Kopenhaga, qyteti më i sigurt në botë për të jetuar

Siguria ka kohë të gjatë që paraqitet si një prej shqetësimeve kryesore të turistëve, kur bëhet fjalë se cili destinacion të vizitohet.

Mirëpo, për shkak të pandemisë me koronavirus, çështjet që e bëjnë një qytet të sigurt kanë ndryshuar tashmë.

Kjo mund të ndihmojë që të sqarohet ndryshimi që ka ndodhur në rangimin e qyteteve më të sigurta në botë, nga Indeksi i Qyteteve të Sigurta të Njësisë Ekonomiste tw Inteligjencës.

Rangimi këtë vit është bërë duke u bazuar në disa faktorë si: siguria digjitale, siguria shëndetësore, infrastruktura, siguria personale, dhe siguria mjedisore si kategori e re këtë vit.

Derisa shtetet aziatike si Tokio, Singapori dhe Osaka kanë zënë pozitat kryesore vit pas viti, për vitin 2021 numrin një në rangim e mban një kryeqytet evropian.

Bëhet fjalë për Kopenhagën, qytet ky i cili është emëruar për herë të parë “Qyteti më i sigurt në botë”, duke marrë 82,4 pikë nga gjithsej 100 në raportin vjetor.

Kryeqyteti danez ka lëvizur nga pozita e nëntë që ishte në vitin 2019, në krye të listës për vitin 2021, falë paraqitjes së një seksioni të sigurisë mjedisore, aspekt ky në të cilin qyteti është vlerësuar mirë, bashkë më sigurinë personale.

“Njëri prej faktorëve që e bëjnë Kopenhagën një qytet kaq të sigurt është shkalla e ulët e krimit, që siç thuhet në raport, është në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë”, ka deklaruar Lars Weiss, kryetar bashkie në Kopenhagë.

Vendin e dytë në rangim e ka qyteti i Kanadasë, Toronto, me 82,2 pikë, ndërkaq Singapori është radhitur i treti me 80,7 pikë.

Ndërkohë, edhe pse Sidnei është radhitur i katërti me 80,1 pikë, ky qytet australian është vlerësuar më së shumti në kategorinë e sigurisë digjitale.

Kryeqyteti japonez Tokio është renditur i pesti me 80 pikë.

Kryeqyteti i Holandës, Amsterdami është ranguar i gjashti me 79,3 pikë, Wellingtoni i Zelandës së Re i shtati me 79 pikë, Hong Kongi dhe Melbourni janë radhitur të tetat, secila me nga 78.6 pikë, ndërkaq kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi ka mbetur në pozitën e 10-të, me 78 pikë.

New Yorku është qyteti më i vlerësuar nga SHBA-ja në këtë rangim, duke u radhitur i 11-ti, ndërkohë që me të njëjta pikë është vlerësuar edhe Barcelona e Spanjës.

Washingtoni ka mbetur në pozitën e 14-të, ndërkaq Londra dhe San Francisko në pozitën e 15-të të dyja, për shkak të pikëve të njëjta në vlerësim. / KultPlus.com

IU dhuron mallra në vlerë 523,000 funte për të pastrehët

Këngëtarja e muzikës K-pop dhe aktorja e njohur, IU, ka dhuruar mallra e ushqime në vlerë afër 523,000 funte në disa organizata bamirëse.

Në një deklaratë nga agjencia përfaqësuese e saj u tha se veprimi i saj vjen në 13 vjetorin e debutimit të këngëtares, që nga kënga e parë “Lost Child” më 2008.

Dhurimet janë bërë në bashkëpunim me marka si kompania e veshjeve BlackYak dhe Banolim Pizza.

Kjo përfshiu 1000 palë atlete dhe 2000 kuti pica për fëmijët dhe adoleshentët që jetojnë në strehimore. Po ashtu dhuroi pallto dimri, kuti të ndihmës së parë, batanije dhe shtretër për qendrat shëndetësore.

IU ju rikthye skenës këtë vit me albumin e pestë “Lilac”. / KultPlus.com

‘Jeta është e ëmbël, është e shkurtër dhe duhet shijuar’

Federiko Garsia Lorka ishte një nga shkrimtarët spanjollë më të vlerësuar në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Krijimtaria është thelbësore për studiuesit e letërsisë, ndërsa figura e tij është bërë një model referimi. Një muaj para se të vdiste, kur miqtë e nxisnin të largohej nga Lufta Civile në lindje, Lorka u rikthye në Granada. Ai do të pushkatohej më 19 gusht 1936.

