U2 dhe Ed Sheeran anulojnë koncertet në SHBA

Banda irlandeze e “rock”-ut, U2 dhe Ed Sheeran kanë anuluar koncertet e tyre që priteshin të mbaheshin në St. Louis për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, pas protestave të dhunshme në qytet që shkaktoi lirimi i një ish-oficeri të bardhë policie, i akuzuar për vrasjen e një personi me ngjyrë.

Irlandezët pritej të performonin në “The Dome at America’s Center” mbrëmjen e së shtunës, ndërsa këngëtari britanik Sheeran i ka shitur të gjitha biletat për shfaqjen që pritej të zhvillohej mbrëmjen e sotme në “Scottrade Center”, transmeton tch. Por policia ka njoftuar se nuk mund t’iu garantojnë nivelin e duhur të sigurisë, pasi qyteti është përballur me protesta të vazhdueshme dhe të dhunshme.

Qindra vetë protestuan të premten dhe të shtunën në St. Louis, në qendër dhe në periferi të qytetit, duke çuar deri në arrestimin e të paktën 32 personave. Megjithatë, protesta më të mëdha priteshin mbrëmjen e së shtunës.

Këngëtari i famshëm Bono i grupit “U2”, përmes një deklarate në “Instagram” tha se ishte “tejet i zhgënjyer nga çfarë ka ndodhur në St. Louis, që detyroi edhe anulimin e koncertit” të tyre.

“Jam duke lexuar fjalimin e Luther King nga Katedralja Kombëtare dhe pyes veten nëse sot jemi në vitin 1968 apo 2017?”, shkruan Bono. Edhe në faqen zyrtare të “U2”, thuhet se banda “nuk mund të rrezikojë me ndërgjegje të plotë jetët e fansave të tyre”, nëse do të vijonin me planet për zhvillimin e koncertit.

Megjithatë, për të gjithë ata që i kishin siguruar tashmë biletat për këto dy koncerte, kompensimi do të fillojë nga pikat e shitjes që nga e hëna./ KultPlus.com

‘Një shfaqje teatri me 4 aktorë…’ shkon në Pejë

Komedia me tekst të Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj “Një shfaqje teatri me 4 aktorë…” më 20 shtator do të shfaqet në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje sjellë në kastën e aktorëve Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani. Muzikantë: Art Lokaj (kitarë elektrike) Drin Tashi (bateri).

Pas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet.
Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia. Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane.

Shfaqja nis me fillim nga ora 20:00 ndërsa hyrja është gratis./ KultPlus.com

Me qenë Gegë

Poezi e shkruar nga Ag Apolloni.

Fre n’gjuhë asht standardi, kmishë e ngushtë për mue,
Kostum i premë keq,
As për darsëm as për deke.
Shkurt e shqip: me folë n’standard s’due,
As me heshtë n’standard s’di
Se muzikën ma bân hunda e ma nxjerr goja gege.

Të jesh gegë,
S’asht si me qenë gegë,
As si me kenë gegë,
As si m’u kanë gegë.

Fati jonë i nemun asht
Mbas Babelit nëpër gjuhë me u rrekë.

Oh, e di,
Ma mirë asht me pasë nji gjuhë n’botë
Po menia e Akilit s’âsht gjâ para asaj t’Zotit
Gurët e gjuhës që Kullën s’e bânë dot
Bien pa prâ’ e na i ndjejmë si pikat e lotit.

Shqiponja jonë ka dy krahë e dy krena,
Po Standardi mban veç nji dialekt mrena,
Tjetri rrnon si endacak
Herë fle në ndonji prag,
Herë kollitet nëpër sokak,
Nerth n’shi e n’borë, pa gjetë kund konak.

Lumtunia e tyne e kufizueme
Andrron me qenë e pafund
Si dhimbja e gegës n’paskajore.

Me qenë Gegë
A don me thanë me pasë nji motër si Toska
Që knaqet pranë oxhakut derisa ti n’acar,
Edhe pse pa ngrânë, le t’themi “mbas darkës”,
Shtyp hundën për dritare tu’ e pa motrën
Dhe nis e ngrohesh vetëm prej imazhit të flakës?

Me qenë Gegë
A don me thanë me qenë fmijë bastard
I babës Standard?

Po prit!
Kur leu baba, fmija kish moshën e Drakullës.
Pra, babë a bir, ndëgjo mirë: po s’u bane burrë,
Ke me ra dekun prej gurëve të Kullës!

‘Kosovë is everywhere’ vjen projekti letrar i Bern is überall dhe Qendrës Multimedia

Një projekt letrar i Bern is überall dhe Qendrës Multimedia nga Prishtina sjellë ‘Kosovë is everywhere’, që nis më 28 shtator dhe zgjatë deri më 13 tetor nëpër gjithë Kosovën shkruan KultPlus.

Fjalë për skenë e jo për letër – ky është koncepti i performancës Kosovë është kudo. Katërmbëdhjetë autorë nga Kosova dhe Zvicra dalin në skenë bashkërisht dhe prezantojnë letërsinë si një lloj performance. Ngjashëm me një orkestër kamertale, ata prezantojnë kompozime verbale; ata bëjnë vallëzime gjuhësore; rrëfejnë tregime të përditshme; recitojnë poezi të përdala; përsërisin dhe ndryshojnë lista fjalësh; ngërthehen në anekdota të shkurta bizare si dhe përcillen me kitarë, harmonikë, bas kitarë, perkusion e daulle.

“Ahengu shumëgjuhësh është i pashmangshëm. Do të vizitojmë gjashtë qytete në Kosovë. Perfomancën do ta zhvillojmë në gjuhën shqipe, frënge, gjermane, rome, serbe, gjermane (të Zvicrës) dhe turke (të gjitha me titra në shqip). Do të rrëfejmë tregime të cilat janë krijuar për këtë ngjarje të veçantë ndërkombëtare. Shpresojmë që ky të jetë fillimi i një miqësie të gjatë kulturore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Motoja jonë? Të gjitha gjuhët janë të barabarta! “, thuhet në publikimin në rrjetin social Facebook, nga Qendra Multimedia.

