Shkolla Amerikane e Korçës, shkolla e parë shqiptare për vasha

Kjo shkollë ishte shkolla e parë shqiptare për vasha dhe u bë vatër e arsimit shqiptar dhe e ideve për liri e përparim kombëtar. Ajo mblodhi rreth saj patriotët më të shquar. Lindi si një ide dhe e Gjerasim Qiriazit, i cili e shihte nevojën e madhe për një institucion të tillë që do të shërbente për emancipimin e grave shqiptare.

Me dëshirën e zjarrtë për të ndihmuar sadopak popullin e tij, Gjerasimi bashkë me të shoqen, Athinanë, vendoset në Korçë në vitin 1890 dhe aty fillon të predikojë në gjuhën shqipe, ku gjeti ndër njerëzit një etje të madhe për të.

Nga ky shkak fitoi simpatinë dhe përkrahjen e shumë patriotëve shqiptarë, veçanërisht të Jovan Cico Kosturit, Orhan Pojanit, Thimi Markos, Petro Nini Luarasit e Thanas Sinës, të cilët e lutën që të predikojë shqip në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe. Më 23 tetor 1891 Gjerasimi dhe e motra Sevastia, e cila sapo kishte mbaruar studimet në Shkollën Amerikane për Vajza në Stamboll, (themeluar nga “Bordi Amerikan i Komisionerëve për Misionet e Huaja”) të vendosur për të përmbushur nevojën e popullit shqiptar për arsim në gjuhën amtare, çelën në Korçë të parën shkollë shqipe për vajza. Në ceremoninë e diplomimit të Sevastisë në Stamboll, kishte qenë i pranishëm dhe Naim Frashëri, si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit.

Personeli i shkollës në vitet e para, përbëhej nga: Gjerasim Qiriazi, drejtor, Sevasti Qiriazi, Thanas Sina Postenani dhe Fanka Eftim. Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim në këtë shkollë janë edhe patriotët e shquar Grigor e Katerina Cilka, Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, nxënëse të kësaj shkolle Polikseni Luarasi, Helidhona Titu (Falli), amerikanët Fineas e Violet Kenedi të Misionit Amerikan etj.

Pas vdekjes së Gjerasimit në vitin 1894, vendin e tij e zuri i vëllai Gjergj Qiriazi e më pas Thanas Sina e Grigor Cilka dhe secili dha një kontribut të shquar për përparimin e kombit shqiptar.

Mësuesit e kësaj shkolle janë ndër patriotët më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Ata qenë në ballë të luftës për liri e arsim kombëtar e në krye të ngjarjeve më të rëndësishme të atyre viteve: mësues në shkollën shqipe, përkthyes e shpërndarës librash në gjuhën amtare, propogandues të ideve kombëtare, hartues abetaresh e gramatikash, tekstesh shkollore, pjesëmarrës në Kongresin e Alfabetit, 1908, pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit që solli çeljen e shkollës pedagogjike (normale), luftëtarë politikë, përkrahës të shtetit shqiptar më 1912, përkrahës të qeverisë së Vidit etj. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Rikthehet Mural Fest Tirana, marrin pjesë artistë nga e gjithë bota

Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota do të udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.

Lajmin e mirë e ka dhënë vetë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjete sociale.

“Mural Fest Tirana vjen edhe këtë vit! Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale”, shkruan Veliaj.

Pjesë e Mural Fest priten të jenë artistë urbanë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj. Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, ku vepra shkrihet me fasadën përkatëse në varësi të hapësirës urbane që do të zërë.

Festivali synon t’i japë një imazh të ri hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.

Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re. Ky shkëmbim kulturor ka kaluar kufijtë dhe ka krijuar në Tiranë një pikë të ngrohtë pritëse të artit. / KultPlus.com

Detyra e artit dhe artistit

Nga Jorge Luis Borges

Detyra e artit është të shndërrojë gjithçka që na ndodh; ta shndërrojë gjithçka në simbole, në muzikë; ta shndërrojë gjithçka në diçka që mund të jetojë në kujtesën e njeriut. Kjo është detyra jonë. Nëse nuk e përmbushim, hidhërohemi.

Shkrimtari apo artisti, ka detyrën ta shndërrojë gjithçka në simbole. Këto simbole mund të jenë ngjyra, forma ose tinguj. Për poetin simbolet janë tinguj dhe fjale, fabula, histori, poezi. Puna e poetit nuk mbaron kurrë. Nuk ka të bëjë hiç me orët e punës.

Ti gjithmonë merr diçka nga bota e jashtme. Diçka duhet të shndërrohet dhe në fund të fundit, ajo do të shndërrohet. Ky zbulim mund të shfaqet kurdo. Poeti kurrë nuk pushon. Ai gjithmonë punon, madje edhe kur ëndërron. Përtej jetës së shkrimtarit është një vetmitar. Ti mendon se je vetëm dhe me kalimin e viteve nëse yjet janë me ty, mund të zbulosh, që je qendra e nje rrethi të madh miqsh të padukshëm, të cilët të duan, por ti nuk do t’i njohësh kurrë.

Dhe ky është një shpërblim i mrekullueshëm.

Përktheu: Elona Caslli / KultPlus.com

@Ulf Andersen/Getty

Reagon këshilltarja e Presidentes Osmani: Adil, adoptohu me realitetin e ri, shteti nuk është i individëve

Pas postimit të një statusi të ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, i cili ka përdorur gjuhë të papranueshme ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia, përcjell KultPlus.

Vitia përmes një postimi në rrjetin social Facebook iu është drejtuar Behramajt duke u shprehur se ekzison dallimi sustancial mes mendimit dhe stigmatizimit.