Viktimë e gjuetisë së komunistëve? Larje hesapesh klanore? Misteri vijon të jetë i pranishëm.

Vdekja jehon gjithnjë e më fort në vetëdijen kombëtare, shenjë e pashlyeshme e Luftës Civile në Spanjë, një episod që vështirë se mund të harrohet. Lorka ishte vetëm një nga viktimat e luftës; viktima, identitetin e të cilëve nuk e njohim, por gëzimi i të cilëve u rrëmbye padrejtësisht nga mizoria e fashizmit. Kësisoj, figura e Garsia Lorkës merr një rëndësi edhe më të madhe: jo vetëm për faktin që ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj spanjollë, por ishte njëherazi një nga viktimat e panumërta të Luftës Civile.

Në ditët tona e studiojmë Lorkën të mahnitur, gjithë entuziazëm, veç fundi i tij tragjik na lë një shije të hidhur në gojë. Puna e tij, shumë e vlerësuar sot, nuk u mirëprit sa ishte gjallë, poeti e njohu famëm vetëm pas vdekjes. Le të mos harrojmë se disa nga veprat e tij më të njohura u botuan pas vdekjes. Gjatë gjithë ekzistencës, ai mbajti një lidhje të thellë me vendlindjen dhe, në veçanti, me familjen. Gjurma e traditës është e dukshme në shkrimet e tij. Poeti i mirënjohur nuk mori asnjë pozicion politik, por ai ishte një njeri i botës dhe, për më tepër, ai ishte homoseksual. Homoseksualiteti dhe “infiltrimi i tij hipotetik” me rusët do ta shpinte drejt vdekjes, me gjithë përkushtimin ndaj Spanjës dhe lidhja që kishte me rrënjët e tij, të vlerësuara në më shumë se një rast.

Prej atij çasti e tutje, një seri dritëhijesh do të qëndronin pezull mbi vdekjen e Lorkës. Në të vërtetë, nuk e dimë me siguri se çfarë ka ndodhur me poetin. Dimë për përfshirjen e Ramen Ruiz Alonso, për bashkëpunimin me socialistin Fernando de los Ríos, me rusët dhe, për më tepër, dimë se homoseksualiteti ishte një nga shkaktarët e vrasjes së tij. Vdekja dhe reliket mbeten të mbuluara me mister, por s’ka dyshim se Spanja e kohës, me frankizmin në rritje dhe dominant, i dha fund jetës së tij, jetës së një prej shkrimtarëve më të mëdhenj. Megjithëse raporte policore të kohës hedhin dritë mbi disa zona të errëta të ngjarjeve që çuan në vrasjen e Garsia Lorkas, e sigurt mbetet fakti që dramaturgu nuk ishte viktima e vetme e një lufte të padrejtë. Lorka jetoi në “Residencia de Estudiantes” së bashku me artistë të tjerë, mori pjesë në momentet e mëdha letrare të brezit të tij dhe, pa asnjë dyshim, sot është një nga emrat më të rëndësishëm të “Gjenerata ‘27”.

Vitet e fundit të jetës, prodhimi i Lorkës qe i bollshëm, por shumë pak vepra panë dritën e botimit. Ndër këto: “Vajtim për Ignacio Sanchez Mejias”, dhe “Poemas Gallegos” (gjashtë poezi në galishte). Protagonistë të veprës ishin ciganët, lirika predominonte në roman. Sidoqoftë, sa i përket aspektit narrativ, gjejmë një histori, dialog midis personazheve, madje edhe referenca që shkojnë përtej poezisë.

Lorka mbledh shprehje popullore dhe i shndërron ato në gjuhë teatrale; studion shpirtin dhe thellësitë e një kulture të  vlerësuar deri në skaje. Lorka u vra nga frankizmi, poeti që fitoi reputacionin e të qenit “personi i parë i famshëm që u vra”, një njollë e zezë në historinë e Spanjës, por padyshim një “imazh që na kujton tmerret e së kaluarës dhe magjinë e letërsisë”.

Dua të qaj sepse më pëlqen,

Siç qajnë fëmijët e bankës së fundit,

Sepse unë nuk jam as poet, as qenie, as gjethe,

Por një dridhmë e plagosur që vërtitet rreth gjërave të krahut tjetër.

Vrasja e poetit të ri, nisur nga rrethanat në të cilat u ekzekutua, pasi pa dyshim u poshtërua, u rrah, u torturua, nxit përherë një emocion shumë të fortë, e bën atë simbolin më të tmerrshëm të barbarisë së milicisë së Frankos, por edhe të të gjithë shoqërisë spanjolle. Ngritur në një përroskë, nën hijen e pemëve, midis varreve masive, një pllakatë graniti përçon më së miri mendimin e familjes: “Lorca eran todos” (Të gjithë ishin Lorka).

