Komedia fantastike “Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis me regji të Ilir Bokshit është shpërblyer me dy çmime në Festivalin e Komedisë në Preshevë, shkruan KultPlus.
Aktori Ernest Zymberi ka rrëmbyer çmimin aktorin më të mirë jo – protagonist, ndërkaq “Shfaqja që shkon keq” është shpërblyer me ‘Çmimin special i Festivalit’.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e teatrit në të Gjilanit.
“Komedia fantastike “Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis, regjisor: Ilir Bokshi, prodhim i Teatrit të Gjilanit shpërblehet me dy çmime në Festivalin e Komedisë në Preshevë. Çmimi për aktorin më të mirë jo-protagonist shkon për aktorin Ernest Zymberi dhe “Çmimi special i Festivalit” shkon për shfaqjen “Shfaqja që shkon keq”! Urime, Ernest! Urime, Ilir! Urime, super ekipaaaaa!”, thuhet ndër të tjera në njoftim./ KultPlus.com
Neviana Zhgaba dhe bashkëshorti i saj Ardian Llomi janë pronarët e një fabrike të re të verës në qytetin e Newtown në SHBA. E kanë quajtur “Aquila’s Nest” dhe ka hapur dyert së fundmi në një ndërtesë goditëse, me çelik dhe në formë hambari. Ajo është e vendosur në majë të një kodre me pamje që të lë pa fjalë.
Neviana Zhgaba, adhuruese e fotografisë dhe filozofisë thotë se me bashkëshortin e parashikojnë kantinën e tyre të verës “si një vend ku njerëzit të jenë më të lidhur”.
Kjo është arsyeja që në këtë kantinë ka dhe një piano dhe një dekor të larmishëm me vepra artistike ku tregohen arritjen e Kombeve të bashkuara, gjëra për të cilat Neviana është e apasionuar. Krahas kësaj ndërtese që e kanë ndërtuar mbi shijet e tyre dhe dashurinë për astronominë, janë dhe vreshtat e rrushit prej shtatë hektarësh ku përfshihen varietete si Cabernet Franc, Chambourcin, Marquette, Baco Noir, Riesling, Cayuga White, Valvin Muscat dhe Traminette.
“Kur erdha këtu 12 vite më parë (nga Shqipëria) më pëlqente të eksploroja”, tregon Nevina duke treguar historinë se si lindi ky biznes. “Unë jam gjithmonë e hipnotizuar me gjera të reja, dhe dua të angazhoj dhe të tjerët në përjetimin e tyre”.
Kur ishte në pritje të djalit të saj të dytë, bashkë me Ardianin po kërkonin një fermë për të ndërtuar shtëpinë e tyre, pasi dëshironin që djemtë të rriteshin atje ku mund të endeshin lirshëm dhe të lidheshin me natyrën.
“Këtë pronë e gjeti burri im; Më kujtohet si tani ishte pikërisht pesë vjet më parë në tetor. Babai im ishte akoma këtu. Ai ndërroi jetë nga kanceri i pankreasit…dhe kjo lidhet me të”.
Ajo rrëfen mes emocionesh se të atin nuk e kishte parë për tetë vjet (kur ai ishte në Shqipëri) dhe “kur erdhi këtu e pëlqeu idenë që ne të fillonim shtëpinë tonë të re…”. Ai ishte një ithtar i planit të madh të tyre.
Nevina Zhgaba dhe bashkëshorti i saj Ardian Llomi po rrisin këtu djemtë e tyre, kanë hapur “Aquila’s Nest” Vineyards në Newtown. Nga latinishtja e dimë që “Aquila” do të thotë “shqiponjë” dhe ata thonë se janë frymëzuar nga përrallat mitologjike dhe dashuria e tyre për astronominë. Kjo pasi Aquila është edhe emri i një konstelacioni në formë shqiponje por dhe se ata vijnë nga Shqipëria që gjithë bota e njeh si “Vendi i shqiponjave”./diasporashqiptare/ KultPlus.com
Hanife Sejfulla – Reçani, u lind më 1938, në ambient ku e pati trashëguar këngën nga familja e saj, të cilët e vazhduan traditën e tyre edhe pas shpërnguljes nga Luma, ku në odat e burrave, përveç kuvendeve, muhabeteve e shakave, ia merrnin edhe këngës. Hanifja u martua në moshë fare të re, diku si 17 vjeçare, por bashkëshortin, profesorin e nderuar të gjimnazit të Gostivarit Feim Sejfullai-Reçani, e pat përkrahësin më të madh të saj, i cili realisht rridhte nga një familje me virtyte kombëtare. Talenti i saj u zbulua herët, si nxënëse e klasës së dytë apo të tretë, gjatë manifestimit të këngëve dhe valleve të pionerëve në podiumin e vendosur në rrafshin e Leunovës dhe Niqiforovës, komuna e Mavrovës.
Si 12 vjeçare mori pjesë në organizime të ndryshme në Mavrovë, ku Hanifja hodhi hapat e para si këngëtare. Përveç kësaj, Hanife Sejfulla Reçani dallohej si një vajzë shembullore dhe e shkëlqyer në mësime, gjë e cila i ndihmoi të krijonte portretin e saj si artiste, qysh në moshë fare të vogël.Profesor Lorenc Andoni, në vitet e ’60-ta qe redaktor i muzikës në Radio Prishtinën, duke gjurmuar për këngëtare tjera me vlera, kishte hasur në emrin e Hanifes. Hanifja në këtë periudhë si duket kishte pushuar paksa nga angazhimet artistike, dhe Lorenci me të hetuar këtë shkon drejt e në shtëpinë e saj. Këtu pritet me tradita të larta lumjane nga bashkëshorti dhe nga Hanifja vetë, e profesor Lorenci nënvizon se Hanifja duheshte detyrimisht të vjen të inçizojë në Radio Prishtinën.