“Diskursin fyes, të cilin duket ta kesh të kultivuar përpiqu ta fisnikërosh, sepse sigurisht postimet tuaja i lexojnë nëna, motra apo mbase edhe vajza juaj!Adil, adoptohu me realitetin e ri, shteti nuk është i individëve. Vjosa të bën krenar edhe ty çdo ditë si qytetar i këtij vendi!”, ka shkruar ajo.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj:

I nderuar Adil, ngaqë keni shijuar ndjesinë e pushtetit, e kupton mirë funksionimin. Në politikë kritikohen idetë apo mendimet. Zhvendosja e vëmendjes nga përmbajtja e bën të gërditshëm atë që po cilësohet “mendim i lirë”. Ka dallim substancial ndërmjet mendimit dhe stigmatizimit. Përcaktimi yt për të dytin shpërfaqë simptoma të dëshpërimit, ngase është përmbyllë epoka juaj. E keni marrë kartonin e kuq nga votuesit dhe këtu s’duhet të ketë hidhërim, por reflektim. Jo qëndrime Ad Hominem, por, kritikë përmbajtësore. E vërtetë që platformat sociale janë mundësi për t’i shfaqur qëndrimet në lidhje me procese, individë e fenomene, ama mos harxho kohë duke bërë “dezhurni”. Diskursin fyes, të cilin duket ta kesh të kultivuar përpiqu ta fisnikërosh, sepse sigurisht postimet tuaja i lexojnë nëna, motra apo mbase edhe vajza juaj!Adil, adoptohu me realitetin e ri, shteti nuk është i individëve. Vjosa të bën krenar edhe ty çdo ditë si qytetar i këtij vendi! / KultPlus.com

Pas turit në Maqedoninë e Veriut, Elina Duni performon sot në Shqipëri

Artistja e mirënjohur Elina Duni, e cila jeton në Zvicër, do të interpretojë sot në mbrëmje në një koncert në “Pepperon the Beach”, Dhërmi.

Këngëtarja shqiptare e xhazit, e cila kombinon këngët tradicionale folklorike shqiptare me jazzin, do të interpretojë me Rob Luftin, Gent Rushin dhe Viktor Filipovskin.

Më herët Elina dhe grupi i saj prej 30 korrikut deri më 2 gusht performoi në Maqedoninë e Veriut.

“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / KultPlus.com

Përkujtohet ikona e artit dramatik shqiptar, aktori Stavri Shkurti

Përkujtohet sot ndarja nga jeta e njërit prej ikonave të artit shqiptar.

Stavri Shkurti lindi në qytetin e Korçës më datën 5 gusht të vitit 1927.

Lidhjet e tij me teatrin janë shumë të hershme, sepse që në moshë fare të re angazhohej shumë shpesh me trupat amatore teatrore në qytet. Më vonë ai studion për inxhinieri hidrologjike në Çekosllovaki, pavarësisht se për asnjë moment nuk u shkëput nga teatri dhe kinemaja.

Me krijimin e trupës profesioniste teatrore dhe themelimin e “Teatrit A.Z.Çajupi” në Korçë, artisti emërohet si aktor pranë kësaj trupe. Fal pasionit, vullnetit dhe cilësive të tij të shkëlqyera interpretative, ai spikat si aktor dramatik fal edhe zërit të tij të cilësuar edhe si një nga zërat më të mirë ndër aktorët shqiptar.

Rroli i tij i parë nga i cili edhe mori një admirim të madh jo vetëm për publikun korçar por mbarë shqiptar ishte ai i Markos në dramën “Pamje nga ura” e autorit A. Miller. Më pas ai do të zhvillonte aktivitetin e tij edhe në kinema e cila e ktheu atë në një ikonë të vërtetë.

Në teatër shquhet për interpretim në vepra si “Vajza pa prikë”, “Tri të shtëna pushke”, “Rrëfimi I bardhë” , “Pamje nga ura”, “Nata e dymbëdhjetë”,  “Maro Mokra”,  “Hijete natës” etj…

Kurse në kinema disa nga rolet më të spikatura janë në filmat si “Tana” ,”Prita”,  “Mëngjese Lufte”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Zonja nga qyteti”, “Përballimi”, “Njeriu me top”, “Gjeneral gramafoni”, “Ballë për ballë” e shumë e shumë rrole të tjerë. Pra me rreth 50 rrole të interpretuara me profesionalizëm tepër të lartë.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me shumë çmime, ndër to edhe “Medaljonin e Festivalit të Kinemasë” në vitin 1987, titullin “Artist I Popullit”, “Qytetar nderi” i qytetit të Korçës.

Artisti humbi betejën 6 vjeçare me një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme më datën 5 gusht të vitit 1998 në Selanik të Greqisë. / KultPlus.com

Ish-këshilltari i Thaçit me gjuhë të papranueshme ndaj presidentes Osmani

Ish-këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka përdorur gjuhë të papranueshme ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim të publikuar sot në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Sipas Behramajt, presidenca po mundohet t’i fshehë pushimet e Osmanit në Turqi duke dekretuar ligje të mëhershme.

Ai ka zgjedhur që të përshkruaj çka, sipas tij, bën presidentja në det – nëse ka shkuar atje.

“E turbullon pak detin dhe e ngre ujin përpjetë”, ka shkruar ish-këshilltari i Thaçit.

Gjuhë të papranueshme ndaj presidentes kishte përdorur edhe deputeti i PDK-së Ardian Kastrati, por pas reagimeve që mori, i njëjti kishte fshirë postimin. Ndërsa, Univeristeti i Prishtinës ishte distancuar nga gjuha e profesor Kastratit dhe këtë çështje e kishte dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës. / KultPlus.com

Vrulli i Goranit drejt bregut shqiptar

Nacionalizmi duan të thonë, konsiderohet në botën tonë moderne dhe egërsisht të globalizuar, si diçka e tepërt, antike ndoshta, një shfaqje mendësie të tejkaluar nga koha dhe zhvillimi bashkëkohor i botës në të cilën në fakt jetojmë të gjithë bashkë.

Për një arsye të tillë edhe unë si qenie me prirje “globale”, si një shqiptar qytetar i botës së përbashkët për të cilën qeshë duke treguar pak më parë, nuk do të duhej faktikisht që të kisha ndonjë gjë të veçantë kundër shfaqjes së Goran Bregoviç serbit në një skenë shqiptare pas ca ditësh.

Të këndojë ore tjetri, kush e pengon!

Në serbisht po ashtu, se mos di të këndojë në anglisht fundja? – Jo nuk di, ndaj dhe lëreni të këndojë në gjuhën e tij mëmë serbisht, meqë ndryshe nuk mundet.

Ka ëndje të këndojë dhe mirëfilli askush nuk ka ndërmend ta ndalojë në ushtrimin e profesionit të tij Bregoviçin, aq më pak në skenat e Shqipërisë!

Unë për fat Goranin nuk e njoh, as kam patur rastin të dëgjoj këngët e Lepa Brenës apo ndonjë serbi ose boshnjakeje tjetër.