Autorët e muzicientët pjesëmarrës janë: Laurence Boissier, Blerina Gaxha-Rogova, Ervina Halili, Arben Idrizi, Dardan Islami, Antoine Jaccoud, Guy Krneta, Meral Kureyshi, Gerhard Meister, Pedro Lenz, Kujtim Paçaku, Shpëtim Selmani, Ariane von Graffenried dhe Milosh Zhivanoviq. Muzikë: Adi Blum (accordion), Art Lokaj (guitar), Michael Pfeuti (bass), Maru Rieben (percussion), Drin Tashi (drums).

“Ka shumë arsye përse këta artistë nga Bern ist überall po hyjnë në dialog me artistë nga Kosova. Por natyrisht, njëra nga arsyet është lidhja e pashkëputshme që ekziston mes Kosovës dhe Zvicrës. Kur zhdirgjeni rrugëve të Prishtinës ju ndodhë kaq shpesh të dëgjoni kosovar që flasin gjermanishte të Zvicrës. Në Ferizaj takon plot shqipe që shumicën e kohës jetojnë në Renens apo Payerne. Por, fatkeqësisht, shkëmbimet letrare mes dy vendeve janë të lëna mbas dore. Ky projekt ka për qëllim të krijoj lidhje të qëndrueshme letrare. Diçka të tipit A Long and Lasting Love”, thuhet tutje në njoftim.

Përmbledhja e programit

E enjte, 28 shtator, ora 20:00 Prishtinë, Qendra Multimedia
E premte, 29 shtator, ora 20:00 Graçanicë, Hotel Graçanica
E shtunë, 30 shtator, ora 20:00 Ferizaj, teatri “Adriana”
E enjte, 5 tetor, ora 20:00 Prizren, Kino Lumbardhi
E shtunë, 7 tetor, ora 20:00 Gjakovë, Teatri i Qytetit
E enjte, 12 tetor, ora 20:00 Pejë, teatri “Istref Begolli”
E premte, 13 tetor, ora 20:00 Prishtinë, Universiteti i Prishtinës, amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë./ KultPlus.com

Fustanellat e Fanfara Tirana u shpalosën mbrëmë në RaiUno me një performancë live

U mbushen plot 15 vite që grupi muzikor Fanfara Tirana mbetet i vetmi produkt muzikor i nivelit të lartë që Shqipëria eksporton.

Mbrëmë pas performancës së 1 majit të vitit 2016-të me kantautorin italian Max Gazzè, ku Fanfara Tirana dhuruan qeleshet e bardha për publikun e Romës, ata u shfaqën sërish si të ftuar në emisionin më të rëndësishëm të televizionit shtetëror RaiUno, përcjellë KultPlus.

“Uno, Due, Tre … Fiorella”, është emisioni i jashtëzakonshëm me dy të shtuna (16 dhe 23 shtator) që hap sezonin dimëror në kanalin më të rëndësishëm të Rai-t nën drejtimin e një prej ikonave muzikore italiane të muzikës kantautorale, Fiorella Mannoia. Djemtë e Fanfara Tirana, shpalosën fustanellat e tyre të bardha e shoqëruan Fiorellen dhe Max-in në performancën e tyre live. Hera e parë në historinë e Rai-t ku performon LIVE një bend shqiptar.

Viti 2018 për Fanfara Tirana do të jetë plot surpriza. Dy albume të reja nga të cilët volumi i dytë i Kabatronics me anglezet Transglobal Underground dhe bashkëpunimi me gjeniun shqiptar të muzikës, kompozitorin, pianistin dhe kitaristin Robert Bisha.
Ndërkohë Fanfara Tirana do të prezantohen Live në Varshave më 28 shtator në Cross Culture Festival, apo në Budapest në Ritmo Festival më 8 tetor si dhe në Kaba 2.0 Festiv.al në Korçë që do të anuncohet së shpejti./ KultPlus.com

Video nga koncerti i 1 majit 2016

Vritet filmbërësi meksikan i serialit “Narcos”

Një film-bërës meksikan i angazhuar për të gjetur lokacione të përshtatshme për serialin e famshëm për kartelët e drogës “Narcos” është gjetur i vdekur në veturën e tij me disa plagë të shkaktuara nga plumbat.

Carlos Munoz Portal është vrarë të hënën në një zonë të largët në Meksikën qendrore, kanë raportuar mediat lokale, raporton “SkyNews”.

Portal, përveçse i njohur për serinë e famshme “Narcos” të Netflixit, seri kjo e bazuar në dilerin e famshëm të drogës Pablo Escobar, ka punuar edhe në trilerin tjetër po ashtu për drogën të nominuar për Oscar, “Sicario”.

Veç tyre, në CV-në e tij janë edhe “Fast & Furious”, “Apocalypto” dhe filmi “Spectre” i Bondit, sipas IMDB-së.
Një mik i film-bërësit meksikan i ka thënë gazetës spanjolle “El Pais” se Portal ka dalë me veturën e tij për të fotografuar lokacione të mundshme për serialin “Narcos”.

Netflix, përmes një deklarate, ka thënë: “Jemi në dijeni për vdekjen e Carlos Munoz Portal, një zbulues shumë i mirë i lokacioneve, dhe i shprehim ngushëllime familjes së tij”.
“Faktet e rrethanave të vdekjes së tij janë ende të panjohura dhe autoritetet janë duke i zhvilluar hetimet”, ka shtuar kompania.

