypshkronjë për shtypjen e librave, gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe, të cilat më pas i shpërndanin falas kudo ku kishte shqiptarë.

Sipas dëshmive të nipit tij, Genc Luarasi, gjyshi i tij, Kristo Stefan Luarasi, u lind më 15 dhjetor 1875 në fshatin Luaras të rrethit të Kolonjës, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së babait të tij, Stefan Kicit, varri i të cilit ndodhet edhe sot në fshatin Zvininë të Korçës. Menjëherë pas mbarimit të shkollës, kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç, me interesimin direkt të mësuesit të tij, Petro Nini Luarasit, Kristo ishte një nga ata djem kolonjarë që u përzgjodhën dhe u emëruan si mësues të gjuhës shqipe në nënprefekturën e Kolonjës, duke shërbyer në Vodicë dhe Luaras.

Po kështu, edhe gruaja e Kristos, Polikseni, e cila ishte një nga vajzat e vetme që u diplomua në shkollën e djemve në Korçë, shërbeu si mësuese në Shkollën e Vashave në qytetin e Korçës. Kristo Luarasi nuk shërbeu për shumë kohë si mësues në fshatrat e Kolonjës, pasi shkollat shqipe u mbyllën nga Porta e Lartë e Stambollit dhe ai u detyrua që të emigronte jashtë Shqipërisë. Fillimisht ai u vendos në Bukuresht të Rumanisë dhe më pas ai shkoi në Sofje të Bullgarisë, ku shqiptarët kishin ngritur koloninë e tyre. Pas disa viteve pune si tipograf në një shtypshkronjë bullgare, me paratë e kursyera, Kristo bleu vetë një shtypshkronjë, të cilës i vuri emrin “Mbrothësia” dhe e ktheu atë tërsisht në shërbim të shtypjes së librave në gjuhën shqipe.

Kristo, shtyp “Kalendarin Kombiar” në Sofje

Pas ngritjes së shtypshkronjës së tij, në vitin 1897, Kristo nisi botimin e Kalendarit Kombiar (Kombëtar), të cilin e botoi për 17 vjet me radhë. Për botimin e atij kalendari i cili u shpërnda kudo ku kishte shqiptarë, Kristo bashkëpunoi ngushtë me disa nga patriotët më të njohur shqiptarë të Rilindjes Kombëtare të asaj periudhe, duke botuar dhe shtypur aty gazetat shqipe: “Drita” dhe “Liria e Shqipërisë”, si dhe rreth 150 tituj librash të autorëve të njohur shqiptarë si: Naim, Sami dhe Mit’had Frashëri, Faik Konica, Sotir Qirjazi, Spiro Dine, etj. Në vitet 1896-1920, krahas shtypit periodik shqiptar, në atë shtypshkronjë u shtypën edhe mjaft libra shkollorë në gjuhën shqipe, shumica e të cilave më pas u shpërndanë falas në të gjitha viset shqiptare, dukë përfshirë edhe Kosovën. Gjatë atyre viteve që Kristo Luarasi kishte në pronësinë e tij atë shtypshkronjë, ai mbajti një ngarkesë të madhe duke punuar edhe si tipograf, botues, drejtor gazete etj, pa u shkëputur asnjëherë edhe nga publicistika, duke qenë një nga mbrojtësit e flaktë të çështjes shqiptare.

Në vitin 1809, pas shpalljes së Hyrjetit, Kristo u largua nga Sofja dhe u vendos në Selanik të Greqisë, duke menduar se aty do të ishte më afër Shqipërisë dhe do të ndihmonte më shumë në përhapjen e librave shqipe. Në qytetin e Selanikut ai e shtoi së tepërmi aktivitetin patriotik dhe në shtypshkronjën e tij arriti që të botonte deri në 60 tituj librash, gazetash dhe revistash në gjuhën shqipe, ndër të cilat edhe atë të Mihal Gramenos. Por, pas disa kohësh, në vitin 1911, ai u rikthye përsëri në Sofje, pasi në qytetin e Selanikut rrethanat politike që u krijuan, jo vetëm që nuk e favorizonin aktivitetin e tij patriotik, por e pengonin ndjeshëm atë. Një vit më vonë, në nëntorin e 1912-ës, ai përshëndeti shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë, së cilës i ishte kushtuar me të gjitha energjitë që nga rinia e tij. Në vitin 1915, Kristo Luarasi rinisi botimin e gazetës “Liri e Shqipërisë”, të cilën e mbajti deri në vitin 1920, kur pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ai vendosi dhe u rikthye përfundimisht në Shqipëri.

Rikthimi i Kristo Luarasit në Shqipëri në 1920-ën

Pas kthimit në Shqipëri, Kristo Luarasi u vendos familjarisht në Tiranë, duke u strehuar fillimisht në një shtëpi të familjes së njohur tiranase, Stërmasi. Aty ai banoi deri në vitin 1923, dhe në atë kohë ai bleu një shtëpi në Rrugën e Kavajës. Pasi u stabilizua në banesën e tij, diku afër sajë ai ngriti edhe shtypshkronjën (“Mbrothësia”) që kishte pasur në Sofje, e cila që nga ajo kohë e më pas filloi të njihej si: Shtypshkronja “Luarasi”. Ashtu si edhe në Bullgari, nga viti 1923 e deri në vitin 1947, në atë shtypshkronjë u shtypën me dhjetra tituj librash dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe, si dhe mjaft nga botimet e enteve shtetërore të qeverive të atyre viteve.

Krahas tyre, gjatë asaj periudhe kohe dhe sidomos pas vitit 1934 kur ajo shtypshkronjë mori emrin “Shtëpia Botuese Luarasi”, aty u shtypën dhe u botuan edhe një sërë librash artistikë, gazetash e revistash, si: “Arsimtari”, “Flamuri”, Arësimi” (1922), “Shqiptari i lirë” (1923), “Ku vemi” (1924), “Shqipnia” (1926), “Mësuesi” (1927) “Bashkimi i Kombit” (1942), etj. Në Shtypshkronjën “Luarasi” u botuan edhe një sërë tituj librash të autorëve mjaft të njohur shqiptarë dhe të huaj, si: De Rada, Sterjo Spasse, Mit’hat Frashëri, Haki Stërmilli, Nexhat Hakiu, Thoma Floqi, Xhevat Belegu, Milto Sotir Gurra, Viktor Hygo, Honore de Balzak, Aleksandër Dyma, De Foe, Alfons Dode, Leon Tolstoi etj. Kristo Luarasi u nda nga jeta në vitin 1934 dhe që nga ajo kohë e më pas shtypshkronja dhe shtëpia botuese që ai kishte në pronësi, u administrua nga familja dhe të afërmit e tij. Jeta dhe vepra e patriotit kolonjar Kristo Luarasi, nuk u vlerësua vetëm gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, por aktiviteti i tij patriotik në shërbim të ëështjes shqiptare u njoh dhe u vlerësua edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili në vitin 1962 e dekoroi atë me Urdhërin e Flamurit të Klasit të Dytë për “Veprimtari Patriotike”.