Një mënyrë fisnike për të thënë, se në vdekje të gjitha viktimat e fashizmit janë të barabarta dhe se ky nekropol tragjik, në vetminë e tij, fsheh më shumë madhështi dhe rrezaton më shumë emocione se çdo varr mermeri.

Hiqeni qafe trishtimin dhe melankolinë. Jeta është e ëmbël, është e shkurtër dhe duhet shijuar“. / KultPlus.com

Franca vaksinon mbi 50 milionë qytetarë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka njoftuar se numri i qytetarëve që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19 ka kaluar mbi 50 milionë.

Këtë shifër qeveria franceze kishte synuar ta mbërrinte në fund të muajit gusht.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Macron tha se “vaksina shpëton jetë, kurse virusi vret, është kaq e thjeshtë”.

Pas një fillimi të ngadaltë, Franca tani ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit në botë.

Rreth 3,000 punonjës shëndetësorë në Francë u pezulluan nga puna, pasi nuk ishin të vaksinuar kundër koronavirusit.

Autoritetet thonë se shumica e të shtruarve në spital javëve të fundit, janë pacientë të pavaksinuar.

Që nga fillimi i pandemisë, Franca ka konfirmuar mbi 113,000 viktima nga koronavirusi. / KultPlus.com

“Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”

“Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”.

Kjo është thënia simbol e Mit’hat Frashërit, alias Lumo Skëndo, e thënë në vitet ’30 kur shkëlqeu një plejadë dhe traditë letrare, por dhe elitare në Shqipëri.

Mit’hat Frashëri u lind më 25 mars 1880 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në Nju-Jork, SHBA.

Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit.

Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit.

Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit komunist, ai mbeti i hetuar dhe u quajt “reaksionar”, “tradhtar” etj.

E vetmja tradhti që kishte bërë ishte ajo ndaj ideologjisë komuniste dhe ideologëve të saj…

Pa u zgjatur shumë te veprimtaria letrare dhe patriotike e Mit’hat Frashërit, e cila studiohet që në shkollë dhe interneti “gëlon” me to, më poshtë gjeni disa nga thëniet e tij më të spikaura për shqiptarët, që duket se do të mbeten gjithnjë aktuale; sado shekuj kalojnë.

Ja çfarë thotë Mit’hat Frashëri për shqiptarët:

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12 – Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

13 – Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

14 – Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

15 – Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet./ KultPlus.com

Vdes Jane Powell, mbretëresha e muzikaleve hollivudiane

Jane Powell, ylli i njohur i muzikaleve të shumta të Hollivudit, vdiq dje në moshën 92-vjeçare, në shtëpinë e saj në Wilton, Connecticut.

Powell njihet për rolin e saj në “Shtatë nuse për shtatë vëllezër”, “Kështu janë gratë” dhe “Lartësia e tij martohet” përkrah Fred Astaire.

“Aktorja vdiq për shkaqe natyrore”, tha për “Hollywood Reporter” kritikja e filmave dhe mikesha e saj prej vitesh, Susan Granger.

Me zërin e saj prej sopranoje, ajo gjithashtu ka luajtur në teatër, në prodhime të famshme, si “South Pacific”, “The Sound of Music”, “Oklahoma!”, “My Fair Lady”, “Carousel”, “I Do! I Do!”.

Gjithashtu, në vitet ‘70 dhe ’80, Powell u shfaq edhe në seri televizive, si “Love Boat” dhe “Fantasilandia”. / KultPlus.com

“Moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye n’hi?”

O Moj Shqypni nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
 
 
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com

Presidenti Meta nderon filantropin korçar, Selim Mborja

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” atdhetarin dhe bamirësin e njohur korçar, Selim Mborja (pas vdekjes).

Titulli i lartë u akordua me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të vyer atdhetare dhe bamirëse, duke kontribuar jo vetëm financiarisht ndaj një sërë organizatash të rëndësishme shoqërore, gazetareske dhe sportive korçare, por edhe me mirënjohje të thellë ndaj gjestit të tij tejet human të dhurimit të truallit vetjak për ndërtimin e Spitalit të Korçës.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Korçës, Meta vlerësoi trashëgiminë mjaft të vyer që ka lënë për qytetin e Korçës, filantropi Selim Mborja.

