‘Më duhet me të kallxu se qysh të due përherë’

Mëngjes’ nga Frank O’Hara

(viti i panjohun)

Përktheu: Plator Gashi

më duhet me të kallxu
se qysh të due përherë
më shkon mendja andej në mëngjese
të përhimta me vdekje
në gojën teme çaji
nuk asht kurrë mjaft i nxehtë
aso kohe dhe cigarja
e thatë rroba ngjyrë gështenje
më mërdhin më duhesh
dhe sodis nga dritarja
borën e heshtun
natën te limani
autobusët ndrijnë si
re dhe unë jam i vetmuem
tuj mendu për fyella
më merr malli për ty gjithherë
kur shkoj në bregdet
rana asht e njomun me
lot që m’ngjajnë si t’mitë
edhe pse kurrë nuk kaj
dhe të mbaj në
zemër me nji humor
të njimendtë me t’cilin ishe krenu
parkingu asht
i ngjeshun dhe rri
tuj i kërsitë çelësat kerri
asht i shpraztë sikur bicikletë
çka po ban tash
ku e ke hangër
drekën dhe a pat
naj trohë peshk n’ta
asht vështirë me mendu
për ty pa veten teme
në fjali ma këput shpirtin
kur je vetëm
mbramë yjet
ken të shumtë dhe sot
e kanë lanë borën si kartelë
vizite s’kam me qenë i përzemërt
asgja nuk
më huton muzika asht
vetëm fjalëkryq
a e din se qysh asht
kur je udhëtari
i vetëm nëse ka ndoj
vend ma larg nga unë
të lutem mos shko. / KultPlus.com

Muzeu Kombëtar sjell botimin e revistës shkencore “Studime Muzeologjike”

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë të mundur daljen në dritë të revistës shkencore “Studime Muzeologjike”, i cili vjen sërish për lexuesin e interesuar, këtë herë në numrin 12 të tij si një botim special.

Artikujt e këtij botimi i kushtohen Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Muzeologjike “Muzetë përtërijnë të ardhmen”, e cila u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 40-vjetorit të inaugurimit.

Prej vitit 2002, një herë në vit, Muzeu Historik Kombëtar boton revistën “Studime Muzeologjike”. Gjatë viteve 2002-2004 kanë dalë rregullisht 3 numra të revistës. Por pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh, në vitin 2014 u realizua botimi i numrit 4 i revistës “Studime Muzeologjike”. Botimi ka vijuar edhe në vitet 2015 deri në numrin e 12 të tij në maj 2022.

“Studime Muzeologjike” është organ i Muzeut Historik Kombëtar. Si i tillë, ai është i përqendruar, por jo i kufizuar në tema dhe emrat e bashkëpunëtorëve.

Në numrin 12-të të tij, revista shkencore “Studime Muzeologjike” ka të përzgjedhur një seri shkrimesh, të cilat i përmbahen muzeologjisë, historisë, antropologjisë, por ka të trajtuara gjithashtu dhe histori arti, konservim e restaurim.

Në këtë kuadër numri special i revistës Studime Muzeologjike përmban fjalët përshëndetëse që u mbajtën në konferencë nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë të Veriut, Valmir Aziri, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Skënder Gjinushi.

Revista përmban 21 shkrime me tema të ndryshme./atsh/ KultPlus.com

Mediat greke: Pse të shkoni në Karaibe, ato gjenden në Shqipëri te Lumi i Shalës

“Bimësi e dendur, ujëra te kaltër dhe atmosferë si në Karaibe” janë disa nga fjalët me të cilat gazeta greke përshkruan Lumin e Shalës.

“Është 100 km nga Tirana, por pak njerëz e njohin dhe sinqerisht që do të donin të qëndronte kështu”.

Gazeta më tej shkruan se me suksesin që po korr spektakli “Survivor” në Greqi shumica e publikut grek janë njohur me skenat ekzotike të ishullit La Romana, në Republikën Domenikane ku edhe po realizohet reality show.

“Bimësia tropikale, ujërat e kalëter, por të kristaltë, lumenjtë dhe plazhet. E vërteta është se megjithëse shumë do të donin të ishin atje, pak kanë gjasa që hipin në aeroplan dhe do të udhëtojnë në anën tjetër të planetit. Megjithatë, ka shumë opsione si në Greqi ashtu edhe në vendet fqinje, si Shqipëria, të cilat ofrojnë këtë përvojë “karaibesh”. Së fundmi në rrjetet sociale ka nisur të bëhet virale një parajsë e fshehur, e cila ndodhet rreth 100 kilometra larg kryeqytetit të vendit, Tiranës, por pak njerëz e njohin dhe akoma më pak kanë arritur ta vizitojnë” shkruan gazeta.

Lumi i Shalës buron nga Alpet Shqiptare dhe derdhet në liqenin e Komanit. Burimi i tij ndodhet në afërsi të fshatit Theth pranë kufirit me Malin e Zi. Rruga deri atje është mjaft e vështirë, pasi rruga nuk është e mirë, por nëse ia dilni do të shihni para jush një diamant të fshehur mirë, të cilin pakkush e di dhe ndoshta do të donin të qëndronte i tillë. / KultPlus.com

Ukraina identifikon më shumë se 600 rusë të dyshuar për krime lufte

Ukraina ka identifikuar më shumë se 600 të dyshuar rusë për krime lufte dhe ka filluar ndjekjen penale pwr rreth 80 prej tyre, tha në prononcim pwr  shtyp të martën prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova.

