Isa Boletini-gazetarit të Daily Telegraph (1913): Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Shtator 2017

Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjozen “Daily Telegraph”.

Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar ? Çfarë ka shprehur ai për median britanike ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Isa Boletini dhe problemi shqiptar

Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.

Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët. Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Konstandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej. Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.

Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij. Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.

Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën. Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Konstandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.

Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”

Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha. Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës. Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë : “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.”

Duke thënë këtë, shefi patriot shqiptar shfaqte një agjitacion dhe ekzaltim ekstrem.
(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit :https://www.darsiani.com/la-gazette/isa-boletini-gazetarit-te-daily-telegraph-1913-gjithe-jeten-time-deri-ne-%C3%A7lirim-apo-ne-vdekje-une-do-te-luftoj-serbet-greket-malazezet-italianet-austriaket/

Çun Lajçi sjellë librin me poezi “Përgjërim e fjalë”

Çun Lajçi për adhuruesit e poezisë së tij do të sjellë librin “Përgjërim e fjalë”, shkruan KultPlus.

Promovimi i librit bëhet më datë 29 shtator në ora 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Libri “Përgjërim e fjalë” vjen i përgatitur nga Shtëpia Botuese “Buzuku”.

“Poezia e Çun Ljaçit tingëllon si eposi, ngërthen mençurinë dhe idealin, qesh dhe qan, di ta vajtojë hallin, që njerëzit i mbjellin tokës”, thotë Klara Buda. / KultPlus.com

Edhe një herë u mashtruan mësimdhënësit e viteve ‘90

Projektligji për mësimdhënësit e viteve të ‘90 nuk pritet të shkojë për miratim brenda këtij viti në Kuvendin e Kosovës ashtu siç ka kërkuar Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës(SBASHK).

Në një memorandum të nënshkruar më 5 qershor 2017, mes kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ishte paraparë miratimi i Projektligjit brenda tre muajve. shkruan Koha Ditore.

Memorandumi ishte nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme. / KultPlus.com

Rama: TKOB transformim në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në Facebook fotot nga kantieri i transformimit rrënjësor i Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje nga kantieri i transformimit rrënjësor të Teatrit të Operas dhe Baletit në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën”’, shkruan kryeministri Rama në “Facebook”.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com

Dua Lipa sjellë “Bang Bang” për Patrizia Pepe (VIDEO)

Dua Lipa, ylli i ri në botën e muzikës, së fundi është bërë edhe imazh ekskluziv i fushatës reklamuese të “AW 17/18 Patrizia Pepe”, në Nju Jork, shkruan KultPlus.

Përmes një video të publikuar mbrëmë, Dua shfaqet mjaft joshëse dhe me shumë stil veshur nga brendi Patrizia Pepe, po në këtë video reklamuese Dua këndon edhe këngën “Bang Bang”, këngë kjo e krijuar nga Dua ekskluzivisht për brendin e njohur amerikan.

“Ne po ri-afirmojmë lidhjen tonë të ngushtë me botën e muzikës duke bashkëpunuar me Dua Lipën, shikoni koleksionin tonë të ri dhe shikoni filmin e plotë”, janë shprehur nga brendi në fjalë. / KultPlus.com

Kushtrim Hoxha shumë shpejt me këngë të re (VIDEO)

Aktori dhe këngëtari kosovar, Kushtrim Hoxha i cili po vazhdon me prurjet e tij sidomos në aktrim, ku është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve kryesisht në New York, kësaj radhe po vjen me një këngë, shkruan KultPlus.

Hoxha në rrjetin e tij social Facebook ka shpërndarë këngën “Qytetit”, këngë të cilën e solli në vitin 2014, por ai ka vazhduar të tregoj se është në proces të punës për të sjellë një tjetër këngë.

“Ni kange e para 2-3 vjete per qytetin , shiun etj. Ne proces tu e shkru kangen e re, se metem…”, ka shkruar Hoxha.

Këngët e Kushtrimit gjithmonë vijë të veçanta dhe me plot stil, mbetet të shihet se çfarë do të na sjellë kësaj radhe artisti. / KultPlus.com

Oferta turistike e Kosovës prezantohet në Japoni

Informacione për Kosovën si një destinacion i ri premtues turistik, do të shpalosen për tregun japonez.

Tre operatorë turistikë dhe Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës do të marrin pjesë si ekspozues në panairin vjetor Tourism Expo Japan që mbahet nga sot deri më 24 shtator 2017.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për ta prezantuar Kosovën në një treg krejtësisht të ri”, tha kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti.