Po kështu edhe pas viteve ’90-të, me rastin e 80-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë, ai i nderua me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Për jetën dhe aktivitetin patriotik të Kristo Luarasit, është shkruar gjerësisht në mjaft libra, gazeta, revista të vendit dhe të huaja, si dhe në botimet e Akademisë së Shkëncave të Shqipërisë dhe tekstet e historisë së Shqipërisë. Madje, Fan Noli në një fjalim të tij të mbajtur në një përvjetor të Shpalljes së Pavarsisë në SHBA, e ka konsideruar Kristo Luarasin si një nga 28 pionerët e krijimit të shtetit shqiptar. Ndërroi jetë më 8 korrik 1934 në Tiranë. /tema/ KultPlus.com

Shishja e parë e vaksinës anti-COVID do të vendoset në muze

Shishja e parë e përdorur për të administruar vaksinën anti-Covid të Pfizer, do të vendoset në një muze në Londër.

Më 8 dhjetor një grua 90-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar, Margaret Keenan është e para që u vaksinua kundër COVID-19. Shishja historike, dhe shiringa që u përdor, do të ekspozohen kështu që prej fillimit të vitit të ardhshëm në Muzeun Shkencor të Londrës, përkatësisht në pavijonin e historisë së mjekësisë.

Vaksina mund të konsiderohet së shpejti edhe si një prej triumfeve më të mëdhenj të shkencës, pasi ofron një dritë shprese pas një viti të gjatë në pandemi, ku deri tani mbi 1,6 milionë vetë kanë humbur jetën.

Vaksina e realizuar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, ka rezultuar nga testimet se është 95% efektive. Ajo ka marrë miratim për përdorim në disa shtete, por Britania e Madhe ishte e para. Përveç saj, një vaksinë anti-Covid ka prodhuar edhe kompania tjetër amerikane Moderna, ndërsa Kina dhe Rusia kanë nisur prej disa javësh tashmë të vaksinojnë popullatën me vaksina të prodhuara “në shtëpi”. / KultPlus.com

Komuna e Istogut vendosë ta rrënojë burgun ku u torturuan me mijëra shqiptarë

Në fshatin Gurrakoc të Istogut, gjendet ndërtesa e ish burgut të tmerrshëm të ish regjimit ku janë torturuar me mijëra shqiptarë para dhe gjatë luftës, ndërkaq sot ky burg pritet të rrënohet, shkruan KultPlus.

Mirëpo, shumë persona janë kundër rrënimit të këtij burgu, përfshirë këtu edhe aktorin e mirënjohur Astrit Kabashi, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka potencuar se pikërisht në atë burg është maltretuar edhe vëllau dhe djali i axhës së tij.

Kabashi ndër të tjera ka potencuar se këtë burg duhet kthyer në muze, njejtë siç është vepruar edhe me burgun që gjendet në qytetin e Prishtinës.

‘Komuna paska vendosë me e rrënu, ky është një gabim i madh. Në Prishtinë nuk u rrënua burgu, por u kthye në muze, njejtë duhet të ndodhë edhe me fatin e kësaj ndërtese! Nëse nuk dini çfarë të bëni, të paktën mos e rrënoni! Mendoni më shumë për vende të reja të punës’, ka shkruar ndër të tjera Kabashi. / KultPlus.com

Subkultura dhe ne

Shkruan: Gentiana Softolli

Në këtë punim provojmë të trajtojmë konceptin e subkulturës, me fokus të veçantë, subkulturën tonë. Së këndejmi, si pyetje kërkimore dhe e natyrshme për këtë qasje është: cila është subkultura në Kosovë, format dhe shfaqjet e saj?

Si metodë shkrimi, gjatë punimit tonë del të jetë nga e përgjithshmja (koncepti, natyra dhe kuptimi i subkulturës në përgjithësi) te e veçanta (për subkulturën konkrete). Prandaj, objektiv yni është identifikimi i subkulturës te ne, edhe si fenomen i cili jo një herë është diskutuar dhe përfolur qarqeve të ndryshme, duke e ngatërruar edhe me kontrakulturën.

Veshja religjioze si formë e subkulturës

Si subkulturë në vendin tonë mund të veçojmë myslimanët si komunitet duke cekur disa karakteristika të tyre. Ndër dallimet më thelbësore është veshja. Ajo çfarë e dallon një femër myslimane nga femrat e tjera është mbulesa e trupit. Kjo dukuri njihet në komunitetin mysliman si hixhab që përfshin mbulimin e trupit dhe kokës. Krahas kësaj kohëve të fundit në vendin tonë është shfaqur edhe një dukuri e njohur si ferexhe (mbulim i fytyrës) që gjithashtu paraqet subkulturë në vendin tonë.

Madje, karakteristikë tjetër e këtij grupi që paraqet subukulturë në vendin tonë është edhe gjuha e tyre. Gjatë të folurit ata përdorin fraza kuranore si përshëndetjen reagimet në situata të ndryshme etj. Një veçori tjetër është ushqimi. Ky grup i shoqërisë e ka të ndaluar konsumimin e disa ushqimeve si p.sh. mishin e derrit dhe produktet që përmbajnë alkool. Në art e kanë të ndaluar vizatimin e portreteve dhe krijimin e skulpturave.

Subkultura dhe orientimi seksual

Si subkulturë mund të përmendim edhe minoritetet seksuale (homoseksualët, lezbiket, biseksualët, transseksualët). Merren si subkulturë pasi që orientimi i tyre seksual ndryshon nga norma e shoqërisë.

Transgjinorë janë ata persona që e ndryshojnë gjininë nga ajo që e kanë pasur të përcaktuar pas lindjes. Transseksualiteti arrihet me anë të asistencës kirurgjikale. Ka gra trans dhe burra trans. Transgjinorë nuk do të thotë vetëm ndërrimi i gjinisë me ndërhyrje kirurgjikale por përfshinë edhe një pjesë të atyre që nuk ndihen plotësisht femra ose plotësisht meshkuj duke e shprehur këtë me anë të veshjes.

Biseksualiteti nënkupton tërheqje seksuale ndaj të dy gjinive. Përmendet shpesh që biseksualët përfundojnë duke u bërë “homoseksualë” ose ata janë “gjysmë homo” dhe “gjysmë hetero” fakte këto që nuk qëndrojnë sipas këtij komuniteti.

Homoseksualiteti është tërheqje seksuale mes anëtarëve të të njëjtit seks. Çështja e orientimit seksual ende nuk është zbuluar saktësisht nga shkencëtarët dhe nuk konsiderohet si zgjedhje. Biseksualiteti nënkupton tërheqje seksuale ndaj të dy gjinive.

Çështja e orientimit seksual ende nuk është zbuluar saktësisht nga shkencëtarët dhe nuk konsiderohet si zgjedhje, thuhet se mund të ndodh natyrshëm te këta persona. Homoseksualiteti nuk është sëmundje dhe nuk kërkon trajnim edhe pse ka të atillë që për shkakt të paragjykimeve, kanë kërkuar trajtim, por që nuk është diçka që mund të ndryshohet. Momenti kur individi e pranon edhe publikisht orientimin e tij seksual njihet ndryshe edhe me termin “Dalja nga Sirtari”.

Homoseksualiteti nuk dihet nëse është i  trashëguar apo jo, mirëpo një gjë e dimë sigurt që diskriminimi, paragjykimi dhe ofendimi i këtyre personave dënohet me ligj.

Shoqata amerikane e psikiatrisë kundërshton çdo trajtim psikiatrik, si “riparues” ose “ konvertues” që bazohet mbi hamendësimin se homoseksualiteti në vetvete është çrregullim mendor, ose mbi hamendësime të mëparshme se pacienti duhet të ndërroj orientimin e tij/saj seksual

Një fakt mjaft i rëndësishëm dhe i nevojshëm është  informimi dhe edukimi mbi orientimin seksual. Të kesh orientim të ndryshëm seksual nga të tjerët nuk e ul vlerën si individ dhe nuk duhet të të mohohen të drejtat. Ata kanë të drejtën të martohen dhe të krijojnë familje në forma të ndryshme.