Turbofolkun serb nuk e njoh dhe as që më intereson gjithashtu.

Thënë kjo, më nevojitet të pranoj “botërisht” se mosnjohja nga ana ime e realitetit muzikor serb (turbofolku) nuk më ka penguar aspak që të jem një artdashës, shijues i apasionuar i tingujve të mirëfilltë joserbë muzikorë, vlerësues i muzikës në përgjithësi.

Ideja ime si njeri “veshmprehur” lidhur me botën e muzikës ballkanike, pa qenë sidoqoftë i këtij profesioni si formim, është se rajoni ynë vuan thellësisht nga mungesa e “origjinalitetit” në këtë fushë, dhe kjo ndodh ngaherë e nuk ka nisur kurrsesi sot.

Fakti është që prania e stërzgjatur osmane në viset dhe trojet etnike të popujve të Ballkanit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme sa në veshje, mendësi, sjellje dhe veprime, aq edhe në muzikën dhe vallet tona pa përjashtim.

Në një këndvështrim të tillë, tallavaja aktuale si dhe turbofolku serb, kanë të bëjnë ngushtësisht ashtu si edhe shumë degëzime të tjera të lëvrimit të muzikës së këtij gadishulli ku të gjithë frymojmë, me një origjinë të përbashkët turke, sa nga folku i mirëqenë turk, aq edhe nga muzika e romëve të Azisë së Vogël, të quajtur “romani” nga turqit.

Në të vërtetë po të hidhet një vështrim i përciptë mbi universin e pasur muzikor të Turqisë së ditëve tona, aty do të vërehen pa shumë vështirësi, pjesëza të origjinës së shumë dokeve dhe traditave muzikore të gjithë banorëve të Ballkanit, me përjashtim të sllovenëve e ndoshta kroatëve, që kanë jetuar më tepër nën qeverisjen dhe kulturën austriake, sesa nën ndikimin jetëgjatë të hapësirës osmane.

Kështu mund të takojmë lehtësisht gjurmët turke sa në vallet dhe këngët e Shqipërisë së Mesme (por edhe më tej sesa thjesht ky rajon i vendit tonë), aq edhe në veshjet apo vallet, meloditë dhe kërcimet specifike të serbëve, maqedonasve, domosdo të boshnjakëve (gjithmonë me modelin e tyre tipik ala-cigan të të kënduarit të përdëllyer brenda përvuajtjes së përhershme), bullgarëve e ndopak edhe grekëve.

E gjithë kjo na vlen për të kuptuar se jetojmë në një rajon tepër të vogël, ku shumë popuj të ndryshëm janë “ndikuar” fort kulturalisht nga fuqia e fundit madhore sunduese, siç patën qenë turqit deri para një shekulli, për këtë arsye është deri diku normale dhe e pranueshme që muzika e njëri-tjetrit (që jo rrallë ngjan), të na tërheqë.

Unë vetë nuk prirem të kem ndonjë ndjesi të zhvilluar kureshtje apo grishje ndaj muzikës ballkanike në përgjithësi, apo asaj të fqinjëve tanë në veçanti.

Mënjanë malazezëve që në përshtypjen time nuk kanë muzikë fare, s’m’i kanë ndezur ndërkaq asnjëherë ndjenjat baladat qaramane orientale të boshnjakëve, dhe sigurisht kurrsesi folku i serbëve ku të njëjtat melodi me kombinimin e pamungueshëm “srce-ljubav” (zemër-dashuri) t’i çajnë veshët në përjetësi.

Maqedonasit, sidomos në rajonet kufitare me juglindjen e Shqipërisë dhe Selanikun në Greqi, lëvrojnë një lloj muzike të këndshme qytetare e cila ngjan së tepërmi me serenatat korçare, e për këtë arsye, është më e pranueshme për një vesh të hollë.

Nga ana tjetër, bullgarët muzikë nuk kanë (ose kanë, po këtë fakt nuk e njeh askush) dhe rendin vazhdimisht pas kopjimit të trubofolkut serb ose tallavasë rome, me tekste bullgare.

Rumunët sipas përshtypjes sime, bëjnë muzikë tepër të mirë “dance”, një fakt që i ka bërë të njohur anembanë “Club-ve” të kontinentit evropian, ndaj dhe ankesa për ta nuk mund të kem, ndonëse muzikën tradicionale nuk ua njoh ndopak.

Po Goran Bregoviçi?

Goran serbi është gjë tjetër.

Personalisht më shumë më ka çuditur ndërthurja e pakuptimtë e emrit dhe mbiemrit të tij, ngaqë Goran dhe Bregoviç, pak a shumë në shqip domethënë “Malësor i Bregut”, diçka krejt e papërputhshme gjuhësisht.

Mbase domethënë se Gorani vjen me vrull nga lartësitë serbe drejt bregut shqiptar, gjithmonë të ëndërruar nga serbët.

Gorani sakaq është simbol, është serbi që vjen në Shqipëri dhe shkul rrylin e fytit duke kënduar (apo mbase me “play back” gjë?), pa iu dridhur qerpiku, pa ia bërë syri tërrt, si të ishte në Beograd e jo në tokën e “albancëve” këtyre njerëzve me bisht sipas ndoca shkencëtarëve serbë.

Kurse Bregoviçi ynë as që trembet fare dhe me vetëmohim, vjen me këngë në gojë, sjell tingujt dhe fjalët serbe mes shqiptarëve.

Nuk e njoh Goranin dhe nuk e kam idenë se çfarë lloj njeriu është ai. Mua vetë më duket pak si leshko në pamje, por nuk dua të abuzoj me njerëz që s’i njoh.

Ajo që mendoj është se Goran Bregoviçi më tepër habitet vetë si vallë nuk do e “hanë ose pjekin të gjallë” këta shqiptarët me bisht dhe të egër, se gjë tjetër, dhe i ngrati kur të këndojë, ndoshta do t’i numërojë së prapthi sekondat deri në çastin kur ndokush do ta lërë shakull në vend, që më pas ta rrjepin dhe t’ia hedhin qenve ose diçka të ngjashme.

Publiku shqiptar aty nën skenën ku serbi në fjalë do të çirret, mbase do të dukej pak a shumë nën efektet degjeneruese të ekstazës idiotësuese, si një turmë e etur që ka vrapuar me të katra, për në ndonjë  lokal “striptease”.

