Ledian Shala fiton çmimin kryesor në Pianisti i Ri

Edicioni i 14-të i Festivalit “Painisti i Ri’, që u mbajt në Prizren, po konsiderohet si një ndër edicionet e suksesshme të këtij festivali, pasi që në këtë garë u sfiduan 150-të pianistë, shkruan KultPlus.

Në mbrë;mjen finale ishte i pranishëm edhe Albin Kurti, kryeministri i Republikës së Kosovës i cili në këtë mbrëmje ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Ceku, dhe Sazan Cuakj, nga Komuna e Prizrenit.

“Interesimi në rritje i pianistëve të rinj dhe progresi i tyre ndër vite, është shtysë që festivali “Pianisti i Ri” të vazhdon traditën në profilizimin e pianistëve premtues. Një falenderim i veçantë i shkon Komunës së Prizrenit për mbështetje, shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” për bashkëpunimin, si dhe jurisë profesionale për vlerësimin: Herton Mikeli, Shkelzen Baftiari dhe Gent Kumnova”, ka thënë Vlora Baruti, drejtoreshë e këtij festivali.

Ndërkohë, më të suksesshmit e këtij edicioni dolën këta pianistë: Çmimi i I-rë “Pianisti i ri 2021” (300€) – Ledian Shala, çmimi i II-të (200€) – Riola Susuri çmimi i III-të (100€) – Jona Pireva,  çmimi “Fahri Beqiri” – Luna Shema, çmimi “DAM Festival” – Ledian Shala. Kurse pjesë organizative e këtij edicioni janë:  Vlora Baruti – Drejtoreshë Artistike Agron Shujaku – Menaxher Yllka Shyti – Administratore./ KultPlus.com

“Pupugheji”, një ritual i veçantë në ditën e Shën Gjon Pagëzorit

Në kuadër të ditës së Shën Gjon Pagëzorit, më 24 qershor, në Pallagori fshatin që arbëreshët e quajnë “Pupugheji”, realizohet një ritual i veçantë: pagëzimi i kukullave. Një kukull foshnjë e realizuar më karafila dhe barishte aromatike, të këputura në kodrat e Alto-Crotone – s, dhe e mbështjellë si foshnjë pagëzohet simbolikisht në ditën Shën Gjon Pagëzorit, si një rit i lashtë arbëresh.

Zonja Carmela, protagoniste e emisionit që po përgatitet të transmetohet më 24 qershor, kujdeset që ritualin, t’ua mësojë edhe brezave të rinj, të cilëve për ta mbajtur të gjallë traditën, u ndihmojnë edhe mësuesit e shkollës fillore të Pallagorio. Ruajta e traditave në këtë zonë është bërë pjesë e projektit “Shtëpit rrëfienjin” (Shtëpitë tregojnë), promovuar nga Shkolla Arbëreshe e Carfizzi, e cila gjithashtu u ndoq nga shkolla e San Nicola dell’Alto, të gjitha që i përkasin Institutit Gjithëpërfshirës të Verzinos.

“Ndrikughat”, personazhe të këtij rituali, janë dy vajza të vogla, të cilat, duke pagëzuar “pupughejin”, e lidhin veten e tyre për jetën. Ky është një rit vëllazërimi, i cili në transmetimin e datës 24 qershor do të përcillet në të gjitha hapat, që nga mbledhja e barit te pagëzimi./ KultPlus.com

Kori i fëmijëve ‘Siparantum’ shënon javën e muzikës, Kelmendi: Brenda këtij viti lansohet një CD me vepra që promovojnë kulturën

Era Berisha

Me rastin e javës së muzikës të titulluar ‘Atmospheres’, Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar koncertin me korin e fëmijëve ‘Siparantum’ nga Peja, të cilët sollën një koncert me një repertor të larmishëm duke dëshmuar talentin e tyre vokal jo vetëm në interpretim por edhe nëpërmjet elementeve atraktive në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus. 

‘Fête de la Musique’, ngjarje kjo që festohet në tërë botën qysh nga viti 1981 nga muzikantë amatorë dhe profesionistë të të gjitha niveleve, kurse në Kosovë organizohet që nga fillimi i viteve 2000 dhe tani është shndërruar në një ngjarje mjaft të pritur dhe të çmuar nga publiku kosovar i cili sot mbushi sallën për të dëgjuar nga afër fëmijët e korit ‘Siparantum’ ku secili nga ta solli një veçanti unike që frymonte në të njëjtën vijë melodike vokale. 

Një numër mesatar i fëmijëve nga gjenerata të ndryshme ishin vendosur në një skenë e cila ishte rrethuar komplet me një sfond në ngjyrë të zezë dhe dritat e kuqe të cilat vinin në pah edhe ngjyrën e veshjeve të këtij kori, ku dominonte ajo e kaltër. Fëmijët rrethonin në njërën anë edhe pianon e vendosur në mes e që tërë kohës lëshonte tinguj që vinin nga duart e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi.  

Repertori i larmishëm i tyre përfshiu vepra të cilat u kënduan jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë franceze duke interpretuar kështu gjithsej njëmbëdhjetë këngë, me ç’rast secila nga to erdhi me një fuqi dhe talent që mbase edhe një ditë do të pushtoj skenat më të mëdha botërore. 

Ndërsa, literatura muzikore ishte një gërshetim tejet i bukur duke filluar nga veprat shqiptare si: ”Topi”, ”Kënga e Bylbylit”, ”Nënës” dhe ”Ty flamur të duam shumë”, për të vazhduar me këngët e njohura botërore si: ”Bella Dona”, ”Joshua fit the battle of jericho”, ”Round the mountains” dhe ”Have you seen the ghost of John”.  

Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishin edhe këngët si: ”Samba de Brasil”, ”En ten tenera” dhe ”Derniere Danse”, të cilat papritmas befasuan publikun duke i futur të pranishmit në një frymë krejtësisht ndryshe ku vokali i tyre merrte nota të larta e të ulëta ku zëri i tyre kaploi atmosferën me një hijeshi tingujsh dhe melodi të cilat rrjedhnin jashtëzakonisht bukur. E kjo dëshmohej edhe në fytyrat e prindërve që tërë kohës po i shikonin fëmijët me një krenari që reflektohej në sytë e tyre. 

Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me inkuadrimin e pianos, kitarës dhe fyellit, koncerti u gjallërua ende më shumë duke i dhënë audiencës ngjyra të larmishme melodie dhe tinguj të gërshetuara në një emocion të vetëm që po dhurohej lehtësisht nga fëmijët që posedonin një talent e dhunti që aspak nuk duhet anashkaluar.

Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe lumturia e gëzimi që shndriste në fytyrat e tyre ishte njëlloj si ajo e prindërve të cilët iu bashkëngjitën koncertit me shuplaka të domosdoshme për një vepër specifike. Ndërsa, duartrokitjet e shumta nuk munguan për asnjë çast nga ana e publikut dhe dashuria e tyre që dallohej në buzëqeshje dhe brohoritjet ishte e pranishme tërë kohës deri në fundin e këtij koncerti.  

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizmit të këtij koncerti për KultPlus, foli dirigjenti dhe kompozitori, Memli Kelmendi.

“Ne kemi marrë ftesë nga Ambasada e Francës në Kosovë, konkretisht nga Valon Ibraj, të cilën e falënderoj shumë. Ndonëse në rrethane pandemie, nuk jemi shkëputur nga provat me fëmijët duke arritur që ta realizojmë këtë program, me të cilët kemi zgjedhur një repertor ndryshe nga herët e tjera”, thotë Kelmendi. 

Sipas tij, programi afron publikun afër skenës dhe fëmijët po ashtu kanë nevojë për një atmosferë të tillë por mendoj që sonte ishte një shpalosje e punës tonë disamujore për të rikthyer një atmosferë e cila na ka munguar gjatë. 