Pritet që sezoni i katërt i “Narcos” të zhvillohet në Meksikë.
Vetëm gjatë muajit maj, në vend kanë ndodhur 2,186 vrasje – një rekord ky i shënuar që kur kanë nisur të regjistrohen këto të dhëna 20 vjet më parë.
Shumica e vrasjeve i atribuohen karteleve rivale të drogës në Meksikë./ KultPlus.com

Madonna: “Do të rishpik pop-turnetë”

27 vite më parë Madonna përcaktoi formatin e koncerteve moderne të pop-it me turin e saj botëror “Blond ambition”. Nga skena e saj hidraulike e deri tek kostumet e saj ikonike të Jean-Paul Gaultier, ajo hapi rrugën për spektaklet në përmasa stadiumi.

Tani, pas shumë turesh botërore, ylli thotë se po eksploron spektaklet më të vogla në numra, në të ardhmen.

“Kam bërë aq shumë spektakle, ture botërore, stadiume, arena sporti…dhe ndjej se duhet t’i rishpik ato”, thotë Madonna, transmeton tch. “Më pëlqen të bëj shfaqje më intime dhe të mund t’i flas direkt audiencës. Kjo është diçka që unë po e eksploroj tani. Ideja e një shfaqjeje që të mos udhëtojë nëpër botë, por të qëndrojë në një vend dhe të përdorë jo vetëm humorin dhe muzikën por edhe forma të tjera argëtimi”.

Koncertet e ardhshme do t’i ngjasojnë ndoshta në stil show-t lotët e klounit, që Madonna performoi dy herë në 2016, një herë si dhuratë për fansat në Australi dhe në një event për mbledhje fondesh. Në këto koncerte, ikona e popit vishej si kloun, ngiste një tricikël, bisedonte me audiencën dhe tregonte shaka kur nuk performonte disa nga këngët e saj të preferuara.

Kur je në një koncert, në një stadium, thotë Madonna, je e lidhur me video, nuk mund të ndalësh…pasi treni të niset nga stacioni, duhet të vazhdojë të ecë. Ka një lloj adrenaline këtu, por nuk ka vend për gabime, ndaj mua më pëlqen ideja e gabimeve dhe një stili të lirë…për mua, kjo është më ekzaltuese për momentin”, thotë ajo./ KultPlus.com

Si Sali Berisha dhe Fatos Nano u caktuan nga Ramizi me Nexhmijen

Dje, në një aktivitet shkencor me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së Atë Zef Pllumit, pas disa kumtesave mjaft interesante, u promovua edhe vepra e plotë e Atë Zef Pllumit. Mes librave të tij, ishte edhe “Siç thonim dje” ku, nga faqja 266 e saj jepet një tregim satirik ku tregohet si u krijua pluralizmi në Shqipëri.

Pasi Ramiz Alija u kthye nga Amerika, ai shkon e takon Nexhmie Hoxhën dhe i thotë:
[Ramizi]-Ndigio Nexhi, kur kjeçë atje, ata miqtë tanë më këshilluen mos me ndjekë Çausheskun, por me ba edhe na si gjermanët e Aoenackerit.

[Nexhmija]-Jo, ma mirë po bajmë si Kim Ir Seni i Koresë: po largohemi na e po ua lëshojmë djelmve tanë,… Si të duket? Po vem djalin tem të madhin e djalin tand, sepse atë të voglin e kam të pandigiushëm. Ka marrë për gru nje kaurreshë që nuk ma don kurrsesi hero Haxhi Qamilin… Si thue?

-Jo moj jo. A e din si asht puna: me vue dy djemtë tanë, na çohen kundra shoku Haxhi, Babë Myslymi e të gjithë shokët e tjerë që i kanë djemtë ma besnikë.

-Mirë e ke shoku Ramiz. Kam nji djalë aty në Institutin e Studimeve marksiste – leniniste që nuk e ka shokun; quhet Fatos e asht taman fatos i Enverit, e njof mirë se ai emnin e kishte Foto, por shoku Enver e njofti mirë e ia suell Fatos. Ai i redakton shkrimet Enverit e i ban aq të bukura, sikur i përket njaj klasiku të vërtetë. Mendoj se edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës po t’emnohet e kryen me nder detyren.

-E njof, e njof mirë; tamam e ke gjetë. Ma mirë ta ngarkojmë atë si kryesor. Sa për të dytin, po ta gjejë vetë: asht nji djalë guximtar nga Tropoja. E kemi doktor të specializuem në Francë. Sali Berisha quhet.

-E njof, e njof edhe unë Salen se ishte në atë ekipin e mjekëve të Enverit. Por a të ndigjon se më kanë thanë se baba i nuses së tij ishte argat i UDB – së Jugosllave.

-Aq ma mirë, sepse kështu gjurmët tona nuk i dikton Europa, as Amerika.

-Hajt pra; futju sa ma parë e ta marrin vesht Europa, Amerika e tanë bota.(Shkruan Konica.al)./ KultPlus.com

Nis “Oktoberfest”, festivali i birrës në Munih

Në Munih është koha për të lënë pas krahëve problemet e për të shijuar birrën. Parakalimi i një karroce me kalë, karuzelët e bandat muzikore i dhanë nismë edicionit të 184 të festivalit të famshëm “Oktoberfest”.

Kryebashkiaku i Munihut, Dieter Reiter i vendosi rubinetin fuçisë së parë të birrës duke e shpallur zyrtarisht të hapur festivalin më të madh të birrës në botë.

Miliona vizitorë nga e gjithë bota pritet të vijnë në kryeqytetin Bavarez përgjatë 18 ditëve të ardhshme.

Organizatorët shpresojnë që aktiviteti të josh rreth 7 milionë njerëz, më shumë se sa vitin e kaluar kur pati 5.6 milionë vizitorë, transmeton tch. Moti me shi nuk i pengoi pjesëmarrësit e parë të paduruar, me turma të mëdha njerëzish që mbërritën përpara ceremonisë hapëse në 12 të drekës.