Në Prishtinë inçizoi dy këngët më të popullarizuara të saj: “Bien tri daire” dhe “Dil aty ku dole mbramë”. Vitin 1971 vjen ftesa përsëri nga prof. Lorenc Andoni dhe Isak Muçolli për të inçizuar këngë të tjera. Tashmë, Hanifja e pat më të lehtë, meqenëse ishte popullarizuar tej mase dhe publiku kërkonte ta dëgjonte edhe me këngë të tjera. Pas kësaj, punëtorët e UDB-së e akuzojnë pse ka kënduar në Prishtinë e jo në Shkup, ndaj u trasua iniciativa e Talat Avçes dhe e muzikologut Ismail Hoxha që ta ftojnë për të inçizuar në Radio Shkupin.
Të parën këngë për ta inçizuar e caktuan “Për midis pazarit të Durrësit” dhe “Mori cucë matjane”. Hanifja hasi në ndihmesë të madhe nga kryeredaktori i Radio Shkupit Talat Avçe i cili e ndihmon Hanifen që të shkolloheshte në formimin e zërit të saj. Hanife Sejfulla Reçani bashkë me Shaban Stafajn dhe Maksut Deharin e themeluan shoqërinë “Besa” të Gostivarit, e cila funksionoi fuqishëm 8 vjet me radhë. U paraqit me një pjesë të mirë të repertoarit të saj që përbëhej nga këngët lirike, siç kemi: “Dukanja”, “Pse je idhnu ti me mua”, “Prej Tetove në Gostivar”. Në vitin 1970 u shpall “Këngëtare e vitit” për interpretimin e këngëve të Pollogut e të Sharrit. U nderua me disa çmime e mirënjohje, u shpall “Qytetare nderi” nga ana e Kryetarit të atehershem të komunës së Gostivarit, u dekorua edhe me “Medaljen Presidenciale e Meritave” nga ana e presidencës së Kosovës.
Këngë emblemë të saj do ngelen: “Bien tri daire”, “Prej Tetove në Gostivar”, “Moj fusha e Korabit”, “I hipa pamporit”, “Kënga e çobanit”, “Dil aty ku dole mbramë”, “Pse je hidhnu ti me mue”. Në repertoarin e saj kemi një pasuri prej afro 200 këngësh, njëra më e suksesshme se tjetra. Vitet e fundit të jetës i kaloi pranë gjirit familjar, ashtu e sëmurë nën përkujdesjen e fëmijëve dhe bashkëshortit. Zemra e saj pushoi së rrahuri më 17 nëntor të 2017, duke lënë pas vetes fëmijët, familjen dhe thesarin e saj artistik,e mbi të gjitha, la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrën e artit të kombit tonë.
Për burimet e informacioneve u siguruam nga anëtarët e familjes Sejfullai / Qendra Colibris!
Matt Haig, Malorie Blackman dhe Adam Kay janë në mesin e qindra shkrimtarëve që janë bërë bashkë në një iniciativë të përbashkët për të inkurajuar lexuesit që të blejnë libra nga librashitësit e tyre lokalë, pasi një bllokim i dytë në Angli i detyron dyqanet në vend që të rimbyllen.
Librashitësit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar tashmë kishin hasur në vështirësi pas bllokimit kombëtar këtë pranverë, me disa kufizime për parandalimin e koronavirusit ende në fuqi në Skoci, Uells dhe në Irlandën e Veriut. Por ata kanë frikë nga ndikimi shtesë i mbylljeve të vendosura gjatë periudhës së Krishtlindjes, kur disa nga librat më të njohur të vitit lëshohen dhe zakonisht ka një rritje të shitjeve, shkruan “The Guardian”.
Holly Bourne doli me idenë e sigurimit të dyqaneve me libra të nënshkruar e të personalizuar për të stimuluar klientët për të blerë nga dyqanet lokale në vend të blerjeve online. Kur ajo ua përmendi planet e saj shkrimtarëve të tjerë, bëri jehonë dhe më shumë se 300 shkrimtarë tani janë regjistruar në iniciativën “#SignForOurBookshops”, duke përfshirë David Nicholls, Dolly Alderton, Jack Monroe, Holly Webb, Juno Dawson dhe Dorothy Koomson.
“Karantinimi u bë i ditur të shtunën, e unë të dielën sapo u zgjova duke u ndier shumë i shqetësuar për të gjithë”, ka thënë Bourne, “por gjithashtu i shqetësuar se libraritë thjesht do të shkatërrohen – ata ia dolën mbanë në bllokimin e parë, lëvizën male në mënyrë që të jenë akoma funksionale. Por kësaj here të gjithë librat me të rinj kanë dalë dhe njerëzit do blinin për Krishtlindje, dhe unë thjesht u ndjeva i tronditur me situatën e librarive. Mendova se unë e di se çfarë duhet bërë dhe nga fundi i së dielës unë kisha mbi 200 njerëz që u zotuan se do të bëhen pjesë”.
Ilustratori Chris Riddell ka ilustruar një poster për fushatë. Disa autorë janë zotuar të dërgojnë drejtpërdrejt te klientët disa kopertina të personalizuara që ata mund t’ua vendosin librave të blerë në dyqane e derisa të tjerë kanë thënë se ofrojnë që t’i nënshkruajnë librat për libraritë lokale.