Venediktova foli së bashku me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) Karim Khan dhe homologët e tjerë pas një takimi në Hagë për të diskutuar hetimet mbi krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë.

Ajo tha se zyrtarë të nivelit të lartë ushtarak, politikanë dhe “agjentë të propagandës së Federatës Ruse” janë në mesin e më shumë se 600 të dyshuarve rusë.

Venediktova tha se hetimet janë komplikuar nga fakti se luftimet janë ende në vazhdim.

Estonia, Letonia dhe Sllovakia i janë bashkuar ekipit ndërkombëtar që heton krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë, i cili fillimisht u formua nga Ukraina, Lituania dhe Polonia më 21 mars për të mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe burimeve, tha Venediktova. / KultPlus.com

‘Duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët’

Duhani, ky zakon burrash!

Nuk dimë se kur u kthye në simbol viriliteti duhanpirja. Mirëpo, mes atyre pak fotografive që zotëron Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror shohim se duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët. Në fotografitë që prezantojmë duken qartë djem apo vajza në moshë të njomë që mbushin paketat me cigare. E para prej fotografive vjen nga viti i largët 1926 dhe paraqet punishten e cigareve “Taraboshi” në Shkodër. Fotografia e dytë vjen nga punishtja e cigareve ndërtuar prej shoqërisë “Stamles” në Durrës. Kurse e treta është punishtja e cigareve “17 Nëntori” në Tiranën e pas Luftës II Botërore. Aroma e duhanit mund të mos jetë fort romantike, por këto fotografi bardhë e zi sigurisht që po.

Foto: AQSh./ KultPlus.com

“Edhe një herë”, hiti i pavdekshëm i Armend Rexhepagiqit (VIDEO)

Këngëtari i mirënjohur, Armend Rexhepagiqi, edhe pse tash nuk është më aktiv në skenën muzikore ai veçse ka krijuar një bagazh të madh muzikor i cili do të jetojë gjatë në historinë e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Një këngë që pikëllon por edhe sjellë nostalgji, “Edhe një herë” është një nga baladat tjera që Armend Rexhepagiqi realizoi në kohën e famës së tij më të madhe.

KultPlus sjell këtë këngë jo për të sjellë pikëllim, por nostalgji për vitet e kaluara dhe për reflektim duke dëgjuar zërin e dashur të Armendit.

Ka shumë ditë që pikëllimi më mban
si një sëmundje e rëndë
që bar nuk ka e s`më le të jetoj
ka shumë ditë që rrugët përherë na janë nda
e ditët e mija netët e mija kot unë i harxhoj

A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje
o më beso se faj nuk kam që forca po më le
se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime
dhe mundi im dhe ëndrrat për dashuri

Edhe një herë o veç edhe një herë
këngët që i këndoj të kam o kujt të ja dhuroj
edhe një herë o veç edhe një herë
gjakun o prapë ta ndez
veç një mëngjes me ty ta pres

Edhe një herë o veç edhe një herë
të të takoj e veç një çast
gëzimi ta jetoj me ty
edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri
edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
vetëm edhe një herë

Diçka e rëndë sikur hyri në mua
më shtrëngon e po dhemb
ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri
dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime
dhe mundi im dhe ëndrrat për dashurinë

Edhe një herë o veç edhe një herë
të të takoj e veç një çast
gëzimi ta jetoj me ty
edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri
edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
vetëm edhe një herë

Se ka shumë ditë që pikëllimi më mban
si një sëmundje e rëndë që bar nuk ka e s`më le të jetoj
faj unë nuk kam që forca mua më le
e s’mund të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
edhe një herë, edhe një herë
.

Armend Rexhepagiqi njihet si legjenda e muzikës shqiptare, ka shkruar dhe kompozuar shumë këngë siç janë: Qaforja, Edhe një herë, Ajo, Dashurine ku e kam, Nasht, Ne radio, Kaqurrele, Te furra e Qerimit, Kuj do t’ia shpreh pikellimin tim, Dude dudie, Ti nuk me meriton, Dugi, Dam dam dam, Harrova, Betohem me këngë, Shko, Qendresa, e shumë e shumë këngë të tjera.

Në vitin 1990 ai përfaqesoi denjësisht Kosoven në Jugovizion për zgjedhjen e këngës kombëtare për garën e Eurovizionit, kënga ishte në shqip dhe quhej ”Mami Mami”. Në vitin 2006 ai doli fitues në festivalin Kenga Magjike me këngën “Kur dashuria vdes” si dhe arriti të marrë çmimin e Kantautorit më të mirë. Si dhe po në këtë vit fitoi video-festivalin e “Video Festit Muzikor” me këngën e tij “Shkel” e cila njihet si një ndër këngët më të mira të tij.

Ai bashkë me gruan e tij, Aida Baraku ka kompozuar këngë edhe për shumë këngëtarë të tjerë siç jane Adelina Berisha, Jehona Sopi, Lori, Valza Bajra, Blertina Shabani, Nora Istrefi, Tuna, Ryva Kajtazi, Leonora Jakupi e shumë e shumë këngëtarë të tjerë ku shumica e këtyre këngeve kanë qenë hite./ KultPlus.com

Ed Sheeran me performancë për nder të Mbretëreshës Elizabeth

Ylli i muzikës pop, Ed Sheeran, do të performojë për nderë të Mbretëreshës Elizabeth dhe burrit të saj të ndjerë, Prince Philip, në një prej ngjarjeve të organizuara me rastin e festimit të 70-vjetorit të shërbimit të mbretëreshës në fron. Festimet për këtë rast do të zgjasin gjithsej katër ditë.

