Kënga ”Love Again” e cila është pjesë e albumit të fundit nga Dua Lipa, ”Future Nostalgia”, ka qenë ndër këngët më të pëlqyera nga admiruesit e këngëtares.
Para pak minutash u publikua videoklipi i hitit “Love Again”, këngë kjo që flet për emocionet e krijuara nga dashuria që vijnë si pasojë e zhgënjimeve, përcjell KultPlus.
Dua Lipa duket tejet tërheqëse në klip, dhe vetëm në çastet e para të publikimit, kanë vërshuar komentet pozitive nga fansat e këngëtare shqiptare.
Nga lansimi i albumit të dytë në mars të vitit 2020, Dua Lipa i ka publikuar edhe albumin e plotë remix, ‘Club Future Nostalgia’, të realizuar nga DJ dhe producentja e njohur amerikane, The Blessed Madonna, pjesë e këtij incizimi ishin yje të njohur të muzikës si Madonna, Missy Elliot, grupi “Blackpink” dhe Gwen Stefani. / KultPlus.com
Kënga e Dua Lipës, ”Can they hear us” është përzgjedhur të jetë kolonë zanore në filmin ”Gully”, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur nga vetë këngëtarja, e cila shpërndau posterin e këtij filmi në llogarinë e sa në InstaStory.
Ajo ka treguar se gjatë karantinës ka shkruar një këngë të titulluar “Can They Hear Us” e cila do të jetë një nga këngët e kolonës zanore të filmit “Gully”.
Kolona zanore e filmit nga Nabil Elderkin do të ketë edhe këngë nga artistët të tjerë si : 21 Savage, Don Toliver, 2Chaninz, Buddy, Miguel, Snoh Aalegra, Choolboy Q dhe Ty Dolla Sign.
Kolona zanore pritet të lasohet në platformat online më 8 qershor të këtij viti. / KultPlus.com
Një nga filmat e shumëpritur dhe më të mëdhenjë të vitit, Fast and Furious 9, arrin më 10 qershor në Cineplexx, me eventin Action Night.
Për premierën e Fast and Fruious 9 më 10 qershor, Cineplexx organizon eventin “Action Night” në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren, me super-shpërblime! Biletat për këtë event tashmë kanë dalë në shitje, dhe ato mund ti bleni çdo ditë në të dy kinematë ose online përmes aplikacionit Cineplexx KS.
Përveç premierës botërore të këtij filmi, gjatë eventit Action Night i cili fillon prej orës 18:00, do të ketë super-shpërblime si:
Një pushim 7 netë në Turqi nga Fibula 2x pako polir & ceramic coating nga Advance Detailing 3x servise të rregullta nga Euro Delta.
Filmi i gjen protagonistët sërish në aksion kur Cipher, personazh i luajtur nga Charlize Theron, e rekruton vëllaun më të ri të Dom në ekipin e saj që të marrë hakmarrje ndaj Dom dhe miqve të tij. Filmi rikthen në regji Justin Lin, ndërsa në rolet kryesore vijnë super-yjet Vin Diesel, Charlize Theron, Tyrese Gibson, Michelle Rodriguez, si dhe kastit të aktorëve do ti bashkangjitet edhe ylli tjetër i filmave aksion, John Cena.
Biletat për këtë film mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx, ose edhe online përmes aplikacionit Cineplexx KS. Më shumë informata rreth filmit mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.
Më është dashur të punoj shumë që të mos kërkoj falje për atë që jam dhe të pranoj të metat e mia, deklaroi Kate Winslet në pranimin e rolit të ambasadores së kompanisë ”L’Oréal Paris”, transmeton KultPlus.
“Duhet guxim dhe forcë për të besuar në atë që ne vlejmë”, shtoi ajo.
“Ndonjëherë mund të mendojmë se nuk vlejmë asgjë… të gjithë kemi momente si këto, por është ajo që na bën njerëzorë. Por, sa më shumë që t’i përsërisim këto fjalë dhe të besojmë në gjithçka që jemi në të vërtetë, pavarësisht se si e perceptojmë veten , atëherë, me kohën dhe duke besuar në veten tonë, ne do ta bindim atë se kemi vlera’’, shtoi ajo.