“Jam shumë i lumtur sepse ky është viti i tretë që punojmë me korin e fëmijëve dhe e konsideroj që ky është kori më i mirë në aspektin vokal që ekziston momentalisht. Prandaj, po e bëj publike dhe premierë për herë të parë ku tani ka filluar incizimi i një audio-CD, një CD me vepra që promovojnë kulturën dhe ndikojnë në zhvillimin e gjeneratave të reja dhe mendohet të lansohet brenda këtij viti”, thotë Kelmendi. 

Për Kelmendin, fëmijët e korit përpos që relaksohen, ata japin një kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin dhe zhvillimin e muzikës tonë e cila do të ndikoj drejtpërdrejt në të ardhmen. 

“Është hera e parë që vij me një koncert të tillë me korin e fëmijëve dhe jam shumë i kënaqur me organizimin, ndonëse nuk ishte fare i lehtë duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve. Andaj, konsideroj që ne dhe publiku kemi pasur nevojë për një atmosferë të tillë ku fëmijët e bënë një punë të mirë dhe i janë përshtatur kërkesave të mia në aspektin e udhëheqësit”, përfundon Kelmendi për KultPlus. / KultPlus.com 

Arben Baraktaraj mirëpritet në Francë, do të takohet me fansat e filmave të ‘Harry Potter’

Kosovari që tashmë ka arritur suksese të shumta, e madje edhe ka pasur rol në dy nga filmat e Harr Potter, Arben Bajraktaraj, do të mirëpritet në ‘La boutique aux deux balais’, në Francë, shkruan KultPlus.

Arben Bajraktaraj ka portretizuar rolin e Antonin Dolohov në filmat ‘Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit’ dhe ‘Harry Potter dhe Shenjtorët e Vdekjes.’

Takimi me aktorin do të mbahet këtë të shtunë me datën 16 qershor, prej orës 10:00 e deri në 17:45.

Në njoftimin që është bërë nga ana e organizatorëve të këtij takimi theksohet se të gjithë ata që duan të bëjnë foto me aktorin dhe të marrin autograf nga ai duhet të paguajnë 20 euro. Kurse për të gjithë ata që duan të bëjnë një foto dhe të marrin një shkop magjik, të njëllojtë me ato në filmat e Harry Potter, duhet të paguajnë 50 euro./ KultPlus.com

https://www.laprovence.com/actu/sorties-loisirs-en-direct/6396213/marseille-un-acteur-a-la-boutique-harry-potter.html?fbclid=IwAR2IChBZ93j5lcKB-0qtTEYJjCNcByVu8ESzK7_79KnOXGsnpFUH_XPXscQ

Aktori i serialit ‘Friends’ diagnostifikohet me kancer

James Michael Tyler aktori që luajti personazhin e “Gunther” në serialin Friends, ka treguar se vuan nga kanceri i prostatës.

Ai gjtihashtu tregoi se pasi sëmundja nuk u zbulua herët ka përfshirë edhe kockat e tij.

“Jam diagnostifikuar me kancer në prostatë, i cili gjithashtu më ka prekur edhe kockat”, shpegoi Tyler. “Tash e tri vite jam duke u përballur me këtë diagnozë.. Është në shkallën e katërt tani”.

Ai tregoi se është duke u trajtuar me kimioterapi dhe kjo ishte arsyeja që ai nuk mori pjesë në ribashkimin e ‘Friends’, por vetëm u lidh përmes platformës Zoom./ KultPlus.com

‘Unë nuk mund të mbaj kaq rëndë, as jeta nuk po më mbanë mua’

Poezi nga Valona Hasani

Atëherë është atëherë

Ndoshta

Atëherë kur nuk të zgjohet shpirti
Por trupi qëndron stoikisht në këmbë
Kur ti je një person i rëndë
Ama jo prej peshës
E as prej moshës

Atëherë kur të sillet dhoma
E përplasësh në dysheme
Dhe kur të vjellat dalin sipërfaqësisht
Ti ndjehesh i rëndë
Jo pse je i sëmurë
E as pse nuk ishte dita jote

Atëherë kur të nxirat poshtë syve
Tregojnë grimin e mëngjesit
Kur mollëzat humbin formën
E qafa e ka të vështirë të mbaj peshën
E mendimeve
Ti ndjehesh i rëndë
Jo pse këtu është ferri
E as pse ti ngjason me djallin

Kur fillojnë e të vrasin eshrat
Ose kur pantollonat të zhvishen
E rrypi të mbërthen dy herë
Ti prapë ndjehesh i rëndë

Kur këmbët dridhen
Dhe mbahesh për muri
Kur edhe ai rrëzohet
Edhe ti bashkë me të
Jo pse muri nuk të mbante ty
Por ti ishe shumë e rëndë

As unë nuk mund të mbaj kaq rëndë
E as jeta nuk po më mbanë mua.

Ndoshta

Atëherë është edhe tani./ KultPlus.com

Joga në zemër të Prishtinës si portretizim i paqes, harmonisë e shëndetit

Suada Qorraj

Tapetet shumë ngjyrëshe të jogës tashmë kishin zënë vend në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. Nën tingujt e një muzike të qetë, shumllojmërisë së ngjyrave tashmë ju ishte bashkuar, trupi e shpirti i gjithsecilit, që sot për disa minuta, kishte gjetur qetësinë ne praktikimin e jogës, shkruan KultPlus.

Jogën mu në zemrën e Prishtinës, në qiellin e hapur, pikërisht aty ku secili fllad i lehtë që vinte kohë pas kohe, e sollën Agnesa dhe Rina Mehmeti, dy motrat që tash e sa vite drejtojnë studion ‘Urban Joga’.

Dyshja tregon për KultPlus se një ngjarje të tillë kishin vendosur ta realizon në ditën që njihet si më e gjata e vitit, ditën ndërkombëtare të jogës.

“Arsyeja se pse jemi këtu është për shkak se sot është dita ndërkombëtare e jogës dhe mbahet në tërë botën. Kurse data 21 është caktuar si ditë ndërkombëtare, se është dita më e gjatë e vitit. E në këtë ditë të gjithë dalin të festojnë për paqe, për harmoni, për lumturi e mbi të gjitha shëndet”, pohoi Agnesa Mehmeti.

Synimi i këtij aktiviteti ishte që ti afronte më shumë njerëzit, të ju ngriste vetëdijen, por dhe të ju dëshmonte se joga është më shumë sesa meditim.

 “Aktiviteti është për me i pru njerëzit pak më afër, të ju ngrisim vetëdijen , ti kthejmë nga vetja dhe shëndeti. Ta provojnë jogën, se nuk është vetëm meditim, është edhe një ushtrim i vogël trupor, ngase ndihmon shumë në forcimin e trupit”, shtoi tutje ajo.

Ndërkaq për Rina Mehmetin joga ishte, por dhe mbetet qetësia shpirtërore në mbylljen që solli pandemia. Ajo thotë se çdo kush duhet ta provojë jogën.

“Në kohën e pandemisë që na mentalisht kemi qenë të mbyllur me joga mundohem me u hap më shumë edhe me e gjetë atë qetësinë shpirtërore. Kështu që ky vend mendoj që është shumë i qëlluar, ngase edhe po mbahet në ambientet e jashtme. Secili dihet ta provoj”, tha ajo.

Agnesa e Rina Mehmeti kanë mishëruar në veten tyre praktikimin e jogës tash e tetë vite. Fillimisht si ndihmesë për problemet shëndetësore, e më vonë shumë më tepër se kaq. Joga tashmë është bërë ndihmesa e tyre më e madhe.

“Sa më shumë lëvizje, trupi është me fleksibili, boshti kurrizor është më fleksibili, e në fund edhe mendja është fleksibilie”, përfundojnë intervistën e tyre motrat Ahmeti./ KultPlus.com

Tempulli budist i 1200 statujave të çuditshme

Otagi Nenbutsu-ji është një tempull budist në Japoni, i vendosur në rrethinat e Arashiyama, që është shumë ndryshe nga tempujt e tjerë.