Për të dytin vit radhazi festivali do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ku do të përfshihen kontrolle në hyrje, vendosja e një gardhi rreth zonës ku do të zhvillohet aktiviteti dhe ndalimi i çantave të mëdha. Masa të tilla u aplikuan për herë të parë në historinë e festivalit vitin e kaluar pas serisë së sulmeve të dhunshme që goditën Gjermaninë jugore. Megjithë masat e shtuara të sigurisë, pjesëmarrësit në “Oktoberfest”, nga bavarezët autoktonë tek turistet po festojnë si zakonisht.

“Ne nuk shqetësohemi për këtë. Nëse ndodh, ndodh. Por këtu ka mjaftueshëm policë dhe besoj gjithçka do të shkojë mirë”, shprehet një vizitor.

Edicioni i 184 i “Oktoberfest” do të përfundojë në 3 tetor./ KultPlus.com

Alban Skenderaj sjellë ‘93’ (VIDEO)

Këngëtari Alban Skenderaj ka publikuar këngën e re me titull “93” të cilën e ka realizuar me reperin Lyrical Son dhe Dj Oltin.

Për tekstin dhe melodinë janë përkujdesur dyshja e këngëtarëve, derisa producent i këngës është Boocky.

“Nuk je vetëm” është kënga e fundit e Alban Skenderajt që u publikua 2 muaj më parë./ KultPlus.com

A i plotëson kriteret kjo shtatore e heroit Adem Jashari?

Ilir Muharremi

Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari pritet të vendoset më 28 nëntor në Lipjan, e punuar nga artisti Durrsak Idriz Balani. Lartësia e shtatores është rreth 3m e 25 cm, do të peshojë pas derdhjes në bronz afërsisht 1 ton. Pritet që këto ditë kjo vepër monumentale në argjilë, të përgatitet për derdhje në bronz, në një nga fonderitë e specializuara për derdhjen e veprave të artit në Tiranë. Arsyeja pse u zgjodh kjo punë nga Belani është se boceti i tij u vlerësua më i mirë nga autoritetet e Lipjanit. Sa arriti skulptori të futej thellë në botën e heroit? A ngjanë realisht pamja e shtatores me pamjen reale të heroit? A i përket frymës socrealiste skulptura, apo ka diçka nga e sotmja? Nga koka e gjerë tek këpucët a i plotëson kriteret për një figurë madhështore siç qe Jashari? A ka kreativitet vepra? Ose pse gjithmonë heronjtë i paraqesim me pushkë dhe plumba? A mund të qëndroj heroi pa këto?
Skulptori Balani në të gjitha veprat e tij përdorë lëvizshmëri, dinamikë, elegancë… Por, kësaj radhe, figurën madhështore e projekton më mirë krahas atyre shtatorëve të shëmtuara që u bënë për heroin tonë. Nuk e dijë pse së paku fytyrën nga fotot që i kemi për heroin ta paraqisnin origjinal, por gjithmonë me deformime, Balani lirohet nga këto amatorizma, krijon një fytyrë të butë, engjëllore, të pastër, por paska si shumë ka lëmuar pjesën e ballit, hundës dhe mjekrës. Hundën e paraqet më të vogël krahas me hundën origjinale të heroit. Dihet që Ademi hundën e kishte më të gjerë në pjesën e poshtme. Po të ishte më e gjerë do ishte origjinal fytyra e Jasharit. Shihet që ka bërë përpunim të mirë të fytyrës, ka nxjerrë forma nga heqja e madhe e pjesëve. Nuk është vetëm ngjashmëri e fytyrës me heroin, por e veçohet ana estetike, e lëmon aq shumë, me qëllim depërtimit të dritës mbi fytyrë. Ka një ekuilibër harmonikë fytyra. Nuk përqendrohet te mjekra, gjatësia, por te ana e muskujve, lëkura, dhe artisti që nxjerr mirë muskujt me saktësi, ka arritur ta sfidoj skulpturën. Pjesën e flokëve e paraqet më të shkurtra, kur dihet në çdo fotografi Ademi i kishte më të gjata.

Nga ana vizuale, dora e djathtë duket pak më e zgjatur se e majta, ndonëse plumbat peshojnë, dhe pjesën e sipërme të krahut e jap si më të vogël, më të ngushtë. Është përthyerje e madhe e dorës dhe krahut të djathtë. Gishtërinjtë janë pak më të mëdhenj sesa ata që duhet të jenë me përmasa të sakta natyrale krahas me madhësinë trupore. Mëngët te duart duhet paksa të zmadhohen në raport me shuplakën e dorës.
Gjoksi është mirë i punuar, kurse kostumi në raport me muskulin, është më i vakët, kjo e qëllimshme sepse Balani sforcon pjesën anatomike muskulore. Është pak i ngarkuar me armë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë.

Madhështia e skulpturës nuk qëndron te armët, kjo pak na vret syrin, por te fytyra, karakteri, veshja, lëvizja trupore, e në këtë rast, shtatorja përmes fytyrës shprehë paqe, kurse përmes qëndrimit etje për luftë. Qëndrimi dhe fytyra janë të kundërta njëra me tjetrën.

Pjesa e pantallonave i ka vetëm dy thyerje në pjesën e djathtë të këmbës nga lartë dhe te pjesa e këpucës poshtë. Pantallonat janë shumë të lëmueshme, të drejta të jep përshtypjen e materialit të kadifes ngjajnë edhe si tuta. Pantallonat është dashur të jenë më me lakime, më të vrazhda sepse është një ushtarak. Skulptura duhet ta ketë një stil të punës nga fytyra e deri te këpuca. Duhet të respektohet liria e artistit, veçanërisht tek stili i tij. Këpucët duken sikur të njëjta, por ndoshta kjo vetëm vizualisht mashtron, nëse vendoset mbi bazament, mund të peshoj më mirë. Pushka nuk është theksuar mjaftë krahas me elementët tjera nuk arrihet saktë forma e shprehjes së saj.