Kate Winslet, një nga aktoret më të mëdha, e cila shpërtheu me ”Titanic” dhe që prej asaj kohe është kërkuar në dhjetëra filma, ka qenë një ikonë e rëndësisë së vetëvlerësimit dhe një aktiviste për ndryshimin për vite me radhë.
“Asnjëherë mos dyshoni në veten tuaj, ne jemi të gjitha me vlerë’’, shtoi ajo.
”Fytyrat janë të bukura, fytyrat ndryshojnë, lëvizin, janë fytyra të bukura, por ne kemi ndaluar së mësuari t’i duam ato fytyra, sepse vazhdojmë t’i mbulojmë me filtra për shkak të medieve sociale”, shtoi ajo. / KultPlus.com
Muzeumet e Krujës tashmë ofrohen falas për t’i vizituar online përmes aplikacionit “Muzeumet e Krujës”.
“Kudo që të jeni, muzeumet e Krujës, këtij qyteti me simbolika të forta kombëtare, i keni vetëm një klik larg. Një ftesë për t’i shijuar nga afër. Shkarkoni falas aplikacionin “Muzeumet e Krujës” për platformat Android dhe iOS”, informoi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Tashmë, prej disa kohësh, shumë muze në vend janë duke përdorur aplikacione për t’u mundësuar vizitorëve të shijojnë thesaret e tyre përmes internetit, një mundësi kjo e nxitur edhe nga masat kufizuese dhe mënyrën e re të jetesës që imponoi pandemia COVID-19.
Pjesë e planit strategjik për periudhën 2019- 2025, aplikacionet janë shtrirë edhe në muzeumet e Krujës.
Margariti shprehet se ky shërbim vjen pa asnjë lloj pagese dhe gjithashtu jo vetëm për ata persona që jetojnë brenda vendit, por edhe jashtë tij./atsh/ KultPlus.com
Arti dhe shkenca mund të duken dy të kundërta, por një teknologji e re tregon se si ndërthurja e tyre mund të jetë një hap revolucionar.
E quajtur si “ngjyra strukturore”, kjo teknologji pretendon se nxjerr në pah “ngjyrën më të ndritshme në Tokë”. Ngjyra strukturore prodhohet nga disa nanostruktura – ose pjesë tepër të vogla që reflektojnë dhe shpërndajnë dritën, si dhe imitojnë ngjyrimet më të ndritshme që gjenden në natyrë.
Teknologjia është zhvilluar nga “Lifescaped”, një laborator i themeluar nga Andrew Parker, i cili e identifikon veten si shkencëtar dhe artist. Këtë muaj, veprat e tij janë ekspozuar në Kopshtin Botanik Mbretëror në Londër, përcjell KultPlus.
Vetë galeria është e errët, me mure të lyer me ngjyrë të zezë, të cilat nxjerrin edhe më shumë në pah pikturat e Parker. Disa prej tyre janë frymëzuar nga fenomene natyrore, si “big bang”-u, ndërsa vepra të tjera imitojnë ngjyrat dhe strukturat e petaleve të luleve apo krahëve të fluturave.
“Ngjyra është diçka që formohet tërësisht në mendje. Përbëhet vetëm nga valë rrezesh elektromagnetike që kalojnë rreth nesh dhe ne i konvertojmë në ngjyra”, thotë Parker për CNN. “Arti dhe shkenca bashkohen nga ngjyra. Ne po përdorim fizikën për të manipuluar dhe rafinuar nuancat e ngjyrave që mund të prodhojmë”.
Nuk bëmë kush e di se çfarë, Aq sa të tjerët të na përmendin. Por për ne ishte mjaftueshëm, Të paktën për mua ishte, më shumë se ç’do të kërkoja ndonjëherë. Ne nuk kultivuam romancë të skaduar, As puthje as prekje nuk dhuruam. Diçka ndezëm tek njëri-tjetri, Emocione të veçanta e të nevojshme, Për secilin njeri që ka sadopak zemër. Dhe pse ato i merr era, Fjalët tua s’do t’i harroj ndonjëherë, Sepse bartur me erën aq sa ikin Përsëri dikur, Medoemos tek unë do të kthehen. Nuk bëmë kush e di se çfarë, Pak buzëqeshje pikturuam, në fytyrat ku gdhendej trishtimi, Dhe kupat mbushëm me pikëla lotësh, Që rodhën nga puriteti i qenësisë humane. U njohëm mjaftueshëm në kufizimin e ditëve, Pa të cilat tani s’do të isha njësoj, Se ende të brishtit dhe të mirët, Rrojnë në shtëpitë e tyre, Të shpërndara mes qytetesh të rindërtuara. Nuk bëmë kush e di se çfarë, Për njerëzimin nuk vlejmë të quhemi, As çift i dashuruar, As armiq të përbetuar. Por ama botës diçka, Paqëllimshëm i dhuruam, Një histori të pakrahasuar, Emri i së cilës reflektohet, Në titullin e poezisë së saposhkruar. / KultPlus.com
Edicioni i 19-të i konkursit letrar “Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli 2021” ka bërë të ditur listën finale të poetëve pjesëmarrës, të cilët do të priten në qytetin e Pejës në datat 13 dhe 14 qershor, shkruan KultPlus.