Synimi është të promovohet oferta turistike e Kosovës në tregun e Japonisë në mënyrë që të tërhiqen më shumë turistë nga ky vend, por edhe nga vende të tjera të Azisë Lindore. / KultPlus.com

Zonja e Parë e Kosovës me kreacion të disenjatores kosovare (FOTO)

Për veshjen e Zonjës së Parë te Republikës së Kosovës, Lumnie Thaçi, e cila sot bashkë me bashkëshortin e saj presidentin Hashim Thaçi është takuar me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump dhe bashkëshorten e tij Melania Trump, është përkujdesur një disenjatore kosovare, shkruan KultPlus.

Fustanin e Zonjës së Parë të Kosovës e ka punuar disenjatorja kosovare Vjollca Llapashtica. Se fustani i Lumnie Thaçit është punuar nga Llapashtica, për KultPlus e ka konfirmuar vetë kreatorja e cila shprehet të jetë e nderuar që kreacionet e saja po shihen në ngjarje kaq të rëndësishme. /KultPlus.com

Nga kush duhet të mësojnë gratë e dhunuara në Kosovë?

Gruaja e bukur në foto është Hannelore Kohl, bashkëshortja e kancelarit gjerman Helmut Kohl, i cili udhëhoqi Gjermaninë më shumë se dy dekada. Ai ishte shef i CDU-së dhe arkitekt i rënies së Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989.

Hannelore Kohl, më shumë se bashkëshortja e Kancelarit gjerman, njihej edhe si gruaja me vullnet të çelikt. Nga ajo duhet të marrin leksion gratë shqiptare, të cilat nga forcat serbe ishin viktimë e abuzimit seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Hannelore Kohl u lind më 7 mars të vitit 1933 në Berlin. Sapo i mbushi 12 vjeç u bë viktimë e abuzimit seksual. Ajo u përdhunua nga ushtarët sovjetikë, kur Ushtria e Kuqe pushtoi Berlinin në vitin 1945. Pas përdhunimit, Hannelore u hodh nga dritarja si një thes me patate nga ushtarët rusë dhe pësoi lëndime të rënda në boshtin kurrizor, nga të cilat vuajti gjithë jetën.

Gratë e përdhunuara shqiptare, nuk duhet të qëndrojnë duarkryq dhe për model duhet ta kenë pikërisht zonjën Kohl. Kjo e fundit jo vetëm gjeti fuqinë për të dëshmuar se ishte njëra nga mijëra vajzat dhe gratë e përdhunuara gjermane nga ushtarët sovjetikë, por në vitin 1983 themeloi Kuratoriumin ZNS. Si presidente e Fondacionit, ndihmoi njerëzit që vuanin nga lëndimet e rënda traumatike.

Zonja e madhe Hannelore Kohl, ndërroi jetë më 11 qershor të vitit 2001 dhe me bashkëshortin e saj Helmut Kohl patën dy djemë; Walter dhe Peter Kohl.

BAJRAM MJEKU

Maqedonia konfirmon pjesëmarrjen në Eurovizionin e vitit 2018-të

Maqedonia ka konfirmuar sot pjesëmarrjen në Eurovizionin e vitit 2018-të.

Maqedonia nuk ka shënuar ndonjëherë rezultate shumë të mira, por dëshiron të tentojë përsëri në garën e madhe muzikore në Evropë, vitin tjetër.

Vitin e kaluar Maqedonia nuk e kaloi gjysmëfinalen, ndërsa Jana Burceska me këngën “Dance” pati një jehonë nëpër Evropë edhe pse nuk arriti finalen.

Renditja më e mirë për Maqedoninë në Eurovizion mbetet viti 2006 kur Elena Risteska u pozicionua në vendin e 12-të me “Ninanajna”. / KultPlus.com

Artistët kërkojnë ndihmë për të prekurit nga tërmeti në Meksikë

Tërmeti prej 7.1 shkallësh që dje dridhi Meksikën ka bërë që artistë të ndryshëm të ndihmojnë të prekurit e një katastrofe natyrore që ka paralizuar këtë pjesë të Meksikës.

Rreth 200 persona tanimë janë konfirmuar të vdekur, ndërsa emrat si Beyonce e Eva Longoria kanë bërë thirrje për ndihmë në formë të parave dhe në forma të tjera, shkruan KultPlus.

Guillermo Del Toro, regjisor i njohur, ka shkruar në Twitter se kujto që i duhet të transmetojë një mesazh këtë gjë mund ta bëjë me anë të llogarisë së tij në Twitter. Beyonce ka postuar një fotografi ku thotë God Bless Mexico and Puerto Rico – Zoti e bekoftë Meksikën dhe Puerto Ricon.