E bukura e skulpturës është se heroi duket shtatdrejtë, ashtu siç ishte vërtetë. Ka përmbajtje të fortë, ka ritëm, dhe nga sytë e tij del shpirti origjinal i Ademit. Trajtimi është shumë realist, i saktë në tërësi, e riprodhuar më imazh tejet të fuqishëm, dinamikë, dhe çdo aksentë është mirë i përpunuar, gjithmonë them në tërësi, përjashtuar detajet e vogla që u theksuan më sipër.

Pse gjithmonë heronjtë të ngarkuar me pushkë dhe plumba? Kjo shtatore ka imazh tipik socrealist dhe arti s’mund t’i takojë të gjitha kohërave, përcaktohet nga koha e tij, gjithmonë shprehë vlerat më të privilegjuara qofshin heronj apo ndonjë klasë dominuese. Skulptura e sotme, është konceptuale, zbukurim i hapësirës dhe shfrytëzuese në raport me hapësirën. Duhet pra ta krijojmë të bukurën absolute brenda vendit dhe kohës në të cilën jetojmë. Jo të jetë bukuri kalimtare siç e krijoji Rafaeli, kjo ndonëse qe e pakuptueshme për njeriun e ri. Ademi për njerëzit e ri duhet të jetë i kuptueshëm dhe skulptori Balani kishte dashur t’ja vë në kokë plisin. Ky veprim i tij u mohua, por do ishte më e arsyeshme vendosja e plisit kur bëhet fjalë pas njëqind vjetësh, dhe identifikimi i tij mund të keqkuptohet nga njerëzit në rajon e më gjerë. Plisi do ruante të vërtetën mbi kokën e Ademit. Nëse heronjtë do i lirojmë nga pushka dhe plumbat, mund ta deformojmë biografinë e tyre. Skulptura ndërtohet mbas biografisë së personazhit. Veçanërisht shtatoret në vendet publike, por edhe skulpturat e parkut.

A duhet të lirohemi nga shabllonet e paraqitjeve të heronjve? Në planin estetik, po, në planin historik jo. Duhet të harmonizohen të dyja këto, me kujdes dhe ruajtje të madhe ndaj patetikës. Qëllimi i çdo skulpture të sotme nuk është më të imitojë saktë njeriun, por ta stilizoj pa e deformuar, të mbajë ngushtë shprehjet e tij që janë domethënëse (ana ushtarake), të bëjë vërtitje të shumta të qëndrimeve, të ngrihet mbi frontin e krejt qyteteve, të zhurmojë me perfeksionin anatomik gjithmonë stilist.
Andaj, lirisht mund të them se kjo shtatore krahas me ato që u punuan për heroin Adem Jashari është më e kompletuara njëherësh dhe shpresoj ta meritoj vendin e duhur. / KultPlus.com

Grimerja kosovare përkujdeset për pamjen e krijuesit të “Despacito” (FOTO)

Grimerja kosovare këto ditë është përkujdesur për grimin e Luis Fonsit, krijuesit të hitit “Despacito”.

Bëhet fjalë për grimeren Lyra Kryeziu e cila po zhvillon karrierë në Washington. Ajo përmes një fotografie të postuar në Instagram ka njoftuar për një gjë të tillë duke shkruar: “Isha e nderuar të bëja grimin për këngëtarin Luis Fonsi”.

“Despacito” është kënga me më së shumti klikime në të gjitha kohërat në YouTube. Kënga ka tejkaluar shifrën e 4 miliardë klikimeve. / KultPlus.com

Silvia Likaj fituese e çmimin letrar “Ibrahim Rugova”

Për të tretin vit me radhë nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Haki Rugova në bashkëpunim më klubin letrar “Podguri” në Istog është bërë ndarja e çmimit tradicional letrat “Dr.Ibrahim Rugova”, çmim ky i cili ndahet për hir të punës dhe veprimtarisë së shquar të ish-presidentit Rugova.

Pjesë e kësaj ngjarje ishte kryetari i komunës, Haki Rugova, përfaqësues të klubit letrar “Podguri”, krijues dhe shkrimtarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe poetë arbëreshë të Italisë.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova falënderoi pjesëmarrësit në konkursin letrar për nder të figurës së Ibrahim Rugovës, duke shprehur dëshirën që fjala dhe poezia shqipe të dëgjohen çdo kund anë e mbanë botës. Ndërsa, kryetari i klubit letrar “Podguri”, Sadik Bicaj tha se ky manifestim ka bërë jehonë të madhe në të gjitha trojet shqiptare.

“Sivjet kemi edhe poetë të cilët kanë ardhur edhe nga Itali dhe shpresojmë që viteve tjera të marrin pjesë poetë nga shtetet tjera të Evropës”, tha Bicaj.

Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti Valbona Jakova, shkrimtare dhe studiuese nga Italia, si dhe presidentja e Pen Qendrës së Shqipërisë- Qendra e Pen internacional, organizatë botërore e shkrimtarëve me seli në Londër, Entela Kasi.

Në fund të manifestimit letrar u bë edhe ndarja e çmimit mbarëkombëtar “Ibrahim Rugova”, të cilin çmim e fitoi Silvia Likaj. / KultPlus.com

Gati për “Emmys Awards 2017”

“Emmys Awards 2017” do të zhvillohet këtë fundjavë dhe më të mirët do të nderohen gjatë gjithë shfaqjes.

Westwrold dhe Saturday Night Live kryesojnë me nominimet këtë vit, secili me nga 22.