Subkultura dhe grupet etnike

 Subkulturë në vendin tonë janë edhe komunitetet e ndryshme me vlerat dhe veçantitë e tyre. Në Kosovë ekziston një diversitet i komuniteteve të tilla si: komuniteti serb, komuniteti turk, komuniteti boshnjak, komuniteti romë, komuniteti ashkali, komuniteti egjiptas dhe komuniteti goran.

    Komuniteti serb, pjesa më e madhe e tyre jetojnë në komunat me shumicë serbe si: Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe një pjesë në Mitrovicën e Veriut. Ky komunitet i përket  besimit të krishterë ortodoks dhe e flasin gjuhën serbe.

  Komuniteti turk jetojnë kryesisht në komunat Prizren, Mitrovicë dhe Istog. Flasin një dialekt lokal të turqishtes dhe janë aktiv në të gjitha aspektet e jetës kulturore, sociale dhe politike në shoqërinë kosovare.

   Komuniteti boshnjak jetojnë në disa zona të qytetit të Prizrenit. I takojnë besimit mysliman, gjuha e tyre është boshnjakishtja.

  Komuniteti romë gjurmon rrënjët e veta që nga shteti indian i Rajasthan. Romët jetojnë në shumë qytete të Kosovës. Flasin gjuhën e tyre amtare dhe një pjesë e madhe i përkasin besimit mysliman.

  Komuniteti ashkali gjenden kryesisht në Fushë Kosovë por edhe në komuna tjera. Ata e flasin shqipen si gjuhë amtare. I takojnë kryesisht besimit mysliman.

  Pjesëtarë të komunitetit romë dhe ashkali që paraqesin subkulturë në vendin tonë shpesh ndodhë që shfaqen si lypës në trafik duke kërkuar lëmoshë. Këtë e bëjnë në forma të ndryshme si duke kënduar rrugëve dhe shesheve të qytetit ose edhe duke shfaqur talentin e tyre në instrumente të ndryshme si vegla me perkursion, tarabuke, tupane, vegla frymore: syrla, bizhinca etj. Si dukuri tjetër e veçantë e këtyre dy komuniteteve është edhe martesa e hershme, janë të shumta rastet kur pjesëtarë të këtyre komuniteteve martohen në moshë të mitur nga prindërit e tyre. Ka raste të ndryshme kur shoqëria ka paragjykime  për këto komunitete duke i përqeshur për sjelljet, veprimet, gjuhën e rrugës (theksi, nazaliteti).

  Komuniteti egjiptas bën pjesë në disa qytete si: Gjakovë, Istog, Klinë, Pejë etj. Vijnë nga Egjipti dhe i përkasin kryesisht fesë myslimane. Një pjesë e konsiderueshme e flasin shqipen si gjuhë mëmë.

   Komuniteti goran janë të përqendruar kryesisht në Dragash. Shpeshherë i bashkojnë me komunitetin boshnjak. Komuniteti goran është komunitet islamik sllavo-folës. Flasin gjuhën gorane, që mund të kuptohet nga folësit serbë, kroatë dhe boshnjakë.

Subkultura dhe gjuha e të rinjve

Gjuha e të rinjve është një strategji e komunikimit mes të rinjëve që nuk dëshirojnë të kuptohen nga masa. Nuk flitet gjatë gjithë kohës por vetëm në raste të caktuara. Kjo gjuhë realizohet duke i kthyer mbrapsht fjalët ose duke krijuar variacione të ngjashme. Ndonëse përmban goxha fjalë të terminologjisë së hajnave ajo nuk është gjuhë e kantit, është më e gjerë se aq. Nuk mund të cilësohet si  zhargon është më e afërt me slengun.

Disa prej këtyre shtrembërimeve apo përmbysjeve të këtyre fjalëve janë: op-po, lliset-sillet, lofim-folim, ishmi- shihmi, u llaka- u kalla, thupe-puthe, lladup- budall, ragica-cigare, leqi-qeli, jomshe- mshoj( ka kuptimin e vjedhjes), rapet-paret, tamuxhi- maxhupi, som u leç- mos u çel, riçke rome-kqyre more, bal, balicë etj.

Repistët si subkulturë

Repistët janë një grup i këngëtarëve të muzikës hip-hop që në tekstet e tyre paraqesin probleme të përditshme dhe një revoltë të madhe pakënaqësie. Në Kosovë ndër grupet e para të rep artistëve ishin: NR, Ritmi i rrugës, Hija e Jetës, Etno Engjujt, Tingulli 3, 2po2 etj. Fillimisht tekstet e tyre ishin në gjuhën angleze por me kalimin e kohës filluan të reponin edhe në gjuhën shqipe.

Përveç temave sociale ata i dhanë rëndësi edhe jetës luksoze dhe ironisë e sarkazmës ndaj çdo gjëje. Mund t’i quajmë si subkulturë për shkak të risive që kanë sjellë në vendin tonë në krahasim me muzikën që jemi mësuar ta dëgjojmë.

Në kuadër të kësaj, kohëve të fundit në vendin tonë është bërë aktual edhe trendi i repereve femra, dukuri kjo  e cila nuk është se ka qenë shumë e përhapur më herët te ne. Numri i tyre po shtohet dita ditës duke krijuar kështu konkurrenca dhe debate të shumta në këtë sferë.

Në përmbyllje

Përfundimisht, me nocionin subkulturë shprehet veçantia kulturore e shoqërisë. Një lloj i subkulturës me specifika të veta ndikon mbi kulturën dominante, ajo nuk bën ndryshime të mëdha, por sjell risi në fusha të ndryshme.

Me anë të kësaj arrijmë në përfundim se veprimi i subkulturës është pozitiv dhe kontribuon për zhvillim të mëtutjeshëm të kulturës dominonte, që ndryshe njihet si Kultura K.

(Autorja është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës shqipe)


ADMOVERE promovon ‘Përfshirja e studentëve të komuniteteve jo shumicë në Universitetin e Prishtinës’

Nesër, më 16 dhjetor në orën 11:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, do të mbahet promovimi i publikimit ‘Përfshirja e studentëve të komuniteteve jo shumicë në Universitetin e Prishtinës’, të botuar nga ADMOVERE dhe nën mbështetjen e KFOS.

Raporti ofron një analizë të masave afirmative për studentët e komuniteteve jo-shumicë dhe efektin e tyre ndër vite.

Më konkretisht, publikimi përfshin të dhëna të detajuara statistikore për numrin e vendeve të rezervuara, numrin e të pranuarve dhe numrin e të diplomuarve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, për secilin fakultet të UP-së, që nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot.

Disa nga pyetjet të cilave jemi munduar t’u japim përgjigje në këtë raport janë:

-Sa po përmbushet kuota për vendet e rezervuara në UP?

-Cilat janë fakultetet me interesimin më të madh të studentëve nga komunitetet jo-shumicë? Cilat janë fakultetet me numrin më të vogël të studentëve të pranuar nga komunitetet jo-shumicë?

-Cilat janë fakultetet me numrin më të madh të të diplomuarve në raport me numrin e të pranuarve?

-Cilat janë komunitetet me numrin më të madh të të pranuarve dhe të diplomuarve në fakultetet e ndryshme të UP-së?

-Çka mendojnë dekanët e UP-së lidhur me përcaktimin e kuotës (prej 12%) për vendet e rezervuara?

