Ceremonia për konkursin ‘Letër Presidentes’ mbahet nesër në KultPlus, presidentja Osmani do të takohet me fëmijët

Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.

Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast dhjetë fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do t’i lexojnë letrat e tyre para presidentes.

Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Eventi mbahet nesër, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

‘Dante Alighieri’ zbret në hapësirë: Arrin asteroidi “Divinacommedia”

Nuk ka dyshim se Dante Alighieri është një nga figurat letrare më të famshme në botë. Megjithatë, së shpejti, fama e poetit do të shtrihet edhe në hapësirë.

Në fakt, më 30 qershor, me rastin e Ditës së Asteroidit , do të prezantohet asteroidi ” Divinacommedia “.

Propozimi u paraqit nga astrofizikani Gianluca Masi, drejtori shkencor i Projektit Virtual Telescope, për të festuar kryeveprën universale të Dantes 700 vjet pas vdekjes së tij.

Ishte vetë studiuesi italian që zbuloi trupin qiellor së bashku me kolegun e tij francez René Michelsen në shkurt 2003.

Të dy ishin në Kili kur një “objekt ndërhyrës” hyri në fushën e imazheve të tyre.

Pas identifikimit të asteroidit, Minor Planet Center i caktoi asaj numrin e identifikimit 65487, derisa kërkesa e Masi, e pranuar nga Bashkimi Astronomik Ndërkombëtar, për ta riemëruar atë në nder të poetit Fiorentin.

“Divinacomedia” ndodhet në brezin asteroid midis Marsit dhe Jupiterit, 381 milion kilometra nga Dielli dhe duhen gati katër vjet për të përfunduar një orbitë rreth yllit tonë.

Ka një diametër të vlerësuar prej rreth 3.5 kilometrash dhe rrotullohet në vetvete për rreth tre orë e gjysmë.

Dita e Asteroideve – Prezantimi zyrtar i “Divinacommedia” është planifikuar për në fund të Qershorit, me rastin e edicionit vjetor të ditës kushtuar asteroideve.

Festa shënon përvjetorin e ndikimit më të madh të dokumentuar të një trupi qiellor në planetin tonë, i cili u rrëzua më 30 qershor 1908 në Siberi.

Përvjetori i Poetit Suprem – Zgjedhja e Gianluca Masi për të bërë homazhe ndaj Dante Alighieri nuk vjen rastësisht: në fakt, 2021 shënon 700 vjetorin e vdekjes së autorit të Komedisë Hyjnore, e cila u zhvillua në Ravenna në 1321. / Gazeta Express / KultPlus.com

Si përfundoi modeli origjinal i Davidit në Muzeun “Victoria & Albert”, në Londër

Davidi në sheshin Piazza della Signoria po dëmtohej shumë, ndaj lindi nevoja e përnjëhertë të përgatitej një vend më i përshtatshëm në ambiente të mbyllura. Davidi, që mbante mbi supe peshën e shekujve, duhej të vihej nën mbrojte nga shirat, dielli dhe thëllimi.

U vendos që të zëvendësohej me një kopje bronzi shumë besnike me origjinalin. Kjo është edhe arsyeja, se përse Clemente Papi guxoi të krijonte një model të dobët të Davidit në vitin 1847. Siç e dini, sot në vend të Davidit ndodhet një kopje e skalitur në mermer: florentinasit nuk donin që gjigandi të zëvendësohej nga një vepër me tjetër material.

Një vit më pas, Papi përdori modelin origjinal për të bërë një kokë bronzi. Aktualisht, gjithë gjurmët e kësaj pune kanë humbur. Në vitin 1853, i njëjti skulptor bëri kallëpin e parë prej allçie të gjithë fytyrës dhe në ditët e sotme mund ta admironi Davidin në Firence, në Gipsoteca të Istituto Statale d’Arte (Institutin Shtetëror të Artit). Nga i njëjti model, Papi krijoi një tjetër model derdhur në allçi në vitin 1856. Ja pra, kjo është vepra që sot gjendet në Muzeun “Victoria dhe Albert” në Londër, në seksionin kushtuar modeleve prej allçie.

Si arriti Davidi prej allçie, në Londër?

Ishte Duka i Madh i Toskanës, Leopoldi II i Habsburgut të Lorenës, që ia paraqiti modelin prej allçie Mbretëreshës Viktoria. Me të mbërritur në Londër, vepra ishte e destinuar për t’u vendosur në Muzeun e Kensingtonit të Jugut, tashmë Muzeu “Victoria dhe Albert”.