Kantautori i njohur britanik po planifikon ta interpretojë hitin që i dedikohet dashurisë, “Perfect”, për nderë të martesës së gjatë të çiftit mbretëror, raporton portali “Female”.

Sheeran do ta interpretojë këngën kur të përfundojë kortezhi që kalon nëpër rrugët e kryeqytetit, dhe gjatë performancës së tij, në një ekran gjigant do të shfaqen imazhe të Elizabetës dhe Philipit nga jeta e tyre e përbashkët, raporton Daily Mail.

Mbretëresha Elizabeta e Dytë dhe Princi Philip ishin të martuar për 77 vjet. Ai vdiq në prill të vitit 2021 në moshën 99-vjeçare. / KultPlus.com

‘Kam një uri të pasosur dashurie, të dashurive prej trupave të pashpirt’

Poezi nga Pier Paolo Pasolini

Eshtë e vështirë të thuash me fjalët e një biri,
atij të cilit në zemër fare pak i ngjasoj.
Ti je e vetmja në botë që din, për zemrën time,
atë që ish ngahera, përpara secilës tjetër dashuri.

Prandaj duhet të t’them çfarë është e tmerrshme të njohësh:
është brënda hirësisë tënde që lind pikëllimi im.
Je e pa-ndërrueshme, prandaj është e dënuar
me vetmi jeta që më ke dhuruar.
Dhe s’dua të jem vetëm. Kam një uri të pasosur
dashurie, të dashurive prej trupave të pashpirt.
Ngaqë shpirti është në ty, je ti, por ti
je nëna ime dhe dashuria jote është skllavëria ime:
kam kaluar një fëmijëri skllav i kësaj ndjenje të madhe
e pa-shpëtueshme, të një detyrimi të pasosur.
Ishte e vetmja mënyrë për të ndjerë jetën,
e vetmja ngjyrë, e vetmja formë: tani ka mbaruar.

Mbijetojmë: dhe është çrregullsia
e një jete të rilindur jashtë arsyes. / KultPlus.com

Gabriel Garsia Markez dhe e vërteta: Si e ushqeu gazetaria fantazinë e shkrimtarit

Nga Torres Duarte

Bogota – Me tregimet e shkurtra të shkruara në vitet 1940 dhe fillimin e viteve 50, dhe të përmbledhura më vonë në librin “Sytë e një qeni blu”, i ndjeri Gabriel Garsia Markez, shkrimtari kolumbian fitues i çmimit Nobel, tregon se ai është ende një shkrimtar i ri, me një stil dhe subjekte që mund të jenë jo tipike.

Stilistikisht, Merkez e arriti kulmin me romanin “Njëqind vjet vetmi”. Në atë moment, stili dhe thelbi i tij morën një kurs kaotik. Ai arriti nivelin e novelave që më pas u bënë skenarëpër filma si “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, apo me eksperimentin teknik në novelën “Gjethurinat”, romanin e shkurtër anekdotik tek “Ora e ligë”, apo eksplorimi i politikës tek“Funerali i nënëmadhes” .

Gjatë gjithë kohës, aftësitë që shfaqi Markez ishin më tepër ato të një xhongleri të talentuar.Megjithatë unë mendoj se zanati i tij, e lejoi stilin e tij jo vetëm që të evoluonte më fort, por u bë burimi ushqyes i tonit hiperbolik në romanet “Njëqind vjet vetmi”, “Vjeshta e Patriarkut” dhe “Dashuria në kohën e kolerës”.

Mençuri, humor, ironi

Në vitet 1950, Markez kultivoi dy zhanre:komentin e lehtë mbi lajmet (qoftë për qeverinë argjentinase, mbi një film, apo mbi një funeral) dhe kronikën e zezë. Të parën ai e trajtoi gjatë disa viteve që punoi tek “El Universal” dhe “El Heraldo” (dy të përditshme kolumbiane).

Komentet e tij, të mbledhura dhe të studiuara nga Zhak Zhilar në librin e tij “Tekstet bregdetare,1948-1952),  përfaqësojnë një rrëfim inteligjent dhe mendjemprehtë, dhe janëndonjëherë po aq madhështore sa ndonjë pasazh në një nga veprat e tij madhështore.

Në “La primera caída” (Vjeshta e parë), një artikull mbi dramaturgun e famshëm britanik Xhorxh Bernard Shou, i botuar në shtatorin e vitit 1950, ai shkroi se “në moshën kur shumica e njerëzve i përkushtohen detyrës së lodhshme për t’u shndërruar në pluhur, zoti Xhorxh Bernard Shou thotë se shëtit ende rregullisht me shumë gjallëri në kopshtin e tij për tëmbajtur trupin në formë”.

Kur Shou vdiq në Ditën e të Vdekurve, si rezultat i asaj rrëzimi aksidental, Markez vuri në dukje:”Zoti Xhorxh Bernard Shou, zgjodhi të vdiste më 2 nëntor, që është padyshim dita më e përshtatshme për atë detyrë të bezdisshme”.

Komentet e tij të lehta janë ndonjëherë po aq madhështore sa një pasazh në një nga veprat e tij madhështore. Ironia në vëzhgimet e tij (“detyra e bezdisshme” e vdekjes), nuk është ndryshe nga ky pasazh i famshëm në novelën “Vjeshta e Patriarkut”:”…Një pasdite janari,

ne pamë një lopë që sodiste muzgun nga ballkoni presidencial. Imagjinoni një lopë në ballkonin e mëmëdheut…, hamendësoni pak se si një lopë mund të kishte arritur deri në atë ballkon, kur të gjithë e dinë se lopët nuk mund t’i ngjisin sot shkallët, qoftë edhe në shkallëprej guri, dhe aq më pak me shkallët e shtruara me tapet…”.