-A duhet të rritet pragu i kalueshmërisë për studentët e komuniteteve jo-shumicë.

Promovimi do të mbahet duke respektuar masat Anticovid. / KultPlus.com

Artistja shqiptare pikturon Tupac Shakur, piktura e saj renditet në 5 më të mirat

Shqiptarët të cilët kanë arritur suksese në botë duket se po rriten gjithmonë e më shumë dhe suksesi i tyre në fusha të ndryshme është i padiskutueshëm.

Sot në një intervistë ishte e ftuar një vajzë e veçantë, e cila me pikturat e saj ka mahnitur amerikanët. Faqja zyrtare e këngëtarit të ndjerë Tupac Shakur, e ka renditur atë, në pesë artistët më të mirë që kanë dërguar një punim në faqen e tyre, e cila menaxhohet nga trashëgimtarët ligjorë të këngëtarit. 

Zhisela Shtama është vajza, e cila në përpjekje për të zhvilluar karrierën e saj artistike, vendosi të realizonte një pikturë të artistit të ndjerë Tupac Shakur. Piktura u rendit në vendin e katërt dhe duket se me talentin e saj ia ka dalë mbanë të tërheq vëmendje edhe jashtë Shqipërisë.

Për këtë arritje, artisja e re u shpreh se nuk e priste aspak, se edhe për të ishte mjaft e papritur:

“Unë vendosa që të hap faqen time të Instagramit me piktura dhe normalisht doja që të shtoja sa më shumë dhe duke e kontrolluar nëpër internet më pëlqeu shumë ky vizatim dhe thash ta provojë, e hodha tek faqja, bëra tag Tupac-un dhe në një moment pash që faqja e Tupac, më kishte bërë Tag, normalisht nuk është se në fillim e besova, ishte një ndjenjë që nuk ma merrte mendja që do ndodhte ndonjë ditë”, u shpreh ajo.

 Ajo rrëfeu se piktura është një hobi i saj që e ka nisur në moshë të vogël:

“Si fillim nisi si hobi, unë nuk kam bërë kurrë kurs, jam marr gjithmonë vet dhe sot kam qejf dhe synoj që të kap një shkollë që ka lidhje me pikturën, grafik dizanj dhe shpresoj që ta arrij. Si filim e kam nisur me muret e shtëpisë komplet dhe kjo është e rëndësishme, pastaj fillova tek fletat, tek telajot”,  tha ajo.

Megjithatë një gjë shumë e veçantë që e karakterizon punën e saj, është edhe kombinimi i punëve të artit punëdore por edhe qepjes. Ajo i kombinon të dyja sëbashku në veprat  e saj. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Ambasada amerikane: Do të dalin para drejtësisë të gjithë kriminelët e luftës, pavarësisht kombësisë

Ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse Tan dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett u takuan dje me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi dhe prokurorët e Departamentit të Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ambasada e SHBA-së njofton se të dy ambasadorët theksuan zotimin e Amerikës për t’i vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët e luftës, pavarësisht kombësisë.

“Më 14 dhjetor, ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan dhe ambasadori Kosnett u takuan me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), përfshirë edhe shefin Blerim Isufaj. Të dy ambasadorët ritheksuan zotimin e Shteteve të Bashkuara për të sjellë të gjithë kriminelët e luftës para drejtësisë, pavarësisht kombësisë së tyre. Ambasadori Kosnett tha se “përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi”. Ndërsa ambasadori Tan foli lidhur me sfidat shqetësuese me të cilat përballet PSRK në përmbushjen e këtyre çështjeve të rëndësishme”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Në anën tjetër, Lumezi i ka informuar ambasadorët për disa hapa të ndërmarrë lidhur me hetimin e krimeve të luftës.

“Gjatë takimit, prokuroria kishte mundësinë t’u drejtohej ambasadorëve dhe t’i njoftoj me disa nga sfidat me të cilat përballen; Kryeprokurori i Shtetit Lumezi i informoi ambasadorët se për derisa zyra e tij kishte ndërmarrë hapa thelbësorë, PSRK trashëgoi më shumë se 900 raste të papërfunduara nga EULEX dhe u deshën më shumë resurse për të lëvizur para. Shefi Isufaj informoi grupin se mungesa e koordinimit me Serbinë dhe paaftësia për t’iu bashkuar INTERPOL-it dhe grupeve tjera ndërkombëtare, paraqitën pengesë në punën e tyre. Në fund, zëvendës-shefi Valdet Gashi foli për 19 aktakuzat që zyra e tij kishte ngritur që nga viti 2018, dhe një rast i cili arriti deri në gjykimin përfundimtar”, thuhet në komunikatë.

Zyra e Drejtësisë Penale Globale dhe ambasada amerikane u zotuan për  mbështetje shtesë për Departamentin e Krimeve të Luftës. / KultPlus.com

Kurrë nuk pati shtëpi për mua

Kur isha e vogël mendoja që shtëpia e babës ishte edhe shtëpia ime, për më tepër kur më pyeste ndokush se ku e kam shtëpinë, ia bëja me gisht kah shtëpia e babës!

Por kur u rrita më treguan se kjo nuk është shtëpia ime, shtëpia jote është te burri yt.
“Bijo, çika është e derës huaj”, më ngushëllonte nëna ime!

Por unë nuk i besoja, thoja se e ka vetëm për të më qetësuar se shtëpia e babës do të jetë gjithmonë edhe e imja dhe ia plasja vajit!

Kur shkova te burri, jetonim në “bashkallëk” dhe për disa vite ende zemra më qëndronte te shtëpia e babës, por kur u “ndamë” dhe secili kunat shkoi në shtëpinë e tij, burri më puthi në ballë dhe më tha: “Fisnike, kjo është shtëpia e jonë dhe e bijëve tanë, e gëzofshim!”

I besova buzëve të tij dhe sinqeritetit të tij, sepse asnjëherë nuk më kishte gënjyer, për këtë e shkriva tërë trupin tim duke e mirëmbajtë shtëpinë time.

Kaloi një kohë dhe më vdiq burri e fëmijët u rritën e u bën për martesë. “Shtëpia ime” e vogël, por që e ngroha me shpirtin tim gjithë këto vite, më nuk e donte askush dhe një ditë bijtë e mi vendosën ta prishin “shtëpinë time” dhe më premtuan se do të ma ndërojnë një shtëpi më të re, më të bukur dhe më të madhe! Më rrodhën lotët nga zemra ashtu si dikur kur u ndava nga shtëpia e babës!

U ndërtua “shtëpia ime” e re, ma caktuan dhomën më të voglë, aty ku më shumë ladronin nipat e mbesat se sa që rrija unë!
Por në shtëpinë time të re tani më nuk guxoja të flisja, nuk kisha të drejtë të këshilloja e as të propozoja! Më dukej vetja si një “cung i vjetër” në shtëpi të re, dhe ashtu isha. Çdo gjë në këtë shtëpi ishte e re, edhe gozhdat ishin më të reja se unë!

Derisa një ditë djali më tha: “Nanë, do të dërgoj sot në një shtëpi të re!”
Sapo e dëgjova këtë fjali, e kuptova se as kjo shtëpi nuk qenka e imja!

Dhe më solli këtu në “shtëpi të pleqëve” në shtëpi të atyre që kurrë n’jetën e tyre s’kanë pasur shtëpi!