Ai është shtëpia e mbi 1200 statujave të çuditshme që e rrethojnë që e kanë kthyer në një destinacion shumë të rëndësishëm turistik.

Statujat Rakan janë unike në llojin e tyre dhe përfaqësojnë 1200 dishepujt e Budës. Pjesën më të madhe ato janë të mbuluara nga myshku, duke i dhënë një pamje mistike këtij tempulli magjepsës.

Otagi Nenbutsu-ji u zbulua në fillim të shekullit të 8, por për shkak se u përmbyt disa herë, u zhvendos në një vend më të sigurt në vitin 1922./ KultPlus.com

“O Margjela e malësisë, thuja kangve të çobanisë” (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën e vjetër “Margjelo” e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm.

Moj margjel mori malsore
ku po shkon me at kosore
ku po shkon moj tuj vrapue
a po me pret o vash dhe mue
bashkë të shkojmë me punue
bashkë të korrim tuj këndue

Margjelo mori Margjel
çilma synin që më ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Moj margjel mori fisnike
bija e malësisë kreshnike
mos t`lshoj zemra ble sonjike
trim i mirë që shkon si erë
mendjen kthyer ka gjithherë
e tash kthen sot bëhet verë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve që mban ise./ KultPlus.com

Ulliri shqiptar nën ekspertizën arbëreshe

Dhoma e Biznesit e Diasporës Shqiptare në partneritet me Shoqatën e Kultivuesve Italianë (AIC) organizoi këtë fundjavë vizitën në terren të ekspertit Arbëresh në kultivimin dhe prodhimin e vajit të ullirit Salvatore Armentano.

Vizita e z. Armentano me qëllim trajnimin dhe këshillimin e kultivuesve vendas  u zhvilluan në kuadër të zbatimit Projekti “Angazhimi i Diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”, i financuar nga IOM me mbështetjen e AICS.

Salvatore Armentano vizitoi dy subjekte shqiptare të prodhimit të vajit të ullirit, “Subashi Olive Oil” në Marikaj të Tiranës dhe “Musa Olive Oil” në Skroftinë të Vlorës ku u njoh nga afër plantacionet e pemëve të ullirit, terrenin, teknologjinë e aplikuar në përpunim dhe kushtet e ruajtjes dhe tregtimit. Z. Armentano dhe prodhuesit shqiptarë që e shoqëruan shkëmbyen praktikat më të mira dhe teknikat e prodhimit të vajit të ullirit, përdorimin e pesticideve biologjike, metodat e krasitjes së pemëve, mjetet për korrjen e frutave të ullirit, rëndësinë e çertifikimit për eksport, teknikat novatore të marketingut si edhe rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së pemëve të ullirit etj./ KultPlus.com

Dua Lipa me dedikim në Ditën e Baballarëve: Je më i miri

Këngëtarja shqiptare më famë botërore, Dua Lipa, e ka uruar babain e saj, Dukagjin Lipën, shkruan KultPlus.

Ajo këtë urim e ka bërë ditën e djeshme që njihet edhe si ‘Dita e Baballarëve’.

 Në një postim në Instagram Lipa ka ndarë disa momente me babain e saj, ku ka theksuar që e do shumë.

 “Je më i miri. Të dua. Gjithmonë pranë meje duke u kënaqur”, shkroi Dua në përshkrimin e imazheve./ KultPlus.com

Vajzat zvicerane vizitojnë Shqipërinë: Një vend parajsë!

Marielle dhe Blanche janë vajza zvicerane turiste të cilat kanë vendosur që të shëtisin botën. Shqipëria ishte një nga destinacionet e tyre ku janë mahnitur nga bukuritë e rivierës shqiptare dhe historisë së saj.

“Bregdeti shqiptar ka shumë surpriza për ne”, thonë ato në një nga postimet tyre. Me makinën e tyre rulot ata kanë vizituar Ksamilin, Urën e Kadiut në Bënjë, Lixhat e Bënjës, kanë shijuar ushqimin shqiptar në Gjirokastër, Porto Palermon, Gjipenë, Dhërmiun, Zvërnecin, Kalanë e Bashtovës, për tu përfunduar udhëtimin e tyre në Durrës për tu larguar nga vendi.

“Një vend parajsë! Nëse vini këtu, mos bëni si ne, mos harroni maskat. Spektakli nën ujë duhet të jetë dhe më i mrekulluehëm se jashtë. Një këshillë tjetër, nëse keni një automjet 4×4 mos hezitoni të zbrisni me makinë! Vendi është madhështor!”, shkruajnë vajzat në një tjetër postim.

Udhëtimi i tyre do të vijojë më pas drejt Amerikës./ KultPlus.com

Vera Haliti, shqiptarja që ndërtoi urë komunikimi për shqiptarët në Slloveni

Gazeta prestigjoze “Delo”, i ka kushtuar një artikull shqiptares Vera Haliti, e cila nëpërmjet punës së saj ndihmon në integrimin e emigrantëve shqipfolës në Slloveni.

Vera së fundmi kaloi edhe provimin për t’u bërë ndërmjetësuese kulturore për komunitetin shqiptar. Sikurse u shpreh në intervistën e dhënë për Delo-n, Haliti u angazhua për marrjen e këtij pozicion për të kontribuar në ndihmë të grave dhe fëmijëve shqiptarë, të cilët jo pak herë, prej paragjykimeve, kalojnë eksperienca jo të këndshme në vendet ku emigrojnë.

Vera Haliti, nga Bulqiza, prej rreth dy dekadash jeton në Celje të Sllovenisë. Ajo është njohëse shumë e mirë e gjuhës sllovene, përkthyese ligjore, por edhe mësuese e angazhuar që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën sllovene dhe të realizojnë sa më shpejtë integrimin e tyre në shoqërinë sllovene.

Haliti është një veprimtare shqiptare me vlera. Ajo është ndër drejtueset e kurseve dhe projekteve integruese për vajzat dhe gratë shqiptare në Slloveni. Së fundi, Vera Haliti është përfshirë në debatin publik të integrimit të diasporës shqiptare në Slloveni. Ajo nuk heziton të pranojë shqetësimet në këtë aspekt. Por, ajo ka kurajon të shprehet publikisht se shqiptarët e duan të renë, e kuptojnë dhe e dëshirojnë integrimin./ KultPlus.com

Muzikantët e famshëm që kishin probleme me dëgjimin

Muzika mund të jetë vajtuese, e qetë, agresive, por mbi të gjitha ajo duhet dëgjuar me zë të lartë. Mendoni për koncertin më të mirë që ju keni marrë pjesë ndonjëherë. Muzika është melodioze dhe të bën për vete, por kur ktheheni në shtëpi, ju vëreni zukatje në veshë nga tingujt e fortë të melodisë.

Tani, imagjinoni muzikantët, që veshët e tyre kanë më shumë ekspozim, shumë më të shpeshtë me tingujt. Rasti më i veçantë i kësaj liste është ai Ludwig van Beethoven. Viti 1802 është një vit shumë i vështirë për të pasi e dashura e tij Xhulieta Guiciardi të cilës i kishte kushtua “Sonata nën Dritën e Hënës” e lë dhe bashkë me të edhe dëgjimi i tij, i cili kishte filluar t’i shfaqë probleme që prej vitit 1796.