“Më pëlqen ideja se autorët po punojnë si kukudhët e Krishtlindjeve gjatë muajit tjetër, duke shkruar mesazhe me shkrim dore për klientët që të promovojnë libraritë”, ka thënë Bourne, autori i disa romaneve, përfshirë “How Do You Like Me Now?” dhhe “Pretending”. “#SignForOurBookshops” ka për qëllim të joshë klientët e mbyllur duke u siguruar atyre mundësinë ekskluzive, librat e nënshkruara që shiten vetëm përmes librarive. Gjithashtu shpresoj të jetë një stuhi mbështetjeje për libraritë, duke ua kujtuar njerëzve që të mbështesin dyqanet e tyre lokale gjatë gjithë bllokimit”.
Lexuesit mund të ndjekin hashtagun “#SignForOurBookshops” për të gjetur autorë pjesëmarrës, në këtë projekt që do të zgjasë deri më 2 dhjetor. “Qëllimi im për fushatën është që unë vetëm dua që çdo librari me tulla dhe llaç që ekziston tani, të jetë akoma këtu vitin e ardhshëm në këtë kohë”, ka thënë Bourne. “Autorët kanë nevojë për librari ashtu si libraritë për autorë”.
Ish-laureatja Malorie Blackman është një tjetër autor që merr pjesë në iniciativën e mbështetur nga Asociacioni i librashitësve. “Si një numër i shitësve të rangut të lartë, edhe shitësit e pavarur të librave po kalojnë periudha tepër sfiduese, kështu që unë jam i lumtur të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar”, ka thënë Blackman. “Librat e nënshkruar nga autorët janë një dhuratë e këndshme në çdo kohë të vitit”.
Matt Haig, autori i njohur i “The Midnight Library”, po ashtu ka vënë në pah ndikimin e kufizimeve në libraritë e pavarura, pavarësisht rritjes së leximit gjatë vitit 2020.
“Kjo është shkatërruese për libraritë, pa dyshim, por edhe për lexuesit”, ka thënë Haig. “Dyqanet e pavarura të botës reale janë fenerë thelbësorë të gëzimit dhe imagjinatës dhe kulturës në qendrat e qytetit tonë, dhe gjithashtu krijojnë një botë libri më dinamik, meritokratik dhe qenësisht njerëzor, larg supermarketeve dhe algoritmeve online pa shpirt. Ashtu si një qytet pa një librari nuk është me të vërtetë një qytet, një botë pa librashitësit dhe libraritë e pavarura, të informuar, të pasionuar do të ishte një botë më e sheshtë, më e zbrazët, më e trishtë”.
Gjatë kësaj jave filloi edhe një iniciativë online, “Bookshop.org”, e cila po shfaq veten si një alternativë e ndërgjegjshme shoqërore ndaj “Amazon”. Faqja u lejon librarive të pavarura të krijojnë dyqanet e tyre virtuale dhe u jep atyre marzhin e plotë të fitimit – 30% të çmimit të blerjeve – nga çdo shitje. Tani janë regjistruar mbi 250 librari dhe “Bookshop.org” deri më tani ka gjeneruar mbi 50.000 funte fitime për libraritë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë kësaj javë.
“Më pëlqen shumë etika e tyre në kuptimin që ata janë këtu për të mbështetur dyqanet e librave dhe për ta bërë më të lehtë për njerëzit, por ata gjithashtu janë me të vërtetë të etur të theksojnë se është gjithmonë më mirë të blesh direkt nga një librari”, ka thënë Bourne. “Qëllimi është mbrojtja, promovimi dhe mbështetja e librarive”./ KultPlus.com
Nesër në Shtëpinë e Kulturës në Prizren do të jete premiera e shfaqjes “İkinci El Cinayet” të dramaturges turke Dilan Demirel dhe regji të Tansu Kervan, shkruan KultPlus.
Lajmi është bëri i ditur me anë të një postimi në Facebook, në faqen zyrtare të Qendrës Multimedia.
“Nesër në Shtëpinë e Kulturës në Prizren ipet premiera e shfaqjes “İkinci El Cinayet” të dramaturges turke Dilan Demirel e në regji të Tansu Kervan. Luajnë aktoret: Sonay Buş e Erza Toçilla. Shfaqja fillon në orën 20:00. Ky projekt është përkrahur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut”, shkruhet ndër të tjera në postim./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës, Qendra Multimedia, Teatri i Gjilanit, Teatri i Ferizajit ‘’Adriana’’, Etno Teatri në Kukaj ka hapur thirrjen për Laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.
Laboratori i dramës bashkëkohore shqipe do të mbahet në fshatin Kukaj në dy faza nën drejtimin e regjisorit e dramaturgut Fadil Hysaj. Pjesa e parë do të mbahet mes periudhës 27 nëntor-3 dhjetor, ndërkaq pjesa e dytë më 18-22 dhjetor të këtij viti.
Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë laborator duhet të jenë në intervalin e moshës mes 18-45 vjeç, teksa të përzgjedhurit do të kenë rastin të përfshihen në proceset kreative të shkrimit të dramës.
Dramat e përfunduara të çdo pjesëmarrësi do të prezantohen para publikut si një lexim skenik dhe do të botohen në një vëllim. Nga të gjitha të shkruarat, tre më të mirat do të përkthehen në gjuhën angleze dhe do të promovohen përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë-Eurodram.
Afati i fundit për aplikim është deri më 19 nëntor, kurse 7 persona janë të paraparë që të përzgjidhen gjithsej./KultPlus.com
Më shumë se një shekull pasi ishte dërguar nga një ushtar gjerman, një mesazh i dërguar përmes një pëllumbi transportues është gjetur rastësisht.
Në shtator, një çift për një shëtitje në rajonin lindor francez të Alsasit, u ndesh me një kapsulë të vogël alumini në një fushë.