“Selim Mborja i ka dhënë shumë qytetit të tij Korçës dhe padyshim Mborjes ku ai lindi, nga të cilat u detyrua të largohej dhe me të cilat e lidhi një dashuri dhe mall i madh i pashuar deri me ndarjen nga jeta. Veprimtaria e Selim Mborjes ka qenë intensive dhe e shumëanëshme, në periudhën 1920-1943, në trevën e Korçës dhe më gjerë, duke u bërë një prej donatorëve dhe bamirësve më të mëdhenj të kohës. Njëkohësisht Selim Mborja njihet si një nga sipërmarrësit e parë, por që aktivitetin e tij privat dhe ekonomik e kishte të lidhur me një ndërgjegje të lartë sociale”, vlerësoi Meta.

Presidenti vlerësoi se “ajo që e dallonte, Selim Mborjen përveç aftësive të tij si sipërmarrës, ishte dhembshuria dhe bamirësia ndaj më të varfërve e jetimëve të qytetit, ku ai nuk kursehej financiarisht”.

“Për t’u ardhur në ndihmë të varfërve, të pamundurve e të sëmurëve, si dhe në nderim e kujtim të babait e vëllait, Selim Mborja dhuroi tokën e tij për ndërtimin e Spitalit të Korçës. Kjo e bën atë një filantrop të madh të kohës për trevën e Korçës. Shumë nga veprat dhe investimet e tij i kanë mbetur trashëgim Korçës. Edhe pse këto investime ishin të lidhura me interesat e tij ekonomike si sipërmarrës, bamirësia, humanizmi dhe dhembshuria e tij, për më të varfërit e jetimët, vinte nga zemra e tij bujare”, tha Presidenti. / KultPlus.com

Rinisin gërmimet arkeologjike në Antigone dhe Palokastër

Pas shumë vitesh ndërprerjeje, kanë nisur gërmimet në dy site arkeologjike të Gjirokastrës, në Antigone dhe Palokastër.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili ndau edhe foto nga gërmimet arkeologjike.

“Lajm shumë i mirë që rikthehet misioni i përbashkët arkeologjik italo-shqiptar mes Universitetit të Maceratas dhe Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Nën drejtimin e profesor Roberto Perna, arkeologë dhe specialistë të të dy vendeve do të punojnë për një periudhë të gjatë për të gjetur zbulime të reja”, tha Golemi.

Golemi tha se “trashëgimia kulturore materiale është një aset shumë i rëndësishëm që ne kemi, pasi jo vetëm dëshmon për përkatësinë tonë të hershme, por prej saj sot mund të gjenerojmë të ardhura përmes turizmit”. / KultPlus.com

MKRS hap thirrje publike për instrumentistë dhe koristë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Operës së Kosovës hap thirrjen publike për instrumentistë dhe koristë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.

Gjeni të bashkangjitur linkun për aplikim:https://www.mkrs-ks.org/?page=1,22 / KultPlus.com

Nga 1 tetori arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar që nga 1 tetori i këtij viti, do të hiqen pagesat për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master, në universitetet publike në Kosovë. Kurti theksoi se ky vendim vlen për studentët e vitit akademik 2021/2022.

Kryeministri tha se lehtësime do të ketë edhe për studentët e Doktoratës.

“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha se nga ky vendim do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të rajonit.

“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.

Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com

Nagavci: Orët e humbura do të kompensohen

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci për lirimin nga pagesa për vijimin e mësimit në arsimin e lartë, tha se kjo do të krijojë lehtësira për universitetet.

Ajo tha se po shmangin diskriminimin e pabarazinë sociale, duke sqaruar se për këtë vit nga buxheti do të ndahen 1.7 milionë euro për universitetet.

“Studimet pa pagesë për arsimin e lartë ka qenë një nga zotimet tona, me këtë zotim ata lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit dhe po shmangim diskriminimin për shkak të pa barazisë sociale”.

“Në hyrje në fuqi shfuqizohet udhëzimi administrativ i mëparshëm. Në lidhje ne shumën e bursave do të vlejnë të njëjta vlera dhe ne kemi hapur thirrje edhe për 1 000 bursa për vajzat, dhe përtej kësaj kemi ofruar mbështetje për studentët e cila do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm”.

Nagavci tha se 18 ditët e humbura të vitit shkollor do të kompensohen, pasi që mësimi është shtyrë deri më 26 shtator me rekomandim të IKShPK-së.

“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka qenë rekomandim i IKSHPK-së që të pezullohet deri me 26 të këtij muaji dhe janë 18 ditë të humbura dhe të gjitha do të kompensohen”.