I njëjti humor, i skalitur ndonjëherë nga sarkazma, është i dukshëm tek tregimi “Puthja:Një reaksion kimik). Pasi tregon se si një shkencëtare e quajtur zonja Uillkinson kishte sugjeruar se puthja ishte metoda që kishin zbuluar njerëzit e lashtë për të konsumuar kripë në muajt e nxehtë të vitit, Markez shkruan:”Tani e tutje nuk do të ketë nevojë të ftojmë askënd që të vijë dhe të vëzhgojë Hënën bashkë me ne. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të ulemi në një stol në park, dhe të hamë në mënyrë romantike gjysmë kg kripë”.

I njëjti humor i zi përdoret për të përshkruar (tek romani Njëqind vjet vetmi) një burrë që bie nga një çati për të parë Remedios-in e bukur. Markez shkruan tek “Posibilidades de la antropofagjia” (Mundësitë e kanibalizmit) se “nuk do të ishte e çuditshme nëse një nga këto ditë, kur të kenë mbaruar të gjitha furnizimet, të ligjërohet shitja e viktimave që bëhenkurban”.

Traditat kulturore dhe gjeografitë mitike

Në tregimin “A Luis Carlos López con veinte años de mueste” (Për Luis Karlos Lopezin, 20 vjet pas vdekjes), ai shkruan se një kusht i domosdoshëm për të njohur poetin Lopez personalisht ishte “të ishe të paktën 30 vjeç”. Zgjedhja e një detaji të zakonshëm por disonant (30, dhe jo 32 vjeç), do të rikthehej vite më vonë në fillimin e romanit “Njëqind vjet vetmi”.

Si një gazetar i kronikës në “El Espectador” , ai zgjeroi potencialin e këtij regjistri duke hedhur bazat e fantazisë dhe realizmit. Nuk është rastësi që kronikat e tij të para iu kushtuanLa Sierpe, një qytet legjendar në bregun kolumbian buzë Atlantikut.

“La Marquesita de la Sierpe” nis me historinë e një burri që ndodhet në zyrën e mjekut, dheqë pret të shpëtojë nga majmuni që mbante në bark. Ai ishte mbarsur nga magjia, e përdorur aq shpesh si një ndëshkim rreth La Sierpe. Kronikat e tij, të cilat raportojnë për një gjeografi fantastike dhe për kafshët e saj, përshkruajnë dema me krahë apo të ngordhur që vijnë nga bota e përtejme duke goditur butësisht një arkivol.

Dashuria e Markezit për hiperbolën dhe zgjuarsinë, gjen një terren më të gjerë e më të frytshëm në botën e traditave kulturore dhe të fantazive mitike, publike dhe të trashëguara, sesa në terrenin e rrëshqitshëm të çështjeve të aktualitetit.

Nga realja tek trillimi

Është interesant fakti që stili i cili dha mundësi Markezit të përpunonte shumë nga përvojat e tij të jetës reale, identifikohet më ngushtë me punën e tij në media sesa përpjekjet e tij të hershme për të shkruar ngjarje të trilluara.

Pavarësisht mjeshtërisë që karakterizon libra të tillë si “Ora e ligë” dhe “Gjethurinat”, duket se Markez gjeti tek fantazia e tij lindur mbi ngjarjet e përditshme, një bazë nga ku mund të ngrihej si një rrëfimtar i madh. Shkrimtarët aspirantë priren të kërkojnë miratimin e botës letrare përmes imitimit të modeleve dhe përshkrimit artificial të emocioneve.

Unë mendoj se me shkrimin e kronikave të lajmeve dhe komenteve të shkurtra, Markez as  pretendonte, as imitonte, dhe as kërkonte miratimin e botës letrare. Liria e shkrimit të kronikave të zakonshme po e shndërronte atë në shkrimtarin që do ta njihnin të gjithë. Sepse kronikat e tij për “El Espectador” janë shkruar vetëm 13 vjet para romanit “Njëqind vjet vetmi”. /bota.al/ KultPlus.com

213 vite nga vdekja e kompozitorit austriak, Joseph Haydn

Joseph Haydn, (lindur më 31 mars 1732, Rohrau, Austri – vdiq më 31 maj 1809, Vjenë), kompozitor austriak. U rekrutua në moshën tetë vjecare në korin e Katedrales së Shën Stefanit, Vjenë, ku mësoi violinë dhe tastierë. Pasi u largua nga kori, ai filloi të mbështeste veten duke dhënë mësim dhe duke luajtur violinë, ndërsa ndërmori një studim rigoroz të kontrapunës dhe harmonisë. Mori shpejt vëmendjen e Pietro Metastasio dhe nëpërmjet tij u bë faktotum për kompozitorin Nicola Porpora në këmbim të mësimeve.

Duke fituar hyrjen në shoqërinë e lartë, në 1761 ai u bë kreu i institucionit muzikor në pallatin e madh të familjes Esterházy, i cili do ta mbështeste atë për pjesën më të madhe të karrierës së tij. Në këtë pozicion izolimi artistik, por me burime të shkëlqyera, Haydn u ndje i lirë të eksperimentonte dhe u detyrua të bëhej origjinal. Në vitet e fundit ai u njoh ndërkombëtarisht si kompozitori më i madh i gjallë.