Trishtimi i tij ishte aq i madh sa që kompozon “Testamenti i Hailingestatit” dhe ua dërgon dy vëllezërve të tij me lutjen që të lexohet dhe të kryhet pas vdekjes së tij. Fillon duke thënë: “O njerëz që më konsideroni dhe më gjykoni te ligë dhe gjysmënjeriu sa shumë padrejtësi më bëni. Zemra ime që kur isha fëmijë ishte e dhënë pas Mirësisë. Ndihesha gati të realizoja gjëra të mëdha. Por mendoni se këtu dhe gjashtë vite më ka goditur një fatkeqësi e pakorrigjueshme… Kisha vendosur të jepja një fund. Vetëm arti më përmbajti. Më dukej e pamundur të braktisja botën pa përfunduar çfarë isha destinuar të japë”. Megjithatë, këta muzikantë kanë arritur të krijojnë muzikë që do ta kujtoni për tërë jetën.

Neil Young

Neil Young (lindur më 12 nëntor, 1945), është një kantautor kanadez, i cili është konsideruar si një nga muzikantët më me influencë të gjeneratës së tij. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e muzikës dhe zë një vend të veçantë në muzeun e “The Rock and Roll Hall of Fame and Museum”, që ndodhet në Ohio, USA. Në këtë muze shpaloset historia e disa artistëve, producentëve më me influencë që kanë kontribuar në industrinë e muzikës dhe veçanërisht të zhanrit të muzikës Rock and Roll. Young ka qenë nderuar nga muzeu “Hall of Fame” si solo artist në vitin 1995 dhe si anëtari i bandës “Buffalo Springfiled”, grup amerikan i muzikës rok. Këngët më të bukura janë baladat “Heart of Gold” dhe kryevepra e “hard rock” është “Cowgirl in the Sand”, e cila ka pasur një kritikë të suksesshme dhe popullaritet të pabesueshëm.

Nëpërmjet të gjithave, ai ka vuajtur nga “tinnitus” – “zukatje në veshë”, shqetësim i përbashkët për muzikantët e muzikës rok and roll, e cila konsiston në një tringëllimë të vazhdueshëm në vesh. Young ka krijuar mbi 30 albume unike.

Ozzy Osbourne

John Michael “Ozzy” Osbourne (lindur më 3 dhjetor, 1948) është një kantautor anglez, karriera e të cilit shtrihet më shumë se 40 vjet. Osbourne konsiderohet si një nga pionierët e parë të bandës “Black Sabbath” të muzikës “heavy metal” dhe mbetet një nga muzikantët më të suksesshëm i të gjitha kohërave. Gjithashtu, ai është edhe organizuesi i “Ozzfest”, festival që zhvillohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila mirëpret grupe të ndryshme të muzikës “heavy metal”. Pavarësisht nga sukseset e tij, Osbourne vuan nga humbja e dëgjimit.

Në dhjetor të vitit 2010, Osburne shiti më shumë se 100 milionë disqe në të gjithë botën. Po në vitin 2010, fitoi “Literary Achievement”, çmim i dhënë nga Sony Pictures Studio, Kaliforni.

Phil Collins

Philip David “Phil” Collins (lindur më 30 janar të vitit 1951) është një kantautor, pianist, aktor. Këngëtari britanik u bë i famshëm si si vokalist dhe baterist me grupin e rrokut “Genesis”. Këngët e tij kanë qenë në vendet e para të hitparedeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe në periudhën midis 1978 dhe 1994. Mbas dyzet vitesh suksesi, muzikanti legjendar ka bërë të ditur se ai po vuan nga një sërë problemesh me shëndetin vitet e fundit. Dëgjimi i tij është dëmtuar nga të luajturit live dhe ka pasur shqetësime me shtyllën kurrizore, gjë e cila bën të pamundur uljen e tij sërish në bateri.

George Martin

George Martin (3 janar, 1926) është një producent, kompozitor dhe muzikant anglez. Shpesh herë ai është referuar si “the Fifth Beatle” – “Bitellësi i Pestë”, titull që i është vënë falë punës së tij si producent i albumeve origjinale të grupit të famshëm “The Beatles”. Gjithashtu, ai është konsideruar si një nga producentët më të mëdhenj i të gjitha kohërave, ku 30 herë radhazi ka qenë në krye të hitparedit anglez dhe 23 herë në hitparedin amerikan. Martin ka kompozuar edhe kolonat zanore të filmave “Yellow Submarine” 1968, dhe “Live and Let Die” 1973.

Ai ka marrë shumë çmime nderi ndër to më i fundit është “Doctor of Music” nderuar nga Universiteti i Oxford-it më 29 qershor të këtij viti. Si Collin ai është i detyruar të tërhiqet nga muzika për shkak se dëgjimi i tij është i dëmtuar.

Will.i.am

William James Admas, Jr (15 mars, 1975), njohur më shumë si will.i.am është kënge autor, aktor, producent dhe raper amerikan. Ai u bë më shumë i njohur si themeluesi i grupit të muzikës pop dhe hip hop “The Black Eyed Peas” së bashku me këngëtaren e muzikës pop apl.de.ap dhe “Taboo”, më vonë njohur si këngëtarja Fergie. will.i.am ka realizuar disa albume të suksesshme si “Monkey Business and Elephunk” 2003. Si producent muzike ai ka bashkëpunuar me artistë të njohur të muzikës si Britney Spears, U2, Rihanna, Justin Timberlake, Juanes dhe shumë të tjerë.

Çmimi i fundit ka qenë në 2010 si “Best Pop Performance by a duo or Group” me këngën “I Gotta Feeling”. Sipas will.i.am, çdo heshtje është e ndërprerë nga një tingëllim i dhimbshëm, e cila e frymëzon atë për të krijuar muzikë në të gjitha orët e ditës.

Brian Wilson

Brian Douglas Wilson (lindur më 20 qershor, 1942) është një muzikant amerikan, i famshëm si kantautori i grupit “The Beach Boys”.
Wilson si shumë të tjerë muzikantë ka pasur probleme me dëgjimin. Bob Dylan një tjetër muzikant i famshëm ka thënë për shqetësimin e Wilson-it: “ Jezus, shiko atë vesh.

Ai duhet t’ia dhurojë atë Smithsonian”. Smithsonian USA, është kompleksi më i gjerë kërkimor në botë ku përfshihen 19 muze, 9 qendra kërkimore dhe është binjakëzuar me më shumë se 140 muze në botë. Edhe pse me shumë probleme shëndetësore, ai orkestroi një nga albumet më të shkëlqyer i të gjitha kohërave “Pet Sounds”, 1966. Përveç çmimeve të tjera marra gjatë karrierës së tij, më 20 maj 2011, Wilson u nderua me çmimin “George and Ira Gershwin Award” nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angelo-s.

Jeff Beck

Geoffrey Arnold “Jeff” Beck (lindur më 24 qershor, 1944) është një kitarist anglez. Karriera e tij filloi duke lozur me “The Yardbirds”, grup muzikor roku formuar në vitet ’60. Në të njëjtin grup kanë qenë edhe kitaristi i shquar Eric Clapton dhe Jimmy Page. Gjithashtu, Beck formoi edhe dy grupe të tjera muzikore “The Jeff Beck Group” dhe “Beck, Bogert&Appice”. Ai është renditur i 14 në listën e “Rolling Stone” (revistë muzikore amerikane) si një nga kitaristët më me influencë të muzikës rok. Kanali amerikan MSNBC e ka cilësuar si “kitaristi i kitaristëve”.

Shumica e këngëve të tij janë instrumentale. Stili muzikor i këngëve të tij janë jazz fusion, blues-rok dhe heavy metal. Në 4 Prill, 2009 ai u fut në “Rock and Roll Hall of Fame of Museum” si anëtari i grupit “The Yardbirds” në vitin 1992 dhe si solo artist në vitin 2009.

Eric Clapton

Eric Patrick Clapton ( lindur më 30 mars, 1945) është një kitarist, këngëtar dhe kompozitor anglez. Kitaristi legjendar ka qenë pjesëtar i grupeve rok “Cream” dhe “The Yardbirds”, në këtë grup ka qenë edhe Jeff Beck. Karriera e tij njihet më shumë si solist. Stili i muzikës që ai loz është blues dhe rok. Vitin që shkoi, nxori një album “antik”, ku përzgjodhi rreth 20 këngë të shkruara mes viteve ’30 dhe ’50.