“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka disa shkolla që kanë filluar aktivitetet që janë kompensim. Janë të paraparë 4 skenar, i cili do të zbatohet nëse vlerësohet nga Task-Forca”. / KultPlus.com

Elina Duni nesër nis turneun në Itali

Artistja shqiptare e muzikës xhaz, Elina Duni do të nis këtë të shtunë turneun e saj në Festivalin e Ethnos në Napoli. Më pas më datë 23 shtator këngëtarja shqiptare do të performojë në Firence, dhe një ditë më pas më 24 shtator në Venecia.

Gjatë kësaj vere artistja Elina Duni zhvilloi një tur ballkanik, ku sigurisht nuk mund të mungonte Shqipëria. Këngëtarja shqiptare e xhazit, e cila kombinon këngët tradicionale folklorike shqiptare me jazzin, interpretoi me Rob Luft, Gent Rushin dhe Viktor Filipovski.

Në vitin 1991 Elina u largua në Zvicër së bashku me mamanë e saj, shkrimtaren Besa Myftiu.

“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / KultPlus.com

196 vite nga lindja e ideologut dhe poetit, Pashko Vasa

Sot, përkujtojmë 196 vjetorin e lindjes së veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit, Pashko Vasa (Shkodër, 17 shtator 1825 – Bejrut, 29 qershor 1892).

Pashko Vasa lindi në Shkodër aty ku edhe kreu mësimet e para dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj. Kur shkoi në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane.

Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”.

Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).

Pashko Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).

Vdiq në Liban. Eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër. / KultPlus.com

‘Po të mundja të të takoja’

– Poezi nga Luis Garcia Montero

Dashuri e Vështirë

Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu,
kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë,
kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era
kujtoi se unë isha gur
dhe trupin tim donte të shpërbënte.

Po të mundja të të takoja,
kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di
të sqarohem me ty.

Por klubet e hapur dhe të mbyllur,
rrugët netëve dhe ditëve,
stacionet pa njerëz,
lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat,
telefonat, hapat dhe ky kënd,
nuk dinë gjë, se ku je ti.

Dhe kur era kërkon të shkatërrojë
më kërkon te porta e shtëpisë tënde.
Unë ia përsëris edhe erës,
po qe se do mundem të të takoj,
po qe se ti më shfaqesh, unë do të di
të sqarohem me ty./KultPlus.com

Libri i Arbër Selmanit mbërrin në Zelandë të Re, do të jetë pjesë e Universitetit të Auckland

Libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’ nga gazetari dhe poeti kosovar, Arbër Selmani, ka mbërritur në Zelandë të Re ku do të jetë pjesë e Universitetit të Auckland, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë autori përmes një postimi në Facebook, ku tutje shton se studentët që mësojnë për shqipen dhe Ballkanin, do të lexojnë për personazhet e këtij libri, si njohje me artin e kulturën në Kosovë

Njoftimi i plotë i tij:

“Good news! Libri jem i dytë ka mbërri në Zelandën e Re dhe ka me qenë pjesë e Universitetit të Auckland! Studentët që mësojnë për shqipen dhe Ballkanin kanë me lexu për personazhet e librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’, si njohje me artin e kulturën në Kosovë. Faleminderit Virgil Anthony për idenë dhe mbështetjen. Ky vjen si super sukses për mua dhe shkrimet e mia gazetareske, edhe ato letrare .“/KultPlus.com

Publikohet ‘Dorëshkrimet e fshehta të burgut’, libri përmban poezi që Visar Zhiti shkroi gjatë viteve të burgut

Është publikuar libri ‘Dorëshkrimet e fshehta të burgut’ që përmban poezi që Visar Zhiti shkroi gjatë viteve të burgut në Spaç e Qafë Bari, përcjell KultPlus.

Ky libër është përgatitur nga Andreas Dushi së bashku me Enxhi Hudhrin.

“Jam jashtëzakonisht shumë i lumtur që bashkë me Enxhi Hudhrin patëm kënaqësinë të përgatisnim botimin anastatik, ashtu me shkrim dore, të poezive që Visar Zhiti shkroi gjatë viteve të burgut në Spaç e Qafë Bari.

Mes fotove, Visari duke shfletuar librin për herë të parë.”- ka shkruar Dushi në një njoftim në Facebook./KultPlus.com

Mrekullitë arkitektonike që konkurrojnë për çmimin ‘RIBA Stirling 2021’

Lexoni për të zbuluar më shumë rreth strukturave madhështore në garë për këtë çmim kaq të rëndësishëm në fushën e arkitekturës, transmeton KultPlus.