Numra të ndryshëm janë vënë në dispozicion për të ndihmuar viktimat pas termetit që duket se ka shkatërruar gati gjithçka.

“Familja ime ka shpëtuar, është mirë. Lutjet e mia janë me të gjithë” ka shkruar Eva Longoria, aktorja e njohur e “Shtëpiakeve të Dëshpëruara”.

Edhe këtë herë artistët po e dëshmojnë se mund të ndikojnë në opinionin publik që këta të fundit të ndihmojnë më shumë në raste të tilla si ky. Meksika tanimë po shndërrohet në një fole të tërmeteve, pasi të tilla ndodhin goxha shpesh në këtë pjesë. / KultPlus.com

Aktorja kosovare me set fotografish nga Shenoll Zehri (FOTO)

Aktroja e njohur kosovare Albulena Kryeziu Bokshi, ka realizuar një fotosesion mjaft tërheqës me fotografin Shenoll Zehri, shkruan KultPlus.

Fotografitë që janë vetëm bardh e zi sjellin një pamje të mrekullueshme të aktores e cila tashmë është shumë aktive me rolet e saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku është edhe pjesë e trupës rezidente të këtij institucioni.

Po i sjellim fotografitë të realizuara nga fotografi Shenoll Zehri./ KultPlus.com





Arkitektja shqiptare Dona Hasanaj restauron Old Sessions House në Londër, Burberry prezanton koleksionin në këtë ambient (FOTO/VIDEO)

Më 16 shtator Burberry i famshëm ka prezantuar koleksionin e fundit, gjatë javës së modës në Londër, dhe pikërisht në objektin ku restaurimi i tij i ishte besuar arkitektes shqiptare Dona Hasanaj, shkruan KultPlus.

Objekti që i është besuar Dona Hasanaj për restaurim është ndërtuar në shekullin e 18-të dhe i njëjti objekt ishte ndërtuar atëherë për Gjykatë të Anglisë, dhe si i tillë ka funskionuar për 100 vjet.

Dona Hasanaj është përkujdesur në restaurimin e këtij objekti, por emocionet ishin edhe më të mëdha, kur i njëjti objekt ishte kërkuar që të përdorej qysh në fillim për prezantimin e koleksionit të brendit Burberry, përgjatë javës së modës në Londër, koleksion që është hapur më 16 shtator.

Kurse koleksionet e këtij brendi, por edhe punën në këtë objekt që tashmë është restauruar, të interesuarit mund ta vizitojnë deri më 1 tetor./KultPlus.com

Filmi i Ilirjan Himajt selektohet në festivalin kualifikues për Oscars

‘Memory’ selektohet për të qenë pjesë e konkurrencës zyrtare në edicionin e 31-të të ‘Edmonton International Film Festival’ i cili do të mbahet nga 28 shtator deri më 7 tetor dhe njëherësh është njëri ndër festivalet kualifikuese për ceremoninë Oscars.

Lajmin për selektim të ‘Memory’ e ka bërë të ditur për KultPlus, vetë regjisori i filmit Ilirjan Himaj, i cili ka treguar se filmi i tij shfaqet më 4 tetor si premierë Kanadeze.

‘Memory’, premierën botërore e pati dhënë në edicionin e 65-të të ‘Columbus International Film + Video Festival’, në Ohio të USA i cili njëherësh është edhe festivali më i vjetër i filmit në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Poashtu ky film i metrazhit të shkurtër i Himajt, ka qenë pjesë i edicionit të 50-të të ‘Humboldt International Film Festival’ në Kaliforni, ku dhe është shpërblyer me dy çmimet kryesore të festivalit, ‘Best of Narrative’ dhe ‘Best of Fest Overall’.

Ndërsa si premierë evropiane ‘Memory’ që sjellë në rolin kryesor Xhevat Qorraj, është shfaqë në ‘Festival Internacionale de Cine de Lanzarote’ festival ky i akredituar nga akademia spanjolle Goya.

Filmi i Ilirjan Himajt, flet për plakun Sylë, i cili del nga shtëpia dhe si pasojë e sëmundjes së alzaimerit nuk arrin të gjejë rrugën e kthimit për në shtëpi.

Producent i këtij filmi është Agron Shala dhe Latif Hasolli ndërsa drejtor fotografie është Latif Hasolli. Filmi është realizuar me vetëfinancim dhe kontribut nga vetë ekipi i tij./ KultPlus.com

Emine Çunmulaj e fascinuar me punën e dizajneres shqiptare (FOTO/VIDEO)

Modelja e njohur shqiptare Emine Çunmulaj e cila njihet për stilin e saj të veçantë, duket që po e pëlqen punën e një dizajnereje poashtu shqiptare, shkruan KultPlus.