Ai kompozoi vepra të rëndësishme pothuajse në çdo zhanër, dhe veprat e tij elegante dhe të këndshme balancojnë mendjen dhe seriozitetin, zakonin dhe risinë. Ai kompozoi 106 simfonitë, duke përfshirë 12 simfonitë e fundit të njohura “Simfonitë e Londrës” (1791–95). Ai praktikisht shpiku kuartetin e harqeve dhe 68 kuartetet e tij mbeten themeli i letërsisë së kuartetit. Veprat e tij korale përfshijnë 14 mesha dhe oratoriumet Krijimi (1798) dhe Stinët (1801).

Ai gjithashtu shkroi 47 sonata për piano dhe më shumë se 125 vepra të bukura për baritonin si violonçel. Njihet si formuesi kryesor i stilit klasik, ai ushtroi ndikim të madh te miku i tij Wolfgang Amadeus Mozart dhe te studenti i tij Ludwig van Beethoven.

Thëniet e tij më të famshme:

“Unë kurrë nuk kam qenë një shkrimtar i shpejtë, kam kompozuar me shumë kujdes dhe përpjekje.”

“Nëse doni të dini nëse keni shkruar diçka që ia vlen të ruhet, këndojini vetes pa askend afër.”

“Unë do të komunikoj me Zotin dhe duhet të jem i veshur siç duhet!”

“Unë ju them përpara Zotit dhe si njeri i ndershëm, djali juaj (W A Mozart) është kompozitori më i madh që kam njohur nga personi dhe reputacioni, ai ka shije dhe për më tepër aftësinë më të madhe në kompozim.”

“Nuk kishte njeri pranë që të më ngatërronte, kështu që u detyrova të bëhesha origjinal.” / KultPlus.com

Publikohet vëllimi i dytë i “Kujtime të përtejvarrit”, nga shkrimtari François-René de Chateaubriand

Ka dalë në librari vëllimi i dytë i serisë autobiografike “Kujtime të përtejvarrit”, nga shkrimtari frëng François-René de Chateaubriand (përkthyer prej origjinalit nga Primo Shllaku).

François-René Vicomte de Chateaubriand (1768-1848) ka qenë një ndër përfaqësuesit më të spikatur të reaksionit pas Revolucionit Francez, si dhe figura më e shquar e letërsisë frënge në periudhën e Perandorisë së Parë. Lindi më 1768 në Saint-Malo dhe hyri në ushtri më 1786. Gjatë qëndrimit në Paris, ai pati rastin të takohet me figurat më të shquara të jetës letrare dhe jo vetëm letrare të kohës së tij, për të cilët Chateaubriand shkroi portrete mbresëlënëse në kujtimet e tij. Pas revolucionit, këmbëngulja në idetë e tij e detyroi të largohet për në Amerikë në pranverën e 1791.

U rikthye në atdhe më 1792, pas arrestimit të Luigjit XVI. Vepra “Atala, ose Dashuritë e dy të egërve në shkretëtirë”, u botua më 1801, dhe falë stilit të shkëlqyer, elokuencës së zjarrtë dhe përshkrimeve të qëlluara, e bëri menjëherë të famshëm autorin. “Gjenia e kristianizmit” (1802), një mbrojtje e besimit katolik, doli në shtyp në vigjilje të rivendosjes së fesë katolike në Francë nga Napoleoni.

Mjafton të përmenden autorë si Lamartine apo Victor Hugo, për të kuptuar ndikimin themelor të Chateaubriand-it në prozën e mëvonshme në gjuhën frënge.

Vdiq më 4 korrik 1848. I kaloi pesëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës duke shkruar veprën e madhështore dhe kontroversiale “Kujtime të përtejvarrit”, e cila pa dritën e botimit menjëherë pas vdekjes së autorit.

Më poshtë një fragment i shkurtër nga parathënia e autorit:

***

Meqë e kam të pamundur ta parashikoj ditën se kur do të vdes; meqë, në moshën time, ditët e dhëna për njeriun janë vetëm ditë të falura, ose, më mirë të themi, ditë ndëshkimi, nga frika se mund të zihem gafil, dua ta shpjegoj veten rreth një vepre të destinuar për t’i bishtnuar mërzisë së këtyre orëve të fundit e të braktisura, që askush nuk i dëshiron e më të cilat njeriu nuk di se ç’të bëjë.

Kujtimet, në krye të të cilave do të lexohet kjo parathënie, përfshijnë dhe do të përfshijnë të gjithë rrjedhën e jetës sime. Janë nisur që nga viti 1811 dhe vazhdojnë deri më këtë ditë. Unë tregoj tek ajo që është kryer, dhe do të tregoj tek ajo që ende është vetëm një skicë, fëmijëninë time, selitjen, rininë, hyrjen time në ushtri, ardhjen time në Paris, njohjen time me Luigjin XVI, skenat e para të Revolucionit, udhëtimet e mia në Amerikë, kthimin tim në Europë, mërgimin tim në Gjermani dhe Angli, kthimin tim në Francë në kohën e konsullatit, punët dhe veprat e mia gjatë perandorisë, vrapin tim në Jeruzalem, punët dhe veprat e mia gjatë Restauracionit, pra, përfund, historinë e plotë të këtij Restauracioni dhe të rënies së tij.