Clapton thekson se ky album është si një lloj autobiografie. Në këto këngë të zgjedhura ka bluz dhe xhaz. Këngët e tij të famshëm janë “Layla”, “Wonderful Tonight”, “My Father’s Eyes”, ” Rock’ N ‘Roll Heart” ,”Crossroads”, “White Room” etj.

Pete Townshend

Peter Denis Blandford “Pete” Townshend (lindur më 19 maj, 1945), është një kitarist roku, vokalist, kantautor dhe është i njohur si kitaristi i grupit rok “The Who”. Karriera e tij në këtë grup vazhdoi për më shumë se 40 vjet, dhe ky grup është konsideruar si një nga grupet më me influencë në vitet ‘60 dhe ’70 dhe sipas Eddi Vedder (muzikant amerikan), ndoshta grupi më i suksesshëm që këndon live. Këngët më të suksesshëm janë “My Generation”, “Won’t Get Fooled Again” dhe “Pinball Wizard.
Muzika me volum të lartë, pajisjet piroteknike kanë shkaktuar efekte të mëdha negative për humbjen e dëgjimit të muzikantit të famshëm. Pavarësisht nga kjo vështirësi, ai, si çdo anëtar tjetër i kësaj liste, vazhdon të luajë nëpër koncerte ekstravagante live.

Ludwig van Beethoven

Ludwig van Beethoven, lindi më 16 dhjetor, 1770 në Bon, Gjermani dhe vdiq më 26 mars të vitit 1827 në Vjenë, Austri. Beethoven ka qenë një kompozitor dhe pianist midis periudhave të Klasicizmit dhe Romantizmit në artin e muzikës perëndimore. Ai do të mbetet një nga kompozitorët më të shquar i të gjithë kompozitorëve i të gjitha kohërave. Aty nga viti 1800 filloi të humbiste dëgjimin.

Ai vuajti nga dëmtime të brendshme që i ja vështirësuan atij dëgjimin e muzikës. Mendohet se njëri nga shkaktarët ishte uji i ftohtë, në të cilin ai e vendoste kokën për të mos e zërë gjumi gjatë punës. Edhe humbja e dëgjimit të tij mbetet mister, muzika e tij do të jetojë përgjithmonë, dëgjuar dhe pëlqyer nga gjeneratat e reja. /albertvataj/ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë i këndoi mbrëmë çlirimit të qyteteve të Kosovës, futi publikun brenda përsosshmërisë së vokalit unik

Era Berisha

Repertori i larmishëm e i veçantë botëror dhe shqiptar, inkuadrimi i vokalit nga secili anëtarë dhe instrumentet diversive, sollën një koncert nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, i cili dhuroi mesazhe, emocione dhe ndjesi tejet të veçanta përmes elementeve artistike ku talenti lehtësisht buronte nga brendësia shpirtërore e tyre dhe qetësisht u derdh mbi atmosferë duke tronditur atë me melodi marramendëse dhe tinguj që rrallë dëgjohen, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha bashkëkohore e deri tek periudha moderne që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë tejet të veçantë që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Eric Whitacre, Ola Gjeilo, Ko Matsushita, Veljo Tormis, Jake Runestad, për të vazhduar me kompozitorin shqiptar, Baki Jasharin.

Të pranishmit kishin zënë vendet e tyre duke mbushur ngadalë karriget e vendosura përballë skenës, e cila kishte marrë një imazh ku perdet e zeza të lëshuara dhe pesë ngjyrat e kuqe në sfond po bëheshin gati që së bashku me publikun të përjetojnë melodi dhe tinguj që vinin në një nivel butësie dhe lartësoheshin deri në një britmë që papritmas pushtonte tërësisht atmosferën në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Përsosmëria e vokalit nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, u dallua kësaj radhe ende më shumë për shkak se programi i këtij koncerti kishte marrë një kahje tjetër ku interpretimi i gjashtë veprave të cilat zgjasnin me minuta kishin për qëllim që për nder të Çlirimit të të gjitha qyteteve në Kosovë, të performohen vepra të cilat flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të ndryshëm.

Të vendosur në skenë në një gjysmë rrethi që ngjasonte si forma e gjysmë hënës, Kori i Filharmonisë nisi koncertin me veprën ‘’She weeps over rahoon’’, ku inkuadrimi i instrumenteve si: klarineta nën manovrimin e Shkumbin Bajraktarit dhe pianoja nën manovrimin e Andi Durakut, solli një frymë ku meloditë qetësisht luanin me intensitetin e tyre dhe së bashku me vokalin e Korit që këndonte në një frymë larg nga qetësia absolute, pëshpëritjet e tyre po krijonin një harmoni ndjeshmërie e cila brenda një sekonde thehej tërësisht nga lëvizjet e duarve të dirigjentit Hajrulla Syla.

Në ndërkohë, vepra e dytë e titulluar ‘’Dark night of the soul’’, me inkuadrimin e sopranos Selvije Marteti, Ansamblit të Harqeve të Filharmonisë së Kosovës dhe pianoja që ende vazhdonte tingëllimën e saj hyjnore, ngërtheu atmosferën egërsisht me një dridhje të papërshkrueshme që kaploi fillimisht tërë trupin e dirigjentit, kokën e tij dhe lëvizjet e tij të gishtërinjve që komandonin jo vetëm tërë Ansamblin e Harqeve, Korin e pianon por edhe vështrimin e të pranishmëve në një drejtim të vetëm, atë të skenës.

Vokalet e Korit, në një frymë të vetme po pushtonin ambientin me një shpejtësi që nuk njihte ndalesë duke rritur kështu emancipimin e rrahjeve të zemrës së njeriut por asnjëherë duke mos e lëshuar atë tërësisht dhe pikërisht sekondat para përmbylljes së çdo vepre ishin diçka jashtë kësaj bote, një ndjesi që nuk ka as nevojë për definim. Tingujt e vokalit të tyre lëviznin fshehtazi mes një emocioni përrallor që ngadalë tantalizonte ndjenjat e të pranishmëve duke i vjedhur ato me një marrëzi që pasonte nga melodi të veçanta.

Kurse, veprat si: ‘’O lux beata trinitas’’, ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’ me inkuadrimin e recitatorit Shaban Behramaj, ‘’Curse upon iron’’ me inkuadrimin e mezzo-sopranos Diellza Sylejmani, baritonit Endrit Rexhepi dhe perkusioneve nga Patris Berisha, si dhe vepra që përmbylli natën: ‘’We can mend the sky’’ me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, dëshmuan se Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent ku teknika e tyre, harmonia moderne e ndërlidhur me atë bashkëkohore, klithmat, pëshpëritjet, britmat, luhatjet e jo vetëm të zërave të fuqishëm të tyre por edhe të kokës e trupit, së bashku me një repertor koral që erdhi si një reflektim ndaj situatës të padurueshme që ka ndodhur në vitet e 80-ta dhe 90-ta, solli një veçanti të veprave të cilat dëgjohen mjaft rrallë duke e fiksuar natën me artin magjik të shenjtë, magjepsur të pranishmit me dhuntinë e tyre mjeshtërore dhe dhuruar çaste ku të pranishmit me duartrokitje e brohoritje treguan dëshirën e tyre që koncerti të mos mbaronte fare.

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti dhe procesin e provave, për KultPlus foli dirigjenti Hajrulla Syla.

“Programi është bazuar në një ndërlidhje me festat që jemi duke i festuar në muajin qershor ku në të gjitha qytetet i kemi ditët e Çlirimit të tyre dhe fakti që kishim në program një vepër të kompozitorit Baki Jashari për narrator dhe kor, ka folur shumë në aspektin e historisë e të kaluarës të popullit tonë në vitet e kaluara”, thotë Syla.