Me një elegancë të thellë, ajo së fundi ka postuar një fotografi ku shihet të jetë e veshur me mjaftë shije, dhe unazën që e ka të vendosur në gisht, është punë e dizajneres shqiptare Sara Shala,e cila tash e sa vite ka të themkeluar brendin e saj të aksesorëve në New York.

Mirëpo, Emine Çunmulaj përpos që ka vendosur unazën që është punuar nga Sara Shala, ajo ka zgjedhur të realizojë edhe një video ku shihet duke folur për aksesorët e Sarës, e cila tashmë ka të nxjerra në treg modele të ndryshme të aksesorëve./KultPlus.com

Turqia fillon shtypjen e shkollave të Gulenit në Kosovë

Republika e Turqisë po bën përpjekje që përmes Fondacionit “Maarif” të vendosë institucionet arsimore në vendet e ndryshme nëpër botë, e sidomos aty ku funksionojnë shkollat e lëvizjes së imamit turk, Fetullah Gulen. Ndër vendet e para është edhe Kosova. Në shumë vende, sikurse janë ato në Afrikë, me pajtimin e institucioneve shtetërore, “Maarif” tashmë ka marrë kontrollin mbi institucionet arsimore të lëvizjes “Hizmet”.

Qeveria e Turqisë e ka akuzuar Gulenin për puçin e pasuksesshëm të vitit të kaluar, ndërkohë që lëvizjen e tij e konsideron si terroriste, nën emërtimin FETO – Organizata terroriste Fetullah.

Fondacioni “Maarif” ka nisur punën më 1 shtator të vitit 2016, me vendimin e Kuvendit të madh popullor të Turqisë. Misioni i tij është, siç thuhet, “ofrimi dhe zhvillimi i shërbimeve arsimore formale dhe joformale, të bazuara në njohuritë e përbashkëta dhe vlerat njerëzore në të gjithë botën”. Fondacioni “Maariff” është themeluar për të hapur shkolla në të gjithë botën. Planifikon edhe bursat për nxënësit, për studimet e mëtutjeshme bachelor.

Në Kosovë, “Maarif” tash e tre muaj më parë ka nisur hapjen e shkollave, që e bën Kosovën vend të parë në botë, në të cilin ky fondacion ka filluar të veprojë. Aktualisht, në Kosovë funksionojnë edhe një numër i institucioneve arsimore të frymëzuara nga lëvizja e Gulenit. Në kuadër të institucioneve arsimore Gulistan, janë institucionet parashkollore, çerdhet, si dhe shkollat fillore dhe të mesme “Mehmet Akif”, në gjithë Kosovën.

Nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës, por nuk kanë njohuri se kush qëndron pas tyre.

Ndërkohë, Fondacioni “Maarif” në Kosovë, që nga dita e sotme, zyrtarisht fillon me mësimdhënie në “Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës” (“International Maarif Schools of Kosova”) në Prizren dhe Lipjan.

Në Prizren, aktualisht janë lajmëruar rreth 100 nxënës, ndërsa në Lipjan rreth 130. Shkolla planifikon që në vitin e ardhshëm të nisë punën me kapacitet të plotë, me rreth 400 nxënës në Prizren dhe rreth 350 në Lipjan.

Siç ka thënë ambasadorja turke në Kosovë, Kivilcim Kilic, në fund të gushtit, gjatë vizitës në shkollën e Prizrenit, Fondacioni “Maarif” është i vetmi, i cili është i autorizuar që të zhvillojë aktivitetet arsimore të Turqisë, jashtë këtij vendi.

Kilic ka shtuar se fondacioni vazhdon të punojë me institucionet e Kosovës në luftën kundër strukturave të organizatës FETO në Kosovë, duke thënë se strukturimi i tij po zbatohet nëpër institucione, duke filluar nga ato arsimore.

Me rastin e vizitës së shkollës në Lipjan, në afërsi të Prishtinës, ambasadorja ka potencuar se në Kosovë ende ndjehet ndikimi i lëvizjes FETO.

Drejtori i Fondacionit “Maarif” për Kosovën, Mesut Ozbaysar, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se po punohet për sistemin e ri arsimor, edukativ ndërkombëtar, në përputhje me teknologjinë bashkëkohore dhe se planifikohet që edhe në qytetet tjera të Kosovës të hapen shkolla të tilla.

Ozbaysar thekson që transferimi i shkollave të Gulenit përmes fondacionit “Maarif” është çështje politike, për të cilën nuk ka kompetencë të flas. Megjithatë, ai thekson që në rast se arrihet deri aty, do të vazhdojnë të punojnë edhe në ato shkolla.