Mbretëreshën e shqetësoi pamja e penisit të skulpturës kryevepër dhe kërkoi menjëherë të sajohej diçka, për të mbuluar lakuriqësinë e Davidit. Është e qartë, se përmasat linin vend për “vërejtjen”. Për këtë arsye, iu kërkua skulptorit Domenico Brucciani, që të bënte një gjethe të madhe fiku për t’iu vendosur Davidit, vetëm në prani të mbretëreshës. Brucciani, në atë kohë mësues modelimi në Kolegjin Mbretëror të Artit, krijoi një gjethe fiku gjysmë metri prej allçie. Gjethja u vendos vetëm kur mbërriti mbretëresha në muze dhe u hoq për t’i lënë të dukshme të gjithë anatomitë e Davidit për vizitorët e tjerë. Gjethja e madhe vijon të jetë ende e dukshme në galerinë e kopjeve të allçisë të muzeut.

Restauruesja që shihni në foto është Johana Puisto dhe është përgjegjësja për ruajtjen e gjithë kopjeve në Muzeun “Victoria & Albert”. Para disa vitesh, ajo restauroi kopjen e Clemente Papit. / Konica.al / KultPlus.com

O moj Shqypni

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da. 
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.

Faton Kryeziu vjen me ekspozitë personale e cila përcjellët edhe me promovim libri

Artisti Faton Kryeziu, së shpejti do të hap ekspozitën e tij personale të titulluar ‘Tension&Emocion’, ku artisti do të prezantohet para publikut me gjithsej 42 punime, përcjellë KultPlus.

Përveç ekspozitës, në të njëjtën ditë, njëkohësisht do të bëhet edhe promovimi i librit me po të njëjtin titull, i punuar nga studiuesja e njohur, Suzana Varvarcia.

Kjo ekspozitë dhe promovim i librit do të mbahen nesër, më datë 30 qershor në Hotel Sheraton në Prishtinë, duke filluar nga 18:00. / KultPlus.com

Shpresa Loshaj, laureate e Çmimit për Demokraci 2020 nga KCSF

 

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i ndau Çmimin për Demokraci 2020 aktivistes Shpresa Loshaj, për dedikimin dhe aktivizmin e saj në mbrojtjen e natyrës dhe ujërave në Lumbardhin e Deçanit. Shpresa Loshaj ka vite që është angazhuar aktivisht në mbrojtje të lumenjve dhe ambientit jetësor nga dëmi që po u shkaktohet nga ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve në këtë pjesë të Kosovës.

Shpresa e pranoi Çmimin për Demokraci në mënyrë virtuale ndërsa në emër të saj, fizikisht pllakën e çmimit e pranoi aktivistja nga Deçani Edonjeta Iberhysaj bashkë me Grupin Anti SLAPP, grup i cili është duke e përkrahur Shpresa Loshajn sidomos ndaj padisë që është ngritur kundër saj nga Kompania Kelkos.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, Udhëheqësja e Programit Zhvillimor të Zvicrës në Kosovë, Katharina Stocker theksoi përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës për angazhim qytetar dhe mbrojtje të ambientit, ndërsa zv. Shefja e Ambasadës së Suedisë në Kosovë, Nasrin Pourghazian e cilësoi angazhimin e Shpresës si demonstrim të fuqisë së qytetarëve për ndryshim. Taulant Hoxha, Drejtor i KCSF-së, i ftoi qytetarët e Kosovës që ta shfrytëzojnë shembullin e Shpresës si frymëzim për t’u angazhuar për të mirën publike në çështjet që i preokupojnë lagjet, fshatrat e qytetet e tyre. Ceremonia e ndarjes së çmimit u transmetua në rrjetet sociale të KCSF-së dhe në televizionin Kohavision, së bashku me një dokumentar të shkurtë të realizuar nga KCSF, ku tregohet për rrugëtimin e Shpresa Loshajt për këtë kauzë.

Çmimi për Demokraci është pjesë e programit EJA Kosovë, program ky i KCSF-së për përkrahje të shoqërisë civile që bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.

Në të kaluarën, Çmimin për Demokraci e kanë marrë Fondacioni Lumbardhi për vitin 2016, Insajderi dhe Murat Mehmeti për vitin 2017, Blert Morina dhe Kolektivi HAVEIT për vitin 2018 dhe Banorët e Bitisë së poshtme për vitin 2019. / KultPlus.com

Sot, për Ditën e Kinemasë në Cineplexx, çmimet e biletave duke filluar nga 2,80€

Në Cineplexx dita e martë shënon Ditën e Kinemasë, e cila është ditë e rezervuar për çmime më të ulëta të biletave, ku çmimet e tyre fillojnë nga 2,80€.

Dita e martë është dita që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave, duke filluar nga 2,80€ për filmat 2D, dhe 3,60€ për filmat 3D. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, sot mund t’i shikoni 7 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 15:00 deri në ora 20:00 në kinemë në Prishtinë dhe në Prizren. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni sot me çmime të zbritura në Cineplexx janë:

1) Fast & Furious 9
Cipher rekruton në ekipin e saj vëllaun e vogël të Dom në mënyrë që të hakmerret ndaj Dom dhe ekipit të tij.

