Kori Siparantum do të përfaqësoj Kosovën në Festivalin Internacional të Koreve “Lisbon Sings” – Portugali, në mesin e 22 koreve nga 17 shtete të botës, aktivitet ky që është pjesë e “WORLD’S BEST CHOIRS Rankings of the Top 1000 Choirs and Ensembles”, ku tashmë Kori Siparantum është pjesë e saj. Festivali do të mbahet nga data 09-14 Nëntor.
“Jemi tejet të lumtur që do të përfaqësojmë vendin tonë në këtë festival tepër të rëndësishëm të muzikës korale. Përpos sfidave dhe sakrificave që ballafaqohemi, falë punës, përkushtimit maksimal dhe dashurisë për vendin tonë, ne po ia dalim suksesshëm. Kemi punuar gjatë dhe me shumë përkushtim për këtë program, shpresoj që do të kthehemi me suksesin e radhës. Ne tashmë e kemi dëshmuar këtë”, thotë Memli Kelmendi, dirigjent i korit.
Kori Siparantum garon në dy kategori: Competition in Category A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I (Kategoria më e vështirë e festivalit) dhe Competition in Category S – Sacred Choral Music a cappella.
Përpos këtyre dy aktiviteteve Kori do të jetë pjesë e koncertit Friendship Concert e cila do të mbahet në sallën e njohur Universidade de Lisboa – Aula Magna (Universidade de Lisboa – Aula Magna Universiteti i Lisbonës (Universidade de Lisboa) është universiteti më i madh dhe më prestigjioz në Portugali dhe është një nga universitetet kryesore të Evropës).
Rikujtojmë që Kori Siparantum është shpërblyer me pikët maksimale në Festivalin Internacional të Koreve “The Golden Lime of Tuhelj” Kroaci, duke i sjellur vendit tonë “Medalje të Artë”; Fitues i kategorisë “ Musica Contemporanea” në garën më të madhe të koreve në botë, WORLD CHOIR GAMES (2021) dhe Diplomë të Artë; Fitues i dy vendeve të para (Kategoria F dhe Kategoria G) në Europian Festival for Young People, Belgjikë. Kori Siparantum ka qenë pjesë e skenave të mëdha në mesin e tyre, salla më e njohur “Berlin Philharmonie” që ndryshe konsiderohet ëndërr e çdo artisti. / KultPlus.com
Për të apasionuarit e muzikës jazz, në Tiranë do të vijë festivali Jazz & Wine International Festival Albania.
Ky festival jazz-i do të sjellë në Tiranë artisten Eda Zari dhe miqtë e saj artistë, nga vende të ndryshme të botës. Ky edicion i Jazz & Wine, me moton “Tingulli dhe fjala si një palimpsest”, vjen në kuadër të “tetorit gjerman”.
Së bashku me kolegë të tjerë, Eda Zari do të interpretojë mbrëmjen e datës 28 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse Tiranë.
Me të do të jetë Rhani Krija, artist me të cilin prej më shumë se dy dekadash, Zari ka krijuar një simbiozë melo-ritmike unike, kimi që ka rivitalizuar repertorin e këngëve tradicionale shqiptare.
Rhani Krija, zotëron çdo instrument perkusiv. Ai ka lindur në Marok por jeton e krijon në Këln të Gjermanisë. Krija ka realizuar turne koncertale me yje botërore dhe vlerësohet jashtëzakonisht në skenën ndërkombëtare, ku shquhet për duart magjike dhe sensin e pakrahasueshëm ritmik. Ai ka luajtur me Sting, Peter Gabriel, Annie Lennox, Herbie Hancock dhe Prince, Lady Gaga etj. Sipas tij “Muzika tradicionale shqiptare, është një pasuri për muzikën botërore”.
Në këtë natë “Jazz dhe Poezi”, artistja, e cila këtë herë do të performojë në skenë edhe me djalin e saj Henning Jung, bashkon ‘creme de la creme’ të skenës aktuale të xhazit për të formuar një septet unik, botë orkestrale, ritme dhe poezi, të bashkuara në një ngjarje zanore kinematografike. Një varietet shpërthyes, i sofistikuar dhe tërheqës.
32 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë ”brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës, Lasgush Poradecit dhe Heinrich Heine-s. / atsh / KultPlus.com
Festivali kulturor multietnik i këngëve tradicionale, i folklorit dhe i valleve “BallkanFest – Republika e Kosovës” u mbajt këto ditë në Prizren.
“BallkanFest”, i shtati me radhë, u mbajt me 8 tetor, në Kino Lumbardhi në Prizren dhe u konsideruar si një edicion shumë i suksesshëm
Festivali tuboi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, dhe mbi 200 interpretues nga shoqëritë kulturore dhe artistike nga vendet fqinje – Republika e Shqipërisë (Ansambli “Mirëdita”), nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia etj.
Festivali u organizua nga Shoqata për Kulturë “PLEJADA – Prizren”, në mbështetjen e Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Zyrës për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit dhe Drejtorisë së Kulturës së Prizrenit. Vetëm zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe zëvendësministri i Kulturës Sylejman Elshani morën pjesë në këtë ngjarje kulturore.
“Qëllimi i këtij festivali unik është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, valleve, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore”, tha drejtori i festivalit, “BallkanFest –2022”, Hermin Memishi i cili tutje shtoi: “Ballkan Fest bashkon të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës në një vend së bashku me shumicën e shteteve Ballkanike, ku krijon harmoni multienike dhe tolerancë ndëretnike ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe dërgon një porosi paqeje si në Kosovë ashtu edhe në mbarë Ballkanin.” / KultPlus.com
Barefoot Festival është një eco-festival i muzikës, artit, natyrës, ushqimit vendas dhe edukimit mjedisor, që synon të nxisë e të vërë në lëvizje transformimin ekologjik afatgjatë të industrisë së argëtimit në Shqipëri.
Gjatë tre ditëve të festivalit do të organizohen workshope edukative inovatore, bashkëpunime artistike, ndarje përvojash e shkëmbime idesh, tinguj stimulues dhe energji pozitive.
Provoni diçka që nuk e keni bërë kurrë më parë, kaloni kohë cilësore me familjen, takoni miq të rinj me mendje të njëjtë. Ju mirëpresim ju dhe diellin për një fundjavë argëtimi dhe mësimi. Më 7 – 8 – 9 tetor merrni miqtë dhe shkoni te Liqeni i Tiranës.
Ky aktivitet u organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. /atsh /KultPlus.com
Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u bë hapja zyrtare e festivalit “Summer Cult”.
Ngjarja filloi me shfaqjen teatrore të dy aktoreve, Arbnore Nuha dhe Blerina Veseli të cilat shkëlqyen para publikut ndërsa vazhdoi me performancën e mrekullueshme muzikore nga Diellza Dedushi dhe Bulza Havolli.
Pjesëmarrësit po ashtu patën mundësi të shohin ekspozitën “Beyond Borders”, një ekspozitë kolektive e artistëve të rinj.
Në hapje të festivalit morën fjalën këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli dhe drejtoresha e festivalit, Elmaze Nura, ndërsa pjesëmarrës ishin regjisorë, aktorë, muzikantë, studentë e qytetarë.
Përgjatë dy ditëve në vazhdim artdashësit do të mund të shijojnë programin e “Summer Cult” i cili përmban ekspozita, punëtori, shfaqje filmash dhe afterparty.
Lokacionet ku po zhvillohen këto ngjarje janë Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fakulteti i Arteve dhe Kino Armata.