Brenda ishte mesazhi, i shkruar në gjermanisht mezi të lexueshëm në një lloj letre gjurmuese.
Mesazhi duket se mban datën 1910, ose 1916.
Dominique Jardy, kurator i Muzeut Linge, afër vendit ku u bë zbulimi, mendon se viti 1910 është më i mundshëm, raporton Le Parisien (në frëngjisht).
Duke e përshkruar gjetjen si “super të rrallë”, ai i tha gazetës se kapsula kishte të ngjarë të kishte dalë në sipërfaqen e tokës me kalimin e kohës, pasi kanë mbetur shumë mbetje ushtarake nga Lufta e Parë Botërore. /bbc/ KultPlus.com
Theresa Kachiandamoto është një grua që do të mbesë sinonim i fuqisë e sakrificës për jetë të jetëve, shkruan KultPlus.
Ajo, e cila u zgjodh kryetare në Malavi, një vend me 900.000 banorë, e cila paraprakisht, për tre vite arriti që të ndalonte rreth 850 martesa të detyruara të vajzave të mitura, i ktheu në shkollë, ju dha mësim falas, si dhe arriti t’i shkatërronte kampet e inicimit seksual, në të cilat bëheshin disa rituale, ku dërgoheshin vajzat sapo bëheshin 7 vjeçe, kampe këto ku burrat e atij vendi paguanin që t’i shfrytëzonin seksualisht, me pretendimin se ai kamp ishte vend edukimi se si një grua të përgatitej për jetën martesore dhe si të mbajë burrin për vete. / KultPlus.com
Lajmi për vaksinën kundër Covid 19 është lajmi kryesor në mediet botërore, por pas kësaj pune shkencore janë dy qytetare me prejardhje turke, të cilët, përfunduan në Gjermani me prindërit, të cilët kishin ardhur për të kërkuar punë në Gjermani.
“Nëse dëshironi të tregoni rrëfime pozitive për migrantët, është pikërisht kompania BioNTech, që është bashkëthemeluar nga Uğur Şahin dhe Özlem Türeci, që të dy fëmijë nga familje migrantësh, që kishin ardhur nga Turqia në Gjermani, përgjatë viteve të 60-ta”, ka shkruar Philip Oltermann, shef i zyrës së The Guardian për Gjermani./ KultPlus.com
Admiruesit e Dua Lipës do të kenë rastin ta dëgjojnë yllin kosovar duke performuar live në ‘’Studio 2054’’, teksa biletat për këtë ngjarje të madhe kanë filluar të shiten, shkruan KultPlus.
Biletat për Dua Lipa Studio 2054 të gjithë dashamirët e këngëtares mund t’i blejnë në platformën Festtix, teksa ngjarja do të transmetohet live edhe në Kosovë.
Më 27 nëntor duke filluar nga ora 21:30 në ‘’Live Now’’, Lipa do të debutoj nëpër setet e krijuara posaqërisht për këtë ngjarje.
‘’Dua do të lëvizë nëpër setet e krijuara posaçërisht për shfaqje, ndërsa ofron një shfaqje surreale televizive në disko me rrota, vallëzimeve ekstatike, në skena të lëvizshme, sallone të modës dhe dhoma të zhveshjes të bëra për diva’’, thuhet në njoftimin e mediave.
Tutje është bërë e ditur edhe se me cilat këngë do të shkëlqej Dua Lipa, duke e bërë performancën e saj një natë të paharruar.
‘’Me perfomanca të pjesëve të albumit “Future Nostalgia”, “Club Future Nostalgia” dhe albumin e saj debutues, asaj do t’i bashkohen edhe shumë super-yje botërore të muzikës që janë ftuar të papritur, për të dhënë një shpërthim euforik lumturie dhe kohë të mira’’.
Biletat për këtë ngjarje mund të blihen nga sot në https://festtix.co.uk/. / KultPlus.com
TeatriiPejës “Istref Begolli”, është një qendër e artistëve profesionist të Pejës, i cili vepron për më tepër se 60 vite në Pejë.
Nga këtu, talentin e aktorit e filluan dhe e përforcuan shuamë aktorë në zë, si: Abdurrahman Shala, Melihate Shabani-Qena, Malo Gami, Kristë Berisha, Ragip Loxha, Nuredin Loxha, Istref Begolli, Faruk Begolli, pastaj, Ahmet Jakupi, Igballe Qena, Asllan Hasaj, Ekrem Taraku, Selami Taraku, Ahmet Spahiu, Afrim Kasapolli, Ekrem Kryeziu e shumë e shumë të tjerë, të cilët, jetës skenike, teatrit, filmit, TV-së dhe përgjithësisht kulturës i dhanë shpirt, për të ecur më pastaj drejt të arriturave kulturore edhe jashtë kufijve të Kosovës.
Paraqitjet jashtë vendit, në nivele të tjera të këtij teatri kanë qenë pjesëmarrjet nëpër aktivitete të ish-Jugosllavisë. Shfaqjet e luajtura merrnin pjesë në festivale amatore të teatrove jugosllave. Ndër to dallohen shfaqjet “Te kulla e Hasim Bajraktarit” dhe “Nita” e Josip Reles , ku u klasifikuan si shfaqjet më të mira në Hvar të Kroacisë, por edhe pas çlirimit, ky teatër është përfaqësuar në vende të ndryshme.
Aver Husaj, drejtor i sektorit të kulturës në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë ka shpjeguar për gjendjen në këtë institucion kulturor.