2) Hitman’s Wife’s Bodyguard
Truproja Michael Bryce vazhdon miqësinë e tij me vrasësin Darius Kincaid ndërsa ata përpiqen të shpëtojnë gruan e Darius Sonia.

3) Spiral
Një organizator kriminal lëshon një formë të përdredhur të drejtësisë në Spirale, kapitulli i ri i tmerrshëm nga libri i Saw. Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen ende super filmat e zhanrit horror, A Quiet Place Part II dhe The Conjuring 3, ndërsa nga filmat për fëmijë, po shfaqet filmi i fundit nga Disney dhe Pixar, Luca.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 15:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu. / KultPlus.com

Gjoni në Eurovision, Xhaka e Shaqiri në Euroligë, kontributi i kosovarëve ngrit Zvicrën në maja

Mund të themi lirisht që suksesi i shtetit zviceran në dy prej ngjarjeve më të mëdha botërore, atë të Eurovision dhe Euro 2020, erdhi pikërisht nga kontributi i djemve shqiptarë në këto fusha, shkruan KultPlus.

Gjon Tear’s, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri padyshim që janë bwrw edhe emrat më të përfolur në Zvicër, kjo falë suksesit që ata i siguruan këtij shteti. I pari në Festivalin e Këngës “Eurovision” dhe dy të fundit në lojën që u zhvillua mbrëmë e që Zvicrës i siguroi vendin në çerekfinale të Kompionatit Evropian për herë të parë duke e mposhtur ekipin favorit për ta fituar Euro 2020, Francën.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë dy djemtë kosovarë që mbrëmë dëshmuan për profesionalizmin e tyre në fushë e madje UEFA e shpërbleu Granit Xhakën me çmimin lojtari i ndeshjes.

Kjo ishte ndeshja e dytë në të cilën kontributi i kosovarëve në ekipin zviceran ishte vendimtar për përparimin e tij në Euro 2020.

Teksa flasim për suksesin e djemve kosovarë mbrëmë, kthehemi vetëm një muaj prapa dhe kujtojmë suksesin e jashtëzakonshëm të Gjon Muharremit në Eurovision.

Me emrin artistik Gjon’s Tears, ky ishte shqiptari tjetër i cili përfaqësoi Zvicrën me këngën “Tout l’Univers” në Eurovision e kështu arriti të ja siguroj shtetit zviceran vendin e tetë në këtë garë të madhe të këngës.

Madje, Gjon’s Tears ishte në vendin e parë me 267 pikë mirëpo në fund votat e audiencës e shtynë Italinë në krye, por kjo nuk ka ndikuar asgjë tek artisti pasi për të të jesh fitues nuk do të thotë të jesh më i miri, por më i njohuri.

Gjoni me paraqitjen e tij, siguroi një nga rezultatet më të mira për Zvicrën në Eurovision.

Sukseset e tyre kanë bërë që t’i dojë edhe bota e shqiptarët janë më krenarë se asnjëherë për këto sukses të jashtëzakonshme të djemve përbrenda vetëm një muaji. / KultPlus.com

Pianisti shqiptar rrëmben vendin e parë në Maltë

Kosti Deti është korçari i ri që po korr sukses në të gjithë botën. Ai është pianist dhe ka fituar mbi 30 çmime ndërkombëtare.

Në një lidhje me Skype për ABC, Kosti ka treguar gjithçka mbi sukseset e tij dhe veçanërisht për çmimin e parë që ka fituar së fundmi në Maltë. Ai tha se studion rreth 6 orë në ditë dhe nuk harron të dëgjojë as muzikën shqiptare.

Unë nuk e lë pas as muzikën shqiptare nga Feim Brahimi, Çesk Zadeja deri te Aleksandër Peçi. Pas një muaj e gjysmë do të luaj në Moskë pjesë të ndryshme të njohura duke filluar nga Shopen.

Unë studioj normalisht 6 orë në ditë, kur kam koncerte ose konkurse shkon në 8-9 orë. Megjithëse shkoj në shum konkurse dhe aplikoj nuk jam fans i tyre, po janë e vetmja mënyrë që mund të bëhen të njohur.

Çmimi i Maltës është një koncert që do të jepet sezonin e ardhshëm dhe më duket se kam fituar nja 5 mijë Euro”, tha Deti. / Klan Kosova / KultPlus.com

Reagon Xhaka, pasi e frymëzoi Zvicrën drejt çerekfinales së parë në Euro

Granit Xhaka mbeti pa fjalë derisa e lartësoi shpirtin luftarak të Zvicrës, duke e quajtur të mahnitshëm ekipin helvetik pas fitores kundër Francës në penallti dhe kalimit në çerekfinale të Kampionatit Evropian për herë të parë të hënën.