“Summer Cult” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Festivali i rrushit “Hardh Fest” është drejt përgatitjeve të fundit për të sjellë edicionin e sivjetmë i cili mbahet në qytetin e vreshtave, Rahovec.
Festivali i cili do të mbahet më 2, 3 dhe 4 shtator në natën e parë do të nis me një performancë të këngëtarit të njohur Alban Skenderaj.
Këtë e kanë bërë të ditur organizatorët e festivalit përmes një njoftimi për media.
“1-2, 1-2, test, test a kemi rrymë? Rikthehemi aty ku e lam’ vitin e kaluar – ALBAN SKENDERAJ në HARDH FEST! Me 2 shtator (E Premte) në skenën e Konakut do të performojë një nga këngëtarët më të kërkuar nga publiku i festivalit, i shumëpritur nga të gjithë Alban Skendera”, thuhet në njoftimin. / KultPlus.com
Sonte nis Festivali “Sunny Hill” ku në natën e parë të festivalit do të performojë edhe ylli Dua Lipa.
Por, pak orë para nisjes së festivalit, nga faqja e Sunny Hill ka nisur një fushatë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Me moton “Më lër të lirë”, kjo fushatë nis sonte ku qysh në hyrje të festivalit ju mund të pajiseni me për të bërë thirrje për liberalizimin e vizave.
“Sunny Hill Festival ju fton të thërrisni me zë të lartë #Setmefree për një Kosovë pa viza. Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të bllokuar integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa vizë. Por ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatën tonë të gjallë për t’u lënë të lirë”, shkruan në postim të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com
Një mbrëmje mbresëlënëse e mbushur plot me melodi shqipe rezultoi nga koncerti i Adhurim Grezdës dhe bendit “Don’t listen to your neighbors”, të cilët mbrëmë promovuan albumin e tyre të emërtuar “Udhëtim në kohë”, pikërisht në natën e parë të hapjes së edicionit të dytë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Një udhëtim në kohë nëpër këngë të vjetra shqiptare që vinë të aranzhuar në një stil perfekt, e përjetuan të gjithë të pranishmit që u pushtuan ëmbëlsisht me prekjen madhështore të secilit tingull, shkruan KultPlus.
Edicioni i dytë i këtij festivali nisi mbrëmë me një stil mjaft unik të elementeve të xhazit të përcjellura përmes aranzhimeve të sofistikuara. Ky koncert dukshëm pati pranë një numër të madh të artdashësve të cilët me padurim prisnin daljen në skenë të artistëve që do të performonin në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Me një ndriçim të ngrohtë në dy qoshet e skenës si dhe ato në distancë përbri skenës, reflektorët e kaltër të vendosura përreth sallës si dhe dritat në prapaskenë që ndërronin sa herë që publiku bëhej pjesë e koncertit, ishin ato që vinin në pah akoma më shumë interpretimin e veçantë të instrumentistëve në skenë. Me një logo të dizajnit në prapavijë dhe dritën natyrale që bie pingul në mes të hapësirës, të pranishmit mbushën sallën qosh më qosh, teksa disa nga ta edhe qëndruan në këmbë nga fillimi e deri në fund.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se ndjehet mjaft e nderuar që salla ishte e mbushur plot.
“Jemi vërtetë të nderuar që sot po e nisim edicionin e dytë të ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’. Sa mirë të shohësh këtë sallë kaq të mbushur me të rinj, me artistë, me diplomatë dhe të gjithë ata që përfaqësojnë të gjitha kategoritë dhe që mbi të gjitha, vlerësojnë artin, e për këtë ju jemi shumë mirënjohës. Edicionin e dytë e nisim sot me një mbrëmje specifike dedikuar dhe kushtuar muzikës shqipe, një gjerdan shumë i vlefshëm për kulturën, artin dhe traditën tonë”, thotë Aliaj.
Për të pranishmit të cilët janë adhurues të muzikës unike të bendit “Don’t listen to your neighbors”, në hyrje të hapësirës ishin të vendosura rishtazi edhe një numër i madh i CD-ve, brenda të cilave gjendej edhe albumi më i ri i tyre. Ndërkaq, para se koncerti të gjente nisjen e tij, skena ishte ajo që ishte e mbushur plot në secilin cep. Instrumentet diversive pas pak do të gjallëroheshin nga një formacion i zgjeruar, pak më ndryshe sesa treshja tashmë e njohur e këtij bendi. Njëri pas tjetrit, dalja e tyre në skenë u shoqërua me një duartrokitje të paparë nga ana e publikut.
Gjithsej trembëdhjetë këngë pushtuan atmosferën që nga fillimi e gjerë në mbarim. Fiks në orën 20:15 u lëshua tingulli i parë dhe zëri i mrekullueshëm i baritonit Adhurim Grezda nuk u ndal për asnjë çast. Me një veshje elegante, secila notë muzikore i shkrihej natyrshëm zërit të tij të butë dhe njëkohësisht të fuqishëm, që në ndërlidhje me audion aq të pastër të instrumenteve, ky koncert dëshmoi për një çiltërsi të jashtëzakonshme autentike.
Kënga arbëreshe “Ishte një ditë e muajit t’majit”, “Valle arbëreshe”, kënga qytetare përmetare “A kanë uj’ ato burime”, poezia “Kroi i fshatit tonë”, kënga popullore e Shqipërisë së mesme “Jam bandill, trim i fortë”, kënga popullore korçare “25 gërsheta”, kënga popullore elbasanase “Malenake”, “Hala s’të ra ndërmend”, kënga qytetare shkodrane “Tash sa ditë e mot”, këngë qytetare beratase “Asaman, trëndafili i çelës”, kënga popullore durrsake “E vika Deti”, “Valle e Shqipërisë së mesme” si dhe “Mallëngjimi”, jehuan edhe përtej mureve të çdo shpirti të pranishëm. Kjo më së miri dallohej edhe atëherë kur secili person arriti që të krijojë ritme herë pas here në publik të cilat krijonin një gërshetim të mrekullueshëm mes artistëve dhe artdashësve.
Ndërkohë, anëtarët e tjerë që janë pjesë e këtij albumi si: Dalvin Mamusha në violinë, Endrit Xërxa në kitarë, Visar Kuçi në bas kitarë dhe mandolinë, Ervis Çaushi në fizarmonikë, Fatjon Miftari në piano, Ardian Bakalli në daulle si dhe Tanju Sulejman në perkusion, kanë sjellë copëza magjie përbrenda secilës këngë. Çdo herë ndryshe në stilin e tyre, ata arritën që këtë mbrëmje ta ndezin flakë e publikun ta bëjnë për vete lehtazi. Njëlloj si emërtimi i albumit, “Udhëtim në kohë”, ky koncert ishte me të vërtetë i tillë. Këngët e vjetra shqiptare dhe popullore janë ringjallur për të lënë gjurmë të dukshme moderne.
Edhe pse teksti këndohej pothuajse nga gjithsecili i pranishëm, ishte vija melodike ajo që kishte ndërruar formë dhe kjo veçse është mirëpritur nga audienca që me duartrokitje të shumta ka mirëpritur secilën këngë. Me buzëqeshje në fytyrat e secilit dhe lëvizjet e tyre në vend, ritmi i tyre trupor ishte i të njëjtit nivel me atë në skenë. Këngë pas kënge, duartrokitje pas duartrokitje e instrument pas instrumenti, kjo mbrëmje dëshmoi për një nevojë të pashtershme që ka skena kulturore në Kosovë.