Kam pasur rastin të takohem me pothuajse të gjithë burrat që, në kohën time, kanë luajtur një rol të madh ose të vogël jashtë ose brenda vendit tim. Duke filluar nga Washingtoni deri te Napoleoni, nga Luigji XVIII deri tek Aleksandri, nga Piu VII deri te Grigori XVI, nga Fox-i, Burke-u, Pitt-i, Sheridan-i, Londonderry, Capo-d’Istrias deri te Malesherbes-a, Mirabeau-i, etj. Nga Nelsoni, Bolivari, Mehmet Pasha i Egjiptit, deri te Suffren-i, Bougainville-i, Lapeyrouse-i, Moreau-ja, etj. Kam qenë pjesë e një triumvirati që nuk e kishte pasur shokun ndonjëherë: tre poetë interesash dhe kombesh të ndryshme u gjetën, pothuajse njëkohësisht, ministra të punëve të jashtme, unë në Francë, z. Canning në Angli dhe z. Martinez de la Rosa në Spanjë. I kalova njërin pas tjetrit vitet e zbrazta të rinisë sime, vitet e mbushura plot me ngjarje të periudhës republikane, kohën e lavdishme të Bonapartit dhe të mbretërimit të Legjitimitetit./Express/KultPlus.com

Instituti Albanologjik i Prishtinës boton “Gjurmime albanologjike”

Instituti Albanalogjik në Prishtinë ka botuar një përmbledhje të re me gjurmime në fushën e etnologjisë.

Kjo përmbledhje u finalizua në vitin e kaluar por e gjeti dritën e botimit tani dhe përmban gjithsej 5 kapituj.

Etnologji, Folklor, Etnomuzikologji, Kritika dhe Recensione dhe Kronika Shkencore janë kapitujt që e përbëjnë këtë studim të degës së Institutit.

Titulli origjinal: “Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave folklor dhe etnologji, nr.51, Prishtinë, 2021”.

Kryeredaktore: Lumnije Kadriu / KultPlus.com

‘The Guardian’ zgjedh fotografinë e Armend Nimanit më të mirën për sot

‘The Guardian’ ka zgjedhur fotot më të mira për ditën e sotme.

Në mesin e fotografive është edhe ajo e shkrepur në Kosovë e Armend Nimanit.

“Një burrë kalëron pranë një termocentrali. Dy termocentralet janë burime kryesore alarmante të nivelit të ndotjes së ajrit në Kosovë”, përshkruhet fotografia.

Ndër të tjera fotografi janë edhe një në Dubai, ku duket se pastiçierja po i ofron kafe dhe ëmbëlsirë një qeni./21Media/ KultPlus.com

Duo në flaut dhe piano me Jana Machalett, Enkelejda Zajmi-Gorani dhe Pauline Post, sonte në Chopin Piano Fest

Edicioni i 12-të i festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest’ tashmë ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm, përcjell KultPlus.

Festivali më i madh i muzikës klasike i organizuar në Kosovë, këtë vit pritet të ketë 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara të ndryshme e aktivitete kulturore. Do të jenë të ftuar kompozitor e pianistë nga vende të ndryshme të Evropës të cilët do të shpalosin para publikut kosovar veprat më të mëdha në piano.

Ndërkaq sonte do të performojnë Jana Machalett, Enkelejda Zajmi-Gorani, Pauline Post në flautë dhe piano, koncert ky që vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në Kosovë, duke filluar nga ora 20:00.

Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja. / KultPlus.com

Dua

Poezi nga Asdreni

Mbi bar dua të prehem,
të këndoj, të dëfrehem,
të shoh rreth bagëtinë,
kur hanë dhe pinë;
të shoh fushat e blerta,
bimët kur i fryen era,
njërzit kur punojnë
dhe çupat kur këndojnë!

Ah, dua dhe lulet,
kur i shfaqin pekulet,
dhe fluturat që venë,
mbi to dua të jenë;
bilbili t’ia thotë
nën diellin e ngrohtë.

Dua dhe Shqipërinë,
se atje kam shtëpinë,
kur rrija nëpër ferrat
edhe lozja me sheqerrat;
për këtë kam dëshirë
dhe s’dua më mirë,
atje dua të shkoj,
sa të jem e të rroj!./ KultPlus.com

Kosova po bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor, Këshilli Inicues kryesohet nga Yll Rugova

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se shumë shpejt Kosova do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Çeku ka njoftuar se Këshilli Inicues i Muzeut të Artit Bashkëkohor përbëhet nga artistë e profesionistë të dëshmuar. Ky këshill do të kryesohet nga Yll Rugova, ndërsa anëtarët e tjerë janë Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Hoxha Salihu, Valdete Pacolli dhe Fisnik Abazi.

Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Çeku:

Sot e nisëm edhe një ndërmarrje të madhe në kulturë, shteti ynë do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor

Muzeu i Artit Bashkëkohor është institucion i rëndësisë së veçantë që do të ofrojë mundësi të reja zhvillimi dhe promovimi për artin dhe artistët tanë bashkëkohorë. Në të njëjtën kohë, MAB do të konceptohet në atë mënyrë që të fuqizojë lidhjet tona dhe pozicionin tonë shtetëror në skenën botërore të artit.

Këshilli Inicues i Muzeut të Artit Bashkëkohor përbëhet nga artistë e profesionistë të dëshmuar. KI do të kryesohet nga Yll Rugova, ndërsa anëtarët e tjerë janë Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Hoxha Salihu, Valdete Pacolli dhe Fisnik Abazi.

Detyrat e Këshillit Inicues përfshijnë përgatitjen e konceptit programor dhe artistik, vendimeve për themelim, planit për ngritjen e strukturave të përhershme, konceptit hapësinor dhe arkitektonik të ndërtesës dhe kornizës për koleksionin e Muzeut të Artit Bashkëkohor./ KultPlus.com

‘Java e Italisë’ sjell 54 evente kulturore, artistike e sociale në Shqipëri

Një galeri fantastike e përbërë nga 20 harqe Luminarie tradicionale Puljeze do të ndriçojë sot në mesnatë qiellin e Tiranës.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë event, i cili organizohet në kuadër të aktiviteteve për “Javën e Italisë”.