Ekipi zviceran u rikthye nga humnera pasi po humbiste me epërsi prej dy golave dhe e barazoi rezultatin në 3:3 në çastet e fundit të takimit të 1/8 së finales në Bukuresht, për ta mposhtur 5:4 në penallti kampionen e Botës, Francën.

Zvicra e kishte humbur mundësinë për ta krijuar një epërsi prej 2:0 në fillim të pjesës së dytë, pasi Ricardo Rodriguez e humbi penalltinë dhe Xhaka, i cili u shpall lojtari i ndeshjes, u mahnit nga qëndresa e bashkëlojtarëve të tij për ta barazuar rezultatin dhe për ta çuar ndeshjen në penallti.

Yann Sommer e mbrojti penalltinë e Kylian Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5:4 në penallti.

Duke folur pas ndeshjes, Xhaka tha: “Më vjen keq që duhet ta them këtë, por ky ekip është f*cking i mahnitshëm, njeri! Ne kishim mundësi ta çonim në 2:0 rezultatin dhe t’i jepnim fund ndeshjes, por humbja e penalltisë na i preu këmbët paksa”.

Ai shtoi: “Por pas rezultatit 3:1, të rikthehemi në këtë mënyrë kundër Francës, të tregojmë karakter kaq të madh.. ky ekip është f*cking i mahnitshëm, njeri!”

Zvicra do të përballet me Spanjën në çerekfinale të premten, e cila është e parë në historinë e ekipit helvetik në Euro.

Por fatkeqësisht, Xhaka do të jetë në gjendje t’i ndihmojë Zvicrës në atë ndeshje, për shkak se do të mungojë si pasojë e pezullimit me kartonë të verdhë.

Në një reagon në Facebook më vone, ylli i Arsenalit shkroi: “Kur beson, mund të arrish!”. / Gazeta Express / KultPlus.com

Ramë Lahaj për ‘The Stage’: Ëndrra e radhës është të krijoj një festival operistik në vendlindje

Tenori kosovar Rame Lahaj, në një intervistë për gazetën prestigjioze angleze, The Stage, ka folur rreth rrugëtimit jo fort të zakonshëm të tij ku si fëmijë, atë e gjeti lufta në mes të adoleshencës, kurse tani ai po planifikon të organizojë një festival në vendin e tij të lindjes, në Istog, shkruan KultPlus.

Trajnimi i tij muzikor nisi në moshën 21 vjeçare dhe tani tenori është shndërruar në një yll ndërkombëtar me suksese të njëpasnjëshme. Ndërsa, për rrugëtimin e tij të pazakontë në karrierë, dëshirën rreth hulumtimit të muzikës, realizimin e ëndrrës së madhe për të performuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare dhe ëndrra e radhës për të ngritur një festival operistik në vendlindje, janë këto vetëm disa aspekte të shpalosura në intervistën e dhënë për ‘The Stage’.

Lahaj e bëri këtë të ditur përmes një postimi në rrjetin social facebook, ku është shprehur mjaft i lumtur që ai ka përmbushur dekadën e tij të parë të karrierës ndërkombëtare në Operën Mbretërore të Anglisë e tutje ka treguar për ëndrrën e tij që pritet ta realizojë.

“Intervista për gazetën prestigjioze angleze, The Stage, ku folëm për rrugëtimin jo fort të zakonshëm të një fëmijë, që lufta e gjeti në mes të adoleshencës.

Se si, dëshirën për të hulumtuar rreth muzikës e filloi në moshën 21 vjeçare e deri tek realizimi i ëndrrës së madhe për të performuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare deri tek ëndrra e radhës për të ngritur një festival operistik në vendlindje”, shkruan Lahaj.

Tutje në dekadën e tij të parë të karrierës ndërkombëtare, gjithë suksesin ia dedikon nënës së tij.

“Krenarinë mund ta ndjejnë vetëm ata që pavarësisht vështirësive dhe sfidave të jetës kanë këmbëngulur dhe realizuar premtimin që ia kishin bërë vetës. Këtë dekade dhe debutim të rëndësishëm ia dedikoj nënës time duke ju përulur asaj dhe të gjitha nënave shqiptare për edukatën e dhënë pavarësisht periudhave të vështira që kemi kaluar”, shkruan Ramë Lahaj. / KultPlus.com

Vapa rekorde detyron rajonin kanadez t’i mbyllë shkollat dhe universitetet

Rajoni British Columbia i Kanadasë të hënën i mbylli shkollat dhe universitetet për shkak të vapës së madhe që në fundjavë solli temperaturë rekorde. Kanadaja nuk është shtet që njihet për temperatura të larta, përkundrazi.

Qyteza Lytton, që ndodhet rreth 200 kilometra në veri të Vankuverit, të dielën regjistroi temperaturë rekorde prej 46.6 gradësh. Rekordi i mëparshëm – 45 gradë – ishte shënuar në vitin e largët, 1937.