Është vetëm edicioni i dytë i këtij festivali, por tashmë netët e radhës po priten me padurim që të vinë sa më shpejt në kryeqytet. Krejt kjo dëshirë e dalluar erdhi nga kjo mbrëmje që dëshmoi për kapacitetin e lartë të profesionistëve shqiptarë të cilët me muzikën e tyre krijuan një mbrëmje magjike.
Baritoni Adhurim Grezda për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.
“Ideja e albumit ka ardhur gjatë periudhës pandemike dhe atëherë kohën e gjallëruam shpirtërisht me muzikë dhe njëkohësisht arritëm të përzgjedhim trembëdhjetë këngë për këtë album. Kryesisht këngët që i zgjedh janë këngë që i përshtaten vokalit tim dhe janë këngë që të gjithë i njohin. Shumica nga këngët janë nga Berati, Shkodra, Durrësi, Korça, një është valle arbëreshe dhe normalisht kënga ‘Mallëngjimi’ nga Muharrem Qena”, thotë ai.
Sipas tij, emërtimi i albumit “Udhëtim në kohë” ka ardhur nga ideja se nëpërmjet muzikës së dikurshme të vjen muzika bashkëkohore.
“’Asaman, trëndafili i çelës’ është një këngë që e kam dëgjuar qysh fëmijë dhe kam nostalgji sa herë e dëgjoj andaj dhe këtyre këngëve i ka ardhur momenti që t’i punojmë në mënyrë profesionale”, thotë Grezda.
Po ashtu, kitaristi Endrit Xërxa tregoi pak për procesin e krijimit të një albumi si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje.
“Normalisht ka qenë një emocion i madh për të qenë në skenë duke marrë parasysh që nuk jemi marrë vetëm me aranzhimin e këngëve por jemi marrë edhe me incizimin e tyre, dizajnimin e kopertinës, me ftesën për instrumentistë të tjerë ngase nuk kemi qenë vetëm ne si trio dhe pas krejt kësaj pune është shpërblyer mundi jonë. Në secilën këngë, ne kemi ndërhyrë me aranzhimet tona më moderne, por ka edhe këngë që ne ia kemi ndërruar komplet formën vetëm teksti ka mbetur siç ka qenë, p.sh poezinë “Kroi i fshatit tonë” e kemi shndërruar në këngë dhe llogaritet si me qenë një këngë e re”, thotë ai.
Gjithashtu, violinisti Dalvin Mamushaj e vlerësoi kohën pandemike si një kohë që ka rezultuar mirë për diçka, e në këtë rast, në krijimin e albumit të tyre.
“Ishte një kënaqësi me të vërtetë e veçantë që sonte ishim pjesë e festivalit të Ramë Lahajt dhe patëm rastin të prezantojmë punën tonë dy vjeçare. Ka qenë një periudhë e vështirë në fillim pasi që patëm edhe pandeminë por në këtë rast ka pasur edhe të mirat e veta ngaqë kemi pasur mundësinë të sjellim punën tonë. Në këtë rast kemi ardhur me një formacion më të zgjeruar dhe ka qenë një ndjenjë tjetër për neve e po ashtu edhe për publikun sepse kanë mundur të dëgjojnë shumëllojshmërinë e ngjyrave”, shpalos Mamushaj.
“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 4 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 24 korrik nën emërtimin “Opera Night” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Hardh Fest 2022 i dedikohet poetit të madh Xhevdet Bajraj i cili vdiq më 22 qershor të këtij viti.
Inspiruar nga vargjet e poezisë “Ca kokrra rrushi te Rahovecit”, është edhe slogani i edicionit të sivjetshëm, i cili mbahet me 2, 3 dhe 4 Shtator në Rahovec, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Smajl Latifi, me përkrahjen tradicionale të MKRS, MBPZHR, Komuna Rahovec.
Me “Ca kokrra rrushi…”, organizatorët ju mirëpresim n’Rahovec më 2, 3 dhe 4 Shtator! / KultPlus.com
Dje është mbajtur ceremonia e mbylljes së edicionit të 13-të të festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar. Ceremonia filloi nga ora 20:00 ku publikun zuri vend në hapësirën e Kino Liqeni.
Juria u mblodh edhe njëherë të shpall fituesit e 7- të kategorive garuese.
Më poshtë mund të gjeni emrat e fituesve të këtij edicioni.
Gara ballkanike
Fituesi i garës ballkanike “My Father’s Damn Camera!”. Ky film është realizuar nga Milos Tomic.
Një djalë i pamatur në një mënyrë pothuajse të dëshpëruar dhe për këtë arsye problematike kërkon vazhdimisht vëmendjen e babait të tij – fotograf. Duke u përballur me kaosin artistik të të atit dhe magjepsjen e tij obsesive me jetën fotografike, në rrugën e tij të rritjes, këto elemente përfundimisht bëhen thelbësore për forcimin e lidhjes së tyre baba-bir. Në një tregim që ndërthur animacionin e vizatuar me dorë dhe stop motion në teknikën e kolazhit, autori e çon audiencën e tij në një xhiro nëpër arkivin e fotografit slloven Dragiša Modrinjak, dhe në të njëjtën kohë tërheq nga përvoja personale si regjisor dhe baba.
Juria vendosi për këtë film sepse: “Ne do të donim t’i jepnim çmimin e filmit më të mirë ballkanik një filmi që na çoi në një udhëtim të egër zbulimesh dhe lidhjesh personale familjare. Ky film vizualisht i gjallë ju hipnotizon deri në fund me përdorimin e tij të pasur të teknikave të mediave mikse.”
Juria ndau Mirënjohje të veçantë filmit “Shpija” me regji të Flaka Kokollit.
“Ne do të donim të përmendnim veçanërisht një film që trajton përdorimin e fortë të metaforës vizuale për të përshkruar konceptin e shtëpisë në kuptimin e tij më të gjerë. Stili i tij fluid i animacionit paraqet temat e rrënjëve dhe identitetit kulturor në një mënyrë të ndjeshme dhe tërheqëse”.
Gara studentore
Fituesi i garës së studentëve u shpall filmi “Goodbye Jérôme!”. Ky film u drejtua nga Gabrielle SELNET, Adam SILLARD dhe Chloé FARR.
Sapo ka mbërritur në parajsë, Xheroni niset për të gjetur gruan e tij Merilin. Gjatë kërkimit të tij, ai zhytet në një botë surreale dhe shumëngjyrëshe në të cilën askush nuk duket se mund ta ndihmojë.
Juria vendosi për këtë film sepse: “Na mahniti me përzierjen lozonjare të humorit surreal dhe stilit vizual. Ai shfaqi një drejtim të fortë të animacionit, zërit dhe historisë, një arritje shumë kompetente nga ekipi që ju fton të jeni pjesë e udhëtimit të Jerome përsëri dhe përsëri”.
Juria ndau Mirënjohje të veçantë për “Dhomën e sipërme” të regjisorit Alexander Gratze.
“Dëshirojmë të përmendim një film që na ngrohu zemrat me përshkrimin e tij empatik të lidhjes së dy botëve. Një qasje simpatike artistike, nga e cila mund të rishikoni kujtimet tuaja familjare dhe të mendoni për shkëmbimin e brezave”
Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë
Fitues i Garës së Filmit të metrazhit të Gjatë është “Bye-Bye Elida”. Ky film u drejtua nga Titouan Bordeau.