15 Clerkenwell Close

Kjo ndërtesë shtatë katëshe, e projektuar nga Groupwork + Amin Taha Architects për të strehuar studion e tyre, si dhe banesat sipër, është e vendosur në një vend në Londër që dikur strehonte një Norman Abbey të shekullit të 11 -të. 

Ndërtesa është vlerësuar nga juria e RIBA -s si “guximtare, ambicioze, shumë novatore dhe me porosi, ku rreziqet janë ndërmarrë dhe janë paguar, duke rezultuar në një vepër vërtetë imagjinative, intriguese dhe mahnitëse të arkitekturës”.

Cambridge Central Mosque

Arkitektët Marks Barfield projektuan këtë xhami me kapacitet për të mirëpritur 1.000 besimtarë për Trustin e Xhamisë së Kembrixhit.

Një tipar i dukshëm i brendshëm i xhamisë janë ‘pemët’ prej druri të cilat ofrojnë mbështetje strukturore për çatinë dhe dritat. Këto u zhvilluan përmes punës së artistit gjeometrik Keith Critchlow.

Ndërtesa është paralajmëruar nga juria për demonstrimin “sesi arkitektura mund të mishërojë filozofinë dhe traditat fetare dhe kulturore duke përdorur materiale të qëndrueshme dhe bashkëkohore”.

Key Worker Housing, Eddington, Cambridge

Kjo skemë me 10 ndërtesa, e projektuar nga Stanton Williams, përfshin një numër oborresh të ndërlidhura për të krijuar një seri të lezetshme hapësirash. Ndërveprimi midis fqinjëve mundësohet me hapësirat e jashtme të çatisë dhe nivelit të tokës që janë pothuajse tërësisht komunale, në vend që të përdorin zona private si ballkonet.

Town House at Kingston University, London

Arkitektët Grafton u përballën me një punë sfiduese, duke u kërkuar të krijonin një ndërtesë që përmbante një studio vallëzimi dhe një bibliotekë në të njejtin vend.

Rezultati – Town House – është vlerësuar nga juria e RIBA si një “energji e ngrohtë, dinamike që kap vërtet frymën e të mësuarit.

Tintagel Castle Footbridge

Kjo urë spektakolare, e projektuar nga Ney & Partners dhe William Matthews Associates për English Heritage, krijon një lidhje me një kështjellë mesjetare në bregdetin Cornish. Juria e vlerësoi atë si “të ekzekutuar bukur në të gjitha shkallët, nga mënyra se si respekton siluetën e formave të tokës që ka, deri në detajet prekëse të rrugës së saj, të bëra nga pllaka në buzë”.

Windermere Jetty Museum

Lakeland Arts porositi këtë zhvillim të madh për të vendosur Muzeun Windermere Jetty nga arkitektët Carmody Groarke. Duke pasur parasysh vendndodhjen e ndjeshme, në bregun lindor të Liqenit Windermere brenda një parku kombëtar, juria tha se muzeu duhet të festohet për një “bukuri të përmbajtur dhe të thjeshtë që ka guxim të sigurt në hartimin dhe shpërndarjen e tij”./KultPlus.com

A do të shtyhet sërish fillimi i vitit të ri shkollor, flet ministrja Nagavci

Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se të hënën e javës së ardhshme do të ketë mbledhje Task Forca në nivel të Ministrisë së Arsimit për të diskutuar për fillimin e vitit të ri shkollor, shkruan Gazeta Express.

Nagavci tha se shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor është bërë me rekomandim të insitucioneve shëndetësore.

Më tutje ministrja deklaroi se zyrtarisht viti i ri shkollor është i pafilluar.

“Ka qenë rekomandimi i IKSHPK-së, që fillimi i vitit të ri shkollorë të pezullohet deri më 26 shtator. Janë gjithsej 18 ditë të humbura të fillimit të vitit të ri shkollor. Të hënën është mbledhja e Task Forcës në kuadër të ministrisë ku do të diskutohet edhe për çështjen e kompensimit të këtyre ditëve. Sa i përket zhvillimit të mësimit, aktualisht ka disa shkolla edhe private që kanë filluar aktivitet me fëmijë. Zyrtarisht viti i ri shkollor është i pafilluar dhe këto ditë do të kompensohen edhe në koordinim me Task Forcën”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Amélie – filmi më elegant që është bërë ndonjëherë?

Njëzet vjet më vonë, komedia romantike e çuditshme është po aq ikonike dhe e kohës sa kurrë.