Temperaturat e larta i nxitën banorët që të kërkojnë freski në plazhe e buzë liqeneve. Në provincën ku më pak se 40 për qind e shtëpive kanë kondicionerë të ajrit, në rrjetet sociale u popullarizuan shumë postimet rreth mbajtjes së freskisë pa pajisje elektronike.

Vapa është e pazakonshme për rajonin veriperëndimor të Kanadasë, me dalje në Oqeanin Paqësor, ku më shumë ka shi se ditë me rreze dielli. Temperaturat e larta u shkaktuan nga një sistem i shtypjes së lartë që s’po lëviz, tha Greg Flato, shkencëtar kanadez.

“Temperaturat rriten shumë gjatë ditës, nuk ulen aq shumë natën dhe qëndrojnë relativisht të paluhatura për shkak të ngjarjeve të motit këtu në Bregdetin Perëndimor”, tha ai. / KultPlus.com

Vlera e Facebook-ut arrin shifër rekorde, mbi 1 trilion dollarë

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara i hodhi poshtë dy padi kundër rrjetit social, Facebook, duke ndikuar që vlera e tij të arrijë në nivel rekord.

Gjykatësi James Boasberg vlerësoi se ankesa e Komisionit Federal të Tregtisë kundër rrjetit social është shumë e paqartë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Një padi tjetër rreth konkurrencës, të dorëzuar nga disa shtete të ShBA-së, gjithashtu u hodh poshtë, sepse shkeljet e pretenduara kishin ndodhur shumë kohë më parë.

Pas këtyre vendimeve, vlera e aksioneve të Facebook-ut u rrit për 4.2 për qind dhe vlera e kompanisë në treg për herë të parë shkoi në mbi 1 trilion dollarë.

Sa i përket padisë së dytë, gjykatësi Boasberg tha se shtetet nuk kanë ofruar justifikim të arsyeshëm për atë se pse kanë pritur nga gjashtë deri në tetë vjet për të vendosur që ta padisin Facebook-un. Ai shtoi se shtetet kanë dështuar që të ofrojnë pretendime me fakte. / KultPlus.com

Regjisori i shfaqjes “Lela & Co”, Eki Rrahmani: Gjatë shfaqjes e kafshoja gjuhën që mos me qajt

Era Berisha

Drama e autores Cordelia Lynn, mbrëmë u gjallërua nën aktrimin mahnitës të Gentë Retkoceri dhe Kushtrim Sheremeti, të cilët para publikut kosovar zgjuan emocione e ngritën vetëdijesimin ndaj trafikimit të qenies njerëzore përmes gërshetimit të humorit e realitetit që përçoi shfaqja ‘’Lela & Co’’ nën regjinë e Eki Rrahmani, shkruan KultPlus.

Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, kishte marrë një pamje tjetër ku vendosja e ekranit televiziv, projektorit që shfaqej herë pas here, një kafaz që portretizonte botën e vogël të Lelës, reflektorët e kuq e të ngrohtë dhe dritat e llojllojshme, krijuan ndjesinë se kjo shfaqje që kishte për bazë këmbënguljen e gruas kundër trajtimit të vrazhdë të saj nga karakteret e meshkujve, të cilët përmes mohimit dhe arsyetimit për mbijetesë e trajtojnë gruan si një pronë apo objekt duke e shkatërruar botën e saj deri në copëza, po ndodhte me të vërtetë para syve tanë, para një televizori.

Drama e shqipëruar nga Jeton Kulingja, ishte me të vërtetë një histori tërheqëse ku rrethanat e vrazhda qysh nga fillimi deri në fund, u shfaqën jashtëzakonisht bukur dhe publiku i përjetoi në brendësi, ndjenjat e pakrahasueshme që karakteri i Lelës, i përjetoi përmes dhunës, keqtrajtimit, manipulimit, përdhunimit dhe prostitucionit.

Rrahja nga babai në ditëlindjen e saj, ngacmimi seksual nga dhëndri, manipulimi nga motra e saj, abuzimi mental dhe fizik nga burri i saj dhe ushtari i huaj që shfrytëzon trupin e saj, ishin këto vetëm disa rrethana të tmerrshme që personazhi i Lelës portretizoi, e në anën tjetër, të gjitha këto karaktere të meshkujve, i luajti aktori Kushtrim Sheremeti, i cili monolog pas monologu, shpalosi vetëm disa nga trajtimet që kanë ndodhur në realitetin tonë dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot, e për të cilat, secili nga ne i mbyllim sytë e shikojmë në anën tjetër.