Bye-Bye Elida zhvillohet në fusha të gjera. Zbulojmë disa grupe personazhesh që kryejnë aktivitetet e tyre përkatëse. Disa përpiqen të ushqehen për të mbijetuar, të tjerë ndërtojnë, udhëtojnë ose kryejnë rituale të pashpjegueshme. Kalimi i kohës na tregon se veprimet e disave, sado pozitive apo mizore, kanë ndikim në jetën e të tjerëve.
Ata vendosën për këtë film sepse: “Krijesat e çuditshme dhe peizazhet surreale në të cilat banojnë marrin jetë në këtë film përmes ritualeve idiosinkratike dhe një stili grafik të interpretuar minimalist. Pemët që rënkojnë dhe çamçakëz flluskash të kristalizuara janë elementë të një dizajni unik të tingullit që plotëson performancat humoristike dhe absurde që u japin jetë këtyre personazheve.
Juria i jep BYE-BYE ELIDA çmimin e madh për filmin e animuar.
Juria ndau Mirënjohje të veçantë për “BOB SPIT” të drejtuar nga Cesar Cabral.
“Shkrimi i shkëlqyeshëm i skenarit, personazhet unikë, krijimi i shkathët i kostumeve dhe vërtetësia e studiuar mirë në kulturën punk të viteve 1970 e ngritën këtë film në shumë nivele. Shëmtia ishte krijuar bukur dhe kërcimet e shkathëta midis dokumentarit dhe artit komik brazilian që i referohet kombinohen për të krijuar një vepër arti autonome.”
Gara Ndërkombëtare
Fituesi i Garës Ndërkombëtare u shpall “Letter to a Pig” nga Tal KANTOR.
Një kujtim traumatik i një të mbijetuari të Holokaustit dërgon një nxënëse të re në një udhëtim të brendshëm, duke kërkuar për rrugën e saj ndërsa kufiri midis natyrës së kafshëve dhe njeriut mjegullohet.
Juria vendosi për këtë film sepse: “Ky është një film që merr një perspektivë jokonvencionale, personale për një traumë të përbashkët historike që ka kaluar shumë linja brezash. Regjisori përdor me mjeshtëri një përzierje imagjinative të teknikave të animacionit për të rinovuar diskutimet tona për Holokaustin, edhe pse fëmijët tanë përballen me trazira bashkëkohore.”
Juria i ndan një mirënjohje të veçantë edhe filmit “SIERRA”.
“Ne na pëlqyen tingujt e mprehtë dhe stilin e thjeshtuar grafik të kësaj narrative lozonjare dhe të këndshme pasi shërben për një performancë çuditërisht emocionale me lidhje kaotike dhe të paparashikueshme. Komploti i jashtëm budalla flet në mënyrë të fshehtë për pritshmëritë midis prindërve dhe fëmijëve të tyre dhe për atë që duam nga vetja”. Juria i jep me kënaqësi Sierra çmimin për mirënjohje të veçantë për filmin e shkurtër dhe të animuar.
Gara e video-muzikës së animuar
Fituesi për Videon Muzikore më të Mirë të Animuar iu nda filmit “Cimpoiasca”! Drejtuar nga Barbora Halířová, Cimpoiasca është një video muzikore që përdor motive folklorike për të treguar historinë e miqësisë së pastër të një gruaje. Me ndihmën e schnapps dhe kërcimeve të egra, këto gra arrijnë të kapërcejnë një makth të vogël. Filmi përdor simbolikën për të interpretuar ritmin e muzikës folklorike në një qasje kaq tërheqëse. Mënyra se si ky kërcim vizual përshkruan ndjenjën e bashkimit na mori për dore për t’u bashkuar në një rrugë drejt një bote më të gëzueshme. Pra, le të kërcejmë me fituesin, që është Cimpoiasca.
Juria gjithashtu i jep një mirënjohje të veçantë “Los colores del niño dios”, drejtuar nga Santiago Pérez Rodríguez. Një udhëtim i animuar punk përmes skedarëve Excel të foshnjës Jezus, i ngarkuar për të sjellë dhuratat e Krishtlindjeve në Kolumbi. Dhjetori është një festë frenetike kushtuar hiper stimulimit të shqisave. Gëzimi dhe energjia e animacionit shkon në mënyrë të përkryer me muzikën. Ai përcjell me gjallëri anën konsumatore të një feste të rëndësishme duke iu referuar imazheve ikonike të kohës sonë. Për shkak të mënyrës shumë të mprehtë, plot ngjyra dhe punk të realizimit të filmit, ne i japim mirënjohje të veçantë Los colores del niño dios.
Një tjetër mirënjohje e veçantë shkoi tek “SURL – Beside”, me regji nga Yoon-kyeong YANG, kjo video shprehte dashurinë për personin tjetër si karrige dhe e vizualizonte atë teksa karrigia po udhëtonte. Kombinimi i përsosur i imazheve elegante dhe qasjes vizuale na çon në një botë ëndërrimtare që përshkruan dëshirën e dashurisë. Filmi përdor një gjuhë metaforike që përzien bukur abstraktin dhe narrativën me sukses duke përdorur një larmi të gjerë stilesh. Në secilin shikim videoja muzikore zbulohet para nesh, shtresa pas shtrese.
Gara e të drejtave të njeriut
Fituesi i Garës për të Drejtat e Njeriut është “Night” me regji të Ahmad Saleh. Pluhuri i luftës i mban sytë pa gjumë. Nata sjell paqe dhe gjumë për të gjithë njerëzit në qytetin e shkatërruar. Qëndrojnë vetëm sytë e nënës së fëmijës së humbur. Nata duhet ta mashtrojë për të fjetur për të shpëtuar shpirtin e saj. Është jashtëzakonisht e vështirë të përshkruash subjekte kaq të vështira në një mënyrë poetike. Ne u prekëm veçanërisht nga arritjet e këtij filmi. Duhet një rrugë shumë e ndryshme për të portretizuar tragjedinë dhe tmerret e luftës. Ai përdor natën si një pikë të fortë narrative për të na lënë të ndiejmë atmosferën makthi që rrethon humbjen e jetës.
“Lada, motra e Ivanit” mori mirënjohje të veçantë në kategorinë për të Drejtat e Njeriut. Një film me regji të Olesya Shchukina. Është një animacion dokumentar i bazuar në historinë reale të Ladës, një gruaje transgjinore nga Rusia. Ajo i tregon asaj dhe vëllait të saj sekretin e Ivan. Filmi ka një gjuhë vizuale dhe tregim të fortë dhe të gëzueshëm. Ajo vërteton me shumë sukses se mund të trajtoni një temë të fortë në një mënyrë shumë të ngrohtë. Ne ishim të intriguar nga ky film nga cilësitë e tij si dhe mendojmë se është e rëndësishme të kemi filma që përshkruajnë diversitetin, veçanërisht në kontekstin e Rusisë sot ku të drejtat e LGBTQ+ janë nën kërcënim çdo ditë.
Gara e Audiencës së të Rinjëve
Fituesi i filmit më të mirë në garën për audiencën e të rinjëve është “Old Gramophone’s Ghostly Tones” me regji të Zuzana Čupová, Martina Tomková dhe Kryštof Ulbert. Ky është një film për dy hajdutë që në fakt nuk duan të vjedhin, gjithçka që dëshirojnë është kërcimi! Megjithatë, shefi i tyre i keq nuk e aprovon këtë dhe ata duhet të hyjnë në një pallat të braktisur.