Game Of Thrones, seriali i cili fitoi “Drama e shquar” vitin e kaluar, nuk kishte të drejtë këtë vit, pasi sezoni u shfaq gjatë verës, pas datës së përshtatshmërisë.

Stephen Colbert do të drejtojë Emmys, i cili do të mbahet në CBS në natën e së dielës. / KultPlus.com

“The Legendary Dog” nga Alban Muja, sonte në Berlin

Artisti kosovar Alban Muja, sonte do të prezantohet në Berlin të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Ekspozita titullohet “The Legendary Dog”, ndërsa për kurator ka Boris Kostadinov.

LS43, Berlin, paraqet 3 filma nga artisti nga Kosova Alban Muja. Nga njëra anë, videot bazohen në fakte specifike që lidhen me kontekstin lokal në të cilin jeton dhe punon artisti. Nga ana tjetër, duke përdorur një ose një tjetër histori private, Alban Muja arrin ta vendosë këtë histori në një kontekst global të interpretimit.

Hapja e ekspozitës bëhet sonte në ora 20:00 në Lübecker Strasse 43, 10559 Berlin, Gjermani. / KultPlus.com

“Tartufi” i Molierit korr sukses nën interpretimin e aktorëve shkodranë të “Migjenit”

Me komedinë e famshme “Tartufi” të Molierit, e ardhur nën regjinë e Kushtrim Bekteshit, trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës hapi sezonin artistik.

Kjo komedi klasike, ngjarjet e se cilës zhvillohen brenda një shtëpie, asaj të Orgonit ku brenda atyre mureve vishet por edhe bie maska e hipokritit dhe mashtruesit, rrëmbeu duartrokitjet e spektatorit dhe solli një lojë brilante të trupës së aktoreve.

Një gjetje regjisoriale me ndërhyrje të kujdesshme nga vepra origjinale ka bërë regjisori Bekteshi, duke i veshur kësaj komedie aktualitetin e sotëm siç është mania e rrjeteve sociale, apo bombardimi me informacione të shumëllojshme nga shtypi i shkruar. Misioni është i qartë, përmes të qeshurës spektatori duhet në të njëjtën kohë të vetëkorigjohet.

Në role të tjera në këtë pjesë erdhën aktoret: Pjerin Vlashi, Merita Smaja, Enver Hyseni, Simon Shkreli, Jozef Shiroka, Sara Smaja, Krist Lleshi, Kristiana Dodaj, Nikolin Ferketa, Astrit Fani, Divni Gushta, Fritz Selmani.

Tema e kësaj komedie është hipokrizia e shtresës klerikale, që mundohet të pasurohet në mënyrë shumë të shpejtë, duke shfrytëzuar besimin që kanë të tjerët për profesionin e tyre të shenjtë dhe mendjelehtësinë e shtresës borgjeze që një kohë bëhet viktimë e hipokrizisë klerikale.

“Tartufi” do të vazhdojë të shfaqet sonte dhe nesër në orën 19:00. / KultPlus.com

Sabri Fejzullahu, këngëtari i pranverës së Prishtinës, sot mbush 70 vjet

Sabri Fejzullahu i takon gjeneratës së vjetër të këngëtarëve i cili ka arritur që edhe në kohën e re të zë vendin e vet në skenën e muzikës shqiptare.

Këngët e tij si: ‘Fshatarja ime’, ‘Konvikti nr 5’, ‘Merrma shiun e Prishtinës’, ‘Nuk i dua bardhësitë’, ‘Cika e Ulpianës’, ‘Plot rini plot dashuri’, ‘Shpirt magjie’, e shumë e shumë këngë të tjera do të mbeten përherë të freskëta në memorien e atyre që e duan këngën e Sabriut, i cili edhe sot mbetet ndër këngëtarët më të preferuara dhe që gjithmonë po arrin që me muzikën e tij t’i rezistojë kohës.

Ai ka fituar edhe 18 “Okarina të Arta” në “Akordet e Kosovës”, ka incizuar mëse 800 këngë, ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ka fituar shpërblime, brenda dhe jashtë vendit. Ka bashkëpunuar gjithmonë me kompozitorët më të mirë të vendit.

Në filmografinë e tij gjenden mbi 20 filma, shumica të zhanrit komedi.

Po ju sjellim edhe disa nga këngët më të mira të Sabriut. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=_tl6bxca_30&list=PLn27sjF6Mdl-iIs66jqPzZfYR3Xlwzmlf

Detaje rrëqethëse të “dosjes” së Sabiha Kasimatit dhe skema e dënimit të 22 martirëve

Në 105-vjetorin e lindjes së biologes që u fut në listën e “sabotatorëve”, ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka zbardhur detaje të dosjes së Sabiha Kasimatit si dhe skenën se si u ekzekutuan 22 persona të tjerë për ngjarjen e njohur të bombës në ambasadën sovjetike.
Po kështu, Dervishi ka publikuar edhe skemën e ndërtuar nga hetuesit dhe sigurimi për realizimin e “atentatit” ndaj ambasadës.

Dosja hetimore-gjyqësore në ngarkim të grupit të supozuar të hedhjes së dinamitit në legatën sovjetike është bërë publike qysh në vitin 1992. Madje janë botuar disa libra me autorë të ndryshëm e janë bërë disa dokumentarë. Ajo nuk është dosje agjenturiale operative, (sepse të gjithë personat që u listuan apo u ekzekutuan e kanë pasur dosjen në ngarkim), por një dosje e sajuar në mënyrë shumë primitive pas ekzekutimit të martirëve. Dosjet formulare të personave që u implikuan në këtë histori, me një përjashtim (edhe ky rast nuk ka informacion konkret, përveçse datës së ekzekutimit) janë asgjësuar në vitet ’50. Kësisoj historitë që lidhen me ekzekutimin e 22 personave mesnatën e 25-26 shkurtit 1951, domosdoshmërisht kërkohen në burime të tjera.