Sipas tij, të gjitha veprat që ai i ka dirigjuar sonte janë vepra të cilat ai i ka ëndërruar me kohë për ti pasur në program e në fakt ky është koncerti ku ai për herë të parë është djersitur.

“Procesi i provave ka qenë shumë i shkurtër dhe vetëm për një muaj e dy javë kemi arritur që të sjellim programin në një nivel mjaft të lartë sepse veprat janë shumë të vështira dhe besoj që këtë e ka përjetuar edhe publiku”, thotë Syla për KultPlus.

Ndërsa, për të folur rreth mesazhit të këtij koncerti e në veçanti rreth përmbajtjes së programit, për KultPlus ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Janë bërë 2 muaj që nga koncerti i fundit i Korit, ku kësaj radhe me dirigjentin Hajrulla Syla i cili tashmë është prezent në Filharmoninë e Kosovës si asistent/dirigjent i Korit por që kohë pas kohe i jepet mundësia të realizojë koncerte të tilla si i pavarur dhe ishte komplet ideja e tij programore sepse zakonisht ekzistojnë më shumë vepra me më pak minuta por koncepti ishte më ndryshe me gjashtë vepra të cilat kanë pasur një ndërlidhje përmbajtësore”, thotë Jashari.

Sipas tij, është dëshiruar që me vepra që flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të huaj dhe shqiptar, të realizohet ky koncert artistik ku edhe vepra e tij ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’, flet për vuajtjet e kombit tonë në mënyrë poetike.

“Sonte Kori ka pasur një program mjaft të çartë në përmbajtje edhe me veprat e autorëve të tjerë që tregojnë për një angazhim në zgjidhjen e prangave të popujve të tjerë po njëlloj sikurse edhe për historinë tonë që e kemi pasur”, përfundon Jashari.

Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert premierë të Korit të Filharmonisë së Kosovës në kuadër të sezonit 2020/2021. / KultPlus.com

Publikohet revista vjetore ‘Fryma’, sjell prurje unike letrare

Sot doli nga shtypi numri i katërt i revistës vjetore letrare ‘Fryma’, revistë kjo që udhëhiqet nga studentët e Fakultetit të Filologjisë dhe krijohet me shkrimet e tyre, shkruan KultPlus.

Nga studentët për studentët

Kjo revistë ashtu si është ideuar më herët, iu jep hapësirë të gjithë studentëve që merren me shkrime të dalin para lexuesit me krijime të ndryshme, të cilat tregojnë angazhimin në fushën e letërsisë. Andaj, duke pasur parasysh fushën e gjerë të letërsisë këto shkrime vijnë para publikut në formë të recensionit, poezisë, prozës dhe përkthimit, si kategori në të cilat kanë punuar më shumë studentët. Po ashtu, revista konsiderohet si një bazë shumë e mirë për nisjen e mendimeve kritike dhe  paraqitjen e shkrimeve të ndryshme letrare.                                                                                               

Revista ‘Fryma’ hapet me ligjëratën e shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Sabri Hamitit me titullin “Mësimi i letërsisë”, mbajtur në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Rubrika e radhës përmban intervistën e realizuar mbi krijimtarinë letrare të shkrimtarit, studiuesit e botuesit Ag Apolloni.

Nga kritika përfshihen:

Diana Rexhepi – Kërkimi absurd i vetvetes tek “Kafka në breg” nga Haruki Murakami

Halim Halimi – Fatkeqësia e njohjes

Albenita Xhemajli – Pritja si pafundësi në dramën “Duke pritur Godonë”

Leonora Hajra – Odisejada spirtuo-racionale e Siddhartës së Hesses

Ardit Mehmetaj – Filozofia e hiҫit e reprezentuar nga Gjon Zaveri i Spasses

Eriola Ҫoҫaj – Kanga e jetës në veprën “Me sy kange” të Rrahman Dedaj

Nga proza përfshihen:

Rrezarta Morina – Gjahu

Nga poezia përfshihen:

Dea Basha – Afrodiziak

Pranvera Qerimi – Ftesë mishi

Valëza Fusha – Mos ma përmend

Bleona Arifi – Këmbët e frikës

Era Berisha – Unë e bardha djegem pas saj

Edon Thaqi – Sinoatrial

Fatjona Gashi – Zymti e paharrueshme

Blerta Haradinaj – Qenie

Kaltrina Berisha – Bohemia

Nga përkthimi përfshihen:

Leonora Hajra – Tu ec Magdalena

Malsore Ballabani – Vdekja fuqi nuk paska

Fatijona Bajrar – Hej

Rrezarta Morina – Anabel Li.

Punimet e portreteve të shkrimtarëve brenda revistës janë vepër e Fatlum Mehollit.

Këtë vit revista i përkushtohet profesorit Sabri Hamitit, për nder të veprimtarisë e punës së tij për një kohë shumë të gjatë me studentët e këtij Fakulteti dhe për kontributin e tij në pasurimin e letërsisë dhe studimit të saj.

Revista udhëhiqet nga: Eriola Çoçaj, Ardit Mehmetaj, Leonora Hajra, Rrezarta Moria dhe Zamira Rexhepaj; me lektore Rina Kryeziun dhe dizajnere Gjyljana Ramën e Valentina Arifin. / KultPlus.com

Gatime shqiptare në zemër të Lionit në ditën e refugjatëve

Armand Hasanpapaj u largua drejt Francës në moshën 16-vjeçare duke qenë një ndër valltarët më të mirë, pa e ditur se jeta e tij në Lion do të sillte një tjetër Armand, atë të një shefi kuzhine që e ka pasion të trashëguar nga nëna e tij.

Së fundmi, Armandi dhe nëna e tij kanë ndërmarrë një nismë për të ofruar gatime shqiptare në Ditën e Refugjatëve më 20 qershor në qytetin e Lionit.

Si simbolikë, në këtë ditë ata vendosën të gatuajnë gatime tradicionale shqiptare si, byrek, tollumba etj.

Eventi u mbajt në Place Carnot, Lyon

“Në bashkëpunim me Forumin e Refugjatëve këtu në Lion në datën 20 është dita që dalin të gjithë për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve dhe pasi bëhet ecja në të gjithë qytetin e Lionit ne vendosëm që të bëjmë në mes të sheshit, të prezantojmë ushqime shqiptare si byreku, tollumbat, me nënën time dhe është diçka shumë e bukur që tregon sa më shumë dhe vlerat ushqimore dhe mendimin mbi shqiptarët që të jetë diçka shumë pozitive”, është shprehur më herët Armandi në një intervistë për Disapora Shqiptare. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

20% e gjuhëve rrezikojnë të zhduken deri në fund të shekullit

Bota ndeshet çdo ditë me rrezikun e një humbje, e sidomos në kohë të tilla gati surreale, teksa planeti po vuan gjatë një pandemie. Të rrezikuar nga ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit, shkrirja e akullnajave, por veç këtyre edhe nga zbehja e trashëgimisë shpirtërore.

Një humbje e tillë shkatërruese është themeli mbi të cilin ngrihet jeta dhe identitetet ynë: gjuhët e botës sonë.

Sipas një lajmi të publikuar nga CNN, një e pesta e më shumë se 7000 gjuhëve në botë janë të rrezikuara të vdesin deri në fund të shekullit. Këtë paralajmërojnë shkencëtarët, duke theksuar se dhe më shumë se 40% e tyre tashmë janë të rrezikuara. Ndonëse një lajm i tillë mund të duket krejt i parëndësishëm, në fakt gjuha është më thelbësore për mbijetesën tonë si njerëz nga ç’mund të mendojmë, përcjell KultPlus.

Kolonializmi dhe pushtimi zhdukën shumë gjuhë.