Kam bindjen që nëse Goran Bregoviçi do të zhvishej atë mbrëmje, rrobat e tij do të kishin shkaktuar një kaos të tillë midis publikut të përvëluar, saqë salla ku serbi do të këndonte, do të digjej me themel dhe do t’i kish dalë tymi.

Si ta them, Gorani do të ishte “palaço” në skenë dhe masa amorfe me trajta të paqarta turme të dalë duarsh, do harbohej me vetveten dhe ekstazën e këngëve që ai këndon, duke u çjerrë dhe uluritur histerikisht.

Sigurisht që disa dhjetëra spektatorë të matufosur turbofolk-dashës, nuk përbëjnë asgjë krahasuar me shoqërinë shqiptare.

Shqipëria për fat të madh, është shumë më tepër se aq, megjithëse shfaqje të tilla të marrëzisë kolektive, nuk të bëjnë të mendosh mirë për qenësinë mendore, e aq më pak morale të popullit tënd.

Në të njëjtën kohë nuk do kishte qenë e tepërt të ishte përmendur për shembull sesi do të kishte vajtur saktësisht një situatë e ngjashme, por e ndodhur hipotetikisht në Beograd dhe jo Shqipëri…

Këngëtari “X” shqiptar ta zëmë shkon i ftuar në një program të suksesshëm serb.

Në çastin që i kumtohet publikut emri i tij, ka një ngërdheshje të përgjithshme…

  • “Ore, mos është emër shqiptarësh ky”? – do vinte në dukje dikush midis publikut në sallë.

Më tej, kur këngëtari shqiptar do të ngjitej në skenë, kur të niste të shqiptonte rrokjet e para të fjalëve në shqip të këngës së tij, atëherë nga publiku drejt tij do të vërshonin jo vetëm një numër i pallogaritshëm sharjesh të çdo lloji, fyerjesh personale dhe etnike, kërcënimesh, por ka mundësi edhe karrige, stola, ombrella, këpucë e bastunë të spektatorëve të pranishëm.

Dikush tani do të thoshte se ne prandaj nuk jemi serbë, as ballkanas nuk jemi nga kjo anë, se nuk bëjmë gjëra të tilla, jemi më normalë dhe të evoluar ne, i pranojmë ndryshimet dhe dallimet me të tjerët, kurse artit i japim vëmendjen e duhur duke e ndarë nga mëritë ndëretnike të rajonit tonë.

Fundja, në vitet 80 të shekullit të kaluar, dyshoj fort që Bijelo Dugme, pjesë e të cilëve ka qenë Goran Bregoviç, të ketë pasur fansa të shumtë në Shqipëri, ndërsa gjithë vëmendja e publikut shqiptar i kushtohej si gjithmonë muzikës dhe kulturës italiane, që ngaherë qëndron në pararojë të artit në nivel botëror.

Kur dinjiteti ynë të mos nëpërkëmbet nëpër librat e historisë, stadiume, politikën dhe qëndrimin zyrtar të shtetit serb dhe jo vetëm, atëherë mund të jetë e udhës, që edhe ne të tregojmë para fqinjëve tanë e në veçanti serbëve, faqen tonë moderne, liberale dhe evropiane, atë që pranon vlerat e tjetrit, që njeh meritat e artit, që gëzon muzikën, pa u ngatërruar me epshet shtazarake të kënetave të prapambetura ballkanike.

Ndërkaq, të shfrytëzohet kjo ndodhi fatkeqe, ky vendim dukshëm pa shije për të ftuar një personazh të këtillë në një skenë verore, për të vjellë vrer e helm veçanërisht ndaj Korçës dhe qytetarisë e kulturës së saj, është gjithashtu diçka krejtësisht e papranueshme.

Në 1999, nuk ka pasur thuajse asnjë fshat të Korçës, përveç vetë qytetit sigurisht, ku mijëra familje shqiptarësh të Kosovës mos të kenë gjetur mikpritje të pashembullt, dhe qytetarët korçarë shpesh patën vajtur në stadiumin e qytetit, për t’i marrë dhe strehuar refugjatët kosovarë nëpër shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve i kam miq dhe i takoj edhe në ditët e sotme dhe janë akoma mirënjohës për Korçën dhe korçarët.

Do theksuar se mirësia e administratave amerikane ndaj shqiptarëve, dhe gjithaq Kosovës, nis me shoqërinë Vatra ne SHBA, të themeluar pikërisht nga mërgimtarët e parë korçarë në Amerikë mbi një shekull më parë.

Me katër ndër këngëtaret më të njohura në botë, të gjitha me origjinë shqiptare (Dua Lipa, Ava Max, Rita Ora dhe Bebe Rexha), me një mori këngëtarësh shqiptarë të bëjnë ligjin në muzikë nga Italia në Gjermani, Zvicër, Angli, Greqi e tjetërkund në Europë, pak nevojë kemi për Bregoviçët në skenat tona, ndonëse nuk ka asnjë arsye të tregohemi shovinistë si ndokush nga fqinjët tanë, sidomos në fushën e  artit.

Por deri në ditën kur respekti kulturor të jetë i ndërsjellë, sipas meje gjasë ende e largët, Bregoviçët dhe këngët e tyre, s’bëjnë për mua të paktën!

Nga Elvi Sidheri / KultPlus.com

269 vite nga vdekja e lëvruesit të gjuhës shqipe, Gjon Nikollë Kazazi

Sot shënohet 269 vjetori i vdekjes së ipeshkvit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe teologut imzot Gjon Nikollë Kazazi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, duke përkujtuar këtë datë, thekson se, ai në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kohë kur studiuesi arbëresh Pal Skiroi do ta rigjente në po këto arkiva nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III, 194”.

Gjon Nikollë Kazazi lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto, ku përfundon studimet. Në vitin 1727 mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit do të shugurohej meshtar. Në moshën 41 vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.

Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit e, kryesisht, arkivit të Propaganda Fide.

Vdiq më 5 gusht 1752. Në këtë ditë të amëshimit të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujton kontributin e imzot Kazazit si gurthemel në panteonin e besimit dhe gjuhës shqipe.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon edhe fletë të “Mesharit” të Gjon Buzukut, sjellë dhuratë nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit:

Lutjet e Mëngjesit

Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh… / KultPlus.com

Pasta me nutella, trendi i ri që po bën bujë në internet

Disa përdorues të rrjeteve sociale kanë ndarë me ndjekësit e tyre një recetë gatimi mjaft të çuditshme.