Por nipi kur më vizitoi për herë të fundit më bëri me lot kur më tha në vesh: “Gjyshe, kur të rritem unë, do ta ndërtoj një shtëpi, ajo do të jetë shtëpia ime dhe shtëpia jote”

E përqafova fort atë dhe i thash:”Biri jem, të pastë gjyshja ty, se gjyshja në këtë dynja kurrë s’ka pas shtëpi, por do Zoti më jep një shtëpi në Parajsë, e do ta lus Zotin që të na bashkojë aty ku asnjëherë nuk do t’ketë ndarje e lot.”

– Nga jeta e një nëne, ku dallgët e jetës e hodhën prej një vuajtje në një vuajtje tjetër. / KultPlus.com

Si të ‘zgjoni’ kreativitetin tek fëmijët?

Të luash, të rritesh, të mësosh janë tri fjalë që, në fjalorin e fëmijëve, përkthehen në krijimtari dhe vetëvlerësim. Jo vetëm në shkollë, por edhe me lojëra individuale, me ato mes vëllezërve të motrave, bashkëmoshatarëve ose të rriturve, fëmija mëson të gjejë vendin e tij në botë. Çelësi i këtij kërkimi të vazhdueshëm të identitetit, mbi të gjitha qëndron në llojin e lojës që ai zgjedh.

Fëmijët nuk e përdorin një lodër vetëm për kënaqësi argëtuese, por e lidhin aspekte sentimentale (bazuar në atë se kush ua dha, me çfarë rasti), si dhe me aspektet didaktike (sepse ata mësojnë të bëjnë diçka të re përmes lodrës). Ato i ndihmojnë ata të ndërtojnë një rrëfim personal dhe potencialisht të pafund, ashtu si dhe potenciali i krijimtarisë është i pafund.

Sidoqoftë, jo të gjitha lojërat e kryejnë këtë detyrë. Dhe mbi të gjitha, sasia bën një ndryshim në zhvillimin e fëmijës. Një hulumtim i titulluar “Ndikimi i numrit të lodrave në mjedisin e fëmijëve të vegjël”, synon të analizojë numrin e lodrave që një fëmijë duhet të ketë në mënyrë që aktiviteti të jetë vërtet cilësor. Pak, por sakt, ishte përgjigjja e studiuesve.

Një hapësirë të dedikuar për ata

Ashtu si për të rriturit, kjo vlen edhe për të vegjlit: të kesh një hapësirë kushtuar pasioneve të tyre, ku të jesh krijues dhe i lirë, bën diferencën. Në vendin e punës, të rriturit promovojnë produktivitetin. Ashtu si të rriturit, fëmijët gjithashtu përfitojnë nga një hapësirë ??që është vetëm e tyre: ndihmon në vendosjen e kufijve, për t’i bërë ata të pavarur, të sigurt dhe paqësor.

Zgjidhni lojërat e duhura

Ndër lojërat që zhvillojnë kreativitetin janë kubat me ngjyra, maskimet, kukulla dhe mjete për lojëra me role.

Kaloni kohë me ta

Ndërsa është e vërtetë që loja individuale e fëmijës është shumë e rëndësishme për rritjen e tij duke filluar nga 18 muajsh, është gjithashtu thelbësore që të kaloni kohë për të luajtur së bashku. Dy qasje të ndryshme krijuese (që kanë të bëjnë me dy grupe të ndryshme psikologjike) kanë një gamë të pabesueshme veprimi, e cila stimulon jo vetëm fëmijën, por edhe të rriturit që luanjnë me të.

Fuqia e mërzisë

Edhe mërzia është një stimul i fuqishëm për krijimtari. Në studimin ” “Does Being Bored Make Us More Creative?” botuar në Revistën e Kreativitetit, theksohet korrelacioni midis mërzisë dhe krijimit. Fëmijët që herë pas here lihen të mërziten, marrin stimulin për të kërkuar ide dhe burime të brendshme për të dalë nga statusi i tyre fillestar. Gjithashtu duke përdorur lodrat përreth tyre në mënyra të reja dhe të habitshme.

Krijimtaria dhe vetëvlerësimi janë aleatë

Të mendosh se fëmija bën diçka me duart e veta për ta ekspozuar atë ose për t’ia dhënë një anëtari të familjes, është një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar sesi krijimtaria dhe vetëvlerësimi mund të kombinohen. Lënia e fëmijës të lirë, të shprehë veten e ndihmon atë të ndërtojë botën e tij, në të cilën ai dhe aftësitë e tij njohëse janë në qendër. Një marrëdhënie që shpalosë kulmin e saj në periudhën e adoleshencës. / KultPlus.com

Altin Basha në krye të Teatrit Eksperimental, Ish- drejtori: Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti ka prezantuar drejtorin e ri te Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha nën praninë e ish-drejtorit Kiço Londo.

Merr një detyrë në një moment të vështirë dhe delikat për teatrin. Është momenti të ecim në një mendësi të re në këtë periudhe pandemie. Shfaqje me pak publik dhe me pak aktor, “One man shoë”, u shpreh Margariti.

“Nuk dua që ta fsheh që ndihem i trishtuar edhe i keqardhur që më duhet për shkak te respektimit te institucioneve nga kjo shërbesë  t’i lë vendin drejtorit pasardhës. Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime. Bashkë me ata që nuk duken dhe që duken, kjo është ajo që më dhemb më shumë se për një kohë të shkurtër kemi bërë një transformim të jashtëzakonshëm. Unë nuk jam drejtor, s’kam qenë ndonjëherë drejtor, sepse drejtorët nuk janë si unë”, thotë Kiço Londo teksa falenderon të gjithë bashkëpuntorët që ka pas gjatë këtij rrugëtimi, duke e cilësuar TKES, një vijë ndarëse dhe transformim të teatrit shqiptar. “Jam i bindur që ketë që kemi arritur bashkë, jo fort të zakonshme, ku punojnë 21 vetë dhe secili ka vënë 23 shfaqje. Ndërkohë që institucionet e tjera e kanë 0.2 shfaqje për individ. Do vazhdoj t’ju shërbej, mbarësi të gjithëve. Rroftë teatri”, thotë Londo.

Margariti e cilëson një moment të vështirë, se shfaqjet e TKES, janë prezantuar në të gjithë Shqipërinë.Të rinjtë janë fokusi për drejtorin e ri Altin Basha. 

“Pas thirrjes së hapur dhe konkursit e intervistës erdha këtu. Është pozicion ku kam njëfarë eksperience. Ka ndikimin e frymës së kërkimit. Është gjenerator i ditëve të reja dhe për një kohë të gjatë kam menduar si mund të reformohet teatri shqiptar në mënyrë që të fuqizohet alternativa. Teatri e ka mundësinë për të qenë i tillë. Ky element ndoshta është arsyeja që mora pjesë në konkurs. Për 10 -15 vjet kam punuar me artistë të rinj për ta çuar më tej frymën që ka ky teatër”, ka potencuar Basha. /shqiptarja/ KultPlus.com

Bukowski: Unë do të doja një dhjetor me dritat e fikura dhe njerëzit e ndezur

Henry Charles Bukowski ka qenë një poet dhe shkrimtar i njohur. Ai ka lënë pas 6 romane, disa tregime, dhjetëra poezi dhe aforizma që citohen kudo në rrjetet sociale, apo në portale të ndryshme.

Në vazhdim do të keni mundësinë të lexoni disa nga thëniet më të bukura të Bukowskit.

Problemi i kësaj botë është se njerëzit inteligjent janë plot dyshime, kur idiotët janë të mbushur me vetëbesim.

Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

Pa letërsi, jeta është një ferr.

Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

 Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.

Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.

Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.

Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.

Jam i sigurtë që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.

 Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.

Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.

Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!

Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.

Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.

Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.

Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng.

Skllavëria nuk u shfuqizua kurrë, ajo vetëm u shtri për të përfshirë të gjitha ngjyrat. / KultPlus.com

Mariah Carey e kryeson toplistën muzikore “Billboard Global 200”

25 vjet pas lansimit të parë hiti i këngëtares Mariah Carey, “All i Want For Christmas Is You”, ka arritur të shndërrohet në këngën më të madhe në botë teksa pozicionohet në vendin e parë të toplistës “Billboard Global 200”.

Ndërkohë, kënga e dyshes latine Bad Bunny dhe Jhay Cortez, “Dákiti”, e mbanë pozitën e parë në toplistën “Billboard Global Excl. U.S.”, e cila shtrihet në të gjitha territoret tjera duke e përjashtuar Amerikën.

Këto dy toplista i radhitin këngët më të mira bazuar në shitjet dhe shkarkimet e tyre online, nga 200 territore anembanë botës. “Billboard Global 200” bazohet në të dhënat e marra nga mbarë bota, ndërsa “Billboard Global Excl. U.S.” mbledhë të dhëna nga të gjitha territoret me përjashtim të Shteteve të Bashkuara.

Hiti i divës amerikane të muzikës Mariah Carey, “All i Want For Christmas Is You” rrëshqiti nga pozita e dytë në të parën, falë shitjes së 17.000 kopjeve brenda javës dhe 79.3 milionë shkarkimeve anembanë botës. Siç dihet tashmë, kënga fillimisht është publikuar si pjesë e albumit të vitit 1994 të këngëtares, me titull “Merry Christmas”.

Kënga “Dákiti” nga Bad Bunny dhe Jhay Cortez rrëshqiti në vendin e dytë të toplistës “Global 200”, pas tri javëve të qëndrimit të pozitën e parë, falë 97.1 milionë shkarkimeve të fituara gjatë javës.

Kënga klasike e grupit “Wham!” me titull “Last Christmas” e lansuar për herë të parë në vitin 1984, gjithashtu pësoi ngritje këtë javë duke e zënë vendin e tretë të toplistës, derisa pas saj renditen hiti “Blinding Lights” nga The Weeknd dhe “Dynamite” nga grupi nga Korea Jugore “BTS”. Edhe kjo këngë kishte qëndruar tri javë në vendin e parë të toplistës së famshme.

Ndërkaq renditja e këngëve më të mira të javës në toplistën “Billboard Global Excl. U.S.”, ndryshon shumë pak nga ajo “Global 200”.

Në vendin e parë të saj është pozicionuar “Dákiti” nga Bad Bunny dhe Jhay Cortez, për të pestën javë rresht. Pas saj renditet Mariah Carey me “All I Want For Christmas Is You”, në vendin e tretë gjendet grupi “BTS” me hitin “Dynamite”, dhe në vendin e katërt dhe të pestë janë pozicionuar këngët “Blinding Lights” nga The Weeknd dhe “Las Christmas” nga grupi “Wham!”. / Koha.net/ KultPlus.com

Origjina misterioze e monumentit shumëngjyrësh të Moskës

Pasi Katedralja e Shën Vasilit u përfundua në mes të shekullit të 16-të, një legjendë filloi të qarkullonte për kishën eklektike Ortodokse të vendosur në zemër të Moskës.

Ishte një arritje arkitektonike – struktura më e lartë në qytet, falë njohurive të reja të tullave nga italianët – dhe ishte një shfaqje e fuqisë së Rusisë në fund të një lufte shekullore. Sipas fjalëve, Princi i Madh i Moskës, me nofkën famëkeqe “Ivan i Tmerrshëm”, i kishte verbuar arkitektët e saj, kështu që ata kurrë më nuk mund të projektonin një ndërtesë kaq madhështore.

Megjithatë, origjina e strukturës mbetet kryesisht e mbuluar me mister. Gati pesë shekuj më vonë, identiteti i arkitektëve nuk mund të konfirmohet, megjithëse përgjithësisht besohet se janë dy arkitekt, të quajtur Barma dhe Postnik Yakovlev. Disa historianë thonë se të dy emrat në të vërtetë i referohen një personi të vetëm dhe se “Barma” ishte në të vërtetë pseudonimi i Postnik Yakovlev.

“Është me të vërtetë befasuese se si disa nga faktet më themelore nuk janë vërtet të verifikueshme”, tha William Brumfield, një historian i arkitekturës ruse dhe autor i librit të fundit “Udhëtime nëpër Perandorinë Ruse”, gjatë një thirrje me video konferencë.

Dokumentacioni është i pakët, duke i lënë historianët si Brumfield të kërkojnë të dhëna.

“Ne e hasim këtë problem shumë herë në historinë e arkitekturës ruse, madje edhe në fund të shekullit të 18-të. Kishte shumë zjarre dhe pushtime. Moska u dogj në 1812 gjatë pushtimit Napoleonik. Dokumentet shpesh thjesht nuk janë atje”, shpjegoi Brumfield.

Sot, Shën Vasili, i njohur zyrtarisht si Katedralja Pokrovsky, qëndron si një seri kishash me tulla të kuqe që rrethojnë formën më të madhe, qendrore. Çdo kishë është në krye me një kupolë me ngjyra të gjalla. Katedralja është e njohur në të gjithë botën për pamjen e saj përrallore dhe tërheq rreth 400,000 vizitorë në vit dhe është bërë një simbol i rëndësishëm kulturor.

Kryevepra, e vendosur në Sheshin e Kuq të qytetit, ka pësuar ndryshime, zgjerime dhe restaurime të rëndësishme gjatë shekujve, dhe madje ka ndryshuar ngjyrën. Fillimisht e quajtur Katedralja e Trinitetit, ndërtesa u dogj në 1583 dhe u rindërtua gjatë dekadës së ardhshme. Historianët nuk janë të sigurt se si dukej katedralja para zjarrit, por bazuar në përshkrimet e shkruara në atë kohë dhe një gdhendje të shekullit të 17-të.

Ndërtesa kaloi një zjarr tjetër të dëmshëm në 1737; gati u hodh në erë nga gjenerali ushtarak francez Napoleon Bonaparta në 1812 dhe u përball me kërcënimin e prishjes nën udhëheqjen e udhëheqësit komunist Joseph Stalin. /telegraf/ KultPlus.com

Ndërron jetë ikona e Broadway, Ann Reinking

Ylli i Broadway Ann Reinking e cila ka luajtur rolin e Roxie Hart në muzikalin “Chicago” ka vdekur në moshën 71 vjeçare, ka bërë të ditur menaxheri Lee Gross.

Ajo ka vdekur në gjumë në një hotel në Seattle të dielën, ka thënë kunata e saj, Dahrla King për New York Times. Shkaqet e vdekjes ende nuk janë bërë të ditura.

Në një deklaratë familja vajtoi humbjen e “shpirtit saj të bukur”, transmeton KultPlus.

“Bota dhe familja jonë ka humbur një talent të mrekullueshëm dhe një shpirt të bukur. Ann ishte zemra e familjes dhe jeta e festave. Ajo ishte për vizitë te vëllai i saj në Washington dhe shkoi për të fjetur, e nuk u zgjua kurrë. Do të na mungojë më shumë sesa që mund të thuhet”, thuhet në deklaratën e familjes. / KultPlus.com

Misteri i shtëpisë ‘më të izoluar në botë’

Disa zëra thonë se shtëpia në Elliery është ndërtuar nga një miliarder, i cili ka në plan të zhvendoset aty në rast se na pushtojnë zombit.