“Procesi ndërmjet qeverive është në vazhdim e sipër. Ne i kemi hapur shkollat, për të ofruar arsimim më të mirë në Kosovë… Në vendet tjera, për shembull në Afrikë, ka pasur mjaft raste që shkollat FETO janë transferuar përmes Fondacionit ‘Maarif’, por këtu nuk kemi asnjë informatë për këtë. Siç thash, kjo është çështje politike dhe kjo nuk ka të bëj me mua”, tha Ozbaysar.

Ai vlerëson se Kosova, me hapjen e degës në Prizren, është vendi i parë në të cilin “Maarif” ka vendosur punën. Në Bosnjë e Hercegovinë tashmë vepron, ndërkaq që ekziston plani që “Maarif” të nisë me institucionet arsimore edhe në Maqedoni. Ndërkohë, ky fondacion tashmë ka hapur universitetin në Shqipëri.

Ish-zëvendësministri i Arsimit i Qeverisë së Kosovës, Usmen Baldzhi, i cili ka qenë në këtë funksion në kohën kur “Maarif” kishte arritur në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se fondacioni kishte marrë licencën në mënyrë të rregullt për punë në Kosovë, si dhe kishte plotësuar të gjitha kriteret për shkollimin privat fillor dhe të mesëm. Ngjashëm, sipas tij, ka qenë edhe rasti i shkollës Mehmet Akif.

“Mehmet Akif është themeluar përmes Fondacionit ‘Gulistan, pas luftës në Kosovë dhe ai ekziston sot e kësaj dite. Ata funksionojnë në përputhje me ligjin dhe kanë licencën nga Ministra e Arsimit e Kosovës. Ato shkolla ekzistojnë sot dhe vazhdojnë të punojnë pa asnjë problem. Ndërkaq, Fondacioni ‘Maarif’ e ka marrë licencën këtë vit, ashtu sikurse edhe shkollat tjera private në Kosovë”, tha Baldzhi.

Ai ka theksuar se nuk ka informacione nëse është kërkuar që të mbyllen shkollat e caktuara apo transferimi i tyre te fondacioni “Maarif”.

Drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Popovci, duke folur për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, ka vlerësuar që Kosova nuk do të duhej të përzihej në diçka që është problem i brendshëm i Turqisë dhe se nuk do të duhej të guxonte që të bie nën ndikimin e Qeverisë së Turqisë. Sipas tij, përderisa edhe njëra edhe tjetra shkollë i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk do të duhej që të ketë probleme rreth funksionimit të tyre .

“Kjo nuk nënkupton që aty ku hapen shkollat e Fondacionit ‘Maarif’ duhet të mbyllen shkollat, të cilat në njëfarë mënyre janë të ndërlidhura me Fondacionin ‘Hizmat’. Në fakt, nuk do të duhej që vendet e rajonit të përzihen në çështjet e brendshme të Republikës së Turqisë”, ka thënë Pupovci.

Ai gjithashtu ka theksuar që, marrë parasysh që Turqia në Kosovë konsiderohet si vend mik, ajo nuk do të duhej të shkojë përtej kërkesave të cilat janë bërë deri më tash.

“Kjo për faktin se një komb prej dy milionëve nuk mund t’i zgjidhë problemet që ekzistojnë përbrenda një shteti me 80 milionë banorë, në të cilin lëvizja e Gulenit ndoshta ka 20 milionë mbështetës. Nuk do të duhej që Kosovën ta fuste në një gjë të tillë. Kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë. Mendoj që kërkesat e tilla, qoftë edhe kur vinë ato nga Republika e Turqisë mike, nuk do të duhej të ndikonin në sjelljen e vendimeve që bazohen në ligje”, theksoi Pupovci.

Siç ka shtuar ai “në qoftë se ajo organizatë, e cila ka themeluar shkolla, është terroriste, atëherë do të duhej të ekzistonte ndonjë vendim gjyqësor për një gjë të tillë, i cili do të ishte i pranuar në botë dhe më pas, në bazë të atij vendimi do të mund të mbyllej çfarëdo shkolle në botë. Por, kjo nuk mund të bëhet në bazë të kualifikimeve politike”, është shprehur Pupovci.

Në anën tjetër, “Maarif” ka nisur shkolla edhe në Somali, Nigeri, Sudan, Republikën e Kongos, në Guine, ndërkaq që pajtimin për hapjen e shkollave të këtij fondacioni e kanë dhënë edhe vende të tjera të Afrikës, Pakistani dhe Afganistani.