‘’Lela & Co”, shpalosi thirrje të vazhdueshme e gjithanshme për vetëdijesimin ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Pasqyrimi i botës në perspektivën e gruas e sidomos në rolin e nënës, ishte ajo më e ndjeshmja, ku Lela dhe fëmija e saj, babai i së cilit nuk dihet, jetojnë përmes një ngufatje të përsëritshme që ndodhin nga rrethanat e krijuara. Ndërsa, vdekja e bebes të saj nga mosushqyerja, solli vdekjen shpirtërore të Lelës, e me të vdiq edhe bota e cila sa erdhi e u zvogëlua deri në dy duart e saj, ajo bota të cilën ajo e konsideronte të mjaftueshme për të jetuar.

Për të treguar përshtypjet e tij rreth shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Eki Rrahmani.

“Jam kënaqur fillimisht se njerëzit qëndruan edhe pse koha e nxehtë dhe jam shumë i emocionuar sepse gjithçka shkoi mirë dhe ia kemi arrit atë që kemi punuar. Edhe pse kushtet katastrofale, shfaqja shkoi shumë mirë dhe njerëzit fillojnë të flasin për këtë çështje të trajtuar brenda shfaqje. Gjatë kësaj shfaqje të rëndë, ndonjëherë e kafshoja gjuhën që mos me qajt sepse shumë e dhimbshme”, ka thënë Rrahmani.

Po ashtu, aktori Kushtrim Sheremeti, për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij dhe emocionet pas shfaqjes.

“Po ndihna shumë i lodhur dhe i djersitur por shfaqja ishte shumë e mirë dhe besoj që publiku e priti bukur mirë sepse reagimet e tyre dalloheshin. Ishte një punë e bërë me dashuri dhe gjithçka që bëhet me dashuri, të paktën keq nuk mundet me dal. Ishte një shfaqje e lodhshme por jam shumë i lumtur që përfundoi mirë’’, thotë Sheremeti.

Gjithashtu, aktorja Gentë Retkoceri për KultPlus foli rreth emocioneve përgjatë shfaqjes dhe pas saj.

“Jam shumë e lumtur që publiku u përgjigj mirë ndaj asaj se çfarë kanë parë, por u frikësova pak për shkak të tekstit por energjia ime ishte në një nivel tejet të mirë. Provat e sofistikuara sollën ndarjen e duhur të roleve, emocioneve dhe mesazheve”, thotë Retkoceri.

Repriza e shfaqjes “Lela & Co”, vjen sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Ambasada e Zvicrës në Kosovë: Faleminderit Kosovë për përkrahjen!

Ambasada e Zvicrës në Kosovë është shprehur krenare me diversitetin brenda ekipit kombëtar zviceran, pasi Zvicra arriti në çerekfinale të Kampionatit Evropian për herë të parë duke e mposhtur ekipin favorit për ta fituar Euro 2020, Francën.

Zvicra, e cila përbëhet nga lojtarë me prejardhje nga vende të ndryshme të botës, përfshirë nga Kosova, do të luajë në një çerekfinale të Euro për herë të parë në historinë e ekipit të vet kombëtar, raporton Gazeta Express.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri luajtën titullarë, ndërsa Admir Mehmedit u fut në lojë nga stoli dhe ishte në mesin e pesë lojtarëve që shënuan nga penalltia për Zvicrën.

Pas një betejë të zjarrtë 3:3 gjatë 120 minutave lojë, Yann Sommer e mbrojti penalltinë e Kylian Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5:4 në penallti.

Dhe, me këtë fitore, Zvicra e rrëzoi kampionen e Botës 2018 dhe favoritin kryesor të Euro 2020, për ta përcaktuar një duel çerekfinal me Spanjën të premten.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e Zvicrës në Prishtinë shkroi: “Zvicra është krenare me diversitetin e vet! Rezultati më i mirë në një Kampionat Evropian për Zvicrën”.

Ajo e nënvizoi edhe faktin se mesfushori nga Podujeva, Granit Xhaka, u zgjodh lojtari i ndeshjes, si dhe e falënderoi Kosovën për përkrahjen.

“UEFA e shpërblen Granit Xhakën me çmimin lojtari i ndeshjes. Faleminderit Kosovën për përkrahjen!”

Kjo ishte ndeshja e dytë në të cilën kontributi i kosovarëve në ekipin zviceran ishte vendimtar për përparimin e tij në Euro 2020.

Para se Xhaka ta bënte paraqitjen jetësore kundër Francës si një lider i vërtetë, Xherdan Shaqiri ishte siguruar për ta dërguar Zvicrën në fazën e eliminimit direkt me dy golat e tij në triumfit vendimtar 3:1 kundër Turqisë në ndeshjen e fundit në Grupin A.

Tani Zvicra do ta kërkojë gjysmëfinalen në takimin e së premtes me Spanjën. /Gazeta Express/  KultPlus.com

129 vjetori i vdekjes së ideologut dhe poetit, Pashko Vasa

Sot, përkujtojmë 129-vjetorin e vdekjes së veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit Pashko Vasa (Shkodër, 17 shtator 1825 – Bejrut, 29 qershor 1892).