“Në teatër mungon drejtori i mirëfilltë, por ditët e teatrit janë duke ardhë, edhe pse teatrove është ndaluar të kenë linjë buxhetore të vetën. Si objekt, teatri “Istref Begolli” është një ndër teatrot më të bukura në qytetet e Kosovës”, ka thënë Husaj, i cili ka shpjeguar se brenda këtij institucioni prezantohen deri në tri premiera brenda vitit, ku në mesin e tyre ka edhe ka shfaqje për fëmijë, por edhe shfaqje mysafire, i cili teatrin e ka cilësuar si kulmin e kulturës.
“Një kohë të gjatë s’kemi pasur aktivitete të mirëfillta”, ka thënë ai, duke iu referuar edhe situatës me pandeminë globale, por duke shpresuar se pas kësaj situate, edhe aktivitetet por edhe publiku do të rikthehen në këtë institucion kulturor.
Kurse sa i përket infrastrukturës, ai kë thënë se në këtë objekt mungon zërimi, ndriçimi, dërrasat e skenës nuk janë të një niveli të duhur, ngrohja dhe elemente tjera përcjellëse.
Në trupën rezidente të Teatrit “Istref Begolli” bëjnë pjesë: Agon Bala, Florment Shabaj, Aida Alidemi, Luan Daci, Fitore Broqi, Shpresa Kelmendi, Erodita Ramshaj.
Agon Bala, aktori nga Peja, i cili ka mbi 20 role është njëri ndër anëtaret e trupës teatrale profesioniste të teatrit “Istref Begolli” në qytetin e Pejës.
“Teatri i Pejës është në gjendje stabile, ka trupën teatrale, teatrit të Pejës i mungon vetëm drejtori, ai na duhet patjetër sepse është timoni i cili i udhëheq punët në teatër”, ka thënë ai, i cili ka shpjeguar edhe për repertorin e këtij institucioni.
Ai ka treguar për përvojën e tij si aktor dhe si regjisor në këtë institucion, duke specifikuar përvojën e mirë edhe përgjatë udhëtimeve jashtë shtetit, e sidomos, pjesëmarrja në një festival të Rumanisë.
Diellza Vokshi qytetare nga qyteti i Pejës, mendon se teatrit “Istref Begolli” i mungon edhe marketingu.
“Unë personalisht sa herë ka shfaqje teatrale mundohem të gjejë kohen për të shkuar, por teatrit “Istref Begolli” i mungon edhe marketingu, ka pas raste që e kam kuptuar shumë vonë për shfaqjet dhe kam mbet pa i përcjellë”, ka thënë Vokshi mbi këtë institucion, që pos shfaqjeve të pakta, problemeve me infrastrukturën, sipas saj i mungon edhe një marketing i duhur. Diona Krasniqi./ KultPlus.com
Pafajësia e një fëmiu i cili kap një dele me duart e tij pati tërhequr vëmendjen e fotografit Arian Mavriqi, i cili e pati drejtuar aparatin drejt kësaj pamje për ta shkrepur. Sot, kjo fotografi e bukur është përzgjedhur për t’u shfaqur në Mural Fest, shkruan KultPlus.
Ishte artisti Slim Safont ai i cili zgjodhi që kjo fotografi të merrte vend në një hapësirë publike, duke qenë e ekspozuar në murin e një banesë të Ferizajit. Kësisoji, nëpërmjet shfaqjes së kësaj fotografie, kalimtarët do të kenë një ndjesi të bukur sa herë që ta shohin.
Mural Fest kishte nisur rrugëtimin në vitin 2016 për t’i falur gjallëri mureve nëpërmjet artit./ KultPlus.com
“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin”, tha në një deklaratë Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, përcjellë KultPlus.
Kompania e ilaçeve Pfizer tha se analiza e hershme tregoi se kandidati i saj i vaksinës për Covid-19 është më shumë se 90 përqind efektiv në parandalimin e infeksionit.
Lajmet nga Pfizer dhe partneri i tij gjerman, BioNTech SE, janë mirëpritur si një hap i madh në luftën kundër një virusi që ka shkatërruar ekonominë globale, ka shkatërruar jetën e përditshme për miliarda dhe ka vrarë 1.26 milion njerëz – gati 240,000 vetëm në SHBA.
Studimi tregon se njerëzit që morën dy doza si pjesë e provës panë 90 përqind më pak raste simptomatike të Covid-19 sesa pjesëmarrësve të cilëve iu dha një placebo. Ky është një sukses shumë më i lartë sesa shumë ekspertë kishin pritur.
“Sot është një ditë e shkëlqyeshme për shkencën dhe njerëzimin,” tha Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, në një deklaratë. “Ne jemi duke arritur këtë moment të rëndësishëm në programin tonë të zhvillimit të vaksinave në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të me normat e infeksioneve që vendosin rekorde të reja, spitalet pranë kapacitetit të tepërt dhe ekonomitë që përpiqen të rihapen.”
Mirëpo kjo nuk do të thotë që vaksina do të jetë menjëherë e disponueshme. Gjithashtu është akoma e paqartë se sa do të zgjaste imuniteti ndaj virusit, as sa gjerësisht do të ishte në dispozicion një vaksinë e tillë dhe sa shpejt. Pfizer tha se bazuar në parashikimet aktuale pret që të prodhojë globalisht deri në 50 milion doza vaksinash në 2020 dhe deri në 1.3 miliardë doza në 2021. /nbcnews/ KultPlus.com
Kolonia ndërkombëtare e artit pamor ‘Art Tirana’ bashkoi në Tiranë artistë nga vende të ndryshme, duke i bërë që të thellohen në kombinimet e ngjyrave përgjatë datave 4-8 nëntor, shkruan KultPlus.
Artistë nga vende të ndryshme duke përfshirë kështu Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kazakistanin, Francën, Turqinë, Bosnjën dhe Bullgarinë u bënë bashkë në qëndrimin e tyre katër ditor në koloninë ‘’Art Tirana’’, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e krijimtarisë pavarësisht situatave.