Pasta e shoqëruar me nutella duket se është trendi i ri i ushqimit.

Disa njerëz kanë ndarë fotografi të kësaj recete në Twitter, dhe përderisa për dikë është një shaka, të tjerët duket se e shijojnë vërtet pjatën, shkruan Dailymail, pëcjell Klankosova.tv

Fotot e makaronave me Nutella kanë marrë reagime nga më të ndryshmet, për disa komentues është nevrike diçka e tillë e disa të tjerë e presin mjaft pozitivisht këtë ide.

“Është me të vërtetë shumë e shijshme,” shkroi një tifoz në Twitter pasi e provoi këtë kombinim.

Por edhe ata që kanë qenë mjaft aventurierë për të provuar recetën, e dinë se nuk është shija e të gjithëve./ KultPlus.com

Jennifer Aniston shkëput kontaktet me njerëzit e pavaksinuar

Jennifer Aniston, si shumë njerëz në SHBA po përballet me vendimin se si t’i trajtojë njerëzit përreth saj që nuk duan ta marrin vaksinën anti-Covid.

Aniston ka vendosur t’i shkëpusë marrdhëniet me ta deri sa ata të vendosin ta marrin këtë vaksinë, tha ajo në një intervistë të re për Instyle.

“Është ende një grup i madh i njerëzve që janë kundër vaksinës ose thjesht nuk i dëgjojnë faktet. Është një turp i vërtetë,” tha Aniston në intervistë, transmeton KultPlus.

 “Unë sapo kam shkëputur kontaktin me disa njerëz të rutinës time javore vetëm pasi ata kanë refuzuar të vaksinohen ose nuk kanë treguar nëse ishin apo jo të vaksinuar, dhe është për të ardhur keq”, shton ajo.

Ansiton thotë se “është detyrimi juaj moral dhe profesional” të informoni ata me të cilët keni kontakte nëse jëni vaksinuar apo jo.

Ajo pranoi se “është e ndërlikuar sepse të gjithë kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre rreth vaksinës. Por, shumë opinione janë të bazuara në asgjë tjetër përveç frikës ose propagandës.”/KultPlus.com

Përfundon prezantimi i ekipit të Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Ka përfunduar prezantimi i ekpit të Kosovës në Loërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Në këtë ngjarje, Kosova u përfaqësua nga 11 sportisë dhe 6 norma olimpike.

Në këto Lojëra, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ia siguruan Kosovës dy medalje të arta, ndërkaq Loriana Kuka mori medaljen e bronztë, transmeton KultPlus.

I fundit që përfundoi garën nga ekipi i Kosovës ishte Egzon Shala. Mundësi me normë olimpike u radhit në vendin e 8 -të në Lojërat Olimpike.

Pas përfundimit të garës së ekipit të Kosovës në ‘Tokio 2020’ ka reaguar edhe ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke e cilësuar si të sukseshëm prezantimin e ekipit të Kosovës në Lojërat Olimpike.

Postimi i plotë i MKRS-së:

Prezantimi i suksesshëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Tokio 2020

Kosova në Lojërat Olimpike 2020 –të u përfaqësua nga 11sportistë dhe 6 norma olimpike nga 2 sa kishim në Rio 2016 –të. U trefishua pjesëmarrja e sportistëve me norma olimpike dhe nuk mund të ishim më krenar se kaq.

Sportisti i fundit që përfundoi garën nga ekipi ynë është Egzon Shala. Mundësi me normë olimpike u radhit në vendin e 8 -të në Lojërat Olimpike.

Ndërsa Kampioni i Evropës në xhudo, Akil Gjakova arriti në çerekfinale në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Ai shënoi tri fitore që e renditin në vendin e shtatë në Lojërat Olimpike.

Xhudistja Loriana Kuka, medaliste e bronztë e Botës dhe Evropës, garoi në kategorinë -78 kg me rusen Alrksandra Babinsteva. Kjo ishte hera e parë që ajo mori pjesë në Lojërat Olimpike.

E arta Majlinda Kelmendi garoi me hungarezen Reka Pupp. Në fitore e humbje, ajo mbetet krenaria e shtetit tonë. Puna, përkushtimi dhe guximi që ka treguar do të jenë gjithmonë inspirim për gjenerata të tëra.

Xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova kanë dalë më të mirat në botë në kategoritë e tyre në këtë sport duke siguruar dy medalje të arta.

Drilon Ibrahimi në garën e shenjëtarisë u rendit në vendin e 46 -të dhe njëherësh ka arritur të shënojë rekord shtetëror me pjesëmarrjen në LO Tokio 2020.

Notarja jonë, Eda Zeqiri, e cila është garuesja më e re e ekipit Olimpik të Kosovës ka garuar në disiplinën 400 metra stil i lirë

Eda në përfundim të garës  me kreativitetin e saj promovoi vendin duke drejtuar gishtin tek flamuri i Kosovës.

Ndërsa notari Olt Kondirolli ka garuar në disiplinën 100 metra stil i lirë. Në konkurencë shumë të madhe, Olti shënoi rezultatin e tij më të mirë ndonjëherë duke arritur 643 pikë.

Kampionja e Kosovës, boksierja Donjeta Sadiku garoi në kategorinë 57-60 kg. Ajo dha maksimumin ndërsa u ndesh me  britanezen  Dubois Caroline, Kampione Botërore dhe olimpike për të rinjë. Donjeta është në moshë të re, dhe ëndrrën e saj për të fituar medalje Olimpike do ta ndjek në lojërat e ardhshme Olimpike.

Atleti ynë, Musa Hajdari, mbajtësi i shumë rekordeve të vendit dhe Olimpsit i Kosovës në Rio 2016, ishte pjesë e garës në disiplinën e 800 metrave duke arritur rezultatin 01:48.96.

Të gjithë këta sportistë u bënë shembull për vendin dhe inspirim për ata që duan të ndjekin rrugën e tyre.

Ne i falenderojmë të gjithë për reprezentimin dinjitoz./KultPlus.com

Green Fest vjen me moton “Ndrite qytetin”

Edicioni i njëmbëdhjetë i Green Fest, nën temën “Ndrite Qytetin” do të fokusohet në potencialet që do çonin drejt menaxhimit sa më efikas të qyteteve, me qëllim që të jenë sa ma gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe të qëndrueshme.