Abdullah Zeneli
Adelina Pali
Ajne Ibërhysaj
Albana Zirka
Alma Zenellari
Angjelina Marku
Anila Kananasi Karapidou
Anila Kodra Kotroci
Anton Marku
Arjan Kallco
Asja Mulgeci
Bajramali Selimi
Bukurie Bucpapaj
Dan Ibrahimi
Klejda Plangarica
Lulëzime Malaj
Luljeta Bushi
Manjola Brahaj
Maxhun Osmanaj
Mëhill Velaj
Mirela Papuciu
Naxhie Kastrati
Nezi Plaku Velaj
Nurie Emrullai
Ramë Oraca
Rejsi Mece
Riza Dreshaj
Rozafa Shpuza
Sejdi Berisha
Violeta Kadriu
Vladimir Muca
Vlora Konushevci
Vlora Rexha
Zamira Korance
Po ashtu pjesëmarrës do të jenë edhe autorë të huaj dhe promovues librash. Ndërsa, edhe këtë vit do të ndahen çmimet ‘Bulzat’. / KultPlus.com
Muaji i Muzikës vijoi sot me përkujtimin e kompozitorit të njohur, mjeshtrit të pentagramit, Tish Daija. Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti u shpreh se kompozitori Tish Daija, është një nga mjeshtrit e muzikës shqiptare.
Artisti dhe kompozitori i mirënjohur Tish Daija lindi në qytetin e Shkodrës në një familje të thjeshtë qytetare. Që në moshë fare të vogël, ende pa nisur shkollën fillore, bëhet pjesëtar e “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me kompozitorin Tonin Harapi, Cesk Zadejën, Lukë Kacajn dhe Simon Gjonin. Në moshën 10-vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga i madhi Prenk Jakova. Ai në fillimet e karrierës së tij ka punuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare.
Fizarmonika ishte edhe instrumenti me të cilin filloi të eksplorojë muzikën. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.
Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes, në Shkodër. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës.
Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.
Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar ”Halili dhe Hajrija”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.
Ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare në 3 tetor të vitit 2003. /atsh/ KultPlus.com
Nesër Dita Ndërkombëtare e Mjedisit përmbyllet me ‘Bike in Cinema’. Duke pasur parasysh rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe të mirat që ai sjell, KSDW në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ‘Marakli t’Biciklave’ dhe Dokufest, do të shfaqin filmin ‘Bikes vs Cars’, përcjell KultPlus.
Ky aktivitet fillon nga ora 19:30 në Parkun e Qytetit të Prishtinës ku të gjithë inkurajohen të vijnë në park me biçikleta. Kurse, për shkak të situatës me pandeminë, në dispozicion do të jenë 100 ulëse.
Gjithashtu, në këtë aktivitet, shikuesi duhet të jetë i pajisur me maskë dhe duhet të mbajë distancën fizike. / KultPlus.com
Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Ta Pastrojmë Kosovën” shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Sportit dhe Ambientit, përcjell KultPlus.
Sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) – Spitali i Onkologjisë, organizohet aktiviteti, në të cilin do të mbillen dhjetëra pemë, për të kontribuar për një ambient të pastër.
Pjesëmarrës krahas ministrave të ministrive të ndryshme, mjekë, drejtues të sportit, sportistë, do të jenë edhe OJQ “Marakli të Biciklave”, të cilët do t’i bashkohen aktivitetit me biçikleta.