Pashko Vasa lindi në Shkodër aty ku edhe kreu mësimet e para dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj. Kur shkoi në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane. Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”.

Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).

Pashko Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).

Vdiq në Liban. Eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër. / KultPlus.com

Gjendet në Athinë një pikturë e vjedhur e Picassos

Një pikturë e artistit Pablo Picasso, e cila ishte vjedhur nëntë vite më parë gjatë një plaçkitjeje në një galeri të artit në Greqi, tashmë është gjetur.

Të hënën, policia në Athinë tha se piktura “Koka e Gruas” është gjetur bashkë me një pikturë tjetër të vitit 1905 të piktorit holandez, Piet Mondrian.

Këto dy piktura dhe një tjetër ishin vjedhur gjatë një plaçkitjeje në Galerinë Kombëtare të Athinës në vitin 2012, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Agjenia Reuters, duke cituar një burim anonim të policisë, raportoi se një burrë grek është arrestuar, pasi pikturat u gjetën në një kanal në periferi të qytetit.

Piktura e vjedhur e Picassos i ishte dhënë dhuratë Galerisë Kombëtare nga vetë artisti në vitin 1949. Pasi e kishte pikturuar një dekadë para se ta jepte dhuratë, ai kishte thënë se pikturën po ia jepte Greqisë si mirënjohje për rezistencën kundër Gjermanisë naziste.

Pritet që zyrtarët grekë të mbajnë një konferencë për gazetarë më vonë të martën rreth gjetjes së këtyre pikturave. / Gazeta Express / KultPlus.com

“Çka do t’iu themi nënave, shembull do të jemi për ta…” (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Hana Cakulli, një vajzë modeste dhe e shoqërueshme, që fama nuk e ka ndryshuar aspak. Për vite të tëra ajo i ka dhuruar muzikës tekste kuptimplota që përçojnë emocione të mëdha, shkruan KultPlus.

Sot po sjellim këngën e vjetër të Hanës “Çka do t`ju themi nënave”, e cila është shkruar nga Aida Baraku.

Kënga ka qenë pjesëmarrëse në Top Fest 2008 ku dhe ka fituar çmimin Best Song.

“Çka do t`ju themi nënave” ka rreth dymbëdhjetë vite jetë dhe mbetet një baladë e fuqishme për dashurinë e humbur.

Po e sjellim këtu edhe tekstin dhe videon e këngës në fjalë:

Vdes për dy gota nes

si një ndërtesë e rëndë me ra krese

këtë mëngjes, për vdekje qëlloi

fjala e fundit si e plumbit, nga buzët shpëtoi.

e vend i vogël është ky,

çdo kalimtare do të na ndal…ndal të pyes për ne të dy.

çka do t’iu themi nëna…ve

çka do t’iu themi shok…ëve

çka do t’iu themi, shembull do te jemi për ta…

si shemben dashuritë e mëdha.

mal i pyetjeve

si biçikletë e vjetër, rrëzohet para këmbëve

u nise ngadalë duket se gjëja më e vështirë

është të thuash më fal,

pasqyrë e madhe pranë nesh

sa i shëmtuar më dukesh , ti…

për një moment, dashuri…….

çka do t’iu themi nëna…ve,

çka do t’iu themi shok…ëve

si do t’iu themi që shpoi kah qielli

dhe ra… (një pallat nga rëra)

çka do t’iu themi nëna…ve

çka do t’iu themi shok…ëve

çka do t’iu themi, forcë a do të kemi ne

çka do t’iu themi, zemër a kemi për ta

fjalë magjike s’ka…

sot shemben dashuritë e mëdha….

sot shemben dashuritë e mëdha….

sot shemben dashuritë e mëdha…. / KultPlus.com

‘A të duhen luftëtarë, gjithë botës t’i vësh zjarrë, do arratinë të marrë, merr nja dhjetë Kosovarë’

Zgjidh e merr vet

A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë ?
Do arratinë të marrë ?

Merr nja dhjetë Kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,

keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende ?
Burra e gra kërcejn’ në lodër ?

Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë ?

Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit ?

Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të parë

në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë ?

E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë ?

Ec’ e merr Gjirokastrinë !

Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret ?
Pastërti e për hyzmet ?

Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë ?

I ke n’ Kukës, i ke me dorë !

Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,

Janë të gjithë për xhandarë !

A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,

Për tre Mirditor’ bëj benë !

Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,

Vetëm të zgjatësh një dorë !

Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,

Kok’ e këmbë s’kanë të sharë !

Hall i math me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,

Se na duhen dhe pa tru !

A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë ?
Me taban ta kesh njerezinë,

Merr të gjithë Labërinë !

Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,

Kësaj gjëje i venë kapak !

A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?

Ke sa të duash Tropojanë !/KultPlus.com

Kosovare Asllani fiton çmimin ‘Mahou Five Star Player’

Kosovare Asllani ka fituar çmimin ‘Mahou Five Star Player’ nga Real Madrid në sezonin 2020/2021, përcjell KultPlus.

Sulmuesja suedeze ka luajtur në 29 ndeshje dhe ka përfunduar sezonin si golashënuesja më e mirë e Madridit me 16 gola, shkruanjnë mediat e huaja.

Lojtarja shprehu falënderimin e saj për çmimin e fituar.

“Unë mendoj se kemi pasur një sezon shumë të mirë. Gjëja më e rëndësishme është që ne kemi arritur një vend në Champions League sezonin e ardhshëm dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë”, ka thënë lojtarja.

“Jam shumë e lumtur, natyrisht. Ndihem sikur kam ndihmuar ekipin, por ky çmim shkon për të gjithë skuadrën sepse është puna e të gjithëve këtë sezon ”, ka shtuar ajo./ KultPlus.com

“Cirku Fluturues”, fiton çmimin e argjendtë në festivalin e Gjenevës

Filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues” i Fatos Berishës ka fituar çmimin e argjendtë në festivalit e Gjenevës në Zvicërr, shkruan KultPlus.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

“Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic,  ndërsa në rolet dytësore: Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. / KultPlus.com

May be an image of 1 person and text

E folmja shqipe në Ukrahinë, Bullgari dhe Moldavi

I deshi shqiptarët, me gjuhën dhe historinë e tyre të lashtë – të shkruar e të pashkruar. E mahniti bukuria e egër e këngës së dashurisë e të vajit. Njohu ndershmërinë dhe ashpërsinë e shqiptarëve. Shqiptarëve ndër breza, u dhuroi një pasuri të madhe kulturore, me vlera të paçmueshme.

Falë punës me pasion e përkushtim të veçantë, të studiuesit dhe albanologut të njohur, Robert Elsie, shqiptarët u njohën me pamje dhe dëshmi nga tokat e banuara ndër shekuj me shqiptarë, të panjohura ose shumë të rralla – të para më shumë se një shekulli e gjysmë.

Ata ai i zbuloi nëpër arkiva dhe muze nga Evropa në Amerikë, apo në fondet private të studiuesve të ndryshëm, Elsie ka zbuluar edhe disa regjistrime me zë që dëshmojnë të folmet e shqipes në diasporën e hershme shqiptare.

Sot po sjellim të folmen në Ukrahinë, Bullgari dhe Moldavi… Duhet të klikoni mbi pikën e gjelbër për të dëgjuar incizimin përkatës. Për të ndryshuar vendin e të folmes, duhet të klikoni në “Back”.

Për të dëgjuar dialektet e gjuhës shqipe në Ukrahinë, Bullgari dhe  Moldavi… klikoni KËTU./ KultPlus.com

30 vite nga eksodi shqiptar, në Otranto një takim me kujtesën dhe të ardhmen

“Një takim me kujtesën dhe të ardhmen” cilësohet aktivitet që do të organizohet në Kështjellën e Otrantos, me rastin e 30-vjetorit të eksodit shqiptar në Itali.

Të ftuarit do të kenë diskutime dhe refleksione lidhur me situatën. Pjesëmarrës është Klodiana Çuka, themeluese e Integra Onlus, konsullja e përgjithshme në Bari, Gentiana Mburimi, Luigi de Luca, drejtor i Polo Biblio-Museale të Leçes dhe ndërmjetësja kulturore Egestina Levani.

Takimi do të përmbajë gjithashtu dhe një koncert nga Orkestrina popullore otrantine “Kërkim”.

Ky event është pjesë e festimeve dy ditore e Festës së S. Petriu e Paulu në komunën e Otrantos në Itali./ KultPlus.com

Poezia e Bekim Lumit kushtuar nënës

Poezinë “Of Nanë” Bekim Lumi e shkroi në vitin 1996 në Shqipëri.

Siç ka treguar ai: “Në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë, kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun”.

Of Nanë

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si rr’fe prej qielle
Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si ilaç për nerva
Emnin tand ndër dhambë e kafshova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta
Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si barrën e druve përmi shpinë
Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si bojaxhi i keq që jam
Flok’t me gëlqere t’bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si mbi jastëk andrrash
Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta

Of Nanë
Pashë Zotin
Pashë Ty
Pashë Babën
Pashë Mue
M’fal
Si mëkatar i keq që jam
Po t’lutem shumë
M’fal
Për dhembjet
Për sëmundjet
Për nervat
Për zjarminë
Për brengat
Për borxhet
Për mallin
Për mërzinë
Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme
M’fal
Njimijë herë m’fal
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë. /KultPlus.com