Të tjerë thonë se aty jeton i izoluar një njeri fetar.

Një teori tjetër shpjegon se shtëpia është vendosur me “photoshop” në fotot e publikuara, pasi në këtë ishull nuk jeton askush që prej 300 vitesh.

Por, siç transmeton KultPlus, e vërteta e kësaj shtëpie është shumë më pak interesante sesa teoritë mbi të. Shtëpia është ndërtuar si bazë gjuetie ndaj zogjve që hanë peshqit e ishullit. Aty qëndrojnë gjahtarët për disa orë, përpara se të kthehen në banesat e tyre. / KultPlus.com

Sa kushtoi martesa më e lirë e 2020-s?

Parashikimet nuk kishin qenë të sakta edhe pse ceremonia nuk do të ishte ndër më të shtrenjtat në botë, por në çdo rast ishte planifikuar një ditë e paharrueshme me DJ, grupe fotografike dhe argëtim për fëmijët.

”Kjo është historia e një çifti britanik”, shkruan today.it.

Por, pas bllokimit nga koronavirusi, gjithçka ndryshoi.

Kështu që Chelsea Marie dhe Hayden Davies, të dashuruar që në shkollë, të vetëdijshëm se në kohën e koronavirusit nuk mund të kishin festime të mëdha dhe tubime, vendosën për një ceremoni më modeste, megjithatë përfunduan në titujt kryesorë të gazetave si një ndër dasmat më të lira në botë.

Ajo bleu fustanin e bardhë për vetëm 15 euro. Dhe darka e dasmës? E organizuar me produkte me ulje çmimesh.

Gjithçka filloi shumë mirë para ardhjes së Covid-19, kur Chelsea Marie dhe Hayden, me banim në Glastonbury në Angli, vendosën të martoheshin.

“Dasmat janë shumë të shtrenjta. Unë fola me disa njerëz që pranuan se kishin shpenzuar mbi 25 000 euro. Ne përfunduam duke shpenzuar vetëm 500”, theksoi çifti. /atsh/ KultPlus.com

Konica: Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh

Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare.

Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë, për nder të 78 vjetorit të vdekjes, po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).

35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).

37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).

38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).

39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).

40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).

41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).

42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).

43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).

44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).

45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).

46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).

47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).

48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).

49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).

50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com

78 vjet pa Faik Konicën

Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Rrjedh nga një familje e vjetër feudale.

Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike./ KultPlus.com

‘Secrets’ e DJ Regard, ndër 100 këngët më të mira të vitit 2020 në Apple Music

“Secrets”, e cila u publikua këtë prill në bashkëpunim me artisten Raye, u prit dhe u vlerësua mjaft mirë nga publiku, duke rezultuar tashmë në një ndër këngët më të dëgjuara në gjithë botën, shkruan KultPlus.

Së fundmi u bë e ditur se për këtë këngë, Dardan Aliu, që tashmë është në mesin e DJ-ve më të mirë në botë, është futur në listën e 100 artistëve me ‘këngët më të mira të vitit 2020’ nga ‘Apple Music’.

“100 këngët më të mira të vitit 2020. Faleminderit nga Apple Music. Faleminderit për të gjithë dëgjuesit në Apple Music”, ka shkruar ai në rrjetin social Instagrami. / KultPlus.com

A do të mbyllet Kosova për festat e fundvitit, flasin nga Qeveria

Rritja e rasteve me COVID-19 në javët e fundit ka bërë që shumë prej vendeve evropiane të marrin vendim për mbyllje totale për festat e fundvitit. Por, a po planifikon edhe Kosova që të marrë një vendim të tillë?

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se masat që janë aktualisht në fuqi kanë parandaluar rritjen e rasteve dhe se kjo është dëshmuar edhe me lëvizjen që ka pasur nëpër komuna sa i përket kategorizimeve që bëhen në bazë të shtrirjes së infeksionit.

“Që nga e premtja kemi kategorizim të ri të komunave dhe fatmirësisht kemi lëvizje për të mirë ku 5 komuna nga zona e kuqe kanë kaluar në zonën e verdhë dhe 7 komuna janë nga zona e verdhë në zonën e gjelbër”, ka deklaruar Zemaj.

E nëse vazhdohet me trendin e tanishëm të rasteve, Zemaj thotë se do të vazhdojnë të jenë në fuqi masat që janë ndërmarrë në nëntor.

“Situata epidemiologjike analizohet në baza të rregullta dhe në varësi të asaj se sa është numri i të infektuarve, sa është numri i të shtrirëve në spital dhe cilat janë projeksionet, edhe mund të propozohen masa të reja. Por për momentin, do të vazhdohet me këto që janë në fuqi dhe është ende herët të dihet se si do të veprohet në mënyrë specifike me secilin sektor apo veprimtari në fund të vitit”, ka deklaruar Zemaj për Express.

Tahiri: Mbyllja totale s’është e nevojshme, të analizohet shtyrja e orarit

Për situatën epidemiologjike në vend është deklaruar dje edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.

Pas takimit virtual që e ka pasur me kryetarët e komunave dhe ministrin e Shëndetësisë, Tahiri ka thënë se kanë arritur në përfundim se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme aktualisht.

Ai tha se, po ashtu, kanë diskutuar që të analizohet shtyrja e orarit të mbylljes.

“Me ministrin Armend Zemaj bashkëbiseduam me kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës për situatën me Pandemi dhe respektimin e masave. U dakorduam të rrisim vigjilencën institucionale si dhe respektimin rigoroz të masave të rekomanduara. Në këtë takim, u dakorduam se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme në këtë fazë, sikurse që duhet të analizohet zonimi dhe të shtyhet orari i mbylljes”, ka shkruar Tahiri.

Kryetarët e komunave kërkojnë të vazhdohen masat, lirimi i tyre nuk është opsion

Ndërkohë, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se kryetarët e komunave kanë kërkuar që të vazhdohen masat anti-Covid.

“Kryetarët kanë kërkuar që masat të vazhdohen. Masat do të shqyrtohen varësisht numrit të të infektuarve, nëse ndryshohen masat do të ketë kujdes që të mos dëmtohet ekonomia. Lirimi i masave nuk është opsion, pasi situata është ende e rënduar”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi tha se kategorizimi i komunave sipas zonave të rrezikshmërisë së përhapjes së virusit, ka pasur efekt pozitiv në uljen e numrit të rasteve pozitive.

“Në takim u diskutua edhe ndarja e komunave sipas zonave, si konkludim i përbashkët ishte se ky kategorizim është treguar i suksesshëm. Kjo ndarje e ka pasur efektin pozitiv në uljen e numrit të rasteve pozitive”, ka deklaruar Ibrahimi. 

Ai shtoi se niveli lokal ka kërkuar nga ai qendror që t’i kushtohet vëmendje edhe ardhjes së mërgatës.

“U vlerësua puna e përbashkët e nivelit lokal dhe qendror. U kërkua nga niveli qendror që t’i kushtohet vëmendje e veçantë ardhjes së mërgatës, pasi kanë kontribuuar vazhdimisht”, ka thënë Ibrahimi. /Gazeta Express / KultPlus.com

Kolegji Elektoral konfirmon Bidenin president

Lansing-Michigan, SHBA, 14 dhjetor (Reuters) – Shtet pas shteti, kolegjet elektorale kanë konfirmuar të hënën demokratin Joe Biden për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë fund përpjekjes së kahershme të Donald Trumpit për t’i përmbysur rezultatet zgjedhore.