“Fokus i këtij programi sensiblilizues e hulumtues do të jenë potencialet ekzistuese në qytetin dhe rrethinën e Mitrovicës. Programi i përgjithshëm i festivalit përmban aktiviteteve të ndryshme si: ekspozita artistike, shfaqje filmash, diskutime, puntori, promovim libri, ligjërime, si dhe do përmbyllet me dy netë muzikore në qytetin e minatorëve”, thuhet në njoftimin e organizatorëve, të cilët kanë njoftuar më tej se Green Fest përkrah industrinë kreative e inovative që të jenë sa më pranë qytetarëve drejt ndërgjegjësimit mbi ndryshimet klimatike dhe domosdoshërisë për të kontribuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

“Duke ditur rolin jetik të qeverisjeve lokale, edicioni i 11’të i Green Festival del me thirrjen “Ndrite qytetin”, me shpresën se vendimmarrësit do të fokusohen për zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër (transport më efikas, ulje të ndotjes së ajrit), e do marrin parasysh kërkesat e qytetarëve për të shkuar drejt ndërtimit të qyteteve sa më gjithëpërfshirëse, të jetueshme dhe më të gjelbra”, thuhet më pas në këtë njoftim, të cilët kanë plasuar edhe programin e këtij edicioni.

Programi Green Fest 11  2021:

Hapja e Festivalit (16.08.2021) – lokacioni: Muzeu i Qytetit

Ekspozita artistike (16.08.2021) – lokacioni: Muzeu i Qytetit

Shfaqje filmash (17-20.08.2021) – lokacioni: 7 Arte & Muzeu i Qytetit

Green Talks (17-20.08.2021)- lokacioni: 7Arte

Puntoria “Ndrite qytetin” (17-20.08.2021) – lokacioni: Hapësira të Trepçës

Promovimi i  librit “See my soul” lokacioni: Muzeu i Qytetit

Nata e parë muzikore 21.08.2021- (Dren Abazi & Zig Zag Orchestra, Jericho dhe DJ Uran B) – lokacioni: QS “Fatime Xhaka”

Nata e dytë muzikore 22.08.2021- ( Eugent Bushpepa, SHEGA, Dj Wisse) –  lokacioni: QS “Fatime Xhaka”

Green Fest organizohet nga organizata kulturore 7Arte e cila ka për qëllim mbështetjen e artistëve kosovarë, si dhe zhvillimin dhe promovimin e një kulture të përbashkët evropiane.

Ky festival ka gjetur mbështetjen e institucioneve qendrore e lokale si: MKRS, DKRS…/ KultPlus.com

Kukafshehtas

Poezi nga: Gueorgui Konstantinov
Përktheu: Lulzim Tafa

Një ndjenjë spontane
më kthen në vendlindje,
e heshtur është tani
kodra e fëmijërisë sime.
I mbaj sytë mbyllur
duke e shtypur fytyrën
përballë lëvores së errët
Të një mani.
Me një zë kërcitës,
E pa mashtrim,
Numëroj deri në dhjetë…
Pastaj filloj të kërkoj
Shokët e mi të fëmijërisë
I kërkoj këtu, atje, kudo…
Por nuk i gjej më askund
Tani ata
janë fshehur nëpër tokë./ KultPlus.com

Rihanna zyrtarisht një miliardere

Pasuria neto e yllit të muzikës  pop Rihanna vlerësohet në 1.7 miliardë dollarë, duke e bërë atë muzikanten më të pasur në botë, por muzika nuk është burimi kryesor i pasurisë së saj, tha të mërkurën revista Forbes,transmeton KultPlus.

Këngëtarja e lindur në Barbados, emri i së cilës është Robyn Fenty, merr rreth 1.4 miliardë dollarë nga 50% e aksioneve të saj në linjën e kozmetikës Fenty Beauty.

Pjesa tjetër e pasurisë së Rihannës vjen nga aksionet e saj në kompaninë e veshjeve të brendshme Savage x Fenty dhe të ardhurat e saj si këngëtare dhe aktore, tha revista.

Këngëtarja e hiteve “Umbrella”dhe “Love the Way You Lie” rënditet pas Oprah në mesin e grave më pasura në botë, shkruan Forbes./KultPlus.com

Kosovare Asllani siguron medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike, lufton për të artën

Kosovare Asllani është pjesë e ekipit futbollistik të Suedisë që po merr pjesë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Tokio, shkruan KultPlus.

Ekipi suedez sapo ka siguruar medaljen e argjendtë në këtë garë, por i njëjti ekip do të luftojë për medaljen e artë, pasi që nesër do të jetë në finale me Kanadanë.

Kosovare Asllani është lindur dhe rritur në Suedi dhe është një ndër futbollistet më të suksesshme.

Bashkë me vajzat tjera të ekipit do të luajnë nesër, lojë që do të zhvillohet në ora 4 të mëngjesit, sipas kohës sonë.

Ky është edhe një sukses për sportistet shqiptare, ku tashmë Kosova ka siguruar dy medalje të arta, nga Nora Gjakova e Distria Krasniqi, kurse Kosovare Asllani që është nën petkun suedez, ka siguruar tashmë medaljen e argjendtë./ KultPlus.com

Ramë Lahaj & Friends me koncert më 7 gusht në Prishtinë

Më 7 gusht, në sheshin Skëndërbeu në Prishtinë do të mbahet koncerti Rame Lahaj & Friends.

Përmes një postimi në Facebook, tenori ka njoftuar se koncerti që do të mbahet në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival do të fillojë nga ora 20:30, shkruan KultPlus.

“Kësaj radhe kemi miq artistë nga më të mirët e botës së operës. Përveç kësaj në ketë periudhë e kemi gjysmën tjetër të zemrës sonë, mërgatën e cila Kosovës i jep jetë gjatë gjithë verës, e ne na mungon gjatë gjithë vitit, andaj ejani të festojmë të gjithë së bashku”- shkruan Lahaj.