Përderisa kurator i kolonisë ishte Fehmi Hoxha, drejtor artistik Amarildo Ruçi dhe organizatore Ina Kollçakun, ky organizim bëri që artistët pjesëmarrës të frymëzohen në ambientet e amfiteatrit të Liqenit në Tiranë dhe të largojnë dallimet kulturore nëpërmjet artit.
Një nga pjesëmarrëset ishte edhe skulptorja Arjeta Miftari, e cila ndau me KultPlus përshtypjet e saja për këtë organizim.
‘Ky organizim ka qenë i jashtëzakonshëm me faktin që ka bashkur artistë të mëdhenj në këtë kohë të vështirë. Është hera e parë që po organizohet diçka e tillë me një ambient të hapur dhe frymëzues’, vlerësoj Miftari.
Fituesja e çmimit “Skulptorja e vitit 2018” në Tiranë, nga të gjitha organizimet ku ka marrë pjesë, këtë e vlerëson si të veçantë.
‘’Unë kam qenë pjesë e shumë simpoziumeve, kolonive, eventeve ndërkombëtare por, konsideroj se kjo ka qenë një organizim i nivelit të lartë’’, thekson Arjeta Miftari.
Në anën tjetër kolonia kishte ndikuar pozitivisht që Arjeta të krijonte diçka të bukur. Ajo shprehet se frymëzimin e gjen në jetën e përditshme, madje edhe në ngjarjet kulturore ndërkaq në këtë organizim ka përfunduar 3 vepra arti.
‘’Unë kam ralizuar 3 piktura me tema të ndryshme duke perfshirë edhe figura nga artefaktet e ndryshme’’, thotë Miftari.
Përderisa organizimi i kësaj kolonie në kohë pandemie ka qenë i vështirë, për Miftarin ishte tejet e mirëpritur dhe me një mesazh të fuqishëm.
‘’Mesazhi i kësaj kolonie ka qenë të bashkohen të gjithë përmes artit dhe sensibilizimi i gjeneratave të reja’’, shprehet skulptorja Miftari.
Miftari në koloni kishte pasur rastin t’i takoj miqtë e saj artistë, ndërkaq me ata të cilët i njohu në këtë koloni, ajo thekson se shkëmbeu përvoja interesante.
‘’Secili nga artistët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm duke bërë që secili nga ta të pasqyroj ngjyrat , format me plot dashuri’’, tha Miftari.
Disa nga artistët shqiptarë të pranishëm ishin Saimir Strati, Arif Lushi, Azem Kucana, Saimir Ahmeti, Adriana Pelushi, Jona Davidi dhe shumë të tjerë. Kolonia ‘’Art Tirana’’ është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës. / KultPlus.com
Në radhët e ushtarëve amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore pati edhe nga ata me origjinë shqiptare, të cilat ishin pjesë e Forcave të Armatosura të SHBA-ve që shkuan në frontet e Paqësorit kundër Japonisë dhe të Europës, kundër Gjermanisë.
Një foto e rrallë e veteranëve shqiptaro-amerikanë është botuar në memorie.al. Nuk ka një statistikë të saktë, por besohet se numri i emigrantëve shqiptarë të rreshtuar në ushtrinë amerikane gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ishte relativisht i lartë. Madje një ndër eksponentët më të njohur të Shërbimit Informativ të SHBA-së gjatë viteve 1939 – 1945 (OSS), i quajtur Thomas Stephan (Thoma Stefani) u atashua në Shtabin e Përgjithshëm të UNCSH, dhe personalisht pranë vetë Enver Hoxhës.
Fotoja në fjalë është bërë disa vite pas përfundimit të luftës, ku tashmë ish ushtarakët shqiptaro-amerikanë do të gëzonin edhe statusin e “Veteranit të Luftës së Dytë Botërore”. Nga e majta në të djathtë, Angelo Andoni, George Ratska, James Kosmo, George Chani, Louis Kosmo, Nick Toska, ëilliam Kosmo, Steve Peters, dhe James Kristo. Ulur, Dr. Andrea Elia, Paul Apostoli, Al Tromara, Peter Chani, John Chicos, dhe Peter Lucas. / KultPlus.com
Projekti i dy vajzave arbëreshe është promovuar në Institutin Kroat të Muzikës në Zagreb (HGZ). Dina Buçiq dhe Melita Ivković janë dy vajzat arbëreshe që kanë realizuar këtë projekt etnomuzikor në kanalin “Youtube”.
Melita si kompozitore e instrumentiste, ndërsa Dina si interpretuese, sjellin dhjetë këngë, të cilat ringjallin motivet muzikore thuajse të harruara të komunitetin shqiptar të Zarës.
Udhëhequr nga maestro Edin Karamazovin, Dina dhe Melita, si profesioniste në fushën e muzikës, kanë interpretuar në skenë këngët shqiptare, në të cilat kanë arritur të ruajnë të vjetrën dhe në të njëjtën kohë, të krijojnë në mënyrë unike diçka të re.
Këtë album e kanë titulluar me emrin arbëresh “Bërbili” ”(në kroatisht “Slavuj”) dhe një nxitje të madhe për realizimin e këtij albumi ka dhënë edhe profesoresha Maximiljana Barančić, e cila është njëherësh edhe anëtare e Këshillit Koordinues të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. / KultPlus.com
Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në orën 17:00, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetin e vet në kujtim të shkrimtarëve të ndjerë të vendit.
Në këtë mbrëmje që shënon mbrëmjen e tetë të PEN Qendrës, përkujtohet shkrimtari e poeti për fëmijë e të rritur, skenaristi dhe mjeshtri i humorit, Rifat Kukaj.