Po ashtu, do të ndërtohet një vend-parking për biçikleta dhe të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë aktivitet mund të kontribuojnë duke e blerë një pemë dhe duke e mbjellë atë në po të njëjtin lokacion.
Pjesëmarrësit obligohen që t’i respektojnë rregullat e përcaktuara nga institucionet përkatëse. / KultPlus.com
Angelina Jolie lindi më 4 qershor 1975 në Los Angeles, Kalifornim lindur si Angelina Voight. Është një aktore amerikane, kineaste dhe humanitare. Bijë e aktorit Jon Voight dhe aktores Marcheline Bertrand. Përfituesja e akordimeve të shumta, përfshirë një çmim Akademie dhe tre çmime Golden Globe, ajo është cilësuar shumë herë aktorja më e paguar në Hollywood.
Jolie e filloi karrierën duke vepruar me zell për një dekadë me një film me buxhet të ulët prodhimi. Roli i parë që ka luajtur si protagoniste ishte në filmin Hackers.
Ajo u vlerësua nga kritikët për mënyrën e paraqitjes në filmin biografik dhe fitoi një Academy Award for Best Supporting Actress për performancën e saj në filmin Girl Interrupted.
Jolie ka arritur famën e saj më vonë në një film portretizues të një video loje si personazh heroik me emrin (Lara Croft) në Lara Croft: Tomb Raider dhe që atëherë e ka ngritur veten si një prej aktoreve më të mirënjohura dhe më të paguara në Hollywood.
Ajo ka pasur sukseset e saj më të mëdha komerciale me filmin aksion-komedi Mr. & Mrs. Smith dhe filmin e animuar Kung Fu Panda. / KultPlus.com
Libri i titulluar “Vepra të frymëzuara nga Chopin”, ngërthen në vete tetë vepra pianistike 8 vepra pianistike të kompozitorëve Kosovarë që ishin pjesëmarës në garat e kompozimit në Chopin Piano Fest Prishtina dhe vepra tjera me karakter të ngjajshëm, përcjell KultPlus.
Këshilltari i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Liburn Jupolli, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka bërë të ditur se ai ishte pjesë e librit ‘Vepra të frymëzuara nga Chopin’, me veprën “Micro-suite balkanique”, e cila ka fituar çmimin e dytë në garën kompozitoriale të konservatorit Chopin në Paris me drejtor Peter Vizard.
Kjo vepër është shkruar posaçërisht për këtë garë dhe është interpretuar në të njëjtin vit në Paris nga pianistja e re Soyeon Kwon, gjatë studimeve bachelor të Jupollit në vitin 2014. / KultPlus.com
Holanda është në mesin e disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që po e pengojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning, ka bërë të ditur se argumentet e ofruara nga institucionet e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë qenë mjaft bindëse deri më tani.
Koning ka përmendur mbledhjen e fundit të Këshillit të Evropës në të cilën nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Përveç Holandës, një gjë të tillë po e vështirësojnë edhe qëndrimet e shteteve, si Franca dhe Belgjika, të cilat po kërkojnë hapa më konkret në luftimin e këtyre dukurive negative.
“Deri më tani, në Këshill ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i cili drejtohet nga standardet që duhet t’i përmbushë një vend në mënyrë të qëndrueshme, para se Këshilli të marrë vendim për heqjen e vizave. Kur Komisioni Evropian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, ka thënë Koning për KP.
Më tej, ajo bëri të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë vizitë të planifikuar të këtyre delegacioneve në Kosovë për shkak të formimit të qeverisë së re në Holandë. Megjithatë, ajo theksoi edhe një herë gatishmërinë e këtij shteti për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces.
“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen tonë përmes projekteve, këshillave dhe ekspertëve për të arritur këto rezultate të qëndrueshme në luftimin e këtyre dukurive”, shtoi ajo.
Zëdhënësja e diplomacisë holandeze i ka quajtur inkurajuese planet e Qeverisë aktuale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë.
“Për Holandën është e rëndësishme që korrupsioni i nivelit të lartë jo vetëm të ndiqet penalisht, por të ketë edhe zbatim efektiv të dënimeve ndaj atyre që janë përgjegjës. Planet e Qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë inkurajuese, andaj po presim të shohim rezultatet, meqë kjo është një nga prioritetet e tyre”, ka deklaruar Koning.