Për të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin nga afër këtë koncert, biletat mudn tí marrin pranë biletarisë së Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Lahaj tutje njofton se më datë 6 gusht nga ora 14:30 do të mbajë një konfernecë për media në hotel Opera në Prishtinë./KultPlus.com

Ekspozita “Interpretations” solli 12 punime bashkëkohore në KultPlus Caffe Gallery

Krijimet e nëntë artistëve të rinj, të kuruara nga Bora Kelmendi kishin zënë vend në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar në mbrëmjen e së mërkurës edhe hapjen e kësaj ekspozite që ngërthente 12 vepra artistike, shkruan KultPlus.

“Interpretations” që solli krijimet e të rinjve, ngërthente emocionin e artistëve që e kishin prezantuar nëpërmjet pikturave, skulpturës dhe instalacionit.

Kurse kuratorja e kësaj ekspozite ka treguar për KultPlus se kjo ekspozitë ka ardhë si rezultat i një pune më të gjatë të artistëve të rinj pjesëmarrës, në realizimin e punimeve të tyre.

Këto krijime përfshijnë instalacione, miksmedia, projektime e skulptura të vogla, të gjitha të punuara me materiale të ndryshme.

Titulli i ekspozitës “Interpretations” apo “Interpretim”, sipas kuratores Bora Kelmendi i është referuar temave të ndryshme dhe lirisë së të shprehurit të këtij interpretimi apo një forme narrative nga autorët në punimet e tyre duke përfshirë një fushë multimediale.

“Titullin “Interpretim” e vendosëm për shkak që tema ka qenë e lirë, brenda saj ka pas liri në aspektin e interpretimit. Pra, kemi punime nga fusha e arkitekturës, dizajnit grafik, dizajn mode e arte vizuale”, ka thënë Bora Kelmendi për këtë ekspozitë, e cila në të njëjtën kohë ka ardhë edhe si rezultat i një bashkëpunimi me artistët pjesëmarrës.

Në anën tjetër, Majlinda Kelmendi pati një vlerësim shumë pozitiv për vullnetin dhe idetë që këta të rinj po i përçojnë përmes punës së tyre.

“Kjo është një ekspozitë mjaft interesante. Artistët e rinj janë bashkëkohorë dhe nga paraqitja e veprave të tyre e pamë se kemi një rini e cila i ka sytë tek zhvillimi”, ka thënë Kelmendi.

Ndërkaq, edhe vizitorët e shumtë të cilët ishin prezent, në perceptimet e tyre e cilësuan këtë ekspozitë si një risi ku secili punim transmeton forma të ndryshime interpretimi.

Kurse, sipas vet artistëve, bashkautorë të kësaj ekspozite, mesazhet që kanë dashur t’i përcillnin përmes interpretimeve të tyre në këto vepra artistike janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga tema e riciklimeve, gjendja emocionale njeriut në ditët e sotme, ndikimi i tij nga bota virtuale, thellësia e vet kuptimit të të qenit njeri me të gjitha sfidat dhe komplikimet jetësore… 

Arjanita Ismajli, njëra prej këtyre artistëve u shpreh se punimi i saj të cilin e ka titulluar ‘njeriu i varur’ interpreton thellësinë e vet kuptimit të jesh njeri, sfidat dhe komplikimet dhe lidhjen me paraqitjen e vetes.

“Mendimi im gjatë krijimit të këtij punimi ka qenë që përmes imazhit të shfaqur kaq thjeshtë, audienca t’i shtrojë pyetje vetes për definicionin e vërtetë të titullit ‘njeriu i varur’”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa, studentja tjetër, Enxhi Fetahi tha sa përmes punimeve të saj ka paraqitur temën e riciklimit.

 “Kam tentuar të prezantoj botën se ku po jetojmë. Jemi në një cikël që ka nevojë për një natyrë, ka nevojë për riciklime të ndryshme. Pra ka nevojë me i shfrytëzu mbetjet të cilat ne mundemi me i kriju në vepra”, ka thënë Fetahi.

Duhet theksuar se prej 9 artistëve të cilët janë prezantuar me punimet e tyre, 3 nga ta janë paraqitur me nga 2 punime, duke e plotësuar kështu numrin prej 12 veprash artistike  të ekspozuara. Ata vijnë si studentë nga degët e arteve prej dy institucioneve të ndryshme akademike, Universitetit të Prishtinës dhe Kolegjit Universum.

Ekspozita “Interpretations”, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kuadër të projektit “Art dhe Artist të rinj”, dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com

Një shportë 2,400 vjeçare ende e mbushur me fruta u gjet në qytetin e zhytur egjiptian

 Studiuesit që po studiojnë në qytetin e zhytur të Thônis-Heracleion, në gjirin egjiptian të Abū Qīr, kanë zbuluar shporta me fruta të xunkthit të datuara që nga shekulli i katërt p.e.s.

Në mënyrë të pabesueshme, enët ende përmbajnë arra të buta, që është frut i një palme afrikane që konsiderohej i shenjtë nga egjiptianët e lashtë, dhe fara rrushi, transmeton KultPlus.

Foto: Christoph Gerigk / Franck Goddio / Hilti Foundation)

“Asgjë nuk ishte shkatërruar” thotë arkeologu detar Franck Goddio për Guardian. “Ishte shumë goditëse të shihje shporta me fruta.”

Goddio dhe kolegët e tij në Institutin Evropian për Arkeologjinë Nënujore (IEASM) zbuluan kontejnerët në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit. Studiuesit kanë vëzhguar qytetin e lashtë port mesdhetar të Thônis-Heracleion që nga rizbulimi i tij në vitin 2001, sipas Egypt Independent.

Shportat u ruajtën në një dhomë nëntokësore dhe mund të kenë qenë të ofruar gjatë varrimit, raporton Greek City Times.

Aty pranë, studiuesit gjetën një tumë varrimi, dhe një koleksion ekstravagant të mallrave të varrimit grek që ndoshta u lanë nga tregtarët dhe mercenarët që jetonin në atë zonë.

“Kudo gjetëm dëshmi të materialit të djegur,” thotë Goddio në një deklaratë.

Objekte të tjera të gjetura mbi ose rreth tumës përfshinin qeramikë të lashtë, objekte prej bronzi dhe figura që përshkruanin perëndinë egjiptiane, Osiris.

“Ne gjetëm qindra depozita të bëra prej qeramike,” thotë Goddio për Guardian. “/KultPlus.com

Foto: Frank Goddio 

“Severe Weather” paralajmëron për stuhi në Kosovë e rajon

Agjencia botërore meteorologjike “Severe Weather” ka lëshuar një paralajmërim me rrezik të lartë për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për shkak të stuhisë.