Për Rifat Kukajn do të flasin miku i tij i letrave Ibrahim Kadriu dhe studiuesja Qibrije Demiri Frangu, ndërkaq mbrëmja do të udhëheqet Binak Kelmendi.
PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe dy mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.
Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, është nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Për çështjen e Kosovës sa kalon koha aq më shumë flitet. Më shumë flasin politikanët e sferave të partive politike se sa historianët e vërtetë dhe njerëzit e kulturës , që kanë një mendim racional , të painfektuar nga pasionet partiake.
Ata që kanë pasione partiake mundohen që problemin e Kosovës ta shpien në mullirin e partisë së tyre, për të bluar miellin që gatuan petulla propagandistike për t’ua shpërndarë atyre njerëzve që kanë në mend t’i bëjnë për vete.
Montessori School of Kosova (MSK) u themelua në vitin 2016 në kuadër të institucionit parashkollor ‘Loja’ në Prishtinë për moshat 1 – 6 vjeç.
Hulumtimet e vazhdueshme ishin hapat e parë ku themeluesja e kësaj shkolle, znj. Rinesa Deshishku, së bashku me ekipin e saj, vizituan shtetet si Holanda, Kroacia dhe Norvegjia për të mësuar rreth metodës Montessori. Znj. Deshishku, gjatë hulumtimit të saj, krijoi lidhje me trajnerë ndërkombëtarë, duke mundësuar trajnimin e edukatoreve në Kosovë me metodologjinë Montessori në Loja dhe MSK.
Klasët e MSK janë të pajisuara tërësisht nga materialet e zhvilluara nga vet Maria Montessori dhe bashkëpunëtorët e saj, për t’iu ofruar fëmijëve zhvillimin e nevojshëm gjatë viteteve të para të jetës së tyre në fushën e shkathtësive praktike për jetë, në kulturë, shkencë, gjuhë, matematikë, zhvillimin sensorial, sport, etj.
Sot znj. Deshishku është duke përfunduar studimet Master në fakultetin e edukimit të universitetit prestigjioz ‘Harvard University’.
Çfarë është Montessori?
Montessori është një metodologji edukimi që praktikohet në të gjithë botën, e në veçanti në shtetet më të zhvilluara evropiane, si Norvegjia. Kjo metodologji u themelua në vitin 1907 nga Dr. Maria Montessori, e cila studioi arsimin në nivel shkencor duke vëzhghuar fëmijët nga lindja e deri në moshën e rritur.
Metoda e Dr. Montessori është testuar me kohë, me mbi 100 vjet sukses, në kultura të ndryshme në të gjithë botën. Nga viti 2016 kjo metologji është implementuar në tërësi nga Montessori School of Kosova edhe në Prishtinë.
Metodologjia Montessori është projektuar si zgjidhje direkte ndaj problemeve të edukimit tradicional, të cilat janë identifikuar të jenë:
1. Trajtimi i të gjithë fëmijëve sikur janë të njëjtë.
2. Cënimi i lirisë së lëvizjes, të lirisë së zgjedhjes dhe lirisë së shprehjes.
3. Promovimi i konkurencës dhe ndjenjës së frikës nga gabimet.
4. Ulja e kreativitetit dhe vetëbesimit.
5. Promovimi i bindjes dhe konformitetit.
6. Inferioriteti i fëmijës ndaj të rriturit ose mësuesit.
Në anën tjetër, Metodologjia Montessori ka këto elemente thelbësore:
1. Klasë me mosha të përziera në mënyrë që fëmijët të mësojnë nga njeri-tjetri.
2. Liria e fëmijës/nxënësit për ta zgjedhur aktivitetin brenda disa opsionesh të përcaktuara (liria brenda kufijve).
3. Koha e pandërprerë e punës individuale të nxënësit për ta zhvilluar koncentrimin.
4. Një model “zbulimi” ku nxënësit mësojnë koncepte nga puna me materiale, dhe jo nga ligjëratat e mësimdhënësve, ku fëmija është në qendër të vëmendjes e jo mësuesja.
5. Materialet e specializuara arsimore të zhvilluara nga Maria Montessori dhe bashkëpunëtorët e saj.
6. Një mësues i trajnuar sipas metodologjisë Montessori që përcjellë zhvillimin e fëmijës dhe ka përvojë në vëzhgimin e karakteristikave, tendencave, talenteve të lindura dhe aftësive individuale të fëmijëve.
Balkan Film Market do të takoj në Tiranë profesionistë të shumtë të kinematografisë duke filluar nga 12 nëntori e deri më 15 nëntor, shkruan KultPlus.
Edicioni i katërt do të vie me moton ‘’bashëpuno, krijo dhe ndaj’’ duke bashkuar në Tiranë agjenci audio-vizuale dhe profesionistë nga Evropa dhe Ballkan.
Balkan Film Market është një ngjarje rajonale e industrisë së filmit në formën e një tregu për biznesin e filmit me fokus kryesor në marrëveshjet e prodhimit dhe shpërndarjes.
Ky organizim mbetet i përqendruar para së gjithash në historitë Ballkanike për audiencat Ballkanike. Mbështetësit e sivjetëm janë Qendra Kombëtare e Kinematografisë Ambasada Franceze dhe të tjerë. / KultPlus.com
Çmimi “Artistët e së nesermës” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare, mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion – Qendrën për Art Bashëkohor Prishtinë dhe të marrin pjesë në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesermës” edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndimi në Residency Unlimited. Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020, e përbërë nga Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Flaka Haliti, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe punën egzistuese.