Krejt në fund, ajo tha se qeveritë e Holandës dhe Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm në Prishtinë përmes autoriteteve përkatëse.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se problem për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën nuk janë pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por shtetet si Franca dhe Holanda, të cilat janë të pakënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim vizash, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për këtë proces./Kp / KultPlus.com
Një vajzë arbëreshe nga Kozenca ishte mes protagonistëve të Rai-t në programin kushtuar përhapjes së parimeve të Kushtetutës italiane.
Ishin 11 të rinj që përmes historisë së përvojës së tyre jetësore flasin për nenet e para të Kushtetutës. “E ardhmja kalon këtu- Kushtetuta jonë” është titulli i speciales që u transmetua më 2 qerhsor në Ray Gulp.
Kalabria dhe pakicat gjuhësore u përfaqesuan nga arbëreshja Azzurra Della Motta. 16-vjeçarja është nxënëse në shkollën e mesme shkencore “Pitagora di rende”, jeton në Cerzeto, qyteti arbëresh i provincës së Kozencës.
Detyra e saj ishte të fliste për nenin 6 të Kushtetutës italiane që mbron pakicat gjuhësore. Pakicat gjuhësore janë një vlerë e shtuar, një trashëgimi kulturore dhe artistike që duhet mbrojtur.
Kreu i bashksië së Cerzeto, Giuseppe Rizzo thote me krenari se “kemi nevojë për të mbrojtur pakciat gjuhësore sepse përfaqësojnë një trashëgimi të rëndësishe. Jemi këtu prej 500 vjetësh dhe kjo ëhtë jonë ku ne gjithashtu jetojmë të lidhur me kulturën tonë. Edhe ne luftuam për bashkimin e Italisë. Minoritetet duhet të përfaqësojnë një vlerë të shtuar për Italinë”.
Pjesëmarrësit morën pjesë në program brenda mjedisit të tyre duke dëshmuar secila një nen të Kushtetutës. Azzurra ishte veshur me veshjen tradicionale arbëreshe ku bashkë me nënën e saj, Nella, është pjesë e grupit të valleve tradicionale që zbulojnë një ndjenjë të fort të përkatësisë në një kulturë të pasur e të çmuar./gazeta shqiptare/ KultPlus.com
Nga po na çojnë nuk e di, Gjithë këta njerëz po qajnë. Po na dëbojnë në Shqipëri, A peng do të na mbajnë?
E lashë lodrën në dhomë, Një avion të bërë prej kartoni, Nëna e zbehur si kufomë Më tha ta lë tek ballkoni.
Çantën e lashë në kuzhinë Që kur të kthehem ta gjej kollaj, Por shtëpia u mbush me tym Flakët e kapluan fund e majë.
Shtëpia nga zjarri u tund, E pamë kur u shemb, nga kodra. E di që janë bërë shkrumb Edhe çanta edhe lodra.
Tash këtu po na ndajnë Duke bërtitur e me të shtëna, Edhe pse e shohin që po qajmë Edhe unë edhe nëna.
Nënë, mbama dorën, nënë, Dorën mos ma lësho! Nënë, pse me ty nuk më lënë Të lutem, nënë, më mbro!
Por darë e hekurt më shkëputi Nga dora e nënës, me furi. Tash jam vetëm, gjëkundi Ku jam as vetë nuk e di.
Po na bëjnë resht për një Po mua pse, kur s’jam burrë. Po shtien me breshëri, Flaka po djeg si furrë.
Oh, trupi sa fort m’u nxeh Po bie përtokë, po shoh hënën Lart në qiell, pse ashtu u zbeh?! Ah, ta kisha pranë vetëm nënën!
19 dhjetor 2015
* Xhevë Meta nga fshati Nivokaz ka rrëfyer se si djali i saj trembëdhjetë vjeçar, Bajrami, i kërkonte të mos ia lëshonte dorën, deri sa forcat policore serbe e ndanë nga e ëma dhe e ekzekutuan, bashkë me treqind e shtatëdhjetë e shtatë meshkuj të tjerë në fshatin Meje./ KultPlus.com
Sopranoja e njohur shqiptare Elbenita Kajtazi e cila është duke shënuar një sukses të madh në teatro prestigjoze të Evropës, shihet se do të ketë një angazhim të madh edhe përgjatë këtij viti dhe vitit 2022, shkruan KultPlus.