Dinamitin (gabimisht shumë thuhet “bombë”) e hodhi organizata Bashkimi Kombëtar e kryesuar nga Sejfulla Shima. U zgjodh ajo kohë atentati për t’i dhënë një goditje regjimit komunist në kohën kur në Tiranë organizoheshin aktivitete për nder të Ushtrisë së Kuqe.

Ora 19.30 të datës 19 shkurt 1951, Hysen Llulla dhe Qazim Laçi u nisën me biçikleta drejt legatës sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë. Hyseni hodhi dinamitin me fitil 2 metra të gjatë, ndërsa Qazimi nuk mundi të hedhë gjë. Shpërthimin e kanë dëgjuar të dy kur ishin në lumin Lana. Zbulimi i këtij grupi u bë rastësisht pas dy javësh, vetëm sepse një anëtar i Bashkimit Kombëtar e tregoi ngjarjen në formë mburrjeje (po kjo është çështje tjetër) te një person tjetër.

Menjëherë pasi Byroja Politike vendosi mënyrën e veprimit si dhe dënimet me vdekje që do jepeshin, organet e punëve të brendshme në Tiranë nisën një valë arrestimesh me të cilat izoluan gjithë elementin antikomunist të menduar. Të arrestuarit për këtë ngjarje shkuan rreth 170 persona (lista unike kryesore), përfshi ata para ngjarjes që dyshoheshin për një veprim të datës 8 shkurt 1951, por nuk rezulton kurrkund të jetë i vërtetë. Historia e kësaj ngjarjeje nuk mund të njihet kurrsesi e veçantë, por e integruar me 170 personat e tjerë. Në këto arrestime mungonin pikërisht anëtarët e organizatës që hodhi dinamitin, gjë që tregoi mungesën e inteligjencies së organeve të Sigurimit dhe syleshtësinë tipike karakteristike të tyre. Organet e punëve të brendshme përpiluan tri lista nga kontingjentet “armike”. Duke menduar se patjetër armiku duhej të ishte këtu, u përzgjodhën për t’u pushkatuar 22 persona, ndërsa 2 të tjerë u ekzekutuan në një proces të mëvonshëm (jashtë tri listave, por pjesë e grupit prej 170 personash). Nga Instituti i Shkencave ishin përzgjedhur tre persona, njëra nga të cilët ishte shkencëtarja Sabiha Kasimati (dy të tjerët, me histori shumë interesante kaluan në procese gjyqësore të veçanta). Sabihaja u mor në pyetje nga shefi i seksionit të Degës së 2-të, Koli Shuke (me profesion rrobaqepës). Listat u përpiluan në këtë mënyrë:

A-Lista e parë, “agjentët e të huajve”
Dega e 1-rë (Zbulimi Politik) drejtuar nga Zoi Themeli (me profesion furrxhi) dhe Dega e 5-të (legatat e huaja) drejtuar nga Delo Balili përpiluan një lista të përbashkët me gjithsej 19 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Thoma Katundi, Mehmet Ali Shkupi, Gjon Temali, Fadil Dizdari.

B-Lista e dytë, ballistët, legalistët, pronarët
Dega e 2-të Dega që drejtohej nga Niko Ceta (me profesion furrxhi) me zëvendës Rasim Dedjen (me profesion rrobaqepës) përpiloi një listë me gjithsej 10 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Ali Qorraliu, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Sabiha Kasimati .

C-Lista e tretë, nëpunësit “sabotatorë”
Dega e 3-të (Mbrojtja e Ekonomisë Socialiste) që drejtohej nga Edip Çuçi (me profesion specialist djathi) përpiloi një listë me gjithsej 12 persona, kryesisht nëpunës në ministri apo ndërmarrje. Nga kjo listë u ekzekutuan: Pjerin Guraziu, Qemal Kasoruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia. / KultPlus.com

Legjendat e muzikës shqiptare, sonte në Zanzi Jazz Bar

Zanzi Jazz Bar në Prishtinë po vjen me një koncept të ri dhe tejet tërheqës që ju kushtohet artistëve më të mirë shqiptarë të të gjitha trojeve, shkruan KultPlus.

Kështu, çdo të shtunë, duke filluar nga sonte, do të mbahet tributë për bendet që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e skenës së muzikës moderne shqiptare.

Seti i parë i këtij projekti, i cili mbahet sonte, ju kushtohet legjendave të muzikës shqiptare si: Gjurmët, Telex, Muharrem Qena, Minatori, Jericho etj.

“Ky është një koncept i ri i Zanzit që i kushtohet të gjithë artistëve më të mirë shqiptarë. Çdo të shtunë bëjmë tributë për bendet që kanë lënë histori në skenën e muzikës. Çdo javë janë të përzgjedhur të ndryshëm. Kështu të gjithë artistët më të mirë të të gjitha kohërave do të jenë pjesë e këtij projekti”, ka treguar organizatori Nesim Maxhuni për KultPlus.

Gjithçka do të vijë e sjellë mrekullisht sonte nga ora 22:30 në Zanzi Jazz Bar në Prishtinë, nga instrumentistët: Lis Asllanaj, Art Lokaj, Fatjon Miftari dhe Nesim Maxhuni. / KultPlus.com

Mbrëmje gala për 60 vjetorin e Shkollës së Baletit

Një mbrëmje gala, e organizuar në nder të 60 vjetorit të krijimit të Shkollës së Baletit, bëri bashkë breza të ndryshëm të këtij institucioni.

Gjatë kësaj mbrëmje ishin të pranishëm nxënës, mësues, balerinë të njohur të skenës shqiptare, si dhe ish-nxënës dhe mësues.

Nxënës të klasave të ndryshme interpretuan për të pranishmit pjesë koreografike moderne dhe klasike. Ndërsa u ndanë edhe medalje mirënjohje për ish-profesorët e kësaj shkolle dhe balerinë.