Laureta Hajrullahun është përzgjedhur në listën e ngushtë për projektin dhe qasjen e saj poetike ndaj çështjeve kritike të kohës sonë – si marrëdhënjet midis jetës sintetike dhe organike, natyrës dhe civilizimit, dhe qenieve njerëzore dhe teknologjisë – dhe konsideratën se çka sfidat shoqërore ose realitetet e reja që ato i sjellin. Në punën e saj, Hajrullahu i sheh mediat digjitale si tipar përcaktues të jetës bashkëkohore dhe mjet me të cilin mund të zbërthehen kufijtë midis botës fizike dhe asaj virtuale.
Laureta Hajrullahu (1997) ka lindur në Preshevë. Është artiste vizuale në fillim të karrierës së saj. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në të njejtin vend. Më pas, vazhdoi studimet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Interesat artistike të Lauretës qëndrojnë në temat e privatësisë, gjinisë, intimitetit, ekosistemeve digjitale, udhëtimit në kohë, dritës artificiale dhe të ardhmet e pamundshme… Prandaj, ajo paraqet një larmi pikëpamjesh kritike mbi realitetin duke dekonstruktuar dhe vazhdimisht duke rikrijuar kufijtë midis botës virtuale dhe asaj fizike, duke përdorur media digjitale.
Finalisti i dytë është Shkamb Jaka, pikturat e të cilit me forma abstrakte dhe figurative përmbajnë imazhe të koduara që kanë të bëjnë me përvoja reale ose të imagjinuara, ose ato që ai i konsideron si “në mes”. Juria ishte e interesuar për procesin artistik të Jakës që përfshin dekonstruktimin e sjelljeve njerëzore dhe mënyrën e të menduarit dhe më pas “ri-materializimin” e tyre, kryesisht përmes mediumit të pikturës dhe së fundmi, me një masë humori, në film.
Shkamb Jaka është i lindur në vitin 1997 në Gjakovë. Në 2017 ai u zhvendos në Prishtinë për të studiuar pikturën në Fakultetin e Arteve në Univesitetin e Prishitnës, ku edhe diplomoj në vitin 2020. Gjatë studimeve ai ka qenë pjesë e disa ekspozitave grupore dhe ekspozitës personale “DisDeKodim” të mbajtur në “Menza Ramiz Sadiku” në vitin 2020. Puna e tij fokusohet në pikturë mirëpo hulumton edhe media të tjera.
Finalisti i tretë është Brilant Milazimi, pikturat figurative të të cilit duken edhe të afërta dhe të frikshme në përshkrimin e tyre të formave të zgjatura njerëzore brenda një hapësire të papërcaktuar ose disi të luhatshme. Duke u bazuar në rrëfime personale dhe kolektive, puna e Milazimit pasqyron një hulumtim të vazhdueshëm të zhvillimit shoqëror dhe politik të shoqërisë civile në Kosovë dhe asaj që ai e sheh si një “psikologji shoqërore” më të madhe të formuar nga sfidat rreth lirisë së shprehjes dhe lëvizshmërisë.
Brilant Milazimi është i lindur më 1994, në qytetin e Gjilanit, ku e kreu edhe shkollën e mesme profesionale të artit “Adem Kastrati” në drejtimin e pikturës. Diplomoi ne Fakultetit e Arteve në Prishtinë. Milazimi është një ndër themeluesit e “Hap” – komunitetit për art bashkëkohor, përbërë prej 4 artistëve, të cilët vazhdojnë të japin kontributin e tyre në drejtimin e artit bashkëkohor që nga viti 2017.
Ekspozita e parë personale e Brilant Milazimit ishte “Woke” (2019) e mbajtur në “LambdaLambdaLambda”, Prishtinë, Kosovë. Ai, gjithashtu ka qenë pjesë e ekspozitave kolektive, në vitin 2020 me ekspozitën “Keeping the Balance” në Ludwig Museum, ekspozitë e përkohshme që paraqet rreth gjashtëdhjetë punime nga Art Collection Telekom dhe ekspozitën virtuale “Artistët në karantinë” organizuar nga Shtëpia e Evropës në Prishtinë ne bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Në vitin 2019 ka marrë pjesë në ekspozitat: “A Pristine Blind Date”, ekspozitë e realizuar si pjesë e punëtorisë mbajtur nga Petrit Halilaj dhe Elise Lamme; ekspozita “Artistët e Rinj”, në Galerinë Kombëtare të Kosovës; Çmimi “Gursel Sylejmani”, Galeria e Arteve, Ferizaj; “External”, interevenim publik, instalacion në kuadër të “Hap”, përballë Galerisë Kombëtare. Në kuadër të “Hap”, në vitin 2018 ka realizuar intervenimin në hapësirë publike, instalacion/performacë, “You need we need!” në oborrin e Fakultetit të Arteve, Prishtinë dhe me 2017 si pjesë e ekspozitës “Emerge” në hapësirat e Fakultetit të Arteve, Prishtinë.
Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 do të shpallet me 11 dhjetor 2020 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2020.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmimi kryesor për art për artistët e rinj bashkëkohor në Kosovë i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York dhe The Trust for Mutual Understanding në New York.
Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmës”, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.
Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesëve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artitike në SHBA, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të teksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndrroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyer ekselencën artsitike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.
Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit “Artistët e së nesërmës” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimit e gjithmbarshme në artin bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.
Çmimi “Artistët e së nesërmës” organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë.
Ekspozita do të mund të vizitohet nga të gjithë të interesuarit që gjatë vizitës ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtje personale nga COVID-19, duke mbajtur maska higjenike, duke mbajtur dorëza apo pastruar duart në hyrje dhe duke respektuar distancën e rekomanduar nga vizitorët e tjerë gjatë vizitës në hapësirën ekspozuese. / KultPlus.com