Mirënjohja e parë e veçantë në këtë kategori shkoi për “The Big Tantrum”, nga regjisorët Celia Tisserant, Arnaud Demuynck. Në këtë film personazhi kryesor Robert nuk ka pasur një ditë të mirë. Ai kthehet nga shkolla me humor të keq dhe babai i tij e dërgon në dhomën e tij. Mirënjohja e dytë e veçantë shkon për “Theo the WaterTower”, nga regjisori Jaimeen Desai. “Çdo mëngjes, Theo kulla e ujit qan dhe prish qetësinë e fshatit. Roberti dhe qeni i tij përpiqen ta gëzojnë duke kënduar këngë. Por Theo nuk është në humor për të kënduar dhe përpiqet të arratiset, gjë që e çon atë jashtë fshatit dhe në qytet.” Ndërsa, mirënjohja e veçantë e tretë e kësaj kategorie shkon për filmin “My child” me regji të Hyunjoo KIM. “Megjithëse nëna bën çmos për të rritur fëmijën e saj, fëmija i saj që nuk rritet kurrë aq sa për të mbijetuar do të mbetet vetëm.” / KultPlus.com
Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.
Dita e 5-të e Besëtytnisë
Dita filloi në ora 10:00 në Galerinë e Arteve me një eksperiencë ndryshe me programin e RV i cili përbëhet nga shtatë filma të animuar. Duke përdorur teknologjitë e disponueshme për lehtësimin e këtij programi, përdoruesit patën mundësi të përjetojnë realitetet të paimagjinueshme ku rrëfenja po tregohen në mënyra jo konvencionale. Në ora 10:30 në Exit Bar, çdo ditë mbahet takimi me filmbërës ku pirja e kafes dhe diskutimi i temave të preferuar është kthyer në një ritual gjatë Festivalit. Në këto takime bisedohet për filmat, teknikat, detajet, lëvizjet dhe çdo gjë që i karakterizon filmat e animuar. Në Teatrin Istref Begolli, nga ora 12:00 filloi programi i rregullt i shfaqjes së filmave të garës së kategorisë së fëmijëve 4+ të cilët janë: Kiwi & Strit – Things Have Legs, Edmond and Lucy – Shooting Stars, No-No Goes to Space, My Name is Fear, dhe Mezosoique Alternative. Ndërsa, në po të njëjtën orë në Kinemanë Jusuf Gërvalla u shfaqën filmat nga kategoria e garës së filmit të metrazhit të gjatë 4 ku të pranishmit panë filmin Chicken of the Mound. Programi për të vegjlit tanë vazhdoi përsëri në ora 14:00 në Teatrin Istref Begolli me programin për të fëmijë 9+ ku u kënaqën duke parë filmat: Bellysaurus, The Fox, the Turtle, the Spider and the Cake, Lost Brain, This Hut is too Small, Letters From the Edge of the Forrest, dhe The Turnip. Gara e filmit të metrazhit të gjatë 5 me shfaqjen e filmit Bye-Bye Elida u mbajt në Kinemanë Jusuf Gërvalla në ora 14:00. Programi special Bashkëkohësit Queer u mbajt në Kinemanë Jusuf Gërvalla nga ora 16:00 ku pati shumë të interesuar për të ndjekur këta filma të veçantë: Entropia, Hi, It’s Your Mother, Guy, The Saint of Dry Creek, i Like Girls, Purpleboy, The Night Cleaner, CUT, Manivald, Modern Queer Heroes/Little Elephnt/ Queerer than Thou?. Gjatë mbrëmjes, në Kino Liqeni u shfaqën filmat e garës së studentëve 4 në të cilët interesimi ishte shumë i madh për artistët e ardhshëm të animacionit. Aty të pranishmit panë: Night of the Living Dread, Green, Let Sleeping Dogs Lie, Pests, The uncertain snow, Resting Fog, dhe The Seine’s tears. Asgjë nuk i mund shfaqjet e filmave që ndodhin në Kino Kubat në një ambient mahnitës. Në ora 22:00 mbrëmë u prezantuan filmat e garës ndërkombëtare 4: Granny’s Sexual Life, Shpija, Good old vinil, The Garbage Man, dhe The Umbrella. Bestytndejat ishin të zjarrta, të përcjella me muzikë metal dhe rock nga grupet e jashtëzkonshme të shtëpisë diskografike Defy Them ku interpretuan: Brey Lenses, Elektorati Intelektual, Telikput, Vëllezërit Mllefi dhe grupi Shlem.
Dita e 6-të e Besëtytnisë
Dita e gjashtë e Festivalit filloi në ora 10:00 në Galerinë e Arteve me një eksperiencë ndryshe me programin e RV i cili përbëhet nga shtatë filma të animuar. Duke përdorur teknologjitë e disponueshme për lehtësimin e këtij programi, përdoruesit patën mundësi të përjetojnë realitetet të paimagjinueshme ku rrëfenja po tregohen në mënyra jo konvencionale. Filmat të cilët shikuesit paten mundësi ti ndjekin janë: Passenger, Wolves in the walls, Battle Scar: punk was invented by girls, Limbotopia, Replacements, Paper Birds, dhe Goliath: Playing with Reality. Në ora 10:30 në Exit Bar, çdo ditë gjatë Festivalit mbahet takimi me filmbërës ku pirja e kafes dhe diskutimi i temave të preferuar është kthyer tashmë në një ritual gjatë Festivalit. Në këto takime bisedohet për filmat, teknikat, detajet, lëvizjet dhe çdo gjë që i karakterizon filmat e animnuar. Në Teatrin Istref Begolli, nga ora 12:00 filloi programi i rregullt i shfaqjes së filmave të garës së kategorisë së fëmijëve 9+ të cilët patën mundësi të shohin: The Secret of Mr.Nostoc, The Winged, Angry bag, dhe Mom is always right. Programi vazhdoi me shfaqjen e filmave në ora 12:00 në Jusuf Gërvalla me Programin Panorama Jashtë Garës 1 me pesë filma: A Goat’s Spell, The melancholy of the Phoenix, A Guitar in the Bucket, Passenger, dhe Bird in the Peninsula. Panorama jashtë Garës 2 solli një program të bujshëm me gjithsej tetë filma të veçantë në ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Filmat të cilët u shfaqën janë: Not For Me, Miracasas, The Debutante, Don’t die on me, DING (Thing), C, Hi! How are you?, Til We Meet Again. Ndërsa, programi për fëmijë 9+ u mbajt në ora 14:00 në Teatrin Istref Begolli ku u shfaqën këta filma: Spring Always Comes Back, In Sight, My Grandma Matilde, Cap is one’s own business, dhe The Girl Behind the Mirror. Programi i veçantë: Eksperimental filloi në ora 16:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Në këtë program kuratori kërkoi që publiku të gjej veten në vijën e hollë mes gjithçkaje dhe asgjëje, dhe inkurajoi të pranishmit të shtronin pyetje dhe jo të gjeni zgjidhje. U shfaqën: Supertelevision, Script.exe, Anxious Body, Password to the *****, i sit and look out, Money, Quantum Shadow, Worms Ate my Flesh, ZOOPARK, PRESS(ED). Paneli “Besëtytnijat si rrëfenja” solli të interesuar të shumtë në ora 17:00 në Galerinë e Arteve. Gjithçka filloi me simbolet, që përbëjnë fjalët, gjuhët, që përbëjnë histori, përralla, mite, bestytni dhe që deri më sot komunikohen nga njerëzit përmes mediave klasike dhe bashkëkohore, librave, filmave etj. Këtu u diskutua për përdorimin e tyre në jetën e përditshme, nga aspekti i perspektivës njerëzore, traditës, mistikës dhe pse vazhdojnë t’i përdorim edhe sot me tërë këtë zhvillim teknologjik e mediatik. Nga ora 20:30 filluan shfaqjet e filmave të garës së video-animacioneve muzikore 1 në Kino Liqeni dhe video animacioneve muzikore 2 të cilat u shfaqën për publikun e shumtë në ora 22:00 në Kino Kubat. Në këto kategori u shfaqën 27 filma të ndryshëm ku publiku përveç realizimit të bukur nga aspekti i animacionit pati mundësinë të dëgjoj edhe muzikë. Bestytndejat e këtij edicioni u përmbyllën me grupet Gipsy Groove dhe Lilac të cilët filluan performancat e tyre muzikore nga ora 23:00 në Kino Liqeni ku audienca nuk mundi t’iu rezistojë tingujve të veçantë dhe plot gëzim të këtyre artistëve. / KultPlus.com
Vetëm edhe pesë ditë na ndajnë nga festivali më i madh i gastronomisë mbarë shqiptare “Prishtina Gastronomy Festival”.