Amélie Poulain, personazhi kryesor i filmit të katërt artistik të Jean-Pierre Jeunet, është një kamariere me një imagjinatë të madhe, e cila gjen veten në kënaqësitë e thjeshta të jetës, të tilla si shikimi i një filmi të premten në mbrëmje ose përgatitja e një krem bruleje, transmeton KultPlus.

Megjithatë ajo shpesh ndihet e izoluar dhe pasi ka pasur një fëmijëri të vetmuar, kërkon lidhje me njerëzit përreth saj. Komedia romantike jokonvencionale e Jeunet e sheh Amélie – e luajtur mrekullisht nga Audrey Tatou – të ndeshet me një seri shokësh të çuditshëm dhe ofron shikime në jetën kurioze të të tjerëve ndërsa feston hijeshinë unike të kryeqytetit të Francës. Nuk është çudi që filmi rrëmbeu zemrat e publikut pas publikimit, por dy dekada më vonë trashëgimia e tij e pasur vazhdon, duke frymëzuar edhe një muzikal.

Amélie është një e re shpirtërore dhe djallëzore, e cila nuk mendon asgjë për të shkaktuar pak kaos në mënyrë që të shkundë të tjerët nga vetëkënaqësia e tyre. Pas një zbulimi të rastësishëm, ajo zotohet të kushtojë jetën e saj për t’i bërë të tjerët të lumtur, por kjo duket si një shpërqendrim për të kompensuar vetminë e saj. Pasi humbi nënën e saj në një moshë të re dhe nuk ishte në gjendje të përballonte prirjet e izoluara të babait të saj, ajo kërkon lidhje dhe përvoja në botën përreth saj, e cila e bën atë një eksperte të zgjidhjes së problemeve. Ne e ndjekim Amélie -n në aventurat e saj nëpër Paris me kënaqësi; Kinematografia e gjallë e Bruno Delbonnel e paraqet qytetin si të bukur, por pa dyshim të gjallë, një udhëtim në panaire në lëvizje të vazhdueshme. Pamjet e qytetit i ngjajnë kryeqytetit francez siç shihen në kartolina, ndërsa të kuqtë dhe të verdhët e pasur të pagabueshëm të paletës së ngjyrave të filmit u rritën në post-produksion për të pasqyruar gëzimin e Amélie.

Megjithatë, kur është vetëm në apartamentin e saj, bota e Amélie duket më e qetë; vetmia e saj më e dukshme. Kjo ndjenjë e izolimit e njohur është e njohur për këdo që ka kaluar kohë duke jetuar në një qytet, i rrethuar nga njerëz ende të paaftë për të krijuar marrëdhënie. Kjo gjë ndihet edhe më prekëse në kohën e pandemisë globale, e cila i ka detyruar njerëzit brenda shtëpive të tyre për më shumë se një vit, duke i mbajtur familjet dhe miqtë larg dhe duke grabitur aq shumë gëzimin e lidhjes njerëzore.

Në një kthesë interesante, Amélie u refuzua kur u paraqit në Festivalin e Filmit në Kanë, me Jeunet që raportoi se programuesi Gilles Jacob e quajti filmin “jo interesant”. Në korrik të këtij viti, Amélie më në fund luajti në Kanë, në një shfaqje të veçantë të përvjetorit në plazh. Qindra fansa – përfshirë edhe mua – dolën ta shikojnë filmin nën yje, në një mjedis që u ndje po aq romantik sa vetë historia.

Parisi i Amélie -t mund të jetë një fantazi, por është një fantazi e bukur, e cila i fton shikuesit të bëjnë pauzë mes hutimit dhe ngutjes së jetës sonë të shpejtë për të gjetur momente të magjisë së qetë./KultPlus

Projekti ‘Jepi ngjyrë Prishtinës’, pesë fusha sportive marrin ngjyrën e ekipit të kryeqytetit

Pesë fusha sportive në lagje të  ndryshme në Prishtinës janë ngjyrosur me ngjyrat që e karaterizojnë ekipin e kryeqytetit dhe tifozët e tij ‘Plisat’ në kuadër të projektit ‘Jepi ngjyrë Prishtinës, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ku tutje shton se këto fusha sportive kanë marrë ngjyrën që e meritojnë.

Postimi i plotë i tij:

 Po i japim ngjyrë Prishtinës!

Pesë fusha sportive nëpër lagje të ndryshme të qytetit tonë të bukur, tashmë kanë marrë ngjyrën që meritojnë.

Përuruam edhe fushën  në Bregun e Diellit e cila mori ngjyrat e fanellës së legjendës shqiptare të futbollit, Fadil Vokrri.