Ajo ka njoftuar për angazhimet e saja përgjatë kësaj periudhe kohore, duke përfshirë teatrot më të njohura të Evropës, por që ka listuar edhe performancën e Kosovës, e që do të jetë në kuadër të ReMusica.
Do jetë një vit i stërngarkuar, me gjithësej 4 koncerte, dhe 26 shfaqje operistike , 4 debutime , Rita, Manon, Contessa, dhe Mimi shumë studim dhe perkushtim përpara vetës por ky fakt vetëm sa më plotëson lumturin shpirtërore dhe më pasuron repertorin tim operistik.
“Fëmijët e Kosovës” (Children of Kosovo), titullohet kënga e grupit ‘The Kelly Family’, e realizuar për kohën e luftës së fundit në Kosovë.
Para 14 vitesh, grupi i famshëm “The Kelly Family” lansoi këtë këngë që në mënyrë të dhimbshme përshkruan përjetimet e fëmijëve nga Kosova, shkruan KultPlus.
Kjo këngë pas lansimit të saj mori famë të madhe dhe u pëlqye shumë e sidomos nga kosovarët të cilët e kishin ende të freskët kohën e luftës dhe përjetimet e tmerrshme të asaj kohe.
Kjo këngë edhe sot vazhdon të dëgjohet me nostalgji, sidomos nga kosovarët.
“The Kelly Family” është një grup irlandezo-amerikano-evropian që përbëhet nga një familje prej disa gjeneratash që këndojnë muzikë rok, pop dhe folk./ KultPlus.com
Udhëtimin e fundit kur ta bëjmë, atë të pa kthim ta bëjmë me muzikë, se tërë jetën muzikën e kemi dashur. Të lëmë amanet që të na përcjellin në banesën tonë të fundit me ca ciganë të hareshëm, me tingujt e fizarmonikës e të violinës, me valltare flokëgjata, të veshura me fustana plot ngjyra. Kortezhi të ndalet në çdo shtëpi, të atyre që na kanë dashur, e që i kemi dashur edhe të atyre që s’na kanë dashur, nuk bën të mbahet inat. S’na kanë dashur se s’i kemi dashur, Se kanë dashur që t’i duam. Dikush do të hjek kapelën, dikush shaminë, e dikush do të ngre dolli, përmes dërrasave të shohim fytyrat e pikëlluara, lotët në sy, e aty këtu maskat dhe buzëqeshjet e rreme. Tak, tak, tak, vazhdoni rrugën. Deri atëhere, t’ i përgjigjemi ftesës së Kafavisë, e të Bodlerit, të marrim udhën plot dritë e diell të bëjmë bashkë det e qiell, e nga bukuria të dehemi në Itakat ku ndalemi. T’i jepemi zjarrit e afshit, e të lodhur e të ngopur të pushojmë aty ku ka qetësi, kënaqësi dhe dashuri, dashuri, kënaqësi e qetësi. / KultPlus.com
Një bibliotekë në Mississippi po u kërkon njerëzve të dhurojnë fakte për të dokumentuar se si pandemia me COVID-19 ka ndikuar në jetën e tyre.
Në rrjetet sociale të Bibliotekës Publike “Columbus-Lowndes” është publikuar një thirrje për banorët duke u kërkuar informacione dhe artikuj, përfshirë ditarë, fotografi, video, vizatime dhe maska.
“Ne vërtetë po shpresojmë se do të mund të mbledhim gjëra ashtu që gjeneratat e ardhshme do të shikojnë prapa dhe do të hulumtojnë çfarë ne kemi kaluar – gati si pandemia e vitit 1918”, ka thënë arkivistja e bibliotekës, Mona Vance-Ali për WCBI-TV.
Një aspekt i pandemisë në të cilin biblioteka është veçanërisht e interesuar është se si njerëzit janë mbështetur në teknologji për të ndërvepruar me të dashurit e tyre gjatë karantinës.
Informacionet e mbledhura do të përdoren edhe për të gjetur se si pandemia ndikon në shoqëri në të ardhmen, transmeton AP.