Bisedimet për këtë janë duke u zhvilluar edhe me Qipron, Australinë, Danimarkën, Arabinë Saudite, Singaporin, Malajzinë dhe shumë vende të tjera. / KultPlus.com

Paçarizi: Gjendja në shkollat fillore dhe të mesme është alarmante

Rrahman Paçarizi, profesor universitar, i ka shkruar një letër publike ministrit të ri të Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Ai në letrën e tij i ka thënë Bytyqit se gjendja në shkollat fillore dhe të mesme është alarmante.

Sipas Paçarizit, vetëm 2 për qind e 141 kandidatëve që kanë konkurruar për t’u pranuar në degën e Gjuhës Shqipe në UP, kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve guxoj, marr, jap, di dhe bie. Në letrën publike të postuar në Facebook, Paçarizi ka thënë se alarmi në arsim ka të bëjë me shkollat fillore dhe të mesme.

Kjo është letra e Paçarizit drejt ministrit Bytyqi:

ALARMI

Nga 141 kandidatë që konkurruan për t’u pranuar në Degën e Gjuhës Shqipe në UP, vetëm 2 për qind kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve guxoj, marr, jap, di, bie, dhe vetëm 4 për qind janë përgjigjur pjesërisht.

I dashur ministër, Bytyçi

E di që këto ditë je shumë i zënë me takime protokollare e me incizimin e gjendjes. E di që duhet të takosh figura publike e politike. E di që je nën presion të madh sa i përket përzgjedhjes së ekipit, pasi ke obligime ndaj partisë e partive të koalicionit. E di që grupe të caktuara mund të të imponohen e të përpiqen të t’i tregojnë prioritetet.

Zoti ministër, e di që të bombardojnë me llafe se si gjendja në UP na qenka e mjerueshme, e çka jo tjetër. E di që harrojnë të t’i përmendin universitetet publike nëpër qytetet e Kosovës dhe kolegjet jopublike. Tekefundit, më lehtë është me u marrë me UP-në. Por, për këto një here tjetër.

Alarmi, z. ministër ka rënë moti. Ai alarm ka të bëjë me shkollat fillore dhe të mesme. Me to nuk merret kush, përjashtuar kohën e fushatës kur ua bëjnë “zbor-in” e i çojnë nëpër darka e dreka, se u duhet vota e tyre.

Këtu i ke disa të dhëna që dëshmojnë cilësinë e shkollimit parauniversitar. Këto rezultate janë nga lënda e Gjuhës shqipe. Në Departamentin e Gjuhës Shqipe e mbajtëm provimin pranues. Nga 141 kandidatë vetëm 6 kanë ditur se çfarë pjesësh të ligjëratës janë fjalët këndim, popullore, shkarazi, duke dhe sepse. 9 të tjerë kanë janë përgjigjur pjesërisht. Pra më pak se 5 për qind janë përgjigjur saktë dhe nja 7 për qind janë përgjigjur pjesërisht – 90 për qindëshi tjetër s’ia kanë haberin.

Vetëm 16 nga 141 kandidatë kanë ditur ta lakojnë nëpër rasa emrin letër.

Pritni, i dashur ministër, se ka ende. Nga 141 kandidatë, vetëm 3 kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve: guxoj, marr, jap, di, bie. Ju jeni ekonomist dhe statistikat i nxirrni më lehtë sesa unë. Për publikun më duhet të shpjegoj se vetëm 2 për qind e kandidatëve i janë përgjigjur saktë kësaj pyetjeje dhe 6 kandidatë apo 4 për qind kanë arritur t’i përgjigjen pjesërisht.

I dashur ministër, ky është një alarm. Alarmi është më i zhurmshëm, pasi bëhet fjalë për lëndën “Gjuhë shqipe” e cila mësohet nga klasa e parë e fillores, deri në klasën XII. Alarmi bëhet shurdhues, kur dihet se këta kandidatë kanë kryer me sukses testin e maturës (ku pyetjet nga gjuha e letërsia janë disafish më të vështira). Alarmi, bëhet i padurueshëm kur shikohet se shumica dërrmuese e këtyre kandidatëve vijnë me sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme.

Tash, Ju si të doni. Është vështirë të hyhet në sherr me armatën e mësuesve që janë votues potencialë.

Me respekt

Rrahman Paçarizi, mësimdhënës

Viti 2019-të sjellë një teatër të ri për publikun shqiptar

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e ka nisur këtë mandat të dytë nga mbikëqyrja e ambienteve të kulturës që i janë nënshtruar rikonstruksionit. Ajo është ndalur në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke theksuar se punimet po ecin sipas parashikimeve.