Projekti “Jepi ngjyrë Prishtinës”, u realizua nga Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Kulturës. Përveç fushave të sportit janë pikturuar edhe shumë murale, trafo dhe pjesë të tjera të qytetit. Aktivitete këto të mirëpritura nga qytetarët e sidomos nga të rinjtë./KultPlus.com

Rama takon këngëtarin: Super Ermal Meta e nis turin nga Tirana drejt Italisë

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta do të mbajë sonte  koncertin në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot si një bisedë të këndshme siç e cilëson ai me këngëtarin Ermal Meta.

“Super Ermal Meta e nis turin nga Tirana drejt Italisë. Ishte kënaqësi e posaçme që i ra rruga nga zyra ime, ku u ndal për një bisedë të këndshme”, shprehet Rama, teksa ka publikuar dhe një foto nga ky takim.

Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, ku dhe do të mbajë një koncert në stadiumin “Air Albania”.

“Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai gjatë konferencës për shtyp dje.

Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet.

Biletat janë pa pagesë. Respektohen të gjitha rregulloret antikovid, dhe do të mbahet në 30 % të kapacitetit. Ky koncert organizohet nga ambasada italiane në bashkëpunim me bashkinë Tiranë dhe FSHF.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./atsh/KultPlus.com

Vëllimi i parë i “Frenkenstein” shitet në ankand për 1.17 milion dollarë

Një botim i parë i setit Frankenstein të Mary Shelley vendosi një rekord të ri botëror për një vepër të shtypur nga një grua, pasi u shit në ankand për 1.17 milion dollarë.

Kopja me tre vëllime e Frankenstein, e cila mban ende kopertinat e saj origjinale nga printimi më 1818, ishte parashikuar të shitej për 200-300 mijë dollarë nga shtëpia e ankandeve Christie’s, por shitja u mbyll me një ofertë shumë herë më të lartë se kjo.

Shuma u raportua nga Fine Books Magazine si një rekord i ri botëror për çmimin më të lartë të arritur nga një vepër të shtypur nga një grua.

Christie tha se botimi ishte një nga vetëm 500 të shtypurat në qarkullimin e parë të Frankenstein, dhe kopja e shitur ishte e para që u ofrua në ankand që nga viti 1985./KultPlus.com

Një pikturë e sapozbuluar e Van Goghut shfaqet për herë të parë në muzeun e Amsterdamit

Një pikturë e papublikuar më parë e Van Goghut do të shfaqet për herë të parë publkisht në muzeun e Amsterdamit, përcjell KultPlus.

Piktura e paparë më herët, titullohet:” Worn out” dhe është nga viti 1882. Kjo pikturë ka qenë e qasshme vetëm për një numër minimal të njerëzve ku ka qenë pjesë e koleksionit privat të Holandës. Pronari, i cili mbetet anonim, i kërkoi muzeut të përcaktojë nëse piktura e panënshkruar është vepër e Van Goghut.

Nga stili, tek materialet e përdorura – një laps i trashë zdrukthëtari dhe letër me bojëra uji të trashë – ai përputhet me vizatimet e Van Gogh në Hagë, tha të enjten Studiuesi i Lartë Teio Meedendorp. Madje ka gjurmë dëmtimi në pjesën e pasme që e lidhin atë me mënyrën se si Van Gogh përdori nyje niseshteje për të bashkuar fletët e letrës në dërrasat e vizatimit. Vjen nga një kohë në karrierën e artistit kur ai po punonte për të përmirësuar aftësitë e tij si piktor i portreteve duke i vizatuar njerëzit pa pushim.

Ajo tregon një burrë të moshuar, tullac ulur, i kërrusur përpara, në një karrige prej druri, kokën e tij tullac në duar. Edhe pantallonat e modelit duket se përputhen me titullin anglez – një copë toke është qartë e dukshme në këmbën e djathtë.

Drejtoresha e muzeut Emilie Gordenker në një deklaratë u shpreh se: “Ne jemi krenarë që jemi në gjendje të ndajmë këtë vizatim të hershëm dhe historinë e tij me vizitorët tanë.”

Van Gogh, i cili ishte i mbështetur në zemërgjerësinë e vëllait të tij Theo gjatë gjithë jetës së tij, u dha vizatimeve një titull anglez në një përpjekje për të krijuar pak njohje të emrit të tij dhe ndoshta edhe për të gjetur një punë në një revistë të ilustruar.

Piktura i është dhënë hua muzeut dhe shfaqet nga e Premtja deri më 2 Janar. /KultPlus.com