“Ndjehem sikur po kontribuoj në diçka që është ka një qëllim shumë më të madh se vetja ime. Do të ndihmojë komunitetin dhe gjeneratat në të ardhmen të kuptojnë çfarë kemi përjetuar ne të gjithë”, ka thënë Vance-Ali. / KultPlus.com
Filmi artistik i metrazhit të gjatë “I treturi” me skenar dhe regji të Arben Thaqit do të prezantohet me premierë në Cineplexx të Shkupit, shkruan KultPlus.
Premiera e këtij filmi që përfshinë një kastë të njohur të aktorëve do të prezantohet të premtën, me fillim në ora 19:00.
Filmi është një dramë psikologjike me elemente të luftës që përfshinë periudhën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Protagonisti filmit luajtur nga aktori Sotiraq Bratko duke shkruar kujtimet e tij, përpiqet të zbulojë diçka nga e kaluara e tij e mjegullt, diçka që e fshehë nga njerëzit, gruaja e tij, madje edhe nga vetvetja.
Në këtë film përpos Sotiraq Bratko luajnë edhe aktorët: Eva Alikaj, Kejdi Ademi, Sokol Monallari, Afrim Muçaj, Sheqerije Buçaj, Selman Blerim Ismani, Arsim Fazlia, Selman Jusufi, Adem Karaga, Rafet Abazi, Neritan Liçaj, Enis Murati …
Filmi është kooproduksion mes Arbfilm e që është mbështetë nga Qendra e Filmit të Maqedonisë, dhe bashkëprodhues minor është edhe Qendra Kinematografike e Kosovës, nëpërmjet Ikonë Studio.
Filmi është bazuar në romanin e Abdylaziz Ilsmait “Të treturit e Projanës”./ KultPlus.com
Së fundi është përkthyer në gjuhën italiane “Për ty Toka ime – Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, libër nga autori Jusuf Buxhovi, dhe për këtë përkthim është shprehur të jetë e nderuar edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lindita Haxhitasim. KultPlus ju sjell të plot reagimin e saj.
Është nder të promovosh historinë e #Kosovëspërmes rrëfimeve të fakteve historike, të cilat për shekuj me radhë na kanë bërë krenarë për identitetin tonë.
“Për ty Toka ime – Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” e shkrimtarit dhe historianit tonë të mirënjohur Jusuf Buxhovi, tani i botuar edhe në gjuhën italiane nga shtëpia botuese #ArmandoEditore, ka kontribuar në forcimin e rrënjëve të popullit tonë./ KultPlus.com
Një shqiptaro-amerikane është vlerësuar lart nga administrata “Biden”.
Fjala është për Eva Millonan, e cila është emëruar ndihmës sekretare në Departamentin e Homelande Security.
Ky është posti më i lartë që ka mbajtur ndonjëherë në administratën amerikane një shtetas shqiptar, i lindur në Shqipëri.
Millona ka studiuar drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitet 1980 dhe ka shënuar një bilanc të madh arritjesh në karrierës së saj.
Në Shqipëri, ajo ka praktikuar të drejtën civile dhe penale para se të bëhej gjyqtarja më e re e rrethit e emëruar ndonjëherë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, ku shërbeu nga viti 1989 në 1992.
Pasi emigroi në SH.B.A., ajo drejtoi programin e rivendosjes së refugjatëve në Massachusetts Qendror dhe më pas në 1999 u bashkua me MIRA (Massachusetts Immigrant and Refugee Advocacy Coalition), duke shërbyer fillimisht si Drejtoreshë e Politikave dhe Avokatisë dhe më pas si Zëvendës Drejtoreshë.
Ajo u bë drejtore Ekzekutive në vitin 2008 dhe sot njihet si në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si një eksperte dhe udhëheqëse në politikën e imigracionit dhe integrimin e imigrantëve dhe refugjatëve.
Gjithashtu, Millona ka dhënë kontribut të madh në Komisionin Amerikan për të Drejtat Civile, Këshillin Këshillimor të Guvernatorit të Masaçusetsit për Refugjatët dhe Emigrantët, Këshillin e Prokurorit të Përgjithshëm për Amerikanët e Ri dhe Bordin Këshillëdhënës për Zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Bostonit për Avancimin e Imigrantëve.
Ajo ka marrë çmime të shumta për avokatinë dhe udhëheqjen e saj, përfshirë çmimin prestigjioz 2009 Outstanding American by Choice nga Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA dhe Çmimin e Drejtësisë Sociale të Bankës Wainwright 2010. /gazetaexpress/ KultPlus.com