“Jemi në një ndër momentet e inspektimit të kantierit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Punimet kanë ecur shumë mirë deri tani. Është punuar në mënyrë shumë intensive dhe në kushte shpesh edhe të vështira për mungesë të hapësirave të brendshme, problem që vazhdon duke u hequr zvarrë problemi juridik me shoqërinë italiane, por problem që do ta zgjidhim shumë shpejt me masa të drejtpërdrejta, por pa dyshim ligjore”, u shpreh Kumbaro.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

“Kemi ecur me ritme të mira. Jemi brenda afateve të kontratës dhe me pak durim, besojmë që brenda limiteve të parashikuara do të kemi një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, edhe pse gjithë pajisjet e vjetra mekanike të viteve 50-të ndryshohen dhe automatizohen krejtësisht në shërbim edhe të publikut edhe të artistëve”, theksoi ajo.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com

Filmi ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri, me premierë botërore në Estoni

“Martesa” e Blerta Zeqirit me premierë botërore në festival të kategorisë A – Tallinn Film Festival

Filmi i parë i metrazhit të gjatë nga znj. Zeqiri do të jetë pjesë e garës zyrtare të Tallinn Film Festival, ku do të shfaqet më 28 nëntor të këtij viti.

Sot është bërë publike një pjesë e programit zyrtar të Festivalit të Filmit në Tallinn të Estonisë, ku bën pjesë edhe filmi “Martesa” i regjisores fituese të çmimit për filmin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar në festivalin më të madh të filmit në SHBA – Sundance.

“Jam shumë e lumtur që një punë 5-vjeçare po kurorëzohet me një premierë në një festival të tillë Është moment i lumtur për mua dhe paksa i pikëlluar, sepse është një lloj ndarjeje, pasi që nga tani Martesa e fillon udhëtimin e saj nëpër botë, derisa unë ia filloj një projekti të ri filmik” tha znj. Zeqiri e cila tanimë ka 5 vite prej kur e ka nisur punën në këtë projekt, që njëherit është edhe filmi i saj i parë i metrazhit të gjatë.

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkah edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, si projekt me financim minoritar.

Tallinn Film Festival, ku më 28 nëntor do të shfaqet bashkëprodhimi filmik Kosovë-Shqipëri, bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garues të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP), dhe ky film shënon filmin e tretë të gjatë të mbështetur nga QKK që sivjet ka premierën botërore në festival të kategorisë A. / KultPlus.com

Java e Modës në New York, prezantohen koleksionet Pranverë / Verë 2018

Java e modës në New York hapi serinë e ngjarjeve ndërkombëtare të javës së modës. Këto javë të modës janë bërë një magnet për stilistët, të etur për të përfaqësuar vizionin dhe koleksionet e tyre në botë. Koleksionet Pranverë / Verë 2018 ishte gjithçka për dritën dhe të qetën, por jo vetëm. KultPlus ju sjellë disa fotografi nga Java e Modës në New York. / Kultplus.com

“Një legjendë për dashurinë” dhe “Këmbë” për 45 vjetorin e Baletit

Me rastin e shënimit të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës nesër do të jepet premiera e shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, nga koreografi Pullumb Agalliu.

Në vigjilje të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës është bërë edhe prezantimi i i monografisë “Këmbë” me autor Naser Shatrollin, libër i cili përmbledhë aktivitetet e BKK-së, nga dita e themelimit në vitin 1972 deri sot.

Ahmet Brahimaj, drejtor i BKK-së, tha se kjo shfaqje është e treta në këtë sezon dhe se kjo shfaqje është festive për 45 vjetorin.

“Kjo shfaqje është shfaqja e tretë e kësaj sezone dhe kemi pasur goxha probleme, jo probleme në kuptimin e keq, do të thotë jemi ngarkuar më tepër se që ish dashur me qenë të ngarkuar me punë. Kjo shfaqje është festive shënjimi i përvjetorit të 45 të themelimit të Baletit, 45 vjet nuk kanë shkuar lehtë kanë pasur shumë sakrifica, shumë sfida të cilat vetëm ne që kemi jetuar dhe që jemi përballur me to mundemi me i shpjegua”, tha ai.

Kurse, Pullumb Agalliu, koreograf i shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, tha se kjo shfaqje për të ka një rendësi të jashtëzakonshme. Ai tha se është shumë i kënaqur me Trupën e Baletit për punën të cilën po e bëjnë dhe se kjo Trupë e Baletit në Kosovë duhet të dihet të mbahet.