Gjuha është shenjë e identitetit të një populli dhe fuqitë koloniale e dinin këtë mjaft mirë. Shekujt e ashpër të kolonializmit dhe pushtimit nuk kanë lënë asnjë pjesë të botës të paprekur, duke traumatizuar breza të tërë komunitetesh vendase. Në fund të viteve 1800, kolonistët krijuan shkolla me konvikt në SHBA për të “civilizuar” dhe kristianizuar komunitetet autoktone. Një themelues i këtyre shkollave, gjenerali Richard C. Pratt, tha se sistemi kishte për qëllim “të vriste indianin dhe të shpëtonte njeriun”. Fëmijët vendas u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre për të ndjekur shkollat, ku ata u detyruan të adhuronin si të krishterë dhe të flisnin anglisht. Mijëra prej tyre vdiqën nga torturat e shumta, e ndërsa të tjerë të mbijetuar nuk flisnin më gjuhën e tyre amtare përsëri, pasi ndoqën shkollat me konvikt, të cilat vazhduan deri në mes të viteve 1900.

Sistemi i shkollës me konvikte në SHBA ishte jashtëzakonisht brutal, por jo i vetmi. Shkolla të tilla në të gjithë botën, të drejtuara nga qeveria dhe misionarët, ndryshonin në praktikë dhe në qëllime. Por shumica kërkonin të mbizotëronin kulturat vendase përmes gjuhës. Në Amazonën Peruane në vitet 1950, misionarët detyruan popujt vendas Arakmbut të ndiqnin shkolla dhe të mësonin spanjisht. Në Sápmi, pjesët veriore të asaj që tani njihet si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, njerëzit vendas Sami u dërguan në shkolla me konvikt nga shekulli i 19-të deri në mesin e shekullit të 20-të. Norvegjia dhe Suedia miratuan ligje që ndalonin përdorimin e gjuhës Sami në shkolla dhe në shtëpi. Shkollat dhe përpjekjet e tjera të asimilimit të detyruar patën një efekt të ngjashëm edhe te komunitetet Maori në Zelandën e Re. Në vitin 1900, 90% e fëmijëve Maori mund të flisnin Maori, por në vitin 1960, vetëm 26% mund ta flisnin atë.

Kjo gjuhë e Amerikës së Veriut ka më pak se 10 folës amtarë

Komuniteti Potawatomi, që shtrihet në Rrafshnaltat e Mëdha, në lumin e sipërm Misisipi, ende mbart vuajtjet e paraardhësve. Një akt i vitit 1830 dëboi Potawatomi nga vendlindja e tyre që u detyruan, ashtu si grupet e tjera vendase, të ndiqnin shkollat e konviktit të asimilimit brutal.

“Ka një efekt të mbetur”, tha për CNN Justin Neely, drejtor i gjuhës në Qendrën e Trashëgimisë Kulturore, Citizen Potawatomi Nation. “Një lloj ndjenje post-traumatike në vijën e gjakut. Ne jemi në një moment krize me gjuhën dhe mënyrën tonë të jetës. Gjuha është çelësi për të kuptuar kulturën tonë … Historia jonë, vallja jonë, ceremonitë tona, ushqimi ynë – që na bën Potawatomi – por gjuha është ajo që i lidh të gjitha së bashku”, tha ai, përcjell tutje KultPlus.

Ndonëse ka më shumë se 56 000 njerëz Potawatomi që jetojnë sot, Neely thotë se më pak se 10 njerëz në botë flasin këtë gjuhë amtare. Vetëm rreth 30, thotë ai, kanë arritur rrjedhshmëri bisede dhe ai është njëri prej tyre. Covid-19, gjithashtu ka thelluar rrezikun e shumë komuniteteve vendase dhe gjuhëve të tyre.

Kriza e identitetit, një faktor rreziku për vetëvrasje

Përkundër një viti humbjesh të paimagjinueshme, përpjekjet për të shpëtuar gjuhët më të rrezikuara në botë vazhdojnë. Këto përpjekje sipas shkencëtarëve duhet të shtohen jo vetëm për mbijetesën afatgjatë të këtyre kulturave, por për arsye më urgjente.

Trauma historike, e bërë përmes zhvendosjes së detyruar, shkollave abuzive me konvikte dhe politikave të asimilimit ka shënjuar jetën e komuniteteve vendase për breza të tërë dhe kjo traumë është një faktor rreziku për vetëvrasje. Midis vitit 1999 dhe 2017, niveli i vetëvrasjeve në SHBA u rrit me 33%. Në të njëjtën kohë, niveli i vetëvrasjeve për burrat e komunitetit vendas të indianëve amerikanë dhe Alaskës u rrit 71%, ndërsa për gratë vendase u rrit me 139%.

Hulumtimet sugjerojnë se ndjenja e përkatësisë në kulturë dhe komunitet është një nga faktorët më të fortë mbrojtës ndaj sjelljes vetëvrasëse. Mësimi dhe përdorimi i gjuhës amtare mund të ndihmojë në lehtësimin e kësaj ndjenje të përkatësisë. / KultPlus.com

Kosova padit Malin e Zi, kërkon kthimin e 4.500 metrave katrorë

Vijesti shkruan se Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka ngritur padi kundër Komunës së Budvës, në Mal të Zi dhe kompanisë “Sunraf Beach Areas”, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katërorë tokë në shtëtitoren “Rafailoviq”, vend ku dikur ishte vendosur një vendpushim për fëmijë.

Komuna e Budvës, sipas Vijestit, e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës, i kryesuar nga Nikola Plamenac, kundërshtoi procesin gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë atë si të parregullt.

Padia që kanë bërë institucionet e Kosovës ndërkaq thotë se ata kanë blerë vendpushimin me emrin “Ganimete Tërbeshi”, gjashtë dekada më parë.

Padia për përcaktimin e të drejtave pronësore, u paraqit në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

Ministria e Drejtësisë të Kosovës, po kërkon që gjykata e Kotorrit të lëshojë një masë të përkohshme që ndalon hedhjen dhe tjetërsimin e tokës deri në përfundimin e mosmarrëveshjes gjyqësore.

BUDVA

Vendpushimi më vonë u emërua “Lahor”, sipas ndërmarrjes me të njëjtin emër nga Prishtina.

Pas luftës së fundit në Kosovë, selia e ndërmarrjes nga Prishtina u zhvendos në Malin e Zi dhe më pas u privatizua ose u shit.  Ndërtesa e rrënuar e ish-vendpushimit u shkatërrua dhe filloi ndërtimi i një ndërtese shumëkatëshe.

Institucionet e Kosovës në padi theksojnë se janë pronar të pronës së përmendur dhe si provë kanë bashkëngjitur një marrëveshje blerjeje të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut në Kotor, kur ngastra prej 4,555 metra katrorë ishte blerë.

Nga Komuna e Budvës ndërkaq thanë se nga provat e bashkëngjitura nga pala kosovare nuk është e mundur të nxirret një përfundim me siguri në lidhje me ekzistencën e kartës identifikuese aktive të paditësit në lidhje me parcelat e diskutueshme.

“Çështja nëse paditësi është” pasardhës “i SAP Kosova nuk është subjekt i së drejtës private ndërkombëtare, por është një çështje e karakterit të së drejtës publike ndërkombëtare dhe gjykata nuk është kompetente për t’i dhënë një përgjigje “kësaj pyetje “, thuhet në përgjigje.

Komuna tutje është e mendimit se pretendimi nuk ka asnjë bazë ligjore.

” Të gjitha dekretet, urdhrat dhe rregulloret e tjera të lëshuara nga UNMIK, si Administratë e Përkohshme e Misionit të KB në Kosovë, nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, veçanërisht në mosmarrëveshjet në lidhje me blerjen, përfundimin, përmbajtjen dhe ushtrimin e të drejtave reale të pronave të paluajtshme, sepse në atë rast, ligji i zbatueshëm është ai i shtetit në të cilin ndodhet çështja ”, thuhet në përgjigjen e padisë.