Njëmbëdhjetë net ushqim, muzikë e argëtim ju presin në këtë edicion në “Prishtina Gastronomy Festival” që vjen me shumë artistë vendor e ndërkombëtar.
Motoja “Bukë e kripë e zemërbardhë” e përmbushur me program, do të bëj që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit, me ushqimet tradicionale si flijat e qebapët, me muzikën shqiptare, sa të Prishtinës, e Dukagjinit, të Tiranës, e Vlorës, e pa harruar edhe meloditë arbëreshe nga Italia.
Do ta ndjeni bashkimin kombëtar si asnjëherë më parë, me Vlorën që ngrit flamurin në Prishtinë, e Tiranën që i këndon bashkëqytetarëve në zemër të Prishtinës, e nën flladin strugian do të mund të këndoni edhe serenata korçare.
Dhjetë plus një, po fiks njëmbëdhjetë ditë e net, në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, do të ketë bashkim të shqiptarëve nga gjitha trojet tona, do të ketë ndërlidhje të kulturave të pasura shqiptare mes vete, por jo vetëm. Gjatë tërë festivalit do të ketë përveç atyre tradicionale, edhe ushqime moderne, internacionale, e pjata speciale nga kuzhinierë të njohur italian, e turq. Pra secili nga ju e ne do të ketë mundësinë të provojë shumëllojshmëri të kulturave të ushqimit, e t’i shijoj ato me pije.
Pjatat e prezantuara, shumëllojshmëria e produkteve, mjeshtërit e muzikës, si dhe pjesëmarrja e njerëzve të të gjitha moshave e bëjnë këtë festival të veçantë dhe të pa harruar.
Hapja e Festivalit do të bëhet nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Prishtina Gastronomy Festival do të mbahet nga data 21 deri me 31 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 deri në 23:00. Ndërsa biletat dalin në shitje sot nga ora 13:00.
Më poshtë të bashkëngjitur e gjeni programin e muzikës. E së shpejti do të prezantohet edhe programi i ushqimit. / KultPlus.com
Jemi vetëm 14 ditë larg nisjes së Festivalit të shumëpritur ‘Zâ Fest’.
Shkodra i ka hapur sërish dyert skenës magjike të ‘Zâ Fest’, ku artistë nga Shqipëria e mbarë bota do të performojnë nën dritën e hënës e të yjeve, shkruan KultPlus.
Festivali do të zhvillohet mes datave 28, 29 dhe 30 korrik në dy lokacione të ndryshme.
I nisur fillimisht në Theth, Festivali tashmë vazhdon të zhvillohet në Shkodër dhe pas kësaj qëndron një qëllim të cilin për KultPlus e ka treguar krijuesi i festivalit Za Fest, Vlashent Sata.
“Za Fest është një festival që ka lind në Theth dhe pastaj është zhvendosur në Shkodër më idenë për ta zhvilluar veriun e Shqipërisë dhe me qëllim të rizgjimit të kulturës shqiptare në formën më moderne dhe identifikuese, autentike, më të thjeshtë dhe më cilësore”, thotë Sata i cili tutje tregon që festivali është themeluar me dëshirën që fjala dhe kënga si dy elementet identifikuese të kombit dhe kulturës tonë shqiptare, të ishin përfaqësuese të festivalit.
Dhe padyshim që entuziazmi juaj është që të zbuloni edhe artistët që do të performojnë në skenën magjikë të Zâ Fest VI dhe për të ju shuar kureshtjen, organizatorët kanë treguar në detaje se çfarë do të përmbajë ky edicion.
“Festivali këtë vit do të ketë shumë Kosovë brenda”, nis kështu Sata për të vazhduar të shpalos në detaje programin e këtij edicioni.
Nata e parë do të ju presë në ngrohtësinë e ëmbël familjare të qytetit të Shkodrës, përkatësisht në oborrin e familjes së Dr.Shirokës. Një mbrëmje e mbushur me kulturë dhe vargje poetike.
Dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj, do të bëjë hapjen e festivalit, i cili në Za Fest do të flas për temën se si motivohet dhe frymëzohet një artist shqiptar në shqiptari me vështirësitë që ka në vendet tona. Neziraj pasohet nga Erenik Beqiri, mendja dhe shpirti që qëndron pas filmit “The Van”. Filmi aktualisht po transmetohet kudo në botë, e gjithashtu ishte pjesë e kompeticionit zyrtar në Festivalin e Kanës. Kjo natë përmbyllet me Arben Bajraktaraj & Linda Rukaj që do të dhurojnë një spektakël që quhet “Mall” i ndërthurur mes poezisë dhe muzikës.
Pas kësaj nate, festivali merr rrugën për te Kalaja e Rozafës, ku skenës fillimisht do t’i bashkohet Lylit, një zë shumë i bukur austriak që po bën karrierë në Austri, Elina Duni dhe Vlashent Sata dhe për përmbyllje Amor Del Rey si Dj, kjo është edhe veçanti e këtij viti, sepse do të ketë edhe muzikë elektronike për të rinjtë, por muzikë që i rrinë e veshur mirë Za Fest-it.
Nata përmbyllëse, 30 korriku, do të mirëpres Cristiana Verardo, një nga zërat më të veçantë të brezit të ri të kantautoratit italian dhe për të përmbyllur natën e tretë do të performojë Jericko dhe dy motrat kosovare që quhen Bijat.
“Dëshira jonë është të bashkojmë të gjithë shqiptarët dhe njerëzit që vijnë nga mbarë bota”, thonë organizatorët.
“Mendim i mirë, rri me ne edhe këtë herë!”, është motoja me të cilën po shoqërohen paralajmërimet e nisjes së festivalit, andaj rrini edhe ju pranë festivalit më të veçantë në trojet shqiptare.
Krejt për fund, na duhet të ju tregojmë që biletat shiten online të Myticket.al dhe gjithashtu mund t’i gjeni edhe fizikisht shumë pika në Shqipëri dhe Prishtinë. / KultPlus.com
Këtë të mërkurë festivali ndërkombëtarë i animacionit filloi edicionin e 13-të të tij. Ceremonia e hapjes së këtij festivali u mbajt në Kino “Liqeni” ku të pranishëm ishin shumë dashamirës të filmit të animuar, personalitete të njohura vendore si dhe ndërkombëtare.