Me fillimin e këtij viti të ri shkollor, 230 artistët e rinj, nxënës të Shkollës së Baletit në Tiranë, po studiojnë në një godinë moderne dhe me mjedise të rikonstruktuara. Investimi i bashkisë së Tiranës e ka transformuar Shkollën e Baletit në një godinë moderne.

Shkolla koreografike e Tiranës u hap më 1957 dhe që prej atij viti e deri më sot ka vënë në skenë kryevepra të baletit botëror, si dhe është vlerësuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Shumë prej balerinëve që kanë studiuar në këtë shkollë janë emra të njohur edhe jashtë vendit si Ilir Kerni, Kledi Kadiu, Ambeta Toromani, Ilir Shaqiri, Leon Cino, Klajdi Selimi, etj

E hapur në fillim me cikël mësimor 6-vjeçar pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, më pas u zgjat me një afat 8-vjeçar. Në fillim përgatiste valltarë për këtë institucion dhe për institucione të tjera artistike. Më 1972 kaloi në varësi të shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, ku pranoheshin nxënës nga klasa e IV e shkollës 8-vjeçare.

Para ‘90-s ishte institucioni bazë për përgatitjen e valltarëve për institucionet profesioniste, për shtëpitë e kulturës në rrethe dhe në përgjithësi për lëvizjen artistike amatore. Përveç lëndëve themelore të shkollës së mesme të përgjithshme, jepeshin njohuri për artin koreografik botëror, historinë e baletit shqiptar etj. / KultPlus.com

Shqiptarja mes 10 kompozitorëve më të mirë në botë

Kompozitorja fituese e festivalit të RTSH-së me këngën “Përrallë”, Olsa Toqi, është duke marrë pjesë në një nga evenimentet më të rëndësishme të zhanrit operistik kontemporan, siç është “Internacional Opera Giaccomo Puccini” që u mbajt në Lucca.

Toqi është përzgjedhur ndër shumë kompozitorë pjesëmarrës nga e gjithë bota në 10-shen më të mirë me anë të projektit të saj operistik. Nën kujdesin e kompozitorit Girolamo D’eraco, Drejtor i Clauster Italia, Toqi ka kompozuar Operan ‘Meladrama’ .

Në Shqipëri opera e parë shqiptare “Mrika”, u kompozua më 1958, pak vite më vonë vijoi Skënderbeu dhe më pas nuk pati kompozime të tjera. Pas kaq vitesh Toqi është kompozitorja parë shqiptare që po kompozon Opera. / KultPlus.com

74 vjet nga Lidhja e Dytë e Prizrenit

Sot janë bërë 74 vjet që nga mbledhja e Kuvendit në Prizren, i cili zgjati deri më 20 shtator dhe ku ishte vendosur për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekyekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej Z.Z, Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi.

Kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Musa Shehu, paraqiti rendin e ditës për t’u zgjedhë Paria e Kongresit që përbërë prej kryetarit, dy nënkryetarëve dhe një sekretari.

Me votim të fshehtë, Musa Shehu zgjidhet kryetar i kongresit, Aqif Blyta nënkryetar, Raxhep Krasniqi nënkryetar. Ndërsa sekretar i Kongresit u emërua, Bedri Gjinaj.

Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta.

Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17-21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes.

Kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejanin, pas Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944.

Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica ishte kryeministër.

Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë.

Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre.

Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane. / KultPlus.com

Vdes aktori Dean Stanton

Ka vdekur në moshën 91-vjeçare aktori Dean Stanton, i njohur kryesisht për rolet në filmat si “The Goodfather II”, “Alien”, dhe “Cool Hand Luke”.

Stanton vdiq në spitalin Cedars Sinai në Los Angeles mbrëmë vonë.

Stanton lindi në West Irvine në vitin 1926 nga një baba i fermerëve të duhanit dhe një nënë kuzhiniere.
Stanton gjithashtu ishte edhe muzikant e këngëtar. / KultPlus.com

Letërdëshmi: Nënë Dranja lejon që bija e saj Gonxhja të hyjë në Kuvend (FOTO)

Këto ditë është gjetur në arkivat e etërve Jezuit në Zagreb letra e nënshkruar nga Nëna e Nënë Terezës, Drane Bojaxhiu, me të cilën ajo lejon hyrjen në Kuvend të bijës së saj Gonxhes. Dranja në këtë letër, në njëfarë mënyre profetizon shenjtërimin e saj, pasi dëshira e saj e vetme është “ta shoh të kënaqur dhe të lumtur te Zoti në qiell.” Kjo letër vjen për herë të parë e përkthyer në shqip nga revista “Drita”.

Teksti i plotë i letrës i përkthyer në shqip:

Letër dëshmi me të cilën Nëna e Gonxhes ia lejon asaj hyrjen në kuvend
E nënshkruara Dranja, e veja e Kolë Bojaxhiut, kam njohur që bija ime Gonxhja, ka thirrje prej Zotit, për të shkuar për misionare. Nuk dua ta kundërshtoj vullnetin e Zotit. Me këtë ia jap lirinë e plotë, për ta ndjekur thirrjen e Zotit. Prej saj nuk kërkoj ndonjë ndihmë tjetër, përpos që të lutet për mua. Në veçanti ia lejoj të shkojë në Indi, ku ajo ka zgjedhur. Ja porosisë atë eproreve të sajë, që ta ruajnë, që të mund ta shoh njëherë të kënaqur dhe të lumtur te Zoti në qiell.
Shkup, më 11 korrik 1928.
Drania Koles

Këtë leje e shkroi ajo në Zyrën famullitare para meje.
Shkup, 11. VII. 1928 P. Anton Buković, bashkëpunëtor në famulli

Letra origjinal në kroatisht e nënshkruar nga Drane Bojaxhiu