Anëtarët e Kolegjit Elektoral nga Michigani, Pennsylvania, Georgia, Wisconsini dhe Arizona – shtet ky vendimtar që Bideni e fitoi dhe për të cilin Trumpi ka ngritur pa sukses proces gjyqësor – kanë dhënë votat e tyre elektorale në favor të ish-nënpresidentit amerikan.

Votat e Kolegjit Elektoral, rëndom një formalitet, kanë fituar një rëndësi të madhe sivjet shkaku i pretendimeve të vazhdueshme të Trumpit për mashtrime të gjithmbarshme në procesin zgjedhor të 3 nëntorit.

Rezultatet kanë treguar për javë me radhë se Bideni ka fituar 306 vota të Kolegjit Elektoral – duke e kaluar pragun e nevojshëm prej 270 sosh për fitore – pas katër vjetësh të turbullt nën udhëheqjen e republikanit Trump. Me këtë, Bideni dhe bashkëgaruesja e tij, Kamala Harris, do të marrin drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar.

Kalifornia, shteti amerikan me popullatën më të madhe, ia gjeneroi Bidenit 270 votat e nevojshme të Kolegjit për fitore të përgjithshme.

Pas kësaj Bideni, 78-vjeçar, u konfirmua si presidenti më i shtyrë në moshë i SHBA-së.

Ai ka mbajtur edhe një fjalim vonë të hënën, sipas kohës lokale, lidhur me votat e Kolegjit dhe ka shpalosur qëndrimin “për fuqizimin dhe qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane”.

Elektorët në Arizona, shtet ky të cilin Trumpi e humbi në garën e sivjetme presidenciale pasi që e kishte fituar më 2016, ia konfirmuan 11 votat e shtetit Bidenit.

“Derisa do të ketë të tillë që do të shqetësohen se kandidati i tyre nuk ka fituar, është skajshmërisht joamerikane dhe e papranueshme që ngjarja e sotme të jetë diç më pak se një traditë e çmuar, e mbajtur me nderim dhe në festë”, ka thënë sekretarja e Shtetit të Arizonës, Katie Hobbs, gjatë votimit.

Demokratja Hobbs ka thënë se pretendimet e Trumpit për mashtrime zgjedhore kanë “hapur rrugën për kërcënimet me dhunë kundër meje, zyrës time dhe atyre që ndodhen në këtë dhomë”, duke u bërë jehonë raporteve të ngjashme për kërcënime dhe frikësim në shtetet e tjera amerikane.

Nën sistemin e ndërlikuar që daton qysh nga vitet 1780, një kandidat zgjidhet president i SHBA-së jo duke e fituar shumicën e votës popullore, por nëpërmjet sistemit të Kolegjit Elektoral, i cili i përcakton votat elektorale të 50 shteteve dhe të Distriktit të Columbias, kryesisht bazuar në madhësinë e popullatave të tyre.

Elektorët janë kryesisht besnikë të partive, të cilët e përfaqësojnë kandidatin fitues në shtetet e tyre, me përjashtim të Maines dhe Nebraskas, që mund t’ua japin votat e Kolegjit Elektoral edhe një kandidati tjetër.

Trump ka paralajmëruar muajin e shkuar se do të largohej nga Shtëpia e Bardhë po qe se Kolegji Elektoral voton për Bidenin, por që atëherë ka vazhduar me fushatën e tij të pashembullt për rrëzimin e fitores së tij, duke ngritur padi të pasuksesshme për të kërkuar numërim të sërishëm të votave nëpër shtete.

Gjasat që votimi i së hënës ta sprapste fitoren e Bidenit nga 3 nëntori ishin pothuajse të barabarta me zero. Pas përmbylljes së votimit në Kolegj, e vetmja kartë e mbetur e Trumpit për përmbysjen pothuajse të pamundur të rezultatit do të mbetet ajo për ta bindur Kongresin që të mos i certifikojë rezultatet më 6 janar.

Në zgjedhjet e vitit 2016, Trumpi i kishte fituar votat e Kolegjit Elektoral, ndonëse i kishte humbur ato popullore ndaj demokrates Hillary Clinton me një dallim prej afro 3 milionë votash./ KultPlus.com

Artan Fuga: Kombi ynë ka pësuar frakturë brezash

Artan Fuga, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24”, duke folur për protestën për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, tha se demonstrata nuk ka vetëm një shkak, por disa arsye, transmeton KultPlus.

“Unë dua të shprehem profesionalisht për këtë protestë. Unë them se asnjëherë nuk ka vetëm një shkak. Edhe nëse ka shtysë politike, nëse qytetaria vendosë të mos e ndjekë politikën, nuk e ndjek atë. Prsh politika thërret qytetarët e pjesëmarrja nuk është as 50 për qind. Nëse qytetari nuk i përgjigjet politikës, atëherë njeriu nuk vjen në demonstratë. Secili ka legjitimitetin për t’u shprehur”, tha Fuga.

Artan Fuga theksoi se nuk ka asgjë të keqe që opozitës i intereson të përkrahë kauzën për vrasjen e të riut.

“Opozitës politike i intereson të përkrahë protestën, aq më tepër që kauza është vrasja e të riut nga polici. Opozita do donte që ta kishte lëvizje si tharmë për mobilizim të forcave opozitare si dhe të diskretitimit të maxhorancës. Nga ana tjetër, mendoj se qeveria do të lëshojë sa më pak.Përfundimi është që varet sa qytetarë dalin në protestë. Opozita normal që përfiton. Shumë thonë se në një tjetër protestë 3 persona janë vrarë, por ky është diskutim kot. Nuk diskutohet si ka qenë gjendja në të kaluarën, por ne si qytetarë na intereson e tashmja. Ligjërimi i tillë është ofendues për qytetarin”, u shpreh Fuga.Më tej, Fuga nënvizoi se aktet e dhunës janë të dënueshme, duke shtuar se sërish vrasja nuk mund të krahasohet me disa akte dhune.

“Nuk ka njeri pro dhunës, por kur dhuna është atje, duhet parë çështja. Çdo akt dhune është një gjuhë. Kur të rinjtë nuk artikulojnë pakënaqësinë, nuk kanë zë në institucione, kur nuk kanë punë, kur kanë shumë kritika e dëgjohen shumë pak, atëherë lind edhe kjo gjuhë. Rinia është përpjekje pqër të thënë jemi edhe ne.

Kësaj rinie i duhet përgjigjur me dhënien e shanseve të barabarta, me politika për rininë krejt të tjera me këta që janë. Problemi të mos politizohet. Jemi komb që ka pësuar frakturë brezash. Të rinjtë nuk e gjejnë veten në institucione dhe struken në rrjetet sociale”, deklaroi Fuga.

Po ashtu, Fuga tha se policia mbron jetën e qytetarëve, por duhet të shikojë brenda vetes, për reformim të saj.

“Kam vërejtje edhe për maxhorancën, por kam edhe kritikë për opozitën, që duhet që të thotë reformat më konkretisht. Nuk mund të mbyllet çështja, duke thënë se ka shkuar tek familja. Nuk mund të mbyllet çështja publike me gjëra private.  Po të isha unë, do të shpallje një ditë zie kombëtare. Policia e Shtetit mbron jetën e qytetarëve, por duhet që të shohë brenda vetes, për t’u reformuar”, përmbylli Fuga. / KultPlus.com