Zonat me rrezik të lartë, të cilat mund të goditen sot dhe nesër (5 dhe 6 gusht), janë: Kroacia Veriore, BeH-ja Veriore, Serbia Jugperëndimore, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe veriperëndimi i Maqedonisë Veriore.

Këto zona kërcënohen nga erërat e forta që mund të shkaktojnë dëme, breshër, reshje të mëdha shiu e madje edhe tornado.

“Moti i ashpër pritet të enjten, ndërsa një valë shumë dinamike e nivelit të sipërm lëviz mbi Gadishullin Ballkanik. Vala e nxehtësisë së jashtëzakonshme të vazhdueshme në pjesën juglindore të Evropës dhe Turqisë do të përfundojë me mot të rëndë të rëndë në disa vende të Ballkanit dhe freskim për Greqinë dhe rrethinat e saj”, thuhet në njoftimin e “Severe Weather”.

Agjencia thotë se moti i ashpër është paralajmëruar për mëngjesin e së enjtes, por që mund të përcillet edhe në orët e pasdites.

Gjithashtu u lëshua një paralajmërim për përmbytje.

Stuhia pritet të lëvizë nga veriu në Ballkanin Qendror gjatë ditës, por stuhia do të dobësohet ndërsa lëviz.

Këtë mëngjes dëme tashmë ishin regjistruar në pjesë të caktuara të BeH-së për shkak të një stuhie që shkuli pemët, çatitë dhe shkaktoi prishje në rrjetet e energjisë elektrike.

Vdes në moshën 50 vjeç Paul Johnson, producenti i US house

 Paul Johnson, prodhuesi i US House, einjohur për hitin e tij Get Get Doën, ka vdekur nga Covid-19 në moshën 50-vjeçare.

Një deklaratë në faqen e tij në Facebook tha: “Madhështia jonë vdiq këtë mëngjes në orën 9, legjenda e muzikës house që të gjithë e njohim si PJ aka Paul Johnson.” Në korrik, ai ishte shtruar në spital dhe ishte vendosur në kujdes intensiv pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, transmeton KultPlus.

Johnson shënoi hitin e tij më të madh në  vitin 1999, kur Get Get Doën arriti në vendin e 5-të në top listat e Britanisë së Madhe.

Pas vdekjes së Johnson kanë reaguar shumë yje të muzikës botërore. Producenti RP Boo, shkruajti: “Sot ne kemi humbur një legjendë të madhe të komunitetit tonë të shtëpive botërore.”./KultPlus.com

Nesër në Gjilan fillon Angros Festival 2021

Nesër në Gjilan do të fillojë edicioni i katërt i Angros Festival.

Përmes një postimi në Facebook Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Angros Festival do të mbahet përgjatë tri ditëve  (6, 7 dhe 8 gusht) ku do të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe tradicionale, përfshirë këtu kënde të artit për fëmijë, punëtori, shfaqje të filmave e muzikë, gjithashtu aktivitete sportive dhe rekreative si yoga e çiklizmi.

Këto aktivitete do të organizohen në ambient të hapur ku mund të marrin pjesë grup mosha të ndryshme, duke përfshire fëmijë, të rijnë dhe të gjithë qytetarët në përgjithësi.

MKRS tutje njofton se aktivitetet e lartcekura të festivalit do të realizohen sipas agjendës së planifikuar në tri vende te qytetit: Sheshi ‘’Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha’’, Gërsheta Resort – Makresh dhe Kalaja e Pogragjës./KultPlus.com

Bateristi i Rolling Stones humbet turneun në SHBA

Bateristi i Rolling Stones, Charlie Watts pritet të humbasë datat e ardhshme të turneut të grupit në SHBA, pasi po shërohet nga një problem shëndetësor i paspecifikuar.

“Për herë të parë, unë nuk do të jem i pranishëm për një kohë të shkurtër”, tha 80-vjeçari në një deklaratë, duke zbuluar se i ishte thënë se do të “duhej pak kohë” që ai të “bëhej plotësisht në formë”, transmeton KultPlus.

Sir Mick Jagger tha se grupi mezi priste të mirëpriste Watts “sapo të shërohet plotësisht”.

Steve Jordan do ta zëvendësoje kur Stones të rifillojnë turneun e tyre No Filter në shtator.

Muzikanti amerikan ka punuar me kitaristin e Stones, Keith Richards në projektin e tij anësor X-Pensive Winos dhe është gjithashtu anëtar i Trios John Mayer.

Zëdhënësi i Watts tha se derisa procedura e tij ishte “plotësisht e suksesshme”, mjekët i kishin thënë atij se kishte nevojë për “pushim dhe shërim të duhur”.

Ai tha se ishte “shumë zhgënjyese” që Watts nuk ka gjasa të jetë në gjendje të kthehet në rrugë për momentin.

Watts tha: “Unë jam duke punuar shumë për t’u bërë plotësisht në formë, por sot kam pranuar këshillën e ekspertëve se kjo do të zgjasë pak./KultPlus.com

Dua Lipa me vallëzimin e saj tradicional, edhe në fokusin e mediave botërore

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa po e vazhdon vizitën e saj në Shqipëri.

Këtë vizitë, Dua e ka shfrytëzuar edhe për të pushuar në bregdetin e jugut të Shqipërisë, bukuritë e të cilit po i promovon vazhdimisht në profilin e saj në Instagram, shkruan KultPlus.

Së fundi ajo shpërndarë një video ku shfaqet duke vallëzuar me këngë shqipe, me mbishkrimin “Më trego që je shqiptar, pa më thënë se je shqiptar”.

E gazeta britanike, Daily Mail nuk ka lënë pa komentuar për pushimet e Duas në Shqipëri.

“Dua Lipa dukej se po kalonte një kohë të mrekullueshme të mërkurën përderisa po balanconte një gotë në kokë ndërsa performonte vallëzimin tradicional shqiptar në vendpushimin e saj në Kep Merli.”-thuhet në shkrimin e Daily Mail ku më tutje komentohet paraqitja e Dua Lipës në vendin e origjinës.

Këngëtarja e hiteve të mëdha botërore po vazhdon të mahnitet nga bukuria e jugut të Shqipërisë duke theksuar se nuk dëshiron të largohet./KultPlus.com