Anibar gjithashtu pati nderin të shpalos programin e kuruar nga LINOLEUM Festival, një festival i animacionit i bazuar në Kiev të Ukrainës. Të pranishmit patën nderin të ndjekin një program 40 minutësh të përgatitur nga Anastasiya Verlinska, drejtoreshë e festivalit LINOLEUM. Këtë vit, edhe pse jo të premten, edicioni i 13-të i Anibar fillon nga data 13 deri më 19 korrik. Një numër që përfaqëson fatkeqësinë dhe fatin e keq që përballet edhe me frikën, aq sa ka një fobi që mban emrin e saj. Pavarësisht nëse besoni në besëtytni apo jo, mos e humbisni rastin të jeni pjesë e kësaj jave të shenjtë “supersticioze”.
Ky edicion është një ftesë për të gjithë me qëllim të zhvillimit të industrisë së animacionit dhe hapave drejt së ardhmes së tij. Aktivitetet kanë të bëjnë më rritjen dhe edukimin e komunitetit të animatorëve për shkak të potencialit të jashtëzakonshëm.
Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar vjen me një program mjaft të pasur prej 224 filmash, prej tyre 1400 të dërguar nga e gjithë bota. Filmat ndahen në tetë kategori, shtatë prej të cilave janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë, Kategoria e të Drejtave të Njeriut, Filmat e Audiencës së të rinjëve dhe një kategori tjetër jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës.
Përveç shfaqjes së filmave të animuar, si çdo edicion tjetër edhe këtë vit do të ketë programe tjera, ku përfshihen tre prezantime, katër punëtori, tri panele dhe katër programe speciale. Si në vitet e mëparshme, të ftuar special do të bashkohen për të ofruar njohurinë e tyre rreth industrisë së animacionit. Ndryshe nga edicionet e kaluara ky edicion do të ketë një program të veçantë të kuruar të realitetit virtual VR. Ky do të kurohet me partnerët të AniFilm Festival, të cilët kanë njohuri dhe ekspertizë të gjerë me filma VR dhe video interaktive. Programi VR do të jetë i pari që do të shfaqet në kuadër të festivalit Anibar si dhe në rajonin e Pejës. Vetë programi do të përbëhet nga shtatë filma të animuar të paraqitur para audiencës së festivalit në një mënyrë interaktive duke u fokusuar në një ndërfaqe eksperimentale dhe jo në vëzhgim për ta përjetuar shikuesin. Ky program do të ofrojë mundësinë për të parë filma në një mënyrë jo tradicionale duke stimuluar se si industritë kreative mund të shprehin histori.
Anibar këtë vit sjellë edhe programin muzikor, ku do të performonjë shumë artistë si: Gent Gorani, Connecting Dots, Florent V, Sahati, Eptan, Blla Blla Blla…, Neither Famous Nor Rich (NFNR), Jolle, BimBimma, Dj Pamon, Grey Lenses, Elektorati Intelektual, Shlem, Vëllezërit Mllefi, Telikput, Gipsy Groove, Lilac, Don’t Listen to Your Neighbours, Artil, dhe Currski. Ky edicion i festivalit përfundon më 19 Korrik. Besoni apo jo në bestytni, Anibar mirëpret ardhjen tuaj në qytetin e Pejës. / KultPlus.com
Festivali i parë Operistik në vend dhe rajon, “Rame Lahaj International Opera Festival” këtë vit, me përkrahje unanime do të mbahet nën patronazhin e Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili është shprehur shumë i lumtur.
“Jam tejet i lumtur që sivjet, me përkrahjen unanime të komunës së Prishtinës, marrim nën patronazh Festivalin e parë Operistik në vend e rajon, Rame Lahaj International Opera Festival.
Për artistin tonë Rame Lahaj nuk kam pse të them shumë, pasi vlerësimin ia ka dhënë bota, e ia kam ndjekur shfaqjet edhe personalisht në Berlin e në Londër. Por ajo që për mua, Prishtinën dhe Kosovën ka rëndësi shumë, prandaj edhe do ta përkrahim gjithmonë, është investimi në platformën edukativo/arsimore, të ideuar për talentët lirikë të rinj e në karrierë, e po ashtu në mundësitë e depërtimit të tyre në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.
RLIOF sivjet do të ketë 5 mbrëmje koncertale, ku përveç yjeve operistike nga shtete të ndryshme, vend të rëndësishëm në repertorin e festivalit do të zërë edhe muzika e mirëfilltë shqipe.
“I dashur Ramë Lahaj, Prishtina dhe vendlindja të mirëpresin ty dhe kolegët e tu ndërkombëtarë”, shkruan tutje Rama. / KultPlus.com
Edicioni i dytë i Prishtina Gastronomy Festival ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare, që do të frymëzojnë lëvizje dhe veprimin.
Ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve mbarëkombëtare shqiptare, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar.
Festivali ofron një gamë të gjerë mundësish për bizneset, familjet, njerëzit e të gjitha moshave por edhe iniciativat jo-fitimprurëse që kanë të bëjnë me ushqimin që të ndajnë produktet, shërbimet dhe programet e tyre.
Festivali mbahet nga data 22 deri me 31 Korrik 2022 në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë. / KultPlus.com
Chiara Ferragni do të jetë bashkë-prezantuesja e Festivalit të ardhshëm të Sanremos. Prezantuesi i Sanremos, Amadeus e njoftoi lajmin në “Tg1” duke specifikuar se Chiara do të bashkëprezantojë me të mbrëmjen e parë dhe të fundit, përkatësisht atë të së martës më datë 7 dhe atë të së shtunës më 11 shkurt 2023.
“Zyrtarizojmë pjesëmarrjen e sipërmarrëses më të madhe dixhitale në Sanremo”, tha dirigjenti dhe drejtori artistik.
“Faleminderit Amadeusit që më donte në krahun e tij për të hapur dhe mbyllur Sanremon e 2023-it”, ka shkruar menjëherë Chiara Ferragni në Instagram, duke postuar një foto me prezantuesin.
Edicioni i 73-të i Sanremos, i planifikuar nga data 7 deri më 11 shkurt, do të ketë si protagonist të parë Ferragnin, e ndjekur nga “ushtria e saj” prej mbi 27 milionë ndjekësish, duke konkretizuar aludimet që ajo tashmë ishte një nga emrat që u përfolën për bashkëprezantues të mundshëm.
Edicioni i 73-të i Sanremos, i planifikuar nga data 7 deri më 11 shkurt, do të ketë si protagonist të parë Ferragnin, e ndjekur nga “ushtria e saj” prej mbi 27 milionë ndjekësish, duke konkretizuar aludimet që ajo tashmë ishte një nga emrat që u përfolën për bashkëprezantues të mundshëm.
Bashkëshorti i saj Fedez, i cili mori vendin e dytë në Sanremo në 2021 së bashku me Francesca Michielin nuk ka qëndruar dot pa reaguar.
“Gruaja ime do prezantojë, urime dashuria ime” tha ai duke bërtitur i lumtur për arritjen e saj. / Konica.al / KultPlus.com
Nesër nga ora 20:00-22:00, do të filloj Festivali i animacionit Anibar edhe në Beograd. Filmat që do të shfaqen: Regular (US), Shpija (Kosovo), Slouch (Germany), Goodbye Jérôme! (France), RIM (Not Specified), A Film About a Pudding (UK).