Qeveria e Kosovës po kërkon kthimin e 172 pronave, nga të cilat 42 të paktën janë në Mal të Zi. /gazetaexpress/ KultPlus.com

“Në kërkim të Venerës” i regjisores Norika Sefa shpërblehet me çmim në Basel

Filmi i metrazhit të gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, i cili premierën botërore e kishte në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR), duke u bërë filmi i parë Kosovar që mori pjesë në këtë festival, ndër më të mëdhenjtë ndërkombëtarë, tashmë është shpërblyer në Basel me çmimin “The Peter Liechti Award”, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenoë, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Fondacionin për të Drejtat e Kafshëve

Komuna e Prishtinës bashkë me 2cm Humans  kanë arritur memorandum bashkëpunimi me Fonacionin për të Drejtat e Kafshëve lidhur më projektin “Coloring Prishtina”, përcjellë KultPlus.

Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mes të tri palëve nënshkruese lidhur me projektin në fjalë.

Projekti ka të bëjë me dizajnimin/ilustrimin e një libri për ngjyrosje i cili do të shpërndahet nga Komuna e Prishtinës, por edhe do të shitet në Librarinë “Dukagjini”.

Libri kryesisht ka synim fëmijët dhe promovimin e kryeqytetit në formë artistike dhe kulturore dhe të gjitha fitimet nga shitja e librit do të shkojnë për Fondacionin e Kafshëve.

Për këtë lajm ka njoftuar drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha i cili është shprehur se përmes këtij bashkëpunimi po lobojnë kundër të gjitha formave të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit të kafshëve.

“Te lumtur qe ne si Komune po financojme projekte te tilla qe kane per qellim mireqenien e kafsheve. Ta ngjyrosim Prishtinen tone me kreativitetin tuaj”, shkruan tutje Berisha. / KultPlus.com

Kompozitori Rafet Rudi nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve tjera vjetore për muzikë, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku fillimisht falënderoi të gjithë laureatët e çmimeve në muzikë duke u shprehur që kjo është më e pakta që mund të bëjnë për këta artistë.

“Si ministri po e kryejmë një obligim ndaj punës suaj dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë sepse ju meritoni shumë më shumë. Para 30 minutave i kam nënshkruar çmimet. Përgjegjësia për të vlerësuar punën artistike është shumë e madhe”, tha Çeku.

Anëtarët e jurisë për ndarjen e çmimeve vjetore për muzikë ishin: kompozitori nga Franca, Stephane de Gerando, kompozitori nga Kosova, Kushtrim Gashi dhe kompozitori nga Kosova, Ardian Halimi.

Tutje në emër të jurisë, Sami Pirraj zyrtar i muzikës në Ministri ka komunikuar rezultatet e konkursit për muzikë për vitin 2020.

Çmimi për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” u nda për kompozitorin e dirigjentin Rafet Rudi.

“Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani” i jepet kompozitorit Rafet Rudi që është kontribuues i jetës muzikore mbi gjysmë shekulli në nivele kombëtare e ndërkombëtare me shumë vepra cilësore. Veprimtaria e profesor Rudit është e larmishme me shtrirje të gjerë të veprave të begatshme”, thotë Pirraj.

Çmimi për Vepër Orkestrale Simfonike dhe Koncertante shkoi për kompozitorin Kreshnik Aliçkaj për veprën ‘Simfonia nr.4’.

Çmimi për Vepër Kamertale u nda për Ersan Januzin me veprën “Attempt” për orkestër harqesh dhe për Hajrulla Sylën me veprën “Udhëtimi në mjegull” për orkestër harkore.

Çmimi për kategorinë Vepër Solistike, shkoi për veprën “Flas me heshtjen” për soprano dhe piano të kompozitorit e dirigjentit Memli Kelmendi.

Kompozitori Rafet Rudi pas marrjes së çmimit u shpreh falënderues për këtë vlerësim.

“Do falënderoja ministrinë e kulturës për këtë iniciativë që ka filluar 10-15 vite më parë dhe që konsiderohet një rëndësi për krijimtari që shumë vështirë gjendet në vendin tonë. Pozita e kompozitorit është një çështje që diskutohet gjithmonë në shoqëri dhe e di se në fazat e ndryshme çfarë pozite ka pasur kompozitori. E çmoj këtë konkurs si shumë të rëndësishëm për jetesën dhe mbijetesën e krijimtarisë sonë”, tha ndër të tjera Rudi. / KultPlus.com

Shqipëria synon ta bëjë atraksion edhe trashëgiminë shpirtërore

Fshati Pojan në Fier, i përfshirë në programin “100 fshatrat”, në fundjavë është kthyer në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare.

“Festa e grurit” mblodhi bashkë me qindra banorë, duke e bërë Pojanin në epiqendër të festimeve dhe një vend atraktiv për vizitorët. Kjo është vetëm një prej ngjarjeve nëpërmjet të cilave shteti shqiptar synon që krahas trashëgimisë materiale ta bëjë atraksion për vizitorë edhe atë shpirtërore.

Me sloganin “Pusho shqip”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, vlerësoi rëndësinë e “Festës së grurit”, një festë tradicionale e Pojanit të Fierit.

“Vizitorët e Apolonisë shijuan dhe këtë festë që erdhi si ndërthurje e folklorit me demonstrimet e mekanikës bujqësore, me panairet e prodhimeve të grurit, bukës, duke kulmuar me gatimin e festës, të bibës në çerep”, citohet nga mediat shqiptare, Klosi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cilësoi fantastike atmosferën e krijuar në qytetin antik të Apolonisë.

“Festa e grurit në Myzeqe, një paradë e veshjeve, këngëve e valleve tradicionale, e bukurisë e mikpritjes myzeqare, mblodhi bashkë jo vetëm banorë të zonës, por priti edhe shumë miq, që shijuan për orë të tëra harmoninë mes natyrës dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore. Një mesazh i bukur për jetën dhe gëzimin e të qenit së bashku”, ka thënë Margariti në Myzeqe, që ndryshe njihet edhe si “Hambari i Shqipërisë”.

Me qindra njerëz u bënë pjesë e kësaj feste bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.

“Festa e grurit”, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe, i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallin e ftohtë.

“Festa e grurit” është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor. / atsh / KultPlus.com

Për herë të parë pas 14 vitesh, rikthehet grupi ‘Spice Girls’

Botës ju desh të priste fiks 14 vite për të parë dhe dëgjuar sërish Spice Girls, grupin e famshëm të vajzve që bëri jo pak bujë përgjatë viteve ’90-të. Figurat ikonike të “Viva Forever” do të rikthehen me një tjetër këngë të titulluar “Feed Your Love” si pjesë e mini-albumit që do të lançojnë së shpejti.

Lajmi për rikthimin e shumëpritur vjen në prag të 25-vjetorit të super hitit të grupit, “Wannabe”. Në nder të këtij përvjetori edhe projekti i ri quhet “Wannabe25”

“Feed Your Love” do të jetë single-i i parë i grupit që prej 2007-ës dhe bota mezi po pret ta dëgjojë! Çfarë është më mirë se kaq? Fakti që pavarësisht thashethemeve, Victoria Beckham do t’i bashkohet pjesës tjetër të vajzave.

EP pritet të publikohet në 9 korrik, por do të jetë gjerësisht e aksesueshme duke nisur nga 23 korriku. Rikthimi i “Spice Girls” përtej nostalgjisë nuk vjen pa një qëllim të caktuar. Të gjithë të ardhurat prej projektit “Wannabe” do të shkojnë si kontribut për komunitetin e braktisur LGBTQ+ në Britaninë e Madhe. / KultPlus.com