“Kjo shfaqje për mua ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo se thjeshtë si miq por si njerëz që e duan këtë vend dhe kemi ndjenja që kjo trupë dhe për mua Kosovën ta shoh mirë e ma mirë. Tash për sa i përket kësaj shfaqje unë nuk e kam pasur shumë vështirë me thënë të drejtën se është vepra e tretë dhe këtë trupë e njoh shumë mirë”, tha Agalliu.

Ai tha se në këtë shfaqje shkojnë disa momente të popullit shqiptar të cilat i ka kaluar.
Autori i monografisë “Këmbë”, Naser Shatrolli, tha se ky libër paraqet një histori 45 vjeçare të Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Unë jam nisur me këtë parim tek ky libër se duke e ditur se kush ka parakaluar 45 vite në këtë skenë, kush ishin ata emra kompozitorësh, koreografësh, emra të balerinëve sidomos si të thuash që e bëjnë historinë, e krijuan identitetin e Baletit Kombëtar. Vërtetë kam ndjerë përveç dashurisë që e kam për baletin e kam ndjerë thellë në shpirt dhe në obligim që të krijohet një histori”, tha ai.

Shfaqja “Një legjendë për dashurinë” vjen premierë nesër në ora 20:00, ndërsa reprizën e parë do ta ketë me datën 22 shtator./ KultPlus.com

Ekspozita e përhershme do të hapet më 17 shkurt, në dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Muzeu i Kosovës për herë të parë do të bëhet me ekspozitë të përhershme. Konceptin e saj, grupi punues i kryesuar nga profesori Gazmend Rizaj, ia prezantoi Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, shkruan KultPlus.

Profesor Rizaj e informoi ministrin Gashi për qëllimin dhe përmbajtjen e ekspozitës së përhershme e cila do të zërë vend në Muzeun e Kosovës, dhe sipas planit ajo do të hapet me rastin e shënimit të jubileut të Pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita sipas konceptit të paraparë do të ketë shtrirje kronologjike që nga koha e Neolitit e deri tek Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ku do të ekspozohen eksponate të trashëgimisë së luajtshme të Kosovës që pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të vendit tonë.

Ekspozita do të përmbajë eksponate autentike materiale dhe jo materiale si dhe eksponate dhuratë që i jepen Muzeut. Ajo do të jetë e ndarë në pavijonet e arkeologjisë, historisë të eksponateve ndërkombëtare dhe në dhomën e etnologjisë.

Rizaj u shpreh se grupi punues i cili është angazhuar në përgatitjen e kësaj ekspozite pret mbështetjen dhe bashkëpunimin e ministrit Gashi që projekti të finalizohet.

Ministri Gashi shprehu falënderimin e tij për punën serioze në këtë projekt kaq të rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore por edhe për vet shtetin e Kosovës sepse ekspozita lirisht mund të llogaritet si një kartë identiteti kulturor e historik i vendit tonë.

“Ekspozita e përhershme që do të prezantohet në Muzeun e Kosovës, do të mundësojë një pasqyrim të trashëgimisë së pasur që ka Kosova, e që dëshmon lashtësinë që kemi si popull”, tha ministri Gashi.

Ministri Kujtim Gashi tha se ky projekt do të jetë ndër prioritetet që do të përkrah ministria me qëllim që të eliminohen barrierat eventuale që pengojnë ose ngadalësojnë konkretizimin e ekspozitës./KultPlus.com

“Refugjatët” nga Abdurrahim Buza, vepër e vitit 1957 (FOTO)

Është një ndër artistët më të rëndësishëm shqiptarë dhe veprat e tij kanë zënë vend edhe në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Tiranës, shkruan KultPlus.

Abdurrahim Buza ka trajtuar tema të ndryshme nëpërmjet artit të tij, por dukshëm vërehet dhimbja e popullit shqiptar, që ka reflektuar edhe në punën artistike të Buzës.

KultPlus kësaj radhe ka përzgjedhë veprën “Refugjatët”, vepër kjo që është realizuar në vitin 1957, dhe po kjo vepër është prezantuar edhe në Documenta 14./KultPlus.com

“Hyjnesha në Fron” publikon promon e edicionit jubilar (VIDEO)

Festivali i Filmit “Hyjnesha në fron” i cili këtë vit shënon edicionin jubilar të tij, tashmë ka lansuar edhe promon e këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Festivali do të mbahet përgjatë datave 30 shtator deri më 4 tetor.

Ceremonia e hapjes së këtij festivali fillon në orën 19:30 dhe ceremonia përmbyllëse në orën 20:00 në Stacionin Hekurudhor në Fushë Kosovë ku do të ketë mysafirë nga vende të ndryshme të botës. / KultPlus.com