“‘Java e Italisë’, e cila ka nisur sot e vazhdon me ndezjen e dritave artistike në mesnatë në pedonalen e Kalasë së Tiranës, për të vijuar 7 ditë me radhë, me 54 evente kulturore, artistike, sociale, është kulmi i bukur i programit tonë të ri “Javët Ndërkombëtare të Kulturës”, të cilin uroj ta shijoni me familjet e fëmijët tuaj, në Shkodër, Gjirokastër, Vlorë e natyrisht Tiranë”, tha Rama.

Luminaret Artistike, një shprehje e kreativitetit puljez dhe mjeshtërisë italiane do të jenë protagoniste të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri.

Në Pedonalen e Tiranës do të organizohet sot në orën 23:59, një ceremoni për ndezjen e  dritave që do t’i japin atmosferë dhe ngjyra kryeqytetit shqiptar.

Nga 31 maji deri në 7 qershor, në disa qytete të Shqipërisë, do të zhvillohet Java Kulturore e Italisë.

Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës, si dhe vende të Bashkimit Evropian.

Java Kulturore e Italisë vjen pas javëve kulturore të Francës, SHBA dhe Greqisë, të organizuara në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit./ atsh/ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës dha koncertin premierë të radhës, një program i veçantë që zgjati rreth dy orë

Fotografitë: Arben Llapashtica

Filharmonia e Kosovës dha koncertin premierë të radhës. Një program i veçantë dhe me shumëllojshmëri që zgjati rreth dy orë, përfshiu veprat e kompozitorëve, Alexei Shor, Rafet Rudi, Shostakovich, dhe Dvorak, përcjell KultPlus.

Në koncert Filharmonia realizoi bindshëm programin artistik ku u paraqitën dhe solistet e njohura, sopranoja Besa Llugiqi në veprën “Laudatio Funebris” të Rafet Rudi dhe pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj në interpretim të Koncertit No.2 nga D.Shostakovich, e gjithë kjo nën dirigjimin e Antoine Marguier.

Të pranishëm në koncert ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltari i ministrit, Liburn Jupolli. / KultPlus.com

Organizohet edicioni i dytë i Festivalit të Teatrit për Fëmijë në Berat

Festivali i Teatrit për Fëmijë “Një Mbi Një Dritaret”; vjen në edicionin e tij të dytë, më datat 1-10 qershor.

“Një Mbi Një Dritaret”, është evenimenti dhe risia më e madhe që qyteti i Beratit sjell në Shqipëri si një festival teatror për fëmijët e të gjitha trevave shqipfolëse, njoftoi sot bashkia e Beratit.

Një eveniment teatror si kurrë më parë, do të mbledhë bashkë artistët e vegjël, traditat dhe kulturat e qyteteve të ndryshme dhe trevave shqipfolëse jashtë kufijve, në një qytet, në një skenë, nën moton “Berati Qyteti i Fëmijëve”.

Ky festival, që organizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nëpërmjet programit PIUTD dhe në partneritet me Bashkinë Berat, ka si qëllim promovimin dhe nxitjen e artistëve të vegjël dhe qendrave kulturore për fëmijët në të gjithë Shqipërinë, si nevojë e përbashkët e edukimit të brezave të rinj me artin dhe kulturën shqiptare.

Për 10 netë qyteti i Beratit mirëpret bashkitë sipas kalendarit të mëposhtëm të festivalit:

1 qershor – Berat

2 qershor – Kukës

3 qershor – Tiranë

4 qershor – Fier

5 qershor – Vlorë

6 qershor – Dimal

7 qershor – Shkodër

8 qershor – Korçë

9 qershor – Elbasan

10 qershor – Durrës

Nata përmbyllëse e këtij festivali teatror do të përkojë gjithashtu me ceremoninë e dhënies së çmimeve./ KultPlus.com

Bradley Cooper së shpejti me rol të ri në Netflix (VIDEO)

Bradley Cooper në filmin e ri dedikuar jetës dhe karrierës së kompozitorit të famshëm amerikan, Leonard Bernstein, të titulluar “Maestro”, duket krejtësisht si kompozitori tashmë i ndjerë.

Ai veç rolit në këtë film, po ashtu është edhe regjisori i tij.

Cooper paraqitet me rolin e Bernstein gjatë fazave të ndryshme të jetës së tij.

Në filmin “Maestro”, rolin e bashkëshortes së Bernstein, Felicia Montealegre e luan aktorja Carey Mulligan.

Netflix ka ndarë pamje nga xhirimet e filmit në llogarinë e tyre në Twitter, ku fansat kanë mbetur të mahnitur nga dukja e tij.

Disa janë të mahnitur aq shumë me transformimin e dukjes së tij, me maskë e makijazh, sa që kanë komentuar se personi që ka bërë këtë transformim duhet të shpërblehet me çmimin kryesor.

Të tjerë kanë komentuar se Cooper në “Maestro” duket pikërisht si Bernstein.

Cooper në një intervistë për Variety më parë ka bërë të ditur se ky film do të lansohet vitin e ardhshëm. Ai po ashtu ka treguar se fillimisht ishte folur se regjinë e tij do ta bënte Martin Skorsezi, por se më pas këtë detyrë e mori Cooper.