Festivali i Animacionit Anibar feston këtë vit edicionin e tij të 13-të, me temën “Besëtytnitë”. Numri 13 konsiderohet si një numër fati i keq, kështu që menduam se ishte një temë e përshtatshme për edicionin e këtij viti. Ndonëse disave besëtytnitë mund t’u duken të liga dhe të paarsyeshme, të tjerëve i konsiderojnë ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasigurinë dhe duken mjaft të rëndësishme nga ana kulturore. Dikush mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. Ngjashmëritë e bestytnive në kultura të ndryshme jo vetëm që na afrojnë, por ato gjithashtu priren të na japin një arsye të paimagjinueshme ose një shpjegim se përse ndodhin gjërat. Ndonjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me bestytni.
Me një program të pasur prej më shumë se 300 shfaqjesh dhe seminare të ndryshme, prezantime dhe panele; Anibar ju mirëpret të gjithëve të na bashkoheni këtë verë nga data 13 deri më 19 korrik në qytetin e Pejës në Kosovë.
Anibar është një organizatë me seli në Pejë, Kosovë, e cila i është përkushtuar komunitetit të saj. Është një hapësirë për ata që priren të mendojnë jashtë kutisë së përbërë nga një grup aktivistësh të pasionuar. Nëpërmjet animacioneve dhe ngjarjeve të rëndësishme sociale dhe kulturore ne synojmë të lidhim idetë dhe të provokojmë mendjet si dhe të frymëzojmë të tjerët./ KultPlus.com
Tfillo! Kjo shprehje popullore që na ka shoqëruar që nga fëmijëria, mëton të nxisë individin për të vepruar kundrejt parregullsive në të mirë të tij, mjedisit dhe shoqërisë.
Të tfillosh në kulturën tonë ka kuptime nga më të ndryshmet, por festivali “Green Fest” në bashkëpunim me komunitetin do përqendrohet në trajtimin e tfillimit në kontekstin e sjelljes së njeriut në mjedisin që na rrethon, për trajtimin e çështjeve shoqërore e mjedisore në nivelin lokal e nacional, si dhe si thirrje për kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri.
“Green Fest” është festival multidiciplinar që ofron një laryshmëri aktivitetesh duke fuqizuar artin dhe kulturën si medium më tërheqës që do çonte më shpejt drejt ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi çështjet mjedisore, ndryshimet klimatike si dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Andaj, ky edicion i “Green Fest” përmes aktiviteteve përcjellëse që do të organizohet në Mitrovicë, do të inkurajojë institucionet dhe qytetarët që të tfillojnë punët e tyre përtej barrierave, përtej vetvetes e familjes, në dobi të shoqërisë e njerëzimit, duke u siguruar qëndrueshmëri gjeneratave të ardhshme.
Tema e edicionit të sivjetmë të ”Green Fest” është motivuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, “Prodhim dhe Konsumim i Përgjegjshëm (SDG12), që njëherit vije si praktikë e vazhdueshme e në sinkronizim me numrin 12-të të edicionit, të festivalit.
Festivali do të organizohet përgjatë 17-23 korrik 2022 në qytetin e Mitrovicës, ndërsa programi më i detajuar do të ndahet së shpejti për publikun e gjerë. / KultPlus.com
“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë, shkruan KultPlus.
Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur sot se ky edicion po vjen më shumë befasi.
Festivali në këtë edicion po zgjerohet më tej, ku përveç muzikës së bukur shqipe, kësaj radhe i është dhënë hapësirë e veçantë edhe punëtorive.
“Të dashtun miq e adhurues të artit muzikor, me kënaqësi të madhe ju njoftoj që këtë vit festivali RLIOF vjen me edicionin e tij të dytë me shumë befasi, duke filluar nga muzika e bukur shqipe, për të vazhduar me atë që ne konsiderojmë shumë të rëndësishme për edukimin mbi këndimin e brezave të rinj e në karrierë. Toka jonë ka shumë talent ndaj edhe i kemi dhënë hapësirë të veçantë Workshop-eve ( Punëtorive)”, ka shkruar tenori Lahaj i cili tutje ka njoftuar se festivali në mbrëmjet e tij do ketë artistët më të dalluar shqiptar, të cilët do të shoqërohen nga yjet më të mirë të skenës ndërkombëtare.
Festivali do të mbahet mes datave 21-31 korrik me qëllim që rreth vetes të ketë edhe mërgimtarët.
“Qëllimisht kemi zgjedhur periudhën 21-31 Korrik 2022, atëherë kur e gjithë mërgata është në mesin tonë, sepse ne pa ata jemi gjysmak”, thotë Lahaj. / KultPlus.com
Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri 26 qershor, detyrohet që të anulojë mbajtjen e festivalit, ngase festivali nuk po lejohet të mbahet në lokacionin e paraparë.
Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt pasdite të hënën, me 13 qershor, u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
“Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit Mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion.
Për neve si organizator ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm.
Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.
Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë.
Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja.
Ne do t’ ju mbajmë të informuar për çfarëdo zhvillimi që do të kemi në këtë drejtim” thuhet në njoftimin e organizatorëve./ Insajderi / KultPlus.com
UNUM Festival ëdhtë rikthyer fuqishëm me edicionin e tretë në plazhin e bukur të Rërēs së Hedhur në Shëngjin nga datat 1 deri 6 qershor.
Ky festival madhështor arriti të grumbullojë 18 mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota duke krijuar një atmosferë impozante ne festival.
Kapaciteti në plazhën e “Rërës së Hedhur” nuk lejon mundësi për më shumë vizitorë dhe siç shihet në njoftimet zyrtare në rrjetet e tyre sociale, bëhet e ditur se ata janë në kërkim të një lokacioni të ri.
UNUM Festival po vazhdon duke ofruar muzikë 24 orë për 6 ditë në skenat e përgatitura në plazh dhe në mes të pishave. /KultPlus.com
Në Gjonaj të Hasit sonte fillon Festivali tradicional folklorik “Hasi Jehon”.
Drejtori i festivalit, Haziz Hodaj, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtje sa më të suksesshme të edicionit të 33-të të këtij festivali. Ai ndjehet i lumtur që pas periudhës dy vjeçare, si pasojë e pandemisë, “Hasi Jehon” po rikthehet në shtratin e tij në Kodrën e Pajtimit.
Sipas tij, interesimi i grupeve artistike për të marrë pjesë në festival ka qenë tejet i lartë, ndërsa njofton se nga ky edicion, është vendosur një rregullore re dhe grupeve pjesëmarrëse iu është kërkuar që programin e tyre t’ia përshtatin kritereve të reja të ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore të festivalit, pasi Festivali është në proces të pranimit nga Ministria e Kulturës që të jetë si aset në mbrojtje të përhershme.
Në edicionin e radhës së festivalit ” Hasi jehon”, do të marrin pjesë 16 grupe artistike nga hapësirat mbarëshqiptare, ndërsa tradicionalisht festivali hapet nga nikoqiri SHKA “Malësori” nga Gjonaj.
Festivali Folklorik “Hasi Jehon 2022 ”
Programi:Dita e parë ( 5 maj 2022 , ora 18.00 hapja e ekspozites se bukes)
OJQ-ja ‘Youth Are the Real Leaders’ (YARL) dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po sjellin edicionin e 3-të të Festivalit ArchiTech.
Festivali ArchiTech promovon përfshirjen e të rinjve në (ri)dizajnimin e hapësirave publike dhe planifikimin e nismave hapësinore përmes qasjes së ‘të mësuarit duke bërë’. Ai shërben gjithashtu edhe si medium fuqizues për të rinjtë dhe banorët në përgjithësi, për të ruajtur dhe zhvilluar zonat publike, duke promovuar kështu ndjenjën e bashkëpronësisë dhe ‘përkatësisë’.
ArchiTech nis më 28 prill në ora 17:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com