Sa i përket jetës së Leonard Bernstein, ai ishte kompozitor, dirigjent, pianist, mësues muzike, autor dhe njeri humanitar.

Ai vlerësohet të jetë njëri prej dirigjentëve më të rëndësishme të kohës së tij, i pari që fitoi famë ndërkombëtare. Bernstein gjatë karrierës së tij u nderua me shumë çmime./21Media / KultPlus.com

Sot për Ditën e Kinemasë në Cineplexx, super-aksionin ‘Top Gun: Maverick’ mund ta shikoni me çmim special

Në Cineplexx dita e martë shënon Ditën e Kinemasë, e cila është ditë e rezervuar për çmime më të ulëta të biletave.

Sot për këtë ditë, filmin më të fundit të Tom Cruise, Top Gun: Maverick mund ta shikoni në Cineplexx Prishtinë me çmim special prej 3,30€ ndërsa në kinemanë Cineplexx Prizren me çmim special prej 3,10€.

Top Gun: Maverick është bërë filmi me më së shumti para të fituara në karrieren e Tom Cruise dhe filmi i tij i parë që kalon shifrën e $100 milionë në javën debutuese. Sipas raportimeve, të gjitha skenat e fluturimit janë xhiruar me F/A-18 të Marinës së SHBA-së, për të cilat aktorët duhej të trajnoheshin gjatë një procesi intensiv dhe mbresëlënës. Ndjesia autentike që ata krijojnë ndihet mrekullueshme përmes ekranit më të madh.

Sa i përket ngjarjes së filmit, Tom Cruise në rolin e Pete “Maverick” Mitchell pas më shumë se 30 vite shërbimi si një nga aviatorët më të mirë të Marinës është në vendin ku i takon, duke i shtyrë kufijtë si një pilot i guximshëm testimi dhe duke shmangur avancimin në gradë që do ta ndalonte atë. Këtë herë ai gjen veten duke trajnuar të diplomuarit në Top Gun për një mision të specializuar, të cilin asnjë pilot i gjallë nuk e ka parë ndonjëherë. Një trajnim ku duhet të përballohet me një të ardhme të pasigurt dhe me fantazmat e së kaluarës së tij. Tom Cruise dhe Val Kilmer janë të vetmit aktorë që ripërsërisin rolet e tyre nga origjinali i Top Gun ndërsa aktorët e ri që ju bashkangjiten janë Miles Teller, Jon Hamm dhe Jennifer Connelly.

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx,  ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00./ KultPlus.com

Për artistin ukrainas të rrugës, peneli është më i fuqishëm se pushka

Gamlet Zinkivskiy po lufton pushtimin rus me një penel, duke krijuar piktura murale që ai shpreson se mund të rrisin moralin dhe të ofrojnë një antidot të shkurtër për luftën në Kharkiv, qytetin e dytë të Ukrainës me shenja beteje, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Artisti më i njohur i rrugës thotë se veprat e tij janë apolitike. Por një mbi kompensatë që ka vulosur hyrjen e një ndërtese komunale të shkatërruar nga kokat ruse thotë të kundërtën.

Piktura tre metra e lartë (10 këmbë) e një bombole benzine dhe shishe me lecka të mbushura në qafë, kujton bombat me benzinë ​​të bëra nga civilët për të ndihmuar në pengimin e sulmeve të Rusisë në Kharkiv dhe Kiev në shkurt.

Titulli i muralit, i gdhendur me shkronja të zeza cirilike, është “Mikpritja nga Ferri”.

“Po, keni të drejtë,” qeshi Zinkivskiy me kokë të rruar kur një reporter vuri në dukje natyrën politike të veprës ndërsa ishin ulur së fundmi në kuzhinën me pllaka të bardha të apartamentit të tij në Kharkiv.

“Ushtarët rusë besonin vërtet se, në Kharkiv dhe Kiev, njerëzit do t’i përshëndesnin me lule,” kujtoi ai. “Por (ata) takuan rusët me kokteje molotov”.

Megjithatë, Zinkivskiy ka mbajtur në sfond zhurmën e shpërthimeve nga betejat në veri dhe lindje të qytetit, arsyeja e tij kryesore për të pikturuar nuk është të bëjë deklarata politike, por “t’u japë njerëzve diçka të re për të menduar”.

“Jeta normale po rikthehet,” tha Zinkivskiy, 35 vjeç, i cili ndonjëherë mban parzmore ndërsa pikturon. “Lufta dhe bombat nuk janë e vetmja gjë… Ne jemi më të fortë me artin”.

Idealisht, ai do të dëshironte të çonte më tej karrierën e tij në Angli. “Por unë nuk dua të largohem nga qyteti im sepse po ndihmoj për të ndërtuar një qytet të ri, një vend të ri.”./ KultPlus.com

Putin i bën rusë të gjithë fëmijët ukrainas jetimë

Me mijëra njerëz janë evakuuar nga rajoni i Donbasit të Ukrainës në drejtim të Rusisë që prej fillimit të luftës. Shpesh, Kievi ka akuzuar Moskës se po i merr peng qytetarët e atyre zonave, ndërsa në anën tjetër Kremlini rrëzon akuzat dhe ka deklaruar se i ka strehuar dhe po u plotëson të gjitha nevojat.

Së fundmi, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për marrjen e shtetësisë ruse nga të miturit ukrainas të cilët kanë mbetur jetimë ose janë pa prindërit në Rusi, veçarëisht nga zonat e pushtuara.

Lajmi është raportuar nga “Ukrainska Pravda”, e cila citon një dokument të publikuar nga agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti”. /A2CNN / KultPlus.com